Zbardhet biseda e ish-liderit kinez Mao Ce Dun me një delegacion shqiptar të kryesuar nga Mehmet Shehu dhe Ramiz Alia. Në këtë takim Mao Ce Dun ndan pikëpamjet me ta për revoltat që kishin nisur në disa rajone të kinës. Të gjithë palët ishin në unison për shtypjen e këtyre revoltave.
12 tetor 1967
Memorandum i bisedës së dytë të partisë së Punës së Shqipërisë dhe udhëheqjes së parisë kineze. Në takimin mes kryetarit Mao Ce Dun dhe delegacionit shqiptar përshkruhen kushtet aktuale të Kinës në lidhje me luftërat e hapura dhe përçmimin e popullatë ndaj dhunës. Biseda e dytë u zhvillua gjatë pritjes që organizua për delegacionin shqiptar, të drejtuar nga Mehmet Shehu. Takimi u krye në një nga sallat e konferencave të parlamentit kinez
Mao Ce Dun: A ju kërcënoi ndonjë rrezik gjatë vizitave tuaja? (duke iu drejtuar shoku Ramiz Alia) A morët pjesë në ndonjë përleshje?
Ramiz Alia: Jo, përkundrazi. Masat treguan dashuri të madhe.
Mao Ce Dun: Nuk mund të themi me siguri se pasi jeni larguar ju ata nuk kanë nisur përleshjet. Megjithëse me ju silleshin mirë, pasi u larguat ata nisën të ziheshin. Ajo që patë në Jan’an nuk ishte një nga përleshjet më të këqija. Në Vuhan masat janë të armatosura me pushkë e artileri, por nuk i përdorën këto në përleshje. Luftimet më të rënda ndodhën në Shanxi, pastaj në Sheniang, Hunan, Anhui e Nanxhing. Unë i sugjerova kryeministrit kongolez Noumazalaje të vizitonim minierën e Hunan, ku po zhvillohej një beteje e ashpër mes dy grupeve. Ka rreth 10 miniera qymyri në atë rajon dhe prodhimi arrin në 45 mijë ton në ditë. Por pas trazirave prodhimi ra në 10.000 ton qymyr në ditë. Ashtu siç më tha më vonë kryeministri ynë, prodhimi kishte rënë edhe më shumë, dhe vetëm pas njëfarë kohe kur u rivendos linja revolucionare prodhimi u rrit përsëri në 25 000 ton në ditë. Punonjësit tashmë janë të sigurt se di të kalojnë objektivin prej 45 000 ton qymyr në ditë. Kryeministri i Kongos më kishte thënë se ka lexuar shumë libra marksistë leninistë prandaj unë e ftova atë në Kinë që t’i shikonte për së gjalli vënien ne zbatim për mësimeve marksiste-leniniste. Po përse doni të largoheni kaq shpejt? Nuk dëshironi të shihni ca më shumë? Qëndroni edhe ca ditë, të shikoni ca rajone të tjera dhe të na ndihmoni për disa çështje.
Mehmet Shehu: (me shaka) Kjo është e thjeshtë shoku Mao Ce Dun. I dërgojmë një telegram shokut Enver Hoxha dhe do të ishim të lumtur të qëndronim dhe për 6 muaj.
