VOAL

VOAL

Si ndikoi stili i Geraldinës dhe motrave të Zogut në modën e kryeqytetit

April 7, 2017

Komentet

Kromi, nafta dhe bitumi shqiptar drejt Kinës më 1964, kushtet e “motrës së madhe” për Enver Hoxhën! Pse shkoi delegacioni ynë në Suedi

PËLLUMB VREKA

Historia e Kinës është e lidhur pazgjidhshmërisht me Mao Ce Dunin (MAO ZE DONG), si udhëheqësi komunist kryesor që i dha lirinë Kinës në tetor 1949. Ai lindi në 26 dhjetor 1893 dhe vdiq në 9 shtator 1976. Lajmi i vdekjes së Mao Ce Dunit na erdhi në Gjorm të Lezhës, në kohën që po zhvillonim një stërvitje komando shtabi me pjesëmarrjen e trupave tankiste.

Vdekja e tij nuk pati ndonjë jehonë të veçantë në qeverinë shqiptare të asaj kohe për faktin se marrëdhëniet ishin ftohur me kohë me rastin e vajtjes në Kinë të Riçard Niksonit, Presidentit të Amerikës (vendi që kryesonte kapitalizmin dhe imperializmin sipas Partisë së Punës të Shqipërisë së Enver Hoxhës). Dhe sipas Enver Hoxhës, Kina (Motra e Madhe) paskësh bërë një gabim të madh duke ftuar Niksonin në Kinë, pa pyetur dhe pa i marrë leje këtij. Kjo për faktin se Enveri e quante veten si Qendra e vetme e Komunizmit në Botë. Mao Ce Duni njihet si çliruesi i Kinës nga pushtuesit japonezë, ndërmori shumë reforma nga të cilat më kryesorja ishte Reforma Agrare duke shtetëzuar të gjitha pasuritë e pronarëve dhe latifondistëve të mëdhenj. Toka iu shpërnda fshatarëve dhe ky revolucion në bujqësi natyrisht që kërkonte edhe një revolucion në industri. Kjo për arsye se Kina trashëgoi një ekonomi, totalisht bujqësore. Prandaj, krahas revolucionit në bujqësi, duhej rritja industriale, për të realizuar rritjen e prodhimit bujqësor, orizit, në radhë të parë, për të ushqyer miliardëshin e popullsisë së Kinës.

KOPJIMI NGA KINA

Në vitin 1958-1962, Mao Ce Duni shpalli të ashtuquajturin “HAPI I MADH PËRPARA” me synimin rritjen dhe modernizimin e industrisë prodhuese dhe transportuese. Kina kishte edhe një program tjetër që përpunohej nën “rrogoz”, në kundërshtim me rregullat e Kombeve të Bashkuara, “Kopjimin dhe prodhimin e makinerive dhe pajisjeve të shteteve të tjera”. Të gjithëve iu kujtohen furnizimet që neve na vinin në ato vite nga Kina. Po marrim ato më pikantet. Tanket që erdhën në Shqipëri në ato vite ishin tanke të kopjuara nga tanket sovjetike T-52, që kinezi i emërtoi T-54. Avionët luftarakë, MIG-15, 17-19 e Mig-21 ishin tipik avionët sovjetikë me të njëjtën sigël. Raketat e mëdha SAM-7 që të gjithë i kemi parë nëpër parada ishin tipike imitime sovjetike. Po ashtu edhe kamionët e famshëm që mbushnin rrugët e Shqipërisë. Me karroceri druri dhe karroceri metalike (vetëshkarkuese), ishin po sovjetike; ZIS (Zavoda Imena Stalin), ZIL (Zavoda Imena Lenin); xhipat BÇ kinez ishin kopje e xhipave sovjetik UAZ (Uralski Auto Zavod); kamionët Gaz-51 ishin ZIM sovjetik, (Zavoda Imena Molotov). Megjithatë, pavarësisht se kinezët ishin “kopjacë”, kjo në vetvete është një meritë e jashtëzakonshme sepse që të kopjosh këtë gamë të madhe makinerish, tankesh, autoblinda, avionë etj., etj. kërkohet një industri jashtëzakonisht e madhe, e fuqishme dhe e larmishme. Sidomos në drejtim të pjesëve të ndërrimit, të kompletimit të pjesëve dhe pajisjeve. Këtë Kina e realizoi në një kohë rekord. Azotiku i Fierit ishte një teknologji italiane e përparuar për kohën. Kinezët, me leje të qeverisë shqiptare, punuan ditë e natë me grupe pune për të kopjuar teknologjinë e kësaj ndërmarrjeje etj., etj.. Avantazh të madh në këtë drejtim, kinezët kishin faktorin kohë dhe fuqinë e pamatë punëtore.

VDEKJA E MAO CE DUNIT

Tani fillon historia e çuditshme e Kinës. Me vdekjen e Mao Ce Dunit, pushtetin e mori me grusht shteti, i mbështetur edhe nga ushtria, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë, Huo Kuo Feni (Hua Guo Feng). Ky personazh mistik, të cilit në kohën e Mao Ce Dunit nuk i ishte dëgjuar zëri, si masë të parë të tij vendosi arrestimin e Grupit të Katërshes, me në krye gruan e Mao Ce Dunit, JIANG QIN dhe ZHANG Çuan QIAO, Wang HONG WUEN dhe YAO WEN YAN. Këta u akuzuan si përgjegjës të Revolucionit Kulturor, revolucion që në Kinë persekutoi intelektualë të artit, kulturës, ateistë e njerëz të lirisë. Fillimisht, këta të katër, të lidhur me duar nga mbrapa dhe me tabela në qafë ku shkruhej “Unë jam armik i popullit”, u linçuan nga masat popullore në mbledhjet “alla komunistçe”, ku turma shfryu mllefin kundër armiqve të popullit. Pas lançimit, gjykata e Huo Kon Fenit, i dënoi të katër me vdekje dhe u ekzekutuan. Duke pasur parasysh konspiracionin e madh kinez, (është edhe sot), nuk u mor vesh kurrë nëse u pushkatuan apo u dënuan me burgim të përjetshëm, siç u përhapën thashetheme më vonë. Dihet ngjarja e studentit kinez në sheshin “Tien An Men” në vitin 1989 që i doli përballë dhe ndaloi kolonën e tankeve. Me stil, Shërbimi Sekret e largoi nga vendi por akoma edhe sot nuk dihet fati i atij studenti kurajoz. Fakt është se edhe sot kinezët e kanë si model ekzekutimin publik. Për 50 gr. drogë të dënuarit pushkatohen në stadiume të mbushur plot me spektatorë, me duar të lidhura nga mbrapa, në gjunjë, me një plumb në zverk, pas koke. Më “Katërshen” u mbyll edhe historia famëkeqe e “Revolucionit Kulturor”, i cili u shpik, u mbështet nga vet Mao, duke futur në lojë HUNVEIBINËT (RINIA REVOLUCIONARE), e cila me citatet e Maos në duar, shpartalloi ato që thamë më lart, artin dhe kulturën kineze dhe të huaj, si shfaqje të urryera për popullin kinez.

“MOTRA E MADHE”

Ndërkohë, Qeveria kineze, e cila si “Motra e Madhe” filloi që në vitin 1964 të furnizojë Shqipërinë me të gjitha nevojat që kishte vendi, duke filluar nga gjilpëra deri tek avionët dhe raketat. Ndihma ishte e pakufizuar për faktin se edhe vetë Shqipëria nuk kursehej duke dërguar në Kinë lëndë të para, sidomos bitum, naftë, krom, i cili për nga cilësia renditet i dyti në botë, pas atij të Afrikës së Jugut. Në këtë kuadër kinezët kishin planifikuar që në Shqipëri të ndërtonin një ambasadë të madhe, për ta përdorur si “Plasdarm” për në Europë. Kjo për faktin së në Europë nuk kishte asnjë vend që të kishte marrëdhënie të tilla me Kinën si Shqipëria. Qeveria shqiptare pranoi që të ndërtohej kjo ambasadë e “stërmadhe”. Kjo ambasadë gjigande, është godina e sotme e Ministrisë së Jashtme Shqiptare, kurse godina pas saj do shërbente si godinë banimi për personelin kinez. Në fakt, kjo ishte një kopje e ambasadës sovjetike, e cila ishte ndërtuar në “kërthizë” të Shqipërisë. Pas prishjes së marrëdhënieve, ambasada sovjetike u spostua në Rrugën e Elbasanit, e cila më pas u bë rezidenca e ambasadës italiane në Shqipëri. Ish-ambasada e ndërtuar nga sovjetikët u shndërrua në Presidiumin e Kuvendit Popullor sot, Presidenca e Shtetit Shqiptar. Ca shtete shquhen për nënshtrim ndaj më të fuqishmit apo të madhit, i cili i “mban me bukë”. Në Suedi, ambasada amerikane është mu në qendër të Stokholmit, mbi një kodrinë. I pyetur nga ana ime për këtë fakt, suedezi mu përgjigj: “Amerikani është këmbëkryq këtu, por frikën ia kemi ‘Ariut rus’.

HUA KO FENI NË TIRANË

Qeveria shqiptare e ftoi Hua Ko Fenin në Shqipëri duke menduar një zbutje apo një mundësi rilindje të marrëdhënieve kinezo-shqiptare, meqenëse ekonomia shqiptare kishte filluar tatëpjetën. Uzinat e fabrikat, deri tek tanket dhe avionët, vuanin për pjesë këmbimi dhe lëndë të parë. Në uzinat shqiptare të prodhimit të armëve me material kinez filloi të ndihej mungesa e lëndës së parë. Për këtë arsye, qeveria shqiptare iu drejtua Suedisë (si vend asnjanës) me një delegacion të kryesuar nga drejtori Llazi A. me kërkesën për të blerë nga pala kineze, për nevoja të shtetit shqiptar lëndë të parë për fabrikat e armëve dhe uzinat e ndryshme. Njësoj siç po bën bota aktualisht me Rusinë, e cila e futur në darën e sanksioneve, dërgon të tjerë për siguruar pjesë të ndryshme këmbimi për nevojat ushtarake dhe ekonomike. Pra, Hua Kuo Feni erdhi në Shqipëri dhe në bisedimet e zhvilluara, i vuri kushte qeverisë shqiptare për vazhdimësinë e marrëdhënieve. Por dihet botërisht që Enver Hoxha, si “pishtar i komunizmit” në botë, nuk mund të pranonte kushte. Kështu u “dh… nusja në kalë” dhe Huo Kuo Feni ia mbathi në Jugosllavi me të cilën (edhe sot) lidhi marrëdhënie dhe kontrata miliarda dollarëshe, vetëm që Serbia t’i jepte dorë të lirë e mbështetje si kryesuese e “Botës së Tretë” me qëllimin e vetëm për të “penetruar” në Afrikë, Azi e Europë.

“TENI I VOGËL”

Por këtë sukses, Huo Kuo Feni nuk e pati të gjatë, sepse në dritë doli “Teni i vogël” (Ten Siao Pin) të cilin Mao e kishte internuar në një fshat të humbur për t’u rehabilituar nga mendimet e tij… kapitaliste! Dhe vërtet, sapo Teni hipi në pushtet, pas vizitës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ai i hapi “kanat më kanat” dyert e Kinës për investime kapitaliste, sidomos ato amerikane. Baza e rrugëtimit të Tenit ishin katër pikat e Maos, të cilat nuk guxonte askush t’i cenonte, akoma edhe sot. Por Teni i anashkaloi me parullën e famshme dhe të pavdekshme, për të justifikuar investimet e huaja: “Ç’rëndësi ka macja nëse është e zezë apo e bardhë! Rëndësi ka që ajo të kapë miun”. Jemi me Huo Kuo Fenin. Fenit iu bë në Jugosllavi një pritje e jashtëzakonshme, ashtu siç Kina vetë ia kishte bërë Titos në vizitën e tij në Kinë, si “Udhëheqës i Botës së Tretë”. Titos, në shenjë respekti, iu shtrua me tapet… të kuq rruga nga aeroporti deri në sheshin “Tien An Men”, ku për respekt të tij vallëzuan njëqind mijë kërcimtare. Në këtë kuadër dashurie të re, me një motër tjetër në Europë, Huo Kuo Feni i dhuron Jugosllavisë një rafineri nafte (pak e përdorur). Një dhuratë goxha me vlerë domethënëse në marrëdhëniet midis dy vendeve, marrëdhënie të cilat vazhdojnë akoma edhe sot.

Vuçiçi nuk blen armë edhe makineri përveçse në Kinë. Po ashtu, investimet kineze në infrastrukturën serbe janë të shumta. Kështu, duke qenë Serbia një vend “Plasdarmë”, siç dëshironin të ishin me njëra-tjetrën, Kina e ka shtyrë ekspansionin e investimeve edhe në vendet e tjera të rajonit, si në Mal të Zi. Kur Huo Kuon Feni u kthye në Kinë, frenat e shtetit i kishte marrë në dorë Teni. Ai njihet sot në histori, si ideatori i zhvillimit të ekonomisë së tregut në Kinë, ishte ai që lejoi modernizimin e Kinës dhe lejimin e investimeve të huaja në ekonominë kineze. Interesi ndërkombëtar për investime në Kinë ishte i madh për shkak të krahut të lirë të punës dhe kapacitetit të madh të ekonomisë kineze për investime. Ekonomia sot është e dyta në botë, pas asaj Amerikane, duke qenë e qartë se ndoshta, pas një dekade të dalë në krye. Dikur, Presidenti i Francës, Zhak Shiraku shprehej se: “Çfarë të keqe ka të lidhesh me një vend komunist për biznes?! Mjafton të eksportosh në Kinë vetëm gjilpëra dhe merret me mend se sa do jetë fitimi i Francës”!

Autori, drejtor i Revistës “HOSTENI”

/Gazeta Panorama 

“Shumë kisha dhe xhami po braktisen dhe po rrënohen, asnjë ndërtim të mos u bëhet”- Urdhri i Enver Hoxhës në 1967: Disa mund të kthehen në vepra muze, të tjerat të bëhen…

Nga Dr. Genti Kruja/ Më 6 shkurt u mbushën rreth 60 vjet nga fjalimi i Enver Hoxhës që hapi si-parin e ateizmit në Shqipëri. Në këtë kuadër, revista “Zani i Naltë” ka publikuar një urdhër të Enver Hoxhës (me gjasë firmosur, por jo shkruar prej tij) dhe një raport informativ i gushtit të po këtij viti, që flet për përpjekjet e bëra kundër fesë, rezultatet dhe problemet. Duket e pabesueshme sesi regjimi ja doli që të likuidonte aq thjeshtë një prani mijëravjeçare përfaqësuar në këtë kohë nga 2169, objekte kulti nga të cilat 740 xhami, 608 kisha orthodokse e manastire, 157 katolike, 530 teqe, tyrbe, mekame etj.. Rezistenca ishte minimale, ndërkohë që religjioni duket se u la në baltë dhe nga grigja që kishte gjetur çati të re. Më poshtë dokumentet që kanë interes historik:

                                         Urdhri i Enver Hoxhës

“Duke marrë parasysh se kohët e fundit në shumë rrethe është intensifikuar lufta kundër fesë, paragjykimeve e zakoneve fetare dhe me qëllim, që kjo luftë të bëhet sa më drejt, pa gabime dhe më me sukses, u pa e nevojshme të jepen orientimet e mëposhtme: Feja është opiumi i popujve. Këtë të vërtetë të madhe duhet të bëjmë çmos që ta kuptojë çdo njeri, edhe ata (dhe këta nuk janë pak), që janë të helmatisur e që duhet t’i ç’helmatisim. Kjo nuk është një punë e lehtë, por as edhe e pamundur.

Këtë luftë të madhe nuk duhet t’ia lëmë spontanitetit e të kënaqemi duke thënë se brezat e rinj do ta braktisin këtë opium, ose se feja dhe praktikat e saj ruajnë qenien e tyre vetëm tek plakat dhe tek pleqtë. Kjo nuk është ekzakte, këto mund të humbasin virulencën e tyre, vetëm në rast se i luftojmë e i demaskojmë, kurse ringjallen, propagandohen e zgjerohen në rast se i nënvleftësojmë.

Sigurisht feja ka të bëjë me botëkuptimet, me ndërgjegjen, por këto me shekuj, feja dhe klerikët jo vetëm i kanë kthyer në dogma filozofike, por për ta rrënjosur këtë dogmë animiste në ndërgjegjen e njerëzve, e kanë shoqëruar edhe me disiplina konkrete, me organizime të veçanta, e kanë lidhur me ngjarjet e jetës së njeriut. Çdo gjë feja është munduar ta lidhi me ndodhitë e jetës së njeriut dhe ka bërë që ky, çdo mendim, çdo veprim të tij ta lidhi me fenë, me besimin idealist, mistik etj.

Luftën tonë kundër fesë ne duhet ta drejtojmë qoftë kundër dogmës fetare vetë, kundër pikëpamjeve filozofike, idealiste e mistike të saj, ashtu edhe kundër disiplinave fetare, që kanë hyrë, deri në zakonet e përditshme të atyre që besojnë, bile edhe të atyre që nuk besojnë, por që i zbatojnë nganjëherë pa i ditur, pa bërë kujdes. Populli ynë, në përgjithësi, nuk është fetar në atë kuptimin, që janë shumë popuj të tjerë. Kjo është e vërtetë por prapë se prapë edhe ai diçka beson…!

