VOAL

VOAL

Tageszeitung: Investimet evropiane në Ballkan, parandalojnë emigrimin ilegal

August 28, 2015

Komentet

Drejtuesit e partisë shqiptare VLEN takohen me Mickoskin, garantojnë studentët: Provimi i jurisprudencës do jepet në gjuhen shqipe!

Koalicioni VLEN ka deklaruar se çështja e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe në Maqedoninë e Veriut, çështje e cila ngriti sërish në protestë mijëra studentë ditën e sotme, po shkon drejt zgjidhjes konkrete, duke theksuar se ky problem, sipas tyre, nuk është adresuar për më shumë se dy dekada nga pushteti i kaluar.

 

Në një reagim të publikuar në Facebook, VLEN thekson se ajo që nuk është zgjidhur nga BDI për 20 vite, po realizohet tani me “veprime konkrete”, duke shtuar se provimi i jurisprudencës do të mund të jepet në gjuhën shqipe.

“Vetëm një ditë pasi bashkëkryetarët e VLEN-it, Bilall Kasami dhe Izet Mexhiti, paralajmëruan lajme të mira lidhur me çështjen e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, sot ata menjëherë u angazhuan në takim pune me kryeministrin Hristijan Mickoski për të avancuar zgjidhjen konkrete të këtij problemi shumëvjeçar.

Në takim u diskutua për përdorimin e gjuhëve gjatë dhënies së provimit të jurisprudencës, me fokus të qartë që zgjidhja të jetë e plotë, funksionale dhe në përputhje me Kushtetutën dhe Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve.”, thuhet në reagim.

VLEN shprehet se arsimi, drejtësia dhe barazia gjuhësore mbeten shtylla të një shteti modern, duke premtuar zgjidhje “të plota, të zbatueshme dhe afatgjata” në interes të studentëve dhe qytetarëve.

Reagimi i plotë: 

VLEN po dëshmon se çështjet e shqiptarëve nuk zgjidhen me deklarata boshe e as me improvizime politike, por me punë konkrete institucionale dhe me zgjidhje të plota e të qëndrueshme.

Vetëm një ditë pasi bashkëkryetarët e VLEN-it, Bilall Kasami dhe Izet Mexhiti, paralajmëruan lajme të mira lidhur me çështjen e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, sot ata menjëherë u angazhuan në takim pune me kryeministrin Hristijan Mickoski për të avancuar zgjidhjen konkrete të këtij problemi shumëvjeçar.

Në takim u diskutua për përdorimin e gjuhëve gjatë dhënies së provimit të jurisprudencës, me fokus të qartë që zgjidhja të jetë e plotë, funksionale dhe në përputhje me Kushtetutën dhe Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve.

Për dallim nga pushteti i kaluar, i cili për më shumë se dy dekada e mbajti të pazgjidhur këtë çështje dhe e përdori vetëm për propagandë politike, VLEN po vepron me përgjegjësi dhe seriozitet institucional për të garantuar të drejtat e shqiptarëve në praktikë.

VLEN beson se arsimi, drejtësia dhe barazia gjuhësore janë themel i një shteti modern dhe të drejtë. Prandaj, zgjidhjet nuk do të jenë gjysmake, por të plota, të zbatueshme dhe afatgjata, në interes të studentëve dhe të gjithë qytetarëve. Panorama

“Mos ma përktheni të ardhmen!” Studentët në Shkup kërkojnë dorëheqjen e ministrit të Drejtësisë: Kjo gjuhë ka dëshmorë pas vetes

Mijëra studentë shqiptarë janë mbledhur në Shkup të Maqedonisë së Veriut për protestën e tyre për gjuhën shqipe.

Të grumbulluar në Shkup, studentëve shqiptarë në RMV i janë bashkuar edhe ata nga Kosova e Shqipëria, por këta të fundit janë ndaluar nga policia dhe janë kontrolluar një nga një dhe për momentin nuk janë bashkangjitur në protestë.

Me thirrje “Gjuha shqipe nuk negociohet”, “Gjuha shqipe amanet”, dhe “Fillkov dorëheqje”, studentët protestat i nisën nga Ura e Gurit duke marshuar drejt Ministrisë së Drejtësisë.
Me pankarta “Ligj në letër, diskriminim në praktikë”, “Gjykata politike e Maqedonisë së Veriut”, “Respekto Ligjin për Gjuhët”, “Gjykata destabilizuese”, “Politika ka korruptuar Gjykatën Kushtetuese“, “Përgjegjësi”, “Mos ma përktheni të ardhmen!”, “Kjo gjuhë ka dëshmorë pas vetes” dhe “Ligji për gjuhët është i qartë”, studentët kërkojnë që institucionet të respektojnë ligjin e gjuhëve. BW

“Të gjithë njëzëri” Studentët shqiptarë në Shkup protestë për gjuhën shqipe

Studentët e universiteteve në gjuhën shqipe kanë nisur grumbullimin në Urën e Gurit në Shkup, në kuadër të protestës së radhës për mbrojtjen e të drejtës së përdorimit të gjuhës shqipe në provimet profesionale.

 

Protesta organizohet me moton “Bashkohuni me studentët – të gjithë njëzëri”, ndërsa organizatorët kanë theksuar se synimi kryesor është garantimi i të drejtave gjuhësore për studentët shqiptarë.

Përmes thirrjeve publike, studentët kanë ftuar sportistë, artistë dhe figura të njohura publike që t’i bashkohen protestës në mbështetje të kauzës së tyre.

Kjo është protesta e dytë që organizohet nga studentët shqiptarë në Shkup, pas tubimit të zhvilluar më 6 prill të këtij viti, ku u kërkua respektimi i përdorimit të gjuhës shqipe në proceset profesionale dhe institucionale. bw

Protesta e studentëve, kryeministri i RMV takon drejtuesit e VLEN. Fokusi te përdorimi i gjuhëve për provimin e jurisprudencës

Kryeministri i Maqedonia e Veriut, Hristijan Mickoski, zhvilloi sot një takim pune me bashkëkryetarët e koalicionit VLEN, Bilal Kasami dhe Izet Mexhiti.

 

Në fokus të takimit ishte çështja e përdorimit të gjuhëve gjatë zhvillimit të provimit të jurisprudencës.

Sipas njoftimit, gjatë diskutimeve u theksua se vetëm përmes një qasjeje të përbashkët, të mençur dhe dinjitoze mund të arrihen zgjidhje që forcojnë besimin e ndërsjellë dhe kontribuojnë në përparimin e vendit.

Bashkëbiseduesit ranë dakord se arsimi dhe dija janë baza e çdo shteti modern dhe funksional, ndërsa institucionet po punojnë për gjetjen e një zgjidhjeje që do të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve. Sipas tyre, synimi është garantimi i sigurisë juridike dhe funksionalitetit institucional në lidhje me këtë çështje. bw

‘Protesta e studentëve në RMV, masive’- Iseni: Zbatimi i plotë i Gjuhës Shqipe, kusht i panegociueshëm!

Studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut kanë paralajmëruar një protestë masive që do të mbahet pasditen e kësaj të marte në Shkup, duke kërkuar zbatimin e plotë të së drejtës për përdorimin e gjuhës shqipe, një e drejtë e garantuar me ligj dhe Kushtetutë.

Kjo lëvizje vjen si një përshkallëzim pas një proteste të parë, e cila, sipas organizatorëve, hasi në “vesh të shurdhër” nga ana e institucioneve shtetërore dhe politike.

I ftuar në ‘Kafe Shqeto’ në Syri Tv, Çlirim Iseni, student në Maqedoninë e Veriut dhe një ndër organizatorët e protestës tha se marshi protestues pritet të nisë nga Ura e Gurit dhe do të përfundojë para Ministrisë së Drejtësisë.

