Studiuesi i njohur Josif Papagjoni është përfshirë në debatin mbi prezencën e muzikantit Goran Bregovic në Festën e Birrës në Korçë. Ai shkruan se debati ka shkaur te nacionalizmi i verbër, periferia, mbyllja në haurin tënd, në shpellën tënde.
Sipas tij, këngët e dala nga një shpirt artisti nuk mund të kthehen në plumba. Papagjoni thotë se Bregoviç do të lërë udhëve dhe qiellit të Korçës ca tinguj njerëzie, ca tinguj miqësie, dashurie.
POSTIMI I PLOTË
Shoh këto ditë një vërshim llumi nëse ia vlen a s’ia vlen të këndojë Goran Bregoviç në Korçë?! Dhe llumi sjell llumin, dmth ndezjen e urrejtjeve të vjetra e të reja, ikën nga tingujt muzikorë dhe shkon bash aty, te nacionalizmi i verbër, periferia, mbyllja në haurin tënd, në shpellën tënde. E provuam mbylljen 50 vjet, u dashka provuar sërish nga një mori kinse “patriotësh”, që bartin mbi shpinë veçse kasollen e tyre të mjerë, shpellën inkuizicioniste të ideologjive të sëmura nga bacili i vetmisë, ksenofobisë, urrejtjeve. Bota vrapon e ethshme drejt një kozmopolitizmi të hapur, aktiv, ku njeriu bëhet Zot, me gjithë liritë dhe të drejtat e tij, me punën dhe familjen, kudo ku ai jeton, në hapësirën pa klone e kufij. Unë nuk e di se si tingujt e këngëve të dala nga një shpirt artisti mund të kthehen në plumba, gjyle e topa. Ç’është kjo mendësi primitiviste kështu? Ç’janë këto kreni të ngjyera në idiotësitë e luftërave dhe urrejtjeve nacionaliste, pa arsyetuar. Kjo e shtyn dhe një shekull më tej domosdonë e komunikimeve, marrëdhënieve mes shqiptarësh e serbësh, duke ringjallur makthe, pandehma dhe paranoja, jashtë kontekstit historik. Kohët nuk janë të ngrira. As marrëdhëniet mes popujve, qoftë dhe rasti mes serbëve dhe shqiptarëve, që ka përsipër ankthin e gjakut. Arti nuk është senjor i gjakut. Them se është e kundërta. Arti bashkon zemrat njerëzore, nuk i përçan dhe as i fut nëpër kolibet arkaike të mendjeve të stërmunduara nga dyshimet, paragjykimet. Korça është qytet i kulturës, i pritjes së të huajve, nuk është një gjelltore urrejtjesh dhe përçarjesh. Është në nderin e saj ta presë edhe një këngëtar të njohur serb si Goran Bregoviç. E ç’u bë se ai na këndoi në këtë qytet kulture? Thjesht do të lërë udhëve dhe qiellit të Korçës ca tinguj njerëzie, ca tinguj miqësie, dashurie. Vallë i bën keq dikujt tingulli? Në i bëftë keq, le të vërë pak dyll në vesh, më pas do të mësohet se shpirtrat e popujve ngjajnë. Arti bashkon…
Komentet