Me këtë thirje e mbylli fjalën në Tribunën e lartë të Pallatit të Xhamit në Nju Jork Presidenti francez Macron, i fundit për të si Kryetar Shteti në OKB. Ishte ndër fjalimet më të zjarrta në mbështetje të OKB-së në Javën e Nivelit të Lartë, veprimtaria më e rëndësishme e Sesionit të 81 të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së që u zhvillua nga 22 – 28 Shtator. Aty folën 98 Presidentë, 44 Kryeministra dhe dhjetra ministra të jashtëm. Logoja e këtij sesioni ishte “Rivendosja e besimit, menaxhimi i transformimit: Një OKB që realizon për të gjithë” Aty u trajtuan tematikat më të nxehta të njohura gjeopolitike. Puna në Nju Jork vijon deri në muajin dhjetor nëpër komisione, komitete dhe panele të posaçme. Deri atëhere do intensifikohen edhe procedurat e zgjedhjes së Sekretarit të ri të Përgjithshëm të OKB-së; me gjasa që për herë të parë të zgjidhet një grua.
Ky Sesion u mblodh në momente tejet të brishta dhe të ndërlikuara gjeopolitike, për shkak të gjendjes tejet të rënduar krahasuar me sesionin paraardhës, me dy konfliktet dhe sfidat më të mëdha me pasoja të rënda për botën – vazhdimi i agresionit rus kundër Ukrainës dhe konflikti i zgjatur ushtarak në Lindjen e Mesme; por edhe me kriza dhe kërcënime të tjera, përfshirë ato hibride dhe kibernetike. Por jo më pak edhe për shkak të tentativave për ta goditur, revokuar dhe zëvendësuar rendin ekzistues ndërkombëtar dhe multilaterizmin e përfaqësuar pikërisht nga OKB-ja. Kur ka jo pak njerëz që për shkak të mosnjohjes së historisë, misionit të shumëfishtë dhe strukturës së saj, mendojnë gabimisht ose me naivitet politik se mund ta çmontojnë dhe zëvendësojnë me lehësi OKB-në. Kur dihet se i synimi strategjik i OKB-së të krijuar më 25 Prill 1945 ishte bashkimi si fillim i 50 dhe më vonë i 193 vendeve anëtare, të shmangte tragjedi si dy luftrat botërore, duke u bërë garante e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në botë.
Ndaj edhe Karta e OKB-së fillon me tri fjalë të thjeshta: “ Ne popujt” dhe Jo, “ne më të fuqishmit”, jo ne fititimtarët. Por, ne popujt – të gjithë ne, të lidhur me bindjen e vetme: se jemi më të sigurt, më të fortë dhe më njerëzorë kur jemi bashkë” Falë ndihmesës nga të gjitha vendet anëtare dhe fuqitë e mëdha të asaj kohe u krijua dhe konsolidua rendi i ri botëror shumëpalësh, tanimë i bazuar në “forcën e ligjit dhe jo në ligjin e forcës”. Eshtë fakt i padiskutueshëm se asnjë agjenci apo institucion tjetër ndërkombëtar nuk garanton dot paqen dhe sigurinë në botë pa autoritetin detyrues të KS të OKB-së. Imagjinoni për një çast sa probleme dhe telashe të tjera të mëdha do të ishin krijuar në fushën e ekonomisë, financave dhe tregtisë ndërkombëtare pa Bankën Botërore, FMN-në dhe OBT-në; apo në fushën e projekteve zhvillimore teknike e shkencore pa PNUD-in; ndërsa në luftën kundër krimit të organizuar, narkotrafikut, pa INTERPOL! Po për paqeruajtjen kush mund të japë me shumë garanci se sa “helmetat blu” të dislokuara në pikat valuese të konflikteve kudo në botë? Po sëmundjet dhe epidemitë në botë, si mund të luftoheshin pa ndihmesën e OBSH-së? Po aq e vështirë do të ishte menaxhimi i azilit dhe emigracionit, megjithë problematikat e nxehta pa rolin e IOM-t, i bujqësisë dhe ushqimit pa FAO-n, mbrojtja dhe promovimi i trashëgimisë kulturore pa UNESCO-n, apo kujdesi ndaj miliona fëmijëve të varfër kudo pa UNICEFI-n! Po në raste ankimesh gjyqësore e juridike, ku më mirë do ta kërkonin dhe gjenin të drejtën palët e ndryshme se sa te Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, atë të Zgjidhjes së Mosmarrëveshjeve për Investimet dhe Marrëveshjes Ndërkombëtare të Detit? Mirëpo, shpesh harrohet se të gjitha këto dhe të tjera janë filiale të OKB-së.
