VOAL

VOAL

Të gjitha paret i zhvat albinfo.ch – a ka albinfo.ch raport klientelist me politikën shqiptare ?! Nga Elida Buçpapaj

September 24, 2018
7 Comments
  • author avatar
    QERIMAJ 8 years ago Reply

    Respekte e nderuar Elida Buçpapaj për shkrimin e mërsipërm !

    • author avatar
      voal.ch 8 years ago Reply

      Ju flm i nderuar Qerim! Ju përshëndes. Elida Buçpapaj

  • author avatar
    Anonymous 8 years ago Reply

    Përshëndetje znj Elida ju përgëzoj për shkrimin e saktë dhe të sinqert!

    Për fatin e keq, Bashkim Iseni nuk e di as gjuhën shqipe as historinë kombëtare, a e keni parë që historinë e popullit shqiptarë e lidh me atë të Turqisë. Ai kurrë njëherë nuk ka vizituar shkolla shqipe por shkruan për xhami të turqve dhe arabave që kanë hapur shqipfolësit në Zvicër.

    • author avatar
      voal.ch 8 years ago Reply

      Ju flm shumë i nderuar, po skandaloze që nëpër xhami hapen shkolla shqip!

  • author avatar
    Anonymous 8 years ago Reply

    portali albinfo është bandë e politikanëve që vjedhin që mashtrojnë popullin e varfër, në Shqipër e Kosovë dhe kur ky redaktori që nuk është gazetar bërtet ia hedhin ndonjë kockë .

Komentet

Intervistë me Shasime Osmanin – deputetja e parë shqiptare në Parlamentin e Bernës, një meteor në ngjitje në politikën zvicerane por me këmbët në tokë Nga Elida Buçpapaj

Bilbordet e fotos ilustruese të Shasime Osmanit i takojnë fushatës zgjedhore të zgjedhjeve të 29 marsit 2026 për Këshillin e Madh, ku tashmë ajo është deputete

HYRJE

Në nëntor të vitit 2024, Shasime Osmani, studentja e drejtësisë në Universitetin e Bernës, do të ishte asambleistja e parë shqiptare në parlamentin e kryeqytetit të Zvicrës, që njihet si Këshilli i Qytetit, ndërsa në fund të këtij marsi, në zgjedhjet për parlamentin kantonal të Bernës, që njihet si Këshilli i Madh, Shasimja do të jetë deputetja e parë shqiptare e këtij parlamenti. Suksesi i Shasime Osmanit bëhet edhe më konkret kur kemi parasysh se emigracioni shqiptar  i ngulitur si në rang Zvicre, ashtu edhe në Bernë, është në çerek shekullin e tretë. Mediat zvicerane shprehen me shumë simpati për Shasimen. E shohin si një “meteor në ngjitje”, si një “një zë për ata që nuk kanë zë”. Kauzat e Shasime Osmanit janë barazia dhe shanset e barabarta në arsimim. Shasime Osmani vjen nga një familje shqiptare tipike emigrantësh, me prejardhje nga Kërçova në Maqedoninë e Veriut. Gjyshi i Shasimes u vendos në Zvicër në fund të viteve ’70 si “gastarbeiter”. Në vitin 1993 do të shpërngulej në Zvicër babai dhe më 1999 nëna bashkë me Shasimen bebe. Familja, që do të shtohej edhe me dy fëmijë të tjerë, jeton në Bümplitz-Bethlehem, një nga lagjet e populluara me shumicë nga emigrantët e që përballen edhe me vështirësitë e jetës, megjithëse Zvicra është një nga shtetet më sociale të Europës. Shasimja, prej kur ishte 17 vjeçare, është angazhuar në Partinë Socialdemokrate të Zvicrës, me një aktivizëm të pandalshëm, shumë energjik dhe impresionues. Si deputete e Parlamentit Kantonal të Bernës, Shasime Osmani do të startojë në qershor. I uroj shumë suksese. Më poshtë po ju përcjell intervistën me Shasime Osmanin.

Shasime Osmani, një vajzë e re si gjithë vajzat e reja të moshës së saj, drejt realizimit të ëndrrave

INTERVISTA

 

E.B.: Në qershor mbaron studimet për bachelor në drejtësi, pak histori për rrugën e studimeve?

Shasime Osmani:Pas përfundimit të praktikës sime si Kauffrau EFZ në Zyrën Federale të Policisë, kam vazhduar me maturën. Që nga viti 2022 studioj drejtësi me synimin për t’u bërë avokate.

E.B.: Ëndrra jote e fëmijërisë ishte të bëheshe gjyqtare, kur gjyshi, që sot krenohet aq shumë me ty, e nisi jetën në Zvicër si “gastarbeiter”, po ashtu edhe prindërit iu përveshën punës plot sakrifica që t’ju rrisnin ju tre fëmijëve, ku i mbështete ëndrrat e tua?

Shasime Osmani: Që herët kam kuptuar se kisha më pak shanse se fëmijët e tjerë. Dhe këtë nuk mund ta pranoja. Unë thjesht kam qenë që fëmijë me natyrë shumë luftarake. Kam bërë shumë përpjekje në shkollë dhe kam punuar pesë herë më shumë se të tjerët. Shumë fëmijë me prejardhje emigrante e përjetojnë këtë.

E.B.: Mediat zvicerane ju vlerësuan si një meteor në ngjitje dhe si “një zë për ata që s’kanë zë” dhe ju vetë thoni dhe e argumentoni me një logjikë që nuk mund të kundërshtohet, që e garanton ligji dhe shteti social në Zvicër “se do të mbroni fuqinë punëtore, ata që punojnë 100%, që paguajnë taksat, por prapë nuk fitojnë mjaftueshëm”, a mund ta shtjelloni pak?

Shasime Osmani: Zvicra është një vend i pasur dhe i disiplinuar. Por jo të gjitha sektorët kanë paga të mira dhe jo të gjithë njerëzit kanë në praktikë të njëjtat mundësi. Ka njerëz, veçanërisht shumë persona me prejardhje emigrante, që punojnë vetëm për të mbijetuar.

E.B.: Qëllimi yt para zgjedhjes në Këshillin e Madh apo Parlamentin e Bernës ishte të përfundoje një stazh në Gjykatën Rajonale, po sot?

