Mbresa dhe kujtime, qëmtuar nga talimet me Imzot Iriné Banushin
E kisha takuar shumë vite të shkuara, kur akoma nuk i kisha mbushur 12 vitet, Imzot Iriné Banushin. Kishte ardhur në shtëpinë tonë të na bënte një vizitë. Ishte shumë i hijshëm i veshur me atë rason karakteristik të priftërinjëve ortodoksë dhe me kamillafin në kokë. Sapo hyri, nga mënyra se si e pritën me përzemërsi të posaçme, e pashë se ishte i njohur i vjetër i prindërve të mi. Mbasi e hoqi kamillafin dhe u ul në divan, avash avash filloi nga biseda. Në sytë e mi filloi të zbehet përshtypja e asaj pamjes së parë të zymtë edhe përse jo dishka të frikëshme që kisha krijuar për mysafirin. Buzëqeshja e tij tejét e ngrohtë dhe e çiltër, (që vetëm kush e ka njohur nga afër Iriné Banushin e ka parasysh ), përfundimisht e shkriu akullin dhe sa më shumë që ngrohej biseda kryesisht ndërmjet babait tim dhe mysafirit, aq më me interes e ndiqja atë. Tema e bisedës u bë shumë joshëse për fantazinë time kur filluan të bisedojnë për Imzot Nolin.
Kishte kohë që kisha mësuar përmëndësh “O Flamur gjak ”, “Bajram Curri”, “Luigj Gurakuqi”, si edhe vjersha të tjera të poetit tonë të madh dhe pikërisht ato ditë im atë më kishte dhënë detyrë shtëpie, (veç detyrave të shkollës), të bëja një hartim për Fan Nolin. Kështu që, si pa rënë në sy, po i përpija me veshë edhe me ndjenja replikat që shkëmbeheshin. Im atë nxori dhe filluan ti lexojnë me Imzot Irinéun letërkëmbimet e tim eti me Nolin dhe kryesisht u përqëndruan në disa kalime të shkruara nga Noli që u bënë thelbi i bisedës së tyre e ku, e mbaj mënd mirë, flitesh për pikëpamjet liberale me tendenca socialiste të Imzot Nolit. Kështu erdhi një çast kur Imzot Irinéu u shpreh pak a shumë – sa do të dëshiroja të mund t’a gjykoja Nolin në praninë e tij e të shihja se si do t’a mbronte ai qëndrimin kundërthënës të tij herë si patriot i skajshëm e herë si përkrahës i idéve socialiste …e pra, internacionaliste – Në këtë çast biseda u ngroh shumë dhe nuk ishte aq mirëdashëse për atë person që ne i a mësonim përmëndësh vjershat me frymë tejet patriotike. Kështu im atë e pa të udhës që mua të më çonte me detyrë në dhomën time. E mbaj mënd si sot se urdhërin e babait, ( i cili nuk bëhej dy), e zbatova pa vonesë. Por, me t’u gjetur në dhomën time i merrnin padrejtësisht nëpër këmbë të drejtat e të rinjëve, ndaj faktit që nuk vetem, me përfshiu një mllef i madh ndaj babait, ndaj rregullave të shoqërisë që isha më i madh në moshë, e ku mbaj mënd se kundër kujt tjetër, dhe vendosa që Imzot Irinéu qëndroi edhe kund nja dy orë të tjera në bisedë me tim atë para nga vendimi që mora, kërshëria nuk më linte të tregohesha indiferent, ashtu siç se të largohej. Unë nuk e nxorra kokën nga dhoma ime, mbaja inat. Pavarësisht e kisha vendosur. Kështu që, gjoja si pa i dhënë rëndësi punës, e pyeta më vonë babanë rreth pikëpyetjeve që më kishin lindur për Imzot Nolin. Përgjigja e tij më ka mbetur e gjallë në kujtesë: Njerëzit kanë anë pozitive si edhe negative, gjatë jetës së tyre, e kjo veçanërisht për ata që e shkojnë kohën me punë e jo me llafe. Kjo ka bërë që vepra dhe puna e Imzot Nolit të kritikohen. Por kije parasysh se ai ka qenë nga ata që nuk e kishte shokun për punë. Dhe mbaje mend mirë se Imzot Noli ka anë shumë, shumë pozitive e këto ti duhet dora dorës t’i mësosh. Të tjerat leri, nuk kanë se ç’të duhen ty sot për sot. E me këtë pohim rreth Nolit kureshtja e ime jo vetëm që nuk u shua, por përkundrazi parasysh u bë akoma më e ndezur fare.
