VOAL

VOAL

SHOQËRIA SHQIPTARE NË VORBULLËN E PROBLEMEVE DHE DILEMAVE SOCIALE – nga Fran Gjoka

September 30, 2019

Komentet

Kalendari që e shkruan “Loteu i stinëve” nga Maestro Aleksandër Peçi Nga Blerina Shalari

 

Më ndodhi rastësisht të zbuloja një vepër të para do kohëve të shkruar nga kompozitori Aleksandër Peçi. Më grishi ta njihja pasi shkrova një melodramë dhe kur vetë kompozitori më tha se kishte përfshirë në vepër edhe aktor atëherë këmbëngula të ma tregonte. Kam vetëm një ditë që e kam dëgjuar, dhe them me vehte se duhet ridëgjuar sërish e sërish, sepse vepër konsiderohet një ekzemplar artistik që të shtyn ta rieksplorosh dhe që të sfidon me pakapshmërinë e tingullit, të dizonancës, të konsonancës së beftë, oi-rave të legjendës apo shkulmit të teksteve të Homerit.

“Loteu i stinëve” qysh në titull zbërthen një kalendar jetësor, një kalendar që edhe ka, edhe s’ka lidhje me Shën Gregorin. S’do mend, një autor i rëndësishëm shqiptar duhet patjetër të na zbërthejë përmes simbolesh artistike kalendarin siç e predikon arti, dhe jo siç e gjejmë në histori. Në veprën e Peçit, unë vetë si krijuese jam përballur gjithmonë me një kërkesë të madhe dhe me një etje për novaçion, një nga vlerat e posaçme të këtij kompozitori. Pretendimin novator ai e ka shfaqur edhe tek Loteu. Risia e parë që më ndërmendet është ilustrimi i muzikës me tekst, dhe jo e kundërta. Kjo provon atë aksiomë se arti është vetë një klishe që duhet ta thyejë vetëvehten, thënë kjo në kuptimin që ne jemi mësuar si dëgjues se është muzika ajo që ilustron tekstin. Në këtë rast, jo. Teksti davaritet tek tingujt duke i tërhequr nga vehtja, e muzika e fiton këtë duel me forcën më ndjesore të tingullit. Merita e autorit qëndron në faktin se teknologjia është bërë “skllave” e artit të shkruar me penë, dhe këtu duhet të synojnë gjithë kompozitorët dhe krijuesit.

Loteu, një subjekt që davarit stinët kohore, në fakt i jep vlera stinëve jetësore, njerëzore. Pranvera, bukuritë e saj, hiret e saj si të një gruaje, pastaj dimri homerik, pastaj ferr dantesk, pastaj shi gjaku, pastaj fllad që përzë ngricën, këto të gjitha i gjeje në veprën e Peçit, sidomos në libretin e saj. Mpleksja e impresionit, ekspresionit, pasionit, klasikes, romantikes e modernes, e bëjnë Loteun një vepër udhërrëfyese duke iu treguar krijuesve të muzikës se ku duhet të kalojë udha e artit. Një soprano dhe një aktor, dy solistët e veprës u ndërthurën brenda saj përmes kantilenës, të mbështjellë me recitimin e teatrit, dhe jo me atë të operas recitando, risi në vepër.

Gjithashtu ndërrimi i aktorëve nga studioja me Bujar Asqeriun i cili e ka shënuar personazhin e tij, tek kalimi në skenë me Dritan Boriçin, i cili dihet se si e shndërron skenën, e bën veprën, pse jo, të rikrijohet përmes variantesh interpretimi.

Variantin skenik po pres ta dëgjoj së shpejti, e bindur se do të ketë shpalosur një sfidë.

Po ashtu përfshirja e vargjeve të poetëve të njohur si Dritëro Agolli jep një pamje të piktoreskut të dhimbshëm se këtë imazh na fal vdekja e një pulëbardhe, që sinjifikon në fakt flakjen e robërisë, se… Më mirë vdekje në liri. Dhe kështu vepra “Loteu i stinëve” e Aleksandër Peçit këtë teoremë e ka në ashtin e vetë.

 

Muzika e loteut më sjell ndërmend shumëç’ka nga krijimet e këtij kompozitori. Diku ndjej stilin e romancës, diku kabaizmin aq të pëlqyer prej tij, diku ndjej një mister që më kujton “Enigmat”, por sapo mashtrohem bukur prej tyre, më zbret menjëherë në tokë kabaja që shfaqet herë me klarinetë, e herë me violinë.

Muzika e Loteut në tërësi më kujton edhe këngët e Peçit, edhe muzikën e filmit, edhe krijime të tjera. Sigurisht që autori revokon stilin e tij në çdo vepër, bëhet nostalgjik për bulëza, motive, pasione të ngrira përkohësisht, të cilat mezi pret t’i shfaqë diku. Kështu ka ndodhur me veprën “Loteu”, e cila për mendimin tim është një krijim nga më cilësorët e autorit dhe jo vetëm.

Mendoj se edhe artistët interpretë janë të sfiduar prej veprës pasi interpretimi në skenë i saj kërkon të ngrihesh në lartësinë e krijuesit. Aktori – sopranoja duhet të jenë njohur paraprakisht me artin futurist në mënyrë që të mund të futen në gjakun e veprës, e ta shpërndajnë bukur tek publiku purpurin e saj ndjellës. Një punë e madhe është bërë për ta shkruar veprën, në të vërtetë shenjimi i një vepre.

Po cilësoj këtu se ndoshta autori duhet t’i fshihte nën simbol elementët e kabasë dhe jo t’i citonte ato natyralisht, kjo për ta ruajtur pamjen tingëllimore thellësisht simboliste të veprës së tij. Theksoj këtu se krijuesi nuk gjykohet, pasi asosacionet janë diçka përtej ndërgjegjes dhe shpirtit të autorit, megjithatë kritiku duhet ta racionalizojë mendimin. Momenti më i bukur i veprës është ai kur shkrihen në një vals ekstaze të përmbajtur aktori, sopranoja, pianoja, flauti e fizarmonika. Gjithashtu dyfishimi i timbrit të pianos me harpën janë një gjetje autoriale.

Harmonia e Loteut endet mes tonalitetit, modalitetit, toneve të jugut, e grigjës klasike e romantike, të gjitha nën peshën e krijuesit. Efektet zanore si era, bulkthi, efektet elektronike janë përdorur nën diktatin e ndjeshmërisë dhe jo të etjes për imazh kozmetik ndaj veprës.

Mbase duhej justifikuar pak më tepër dizonanca.

Megjithatë, rregulli i vetëm që ka zbatuar autori tek “Loteu” ka qenë mos-kompromisi ndaj së bukurës, pra është treguar kujdes në ruajtjen e estetikës, themelore në veprën e artit.

Sopranoja Mariana Leka e personifikon me klasikun e zërit të saj, një farë pranvere simbolike. Po kështu aktori Bujar Asqeriu e kërkon me emocion “Homerin”, i cili herë del e herë fshihet në vepër duke ia lënë ndonjëherë vendin edhe Dritëroit, si për t’iu thënë shqiptarëve se edhe ne kemi homërët tanë.

Nuk di për ç’arsye e ka përfshirë kompozitori o-inë e famshme labe brenda veprës, apo cyrlen dyjare, apo gërrnetën e jugut.

Ndoshta ka dashur të thotë se fillimi i “Loteut”, kalendarit të stinëve, është Pellazgjia, e posaçërisht Dodona. Shpirtërisht i them kujtdo që e lexon këtë shkrim, se duhet ta dëgjojë patjetër “Loteun e stinëve” të Aleksandër Peçit, dhe pastaj do të ketë mundësinë ta provojë vetë, se kompozitorët shqiptarë nuk janë aspak krijues të një vendi të vogël, por përkundrazi, janë:

….”Një tast, në pianon universale të muzikës!

 

Blerina Shalari!

17.6.2024.@

 

 

 

MIK Festival, edicioni i 7-të në Korçë nën patronazhin e sopranos me famë botërore Inva Mula

Prej 11-14 Korrik do të nisë edicioni i shtatë i MIK Festival, një eveniment kulturor nën patronazhin e sopranos me famë botërore Inva Mula, i cili e kthen Korçën në një nga destinacionet më të rëndësishme kulturore.

Në vigjilje të tij, Inva Mula ka ftuar përmes rrjeteve sociale  të gjithë artdashësit të vizitojnë Korçën e të ndjekin koncertet prej 11 deri më 14 korrik.

Ajo tregon se ceremonia e hapjes në Teatrin ANDON ZAKO ÇAJUPI do të startojë me një udhëtim artistik me pianinistin dhe muzikologun Red Radoja që vjen nga Franca për të treguar ndikimet e impresionizmit francez në veprimtarinë artistike korçare në vitet 1920-30. Dhe mbrëmja koncertore do të vazhdojë në Hanin e Pazarit me një koncert nga Trio nga Maqedonia e Veriut, me një koncert që do t’i suprezojë të pranishmit”, vazhdon Artistja e madhe dhe “surprizat do të shoqërojnë të katër ditët e MIK Festival.”

Voal.ch po e sjell programin e MIK festival dhe prezantimin që bën Artistja në rrjetin social.

 

 

 

 

10 SHQIPONJAT E TËRBAÇIT PASKAN LINDUR DITËN E SAKRIFICËS DHE DINJITETIT- Nga Albert HABAZAJ

 

“Kush kërkon dekorata, nuk i meriton; kush i meriton nuk ka nevojë për dekorata”
Balzak

Fjalëz si historik

Kënga dhe vallja grarishte e Tërbaçit, krahas këngës pleqërishte, këngës e valles së burrave, si dhe këngës së djemve të fshatit është pasuri e shpirtit popullor për kulturën jomateriale të Tërbaçit, patjetër dhe për kulturën materiale në rrafshin etnografik. Sipas meje, është një emancipim me vlera dhe i merituar për këngën dhe vallen labe. Grupi i vajzave të Tërbaçit “10 Shqiponjat e Tërbaçit”, me fillesa folklorike qysh në vitin 1969, me një jetë aktive të organizuar dhe të pandërprerë qysh nga viti 2016, për 9 vjet ka realizuar 3 albume, si dhe shumë koncerte, festivale e veprimtari folklorike e kulturore. Nga këto bija, nëna, gjyshe shembullore dhe artiste popullore me dinjitet kemi shijuar ninullën homofonike dhe ninullën polifonike, këngë e valle gëzimi e dasme, për stinët e vitit, elegjinë dhe këngën e përvajshme, baladën dhe këngën historike, atë lirike dhe liriko-epike, ritin e përgatitjes së vajzës tërbaçiote për nuse, si pjesë e ritualit të dasmës në Labëri etj. Kemi ndier emocione të bukura, kënaqësi e krenari!

Në Tërbaç nuk janë vetëm burrat, janë edhe gratë, sikurse në histori edhe në folklor e kulturë. Me të drejtë i quajnë Shqiponjat e Labërisë, Shqiponajt e Jugut. Ato kanë dhe mbajnë lart simbolin tuaj Flamurin me emrin Ansambli “10 Shqiponjat e Tërbaçit”. Ato ruajnë, mbajnë pastër, e pasurojnë më tej brenda shtratit dhe e përcjellin brezave stafetën e traditës etnofolkorike të vendlindjes, si floririn e shpirtin, se e kanë trashëgim nga stërgjyshet, gjyshet e nënat e tyre për ta përcjellë tek vajzat e djemtë e tyre, tek nipërit e mbesat e tyre. Diell udha folklorike në vijim për “10 Shqiponjat e Tërbaçit”!

