VOAL

VOAL

Tare-Dervishi, vazhdojnë përplasjet në Facebook

March 31, 2018

Komentet

Erion Veliaj me dëmtime, kryebashkiakun e çojnë në sektorin spitalor të burgut

Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj është zhvendosur nga sektori A i paraburgimit në Fier në sektorin spitalor, që gjendet në të njëjtin burg.

Zhvendosja e Veliaj ndodhi pas gjetjeve të Komitetit Shqiptar të Helsinkit dhe ankesave të kryebashiakut që pretendon se nuk u vlerësua gjendja e tij shëndetësore, pasi ai ka dëmtime në këmbë që i ka marrë në burgun e Durrësit.

Kujtojmë që Erion Veliaj u transferua nga paraburgimi në Durrës drejt institucionit të vuajtjes së dënimit në Fier.

Pas këtij transferimi, Veliaj publikoi një letër të shkruar me dorë, përmes së cilës ngriti akuza ndaj kryeministrit Edi Rama dhe ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu.

Sipas versionit të Veliajt, ministri Gogu e kishte vizituar në burg, në orët e vona të mbrëmjes së 30 tetorit 2026, dhe gjatë takimit i kishte përcjellë një mesazh në emër të kryeministrit.

Në letrën e tij, kryebashkiaku pretendon se i janë komunikuar tri kërkesa kryesore:

1-Të pranonte përfshirjen në organizimin ose financimin e protestave të njohura si protestat e “Flamingove” dhe studentëve, në të kundërt do të përballej me akuza të tjera dhe me një dënim që, sipas pretendimit të tij, mund të shkonte deri në 100 vite burg.

2-Të hiqte dorë nga drejtimi i Bashkisë së Tiranës dhe t’ia delegonte kompetencat Arbër Hajdarit.

3-Të ndërpriste konsultimin dhe bashkëpunimin me avokatin e tij, Plarent Ndreca.

“Protestat do kenë kulminacion më të madh”, Koçeku tregon bisedat me ndërkombëtarët: Ata po monitorojnë situatën, mbështesin çdo rrymë demokratike

Deputetja e pavarur Marjana Koçeku, e ftuar në emisionin Prime News24 foli edhe për takimet që ka pasur me diplomatë ndërkombëtarë.

Koçeku u shpreh se ndërkombëtarët janë duke e monitoruar situatën me kujdes. Ajo shtoi se diplomatët mbështesin çdo rrymë demokratike në vend.

“Që kur kam dhënë dorëheqjen si deputete e PS, kam pasur takime me diplomatë të huaj, edhe në Bruksel disa herë, por edhe me përfaqësitë diplomatike që janë në vendin tonë. Po monitorojnë situatën nga afër dhe me shumë kujdes, pavarësisht se pozita e tyre dhe gjuha diplomatike nuk ua lejon shpesh herë që të shprehen ashtu siç do të donim ne ose ashtu siç kemi ne pritshmëritë.

Ata mbështesin çdo rrymë demokratike, është sigurisht e tillë dhe kjo që po ndodh, por faktorët e dhunës shpesh herë dhe penalizojnë, për të pasur një mbështetje haptazi. E kam parë se kanë një qasje pozitive ndaj reagimit dhe tentativës për të krijuar një kulturë të re politike shqiptare, nëpërmjet kësaj lëvizjeje”, tha Koçeku.

Deputetja Marjana Koçeku vlerësoi se duhet një bashkim i madh opozitar, që të rrëzohet kjo qeveri. Sipas saj, protestat do kenë një kulminacion edhe më të madh.

“Thirrjet e sheshit janë kundër gjithë establishmentit që kanë qenë në pushtet për 36 vite. Bashkimi i të gjitha forcave opozitare do ishte tepër pozitive. Bashkimi nuk duhet të konsiderohet i pamundur. Kjo, sepse edhe vetë protesta përpara se të ndodhte, nuk e imagjinonim se do bëhej kaq e madhe. Kryeministri Rama do që të ketë përçarje, kjo i leverdis. Por duhet një bashkim i gjerë, që të jetë kundër kësaj qeverie në një front. Ajo që ndodhi në Serbi mund të jetë shembull edhe për Shqipërinë, patjetër, pavarësisht se atje ka një tjetër realitet. Ka një presion të tepruar ndaj protestuesve që të kenë version politik, sepse pesë muaj nuk janë shumë për të nxjerrë një përfaqësi. Besoj se protesta të bëhet akoma më e madhe. Do të kenë kulminacion më të madh”, u shpreh Koçeku.