Me ardhjen në pushtet të komunistëve, jeta na u bë aq e ndërlikuar sa që kureshtja për – gabimet e Imzot Nolit u zbeh shumë, për të mos thënë se u shua Me babanë, veç takimeve disa minutëshe prapa hekurave të burgut të tmerrshëm të Burrelit, kurrë më nuk pata rast të takohesha se ai i mbylli ditët e tija me grevë urije në atë ngrehinë famëkeqe emri i së cilës akoma sot më rrëqeth mishin! Kaluan kështu shumë vite. Kisha shkuar me shërbim në urën Vajgurore ku ishte prishur gjeneratori elektrik i kantierit të Rruga-Urës. Mbasi e riparova, duke ngrënë darkë në kantjer, një teknik i ndërmarrjes tregon se sa i bukur ishte Manastiri i Kolonjës së Lushnjës. Me që unë do të nisesha të nesërmen të kthehesha në Tiranë dhe e kisha të gjithë ditën përpara, vendosa të kthehem e t’a vizitoj manastirin. U vendos, u bë. Aty nga ora 10 e paradrekes arrita tek porta e Manastirit. Ishte e hapur. E lashë motoçikletën pranë portës së madhe të oborrit të Manastirit dhe u futa brënda. Një burrë m’u afrua e mbasi më pyeti se ç’desha, më shoqëroi në mjediset e Manastirit, por më tha: – Me uratën nuk e besoj se do të flasësh dot se ka ardhur sekretari i parë i partisë i rrethit, shoku Qemal Myrseli, e ai e ka merak t’a ngacmojë uratën,- e mbasi më hodhi një sy zhbirues, vazhdoi, -po edhe urata ama, nuk është se i a përton. I akthen një për një … ndonëse është si i internuar këtu. Biseda e tij nuk mëpëlqeu, dhe duke patur frikë se mos qe ndonjë provokator, e kalova si pa kuptuar dhe fillova t’a pyes për manastirin e pastaj nuk e zgjata edhe ika për Tiranë pa pyetur se si e kishte emrin urata në fjalë. Disa ditë më vonë, duke biseduar me një zonjë ortodokse, mikeshë e ngushtë e familjes tonë, i zura në gojë vizitën që kisha bërë në Manastirin e Kolonjës. Ajo menjëherë më pyeti si ishte Hirësia e Tij, Imzot Iriné Banushi? Unë shtanga. E ndërsa zonja DhoraÇoka vazhdonte të më pyeste, unë isha përhumbur dhe nuk i a falja vetes që ekisha humbur rastin të sqaroja, mbas kaq vitesh, se e kur s’do, s’do .ç’kishin biseduar im atë me Hirësinë e Tij Irinéun rreth Fan Nolit. Mirëpo, si i thotë populli – Kur do, do, e kur s’do, s’do.Kaluan edhe disa vite të tjera. Ndërkohësisht më kishin transferuar me punë në Lushnjë në ndërtimin e hekurudhës Rogozhinë – Fier. Më thërret një ditë drejtori dhe më thotë: – Inxhiner, (kështu e shqiptonte ai fjalën), na kanë sjellë të punojë si llogaritar tek ne një prift. Që të mos t’i bijen në qafë kam menduar t’a caktoj tek kantjeri juaj i transport makinerisë ku kontaktet me njerëzit i ka më të pakëta e kështu edhe ti e ke më në kujdes. Quhet Iriné Banushi dhe e bëjnë njeri të mirë. Mua mu çel fytyra gjë të cilëndrejtori, Pirro Stefa, që ishte burrë jashtëzakonisht i mirë, e vuri ré dhe unë i thashë se – Hirësinë – e kishim mik të families.