Sipas tij, kjo protestë nuk është më vetëm për një çështje specifike, siç ishte provimi i jurisprudencës në protestën e parë, por ka marrë përmasat e një “orteku”, duke u shndërruar në një kauzë thelbësore dhe gjithëpërfshirëse për të drejtat themelore të shqiptarëve.

Si një prej organizatorëve, Iseni shprehu bindjen se pjesëmarrja do të jetë shumë më e madhe, duke synuar trefishimin e numrit të protestuesve të mëparshëm, duke theksuar mbështetjen që kanë marrë  jo vetëm brenda vendit, por edhe nga Shqipëria e Kosova.

Kërkesa kryesore dhe e panegociueshme mbetet “zbatimi i plotë i përdorimit të gjuhës shqipe”. Studentët argumentojnë se kjo nuk është një lëshim, por një e drejtë që buron nga statusi i shqiptarëve si “popull autokton dhe shtetformues”, që përbën një të tretën e popullsisë dhe që është e garantuar nga Marrëveshja e Ohrit e vitit 2001.

Në ora 4:30 pasdite planifikojmë të nisemi nga Ura e Gurit, do të marshojmë drejt qendrës dhe të arrijmë te Ministria e Drejtësisë, ku do protestojmë për të drejtat tona, të drejtat tona që na, që i kemi të garantuara me ligj dhe me Kushtetutë. Të drejtat që ata po mundohen të na i shkelin në vazhdimësi. Ne nuk merremi me ato çështje që janë paksa të politizuara. Kjo çështje është ngritur para dy viteve nga kolegu ynë Mevlani dhe mori atë hovin e madh kur u bashkangjitën parlamentet e tre universiteteve shqiptare. Dhe nga këtu ndodhi ky ndryshimi i madh që të gjithë ne, ne shfrytëzuam çdo mundësi para se të dalim në protestë.

Bëmë peticione të ndryshme, rezoluta të ndryshme, por hasëm në vesh të shurdhër dhe pastaj dolëm në protestën e parë, e cila ishte për provimin e jurisprudencës. Ne nuk morëm asnjë përgjigje konkrete nga ajo. Qeveria dhe ministria nuk reflektuan fare dhe ne tani po detyrohemi të dalim në protestën e dytë, për të cilën tani po protestojmë për gjuhën shqipe, sepse gjatë kësaj periudhe, kur ata heshtën, neve na u ngritën edhe disa çështje të tjera, probleme në fakultete të ndryshme, dhe tani po shkojmë në atë më të përgjithshmen, për gjuhën shqipe.

Shpresoj ta trefishojmë numrin që e patëm atë ditë. Sepse kemi mbështetje të madhe. Po. Sepse kemi mbështetje të madhe. Marrim mbështetje nga kudo, sidomos nga Shqipëria e Kosova. Përfaqësuesit politikë që tani i kemi në pushtet, ata të bllokut shqiptar, nuk kanë pasur ndonjë përgjigje konkrete për ne deri tani. Janë munduar të na zvarritin me përgjigje se kemi krijuar një grup punues, është krijuar një komision, por nuk kemi asgjë konkrete. Dhe tani nuk mund të na zvarrisin deri në pafundësi. Aq ishte durimi jonë. Ne, tani për tani, do ishim të kënaqur vetëm me zbatimin e plotë të përdorimit të gjuhës shqipe. Është diçka që na takon, është diçka që e meritojmë si popull autokton dhe popull shtetformues në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Ne përbëjmë 1/3 e popullatës.

Na është garantuar me Marrëveshjen e Ohrit në vitin 2001, nga përfaqësues të Bashkimit Evropian dhe SHBA-së. Ne jemi popull shtetformues dhe janë të drejta që na takojnë dhe nuk zbrapsemi. Unë dhe bashkëmoshatarët e mi jemi pjesë e një rinie mendjehapur dhe nuk lejojmë të na shkelin apo të na anashkalojnë. Këtë që po e bëjmë ne, nuk është vetëm për të mirën tonë, është për të mirën e brezave të ardhshëm që do vijnë pas nesh. Jemi lodhur më në Maqedoninë e Veriut duke luftuar për të drejtat tona themelore, nga krijimi i shtetit e deri më tani. Pse ne të luftojmë për diçka që ka luftuar më parë edhe babai im, edhe gjyshi im?

Do ju drejtohesha të gjithëve që po na shikojnë: gjuha jonë nuk shuhet. Ata e flasim dhe e shkruajmë këtu. Ditën e shtunë paradite, në mënyrë të çuditshme, pa ndonjë paralajmërim që do ketë ndonjë ceremoni ose diçka, dalin një top forcash speciale dhe marshojnë rrugëve në një lagje të Kumanovës dhe brohorasin parulla nacionaliste, dhe në mënyrë shumë të zhurmshme, gjë që ka shqetësuar qytetarët e Kumanovës, por edhe gjithë vendin. Ajo ka bërë jehonë në gjithë vendin. Dhe unë atë e mora si lloj ngjallje frike nga për qytetarët. 

Studentët shqiptarë protestojnë sot në Shkup, kërkojnë provimin e jurisprudencës në Gjuhën Shqipe

Studentë shqiptarë nga Maqedonia e Veriut, Kosova, Shqipëria dhe vise të tjera shqiptare do të mblidhen sot në Shkup për të protestuar kundër mosrealizimit të provimit të Jurisprudencës në gjuhën shqipe.

 

Protesta organizohet si reagim ndaj mbajtjes së provimit vetëm në gjuhën maqedonase, ndonëse gjuha shqipe gëzon status zyrtar në vend.

Organizatorët kanë bërë thirrje për pjesëmarrje masive, duke theksuar se mbrojtja e të drejtës për përdorimin e shqipes në institucionet dhe proceset profesionale është çështje dinjiteti dhe barazie.

Tubimi do të mbahet nën moton “Bashkohuni me studentët – të gjithë një”, ndërsa nisja e protestës është paralajmëruar për në ora 16:30, te Ura e Gurit.

“Në mbrojtje të gjuhës sonë, të gjithë bashkë para Urës së Gurit”, thuhet në thirrjen e studentëve.

Pjesëmarrjen në protestë e ka konfirmuar edhe Parlamenti Studentor i Universiteti i Prishtinës, i cili u ka bërë thirrje studentëve dhe qytetarëve që të solidarizohen dhe të marrin pjesë në këtë organizim. bw

Numri më i lartë nga Gjermania dhe Zvicra- Rreth 100 mijë kërkesa të aprovuara nga KQZ-ja për votim nga jashtë Kosovës

Mbi 99 mijë aplikime të votuesve jashtë Kosovës janë pranuar deri paraditen e së dielës, nga mbi 117 mijë kërkesa që janë bërë për zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit për Kuvendin e Kosovës.

Kështu ka bërë të ditur zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, me ç’rast sipas tij, janë refuzuar mbi 7 mijë, kurse mbi 10 mijë janë në pritje për shqyrtim.

“Nga 99,498 aplikime të aprovuara, 22,955 shtetas të Kosovës janë regjistruar për të votuar fizikisht në përfaqësi diplomatike, 2,590 janë regjistruar për të dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare të KQZ-në në Kosovë dhe 73,953 janë regjistruar për të dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare jashtë Kosovës”, ka thënë Elezi.

Sipas tij, shtetet me numrin më të madh të votuesve të regjistruar janë Gjermania dhe Zvicra.

“Gjermani (49,102), Zvicër (23456), Francë (4,193), Suedi (3,750), Austri (3,165), Mbretëri e Bashkuar (2,370), Itali (2,206), ShBA (2,070), Belgjikë (2,024), Slloveni (1,400), Slloveni (1,400), Norvegji (1,154) dhe Finlandë (1,010)”, ka thënë tutje Elezi.

