Nga URIM ELEZI
Urim Elezi, lindur më 18.10.1941 në Floq të Korçës, hyn te të dënuarit dy herë nga regjimi komunist me shumë vite vuajtjeje. Ai u burgos më 26.10.1963 dhe doli që andej më 10.2.1989. hyri në 22 vjeç dhe doli 48 vjeç, madje i verbuar. Në moshën 18-vjeçare kreu shkollën e Instruksionit në Gjirokastër, ku gradohet nënoficer.
Në dënimin e parë ishte ushtar në Repartin Nr.9357 Gjirokastër. Herën e parë u akuzua në bazë të nenit 64, në kombinim me nenet 10 e 14 të Kodit Penal. Ishte me shërbim ushtarak, së bashku me shokun e tij Hekuran Shyti, në Gjirokastër.
Sipas gjykatës, i kish propozuar Hekuranit të arratiseshin sepse bëhej jetë e mirë në vendet kapitaliste e sidomos në SHBA. Hekurani lirohet më parë nga ushtria dhe gjatë kësaj kohe gjen personat e tjerë, me të cilët do kryenin arratisjen. Hekurani i nis një telegram Urimit në Gjirokastër, me kërkesën që të të niset se nëna ishte sëmurë.
Kësisoj Urimi bashkohet me shokët e tij, Hekuran Shyti, Durim Shyti dhe Robert Morava. Të pa orientuar mirë, të spiunuar nga një banori i zonës, ata u kapën nga forcat e kufirit në postën kufitare të Nikolicës në rrethin e Korçës. Gjykata Ushtarake Tiranë me vendimin nr.21, datë 27.2.1964, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 18 vjet heqje lirie, konfiskim të pasurisë, heqjen e të drejtës zgjedhore për 4 vjet dhe të gradës së rreshterit.
U la në fuqi me vendimin nr.23, datë 31.3.1964 të Kolegjit Ushtarak të Gjykatës së Lartë. Për herë të dytë u arrestua më 19.2.1980. U akuzua në bazë të nenit 55/1 të Kodit Penal me artikulime shumë rënduese. Dega e Punëve të Brendshme Fier, me shkresën nr.112, datë 15.1.1980, i kërkoi Drejtorisë së Hetuesisë miratimin e arrestimeve për tre shtetas, midis të cilët edhe i përmenduri Urim Elezi. Ishte marrë në përpunim aktiv më 17.5.1979 se zhvillonte propagandë në radhët e të dënuarve.
Raportonin për të “I penduari” dhe “Tekniku”. Për të thuhej të ishte shprehur: “Sigurimi i ka lyer duart me gjakun e këtij populli. Kanë bërë krimet më të shëmtuara që mund të ketë në histori, Sigurimi është sjellë me popullin dhe me njerëzit, më keq se ç’janë sjellë fashistët dhe nazistët..! Nuk ka më të poshtër se komunistët. Unë quaj komunistë të gjithë ata që kanë yllin në ballë si një domate, pavarësisht nëse besojnë mjekrën e Marksit apo mustaqet e Stalinit…! Krimet më monstruoze në Shqipëri, janë bërë në kohën kur kanë ardhur në fuqi komunistët! Jeta te ne është burg”.
Gjykata e Rrethit Fier e drejtuar nga Sokrat Dautaj, me pjesëmarrjen e prokurorit Kiço Koçi, me vendimin nr.94, datë 18.4.1980, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 10 vjet heqje lirie, si dhe heqjen e të drejtës zgjedhore për 5 vjet. I bindur në kotësinë e vendimeve komuniste, Urim Elezi nuk e ankimoi vendimin. Pasi i kishte dërguar një letër Enver Hoxhës, ku e cilësonte “përbindësh të pangjyrë, të sëmurë me mani persekutimi”, më 6.12.1981, u rrah nga policët e Burgut të Burrelit, deri sa u verbua. U lirua më 10.2.1989, nga Reparti nr.305 Përparim, i rrethit të Sarandës.