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Kujtesë

Shqiponjat e Tërbaçit u paraqitën me ritual dasme në Festivalin e Dytë Folklorik Pilur 2021. Është hera e parë në historinë e Labërisë që në një festival prezantohet Dasma e vajzës labe.
Kujtesa sociale, mediet, rrjetet digjitale të komunikimit masiv dhe, së pari, e vërteta e ndodhur, kanë të regjistruar në audio e video, në shtypin e shkruar dhe online se “Shqiponjat e Tërbaçit” me drejtues artistik Albert Habazaj kanë paraqitur për herë të parë në historinë e dasmave ceremoniale në një veprimtari kulturore – folklorike “Ritin e stolisjes së nuses tërbaçiote si pjesë e ritualit të dasmës labe” mbrëmjen e së dielës së 6 qershorit 2021 gjatë Festivalit të Dytë Folklorik “Netët e Bejkës së Bardhë”, Pilur. Vlen ta ritheksojmë se për herë të parë në historinë e folklorit të Labërisë, u shfaq ky ceremonial dasme (në respektim të minutazhit në dispozicion të përcaktuar nga organizatorët [-20′]), duke e lokalizuar improvizimin e ceremonisë në derëbabe të vajzës – nuse, në odën e grave, në segmentin kohor të tregimit të pajës dhe përgatitjes së vajzës për nuse, para se bija të largohet nga dera e babës, në harmonizim të folklorit me etnologjinë, sipas logjikës së zhvillimit të ceremonialit, ku çdo artiste popullore e grupit merr një këngë apo valle dasme të motivuar. Tërbaçiotet në Pilur tendencën e kishin tek vallja labe grarishte burimore, ku prurjet e tyre u shfaqën duke qenë korrekte me 4 kriteret që kishte ky festival: 1. rit, 2. numër folklorik tradicional, 3. numër të ri folkorik dhe 4. element të ri, (Shqiponjat sollën Himenën, vajzën gjimnaziste, që priu një valle). Programi i tyre u paraqit me këto skena: (1. Përgatitjes së pajës, 2. Gatimet simbolike, 3. Hedhja e cipullit nuses – improvizimi në derëbabe, në dhomën e grave rrodhi e kulluar sipas repertorit, me këngë dhe valle të dasmës. “10 Shqiponjat e Tërbaçit”, ashtu siç kanë emrin, ashtu janë në skenë: artiste popullore shkëlqimtare, që përfaqësojnë denjësisht zërin femëror të vendlinjdes dhe mbarë Labërisë. Iu lumtë Shqipe, nëna dhe gjyshe shembullore, se e mbushët skenën natyrore të Pilurit me ngjyra të ngrohta dhe aq të ëmbla, siç dini ju! Ansambli ynë vijoi fluturimin hapësirave folklorike në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi dhe në Maqedoninë e Veriut në festivale lokale, kombëtare dhe ndërkombëtare, duke dhënë vlera dhe duke lënë një emër të mirë dhe respekt kudo ku këndoi e vallëzoi vallen grarisht aq të bukur e të hijshme të traditës së vendlindjes.

Parantezë

Nuk kisha ndërmend ta bëja këtë shkrim, por më dha shtysë një fjalë e një djali nga Lumi i Vlorës, mesazhi i artistit popullor Ridvan Hodaj nga Gumenica, të cilin do ta përmend në vijim, pasi u kthyem nga udhëtimi ynë i dytë folklorik i Pilurit, me pjesëmarrjen tonë në Festivalin V Folklorik “Netët e Bejkës së Bardhë” natën e dytë të tij, të shtunën e 8 Qershorit 2024.
Përsa i përket veshjes popullore të 10 Shqiponjave, kostumi folklorik që ato veshin kur dalin në festivale folklorike lokale, kombëtare apo ndërkombëtare, në koncerte, veprimtari kulturore- artistike apo ceremoni nderimi etj., ka ardhur nga tradita e gjysheve dhe stërgjysheve të këtyre zonjave, që sot janë vetë gjyshe, po për vendlindjen quhen “10 Shqiponjat e Tërbaçit”. Të paktën, qysh nga shekulli XVII vjen ky kostum, duke u pasuruar me elementë të mundshëm zbukurues. që pranohen e pëlqehen nga bartëset e këngës dhe valles labe, sipas stilit muzikor të Tërbaçit në variantin grarisht.

Fletë nga situata kulturore

A. E shtuna e 8 Qershorit 2024 qe shumë e ngarkuar për mua. Në orën 10.30’ isha në një veprimtari letraro-artistiko- kulturore në Vlorë për “Gurët që flasin” të autorit Vullnet Bilbilaj, ku tok me miqtë e penës, autorin e nderuan me pjesëmarrjen e tyre Haxhi Dede Edmond Brahimaj, që ne i flasim Baba Mondi, At Spiro Bulika i kishës Shën Athanasi Selenicë, deputetët Vullnet Sinaj, dr. Bujar Leskaj dhe dr. Pranvera Resulaj, prof. Gëzim Tushi, Nderi i Diturisë artistike Arben Meksi, aktori i lartë Bujar Asqeriu, si dhe kryetari i bashkisë Selenicë Nertil Bellaj, nënkryetarja e bashkisë Vlorë dr. Irena Toshkallari, këshilltarë bashkiakë të majtë e të djathtë, si dhe figura të tjera të njohura në Vlorë e më tutje. Përveç diskutimit tim, isha ngarkuar edhe moderator i aktivitetit të Vullnetit. Më shumë se përurim libri, qe një festë kulturore dhe doli shumë bukur. Veprimtaria vijoi e ngjeshur, e larmishme sipas programit dhe, kur mori fjalën përshëndetëse autori, ndër të tjera theksoi: “Nuk mund të mos them dy fjalë edhe për moderatorin e këtij promovimi, mikun tim, Albert Habazaj, FALEMINDERIT mik dhe i uroj Bertit, edhe në emrin tuaj që “10 Shqiponjat e Tërbaçit” të kenë sukses sonte në festivalin e Pilurit “Netët e Bejkës së Bardhë”!

B. Në ora 14:00 bëra edhe një herë provat me grupin për një Udhë të rëndë e të lartë. Në ditarin digjital, shoqëruar me disa foto dhe imazhe, shkrova mendime të shpejta, mbresa dhe refleksione të çastit, siç më vinin, të cilat po i publikoj në vijë kronologjike për lexuesin e dashur të “Telegrafit” tonë: “E bëmë në atë lartësi që synomin dhe provën përfundimtare, 3 valle dhe 1 këngë. Sipas radhës ishin: e para, “Atje lart, në bokërrimë”, teksti: Xhebro GJIKA, valle lirike për nizamët , valle grarishte e vjetër me 3 hapa e kënduar nga Grupi “10 Shqiponjat e Tërbaçit”, prijëse e valles dhe marrëse: Shpresa Kapo Çelaj, kthyese: Liri Gaçe Shkurtaj, hedhëse Hava Çelaj Muçaj, shoqërojnë vallen me iso: Flutura Nanaj, Antoneta Goxho Mehmetaj, Liljana Rrapi Kapaj, Meme Ribaj Habazaj, Evgjeni Habili Seferaj, Pavlina Goxho Pazaj, Lavdie Goxho Xhakaj; drejtues artistik: Albert Habazaj; e dyta, “Hap sënduk e nxirr sheqer …”, teksti: POPULLI, valle liriko – humoristike e kënduar nga grupi “10 Shqiponjat e Tërbaçit” me 1 hap në vend; prijëse e valles: Shpresa Kapo Çelaj, marrëse: Liljana Rrapi Kapaj, kthyese: Shpresa Kapo Çelaj, hedhëse Hava Çelaj Muçaj, shoqërojnë vallen me iso: Flutura Nanaj (e cila, në rolin e nuses, loz e vallëzon sipas tekstit me vjehrrën Liljana, pra, janë 2 soliste para grupit), Liri Gaçe Shkurtaj, Antoneta Goxho Mehmetaj, Meme Ribaj Habazaj, Evgjeni Habili Seferaj, Pavlina Goxho Pazaj, Lavdie Goxho Xhakaj; e treta, “Labëri, o gur për Shqipe”, teksti: Albert HABAZAJ, këngë liriko-epike kënduar nga grupi “10 Shqiponjat e Tërbaçit”, marrëse: Evgjeni Habili Seferaj dhe Antoneta Goxho Mehmetaj, kthyese: Shpresa Kapo Çelaj, hedhëse: Hava Çelaj Muçaj, grupi mban këngën me eee. Në prova kishim bërë dhe vallen “Kanë dalë plakat në lëmë”… teksti: POPULLI, valle gazmore humoristike me 3 hapa (3 këmbë) djathtas e 3 majtas, kënduar grarisht nga grupi “10 Shqiponjat eTërbaçit” (folklor dhe etnologji), duke gjykuar se kjo valle e dëgjuar, më shumë se kujtdo, i shkon natyrës së këtyre zonjave moshatare, por artiste të ndritshme. Edhe pse ishim shumë korrekt me minutazhin e përcaktuar (çdo njësi zgjaste 2’ apo 2’ e 15’’), organizatorët e festivalit nuk e panë të arsyeshme që ta eksekutonim këtë numër folklorik.

C. [Rikthehem tek blloku digjital i shënimeve] Tani 10 Shqiponjat e Tërbaçit po marrin luginën e Lumit të Bardhë (Lumit të Vlorës), me bekimin e vendlindjes për t’u paraqitur sonte, natën e dytë të Festivalit të Pestë Folklorik “Netët e Bejkës së Bardhë”, Pilur (07-08.06.2024) sa denjësisht me vlera folklorike të burimit dhe folklor bashkëkohor sipas stilit muzikor të Tërbaçit në variantin grarisht.

“Kështu lartësohet Çika/ Shqiponjat lindin Petrita” – na uron nga Saranda fisniku Astrit Ismaili.

Diell, o Shqiponjat tona! Diell, o Shqiponjat e Jugut!

Duke parë diellin që shkonte i lodhur në Çikë, në Qafë të Pëllumbit m’u kujtua se 10 SHQIPONJAT E TËRBAÇIT, 3 vjet më parë kishin fluturuar drejt Ballkonit të Bardhë të Himarës sonë, atje ku është balli i këngës. Nga datat 5-6 qershor 2021 zhvillohej Festivali i Dytë Folklorik “Netët e Bejkës së Bardhë”. Grupi ynë u paraqit natën e dytë të festivalit, të shtunë e datës 6 qershor, me “Ritin e stolisjes së nuses tërbaçiote, si pjesë e Ritualit të dasmës në Labëri”. Për herë të parë shfaqej para publikut, artistëve të tjerë popullorë, para jurisë, televizioneve dhe artdashësve ky rit, ku u ndërthurën harmonishëm e bukur folklori me etnologjinë. U paraqitën denjësisht (ndiqeni në Youtube, e kam hedhur unë, Vlora News dhe produksioni Balani), u pëlqyen dhe u mirëpritën nga publiku. Juria e gjykoi t’i vlerësonte me “Çmimin e Karrierës”, që mbante emrin e poetit të madh të këngës labe Maliq LILA.

D. Këtë të shtunë, mbrëmjen e 8 qershorit do të fluturojnë përsëri drejt Pilurit për në Festivalin e Pestë Folklorik “Netët e Bejkës së Bardhë”. Me synime fisnike më të qarta, për të paraqitur vlera folklorike me nivel të lartë artistik dhe estetik, për të tjera lartësi. Së pari e së fundmi për t’i pëlqyer publiku, që artdashësit të thonë: “Po, Shqiponjat po, këto i meritojnë duartrokitjet tona.
Diell, o Shqiponjat e Labërisë. (Me transportin patëm probleme, por shoferi qe i matur dhe i qetë dhe ia doli. Na heq ne me transportin, se dhe kur shkuam në Festivalin e Gjirokastrës, më 25 qershor 2023, na vajti squfur udhëtimi, por nuk është ky objekt i shkrimit). Sa kaptojmë qafat e Kuçe, ia merr Liljana: “Shqipe Tërbaçi mbi male/ Me valle e këngë labe,/ Shqipet lart e malet rrotull/ Gurrën e kanë në popull…”

E. Grupi “10 Shqiponjat e Tërbaçit” në festivalin e Pilurit u paraqit sonte me 2 valle të traditës (e para me motive nizamësh, e dyta me motive liriko – humoristike) si dhe me një këngë të re për Labërinë. Juria e vlerësoi me çmimin e Tretë “Feti Brahimi”. Të Dhjeta ju paskeni lindur Ditën e Sakrificës dhe Dinjitetit. Mirënjohje Shqiponja!