-Tashti nuk ka më Hirësi, se i a mbyllën manastirin – tha drejtori, – por Irineu do të punojë si llogaritar e ne t’a trajtojmë mirë, e mbylli bisedën ai. Atëhere dërgoi e thirri Imzot Irinéun. U çel dera dhe hyri brënda një burrë i thyer në moshë, domosdo i veshur civil dhe që, me Hirisinë e Tij që mbaja mënd unë, kishte të përbashkët vetëm shikimin e ëmbël që kurrë nuk e kisha harruar! Ai domosdo nuk kishte se si të më mbante mënd. Drejtori na paraqiti dhe shtoi – … hajde Iriné se inxhinerin e ke djalë miku- Gëzohem tha Irinéu me atë buzëqeshjen e tij të ëmbël dhe heshti. U nisëm atëhere të shkojmë në zyrat e kantierit. Sapo dolëm, më thotë Imzot unë e dija që ti punon këtumore bir, se ma ka thënë Dhora e Çokave, po kurrë nuk do të ma kishte marrë mëndja se do të më caktonin të punoja me ty. Zoti është i madh e ka si duket edhe për mua. Po shyqyr që jemi në marrëdhënie zyrtare e kështu kemi mundësi të bëjmë muhabet pa rënë në sy. Kije parasysh se në sy të tjerëve do të të thërras – inxhenier Mërgimi – e kështu edhe ti e ke më kollaj të më ndihmosh në rënça ndonjëherë ngushtë. Por mos gabo edhe ti e më thirr Iriné e në asnjë mënyrë kështu siç po më drejtohesh tashti me – Hirësi harroje këtë titull. – Atëhere i thashë se unë kisha një jetë të tërë që e prisja rastint’a takoja dhe thuaj se e kisha humbur shpresën. Dhe i a kujtova bisedën me t’im atë të cilën e mbante mënd fare mirë, ndonëse e kishte harruar detajin se unë nuk kisha qëndruar t’a dëgjoja të gjithë zhvillimin e bisedës. Atëhere më tha – do të kemi rast të bisedojmë gjatë e gjerë për Imzot Nolin. –
E vërtet, aq sa e kisha ëndërruar t’a takoja qoftë edhe vetëm për pesë minuta Iriné Banushin e t’a pyesja lidhur me kureshtjen time që kishte ngelur e pashuar, pata rast të punoj gati një vit e gjysëm me të e kësisoj mësova nga ai shumë lidhur me Imzot Nolin e patjetër që edhe shumë e më shumë rreth problemesh karakteri shpirtëror dhe etik. Një ditë, tek po hanim drekë bashkë, më thotë: -Dëgjo Mërgim. Pikëpamja ime rreth Imzot Nolit ka ardhur duke ndryshuar aq shumë, në vite, sa që më vjen turp nga vetja se sa i cekët, i nxituar e ç’është edhe më e keqja, sa kategorik kam qenë. Megjithatë e falënderoj Zotin që, së paku dora dorës, më poqi dhe mendimet e mia tani janë shumë më objektive në saje të tolerancës që më mëkoi. E kështu biseda mori një rrjedhë të qetë ku më dukej se Imzot Irineu ishte njeriu i thjeshtë dhe unë meshtari të cilit ai po i rrëfehesh.. Me këtë rast Imzot Irineu më tregoi se si njëzet’e tre vite të shkuara, gjatë ati takimi me babanë tim Irinéu ishte treguar më i ashpër nga ç’duhej në gjykimin e Nolit. Së pari, për vetë faktin se si meshtár i dukej se duhej të ishte më tolerant. Kurse nga ana tjetër,… duke mos qenë yt atë i të nëjtit besim, më dukej se nuk duhej të lejoja që ai të mbronte shkelje të normave të besimit tonë. E me këtë rast kishin shkëmbyer mendime, të cilat nuk përputheshin, lidhur me faktin se përse Noli kishte zgjedhur pikërisht Katedralen Ruse të ShënKollit për t’u dorëzuar prift, ose si Noli ka mbajtur korrespondencë me komunistin Llazar Fundo, ose si Noli pranon e thotë se Mbreti Zog po deshi të punojë ndershmërisht dhe me njerëz bashkëpunëtorë të ndershëm e për hir të Shqipërisë, duheshin harruar të shkuarat, etj. etj. Dhe Imzot Irinéu vazhdoi : – Kalova humë vite vuajtjesh por njëkohësisht fitova edhe përvojë nga vetë jeta. Tashti vërtet e shoh se Imzot Noli ka bërë edhe gabime, se i gjallë dhe i gabueshëm ka qenë. Por tani, duke i drejtpeshuar rrethanat e njëkohësisht duke i shikuar me sy kritik edhe të gjitha gabimet e bëra si edhe të pabëra nga unë, (ku jo rrallë vetëm rastësia më ka ruajtur pa i bërë), e shoh se ndaj punës kolosale që ka bërë Imzot Noli gabimet e tija mund edhe të mos përfillen.
