Deputeti republikan Fatmir Mediu, u pyet sot në studion e “News 24” edhe për përplasjet dhe tensionet në seancën e djeshme plenare në Kuvend, me kreun e grupit të PS, Taulant Balla, si dhe gjuhën e përdorur nga ai ndaj ligjvënësve opozitarë dhe vetë atij.
Teksa tha se nuk dëshironte të merrej shumë me karakterin e kolegut, deputeti opozitar nënvizoi se “Balla duhet të përgjigjet një herë për akuzat e tij”, duke shtuar se ishte një shpifës dhe provokator i ndyrë që vepronte i orientuar nga kryeministri.
Madje edhe akuzat për Gërdecin, sipas tij Balla i bën qëllimisht që të nxisë familjarët.
“Nëse ka një karakter që në gjithë qenien e tij, në karrierën e tij, ky quhet Taulant Balla. Ai është një shpifës, por unë nuk dua të merrem me to, sepse nuk jam as prokuror as gjyqtar. Këtë e ka bërë me vite me radhë, e bën qëllimisht, për reagimet e Gërdecit, që të nxisë familjarët. Unë nuk akuzohem për shpërthimin në Gërdec, por për shpërdorim detyre. Akuza është e qëllimtë politike. Është turp që drejtësia të kontrollohet nga takëmet e Taulant Ballës dhe të ngrihet në Parlament dhe të flasë. Balla të përgjigjet njëherë për akuzat ndaj tij dhe pastaj të akuzojë të tjerët”, tha Mediu mes të tjerash.
Mediu komentoi edhe gjuhën e deputetit socialist në seancën e djeshme në Kuvend dhe më herët, si në rastin e ofendimit të koleges Albana Vokshi.
“Ai arrin deri në banalitete, për gjuhën që përdor, sa herë ka tensione në Kuvend atij i vijnë mesazhe dhe sulmon, orientohet nga kryeministri. Unë punoj për interesin e Shqipërisë edhe kur shkoj në SHBA apo takimet atje dhe këtë do e bëj si deputet i Parlamentit dhe do përpiqem ta bëj vazhdimisht”, deklaroi Mediu.

Ligjvënësi opozitar akuzoi mazhorancën se i prish qëllimisht seancat në Kuvend për të zhvendosur vëmendjen nga skandalet qeveritare dhe situata e rënduar si cenimi i sigurisë kombëtare së fundmi.
Dhe për këtë shkak sipas Mediut, “Balla provokon në mënyrën më të ndyrë” në Kuvend opozitën dhe kolegët.
“Prishjen e seancës në Kuvend e kthyen kundër opozitës dhe ky është qëllimi i tyre, të zhvendosin vëmendjen. Mazhoranca i prish seancat në mënyrë të qëllimshme, provokojnë qëllimisht dhe fyejnë deputetet. Ai ka fyer një deputete dhe kur fyen një deputete ke fyer nënën, motrën tënde. Ka qenë dhe është bërë e qëllimshme. Ky individ provokon në mënyrë të ndyrë, sa herë që vjen edhe kryeministri ngrihet dhe sulmon opozitën qëllimisht, provokon dhe fyen”, tha ai.
Mediu zbardh kërcënimin e Putin dhe sinjalin që erdhi nga NATO: Tre javë para shpërthimit në Gërdec…
Mediu rrëfeu atë që është konsideruar si një kërcënim nga presidenti rus, Vladimir Putin i cili ishte shprehur se zgjerimi i NATO-s ishte një kërcënim për Rusinë.
Një informacion i mbërritur tek drejtuesit e Shërbimit Informativ të Ushtrisë nga selia e NATO-s në Bruksel, 3 javë para shpërthimit të Gërdecit, Mediu tha se nuk u analizua siç duhej nga autoritetet dhe marrja e masave parandaluese mungoi.
Ai shtoi gjithashtu se ngjarja tragjike u përdorur politikisht nga opozita e kohës dhe vazhdimisht ‘ngacmohen’ familjarët e viktimave, sikurse edhe prej deputetit socialist Taulant Balla, që nuk nguroi as dje që të sulmonte për Gërdecin në Kuvend.
“Ka një fakt të dokumentuar dhe të deklaruar në procesin gjyqësor. 3 javë para ngjarjes, bashkë me drejtorin e SHIU kemi qenë në Bruksel, në një takim me drejtorin e zyrës së inteligjencës, është drejtuar gjithnjë nga përfaqësues të SHBA. Na është thënë duhet të ruheni nga ndonjë ngjarje, para anëtarësimit në NATO. Putin e tha në konferencën e Mynihut se zgjerimi i NATO-s është kërcënim për Rusinë. Po ashtu gjatë darkës, nëndrejtoresha ia ka përsëritur drejtorit të SHISH, duke i thënë se kemi marrë këtë sinjal nga NATO. Nuk është se ka pasur një përgjigje apo analizë me këtë çështje. Ka pasur edhe informacione të tjera që nga pikëpamja e sigurisë kombëtare nuk janë analizuar për të thënë që ka pasur apo nuk ka pasur, por përdoren interesa politike për gjueti politike shtrigash për të ngacmuar familjarët për një ndjenjë e cila tejkalon drejtësinë dhe vinte me interes politik. Nga 2008 është kthyer në një ngjarje politike”, tha ai.