Shasime Osmani: Praktikën duhet ta kryej pas përfundimit të studimeve të mia Master. Kjo do të ndodhë përafërsisht pas 2.5 vitesh. Si anëtare e Këshillit të Madh lindin disa probleme për shkak të ndarjes së pushteteve. Aktualisht po kërkoj një zgjidhje.

E.B.: Jeni anëtarja e parë femër me origjinë shqiptare në Këshillin e Madh, ka anëtarë meshkuj me origjinë shqiptare Parlamenti i Bernës?

Shasime Osmani: Aktualisht jam e vetmja në Këshillin e Madh me prejardhje shqiptare. Edhe në Këshillin e Qytetit të Bernës kam qenë personi i parë dhe i vetëm me prejardhje shqiptare.

E.B.: Në nëntor 2024, vetëm 26 vjeçe, u zgjodhët këshilltarja e parë e Këshillit Bashkiak e qytetit të Bernës, si arritët deri aty?

Shasime Osmani: Kjo ishte një surprizë. Në atë kohë partia ime fitoi pesë mandate dhe një prej atyre mandateve e mora unë. Dhe kështu u bëra personi i parë me prejardhje shqiptare në Këshillin e Qytetit të Bernës.

E.B.: Jeni Anëtare e PS prej moshës 17 vjeçare, kush ju motivoi të futeshit kaq shpejt në politikë?

Shasime Osmani: Gjithmonë kam qenë e interesuar për politikën. Matthias Aebischer*, atëherë këshilltar kombëtar dhe president i “Kidswest”, më tha se shihte potencial tek unë dhe kështu u bëra anëtare.

E.B.: Keni fituar 9641 vota që ju dhanë shansin të startoni mandatin në Parlamentin e Bernës në qershorin që vjen, në cilën zonë ke kandiduar, cilët ju kanë votuar kryesisht?

Shasime Osmani: Kam kandiduar në njësinë zgjedhore të qytetit të Bernës dhe kam pasur një mbështetje të gjerë nga e majta, por edhe nga partitë e qendrës. Komuniteti shqiptar më ka mbështetur shumë.

E.B.: Si do da përshkruaje Bümpliz-Bethlehem, Zonën e VI apo distriktin e VI të Bernës perëndimore?

Shasime Osmani: Në Bümpliz-Bethlehem jetojnë shumë persona me prejardhje emigrante. Pabarazia sociale është një temë e rëndësishme: njerëz me paga të ulëta dhe fëmijët e tyre që kanë më pak mundësi për arsimim të lartë. Në të njëjtën kohë, aty mund të përjetosh shumë gjëra: projekte të shumta kulturore, qendra tregtare dhe takime me njerëz të ndryshëm.

E.B.: Në një kat përdhes të shumkatësheve prej betoni në Bümpliz-Bethlehem gjendet “Kidswest” një Atelie arti rekreativ falas që frekuentohet me shumicë nga fëmijët e të rinj nga mosha 6 deri në 16 vjeç me prejardhje emigrantësh, të cilën e vizitonit edhe ju fëmijë apo jo?

Shasime Osmani: Po, dhe “Kidswest” e ka formësuar shumë fëmijërinë time.

E.B.: Krijuese e Ateliesë së Artit ishte artistja Meris Schüpbach, e cila iu kushtua shumë fëmijëve dhe të rinjve nga prindër emigrantë që e vizitonin këtë shoqatë. Sot ajo nuk jeton më dhe e meriton një eulogji për krijesën e saj “Kidwest” – Fëmijët e Lagjes në Perëndim të Bernës. – Më bëri përshtypje një kredo e saj ku thosh “Më lejohet të jem ai/ajo që jam këtu dhe tani, me gjithçka që kam përjetuar, gjithçka që mendoj dhe gjithçka që dua, me gjithçka që më bën ajo që jam” – definicion i një mentoreje për të frymëzuar të qënit njeri i lirë në një botë pa paragjykime. Por edhe shoqëritë në sistemin demokratik nuk i shpëtojnë paragjykimeve, sidomos, kur flitet për qytetarët me prejardhje emigrantësh, a e keni njohur znj Meris, sot ju jeni kaq e re presidente e “Kidwest”e trashëgoni një thesar të krijuar prej saj, a mund të na e tregoni këtë rrugëtim?

Shasime Osmani: Meris Schüpbach ka qenë një nga figurat më përcaktuese në jetën time. Kur Kidswest u themelua në vitin 2006, unë kam qenë një nga fëmijët e parë që u bë pjesë e këtij projekti. Në vitin 2019 u bëra presidente e shoqatës dhe në vitin 2022 Meris Schüpbach, për fat të keq, ndërroi jetë. Gjurmët dhe vepra e saj janë edhe sot pjesë e Kidswest-it.

E.B.: Vazhdoni ta keni si maskotë-simbol të shoqatës «korbin»**. Përse? A ju kujtohet ndonjë ngjarje që lidhet me të?

Shasime Osmani: Në vitin 2009, SVP zhvilloi një fushatë të ashpër me korba. Kur e pashë këtë në rrugën time për në Kidswest, nga njëra anë u ndjeva e çuditur, sepse ata po përdornin maskotën tonë, dhe nga ana tjetër shpendi paraqitej sikur, si i huaj, po e “hante” Zvicrën. Kjo më tronditi dhe ishte një pikë kthese për interesimin tim në politikë. Zemërimi im frymëzoi çiftin artistik “Haus am Gern” për një fotografi të Këshillit Federal me fëmijë me prejardhje emigrante. Projekti më pas u bë i njohur në të gjithë Zvicrën dhe disa Këshilltarë Federalë na ftuan në Këshillin Federal ***.

E.B.: Ju përfaqësoni brezin e dytë apo të tretë të emigrantëve, që njihen si Sekondos, si e keni përjetuar të qënit me prejardhje të huaj dhe si mendoni t’i bashkangjisni kauzën tuaj “të drejta të barabarta në arsim”, një realiteti “se arritjet në arsim dhe statusi socialekonomik janë të drejta të trashëguara”?

Shasime Osmani: Në Bümpliz-Bethlehem, vetëm 1 në 11 fëmijë shkon në gjimnaz. Në lagje të tjera janë 5 në 10 fëmijë që shkojnë. Fëmijët e punëtorëve kanë më pak shanse, edhe kur kanë saktësisht të njëjtin sukses dhe performancë. Nga familjet akademike, rreth 75% vazhdojnë studimet. Nga familjet punëtore, vetëm rreth 25%.