Adriatik Lapaj: I qëndrojmë mbështetjes së kandidaturës së Binajt për Tiranën!

Kryetari i partisë “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, deklaroi në emisionin “Të Paekspozuarit” në Vizion Plus, se partia që ai drejton i qëndron mbështetjes së kandidaturës së Florian Binajt për Tiranën.

Pjesë nga biseda: 

Ylli Rakipi: A mundet opozita të krijojë një front të gjerë? Ti ke qenë partizan i kësaj ideje. Kush është pengesë për bashkimin e opozitës?

Adriatik Lapaj: Ky është proces. Sigurisht që ligji elektoral nëse bëhet pa hile dhe demokratik, do të parashikonte koalicione parazgjedhore, barazinë e votës dhe do të krijonte kushtet e nevojshme për garë të ndershme, të lirë dhe të barabartë.  Pastaj si dhe qysh krijohen koalicionet, secili e vlerëson në momentin e duhur. Ajo që besoj fort, që në momentin në të cilin është Shqipëria, është moment që kërkon që egot të lihen mënjanë. Të kuptojmë se vendi ka nevojë për zgjidhje sot dhe jo pas 100 vjetësh. Partitë janë instrumente në funksion të atdheut. Nëse Shqipëria na shkon në konflikt civil, shkatërrohet gjithçka, çfarë vlere kanë pastaj partitë politike?

Ylli Rakipi: A e ke konceptuar, kuptuar, idenë e bashkimit të opozitës?

Adriatik Lapaj: Paradhoma e të gjithë ndryshimit është Kodi Zgjedhor.

Ylli Rakipi: Më konkretisht, janë përpara zgjedhjet lokale. A je për kandidat të përbashkët në Tiranë?

Adriatik Lapaj: Ne kemi marrë vendim vitin e kaluar që ka qenë kandidimi i zotit Binaj, përtej partive. E konsideruam shumë të rëndësishme Tiranën. Në këtë kuptim nuk kemi ndryshuar qëndrim për këtë.

Alban Dudushi: Për parimin apo për zotin Binaj?

Adriatik Lapaj: Për të dyja pasi zoti Binaj ka dalë nga parimi.

Alban Dudushi: Berisha po flet për kandidat të PD.

Adriatik Lapaj: Ky është problem që i përket PD. Vjet u propozua kandidat i përbashkët. Ne vumë një kusht, duhet të jetë përtej një subjekti. Doli Binaj, shprehu vullnetin dhe mori konsensusin. Ne i qëndrojmë atij vendimi.  Ka një arsye pse nuk e kemi ndryshuar qëndrimin, nuk mund të presim në besë një qytetar të angazhuar.

alban Dudushi: Po studentet dhe protestuesit?

Adriatik Lapaj: Për këtë jemi të hapur, por po themi se çfarë qëndrimi kemi deri tani.

Av. Lulzim Tanushi u ka dhënë mbështetje ligjore falas mbi 50 protestuesëve të arrestuar nga policia sepse i bashkon e njëjta kauzë

Në komunikimin me Voal.ch në lidhje me ndihmën ligjore që ju jep falas protestuesëve, ndryshimet në Kodin Zgjedhor, Kushtetutën dhe apeli që i drejton policisë, kemi këtë prononcim të Av.Lulzim Tanushit :

“Mbështetjen per protestuesit e kam nisur qe ne fillim të arrestimeve me daten 2 Korrik. Qe ne ditën e 3 kur nisi revolucioni Flamingom kam dalë vetë duke protestuar dhe ndihma ligjore prej meje per protestuesit ka qenë pa dallim aty dhe pa pagese per te vetmen arsye se na bashkon kauza e përbashkët dhe une ate kauzë e kam te shenjte. Une aty kam dalë se dua te ndryshojmë sistemin

Per mua kushdo që ka protestuar i jam mirënjohës sepse ndajmë njëjtën qëllim (flas ne parim se ka dhe aty njerez qe nuk kane interes per ndryshim sistemi as per te rrezuar kete qeveri)

