VOAL

VOAL

Shoqëri e zhytur në poshtërim njerëzor – Nga Aleksandër Çipa

April 14, 2016

Komentet

Rama, “burri i gjatë i një vendi të vogël”, që jep leksione diplomacie për Europën e bashkuar- Nga GENC BURIMI

“Mund të jem vërtet udhëheqësi më i gjatë në Evropë në këtë samit”, tha Rama sot para gazetarëve në Dublin, ku mblidhej Komuniteti Politik Evropian, “por s’përfaqësoj veçse një vend fare të vogël e pa peshë”. Dakord, por atëherë çfarë nevoje pati Kryeministri i Shqipërisë së vogël dhe jo anëtare e BE-së të nxirrte nga goja çudira të atilla mbi konfliktin aktual në Ukrainë?

“Europa bëri një gabim shumë të madh që nga dita e parë, sepse hoqi dorë nga diplomacia me Rusinë duke u përqendruar vetëm tek armatosja. Ishte një gabim i madh i saj që vuri bast se s’kishte nevojë për bisedime, meqenëse Rusia do të mundej ushtarakisht.” Më tej Rama shtoi: “Çështja është se Europa e ka nënkontraktuar diplomacinë e saj te Donald Trump dhe ja rezultati.”

Udhëheqësi shqiptar, me këtë leksion surrealist, bën një sërë gafash, në mos gajesh:

1- Ndryshe nga familja e përbashkët evropiane ku Shqipëria synon të hyjë, Edi Rama nënkupton se mund të bëhet diplomaci me Putinin, ashtu siç mund të bëhej me Hitlerin, ku naiviteti i një Chamberlaini dhe i një Daladier-i në Mynih më 1938 u pagua “cash” me 40 milionë viktima nga nazizmi në mbarë kontinentin evropian. Rama predikoi në Dublin se mund të negociohet me diktatorin rus në të mirë të Ukrainës, kur ushtria e Putinit po përpiqet çdo ditë ta rrafshojë këtë vend martir dhe të shfarosë popullin ukrainas ekzaktësisht siç bëri me Çeçeninë. Ishte Rama që foli apo Peskovi, zëdhënësi i Kremlinit?

2- Po të ishte fati i luftës në Ukrainë në duart e diplomacisë evropiane sipas vizionit të Ramës, përse tash dy vjet që nga ardhja e Trumpit në pushtet, edhe vetë fuqia më e madhe në botë nuk po arrin dot te paqja me anë të rrugës së diplomacisë?

3- Pse ky sulm verësie edhe ndaj Presidentit Trump, për të cilin Rama thotë me përbuzje “ja rezultati tani që Europa mori si nënkontraktor Donald Trumpin për negociatat me Rusinë”? Apo ngaqë tani, pasi ky humbi zgjedhjet, Rama ua bën me sy armiqve demokratë të Trumpit në Kongres dhe në Senat? I padenjë ky vals interesaxhinjsh\!

4- Më e rënda drejtpërdrejt për Shqipërinë në deklaratat e sotme të Ramës nga Dublini është irritimi i pashmangshëm që ato shkaktojnë te vendet baltike, të cilat shpëtimin e shohin te një Evropë që armatoset dhe jo te një Evropë që negocion me djallin. Këto vende janë anëtare të BE-së dhe vetoja ndaj kandidaturës së Shqipërisë mund të ishte reagimi më normal i tyre, kur Rama luan kalin e Trojës në favor të interesave të Rusisë, qëllimi i së cilës është të fitojë kohë me negociata diplomatike dhe të heqë vëmendjen nga bombardimet çnjerëzore që i bën çdo ditë dhe çdo orë Ukrainës në këtë periudhë dimri, për ta çuar drejt kapitullimit.

5- Më ironikja është se Rama u këshillon evropianëve të bëjnë negociata, gjë të cilën e refuzon kategorikisht për veten e tij në Shqipëri, ku populli në rrugë kërkon qeveri teknike dhe zgjedhje të parakohshme. Pse nuk i thotë edhe ai vetes që, në vend të armatosë e mbipaguajë policinë, do të ishte më e udhës, në interes të paqes civile dhe të ardhmes së Shqipërisë, të pranonte një negociatë mbi bazën e kërkesave të shqiptarëve që manifestojnë në rrugë gati prej një gjysmë viti…

Lamtumirë Gjergj Hani! Nga Kastriot Dervishi

Lamtumirë Gjergj Hani!

Është ndarë sot nga jeta Gjergj Tomor Hani (13.5.1969-12.11.2026), dy herë i dënuar politik nga regjimi komunist, duke lënë në pikëllim familjarët dhe të gjithë ata që e njohën.

Më 27.5.1985, ora 23.30, kur ishte vetëm 16 vjeç tentoi të arratisej nëpërmjet liqenit në zonën e Linit, Pogradec, kur i pikasur nga ndriçimi i postës kufitare, u qëllua me kallashnikov. Shpëtoi rastësisht, u dorëzua për të mos u vrarë. U soll në Durrës për t’u dënuar. Gjykimi u bë para kolektivit të shkollës “Naim Frashëri”. U akuzua në bazë të nenit 47/gj në kombinim me nene të tjera të Kodit Penal, për tradhti ndaj atdheut. Gjykata e Rrethit Durrës, me vendimin nr.77, datë 1.7.1985, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 5 vjet heqje të lirisë. Dënimi e vuajti në Repartin nr.311 Qafë Bari, duke punuar në minierë, pavarësisht moshës së re. U lirua me amnistinë e përgjithshme më 13.1.1986.

Por liria nuk i zgjati shumë vite. U arrestua në Durrës më 24.7.1987. U akuzua në bazë të nenit 47/gj të Kodit Penal, pavarësisht se nuk ishte në asnjë përpjekje për arratisje. Gjykata e Rrethit Durrës, me vendimin nr.16.11.1987, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 11 vjet heqje lirie. Sërish dënimin e vuajti në Qafë Barit. U lirua me amnistinë e përgjithshme më 6.2.1991. Një muaj më pas emigron në Itali.

(Në foto, Gjergji i arrestuar në moshën 16 vjeçare)

A është ‘Rilindja’ e piktorit dega shqiptare e ‘Botës Serbe’? – Nga KIM MEHMETI

Ka vite që kam kërkuar shpjegim nga cilido që mund të ma shpjegojë se çfarë është ajo që e bën Piktorin aq të përulur e të kujdesshëm ndaj Vuçiqit dhe Serbisë, dhe aq përbuzës, arrogant e dëmtues ndaj Kosovës dhe Kurtit.

Gjithashtu, jo sot, por prej vitesh kam pyetur publikisht nëse ka ndonjë burrë në PS që të shpjegojë pse kryetari i partisë së tyre dhe Kryeministri i mëmëdheut të shqiptarëve aq shumë i është përkushtuar shpëlarjes së duarve të përgjakura të Vuçiqit dhe mbështetjes së ‘Botës Serbe’?!

Dhe, njësoj si dikur, vazhdoj të jetoj me paqartësinë se si nuk u gjet një shqiptar i vetëm në PS që ta pyeste Piktorin se çfarë përfiton shqiptaria nga përkrahja e tij për ‘Ballkanin e Hapur’, nga mbështetaje e tij të ndarjes territoriale të Kosovës, të Asociacionit të komunave serbe, nga nënshkrimi i tij në letrat e përbashkëta me presidentin serb, nga kërkesat e tij drejtuar ndërkombëtarëve që të jenë më tolerantë ndaj Serbisë kur bëhet fjalë për lidhjet e saj me Rusinë…

Jo vetëm kaq, por ende nuk e kam të qartë nëse e majta shqiptare është mëvetësuar apo ajo kurrë nuk ka mundur të çlirohet nga kthetrat e Mugoshave.

Siç e kam të paqartë nëse këta bllokmenët e grumbulluar rreth Piktorit dhe ‘Rilindjes’ së tij, janë duke çuar në vend ndonjë amanet prosereb të paraardhësve të tyre?

Po pra, ka shumë pyetje të mbetura pa përgjigje, por të cilave duhet t’u përgjigjemi ne, shqiptarët e ndërgjegjshëm.

E ndër to, më e rëndësishmja është se si ishte e mundur që mëmëdheu ynë t’i durojë në heshtje drejtuesit të cilët, në shumëçka, duken si përfaqësues shqiptarë të ‘Botës Serbe’.

Ku ta dish, mbase do të na ndodhë siç na ka ndodhur shpeshherë në të kaluarën: që me vonesë ta kuptojmë se, në të vërtetë, nuk jemi ne ata që i zgjedhim drejtuesit tanë, por Beogradi është ai që, në masë të madhe, e përcakton se kush do ta drejtojë Shqipërinë.