Mao Ce Dun: Jo, jo, nuk është nevoja për gjashtë muaj, një muaj do të mjaftonte. Sa për t’ju dërguar në të gjitha 29 provincat dhe qytetet autonome të vendit tonë, përfshi dhe Tibet dhe Shijazhuang, ku ka ende probleme për të zgjidhur dhe ku ju mund të na ndihmoni. Në Shijazhuang ka dy grupe të mëdha që po luftojnë ashpër me njëri-tjetrin dhe në fakt edhe festën kombëtare e kanë festuar në dy vente të veçanta. Duke filluar nga shtatori shumica e organizatave kombëtare janë bashkuar, por ka një minoritet që ende duhet të bashkohet. Në përgjithësi punëtorët, fshatarët dhe administrata janë të lodhur nga konfliktet dhe nuk duan të vazhdojnë më. Por një zgjidhje e përgjithshme e problemit kërkon disa muaj, ndërsa një zgjidhje e përhershme kërkon disa vjet, ne mendojmë se revolucioni duhet të vazhdojë dhe tre vjet. Që prej 1 qershorit 1966 kur nisi revolucioni i madh kulturor i proletariatit, ka kaluar më pak se një vit e gjysmë. Por kemi parë se aty ku kanë qenë trazirat më të mëdha problemet janë zgjidhur më mirë, kurse në vendet që problemet kane qenë të vogla e të paqarta ato kanë zgjatur më shumë dhe ende nuk janë zgjidhur. Ashtu siç na kanë raportuar shokët, në verilindje dhe pjesën jug-qendrore të Kinës, Garda e Kuqe është përleshur me ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Popullit. Në këto rajone rreth 10 000 njerëz janë vrarë, plagosur ose rrahur. Por a na frikëson kjo ne? Në provinca jug-qendrore si Hunan Guizhu e Jangxi, 32 kuadro të partisë ose ushtrisë janë vrarë dhe miëjra njerëz janë plagosur. Në fjalë të tjera 32 njerëz kanë shkuar të takojnë Marksin. Në verilindje të Kinës dhejtra të tjerë janë vrarë dhe plagosur. Por gjithsesi shoku Lin Biao ka caktuar rregulla strikte për ushtrinë; e para, mos qëlloni të tjerët edhe nëse godasin të parët, mos shani të tjerët edhe nëse ju shajnë të parët, dhe mos i provokoni ata. Rregullat bazohen në parakushtin se gjatë përballjes me masat, është e vështirë se cilët janë revolucionarët dhe kundërrevolucionarët e vërtetë, prandaj nuk mund të qëllohet pa diskriminim mbi njerëzit. Kjo vjen nga fakti se masat kanë besim te ushtria e popullit, por ata e dinë se ushtria zbaton urdhrat e caktuara nga shoku Lin Biao.
Mehmet Shehu: Vetëm një ushtri e përgatitur mirë politikisht e ideologjikisht mund t’i realizojë këto direktiva.
Mao Ce Dun: Në përgjithësi ushtria jonë është e tillë, por ka dhe disa njësi që nuk e pranojnë këtë. Ju nuk i keni parë të gjitha këto, kështu që kur të shkoni ju ne mund të mbajmë shokun Ramiz Alia dhe ambasadorin tuaj këtu, që të vizitojnë disa rajone të tjera. Mos kini frikë për këtë sepse nuk ka rrezik, problemet janë zgjidhur. Rreth 300.000 pushkë u vodhën në të gjithë Kinën. Disa njerëz thonë se mund të kenë qenë rreth 600.000. Njerëzit që mbështesin grupet e majta ia kanë dhënë armët të majtëve, ndërsa të djathtët ia kanë dhënë të djathtëve, kështu nisën dhe përleshjet. Është në fakt njëfarë lufte civile pasi kemi dy palë që luftojnë njëri-tjetrin. Pas këtyre betejave do të shikojmë se cilët janë të majtët e vërtetë dhe cilët janë të djathtët. Disa kohë më parë të djathtët nxorën sloganin “fshati të rrethojë qytetin”. Ata donin t’i gënjenin fshatarët se punëtorët dhe studentët janë të këqij, prandaj duhet të luftojnë kundër tyre. I