F. Kur Vlora të do, të adhuron Perëndia vetë. “10 Shqiponjat e Tërbaçit” ndihen krenare dhe mbushen me besim për Udhëtimin e Tyre Folklorik. Ku ka çmim më të lartë sesa kur të pëlqen populli këngën dhe vallen origjinale të shpirtit! Eee, në këtë rast, kartonat e jurive s’ kanë veçse vlerë arkivore për grupin dhe artistet popullore. Eeee, prandaj Vlora është Qytet i Diellit dhe në Folklor dhe Etnografi. Nuk mund të mos hedh në letër (apo në qelqin digjital) disa mbresa të pashlyeshme që na dhuruan “10 Shqiponjat e Tërbaçit” me Juli Çenkon në Festivalin e Pestë Folklorik “Netët e Bejkës së Bardhë”, Pilur, 2024. E ndezën skenën natyrore të Pilurit. Për këtë atmosferë festive që u krijua nga gëzimi që ndriste artistët popullorë , thuara vargjet: “Pilur, o Ballkon i bardhë/ Priti miqtë radhë – radhë!/ Pilur, ball’ i lartë i këngës/ Priti artistët e zemrës!/ Ballkon i Himarës sonë/ Bilbilat bukur ia thonë./ Me kanarinat, thëllëzat/ Këndojnë malet, brigjet, rrëzat…/ Lefteri na sheh nga lartë/ Me “Bejkën” na jep uratë”. Juli Çenko ngre artistët popullorë në valle, madje dhe Vasillon e Jurisë së Festivalit (Bejka e Bardhë e Pilurit të Lefterit Vasillo Lapa Koka). “10 Shqiponjat e Tërbaçit” në valle shkrepin xixa dhe vërshon lumi i artë i shpirtit popullorë kur folkloristët e tjerë ndezin skenën dhe sheshin e bardhë, që e hijeshon rrapi madhështor. Vasillo Koka është artiste, mësuese dhe poete, madje ka botuar libër me këngë e vjersha. Jas i shprehet ajo për Shqiponjat e Jugut: “Ashtu si vargmalet kryelartë të pa shkëputur në shekuj edhe Ju, Zonja të Tërbaçit Legjendar bashkuat dëshirat tona në valle. Qoftë i pa shkëputur zinxhiri juaj i florinjtë, duke bashkuar yje dhe hënë në gëzime! Kryelarta me udhëheqësin tuaj të pa lodhur Albert Habazaj, fluturofshi në majat më të larta. Krenari për juve !!!! Jeni Yjeeeeee”

Jo vetëm në Labëri, por në mbarë Shqipërinë është i njohur dhe i dashur emri i Vasos. Vasillo Lapa Koka është “Bejka e Bardhë”, ajo e vërteta e Shtatëdhjetë e treshit të Lefter Çipës. Në Festivalin e Pestë Folklorik, AJO ishte anëtare e jurisë dhe kur, natën me yje këndonte Juli Çenko e drithëronte skenën natyrore të Festivalit dhe fap gjatë këngës së saj, feksën e dolën në valle 10 Shqiponjat e Tërbaçit tek sheshi, që u ndez nga kënga dhe vallja si në një dasmë kombëtare, Vasilloja e la tavolinën zyrtare të jurillëkut dhe i dha krahë valles dorë më dorë me Shpresën, korifeun e “10 Shqiponjave të Tërbaçit”. Vasillo Lapa e Shpresa Kapo u njohën qysh nga koha e Festivalit III Folkorik Kombëtar i Gjirokastrës. Kalaja e Madhe e Festivaleve të Rënda atë tetor 1978, përjetoi emocione të fuqishme kur 7 vajza 17-18 vjeçare, gjimnaziste të krahinës së Mesalikut, nxënëse të Shkollës së Mesme “Laze Nuro” Brataj kënduan këngën- simfoni “Gjurmë të kuqe borës latë”, me tekst të Kujtim Micit – Dragoit të Kënëgs Labe. Marrëse ishte Nazo Dauti nga Tërbaçi, kthyese: Fedirete Sulçaj nga Mesapliku, hedhëse: Shpresa Kapo nga Tërbaçi, bëjnë eee (mbushin këngën/ iso): Shaze Hoxha nga Tërbaçi, Vangjelina Gjini nga Tërbaçi, Dilore Balla nga Gjormi, Baire Hasani nga Lezhani. [nga 7 anëtare të grupit, 4 ishin nga Tërbaçi]. Kënga “Gjurmë të kuqe borës latë” u cilësua Perla e Festivalit”. Eeee, qysh atëherë Vasilloja me Shpresën e mbajtën miqësinë e pastër aq dashamirëse dhe e forcuan më shumë.

G. Provuam ndjesi të fuqishme në Pilur. Nuk vlen çmimi më shumë se kënaqësia artistike dhe estetike që “10 Shqiponjat e Tërbaçit” i dhanë publikut artdashës të Pilurit dhe Himarës, artistëve popullorë nga trevat e Labërisë së Gjirokastrës, Tepelenës, Delvinës, Vlorës e Sarandës, nga Çamëria me “Krahun e Shqiponjës” së sypafjekurit për art Sali Nuredini, miqve nga Tirana, por, sinqerisht emocion krenar na dha kërkesa e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Shkëlqesia e Tij, prof.dr.Bajram Begaj për të bërë një fotografi me “10 Shqiponjat e Tërbaçit”.

Sikurse gjithë artistët popullorë të Labërisë e Shqipërisë, edhe zonjat fisnike të Tërbaçit, vazhdojnë t’i jepin frymë e zë e zemër polifonisë sonë popullore çdo ditë dhe pa u kursyer.

 

Mesazhi i Ridvanit
“E kam thënë dhe e përsëris që çdo juri duhet të mendojë për vendin e dytë, se i pari i takon grupit “10 Shqiponjat e Tërbaçit”! Jo vetëm për mënyrën dhe perfeksionin e interpretimit, por duke gjykuar sakrificën dhe moshën e tyre, të cilat të gjitha janë gjyshe. Sukses të mëtejshme, respekte për vlerën që i jepni Labërisë ju dhe Albert Habazaj”.

Më vuri në mendim ky refleksion i këtij të riu pa paragjykime maskiliste, që s’pyet nga verbimi i rremë i famës së madhe apo hijes së atyre që sponsorizonjë grupet për çmime dhe patjetër me shpirt them edhe në shtyp: Ritvan Hodaj, shumë faleminderit! I përulem me MIRËNJOHJE fjalës tënde për grupin tonë “10 Shqiponjat e Tërbaçit”. Tok me mua e falënderojnë artistin e Labërisë edhe 10 Shqiponjat. Ritvan Hodaj, ti je një djalë fisnik i Gumenicës sofërmbudhë! Ti je bir i denjë i një dere bujare! Ti je një artist popullor i dukshëm sipër e i pashmangshëm dot nga askush, sepse e ke krijuar profilin tënd si një kthyes brilant në stafetën e këngës labe. Ti, si kthyes je të yjësinë e ndritshme të bilbilave që falin nga shpirti i tyre dritën e ëmbël të zërit, interpretimit, melodisë, veshjes popullore tradicionale, mimikës e zërit të trupit. Ti je një këngëtar potent, që të bën për vete me atë grykë. Ti këndon krah Berdo Berdos, Bardha Brahimit, Mico Ferrajt e atyre korifejve të “Jehonës labe”. O Vani! Unë, që u them “10 Shqiponjave të Tërbaçit – keni lindur Ditën e Sakrificës dhe të Dinjitetit, u them se është e vërtetë, e verifikueshme. Mjafton të kujtoj se të shtunën mbasdite Grupi ynë qe në Pilur për konkurim në Festival. Pikërisht në atë ngjarje kulturore Gjena, kapetania Evgjeni Habili Seferaj hoqi rrobat e zisë dhe veshi kostumin folklorik të stërgjysheve tërbaçiote dhe doli në skenë me motrat e saj Shqiponja Çike, që u shfaqën si 10 Miro Tërbaçe të valles dhe këngës së kënduar sipas stilit muzikor të Tërbaçit në variantin grarisht. Paraditen e së shtunës, Gjena kishte 6 mujorin e së motrës, ku e qau me ligjërime motrën e xhanit, Labenë e paharruar 65 vjeçare dhe mbasdite erdhi bashkë me Shqiponjat në Ballkonin e Bardhë të Këngës, në Pilurin e Himarës dhe Labërisë sonë. Gëzim dhe dhembja tek ne janë bashkudhëtare. 10 Shqiponjat e Tërbaçit dinë t’i ndanë gjërat dhe t’i vlerësojnë përgjegjësitë si përfaqësuese të vendlindjes, si “ambasadore” kulture e Tërbaçit në ngjarjet etnofolklorike, që na kërkojnë dhe ne shkojmë të përcjellim mesazhe drite.