Quo vadis revolucion?- Nga Lutfi Dervishi

 

Pas 165 ditësh protestë, sfida nuk është më thjesht sa njerëz do të dalin në shesh të shtunën e ardhshme, sa ujëhedhëse do të nxjerrë policia apo sa gjoba të tjera do të vendosen. Sot, sfida është shumë më e madhe: ku po shkon kjo lëvizje dhe si mund ta shndërrojë zemërimin në ndryshim politik?

Protesta ka arritur diçka që vetëm gjashtë muaj më parë dukej e pamundur: ka ndryshuar atmosferën politike, ka thyer monopolin e opozitës tradicionale mbi pakënaqësinë dhe ka nxjerrë në rrugë njerëz që nuk e shihnin veten as te PD e as te partitë e tjera.

Për gati gjashtë muaj, sheshi ka krijuar një qendër të re graviteti politik, pa qenë ende një forcë politike.
Kjo është njëkohësisht arritja dhe dobësia më e madhe e protestës.
Sheshi ka fituar të drejtën të kërkojë ndryshimin, por nuk ka ndërtuar instrumentin për ta realizuar atë.

1. Keqkuptimi i madh: largimi i Ramës dhe Berishës
“Rama në burg, Berisha në burg!” është një nga parullat më të njohura të protestës. Ajo përmbledh refuzimin e dy figurave që kanë dominuar politikën shqiptare për dekada.

Megjithatë, midis kërkesës për përgjegjësi penale, që i takon drejtësisë, dhe largimit nga pushteti politik, që vendoset përmes mekanizmave demokratikë, ekziston një dallim thelbësor. Sheshi mund të kërkojë llogaridhënie për të dy, por nuk mund të vendosë as për fajësinë penale, as për drejtimin e partive të tyre.
Edi Ramën nuk mund ta largosh nga Partia Socialiste me protestë dhe as Sali Berishën nuk mund ta largosh nga Partia Demokratike me thirrje nga sheshi.

Të dy kanë çimentuar marrëdhënie politike, organizative dhe personale me partitë e tyre. Pushteti i tyre nuk buron vetëm nga karizma dhe popullariteti, por nga kontrolli mbi strukturat, përzgjedhja e kandidatëve, mekanizmat e vendimmarrjes dhe besnikëria e njerëzve që i rrethojnë.

Mund të kërkosh largimin e Ramës nga qeveria, pa pasur asnjë shans ta largosh nga PS, sikundër mund të kundërshtosh Berishën si alternativë qeverisëse, pa pasur asnjë mundësi ta largosh nga PD.
Këto janë dy beteja krejt të ndryshme.

Protesta rrezikon të bjerë në një kurth nëse e kushtëzon suksesin e saj me asgjësimin politik në të njëjtën kohë të dy figurave që dominojnë prej dekadash skenën politike. Sfida është të ndryshosh raportin e forcave, jo të presësh që kundërshtarët të zhduken me një të rënë të lapsit.

2. Shqipëria nuk është Serbia dhe as Hungaria
Krahasimet të ndihmojnë, me kusht që të mos shndërrohen në receta.
Në Serbi, lëvizja studentore për gjatë dy viteve ndërtoi rrjete, mekanizma përfaqësimi dhe një perspektivë politike që nuk kufizohej vetëm te largimi i një njeriu.

Mësimi serb nuk është se mjafton të protestosh gjatë për të fituar, por se organizimi, përfaqësimi dhe alternativa politike janë po aq të rëndësishme sa qëndresa.

Hungaria ofron një tjetër mësim. Çarja brenda sistemit politik që kishte mbështetur Viktor Orban krijoi hapësirën për një alternativë të re. Një figurë e dalë nga brenda establishmentit arriti të mobilizojë pakënaqësinë dhe ta kthejë atë në konkurrencë politike. (Në Tiranë, deri tani vetëm deputetja 25-vjeçare Marjana Koçeku ka dalë nga rreshti i shumicës dhe kryebashkiaku Tiranës përballet nga qelia me kryetarin e partisë).

Rrugët janë të ndryshme, por mësimi është i njëjtë: autokratët nuk bien thjesht pse ka pakënaqësi popullore. Ata humbasin pushtetin kur zemërimi gjen organizimin, përfaqësimin dhe mekanizmin që e kthen në rezultat politik.
Shqipëria ka një vështirësi shtesë për të bërë rotacion.

Zgjedhjet janë rruga kushtetuese për ndryshimin e pushtetit, janë instrument për të ulur tensionet dhe për të dalë nga kriza, por kushtet e garës nuk janë të barabarta dhe sistemi nuk favorizon partitë e reja.

Përdorimi i burimeve shtetërore, avantazhet e pushtetit, ndikimi mbi administratën, ndikimi i krimit të organizuar dhe problemet e dokumentuara dhe të përsëritura të procesit zgjedhor e bëjnë konkurrencën më të vështirë.
Kjo nuk është arsye për të hequr dorë nga zgjedhjet, sepse asgjë nuk arrihet pa zgjedhje, por është një arsye më shumë për ta bërë betejën për zgjedhje të ndershme pjesë të pandashme të betejës për ndryshimin politik.

3. Sheshi nuk e fshin dot hartën politike
Në protestë janë përfshirë apo janë afruar forca me histori, ambicie dhe interesa të ndryshme: Lëvizja Bashkë, Mundësia, Shqipëria Bëhet, Atdheu, aktivistë të pavarur, studentë dhe qytetarë që nuk identifikohen me asnjë parti.
Afërmendsh që nuk kanë të gjithë të njëjtën ide për të ardhmen dhe të njëjtin mendim se si bëhet me mirë.

Disa duan të zëvendësojnë Partinë Socialiste si forcë e majtë, disa synojnë të zënë hapësirën e Partisë Demokratike, disa kërkojnë të ndërtojnë një alternativë ndaj të dyjave. Plot të tjerë nuk duan të përfshihen fare në politikën partiake.

Kjo larmi ka qenë forca e protestës, pasi ka bashkuar njerëz që në kushte normale nuk do të qëndronin në të njëjtin shesh, por kjo larmi mund të kthehet në dobësi në momentin kur duhet marrë një vendim politik.

Një gjë duhet pranuar: PD nuk zhduket nga harta sepse protesta ka krijuar një qendër të re opozitare. Ajo ka strukturat, elektoratin dhe përfaqësimin e saj. Po kështu, PS nuk zhduket edhe nëse Edi Rama humbet pushtetin.
Këtu qëndron paradoksi i protestës. Në shesh brohoritet “Rama në burg, Berisha në burg!”, ndërsa në terrenin elektoral PS dhe PD mbeten dy forca politike që nuk mund të injorohen.

Refuzimi i dy liderëve nuk përkthehet automatikisht në refuzimin elektoral të dy partive.
Nëse ndokush mendon apo ëndërron se këto dy forca do të shuhen vetvetiu, ngatërron dëshirën me realitetin.
Sheshi mund të ndryshojë raportin e forcave, por nuk mund të sillet sikur forcat ekzistuese nuk janë aty.

4. Nga pesë kërkesa te një alternativë
Protesta ka paraqitur pesë kërkesa që deri tani janë anashkaluar nga qeveria. Sheshi nuk ka paraqitur një platformë qeverisëse, sepse nuk është parti politike dhe nuk ka detyrimin të paraqesë program për taksat, pensionet, arsimin, shëndetësinë apo politikën e jashtme.

Për gjashtë muaj, protesta ka pasur përballë një njeri dhe një sistem pushteti të përqendruar rreth tij. Objektivi ka qenë largimi i Kryeministrit.

Mirëpo, në momentin kur lëvizja kërkon të shndërrohet në alternativë politike, duhet të shpjegojë çfarë do të ndryshojë, kush do ta bëjë ndryshimin dhe si do të garantohet që pushteti i ardhshëm të mos riprodhojë të njëjtat mekanizma.

Deri tani protesta ka ndryshuar sjelljen e të gjithë aktorëve, edhe të atyre që nuk e pranojnë.

Qeveria nuk mund ta trajtojë pakënaqësinë si një episod kalimtar. Opozita tradicionale nuk mund të pretendojë se është përfaqësuesja e vetme e zemërimit qytetar. Partitë e reja nuk mund të sillen sikur gara zhvillohet vetëm për rritjen e përqindjeve të tyre.

Edhe vetë protesta ka ndryshuar. Ajo nuk është më vetëm reagim ndaj një keqqeverisjeje, por është bërë bartëse e një pritshmërie politike.

5. Pesë rrugët përpara
Pas gjashtë muajsh jetë dhe gjashtë muaj para zgjedhjeve lokale, lëvizja përballet me disa zgjedhje reale.
A. Vazhdimi i protestës pa ndryshuar strategji
Kjo rrugë ruan presionin, identitetin dhe autonominë e sheshit. Qëndresa mund të vazhdojë ta konsumojë edhe më shumë politikisht qeverinë, sidomos nëse ajo përgjigjet me represion dhe vijon duke mos konsideruar asnjë kërkesë të protestës. Rreziku, në këtë rast, është lodhja, përsëritja dhe humbja graduale e efektit politik. Një protestë mund të zgjasë edhe me vite pa u shndërruar domosdoshmërisht në ndryshim pushteti.