Afati për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës përfundon sot. bw

Kostot e jetesës, si Shqipëria po bëhet “parajsë” për të huajt… “ferr” për vendasit

Rritja e kërkesës nga turizmi, nomadët digjitalë dhe pensionistët e huaj kanë krijuar presion të jashtëzakonshëm mbi tregun e qirave dhe çmimet e pasurive, duke i bërë ato të papërballueshme për shumicën e shqiptarëve. Paraja informale dhe spekulimet e pasurive kanë përshpejtuar këtë proces, duke e kthyer ndërtimin e banesave nga një nevojë sociale në një aktivitet biznesi të pastër.

 

TIRANË- Në Tiranë, planet për blerjen e një banese janë më afër iluzionit sesa realitetit për familjet me të ardhura të ulëta dhe të mesme. Kryeqyteti shqiptar renditet i katërti në Europë për papërballueshmërinë e banesave, sipas raportit çmim – të ardhura. Ekspertët e politikave të strehimit shprehen se qendra e Tiranës dhe qytetet bregdetare po shndërrohen në “hotele” për të huajt, duke përjashtuar gjithnjë e më shumë shtresat e mesme dhe ato të ulëta nga mundësia për të pasur një shtëpi. Rritja e kërkesës nga turizmi, nomadët digjitalë dhe pensionistët e huaj kanë krijuar presion të jashtëzakonshëm mbi tregun e qirave dhe çmimet e pasurive, duke i bërë ato të papërballueshme për shumicën e shqiptarëve. Paraja informale dhe spekulimet e pasurive kanë përshpejtuar këtë proces, duke e kthyer ndërtimin e banesave nga një nevojë sociale në një aktivitet biznesi të pastër. Në këtë panoramë, shteti mbetet indiferent, ndërsa politikave të strehimit u mungon vizioni për të garantuar aksesin në strehim për të gjithë qytetarët.

Juliana T., 40 vjeçe, lindi në Tiranën e vitit 1986, në një apartament modest 1+1 te zona e Selvisë, ku hodhi hapat e saj të parë, u rrit dhe ndërtoi kujtimet e fëmijërisë. Për familjet e asaj kohe, një apartament i vogël në qendër ishte jo luks, por normalitet ku kishe afër shkollën, punën dhe një komunitet që njihej me emra, jo me kontrata qiraje.

Sot, ajo jeton në Yzberisht, në periferi, me qira. Nënë e katër fëmijëve dhe me një mendim që dikur do t’i dukej i paimagjinueshëm: të largohet nga Tirana.

“Nuk po e njoh më Tiranën time”, – thotë ajo. “Është normale të kemi zhvillim dhe të shohim gjëra të reja. Por nuk është normale të zhduket identiteti. Lagjja ku jam rritur nuk është më e njëjta. Njerëzit janë larguar, shumica e apartamenteve janë kthyer në qira afatshkurtra, njerëzit ndryshojnë çdo vit. Nuk ka më komunitet”.

Problemi në këtë rast nuk është vetëm sentimental. Ai është thellësisht ekonomik. Në një qytet ku kullat ngrihen më shpejt se pagat, strehimi është kthyer nga qëllim i një familjeje, në një luks ku spekulimi ka peshën e tij. Për familjet me të ardhura të ulëta dhe të mesme, ideja e blerjes së një apartamenti me kredi është gjithnjë e më pak një plan dhe gjithnjë e më shumë një iluzion.

“Edhe po të punosh në emigrim, sot nuk e blen dot një shtëpi në Tiranë”, thotë Juliana. Një familje me katër fëmijë nuk mund të jetojë në një apartament 1+1, por as në një 2+1 nuk është më lehtësisht i arritshëm. Dhe ajo refuzon të paguajë “çmime stratosferike për standarde si para 15 vitesh”.

Tirana, qyteti që për dekada tërhoqi pranë vetes njerëz nga e gjithë Shqipëria, po përballet me një paradoks të ri: po bëhet gjithnjë e më e vështirë për vetë tiranasit të jetojnë në të. Sot, për shumë familje, po kthehet në qytetin që duhet ta lënë pas. Edhe Juliana po mendon të bëjë të njëjtën gjë.

“Në momentin e parë që do të gjej një shtëpi diku tjetër, do të iki, pa e kthyer kokën pas”, thotë ajo.

Si shtresa e mesme dhe ata me të ardhura të ulëta po “dëbohen” nga qyteti

Doris Andoni, sot konsulente e pavarur e angazhuar me institucione ndërkombëtare, me një karrierë të gjatë në administratën publike në çështjet e strehimit, e sheh situatën gjithmonë e më të vështirë për familjet me të ardhura të ulëta dhe ato të mesme.

“Zhvillimi i sektorit rezidencial është thellësisht i pabalancuar, i paplanifikuar, i përqendruar në qendër dhe brenda Unazës së Dytë, i orientuar ekskluzivisht drejt fitimit të menjëhershëm. Investimet bëhen spontanisht, pa vizion urban, duke gëlltitur hapësirat e gjelbra dhe ato rekreative, jetike për cilësinë e jetës, duke mbingarkuar infrastrukturën, trafikun dhe çdo shërbim publik.

Dhe mbi të gjitha, duke krijuar një sistem strehimi plotësisht të papërballueshëm për shtresat e varfra dhe të mesme”, pohon ajo në një intervistë për “Monitor”. Ndër të tjera, ajo thekson se ndërtimet që po realizohen në qendër të Tiranës po eliminojnë jo vetëm shtresat me të ardhura të ulëta, por edhe shtresën e mesme.

“Këto shtresa po dëbohen nga qyteti dhe ky është një nga dëmet më të mëdha që po i bëhet jetës urbane, duke krijuar një përqendrim të vetëm një kategorie të caktuar. Për momentin, kjo mund të mos jetë e dukshme, por do të bëhet e qartë kur të përfundojnë ndërtimet dhe të banohen, ose kur të mos banohen, sepse ka shumë mundësi që një pjesë e madhe të mbeten të pashitura ose të kthehen në Airbnb, me karakter thjesht sezonal.

Kjo e dëmton ndjeshëm cilësinë e jetës në qytet – dhe është një nga çështjet që sot diskutohet gjerësisht në të gjitha rrethet profesionale: ndërtimet e larta dhe fasadat e ndritura nuk bëjnë qytet; qyteti bëhet nga njerëzit që e banojnë dhe e jetojnë atë”, shprehet znj. Andoni.

Qendra e qytetit nuk duhet të jetë luks i vetëm një kategorie, e “pasanikëve” që mund të përballojnë çmimet dhe të turistëve të vendosur në apartamente me qira afatshkurtër. Në parimet e qytetit të qëndrueshëm, ai u takon të gjithëve dhe shteti përmes politikave sociale të strehimit e mbështet këtë akses edhe për ata që nuk mund ta përballojnë.

“Dëbimi”

“Shtresat me të ardhura të ulëta dhe të mesme po dëbohen nga qyteti dhe ky është një nga dëmet më të mëdha që po i bëhet jetës urbane, duke krijuar një përqendrim të vetëm një kategorie të caktuar. Për momentin, kjo mund të mos jetë e dukshme, por do të bëhet e qartë kur të përfundojnë ndërtimet dhe të banohen, ose kur të mos banohen, sepse ka shumë mundësi që një pjesë e madhe të mbeten të pashitura ose të kthehen në Airbnb, me karakter thjesht sezonal. Kjo e dëmton ndjeshëm cilësinë e jetës në qytet – dhe është një nga çështjet që sot diskutohet gjerësisht në të gjitha rrethet profesionale: ndërtimet e larta dhe fasadat e ndritura nuk bëjnë qytet; qyteti bëhet nga njerëzit që e banojnë dhe e jetojnë atë”

Shqipëria, parajsë për të huajt, tani po kthehen në investitorë

Shqipëria prej disa vitesh po kalon një transformim të vazhdueshëm në tregun e banesave, duke u kthyer nga një treg lokal në një destinacion gjithnjë e më tërheqës për të huajt.