Unë jam për ndryshimin e Kodit Zgjedhor, si dhe për ndryshimin e sistemit rajonal proporcional aktual në proporcional kombëtar me lista te hapura, me formulën D’Hondt me prag 2 ose 3%. Une jam per ndryshimin e Kushtetutës, veçanërisht pjesen e mandatit te KM, jo me shume se 2 mandate per te shmangur pushtetin absolut dhe autoritar marrë dhe kontekstin historik dhe zonën ku jemi (mendesi ballkanase), dhe per mos me forcuar lidhjet e pushtetit ekzekutiv me grupe qe punojnë kundra interesit te kombit, ashtu sikurse dhe per mos lejuar qe pushteti ekzekutiv prej kreut te saj te dehur nga pushteti por dhe te kompromentuar te mos degradojnë ne piken qe te kapin pushtetet e tjera, sikurse po ndodh, dhe KM mos te mbaje peng te ardhmen e kombit per hallet e tij personale dhe as mos te shesë interesat strategjike te kombit. Ndër të tjera ndryshime ne Kushtetute është imuniteti i zyrtarëve të lartë si Kryeministër, ministra apo deputet, të balancohen kompetencat e presidentit, mënyra e zgjedhjes së tij, qe mos kemi nje president qe nuk shërben per asgje apo te jete i padobishëm ne rast krize politike, si dhe të përfshihet pjesa e referendumeve, si mekanizmi më drejtpërdrejtë i demokracisë. Këto janë disa prej elementëve domosdoshëm dhe mbi të gjitha të panegociueshëm që duhet të ndryshohen.

Ky ndryshim është thembra e Akilit sepse na eshte marre sovraniteti peng… sot nuk kemi perfaqesim real te vullnetit popullit…. askush nuk perfqesohet

E kam të rëndësishme te them pse jam ne proteste dhe pse kam suportuar protestën dhe protestuesit

Une aty s’jam pa qëllim, une jam per ndryshimin e sistemit me pika konkrete.

Deri tani kam mbështetur mbi 50 protestues, i ndjek procedurat deri në fund që nga arrestimi. Kemi disa vendime ku jane shpallur arrestimet e paligjshme. Kemi bere ankime ne apel per vendimet e tjera e tani jemi duke pritur.

Policisë i bën apel te respektojë vetem ligjin, të mos japin asnje urdhër paligjshëm, te mos i bindet asnje urdhëri te paligjshëm dhe zinxhiri komandues mos japë urdhëra të paligjshëm pasi nuk i përjashton nga përgjegjësia ligjore zbatimi urdherave të paligjshëm… Te referojnë dhe të dalin publikisht si sinjalizues nese jane urdhëruar ose jane ne dijeni te shkeljeve masive te ligjit, sepse aty ku punojnë eshte bere praktikë paligjshmeria, pasi kane mbrojtje ligjore si dhe në momentin qe ndalojnë dike dhe e neutralizojnë mos te ushtrojnë dhunë, asnje formë dhune, por te respektojnë te drejtat ligjore te tyre.”

 

Dokumenti: Veliaj i drejtohet gjykatës: Transferimi në Fier me urdhër personal të Ramës. Hetojeni çfarë ka…

Është shtyrë për më 17 nëntor ora 10 seanca për Erion Veliaj dhe të pandehurit e tjerë për shkak të mungesës së disa avokatëve.

Gazetari Fatjon Gjinaj njofton se gjykata lexoi shkresën e Erion Veliaj të nisur nga paraburgimi i Fierit.

“Siç jeni vënë në dijeni nga mediat ditët e fundit, unë jam rrëmbyer nga një togë shoqërimi policësh pa më thënë se ku do më dërgonin, pa dijeninë time, 100 km larg gjykatës ku po gjykohem dhe larg gruar me dy të mitur dhe nënës time pensioniste. Toni Gogu më ka vizituar pas transferimin dhe më ka thënë që kjo ka ndodhur me urdhër personal të kryeministrit Edi Rama. Më ka thënë që prokurorët ishin gati të shtonin akuza deri tek ajo e prishjes së rendit kushtetues. Kjo si ndëshkim që kam mbështetur protestën e flamingove dhe studentëve, por kjo është e vërtetë aq sa është i vërtetë kallëzimi i Nesti Angonit dhe Nasta Pëllumbit. Kërkoj nga gjykata të marrë masat e duhura për ta verifikuar këtë që ka ndodhur”

Gjykata relatoi se burgjet nuk e kanë vënë në dijeni për transferimin drejt Fierit. Gjykojmë se nuk është kompetencë e jona, sa i takon pretendimeve se transferimi është bërë me urdhër të kryeministrit Edi Rama, të ndjek rrugën institucionale, nuk është objekt i këtij gjykimi. I takon organeve kompetente të verifikojnë pretendimet e tij.

