Drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Islandës, dr. Finbogi Gudhmundson, vizitoi Shqipërinë më 1985. Ai na kishte njoftuar se ndodheshin një varg dorëshkrimesh në islandishten e vjetër për Skënderbeun, të përkthyera nga danishtja prej librit të historianit Ludvig Holberg, ku ndërmjet dhjetë heronjve të shquar të botës është përfshirë edhe kreu Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, prijësi dhe heroi më i madh në histori, si dhe dorëshkrime të disa këngëve epike, të thurura duke u mbështetur te ato.
Ai na dërgoi librin e Holbergut, një nga poemat dhe një libër të botuar më 1861. Ndërkaq, po ashtu si kanë vijuar të shtohen veprat kushtuar jetës dhe bëmave të heroit tonë kombëtar, është shtuar edhe interesimi për vetë literaturën rreth figurës së tij. Po na zgjerohen njohuritë se ka njoftime edhe përtej një mijë veprave në njëzet e një gjuhë të botës, që u nxorën në dukje me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit.
Përmendjet e viseve shqiptare nga nordikët janë mjaft të vjetra. Në Islandë krijimtaria letrare e ka fillimin të paktën që nga shek. XII me sagat, të cilat ishin rrëfime kushtuar fiseve kryesore të vendit. Më pas përmbajtja e tyre u shtua me subjekte të tjera, duke përfshirë edhe figura e ngjarje historike prej vendeve të tjera europiane. Një sagë e tillë e fundit të shek. XII tregon për princin Jarl Rognvaldrin, i cili pas vizitës në Jerusalem, u kthye dhe erdhi në Durrës, për të kaluar prej aty në Pulie dhe në Norvegji.
Është hera e parë që del kështu në burimet veriore emri i portit tonë. Saga e Sigurdhurit, e fillimit të shek. XIV përmend Albaninë. Në mesin e atij shekulli, siç na rrëfen Saga e Magnusit, një grup shqiptarësh me prijësin e tyre u takuan me nordikë në Venedik. Gjithsesi, njoftime të reja mjaft të gjera na ka dhënë studiuesi M. J. Driscoll me një punim të botuar vetëm dhjetë vjet më parë, të cilin e kishte lexuar në korrik 2007 në Universitetin e Kembrixhit.
Matthew James Driscoll ka lindur më 1954, është autor i afër tridhjetë librave dhe i shumë punimeve, të botuara në disa gjuhë. Ai ka punuar në Institutin Arnamgnaean të Universitetit të Kopenhagës, ka qenë edhe pedagog i jashtëm i Universitetit të Islandës. Është specialist për filologjinë e vjetër nordike dhe i shquar për punën me literaturën e dorëshkrimet e vjetra.
Prandaj jo rastësisht ka trajtuar edhe dorëshkrimet e lidhura me Skënderbeun. Me rastin e 60-vjetorit të tij, më 2014 është hedhur në internet faqja “Matthias saga digitalis 6.0/”. Ligjërata e tij e fundit ka qenë më 27 tetor në Universitetin e Kopenhagës për dorëshkrimet e Magnu i Tjaldanesit. Po përpara se të jap përshkrimin e të dhënave të reja që ka sjellë ai, është mjaft e papritur një prurje tjetër.
Thënia e njohur: “Nuk është shpata – hekur i dheut, po është krahu i fortë i Skënderbeut” qenka edhe anglisht me këto fjalë: “Scanderbeg’s sword must have Scanderbeg’s arm”. E gjejmë atë në një vepër mjaft të njohur me titullin “Fjalori i Brewer-it i shprehjeve dhe i thënieve prej rrëfimeve” (Brewer’s Dictionary of Phrase and Fable).
Autori, Ebenezer Cobhan Brewer (1810-1897) kishte ndjekur mësimet në Kembrixh, punoi si kryemësues në një shkollë të Noruiçit, jetoi disa vjet në Paris dhe ka botuar shumë libra arsimorë për lexuesin e përgjithshëm. Botimi i parë i librit më të suksesshëm të tij është i vitit 1870 dhe tani mund të jetë i njëzeti. Shpjegimi i thënies anglisht në fjalorin e tij është: “Muhameti i deshi të shihte shpatën e Skënderbeut, por kur ia paraqitën, askush nuk mundi ta ngrinte; atëherë perandori turk, duke e parë veten të detyruar, ia ktheu mbrapsht. Skënderbeu iu përgjigj, se madhërisë së tij i kishte dërguar shpatën e vet, por jo krahun që e ngrinte atë”.
Sipas studiuesit M. J. Driskoll, rrëfenja nga e cila e ka prejardhjen shprehja, nuk haset te libri i Marin Barletit, për këtë arsye nuk është as në tekstin e L. Holbergut dhe as në përkthimet e në sagat islandisht. Por ajo shfaqet në një prej rimureve. Rimure quheshin poemat epike, si rapsoditë tona, të cilat rrëfimet në prozë me tema romantike dhe më rrallë nga historia i shndërronin në vargje me rimë.