Në një kohë kur vendet e Europës Perëndimore, por edhe më gjerë, përballen me kosto të larta jetese, Shqipëria pozicionohet si alternativë “low-cost”, jo vetëm për turistët, por edhe për rezidentë afatgjatë. Madje, këtë përtej ekspozimit të gjerë që ka marrë si efekt i turizmit, e kanë nxitur edhe një sërë politikash të orientuara drejt tërheqjes së pensionistëve të huaj, apo nomadëve digjitalë.

Agjentët imobiliarë thanë së fundmi për “Monitor” se qiratë dhe kostoja më e ulët e jetesës po e bëjnë Shqipërinë destinacion të parapëlqyer. Fillimisht disa vite më parë do të ishin italianët që do ta eksploronin këtë mundësi duke u vendosur kryesisht në Durrës e më pak në Vlorë.

Tashmë, interesi është në rritje edhe nga pensionistët amerikanë. Në një shkrim të pak javëve më parë “Një amerikan në qytet”, “Monitor” ndalej pikërisht në këtë tendencë. Lisa Spence, 62 vjeçe, nga shteti i Alabamës në SHBA, jeton në Vlorë prej tetorit të vitit të shkuar.

Ajo tha se zgjedhja e Shqipërisë erdhi si efekt i kostos së ulët të jetesës dhe leverdishmërisë ekonomike, duke pasur parasysh të ardhurat e saj mujore nga pensioni me vlerë 2,200 USD.

Ajo jeton në një apartament me qira në zonën e Lungomares në Vlorë. Për një apartament me dy dhoma dhe ballkon me pamje panoramike, paguan 400–500 USD në muaj, ndërsa në SHBA, një pronë e ngjashme sipas saj, do të kushtonte minimalisht 1,400 USD.

Edhe pensionistët nga Mbretëria e Bashkuar janë një tjetër grup që po shfaq interes për Shqipërinë, që e shohin si një vend më të leverdishëm për të jetuar.

Ky kombinim faktorësh po krijon një avantazh të qartë për të huajt, të cilët kanë fuqi blerëse shumë më të lartë se ajo vendase. Pra, një i huaj hyn në treg me një kapacitet financiar disa herë më të madh se një familje vendase dhe ndikimi nuk është vetëm pozitiv dhe ka disa elemente që e tregojnë këtë.

Për shembull, qiratë e viteve të fundit po tregojnë këtë realitet të ri. Një apartament në Tiranë mund të kushtojë 400 deri në 500 euro në muaj, një nivel që për një pensionist amerikan apo britanik konsiderohet i përballueshëm, por për një familje shqiptare përbën një barrë të konsiderueshme.

Por qiratë nuk janë të vetmet. Shumë nga rezidentët e rinj zgjedhin fillimisht të banojnë me qira e më pas, disa prej tyre blejnë apartamente, duke kaluar nga konsumatorë në investitorë dhe duke rritur presionin mbi çmimet e pronave.

Tregu i banesave tashmë po matet jo më mbi bazën e të ardhurave të vendasve, por mbi kërkesën që vjen kryesisht nga jashtë. Shqipëria që po “listohet gjithnjë e më shpesh si një nga destinacionet më të mira për daljen në pension”, ka hyrë në një hartë globale që po sjell kapital nga jashtë, por edhe konkurrencë të re për strehimin, të cilit edhe më herët nuk i mungonin problemet.

Nga turizmi tek Airbnb, si po shtrembërohet oferta e banesave

Nëse kërkesa ndërkombëtare është njëra anë e ekuacionit, oferta po transformohet në mënyrë po aq të thellë. Rritja e turizmit ka krijuar një stimul të fortë për pronarët që të heqin banesat nga tregu tradicional i qirasë dhe t’i orientojnë ato drejt platformave të qirave afatshkurtra si Booking dhe Airbnb.

Të dhënat tregojnë rritje të ndjeshme të këtij fenomeni që deri në dhjetor tregonte se stoku i njësive të listuara në Airbnb në vend ishte 26 mijë. Këto apartamente, dikur me qira afatgjatë, tashmë u shërbejnë nevojave të turizmit duke krijuar një ngërç me familjet që kërkojnë një apartament me qira në afatgjatë, të cilët përveçse janë bërë më të shtrenjtë, mund të gjenden vetëm në rrethina.

Efekti është i menjëhershëm në tregun e qirave. Në fillim të këtij viti, të dhënat e Keydata tregonin se qiratë afatgjata ishin shtrenjtuar me 20 – 30% brenda një viti, ndërsa në zonat qendrore arrijnë 500 – 1000 euro në muaj.

Ky presion, sipas ekspertëve, nuk vjen vetëm nga turistët, por edhe nga rritja e segmentit të ‘expat’, nomadë digjitalë dhe pensionistë, duke krijuar një bazë të gjerë dhe të qëndrueshme konsumatorësh me kapacitet më të lartë pagues, që rritet nga viti në vit.

Në aspektin makroekonomik, kontributi në inflacion nga muaji në muaj mbetet domethënës. Për shembull, në mars 2026, grupi “Qira, ujë, energji elektrike, gaz dhe karburante” u rrit 0.95%, edhe pse këtu ishte edhe kontributi i çmimit të karburantit nën efektin e luftës në Lindjen e Mesme. Por edhe në shkurt, kur ndikimet e luftës nuk ekzistonin, rritja e këtij grupi ishte me 1.06% në raport me një vit më parë.

Në këtë kontekst, turizmi ka edhe anën tjetër të medaljes dhe kjo nuk është më e shndritshmja.

Tregu rezidencial po zhvendoset gradualisht nga funksioni social që është strehimi i popullsisë drejt “një biznesi të pastër”, ku prona shihet vetëm për të marrë të ardhura të shpejta në afatshkurtër dhe në këtë kontekst, barra bie mbi shtetin për të gjetur zgjidhjen.

Sipas kufijve të përballueshmërisë së pranuar gjerësisht nga standardet ndërkombëtare, qiraja nuk duhet të shkojë përtej 30% të buxhetit familjar. Për një familje me të ardhura neto 135 mijë lekë (duke supozuar që ka dy persona me pagë mesatare bruto 84.1 mijë lekë, sipas të dhënave të INSTAT për 2025 dhe neto 67.6 mijë lekë), qiraja maksimale që mund të përballojë një familje sot në Tiranë është 40 mijë lekë.

Me këtë qira, familja mund të sigurojë një apartament me qira vetëm në periferi të Tiranës, duke iu shtuar kosto të tjera si transporti.

Ndërsa një individ i vetëm, duhet të përballojë vetëm një qira prej 20 mijë lekësh në muaj, një nivel që tashmë nuk e gjen më asgjëkund në Tiranë.

Tirana vijon ngjitjen, kryeqyteti i katërt më i papërballueshëm në Europë për një banesë

Tirana po pozicionohet gjithnjë e më pranë qyteteve më problematike të Europës për përballueshmërinë e banesave, duke treguar çdo ditë e më shumë një treg që po shkëputet nga realiteti i të ardhurave të vendasve.

Sipas të dhënave më të fundit nga Numbeo për vitin 2026, Tirana renditet ndër qytetet me raportin më të lartë Price-to-Income Ratio (Çmimi në raport me të ardhurat), një tregues që mat sa vite të ardhura duhen për të blerë një banesë.

Ky tregues ishte 17.6, që e pozicionon kryeqytetin shqiptar si të katërtin më të papërballueshëm në Europë, pas Moskës, Lisbonës dhe Pragës. Në këtë klasifikim, Tirana renditet në vendin e shtatë ndër qytetet me raportin më të lartë çmim/pagë në Europë, duke lënë pas edhe tregje të njohura për çmime të larta si Parisi (15.4).