Ne nuk u kemi lënë asnjë shkollë, qoftë edhe të ulët, për të nxjerrë klerikë të rinj dhe për t’u dhënë këtyre një edukatë të rregullt dhe të interpretuar të doktrinës së tyre fetare…! Kështu që klerikët e çdo besimi kanë shteruar dhe do të shterojnë edhe ca më shumë si kuadro. Kurse për sa i përket shtypit të librave, të dogmave të tyre, kjo ka vdekur me kohë për ta…

Pra, bazën materiale dhe propagandistike për shumëzimin e librave fetare e kemi zhdukur. Ne kemi zhdukur gjithashtu mundësinë e nxjerrjes së kuadrove. Tash është çështja t’u prishen kishat dhe xhamitë, të vetmet mjete kryesore ku klerikët grumbullojnë besimtarët për të mbajtur gjallë besimin, qoftë edhe në forma dekadente.

Prishja e kishave, xhamive, teqeve e manastireve, natyrisht, paraqitet më e vështirë, për arsye se nuk duhet shkuar në kundërshtim të drejtpërdrejtë me atë pjesë të popullit që beson.

Por mjaft prej tyre janë prishur, pa ngjallur asnjë reaksion, disa të tjerë janë prishur se kanë rënë, ka nga ato që janë kthyer në depo ose kanë mbetur pa hoxhë apo pa prift dhe praktikisht nuk funksionojnë. Në këto forma duhet të vazhdojmë ne për deri sa nuk funksionojnë.

Në këto forma duhet të vazhdojmë ne përderisa t’i rrafshojmë nga faqja e dheut tonë. Institucioneve fetare ne duhet t’u heqim, atje ku e kemi lënë diçka, të gjithë tokën, ndonjë ulli ose të ardhur tjetër që mund të kenë akoma kishat, xhamitë, etj.

Është interesante se në fshatin tonë nuk ka rezistencë për këto gjëra. Ky është si rezultat i punës ateiste, që ka bërë dhe bën partia, por edhe nga mungesa e hoxhallarëve dhe e priftërinjve në fshatra, nga mungesa e librave fetarë. Në përgjithësi, në fshatra çështja e besimit në fenë, mbahet në zakonet e jetës, në interpretimin pragmatik të tyre, por që nuk është as për ta nënvleftësuar, as për ta neglizhuar, pse prapë na dëmton shumë në zhvillimin dhe përparimin e vendit. Për t’i zhdukur praktikat fetare ne duhet t’i luftojmë ato sidomos me frymën revolucionare dhe patriotike.

Lufta kundër feve, veçanërisht në vendin tonë, ku nuk ka mundur të zhvillohet në forma filozofike të stërholluara, për arsye të mungesës së një baze klerikësh të zhvilluar e me kulturë, duhet të bëhet me këmbëngulje në zakonet, në traditat, në mënyrën e jetesës, në interpretimin e fenomeneve, pse nëpërmjet kësaj rruge klerikët kanë mundur për shekuj me radhë te fusin helmin e fesë dhe këtë helm ta përziejmë me gëzimet, me hidhërimet dhe me shfaqjet e përditshme të jetës së njeriut.

Neve pra na bie detyra që të studiojmë me imtësi, ku dhe qysh shfaqet ky helm, në ç’forma, ç’trajta ka marrë gjatë zhvillimit, ç’praktika zbatohen, si zbatohen e si kamuflohen ato.

Këto ne duhet t’i analizojmë që kur lind i vogli, i cili pagëzohet, bëhet synet etj., që kur martohet njeriu, ngjarje kjo që lidhet me shumë zakone në të cilat ka depërtuar zakoni kishtar si krimbi brenda mollës së kuqe. Duke i njohur këto, këtej duhet të fillojë lufta e studiuar sistematike ideologjike, politike, organizative, pa pushim, pa pushim.

Lufta me fenë është mjaft e koklavitur, prandaj kush nuk armatoset mirë kundër saj, mund të mos ketë rezultatet që dëshirojmë. Ne i kemi të gjitha mundësitë dhe terreni ynë paraqitet i favorshëm që këtë luftë ta kryejmë me sukses.

Një armë historike kundër fesë dhe klerikëve reaksionarë është edhe fakti se feja myslimane ka qenë ideologjia e pushtuesve turq, feja ortodokse ideologjia e shovinistëve grekë që pushtonin në kohët e kaluara vendin tonë dhe feja katolike me qendër Vatikanin ka qenë ideologjia e pushtuesve italianë, e imperializmit austriak dhe e fashizmit italian.

Ndjenjat patriotike të popullit tonë dhe lufta e tij për t’u çliruar nga zgjedha e të huajve, në mos drejtpërsëdrejti, gjatë shekujve është ndeshur edhe me ideologjinë fetare të pushtuesve dhe me ata klerikë reaksionarë të çdo besimi, që u shërbenin atyre. Në këtë fakt historik ne nuk mund të mos shohim edhe një nga arsyet që populli ynë nuk është edhe aq fanatik e i lidhur me fetë, pse këto, në parim dhe në fakt, kanë qenë në kundërshtim me idenë e çlirimit kombëtar.

Duke pasur parasysh të gjitha çka thamë më lart, ne si komunistë dhe ateistë duhet të jemi edhe realistë. Me gjithë propagandën tonë të organizuar kundër fesë, riteve, dogmave, institucioneve fetare dhe klerikëve profesionistë, të kemi vazhdimisht parasysh që të mos futemi në luftë të hapët me njerëzit e popullit, sepse në popull do të ketë edhe njerëz të ndershëm, të lidhur me partinë dhe patriotë të flaktë, që do të ruajnë në ndërgjegjen e tyre edhe për shumë kohë, mundet edhe deri sa të vdesin, besimet e tyre.

Puna me ta do të jete një përpjekje bindjeje e vazhdueshme dhe me durim të madh, të cilën të mos e lejojmë të kthehet në ofenduese. Me këta njerëz partia duhet të sillet, si të thuash, si doktori i mirë që bën të gjitha përpjekjet për ta shëruar të sëmurin, për ta rikthyer këtë në gëzimet e jetës.

Besimet e kota fetare nuk do t’i gjejmë vetëm te klerikët. Këta janë ata njerëz profesionistë që i propagandojnë, që i ruajnë të gjalla, që bëjnë spekulime dhe mashtrime të poshtra, por ato ekzistojnë edhe në popull. Prandaj, pa a ngadalësuar për asnjë çast propagandën kundër fesë, të kemi kurdoherë parasysh se kemi të bëjmë me popullin. Veprimet e pamatura, ekzaltuese, duhet të evitohen. Çdo veprimi i duhet përgatitur me kujdes terreni politik.

Të zaptosh xhamitë dhe kishat me fushatë dhe me një urdhër, është punë e lehtë, por duhet menduar edhe për pasojat në popull. Pasojat e këqija evitohen duke përgatitur me kujdes popullin, që ai ta kuptojë këtë kotësi, ta zhdukë fenë nga zakonet e jetës, të braktisë me bindje praktikat e saj. Atëherë për të s’ka as rëndësinë më të vogël xhamia apo kisha, prifti ose hoxha. Kjo është një punë më e rëndë, por më e sigurt.

Shumë kisha dhe xhami po braktisen dhe po rrënohen. Asnjë ndërtim të mos u bëhet. Disa mund të kthehen në vepra muze, në qoftë se janë të tilla, disa që do populli, të bëhen depo, të mos hezitohet të merren, e kështu me radhë, jo me dhunë, me bujë dhe pa marrë aprovimin e popullit, i cili duhet përgatitur shpirtërisht dhe politikisht…! / Memorie.al

               SEKRETARI I PARË I KOMITETIT QENDROR

                TË PARTISË SË PUNËS TË SHQIPËRISË

                           ENVER HOXHA     

PREJ LIBRIT  TË FRITZ RADOVANIT: PJESA I

 

Tradhëtarët

Enver Hoxha e Ramiz Alia

na nxorën nga Europa…

 

Melbourne 2010

 

 

 

 

 

Ua kushtoj të Parëve të mi,

Ejëllorëve (ose Radovanve) të vjetër,

dhe Gurakuqëve po aq Atdhetarë,

 

që menduen, punuen e u salvuen

për Shqipninë Europjane të

Gjergj Kastriotit – Skenderbeut!

 

                                                     Autori

Melbourne, Gusht 2010.

 

 

 

 

 

Redaktor: Daniel Gàzulli. 2010.

 

 

 

Dikur… ishte edhe kjo… Shtëpia e Luigj Gurakuqit..!

 

            At Anton Harapi, tregon për Luigj Gurakuqin:

            “…U kuq, iu muer goja, shterngoi buzët e i dha vehtes: Padër Anton, tha, na kanë skreditue tepër keqas, na kanë deklarue komunista n’opinjonin publik t’ Europës! Për Zotin, nuk due të hiki, por po ndeja këtu, e dij se derdhet gjak e, derdhet kot…”

 

                (Revista “Hylli i Dritës, Nr. 3, Mars 1944, fq. 69, Shkoder.)

 

 

 

PJESA E I

 

HYMJE

 

 

Isha i vogël kur më tërhiqte vemendjen një kuadër pikture mbi një tabake porcelani me servirë kafe. Aty ishte një piramidë dikund ka Egjipti. Një deve, nga pozicioni i kambëve, kuptohej se ishte në ecje…Përpara i printe një harap, që dukej sikur e tërhiqte deven me një litarë…

Dukej sikur edhe dielli binte vetëm mbi atë mjedis, ku rana digjej e të jepte përshtypjen e një tymnaje që ngrihej nalt…

Më dukej një jetë e mënershme. Piramidat, tash sa mija vjet, asnjena nuk lëvizin. Nuk lëvizin as sfinksat, as gurtë, as tullat, madje as faraonët që janë aty ndër ato piramida.

Ndonjë termet shkapë ndonjë gur aty-këtu, që rrëshqet dhe bie poshtë,  thërmohet e bahet pluhun.

Kur frynë erë, rana ngjitët e mbushë zgavrrat e gurëve, po edhe të sfinksave, që qëndrojnë me aq madhështi mbi piedestalet e tyne. Kur bie shi apo breshën, rrallë në ata vise, gjithë ai pluhun lahet e rreshqet me ujin poshtë…

Mbas pak orësh dielli i fortë i atij vendi e thanë tokën e nuk mbetë ma asgja mbas atij rrebeshi që mund t’ jenë kenë boll i fortë.

Asht e vërtetë se edhe aty jeta vazhdon…

Harapi e devja, të dy jetojnë…tjerët nuk jetojnë, nuk kanë jetë, por vazhdojnë me kenë aty, madje edhe kur as harapi as devja nuk do të jenë ma. …Për jeten e deves asht vështirë me folë. Thonë se asht mësue me vuejtë e me bajtë… Në lidhje me “arësyetimin” e kafshëve kam pyetë edhe njerëz me ide materialiste, që e mendojnë veten trashigimtarë të majmunit, por vërej se e kanë të vështirë me mendue ndryshej, jo pse kanë bindje, por u pelqen ashtu, pse nga pema majmuni hypë ma lehtë mbi shpinën e gungueme të deves, sesa me kenë njeri dhe me kërkue rahatinë tek devja.

Ndërsa për harapin e shkretë çka mundesh me thanë ma parë..?

Jeta e ban njeriun me pranue me kenë i gjallë ndër të vdekun. Kërkon gjithmonë i shkreti njeri me kenë i gjallë e, shpesh, thuhet se edhe “Shqiptarët janë kenë të vdekun ndër të gjallë…”

Jam i sigurtë se këtë mendim për shqiptarët e kanë “ata” që kanë jetue të hypun mbi shpinë të deves, se, po t’i takonte me jetue si devja , me u tha etjet si ajo, ose si harapi që i prinë zbathë, tue u djegë kambësh në ranën e nxehtë, tue vrapue me gjetë dy grushta uji me njomë gojën e shkrumueme, atëherë me andje të madhe do të çonte sytë kah qiella dhe, ashtu gjysë të verbuem nga lodhja, uja, etja, zharitja e frika e vetmisë, apo nga dajaku e shpata e mumjes së “faraonit”, do të fillonte me vrritë me gjithë forcën e zanit të shkyem, me sy të zgurdulluem, tue shikue drejt tek drita e fortë e diellit, derisa të fillojë me pa në rrethin e tij Kryqin…e, kur i marrakotun do të binte për tokë, ashtu, i shkrryem në ranë, do të thërriste:

“Zoti im, Zoti im…pse më lëshove dore..?”

Jo, nuk asht blasfemi kjo, vëllazen e motra!

Këto janë fjalët e Krishtit!

Shqiptarët kanë të drejtë me pyetë…

Se vuejtën gati 50 vjet… si Krishti!

 

 

            Melbourne, 2 Korrik 2010.

  1. NA ISHTE DIKUR… NJË  SHQIPNI..!

 

Kështu i fillonin përrallat dikur gjyshat tanë…

Na hapnim veshët me ndigjue, po nuk shkonte gjatë dhe kapakët e syve na mbylleshin tue na mbetë nder mend vetëm fjalët “na ishte…!”

Mundoheshin të shkretët pleq me na ngulë në tru fjalën “Shqipni”, që shpesh, kur zemroheshin, si nëpër dhambë përtypnin disa tinguj gati si të dëshpruem…”si e hangri dreqi kështu, këtë vend..?”

Ishim të vegjël dhe nuk mujtëm me kuptue se çka donte me thanë “me hangër dreqi një vend…”, krejt abstrakt për moshat tona 5 – 6 vjeçare…

Kishim fillue me këndue me shokë një kangë që na pelqente fort:
            “Porsi fleta e Ejllit t’ Zotit,

  Po rreh Flamur’ i Shqipnisë…”

E, pa e dijtë mirë se kush e kishte ba ate, mësuem ndër shkolla se Ai ishte një nga “tradhëtarët” e Popullit Shqiptar, që nuk duhej me i zanë në gojë as emnin, as kangën e Tij… Mësuesja e klasës së parë në Dajç të Bregut të Bunës, në vitin 1945 ishte zoja e nderueme Viktore Kuka, të cilën e takova në vitin 1993, mbas 40 e sa vitesh, mbasi nga pranëvera ajo nuk e mbylli vitin shkollor, se u arrestue si “armik i popullit” dhe vuejti sa vite dënim…

Pak kohë, pra, mbasi kishin “hi këta”, kuptuem se edhe “kush ishin këta”, që një ditë në mengjes, prej tyne njeriu nuk ishte aty ku binte me fjetë në darkë. Sigurisht, edhe “kangën” e harruem prej frike.

Kur Zoti ua ndaloi me hangër “mollën” Adamit e Evës në Parrizin e Tokës, pikërisht, Até që Zoti ua ndaloi, até tinzisht një ditë e “hangrën”…

Ashtu edhe na, porsa filluem me kuptue e me zanë mend, filluem me kërkue ndër libra “mollën e ndalueme”…por këte herë jo nga Zoti, po nga “robi”, ose ma mirë me thanë nga “robnuesi” i Atdheut…

Ndër librat e vjetër, mu në qoshen e një rafti të harruem të bibliotekës së dajës, ishte “Kanuni i Lek Dukagjinit”, me emnin e një frati sipër që e kishte mbledhë nga populli; quhej At Shtjefën Gjeçovi, OFM., që mësova se e kishin vra serbët…në Kosovë, ku ishte mësues, tue plotsue edhe idenë se edhe banorët e Kosovës ishin Shqiptarë, por mbas 1944 Ata ishin nën sundimin e “druzhe” Titos së Jugosllavisë, i cili na ka sjellë edhe ne si atyne “lirinë”, bashkë me Stalinin e “math” e gjeneral kolonel Enver Hoxhën, që ishte në qeverinë provizore të Tiranës, sigurisht, me trup aty se, me mend, me zemër e me vepra në Beograd…

E mora atë libër në dorë dhe mbasi e hapa, prap një tjetër emën i ndaluem…At Gjergj Fishta, prap një tjetër…Faik Konica…e kështu, u futa në “Parrizin e Tokës”, ku pothuej të gjitha “mollat” ishin të ndalueme..!

Ato dy parathanje, edhe pse kanë kalue 50 e sa vjet, nuk i harroj për mënyren e shkrimit të Tyne nga dy kolosët e Letërsisë Shqipe, por që endè vazhdojnë me kenë…, në “Parrizin e Tokës” apo, në “Kopështin e Gjetsemanit”, nuk mund ta përcaktoj, mbasi “Juda” asht endè gjallë…sa sheh njenin i afrohet… e, sa do me e “puthë”, sheh tjetrin e shkon tek ai… po edhe xhullijtë…presin se “cilit” po i kacaviret në qafë, dhe …me ba edhe ata punën e tyne që kanë ba tash 85 vjet…

Në historinë e Epokës mbas Krishtit, nuk besoj se ka një shtet tjetër në Europë, si Shqipnia, që tue kenë ndër ma të vogjlit e këtij kontinenti, me u përfshi në të gjitha ngjarjet kryesore të tij, madje edhe tue u “diskutue” edhe ekzistenca e kenjes së Saj…

Unë nuk dyshoj se Toka e Saj asht në kontinentin Europë …Po ka njerëz që nuk e dinë endè, jo nga injoranca, sa nga dëshira mos me kenë edhe sot Shqipnia aty. Historia e shteteve të Europës Perëndimore kurrë nuk mund të jetë e plotë pa emnin e Shtetit Shqiptar, edhe pse e kanë gri e coptue si mos ma keq, tue u mundue me i plotsue qejfin dhe interesat e të gjitha shteteve rreth nesh, njenit ma dashakeq se tjetri.