– “Unë nuk jam spiun. Nga e dini ju që unë jam spiun”?! – “Po ti po na provokon përditë o zagar i keq, që ne të të hyjmë në dru dhe pastaj ata padronët e tu, të na ngordhin në dru”. – “Jo, unë s’ju kam provokuar kurrë”! – “Ne të kemi parë që takohesh me Esatin. Ti sa herë kur takohesh me atë, vjen me vrap drejt nesh e na shikon vetëm ne të dyve në sy”.
– “Mbylle gojën se do të futemi e do të të bëjmë të vdekur”. Në këtë kohë pasi e ka dëgjuar bisedën pas derës, xhahil Nikolla-polic, hap derën dhe i thotë Ademit: – “Hajde jashtë ti Adem, bashkë me Ruzhdiun në birucë”! – “Nuk vij, përse të vij”! – “Nuk vjen the”?! – “Jo, përse të vij”?
Mbyll derën Nikolla. (Ora më mbeti në kujtesë, madje dhe ditën e dija deri para pak kohësh: ora 16.00, nëntor, viti 1968.) Në orën 1900 u bë apeli si gjithmonë, ndërsa në orën 20.00, vijnë dy policë, Asllan Uka dhe Ahmet Palamani.
– “Adem Allçi, Ruzhdi Kraja” – përjashta!
– “Përse të vijmë”?! – i thotë Ademi.
– “Atë e dimë ne, s’të japim llogari ty” – ia kthen Asllani. Me inat, duke parë reagimin e tyre dhe të rreth 35-40 vetave që ndodheshin në dhomë, policët mbyllin derën e dhomës nr. 8, Burrel. Që të gjithë ishin në ankth, sepse e dinin mirë se çdo të ndodhte. Pa kaluar gjysëm ore, korridori ofshëtinte nga bisedat që xhahilët bënin me njëri-tjetrin. Hapet dera përsëri dhe hyn komandati i burgut Nazar Demiraj.
– “Të gjithë përjashta”, – na thotë. Dolëm të gjithë ne edhe Ruzhdiu, vetëm Adem Allçi nuk doli. Sa dolëm përjashta, dëgjojmë britma të tmerrshme, ulërima të mëdha që dilni nga Ademi. Nuk e di ç’tortura i bënë dhe me çfarë i binin, po thirrjet e Ademit qenë therje, s’i kam dëgjuar nga asnjë bashkëvuajtës më parë. I binin me dru, hekura e lloj lloj formash të tjera, me pak fjalë gjithë format e torturës që të rinjtë i shikojnë në filmat e sotëm…!
Heqin Ademin i cili qe bërë lakër fare e vijnë marrin Ruzhdiun. E futin në birucë dhe i bëjnë të 99-tat. Nuk di nga t’ia nis për torturat: dru në gjithë trupin, përplasje pas muri, thyerje kockash, dhëmbësh e shumë të tjera, aq sa Ruzhdiu nuk dallohej fare…! Nuk kishin kaluar as pesë minuta, kur hapet dera ngjitur e dhomës nr. 9, ku kam qenë dhe vetë. Aty gjendej vëllai i Ademit, Elez Allçit.
– “Elez Allçi, përjashta” , – i thotë Nazar Demiraj.
– “S’kam ba gja! Ç’keni me mu”, – ia kthen Elezi.
– “Do dalësh apo jo”?! Sa del në korridor Elezi,i hidhen mbi trup një mori policësh dhe e tërheqin zvarrë.
Pas kësaj, komandanti i burgut, Nazar Demiraj, 63 vjet burrë, flitej që kishte dalë në pension dhe aty gjendej me dëshirën e tij, – thërret emrin tim, Urim Elezi! Sa dola në korridor, sesa oficerë të Degës m’u hodhën sipër, se di, madje as çfarë goditje më dhanë. Punë minutash, përmendem dhe shikoj veten në birucë. Dera e birucës qe e hapur. Aty shoh një spurdhjak, që i fliste një trup madhi, të dy këta ushtarë:
– “Po ti, pse nuk e godite fort Ademin, siç e godite këtë, apo atë e ke tropojan”?! – “Jo more, çfarë thua, shiko si jam unë i lyer në gjak nga Ademi”. – “Mirë, mirë pa ta rregulloj unë në mbledhjen e rinisë”. Mbas disa ditësh në birucë, plus të tjerëve qenë futur nëpër biruca: Kujtim Luzaj, Lek Beja, Enver Shaqiri etj., plot tridhjetë ditë. (Mua më morën, për arsye se e ndava Elezin, para disa muajsh, kur ai gjatë ajrosjes godet provokatorin e të vëllait dhe Ruzhdiut).