Ky pozicionim është i pazakontë duke marrë parasysh nivelin e të ardhurave në Shqipëri, që mbeten ndjeshëm më të ulëta se në Europën Perëndimore. Por si duhet të lexohet shifra 17.6 që llogarit Numbeo? Kjo nënkupton se një familjeje mesatare në Tiranë do t’i duheshin thuajse 18 vite të ardhura të plota për të blerë një apartament, një nivel që konsiderohet gjerësisht si i papërballueshëm në standardet ndërkombëtare.

Ndërkohë, tregues të tjerë e thellojnë këtë panoramë. Pagesa e kredisë për një banesë arrin në rreth 144.5% të të ardhurave mujore, ndërsa indeksi i përballueshmërisë mbetet nën nivelin 1, çka tregon se çmimet e banesave janë shkëputur nga niveli real i pagave.

Krahasimi me kryeqytete të tjera nxjerr në pah kontrastin e Tiranës. Në Berlin, raporti është rreth 9.7, ndërsa në Vjenë dhe qytete të tjera të Europës Perëndimore, niveli është dukshëm më i ulët, pavarësisht pagave më të larta.

Një situatë si kjo thyen rregullat ekonomike duke sugjeruar atë që shumë ekspertë pranojnë se tregu i banesave në Tiranë nuk po përcaktohet më nga fuqia blerëse vendase, por nga faktorë të tjerë, përfshirë kërkesën e jashtme dhe investimet në pasuri të paluajtshme, por edhe paraja informale.

Rritja e shpejtë e çmimeve në vitet e fundit e ka vendosur kryeqytetin shqiptar në një trajektore të ngjashme me tregje që tradicionalisht konsiderohen të lakmuara, por pa mbështetjen e një baze të fortë të ardhurash.

Për investitorët, kjo mund të pasqyrojë një treg në zgjerim dhe potencial për kthime, veçanërisht në segmentin e qirave. Por për familjet vendase, të dhënat tregojnë një realitet tjetër, se zotërimi i një banese po bëhet gjithnjë e më i vështirë.

Tregu në Tiranë po shfaqet si një nga shembujt më të qartë në Europë ku çmimet dhe të ardhurat po lëvizin në drejtime të kundërta, një situatë që ndikimet do t’i ketë në afatgjatë, sidomos në aspektin social dhe ekonomik.

Indeksi Fischer i BSH: Çmimet e banesave vijuan të rriten, 25% u blenë nga jorezidentë

Çmimet e banesave në Shqipëri vazhduan të rriten me ritme të larta në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2025, megjithatë rritja e çmimeve ka filluar të ngadalësohet. Indeksi Fischer i përllogaritur nga Banka e Shqipërisë tregon se çmimi mesatar i banesave të shitura u rrit me 11.7% krahasuar me periudhën e mëparshme dhe 28% në krahasim me vitin e kaluar.

Por, në krahasim me rritjen e paprecedentë prej 41.7% në gjashtëmujorin e parë, ngadalësimi sugjeron një ftohje të tregut.

Në Tiranë, çmimet mbetën të qëndrueshme, me një rritje të moderuar prej 4.4% krahasuar me vitin e kaluar, ndryshe nga rritja e fortë prej 32.6% që ishte raportuar në gjashtëmujorin e parë të vitit 2025. Nga ana tjetër, zonat bregdetare, që po tërheqin gjithnjë e më shumë investitorë, shënuan rritje më të madhe të çmimeve.

Përveç rritjes së çmimeve, koha mesatare e shitjes së pasurive gjithashtu ka pësuar rënie të konsiderueshme. Shitjet në nivel kombëtar janë bërë më të shpejta, duke kaluar nga 11.6 muaj në 9.1 muaj.

Për Tiranën, koha e shitjes ra në 8.1 muaj nga 11.1 muaj, ndërsa në zonat bregdetare, koha mesatare e shitjes u rrit në 9.9 muaj, nga 8.7 muaj. Ndryshimi reflekton një treg më dinamik dhe kërkesë të vazhdueshme, sidomos për banesat në zona atraktive si Tiranë dhe qytetet bregdetare.

Në nivelin e financimit, kredia bankare vazhdon të luajë rol të rëndësishëm në financimin e shitjeve të pasurive. Rreth 61% e pasurive të shitura janë blerë me kredi bankare, dhe 38% e rasteve kanë përdorur kredi që mbulon deri në 60% të vlerës së pasurisë.

Ky trend sugjeron rritje të mundësive për financim dhe mbështetje të qëndrueshme nga sektori bankar.

Një zhvillim tjetër i rëndësishëm është rritja e interesit nga shtetasit jorezidentë, të cilët tani përbëjnë 25% të blerësve në tregun e pasurive të paluajtshme. 52% e tyre vijnë nga vendet e BE-së, një tregues i qartë i interesit të huaj për pasuritë shqiptare, veçanërisht për zonat bregdetare dhe kryeqytetin.

Fenomeni ka qenë në rritje gjatë pesë viteve të fundit dhe tregon orientim të qartë të investitorëve të huaj.

Në tregun e qirave, kërkesa ka shënuar gjithashtu rritje, veçanërisht në kryeqytet. Agjentët e pasurive të paluajtshme raportojnë se kërkesa është më e lartë krahasuar me periudhën e mëparshme, duke theksuar që ky treg ka ende potencial rritjeje./Montor.al

Foto Histori: In memoriam Arkitekti Maks Velo që e mbronte dhe 17 Maj 2020, Dita kur kriminelët e shembën Teatrin Kombëtar Nga Orhan Sakiqi

MAKS VELO DHE TEATRI. Në mbi 60 vjet qe kam njohur Maksin, nuk e kam parë me pare te perkushtuar me kaq pasion sa te Mbrojtja e Teatrit.

Vinte shpesh në takimet e çdo mbremje tek Teatri.

Ne nje qoshe,mendueshem. Merrte mikrofonin e shperthente.

Mbrojtjen historike te teatrit e ka bere prof. Plasari.

Per anen muzeale arkitektonike Maksi:

Projekti i arkitektit Giulio Berté eshte me i miri ne pese teatro te ndertuara: parahyrja, holli i madh, kalimi ne lloxhat, akustika. Para dy vjeteve, më 17 Maj 2017 teatrit ju versul shteti, inst. Ndertimit, muzeu, gjeollogjia eletriku,ujesjellesi mjedisi.

Mbi 50 inxh. dhe arkt.nepermjet nje peticioni shpjeguam se struktura ishte beton-arme,kapriatat dru lisi me stampe njelloj si te katedralit Notre Dam, veshja e mureve me pllaka zjarr duruese.

Termetet vertetuan tezen tone.

Maksi iku me nje peng ne zemer. Ne diten e humbjes së tij dy ngjarje:

Trualli nga shteti i kalon Bashkise. Teater Kombetar me varesi Lal Er? Dhe shtepia e tij behet monument kulture ne rrespekt te figures tij….,Hipokrizi ..Cfare respekti!

Te pedonalja kur ishim per kafe tre muaj me pare Maksi me tha: Me ‘keta’jam i friksuar per Teatrin, Jane te pa bese. Ceshtja e teatrit pesoi nje goditje me humbjen e Velos. Dikush ka thene: Autiroteti i ndertuar ne baza te rreme,ndihmon vetem per nje kohe te shkurter,shpejt gjithçka shkatrrohet,nuk mbetet me as autoriteti. Foto e me pashteme: Me Maksin ne nje nga mbremjet duke mbrojtur Teatrin Kombëtar.

Raporti i Eurofound: Shqipëria, me nivelin më të ulët të sigurisë në punë në Europë!