thoshin se nëse nuk shkojnë në qytet toka e tyre do të zvogëlohet. Elementët e djathtë u ofronin fshatarëve 0.5 deri në 2 huan në ditë nëse shkonin në qytet dhe 100 huan për familjet e të vrarëve. Por fshatarët nuk mund të shkojnë në qytet sepse kanë punët e fshatit në fusha e në shtëpi. Slogani i tyre “fshati të rrethojë qytetin” ishte i bukur por shumë i vështirë për t’u realizuar. Kur ne e nxorëm në fillim këtë slogan, e bëmë në qytetet e pushtuara nga Jang Jieshi. Për këtë arsye më 13 korrik nxorëm një urdhër që ndalonte fshatarët të vinin në qytet dhe kështu morën fund planet e të djathtëve. Ne kemi krijuar seksione ushtarake në çdo institucion, komuna industriale dhe bujqësore. Kjo është pjesë e milicisë popullore. Provincat kanë gjithashtu një zonë ushtarake. Provinca e Hubei për shembull ka dy të tilla. Por aktualisht ne nuk jemi të aftë të dallojmë komunistët tanë në poste të larta e të mesme, nga revolucionarët që janë të prapambetur, centristë, të djathtë apo revizionistë. E njëjta gjë vlen dhe për administratën dhe ushtrinë. Ky është një test i vështirë për ushtrinë. Gjatë 18 viteve të fundit ne nuk kemi punuar sa duhet me masat. Ata që kanë pasur poste të larta, rroga të mira, makina e apartamente, mendoj se nuk janë të rrezikshëm pasi për sa kohë t’i kenë ato do të mbeten revolucionarë. Por ka dhe njerëz që kur i arrijnë këto gjëra nuk i mbeten besnik revolucionit dhe mbajnë anën e të djathtëve. Duke e distancuar veten nga masat ata e kthyen veten nga luftëtarë bazës në servilë të lordëve. A e vizituan institutin politeknik të Vuhan? I patë fortifikimet?
Mehmet Shehu: Ishim atje, por nuk i pamë fortifikimet.
Mao Ce Dun: Mund t’i kenë shkatërruar.
Kang Sheng: Kur ishim aty, sheshi ku ishin ndërtuar fortifikimet u quajt “Sheshi i miqësisë kinezo-shqiptare”.
Mao Ce Dun: Ajo shkollë ka qenë rezistencë e madhe ndaj Çen Zaidao, pasi shkolla politeknike ka kimikatet e veta dhe lloje të tjera armësh. Tashmë shumë nga armët e rrëmbyera na janë kthyer. Është e çuditshme! Në fillim i vjedhin pastaj na i kthejnë. Tani thonë se kishin nevojë të armatoseshin pasi nuk mund të rezistonin të paarmatosur. Kjo sepse njerëzit që u armatosën nisën të kishin frikë se mund të vriteshin. Por ne do të vazhdojmë të armatosim punëtorët dhe të majtët.
Çu Enlai: Kjo ka nisur si një eksperiment.
Mao Ce Dun: Prandaj të huajt thonë se Kina është copë-copë. Dhe kanë të drejtë në njëfarë mënyre. Por në disa zona trazirat nuk janë aq të këqija. Sikur të mos ishin trazirat nuk do të dilnin kurrë në pah kontradiktat. Po përse doni të largoheni me çdo kusht pasnesër, nuk ju interesojnë më çështjet e Kinës? A mund të mbajmë shokun Ramiz Alia, bashkë me ambasadorin dhe filozofin tuaj?
Mehmet Shehu: Ju falënderojmë shumë për ftesën, por duhet të largohemi pasi do të kryejmë një vizitë të shkurtër në Pakistan. Ju falënderojmë shumë shoku Mao Ce Dun për pritjen e ngrohtë. Kudo që kemi shkuar jemi pritur në mënyrë vëllazërore. Gjatë kohës së shkurtër që qëndruam në vendin tuaj ne kemi mësuar shumë për revolucionin kulturor proletar dhe jemi prekur nga dashuria e madhe e popullit kinez për popullin shqiptar dhe shokun Enver Hoxha.
Mao Ce Dun: Kudo që ju shkoni populli ju duartroket dhe ndalon konfliktet, por sapo largoheni ju ata nisin përsëri sherrin.
