Ajo ndodhet aty, përballë detit, mes pishave të mbetura të Shëngjinit, dominuese nga arkitektura, por edhe nga pozicioni i saj i ndërtimit, me dyer dhe dritare prej xhami dhe ballkone nga të cilat në çdo kohë dhe moment mund të rrokësh pamje të mrekullueshme të pejsazhit mahnitës, që shtrihet aq joshës përpara teje. Me një oxhak të madh dhe tavolinë të gurtë në oborrin e përparmë, me stola të shumtë për musafirë dhe vizitorë, të cilët nuk mungojnë kurrë, anipse tash një vit mungon e zonja e shtëpisë.
Por në tavolinën e punës, në studion ku tash kalon pjesën më të madhe të kohës Zeqir Lushaj, fotoja e saj, e Sabrie Lushajt të bie menjëherë në sy, buzëqeshja e saj e çiltër ta largon çuditshëm idenë e largimit të saj të parakohshëm nga jeta…
Përballë, një faqe muri biblioteka dhe bash në zemër të saj dera e kullës së vjetër të Sadik Selmanit, burrit që mbeti në kujtesën e njerëzve në Malsinë e Gjakovës për të folmen konvencionale, ku fjala e matur dhe pesha e saj e bënin të zinte menjëherë vend në soba burrash dikur…
Zeqirin e gjen në hyrje të shtëpisë-kullë, ku elementët tradicionalë dhe gjelbërimi të kujtojnë vazhdimisht vendlindjen e tij Grinë dhe bjeshkët, vazhdimisht fryn një puhizë e ftohtë prej veriu, bile edhe silueta e gurtë e ariut, me gojën e hapur përgjysmë në ulërimën e tij, të sjell ndërmend një pragmuzgu të dimrit në alpe…
Ja lexoj gjurmën njëvjeçare të pikëllimit të humbjes së bashkëshortes dhe shoqes së paharruar të jetës, në ballin e rrudhur dhe brazdat e thelluara të thinjave, vetmia si shkrumb ja ka nxirë sadopak sytë dhe duart lëvizin ndonjëherë nervoze, ndërsa përpiqet në mënyrë të sinqertë të deklarojë qëndresën ndaj dhimbjes dhe mungesës së saj, por pa e fshehur ndikimin e dukshëm të tyre në jetën e tij në vazhdim.
Ka pritur të birin e tij Lulin, me fëmijët nga Zvicra, motrat, shokët dhe miqtë që nuk e harrojnë asnjeherë dhe pasi ata ikin,netët i kalon në hapësirën kumbuese të shtëpisë, duke dëgjuar simfoninë e valëve të detit, lojën e magjishme të erës ndër halorët e butë rreth shtëpisë dhe duke shkruar. Sapo ka përfunduar serinë e re prej shtatë librash, kujtime, poezi dhe studime rreth traditave atdhetare dhe patriotike, tregime nga jeta e tij si gazetar, por edhe si emigrant në Amerikë, ku punoi gati njëzet vjet me të shoqën, me ëndrrën që ndërtojë pjesën e jetës si pensionistë, pikërisht në bregdet, në Shëngjin, në kodrën ku bashkohet aroma e detit dhe fryma e veriut që ndihet brenda dhe jashtë shtëpisë si kujtim i paharruar i vendlindjes dhe të parëve…
Derën e madhe të shtëpisë e hap vetë, duke ngritur lehtë një shtupë dekorative druri, ajo nuk ka çelës, kurrë nuk ka pasur. Edhe Shari, qeni i shtëpisë leh sapo të sheh, por pasi ndjen thirrjen e të zotit të avitet pranë me dashamirësi, si të të kishte njohur prej kohësh. Përqafohemi, ulemi në tavolinën e hyrjes, kthejmë nga një gotë raki shtëpie, nga gëzimi i ritakimit, por edhe si kujtim i atyre që tashmë mungojnë dhe në bisedë e sipër dy element mbizotërojnë në dialogun tonë, fati si dimension i çuditshëm në jetët tona dhe trashëgimia e etërve tanë në formimin , prirjet dhe sjelljet tona jetësore.
Pastaj natyrshëm vjen në bisedë botimi i librit për shoqen e tij Sabrien, me përshtypje dhe mbresa nga njerëzit e shumtë, të cilët e njohën, e adhuruan për qasjen e saj të mrekullueshme ndaj jetës, raportit me bashkëshortin e saj krijues dhe zakonet e tij, mikpritjen e paharruar ndaj dhjetra shokëve dhe miqve të tij, që e kthyen këtë shtëpi në një oaz të dashur të miqësisë dhe respektit të njerëzve të fjalës së shkruar nga Tropoja, Kosova, Amerika, Lezha, Mirëdita, Shkodra…
Libri për Sabrien është përgatitur nga Dr. Domenika Gjekmarkaj(Kapllani) dhe hapet me një fjali që lexuesin e orienton që në fillim për brendësinë dhe ndjesitë që e presin gjatë leximit të tij:
“ Ju që po këndoni këtë libër, po lexoni për një njeri të thjeshtë, ama për një njeri, për një qytetare fisnike shqiptaro-amerikane, për malësoren fisnike tropojane, Sabrie Lushaj. Sot dhe pas sodit, Sabrien do ta kemi përherë mes nesh, si një varg dashurie, ashtu siç pohonte Dritëroi i madh:”Në raft të librave do të më gjesh…”
Libri i botuar përveçse ka ndezur sërish llambën e pashuar të kujtimit për Sabrien, ka mbledhur në një mirënjohje gjigande copëza nga përjetimet e përbashkëta të Zeqirit, fëmijëve dhe rrethit të gjërë shoqëror, njëkohësisht e ka sjellë edhe më pranë thjeshtësinë e saj të madhështisë njerëzore, të familjes fisnike Lushaj, e cila kundrejt individualizmit të tejskajshëm si dukuri e kohës tonë dhe egoizmit vrastar, ka mundur të krijojë një model qytetarie dhe kulture sesi duhet të përballesh sot me këto sjellje që e ftohin pafund ndjesinë e bashkëpunimit, partneritetit dhe dëmtojnë lidhjet tona mes viseve shqiptare dhe traditave dhe dokeve më të mira të kohrave.
Ku më e rëndësishmja më shumë është mikpritja, e cila nuk mund të zhvlerësohet në asnjë kohë, pavarësisht formës dhe terrenit ku jetohet, një vlerë e jona shekullore, e cila arriti të mbetet si një ikonë e jona e identitetit shqiptar, ashtu si bashkëjetesa fetare dhe respekti ndaj besimit të tjetrit.
Pikërisht këtë ndjesi kam gjithmonë sapo përshkruaj oborrin e kësaj shtëpie, sapo përqafoj mikun tim të shtrenjtë Zeqir Lushaj apo respektoj kujtimin e zonjës Lushaj si dhe shfletoj librat e rinj në raftet e bibliotekës, librat që natyrshëm mbushin sadopak mungesën e saj dhe thyejnë vetminë e tij, në këtë ngrehinë të madhe e cila kumbon prej mirësisë, nuk mbyllet kurrë me çelës dhe prêt gjithmonë miq…
Shëngjin, 19 gusht 2021




Megjithese me vonese, por te falenderoj miku im Lulzim Logu per kete publikim nga vizita tek une ne Shengjin si dhe per krejt qendrimin tuaj familjarisht, afer meje, sidomos ne kete vit disi te veshtire per mua, pa shoqen e jetes, pa Sabrien.
Vec per te mira e gezime ua kthefshim.
Respekt, per Ju dhe Miqte tane te perbashket, Bucpapajt e VOAL.Ch