Shqipëria mbetet ndër vendet me nivelin më të ulët të mbrojtjes dhe përfaqësimit të punonjësve në Europë, sipas raportit “European Working Conditions Survey 2024” të Eurofound. Vetëm rreth 25% e punonjësve në vend deklarojnë se kanë sindikatë, këshill punonjësish apo forma të tjera përfaqësimi në vendin e punës, duke e renditur Shqipërinë ndër vendet me mbulimin më të dobët në Europë.

 

Edhe më problematike paraqitet situata me strukturat e sigurisë dhe shëndetit në punë. Më pak se një në katër punonjës në Shqipëri deklarojnë se në kompaninë ku punojnë ekziston një delegat apo komitet për sigurinë në punë, ndërkohë që në Bashkimin Europian, mesatarja është rreth 60% e punonjësve.

Sipas raportit, mungesa e këtyre mekanizmave i lë punonjësit “cilësisht të disavantazhuar” për të ngritur shqetësime apo për të ndjekur problemet që lidhen me kushtet e punës, sigurinë dhe shëndetin në ambientet ku punojnë. Raporti evidenton gjithashtu se format e paqarta dhe fleksibël të punësimit po zgjerohen në Europë.

Sipas të dhënave të Eurofound, 3% e punonjësve europianë deklarojnë se punojnë pa kontratë pune, ndërsa në disa vende, deri në 15% e punonjësve thonë se orët e punës nuk u specifikohen në kontratë. Raporti paralajmëron rritjen e formave të fragmentuara të punës, si puna “on call”, puna sezonale apo marrëdhëniet e paqarta të punësimit, që rrisin pasigurinë për punëmarrësit dhe e bëjnë më të vështirë garantimin e kushteve të sigurta të punës.

Sipas raportit, në përgjithësi, në vitin 2024, rreth 6 në çdo 10 punonjës në BE raportuan se në kompaninë ose organizatën e tyre ekzistonte një përfaqësues ose komitet për shëndetin dhe sigurinë në punë, krahasuar me 59% në vitin 2015.

Ndërkohë, rreth 8% u përgjigjën se nuk e dinin nëse një rol apo strukturë e tillë ekzistonte, nga 6% në vitin 2015.

Prania e këtij lloji përfaqësimi rritet me madhësinë e vendit të punës, duke qenë më e lartë, 88%, në vendet e mëdha të punës, me mbi 250 punonjës.

Ajo ndryshon gjithashtu ndjeshëm sipas sektorit të aktivitetit: është shumë e lartë në industri, me 75%, dhe në administratën publike, me 79%, ndërsa është shumë më e ulët në tregti dhe hoteleri, me 42%, dhe në bujqësi, me 33%.

Raporti sqaron se direktiva kuadër për vendosjen e masave që nxisin përmirësimin e shëndetit dhe sigurisë së punonjësve në punë (Direktiva e Këshillit 89/391/EEC) përcakton detyrimet e punëdhënësve lidhur me përfaqësimin e punonjësve për çështjet e shëndetit dhe sigurisë në punë.

(Këtë direktivë do të duhet ta zbatojë dhe Shqipëria në kuadër të procesit të integrimit në Bashkimin Europian- shënim i Monitor.)

Direktiva parashikon që punëdhënësit duhet të caktojnë një ose më shumë punonjës për të kryer aktivitete që lidhen me mbrojtjen dhe parandalimin e rreziqeve në punë.

Ajo e përkufizon përfaqësuesin e punonjësve me përgjegjësi specifike për shëndetin dhe sigurinë si “çdo person i zgjedhur, emëruar ose caktuar në përputhje me ligjet dhe/ose praktikat kombëtare, për të përfaqësuar punonjësit në rastet kur lindin probleme që lidhen me mbrojtjen e sigurisë dhe shëndetit të punonjësve në vendin e punës”.

Strukturat e përfaqësimit, mënyrat e përzgjedhjes dhe kufijtë minimalë të madhësisë së vendit të punës për të cilat kërkohet një strukturë e tillë ndryshojnë ndjeshëm në vendet e Bashkimit Europian.

Grafiku paraqet panoramën e larmishme europiane lidhur me praninë e një përfaqësuesi ose komiteti për shëndetin dhe sigurinë në vendin e punës.

Përhapja e këtij përfaqësimi ndryshon ndjeshëm, nga më pak se 25% në Shqipëri dhe Bosnjë e Hercegovinë, në mbi 75% në Finlandë, Norvegji dhe Suedi.

Këto dallime mes vendeve, sipas raportit, duhen interpretuar duke marrë parasysh dispozitat ligjore kombëtare, përfshirë pragjet e ndryshme minimale për detyrimin e emërimit të përfaqësuesve ose ngritjes së komiteteve, si dhe përjashtimet për disa sektorë.

Po ashtu, ndikim ka edhe struktura specifike ekonomike e secilit vend, sipas sektorëve dhe madhësisë së ndërmarrjeve apo organizatave./Monitor

Pesha-e-punonjesve-qe-raportojne-se-kane-nje-perfaqesues-per-shendetin-dhe-sigurine-ne-pune-ne-vendin-e-punes-sipas-vendeve-1231

 

Fjala e kryeministrit Albin Kurti në konferencën e përbashkët për media me Komisioneren për Zgjerim të Bashkimit Evropian, Marta Kos

 

 

Prishtinë, 15 maj 2026

 

 

Të nderuar gazetarë
Të dashur qytetarë,

 

Komisionere Kos, mirë se erdhët në Prishtinë, në vizitën tuaj të parë në Kosovë që nga marrja e mandatit. Me Komisioneren Kos patëm një takim produktiv dhe të drejtpërdrejtë dhe më lejoni që të ndaj me ju temat dhe mesazhet kryesore.

 

Me Komisioneren Kos kemi ndarë progresin që ka bërë Kosova në vitet e fundit në avancimin e demokracisë dhe të rritjes ekonomike, si dhe në kapitujt e anëtarësimit.

 

Në gjashtë vitet e fundit kemi avancuar 28 vende në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit, ndërkohë që këtë vit avancuam 15 pozita në Indeksin e Lirisë së mediave. Jemi të tretët në mesin e 15 shteteve të Evropës Juglindore dhe të dytët në mesin e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor për avancim në sundimin e ligjit. Ekonomia jonë ka shënuar rritje vazhdimisht dhe është stabile në progres, me ngritje prej 4% të bruto produktit vendor.

 

Ndajmë vlera të përbashkëta me Bashkimin Evropian dhe jemi plotësisht të rreshtuar me Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë së BE-së. E kemi dënuar agresionin rus në Ukrainë në termat më të ashpër; kemi ofruar mbështetje ushtarake dhe humanitare për Ukrainën, kemi ofruar strehim për gazetarët ukrainas dhe i jemi bashkuar të gjitha sanksioneve kundër Federatës Ruse.

 

Kemi ratifikuar marrëveshjet e Planit të Rritjes, e miratuam edhe vendimin për sistemin e zbatimit dhe më 16 prill filluam të marrim para-financimin në vlerë prej 61.8 milionë euro. Gjashtë hapa të reformave janë konfirmuar nga Komisioni Evropian dhe presim hapa të mëtejshëm deri në afatin e qershorit.

 

Megjithëkëto, mungesa e Kuvendit funksional gjatë vitit që shkoi, por edhe tani, ka bërë që disa reforma të vonohen e tashmë po rrezikohen edhe për afatin e qershorit. Jemi duke punuar maksimalisht për të minimizuar ndikimin në reforma që po shkakton bllokada në Kuvend.

 

Në vitet e fundit, Kosova ka avancuar në përgatitje në shumë kapituj. Kemi shënuar progres në nivel të moderuar të përgatitjes në 5 kapituj dhe në nivel të caktuar të përgatitjes në 8 kapituj të tjerë. Po ashtu, nga progresi i kufizuar në progres të theksuar kemi kaluar në 18 kapituj dhe nga progresi i theksuar në progres të mirë në 5 kapituj të tjerë. Pra, kemi përparim të vazhdueshëm dhe të qëndrueshëm.

