Skandali i inceneratorëve që çoi në burg ish-ministrin e Mjedisit Lefter Kokën dhe për të cilin kërkohen nga policia Klodian Zoto dhe Stela Gugallja ka rrëzuar një nga projektet më të reklamuara të qeverisë Rama dhe që trajton mbetjet e qyteteve më të mëdha të vendit, Fierit dhe Elbasanit.
Skema e korrupsionit që zbuloi sot SPAK është vetëm njëra hallkë e zinxhirit, por që i ka dhënë mundësi prokurorisë të ndalë të gjithë projektin.
Ryshfeti për Lefter Kokën
Sipas SPAK, Lefter Koka pasi i kaloi Klodian Zotos koncensionin e inceneratorëve mori në formën e ryshfetit më shumë se 3.6 milion euro. Kjo u arrit përmes kompanive të të afërmve të Lefter Kokës, në formën e punimeve që kryheshin për inceneratorët pretendon SPAK.
“Janë pranuar fatura tatimore shitje dhe janë paguar detyrimet financiare për këto fatura tatimore për disa shoqëri tregtare, për punime që në të vërtetë nuk janë kryer nga këto shoqëri tregtare. Shoqëria “Albtek Energy” sh.p.k. ka deklaruar në librin e blerjes faturat tatimore të shitjeve nga këto shoqëri tregtare në total në vlerën 368.672.760 lekë (ose rreth 2.950.000 Euro). Shoqëria “Integrated Technology Services” sh.p.k. ka deklaruar në librin e blerjes faturat tatimore të shitjeve nga këto shoqëri tregtare në total në vlerën 91.963.141 lekë (ose rreth 735.000 Euro)” shkruhet në njoftimin e SPAK.
Paralizimi i inceneratorëve në Elbasan dhe Fier
SPAK njoftoi se ka vendosur sekuestro preventive mbi kompanitë në administrim të Stela Gugallja dhe Klodian Zoto, që kanë të bëjnë me inceneratorët në Elbasan dhe në Fier.
Inceneratori i Elbasanit dhe ai i Fierit zotërohen respektivisht nga kompanitë Albtek Energy me pronare Stela Gugallja dhe Integrated Technology ëaste Treatment Fier, ku 70 % e aksioneve zotërohen nga Klodian Zoto.
“Integrated Technology Services” është një kompani me kapital 100 mijë lekë, e themeluar në nëntor të vitit 2010 nga aksioneri i vetëm, Klodian Zoto-sipas të dhënave të depozituara në Qendrën Kombëtare të Bizneseve.
Edhe inceneratori i Tiranës, më i madhi dhe i kushtueshmi ndër të tre u fitua nga kompania Integrated Energy B.V me seli në Amsterdam të Holandës. Sipas Zërit të Amerikës në Tiranë përfaqësues i kompanisë u ekspozua sërish Klodian Zoto por më vonë ai dha dorëheqjen. Mbetet për t’u parë nëse impiantet e djegies së plehrave do të vazhdojnë të funksionojnë apo tashmë puna aty është bllokuar si pasojë e sekuestros së prokurorisë.
Arratisja e Klodian Zotos dhe Stela Gugalles
Klodian Zoto dhe Stela Gugallja nuk janë arrestuar deri më tani nga policia. Nuk dihet nëse kemi të bëjmë me dekonspirim të operacionit apo mosgjetja e këtyre dy personave është rastësi. Gjithsesi kur ka denoncuar aferën e inceneratorëve rreth një vit më parë. Lulzim Basha e kishte parashikuar arratisjen. Asokohe ai tha se një nga personat kyç të aferës, administratorja e kompanisë “Albtek-Energy”, Stela Gugallja ishte nën presion nga mafia dhe ajo mund të largohej nga vendi.
“Prej më shumë se një jave i kërkoj SPAK-ut të nisë hetimet për aferën e mafias së inceneratorëve. Një nga personat kyç për hetimin e inceneratorëve, është vënë nën presion nga mafia. Mafia e plehrave, presion mbi një prej personave kyç në skemën mafioze të inceneratorëve, Stela Gugallja. Nëse përgjegjësit e kësaj afere arratisen, përgjegjësia është e SPAK-ut. Paralajmëroj SPAK-un se nëse ndonjë prej të dyshuarve kryesorë në aferën e plehrave largohet, do të jetë përgjegjësia e SPAK”, shprehej Basha vitin e kaluar.
Në fakt ashtu ndodhi. Sot që SPAK kërkoi arrestimin, asnjë prej administratorëve të kompanive nuk është gjetur ende./Lapsi.al
Komentet