E.B.: Duke marrë info për intervistën konstatova që keni një aktivizëm shembullor, pra, nëse shtypi bernez me simpati e përshkruan ngjitjen tuaj në Parlamentin e Bernës meteorike, a mendoni se kjo ngjitje i dedikohet vrapit tuaj të palodhur duke u përfshirë që adoleshente në politikë, në sindikatën studentore etj., a mund të na tregoni pak më tepër?

Shasime Osmani: Politika është përfaqësim. Unë punoj pa u lodhur për një Zvicër për të gjithë. Angazhimi im është vlerësuar nga populli. Kjo ka të bëjë padyshim me përkushtimin tim, por edhe me profilin tim politik dhe përfaqësimin e fortë që ofroj.

E.B.: Duke iu kthyer arsimimit, kauzës suaj të preferuar, me këtë rast po kujtoj Naim Frashërin, Rilindasi jonë që thosh se “vetëm dritë e diturisë përpara do të na shpjerë” dhe ndërkohë po sjell si fakt se gjuhën amtare në shkollat shqip e ndjekin në rang Konfederate vetëm 3% e fëmijëve. Ju vetë a keni patur mundësi ta ndiqni? A mendon se është shqetësim, se përmes gjuhës, brezat e së ardhmes mësojnë jo vetëm gjuhën, por edhe historinë e rrënjëve të tyre?

Shasime Osmani: Unë vetë nuk kam ndjekur kurrë shkollën shqipe. Në Zvicër njeriu është i angazhuar me gjermanishten dhe frëngjishten. Por nuk e shoh vërtet si problem. Të gjithë që unë njoh flasin shumë mirë shqip dhe janë gjithashtu shumë mirë të informuar për kulturën shqiptare.

E.B.: Cili do të jetë mesazhi që do t’i drejtoni rinisë me prejardhje shqiptare në Zvicër?

Shasime Osmani: Unë e di që nuk është e lehtë. Por dorëzimi nuk është opsion. Ndiqni atë që ju pëlqen dhe qëndroni besnikë vetes suaj. Diku gjithmonë hapet një derë.

E.B.: Rezultatet e 29 marsit, në Këshillin e Madh të Bernës që ka 160 anëtarë, kanë forcuar si maxhorancë krahun konservator SPD që nga 44 ka sot 51 vende, ashtu edhe Partia juaj Socialdemokrate ka rritje, a mendoni se do t’i arrini kauzat tuaja sipas premtimeve?

Shasime Osmani: Kjo do të jetë shumë e vështirë. Por jam e sigurt që do të gjejmë kompromise dhe jam e gatshme të flas me të gjithë, për t’i çuar përpara këto çështje.

E.B.: Meqë po flasim për premtime, unë jam dakord me vlerësimet që ju bën shtypi bernez si një meteor në ngjitje, por jeni me këmbët në tokë, sepse tek suksesi nuk u katapultuat, por e arritët me aktivizmin tuaj, a më premtoni se, kur një ditë do të zgjidheni deputete në Parlamentin e Konfederatës Helvetike, intervistën e parë do të ma jepni mua, që e kam parashikuar e para?

Shasime Osmani: Këtë parashikim e dëgjoj nga shumë njerëz në rrethin tim. Të shohim si do të vazhdojë karriera ime politike. Dhe po, ta premtoj që do të të jap intervistën e parë, nëse më kontakton shumë shpejt.

—-

 

*Matthias Aebischer është një politikan zviceran i SP, ish-gazetar televiziv, ish president “Kidswest”. Ka qenë deputet në Parlamentin e Zvicrës prej 2011-2025. Në fund të vitit 2024, ai u zgjodh në Këshillin e Qytetit të Bernës dhe mori detyrën në janar 2025. Ai dha dorëheqjen si deputet i Paramentit në mars 2025 për të marrë këtë pozicion, në krye të Drejtorisë për Inxhinierinë Civile, Transportin dhe Hapësirat e Gjelbra Urbane (TVS).

**Në vitin 2008 «korbi» u përdor nga SVP si një figurë simbolike për iniciativën mbi lëvizjen e lirë të personave. Ndërkohë «korbi» ishte simbol heraldik i ateljesë artistike Kidwest që frekuentohej shumë edhe nga fëmijë e të rinj me prejardhje emigrantësh. Më 2009 lindi një projekt bashkëpunimi midis fëmijëve e të rinjve të Kidwest me dyshen artistike të Haus am Gern (Rudolf Steiner dhe Barbara Meyer Cesta). Në këtë projekt që mori shumë hapësirë mediatike fëmijët e Kidswest rikrijuan foton zyrtare të Këshillit Federal (“Këshilli Federal i Kidswest”) për të nxjerrë në pah tema të tilla si pjesëmarrja dhe përfaqësimi. Haus am Gern dhe tetë fëmijë të Kidswest – përkatësisht Alberta, 8 vjeç (Kosovë), Shasime, 10 vjeç (Maqedoni), Bimi, 11 vjeç (Kosovë), Sheila, 12 vjeç (Shqipëri-Itali), Selina, 12 vjeç (Kili), Marigona, 13 vjeç (Kosovë), Ihab, 13 vjeç (Eritre), Sumudu, 9 vjeç (Zvicër-Sri Lanka) dhe Fjolla, 11 vjeç (Kosovë), e cila mori pjesë si zëvendësuese – u ftuan në Këshillin Federal të Konfederatës Helvetike.

***Këshilli Federal është Parlamenti i Konfederatës së Zvicrës

Fëmijët e Kidwest, e dyta majtas Shasime Osmani viti 2009

 

Parlamenti i Zvicrës me shtatë Këshilltarët Federalë dhe me kancelieren më 2009

Halime Murati – vasha e Çetës së Llapit- Nga ARIF EJUPI

 

Frikën ua fale liliputëve,
dëshpërimin pesimistëve,
urrejtjen fashistëve.

Ishe vashë e guximshme,
që s’njihte dorëzim.
Edhe pse ende fëmijë,
luftove me shpirt e zemër,
Kosovës për t’i dhënë emër.