Për shqipet magjike vijnë mesazhe drite

Janë të pambarimta mesazhet e mira drejtuar grupit dhe s’ka se si të mos prekesh, s’ka se si të mos ndihesh mirë, të frymëzohesh dhe të mbushesh me optimizëm për Udhëtimin e Denjë Folklorik. Po shkëpusim disa: Lefteri Metkaj. “Sa më bukur dhe dinjitozë në festivalin e Pilurit! Këto shqipe magjike janë 10 Shqiponjat e sukseseve, të cilat janë gjithmonë të bukurat bilbile të Tërbaçit, plotë jetë dhe gjallëri! Suksese 10 Shqiponjave dhe udhëheqësit të grupit, z. Albert Habazaj! Me këtë paraqitje, ju jeni dëshmia më e qartë e identitetit me këngën dhe me veshjen popullore tradicionale për zonën e Tërbaçit dhe për trojet tona të Labërisë. Ju paraqitni një pasuri kombëtare në këtë festival ashtu si i ka hije vlerave të kësaj krahine”. Kam të drejtë ta falënderoj dhe t’i them: “Meriton mirënjohje intelektuale e nderuar! Ti Lefto, je e ndritshme jo vetëm si njeri me virtyte humane, por ti je misionare e kombit, ti je Mësuese e Gjuhës Shqipe për fëmijët e shqiptarëve në emigracion, atdhetare e devotshme”. Maksi Luçi: “Suksese … Le të dëgjohet ritmi i atyre maleve mbi detin Jon”… Po, Maks i dashur, u dëgjua ritmi i maleve tona mbi detin Jon. Dhe i kulluar si Lumi i Bardhë që buron tek rrënjët e tua. Peno Nebi Xhakaj, bijë nga Kuçi e nuse në Tërbaç, e shoqja e Nebos, kthyesit më të mirë të Labërisë: “Motrat tona si sorkadhe sa bukur duken në valle”; Bukuroshe Abazi Ramohitaj: “Shkëlqeni!”; Vjollca Gaçaj: “Si drita jeni të gjitha . Suksese dhe sa me shumë medalje”! Poeti, avokati, aviatori Delo Isufi: “Ndihem krenar për të mrekullueshmet vajza e nuse të krahines sime”; Sose Beqiraj: “Bravo shqiponjat e Tërbaçit! Krenari për ne”, ndërsa intelektuali dhe veprimtari i shquar dr. Neki Dredha na e bën me vargje urimin: “Dhjetê shqiponjat tërbaçiote,/ Si pinë ujë në Pajikonjë,/ Ndriçuan skenën piluriote,/ Ballkonin mbi Detin Jon./ Thuaja Çikë, Majë e Lëpjetës,/ Ti Gjivjash e ti Stogua,/ Për ato lulet e jetēs,/ Kostum kuqet mbi Pihua./ Për kostumin arbëror,/ Hijeshinë e Amantisë,/ Shqiponjat, shpirt amnor,/ Krahu i zjarrtë i Perëndisë/ Për Atë, yllin e malit,/ Shpirtin e Lumit të Vlorës,/ Që i dha dritë Festivalit,/ Me shtojzovallet e Horës./ Përmbi ujërat kaltērore,/ Lart te logu piluriot,/ Këngë e valle Labërore/ Do të ketë për jetë e mot”, të cilin Pano Hallko e quan një Refleksion i thekur poetik, ndërsa unë: “Faleminderit Doktor! E kush si ti shkruan për Labërinë magjike! Jam i bindur që përsëri do ta ribotosh librin e bukur për Labërinë tonë, se historia, kultura, arsimi, virtytet dhe visaret e shpirtit të saj janë të pambarimta, mrekullore si natyra e saj, me florën e faunën, me njerëzit e vërtetë, me artistët si bilbila e artistet si thëllëza!”. Amazona e Bolenës, Lapardhasë dhe “Jehonës labe” Bardha Hosi Brahimaj, siç ka zërin e shpirtit bën urimin me zemër: “Si varese diamanti, i shtoni nurin dhe lezetin këngës labe”; ndërsa mësuesja dhe poetja nga Vlora Anila Toto: “Suksese zonjave artiste që mbajnë në këmbë gurrën e traditën, artin e popullit tim!”, sociologia artiste Zhaneta Sali Veizaj: “Një urraaaaa të fortë për grupin”. Që nga Kanadaja poetja Armenida Qyqja na uron: “Fluturim të bukur Shqiponjave!”, ndërsa e mirënjohura Katjusha Pogaçi “Ju lumtë!”. Po këtë urim na jep poeti dhe historiani doc. Odise Çaçi. Artisti bujar Astrit Ismaili, pasi bën urimin e bekuar: “Dritë e bardhë rruga e Mirove të Tërbaçe”, tjetër çështje shtron me të drejtë: “Ky është një ansambël artistik se ka artiste dhe udhëheqës artistik, kështu më thotë kjo fotoart, mos e quani grup, ju lutem!”.

Mbaroi dhe festivali …

Mbaroi dhe festivali. Na dhanë Çertifikatën e pjesëmarrjes dhe na u komunikua çmimi i Tretë. Ne shpumë vlera të mirëfillta, autentike, burimore në lartësinë që kërkon një paraqitje dhe përfaqësim dinjitoz për Tërbaçin tonë me histori dhe kulturë, krahas të tjerëve, si pjesë e së tërës. Nuk kërkuam çmim, as paguam për të, pasi kemi dëgjuar që është bërë modë, që në fillim ndahen çmimet, pastaj fillon festivali. Hëngrëm një bukë të bardhë në Pilur dhe u kthyem natën në Vlorë. Gjatë kthimit, i ngarkuar me emocione, që më shkaktuan dhe ndjenja negative, po reflektoja tek ato që bëmë ne, si i bëmë, Çfarë duhet të bëjmë më mirë, nëse kemi mundësi dhe hapësira: Shqiponja! Sinqerisht dhe me përulje u shpreh MIRËNJOHJE. Ju ndriçoni dritën e mirësisë. Ju verboni errësirën e ligësisë. Ju paskeni lindur Ditën e Sakrificës dhe Dinjitetit. Gjena, ti u tregove kapedane, dole mbi dhimbjen e motrës për hir të detyrës morale. Virtyti yt e mposhti stresin, emocionin e dhembshur të humbjes së parakohshme të Labesë së paharruar.

Më ka ngelur në mendja fjale e moderatores së festivalit, Shqiponja Pazaj Veshaj “Ju, 10 Shqiponjat Labe jeni çmimi i mirësisë. Dashuria a madhe për artin dhe folklorin që ju karakterizon është plebi shqiptare dhe në lartësinë e Çikës!”

Dy fjalë pas një jave

Për Kristo Çipën kam këto fjalë: Festivali u realizua me sukses dhe pruri mozaik vlerash folklorike tradicionale dhe bashkëkohore, patjetër dhe nivel artistik e shije estetike. Falënderoj popullin bujar dhe artdashës të Pilurit për mirëpritjen. Situata të tilla, si këto të pesë festivaleve folklorike të Pilurit që ka organizuar K. Çipa, nxjerrin në pah rolin e individit në shoqëri. Ai është një organizator shembullor. Po kështu për Fred S. Mërkurin shpreh mirënjohje për vëmendjen, si dhe për gjithë ata miq e dashamirës që takova. Nuk mund të shprehem kështu për jurinë, sepse vlerësimet që bënë m’u dukën subjektive dhe çmimet që deklaruan më shqetësuan për saktësinë e dhënies, respektimin e kritereve të përcaktuara etj. Nuk e di pse juritë i turbullojnë ujërat, kur gurra popullore është ujë i kulluar i shpirtit popullor në këngë dhe valle. Por, fatmirësisht e mbi të gjitha në Pilur unë takova Qeranën, atë nënë heroinë, po ashtu dhe ato nëna të mira piluriote, që i kisha takuar 3 vjetësh, qershor 2021. Piluri është një vend heroike me histori dhe polifoni, e nënat piluriote zënë një vënd të veçantë në historinë e tij. Nënat e bijve të këngës na mbushin me frymëzime polifonike të pa shtershme.

Autori Ramiz Mujaj promovon në Rugovë më 7 Korrik monografinë e tij dhe ekspozitën me punime artistike

Ju ftojmë në ngjarjen poetike që do të mbahet më 7 Korrik 2024 në ora 10.00 në përurimin e Monografisë “Dielli nuk lind vetëm në Rugovë” i autorit Ramiz Mujaj.

Njëkohësisht bëhet edhe hapja e Ekspozitës me punime artistike të autorit.

Aktiviteti organizohet në ambientet e Kështjellës së Ramiz Mujajt me ç’rast bëhet edhe promovimi i rikthimit të tij në vendlindje në Rugovë, pas dyzetë viteve.

I burgosuri çek që shpëtoi rreth 1000 fëmijë hebrenj, vjen në shqip libri me rrëfimin e të mbijetuarit të Buhenvaldit

Historia e më se 1000 fëmijëve që u shpëtuan nga kampi nazist i Buhenvaldit ka ardhur në gjuhën shqipe përmes librit “Djali nga blloku 66”. Autorja e botimit e ka ndërtuar librin me rrëfimet e 94-vjeçarit të mbijetuar Moshe Kessler

Historia e një fëmije që priste me padurim të festonte bar mitzvahun e tij por përfundoi në kampet naziste të përqendrimit vjen në gjuhën shqipe përmes librit “Djali nga blloku 66”. Historia e Moshe Kessler dhe 1000 fëmijëve hebrenj është shkruar nga Limor Regev, e cila ka udhëtuar nga Izraeli për të promovuar librin.

“Moshe Kesler ka kaluar 5 kampe përqendrimi, pasi u mor nga Çekia ku jetonte. Ka qenë në Birkenau, Aushvic derisa u çua në Buhenvald ku e shpëtoi një i burgosur politik çek. Antonin Kalina shpëtoi atë bashkë me fëmijë të tjerë dhe dy fitues të Nobelit, Eli Vizel dhe Imre Kertiz. U shpëtuan nga blloku 66 sepse njerëzit refuzuan të jenë indiferentë”, tha ajo.

 

Libri bazohet në rrëfimet e Moshes, tashmë 94 vjeçar. Ai tregon mbijetesën dhe po ashtu si Antonin Kalina, i burgosuri çek që shpëtoi fëmijët përdori mënyra të ndryshme për t’i shpëtuar fëmijët nga dhomat e gazit.

“Dolën të gjallë nga blloku 66 sepse Antonin Kalina dhe miqtë e tij gënjyen nazistët duke ju thënë se ka një epidemi tifoje në kamp që ata të mos vinin. Ai i shpëtoi fëmijët se nuk lejoi të dilnin në punë në temperatura mbi -24 gradë, por I mbajti në Baraka. I shpëtoi sepse iu hoqi shenjat dalluese të hebrenjve që të ngatërroheshin me të burgosurit politikë. Kjo është një histori frymëzuese që të mësojmë se çfarë njerëzit mund të bëjnë për njëri-tjetrin.”

Kalina ishte biri i një këpucari dhe këpucar vetë. Aktiviteti u mbajt në ambasadën çeke në Tiranë me praninë e ambasadorit çek dhe asaj izraelite.

(BalkanWeb)

-Shënime për librin “ Kurthi i andrrës” të Hasan Muzli Selimi – Nga LULZIM LOGU

 

 

“Njeriu është e vetmja krijesë, që refuzon të jetë ai që është”.
Albert Kamy.

Kurthi i ëndrrës…

Kur mora dorëshkrimin e këtij libri – të them të drejtën – isha skeptik dhe i pavendosur; jo thjesht për arsye tematike, por ndoshta për shkak të idesë sime të fiksuar prej kohësh, që të mos shprehem për libra të shkruar kryesisht nga persona të besimit, ndihesha objektivisht i pa aftë të jap konsideratën e duhur.

Librin nuk munda ta refuzoj, kisha një histori të gjatë njohje dhe respekti me autorin, biles që në fillim nuk e quajta libër, mendoja të ishte thjeshtë një përsiatje filozofike, një traktat i mendimeve duale, mes besimit dhe të panjohurës, një prirje e dukshme e kohëve të fundit, që të shkruajmë shumëçka rreth vehtes dhe fenomeneve njerëzore të ditëve jo fort’ të zakonshme që kalojmë.

Kur e fillova leximin, kisha ndjesinë se po lexoja kujtime të trishta, faqet e një ditari të vjetër, të harruar qëllimisht në kohë, të pa censuruar në gjykime, spontan dhe të guximshëm, ku zbuloja çast pas çasti dhëmbjen e mbijetesës njerëzore dhe intelektuale, kah triumfi i të qenurit dhe sfidës së fatit, ngërthyer me nota të thella dhe të rënda nostalgjie dhe krenarie, fshehur pas një rrëfimi magjepës, që ndonjë moment më ngatërronte me stilin e një shkrimtari të njohur të realizmit magjik.

Libri nis me endrrën, funksionin e saj – jo thjesht estetik tek njeriu – por si provë e mënyrës sesi jeton dhe vlerësohet ai, në ç’farë stadi qëndron raporti i realitetit me mendimin, ecja me fluturimin, qenia me thelbin dhe formën, e shkuara me të ardhmen, subkoshienca jonë me natyrën dhe ritmin e saj të pandalshëm të ndryshimit…

Vetë autori e shpall kredon e kësaj lidhje – apo të këtij raporti – kur shprehet: Edhe i vogël më kanë munduar andrrat, bile edhe sonte kam pa andrra nga ato me sy hapur. Andrra është burim i jetëgjatësisë së popullit tim. Pastaj e lidh endrrën aq natyrshëm me familjen, me brezat, përshkruan ngjarjet e jetës së vet me një fill të padukshëm si prej andrre dhe pret ta kuptojnë – ose më mirë të them – ta mirëkuptojnë udhëtimin e tij në stacionet e ndryshme të jetës.

