VOAL

VOAL

Komentet

‘Imamoglu po shkon në burg, por është në rrugën e duhur për president’ thotë kreu i CHP-së

Kreu i Partisë Republikane së Turqisë (CHP), Ozgur Ozel, në një deklaratë për media pas procesit zgjedhor për kandidatin për president për zgjedhjet e vitit 2028, tha se Imamoglu është në rrugën duhur për president.

Sipas Ozel, Erdogan e ka favorizuar më shumë Imamoglun, që të bëhet president edhe pse po e çon në burg.

Ekrem Imamoglu është aktualisht në rrugën e burgut, por edhe në rrugën drejt presidencës”, tha Ozel. Syri.net-iefimerida.

Gjykata lë në burg kryebashkiakun e Stambollit Ekrem Imamoglu. Akuzohet për korrupsion dhe nxitje të terrorizmit

Gjyqtarët e gjykatës së Stambollit kanë lënë në fuqi arrestimin e kryebashkiakut Ekrem Imamoglu në një hetim “korrupsioni”, raporton Anadolu.

Imamoglu ishte në paraburgim që nga e mërkura për disa akuza, duke përfshirë “ryshfet” dhe “ndihmë dhe nxitje terrorizmi”.

Zyra e Kryeprokurorit Publik të Stambollit ka akuzuar İmamoğlu dhe disa zyrtarë komunalë për krime, duke përfshirë “formimin dhe udhëheqjen e një organizate kriminale”, “ryshfeti”, “mashtrim ofertash” dhe “marrje të paligjshme të të dhënave personale”. Për më tepër, İmamoğlu, së bashku me tre zyrtarë të tjerë të lartë, akuzohen për “ndihmë për një organizatë terroriste” në lidhje me lidhjet e dyshuara me PKK/KCK.

Prokurorët pretendojnë se İmamoğlu dhe disa zyrtarë të lartë komunalë mbajtën kontakte “të vazhdueshme dhe të gjera” me Azad Barış, që dyshohet se ishte një anëtar i lartë i degës politike të PKK/KCK-së. Hetuesit kanë cituar dëshmitë e punonjësve të bashkisë, të dhënat financiare dhe raportet e inteligjencës për të mbështetur pretendimet se anëtarët e grupit terrorist kishin depërtuar në qeverinë komunale.

Aktakuza më tej pretendon se İmamoğlu luajti një rol vendimtar në emërimin e individëve në këshillin e qytetit që ishin të lidhur me këto aktivitete, duke argumentuar se kryetari i bashkisë ishte plotësisht në dijeni të përkatësive të tyre. Në hetim, 15 persona, përfshirë kryetarin e IBB Media Inc. Murat Ongun, u arrestuan dhe tre persona u lanë të lirë. bw

Tension në Stamboll, mbi 5000 policë rrethojnë gjykatën, gjyqi për Imamoglu zgjati gjithë natën

Atmosfera e tensionuar jashtë gjykatës së Stambollit, aty ku mijëra mbështetës të Ekrem Imamoglu janë mbledhur dhe po brohorasin në mbështetje të kryebashkiakut të Stambollit, i cili doli sot për herë të parë para togave të zeza pasi u arrestua nën akuzat për terrorizëm.

Pavarësisht ndalimit të tubimeve, i cili u zgjat deri më 27 mars, mbështetësit e Imamoglus po qëndrojnë jashtë gjykatës, ndërsa procedurat me 34 hetuesit dhe 91 të pandehurit (përfshi Imamoglun) pritet të zgjasin gjithë natën.

Image

Forcat e policisë e kanë kthyer pallatin e drejtësisë në një fortesë pasi janë përforcuar me 5000 kolegë të tyre nga krahina të tjera të vendit, për të ruajtur qetësinë dhe rendin.

Imamoglu, i cili u arrestua të mërkurën për “korrupsion” dhe “mbështetje të një organizate terroriste”, mbërriti në Gjykatën e Caglayan në Stamboll pasditen e sotme për t’u paraqitur para prokurorit, i cili do të vendosë për vazhdimin ose jo të masës së paraburgimit të kryebashkiakut, i cili është kundërshtari kryesor i presidentit turk Rexhep Taip Erdogan.