Në ilegalitet të njohën
me nofkën e ëmbël “LIRIA”.
Me fjalën tënde të matur,e me peshë,
zemrat e rinisë llapjane i mbushje me shpresë —
për liri e ardhmëri.

Emri yt u bë betim,
që flamuri të valojë,
e kënga të jehojë,
derisa Kosova
të bëhet me Zot shtëpie.

Halime Murati — emblemë e guximit dhe krenarisë shqiptare!

Arif Ejupi
Gjenevë, 10 prill 2026

 

LEGJENDA E KOSHARES- Nga ARIF EJUPI

 

(Poezi kushtuar heroit Agim Ramadani – emri i të cilit, qëndron i pavdekshëm dhe simbolizon poetin, piktorin dhe strategun ushtarak që u shndërrua  në legjendë…)

Lindi në një ditë me rreze dielli
që ranë me gëzim mbi dritaret e shtëpisë.

E pagëzuan me emrin Agim –
agim i mëngjeseve
të dëlira e të bardha.

Poet me shpirt të lirë,
ushtarak me disiplinë,
luftëtar legjendar në fushëbeteja.

Kur plagët e Atdheut u hapën sërish,
ti u ktheve si shqiponjë në folenë e lashtë,
si dikur Gjergj Kastrioti Skënderbeu,
për të mbrojtur nderin dhe lavdinë
e Dardanisë dhe Arbërisë.

Flakëve – me flakë iu përgjigje,
si rrufe mbi malet e Kosovës.

U bëre shkëmb në Koshare,
aty ku vetëm pushka foli
për lirinë e kombit.

Me gjakun gurrë të djemve shqiptarë
u rrënuan muret e hekurta
që ndanë vëllain me vëlla
pothuaj një shekull.

U këputën prangat e robërisë
që djali e vajza shqiptare
të ecin lirshëm
drejt Shqipërisë.

Përherë krenare:
Prishtina, Shkupi, Presheva,
Ulqini dhe Tirana.

Agim Ramadani – Katana,
lum që të lindën
babai dhe nëna.

Emri yt – kurrë nuk shuhet
e as kurrë nuk perëndon,
dritë që historinë e kombit ndriçon.

Arif Ejupi
Gjenevë, 5 prill 2026

 

Nënë gjakovare- Nga ARIF EJUPI

 

(Kushtuar nënave gjakovare)

Nënë gjakovare, shqiponjë mbi Çabrat,
gurrë burimi e Erenikut.
Djemtë dhe vajzat e tua,
tmerr për armikun.

Mbaje kokën lart,
ndjehu krenare,
të vetmin djalë Atdheut ia fale,
të njeh e gjithë bota,
nënë gjakovare.

Gjaku i fëmijëve të tu,
dritë për Gjakovën
dhe Kosovën.

Nënë gjakovare,
nënë e një dhembjeje të madhe,
që rëndon si plumb në zemër,
gjakun e bijve e bijave të saj
kurrë nuk e harron, gjithnjë krenare,
simbol i nënës së vërtetë shqiptare.

Arif Ejupi
Gjenevë, 23 mars 2026

Derë e Pavdekësisë- Nga ARIF EJUPI

 Fëmijët e familjes Jashari , të vrarë nga forcat serbe në këto ditë marsi të vitit 1998; e vetmja e mbijetuar Besarta.
Në tokën e vet, në shtëpinë e vet, pragun e së cilës e mbrojtën burrat dhe gratë e familjes.
Lufta e Kosovës e shpjeguar pa nevojë për më shumë fjalë.

 

Derë e mikpritjes dhe e bujarisë,
derë burrash të besës e të qëndresës,
derë që s’ia njeh frikën flakës as barotit,
derë stërnipësh të Gjergj Kastriotit.

Derë e Jasharajve,
nderi i kombit.

Me shpirt e zemër,
ushtarë të lirisë,
yje të Dardanisë.

Djem petritë,
fëmijë engjëllorë,
vasha trimëresha,
nëna zemërguri.

Madhërishëm mbi varre u valon
flamuri.

Prehuni të qetë,
jeni burim
i krenarisë dhe i nderit,
jeni rreze dielli.

Me gjakun tuaj shkruat historinë
dhe rrënuat murin ndarës
Kosovë–Shqipëri.


Arif Ejupi
Gjenevë, mars 2026

Zvicër: Ngushëllimi i dy shoqatave për familjen e Don Kelmend Spaqit

Me rastin e ndërrimit të jetës dhe kalimit në Përjetësi të famulltarit të Kishës Katolike “Shna Ndout” në Gllogjan të Pejës, DON KELMEND SPAQI, Meshtar i përkushtuar për bamirësi ndaj Kombit e Atdheut në veçanti dhe Besimit në përgjithësi, Shoqata Humanitare”FAMILJA NDIHMON FAMILJEN” dhe Bashkimi i Intelektualëve Shqiptarë në Zvicër, shprehin ngushëllimet më të sinqerta për familjen Spaqi, për besimtarët dhe bashkëpunëtorët e tij.

Të gjithë të pikëlluarit paqin pranë qëndresen e arsyeshme në këto qaste dhimbjeje dhe pikëllimi tue i përballua ato me dinjitet e krenari e tue kujtuar e nderuar veprimtarinë e tij, njerëzore, profesionale e mbi të gjitha atdhetare.

Kosova Dardane dhe mbarë populli shqiptarë do ta kujton përherë e s’do ta harron asnjë herë brez pas brezi, DON KELMEND SPAQIN i cili e shëndrroi Kishën e Gllogjanit të Pejës në një strehimore sigurie për qindra banorë shqiptarë që ndiqeshin për t’u vrarë e masakruar nga forcat ushtarake e paramilitare serbe gjatë viteve 1998-1999 siç ndodhnin vrasje e masakrime anë e këndë Kosovës në atë kohë. Ai, vet doli në mbrojtjen e të strehuarëve në Kishë gjatë bisedimeve me serbët dhe u shpreh: ” Nuk ka këtu as katolik as musliman, ka njerëz të pa fajshëm. Bëni çka të doni, kjo është nga unë.Pushkatomni më së pari mu, e krejt stafin këtu, atëherë mundeni me i prek ata.” Dhe ishte vendimi i tij për t’u rënë kambanave të kishës për të njoftuar kohën e iftarit dhe syfyrit për bashkëkombësit myslimanë gjatë muajit të Ramazanit.