A mundet Italia me thanë se Popullit Shqiptar na i kemi dhanë një dhuratë të çmueshme, e cila i ka sjellë qytetnim dhe zhvillim të madh njerëzor në të gjitha aspektet, deri tek “liritë dhe të drejtat e Njeriut, një nga bazat e qytetnimit modern”, e kjo dhuratë asht kenë Krishtënimi?

– Jo, po e përsëris: “Jo”! Na jemi të Krishtenë aq ditë para Italisë, sa Shën Pali ka vonue me mbërrijtë nga Durrësi me anije në tokën e tyne… e, mbas tyne janë kristjanizue vendet europjane…

Kush ma parë se Ilirët u ndodh mes zjarrit të Romës e Bizantit? Këte të shpjegojnë historianët, dhe atëherë Europa do të “mësojë” se me sa sakrifica Ilirikët e ruejtën prej asaj kohë, pra, që nga viti 67 mbas Krishtit, kur në Iliri fillon edhe përndjekja e katolikëve.

Prof. Zef Mirdita në librin e Tij, “Krishtënizmi ndër Shqiptarë” (1998), në fq. 159, shkruen: “Kisha e krishterë ndër Shqiptarë, përkundrejt vështirësive e vazhdon kontinuitetin e mëparshëm. Edhe në kohën e skizmës (1054), përkundrejt ndihmave dhe presioneve të përandorve bizantinë dhe të kryepeshkopëve të Ohrit, ajo shpirtërisht mbetët në bashkësi me Romën…”. A nuk asht ky një fakt tjetër i Shqiptarve, që nuk u shkëputen as atëherë nga Europa? E të vazhdojmë me rrjedhën e shekujve…

Kisha Katolike Shqiptare e ritit romak dhe lindor, në shek. XIV e XV, asht faktori kryesor në ruejtjen e identitetit etnik dhe të pavarësisë së Shqiptarëve. Kisha Katolike dhe i Madhi Gjergj Kastrioti – Skenderbeu, janë ”pararoja e qytetërimit të krishtenë europjan. Pushtimi otoman dhe përhapja e islamizmit bën që një pjesë e konsiderueshme e popullit shqiptar ta braktisë vendin dhe të strehohet në Itali e Greqi. Kjo kohë është edhe zanafilla e Kishës së Krishterë Arbëreshe…” (po aty fq. 166). Le t’i referohemi Imzot Fan S. Nolit, tek libri i Tij “Gjergj Kastrioti – Skenderbeu”, fq. 49, ku shkruen: “Në krye të shekullit të XV, Shqipëria ishte pothuaj plotërisht katholike, me nja tetëmbëdhjetë peshkopata të ritit latin. Në këto duhen shtuar disa peshkopata unite të ritit oriental orthodoks të lidhura me Papën. Sa për kapedanët e bajraktarët, këta ishin këthyer katholikë të gjithë njëri pas tjetrit, sikundër na tregojnë dokumentat e kohës”. Mbas kthimit në Krujë, Skenderbeu asht rikthye në fenë e të parve në mjedisin Shqiptar. Shqipnia ishte e krishtenë Katolike, gja që e dëshmojnë edhe bashkpunëtorët e Tij, ambasadorët dhe njerzit politikë e diplomatikë ma të shquem të të gjitha kohëve që kishte pranë: “Prelatët e Kishës Katolike, siç ishin Gjon Gàzulli, abati dhe protonatori apostolik Gjergj Pelinji, argjipeshkvi Pal Engjëll Dushi nga Kraja, abati e pastaj ipeshkvi i Ndërfandit Pali, argjipeshkvi i Durrësit Pal Engjëlli” (Po aty, Prof. Z.Mirdita, fq. 172).

Ma kjartë se kushdo që asht mundue me tregue figurën e Gjergj Kastriotit – Skenderbeut flasin dokumentat e Vatikanit, të cilat Shqiptarët vazhdojnë me ba sikur nuk i njohin…ose, edhe kur i “njohin”, mundohen me i paraqitë aq të gjymtuem, sa edhe vetë Vatikani me dyshue në “pronën” e vet që ruen tash sa shekuj. Madhështia e Kastriotit gjendet e shkrueme nga vetë Papët, aty edhe nga anmiqtë e tyne. Skenderbeu në botë njihet si mbrojtës i qytetnimit Perëndimor, por edhe i vetë Kishës Katolike. Papa Kalisti III shkruen:

“Nuk ka njeri që i ka të njohura veprat e tua e që nuk i ngritë në qiell me lavdatat më të larta dhe të mos flasë për trimërinë tënde si për një ushtar të vërtetë, për një mbrojtës të emrit të krishterë.” (Prof. Z.Mirdita po aty, fq. 173.). Po ai Papë vazhdon: “Me të vërtetë shohim se ai pothuajse i vetmi, i cili, i është kundërvenë invadimit të egër turk, e nuk e ka lejuar afrimin e tyre (sc. Evropës, ZM)”.

Papa Kalisti III shkruen: “Meritat e Tij janë më të mëdha se të të gjithë princërve të tjerë të krishterë!”.

Papa Piu II, shkruen: “Mbrojtësi më i rreptë i Krishtit”.

Plot 25 vjet ishte Gjergj Kastrioti – Skenderbeu që mbrojti Europën e përçame nga invazioni turk. Ishte ajo Europë që, po të mos kishte forcën e Papatit dhe autoritetin e Kishës Katolike, me kohë do të ishte shkatrrue.

Islamizmi ka provue në truellin Shqiptar se shuen traditat e vjetra kombëtare dhe shpartallon kulturën shpirtnore të popullit. Aty ku nuk ka veprue me forcën e shpatës apo të vendosjes në hu, aty ka përdorë formën e taksave dhe të nënvleftësimit të njeriut si kenje “e dytë”…kjo ishte edhe arësyeja e largimit të një sasije të konsiderueshme nga Shqipnia për në Itali dhe Raguzë (Dubrovnik), ku kanë lanë edhe shumë trashigimtarë deri sot.

Kisha Katolike asnjëherë nuk ka mohue identitetin dhe entitetin etnik të Popullit Shqiptar. Kjo vërtetohët edhe me veprat e klerikëve të asaj kohë, kur ata iu mbështetën dhe u inkuadruen në gjiun e kulturës dhe shkencës së Evropës së asaj kohë, tue mbetë të pandryshuem që nga gjaja ma elementare, alfabeti latin.

Një ndër kolosët e Kishës Katolike Shqiptare të asaj kohë asht edhe prifti Don Gjon Gàzulli, laurue në Padova, Itali me 1430. Ky ishte misionar diplomatik i Skenderbeut, shkencëtar në fushen e astronomisë e të matematikës.

Dokumenti ma i parë i Gjuhës Shqipe, me 1462, nga Imzot Pal Engjëlli, “Formula e Pagëzimit”, asht e pakundërshtueshmja dëshmi e të gjithë Shqiptarëve në qëndresën e Tyne kundër pushtimit barbar turk.

Kisha Katolike Shqiptare, mbas vdekjes së Skenderbeut, strehohet ndër shpella e male, ndërsa arbëreshët e Italisë krijojnë Kishën e vet. Kjo asht koha ma e vështirë që kalon populli Shqiptar në mes indiferencës politike të shteteve të tjera ndaj nesh; islamizimit të dhunshem në masë; po edhe faktori i ortodoksisë skizmatike, vazhdues i luftës së vet antiosmane, së cilës, i afrohen shumë për kryemje ritesh besimtarët katolikë.

Mbas vitit 1622 fillon njëfarë “ringjallje” e Kishës Katolike, që në shek. XIX shpërthen në Shkoder, kohë në të cilën Turkia lejon edhe me u ndërtue Kisha e Madhe Katedrale (1858). Kjo periudhë, edhe pse asht Shqipnia e pushtueme ende nga turqit, dallohet për përpjekjet e Klerit Katolik Shqiptar në hapjen e disa shkollave në Gjuhën Shqipe, ku asht përdorë alfabeti latin, gja që vazhdon me tregue vijushmeninë pa asnjë ndërpremje të rrugës sonë kombëtare ndaj kulturës europjane. Jemi edhe para një fakti: “Asnjë krahinë e Shqipnisë nuk përdorë gjuhën turke!”

Në gjysën e dytë të shek. XIX, në Shkoder, kemi edhe shkolla të Mesme si dhe seminar për klerikë katolikë shqiptarë, ku që në fillore asht përdorë gjuha shqipe. Nuk do të përsëris karakterin dhe rolin e këtyne institucioneve arsimore e kulturore në zhvillimin e ngjarjeve të asaj kohë, por do të theksoj se roli që ka luejtë përgjithësisht Kleri Katolik Shqiptar në të gjitha aspektet për çeshtjen kombëtare dhe kryesisht të primjes së saj në të gjitha kohët me kahun e pandryshueshëm të vetin nga Europa, janë dhe do të mbetën monumente të pavdekëshme historike të lavdisë së Tij.

Ai me të vërtetë u masakrue, u përndjek, u var, u vue në hujë, u muer zvarrë…dhe, u pështye si Thëmeluesi i Tij, por guximi dhe përpjekja me ruejtë në tiparet shpirtnore të besimtarëve binomin “Fé e Atdhé”, asht një meritë që na endè nuk e gjejmë të vlerësueme në masen që meriton. Vëreni me kujdes se sa asht e lidhun Historia e Shqipnisë me Historinë e Europës, përderisa vetë egzistenca e qytetnimit Europjan mvarej nga fati i luftave të Skenderbeut!

Vëreni me kujdes se me sa guxim e pjekuni vepron Kleri Katolik në momentet kyçe të historisë sonë, kur fatet e saj rrezikojnë edhe një zhdukje të përjetëshme, ose gabime të pakorrigjueshme nga vetë politika e ndërthurun e shteteve të tjera. Hapni arkivat e shihni letrat e dorëshkrimet e At Gjergj Fishtës drejtue sulltanëve dhe politikanëve të Europës, kur të gjithë papërjashtim janë para hartës së Ballkanit tue ba “pazarlleqet” e tyne për kufijtë tonë, për Trojet tona, dhe për caktimin e “sunduesit” të ri të Popullit Shqiptar! Mos u ndalni vetëm tek At Fishta, as tek i Madhi Luigj Gurakuqi, as tek Don Ndre Mjedja, por vazhdoni e shfletoni dosjet e “mykuna” të Londres, Parisit, Romës dhe New Yorkut, ku do të gjeni një tjetër kolos të Klerit Katolik Shqiptar, Imzot Luigj Bumçin, që di me folë me të gjithë përfaqsuesit e ndryshëm të Lidhjes së Kombëve “pa përkthyes” dhe me bindë edhe Papët e Vatikanit për të drejtat e Trojeve tona sidhe praninë etnike dhe të vetëdijes sonë kombëtare në Europë.

Kjo vetëdije e Shqiptarëve dhe karakteri kulturor i saj, ku vazhdojnë me qendrue edhe doket e zakonet tona të vjetra, u ruejt dhe u trashigue nga Kleri Katolik Shqiptar, ndonse sot “historianët” e mohojnë, tue shpërfillë flamurin e “marksizem – leninizmit” ndër shpifjet e falsifikimet e tyne të turpshme e të pa baza, e këto “vepra të tyne” janë që para Botës Përparimtare, kanë krijue idenë fallso se Shqipnia anon nga orjenti…

          Shenim F.Radovani: Vazhdon Pjesa II.

          Melbourne, 15 Fruer 2026.

Le Radical (1926) / “Franca duhet të angazhohet më shumë në Shqipëri…” — Intervista në hotelin Molière (Paris) me Imzot Visarion Xhuvani, ish-senator, ish-deputet dhe ish-drejtor i gazetës “Skënderbeu”

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 30 Mars 2024

“Le Radical” ka botuar, të mërkurën e 3 marsit 1926, në ballinë dhe faqe n°2, intervistën ekskluzive me Imzot Visarion Xhuvanin në Paris mbi angazhimin asokohe të Francës në Shqipëri, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Çështjet ballkanike

Franca në Shqipëri

Imzot Visarion Xhuvani, peshkop, ish-senator, ish-deputet dhe ish-drejtor i gazetës “Skënderbeu”, i cili gjendet aktualisht në Paris, na priti në rrugën Molière, në hotelin Molière, ku po qëndron dhe ndaj pyetjeve tona bëri deklaratat në vijim mbi situatën në vendin e tij :

Për nga pozita e saj gjeografike dhe toka e pasur, Shqipëria ka qenë gjithmonë një qendër tërheqëse për shtetet fqinje.

Nën dominimin turk, ajo ishte në një farë mënyre fushëbeteja e konkurrencës reciproke austro-italiane.

Që kur kemi ekzistuar si komb i pavarur, vendi ynë ka luftuar me vështirësitë që çdo shtet i ri duhet të kapërcejë në fillimet e tij, për të konsoliduar ekzistencën e tij. Duan të na ndihmojnë dhe na ndihmojnë, por patriotët e vërtetë shqiptarë ndjejnë njëfarë shqetësimi duke vënë re mungesën e Francës që ne e duam dhe pjesëmarrja e së cilës do të ishte garancia më e mirë për sigurinë e ekzistencës sonë si një komb vërtet i pavarur. E shihni, një kompani angleze ka koncesionin ekskluziv për shfrytëzimin e naftës tek ne. Për sa i përket Bankës Kombëtare të Shqipërisë, ajo është formuar, në pjesën më të madhe, me kapital të kompanive italiane, i cili ka përparësi për çdo angazhim industrial dhe të punëve publike në vend. Oficerët italianë kujdesen për organizimin dhe stërvitjen e ushtrisë, ndërsa anglezët për xhandarmërinë.

Megjithatë, do të kishim dashur shumë që oficerët francezë të ishin instruktorë për ushtrinë dhe xhandarmërinë tonë. Ata janë gjithashtu në Poloni, Çekosllovaki dhe vende të tjera. Do të dëshironim gjithashtu ta shihnim Francën më aktive në jetën ekonomike dhe tregtare të Shqipërisë. Vendi im do të fitonte shumë dhe po ashtu edhe Franca. Duke marrë pjesë në punët e vendit tim, Franca do t’i shërbente jo vetëm interesave të saj dhe të Shqipërisë, por edhe kauzës së paqes në Ballkan.

Kapitali francez do të gjente një investim të shkëlqyeshëm në Shqipëri, ku ka shumë gjëra për të bërë: të ndërtojë rrugë, hekurudha, të zhvillojë portet, pa përmendur shfrytëzimin e pasurisë minerale dhe pyjore.

Askush nuk mund të parashikojë me siguri se konfliktet mes popujve nuk do të ndodhin më kurrë. Kjo është arsyeja pse do të ishte në interesin e Francës që të interesohej më shumë për punët e vendit tim.

Mjafton të kujtojmë ngjarjet e luftës për të kuptuar rëndësinë e pozitës gjeografike të Shqipërisë dhe rolin që mund të luante në një ngjarje të tillë.

Organizimi i brendshëm po konsolidohet; Çështjet fetare janë krejtësisht të përjashtuara nga jeta politike dhe nuk ngrenë ndonjë divergjencë mes shqiptarëve katolikë, myslimanë dhe ortodoksë, të cilët janë mbi të gjitha shqiptarë dhe synojnë të jetojnë si vëllezër në shtetin e tyre kombëtar dhe të pavarur. Organizimi fetar i myslimanëve dhe katolikëve është mjaft i mirë. Fatkeqësisht, organizimi i kishës autoqefale shqiptare lë ende shumë për të dëshiruar. Por, shpresojmë që edhe ajo të zgjidhet për nder të ortodoksisë kombëtare shqiptare.

Përfaqësuesi francez në Shqipëri me aktivitetin e tij ka fituar vërtet të gjitha simpatitë dhe vlerësimin e shqiptarëve. Por, besoj se ai do të kishte sukses edhe më mirë në interesin e përbashkët të dy vendeve, nëse do të kishte të njëjtët tituj dhe atribute diplomatike si kolegët e tij nga kombet e mëdha dhe të vogla mike dhe aleate të Francës, të cilët përfaqësohen atje nga ministra të plotfuqishëm.

Pas zgjidhjes së çështjeve më të rëndësishme me popujt fqinjë, shqiptarët dëshirojnë të jetojnë në paqe me ta dhe të bashkëpunojnë sinqerisht në konsolidimin e gjendjes së punëve në Ballkan në përputhje me parimin “Ballkani për popujt e Ballkanit”.

1932 / Rrëfimi i reporterit amerikan Reuben Henry Markham: “Shqiptarët paguajnë më shumë për Mbretin Zog se sa për Parlamentin, dhe kjo u pëlqen dhe ia vlen për këto arsye…”

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 7 Prill 2024

“The Christian Science Monitor” ka botuar, të premten e 1 korrikut 1932, në ballinë, rrëfimin e reporterit amerikan Reuben Henry Markham rreth pagës së majme të Mbretit Zog dhe justifikimit të saj nëpëmjet arritjeve të bëra asokohe në Shqipëri falë udhëheqjes së tij, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Shqiptarët paguajnë më shumë për Mbretin se sa për Parlamentin, dhe kjo u pëlqen

Nën udhëheqjen e Zogut, ky vend i lashtë malor ka përparuar më tej dhe në më shumë fusha (linja) se në 2000 vitet e fundit. 