B. Shndërrimi i protestës në një forcë të re politike
Kjo do të thotë organizim, kandidatë, program dhe përgjegjësi publike.
Avantazhi është krijimi i një alternative që nuk varet nga partitë ekzistuese. Rreziku është përçarja e sheshit, pasi jo të gjithë protestuesit duan të bëhen pjesë e një partie.
Një lëvizjeje që ka bashkuar mijëra njerëz kundër një qeverie nuk i lejohet të ëndërrojë që të gjithë këta njerëz do të votojnë automatikisht për të.

C. Secili për vete
Secila parti ruan identitetin, drejtuesit dhe ambiciet e saj. Avantazhi është autonomia e plotë e secilës forcë. Kjo është rruga më e lehtë për drejtuesit dhe ndoshta më e kushtueshmja për objektivin e përbashkët, sepse vota kundër qeverisë thërrmohet.

D. Një front i përbashkët elektoral dhe politik
Kjo është rruga më e vështirë për t’u negociuar, por potencialisht më efektivja.
Një front që bashkon energjinë e protestës, partitë e reja, aktorët e pavarur dhe forcat opozitare të gatshme për një marrëveshje mbi rregullat e garës, pa i kërkuar askujt që të heqë dorë nga identiteti i vet.
Bashkimi nuk duhet kuptuar si nënshtrim ndaj një partie apo një lideri, por duhet të mbështetet në një marrëveshje të qartë për objektivat, kandidatët, vendimmarrjen dhe kontrollin e pushtetit të ardhshëm.

E. Bojkoti i zgjedhjeve
Kjo mund të ruajë pastërtinë morale të lëvizjes dhe të shmangë kompromiset me partitë. Çmimi politik mund të jetë i lartë. Nëse protesta nuk hyn në garë, nuk ndërton një alternativë dhe nuk krijon një mekanizëm tjetër efektiv presioni, rrezikon të mos dëmtojë as qeverinë, as opozitën tradicionale.
Ajo mund të ketë zënë për gjashtë muaj vendin e opozitës në shesh, për t’ia lënë sërish vendin opozitës në kutinë e votimit.

6. Tirana, prova e parë
Beteja për Tiranën mund të jetë testi më i rëndësishëm politik për të ardhmen e protestës jo vetëm për shkak të peshës së kryeqytetit, por sepse këtu mund të dëshmohet nëse energjia e sheshit përkthehet në vota, organizim dhe përfaqësim.

A do të ketë një kandidat të dalë nga protesta? A do të mbështesin partitë e reja një kandidat të përbashkët? A do të jetë e mundur një marrëveshje më e gjerë me opozitën tradicionale? Apo secila forcë do të garojë veçmas, duke e shndërruar betejën kundër qeverisë në një garë mes opozitarëve?

Në Tiranë do të shihet edhe dallimi mes popullaritetit në rrjetet sociale dhe mbështetjes reale elektorale. Një video me një milion shikime nuk është një milion vota, një politikan që “mbush” ekranin nuk mbush domosdoshmërisht kutitë e votimit, një shesh i mbushur nuk është automatikisht një shumicë elektorale.

Llogaritë e vjetra me 500 mijë apo 800 mijë vota nuk mund të përdoren mekanikisht sepse tashmë gjithçka ka ndryshuar. Elektorati ka ndryshuar, pjesëmarrja ndryshon, diaspora mund të jetë më aktive dhe ka një kategori qytetarësh që nuk duan as qeverinë aktuale, as kthimin te alternativa e PD.

Kjo kategori mund të jetë vendimtare, por vetëm nëse gjen një arsye për të votuar dhe një alternativë që i beson.
Tirana mund të jetë vendi ku protesta provon nëse është vetëm një forcë kundërshtimi apo edhe një forcë ndryshimi.

7. Nuk mjafton 49.99%
Në politikë nuk mjafton të kesh të drejtën në anën tënde, nuk mjafton as të kesh mbështetje të gjerë.
Në një garë për një post që vendoset me shumicë të thjeshtë, mund të marrësh 49.99% të votave dhe të humbasësh gjithçka. Protesta është kimi, por kutia e votimit është aritmetikë.

Në planin më afatgjatë, llogaritë nuk duhen bërë mbi supozimin se ai do të ikë apo se Partia Socialiste do të “çahet”.
Llogaritë duhen bërë duke supozuar se Ai nuk ikën, se PS mbetet e organizuar, se administrata dhe mekanizmat e pushtetit vazhdojnë të funksionojnë dhe se gara do të zhvillohet në kushte të vështira.
Në këto rrethana, bashkimi nuk është një çështje dashurie, por llogarie.
Megjithatë, bashkimi mekanik i logove dhe i kryetarëve nuk mjafton.

Formula më e mirë nuk është bashkimi i kryetarëve, por bashkimi dhe përfaqësimi i zemërimit qytetar. Kjo kërkon një formulë të pranuar për përzgjedhjen e kandidatëve, përfshirjen e përfaqësuesve të protestës, transparencë mbi marrëveshjet dhe një platformë minimale për shtetin e së drejtës, zgjedhjet, institucionet dhe kufizimin e pushtetit personal.

Ka një kontradiktë që nuk mund të anashkalohet. Protesta kërkon ndryshim përmes një sistemi zgjedhor që e konsideron të padrejtë. Ndërkohë, ndryshimet e Kodit Zgjedhor kalojnë përmes Parlamentit, ku vendimmarrjen e kanë partitë që protesta kundërshton.

Kjo do të thotë se beteja elektorale nis shumë kohë përpara ditës së votimit dhe dita e votimit është shumë afër. Pas 5 muajsh jemi në fushatë elektorale për zgjedhjet lokale.

Një front i përbashkët duhet të ketë si objektiv jo vetëm fitimin e zgjedhjeve, por edhe garantimin e kushteve të garës: administrimin e procesit, kufizimin e përdorimit të burimeve shtetërore, transparencën e financimit, aksesin e barabartë në media dhe mekanizmat efektivë kundër presionit mbi votuesit.
Një lëvizje që nuk përgatitet për zgjedhje rrezikon t’ua lërë të tjerëve vendimin për të ardhmen e saj.

8. Rreziku nga brenda
Në këtë fazë, rreziku më i madh për protestën mund të mos jetë vetëm qeveria, por edhe ambicia e aktorëve që duan ta përfaqësojnë. Partitë e vogla duan të rriten, partitë e reja duan të provojnë forcën, partitë tradicionale duan të ruajnë pozicionet, drejtuesit duan të jenë në krye dhe nga “ushtria” e sheshit mund të dalin më shumë gjeneralë se ushtarë.

Të gjitha këto janë ambicie legjitime në një demokraci, por kur llogaritë individuale bëhen më të rëndësishme se objektivi i përbashkët, fitoren mund ta shohësh vetëm me ndihmën e dylbive. Nëse secili kërkon të fitojë pak më shumë për vete, të gjithë mund ta humbasin mundësinë për të ndryshuar qeverisjen.

Kompromisi nuk është tradhti, nëse bëhet mbi parime dhe me transparencë. Tradhti ndaj pritshmërisë së krijuar do të ishte përdorimi i sakrificës së protestuesve vetëm për të rritur kapitalin elektoral të një kryetari apo të një partie.
Sheshi nuk mund të shndërrohet në pronë politike të askujt, ai ka nevojë për përfaqësim, jo për pronarë.

9. Quo vadis, revolucion?
Pas 165 ditësh, protesta ka dëshmuar se zemërimi është real, qëndresa është e mundur dhe frika nuk mund të rritet përmes represionit. Po ashtu, protesta ka dëshmuar se nuk ka të paprekshëm dhe se opozita tradicionale nuk është e vetmja që mund të mobilizojë qytetarët.

Megjithatë, rrëzimi i një qeverie dhe ndërtimi i një sistemi më të mirë janë dy gjëra të ndryshme. Kryeministri mund të largohet nga pushteti përmes zgjedhjeve, mund të largohet edhe përmes një dorëheqjeje. Në të dy rastet, legjitimiteti i pushtetit të ardhshëm do të duhet të kalojë përmes institucioneve dhe kutisë së votimit. Protesta duhet të përgatitet për skenarin më të vështirë, jo për atë më të dëshiruarin: Rama nuk dorëhiqet, Berisha mbetet në krye të PD, PS vazhdon të jetë forca më e organizuar dhe zgjedhjet zhvillohen në një terren të pabarabartë.