Në vitin 1990 ka përkrah e ndihmuar aksionin gjithëpopullor “Familja ndihmon familjen”FNF”

Familjarët paqin qëndresën e arsyeshme dhe rujatshin përherë kujtimet më të mira për jetën dhe veprimtarinë e tij, për bamirësi dhe atdhetarizem.

I nderuari DON KELMEND SPAQI, pusho i qetë në përjetësi. Dheu i Atdheut u shërbeft si mbulojë dhe roje në ruajtjen e veprimtarisë tuaj atdhetare dhe shërbeft si shembull për bamirësi e atdhetarizem brez pas brezi.

Për Shoqatatë: Abas Fejzullahi

2026-04-03

Solothurn Zvicër

 

Kur emocionet verbojnë, e vlerat flasin: rasti i Vedat Muriqit- Nga ARIF EJUPI

 

Fitorja e mbrëmshme e Real Mallorca ndaj gjigantit Real Madrid 2:1 riktheu në vëmendje një realitet që shpesh harrohet në futboll: se edhe më të mëdhenjtë mund të mposhten, ndërsa heronjtë mund të lindin nga momente të papritura.

Në këtë përballje, ishte pikërisht prizrenasi Vedat Muriqi, i cili vulosi fitoren e Real Mallorca në minutat shtesë, duke dëshmuar edhe një herë se është një nga sulmuesit më të spikatur në La Liga.

Muriqi, me 19 gola këtë sezon, renditet ndër më të mirët në kampionatin e Spanjës, menjëherë pas yllit francez Kylian Mbappé.

Paraqitja e tij madhështore ndaj Real Madridit na rikthen pas në kohë, te një moment që për futbollin tonë ishte historik: ndeshja Kosovë – Turqi 0:1 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Në atë ndeshje, pavarësisht rëndësisë së jashtëzakonshme, një pjesë e opinionit publik reagoi në mënyrë të padrejtë ndaj Muriqit. Në vend që loja të analizohej me gjakftohtësi, në rrjetet sociale u përdorën fjalë të rënda e fyese, sjellje kjo që nuk i shërben as sportit dhe as kulturës sonë.

Në fakt, realiteti i asaj ndeshjeje ishte shumë më kompleks. Dëshira e çdo lojtari për t’u bërë protagonist në një ndeshje historike bëri që loja të fragmentohej dhe të mungonte bashkëpunimi i duhur në repartin e sulmit.

Vedat Muriqi, si sulmues i qendrës, varet drejtpërdrejt nga shërbimi i bashkëlojtarëve dhe, në mungesë të topave, nuk mund të jetë efikas.

Futbolli nuk është sport individual. Një sulmues nuk mund të gjykohet vetëm nga fakti nëse shënon apo jo, por edhe nga konteksti i lojës: organizimi i ekipit, strategjia, presioni i ndeshjes dhe mbështetja nga shokët e skuadrës.

Shembulli i ndeshjes së fundit në Spanjë e dëshmon më së miri këtë të vërtetë: kur një lojtar i sulmit si Muriqi shërbehet siç duhet nga bashkëlojtarët, shkëlqimi i tij është i pashmangshëm.

Andaj, është e domosdoshme që si shoqëri dhe si tifozë: të gjykojmë me maturi dhe jo me emocione të momentit, të respektojmë kontributin e çdo lojtari që përfaqëson vendin dhe të kuptojmë se suksesi në futboll është rezultat i punës kolektive.

Vetëm kështu mund të ndërtojmë një kulturë sportive të shëndetshme, ku kritika është konstruktive dhe jo shkatërruese.

Vedat Muriqi mbetet një nga ambasadorët më të denjë të futbollit kosovar, një lojtar që, kur i krijohet hapësira, di të bëhet hero.

ARIF EJUPI

VIDEO- Gol fantastik me të jashtmen, Shaqiri dhuron “show” ndaj Jang Bojs

Xherdan Shaqiri është rikthyer te goli në elitën e futbollit zviceran, teksa mbrëmjen e djeshme realizoi një gol fantastik me të jashtmen, në duelin ndaj Jang Bojs, që u mbyll me rezultatin 3 me 3.

 

34-vjeçari rrëmbeu skenën në minutën e 41-të të sfidës, duke shënuar golin e 2 me 1. Ky ishte realizimi i 11-të në 30 javë për futbollistin me origjinë shqiptare. Shaqiri gjithashtu ka dhuruar edhe 10 asiste. Për më tepër shikoni pamjet e golit të Shaqirit.

PANORAMASPORT.AL

(Video) “Bisedë në studio” Adriatik Lapaj përballë gazetarëve të Unionit të Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD) – Adriatik Lapaj “Rama duhet të kishte ikur që dje”

 

Adriatik Lapaj “Rama duhet të kishte ikur që dje”

Në kuadër të platformës së diskutimeve “Bisedë në studio”, Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD) zhvilloi një bashkëbisedim me Adriatik Lapaj, themelues i Lëvizjes Politike “Shqipëria Bëhet”.

Biseda u karakterizua nga një seri pyetjesh dhe debat mbi situatën politike në Shqipëri dhe sfidat e opozitës.

Gazetarja Elida Buçpapaj ngriti pyetjen e qëndrimit të forcës politike që ai përfaqëson ndaj krimeve të komunizmit, si dhe nevojën për një qartësi më të madhe institucionale mbi këtë kapitull të së kaluarës. Ajo u ndal gjithashtu te domosdoshmëria e bashkimit të opozitës, duke theksuar se sfida nuk qëndron te vullneti për bashkim, por te mënyra konkrete e realizimit të tij.

Nga ana e tij, gazetari Artan Kutra adresoi dimensionin ndërkombëtar, duke pyetur mbi qëndrimin e Lëvizjes politike “Shqipëria bëhet” në lidhje me kërcënimet e Iranit ndaj Shqipërisë.