Nga R. H. MARKHAM

Korrespondent i Stafit të The Christian Science Monitor

Tiranë, Shqipëri — Zogu, Mbreti i Shqiptarëve, merr më shumë se 3000 dollarë në javë dhe Kryeministri i tij, zyrtari më i paguar në mbretërinë shqiptare, vetëm 80 dollarë. Një anëtar i Parlamentit merr 35 dollarë dhe një gjyqtar i Gjykatës së Lartë po aq.

I gjithë Parlamenti i kushton vendit shumë më pak se mbreti; këshilli ministror vetëm rreth një e teta e kësaj shume.

Mbreti me familjen dhe oborrin e tij konsumojnë një të tridhjetën e të gjithë buxhetit të shtetit. Ai merr një fitim financiar jashtëzakonisht të mirë për drejtimin e punëve të 1,000,000 njerëzve.

Por ai ia vlen ! Domethënë, shërbimet që ai po bën vlejnë pothuajse çdo çmim. Ky i ri ka bërë më shumë për Shqipërinë se çdo sundimtar tjetër në historinë e kombit, i cili është një nga më të vjetrit në Evropë. Gjatë këtyre pak viteve të sundimit të tij, shqiptarët kanë bërë më shumë përparim se në çdo kohë tjetër që kur janë njohur nga shkrimtarët e analistët e popujve. Për herë të parë Shqipëria është diçka më shumë se një shprehje gjeografike.

Në asnjë periudhë tjetër shqiptarët nuk kanë qenë kaq të bashkuar sa tani. Edhe pse të ndarë në tre grupe fetare, të cilat janë në konflikt të ashpër me njëri-tjetrin në shumë vende të tjera, shqiptarët janë plotësisht të lirë nga armiqësia fetare. Megjithëse flasin dy dialekte shumë të ndryshme, ata kanë arritur të kuptojnë njëri-tjetrin pa shumë probleme. Ndonëse të ndarë nga njëri-tjetri nga male të larta, lugina të thella dhe lumenj të pabesë, ata janë bashkuar.

Asnjëherë më parë, as në kohën e dominimit romak rrugët në Shqipëri nuk ishin aq të mira sa tani. Dy ose tre linja kryesore mund të kenë qenë pak më të mira atëherë, por sistemi aktual i komunikimit tejkalon shumë çdo gjë që ka ekzistuar deri më tani.

Shqiptarët kanë një sistem shkollor, një gjuhë letrare, tekste shkollore dhe një frymë kulturore dhe të gjitha këto kanë origjinën e kohëve të fundit. Dy-tre dekada më parë shkollat shqipe ishin të ndaluara.

Për herë të parë në një mijëvjeçar, toka është mjaft e sigurt nga jashtë dhe jashtëzakonisht e sigurt brenda. Ka pak vende në Evropën Lindore në të cilat mund të udhëtohet me më pak rrezik. Dhe përkundër kontrollit shumë të rreptë policor, ka më pak ndërhyrje policore se më parë.

Një sistem mjaft i mirë juridik zbaton një kod ligjor modern : ekziston një shtyp i përditshëm — i paimagjinueshëm vetëm pak vite më parë.

Të gjithë të rinjtë janë të stërvitur në kazerma dhe shumë në shoqëri atletike. Kazermat sigurisht që kanë defekte serioze, por ato i japin rinisë fshatare analfabete një trajnim të dobishëm.

Teatrot, koncertet, ekspozitat e artit dhe argëtimet si për burrat ashtu edhe për gratë jepen në disa qytete — gjëra të padëgjuara pak kohë më parë.

Kryeqyteti po shndërrohet në një qytet modern dhe kapërcen në komoditet çdo vendbanim që ekziston në Shqipëri prej dy mijëvjeçarësh.

Udhëtimi është i shpejtë dhe i lirë, pavarësisht mungesës së plotë të hekurudhave.

Fati i gruas shqiptare, ndonëse ende shumë i vështirë, është më i mirë se çdo herë tjetër.

Ka më pak korrupsion, ryshfet dhe parregullsi administrative se më parë. Sigurisht, ka shumë për të dëshiruar, por shumë është arritur.

Sporti po përparon me hapa të mëdhenj.

Pakicat (minoritetet) trajtohen relativisht mirë.

Shumë pak vende në botë kanë një shërbim ajror më të mirë.

E gjithë kjo nuk është tërësisht falë mbretit Zog – në asnjë mënyrë. Shpirti i zgjuar i një kombi që lufton për të ecur përpara ka dhënë një kontribut të madh. Zogu është instrumenti i këtij shpirti.

I gjithë ky përparim mbështetet në rregull, siguri dhe një shkallë të caktuar drejtësie. Shkollat, rrugët, gjykatat dhe ndërtesat janë të pamundura pa rregull. Zogu e imponoi këtë rregull. Nuk ka ekzistuar asnjëherë më parë.

Shqipëria është ende prapa. Ka ende një rrugë të gjatë për të bërë. Ka përmirësime të mëdha për të bërë. Por ajo ka shkuar shumë më tej në një dekadë se në çdo shekull të mëparshëm dhe vazhdon të përparojë me shpejtësi.

Kush e bleu kokën e Ali Pashë Tepelenës: Fundi i luanit të Janinës Nga Dr.Hasan Bello

 

Në historinë dhe literaturën botërore Ali Pashë Tepelena vjen i dyti pas Skënderbeut për numrin e madh të librave që janë shkruar për këtë figurë.

Ai është modeli sesi një individ i thjeshtë nëpërmjet metodave makiaveliste ngjitet në nivelet më të larta shtetërore.

Sipas të dhënave, ai la pas një thesar për të cilin edhe sot vijojnë kërkimet nga eksploatorë të ndryshëm në shpellat e Greqisë dhe Shqipërisë; një sasi prej 900 çifligjesh dhe 15 anije të madhësive të ndryshme.

***

Me ardhjen në pushtet të sulltan Mahmutit II në Perandorinë Osmane filloi politika e centralizimit dhe eleminimi i feudalëve lokalë, të cilët ishin kthyer në pengesë për qeverinë osmane, duke flirtuar me Francën, Anglinë dhe Rusinë.

Kundër Ali Pashës u dërgua Ismail Pasha me një ushtri prej 20 mijë vetash. Njerëzve që ndodheshin pranë tij iu bë e ditur se, nëse kalonin në anën e shtetit, nuk do t’u ndodhte asgjë; madje do të shpërbleheshin me para dhe poste, përndryshe pasuritë e tyre do të konfiskoheshin. Si pasojë, shumë besnikë u larguan prej tij. Nga veprimet ushtarake, territoret nën sundimin e Ali Pashës ranë shpejt në duart e ushtrisë osmane.

Kur e pa se po humbiste dhe se njerëzit po e braktisnin, Ali Pasha u tërhoq në kalanë e Janinës me një numër të madh ushtarësh, municionesh, ushqimesh dhe topash. Ismail Pasha rrethoi kalanë, por nuk arriti ta pushtojë për një kohë të gjatë. Më pas i njoftoi djemtë e Ali Pashës se fermani nuk i përfshte ata dhe, nëse dorëzoheshin, duke hequr dorë nga mbështetja për të atin, nuk do të kishin pasoja.

Djemtë e Ali Pashës, Veli, Ahmet Muhtar dhe Salih Pasha, u dorëzuan.

Veli Pasha u dërgua në Kytahja, ndërsa Muhtar dhe Salih Pasha në Ankara me fëmijët e tyre.

Meqë Ismail Pasha nuk arriti sukses në rrethimin që iu bë kalasë, për këtë u ngarkua Hurshid Pasha. Ai u ofroi para bejlerëve pranë Ali Pashës dhe i tërhoqi në anën e vet. I dobësuar ndjeshëm, Ali Pashës i mbeti vetëm kalaja pranë liqenit. Atij iu kërkua të dorëzohet. Por, ai u përgjigj se do ta bënte këtë vetëm nëse i vinte një ferman që dekretonte faljen e tij. Hurshid Pasha i dha garanci duke premtuar se fermani po përgatitej. Kjo e shtyu Ali Pashën të tërhiqej në manastirin pranë liqenit për të pritur vendimin.

Meqë nuk pranoi ofertën, fshehurazi u përgatit një ferman për ekzekutimin e tij. Fermani i dërgohet Ali Pashës nga Mehmet Pasha me rreth tridhjetë ushtarë. Më 14 shkurt 1822 ata tentuan që të hynin në dhomën e tij për të zbatuar vendimin. Ali Pasha kundërshtoi me armë dhe i vra në përleshje e sipër. Koka e tij u dërgua në Stamboll më 24 shkurt.

Pas një jave ekspozimi publik, koka e Ali Pashës u ble nga miku i tij i fëmijërisë, Dervish Pasha. Ajo u varros pranë kokave të prera të djemve të tij Veli, Muhtar, Salih dhe nipit Mehmet Pasha, në varrezën jashtë Silivrikapë-së.

Ekzekutimi i Ali Pashës u prit me gëzim të madh. Fakti që rrethimi i Janinës zgjati një vit e gjysmë tregon sa i përgatitur dhe i fuqishëm ishte ai. Ushtarëve që morën pjesë në rrethim iu shpërndanë para nga pasuritë e Ali Pashës për të mbuluar shpenzimet. Pas kryengritjes, pasuritë e familjes së tij dhe të mbështetësve u konfiskuan; nga Stambolli u dërguan nëpunës për regjistrimin e tyre të menjëhershëm dhe u përgatitën defterë ku shënohen qindra çifligje dhe mijëra prona të paluajtshme.

Zhdukja e fuqisë dhe autoritetit të Ali Pashës hapi rrugën për kryengritjen e grekëve në More, për krijimin e shtetit grek dhe për ndryshime në zotërimet e Perandorisë Osmane.

***

Në epitafin e Ali Pashës, i cili ndodhet në lagjen Silivrikapë të Stambollit, shkruhet:

“Ai është Krijuesi i përjetshëm (Zoti i amshuar).

Prej më shumë se tridhjetë vjetësh u dallua në Arnavudllëk (Shqipëri).

Mytasarrifi i Sanxhakut të Janinës,

i njohuri Ali Pashë Tepelena. Këtu prehet koka e tij e prerë”.

Ndërsa trupi i Ali Pashës sot gjendet në kalanë e Janinës.

The Canberra Times (1971) Primitivizmi dhe zymtësia e mbajnë Shqipërinë të mbërthyer

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 11 shkurt 2026

The Canberra Times” ka botuar, të hënën e 3 majit 1971, në faqen n°6, shkrimin e reporterit Herbert Schmitt rreth situatës së brendshme asokohe të Shqipërisë komuniste, të cilin Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Primitivizmi e mban Shqipërinë të mbërthyer

Nga Herbert Schmitt, në Shqipëri

Shqipëria komuniste ka filluar planin e saj të pestë pesëvjeçar ekonomik. Vizitori i rrallë perëndimor mund të pyesë veten se çfarë ndodhi me katër të parët.

Ky vend i vogël malor ndodhet mes Jugosllavisë, Greqisë dhe Detit Mesdhe. Ai shfaq një prapambetje të pakrahasueshme me çdo vend tjetër evropian.

Dy milionë shqiptarët duken pothuajse të pavetëdijshëm se janë pas kohës. Përjashtuar një grup elitar funksionarësh të partisë dhe shtetit, shqiptari mesatar nuk ka asnjë mënyrë për të krahasuar gjendjen e tij me kushtet e jetesës diku tjetër. Gazetat dhe revistat e huaja nuk janë të disponueshme. Pak librari në kryeqytet mbajnë disa kopje të pluhurosura të literaturës marksiste në frëngjisht ose italisht në vitrinat e tyre.

Udhëheqësi i fortë i Shqipërisë, shefi i partisë 62-vjeçar Enver Hoxha, sundon vendin me grusht të hekurt. Aleati i tij i vetëm i huaj, Kina komuniste, mban një ambasadë të madhe në Tiranë. Megjithatë, gjatë tre ditëve në kryeqytet, një vizitor pa vetëm katër kinezë, të gjithë të veshur me uniforma blu dhe gri të stilit Mao. Kinezët duket se preferojnë të qëndrojnë pas mureve të kompleksit të ambasadës së tyre të ruajtur rreptësisht, me antena të larta radioje.

Kina ndërhyri pasi Bashkimi Sovjetik ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Shqipërinë në dhjetor 1961. Që atëherë, udhëheqësit sovjetikë janë cilësuar si “revizionistë, devijues nga linja e vërtetë marksiste-leniniste dhe lakej kapitalistë” në gjuhën zyrtare shqiptare. Fyerjet vazhdojnë pa pushim.

Gazetarët sportivë gjermanoperëndimorë, që shoqëronin ekipin kombëtar të futbollit në Tiranë, gjetën në dhomat e hotelit kopje në gjuhën angleze të një buletini që përmbante një sulm të ashpër kundër “revizionistëve sovjetikë, shpërndarësve të opiumit fetar”. Artikulli pretendonte se kishte zbuluar “shenja të pabesueshme se feja gëzon mbështetje dhe inkurajim të hapur” nga shteti sovjetik.

Shqiptarët e mbështesin këtë qëndrim sfidues me ndihmën e Pekinit dhe një ushtri prej 50 000 vetësh. Ashtu si ushtria kineze, edhe ushtria shqiptare ka hequr të gjitha shenjat e gradave.

Sa ndihmë ekonomike vjen realisht nga Kina është e pamundur të vlerësohet pas një vizite të shkurtër dhe të kontrolluar rreptësisht, e cila përfshinte një udhëtim mbresëlënës 33 milje me autobus përmes maleve drejt Elbasanit. Një rrugë e ngushtë e asfaltuar gjarpëron mes vreshtave dhe plantacioneve të frutave, duke kaluar Qafën e Krrabës (3 583 këmbë) për të arritur në Elbasan, një qendër industriale me fabrika druri, nafte, çimentoje, duhani dhe metali. Popullsia e qytetit është 40 000 banorë.

Hoxha është i kudondodhur. Emri i tij, ose slogani “Lavdi Enverit”, dallohet në kodra, i gdhendur në gur gëlqeror ose i formuar me kujdes nga gurë të bardhë përgjatë rrugëve. Slogane që nënkuptojnë “Lavdi Partisë së Punës së Shqipërisë” shihen gjithashtu kudo — të pikturuara në muret e shtëpive, në postera të mëdhenj dhe në tabela neoni mbi ndërtesat qeveritare.

Tirana, me një popullsi prej 170 000 banorësh, ka tre bulevarde të gjera që çojnë në sheshin kryesor. Bulevardi i shkurtër i Dëshmorëve të Kombit, që shtrihet drejt jugut deri te Universiteti i Tiranës, mund të strehojë lehtësisht gjashtë ose tetë korsi trafiku. Megjithatë, këmbësorët e përdorin pa rrezik ditë e natë. Makina, autobusë, qerre me kuaj dhe biçikleta kalojnë rrallë; të pakta makina që shihen janë kryesisht të markës Fiat.

Në këtë bulevard, Shqipëria ruan edhe një kujtim nga ditët kur marrëdhëniet me Moskën ishin të ngrohta — ndoshta i vetmi monument i Stalinit në Evropën Lindore. Ai është dhjetë këmbë i lartë. Një guidë shqiptare tha: “Ai ishte një njeri i madh. Ne jemi krenarë për monumentin e tij dhe do ta mbajmë përgjithmonë.

Edhe parqet e mirëmbajtura, bulevardet e pastra dhe disa ndërtesa universitare mbresëlënëse nuk e kapërcejnë përshtypjen e përgjithshme të zymtësisë. Ngjyrat mbizotëruese të veshjeve janë blu e errët, gri e errët dhe kafe e errët. Mushamat plastike me ngjyrë të errët krijojnë një uniformitet në rrugë.

Pengesa gjuhësore dhe mbikëqyrja policore dekurajojnë kontaktet mes vizitorëve perëndimorë dhe shqiptarëve. Kur yjet e futbollit gjermanoperëndimorë, zyrtarët dhe gazetarët sportivë u përpoqën të shpërndanin çokollata dhe portokalle për një turmë fëmijësh dhe të rriturish të mbledhur pranë hotelit të tyre, shqiptarët u tërhoqën në heshtje, pa thënë asnjë fjalë.

Një shëtitje nëpër rrugët e errëta të Tiranës gjatë natës është njëkohësisht zbuluese dhe dëshpëruese. Mungesa e trafikut krijon një heshtje të frikshme, e ndërprerë herë pas here nga zhurma e motorit të një autobusi të vonë.

Vitrina e një dyqani mekanik shtetëror shfaq një biçikletë të prodhimit kinez që shitet për 925 lekë (69 dollarë me kursin zyrtar). Një karrocë fëmijësh e palosshme dhe e prodhuar lirë kushton 400 lekë (29 dollarë). Përballë, një dyqan tekstilesh shfaq kostume për burra me prerje të vjetëruar, që shiten për rreth 50 dollarë, ndërsa këmishat e bardha kushtojnë nga 5 deri në 6 dollarë.