-Një ditë shkojmë me Irinéun në Kantierin e zhavorreve në Rrogozhinë, me që ai mbante llogarinë e transportit të zhavorrit në trasénë e hekurudhës që ndërtohej. Ishte tejet i mërzitur nga shpërdorimi që shihte si edhe nga pagesat fiktive që u jepeshin ekskavatoristëve si edhe shoferëve. Rrugës në kthim, i them : Ç’ke që të shoh kaq të mërzitur, Iriné? Kthehet e më thotë: – Nuk kam as hallin tim, as tëndin e as të gjithë atyre që nuk e duan komunizmin e sipasojë po i vuajnë pasojat. Por e kam hallin e masës së komunistëve injorantë si edhe të asaj pjese të popullit që akoma beson në ditën kur komunizmi do t’i bëjë të gjithë të barabartë dhe të mirëqenë. Ajo ditë nuk ka se si të vijë kurrë. Komunizmi është i mbështetur mbi themele të gabuara! Prona e ashtuquajtur e përbashkët është ajo që do t’a përmbysë komunizmin! Edhe predikimi i vënjes së interesit të përgjithshëm mbi atë vetjak nuk është gjë tjetër veçse mjet për të nxitur urrejtjen e të skamurve ndaj të kamurve, e të pazotëve ndaj të zotëve e kështu me radhë. Por kjo nuk vazhdon dot gjatë. Nuk e sheh se si secili në kantier mundohet si e si t’a zhvatë shtetin, pra vëndin e tij? Kështu ngjet në secilën ndërmarrje, ekonomi bujqësore, fabrikë a uzinë qoftë e kështu me radhë. Për historinë nuk janë asgjë dhjetë, pesëdhjetë apo njëqind vite. Një pikë ujë janë. Por e keqja e madhe qëndron në faktin e pasojave që do të lerë komunizmi kur të vijë dita që të shembet ! –
Me kaq po i mbyll këto pak kujtime për këtë njeri vërtet të shquar. E quaj veten fatlum që e njoha si edhe e konsideroj nder që e kam patur mik. Në të vërtetë për të do të kisha shumë se ç’të shkruaja, por do të dilja nga kuadri i një shkrimi gazete. Por nuk mund të le pa e përshkruar edhe një rrethanë të veçantë e cila mbresa të thella e të pashlyeshme ka lënë në ndërgjegjen time. Ishte viti1968. Një fjalim nga ata programatikët e diktatorit e acaroi tejet luftën e klasave. Me Imzot Irinéun filluam t’u shmangeshim takimeve jashtë pune. Më vjen një ditë në zyrë për një çeshtje pune.E pyes Thuamë Iriné. Po të mund të ktheheshe edhe një herë pesëdhjetë vite mbrapa, ç’rrugë do të kishe zgjedhur në jetë? Do të ishe bërë meshtár? Ai Iriné që aq i ëmbël ish e sytë e të cilit vetëm dashuri për bashkëfolësin tregonin, u ngurtësua. Sytë e tij të kaltërt u ftohën. Mbasi heshti disa çaste duke më shikuar në sy por pa më parë mua, sepse shikimii tij më depërtoi dhe kush e di se ku u preh, mu përgjigj: – Pa as më të voglën
mëdyshje, prap rrugën që kam zgjedhur do të kisha marrë së rishmi !-