Padyshim që OKB-ja me agjencitë e saj kanë patur jo pak dështime e gabime tashmë të njohura në disa fusha. Në shumë raste, nga projekte frymëzuese politike, ekonomike dhe sociale, ato kanë hyjnizuar procedurat burokratike, duke u kthyer, siç thotë politologu amerikan David Graber në “perandori rregullash të ngurta”. Ndërkohë, shtimi i papunësisë kronike, varfërisë, skamjes, dhunës dhe pasigurisë janë pasoja të drejtpërdrejta edhe të sistemit të OKB-së, paaftësisë së tij për t’iu përshtatur situatave të reja dhe shkëputjes nga realitetet e përditshme. Veçanërisht në këto 20 vitet e fundit, OKB-ja dhe sistemi shumëpalësh që ajo mishëron janë tronditur thellë nga kriza dhe konflikte të shumta dhe serioze të njohura. Edhe forumi i tij më i lartë, Këshilli i Përhershëm i Sigurimit, është goditur rëndë mbas agresionit rus të 24 Shkurtit 2022, mbasi shkelja e hapur e Kartës së OKB-së vjen nga një anëtar i përhershëm i KS të OKB-së. Për pasojë, Këshilli i Sigurimit është reduktuar kryesisht në një platformë për shpalosjen e qëndrimeve gjeopolitike. Mirëpo, fajin për këto shqetësime dhe dështime nuk e ka thjesht dhe vetëm OKB-ja; se ajo nuk është forum abstrakt por përbëhet nga shtetet e saj; mbi të gjithë nga anëtarët e përhershëm të Këshillit të saj të Sigurimit, SHBA-të, Kina, Rusia Franca dhe Britania e Madhe dhe 10 anëtarë të tjerë të përkohshëm të tij. Fakt është se ndonëse të bashkuara zyrtarisht, vendet anëtare të OKB-së sot janë më të ndara se kurrë në vlera, parime dhe interesa gjeopolitike, plot me rreziqe dhe kërcënime serioze për paqen dhe sigurinë planetare.
Gjithsesi, këto mungesa dhe dështime nuk ka pse të çojnë në nënvleftësimin, zëvendësimin, revokimin apo ca më keq në rrënimin e OKB-së. Sepse, edhe përvoja e 80 viteve të fundit dëshmon qartë se OKB-ja mbetet tribuna më e madhe, më bindëse, më e besueshme dhe më gjithëpërfshirëse në trajtimin e sfidave globale. Ndaj është shumë më mirë të kemi një OKB të reformuar, mbasi pa të, rreziqet do të ishin akoma më të mëdha. Mjafton të njihesh me strukturat dhe përvojën e saj komplekse, dhe e kupton se asnjë forum tjetër nuk përballon dot sfida të tilla serioze dhe shumëdimensionale. Kjo shpjegohet edhe me disa specifika dalluese të OKB-së. Kështu, krejt ndryshe nga Bordi i Paqes për Gazën, që në fillim tentoi ta zëvendësonte atë, krijimi dhe funksionimi i OKB-së kishte karakter gjithëpërfshirës; ajo nuk ishte rezultat dhe shfaqje përjashtimisht e një lideri të vetëm, as marrëveshje e tipit “lere ose merre“ por produkt i një procesi të gjatë mirëkuptimi, bashkëpunimi dhe konsultimesh nga ekipet diplomatike të vendeve pjesëmarrëse. Themelimi i saj pas 4 vite demarshesh dhe konsultimesh u bë pa ngut dhe improvizime si Këshilli i Paqes në Gaza. OKB-ja u krijua mbi një bazë të qartë dhe të konsoliduar kushtetuese dhe ligjore ndërkombëtare. Ndryshe nga Karta e Këshillit të Gazës, e cila ka vetëm 8 faqe me parime të përgjithshme, Karta Universale e OKB-së ka 128 faqe ku përcaktohen parimet, forumet dhe procedurat.