Paga mesatare mujore e një punëtori industrial është rreth 600 lekë (44–64 dollarë), tha një guidë. Ushqimet bazë janë relativisht të lira: një bukë dykilogramëshe thekre të errët kushton rreth 14 cent; mishi shitet rreth 54 cent për kg; dhe një paketë me 20 cigare kushton afërsisht 27 cent. Guidat pohuan se nuk ka racionim të ushqimeve apo mallrave.

Sipas shifrave zyrtare, më shumë se 60 për qind e fshatrave shqiptare tani kanë energji elektrike, dhe prodhimi bujqësor vitin e kaluar ishte rreth 75 për qind më i lartë se në vitin 1965. Tani ka 10 000 traktorë, krahasuar me vetëm 10 në vitin 1945.

Në fund të Luftës së Dytë Botërore, 75 për qind e popullsisë nuk dinte as të lexonte e as të shkruante. Vitin e kaluar, sipas qeverisë, rreth 500 000 fëmijë dhe të rinj — një e katërta e popullsisë — ndoqën shkollimin e detyrueshëm ose ishin të regjistruar në universitete dhe kolegje. Analfabetizmi, sipas saj, është pothuajse zhdukur.

The Australian Jewish News (1973) Edward Mantus në kërkim të hebrenjve sefardë në Shqipërinë Maoiste

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 14 shkurt 2026

The Australian Jewish News” ka botuar, të premten e 26 tetorit 1973, në faqen n°17, rrëfimin e Edward Mantus asokohe në kërkim të hebrenjve sefardë në Shqipërinë Maoiste, të cilin Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Hebrenjtë Sefardë në Shqipërinë Maoiste

Pas dëbimit nga Spanja dhe Italia e Jugut në shekujt XV dhe XVI, hebrenjtë sefardë u vendosën në Shqipëri me ftesë të turqve osmanë.

Sot Shqipëria është aleatja e izoluar e Kinës në Ballkan. Edward Mantus raporton mbi jetën e disa qindra hebrenjve që ende jetojnë nën këtë regjim maoist.

Në pikën kufitare të Hanit të Hotit, të gjitha librat dhe revistat që kisha me vete u konfiskuan, përfshirë “The Jewish Chronicle”. Kjo ishte pritja ime në Republikën Popullore të Shqipërisë, bastion i regjimit maoist të Enver Hoxhës që nga viti 1946 dhe aleate e vendosur e Kinës komuniste.

Edhe pse posterat shpallin “Rroftë marksizëm-leninizmi”, as rusët nuk janë të mirëpritur këtu — as amerikanët, as jugosllavët dhe as izraelitët. Propaganda anti-izraelite është pjesë e përditshme e transmetimeve shqiptare. Marrëdhëniet me botën arabe janë të mira dhe kohët e fundit kishte vizituar vendin një grup folklorik egjiptian.

S’ka “çifutë”

Në Shqipëri jetojnë rreth 300 hebrenj, megjithëse zyrtarët qeveritarë pranonin me hezitim se pakicat përbëheshin vetëm nga “disa ciganë dhe disa grekë”.

Ata shfaqnin bezdi kur pyeteshin për çifutët dhe fillimisht pretendonin se nuk kishte fare hebrenj.

Gjatë udhëtimeve të mia të gjera në vend për kërkime mbi muzikën popullore, arrita të kontaktoj disa hebrenj — pasardhës të një komuniteti të përmendur për herë të parë në shekullin XII nga udhëtari i guximshëm hebre Benjamin i Tudelës.

Historia më e fundit e hebrenjve në Shqipëri fillon në shekullin XVI, kur shumë hebrenj nga Spanja u vendosën në vend me ftesë të osmanëve, të cilët sunduan Ballkanin për afro 450 vjet, deri në vitin 1913.

Në disa qendra kishte komunitete të mëdha hebraike, kryesisht tregtarë, me sinagoga të ndërtuara sipas stileve kastiliane, katalanase, portugeze dhe apuliane.

Të paktën gjysma e popullsisë së sotme hebraike jeton në Tiranë, kryeqytetin me rreth 200.000 banorë. Grupi i dytë më i madh, rreth 60 vetë, jeton në Vlorë (ish-Valona), një port detar që ishte qendër e rëndësishme e vendosjes hebraike në shekujt XVI dhe XVII.

Në vitin 1685, gjatë luftës turko-veneciane, shumë hebrenj të Vlorës u larguan drejt Beratit, ku Shabatai Zvi, mesia i rremë, ishte internuar nga turqit.

Ndalimi

Nuk munda ta vizitoja personalisht Vlorën, pasi ishte zonë e ndaluar, por takova një familje nga qyteti që kishte një vetëdije të fortë hebraike.

Durrësi (ish-Durazzo) kishte mbi 1.000 hebrenj në fillim të shekullit XIX, por rënia e portit bëri që shumë të shpërnguleshin drejt Selanikut. Sot kanë mbetur vetëm pak familje. Hebrenj të paktë jetojnë edhe në Shkodër, Berat, Elbasan dhe vende të tjera.

Komuniteti hebraik mori njohje zyrtare vetëm në vitin 1937. Pak para shpërthimit të Luftës së Dytë Botërore, Mbreti Zog u dha azil politik 150 hebrenjve që iknin nga Austria dhe Gjermania, përpara se edhe vetë të largohej në mërgim.

Kunata e tij, rastësisht, ishte një hebreje e konvertuar, gruaja e Dr. Michael Deutsch, nga Senta e Jugosllavisë.

Hebrenjtë shqiptarë nuk u dëmtuan gjatë pushtimit gjerman të vitit 1943, i cili zgjati një vit. Marrëveshja gjermano-italiane vendosi pjesë të Jugosllavisë nën kontrollin e shqiptarëve dhe shumë hebrenj nga Serbia dhe Kroacia ikën në këtë territor të aneksuar ku u trajtuan mirë nga popullsia vendase dhe, me një përjashtim të madh, nga forcat pushtuese italiane.

Ky përjashtim ndodhi kur hebrenjtë e burgosur në Prishtinë iu dorëzuan gjermanëve dhe u dërguan në Beograd, ku u vranë.

Vrasjet

Pas kapitullimit të Italisë në vitin 1943, gjermanët morën kontrollin e territorit jugosllav të aneksuar ndaj Shqipërisë. Në prill të vitit 1944, 300 hebrenj u burgosën në Prishtinë, ku të tjerë u dërguan për t’u bashkuar me ta. 400 u deportuan në Bergen-Belsen dhe vetëm 100 mbijetuan.

Me ardhjen në pushtet të Enver Hoxhës në vitin 1946, Shqipëria u shndërrua në një shtet pothuajse hermetikisht të mbyllur dhe hebrenjtë u zhdukën nga vëmendja publike.

Në vitin 1952, Izraeli ofroi viza për çdo hebre që dëshironte të largohej. Mbi 50 familje u përfshinë, por askush nuk u lejua të largohej. Në vitin 1953, u raportua se hebrenj që përpiqeshin të arratiseshin drejt Italisë ose Greqisë u qëlluan dhe pronat e tyre u konfiskuan.

Deri në fund të viteve 1950, shërbesat fetare hebraike mbaheshin fshehurazi në Tiranë dhe Vlorë. Por regjimi maoist u bë gjithnjë e më armiqësor ndaj çdo shprehjeje fetare. Në vitin 1965, çdo praktikë fetare, publike apo private, u ndalua dhe u shpall vepër penale, madje edhe zotërimi i librave fetarë.

Që prej asaj kohe nuk ka shkolla hebraike, organizata komunitare apo rabinë. Është e dyshimtë nëse edhe sot disa hebrenj guxojnë të luten në fshehtësi në shtëpitë e tyre.

Hebrenjtë ende gjenden mes profesionistëve shqiptarë, përfshirë një mjek të njohur në Tiranë dhe disa pedagogë universitarë, kryesisht në fakultetin e gjuhëve.

Bllokimi

Takova disa hebrenj, të gjithë sefardë. Ata ishin shumë të kujdesshëm në biseda dhe ngurronin të flisnin hapur. Megjithë propagandën e vazhdueshme anti-izraelite, ata shprehën dëshirën për të “vizituar” Izraelin — një dëshirë që nënkuptonte shumë më tepër.

Mundësia që Shqipëria të lejojë vullnetarisht emigrimin e tyre është minimale. Zyrtarët sulmojnë shpesh Bashkimin Sovjetik për lejimin e emigrimit hebraik, duke e quajtur atë “lejueshmëri” të Kremlinit.

Kur u përmenda se Kina kishte lejuar të gjithë hebrenjtë e saj të largoheshin, duke mos lënë asnjë pas, bashkëbiseduesi im mbeti për një çast pa fjalë.

Një ndërhyrje përmes Kinës mund të jetë e vetmja rrugë për të lejuar emigrimin e komunitetit hebraik shqiptar.

Edhe pse asnjë hebre nuk mban poste të rëndësishme politike dhe pak janë anëtarë të Partisë Komuniste, nuk ka persekutim aktiv përveç ndalimit të përgjithshëm të fesë. Megjithatë, asimilimi është i shpejtë dhe, nëse nuk ndërmerret asgjë së shpejti, ky komunitet rrezikon të zhduket plotësisht.

© Jewish Chronicle News Feature Service

“Për shkak vuajtjeve të shumta nga nëpunësit grekë…”- Refleksionet e historianit të njohur: Më 23 shkurt 1927, Ahmet Zogut i erdhi një letër nga Çamëria

Nga Qerim LITA

 – Shpërngulja e shqiptarëve në vitet 1912-1939 dhe reagimi i shtetit shqiptar –

 

Me shpërthimin e Luftës së Parë Ballkanike, tërheqjen e Perandorisë Osmane dhe pushtimin e tokave shqiptare nga aleanca ortodokse ballkanike, rifilloi procesi i shpërnguljes së popullsisë shqiptare nga trojet e tyre etnike, për në Republikën e Turqisë. Dokumentet e zbuluara kohët e fundit, hedhin dritë se brenda vitit 1912 – ‘13, ushtritë pushtuese serbo-malazeze dhe greke, dëbuan me dhunë mbi 200.000 shqiptarë, pjesa dërrmuese e tyre u vendosën në Stamboll, Anadoll dhe në vise të tjera të Turqisë. Ndërsa, sipas një llogaritjeje të bërë nga Legata Shqiptare e Ankarasë, në vitin 1928 në Turqi, gjendeshin 27 – 30.000 familje shqiptare, të shpërngulura nga Kosova, trevat Lindore dhe Çamëria, duke përfshirë edhe ata shqiptarë që kishin emigruar pas vitit 1913.

Tërë ajo politikë e dhunshme që zbatohej asaj kohe nga pushtuesit serbo-malazezë, kishte një qëllim të vetëm: “Të ndryshohet me çdo çmim karakteri etnik në krahinat ku banojnë shqiptarët”. Si shembull po e përmendim ngjarjen tejet të shëmtuar, që ndodhi në pranverë të vitit 1913 në Kërçovë, kur çetnikët serbë, pasi e kanë rrethuar tërë qytetin, futen nëpër shtëpitë shqiptare, ku i marrin të gjithë meshkujt dhe i dërgojnë për t’i ekzekutuar në vende të veçanta.

Një pjesë prej tyre në vendin e quajtur “Çiflik”, një pjesë tjetër në “Biçincë-Jurie” dhe të tjerët në shkollën fillore në qendër të qytetit. Pasi i grumbullonin në këto tre vende të gjithë meshkujt shqiptarë të qytetit, nga ana e dy kriminelëve të njohur komito-çetnikë të asaj ane, vojvoda Mikail Brodi dhe vojvoda Stanka Dimitrieviq, bëhej ndarja se cili prej tyre duhej vrarë me therje, cili me pushkë e, cili me dru. Përveç se u vranë në mënyrën më mizore, atyre u qe plaçkitur e tërë pasuria.

Është me rëndësi të vihet në dukje fakti, se pjesa më e madhe e të shpërngulurve gjatë viteve 1912 – ‘13, jetonte në kushte të mjerueshme, sepse tërë pasuria e tyre e tundshme dhe e patundshme, u ishte konfiskuar nga ana e pushtuesve sllavo-ortodoksë. Ndonëse ata dikur kishin qenë qytetarë dhe shtetas të Perandorisë Osmane, me krijimin e Republikës moderne të Turqisë (1923), pjesës dërrmuese të tyre iu mohohej shtetësia turke, me çka atyre ua vështirësuan edhe më shumë kushtet e jetesës.

Në këto rrethana, shumë prej tyre dëshironin të ktheheshin në vend lindjet e tyre, ku i kishin lënë shtëpitë dhe pronat e tyre, mirëpo këtë nuk ua mundësonin autoritetet pushtuese të Beogradit, të cilat u rekomandonin të akredituarave të tyre pranë Konsullatës së Stambollit, që gjatë dhënies së vizave hyrëse, të kenë kujdes që: “në mesin e tyre mund të ketë edhe të tillë të cilët dëshirojnë të futen në territorin tonë, me qëllim që të ngelin te ne”.

Përveç kësaj, ata e filluan një fushatë të gjerë ushtarako-policore, gjoja për kapjen e të arratisurve, përkatësisht të anëtarëve të ‘Lëvizjes Kaçake’, të cilët konsideroheshin krahu luftarak i Komitetit për Mbrojtjen Kombëtare të Kosovës (KMKK). Gazeta turke “TNIN”, shkruante se autoritetet e Mbretërisë Serbo-Kroate-Sllovene (më tej MSKS), po zbatojnë një terror të paparë “ndaj popullsisë së atjeshme myslimane”. Si rrjedhojë e këtij terrori, shumë familje shqiptare ishin detyruar t’i braktisnin vatrat e tyre, për t’u vendosur në vende më të sigurta, pjesa më e madhe për në Turqi, kurse një pjesë e vogël brenda shtetit shqiptar.

Ndërkohë, Legata e Serbo-Kroate-Sllovene në Sofje, më 3 qershor, me radiogram njoftonte Ministrinë e Punëve  të Jashtme në Beograd, për një vërshim të ri të popullsisë shqiptare myslimane nga Kosova dhe Maqedonia e sotme Veriore, për në Turqi: “…Në kohët e fundit, myslimanët nga territori ynë po emigrojnë në Turqi. Një numër i caktuar i personave të tillë, ngelin në territorin bullgar, për arsye se pushtetarët turq në pikën kufitare, i pengojnë të hynë brenda. Ata të shpërngulurit nga Serbia e Jugut (mendohet në Kosovën dhe Maqedoninë – Q. L.), tash nga Legata jonë në Sofje, kërkojnë t’u lejoj kthimin në vendin tonë…”!

Kjo legatë e shihte si “të padrejtë” nga ana e autoriteteve turke, pamundësimin e popullsisë për të hyrë në Turqi, për arsye se siç theksohej në radiogram: “ata janë të shpërngulurit të cilët”, para se ta lëshojnë vendin, “definitivisht janë deklaruar për qytetarë të Turqisë”, dhe se me këtë, “ata kanë të drejtë”, përderisa kjo çështje nuk merr ndonjë zgjidhje përfundimtare. Po në këtë periudhë kohore, Qeveria greke shfrytëzoi Traktatin e Lozanës, të 30 janarit 1923, për të kryer një spastrim etnik të Çamërisë, sipas së cilit do të bëhej këmbimi i popullsive turke e greke, në këto dy shtete.

Gjatë muajit qershor të vitit 1923, autoritetet greke dëbuan të gjithë banorët e 31 fshatrave shqiptare të Kosturit dhe Follorinës, të cilët arrinin në 33.000 vetë. Ndërsa në vjeshtën e atij viti, rritën presionin edhe ndaj Çamërisë. Shqiptarëve të kësaj krahine u ishte dhënë urdhër të lironin 75% të shtëpive, në të cilat do të vendoseshin refugjatë grekë dhe u ishte bllokuar shitja e pasurive. Ndërkohë, më 7 nëntor të vitit 1923, i dërguari i Mbretërisë Serbo-Kroate-Sllovene nga Stambolli, i raportonte Beogradit, për takimin e tij me këshilltarin e lartë të MPJ-së të Turqisë, Mexhit Beun, i cili ia kishte përcjellë pakënaqësinë dhe brengën e madhe të qeverisë turke, rreth “eksodit të vërtetë të popullsisë myslimane” nga Kosova në Turqi.

Sipas Mexhit Beut, një dukuri e tillë ishte tejet brengosëse për Qeverinë e Ankarasë, e cila edhe ashtu “gjendet në rrethana të jashtëzakonshme me popullsinë e arratisur myslimane”, e cila, sipas Marrëveshjes së Lozanës, të nënshkruar më 30 janar 1923 midis Turqisë dhe Greqisë, kishte filluar të shpërngulej për në Turqi. Kjo situatë e rëndë si duket ishte shkaku kryesor që e detyroi Qeverinë shqiptare, të iniciojë riatdhesimin e popullsisë së shpërngulur shqiptare nga Turqia, për në shtetin shqiptar. Për këtë arsye, një delegacion shqiptar i udhëhequr nga Eshref Frashëri, kryetar i Kuvendit, Xhafer Vila, sekretar i parë i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Nezir bej Leskoviku, më datë 15 tetor 1923, arriti në Stamboll. Atë e priti delegacioni turk, i udhëhequr nga deputeti Shukri Kaja.