Dhe bash këtu, zhytem në ritmin e rrëfimit dhe në mënyrë figurative mbes’ në kurthin e kësaj andrre të gjatë, që si filozofi ndërton hap pas hapi kuptimin dhe motivimin e ngritjes së librit, përmbi theqafjet individuale filozofike dhe dyshimet tona të përjetimit shpirtëror, që jo pak na kaplojnë ditënetëve tona.

Veçanërisht, më intrigon kushtimi i librit, si një gjurmë krenarie dhe amaneti ndaj prindërve të vet, që kurrë nuk arritën të njohin, shohin dhe provojnë fatin e të birit, identitetin e tij kulturor, formimin intelektual – dhe ç’ka është më kryesorja, pavarësisht varfërisë dhe kufizimeve të tjera të kohës – respektin dhe përkushtimin ndaj veprës së tyre si prindër.

Modestisht i shkoj deri në fund leximit, ndikoj në konturimin tematik dhe letrar, me besimin se duke e lexuar këtë libër përjetojmë fatin e një njeriu, përpjekjen e tij aspak të lehtë të realizimit të vetvetes, të një karakteri të fortë, të sundimit të parimeve të besimit shpirtëror mbi devijancat dhe prapaskenat, të paraqitjes së qartë të nismës së prirjes individuale – si identitet përcaktues në mesin e shoqërisë.

Në fund të fundit, të gjithë kemi të drejtë të rrëfehemi shpirtërisht, të dialogojmë më mirë përmes shkrimit, sesa nga biseda të gjata dhe monotone, ku shpesh nuk e kuptojmë njëri – tjetrin ose nuk e përfillim trendin apo gjetjen e tij jetësore, të mbërthyer nga egoizmi provincial dhe gjykimi i mangët, mbështetur në biografi dhe histori të dala boje të së kaluarës…

Njeriu – si qenie, ndryshon çdo çast dhe s’mund të jetë kurrësesi si çaku i fiksuar i një shiriti filmi, pamja dhe thelbi i brendshëm të afrojnë gjykime të ndryshme në kohë, ateisti i thekshëm, befas është shndrruar në njeriun ekzigjent të lutjeve; papritur, besimtari i zhgënjyer skajohet diku dhe s’shprehet si dikur, ai – njeriu i zakonshëm, që ke njohur dikur, ndoshta tash është një filozof apo shkrimtar…

Kjo është më e veçanta e qenies njerëzore, asaj aktive, të shkëputur nga apatia, dhimbja e kahershme e një sëmundje, nga fati i trishtë, të hedhur kah përpjekja për t’i kërkuar gjithçka të mundshme të mirë jetës në çdo moment. Duke besuar, duke kërkuar modestisht brenda fjalës, besimit dhe mendimit të ditës, duke dashur të dialogojnë ndryshe me të tjerët.
Sikurse në këtë rast, Hasan Selimi…

Në këtë libër ka shumçka, përsiatje, ligjërime, dilema shpirtërore, sugjerime dhe debate filozofike dhe religjioze, por mbi të gjitha ka dashni, një dashni e patjetërsueshme dhe aq unike për familjen dhe prindërit e tij, për rrënjët e veta. Mjaftojnë dy tre pasazhe apo deklarime të sinqerta dashnie që çdo lexues të bindet sadopak se përtej temës apo hullive të mendimit ku të përfshin autori, me një stil të çuditshëm dhe sa tërheqës, bash kryesori dhe ajo fija lidhëse që e udhëheq në shfledimin e duhur ditor të librit është ndjenja e rrallë dhe fine e mirënjohjes për babën dhe nanën, dy qëniet e mrekullueshme, për të cilat përjetë ka vetëm adhurim dhe mirënjohje:
“Babë!
Nuk e di, a jam histori apo një tregim, ndoshta më vonë do më thonë legjendë, mit apo edhe dështim. Me thanë drejtë, kurrë nuk të kam gënjye, sakrifikova edhe ndjenjën për të qëndruar stoik i virtyteve të tua, kam kalue hidhërime dhe dëshpërime, sa më ka djeg fyti e më është mpi koka. Por, idealen e kërkimit për adresën tënde nuk e kam ndërpre kurrë.” Letër Babës Muzli Ram Selimi.
Ky dedikim, sikurse dedikimet kushtuar nanës Shutë, shkrirë si lajtmotiv shpirtëror dhe thellësisht emocional e prijnë autorin të sigurtë në prirjet e tij të pandalshme kah kërkimi impulsiv shpirtëror, skajojnë vrullin dhe energjinë e tij të furishme kah dialogu përmanent me njeriun dhe vetëm me njeriun, që nga bashkëfshatari i vendlindjes në Kasaj, Itakën e tij të vendlindjes deri tek të ngjashmit e tij të mendimit filozofik dhe reliogjoz, kudo ku janë ata, pa ndjenjë inferioriteti apo ndrydhje provinciale, fundja nga rrënjët e tij ka të garantuar dhe beson në shenjtërinë e normave morale, shpirtërore dhe kodet e besimit.
“Marrëdhënia me nanën është e përjetshme. Me nanën jam njoftë në ditë të vështërsive të mëdha. Eh nana, e kush nuk e njef nanën!…”

Nga vij, ku shkoj.

Kjo është dhe mbetet sfida e njeriut që nga origjina e njeriut, sikurse sfida dhe thellësia ku zhytet autori në kërkimin dhe përsiatjen e tij , në debatin e joshur mes tij dhe bashkëkohësve të tij shpeshherë të dyzuar mes besimit të nëpërkëmbur në kohra dhe hezitimit ndaj tij, gjithçka të tronditur nga dallgët e egra të zhvillimit ekonomik dhe teknologjik, por edhe të bjerrjes së frikshme shpirtërore të njerëzve dhe njëfarë çoroditje të përgjithshme në kapërcyell të shekullit ’21 dhe në vazhdim.
Autori nuk është njeriu i afrimit të recetave false, as kronikani i dështuar, as pesimisti i pandreqshëm, por jo dhe optimisti naiv, ai thjesht debaton seriozisht dhe me nerv, sikurse me me fakte, dokumente të një leximi dhe kerkimi intensiv, duke përcaktuar njëfarsoj pozicionin e tij aktual në momentin zhvillimor të botës, me pamjen dhe stilin tërheqës sa të një mendimtari të urtë, por edhe të ligjëruesit të thekshëm apo predikuesit bindës, me qëllimin e vetëm të qasjes së njeriut sa më pranë të vertetës fizike, por më së shumti asaj shpirtërore.
Duke i dhënë kuptim dilemës së mësipërme, jo aq drejt zgjidhjes përfundimtare sesa drejt vendosjes së njeriut si qënie aktive në limitin e tij jetësor, udhëtar i kahbotshëm dhe kërkues i qëllimit të tij dhe kontributit të domosdoshëm nga qënia deri tek shpirti, nga pakkohësia tek përjetësia, nga terri në dritën e besimit, nga vuajtja tek triumfi mbi errësirën, mbështetur kryesisht në misionin e diturisë.
Pikërisht kjo qasje i jep madhështi dhe vlerë të spikatur librit, e bën atë një traktat dinjitoz, një manual tërheqës, një guidë kërkimi të përditshëm, ndërsa autorin një institucion rreth të cilit secili prej nesh ka se çfarë të kërkojë, besojë apo të të dialogojë shpirtërisht dhe moralisht.
“Detyra e parë është të hulumtuarit për diturinë, e cila forcon dhe rrit pastërtinë shpirtërore…” theksin diku në libër Hasan Selimi.
Dhe i ka mbetur plotësisht besnik bindjes dhe kerkimit të tij interesant mbi fatin e njeriut dhe kahut të udhëtimit të tij shpirtëror dhe jo vetëm…

Lulzim Logu, Shkrimtar, Studiues

Qershori i 75-të i Moikom Zeqos- Nga Enver Kushi

Moikom Zeqo ka lindur në qytetin e Durrësit, më 3 qershor të vitit 1949.

Për personalitetin e tij të papërsëritshëm të kulturës shqiptare, është shkruar dhe do të shkruhet akoma më shumë në të ardhmen, kur brezi ynë, që e ka njohur nga afër nuk do të jetë më. Qershori është datëlindja dhe datëvdekja e Moikom Zeqos. Kam patur fatin të jem një nga miqtë e tij, që nga vitet studentore, kur ishim bashkë në një dhomë e deri në fund të jetës së tij, ose më saktë deri pasditen e vonë të 14 qershorit 2020, kur pasi i telefonova dhe pyeta si e ndjente vehten dhe se do të bëhej  më mirë, dëgjova fjalët e tij. Më dukej sikur fliste nga thellësi botërash mistike, ose ndoshta nga hapësira qiellore. Tha këto fjalë: “Ah Veri, Veri, Veri im”!

Nuk e mendoja kurrë, që këto do të ishin fjalët e fundit, që do të dëgjoja prej tij. Nuk e mendoja kurrë, që atëhere kur copat e fundit të natës po largoheshin nga kryeqyteti shqiptar dhe dielli ishte akoma i fshehur pas Dajtit, Moikom Zeqo do të largohej nga kjo jetë. Ishte një largim i shpejtë, i qetë, pa zhurmë, duke lënë pas dritën dhe frymën e dhjetra veprave, nga më të çuditëshmet në Letrat shqipe e më gjerë. Me të drejtë shkrimtari dhe publicisti i mirënjohur, Bedri Islami, ka ” shkruar: “Moikom Zequa ishte si prekje e mahnitshme e dritës. Më shumë se njeri, ai ishte frymë…”.

Duke botuar në formë kujtimesh në 75 vjetorin e lindjes së tij, dua t’u sjell lexuesve, një pjesë të jetës së tij të vrullshme.

Shkrimi le të jetë një homazh për jetën dhe veprën e Moikom Zeqos.

TIRANA. VITET E PARA TË NJOHJES

Tirana, kur zbrita nga treni i parë që vinte nga Rrogozhina dhe nxitova duke ndjekur njerëzit e shumtë për të dalë në bulevardin e gjerë, m’u duk jo vetëm qytet shumë i madh, por edhe i gjelbëruar dhe i pastër. Vjeshta e parë ishte në gjysmën e saj. Kisha lënë pas qytetin e vogël të Rrogozhinës, familjen time të dashur, shkollën, kujtimet e shumta dhe tani do të nisja një jetë të re, atë të studentit. Nuk e di se përse kujtimet e atyre viteve me vijnë me aroma dhe ngjyra të ndryshme, si në ato të poezisë së Rembosë. Bulevardi i madh. Sheshi “Skënderbej”, Pallati i madh i Kulturës dhe godina e bukur e disi hijerëndë e Komitetit Ekzekutiv, ndërtuar në kohën e Mbretërisë. Rruga e Elbasanit me vilat dy a tri katëshe, që ishin në krahun e majtë dhe me oborre e kopshtije me lule, nga ku vinin aromat e vjeshtës. Godina e Fakultetit të Historisë e Filologjisë dhe më lart, Qyteti Studenti. Pikërisht këtu në godinën e dytë dhe katin e dytë të saj dhe me një dhomë që ishte në mes të këtij kati, fati e desh që të jetoja për katër vite me Shefki Karadakun, Tomorr Domin (nga Elbasani), Niko Kacalidhën, që vinte nga zona e minoritetit grek të Sarandës dhe Mikom Zeqon. Nuk njihja asnjërin prej tyre, por emrat e Shefkiut, Nikos e veçmas të Moikomit, ishin për mua të njohura nga poezitë që lexoja në shtypin letrar të kohes. Këtu nisi shoqëria ime me ta, që vazhdon, por me Moikomin që në ato vite u lidha më shumë, ndonëse ishim natyra të ndryshme. Unë shumë i përmbajtur, i heshtur dhe i qetë, ndërsa ai i gjallë, i shkathët, më i afruar dhe shumë shoqëror jo vetëm me ne, por me të gjithë stutentët e tjerë.