 

Kryebashkiaku i Stambollit i ka quajtur akuzat “imorale dhe të pabaza” në polici, sipas një deklarate të lëshuar sot nga bashkia e qytetit turk.

“Akuzat joetike dhe të pabaza ndaj meje, nga raportet e sajuara deri tek koha e hetimeve, synojnë të cenojnë reputacionin dhe besueshmërinë time. Ata që qëndrojnë pas kësaj strategjie do të duhet të mbajnë përgjegjësi për veprimet e tyre para gjykatave. Unë do të ngre një padi kundër individëve dhe institucioneve të përfshira në këtë. Ky proces jo vetëm që dëmton reputacionin ndërkombëtar të Turqisë, ai shkatërron gjithashtu besimin te drejtësia dhe ekonomia”, theksoi kryebashkiaku, sipas deklaratës.

 

Ndërkohë, indeksi i Bursës së Stambollit ra më shumë se 16.5% këtë javë, një rënie e pa parë që nga viti 2008, sipas analistëve.

Kryebashkiaku shprehet se “ndjen fuqinë e miliona njerëzve” që e mbështesin. “Sido që të ndodhë, do të luftoj për drejtësinë dhe të vërtetën me mjete ligjore deri në fund të jetës sime”, deklaroi ai. sn

Stamboll- 300 mijë njerëz mbushin rrugët, në mbështetje të kryebashkiakut

Qindra mijëra qytetarë dolën në protesta në Stamboll në atë që e cilësuan si “nata e demokracisë” në Turqi.

Menjëherë pasi konsumuan vaktin e iftarit, turqit, shumë prej tyre besimtarë, mbushën rrugët dhe sheshet në shenjë revolte ndaj arrestimit të kryebashkiakut të Stambollit, Ekrem Imamoglu.

Opozita turke tha se në qytetin më të madh turk u mblodhën të paktën 300 mijë njerëz.

Policia qëlloi me plumba gome dhe sprej djegës ndaj demonstruesve në Stamboll, ndërsa turma hodhi flakadënë. Në qytetin perëndimor të Izmirit, policia përdori gaz lotsjellës dhe ujë për të shpërndarë protestuesit.

Në një fjalim presidenti Rexhep Taip Erdogan tha se autoritetet nuk do të lejojnë që të dëmtohet rendi publik dhe u zotua se nuk do t’i dorëzohet vandalizmit apo terrorizmit të rrugës.

Demonstratat po mbahen në më shumë se 45 qytete në të gjithë vendin dhe kryeqytetin Ankara. sn

Vuçiq: Serbia është lodhur nga ata që po e terrorizojnë dhe duhet të përgjigjet

Radio Evropa e Lirë

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, tha se “Serbia është lodhur nga ata që po e terrorizojnë që katër muaj”, duke shtuar se ata duhet të bëjnë gjithçka që të shmangin dhunën, por po ashtu të kundërshtojnë ata që “shkatërrojnë” shtetin.

“Po vlon në Serbi, por vetëm ata nuk e shohin këtë. Serbia është lodhur me ata që e kanë terrorizuar tash e katër muaj. Dhe ne duhet të bëjmë gjithçka që t’iu përgjigjemi atyre që po e shkatërrojnë shtetin tonë”, tha Vuçiq përmes një video-adresimi në Instagram.

Ai shtoi se i fton njerëzit që të protestojnë në mënyrë paqësore dhe të tregojnë se ata duan një “Serbi të lirë”.

Pasi 16 persona vdiqën nga shembja e një strehe betoni në stacionin hekurudhor në Novi Sad më 1 nëntor, një sërë protestash dhe bllokadash janë mbajtur, të organizuara nga studentët të cilët kanë bllokuar fakultetet për më shumë se tre muaj, duke kërkuar përgjegjësi për aksidentin.

Kërkesat e tyre janë mbështetur nga mësuesit, fermerët, avokatët dhe një numër qytetarësh.

Në mbrëmjen e së enjtes dhe orët e para të së premtes, studentët bllokuan depon e kompanisë së transportit të qytetit në Beograd, prandaj 150 autobusë dhe 130 tramvaje nuk operuan mëngjesin e së premtes.

A po formohet një aleancë ushtarake në Ballkan?

Pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës gjatë një parade në Prishtinë më 2024.