Letra e Veliajt:

Image

Image

“I shkoi në orën 22:30” Takimi mes Veliajt dhe ministrit Gogu në burg, Ndreca jep detaje: Biseduan 1 orë e gjysmë në zyrën e drejtorit!

Avokati i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, Plarent Ndreca, ka reaguar për mediat pas shtyrjes së seancës gjyqësore, ku Veliaj nuk ishte i pranishëm.

Ndreca ka folur edhe për takimin mes Veliajt dhe ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu, në ambientet e burgut.

Sipas avokatit, ministri ka shkuar për të takuar Veliajn rreth orës 22:30 dhe ka qëndruar me të për rreth një orë e gjysmë në zyrën e drejtorit të burgut.

Ai theksoi se Veliaj nuk ka paraqitur ndonjë kërkesë për të takuar ministrin, ndërsa shtoi se nëse Gogu kishte si qëllim inspektimin e kushteve në institucionin e vuajtjes së dënimit, duhej ta kryente këtë detyrë në mënyrë zyrtare dhe i shoqëruar nga inspektorët përkatës.

“Nuk ka kërkesë nga Veliaj për ta takuar Gogun. Ai nuk mund të shkojë në orën 22:30 të darkës. Nëse do të shkonte për zbatimin e detyrës, duhet të shkonte në mënyrë zyrtare, jo të takonte për një orë e gjysmë një person nën hetim në zyrën e drejtorit të burgut. Nëse ka qëllim të inspektojë kushtet në burg, duhet të shkojë me inspektorë”, u shpreh Ndreca. bw

Reportazhi i ‘Channel 5’: Qytetarët kërkojnë dorëheqjen e Edi Ramës, e akuzojnë se është nën ndikimin e krimit! Koçeku: Banorët nuk janë pyetur kurrë për projektet

Në një reportazh të ‘Channel 5’ me gazetarin amerikan Andrew Callaghan, ku u trajtua gjerësish protestat e Flamingove, foli edhe kryeministri Edi Rama, i cili u vu në vështirësi kur u pyet në lidhje me akuzat për lidhje me krimin dhe korrupsionin. Madje ai braktisi edhe intervistën.

Po në atë reportazh foli edhe deputetja e pavarur, Marjana Koçeku, e cila komentoi projektin e Zvërnecit.

Koçeku thekson se bëhet fjalë për një çështje me rëndësi kombëtare, pasi Zvërneci është një zonë e mbrojtur me vlera të jashtëzakonshme mjedisore, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për të gjithë rajonin e Mesdheut.

Po ashtu, deputetja Koçeku ka ngritur edhe shqetësimin e moskonsultimit me qytetarët për projektet me rendesi kombetare.

“Kjo po ndodh në Zvërnec, bëhet fjalë për një çështje me rëndësi kombëtare, që lidhet me një zonë të mbrojtur, një zonë me rëndësi të veçantë mjedisore jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për mbarë Mesdheun. Kjo zonë karakterizohet nga një biodiversitet unik dhe habitate të veçanta që strehojnë specie të rrezikuara. Pra, e gjithë kjo po ndodh në një hapësirë ​​kaq të veçantë, e cila përmban monumente natyrore për krijimin e të cilave janë dashur shekuj, por që tani gjendet papritur nën presionin e investitorëve të huaj, pa u marrë fare mendimi i njerëzve”, ka deklaruar deputetja. Panorama

Sondazhi i Noto: Opozita mund PS në Tiranë. Ja shifrat…

Opozita mund Partinë Socialiste në Tiranës. Këto janë të dhënat e nxjerra nga një sondazh më i fundit i bërë për llogari të Syri-t.

Sondazhi tregon të dhëna interesantë të rritjes së partive opozitare, ku duket qartë se Partia Demokratike me koalicionin e saj, së bashku me partitë “Shqipëria Bëhet” dhe partia “Mundësia” janë fituese në Tiranë me 48.5%, kundrejt 42% të Partisë Socialiste.