Mehmet Shehu: Në Vuhan organizatat revolucionare të masave kishin kontradikta mes tyre, por kur ishte fjala për mbrojtjen e figurës së Mao Ce Dun dhe kursin revolucionar ata ishin të gjithë gati të jepnin dhe jetën e tyre. Ne e pamë këtë kudo që shkuam. Megjithëse ata kishin kontradikta mes tyre, ato janë vetëm çështje të brendshme dhe të zgjidhshme.
Mao Ce Dun: Vërtet kështu thanë? Ata bëjnë vetëm deklarata, por nuk po bashkohen. Çështja kryesore është se ç’mënyrë duhet të bëhet ribashkimi dhe cila do të jetë bërthama e tij. Ata duhet të bashkohen në një bërthamë. Por nuk mund të kërkosh të jesh bërthama e bashkimit, këtë duhet ta bëjnë të tjerët. As Enver Hoxha nuk e ka quajtur veten udhëheqësi i bërthamës, por ai është një bërthamë e tij sepse bashkimi ka ndodhur gjatë viteve të luftës.
Mehmet Shehu: Ata thanë se do të luftojnë kundër egoizmit të grupit, por nga e thëna në të bërë është një proces i gjatë. Shoku Çu En Lai dhe shoku Kang Sheng i kanë drejtuar ata të bëjnë më shumë autokritikë dhe të studiojnë veprat e Mao Ce Dun, në mënyrë që të arrihet ribashkimi.
Mao Ce Dun: Ata duhet të përdorin autokritikën dhe të shajnë njëri-tjetrin, pasi janë të gjithë të majtë dhe nuk po luftojnë një organizatë konservatore me një milini njerëz. Dua t’ju them edhe një herë se ne presim që në 1969 të bëjmë një kongres për riorganizimin e partisë, por për këtë kemi nevojë për shumë punë përgatitore. Jam i kënaqur që janë likuiduar disa gazeta pasi kishin rënë në dorë të intelektualëve borgjezë. Tani ka vende ku nuk botojnë fare gazeta, si në Jangxi, Henan, Hunan etj. Aty ku intelektualet borgjezë mblidhen rreth gazetës, më mirë të mos botohet fare. Në shkolla e institucione arsimore ka shumë intelektualë që sot janë me një grup dhe nesër bien në dorë të një tjetri. Gjatë kësaj lëvizjeje organet e sigurisë e drejtësisë dëmtohen. Në to kishte edhe njerëz të mirë, por tani po dalin revolucionarë të rinj dhe prestigji i profesorëve dhe intelektualëve po bie.
Ramiz Alia: Në Moskë po shqetësohen se Kina po shkatërron kulturën borgjeze.
Mao Ce Dun: Po, ne po eliminojmë një pjesë të kulturës, atë pjesë që i përket ideologjisë borgjeze. Në fjalë të tjera, në organet e shtypit arsimit e kulturës, një pjesë e njerëzve nuk do të jenë më aty sepse kanë që prej kohës së Guomindang. Atëherë nuk kishim ç’i bënim kështu që u detyruam t’i përdornim. Shumica e studentëve të arsimuar prej tyre janë të mirë, por ka disa që janë influencuar tepër prej tyre. Për shembull disa nga fëmijët e mi, nipërit e mbesat që kanë shkaur në universitet, janë infektuar disi me helmin e borgjezisë. Ata e konsiderojnë veten të majtë, or unë u them të mos nxitohen në konkluzione të tilla. Një prej tyre është diplomuar në universitetin e Pekinit dhe e ka trurin plot me mbretër e kryeministra të Perëndimit. I pëlqejnë gjithashtu romanet evropiane të shekullit të 18-të e 19-të. Unë i kam thënë se kjo është diçka e mriz, pasi sikur të mos i kishe lexuar këto romane, nuk do ta kishte mësuar kurrë sa i keq është feudalizmi dhe shoqëria borgjeze. Ato janë materiale të vlefshme pasi zgjerojnë njohuritë por njerëzit duhet të lexojnë dhe filozofë si anglezi Berkeley, gjermanët Kant, Hegel e Feuerbach, apo francezët e mekanikës materialiste si Njutoni dhe Koperniku. Edhe Marksi kështu ka mësuar në fillim, por më pas ai u bë mjeshtër i kritikës dhe metafizikës. A ndjeheni të lodhur?
