(Refleksioni mbi betonizimin e kryeqytetit dhe Zonat e Mbrojtura)
I vendosur si një shënim në faqet e propagandës së ATSH-s, raste kur situata në një ‘redaksi-politike’ ka thatësi lajmesh zyrtare ose shteti s’ka asgjë të besueshme për të thënë një shkrim me titullin;”Si po i përballojnë kafshët e Kopshtit Zoologjik temperaturat e larta të Tiranës” të tërheq vemendjen.
Temperaturat mbi 40°C janë një fakt.
Fakt po ashtu sikurse fakte mbeten se si edhe bota e gjallë bimët, kafshët edhe njerëzit i heqin njësoj vështirësitë e motit në kryeqytet.
Kopshti Zoologjik dhe ai Botanik i Tiranës qendra ose parqe natyrore të vegjël ishin konceptuar të shtrira dhe vendosura në periferi të hapësirës urbane.
Sot kjo “periferi” jo vetëm që nuk eksiton, por në mozaiku i dikurshëm me Parkun e Liqenit dhe një Rezervuar nuk dallohen nga ndërtimet e larta. “Kodra e Diellit” është skaji i ri që kufizohet pak më poshtë vendit të quajtur Topi Historik në Kodrat e Saukut.
Çfarë transformimi në 36 vite tranzicion?
Duke ju kthyer lajmit të ATSH-s aty ku objektivi i aparatit fotografik i drejtohet “Kopshtit Zoologjik” të Tiranës dhe zbulon sikurse shënohet:-“Në fotografi shfaqen tigri, struci, lama dhe kafshë të tjera, në ambiente të ndryshme, disa të ekspozuara ndaj diellit dhe të tjera në zona me hije.”, arrin të kuptosh se pas togfjalëshit kafshë të tjera nënkuptohen shpendët, tigri, arinjtë, majmunët, familja e luanëve, disa kafshë shtëpiake, një pellg me ujë të pandërruar me rosa e kushedi çfarë tjetër, por që kurrë nuk arritën të përfaqësonin një Park apo Kopsht Zoologjik zbavitës dhe mbi bazë të respektimit të jetës së kafshëve të egra të mbledhura aty me tender e të ushqyer e trajtuar po me tender.
Kujtojmë pragun e viteve elektoralë për zgjedhjet e përgjithshme dhe vendore ku pushteti qendror dhe vendor zbriste për të bërë reklamat politike dhe premtimet.
Rreth 6 milion euro u investuan për një “kafaz burgu” të madh mes ndërtesave. Nuk u parashikua një tjetër vend më i mirë diku në periferitë pas zgjerimit të kryeqytetit pasi përdorimi i shesheve të tillë si për Kopshtin Zoologjik edhe atë Botanik janë më mirë të degradohen dhe të paguhet personeli përkohësisht deri sa ligjet e pronësisë të vendosin më vonë. Prej atëherë, nga inaugurimi dhe premtimet kanë kaluar 4 vite. Ishte 1 Qershori i 2022-it i cili u harrua këtë vit sepse sapo kishte filluar po ato ditë Revolucioni i Flamingove. Sot vijon pandërprerë në Ditën e 76-të.
Një kontrast shumë i bukur dhe domethënës për marrëdhëniet e njeriut me natyrën dhe gjallesën.
Kërkon në Kopshtin Zoologjik të Tiranës ndonjë inventar të kafshëve. është mjaft e vështirë dhe e rëndë pasi nga bota e gjallë shqiptare jo vetëm që i ke në minoritet mes atij rrethimi si burg i hapur në natyrë, por vetë kopshti është i rrethuar si një “arenë gladiatorësh” ku njerëzit nuk mund të bashkëjetojnë aq pranë me imitimin e një natyre të egër mes ndërtesave.
Sipas kërkimeve Kopshti Zoologjik ka qenë gjatë tranzicionit nën vartësinë e Bashkisë së Tiranës. Një objekt që thith fonde dhe hap fronte pune sidomos para fushatave zgjedhore. Një periudhë kohore gjatë tranzicionit ku ‘Copa e Asllanit’* i ka takuar dy menaxherëve kryesor të Rilindjes Socialiste, Edi dhe Erioni*. Të dy të aftë për ta shitur imazhin deri në prehistorinë e dinosaurve pikërisht edhe në atë vend që dikur ishte natyrë, ujë dhe oksigjen për Tiranën nëse do të mirëmbahej.