 

Prej muajsh, Shqipëria ndodhet në një krizë të rëndë politike, ndërsa mijëra nxënës të shkollave të mesme, studentë dhe pedagogë universitetesh janë ngritur në protesta dhe revoltë kundër qeverisë së Edi Ramës. Protestës i është bashkuar edhe Partia Demokratike dhe forca të tjera politike.

Protestuesit kërkojnë dorëheqjen e parevokueshme të kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie teknike, e cila do të përgatisë vendin për zgjedhje të lira dhe të pranuara nga të gjitha palët.

Në këtë klimë të tensionuar politike, kompania e njohur italiane e sondazheve, “Istituto Demoscopico”, e njohur edhe si “NOTO”, ka realizuar një sondazh ekskluziv për SYRI-n, ku ka pyetur qytetarët se për cilën parti politike do të votonin nëse zgjedhjet parlamentare do të zhvilloheshin ditën kur ata janë intervistuar.

Sondazhi është realizuar në periudhën 18–27 tetor 2026, në një kohë kur vendi po përjetonte protestat dhe revoltën studentore, si dhe përshkallëzimin e krizës politike. Kampioni i sondazhit përbëhet nga 2,000 qytetarë të intervistuar. Nga përpunimi i të dhënave është evidentuar mbështetja për partitë politike opozitare dhe partinë në pushtet. Marzhi i gabimit të sondazhit është plus/minus 3.3%.

Sipas rezultateve të sondazhit të realizuar nga NOTO për SYRI-n, mbështetja për partitë politike paraqitet si më poshtë:

•          Partia Socialiste e Shqipërisë: 42%

•          Koalicioni i udhëhequr nga Partia Demokratike: 37.5%

•          Partia Mundësia: 6%

•          Nisma dhe Shqipëria Bëhet: 5%

•          Lëvizja Bashkë: 4%

•          Koalicioni i Djathtë për Zhvillim (DZH): 2%

•          Partia Socialdemokrate: 1.5%

•          Koalicioni Euro-Atlantik (KEA): 1%

•          Lëvizja Atdheu (LA): 0.5%

•          Partia Aleancë Kombëtare Shqiptare: 0.3%

•          Partia Aleanca për Demokraci dhe Drejtësi (ADR): 0.2%

Image

 

Ndreca: Veliaj është i bindur që pas arrestimit të tij qëndron Edi Rama

TIRANË- Avokati i Erion Veliajt, Plarent Ndreca, ka deklaruar se pas arrestimit dhe situatës së krijuar ndaj kryebashkiakut të Tiranës qëndron kryeministri Edi Rama. I pyetur nga gazetari Blendi Fevziu në emisionin “Opinion” nëse Veliaj ka dyshime se pas arrestimit të tij qëndron Rama, Ndreca u përgjigj shkurt: Po.

Avokati argumentoi se dyshimet e tij lidhen me zhvillimet gjatë gjithë procesit, duke veçuar si provë sjelljen pas transferimit të Veliajt dhe qëndrimin e Ministrit të Drejtësisë. I pyetur nëse ekziston një konflikt mes Erion Veliajt dhe ish-zv.kryeministres, Belinda Ballukut, Ndreca u shpreh se nuk ka informacion për një përplasje mes tyre.

Avokati foli gjithashtu për ndikimin që situata e krijuar mund të ketë në të ardhmen politike të Veliajt brenda Partisë Socialiste. Ai tha se nuk ka informacion se cili do të jetë qëndrimi i tij politik në vijim, pasi nuk kanë diskutuar për këtë çështje.

Megjithatë, Ndreca e cilësoi situatën si një moment tronditës edhe për të si socialist, duke kujtuar se Veliaj vijon të jetë anëtar i Kryesisë së PS-së, drejtues politik i qarkut Tiranë dhe kryetar i PS-së së Tiranës. Ai theksoi se nuk mund të parashikojë se si do të sillet Veliaj politikisht në vijim, pasi nuk kanë pasur komunikime për këtë çështje.

Pjesë nga intervista: 

Gazetari Blendi Fevziu: A ka dyshime Veliaj që mbas dënimit, mbas arrestimit i qëndron Rama?

Ndreca: Sapo e thashë po.

Gazetari: Po. Ku i mbështet këto dyshime?

