Elton Qyno – Syri.net
Prokuroria e posaçme SPAK, ka vendosur të kthejë tek pronari i ligjshëm automjetin tip “Land Rover Defender”, me të cilën në muajin Gusht 2025, u rrëmbye biznesmeni Gerond Meçe që administron kompaninë “ABS”,
Automjeti me targë “AC 121 JJ” i është kthyer Endrit Merkaj, pasi siç argumenton prokurori i SPAK, Bledar Maksutaj, ka rezultuar se gjatë verifikimit procedurial është realizuar këqyrja e mjetit hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit, nga i cili nuk ka rezultuar të dhëna me interes për hetimin.
“…vlerësohet se ky send nuk është më i domosdoshëm për të mbajtur nga ana jonë, e për këtë arsye çmojse ai duhet ti kthehet pronarit të ligjshëm dhe konkretisht automjeti “Land Rover Defender” me targa “AC 121 JJ” i përshkruar hollësisht në process-verbal ti kthehet pronarit të saj, shtetasit Endrit Merkaj.
Gazetari Elton Qyno, ka mësuar se vendimi është marë në datën 20 janar 2026 dhe tashmë mjeti që u vlerësua fillimisht nga prokuroria si send i kryerjes së veprës penale të “Heqjes së paligjshme të lirisë” ndaj Gerond Meçes, është kthyer si send që nuk kanë rezultuar të dhëna me interes të hetimit.
Ky automjet ngjyrë e zezë, u përdor nga disa persona në datën 12 Gusht 2025 për të marë peng, biznesmenin Gerond Meçe, i cili më pas ka pretenduar se është çuar në fshatin Gracen dhe detyruar përmes presionit psikologjik, që të hiqte dorë nga disa ankesa tenderash që kishte depozituar në Komisionin e Prokurimeve Publike.
Makina u sekuestrua në 15 dhjetor 2025 në kuadër të sekuestrimit të sendeve që provojnë kryerjen e veprës penale të “Heqjes së paligjshme të lirisë” ndaj Ergys Agasit dhe biznesmenit tjetër Ermal Beqiri, të dy janë shpallur në kërkim nga SPAK.
Agasi dhe Beqiri, kanë kundërshtuar akuzën e SPAK duke pretenduar se nuk kanë lidhje me urdhërimin dhe pjesëmarjen në këtë pengmarje. Por SPAK ka ngritur dyshime se lidhja e Agasit në urdhërimin për kryerjen e pengmarjes së Gerond Meçes, është një kontratë shit-blerje që është gjetur në vilën e tij, që ndodhet në kompleksin “Panto” në Mullet të Tiranës.
Kjo kontratë shit-blerje që është nënshkruar mes një gruaje me mbiemër Hoxhaj, e cila rezulton të jetë bashkëshortja e Endri Merkaj dhe biznesmenit të ndërtimit Arjan Ormenaj, që prej vitit 2024 është shpallur në kërkim nga SPAK, është bërë shkaku kryesor që SPAK të lidhë Ergys Agasin me pengmarjen e Meçes në 12 Gusht 2025 në Tiranë.
Rrëmbimi i biznesmenit Gerond Meçe, i cili zotëron kompaninë Advanced Business Solutions “ABS”, u krye në mes të Tiranës, në kushte krejt normale dhe pa shumë zhurmë.
Por, njëherësh, pas pengmarrjes në rrethana krejt normale dhe rastësore, Gerond Meçe u gjet rastësisht në rrugë nga një inxhinier i kompanisë së tij, i cili e çoi në zyrën pranë qendrës tregtare “Toptani”.
Një rastësi e çuditshme, por ja që ka ndodhur. Sipas dëshmisë që Gerond Meçe ka dhënë para oficerëve të Byrosë Kombëtare të Hetimit, ai tregon se pasi është rrëmbyer, mbajtur peng në zonën e Gracenit në Elbasan dhe lënë në rrugë pranë rrethrrotullimit të Bradasheshit, është shfaqur rastësisht një makinë e kompanisë së tij, me shofer inxhinierin Jorgis Sollaku.
Në dëshminë e tij ai ka sqaruar:
“…kam zbritur nga makina e pengmarrësve dhe kam dalë në rrugën nacionale, duke u drejtuar drejt rrethrrotullimit të vjetër të Bradasheshit, ku ndodhet karburanti. Rastësisht, duke pritur për makina të rastit apo autobus, ka kaluar një makinë e zyrës sime me shofer inxhinierin Jorgis Sollaku, i cili kishte qenë për punë në Berat…”.
Më tej biznesmeni ka treguar se:
“…Jorgis Sollaku nuk i ka treguar asgjë, por më ka sjellë në Tiranë deri te ‘Toptani’, ku kam shkuar në zyrën time. Aty kam marrë vesh se familja e kishte kuptuar që mund të isha rrëmbyer dhe po prisnin orën 18:00 për të bërë denoncimin, pasi kontaktet ishin shkëputur që nga ora 15:00…”.
Katër personat janë filmuar nga disa kënde të ndryshme nga kamerat e bizneseve aty pranë dhe qartësisht duken pa maska, vetëm me kapele në kokë.
Fytyrat e tyre janë thuajse plotësisht të dallueshme, por çuditërisht skuadra e “çunave” nuk është arritur të identifikohet, as nga informatorët e Policisë së Shtetit, as nga informatorët e Prokurorisë së Posaçme dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit.
Pse ka kaq vonesë për identifikimin e katër personave, imazhet e të cilëve janë kapur nga pamjet filmike, dhe kush është njeriu që mbron këtë skuadër prej katër personash që të mos arrestohet?