Pikërisht në këtë skenar matet serioziteti i alternativës. Pas gjashtë muajsh, pyetja nuk është më vetëm si të largohet Rama. Pyetja është si të ndërtohet një shumicë që mund ta mundë Ramën, pa e zëvendësuar me një tjetër njeri që kërkon të njëjtin pushtet.

Njerëzit nuk kanë dalë në shesh vetëm për të ndryshuar emrin e kryeministrit. Ata kërkojnë një shtet ku ligji të jetë më i fortë se lideri, ku institucionet të mos jenë zgjatime të partisë dhe ku qytetari të mos përçmohet.

Kjo është arsyeja pse protesta duhet të vendosë nëse do të mbetet një kapitull i rëndësishëm i historisë së kundërshtimit apo do të bëhet fillimi i një ndryshimi politik. “Rama jepe dorëheqjen”, mund të bashkojë mijëra njerëz në shesh. Pyetja është çfarë mund t’i bashkojë këta njerëz në kutinë e votimit.

Në fund, “revolucioni” nuk matet me numrin e ditëve që njerëzit qëndrojnë në shesh, as me numrin e policëve që përballen me ta, por me atë që mbetet pasi sheshi zbrazet.

Revolucioni nuk fiton kur largohet një njeri, por kur ndërtohet një sistem ku largimi i një njeriu nuk ka nevojë për protesta që zgjasin me muaj.

Doktor Berisha mblidh zagaret e zagareshat se te kane dale jashte kontrollit Nga Adriatik Riza Dosti

E me histerizmin, banditizmin, injorancen, mercenarizmin e militantizmin e tyre skizofren.

Me gjuhen perverse , rrugacerore e ordinere po prezantohen ( fatkeqesisht per demokratet e vertete ) egzaktesisht ashtu sic jane …turpi e njolla e zeze e PD …kelyshe te Rames se selise se kuqe fshehur brenda selise blu…e qe bejne sikur ” duartrokasin per ty (???)

Por qe ne fakt po bejne pis e sterrosin si PD e imazhin tend personal po aq edhe vete demokratet e demokracine .

Te jem fare i sinqerte me ty doktor …prej vitesh kam vjell helm e vrer per Ramen e banden e tij kriminale ne pushtet …dhe do vazhdoj ta bej se sot per sot ata e AI jane e keqja me e madhe e Shqiperise dhe e shqiptareve ndaj dhe duhen shporrur.

Su kam lene fjale pa thene Elises, Oltes, Belindes, Zegjinese ,Sares, Ulsiut, Taos, Braces, Peleshit, Veliajt, Maznikut etj etj…fatkeqesise se madhe te parlamentarizmit shqiptar e pjella te hajduterise e injorances…

Por…askush prej te siper permedurve armiq te mij publik e ideollogjik nuk ka guxuar deri me sot te me kercenoje e mallkoje publikisht sic beri e sic po ben nje nga ” luftetaret e sotme demokrate ” te tuat e qe ti cuditerisht vazhdon e mban edhe ne krahun tend por edhe ne krye te Deges se PD nr.9 ne Tirane …e madje edhe ne kryesine e partise tende.

Eshte turp i madh dhe fort e rende se pari per ty e vete PD tende z.Berisha qe nje anetare e larte e nje partie sidomos Opozitare e Demokratike si njefare militante – mercenare me emrin Eda Grimci fyen rende gazetaret , madje edhe i kercenon por edhe i mallkon e i pergojon moralisht .

Si mundet kjo qenie frymore pa vlere para syve te tu te marre guximin e te degradoje figuren morale, qytetare e profesionale te gazetares se mirenjohur e te respektuar Elida Buçpapaj…bashkeshorten e mikut tend te hershem e te mirenjohurit z.Skender Bucpapaj …

Si mundet kjo pseudo demokrate te nxjerre nga goja helm e vrere per nje nga vajzat tona me te mire , intelektualen, demokraten e vertete e te persekutuaren plitike ne gen…znj. Keda Kaceli.

Dhe kulmi mberrin o Doctor qe kjo e besuara e ” demokratja jote parimore” del totalisht jashte kontrollit njerezor dhe si Hiene e plagosur rende e me shpate ne dore guxon e me kercenon mua se…do me leshoje burrin e saj ( doganierin e Edi Rames ) …dhe me mallkon deri edhe me vdekje (???)

E kupton tani o doktor se deri ne cfare derexheje ka perfunduar PD jote e sotme dhe e Nokes & Vokshit…e G.Bardhit & E.Grimcit .

Ndaj doktor mblidh te marret sa pa marrezia tu marre te gjitheve me vehte e fatkeqesisht pa kthim mbrapa …ok.

“Nga Ermal Pashaj tek Flor Binaj dhe Ilir Alimehmeti”- Mediu flet me emra: Kandidatët e mundshëm për Tiranën

Deputeti i PD-së Fatmir Mediu, i ftuar në emisionin Minuta e parë u pyet edhe për thirrjen e famshme në protestë “Rama në burg, Berisha në burg”.

Mediu deklaroi se nuk ka krahasim mes kreut demokrat Sali Berisha dhe kryeministrit Rama.

 

Sipas tij, Rama është ai që ka pushtet thuajse pa kufi sot, që ka ndërtuar shtet kryeministror dhe ka ngritur shtet të korruptuar, prandaj largimi i tij është i domosdoshëm.

“Për thirrjen ‘Rama në burg, Berisha në burg’, desha të them se Sali Berishën në burg e futi Edi Rama. Roli i Berishës është tek opozita për momentin, ndërsa roli i Ramës është i tillë, që ka në dorë shumë gjëra sot, sidomos që partia në pushtet ka kapur gjithçka. Duhet të ketë sot një bashkim të madh, që të largohet kjo qeveri e korruptuar. Kërkesa e parë duhet të jetë largimi i Ramës nga qeveria. Lufta nuk është që Fatmir Mediu të vijë në qeveri. Ne duhet të bashkohemi për qëllime të përbashkëta. Qëllimi i përbashkët është largimi i qeverisë. Kemi një qeverisje kryeministrore, ku nuk ka zgjedhje të lira e të ndershme. Zgjedhjet e ndershme përcaktohen nga listat e hapura. Duhet një reformë reale zgjedhore”, tha Mediu.

 

Më tej, Mediu komentoi edhe protestën e studentëve. Ai tha se politikanët duhet që të reflektojnë. Mediu shtoi se dhe ai vetë duhet që të reflektojë.

Deputeti demokrat vlerësoi se protesta tregon se qeverisja është e korruptuar, e padëshiruar e se duhet të largohet.

“Unë mbaj mend që në vitet 1990, unë kam qenë student dhe pedagogu im më thoshte se studentët janë ata, më të cilët nuk është e lehtë të përballesh. Studentët janë të varfër ndoshta ekonomikisht, por të pasur në mendje. Protesta duhet të bëjë politikën që të reflektojë, përfshirë dhe mua. Protesta tregon se qeverisja nuk është aty ku duhet të ishte, do të thotë se interesi kombëtar nuk vihet parësor e prandaj ajo duhet të ikë”, u shpreh Mediu.

Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, ka paralajmëruar se Shqipëria mund të përjetojë zhvillime të ngjashme me ato në Serbi, nëse kërkesat dhe reagimet e studentëve nuk merren seriozisht nga politika. Në një intervistë për emisionin “Minuta e Parë” në News24, me gazetaren Ola Bruko, Mediu u shpreh se “çdo gjë mund të ndodhë”, duke iu referuar situatës politike dhe protestave të studentëve.

 

Mediu tregoi edhe një bisedë që kishte zhvilluar gjatë një samiti me një deputet anti-Vuçiç në Serbi, i cili i kishte tërhequr vëmendjen për mënyrën se si autoritetet serbe fillimisht nuk i kishin marrë parasysh reagimet dhe kërkesat e studentëve. Sipas Mediut, kjo duhet të shërbejë si një paralajmërim edhe për Shqipërinë.

 

Ai theksoi se politika duhet të tregojë vullnet për të reaguar dhe se opozita nuk duhet të jetë e përçarë në shumë qëndrime, por të fokusohet te një qëllim i përbashkët: largimi i qeverisë. Kreu i republikanëve kërkoi gjithashtu që opozita të kalojë nga diskutimet për emrat te përcaktimi i objektivit dhe hapave konkretë për ndryshimin politik në vend. Gjatë intervistës, Mediu u ndal edhe te nevoja për kufizimin e mandateve të kryeministrit, duke propozuar që asnjë kryeministër të mos qëndrojë më shumë se dy mandate në detyrë. Mediu solli si shembull edhe një marrëveshje të republikanëve në SHBA, ku sipas tij ishte rënë dakord për kufizimin e qëndrimit në pushtet në vetëm një mandat. Sipas Mediut, kufizimi i mandateve do të ishte një mekanizëm për të shmangur përqendrimin e pushtetit dhe për të garantuar rotacionin politik.

