Para pak kohësh, shkrimtari Sefulla Kata botoi romanin me titull “Shënime nga qyteti B”. I njohur si autor tregimesh satirike, në këtë roman ai ka bërë një shtegtim drejt periudhës së diktaturës komuniste. Që në Prolog të romanit lexojmë:
“… Pushtetarët e rinj u premtuan parajsën. U premtuan se do t’i bënin të jetonin si më mirë… Më vonë, disa prej atyre që nuk e kapërdinë dot degdisjen dhe nuk arritën të bëjnë memecin, ashtu siç ishin porositur, shërbyen edhe si banorë të parë të qelive të njërit prej burgjeve më famëkeqe, që do të ngrihej në këtë qytet. Ky burg ua hëngri kokën kushedi se sa e sa intelektualëve shqiptarë, shumë prej të cilëve nuk u dihet varri as sot e këaj dite, ose u dihet, por janë varre pa eshtra, pasi nga thellësitë e galerive, ku binin vetë, a i shtynte dora e padukshme e pushtetit, kufomat nuk nxirreshin gjithmonë…”.
Pra, që në Prolog, autori rrëfen në frymën e shkrimtarit britanik, Xhorxh Oruellit (George Orwell (1903-1950), autorit të romanit të famshëm “1984”, të botuar në vitin 1949, të shkrimtarit rus Evgjeni Zamjatin (1884-1937), autorit të romanit “Ne”, të botuar në vitin 1920, në të cilin përshkruan një shoqëri nën një kontroll të egër totalitar, të shkrimtarit dhe të filozofit anglez Oldos Haksli (Aldous Huxley – 1894-1963), autorit të romanit “Botë e re e mrekullueshme (Brave New World), të botuar në vitin 1932. dhe të shkrimtarit amerikan Rei Dugllas Bredberi (Ray Douglas Bradbury – 1920-2012), autorit të romanit “451 gradë sipas Farenhejtit” (Fahrenheit 451), të botuar në vitin 1953.
Pra, ashtu si edhe veprat e autorëve të lartpërmendur, romanin e shkrimtarit Sefulla Kata e përshkon fryma e të ashtuquajturës antiutopi. Me antiutopi nënkuptohet pasqyrimi i një rendi shoqëror ose i një bashkësie të tillë, e cila i pasqyrohet autorit ose kritikut si diçka e padëshirueshme, neveritëse ose frikësuese. Pra, bëhet fjalë për një kontroll të përhershëm të jetës së individit dhe të mbarë jetës shoqërore.
Kaliforni, 14 gusht 2026.