Ndreca: Këto janë dyshime të gjithë procesi dhe prova fundore është sjellja mbas transferimit dhe sjellja e ministrit të Drejtësisë, i cili ka thënë hapur.

Gazetari: A ka një konflikt mes Erion Veliajt dhe Belinda Ballukut?

Ndreca: Nuk kam informacion që ka një konflikt.

Gazetari: Ndërkohë, cili do të jetë qëndrimi i Veliajt, se ju ndoshta se dini, nga qelia në raport me të qenit një prej drejtuesve të lartë të Partisë Socialiste? Është kryetar i Bashkisë së Tiranës i zgjedhur dhe anëtar i Partisë Socialiste, anëtar i lartë i Partisë Socialiste. Cili do jetë vijimi i mëtejshëm i tij?

Ndreca: Nuk kam një informacion se çfarë sjellje politike do ketë në vijim zoti Veliaj, por ajo që mund të them është që kjo, kjo situatë apo ky moment është vërtet një moment tronditës edhe për mua si socialist dhe për një prej personave që ne bashkë kemi qenë shpesh në debate ku unë kam mbrojtur PS.

Gazetari: Po, ju e keni mbrojtur kauzat e PS-së edhe kur kanë qenë pak të pambrojtshme, po.

Ndreca: OK, ky është diskutim tjetër, por unë kam qenë këtu për të mbrojtur Partinë Socialiste, pra jam përfaqësues i Partisë Socialiste, kam qenë deputet i Partisë Socialiste dhe realisht është një moment tronditës si për mua si socialist, jo vetëm si avokat i zotit Veliaj, por sigurisht edhe për zotin Veliaj, i cili është anëtar i kryesisë së Partisë Socialiste sot që flasim, është drejtuesi politik i qarkut Tiranë sot që flasim dhe është kryetar i Partisë Socialiste të Tiranës sot që flasim, përveç se kryetar i Bashkisë së votuar nga socialistët e Tiranës. Dhe për rrjedhojë, patjetër që do ketë efekte edhe në sjelljen politike të zotit Veliaj. Se si zoti Veliaj do komportohet në vijim, nuk kam informacion, se s’kemi folur./Dosja.al

Ndreca: Ka dëshmitarë që Rama i kërkoi Veliajt t’ia delegonte detyrën Arbër Hajdarit

Erjon Veliaj dhe Arbër Hajdari

TIRANA- Plarent Ndreca, avokati mbrojtës i kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj thotë se takimi mes Gogut dhe Veliajt është zhvilluar në zyrën e drejtorit të burgut të Fierit dhe ka zgjatur rreth një orë e gjysmë.

“Ka shkuar pasi kam takuar unë Veliajn. Ka shkuar në orën 10:30 të natës. Nga ajo që deklaron, tregon se ka shkuar në ushtrim të detyrës sime si ministër dhe si mik. Ushtrimi bëhet në mënyrë normale të premten, pas orarit zyrtar, në darkë dhe në mënyrë të fshehtë. S’ka arsye për t’u fshehur, jo për Veliajn që ka qenë miku i tij, por për çdo të paraburgosur që e vlerëson ta takojë.

Sipas asaj që më tha Veliaj, kanë qëndruar rreth një orë e gjysmë te zyra e drejtorit, vetëm. Unë besoj që kushtet shikohen në zyrën e drejtorit të burgut. Gjithë çfarë ka ndodhur aty përmblidhet. Ne kemi thënë vetëm kërkesat që Gogu ka bërë”, tha Ndreca në emisionin “Opinion”.

Ndreca thotë se Veliajt i është kërkuar dorëheqja nga bashkia e Tiranës dhe detyrën t’ia delegojë Arbër Hajdarit. Ai shton se këtë rast, ka dhe dëshmitarë.

“Deri tani, sot, Veliaj e ka ftuar publikisht Ramën të nxjerrë faktin ku bazohet kjo. Të pranojë një gjë që nuk e ka bërë. I është kërkuar të japë dorëheqjen. Veliaj është i zgjedhur me votë dhe ka përgjegjësi kushtetuese. I është kërkuar t’ia delegojë bashkinë Arbër Hajdarit. Ka dëshmitarë edhe për këtë çështje. I është kërkuar nga Rama Veliajt”, tha Ndreca.