Gjatë negociatave të cilat zgjatën më shumë se një muaj, u shqyrtuan dhe u debatuan në imtësi kërkesat e të dy palëve. Ndër kërkesat më të rëndësishme të delegacionit shqiptar, ishin: pranimi i Shqipërisë si shtet i pavarur; rregullimi i çështjes së shtetësisë e, sidomos pranimi i shqiptarëve në Turqi, si shtetas të Shqipërisë; konventë doganore e tregtare; konventë post-telegrafike; shumë shqiptarë të cilët kishin shërbyer në Turqi si nëpunës, qoftë në ushtri apo në administratë, të kenë të drejtën e pensionit, pasi këta nëpunës në arkë kishin lënë mjete për pension… etj..

Palët negociuese, pasi ranë në ujdi për të gjitha çështjet, më 18 nëntor 1923, sigluan Marrëveshjen për Miqësi, midis Republikës së Turqisë dhe Republikës së Shqipërisë. Në preambulën e saj thuhej shprehimisht: “Republika e Turqisë nga njëra anë, dhe Shteti Shqiptar nga ana tjetër, duke i marr parasysh lidhjet e vendosura midis dy popujve gjatë unitetit politik pesëshekullor turko-shqiptar dhe duke e proklamuar bindjen reciproke të tyre të sinqertë se ajo lidhje nga momenti i vendosjes së marrëdhënieve midis dy vendeve, do t’i shërbej fatit dhe mirëqenies së dy popujve, kanë vendos që midis vete të nënshkruajnë Marrëveshjen për Miqësi…”.

Çështja e riatdhesimit të shqiptarëve të shpërngulur në Turqi, përfshihej në Kreun III, nenin 3 të Marrëveshjes, ku thuhej: “Ata të cilët janë të kombësisë shqiptare e të cilët deportohen në Turqi, ndërsa e kanë kaluar moshën 18 vjeç nga dita e implementimit të kësaj marrëveshjeje dhe në afat prej një viti, mund ta marrin shtetësinë shqiptare. Të gjithë ata të cilët shtetësinë shqiptare e marrin në këtë mënyrë, janë të detyruar që në afat prej një viti nga dita e nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje ta lëshojnë territorin e Turqisë, në marrëveshje se nuk mund të kthehen më në të, njëkohësisht duke e shitur pasurinë e tyre të tundshme e të patundshme si dhe të kryejnë të gjitha pagesat dhe borxhet shtetërore e private dhe t’i ndërpresin të gjitha lidhjet. Deri te lëshimi i kufirit turk, këta do të konsiderohen si shtetas të Turqisë”.

Vendosja e marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Turqisë, gjithsesi se nuk ishte në favor të politikës së atëhershme hegjemoniste jugosllave, prandaj ajo angazhoi diplomacinë e saj në Stamboll e Ankara, që të bëjnë çmos për ta penguar arritjen e marrëveshjes. Në këtë drejtim më aktive ishte Konsullata në Stamboll, e cila për çdo ditë njoftonte Beogradin, për rrjedhat e bisedimeve. Ajo, më 19 nëntor i raportonte MPJ-së në Beograd, për gjoja dështimin e negociatave. Mirëpo, një lajm i tillë, doli se ishte i pasaktë, sepse Marrëveshja për miqësi midis Turqisë dhe Shqipërisë, siç u tha më sipër, qe nënshkruar më 18 nëntor, ndërsa ratifikimi i saj u la të bëhej pas zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, të cilat do të mbaheshin po atë vit në Shqipëri. Ngjarjet e ndodhura në Shqipëri gjatë vitit 1924, të cilat janë të njohura për opinionin e gjerë, ishin shkas për vonesën e ratifikimit të Marrëveshjes. E njëjta u nënshkrua më 16 korrik 1925, pasi në pushtet u kthye Ahmet Zogu.

Disa muaj pas nënshkrimit të Marrëveshjes për miqësi, Qeveria e Republikës së Turqisë hapi Legatën e saj në Tiranë. Po kështu veproi edhe Qeveria e Republikës së Shqipërisë, e cila në janar të vitit 1926, emëroi diplomatin e shquar shqiptar, Rauf Ficon, për ministër të plotfuqishëm dhe i dërguari i jashtëzakonshëm shqiptar në Ankara, ndërsa Asafa Xhuxhulin, për sekretar të parë të Legatës shqiptare në Stamboll. Nuk posedojmë të dhëna të detajuara për numrin e shqiptarëve të cilët kanë pranuar të riatdhesoheshin në Shqipëri, mirëpo dokumentet diplomatike jugosllave theksojnë qartazi për përpjekjen e pareshtur të Ahmet Zogut dhe të Qeverisë Mbretërore Shqiptare për riatdhesimin e tyre.

Kjo përpjekje nuk u ndal vetëm brenda afatit kohor të përcaktuar me marrëveshjen, porse vazhdoi edhe gjatë viteve të tridhjeta. Në shtator të vitit 1934, MPJ jugosllave, publikoi raportin e konsullit të përgjithshëm shqiptar në Stamboll, F. Dervishi, në të cilën përshkruhet aktiviteti i asaj konsullate në lidhje me riatdhesimin e shqiptarëve nga Turqia, dhe jehona e madhe që asaj kohe kishte mbizotëruar në mesin e të shpërngulurve. Një aksion i tillë ishte ndërmarrë nga drejtori i Reformës Agrare i Mbretërisë Shqiptare, Hoxhë Sali Vuçitërna:

“Me urdhër të asaj Ministrie dhe marrëveshjes gojore me drejtorin e Reformës Agrare, z. Sali Vuçitërnin, me rastin e ardhjes së tij në Stamboll, kjo përfaqësi nuk ka nguruar për ta zhvilluar aktivitetin e saj në mesin e emigrantëve nga Kosova të cilët gjenden në Turqi, që të kthehen në Shqipëri. Aktiviteti ka hasë në një sukses të plotë, aq shumë, saqë shumë familje kosovare, të cilët gjenden në Turqi, janë gati të nisen për Shqipëri. Në bazë të premtimeve të kësaj Konsullate, shumë prej tyre i kanë lënë vendet e tyre të caktuara nga ana e pushtetarëve turq dhe gjenden në Stamboll, të përgatitur për t’u nisur për Shqipëri. Shpenzimet e tyre të udhëtimit së bashku me shpenzimet e pasaportave, arrijnë shumën prej 4.000 frang ari….”!

Në kohën kur Qeveria shqiptare bënte përpjekje maksimale për riatdhesimin e një numri sa më të madh të shqiptarëve të dëbuar me dhunë nga jugosllavët, autoritetet greke ndërmorën një veprim të dhunshëm në Çamëri, duke instaluar një numër të madh të emigrantëve të ardhur nga Turqia, nëpër shtëpitë e shqiptarëve të Çamërisë. Për rrjedhojë, mira familje shqiptare të fshatrave të komunave Filat dhe Gumenicë, ishin regjistruar se dëshironin të shpërnguleshin për në Turqi.

Më 23 shkurt të vitit 1927, kryetarit të Republikës, Ahmet Zogu, i arriti një letër nga Çamëria, në të cilën thuhej se; çamët, për shkak vuajtjeve të shumta “pa shkolla, pa kurrfarë të drejtë njerëzore, të keqpërdorun nga nëpunësit grek, duan të hiknë, masi po vuajnë aq keq dhe askush nuk i bije pas, çfarë të bëjnë? Duket sheshazi,vazhdon letra, se Qeveria Greke do t’i shpërngul nga Çamëria. Prefekti i Janinës, duket se ka çue Hasan Hamitin t’i thotë, se po të nënshkruajnë nji akt se Qeveria Greke nuk i forcon, por duan vet të iknë, nuk ka me u pruë asnjë pengim. Sa për Qeverinë turke edhe kjo i pranon, po të kenë disa të holla me vete…”!

Në vazhdim të letrës, thuhej se Qeveria greke do ta dërgonte një nëpunës të vet për t’i regjistruar shtëpiat dhe pronat e shqiptarëve të Çamërisë, ku një pjesë do i blente Banka e Azisë së Vogël, ndërsa pjesën tjetër Banka Kombëtare e Greqisë. Krejt në fund të letrës thuhej se “ky minoritet i gjakut ton, ka me e lanë vendin e vet” për shkak dhunës që po përdoret nga autoritetet qeveritare greke, dhe se një pjesë e tyre; “po t’i pranonte Shqipnia, do shkojshin të bëheshin nënshtetas Shqiptar”.

Gjendja në Çamëri u përkeqësua edhe më shumë gjatë muajve prill-maj 1927, pasi Qeveria greke, ashtu siç edhe kishte paralajmëruar, në shtëpitë dhe pronat e shqiptarëve, vendosi një numër të madh të emigrantëve grekë nga Anadolli. Në një situatë të tillë, Dhoma e Deputetëve, në mbledhjen e mbajtur më 15 maj 1927, me propozim të deputetëve: Maliq Bushati, R. Kiçi dhe Kol Mjeda, vendosi ta thërret Qeverinë e Shqipërisë, për të dhënë shpjegime, mbi padrejtësitë që po u bëheshin shqiptarëve të Çamërisë nga ana e Qeverisë Greke. Në tekstin e propozimit thuhej se; përkundër premtimeve dhe zotimeve të Qeverisë greke dhënë para Lidhjes së Kombeve, ajo, ndaj elementit shqiptarë në Çamëri po zbaton një politikë të dhunshme dhe antinjerëzore.

Sipas principit të minoriteteve, – vazhdon teksti, – këta në vend që të gëzojnë të gjithë të drejtat si nënshtetas grekër, po ju mohohet e drejta ma natyrale principijale e drejta e gjallimit. Me planget e shtëpiat e këtyre të mjerëve, janë instalue emigrandet e Anadollit të cilët me urdhën të Qeveris, gëzojnë krejt pasunin të këtyne si; bahçe, ullishta, kullosa dhe ara buke, tue i lanë të mjerët Çamë me vdekë nëpër udhë…”!

Ndërkohë, Xhafer Çela, Zenel Ypi dhe Shahin Ypi, i shkruajnë një letër kryetarit të Republikës së Shqipërisë, Ahmet Zogut, në të cilën shprehin brengën e tyre të thellë, për shkak se, një pjesë bukur e madhe e çamëve; “janë duke e shitur pasurinë e tyre”, me qëllim që të shpërnguleshin për në Turqi. Marrë në përgjithësi, Qeveria greke, në emër të shkëmbimit të popullsisë me Republikën e Turqisë, dëboi me dhunë të gjithë banorët shqiptarë në 83 fshatra të Çamërisë. Lidhur me dëbimin e popullsisë shqiptare nga Çamëria, bën fjalë edhe analiza hartuar në vitin 1932, nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë së Mbretërisë Jugosllave, në të cilën veç tjerash, thuhet:

“…Në krahinën e Çamërisë, nga Epiri Verior, ka emigruar numri më i madh i popullsisë shqiptare vendore dhe është vendosur në Turqi dhe Shqipëri. Pasuria e tyre shumë e madhe ka ngelur në territorin e Greqisë. Këtë pasuri Grekët e kanë përvetësuar dhe ua kanë ndarë muhaxhirëve nga Azia e Vogël…”.

Nga ana tjetër, autoritetet jugosllave, të frymëzuara nga Ligji për Kolonizim, të cilin Parlamenti turk e solli më 14 korrik të vitit 1934, që veç tjerash parashihte shpërnguljen e të gjithë turqve të Ballkanit për në Turqi, e panë si momentin kyç për shpërnguljen e tërësishme të popullsisë shqiptare e turke nga vatrat e tyre për në Turqi, dhe në tokat e tyre të vendoseshin kolonët sllavë.

Për këtë qëllim, Parlamenti jugosllav, në mbledhjen e mbajtur më 21 gusht të vitit 1934, bëri ndryshimin dhe plotësimin e nenit 55 të Ligjit për Shtetësi jugosllave, të miratuar gjatë vitit 1928, përmbajtja e të cilit ishte si më poshtë: “Jo sllavët të cilët në kuptimin e paragrafit të dytë të nenit 55, janë bërë shtetas të Mbretërisë, ndërpriten të jenë të tillë nëse pas hyrjes në fuqi të këtij Ligji e deri më 1 nëntor të vitit 1938, para organeve kompetente të pushtetit të shkallës së parë, ose në cilëndo përfaqësi tonën diplomatike apo konsullore në botën e jashtme, deklarojnë se tërhiqen nga shtetësia. Deklaratat të cilat i janë dorëzuar pushtetit të përmendur sikurse edhe përfaqësive diplomatike e konsullore nga ana e personave në fjalë, pas 1 nëntorit të vitit 1938, e deri në hyrje në fuqi të këtij Ligji, do të konsiderohen si të dërguara me kohë…”!

Me këtë ligj, të gjithë shtetasit e Jugosllavisë që nuk ishin të përkatësisë etnike sllave, u “mundësohej” të merrin shtetësinë e ndonjë shteti tjetër, dhe secili nga ata që merrte pasaportë të huaj dhe brenda vitit nuk largohej, atëherë autoritetet jugosllave e detyronte atë ta lëshoj Jugosllavinë. Në këtë mënyrë, një numër i madh i shqiptarëve, pasi Shteti shqiptar nuk i pranonte, u detyruan të shpërnguleshin për në Turqi, e cila, edhe pse deklaronte se nuk do t’i pranonte emigrantët shqiptarë nga Jugosllavia, ajo megjithatë u ofronte të gjitha lehtësirat për t’u vendosur në Turqi.

Rrjedhimisht, në fillim të vitit 1935, tashmë dëgjoheshin lajme për marrëveshjen jugosllave-turke për shpërnguljen e myslimanëve, kuptohet, shqiptarëve etnikë. Ministri i Brendshëm i Turqisë, do të deklaroj se; nga Republika e Turqisë do të sjell nga Jugosllavia 800.000 emigrantë. Shpërngulja e popullsisë shqiptare nga Jugosllavia për në Turqi, sipas diplomatit të shquar shqiptar, Rauf Fico, do të vazhdonte edhe më tej, sepse përbënte “interesin e përbashkët” turko-jugosllav, prandaj ai i propozonte Qeverisë Mbretërore Shqiptare, që t’i ndërmerrte të gjitha “masat e nevojshme për instalimin në Shqipëri” të atyre shqiptarëve, të cilët do të insistonin të linin Kosovën apo trevat tjera etnike shqiptare nën Jugosllavi.

Ndërkohë, konsulli i përgjithshëm jugosllav në Stamboll, në një analizë të hartuar në maj të vitit 1935, vlerësonte se; Qeveria jugosllave nuk duhej ta popullarizonte shpërnguljen e popullsisë shqiptare për në Shqipëri, për arsye se me këtë rritej popullsia e atij shteti dhe përforcohej “lëvizja irredentiste”, e cila edhe ashtu nxitej nga vetë shteti shqiptar. Në vend të kësaj, ai propozonte që shqiptarët të shpërnguleshin për në Turqi, sepse sipas tij; “ai element shqiptar” i cili shpërngulet për në Turqi, llogaritet si “element i humbur përfundimisht”.

Po në këtë periudhë kohore Dhoma e Reformës Agrare në Shkup, filloi një fushatë të gjerë të konfiskimit të tokës pjellore nëpër vendbanimet shqiptare. Aksioni parashihte që “fshatarëve shqiptarë, t’iu lejohej vetëm 0,4 hektar tokë për një anëtar të familjes”. Qëllimi kësaj politike antishqiptare, siç njoftohemi nga burimet e shumta të proveniencës policore e ushtarake jugosllave ishte “dëshpërimi i banorëve shqiptarë”, sidomos të fshatrave që shtriheshin buzë Malit Sharr e deri në hapësirën Kumanovë-Prishtinë, ku kompaktësia shqiptare ishte tepër e madhe. Autoritetet e Beogradit, shpresonin që përmes këtyre masave të ashpra agrare, do t’i detyronin shqiptarët t’i braktisin vatrat e tyre e të shpërnguleshin për në Turqi.

