LUMIT
Lum i bukur! Në rrymën tënde farfuritëse
Prej kristalesh të ndritshme, uji të harbuar,
ti je emblema e një bukurie llamburitëse
– zemër e mbajtur fshehur, e ngujuar –
shtjellë e pafund arti e pikëzuar krejt
në të bijën e plakut Albert;
po kur valën tënde ajo e kundron e heshtur –
si fërgëllon atëherë ai e si xixëllon,
oh, atëherë lumi më i paepur
bëhet njëlloj me atë që e adhuron:
sepse në zemrën e atij, si në rrjedhën
tënde përfytyrimi i asaj është ngjizur:
në atë zemër që dridhet në rrezen
e syve që kërkojnë me etje shpirtin.
BROFJET E FRIKSHME
Brofjet e frikshme ku në ëndërr më faniten
Zogjtë këngëtarë më të magjishëm,
Janë si buzët e tua – janë si melodia hyjnore
E fjalëve të cilat buzët e tua i formojnë.
Sytë e tu, gonxhe në qiellin e zemrës sime,
të mjeruar atëherë tulaten, për çudi,
O Zot, mbi mendjen time të përzishme –
Drita yjesh mbi një qefin të zi.
Zemra jote – zemra jote! Ringjallem shpejt
Dhe marr frymë, dhe fle për të ëndërruar prap
Për atë të vërtetë të cilën
S’e blen dot ari i botës krejt –
E për ato kotësi të cilat, mund
T’i blesh me çfarëdo, ndërkaq.
KËNGË
Të pa ai në ditën tënde të dasmës
E fytyra nga turpi ngjyrë all të mori ty,
sado që lumturia vezullonte rreth e qark
e për ty bota buronte e gjitha dashuri.
E vetëtima që u ndez në sytë e tu
(a thua se për mua vetëtima ishte),
Qe kur në Bukurinë më të pranueshme
Mund të shpalosej në pamjen time të dhimbshme.
Ishte ajo skuqje në fytyrë, besoj, turp i çupërlinës –
E shumëçka bën të kuptosh se ashtu ishte gjithsesi.
Por një zjarr më krenar ajo vetëtimë
Zgjoi – medet! – në kraharorin e atij
Që të pa në ditën tënde të dasmës,
kur befas të krijoi në fytyrë atë përskuqje ty,
sadoqë lumturia të vezullonte rreth e qark
e bota për ty buronte e gjitha dashuri.
NJË FARË VALENTINE
Janë thurur këto rima për atë sytë shprehës
Dhe dritëbërës të së cilës si dy binjakët e Ledës,
do të gjejnë emrin e saj të ëmbël të fshehur
në faqen e librit, nga sytë e çdo lexuesi tjetër.
Vini re vargjet me vemendje! Është aty
Një thesar hyjnor – një udhërrëfyes – një hajmali –
Që duhet mbajtur në zemër. Vëzhgoje pastaj
Masën e tyre
– fjalët – rrokjet me radhë!
Asgjë mos anashkalo, përndryshe kot e ke!
E për më tepër, asnjë nyjë gordiane nuk është atje
E cila pa një shpatë nuk mund të zgjidhej dot,
Ta marrësh me mendje subjektin kjo thuajse mjafton.
Gjurmoje në fletë, hetoje në sytë papërtuar
Në vetëtimën e shpirtit të cilëve, fshihen, humbur krejt
Tre fjalë domethënëse, shpesh thënë e shpesh dëgjuar
Nga një poet një poeti tjetër – dhe një poet ka aty emrin e vet.
Gërmat e tij, ndonëse mashtrojnë, natyrisht,
si Kalorësi Pinto – Mendez Ferdinando – ndërkaq
janë, sinonim i së Vërtetës.- Tani mjaft!
Edhe sikur të bësh të pamundurën nyjen nuk e zgjidh.
NËNËS
Meqë unë ndjej shpesh se në qiejt e lartë
Engjejt duke i përshpëritur njëri tjetrit,
Fjalë nuk gjejnë, mes kumbimeve të tyre hyjnore,
e cila të jetë më e fisme se fjala “nënë”
të cilën unë prej kohësh ta kam dhënë atë emër të dashur-
ty që më shumë se nënë je për mua e që ma mbush plot
zemrën, ku Vdekja ty t’u ngjit, prej shpirtit
duke u çliruar në kohën time të Virgjinisë.
Pikërisht nëna ime, e cila aq shpejt më la jetim,
nuk qe për mua vetëm nënë; por ti je nëna
e atyre që unë aq fort i kam dashur:
gjithsesi ti më e dashur je për mua se tjetra
për atë linjë të pafundme nëpërmjet së cilës nusja ime
ishte për mua shpirti më i shtrenjtë se jeta ime vetë.
NJË ËNDËRR BRENDA NJË ËNDËRRE
Këtë puthje timen pranoje në ballë !
E, duke u ndarë tani prej teje,
më ler të të them
se nuk gabon po mendove
se ishin një ëndërr ditët e mia;
e, gjithsesi, ngaqë shpresa na braktis
në një natë apo në një ditë,
në një vizion apo në asgjë tjetër,
është ndoshta prandaj më pak e venitur?
Gjithë ajo që shikojmë, gjithë ajo që dukemi
Nuk është gjë tjetër veçse një ëndërr brenda një ëndërre.
Jam në rropamën
E një ranishteje të tronditur nga një saje
Shtrëngoj në njërën dorë
Kokriza rëre të praruar.
Vetëm pak sosh! E megjithatë rrëshqasin e zhduken
Nëpër gishtërinjtë e mi dhe bien prapë në det!
E unë qaj – unë qaj!
O Zot! Nuk mund t’i shtrëngoja pak më shumë ato kokriza në duar?
O Zot! Nuk mund të shpëtoja kurrë
Të paktën një, nga vala e çmendur?
Gjithë ajo që shikojmë, ajo që dukemi
A nuk është vetëm një ëndërr brenda një ëndërre?
Komentet