“Duhet të kufizohet mandati i kryeministrave deri në dy mandate. Republikanët në SHBA, për shembull, kanë bërë një kontratë, ku u ra dakord që të rrinin vetëm me një mandat. Shqipëria mund të prodhojë edhe ato ngjarje që ndodhën në Serbi. Isha në një samit dhe deputeti anti-Vuçiç më tha se reagimet dhe kërkesat e studentëve nuk u morën parasysh që në fillim. Por unë them se gjithçka mund të ndodhë.

Duhet të tregojmë vullnet, nuk duhet të ndahemi në 100 pjesë. Fakti që përfaqësuesit e Partisë Republikane dhe ata të PD-së janë çdo ditë me studentët, tregon qëndrimin tonë. Unë jam pro studentëve, por parësore është Shqipëria. Duhet të kalohet nga emrat te qëllimi. Duhet të ulemi dhe të bisedojmë se cilat janë hapat për të larguar këtë qeveri. Në 2017 nuk ishte qeveri teknike, por genjeshtër. Iku Rama kush do vijë? Ka plot të rinj e të reja”, tha ai.

Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, ka folur për zgjedhjet vendore të 9 majit dhe mundësinë e daljes së opozitës me një kandidat të përbashkët për Bashkinë e Tiranës. I ftuar në emisionin “Minuta e Parë” në News24, Mediu deklaroi se opozita duhet të ndërtojë një front të unifikuar politik dhe qytetar, duke përcaktuar përmes një procesi objektiv emrin që do të përfaqësojë në garën për kryeqytetin.

Mediu shprehu mbështetje për Florian Binajn, i cili ka deklaruar se do të kandidojë, por theksoi se kandidatura përfundimtare duhet të zgjidhet përmes konsensusit, sondazheve ose primareve, në një proces ku të përfshihen të gjithë faktorët opozitarë dhe qytetarë.

Ai u shpreh se Binaj nuk duhet të ketë problem t’i nënshtrohet një sondazhi nëse në tryezën e opozitës propozohen edhe kandidatura të tjera. Në këtë kontekst, Mediu përmendi edhe emrin e Ilir Alimehmetit, dhe të mjekut Ermal Pashaj, duke i cilësuar si figura të respektuara dhe me një qasje të re politike.

“Unë e vlerësoj jashtëzakonisht shumë dhe dua të them fare qartë që, në qoftë se faktorë të tjerë politikë mendojnë se ka kandidatura të tjera, atëherë zoti Binaj nuk besoj se i shmanget faktit për të bërë një sondazh se kush është më i pranuar nga opinioni dhe nga shoqëria”, u shpreh Mediu.

Sipas tij, nuk mjafton vetëm përzgjedhja e një emri, por duhet edhe institucionalizimi i marrëveshjes mes opozitës, me rregulla të qarta për mënyrën se si do të përcaktohet kandidati. Mediu paralajmëroi se përballë një pushteti që, sipas tij, ka para dhe lidhje kriminale, një kandidaturë e vetme pa mbështetjen e gjithë opozitës dhe shoqërisë nuk do të ishte e mjaftueshme.

“Është shumë e rëndësishme që ne të vendosim kriteret, është shumë e rëndësishme që ne të ulemi me njëri-tjetrin dhe të gjejmë rrugën për të përcaktuar jo në mënyrë subjektive, por objektive se kush është kandidati më i mirë”, theksoi kreu i PR.

Mediu kujtoi gjithashtu se një praktikë e tillë bashkëpunimi u ndoq edhe në rastin e kandidaturës së Florian Binajt, kur disa faktorë politikë u bashkuan në mbështetje të tij. Megjithatë, ai këmbënguli se këtë herë duhet një marrëveshje më e gjerë, ku të kenë mundësi të propozojnë kandidatë edhe faktorët e tjerë politikë dhe qytetarët.

Ai theksoi se pa një front të unifikuar opozitar, gara për Bashkinë e Tiranës do të jetë e vështirë, duke ngritur shqetësimin për mundësinë e manipulimit të zgjedhjeve. Sipas Mediut, bashkimi duhet të jetë politik dhe qytetar, në mënyrë që kandidati i përbashkët të ketë mbështetjen më të gjerë të mundshme. bw

“Kosova nuk është Serbi!” Marjana Koçeku përplaset me Vladimir Štimac, reagon edhe Romana Vlahutin

Deputetja e pavarur Marjana Koçeku është përfshirë në një debat në rrjetin social “X” me Vladimir Štimac, pas deklaratave të këtij të fundit se Kosova është dhe do të mbetet pjesë e Serbisë.

Vladimir Štimac është kryetari i Partisë Forca Nacionaliste Serbe, pjesë e listës studentore serbe, e cila sa i përket Kosovës, duket se ka të njëjtin qëndrim si Vuçiç.

Koçeku ka theksuar se demokratizimi i Serbisë nuk mund të vijë duke ruajtur të njëjtat qëndrime të presidentit Aleksandar Vuçiç ndaj Kosovës. Sipas saj, Serbia duhet të njohë krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë dhe të kërkojë falje për viktimat, personat e zhdukur dhe dhunën seksuale gjatë konfliktit.

7964f578 5add 4f45 B00f 04c77a69e74e
7964f578 5add 4f45 B00f 04c77a69e74e

Debati ka tërhequr edhe vëmendjen e ish-ambasadores së Bashkimit Europian në Shqipëri, Romana Vlahutin, e cila ka shpërndarë reagimin e Koçekut, duke e përshkruar si një mesazh nga brezi i ri shqiptar drejtuar lëvizjes studentore serbe.

86e8d3f2 F0ce 40bf 944b 7cf06ebae2d4
86e8d3f2 F0ce 40bf 944b 7cf06ebae2d4

bw

HUFFINGTON POST: Mafia shqiptare e drogës po ‘pushton’ Romën edhe ekonomikisht

Nga Vincenzo Musacchio, HUFFINGTON POST

Në Romë, rrjetet kriminale shqiptare nuk merren më vetëm me shpërndarjen e drogës: ato kanë konsoliduar një prani ekonomike gjithnjë e më të rëndësishme dhe kanë fituar një rol kryesor në disa zona.

Megjithatë, për të kuptuar përmasat e këtij fenomeni, duhet të nisemi nga trafiku i drogës. Prej vitesh, këto organizata menaxhojnë tregtinë me shumicë, kryesisht të marijuanës dhe kokainës, ndërsa shitjen me pakicë ua besojnë shpesh shpërndarësve marokenë dhe tunizianë.

Forcat e rendit arrijnë rrallë të godasin drejtuesit e këtyre rrjeteve, të cilët ndodhen në Shqipëri ose në vende të tjera. Ky është një model i ngjashëm me atë që mafia nigeriane ka përdorur prej kohësh në trafikun e heroinës: përgjegjësit i mbajnë kontaktet nga jashtë vendit, ndërsa në rrugë veprojnë të ashtuquajturit “ushtarë”, të ngarkuar me shitjen me pakicë. Për këtë arsye, operacionet më të rëndësishme zhvillohen shpesh jashtë Italisë.

Në vitin 2026, policia shqiptare dhe Interpoli arrestuan në Tiranë një trafikant shqiptar droge, 46 vjeç, i cili ishte në kërkim që prej vitit 2022 dhe konsiderohej drejtues i një rrjeti të specializuar në importimin e kokainës, të destinuar për tregjet e drogës në Romë.

Ky është një nga rastet e rralla të ndërhyrjeve të rëndësishme që godasin zemrën e klaneve shqiptare.

Megjithatë, një arrestim i vetëm vështirë se mund të jetë i mjaftueshëm. Ndërsa hetimet në Romë dhe në provincat përreth zhvillohen me ritme të shpejta, vazhdojnë të qarkullojnë sasi të mëdha droge, shpesh të lidhura me rrjetet shqiptare. Rreziku është që të përpiqesh të zbrazësh detin me një kovë të vogël.

Në Ponte Milvio, Acilia, Castelli Romani, në zonën bregdetare në jug të kryeqytetit, në San Basilio dhe Tor Bella Monaca, prania e këtyre rrjeteve është veçanërisht e theksuar.

Sipas rindërtimeve të bëra nga hetuesit, ato kontrollojnë një pjesë të konsiderueshme të trafikut lokal të drogës dhe kanë shtrirje edhe në lagje të tjera të qytetit. Aktivitetet e tyre përqendrohen kryesisht te marijuana, e kultivuar në Shqipëri, dhe kokaina.

Raportet më të fundit të Drejtorisë së Hetimeve Antimafia (DIA) dhe të Drejtorisë së Rrethit Antimafia (DDA) të Romës e përshkruajnë kriminalitetin shqiptar si një nga realitetet kriminale të huaja më të fuqishme dhe më të rrënjosura në territor, të specializuar në trafikun e drogës dhe me aftësi të spikatura sipërmarrëse.

