Rreth librit ‘’Gravurë me ngjyrat e kohës’’ Ajne Ibërhysaj/Onufri, Poezi
E dashuruar në çdo çast me natyrën, e shkrirë trajtash dhe ngjyrash në metamorfozën e pandalshme të ndjenjave , mbërthyer në kurorën plot dritëhije të shpresës që nuk venitet, në rrethqarkullimin e vrullshëm jetësor, poetja Ajne Ibërhysaj ka zgjedhur dhe shpallur në librin e ri moton dhe shpirtin e saj të lirë, duke pohuar me guxim dhe çiltërsi për veten dhe lexuesin në një dialog të mrekullueshëm përmes vargjesh,sa të forta, aq dhe thellësisht delikate:
Unë jam grua
Mposhtem me dashuri
Më ndjej në gjakun tënd
Shpirti thyhet në shpirtin e pafajshëm…
Këto vargje janë një shpërthim i fuqishëm identiteti dhe vetëdijeje femërore. Që në titullin “Unë jam grua!” ndjehet krenaria, forca dhe sfida ndaj një bote që shpesh e ka vënë gruan në hije.Poetja e paraqet gruan si qenie e ndjeshme dhe e thellë shpirtërisht ,“Shpirti thyhet në sytë e pafajshëm” tregon brishtësinë, por edhe pastërtinë e saj. Burim dashurie dhe sakrifice ajo “mposhtet me dashuri”, ndien në
gjakun e tjetrit, jeton përtej vetes.
Forcë mbrojtëse dhe morale “engjëlli mbrojtës” sugjeron rolin e saj si shtyllë e familjes dhe shpirtit.Zë kundër hipokrizisë , heshtja e saj është “meteor i zjarrtë”, ndërsa zëri i saj “vret moralin hipokrit”; pra, ajo nuk është e nënshtruar, por e vetëdijshme dhe sfiduese. Në fund, vargjet marrin ton më të drejtpërdrejtë dhe rebelues, gruaja kërkon të mos trajtohet si e dobët (“Mos ma vrit dhimbjen”), por si qenie me dinjitet e mendim të pavarur.
Mesazhi kryesor është i qartë:
Gruaja nuk është vetëm ndjenjë dhe sakrificë, por edhe forcë, ndërgjegje dhe qëndresë.Poema ka një ton emocional, por edhe protestues, një përzierje mes dashurisë dhe revoltës.Në tërësi, është një himn për identitetin dhe fuqinë e gruas. Gravura si teknikë e gdhendjes në art mbi sipërfaqe prej druri, guri apo metali në librin e Ibërhysajt nënkupton përjetimet e skalitura nga koha në sipërfaqen e shpirtit të saj, ndërkohë që kujtimet përbëjnë muret e kujtesës fine ku çdo varg gdhend ngjarje dhe imazhe, të cilat padyshim shenjojnë horizontin e larmishëm jetësor dhe jo vetëm:
Është fryma e shpirtit
Që i jep zë vargut
Malli është etje
Mban gjallë frymën time…
Nëpër valët e saj të trazuara të jetës imazhet e shtrenjta dhe të paharruara janë themelet e forta, ndërkohë që përjetimet shpirtërore janë pjesa e tejdukshme, pasqyra ku shihet bota dhe qenja në raportin e tyre ekzistencialist, dritaret prej xhami të brishtë, ku shpesh poetja qan bashkë me lotët e saj, buzëqesh me ngjyrat dhe trishtohet me ardhje ikjet e çuditshme të më të dashurve si baba, nëna, motra, por dhe hiri akoma i ngrohtë i një dashurie të çuditshme, gacat e së cilës akoma djegin ndonjëherë dhe feksin si yje në qiellin e saj të mbrëmjes:
Shpirti nuk bëzan
Ç’rëndësi ka bregu i pikëllimit
Sytë e ylberit të humbur
Pas shiut në kodër të diellit
Shikime memece
Të ngrira në dritaren e pritjes…
Poetja ka një botë interesante tematike të vargjeve të saj, nerv të veçantë poetik dhe kërkim të vazhdueshëm shpirtëror kah vetja dhe dukuritë sociale, intuitë befasuese dhe muzikalitet të ëmbël, i cili si fond muzikor të përcjell gjatë leximit të librit të tij, sinqeritet të admirueshëm ndjenjash të cilat krijojnë një urë të mrekullueshme mes vetes dhe lexuesit dhe e bëjnë leximin e librit me një frymë dhe të shoqëruar
me ndjenjën e rikthimit përsëri në hullitë e tij poetike, që vertet të bëjnë një me qasjen dhe dedikimin shpirtëror të saj:
Ndaj,
Përqafo hijet e hapave të frymës së fundit
Unë jam aty me ty
Me frymën e poezisë..
Në kaleidoskopin marrëmëndës të “ Gravurë me ngjyrat e kohës’’ Ajne Ibërhysaj ndërton hap pas hapi, varg pas vargu dilemën e saj, tonën dhe të atdheut të shkrirë në lirikën e imtë, të butë, të dhimbshme , por sa mbresëlënëse, në dedikimet mbi portretet e dashur dhe rrugën e jetës, sikurse sjell tone të forta dhe dinjitoze të qendresës ndaj boshllëkut, mungesave shpirtërore dhe zhgënjimeve personale në nivel të së shkuarës dhe pasigurisë të së ardhmes të saj dhe vendit ku jeton, duke e marrë lexuesin përdore në udhëtimin e bukur dhe të vertetë poetik, pa klishe dhe retushime:
Rrugët e jetës
Baladë dhimbjesh ndryrë në shpirt
Teatër ku secila pjesë e trupit vetëvritet
Në Itakën e syve të tu të përhumbur…
Poezia e Ibërhysajt dallon thelbësisht nga poetet e brezit të saj, poezi e ndjesisë direkte dhe pasqyrë delikate e ndjenjës, sinqeritet të adhurueshëm shpirtëror, frymë të ngrohtë metaforike, simbolikë të qëlluar dhe mesazh prekës. Poezi e kuruar në detaje, ngrehinë e bukur kah dielli e cila fare pak të lë dorë për të ndërhyrë dhe nevojë për të rregulluar diçka në arkitekturën dhe pamjen e saj të qënësishme.
Figuracion modern, pasqyrim jetës aktive dhe të përkushtuar të poetes me shikim nga e ardhmja, me vlera të përformancës njerëzore dhe profesionale të një femre të emancipuar që gjithmonë ngrihet me kurajo mbi detajet dhe trishtimet e kohës për të qënë e patjetërsueshme në identitetin dhe personalitetin e saj të gdhendur si gravure tejet e pranueshme dhe të admirueshme të kohës:
Shpirti im nuk hesht
Era, vello që luan me sytë e mi
Në sytë e mi
Mund të shkruash vargje…
11 Shkurt 2026