Për pesë shekuj ato kanë qenë poezia epike popullore e Islandës deri në fund të shek. XIX. Meqë ato mbështeteshin gjerësisht te sagat, lind pyetja: nga është marrë atëherë kjo ngjarje në një rimur? Tashti mësojmë për një burim të ri rreth Skënderbeut.
Historia e Skënderbeut e gjeti rrugën për Danimarkë përpara Holbergut, me botimin më 1709 të një vepre anonime nën titullin e gjatë “Përshkrim i tre mbretërve më të fuqishëm turq … dhe Gjergj Kastriotit ose Skënderbeut, prijësit të Epirit dhe Shqipërisë…”. (Sandfærdige Beskrivelse om de tre Mægtigste Tørckiske Keysere … Georgius Castriotus eller Scanderbeg Første udi Epiro og Albanien…). Në faqen e titullit mëtohet se është marrë nga danishtja, burimi i drejtpërdrejtë për të nuk dihet. Skënderbeut i kushtohen faqet 49-78 dhe përmbajtja është marrë nga Barleti, ndërsa episodi me shpatën del në f. 755-77.
Për rrëfenjën me shpatën, variantet e saj dhe në tekstin danisht më shumë ka gjasa që ta kenë burimin nga vepra e pabotuar e Frankfurtit e viteve 1602-1609 me titullin: Operae horarum subcisivarum, sive meditationes historicae, Centuria altera, cap. LXXVI, f. 350-51. Kemi kështu një burim tjetër të panjohur deri më tash, që ka nevojë të hulumtohet më tej. Nuk po e bëj përkthimin e copës përkatëse pak të gjatë në prozë, po do të kthehem te rimuri islandisht, ku ngjarja zë tri strofa, të cilat po i jap me një përkthim jo në vargje:
“[Ai] i kërkoi burrit t’i dërgonte shpatën, për t’ia huajtur për pak kohë; ai i tha ‘po’ dhe ashtu bëri.
Ndonëse mbreti ishte i fortë, nuk qe në gjendje ta vringëllonte një shpatë të atillë, as mundi ta tundte askush tjetër në oborrin e tij.
Ata e kthyen mbrapsht shpatën menjëherë; Skënderbeu u dërgoi përgjigjen: Unë ua dhashë hua luftëtarëve shpatën, por jo krahun tim.”
Për të kënaqur ata, që botojnë shprehje nga e gjithë bota, po e jap edhe në islandishten e vjetër:
Ljeði’ eg sverð en arminn ei
odda njerðun stáls að þey.
Gjatë shekullit XIX letërsia popullore në Islandë ende tregohej gojarisht dhe ishte gjallëruar nga përpjekjet për pavarësi, kështu që edhe tema e Skënderbeut ishte e parapëlqyer. Qarkullonin mjaft libra të lirë, të përkthyer prej danishtes e gjermanishtes, dhe prandaj libri i Holbergut nuk ishte një përjashtim nga rryma e përgjithshme. Në këtë truall e gjeti vendin edhe Saga për Skënderbeun, për të cilën tashti marrim vesh më me përpikëri sesa më 1985, që u ruajtka në 13 dorëshkrime.
Natyrisht, burimi më i parë ka qenë vepra e njohur e Marin Barletit (1510), e cila pati një jehonë aq të dukshme, saqë pa vonuar nisën të dilnin përkthime të Barletit: gjermanisht më 1533 në Augsburg; italisht më 1554 në Venedik; portugalisht më 1567 në Lisbonë; polonisht më 1569; frëngjisht u zgjerua nga Jacques de Lavardin më 1576 në Paris, shoqëruar me një sonet nga Pierre de Ronsard (1524-85). Anglisht prej Zachary Jones-it është botuar në Londër më 1596 sipas Lavardinit, por vendin e sonetit të Ronsarit e zuri një nga Edmund Spenceri (1552-99). Tashmë për autorësinë e këtij botimi ka edhe një artikull nga Franklin B. Williams, Jr,: ‘Spenser, Shakespeare, and Zachary Jones’, botuar në revistën Shakespeare Quarterly, 19 (1968), f. 205-12.
Ka një ngatërrim për pjesën me këtë subjekt ‘El Principe Escanderbeg’. Ajo i quhet Lope de Vegas (1562-1635), kur doli më 1639 në vëllimin 29 të komedive të tij. Bibliografia e Bibliotekës sonë Kombëtare më 1997 (shkurt BBK) e quan të Lopes de Vega Carpio sipas një letre nga Biblioteka e Madridit e vitit 1969, veçse nuk i ka datat e mësipërme për pjesën.
Më 1679 pjesa me të njëjtin titull i quhet Luís Vélez de Guevarës (1579-1644) në tekst, ndërsa në treguesin e përmbajtjes del se qenka e Luis de Belmonte Bermúdez-it (1598?-1650?). Këto data dhe emri i fundit nuk dalin te BBK. Aty mungon edhe një botim më 1538 në Strasburg nga Caspar Hedio.