Në vend që të funksionojnë si një organizatë e vetme, këto rrjete janë të organizuara në federata “familjesh”, të lidhura mes tyre përmes marrëdhënieve të ngushta farefisnore.

Lidhjet e gjakut forcojnë kohezionin e brendshëm dhe ushqejnë ligjin e heshtjes, duke ua vështirësuar hetuesve infiltrimin në këto grupe dhe rindërtimin e hierarkive të tyre.

Pengesa, në fakt, nuk është vetëm gjuhësore dhe nuk lidhet ekskluzivisht me përdorimin sistematik të programeve të komunikimit të enkriptuar.

Ajo është kryesisht strukturore: arrestimi i një anëtari mund të bëjë të mundur goditjen e një grupi të caktuar, por jo domosdoshmërisht identifikimin e drejtuesve të të gjithë rrjetit.

Ndërkohë, hetimet sinjalizojnë edhe një zgjerim të aktivitetit të këtyre rrjeteve në ekonominë e ligjshme.

Në Romë dhe në provincat përreth, përfaqësues të këtyre rrjeteve blejnë bare, komplekse plazhore dhe restorante.

Transfertat e parave mund të duken krejtësisht të rregullta, për shembull kur kryhen përmes transfertave bankare nga Tirana.

Megjithatë, sipas asaj që ka dalë nga hetimet, pas disa prej këtyre transaksioneve dyshohet se fshihen kapitale të paligjshme, të cilat pastrohen përmes aktiviteteve ekonomike dhe investimeve në pasuri të paluajtshme.

DDA ka dokumentuar përdorimin e kompanive fiktive për të fshehur blerjen e komplekseve të pasurive të paluajtshme, apartamenteve që jepen me qira për të gjeneruar të ardhura, si dhe të aktiviteteve tregtare.

Pikërisht këtu ky fenomen mund të shndërrohet në një darë që shtrëngon ekonominë e Romës: organizatat kriminale disponojnë kapitale të mëdha, me të cilat mund të shtrembërojnë konkurrencën dhe të depërtojnë në sektorët e ligjshëm të ekonomisë.

Në Romë, për më tepër, rrjetet shqiptare veprojnë krahas organizatave italiane të rrënjosura historikisht në territor, veçanërisht ‘Ndrangheta-s dhe Camorra-s.

Sipas DIA-s, me ‘Ndrangheta-n ato kanë zhvilluar një partneritet të qëndrueshëm tregtar, të bazuar në përfitimin e ndërsjellë logjistik dhe furnizimin me lëndë narkotike me çmime konkurruese.

Pra, nuk ka shumë arsye për t’u qetësuar.

Në mënyrë paradoksale, një shkëmbim zjarri ose një larje hesapesh mes grupeve kriminale mund të nxjerrë të paktën në pah një realitet, i cili në rrethana të tjera priret të mbetet i fshehur dhe të mos tërheqë vëmendjen e forcave të rendit.

Megjithatë, të mbështetesh te sinjale kaq dramatike është gabim: shkëmbimet e zjarrit dëmtojnë aktivitetin e biznesit, ndërsa këto rrjete prej kohësh po përqendrohen kryesisht te pastrimi i parave.

Për këtë arsye, vëmendja duhet të përqendrohet jo vetëm te dhuna e dukshme, por edhe te flukset financiare, kompanitë e përdorura si mbulesë dhe shtrirja ekonomike që u mundëson klaneve të konsolidojnë gjithnjë e më shumë pushtetin e tyre. sn

Gazeta amerikane: Vala e protestave hyn në muajin e nëntë, rinia shqiptare kërkon largimin e Ramës

Nga Leo Vallet David, THE CONCORDIAN

Mijëra shqiptarë marshuan në rrugët e kryeqytetit të Shqipërisë, Tiranë, më 2 nëntor, duke kërkuar largimin e kryeministrit të vendit, Edi Rama. Lëvizja tashmë ka hyrë në muajin e saj të nëntë.

“Protestat kanë ngjallur kaq shumë zemërim dhe pjesëmarrje nga të rinjtë, sepse kjo nuk është thjesht një moment kur të rinjtë duan të mblidhen së bashku. […] Kjo është pjesë e Revolucionit të Flamingove, i cili nisi në Shqipëri”, i tha Jesmina Sengla gazetës The Concordian përmes telefonit, gjatë protestës.

“Shpresoj të më dëgjosh mirë”, tha ajo, ndërsa përreth saj dëgjoheshin thirrjet e turmës. Studentja 24-vjeçare, aktiviste dhe koordinatore projektesh pranë Qendrës për Shkencë dhe Inovacion për Zhvillimin (Center Science and Innovation for Development), një organizatë kërkimore e përqendruar te zhvillimi social me bazë në Tiranë, është përfshirë në këtë lëvizje që prej fillimit të saj, në janar.

“Ideja që qëndronte pas Revolucionit të Flamingove lidhej kryesisht me situatën që po zhvillohet aktualisht në një zonë të mbrojtur në Shqipëri, atë të Nartës dhe Zvërnecit”, tha Sengla.

“Kjo është një nga pjesët më të bukura që kemi në Shqipëri, por problemi është se pikërisht në atë moment po përpiqeshin t’ia jepnin këtë zonë të mbrojtur një zhvilluesi për ndërtimin e godinave, i cili kishte gjithashtu lidhje me Jared Kushnerin”, shtoi ajo.

Kushner është bashkëshorti i Ivanka Trump, duke qenë kështu dhëndri i Donald Trump. Ai është gjithashtu një figurë kyçe në negociatat e administratës Trump me qeveritë e huaja.

Fatma Paja, një aktiviste shqiptare 20-vjeçare, e cila ka marrë pjesë në protestat e Revolucionit të Flamingove që prej janarit, tha se gjithçka nisi me vetëm 20 persona në një plazh.

“Në shkurt, […] realizuam disa vizatime në rërë së bashku me një artiste tjetër. U bëmë rreth 20 persona, diçka e tillë. Në maj pati disa protesta të tjera në Nartë, jo në kryeqytetin e Shqipërisë, të organizuara nga organizatat për mbrojtjen e mjedisit. Më pas, më 31 maj, demonstrata që u zhvillua këtu në Tiranë mori përmasa vërtet masive”, tha Paja në një intervistë për The Concordian.

Ajo tha se shqiptarët janë të indinjuar nga ky zhvillim, sepse qeveria e tyre nuk duket e interesuar për përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve, por vetëm për projekte zhvillimi që u sjellin përfitime vetjake.

“Ne nuk kemi shërbim të mirë shëndetësor, nuk kemi një sistem të mirë spitalor, nuk kemi një sistem të mirë arsimor. Na mungojnë këto nevoja bazë dhe, megjithatë, qeveria jonë është më e përqendruar te ndërtimi i një resorti luksoz.”

Livia Dedej, një studente 23-vjeçare e psikologjisë, konfirmoi qëndrimin e Pajës.

“Kemi parë se si resortet luksoze dhe investimet vetëm sa e thellojnë më tej hendekun e pasurisë dhe se paratë nuk kthehen kurrë realisht te qytetarët që kanë nevojë për to”, tha ajo.

Kjo çështje arriti pikën kritike “kur shqiptarët panë se ishulli i Sazanit, Zvërneci dhe delta e Vjosë-Nartës po kërcënoheshin. […] Kjo u bë një shkëndijë që nxori në pah shumë çështje të tjera, të cilat duhej të shpreheshin përmes protestave”, shpjegoi ajo.

“Pra, kjo nuk është thjesht një protestë për natyrën, biodiversitetin apo korrupsionin. Është një protestë që ka ardhur si rezultat i viteve të tëra shtypjeje dhe i mungesës së një perspektive për të ardhmen e vendit”, tha Dedej.

Fillimisht, protestat u zhvilluan në rajonin e Nartës, në jugperëndim të Shqipërisë. Sipas Pajës, protestat nisën pas miratimit të një projekti për ndërtimin e një resorti luksoz në plazhin e Nartës, në pronësi të familjes Trump, më konkretisht të Ivanka Trump, projekt i cili, sipas saj, “dëmton mjedisin e mbrojtur”.

Pikërisht në këtë periudhë protestuesit krijuan edhe sloganin: “Shqipëria nuk është në shitje”.

Në fund të majit, protestat u zhvendosën nga plazhi në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë. Lëvizja u përshkallëzua në revolta më të gjera shoqërore, duke kulmuar me sulme ndaj disa ndërtesave qeveritare, përfshirë edhe një përpjekje për t’i vënë zjarrin Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit në tetor.

Sipas Pajës dhe Jesminës, shënjestër e protestuesve u bënë edhe ministri të tjera, si Ministria e Arsimit, Ministria e Mjedisit dhe Ministria e Infrastrukturës. Të rinjtë shqiptarë i përzgjodhën këto institucione në mënyrë strategjike.