Gazetarja Alba Kepi ngriti pikëpyetje mbi natyrën dhe rezultatin e protestës 107 ditore para Kryeministrisë, duke kërkuar një vlerësim tnga Lapaj nëse ajo përbënte një dështim, një tërheqje apo qe pjesë e një strategjie të ardhshme elektorale. Po ashtu, ajo kërkoi një përkufizim më të qartë të profilit ideologjik të kësaj lëvizje politike, nëse ajo frymëzohet nga e majta apo nga idelaet e djathta

Gazetari Skënder Buçpapaj u ndal me pyetjen e tij tek roli i elitës shqiptare, si në atdhe ashtu edhe në diasporë, duke kërkuar një vlerësim më realist mbi ndikimin dhe besueshmërinë e saj në proceset demokratizuese, sidomos në kontekstin e marrëdhënieve të saj me politikën.

Një qasje më krahasuese solli gazetari Genc Burimi, i cili ngriti çështjen se pse, pavarësisht një konteksti të favorshëm politik, nuk është arritur ende të fitohet mbështetja e shumicës së qytetarëve. Ai solli si shembull rastin e Francës dhe ngriti diskutimin mbi mungesën e një fenomeni të ngjashëm në Shqipëri.

Ndërsa gazetari Ardi Murraj rikujtoi angazhimin e mëparshëm të Lapajt me diasporën dhe periudhën e gjatë të protestës, duke kërkuar një pasqyrë mbi strategjinë në vijim, si dhe mbi mundësitë konkrete për të sfiduar dhe zëvendësuar partitë tradicionale në skenën politike shqiptare.

Një pjesë e rëndësishme e debatit u fokusua te format e veprimit opozitar, përfshirë protestat qytetare dhe efektivitetin e tyre. U shtrua nevoja për të kuptuar nëse këto protesta përbëjnë një mjet presioni real apo kërkojnë riformatim strategjik për të prodhuar rezultat politik.

Gjatë diskutimit u trajtuan gjithashtu tema të rëndësishme si reforma zgjedhore dhe nevoja për garantimin e standardeve të lira dhe të ndershme të zgjedhjeve, si dhe çështja e votës së diasporës, e konsideruar si një element kyç për përfaqësim më të drejtë politik. Një vëmendje e veçantë iu kushtua gjendjes së mediave në Shqipëri, sfidave të pavarësisë së tyre dhe ndikimit të politikës në informimin publik.

Po ashtu, u diskutua mbi qeverisjen aktuale nën  kryeministrin Edi Rama, reagimin e opozitës përballë zhvillimeve politike, protestat qytetare dhe alternativat që ofrohen nga forcat e reja opozitare në përpjekje për të sjellë ndryshim në skenën politike shqiptare.

“Rama duhet të kishte ikur që dje” , u shpreh Lapaj.

“Po përse nuk ndodhi?”, pyesin gazetarët e UGSHPD.

UGSHPD, e themeluar në vitin 2021 nga gazetarë nga vende të ndryshme të Europës e në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me seli në Zvicër, vazhdon të luajë një rol aktiv në nxitjen e debatit publik dhe mbrojtjen e standardeve të gazetarisë. Përmes aktiviteteve të tilla, Unioni synon të fuqizojë zërin e diasporës dhe të kontribuojë në një diskurs më të hapur, kritik dhe profesional mbi çështjet që prekin shoqërinë shqiptare.

Bashkëbisedimi “Bisedë në studio” konfirmoi edhe një herë rëndësinë e dialogut të drejtpërdrejtë mes politikës dhe medias profesioniste, duke sjellë për publikun shqiptar një panoramë më të qartë të ideve, sfidave dhe alternativave në skenën politike shqiptare.
.

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)

Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)

Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)

L’Union des journalistes professionnels Albanais de la Diaspora (UJPAD)

Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)

Arkivi i Voal.ch- 2015 nga ARIF EJUPI: MIRUSH KABASHI NË GJENEVË – LUAN ‘ZOTI IBRAHIM DHE LULET E KURANIT’

E Enjte, 01.29.2015, 08:58am (GMT+1)

 

Në teatrin qendror të Gjenevës,është shfaqur për të parën herë në Gjuhën Shqipe, dhe me përkthim në frëngjisht monodrama “Zoti Ibrahim dhe lulet e Kuranit” Kjo vepër monumentale e romancierit, profesorit dhe filozofit të famshëm francez me prejardhje hebraike Eric-Emmanuel Schmitt, ndonëse e shkurtër është plot me dëshmi e të vërteta se edhe në situatat më ekstreme kur ka gatishmëri, e vullnet mund të ndërtohet harmonia dhe paqja me të tjerët pavarësisht religjionit apo përkatësisë nacionale. Prandaj me të drejtë kritikët letrar dhe njohësit e vërtetë të artit skenik këtë roman të dramatizuar të Schmitit e konsiderojnë si një thesar të veçantë të letërsisë frënge dhe të asaj botërore.

Bazuar në këto vlera artistike dhe morale kjo novelë me gjithsej tetëdhjetekatër faqe është përkthyer në mbi tridhjetë gjuhë të botës. Po ashtu është shndërruar në film e në dramë me monolog, dhe si e tillë është bërë tejet tërheqëse për të gjithë artdashësit. Aktori më i preferuar i botës së filmit Omar Sharif, (emri i vërtetë Michel Demitri Shalhoub) në saje të figurës së Zotit Ibrahim, dhe aktrimit të përkryer në këtë rol më, 2003 shpërblehet nga Organizata e Kombeve të Bashkuara me “ÇMIMIN E PAQES”.

Duke e njohur shpirtin human të shqiptarit dhe dëshirën e tij të flaktë për art e kulturë këtë vepër të çmuar e merr mundimin ta adaptojë në shqip Mjeshtri i Madh e me reputacion i skenës sonë Mirush Kabashi. Qëndrueshmëria, pasioni, dhe pesë vjet punë sistematike në kushte tejet të vështira bënë që më në fund kjo vepër simbol mirëbesimi dhe dashurie reciproke të finalizohet me sukses. Debutimi në Durrës, pastaj prezantimi i suksesshëm në skenën e teatrit të Tiranës, Preshevës, Ulqinit, Gjakovës dhe Prishtinës, janë vetëm fillimi. Kjo monodramë u shfaq edhe në Toronto të Kanadasë, ku u cilësua si një nga krijimet me të bukura dhe më të pëlqyera të Kabashit. Kurse në fund të tetorit të kaluar Mirush Kabashi, në një nga teatrot më të njohura të Londrës, interpretoi në mënyrë të papërsëritshme monodramën tjetër “Apologjia e Vërtetë e Sokratit”.