Një ndër kërkesat që Gogu i ka ëbrë Veliajt, është dhe largimi i Ndrecës si avokat mbrojtës. Ish-deputeti zbulon dhe disa komunikime me kryeministrin Edi Rama, për të cilat thotë se kanë qenë të tensionuara e kanë shkuar deri në ofendime.

“Unë, në një komunikim me kryeministrin, edhe sot me telefonatë, isha i mbushur me tension dhe me fyerje. Më telefonoi Rama për këtë shkak. Se mendon që unë jam nxitësi i pavarësisë së Erionit nga Rama.

Rama më ka telefonuar dhe ka treguar pakënaqësi për mua si këshilltar politik, në kuptimin që e kam nxitur pavarësinë e Veliajt nga Rama. Në fakt, unë nuk jam këshilltari i vetëm ligjor i Veliajt, është një grup i madh”, tha Ndreca.

Plerent Ndreca sqaron se kryebashkiaku Veliaj nuk ishte kundër transferimit nga paraburgimi i Durrësit në Fier, por se nuk i është në dispozicion vendimi ku sqarohen dhe arsyet e transferimit.

“Askush nuk është ankuar se duhet të qëndrojë në Durrës. Autoritetet, kur të marrin një vendim, duhet të të njohin me vendimin dhe me argumentin se përse e kanë marrë këtë vendim. Ligji parashikon që i paraburgosuri duhet të qëndrojë pranë familjes, avokatit, gjykatës. Nuk i kemi arsyet e transferimit. Sekret është informacioni, jo vendimi. Nuk kemi vendimin”, tha Ndreca.

I pyetur nga gazetari Fevziu për krisjen e marrëdhënies mes Veliajt dhe Ramës, Ndreca përgjigjet se ka nisur së bashku me procesin ligjor kundër kryebashkikut. Ndreca shprehet se ndaj Veliajt ka persekutim politik me përfitues Edi Rama.

“Është një proces që lidhet me çështjen penale. Veliaj është i bindur që ka një persekutim politik, ku një ndër përfituesit e fshehtë është Edi Rama”, tha Ndreca. /tvklan.al

Gazetari amerikan pyet Ramën për Vlora Hysenin, kryeministri shmang përgjigjen: S’të takon ty të thuash kush është i korruptuar! Pse i përzien gjërat?

Kryeministri Edi Rama është përballur me pyetje të drejtpërdrejta për korrupsionin në radhët e zyrtarëve të tij gjatë intervistës me gazetarin amerikan Andrew Callaghan të Channel 5.

Gjatë bisedës, gazetari i kujtoi Ramës rastin e ish-drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni, ndaj së cilës është caktuar masa e sigurisë “arrest në shtëpi” në kuadër të hetimeve për lidhjet e dyshuara me Ergys Agasin. Sipas akuzave të prokurorisë, Hyseni kishte pasur komunikime të shpeshta me Agasin, i cili ishte në kërkim.

Callaghan e pyeti nëse Rama e konsideronte korrupsionin si çështje të përgjegjësisë individuale, duke sjellë si shembull edhe kryetarin e Bashkisë së Tiranës.

“Mendoj se nuk ju takon juve të thoni se kush është i korruptuar dhe kush nuk është”, iu përgjigj Rama.

Gazetari kundërshtoi, duke theksuar se nuk po i cilësonte personat si të korruptuar, por po ngrinte çështjen e përgjegjësisë individuale në rastet kur zyrtarët arrestohen apo dënohen për korrupsion. Në këtë moment, Rama e ndërpreu, duke e pyetur se cilët ishin personat për të cilët po fliste.

“Cilët janë këta njerëz të dënuar për korrupsion?”, pyeti kryeministri, ndërsa gazetari i solli në vëmendje investitorë strategjikë, ndërsa në pamje shfaqeshin edhe zyrtarëtë lartë të qeverisë, nën akuza nga SPAK, si Belinda Balluku, Arben Ahmetar, Saimir Tahiri, Alqi Ballako, Erion Veliaj, e të tjerë.

Pjesë nga intervista:

Edi Rama: Këtu, në demokraci, ne gjykojmë faktet dhe individët. Nuk gjykojmë familjet.
Andrew Callaghan: Pra, mendoni se kjo është çështje e përgjegjësisë individuale, domethënë, nëse një person është i korruptuar, si për shembull kryetari i Bashkisë së Tiranës?

Edi Rama: Mendoj se nuk ju takon juve të thoni se kush është i korruptuar dhe kush nuk është.