Të gjithë bëmë tridhjetë e dy ditë në qeli, ndërsa Ademin dhe Ruzhdiun edhe pse ishin më të rraskapiturit, i torturuan përsëri në mënyrën më të llahtarshme, më shumë se të gjithë ne. Puna arriti deri aty, saqë që të dy të lidhur këmbë e duar me zinxhirë, Ademi godet kryetarin e Degës, Flamur Sinoimerin, nga torturat dhe dhimbjet. Në këtë moment Kamber Ligeshari, palo infermier, i thotë: – “O shoku kryetar, t’i fut ampulë si Avdyl Krujës, se ndryshe nuk ngordh ky m… kurrë”.
– “Jo bre shoku Kamber, se na hapet punë. (Avdyl Kruja, i cili në kohën e Mbretit Zog ka qenë Prefekt në Shkodër… mësova se ishte i ati i Petrit Krujës, shoku i ngushtë i Ruzhdi Krajës dhe shoku im).
Tortura – WC
Në një rast, kur dalim në ajrosje shoh në karrige ulur, aty në dera e hekurt, para se të zbrisje shkallët, operativ- kriminel Esatin. – “Urim Elezi, ndalu çik ti! – Çfarë ke shkruar në këtë letër”? (Kishim të drejtë që të dërgonim një letër në muaj, letra të ishte një faqe dhe fjalët të ishin të qarta, jo të dyshimta dhe me dy kuptime, si p.sh: të bëje kërkesë për ushqime, por jo të vije në dyshim se aty vuaje urie). – “Vëlla, po munde më dërgo një bukë, prije riska-riska, thaji mirë dhe m’i dërgo, 4-5 kg.”!- kaq i kam thënë. – “Çdo të thuash me këtë ti?! Që vuan nga uria”?!
– “Po ç’hyn uria këtu? Unë e kam zënë gjë në letër se kam uri apo po vdes urie”?! Urdhëron dy policët që të më fusin në birucë. Prapë tridhjetë ditë birucë. Gjatë këtyre ditëve, kur na nxirrnin në banjë, na nxirrnin vetëm tre herë në 9 orë. E kur hynim në banjë, sa uleshim për të kryer nevojat, direkt na çonin. Kujtoj këtu Ramadan Kurtin, egjiptian, i cili qe shumë burracak e provokator. Në një situatë, atakohemi keq me të. Ai i bie telefonit, vijnë 5-6 policë, që më sulen. Kur përmendem shikoj që isha i lidhur këmbë e dorë në banjë, me kokën brenda në WC dhe me fytyrë të lyer me m…!
Torturë e tmerrshme ishin dhe dy qypat që kishim në dhomë ku kryenim nevojat personale, një qyp për ujin e hollë e një për ujin e trashë, që nuk ishin më tepër se 2 -3 litra, pra qenë kot dhe shpeshherë sipas radhës çdo i burgosur “dilte jashtë” e mblidhte me dorë, e hidhte në qyp dhe e çon në tre vrimkat e WC-së. Si mund të dilnin gjatë 50-60 minuta ajrosje, 150-160 veta?! Qypat u hoqën në vitin 1971 dhe i hoqi ish-komandat Hajri Leskaj nga Vlora, me shumë mundim.