Pas këtij suksesi aktori i mirënjohur Mirush Kabashi bartës i dhjetëra shpërblimeve dhe dekoratave në nivel vendi dhe në atë ndërkombëtar mori kurajën që monodramën “Zoti Ibrahim dhe lulet e Kuranit” ta sjellë në Gjenevë, në vendin pikë takimi të kulturave botërore.

Interpretimi me mjaft profesionalizëm dhe shumëllojshmëria e roleve si dhe kontributi dhënë gjatë katër dekadave afirmimit të kulturës shqiptare bëri që më, 19 dhjetor 2014 Presidenca e Republikës së Shqipërisë, për arritje të larta në fushën e artit dramatik ta shpërblejë Z. Kabashi me titullin “NDERI I KOMBIT” Gjithashtu Kabashi është dekoruar edhe më herët me titujt “ARTIST I MERITUAR”dhe “MJESHTËR I MADH I PUNËS” I frymëzuar nga puna plot suksese Kabashi virtuoz e refleksiv mbrëmë e inskenoi në teatrin me renome “Théâtre Salle Centrale Madeleine” të Gjenevës, monodramën “Zoti Ibrahim dhe lulet e Kuranit” Këtë paraqitje bindëse të Kabashit me porosi fund e krye pozitive e përcollën rreth pesëqind mërgimtarë shqiptarë. Duhet theksuar se në mesin e shikuesve pati edhe nxënës e studentë zviceranë .

Me nivelin e tij të lartë artistik dhe përsosmërinë interpretuese për një orë e më shumë pa bërë as më të voglin lapsus Kabashi solli tek publiku ndjeshmëri, përjetime dhe emocione të fuqishme të karakterizuara me lot e të qeshura. Të interpretosh paralelisht shtatë personazhe që dallojnë nga njëri-tjetri dhe të ruash komunikimin me publikun është vërtetë diçka e jashtëzakonshme dhe impresionuese.

Me vetitë e tij të veçanta prej artisti të denjë këtë di ta bëjë vetëm Mirush Kabashi. Ai si rrallëkush para shikuesit sjell momente mjaft prekëse të jetës së një djaloshi çifut i cili dita-ditës po degradohej e po zhytej në amoralitet duke bredhur derë me derë bordeleve të Parisit. Ky i ri i braktisur nga prindërit e tij dhe i gjendur në udhëkryq e që po zvetënohej pa fajin e tij shpëtimin dhe ngrohtësinë e humbur familjare do ta gjejë tek dyqanxhiu mysliman Zoti Ibrahim, i cili duke parë se jeta e pakontrolluar e këtij adoleshenti ishte në rrezik e adopton atë, duke i falur ngrohtësi dhe mirësi. Monodrama përmbyllet me vdekjen tragjike të Zotit Ibrahim në një aksident komunikacioni në Iran. Në këto çaste të dhimbjes dhe të dëshpërimit aktori Kabashi lotët e tij i përcjellë dhe tek shikuesit. Ai me dhuntinë e tij prej aktori të madh bëri që edhe publiku me lot në sy ta përjetojë ndjenjën e humanes dhe të njerëzishmërisë.

Nga kjo monodramë mund të nxjerrim mësime praktike,që pa paragjykime në këtë kohë të turbulencave dhe mosdurimit fetar e racial t’i themi stop dhunës dhe në vend të saj të krijojmë hapësira për tolerancë,mirëkuptim e respekt të ndërsjellë.

Në fund të shfaqjes aktori Mirush Kabashi falënderoi të gjithë pjesëmarrësit, e posaçërisht shprehi mirënjohjen e tij të sinqertë ndaj Autortiteve Kantonale të Gjenevës, Loterie Romande dhe Komunitetin Shqiptar të Gjenevës, që mundësuan prezantimin e kësaj shfaqjeje të rëndësishme në këtë qytet të lashtë të kulturës dhe të diplomacisë botërore.

www.voal-online.ch

Shasime Osmani, vajza nga Kërçova në Parlamentin e Bernës

Për një sistem arsimor që nuk lë askënd pas dore!

Ditën e diel, në kantonin e Bernës u mbajtën zgjedhjet parlamentare. Parlamenti kantonal ka 160 anëtarë, të cilët u votuan dhe u zgjodhën nga 9 zona zgjedhore.

Mes emrave të rinj është edhe ai i një shqiptareje nga Kërçova e Maqedonisë së Veriut, Shasime Osmanit, e cila është e para që zgjidhet deputete.

Shasime Osmani është anëtare e Partisë Socialdemokrate, e cila së bashku me Partinë Popullore Zvicerane, kanë arritur të rrisin numrat e deputetëve të tyre në parlament.

Pas fitores, ajo postoi një foto duke u përqafuar me një mikeshë, shoqëruar me shkrimin: “Po më rrjedhin vetëm lot.“

Gjyshi i saj është vendosur në Zvicër që prej vitit 1979. Babai i Shasimes emigroi në vitin 1993, ndërsa 6 vite më vonë, vetë ajo, asokohe 1 vjeçe dhe nëna e saj, shkuan pranë të atit.

Ajo është studente e drejtësisë në Universitetin e Bernës. Ka përfunduar kualifikimin në biznes dhe ka një diplomë profesionale. Është rritur në lagjen Bümplitz-Bethlehem të Bernës, një zonë ku fëmijët përballen shpesh me vështirësi arsimore dhe sociale.

Osmani është njëkohësisht këshilltare në qytetit të Bernës. Fokusi i saj është i qartë migracioni, arsimi, barazia sociale dhe barazia gjinore.

Mediat zvicerane e prezantuan deputete si “një zë për ata që nuk kanë zë”, dhe qytetarët e Bernës i dhanë besimin e tyre për t’i përfaqësuar.

Në posterin e saj lexohet: Për një sistem arsimor që nuk lë askënd pas dore!

Ndërsa në rrjetin social ajo shkruante me sinqeritet: “Si studente e gjeneratës së parë dhe bijë e një pastrueseje, e di nga përvoja personale se sa të rëndësishme janë mundësitë e barabarta dhe qasja në arsim. Arsimi nuk duhet të jetë privilegj. Unë mbështes mundësitë e barabarta!”

Një kauzë shumë e bukur, që ia vlen t’i kushtohesh!