Andrew Callaghan: Unë nuk po them se kush është i korruptuar.

Edi Rama: Po, këtë po bëni.

Andrew Callaghan: Po them se nëse një person arrestohet për korrupsion, për shembull, kreu i Shërbimeve të Inteligjencës Speciale u arrestua më pak se dy javë më parë, pasi kishte…

Edi Rama: Nuk e kuptoj pse i përzieni gjërat. Çfarë lidhje ka kjo tani me investimin në kosto?

Andrew Callaghan: Po i përgjigjem asaj që thatë ju. Nuk po i quaj njerëzit të korruptuar. Po them se, për njerëzit e dënuar për korrupsion, ju mendoni se është më shumë një çështje e përgjegjësisë individuale.

Edi Rama: Cilët janë këta njerëz të dënuar për korrupsion?

Panorama

Kërcënimet e Ramës në qeli përmes Toni Gogut- “Kam shumë herë më tepër dinjitet se kryeministri!” – Reagon Erion Veliaj: E sfidoj të nxjerrë prova që kam organizuar protestat! Ndryshe ik!

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka reaguar pas debatit të krijuar mbi takimin e tij me ministrin e Drejtësisë, Toni Gogu, në burgun e Fierit, si dhe pretendimeve për një mesazh të përcjellë në emër të kryeministrit Edi Rama.

Përmes një deklarate, Veliaj mohon pretendimet se ka organizuar apo financuar protestat, ndërsa thekson se nuk pranon të cenohet dinjiteti i tij, pavarësisht kufizimeve të lirisë që po përjeton.

Ai ka publikuar edhe një letër, për të cilën thotë se është shkruar me dorën e tij dhe që, sipas tij, përmban të vërtetën e takimit me ministrin Toni Gogu, të premten në orën 22:30.

Në këtë letër, Veliaj pretendon se Gogu i ka përcjellë disa kërkesa të kryeministrit Rama, të lidhura me protestat, mandatin e kryebashkiakut dhe marrëdhënien e tij me ish-deputetin Plarent Ndreca.

Sipas shënimeve të publikuara nga Veliaj, Rama i ka kërkuar të pranojë përfshirjen në protestat e njohura si “Flamingot” dhe ato të studentëve, duke e paralajmëruar se në të kundërt mund t’i shtohen akuzat për “prishje të rendit kushtetues”. Gjithashtu, sipas tij, i është kërkuar të heqë dorë nga Bashkia e Tiranës dhe t’ia delegojë drejtimin Arbër Hajdarit, si dhe të mos këshillohet më me Plarent Ndrecën.

Veliaj i ka bërë thirrje kryeministrit të publikojë qoftë edhe një provë të vetme për pretendimet se ai ka organizuar apo financuar protestat.

  • foto galeri
  • foto galeri

Reagimi i Erion Veliajt:

“Dua të siguroj socialistët se unë nuk e gjuaj shtëpinë time socialiste me gurë, por as nuk lejoj të gjuajë me gurë askush mbi dinjitetin tim.

Unë vërtet kam më pak liri sesa Kryeministri, por kam shumë herë më tepër dinjitet se ai.

Refuzoj haluçinacionet bolshevike që unë kam organizuar ose financuar protestat dhe e gjithë e vërteta e takimit me ministrin e Drejtësisë, Toni Gogu, është kjo letër e shkruar me dorën time.

Sfidoj Kryeministrin e vendit të nxjerrë një provë të vetme për aludimet e protestave.

Ndryshe ik!”

Letra e publikuar nga Erion Veliaj:

E premte, ora 22:30

Toni Gogu vjen në takim pas 20 muajsh.

TG: R ka bërë transferimin, urdhër që ky nga konvikt duhet të bëjë burg tamam dhe që personalisht është marrë dhe me lejen për spital, lejet për takime, deri te aksesi tek miqtë e familja.

R ka bypass TG dhe ka urdhëruar vetë transferimin e izolimin me këto 3 kërkesa:
– Prano përfshirjen me Flamingot – Studentët ose do të shtohen akuzat për “prishje të rendit kushtetues” nga burgu e do bësh 100 vjet burg në 313 e 302.
– Hiq dorë nga bashkia TR dhe delegoje (te Arbër Hajdari).
– Mos u këshillo më me Plarent Ndrecën.


Send this to a friend