Tortura e dollapit
Gjatë hetuesisë, kujtoj me shumë tmerr dollapin në kat të parë, pranë arkës ku linin plehrat të burgosurit. Më torturonin, për të nxjerrë që për t’u arratisur, u kisha thënë e dy vëllezërve të mi të tjerë, Bilbilit dhe Festimit. Hekurani, vëllai im, shoku im edhe pse ishte torturuar në mënyrë çnjerëzore, nuk kishte treguar që kishte folur me Bilbilin para arratisjes. Ata duke ditur relatat e mia me dy vëllezërit, kërkonin t’i fusnin dhe ata në valle. Më godasin për një kohë të gjatë, në çdo pjesë të trupit, ndërkohë që “i madhi” priste të pohoja me gojën time që u kisha thënë edhe vëllezërve të mi.
Të gjitha këto, bëheshin për të shtuar dozën e kënaqësisë së arrestimeve. Pasi panë që me tortura nuk nxorën gjë, më marrin dy veta e më lidhin këmbët dhe duart me zinxhirë. S’po kuptoja ç’po ndodhte. Dalim nga dera dhe më futin në dollapin, i cili kishte përmasa të tilla, sa unë rrija i palosur. Koka më zinte barkun dhe këmbët zinin derën.
Plot gjashtë orë më lenë aty…! Siç duket, këtë torturë e kishin menduar më parë! E mora vesh që aty kisha qëndruar gjashtë orë, kur dëgjoja që xhahilët Petro Tasellari dhe Ago Sina, folën me njëri-tjetrin: – “si mo, ‘ariu i Bozdovecit’ rezistoi gjashtë) orë pa i rënë të fikët…”?!
Tortura e radhës
Pas thyerjes së burgut në gusht të ’67-ës nga Adem Allçi, Dhori Gërnjoti dhe Sazan Hadëri, unë bashkë me disa shokë, si Elez Allçi, Enver Shaqiri, Lek Beja dhe Kujtim Luzajn, na futin në birucë dhe na nxjerrin në 2 janar të ‘68-ës. Bëmë gjithsej birucë, plot 1 muaj e 7 ditë. Ishte dita kur kishte shërbimin Qemal Laze.
Hapi sportelin e më shikon mua në këmishë dhe në mbathje e më fyen nga familja. – “Gjynah të jesh ti pjesë e një familje veterane dhe komunisti”! – më thotë. – “Çfarë flet ti mo? Ke pirë? Babai im nuk qe komunist, por bektashi”, – ia kthej unë. – “Unë jam i biri i babait, jo i biri i vëllait” – i them. – – “Pse, si janë komunistët”? – “Përse më pyet ti për një gjë që e di”?! – ja ktheva unë me një zemëratë të brendshme.
Debatojmë keq me njëri-tjetrin dhe në këtë moment vjen polici tjetër, Shaban Selami nga Burreli. Deshën të më lidhnin me zinxhirë, këmbë e duar. E nëse të lidhin me zinxhirë këmbë e duar, ishte e sigurt që një javë do të rrije ashtu, ndaj unë nuk pranova të lidhesha. Njëri prej tyre, raporton me telefon në zyrën e firaunit. Prej andej sjellin në birucë një mori policësh si ata të Degës dhe të Burrelit. Më përlanë si “ujqërit dhinë”. Kur përmendem, shoh veten të lidhur këmbë e duar, në ganxhën që ndodhej në mur.
Qemal Laze e Shaban Selami, herë më vinin më ofendonin dhe herë më godisnin me shkelma në bark e në kokë. Shaban Selami qe polic tejet ordiner. Ai pasi më fyeu disa herë, më vë një dru në gojë dhe ma lidh me lidhësen e këpucëve të tij. Druri më theu protezën e dhëmbëve, që ashtu të thyera i mbaja bashkë me drurin në gojë.
Në repartin Nr.303 Spaç, në vitet 1969-1970
Në Spaç qëndrova në periudhën; 26 tetor 1969 – prill 1970. Doja të hidhesha në humnerë, duke marrë me vete një polic…! (kështu do të bënin edhe Kadri Thaçi nga Kukësi, Xhemal Spata nga Dibra dhe Çaush Çoku nga Lushnja).