E sollëm këtë vështrim të nisur pikërisht nga një vëzhgim i propagandës zyrtare jo thjeshtë se sa vuajnë kafshët e egra në temperaturat e nxehta të verës në Kopshtin Zoologjik sepse ky është fakti i mungesës së njohjes që ka shprehur pushteti. Dikur ky objekt ishte në mesin e dhjetëshes që rendiste Kopshtet më të Trishtuar Zoologjike të Botës”, ose burgje .
Tani është një EXPO-Burg.
Sinqerisht prekesh kur lexon brenda lajmit “kujdesin e shtetit”;-“…mirëqenia e kafshëve mbetet një çështje që kërkon vëmendje të veçantë” duke ditur se qytetarët janë bërë edhe më të ndjeshëm në këtë marrëdhënie.
Po si zgjidhet?
Njerëzit dhe banorët ta vendosin.
Ndoshta t’u japin lirinë dhe hapësirat diku ku ashtu sikurse e gjithë bota ka vepruar për mirëmbajtjen, trajtimin dhe zbavitjen me parqe të tillë.
Një biletë 3 € për këtë varfëri dhe propagandë është shumë.
Po çfarë mësimi nxirret?
Kësaj pyetje tjetër i është dhënë përgjigja.
Në Tiranë përpara zyrave të kryeministrit dhe asaj të kryebashkiakut prej 76 ditësh grumbullohet dhe zhvillohet protesta “Revolucioni i Flamingove”.
Mësimi në të vërtetë nuk mbetet këtu.
Ai është një mësim i nxjerrë mbi korrupsionin dhe po ashtu refleksion mbi betonizimin pa kriter.
Refleksion mbi pasuritë e natyrës dhe zonave të mbrojtura.
A e përfytyroni dot marrëzinë me ndërtimet në Lagunën e Nartës dhe derdhjen e Vjosës?
Një burg dhe shkatërrim i vërtetë i gjallesës dhe i shpendëve migratorë fond i veçantë planetit.
Mos e ndalni as përfytyrimin dhe as mendimin kritik deri këtu nga zhurma e propagandës dhe frika e censurës.
Mendoni se po u rrethua jo vetëm me ndërtime Vjosë-Narta krahasimi nuk do të ishte thjeshtë një qindrafish i “Kopshtit Zoologjik të Tiranës”. Me Aeroportin e Vlorës ndërtuar pikërisht aty ku u menduan fluturimet e dhjetra linjave ajrore dhe të një fluksi vjetor prej udhëtarësh nga 1 milion deri në 10 milion gjatë viteve.
Në të vërtetë as premtimi nuk u mbajt, por as edhe fluturimet nuk kanë filluar.
Pista do të vizitohet nga avionë të vegjël të studiove ndërkombëtare ligjore herë pas here dhe ndoshta gjallesa do të ketë pak paqe.
Ndërsa paqen e vërtetë asaj mund t’ia japë sovrani.
Një Referendum Qytetar që mbron dhe kujdeset për bashkëjetesën e njeriut me natyrën mbi bazë të rregullave dhe normave të njohura nga Kushtetuta e RSH dhe Konventat Ndërkombëtare të Biodiversitetit.

14 Gusht, 2026
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)
Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)
______
* Anduena Ristani kryetare e Bashkisë Tiranë e komanduar 2025
* Erion Veliaj kryetar i Bashkisë Tiranë 2015-2025
* Lulzim Basha kryetar i Bashkisë Tiranë 2011-2015
*Edi Rama kryetar i bashkisë Tiranë 2000-2011
* Albert Brojka kryetar i Bashkisë Tiranë 1996-200
*Sali Kelmendi kryetar i Bashkisë Tiranë 1992-1996
Llambi Gegprifti kryetar i Komitetit Ekzekutiv 1989-1990
*’Copa e Asllanit’- ose Pjesa e Luanit