 

Kemi kuadrin kushtetues më të avancuar për të drejtat e pakicave në rajon. Raporti i Këshillit të Evropës, për vlerësimin e aplikimit tonë për anëtarësim, thekson se kuadri ligjor i Kosovës, në rastin e Kushtetutës, shkon edhe përtej standardeve ndërkombëtare.

 

Kemi marrëdhënie kontraktuale me Bashkimin Evropian, gëzojmë liberalizimin e vizave që nga 1 janari 2024, jemi pjesë e Tregut të Përbashkët Rajonal dhe Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, si dhe jemi pjesë e instrumenteve të para-anëtarësimit të Bashkimit Evropian, për çfarë e falënderova Komisioneren Kos.

 

Me Komisioneren Marta Kos, kemi ngritur edhe çështjen e statusit kandidat dhe të hapjes së negociatave. Janë bërë mbi 40 muaj që kur kemi aplikuar dhe momenti i ripërtrirë i zgjerimit nga ana e Bashkimit Evropian duhet të rezultojë me avancimin e merituar të Kosovës.

 

Mbështetja publike për Bashkimin Evropian, për anëtarësimin në BE qëndron vazhdimisht rreth 90%, në vendin tonë dhe është ndër më të lartat nga të gjitha vendet kandidate.

 

Jemi të vetëdijshëm për sfidat që ekzistojnë por kërkohet unitet në angazhim. Gjetja e unitetit brenda Bashkimit Evropian për të marrë vendime karshi Kosovës është detyrë e përbashkët. Sigurisht që ne po punojmë me shtetet anëtare por kërkohet që edhe Institucionet e Bashkimit Evropian të shtyjnë këtë unitet përpara. Zgjerimi është mjeti më i suksesshëm i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian. Vakumi që len Bashkimi Evropian po synohet që të mbushet nga akterë të tjerë dashakëqij të cilët i minojnë vlerat e Bashkimit Evropian dhe rrezikojnë sigurinë tonë të përbashkët, prandaj është përgjegjësia e të gjithë neve që Kosova të avancojë në procesin e integrimit.

 

Biseduam edhe për bashkëpunimin rajonal. Çelësi kryesor për bashkëpunim të suksesshëm rajonal është fqinjësia e mirë evropiane. Kosova ka përjetuar dy sulme terroriste në tri vitet e fundit, në Banjskë, më 24 shtator 2023, dhe në kanalin Iber-Lepenc, në infrastrukturë kritike më 29 nëntor 2024. Që të dyja këto të dirigjuara e financuara nga fqinji ynë verior.

 

Llogaridhënia për këto sulme është thelbësore, pasi pa llogaridhënie rreziku ndaj sigurisë sonë mbetet i lartë. E kemi një fqinjë agresor e agresiv që të sulmon në vend që të bashkëpunojë. Kjo është sfidë sa për sigurinë po aq edhe për bashkëpunimin rajonal.

 

Megjithatë ne jemi pro-aktiv dhe kemi kontribuar në integrimin ekonomik të rajonit. Në CEFTA, në përfaqësimin tonë direkt për herë të parë, e kryesuam me sukses ndërkohë që edhe kaluam të gjitha protokollet e mbetura në Kuvend. Kemi pesë marrëveshje që kemi nënshkruar në Proces të Berlinit i cili tashmë është i lidhur ngushtë me Tregun e Përbashkët Rajonal. Ato marrëveshje duhen zbatuar. Bosnja dhe Hercegovina, siç e dini, ende nuk ka hequr vizat për Kosovën, ndërkohë që Serbia po mban të bllokuar marrëveshjen për njohjen e diplomave e cila është në përputhje të plotë me standardet dhe me direktivat e Bashkimit Evropian.

 

Pak ditë më parë festuam 9 Majin – Ditën e Evropës. Bashkimi Evropian është projekt i paqes edhe i prosperitetit, është më i madhi e më i suksesshmi projekt i këtillë në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore. Dhe, Kosova ka përfituar nga Bashkimi Evropian, për çfarë ne jemi thellësisht mirënjohës.

 

Ne jemi gjithashtu falënderues për mbështetjen e Bashkimit Evropian, të cilin e kemi partneri strategjik dhe njëherësh donatorin më të madh. Që nga viti 1999, kur u çliruam Bashkimi Evropian ka investuar në Kosovë mbi 3.7 miliardë euro.

 

Kemi bërë progres në shtylla themelore dhe kjo jemi të bindur që meriton të njihet nga Bashkimi Evropian në kontekst të zgjerimit. Nuk po kërkojmë as rrugë të shkurtra as derë të pasme, vetëm proces meritor.

 

Ju faleminderit!

(Zyra e Kryeministrit)

 

UGSHPD: SHQIPËRIA- ÇORODITJE E ORGANIZUAR

 
 
 
I parë në vështrimin se sa e organizuar është çoroditja që sjell propaganda së partisë shtet dita e 14 Majit, 2026 hyri në rekordet më të mëdha të dëmit që media mund t’i sjellë njohjes mbi faktet dhe problemet që po përjeton Shqipëria në përgjithësi dhe vetëdija e qytetarëve (shtetasve shqiptar), për të vërtetën në veçanti. Duke i ndjekur jo thjeshtë titujt e lajmeve, por duke vëzhguar dinamikën e tyre ajo që u provua prej propagandës zyrtare të qeverisë shqiptare thuajse gjatë gjithë ditës ishin disa ngurtësime fotografish ilustruese në ballinën e ATSH-s.
Nuk sjell ndonjë të re për to vëzhgimi jo vetëm kur orët kalojnë, por as edhe për orët zonale botërore ku shqiptarët emigrantë jetojnë dhe punojnë të marrin mirinformim. 
Media e qeverisë si për ironi të fatit që ndodhet në javën e ekspozitës dokumentare “Një Rrugëtim në Historinë e Lajmit”, tregon vërtetë se ATSH-ja dhe Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave pikërisht në “Ditën e Evropës” shtuar këtu edhe Autoritetin e Mediave Audiovizive ishin kujdesur për ta marrë kalanë (Kalanë e Tiranës), vendi ku ekspozimet kanë preferuar ndër të tjera periudhën 1945-1990. Kjo përshtypje e parë për t’u kuptuar nga gjeneratat e shekullit të ri konceptohet ndryshe. Të përshkruara nga një njohës më i vjetër i historisë pa u futur në profesionin e gazetarëve që kanë menduar se punuan të lirë dhe me përgjegjësi edhe pasi diktatura komuniste u shemb mund të përshtatej më mirë me fjalët “Nga Mbyllja Në Mbyllje”, pikërisht për këtë kufizim kohor ideologjik 45 vjeçar nga ku kjo ekspozitë dhe kuratorët e saj  kanë koqitur vitet nga 1945-1990.
Po sot me  14 Maj çfarë kishte ballina?
Në fund të ditës kryelajmin e hyrjes në Evropë e dha fusha e muzikës. Ishte këngëtari Alis me këngën “Nan” që e kualifikoi Shqipërinë në finalen e Eurovizionit 2026.
Ishte një lajm i gëzuar për t’u përshëndetur dhe i urojmë fitore dhe sukses në renditje.
Por çfarë ndodhi gjatë gjithë ditës?
Lajmet nga fronti i luftës, apo takimi i dy presidentëve Trump dhe Xi të SHBA-së dhe Kinës ishin të periferisë së lajmit ndërkombëtar sepse më në krye ishte për nga rëndësia një postim në rrjetet sociale i kryeministri Rama i cili ndodhej në Aachen të Gjermanisë ku sipas ATSH-s ai ishte:-“… si pjesë e grupit të miqve të nderit të ceremonisë prestigjioze të Charlemagne Prize (Çmimi i Karlit të Madh).” Në foton e përzgjedhur me rastin e dekorimit të ish kryeministrit të Republikës së Italisë Mario Draghi, është Rama që pozon me gishtin tregues dhe në krah Ursula von der Leyen

Presidente i Komisionit Evropian.