Unë u preka shumë. U ngrita, i dhashë dorën dhe sinqerisht e përgëzova për stoicizmin e tij. Më përqafoi e të pushtuar, u përlotëm që të dy. Në atë çast hapet dera e zyrës dhe hyn Vasil Sylari, shefi i llogarisë, i cili kur na pa, jo vetëm që u prek shumë por nuk harroi të nxitonte e të thosh… e di që ju lidhin shumë kujtime dhe një miqësi e vjetër e trashëguar që nga gjyshi yt, inxhenier, por amani kujdes se edhe muret kanë veshë. Mbas një pushimi të shkurtër Irineu vazhdoi e më shpjegoi përse e kishte për nder rrugën kishtare që kishte zgjedhur. Ai kishte qenë mësues i gjuhës shqipe në Gjimnazin e Tiranës. Përkushtimin ndaj meshtarisë e kishte zbatuar vetëm e vetëm që t’u kundërvihej trysnive dhe intrigave që bënin sllavët ortodoksë nga veriu e gjithashtu edhe grekët ortodoksë nga jugu. Këta shtete kufitarë me ne, e përdornin fenë si mjet përçarjeje kombëtare. Vetë Irineun e fusnin në kategorinë e – shkjeve -, (pakicave ortodokse në Shkodër), të cilat i quanin pakica sllave (?). Në vazhdim të bisedës Irineu pohoi me mllef armiqtë tanë shekullorë sllavët e organizuan komunizmin në Shqipëri pikërisht për të na gëlltitur si komb. Stalini, ai dështak i Seminarit Ortodoks të Tiflisit, ai kriminel me damkë që nuk la bashkëluftëtar të tij pa pushkatuar, gjeti pasues besnik në dhunë edhe krime Enver Hoxhën në Shqipëri. E ky, për t’a nxitur përçarjen në popull se i shërbente qëllimeve të tija të luftës së klasave, bën hesap kë quajti kreun e Kishës Ortodokse ? Paisi Vodicën*, një injorant e të degjeneruar të ashtuquajtur prift ortodoks, i biri i të cilit ishte prokuror i përgjithshëm dhe zbatues besnik i rrugës së krimeve ndaj atdhetarëve të përkushtuar. Prandaj e kam për nder që iu kundërvura, me aq sa fuqi kisha, synimeve përçarëse dhe agresive ndaj vëndit tonë të fqinjëve tanë, armiqve tanë shekullorë ! –
-…Kështu erdhi edhe dita kur mbaruan punimet e hekurudhës dhe ndërmarrja u transferua në Elbasan. Iriné Banushin e emëruan në ndërmarrjen e ndërtimeve kurse mua në SMT. Duke mos punuar më së bashku si në një kohë, ku takimet tona justifikoheshin, domosdo edhe lidhjet tona u rralluan derisa një ditë edhe Hirësia e Tij, Imzot Iriné Banushi i mbylli ditët e tija tokësore. Por duke qenë se Ai bën pjesë në atë plejadë njerëzish shumë të nderuar e nga të cilët secili ka se ç’të mësojë, nuk ndjehesha i qetë derisa t’i shkruaja këto radhë të qëmtuara nga kujtimet e shumta që kam nga periudha që punuam së bashku.
Shënim: Këto kujtime ua kushtoj vëllezërve Sylari, të ndjerit Andrea, Vasilit si edhe së ndjerës mëmës së tyre, që aq shumë e deshën dhe iu gjëndën në Lushnje Imzot Iriné Banushit.
*Paisi Vodica, i ati i Josif Pashkos.




Komentet