Lord Bajroni (1788-1824) i ka kushtuar dy strofa në Shtegtimet e Çajld Haroldit (1812-1819). U bënë edhe opera me temën e Skënderbeut; prej njërës me muzikën e Antonio Vivaldit (1675-1741) na kanë ardhur vetëm katë arie.
Studiuesi Driskoll pohon: “Mund të thuhet pa dyshime se deri rreth vitit 1900, kur ‘turqit’ pushuan së vështruari si një kërcënim, çdo njeri i arsimuar në shkallë të mjaftë, i cili jetonte kudo qoftë në Europë, ndoshta ka qenë i njohur me figurën e Skënderbeut po aq sa edhe me të paraardhësit me emrin e tij, Aleksandrit të Madh”.
Edhe për vetë L. Holbergun marrim vesh për herë të parë se ka botuar një vit më përpara, më 1738, një histori kishtare (Almindelig Kirke-Historie), në të cilën ka një trajtim të shkurtër të Skënderbeut.
Kemi tashti një numër të përcaktuar sagash në dorëshkrime: 13 të shekullit XIX, me titullin islandisht ‘Sagan af Skanderbeg’. Më i vjetri, me se duket, është JS 34 40, hartuar gjatë dimrit 1803-04 si pjesa e shtatë (apo e nëntë?) e materialit prej 10 njësish në faqet 160-173. Hartuesi duhet të ketë qenë Gudhmundur Illugasoni, i cili e shkruan emrin e vet në disa vende të përmbledhjes.
Kishte lindur më 1788, jetonte në Bakkakor dhe do të ketë qenë djalosh kur e ka shkruar, sepse vetë në parathënie e vë në dukje, që “është shkruar nga një autor sagash i ri dhe i pastërvitur në vitet 1803 dhe 1804”. I përmbahet mjaft afër origjinalit danisht të Holbergut dhe është përkthim me cilësi të mirë. Titulli është Saga af Skanderbeg fursta.
Ndër dhjetë saga të vetat dhe shtatë të përkthyera, kleriku dhe poeti Jón Oddsson Hjaltalín (1749-1835) ka përkthyer edhe një sagë për Skënderbeun po ndër vitet 1803-1804 dhe nënkuptohet se e njihte librin e L. Holbergut. Me dorën e tij është ruajtur Lbs 638 80, që do të jetë para vitit 1811 dhe që përmban një tekst të shkurtër Mbi heroin e pakrahasueshëm Skënderbe. E veçantë është se këtu ai ka përfshirë pjesë nga të dy veprat e Holbergut, meqë përshkrimi i fitoreve më të mëdha të Skënderbeut dhe vdekja e tij janë vetëm në librin e vitit 1738.
Einar Bjarnason a Melifelli (1782-1856) ka qenë ndër njerëzit më të ditur laikë të veriut të Islandës, hartues edhe i një ‘Regjistri të njerëzve të ditur’ të pabotuar dhe ka luajtur rol të rëndësishëm për përhapjen e kulturës në vendin e vet. Ai na ka lënë dy dorëshkrime. I pari, ÍB 251 40, është shkruar më 1806-1807 në Brúnastadhir.
Saga për heroin tonë mban titullin ‘Sagan af theirri ósigrandi hetju og nafnfræga Skanderbeg fursta í Epíró’, dhe është bashkë me tri saga të tjera dhe dy grupe rimuresh. Dorëshkrimi i dytë, ÍBR 21 40, është shkruar më 1820 në Starrastadhir. Interesante është se këtu Saga për Skënderbeun gjendet bashkë me një sagë për Aleksandrin e Maqedonisë dhe një për Jan Zhishkën.
Dy dorëshkrime janë anonime. I pari, MS nr. 5 80 në koleksionin e G. Helgasonit, është në zotërim privat dhe e ka të shënuar, se është përfunduar më 9 shkurt 1820. Saga për Skënderbeun gjendet krahas katër sagave të tjera. I dyti, Lbs 3625 40 po ashtu i fillimit të shek. XIX, ka një titull të gjatë e të lezetshëm: ‘Disa saga njohëse për burra të vjetër, mbledhur, kopjuar dhe botuar (!) për argëtim të përshtatshëm për ata që i duan sagat, dijet e lashta dhe shembullin e mirë, ushtrim [i cili] ndriçon të rinjtë dhe kënaq të vjetrit’.
Nga një burim tjetër kam gjetur se Saga për Skënderbeun ndër 12 njësitë këtu vjen e gjashta në faqet 72-83; duhet të jetë bërë para vitit 1850: Saga af Skanderbeg, þeim nafnfrægn fursta í Epíró (Saga e Skënderbeut: prijësit të famshëm të Epirit). Gabimisht e kanë lidhur me historinë si aktor të një Nikulasi. Është dorëzuar nga S. Bardharon dhe i biri Leo më 1952.
Ndër dijetarët laikë më të njohur ka qenë Gísli Konrádhsson (1787-1877), autor prodhimtar i historive lokale, autor edhe i shumë cikleve të rimureve. Rreth vitit 1830 po ashtu ka shkruar një Sagë për Skënderbeun, dorëshkrimi Lbs 1953 80.
Vijon…
Komentet