Voal.ch i uron suksese në rrugëtimin e saj!

 

E vërteta nuk mbrohet me hamendje dhe përvetësim- Nga ARIF EJUPI

 

Fatkeqësisht, ne shpeshherë punët i nisim nga bishti e jo nga koka. Kjo nuk është vetëm metaforë, por një realitet i dhimbshëm në mënyrën se si trajtohen çështjet me rëndësi kombëtare në Kosovë dhe Shqipëri.

Kur mungon rendi logjik i veprimit, mungon edhe përgjegjësia dhe aty fillon deformimi i së vërtetës.

Rasti i financimit të botimeve pa një verifikim të mirëfilltë profesional është tregues i qartë i kësaj qasjeje. Institucionet përkatëse, në radhë të parë Kuvendi i Republikës së Kosovës si organi më i lartë ligjdhënës, përpara çdo mbështetjeje financiare është dashur të formojnë komisione profesionale të përbëra nga ekspertë të së Drejtës Penale, Kriminalistikës dhe fushave të përafërta, me qëllim që çdo material të shqyrtohej me përgjegjësi dhe standarde të mirëfillta shkencore.

Në mungesë të këtij filtri, përgjegjësia nuk mbetet vetëm individuale, ajo bëhet institucionale. Sot, libri është bërë produkt pa standard. Shumëkush shkruan, sepse askush nuk kërkon kriter.

Shtëpitë botuese, në vend që të jenë rojtarë të cilësisë dhe etikës, janë kthyer në mekanizma përfitimi, ku bluhet bashkë gruri dhe egjra, pa dallim dhe pa përgjegjësi.

Në këtë realitet, anashkalimi i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Prishtinë është jo vetëm i padrejtë, por edhe i rrezikshëm.

Ky institucion, që nga 14 dhjetori 1989, ka bërë një punë titanike në dokumentimin e burgosjeve, keqtrajtimeve, dhunimeve, vrasjeve dhe dëmeve materiale që Serbia i ka shkaktuar popullit shqiptar të Kosovës.

Krimet nuk kanë filluar me luftën e viteve 1998–1999. Ato janë paraprirë nga një dhunë sistematike dhe e organizuar shtetërore. Masakrimi i Ismet Gjocajt në Deçan, i Januz Zenelit në burgun e Beogradit dhe i Besnik Restelicës në burgun e Prishtinës, janë vetëm disa nga dëshmitë e kësaj dhune, që për nga natyra dhe qëllimi përbëjnë forma të rënda të krimit dhe gjenocidit.

KMDLNJ kishte shtrirje në të gjitha komunat përmes nënkëshillave të saj dhe ishte në kontakt të vazhdueshëm me delegacione ndërkombëtare. Veç kësaj, anëtarët e kësaj shoqate joqeveritare nuk mbetën vetëm dëshmitarë të krimit, ata u bënë edhe pjesë e sakrificës. Avokati i njohur Bajram Kelmendi u vra dhe u masakrua nga forcat serbe së bashku me dy djemtë e tij, ndërsa në frontet e luftës ranë edhe figura të tjera si Shaban Shala dhe shumë të tjerë.

Në vitin 1997, raporti i përgatitur nga Elizabeth Rehn evidentoi qartë karakterin e proceseve të montuara kundër shqiptarëve, duke theksuar se aktakuzat përgatiteshin në Beograd dhe lexoheshin në Prishtinë.

Në të njëjtën kohë, zëri i juristit Bajram Kelmendi, anëtar i KMDLNJ, në Dialogun Shqiptaro-Serb në Ulqin, kumboi si një e vërtetë historike: “Kosova duhet të jetë e pavarur.”

Edhe pse pa mbështetje institucionale dhe pa financim të qëndrueshëm, KMDLNJ arriti ta ndërkombëtarizojë çështjen e Kosovës. Përfaqësuesit e saj, përmes Federatës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut në Paris, morën pjesë në nënkomisionet e OKB-së në Gjenevë, duke paraqitur dëshmi konkrete për krimet dhe gjenocidin.

Kjo u bë falë mbështetjes së mërgatës shqiptare, veçanërisht në Zvicër, dhe jo falë institucioneve shtetërore.

Puna e tyre ishte konkrete, e dokumentuar dhe e verifikueshme: buletine në disa gjuhë, mijëra fotografi, dëshmi të drejtpërdrejta, ekspozita ndërkombëtare dhe prezencë aktive në internet – në një kohë kur teknologjia nuk ishte e përhapur sa sot.

Pikërisht këtu qëndron paradoksi më i madh: sot, një pjesë e konsiderueshme e këtyre materialeve përdoren në libra dhe studime, por pa referencë, pa burim dhe pa etikë. Fotografitë merren, përdoren dhe publikohen pa u shënuar me emblemën e KMDLNJ-së.

Pra, përvetësohet puna e tjetrit dhe fshihet gjurma e së vërtetës. Kjo nuk është vetëm padrejtësi është rrezik. Kur deformohet burimi, deformohet edhe historia. Sikur të kontribuonim pa hile të gjithë, nuk do të kishim nevojë të çonim pluhur kot.

Rruga e drejtë nuk është ndërtimi i institucioneve të reja pa bazë, por konsolidimi i asaj që është ndërtuar me sakrificë. Fillimisht duhej të mblidhej, sistemohej dhe arkivohej i gjithë materiali ekzistues, e pastaj të ndërtohej një institut i mirëfilltë për studimin e krimeve dhe gjenocidit.

Sepse duke e minimizuar punën e pararendësve dhe duke promovuar vetëm veten, ne nuk ndërtojmë, ne shkatërrojmë. Shkatërrojmë kujtesën, shkatërrojmë të vërtetën dhe, në fund, shkatërrojmë vetveten.

Largimi i tabelave në atë mënyrë nuk ofendon vetëm z. Shkëlzen Gashi, por më tepër ata që “paguan iriqin për pulë”. Sepse kur mungon kriteri dhe përgjegjësia, gabimi nuk është më individual, ai bëhet turp kolektiv.

 

ARIF EJUPI

P.S. Autori është anëtar shumëvjeçar i KMDLNJ-së dhe njëri nga përfaqësuesit e saj në nënkomisionet e të drejtave të njeriut të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Gjenevë.

 


Send this to a friend