Ndërkohë, OKB-ja nuk ishte as paralele, as plotësuese dhe as mbivendosje e ndonjë grupimi tjetër të mëparshëm, siç tentoi të bënte Këshilli i Paqes në Gaza. Në fakt, perceptimin mbi Këshillin e Paqes si anti-OKB e përforcoi vetë Presidenti Trump kur njoftoi largimin nga 31 agjenci të OKB-së të angazhuara në fusha me nevoja dhe ndjeshmëri të mëdha publike, si klima, shëndeti, fëmijtë, varfëria dhe ndihmat humanitare, të gjitha në shërbim të paqes. Ndërkohë, perceptimit dhe dyshimeve të mësipërme ia “vuri kapakun“ mandati i përjetshëm i kryesimit të tij dhe i vetos nga Presidenti Trump dhe mungesa e rregullave mbi rolin dhe përgjegjësitë e barabarta mes vendeve deri te kryesimi me rradhë si në OKB dhe gjetkë. Edhe pagesa unikale prej 1 miliard Dollarë pa asnjë diferencim për një vend të përhershëm në Këshill shkon kundër praktikave të OKB-së, ku secili vend anëtar jep kuotën e tij në raport me popullsinë dhe nivelin ekonomik.
Së fundi, kushdo, ca më tepër liderët e shteteve kanë të drejtën e tyre që të kritikojnë dhe të shprehin rezerva dhe kundërshtime parimore ndaj organizatave dhe traktateve ndërkombëtare dhe partnerëve të veçantë; veçse jo duke e larguar, duke zbehur e ca më pak duke çmontuar diplomacinë shumëpalëshe dhe të drejtën ndërkombëtare që mishëronn Karta e saj Universale, por duke e përmirësuar, reformuar dhe çimentuar OKB-në në të gjitha komponentët. Këtë e kuptoi më në fund edhe Presidenti Trump, i cili në ceremoninë e inaugurimit të Bordit të Paqes për Gazën më 21 Shkurt 2026 në Uashington vlerësoi përvojën dhe strukturat komplekse planetare të OKB-së; duke deklaruar qartë se Këshilli i Paqes nuk synon mbivendosjen dhe as zëvendësimin e OKB-së. Një pohim realist dhe i mirëpritur që premton për të ardhmen e OKB-së dhe reformimin e saj të pandërprerë, si alternativë absolutisht e pazëvendësueshme për paqen, sigurinë dhe stabilitetin në botë. Sepse, siç e ka thënë edhe ish Sekretari emblematik i Përgjithshëm i OKB-së, i ndjeri Kofi Annan, “ e vetmja alternativë në këtë botë të ndarë është një Organizatë e Vërtetë e Kombve të Bashkuara”.
Me këtë bindje dhe logjikë, krahas shumë homologëve të tjerë, Presidenti francez Macron në fjalën e tij më 24 Shtator në tribunën e lartë të Pallatit të Xhamit në Nju Jork i doli fort në mbrojtje OKB-së, duke deklaruar se vetëm ajo mund të shmangë “ moskthimin në ligjin e xhunglës në marrëdhëniet e sotme ndërkombëtar; mbasi sot jemi në momentin kur duhet të zgjedhim midis një bote të sunduar nga forca dhe shtrëngimi dhe një bote tjetër të mbizotëruar nga një shoqëri qytetëruese”. Ndaj, Presidenti Macron e mbylli fjalën me thirjen domethënëse “ Rroftë OKB-ja”!
Së fundi, prania e Kryeministrit Edi Rama ishte më e dobëta në 36 vitet e fundit, si për nga mesazhet e varfëra dhe pa vend që përcolli, ashtu edhe me ZERO takime të nivelit të lartë, me një embargo dhe bojkot të paparë. Aq sa me të drejtë lind pyetja përse duhet të shkonte ai, kur mjaftonte Ministri i Jashtëm, Ferit Hoxha; ca më tepër se ai e ka “ si shtëpinë e vet diplomatike” Nju Jorkun, mbasi ka shërbyer për dy mandate si Përfaqësuesi ynë i Pëhershëm në OKB. Kancelari gjerman Merz nuk shkoi vetëm se ishin zgjedhjet vendore në dy rajone, ndërsa Kryeministri ynë, edhe pse i “ ka punët çorap” me skandale pa fund, më të fundit atë të ish Shefes së SHIK-ut, pikërisht kur ishte në Nju Jork vazhdon “ pushka bam dhe Muçua tutje”!