Mehmet Shehu: Nuk dua të marr më shumë nga koha e çmuar e Mao Ce Dun, por dua te them se njerëz të tillë kanë ekzistuar gjithmonë në vendin tonë, në kohëra të ndryshme. Nëse kemi kohë për t’u takuar herë tjetër, siç përmendi shoku Çu En Lai, unë mund t’ju flas më në detaje për çështjet. Desha vetëm të theksoj se që prej themelimit të partisë sonë deri tani, ka pasur një përpjekje të ashpër për ruajtjen e pastërtisë së linjës së partisë. Përplasjet mes dy poleve të kundërta do të ketë gjithmonë.
Mao Ce Dun: Përplasjet janë një tregues i luftës së ashpër klasore në shoqërinë tonë, pasi borgjezia dhe klasa feudale ende ekzistojnë dhe ata infiltrojnë përfaqësuesit e tyre në partinë tonë. Në radhët e partisë ka njerëz ka njerëz që prej kohësh nuk kanë qenë komunistë, por agjentë në shërbim të armikut dhe ne nuk dinim gjë për ta. Si për shembull Liu Shaoqi që prej vitit 1929 ka kryer tradhti me nënshkrimin e një deklarate para armikut. Kjo është zbuluar kohet e fundit nga Garda e Kuqe. Më vonë ai bashkë me Peng Zhen, Bo Jibo, An Ziven dhe të tjerë na tradhtuan përsëri. Peng Zhen ishte anëtar i Byrosë Politike dhe kryetar i komitetit ekzekutiv i Pekinit, ndërsa Bo Jibo ishte kandidat për Byronë Politike dhe zv. kryeministër. An Ziven ka qenë por 20 vjet drejtor organizativ i komitetit qendror. Ata kanë lëshuar deklarata gjatë kohës që ishin në burg dhe janë betuar për besnikëri ndaj portretit të Jang Jieshit. Garda e Kuqe ka pasur gabimet dhe mangësitë e saj, por në orientimin e përgjithshëm janë korrektë.
Mehmet Shehu: Ju keni thënë se revolucioni nuk po ndërthuret mirë. Ne të gjithë bëjmë gabime, disa prej cilave sot i quajmë budallallëqe.
Mao Ce Dun: Edhe unë kam bërë budallallëqe, ndërsa Garda e Kuqe është edukuar gjatë procesit të luftës. Në të kaluarën sistemi ynë i arsimit ka qenë në dorë të borgjezisë. Shumica e gazetave, edhe ato që maskoheshin si komuniste, ishin në duart e borgjezisë. Ata kishin futur duart edhe te Gazeta e Popullit. Për shumë vjet rresht tani, kam thënë disa herë se gazetat duhet të ndryshojnë paraqitjen e tyre por asnjë nuk ma vë veshin. Më 1 qershor të vitit të kaluar ne morëm kontrollin e gazetës shtetërore. Para kësaj në Pekin kishim vetëm dy divizione ushtarake, por më pas u dyfishuan në 4. Po në këtë mënyrë në maj 1966 ne riorganizuam komitetin e partisë në Pekin.
Mehmet Shehu: Ju kërkojmë falje që ju lodhëm me argumentet tona shou Mao Ce Dun. Siç e shihni ne asnjëherë nuk lodhemi duke ardhur këtu për t’ju vizituar dhe për të folur me ju. Porositë tuaja do t’ia kalojmë udhëheqjes së partisë sonë dhe shokut Enver Hoxha. Ju faleminderit.
Komentet