I dërguari i Mbretërisë Shqiptare në Beograd, Rauf Fico, i shkruante MPJ-së, se “me zbatimin e ligjeve të ndryshme të kolonizimit e të reformës agrare, me qindra familjeve Shqiptare, u janë zaptuar tokat ashtu edhe banesat”, dhe se ky ishte shkaku i vërtetë i emigrimit të shqiptarëve për në Republikën e Turqisë. Në raportin plotësues të datës 18 maj 1934, R. Fico njoftonte MPJ-në se, autoritetet jugosllave më 25 mars 1934, kishin urdhëruar banorët e fshatrave të rrethit të Gjakovës: Batush, Nivokaz, Moglicë, Brovinë, Palabardh, Stubëll, Berjah, Ponoshec, Popoc, Shishman, Babaj Bokës se “nuk mundin ma që t’i punojnë tokat e tyne, të cilat mirren prej reformës agrare…”! Memorie.al

“Dy ditë pas ngjarjes me Mehmet Shehun kisha dasmën, por ma anuluan” -Dëshmia tronditëse e Niko Velços: Dy fëmijët e vegjël të Marjetës e Bashkimit, dy vjeç e gjysmë dhe 11-muajsh, njerëzit e Sigurimit…Nga Gëzim Kabashi

 

 

Pjesa e parë

Memorie.al / Nikolla Velçoja nuk do ta harrojë kurrë fundjavën e tretë të dhjetorit 1981. Ishte 26 vjeç, i diplomuar disa muaj më parë në Institutin e Lartë të Arteve si violonçelist, dhe të dielën e 20 dhjetorit, do të bëhej dhëndër. Martohej me një bashkëqytetare, nga një familje shumë e mirë, me të cilën ishin lidhur që kur ajo ishte adoleshente. I gjatë e simpatik, me një portret mjaft të qetë, Nikoja, siç thirrej prej shokëve, duhet të kishte qenë në ëndrrat e plot vajzave durrsake, pse jo edhe tiranase, sidomos pas një ngjarjeje, që vuri familjen Velço në qendër të vëmendjes në Durrës, qytetin ku ata banonin. Vajza e vogël e familjes, Marjeta Velço, ende pa mbushur 15 vjeç, ishte bërë nusja e Bashkim Shehut, pinjollit të fundit të kryeministrit të asokohshëm të Shqipërisë, njeriut që konsiderohej si pasardhësi i natyrshëm i diktatorit Enver Hoxha.

mehmet shehu Niko Velço

Babai shofer dhe nëna rrobaqepëse, familjes Velço dukej sikur i ra një fat i madh nga qielli. Por pesë vjetët nga 1976, kur Marjeta hyri si e fejuar në shtëpinë e nr. 2 të vendit, kishin kaluar me shpejtësi marramendëse. Dhe Nikolla, megjithëse student, kishte kuptuar shumë gjëra që nuk shkonin. Më tej do të vuante shumë të tjera, thjesht sepse ishte vëllai i një gruaje “armike”.

Çfarë ndodhi me Nikolla Velçon dhe jetën e tij, pas natës së 17-18 dhjetorit 1981, që ndryshoi jo vetëm fatin e familjes së Mehmet Shehut, por të dhjetëra njerëzve, që ishin lidhur në forma të ndryshme me jetën e personit të pushtetshëm, që u gjet i vdekur në shtratin e tij?!

Për më tepër me plagën e një plumbi, rruga e të cilit deri në gjoksin e ish-kryeministrit më jetëgjatë të Shqipërisë moderne vazhdon të jetë mister. Megjithëse jeton në Francë, me gruan dhe dy fëmijët, ato vite “kur ndiqej si të ishte një kafshë gjahu”, kanë mbetur njëlloj në kujtesën e 58-vjeçarit nga Durrësi, i cili vjen shpesh në qytetin e tij të lindjes.

30 e sa vjet pas ngjarjes që i ndryshoi rrjedhën e jetës Nikolla Velçoja rrëfen historinë e tij, ku nuk mungojnë prindërit, vëllai dhe motrat, po ku dëshmohet edhe ferri, që përjetoi gjatë 10 vjetëve të fundit të diktaturës komuniste.

Bashkëshortja dhe shoqja e jetës, njeriu më i rëndësishëm i jetës, Anula, fëmijët e tij, por edhe ata të motrës, si dhe shokët, janë pjesë e dëshmisë së tij, por jo pak vend zë pengu i madh i një jofrymori, shumë të rëndësishëm për jetën e Nikollës. Historia e violonçelit, që ia hoqën nga duart para tre dekadash, e tek i cili u rikthye vetëm… 3 ditë më parë, falë vullnetit dhe dashurisë, që e karakterizon.

ANULIMI I DASMËS

Dasma e së dielës u parapri nga ajo që për familjen Velço mund të përkufizohet si’ “e premtja e zezë”. Kryeministri i vendit, sipas njoftimit zyrtar nga Radio-Televizioni e gazetat, kishte kryer vetëvrasje. Dy kolonat e gazetës, që u lexuan në edicionin e Radio-Televizionit Shqiptar të orës 20.00, po ripërtypeshin nga shqiptarët në mënyra të ndryshme.

Gjithsesi, niveli i pasigurisë për të ardhmen bëhej edhe më i dukshëm. Familja e Nikos vendosi të mos e bëjë ceremoninë e dasmës. Te shtëpia e Anulës, të shtunën kishin kryer ritualin, por siç kujton vetë dhëndri i 20 dhjetorit 1981, të gjithë ishin të turbulluar.

DY FOSHNJA TË TORTURUARA

Çfarë po ndodhte? Motra e vogël, Marjeta, bukuria proverbiale e së cilës po kthehej në makthin e të gjithë familjes, do t’i nënshtrohej shumë shpejt një hetuesie intensive. Dy fëmijët e saj të vegjël, Ertgrenin 2 vjeç e gjysmë dhe Regan 11-muajsh, njerëzit e Sigurimit i sollën pas disa javësh të sfilitur nga Belshi, vendi ku hetoheshin prindërit e tyre, Bashkimi dhe Marjeta.

“Kishim kërkuar që t’i rrisnim ne, por na i sollën vetëm atëherë kur fëmijët e vegjël ishin kthyer në dy skelete”, – tregon Nikolla periudhën e tmerrshme, kur atij dhe Anulës, u thoshin në sy: “Po rrisni gjarpërinjtë”!

Anula Velço, nusja e re, e cila në rrethana të vështira humbi ende pa e lindur fëmijën e saj të parë, së bashku me Nikon, dajën e tyre, u bënë prindërit e rinj për fëmijët e pafajshëm me mbiemrin “e mallkuar”, Shehu. Bashkëshortët e rinj ishin sistemuar në apartamentin, ku jetonte pjesa tjetër e familjes Velço, prindët dhe vëllai i Nikollës. “Ishte shumë e rëndë, -vijon dëshminë e tij Nikolla Velço.

– Poshtë shtëpisë, pranë repartit të fotografëve në Durrës, qëndronte haptas një automjet, antena marrëse e të cilit dukej që larg; përballë pallatit kishte gjithmonë spiunë; ata shtoheshin kur dilje në rrugë dhe bëheshin një bandë, kur ti kishe nevojë të shkoje në Tiranë p.sh.…”!

12 NXËNËS TË VEGJËL

Në bar-lulishten e gjelbëruar “Gjashtëkëndëshi” në qendër të Durrësit, ku ishim ulur prej një gjysmë ore, Nikolla Velçoja na tregonte qetësisht atë që ka ndodhur në fillim të vitit 1982, atëherë kur megjithëse e lejuan të vazhdonte mësimdhënien në Shkollën e Muzikës “Mujo Ulqinaku”, ai i lutej zotit që t’i ruante mendjen.

“Kisha 12 nxënës të vegjël, por nuk kisha qetësinë për t’u mësuar violonçelin”, – kujton Niko, për instrumentin e dashur, që mësues të tjerë shumë vite më parë ia kishin kthyer në qëllimin e jetës së tij. Nikolla kujtonte ditën e diplomimit të vet në Institutin e Arteve. Kishte ndodhur vetëm një muaj para vdekjes misterioze të vjehrrit të së motrës, kur përballë pedagogëve dhe bashkë-studentëve, interpretoi dy vepra nga Antonin Dvorzhak dhe Thoma Gaqi.

“Çdo natë shikoja të njëjtën ëndërr: kontraktohesha dhe nuk interpretoja dot veprat e diplomës. Kur zgjohesha i mbuluar me djersë, merrja frymë me zor dhe pas disa minutash qetësohesha, për të rifilluar një ditë edhe më të tmerrshme se ajo që kaloi”.

DËBIMI

Velçon e përzunë nga shkolla 10 muaj më vonë, në tetor të vitit 1982, kur orkestra e qytetit të Durrësit filloi provat për një konkurs kombëtar. Ia morën violonçelin dhe bashkë me të edhe shpresën, se do ti rikthehej ndonjëherë melodive, që e kishin bashkuar në të njëjtin formacion me instrumentistë, ndër më të mirët në vend.

Ka menduar gjithçka në ato muaj të parë të kalvarit, i cili vijoi me transferimin në Ndërmarrjen Industriale të Gomës, në Shkozet të Durrësit. Për çdo durrsak që e njeh N.I. Gomën e viteve ’80-të, reparti i kalandrave, ku Nikollën e dërguan të punojë, ishte një dënim i mjaftueshëm, mes lëndëve helmuese, por fatmirësisht, edhe mes punëtorëve, që do të bëheshin miqtë më të mirë të punëtorit me shkollë të lartë.

Në ditën e parë e detyruan të rrëfehej për fajet e familjes, gjë që nuk pranoi ta bënte kurrë dhe mbledhja do të kishte vazhduar pafundësisht, nëse një nga punëtorët nuk do të thërriste nga vendi: “Lëreni rehat. Atë e ka zënë taksirati! Çfarë kërkoni më shumë”! Nikoja tregon se me Anulën, të shoqen, vepruan edhe më poshtërsisht.

E larguan nga fakulteti i Inxhinierisë, ku vazhdonte vitin e parë. Për ditë me radhe e kishin vënë nën presion, duke i kërkuar një këmbim “në favor” të saj: “lëre burrin dhe do të vazhdosh pa probleme shkollën”! Nikoja nuk ka fjalë për Anula Afezollin, vajzën me tre vëllezër të Sotirit, apo “Tirkës së hollë”, siç njihet në Durrës.

Anula nuk është thjesht bashkëshortja dhe shoqja më e mirë e Nikollës; Anula, ka trashëguar një prej emrave ilirë të gdhendur në gurët që ndodhen në muzeun e qytetit 3000-vjeçar dhe Nikolla nuk gjen dot fjalë për të dhe për pasurinë më të madhe që ata kanë sot: dy fëmijët e rritur nga dashuria e prindërve në “kohët e kolerës komuniste”.

Vajza e re 20-vjeçare arriti të gjejë punë në Ndërmarrjes e Prodhimit të Cigareve, si paketuese dhe të dy vazhduan jetën për njeri tjetrin. Mes njerëzve që u kthenin shpinën, por edhe duke larguar nga vetja për të mos i dëmtuar, ata pak miq, që vazhdonin ti donin sinqerisht.

SINJALET

Nikolla dhe Anula kishin njeri tjetrin, por kjo nuk mjaftonte. “Nuk e di, nëse do ta përballoja një internim në fshatra”, – shprehej Nikolla, duke kujtuar mesin e viteve 1980. Vazhdonte të bluante në kokë, të gjitha sinjalet që kishte përjetuar në kohën kur e motra, Marjeta dhe bashkëshorti i saj, Bashkimi, shiheshin si çifti nr. 1 i vendit.

Vajza e Ramiz Alisë, shoqe klase në Institutin e Arteve, ishte e vetmja që dëshmonte largësi ndaj Nikollës, një prej djemve të bukur, që konsiderohej nga të tjerët me fat, për lidhjen e re që i kishte krijuar e motra. “Që në fundin e viteve 1970-të, e kuptova se Mehmet Shehu nuk ishte aq i fuqishëm sa dukej” -tregon Nikolla, për ish-krushkun kryeministër.

Morra vesh, se edhe Marjeta, megjithëse shumë e re, një ditë kishte debatuar me vjehrrin dhe në qendër të bisedës me tone të larta, kishte qenë situata ekonomike e vendit”. Marjeta dhe Bashkimi ishin kthyer nga Franca, përmes Greqisë, dhe nusja e vogël e shtëpisë së madhe kishte krahasuar fermerët grekë, me fshatarët tanë që me pagesë ditore prej 30 lekësh, duhet të harxhonin vetëm për bukën…..40 lekë.

Nikolla kujton veshjet sfiduese të së motrës në sfondin varfanjak të Tiranës komuniste, dhe me gjithë qortimet prej vëllai, që duket se ka përdorur edhe në ato vite, pranon: “Ajo ishte vetëm 20 vjeç, kishte dy fëmijë dhe kuptonte pak gjëra, ndërsa i shoqi, thuajse nuk i fliste për to”.

Kapaku i njoftimeve negative do të mbërrinte te Nikolla Velçoja në shtator 1981, tre muaj para “vetëvrasjes” së kryeministrit Mehmet Shehut. Një nga djemtë e funksionarëve të shtetit kishte thënë në publik se; “kryeministri nuk është i pazëvendësueshëm”. Por nëse herë të tjera, Bashkimi, kunati i tij, nuk ishte shqetësuar, kësaj radhe ishte ndryshe.

“Mehmet Shehu ishte nën presion dhe shantazhet mbi të punonin si fizarmonikë që fryhej e shfryhej. Familjarët e tij e kishin kuptuar qartë këtë dhe vdekja dukej se sillej në shtëpinë e tyre në ato muaj vjeshte”, – thotë Nikolla.

NJË ARKIVOL

Gjendja bëhej edhe më e rëndë, për ata që e dinin se një fallxhore në periferinë e afërt të Tiranës, kishte parë në fundin e filxhanit të Marjeta e Bashkim Shehut.… një arkivol. “Aishja ishte kunata e motrës sime të madhe. Jetonte në kryeqytet me familjen e motrës dhe punonte në një shkollë të fëmijëve me probleme shëndetësore”, -kujton Nikolla dhe thotë se disa vjet më vonë, kur gjërat ishin rrokullisur pa kthim, edhe ai me Anulën, kanë shkuar tek Ishja.

“Lexonte fundin e filxhanit, atëherë kur ajo donte vetë, ndoshta në një moment frymëzimi, apo nuk e di se çfarë” – kujton Velçoja vizitat në shtëpinë e së motrës së madhe, Margaritës, ku jetonte edhe kunata, Aishja, që nuk u martua asnjëherë. “Edhe atë mbrëmje na u drejtua vetë, gati si me urdhër: Pijeni kafenë, se do t’ju shoh filxhanët – tregon Nikolla, – 20 minuta më vonë kemi dalë nga shtëpia e motrës të lehtësuar, dhe kemi jetuar të bindur, se do të kishte edhe për ne ditë të mira”./Memorie.al 

Sekuestrimi i pasurive më 1945, si u ngrit makineria e zhvatjes nga kryetatimori Beqir Balluku! Dokumenti që zbulon komisionin

Janari i vitit 1945 shënoi fillimin e një operacioni të madh ekonomik, që do të ndryshonte përgjithmonë strukturën shoqërore të Shqipërisë.

 

Nën justifikimin e “tatimit mbi fitimet e luftës”, regjimi i ri komunist ngriti një mekanizëm ligjor dhe administrativ që në praktikë u shndërrua në një fushatë të gjerë konfiskimi pasurish. Tregtarë, industrialistë dhe familje të pasura u vunë përballë komisioneve të posaçme, të drejtuara jo nga ekspertë finance, por nga figura të përzgjedhura mbi bazën e partishmërisë politike. Me justifikimin se po merrnin pasuritë e fituara padrejtësisht gjatë luftës, komunistët u morën gjithçka tregtarëve, industrialistëve dhe shqiptarëve të pasur, duke e rrënuar plotësisht këtë shtresë.

Masat ishin energjike sepse pushtetit të ri i duheshin bazat ekonomike. Në ditët e para të janarit 1945 u miratua kuadri ligjor dhe u ngritën komisionet përkatëse. Kriteri më i rëndësishëm, veçanërisht për kryetarët e komisioneve, ishte partishmëria. Në dokumentin e publikuar nga “Kujto.al” pasqyrohet formimi i Komisionit për Shqyrtimin e Fitimeve të Luftës në Prefekturën Tiranë, i cili u kryesua nga nënkolonel Beqir Balluku. Kryesia e Këshillit Nacionalçlirimtar miratoi ligjin nr.37, datë 13.1.1945 “Mbi tatimin e jashtëzakonshëm për fitimet e luftës”, i cili u botua në “Gazeta Zyrtare”, nr.4, 23 janar 1945. I përbërë nga 19 nene, ky ishte ligji i cili do grabiste pasurinë e shqiptarëve, me kursimet e të cilëve do të ndërtohej regjimi komunist. Kjo ishte gjuetia ndaj floririt kryesisht. Përllogaritja e tatimit ishte abuziv, një shkak për të zhvatur. Këtij ligji iu bë një shtojcë me ligjin nr.89, datë 12.07.1945. Kuadri rrjepës u shtua me: Me ligjin nr.65, datë 18.05.1945, “Mbi likuidimin e pasurisë së bashkadhënësve debitor kundrejt Arkës së Shtetit për Tatimin e Jashtëzakonshëm mbi Fitimet e Luftës” dhe ligjin nr.416 datë 13.3.1947 “Mbi tatimin e jashtëzakonshëm të luftës dhe mbi sendet e bllokuara dhe rekuizuara”.

Në zbatim të ligjit të tatimeve, u krijuan komisionet për shqyrtimin e fitimeve të luftës, të cilat mbanin lidhje me Ministrinë e Financave. Këta ishin njerëz, që kryesisht nuk merrnin vesh nga fusha e financës (sidomos kryetarët), por ishin vetëm me partishmëri të lartë. Komisionet ishin pranë çdo qendre prefekture e nënprefekture. Më 10.1.1945 u zgjodh Komisioni për Shqyrtimin e Fitimeve të Luftës në Prefekturën Tiranë, i cili u kryesua nga nënkolonel Beqir Balluku, i caktuar nga Kryesia e Këshillit Nacionalçlirimtar të Tiranës. Ismail Alla u caktua nënkryetar, ndërsa Vangjel Noti e Koço Lipivani si sekretarë. Komisioni përbëhej nga anëtarë të Kryesisë së Këshillit Nacionalçlirimtar të Qarkut Tiranë, të deleguar nga rinia antifashiste, sindikatat dhe tregtarë të manifakturës, sendesh ushqimore dhe lëndës së ndërtimit.