Lexonte shumë, jo vetëm libra që përfshiheshin në programet e degës gjuhë – letërsi, por edhe libra të tjerë. Ishte Moikomi që më solli nga Durrësi romanin “Të kesh a të mos kesh”, të Hemingueit, që më pëlqeu shumë. Pastaj romanin “Lamtumirë armë” dhe “Plaku dhe deti”, që i lexova disa herë dhe mbaj mend që në një bllok te vogël shkruaja fragmente që më bënin më shumë përshtypje. Ishte Moikomi pra që më dha të lexoj kryeveprat e këtij shkrimtari, me të cilin që nga ato vite jam i dashuruar marrëzisht me veprën e tij të madhe. Më pas ai më rekomandoi leximin e Remarkut, veçanërisht romanin “Tre shokët” …etj etj.

Moikomi dallohej nga ne, edhe në debatet që bënim në seminare për tema dhe vepra të shumta të letërsisë shqiptare dhe botërore. Edhe në provime, mbaj mend që ai ishte i vetmi student, i cili pasi i përgjigjej pyetjeve të tezave, vazhdonte të diskutonte me pedagogët, që ishin autoritete në fushat e letërsisë dhe gjuhësisë, si Myzafer Xhaxhiu, Mark Gurakuqi, Drita Siliqi, Dalan Shaplllo, Ali Xhiku, Jorgji Doksani, Nasho Jorgaqi, Shaban Demiraj, Anastas Dodi, Jani Thomai, Remzi Përnaska, Et’hem Lika ..etj etj. Nuk do të harroj kurrë leksionet e veçanta që shkrimtari i madh Ismail Kadare, dha për kursin tonë të Degës Gjuhë-Letërsi, për poezinë dhe prozën moderne, europiane dhe botërore. Këto leksione ishin të veçanta dhe na hapën një dritare, nga e cila ne, të rinjtë e asaj kohe, në kushtet e izolimit, njohëm një letërsi tjetër, që shkruhej përtej kufijve të Shqipërisë. Moikom Zeqo e kishte mik, që në atë moshë Kadarenë dhe e mbaj mend, që kur mbaronin leksionet e tij, ai e shoqëronte shkrimtarin e madh. Nuk e shihnim me zili këtë marrëdhënie, por bëheshim kurioz, se çfarë bisedonin, se çfarë shkruante Kadareja etj.etj. Unë, i ndrojtur, kisha dëshirë ta takoja, ose të paktën t’i jepja dorën Kadaresë. Dhe këtë s’e bëra asnjëherë, duke e parë dhe admiruar nga larg, idhullin e brezit tim. Kjo më kujton Markesin, i cili e pa nga larg Heminguejin në Paris dhe e përshëndeti po nga larg, duke mos iu afruar mjeshtrit të madh të prozës botërore.

Unë i jam mirënjohes Moikom Zeqos, sepse ishte ai që pasi lexoi tregimin tim të parë, më inkurajoi që të shkruaja. Mbaj mend që ishim në vitin e dytë, kur një pasdite i jap për të lexuar një tregim të shkurtër timin të titulluar «Atë e vrau deti», pa i thënë se kush e kishte shkruar. E lexoi menjëhere dhe më pyeti: “Ti e ke shkruar këtë tregim?”. Unë heshta duke mos pohuar e as  mohuar. Ai përsëri pyeti: “Veri thuaj të vërtetën. Ti e ke shkruar?”. Po, i thashë. M’u afrua dhe pasi më dha doren, tha duke qeshur: “Veri. Që nesër këtë tregim do ta çosh tek gazeta “Drita”, ndërsa sot do të dalim të gjithë si dhomë dhe do të na qerasësh….” Dhe nga ajo kohë e largët vazhdimisht kam patur ndihmën e tij të pakursyer miqësore dhe nxitjen për të shkruar. Ishte ai, që pasi botova në vitin 1975 tregimin “Çminimi” te “Drita” dhe më dhane çmimin e tretë për atë vit, këmbënguli që tregimet e shkruara ti përmblidhja në një libër e ti çoja për botim në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri”. Ishte miku im i shtrenjtë Moikom, që pas përgjigjeve negative që vinin nga redaksia e tregimit dhe pse jo shqetësimin tim, më nxiste që të mos dekurajohesha, derisa në vitin 1988 doli libri im i parë me tregime “Porta e madhe”.

Që në vitet studentore, njoha nga afër nënën e tij, Pandorën, një grua dhe nënë e rrallë, punëtore dhe shumë e heshtur. Ishte ajo, që pas vdekjes së parakohshme të bashkëshortit të saj, Zihniut, me origjinë nga Libohova, ndonëse shumë e re mori drejtimin e shtëpise duke rritur me sakrifica tre djem: Moikomin, Manushin dhe Fredin. Moikomi ka lindur dhe është rritur në një shtëpi jo shumë larg nga porti dhe deti, në një nga rrugët më të bukura të Durrësit. Nga ballkoni i katit të dytë të shtëpisë së tij dukeshin një pjesë e mureve të vjetër të qytetit të dikurshëm e pak më tutje ishte shtëpia e Aleksandër Moisiut. Sa herë që shkoja atje, Moikomi ishte guida ime, duke më futur në lashtësinë e Durrësit dhe qindra e qindra histori që ai më tregonte.

Dua të përmend edhe një fakt tjetër, që e përmenda më lart, për miqësinë e tij të hershme me shkrimtarin e madh Ismail Kadare, që brezi ynë e adhuronte. Moikomi ishte takuar me Kadarenë mos gaboj, që në moshën 14-vjeçare. Kur ishim student ai ulej dhe pinte kafe me shkrimtarin e madh, apo shkonte si mik në shtëpinë e tij. Kadareja e ka vlerësuar talentin e Moikomit si poet, që kur ishte fare i ri. Kadareja vlerësonte gjithashtu edhe kulturën e gjerë të Moikomit. Mbaj mend, që nga krijuesit e rinj të kursit tonë, edhe Thanas Dino u lidh ngushtë me Kadarenë.

Ne vitet studentore: Lart, Moikom Zeqo, Tomorr Domi, Enver Kushi.
Poshte, ne mes Niko Kacalidha

NË SHKODËR

Ishte gusht i vitit 1971, kur pasi u diplomuam në degën gjuhë – letërsi, nisëm në qytetin verior të Shkodrës zborin e detyrueshëm ushtarak. Mbaj mend, që gushti i atij viti ishte shumë i nxehtë dhe në kapanonin e madh ku flinim, edhe nata ishte e tillë, mbytëse. Në këtë qytet të jashtëzakonshëm,  historia dhe kultura e tij janë të dukshme dhe të prekshme. Edhe stinët e këtij qyteti, janë sa të veçanta , aq edhe befasuese. Atje, në një farë kuptimi, une përjetova ditët dhe netët me qiejt e verës, vjeshtës dhe fillim dimrit, apo erërat që vinin nga alpet, lumenjtë, liqeni dhe brigjet jo të largëta të detit Adriatik. Janë dy momente që dua t’i nënvizoj në këto kujtime për Moikomin dhe Shkodrën.

E para, në këtë qytet ai pati një “shpërthim” të beftë dhe të veçantë krijues, jo se i mungonte kjo gjatë viteve studentore në Tiranë, ku shkruante dhe botonte cikle të shumta në shtypin letrar të kohës. Në Shkodër ai ka shkruar ndoshta poezitë më të bukura, me një figuracion të çuditshëm, apo metafora, që si ca kuaj të hazdisur, dukej sikur hingëllinin në hapësirat qiellore sa shqiptare, aq edhe ballkanike apo europiane. Më vonë, në bisedat e shumta me të, ia kam kujtuar poezitë, sinopset, vargjet e rralla, që pasi i shkruante në ca blloqe të vegjël, kisha fatin t’i lexoja unë i pari.

Në Shkodër ai shkruante si në jerm. Shkruante pa pushim, atje në një repart të vetmuar ushtarak, që ndodhej në periferinë veriore të qytetit të çuditshëm e befasues të Shkodrës.  Atje janë shkruar edhe këto vargje, që janë botuar në librin “Miscellanea 1”:

Heshtje dhe vetmi,

Zërat janë thërrmuar,

Nga vapa dhe acari i braktisjes,

Vetëm koha si piramida ka mbetur.

Në Shkodër jane shkruar qindra vargje nga Moikomi dhe shumë prej tyre u botuan në shtypin e kohës në vitet 1972-73. Këtyre  poezive në vitin 1973 ju bë një nga gjyqet më absurd në historinë e kulturës shqiptare dhe ato gati u bënë “varri” i Moikomit. E megjithatë ai nuk ndali së shkruari pas goditjes që pësoi dhe poezia metaforike dhe e çuditshme e tij, sfidoi kohërat. Këto ditë, duke shfletuar botimin ku përmblidhen poezitë e viteve 1964-89, në dedikimin për librin që më ka dhuruar, lexova këto fjalë kuptimplote: “ Verit tim, për kujtim këtë sagë poetike, që dëshmon se koha s’kthehet më nga kalendari, por metaforat po! Me dashuri Moikom Z. 6 tetor 2006”.

E dyta, në Shkodër ai shkonte shpesh në shtëpinë e poetit brilant, Frederik Rreshpja. Moikomi pritej në atë familje, si të ishte pjestar i saj. Mbaj mend, që një pasdite, pasi morëm leje në komandën e repartit ushtarak, u nisëm për në shtëpinë e Fredit. Ishte Moikomi që nguli këmbë, këtë herë që të vija edhe unë me të, për të njohur nënën e Frederik Rreshpjes dhe për t’u takuar me Fredin. Kisha emocion. Moikomi trokiti dhe pasi motra e Fredit hapi portën, që mua m’u duk e madhe si portë kështjelle, hymë në një oborr me shumë lule e pemë. Moikomi i puthi duart nënës së Fredit, ndërsa ajo e puthi në ballë. Më pas ai më prezantoi me Frederikun, i cili më hodhi një vështrim të shpejtë dhe me sa duket emri im atij nuk i kujtonte asgjë, ndonëse Moikomi i tha, që shkruaja tregime.

Në fillim të viteve ’90, pasi Frederik Rreshpja botoi në numrin e parë të gazetës “Evropa”, tregimin tim të gjatë “E hëna e vitit Zero”(10 janar 1993), ndërsa e falenderova një ditë më pas, ai më kujtoi vizitën time të parë në shtëpinë e tij në Shkodër dhe tha: “ Sa i ndrojtur ishe atëhere… Edhe shumë i gjatë m’u duke”. Më vjen keq, që nuk kam hedhur në letër bisedën e Moikomit me Fredin, atë pasdite të vonë, të gushtit të vitit 1971, kur unë takova për herë të parë poetin e madh Frederik Rreshpja.

Miqësia e Moikom Zeqos me Frederik Rreshpjen, që ka nisur ndoshta para vitit 1971, është shembull i veçantë në letrat shqipe. Kam shkruar për këto lidhje dhe marrëdhënie të dy njerëzve të shquar të Botës Shqiptare. Gjatë kohës së zborit 5 mujor në qytetin e Shkodrës, siç thashë më lart, Moikomi rrinte dhe bisëdonte shpesh me Fredin.

Sa shkrova më lart, janë një pjesë e kujtimeve të mia gjatë rinisë dhe jetës studentore, me mikun tim Moikom Zeqo.

Tashmë ai nuk është më dhe unë e kam të vështirë ta besoj dhe të mësohem me këtë fakt të trishtë. Në një bga poezitë e shkruara në Durrës, në vitin 1993, këto ditë lexova këto vargje befasuese: “ Vdekjes dhe harrimit u bërtas: “Unë jam këtu! – S’kthehem mbrapsht”.