Po ta dija se 17 vitet e para të burgut, do i kaloja vetëm me shpresë dhe vuajtje, do t’ju thoja me ngashërim bashkëvuajtësve të mi dhe trashëgimtarëve të tyre, se euforia për liri e një 19 vjeçari, në fund të 16 viteve të burgut, do shndërrohej në dëshirën më të madhe, për të cilën gjaku ishte harxhuar, për “Demokraci”.
Është kaq e vështirë për mua të dashur lexues, që të mbaj mend në këtë moshë që jam dhe me shëndetin tim, çfarë më kanë bërë e çfarë ka hequr shpirti im dhe i bashkëvuajtësve të mi. Edhe nëse ju tregoj çdo torturë, më besoni që i kam aq të thella plagët saqë, më duket sikur ende më dhemb trupi dhe më thërret mendja.
Ju bashkëvuajtës të mi dhe të gjithë ju trashëgimtarë dhe lexues të nderuar, i dini fort mirë torturat e një sistemi diktatorial, sepse keni të dashurit tuaj me plot plagë shpirtërore dhe fizike. E këto plagët tona edhe juve ju kanë shkaktuar plagë. Aq sa kam mundur të tregoj ma bëni hallall. Kaq kujtoj e kaq mundem.
“Shtatëmbëdhjetë vitet e burgut komunist i përngjajnë ferrit që ju shikoni në ato filma fantashkencë që besoni se janë jo realë”, – ne i kemi hequr vërtetë. Më besoni!
– GODITJE ME SHKELMA E GRUSHTE
– PËRPLASJE TË KOKËS E GJITHË TRUPIT NË MURE
– THYERJE DHËMBËSH, GISHTASH, BRINJË E SHTYLLË KURRIZORE
– SHKULJE VESHËSH
– DUAR DHE KËMBË TË LIDHURA ME ZINXHIRË
– QËNDRIME ME DITË NË BIRUCA TË MBUSHURA ME UJË
– PROVOKIME
– PRIVIM USHQIMESH DHE AJROSJEJE E SHUMË TORTURA TË TJERA TË LIDHUR ME PISLLËQE…!
Më e tmerrshmja torturë ishte kur “ata të Partisë, ndërkohë që burrat / baballarët apo vëllezërit vuanin dënimin në burg, shkonin nëpër shtëpitë e të burgosurve dhe bënin skena imorale me femrat e shtëpisë. Nevzat Haznedari ishte një prej atyre që kishte shkuar në shtëpinë e një prej të burgosurve, kishte realizuar aty një akt imoral me gruan e të burgosurit dhe këtë ja kishte treguar më pas të burgosurit, i cili që në takimin e parë që pati me gruan, u nda…!
Dita e lirisë, që më çoi në burg
Edhe pse isha dënuar 20 vite burg, sistemi diktatorial komunist qe aq gënjeshtar, saqë dhe në vendimet e veta, bënte tjetër gjë! Ashtu siç potencova dhe më parë, nga listat që nxirrnin për lirim, vjen dita e madhe kur shoh emrin tim, Urim Elezi dhe ditën e lirimit. Sa më afër vinin ato ditë, aq më shumë ndjeja erën e lirisë, por nga ana tjetër isha më tepër se i sigurt që nuk do ja hidhja aq paq. E them këtë, sepse ashtu siç kishin bërë me të tjerët para meje në prag të lirimit, ashtu bënë edhe me mua.
Ato ditët e fundit, që mendoheshin të ishin të fundit për mua në burg e që në fakt nuk ishin, “bijtë e Nënës Parti”, nuk kishte ditë që kalonte që emrin tim mos e futnin për të njollosur emrin e shokëve të mi të burgut, qoftë për t’u dalë dëshmitarë në gjyq, qoftë për t’u bërë ndonjë nga ato të tyret. E dija që do ta paguaja dhe fati im qe që të zgjidhja çmimin më të lartë, sepse nuk merrja dot frymë në liri, nëse shokët e mi do vuanin brenda në burg nga liria ime. / Memorie.al










Komentet