KRIMET

Beqir Balluku përfshihet në listën e përpiluar nga Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, që përmbledh pjesëmarrësit që kanë përgjegjësi direkte për krimet e Partisë Komuniste Shqiptare dhe të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, duke qenë, sipas ligjit nr. 41, anëtarë të strukturave politike dhe ushtarake “që kanë inspiruar, organizuar, urdhëruar, ekzekutuar ose ndihmuar forcat partizane në vepra kriminale”. Beqir Balluku (Tirana, 17 shkurt 1917 – 5 nëntor 1975) ishte partizan, gjeneral dhe ministër. Ndoqi pak vite Shkollën Teknike të Tiranës, pa mundur ta përfundonte. Më 1934 fillon punë si hekur-punues tek zanatçiu Filip Ujka në Tiranë. Më 1937 lidhet me grupet komuniste me anë të shokut të tij, Vasil Shantos. Nga fundi i vitit 1940 teksa ishte në frontin e luftës, ai u internua nga Komanda e Ushtrisë Italiane, i akuzuar si rebel që nxiste dezertimet në radhët e ushtarëve shqiptarë. Pasi qëndroj për dy-tre muaj si i internuar në qytezën e Shijakut, ku u cilësua si “element turbullues”, italianët e transferuan përsëri në një postë ushtarake në rrethinat e Ulqinit.

Në vitin 1941 ai e përfundoi shërbimin e detyrueshëm ushtarak në postën ushtarake të Ulqinit dhe pas kësaj u kthye pranë familjes në shtëpinë e tij në qytetin e Tiranës. Në atë kohë, Beqiri rivendosi lidhjet e tij me ish-shokët që kishte pasur përpara se të shkonte ushtar, Vasil Shanton dhe Vojo Kushin, të cilët e afruan në celulat komuniste dhe në marsin e vitit 1942 e pranuan si anëtar të Partisë Komuniste. U arrestua më 1943 për pak muaj dhe më 20 maj 1943 u caktua komandant i batalionit partizan Krujë-Ishëm. Më 18 shtator 1943 komisar i Brigadës së 3-të dhe më pas komandant i Brigadës së 2-të. Më 1944 ka qenë komandant i shtabit operativ të brigadave 2, 9 dhe 20. Më 1945 qe anëtar i Gjyqit Special. Më 1945-1948 qe zëvendëskomandant i korpusit të parë, komisar i korpusit të dytë dhe komisar i komandave të prapavijës në komandën e përgjithshme dhe komandant divizioni. Më 28 janar 1948 ishte emëruar kryetar i Shtatmadhorisë së Ushtrisë deri më 1950. Kreu në Moskë Akademinë Ushtarake “Voroshillov”.

Në kongresin e parë të PKSH së u zgjodh anëtar i Byrosë Politike dhe në vitin 1953 nga zëvendësministër u bë ministër i Mbrojtjes Popullore, post që e pati deri më 1974. Një vit më pas mori gradën më të lartë në Shqipëri, atë të gjeneralleitnantit. Nga 1946 Balluku ishte gjithmonë deputet i Kuvendit Popullor dhe nga 1954 deri më 1974 zëvendëskryeministër. Më 1960 u emërua kryetar i komisionit qendror të internim-dëbimeve pranë Kryeministrisë.

AKUZAT

Në vitin 1974, diktatori Enver Hoxha filloi goditjen ndaj Beqir Ballukut në Aktivin e Ushtrisë që u mbajt në Durrës. Në vitin 1974 përjashtohet nga funksionet partiake dhe shtetërore në Plenumin e Pestë. Më 4 gusht 1974 e largojnë nga vila e “Blloku”- t të udhëheqjes dhe e internojnë në Roskovec të Fierit. Më 6 dhjetor 1974 Beqir Balluku arrestohet në Selenicë të Vlorës ku ishte i internuar pas Fierit dhe u akuzua si organizues i veprimtarisë puçiste ushtarake. U dënua me vdekje për “tradhti ndaj atdheut, agjitacion e propagandë, përvetësim të pasurisë socialiste në përpjesëtime të mëdha dhe shpërdorim të pozitës zyrtare”. Me vdekje, me pushkatim u dënuan tre ishgjeneralët, drejtuesit më të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes, ministri Beqir Ali Balluku, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Petrit Taulla Dume dhe drejtori i Drejtorisë Politike, Hito Shaqo Çako, kurse me 25 vjet burg u dënua Rrahman Parllaku, ish-zëvendës.shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, në Ministrinë e Mbrojtjes Popullore. Gjyqi ndaj tyre, i zhvilluar nga data 25 tetor deri në 5 nëntor të vitit 1975, në një sallë improvizuar në ambientet e Repartit 313 të Tiranës, (i njohur ndryshe si “Burgu i Vjetër” apo “Kaushi”), ku ata zhvilluan edhe procesin hetimor e, qëndronin të izoluar dhe nën masa të rrepta sigurie, që nga periudha e arrestimit, më datën 6 dhjetor e vitit 1974. Arrestimi i Ballukut, Dumes, Çakos dhe Parllakut, erdhi pas një periudhe afro gjashtëmujore, mbledhjesh e aktivesh e plenumesh, të zhvilluara me kuadrot më të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes Popullore, sekretariatin e Komitetit Qendror të PPSH-së dhe Byrosë Politike, ku në pjesën më të madhe të tyre, kishte asistuar dhe drejtuar personalisht, vetë Enver Hoxha.

Procesverbali

Më datën 5 nëntor 1975 pushkatohet në një tunel në Linzë me Petrit Dumen e Hito Çakon dhe eshtrat e tij u groposën në fshatin Vranisht të Vlorës me urdhër të Kadri Hazbiut pas ekzekutimit. Eshtrat iu gjetën në verën e vitit 2001 dhe u varrosën në Tiranë. Me aktakuzën më datë 15 tetor 1975, në bashkëlidhje me dënimin me vdekje dhe konfiskimin e pasurisë, iu hoqën titujt e nderit dhe dekoratat. Por cilat ishin fjalët e fundit të tre të pushkatuarve sipas raportit që hartoi Nevzat Haznedari, ekzekutuesi i Beqir Ballukut, Petrit Dume, Hito Çako.

PROCESVERBAL:

Në Tiranë, më 5/XI/1975

Në bazë të urdhrit të ministrit të Punëve të Brendshme Nr.850 datë 5/XI/1975, ora 16:00, në vendin e caktuar në prani të prokurorit Murat Kanani dhe të mjekut Nevzat Vigani, nga unë Nevzat Haznedari, i ngarkuari i Drejtorisë së Hetuesisë, u ekzekutua vendimi me vdekje për armiqtë komplotistë Beqir Ali Balluku, Petrit Taulla Dume dhe Hito Shaqo Çako.

Para ekzekutimit secili nga këta armiq u njoftua nga prokurori se Presidiumi i Kuvendit Popullor refuzoi kërkesën e tyre për faljen e jetës. Mbas kësaj ata thanë:

1. Beqir Ali Balluku – Nuk foli fare

2. Petrit Taulla Dume – “Të rrojë populli, të rrojë partia”

3. Hito Shaqo Çako – “Mirë”

Në përfundim u krye ekzekutimi i tyre nga unë Nevzat Haznedari dhe pasi u kontrolluan nga mjeku Nevzat Vigani, u konfirmua vdekja e tyre.

Nevzat Haznedari, Murat Kanani, Nevzat Vigani Tiranë, më 5. XI. 1975

/Gazeta Panorama 

Mit’hat Araniti 48 vjet në burg, internim dhe dëbim! Intelektuali që përktheu mbi 200 libra në qeli dhe baraka

Mit’hat Araniti ishte jurist, publicist, pionier i prozës së shkurtër shqiptare në dialekt, një nga përfaqësuesit e brezit të intelektualëve të kohës, me prirje perëndimore.

 

I ati ishte ushtarak i lartë, kolonel, në vitet 1923-24- Ministër Lufte, më pas, deri më 1927, Kryetar i Gjyqit të Përhershëm Ushtarak. Shkollën fillore e kreu në Austri (Freistadt) dhe Korfuz (shkollë italiane), të mesmen në Itali (Pisa, Monte MarioRomë) ndërsa arsimin e lartë në degën juridik në Zagreb, Kroaci. Ka ushtruar profesionin e gjykatësit të paqes në Gjirokastër, Elbasan, Prizren (2 herë), Durrës. Për një dhjetëvjeçar (1934-1944) publicist dhe autor i njohur në shtypin satirik të kohës, i njohur me disa pseudonime artistike (Rrém Vogli, Jago Blini, Sufi Asmon Sufës), pionier i letërsisë dialektale shqiptare. Fushat ku Mit’hati ka lënë gjurmë dhe gjithmonë të një niveli të lartë sipas vlerësimit të studiuesve, janë dhe ato të krijimeve letrare dhe publicistike.

Në shtatorin e vitit 1935, në të përjavshme “Illyria” u shfaq një skicë “M’bojat m’Nurrës” e firmuar Rrem Vogli, pseudonimi me të cilin Mit’hat Araniti botoi një varg skicash humoristike të shkruara me dialekt tiranas. Më 1996, nën kujdesin e së bijës, Odeta Zhegu, iu botua përmbledhja “Qyfyre të Rrem Voglit, katunar pri Rrashbulle: Skica humoristike dhe publicistikë”, ku përfshihen edhe poezitë dhe disa intervista dhe artikuj të viteve të fundit të jetës. Në parathënien e këtij botimi të Phoenix, Vedat Kokona e quan Mit’hat Aranitin “një dhurues i gazit”, ndoshta misioni më i vështirë për një shkrimtar. Siç tregojnë datat e botimeve, Mit’hat Araniti, ka qenë i pranishëm vazhdimisht në periodikët shqiptarë deri në vitin 1944 të arrestimit, kur botoi në Revistën Letrare, “Pa nrefim parti”, “një kryevepër e vogël e llojit të vet” dhe “flori në baltë”, sipas Kokonës.

ARRESTIMI

Mit’hat Araniti ka ushtruar profesionin e gjykatësit të Paqes në Gjirokastër 1940, pas një viti në Prizren. Mori pjesë në organizimin e Balli Kombëtar, më pas u kthye në Ministrinë e Drejtësisë, që e riemëroi në Prizren, më pas në Elbasan dhe në Durrës deri më 1943, kur doli në mal në radhët e çetave nacionaliste të zonës së Mallakastrës. Mori pjesë në përfaqësinë e Ballit në takimin ku u arrit Marrëveshja e Mukjes. Në fund të vitit 1943 emërohet shef personeli i Ministrisë së Brendshme. Së bashku me Musine Kokalarin dhe intelektualë të tjerë, krijuan në Tiranë Partinë socialdemokrate. Krerët e saj u vunë në shënjestër pa marrë ende pushtetin Fronti Nacional-Çlirimtar. Mit’hat Araniti kreu pothuaj 10 vjet burg (nëntor 1944-prill 1954).

Ai u arrestua tri ditë pas kryengritjes së Postribës, por urdhër arresti u lëshua tre muaj më vonë në dhjetor 1946. Ai u dënua si figurë e Ballit Kombëtar që mbronte tezën e Shqipërisë etnike siç u arrit marrëveshja në Mukje. U dënua me 10 vite burg, u lirua më 1951 Në momentin e arrestimit ishte Shef Personeli i Ministrisë së Drejtësisë. U arrestua me 21.11.1944 (akuza: si figurë e Ballit Kombëtar dhe për mbrojtjen e tezës së Shqipërisë etnike në Mbledhjen e Mukjes, ku mori pjesë). Kreu rreth 1 vit burg në Burrel, më pas në Burgun e Artizanatit, Tiranë, dhoma e përkthyesve, bashkë me Mirash Ivanajn, Lazër Radin, Mihal Sherkon, etj.. Doli nga burgu në prill 1954. Po atë ditë niset në internim, me vendimin nr. 1 të Komisionit të Internim- Dëbimeve.

Vuajti internimin nga prill 1954 deri në 1960 në 5-6 kampe në Kuç, Kurvelesh, Shtyllas e Radostimë, Fier, Gradishtë e Çermë, Lushnje). Lek Pervizi i ka kushtuar një shkrim me titull “Mit’hat Araniti-Bashkëvuejtës dhe mik i paharruar”, ku tregon që me Mit’hatin është njohur në Shtyllas dhe Radostinë të Fierit, ku këta të internuar i kishin aneksuar në kampin e të burgosurve dhe i kishin futur në punë bashkë me ta, për të hapur “një kanal faraonik”. Nga aty, Mit’hatin, Lekën e një grup intelektualësh të lartë, ish-funksionarësh dhe anëtarësh familjesh të njohura i dërguan në kampin e Kuçit, në Vlorë, që funksionoi në periudhën 1954-1958 e ku përbërja e të dënuarve, mund t’i jepte atij kampi emërtesën “Akademia e Kuçit”. U martua më 1959 në internim me znj.Agime Pipa (Araniti), ish-e burgosur politike (1946- 1950) në burgjet e Shkodrës. Më pas vuajti dëbimin nga 1960 deri në vdekje (29.11.1992) në Çermë e Dushk të Lushnjes. Gjatë gjithë periudhës së internimit dhe dëbimit punoi në bujqësi. Si shumë të internuar të tjerë, banesa e familjes ishte një barakë. U nda nga jeta më 29.11.1992 në Tiranë, pa arritur t’i shpërngulet gjendja civile nga vendet e dënimit. Për punën dhe veprimtarinë e tij patriotike e kulturore është dekoruar me titujt më të lartë pas vdekjes.

PËRKTHIMET

Mit’hat Araniti përktheu mbi 200 librave. Diktatura e burgosi dhe e internoi duke e detyruar të punonte në kushtet e qelisë apo barakave. Araniti zotëronte një sërë gjuhësh të huaja, të tilla si italishtja, gjermanishtja, frëngjishtja, anglishtja dhe serbokroatishtja. Në burg mësoi gjuhën ruse, ndërsa turqishten e kishte gjuhën e nënës, në moshën 61-vjeçare nisi të mësonte rumanishten. Përktheu me mëditje për Muzeun Arkeologjik të Durrësit dhe të Tiranës, në fushat e albanologjisë, arkeologjisë, numizmatikës, etimologjisë etj.. Punonte në banesën e tij, që do të thotë në barakën e tij. Një herë madje, një zjarr që përfshiu barakën, dogji gjithë përkthimet që kishte në dorë, apo të ruajtura aty. Ndër autorët e përkthyer prej tij futen Meyer, Russu, Krahe, Stipèeviè, De Simone, Jokli, Praschniker, Garaschanin, Benac, Ëalde, Von Hahn, Šufflay, Rendiè-Mioèeviè, Katièiè, Teodorova, Papazoglu, Schuchardt, Thalloczy, Kilian, Roman, etj. Përkthimet e daktilografuara zakonisht në katër kopje, janë bërë pjesë e fondeve të Bibliotekave Shkencore, së pari të Universitetit të Tiranës dhe më pas të Akademisë së Shkencave, i cili i porosiste përkthime deri para se të ndërronte jetë.

Përkthimi i tij i Fjalorit etimologjik të gjuhëve indoevropiane me tre vëllim, hartuar nga Alois Walde dhe Julius Pokorny nga gjermanishtja, qëndroi në dorëshkrim i pabotuar për dekada të tëra në Bibliotekën e Durrësit. Për mbi 9 vjet, tek Burgu i Tiranës, ka përkthyer (me të tjerët) gjithë legjislacionin e bazat teorike të funksionimit të shtetit. Mbi 200 tituj të përkthyer për 40 vjet në gjendje internimi e dëbimi (veç përkthimeve në burg për 10 vjet), krahas punës në bujqësi, nga 6-7 gjuhë të huaja, për Muzeun Arkeologjik të Durrësit dhe Tiranës, në fushat e albanologjisë, arkeologjisë, numizmatikës, etimologjisë, etj.. Mi’thati zotëronte shumë mirë italishten, gjermanishten, frëngjishten, anglishten, serbishten. Në burg mëson rusishten, ndërsa turqishten e kishte gjuhën e nënës. 61 vjeç mëson edhe rumanishten. Disa autorë albanologë të përkthyer Mayer, Russu, Krahe, Stipèeviè, de Simone, Jokli, Praschniker, Garaschanin, Benac, Walde, Hahn, Schufflay, Rendiè-Mioèeviè, Katièiè, Teodorova, Papazoglu, Schuckhardt, von Thalloczy, Kilian, Roman, etj. Më 1996 u botua përmbledhja e shkrimeve të tij letrare të periudhës 1934-1944, poezitë, si dhe disa intervista e artikuj të viteve të fundit të jetës, nën titullin “Qyfyre të Rrem Voglit, katunar pri Rrashbulle”.Për punën dhe veprimtarinë e tij patriotike e kulturore, pas vdekjes, që i erdhi më 29.11.1992, është dekoruar me titujt e urdhrat më të lartë nga Presidenti i Republikës, si “Pishtar i Demokracisë”, “Naim Frashëri” e “Nderi i Kombit”.

/Gazeta Panorama 


Send this to a friend