Kuptimplote këto vargje. Jeta, vepra, krijimtaria e shumanëshme e mikut tim të shtrenjtë Moikom Zeqo, e largojnë vdekjen dhe harrimin e Tij. Ai është këtu, më i gjallë dhe vital se ne të gjallët.

(Marrë nga ExLibris)

TRISHTIMET E VJETRA TË PËRTEJ PROVINCËS…- Nga LULZIM LOGU

-Ndjesi nga leximi i romanit “Provinca” i Liridon Mulajt-

Trishtimet e vjetra…

E lexoj në një pasditje të gjatë, të një dite as dimër, as pranverë, kur dielli sadopak mundohet tu shpëtonte kurthit të reve të zeza, të cilat çast pas çasti lëshonin turra shiu të dendur, që të lëshonte pak rreze joshëse që ndillnin aromën e dheut gjysmë të lagësht. Kur të kujtohen papritur trishtimet e vjetra…

E kisha aty përballë në bibliotekë, skaj librit të fundit të Markezit, të dy më prisnin ti shfletoja menjëherë, por nuk e di përse isha stepur për të gjetur pikërisht një të tillë pasdite, një kohë kur ai këndi yt në dhomën tënde të ndënjes të duket aq ndjellës, ndërsa jashtë të neverit pejsazhi i papërcaktuar stinor dhe era e cila shkund polenin si pluhur trotuarëve…

Ballina e librit, me pamjen gri të antenave satelitore, të shumta në numër dhe gjithnjë duke u shtuar, përkundrejt zvogëlimit të numrit të bashkëqytetarëve të mi në qytetin tim të bukur, një mendim i tillë ngërthyer së bashku nga një moment shikimi në ballkonin tim të banesës, që sheh deri në prespektivë shetitoren kryesore të qytetit, më shtyu të marr menjëherë në duar librin e Liridon Mulajt “ Provinca” e të shtyj për një kohë të dytë librin e dëshiruar prej sa kohësh të Markezit.

E lexoj me një frymë librin e Mulajt, duke kujtuar në çdo faqe sikur e kam lexuar disa herë, sikur po e rilexoja për të disatën herë këtë libër. Besoj se çdo lexues ndërsa kalon faqe prej faqje gjen patjetër diku veten e tij, ose së paku fragmente të rëndësishme nga periudha të ndryshme kohore, bëhet shpesh njësh me kuadrin kohor dhe shpirtëror të ngjarjeve të një jete e cila na kalon gati lakuriq para syve, ngjarje të një province, por që shfaqet si pjesë integrale edhe e mjediseve më të mëdha dhe të populluara të metropolit.

Provinca si nocion, si kufizim në hapësirë dhe kohë, si një mjedis i ngjeshur dhe i frikshëm i klisheve dhe dogmave jetësore, si vend vetvrasjeje dashurish dhe ndjenjash ,që u mirret fryma nga myku dhe kalbësira e mureve të saj të trasha dhe të trishta, por shpesh edhe si një lëndinë iluzionesh të bukura dhe të virgjëra, të cilat më pas në zhvillimin e tyre bien të rrënuara si qelqe të thyera trishtueshëm në ciklin e saj të çuditshëm…

Ky është ndoshta pohimi kryesor, i cili përmes episodesh të zakonshme njerëzore në dukje, por aq komplekse dhe një kaleidoskop i mrekullueshëm personazhesh, ndjesish dhe ngjyrash të një epoke, e cila rezonon mezidukshëm, por gjithësesi ndihet, në tërësinë e vorbullës së ngjarjeve, ku autori është sa personazhi kryesor, poaq sa një kalimtar i ftohtë që vëzhgon nga larg kronikën e një epoke të pakallur, e cila nuk duhet harruar…

Mite dhe mure pa dyer…

Ka një stil të çuditshëm të shkruari autori, i cili jo rastësisht tani ka thyer pavëmendjen ndonjëherë trishtuese të opinionit të lexuesve të marrëmëndur prej librave limonadë.

Ngjarja dhe fryma e mesazhit që ngjit natyrshëm në përshkrimet e verteta, mbështetur nga kujtimet e ngulitura në kujtesën e tij tronditëse, përcjellja e mrekullueshme e trishtimeve të vjetra të përtej provincës deri në ditët dhe përjetimet tona të sotme, ndjenja se po jetohet dhe shkruhet njëkohësisht ngjarja dhe protestohet me frymën e shpirtit të pastër dhe fisnik të personazhit.

Këto dhe gjuha fine e romanit, pasuruar vazhdimisht me tone të bukura të figuracionit të veçantë e bëjnë librin një traktat dashurie, një kornizë e dëshiruar portretesh të shtrenjta të fëminisë dhe jo vetëm, një kronologji pa skaje e ngjarjeve më përcaktuese të jetës së gjithësecilit prej nesh.

Një dritare që hapet kur duhet për të parë natyrshëm evolimin tonë fizik dhe shpirtëror në raport me evolimin gradual të sistemit social dhe të qëndrimit ndaj fazave të ndryshme të zhvillimit të shoqërisë së sotme, e cila njëfarsoj dikton sjelljet dhe personalitetin tonë.

Theqafjet e autorit në përpjekjen e ti për të ndjekur dhe për tu dhënë emër ëndrrave, ku Provinca si më e madhja ëndërr, shndrruar në një siluetë delikate malli dhe nostalgjie, fije shprese e ndryshimit për të ardhmen mbetet kryefjala, rrjedh në shtratin e shtruar ëmbël me figurën lidhëse të ngjarjeve nanën, por edhe me portretet e dashura familjare dhe figurat fluide të dashnisë së hershme dhe të mëvonshme.

Ka sinqeritet rrëfimi prej një mjeshtri të fjalës, strukture solide në renditjen epokale të ngjarjeve, fantazi marrëmëndëse në qartësinë e marrëdhënieve shpirtërore, krejt libri ngjan si një letër mallëngjimi shkruar thjesht për vetveten, e cila më pas në kohë ka fituar dhe është ngarkuar me plot mesazhe jetësore dhe të shpërthyera prej enës së shpirtit përballen me lexuesin e me furinë e ndjenjave të rralla për nga malli dhe lëngu jetësor që stërpikin në faqet e romanit dhe tingëllojnë në vetëdijen e lexuesit me akorde aq të bukura.

Kthimet tona…

Kalamendemi shpesh në kujtimet tona, sidomos kur kemi humbje shpirtërore, kur kemi mungesa, kur kemi mall të çmendur për të dashurit tanë të shtrenjtë. Kaplohet aty këtu fëminia, dramat tona me prindër, të afërm dhe mentorët e dukurive të reja në kohë. Pavarësisht se ku jetojmë, në çfardo hapësire apo areali. Gjejmë provincën tonë të përkohshme të terrenit fizik apo shpirtëror, përpiqemi të zbulojmë ndikimin e saj në rritjen dhe afirmimin tonë, sikurse përcaktimin e fortë apo të dobët në fatin jetësor.

Gjithësesi janë kthimet tona të natyrshme në rrëjët tona, filli që lidh të kaluarën me të sotmen, përpjekjet për ta kuptuar më mirë vetveten dhe qasjen ndaj trendit të botës në rrugnajën e saj të rrëmujshme. Një çast vlerësimi, por edhe një komunikim më i shlirë me të tjerët pranë, për të ndërtuar vazhdimin tonë, me dashuritë dhe fëmijët…

Liridon Mulaj më kujton se rrëfimi dhe komunikimi me veten dhe të tjerët përmes kujtimeve dhe provincave tona , sinqerisht dhe pa frikën e pargjykimeve na bën të ndihemi ndryshe, na bën të ndihemi më mirë. Siç u ndjeva dhe unë kur e mbarova me një frymë romanin interesant “Provinca”…

Maj 2024

Nga Xhahid Bushati: Koha Justiniane – Aktorja e talentuar Justina Aliaj dhe malli i saj për vendlindjen, ja mbresat për teatrin poetik

Aktorja e talentuar Justina Alia dhe malli i saj për vendlindjen
– Shënime, mbresa dhe përftesa për teatrin poetik.
“Mall për Vendlindjen”, skenariste: Justina Alia –

 

1. Në mesin e muajit maj 2024, aktorja e shquar Justina Alia, kësaj here ndryshe nga të tjerat, përmes mallit e kujtimeve pafund udhëtoi drejt Shkodrës, si skenariste, regjisore, aktore, kostumografe për të vënë në skenë teatrin e saj poetik të titulluar: “Mall për Vendlindjen”. Dhe vetiu, në këtë udhëtim të magjishëm, zëri i saj që i ngjan bilbilit këndon ëmbël si në një ninullë këto vargje muzikale: “Sa herë kthehem në qytetin tim ,/ të bukurat jare bilbila ç’më kujton…, / një pjesë të gëzimit të saj jam dhe unë.”

Justi erdhi. Vallë, po hapat, ku po e çojnë?! Fillimisht ka ardhur të zgjojë fëmijërinë, adoleshencën, rininë e parë, skenën e teatrit “Migjeni” ku për shumë vite interpretoi dhe këndoi… Me një dosje në dorë, ku “jeton” skenari i shfaqjes ngjit ngadalë-ngadalë shkallët e teatrit (tashmë të njohur e të dashur) gjithë emocion. Nuk ka nevojë të trokasë te porta. E njeh ajo. Nuk ka nevojë të jetë “e huaj dhe e panjohur” në skenë. E njeh ajo. Papritur, dëgjon një zë që i flet si nëna: “Justi, mirë se erdhe!” Është malli i Vendlindjes brenda shpirtit që i flet, është malli i pashuar që e puth përjetësisht.

– Mirë se erdhe, bijë!

Dhe kështu na erdhën të gjalla e plot jetë lirikat e Rreshpjes, të Lefter Çipës, tragjikja e Mjedës, fabulat me humorin fin të Dritëro Agollit, lodërzimet e ëmbla të dashurisë të Ali Asllanit, bota e bukur e plot dritë të vargjeve nga pena e Ledia Dushi etj, etj. Dhe kështu, ky teatër poetik me magjinë e tij që na fali Justi i ngjante një qielli me plot yje shkëlqimtarë e ëndërrimtarë. Mbase dhe vetë teatrik poetik ishte një ëndërrim i bukur!

 

2. Teatri poetik i Justit ka një CV të pasur me emra poetësh, që i dhanë emër dhe dritë letërsisë shqipe në vite dhe dekada. E kujdesshme, përmes një kulture poetike, ka zgjedhur një buqetë poezish, ku në krijimet e tyre kanë firmosur fuqishëm poetë si: Mjedja, Ali Asllani, Lefter Çipa, Fred Rreshpja, Ledia Dushi, Dodë Kaçaj etj. Secili është panteon më vete, dhe gërshetimi e harmonizimi i tyre përmes kodeve estetike u kanë dhënë jetë vargjeve interpretimet e shkëlqyera të aktorëve Justina Alia, Merita Smaja, Rajmonda Marko, Jozef Shiroka, Astrit Fani, Simon Shkreli, Fritz Selmani, të cilët fituan dhe duartrokitjet e spektatorëve shkodranë, që për ta kjo natë mbeti një kujtim i bukur dhe i paharruar.

