Kryeministri na tregoi nga Asambleja e Partisë Socialiste se studimet e një grupi profesorësh nga LSE me në krye Prof . Gjonçaj tregojnë se trendi i emigrimit po ndryshon. Me krenarinë që i lexohej në sy na tregoi se Berati ishte qyteti ku përmbysja e trendit kishte filluar.
U përpoqa dy ditë të gjej studimin e profesorëve të LSE me në krye profesor Gjonçajn. Por gjeta vetëm intervistën e tij në podcastin e Kryeministrit “Flasim ” e dhënë para disa ditësh . Profesori qartazi thekson se gjithë argumentin e tij e mbështet në të dhënat e një ankete të INSTAT të vitit 2024 të dedikuar emigracionit.
Pra, nuk foli për asnjë studim të bërë prej tij, apo për më shumë nga një grup profesorësh nga London School of Economics, ku Berati të rezultonte në vend të parë në riatdhesime.
Por a ka ndryshuar trendi i emigracionit ?
Sipas të dhënave të INSTAT emigracioni neto, që është diferenca mes numrit të shqiptarëve që riatdhesohen dhe atyre që po largohen nga vendi ynë vijon të jetë negativ përgjatë gjithë periudhës 2011-2025, duke shfaqur një tendencë përkeqësuese pas pandemisë.
Sipas databazës së INSTAT nga 1 janari 2021 deri në 1 janar 2025 Shqipëria ka pasur 138 mijë ikje më shumë se kthime.
Me gjithë luhatjet , diferenca ka qenë gjithmonë negative ku më shumë shqiptarë e lënë vendin sesa rikthehen.
Në vitin 2011, emigracioni neto ishte rreth -18,765 persona dhe mbeti në interval të ngjashëm deri në vitin 2015, kur u regjistrua një emigrim neto rreth -20,600 persona.
Në vitet 2016-2018 u vu re një përmirësim i përkohshëm, migracioni neto u ngadalësua në -9,473 në 2016 dhe rreth -15 mijë në vitet 2017-2018.
Megjithatë, pas vitit 2019 prirja ndryshoi sërish në mënyrë të fortë negative. Në vitin 2019 migracioni neto arriti -23,082 persona, ndërsa në vitin 2020 edhe pse u kufizuan lëvizjet ndërkombëtare u regjistrua një emigrim neto rreth -16,684 persona.
Pas pandemisë, emigracioni u rrit me ritme të shpejta. Në vitin 2021 humbja neto e popullsisë nga emigracioni arriti -32,853 persona dhe në 2022 mbeti në nivele të ngjashme, rreth -32,497 persona. Kulmi u shënua në vitin 2024, kur migracioni neto arriti rreth -43,761 persona. Edhe në vitin 2025 diferenca vazhdon të jetë negative me një emigrim neto rreth -28,500 individë .
Po ashtu sipas të dhënave të EUROSTAT, krahasuar me vendet e tjera Shqipëria mban vendin e parë në eksportin ose largimin nga vendi të kapitalit human. (grafiku)
Ndërkohë sipas studimeve të BERZH, në vitet 2023-2024 Shqipëria ka nivel të lartë të emigracionit në popullsinë e arsimuar dhe kthime shumë më të ulëta të tyre krahasuar me 38 vende ku operon BERZH-i.Në krahasim me ekonomitë e tjera, Shqipëria pozicionohet në grupin e vendeve me emigracion të lartë të të arsimuarve, në nivele shumë më të larta se ekonomitë e Europës në Zhvillim, përveç Bosnjës, e cila ndër të tjera vuan nga konfliktet ndër-etnike dhe mungesa e stabilitetit politik. Vendi po humbet më shumë profesionistë sesa arrin të tërheqë. Të dhënat tregojnë se mbi 23% e të arsimuarve shqiptarë kanë emigruar , vetëm 2-3% e tyre rikthehen.
Luhatjet vjetore në numrin emigrimin neto nuk tregojnë ndryshim të trendit. Një ndryshim në trendin e imigracionit do të pritej nëse do të kishte ndryshimeve në politikat emigratore të vendeve pritëse , ndryshime të treguesve ekonomikë të vendit sidomos të uljes së kostove të jetesës, dhe të burimeve specifike ku mbështetet ky ndryshim.
Ndërkohë ka disa faktorë nuk do të mundësojnë për një kohë të papërcaktuar ndryshimin e trendit . Si përshembull , ekonomia shqiptare operon në mungesë totale të politikave të rritjes së produktivitetit; ajo po kalon valën e dytë e deindustrializimit; kompanitë më të mëdha prodhojnë thuajse “asgjë” edhe shfrytëzojnë fondet e buxhetin e shtetit edhe pronën publike; ka një mungesë theksuar të konkurrencës ku edhe tregjet e produkteve ushqimore janë oligopol ; ku korrupsioni endemik rrezikon realisht vazhdimësinë e proçesit të integrimit.
” Kujdesi” i profesorit për të mos lënduar intervistuesin , i cili nuk dëshiron të dëgjojë nga askush që vendi i drejtuar prej tij vazhdon të braktiset në masë sidomos nga të rinjtë, është i kuptueshëm .
Por uroj që profesori të mos mërzitet që “kujdesi i tij” ishte i mjaftueshëm që të në tregun e propagandës të qarkullojë studimi i LSE me titull “Berati është me fat , që ka Ervin Demon komandant!