“Ne shohim se protestuesit vazhdojnë të djegin bankat apo bizneset e oligarkëve”, tha Paja.

Ajo shpjegoi se protestuesit nuk i shënjestrojnë bizneset e vogla private, në pronësi të vendasve, sepse pakënaqësia e tyre lidhet me të pasurit.

Qeveria është në shënjestër sepse “nuk kujdeset aspak për njerëzit e saj dhe e trajton Shqipërinë si një pronë që mund ta shesë dhe me të cilën mund të bëjë çfarë të dëshirojë. Prandaj kjo protestë është shndërruar për ne shqiptarët në një protestë kombëtare”, tha Paja, duke shtuar se protestuesit “duan të ndryshojnë sistemin”.

Megjithatë, organizimi i këtyre protestave mbetet një sfidë.

“Ka përpjekje për organizim, por, të them të drejtën, nuk do të thoja se janë shumë të suksesshme, sepse kjo është shumë e ngjashme me të gjitha protestat e tjera të Gjeneratës Z nëpër botë”, tha Sengla.

Ndërsa vetë protestat janë bërë më të dhunshme kohët e fundit, Paja pretendon se policia ka ushtruar dhunë prej kohësh, duke përndjekur dhe arrestuar të rinjtë shqiptarë, madje duke i tërhequr zvarrë në rrugë edhe kur janë të plagosur.

Ajo tha se policia “i arreston njerëzit pa asnjë arsye, i rreh në rrugë ose thjesht pret protestën e radhës […] dhe i arreston protestuesit pa pasur bërë ata asgjë, as para dhe as pas arrestimit”.

Megjithatë, ndërsa protestat vazhdojnë, zemërimi mes protestuesve është shndërruar edhe në dhunë.

“Protestat paqësore nuk u dëgjuan. Pikërisht atëherë situata u bë e dhunshme. Dhe mendoj se, natyrisht, do të ketë grupe njerëzish ose individë që do të shfrytëzojnë një grumbullim kaq të madh njerëzish për të shkatërruar gjëra”, tha Dedej.

“Por, në krahasim me vendet e tjera ku kanë ndodhur trazira, […] dëmtimi i pronës publike ka qenë një mënyrë simbolike për të thënë se semaforët dhe dritaret e institucioneve shtetërore nuk janë më të rëndësishme sesa e ardhmja jonë.”

“Personalisht, mërzitem shumë kur shoh se si Tirana është shkatërruar praktikisht”, shtoi Dedej. “Por kjo bëhet për një kauzë më të madhe. Dhe e vetmja arsye pse ndodhi është se praktikisht nuk kishim zgjidhje tjetër dhe asnjë mjet tjetër, le të themi, për të përballuar një qeveri që nuk dëgjon dhe pjesën tjetër të njerëzve që nuk ngrihen në këmbë dhe nuk vijnë në protesta.”

Ka shumë dezinformim lidhur me vetë protestat, përfshirë edhe nga kanale lajmesh të ekstremit të djathtë në Francë.

Sipas gazetës The Independent, kanali televiziv CNews përdori pamje filmike nga protestat shqiptare për t’i paraqitur ato si pamje të protestave të fundit në Francë.

Por dezinformimi vjen edhe nga vetë rrjetet sociale, pasi imazhe të krijuara me inteligjencë artificiale (IA) po qarkullojnë gjerësisht në platforma si Instagram dhe Facebook. sn

Shqipëria ndër tregjet më të shtrenjta të energjisë në rajon, çmimi 14% më i lartë se në Greqi

Shqipëria ishte ndër vendet me çmimet më të larta të energjisë elektrike në tregun me shumicë gjatë vitit 2025, duke regjistruar një mesatare prej 118.2 euro për megavatorë (MWh), rreth 14% më shumë se Greqia dhe 9.5% më shumë se Maqedonia e Veriut.

 

Të dhënat vijnë nga raporti i fundit i Agjencisë së Bashkimit Evropian për Bashkëpunimin e Rregullatorëve të Energjisë (ACER), të cilin e disponon ekofin.al dhe që analizon integrimin e tregjeve europiane të energjisë dhe diferencat e çmimeve ndërmjet vendeve.

Sipas raportit, çmimi mesatar në Shqipëri u rrit me 6.2 euro/MWh krahasuar me vitin 2024, ndërsa në Greqi rritja ishte vetëm 2.7 euro/MWh. Kjo do të thotë se diferenca ndërmjet dy tregjeve u zgjerua edhe më tej gjatë vitit të kaluar.

Në Greqi, çmimi mesatar i energjisë në tregun e një dite përpara ishte 103.6 euro/MWh, ose 14.6 euro më i ulët se në Shqipëri. Ndërkohë, në Maqedoninë e Veriut dhe Serbi çmimi ishte 107.9 euro/MWh, në Bullgari 106.9 euro/MWh dhe në Mal të Zi 113.3 euro/MWh.

Kosova rezultoi me çmimin më të lartë ndër këto tregje, 118.5 euro/MWh, vetëm 0.3 euro mbi Shqipërinë.

ACER evidenton se vendet e Ballkanit Perëndimor që bëjnë pjesë në Komunitetin e Energjisë mbetën ndër tregjet më të shtrenjta të rajonit, me Shqipërinë, Kosovën dhe Malin e Zi që regjistruan çmime rreth 10–15 euro/MWh më të larta se vendet fqinje të Bashkimit Evropian.

Rritja e çmimeve gjatë vitit 2025 ishte e përgjithshme në rajon, por me ritme të ndryshme. Mali i Zi regjistroi rritjen më të madhe, prej 14.8 euro/MWh, ndërsa në Kosovë çmimi u rrit me 4.5 euro/MWh, në Maqedoninë e Veriut me 5.5 euro/MWh dhe në Serbi me 6.1 euro/MWh.

Screenshot

Tregjet e pabashkuara, diferenca të mëdha çmimesh

Një nga problematikat që evidenton ACER është mungesa e integrimit të plotë të tregjeve të energjisë në Evropën Juglindore, e cila ndikon në ruajtjen e diferencave të çmimeve ndërmjet vendeve.

Në tregjet e Bashkimit Evropian që janë tashmë të bashkuara, çmimet rezultojnë të përafërta në një pjesë të madhe të orëve të vitit. Ndërsa në kufijtë ku tregjet nuk janë bashkuar, diferencat mbeten më të mëdha.

Shqipëria paraqet një kontrast të dukshëm në këtë drejtim. Me Kosovën, ku funksionon tregu i përbashkët i energjisë, çmimet kishin një diferencë më të vogël se 1 euro/MWh në 99% të orëve gjatë vitit 2025. Në kufirin me Malin e Zi, kjo përputhje u regjistrua vetëm në 4% të orëve, ndërsa me Greqinë në vetëm 3%.

Agjencia evropiane shpjegon se, kur tregjet nuk janë të bashkuara, shkëmbimet e energjisë ndërmjet vendeve planifikohen përpara se të njihen çmimet përfundimtare për ditën pasardhëse.

Kjo mënyrë tregtimi mund të pengojë përdorimin efikas të kapaciteteve ndërkufitare dhe të krijojë situata kur energjia nuk shkëmbehet në drejtimin ekonomikisht më të favorshëm.

Sipas ACER, integrimi i mëtejshëm i tregjeve dhe rritja e kapaciteteve të disponueshme për tregtinë ndërkufitare mund të ndihmojnë në afrimin e çmimeve.

Të dhënat u referohen çmimeve të tregut me shumicë dhe jo tarifave të energjisë që paguajnë drejtpërdrejt familjarët apo bizneset. Megjithatë, ato japin një tregues të rëndësishëm të kostove dhe konkurrueshmërisë së tregut shqiptar të energjisë në raport me vendet fqinje./ ekofin.al

Pasiguria ekonomike ndikon fuqishem edhe në gjendjen mendore- Nga Skënder MULLIQI