Ndërsa në Tiranë Kuvendi i Shqipërisë ishte i mbledhur në një seancë plenare për rreth 12 orë që prej orës 10:00 të mëngjesit mes 11 pikave të rendit të ditës mbajti diskutimet dhe votimin për miratimin e rezolutës “Për procesin e anëtarësimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian”.
A mund ta çojë dot njeri në mendje… një njeri “jo do si do”, por nga ata që jetojnë vetëm me lajme dhe propagandë se Rama, si kryeministër që e ka udhëhequr shtetin dhe mezi pret ta vërë Flamurin Shqiptar “në oborrin e BE-së-Bruksel”, do t’a humbiste një shans të tillë në Tiranë?
Përse e zhvleftësoi kryeministri xhanëm këtë rast?!
Përse nuk veproi kryeministri sikurse në një të Enjte të ngjashme si kjo e Majit me seancën plenare të 22 Janarit u kërkua votimi për projektligjin për aderimin e Shqipërisë në “Bordin e Paqes”?!
Shumë njerëz e mbajnë mend zhurmën në Kuvendin e Shqipërisë dhe sidomos në media dhe televizione kombëtare, për ditë me rradhë. Madje mungesa e takimeve të rëndësishme të Ramës në Forumin e 56 Global Ekonomik të Davos-it për shkak të izolimit ndërkombëtar në po ato ditë u mbulua me një çorientim mediatik të mirë organizuar.
Anëtarët e Parlamentit gjatë 14 Majit, vendosën një rekord pune dhe qetësie të përkohshme me miratimin e rezolutës “Për procesin e anëtarësimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian” me 114 vota pro dhe 1 abstenim. Por çështje të rëndësishme si interpelancat me disa ministra dhe kryeministrin (kjo e fundit e pa zhvilluar), rrodhi në rutinën e njohur të forcës së kartonit nga ana e mazhorancës ku shpesh herë për çështjet e krimit dhe korrupsionit, vështirësinë ekonomike të popullsisë, shpopullimin, veprimin e ligjit, dy standardet e drejtësisë, çensurën dhe lirinë e medias, etj mbeten të pazgjidhura demokratisht dhe vijohet me imponimin politik që nuk reflekton kulturë dhe vlera për kah drejtimit evropian që Shqipëria dhe mbi 90% e shqiptarëve duan ta shpien.
Në një rast si ky, vëzhgimi veç ATSH-s që fragmentonte lajme dhe pjesë të rëndësisë partiake të zhvillimeve në kuvend, në dhjetra tituj gjatë ditës dhe për shkak të transparencës disa detaje se si informacioni përcillet në publik nga mediat bëhet i një rëndësie të veçantë kur flitet për Kuvendin e Shqipërisë, mediat e shkruara dhe Radio-Televizionet kombëtare.
Kuvendi në YouTube (stream-online) në rreth 12 orë seancë plenare po këqyrej nga 5-6-7 deri në 9 mijë shikues. Të pajtuar, ndjekës apo ‘subscribers” në të gjatë 10 viteve që ky shërbim ofrohet një numër prej diçka më shumë se 700 personash i ndjekin ose janë të interesuara për punimet e Kuvendit, në një kohë kur çdo anëtar i tij ka një llogari dhe i shfrytëzon për mrekulli rrjetet sociale, padyshim me një numër disa mijëshe përkrahësish.
Por do të lindte pyetja se ku po duam të dalim ose ku na shpie kjo analizë dhe vëzhgim i ditës mbi mediat?
Thelbi është i njëjti.
Jemi po aty tek çoroditja e organizuar!
Një Televizion Kombëtar (TCh), në formatin prime të pararegjistruar, njërën gjysmë të programit ja kishte kushtuar pyetjeve mbi ish-drejtoreshën e AKSHI-t Mirlinda Karçanaj rreth kushteve e shkaqeve të arrestimit nga SPAK ku zyrtarisht akuzohet Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike’, (e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal), ‘Grup i strukturuar kriminal’, ‘Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal’ dhe ‘Pastrim parash’.
 
Në qoftë se ende Kuvendi i Shqipërisë vijonte punimet dhe mazhoranca e kishte rrëzuar me forcën e kartonave një interpelancë të kryeministrit Rama të thirrur nga  PD (Gazment Bardhi), për AKSHI-n, mediat e shkruara dhe televizionet që bëhen të pranishme në situata ligjore shumë të nxehta shpesh të bëjnë të dyshosh se këto zhvillime janë sa të papritura, por kanë kthesat që merren si pa u kuptuar në përballjen e vendimeve të fajësisë apo pafajësisë mbi subjektet/individë të veçantë apo grupet e individëve me drejtësinë.
Vetëm gjatë javës së fundit kemi tre raste interesante me drejtësinë.
Në të parën, kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ka kërkuar pavlefshmërinë e emërimit të prokurorit Olsi Dado dhe transmetimin live të seancës për publikun.
Në një rast i dytë, është kthimi për vazhdimin e muajve të mbetur të dënimit të ish Ministrit të Mjedisit Lefter Koka për çështjen e inceneratorëve.
Dhe i treti, mbetet ky i ish drejtoreshës së AKSHI-t Mirlinda Karçanaj në një orë të zgjedhur të mbrëmjes që ndoshta e bëri audiencën të humbasë interesimin nga Kuvendi dhe ndoshta edhe sallën me më pak pjesëmarrës se orët e mëngjezit.
Për rastin e tretë media zyrtare ATSH ende nuk është shprehur.
 
Arrestimet dhe masat shtrënguese nga SPAK deri në dhënien e vendimit të formës së prerë nga Gjykata për dy nga subjektet e mësipërme Veliaj dhe Karçanaj rezervon atë që:-Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë”, por rikthimi i ish ministrit Koka tregon se ky prag pafajësie tashmë është djegur për shkak të çështjes së inceneratorëve.
Pyetja që mund të shtrohet deri sa kryeministri të kthehet nga udhëtimi ose në boshllëkun e çoroditjes së organizuar mbetet:-“A dihet se kush do të arrestohet?”
Për SPAK të tjerë subjekte që lidhin qeverisjen dhe politikën me korrupsionin, favorizimin e dhënies së tenderave, pastrimin e parave e deri tek format e grupeve të strukturuara kriminale mbeten në kërkim, çka do të thotë se “çoroditja e organizuar” deri në këtë përmasë ku një ish ministër kërkohet për të vazhduar burgun, disa artistë dhe simpatizantë të Veliajt shfaqen në një seancë gjyqësore si mbështetës, ndërsa në një program televiziv që vendos standardin “fton dhe nuk shkon” tek subjekti Karçanaj duke ruajtur formatin e programit brenda në studio. Në ndjesinë e parë janë situata të sforcuara, inskenime ose regjistrimi paraprake që i humbasin vlerat e shërbimit të ndërsjellët për të vërtetën.  Këto janë situata me porosi për të cilat gazetarë dhe profesionistë të televizionit teknikisht kanë shumë për të thënë në shërbim të publikut. Ndoshta edhe mësime që mund të nxirren për të kuptuar, njohur se çfarë gjëje të bukur sjell liria e shprehjes në shërbim të së  dhe sa të ndjekshëm pa propagandë mund të jenë mediat në tërësi në dobi të pavarësisë së tyre që do të quheshin vetëdije e gazetarëve.
Megjithatë këto janë zgjedhje të cilat tregojnë një udhëkryq të ri ku shoqëria shqiptare, politika, mediat dhe burimet financiare kanë mbërritur.
14 Maj, 2026
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)
Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)

Send this to a friend