Teatri poetik i konceptuar dhe i strukturuar nga Justi ishte konceptuar në një mënyrë interesante, shpesh befasuese dhe admiruese, siç ishin lëvizjet dhe marrëdhënia skenike. Në lëvizjet interpretative ishte një treshe që ishte bërthama e teatrit poetik e, që lëvizte në mënyrë elegante dhe komunikimi mes tyre pushtonte skenën dhe poezia shpërfaqej me spektrin e ngjyrave të madhështisë e të muzikalitetit të kësaj gjinie artdashëse. Sigurisht, peshën kryesore e mbante aktorja Justina Alia e bashkëshoqëruar me zërat e ngrohtë që të kujtonin puhiza malli të aktoreve: Merita Smaja dhe Rajmonda Marko. Si një dekor i bukur lëvizës, gjallërues e plot nerv poetik që teatrit poetik i jepnin frymëmarrje më të gjerë ishin dhe interpretimet e Jozefit, Astritit, Simonit dhe Fritzit. Dhe kështu na erdhën të gjalla e plot jetë lirikat e Rreshpjes, të Lefter Çipës, tragjikja e Mjedës, fabulat me humorin fin të Dritëro Agollit, lodërzimet e ëmbla të dashurisë të Ali Asllanit, bota e bukur e plot dritë të vargjeve nga pena e Ledia Dushit etj., etj. Dhe kështu, ky teatër poetik me magjinë e tij që na fali Justi i ngjante një qielli me plot yje shkëlqimtarë e ëndërrimtarë. Mbase dhe vetë teatrik poetik ishte një ëndërrim i bukur!

Justi erdhi. Vallë, po hapat, ku po e çojnë?! Fillimisht ka ardhur të zgjojë fëmijërinë, adoleshencën, rininë e parë, skenën e teatrit “Migjeni” ku për shumë vite interpretoi dhe këndoi. Me një dosje në dorë, ku “jeton” skenari i shfaqjes ngjit ngadalë-ngadalë shkallët e teatrit (tashmë të njohur e të dashur) gjithë emocion… Nuk ka nevojë të trokasë te porta. E njeh ajo. Nuk ka nevojë të jetë “e huaj dhe e panjohur” në skenë. E njeh ajo. Papritur, dëgjon një zë që i flet si nëna: “Justi, mirë se erdhe!” Është malli i Vendlindjes brenda shpirtit që i flet, është malli i pashuar që e puth përjetësisht…

3.Në gjithë orën e këndshme të shfaqjes, ndritën dhe dy yje që i dhanë dritë të mëtejshme teatrit poetik, siç ishin kori polifonik “Prenkë Jakova” drejtuar nga Mjeshtri Gjon Shllaku, si dhe “Mall për Vendlindjen” që Justi i fali (kësaj here e si gjithmonë) kësaj kënge të pamoshë: zërin, zemrën, mallin dhe kujtimet…

Vërtet teatri “Migjeni” i Shkodrës shumë vite më parë në këtë skenë kishte ndjekur me ëndje teatrin poetik të Shkollës së Artistit të Madh ‘Serafin Fanko’, dhe ja… kjo rrugë nuk mbeti e heshtur dhe e zbrazur, sepse erdhi Aktorja e dinjitetshme e plot pathos Justina Alia, që jo vetëm i dha dritë këtij zhanri, por mbi të gjitha përmes mallit të Vendlindjes rikujtoi poetët që nuk njohin vdekje, por përjetësi. Këto i gjetëm dhe i pamë në këtë teatër poetik të realizuar artistikisht nga mjeshtëria e Aktores së talentuar Justina Alia.

Talenti i saj solli Kohën Justiniane.

SOPRANOJA ME FAMË BOTËRORE INVA MULA, SË BASHKU ME TENORIN GJERGJI MANI DHE SOPRANON IONELA MANI SJELLIN MUZIKËN SHQIPTARE NË BUKURESHT

 

Nën duartrokitjet frenetike të një publiku entuziast, u kurorëzua një nga mbrëmjet gala, një mbrëmje magjike, që do të mbetet gjatë në kujtesën e publikut në Bukuresht. Një koncert i jashtëzakonshëm, me artistë shqiptarë dhe rumunë, u zhvillua mbrëmjen e së premtes, 24 maj 2024, në Bukuresht. Organizatorët e koncertit ishin Shoqata Lidhja e Shqiptarëve të Rumanisë (ALAR) në bashkëpunim me Teatrin Kombëtar të Operetës “Ion Dacian” në Bukuresht. Në skenën e Operetës u ngjit sopranoja shqiptare me famë botërore, Inva Mula, së bashku me çiftin e artistëve shqiptaro-rumun, Gjergji dhe Ionela Mani, si dhe i ftuari special, tenori Daniel Magdal, solist i parë dhe drejtor artistik i Operës Kombëtare të Bukureshtit. Orkestra u drejtua nga dirigjenti Alexandru Ilie, artistët interpretuan për publikun e shumtë pjesë nga muzika shqiptare e rumune, nga repertori botëror, por edhe këngë nga folklori shqiptar e rumun. Perfomanca e lartë interpretuese i të gjithë solistëve, repertori i larmishëm, prania e muzikës shqiptare të lëvruar dhe popullore, me ritmin dhe dinamikën e saj, mahnitën publikun dhe zbuluan edhe një herë fuqinë e jashtëzakonshme të muzikës për të bashkuar popujt dhe kulturat. Cilësimi i këtij koncerti gala do të ishte: Zëra të jashtëzakonshëm – publik i mrekullueshëm! Inva Mula – magjia e skenës, zëri i saj i kristaltë, ndjeshmëri e lartë dhe interpretim mjeshtëror arriti të elektrizojë sallën me energjinë e saj; tenori Gjergji Mani, një zë i fuqishëm, energjik, me timbër plot ngjyrë; sopranoja, Ionela Mani, me veçori vokale të rralla, si dhe tenori, i njohur ndërkombëtarisht, Daniel Magdal, i pakrahasueshëm në interpretimin e tij dhe për performancën brilante si gjithmonë!

Koncerti filloi me Vallen Simfonike nr. 2 të kompozitorit të mirënjohur, Thoma Gaqi, e cila është interpretuar disa herë në Rumani nga orkestra të ndryshme simfonike. Është një pjesë me impakt të madh tek dëgjuesi i huaj, në sajë të strukturës simfonike moderne, harmonisë, ndërtur mbi një lajtmotiv popullor shqiptar.
Artistja e madhe, Inva Mula, e kthyer në Bukuresht pas më shumë se 30 vitesh, ku ka marrë çmimin e parë ndërkombëtar të karrierës së saj, Çmimin George Enescu, shkëlqeu me interpretimet e saj, përmes ndjeshmërisë, qartësisë dhe inteligjencës së epërme të zërit të saj. Përveç disa pjesëve të njohura nga repertori i huaj, ajo interpretoi pjesë të babait të saj, kompozitorit Avni Mula si Agimet shqiptare, Valsi i lumturisë etj. Së bashku me tenorin e ri, të talentuar, Gjergji Mani, befasuan publikun me pjesën rumune Te iubesc (Të dua) të kompozitorit Gherase Dendrino. Gjergji Mani, një zë i fuqishëm, energjik, me timbër plot ngjyrë, përcolli emocione të forta te publiku me një sërë këngësh të njohura shqiptare si Më ka shku menja me u fejue, Bishitalecat palë palë apo Ky marak, këngë të cilën e interpetoi në duet me bashkëshorten e tij, Ionela Mani. Interpetimi në duet me Inva Mulën i këngës arbëreshe E lule -lu duket se arriti pikën kulminante të koncertit, sepse interpetimi i dy solistëve u shoqërua ritmikisht nga spektatorët dhe gëzoi duartrokitje të zgjatura të spektatorëve, të cilët u ngritën në këmbë në shënjë vlerësimi. Sopranoja, Ionela Mani, me veçori vokale të rralla, interpretoi pjesë të vështira nga folklori rumun dhe shqiptar, si Lie, Lie ciocarlie, Baresha apo Margjelo, duke evidentuar cilësitë teknike dhe emocionale të interpetimit. Tenori i njohur rumun, Daniel Magdal, me një karrierë ndërkombëtare, plotësoi paletën e pasur të repertorit të koncertit me pjesë spanjolle dhe franceze. Përpos suksesit të jashtëzakonshëm të të katërve artistëve lirikë, një risi e këtij koncerti ishte fakti që u soll në qendër të vëmendjes, mbase si asnjëherë tjetër në kryeqytetin rumun, muzika shqiptare.
Në sallë ndodheshin personalitete të muzikës dhe artit në Rumani, gazetarë, artdashës dhe simpatizantë të kulturës shqiptare si dhe anëtarë të komunitetit shqiptar të Rumanisë. Televizioni Kombëtar TVR1 realizoi një reportazh të posaçëm për koncertin e jashtëzakonshëm. Deputeti Bogdan-Alin Stoica, kryetari i shoqatës së shqiptarëve, kryetari Dr. Radu-Cosmin Savulescu si dhe Koordinatori i Qendrës Kulturore të ALAR, Dr. Luan Topçiu, morën urimet për organizimin dhe realizimin e kësaj ngjarje të rëndësishme kulturore që ndihmon drejtpërsëdrejti njohjen në shkallë të gjerë të kulturës shqiptare në Rumani, promovimin e artistëve të talentuar e të denjë shqiptarë, që shndërrohen, kësisoj, në ambasadorë të vërtetë të kulturës shqiptare dhe vendit të tyre në botë.

Bukuresht
Zyra e shtypit, ALAR

Vitrina e librit- Shqipëria në botën e mijëvjeçarit të tretë

Eugjen Merlika; një publicist dhe emër i njohur në agorën e mendimit politik dhe qytetar në Shqipëri, Merlika sjell një përmbledhje artikujsh ku tematikat ndahen mes historisë dhe politikës.

Përmes këndvështrimit të tij të qetë e të shtruar, autori shtjellon mendime mbi çaste të rëndësishme të realitetit shqiptar. 

Pas 30 vitesh, Koncert i jashtëzakonshëm me sopranon e madhe shqiptare Inva Mula në skenën e Operetës & Teatrit Muzikor Kombëtar “Ion Dacian” të Bukureshtit

Shoqata e Lidhjes së Shqiptarëve në Rumani bën me dije:

🌠 Një mbrëmje gala, një ngjarje e jashtëzakonshme, një mbretëri muzikore!

Koncerti i jashtëzakonshëm i organizuar nga Lidhja e Shqiptarëve në Rumani në Operetën Kombëtare dhe Teatrin Muzikor “Ion Dacian” në Bukuresht që kënaqi të pranishmit dhe zbuloi edhe një herë fuqinë e jashtëzakonshme të muzikës për të bashkuar popujt dhe kulturat. 🇷🇴🎶🇦🇱

Të premten, më 24 maj, sopranoja e madhe shqiptare Inva Mula u ngjit në skenën e Operetës, në Rumani me ftesë të ALAR,

së bashku me çiftin e artistëve rumuno-shqiptar, Ionela dhe Gjergji Mani.

Në koncert mori pjesë edhe të ftuarin special, tenori Daniel Magdal, solist i parë i Operës Kombëtare të Bukureshtit.

Të shoqëruar nga orkestra e drejtuar nga maestro Alexandru Ilie, artistët ofruan një koncert në të cilin u ndërthuren muzika rumune, shqiptare dhe universale, folklori dhe krijimi i kultit, melankolia dhe gëzimi. 🎙

Përsëri në Bukuresht pas më shumë se 30 vitesh, Inva Mula interpretoi ndër të tjera një sërë veprash të kompozuara nga vetë babai i tij, kompozitori i njohur shqiptar Avni Mula.

Ajo mrekulloi publikun edhe duke interpretuar veprën në rumanisht “I love you”, nga Gherase Dendrino, në duet me Gjergji Manin. 🎥

Zgjedhjet audio-video nga koncerti në skenën e Operetës dhe Teatrit Muzikor Kombëtar “Ion Dacian” do të jenë në faqen ALAR në ditët në vijim.

Gjithashtu, një raport i detajuar rreth ngjarjes do të publikohet në faqet e revistës mujore “Drita” (“Drita”), të redaktuar nga organizata jonë.

 

Feedback geben

Send this to a friend