—– Ekspertët kujtojnë se traumat mendore të shkaktuara nga përvojat e luftës ende kanë një ndikim të fortë në shoqëri.Përveç kësaj, kriza ekonomike afatgjate, papunësia dhe ndjenja e pashpresës e përkeqësojnë më tej gjendjen mendore të popullsisë, veçanërisht të të rinjve të cilët shprehin gjithnjë e më shumë dëshirën për t’u larguar nga vendi…
Ekspertët  po paralajmërojnë së sëmundjët për të cilat do të flitet pas disa vjetësh , janë ato mendore.Në botën e sotme të mbushur më trazira dhe kriza ekonomike sociale , kur çmimet janë vazhdimisht në rritje , shumë  njerëz jetojnë ditë pas dite, pasiguria ekonomike ndikon fuqishëm  edhe në gjendjën e tyre mendore.Sipas psikologëve njeriu nën presionin e vazhdueshem kalon në modalitetin e mbijetesës, gjë që shterron burimet njohëse , ulë tolerancën ndaj stresit dhe shpesh çon në depresion , tension dhe ndenja pavlefshmërie.Sigurishtë së në gjendjen jo të mirë shëndetësore dhe ate psiqike të njerëzve po ndikojnë edhe lajmët për luftërat , krizat dhe rritjen e qmimeve .Në Kosovë sa i perketë në pergjithësi gjendjës shëndetësore të njerëzve dhe atyre psiqike, sigurisht se nuk është e mirë.Traumat nga lufta, si dhe situata e dëbët ekonomike  pas lufte kan ndikuar që gjendja e tyre të përkeqësohet.Kjo është reflektuar më sëmundje të ndryshme dhe atyre të rënda dhe vdekje. Këto trauma kan lënë vragë të pashlyeshme sidomos të ata të cilët kanë humbur shumë anëtarë të familjës .Unë mendojë së edhe shumë vrasje brenda familjës dhe të tjera  po ndodhin si shkak i gjendjës  të keqe ekonomike dhe sociale, të cilat e kan pru njeriun tonë në  edhe gjendje jo të mirë mendore. Njerëzit gjithashtu janë vërshuar me  dezinformata , titujë të natyrës apokaliptike , tekse te gjeneruara nga intelegjenca arificiale , të cilat në përgjithësi çojnë  në parashikim të vazhdueshem negativ për të ardhmen dhe bien në një gjendje dëshpërimi.Në Kosovë nuk i patem pas lufte strukturat politike vendimarrëse të nivelit të kërkuar, dhe vendimet e tyre jo të mira në shtetndërim dhe mirëqenje , kanë bërë më të theksuar gjendjen sociale të shumicës,  si element qenësor i shëndetit të tyre të dobët.Natyrishtë së nuk ka mundësi të jetë një gjendje e favorshme e rrjedhave ekonomike dhe sociale , kur politikaët  në vazhdimësi vjedhin mundin dhe djersën e popullit  duke u bërë  milioner.Kjo ka bërë që 25 përqind të popullatës të jetojnë dobët, e disa në prag të ekzistncës.Ekspertët kujtojnë se traumat mendore të shkaktuara nga përvojat e luftës ende kanë një ndikim të fortë në shoqëri.Përveç kësaj, kriza ekonomike afatgjate, papunësia dhe ndjenja e pashpresës e përkeqësojnë më tej gjendjen mendore të popullsisë, veçanërisht të të rinjve të cilët shprehin gjithnjë e më shumë dëshirën për t’u larguar nga vendi.Sipas ekspertëve, sistemi ende përballet me sfida serioze — mungesë stafi, burimesh financiare, qendrash këshillimi për të rinjtë dhe strategjish afatgjata. Është e nevojshme që shteti të investojë sistematikisht në parandalim, edukim dhe mbështetje  ekonomke dhe psikologjike të disponueshme, e që te ne rrallë apo fare nuk merret kush më këtë temë, shumë të ndijeshme dhe të rëndësishme për  shoqërinë…

Tirana, e vështirë për familjet e reja, lindjet në rënie me dyfishin e mesatares kombëtare

Teksa kryeqyteti vijon të tërheqë popullsi nga qarqet e tjera të vendit, numri i lindjeve po bie me ritme të shpejta, gati dy herë më shumë se mesatarja kombëtare.

Në nëntë muajt e vitit 2026, në qarkun e Tiranës lindjet u tkurrën me 8%, sipas të dhënave të INSTAT, teksa numri i lindjeve në shkallë kombëtare ra me -4.7%.

Kryeqyteti po bëhet gjithnjë e më i shtrenjtë për familjet e reja. Rritja e fortë e çmimeve të apartamenteve dhe qirave, kostot e jetesës dhe shpenzimet më të larta për familjet me fëmijë po e bëjnë më të vështirë krijimin dhe zgjerimin e familjes, pavarësisht mundësive më të mëdha për punësim dhe të ardhura që ofron Tirana.

Sipas INSTAT, në 9-mujorin 2026, në Tiranë u regjistruan 647 lindje më pak, se në të njëjtën periudhë të vitit 2025, duke e kthyer kryeqytetin në përcaktuesin kryesor të tkurrjes së lindjeve në vend.

Në të gjithë Shqipërinë u regjistruan 16.016 bebe nga janari në shtator 2026 ose 789 më pak lindje. Vetëm Tirana kontribuoi me rreth 82% të uljes neto në shkallë vendi. Në 11 qarqet e tjera së bashku, lindjet u pakësuan me vetëm 1,6%.

Tirana vazhdon të jetë qendra kryesore ekonomike dhe e punësimit në vend, ku përqendrohen investimet, bizneset dhe një pjesë e konsiderueshme e të rinjve që lëvizin nga qarqet e tjera. Por përfitimet nga mundësitë më të mëdha ekonomike po përballen me koston gjithnjë e më të lartë të jetesës.

Pengesa më e madhe për çiftet e reja është strehimi. Çmimet e apartamenteve në Tiranë janë rritur me ritme shumë më të shpejta se të ardhurat nga puna, duke e bërë blerjen e një banese gjithnjë e më të vështirë pa një kredi të konsiderueshme ose ndihmën financiare të familjes. Edhe qiratë përbëjnë një barrë e madhe për çiftet që kërkojnë të jetojnë më vete.

Sipas një përllogaritjeje të mëparshme të “Monitor”, raporti mes çmimeve të banesave dhe të ardhurave të disponueshme për frymë në Shqipëri është rritur me 76,3% gjatë periudhës 2015–2025. Kjo do të thotë se, në raport me të ardhurat, blerja e së njëjtës banesë është bërë ndjeshëm më e vështirë sesa dhjetë vjet më parë. Ndonëse ky tregues është kombëtar, presioni i çmimeve të banesave është veçanërisht i ndjeshëm për familjet e reja që kërkojnë të jetojnë në Tiranë.

Përveç strehimit, familjet e reja përballen edhe me shpenzime të larta për kujdesin ndaj fëmijëve, çerdhet dhe kopshtet private, transportin dhe shërbimet e tjera të përditshme. Në Tiranë distancat dhe koha e udhëtimit janë rritur, teksa organizimi i jetës familjare bëhet më i kushtueshëm dhe më i vështirë, veçanërisht kur të dy prindërit punojnë.

Këto presione ekonomike mund të ndikojnë në shtyrjen e vendimit për të pasur fëmijën e parë ose në kufizimin e numrit të fëmijëve. Një çift që duhet të përballojë një kredi të lartë për apartamentin, qiranë dhe shpenzimet e përditshme mund ta ketë më të vështirë të planifikojë zgjerimin e familjes.

Gjirokastra me rënien më të madhe, Dibra dhe Kukësi me rritje

Në shkallë vendi, rënia më e madhe në përqindje e lindjeve gjatë nëntëmujorit 2026 është regjistruar në Gjirokastër, me 11,6%. Numri i lindjeve në këtë qark zbriti në vetëm 191, nga 216 në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Pas Gjirokastrës renditet Tirana me rënie prej 8%, e ndjekur nga Durrësi, ku lindjet u tkurrën me 7,6%, nga 1.729 në 1.598. Rënie më të moderuar regjistruan Shkodra (-3,2%), Fieri (-2,4%), Korça (-1,5%) dhe Vlora (-0,3%).

Në të kundërt, pesë qarqe regjistruan rritje të lindjeve. Dibra kryeson me një shtim prej 7,4%, nga 499 në 536 lindje, e ndjekur nga Kukësi me 5,6%, nga 376 në 397. Rritje të lehtë shënuan edhe Elbasani (1,6%), Berati (1,2%) dhe Lezha (1,1%).

Në qarqet e tjera, veçanërisht në ato që prej vitesh përballen me emigracionin dhe largimin e të rinjve, numri i lindjeve mbetet shumë më i ulët se një dekadë më parë. Rritjet e vogla të këtij viti nuk mjaftojnë për të ndryshuar prirjen afatgjatë.

Por zhvillimi më shqetësues është se edhe Tirana, e cila ka përfituar nga zhvendosja e popullsisë së qarqeve të tjera, po regjistron një tkurrje të shpejtë të lindjeve. Qyteti po tërheq njerëz për të punuar e jetuar, por kostot e larta po e bëjnë gjithnjë e më të vështirë ndërtimin e një jete familjare.

Nëse kjo prirje vazhdon, përqendrimi i popullsisë dhe aktivitetit ekonomik në kryeqytet nuk do të jetë i mjaftueshëm për të kompensuar rënien e lindjeve. Për familjet e reja, mundësitë e punësimit dhe niveli i pagave janë vetëm njëra anë e medaljes, ana tjetër është sa u mbetet nga të ardhurat pasi paguajnë strehimin dhe shpenzimet bazë të jetesës./Monitor


Send this to a friend