Shtetet e Bashkuara po shënojnë sot 15-vjetorin e sulmeve terroriste të 11 shtatorit, kur terroristë të Al Kaidës rrëmbyen avionët e pasagjerëve dhe i përplasën ata tek ndërtesta e Qendrës Botërore të Tregtisënë Nju Jork dhe më pas në Pentagon, pranë Uashingtonit. Një tjetër avion i rrëmbyer u rrëzua në Pensilvani.
Në kujtim të kësaj dite dhe në respekt të viktimave, në Shtëpinë e Bardhë u mbajt një ceremoni solemne me pjesëmarrjen e Presidentit Barack Obama, ku u mbajt një minutë heshtje në orën 8:46 të mëngjesit të së dielës, pikërisht në orën kur avioni i parë u përlas tek Qendra Botërore e Tregtisë. Më vonë Presidenti do të flasë në një ceremoni që mbahet në Pentagon, për të nderuar kujtimin e atë vrarëve atë ditë.
Viktimat e Qendrës Botërore të Tregtisë në Nju Jork u kujtuan në një ceremoni tek vendi që njihet si “Niveli Zero”, ku morën pjesë edhe kandidatët presidencialë Hillary Clinton dhe Donald Trump, të cilët të dielën i ndaluan veprimtaritë e fushatës.
Në ceremoni u lexuan nga familjarët e viktimave, në një atmosferë solemne, emrat e 2,983 personave të vrarë atë ditë të tmerrshme.
Po në Nju Jork, pas perëndimit të Diellit, do të projektohen në qiell dy rreze drite gjigande, në kujtim të dy kullave binjake të Qendrës Botërore të Tregtisë, që u rrëzuan ditën e 11 shtatorit 2001.
“15 vjet më parë, një ditë shtatori e cila filloi si çdo ditë tjetër, u bë një nga ditët më të errëta në historinë e vendit tonë”, – tha Presidenti Obama në fjalimin e tij të përjavshëm.
Presidenti tha se rreth “3,000 jetë të pafajshme humbën në atë ditë shtatori. Ata ishin të profesioneve të ndryshme, u përkisnin racave dhe besimeve të ndryshme fetare, nga e gjithë Amerika dhe nga vende të tjera të botës.” Ishte sulmi më i rëndë në truallin amerikan, që pas bombardimit më 1941, gjatë Luftës së Dytë Botërore në Pearl Harbor.
19 rrëmbyesit e avionëve, 15 prej tyre nga Arabia Saudite, u vranë në sulmet e 11 shtatorit, si përgjigje ndaj të cilave Shtetet e Bashkuara filluan luftën në Afganistan, ku ishin stërvitur nga Al Kaida rrëmbyesit e avionëve dhe në Irak. Në të dyja këto vende ende ka mijëra trupa amerikane, edhe pse operacionet në shkallë të gjerë atje kanë përfunduar.
Presidenti Obama tha se në këta 15 vjet kanë ndryshuar shumë gjëra “por e rëndësishme është të kujtojmë se çfarë kanë mbetur të pandryshuara janë vlerat thelbësore që na përcaktojnë se si amerikanë. Aftësia ripërtëritëse që na fuqizon… terorristët nuk kanë për të qenë kurrë të aftë t’i mundin Shtetet e Bashkuara,”- tha Presidenti.
Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry shkruante të dielën në Twitter, se “Më 11 shtator, ne kujtojmë njerëzit që humbëm atë ditë dhe ata që u përpoqëm t’i shpëtojnë. Ne i nderojmë ata duke i vazhduar përpjekjet tona për vendosjen e paqes, sigurisë dhe drejtësisë në mbarë botën.” za
Komentet