 

Mimoza Sadiku

 

Kosova dhe dy shtete të rajonit të Ballkanit Perëndimor që janë pjesë e Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO), Shqipëria dhe Kroacia, nënshkruan këtë javë një deklaratë për thellim të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë.

Pa dhënë detaje konkrete, ministrat e Mbrojtjes të tri shteteve thanë se do të rrisin ndërveprueshmërinë e ushtrive përmes edukimit, trajnimit dhe stërvitjeve të përbashkëta, si dhe do të angazhohen në luftimin e kërcënimeve hibride, por edhe do të koordinojnë politikat për integrime euroatlantike.

Serbia e pa këtë si hap që “minon stabilitetin rajonal” dhe si kërcënim për “integritetin territorial” të saj, kurse Kosova tha se nisma s’duhet të shihet si kërcënim ndaj askujt, por duhet të pranohet edhe si mesazh se tri shtetet do të jenë të bashkuara përballë çfarëdo sfide apo kërcënimi.

Njohës të sigurisë, në Prishtinë dhe në Beograd, nuk e shohin deklaratën si hap drejt formimit të një aleance formale të mbrojtjes, sikurse është ajo e NATO-s.

Çfarë i bashkon tri shtetet?

Për Ramadan Ilazin, udhëheqës i hulumtimeve në Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), rëndësia e deklaratës qëndron te fakti se erdhi në kohën kur është rritur paparashikueshmëria e aleancave ekzistuese të sigurisë në botë.

Ai e sheh nismën si hap drejt forcimit të alternativave ose aleancave strategjike, që Kosova të avancojë në aspektin e mbrojtjes, pasi ende nuk ka një rrugë të qartë të anëtarësimit në NATO.

“Unë nuk jam optimist që kjo aleancë shënon fillimin e krijimit të një blloku formal të mbrojtjes, por më shumë të një grupi të ri të shteteve në Evropë, të cilat e ndajnë të njëjtin shqetësim ose të njëjtin lexim të situatës së sigurisë në Evropën Juglindore”, tha Ilazi për Radion Evropa e Lirë.

Ilazi beson se misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, dhe vetë aleanca, do të jenë ombrellë e këtyre bashkëpunimeve, pasi nuk mendon se Shqipëria dhe Kroacia do të vepronin në kundërshtim me interesat e NATO-s në rajon.

Një zyrtar i NATO-s i tha Radios Evropa e Lirë se Shqipëria dhe Kroacia janë kontribuuese të kamotshme për stabilitet rajonal, edhe përmes kornizës të KFOR-it. I pyetur për nismën e re, zyrtari tha se aleanca “është në dijeni”, por se u takon palëve nënshkruese të deklaratës të thonë më shumë.

Pjesëtarë kroatë të NATO-s gjatë një stërvitjeje ushtarake.

Pjesëtarë kroatë të NATO-s gjatë një stërvitjeje ushtarake.

Pavarësisht se nuk e ka formën e një marrëveshjeje ndërkombëtare, nisma, me vullnet politik të palëve, mund të çojë “në veprime të buta politike”, sipas ekspertit për çështje të sigurisë në Qendrën e Beogradit për Politika të Sigurisë, Vuk Vuksanoviq.

Ai tha për Radion Evropa e Lirë se bashkëpunimi ballkanik pjesërisht është nxitur mes paralajmërimevepër një reduktim të mundshëm të “angazhimit të Shteteve të Bashkuara në NATO, nëse evropianët nuk investojnë më shumë për mbrojtjen e tyre”.

Sipas Vuksanoviqit, në një mjedis ku NATO-ja nuk largohet, por “ku ajo dobësohet, mund të ndodhë që shtetet e caktuara të formojnë grupime joformale për të bashkëpunuar”.

Kosova, Shqipëria dhe Kroacia paralajmëruan se nisma mund të zgjerohet me anëtarë të rinj, ndonëse s’kanë përmendur emra shtetesh. Megjithatë, Serbia aludoi se një nga këto shtete mund të jetë Bullgaria. Qeveria bullgare nuk iu përgjigj kërkesës së Radios Evropa e Lirë për koment.

Edhe nëse i shtohen vende të tjera, Ilazi nuk mendon që ky grup po lëviz drejt krijimit të një aleance ushtarake që mishëron parimet e NATO-s, sikurse mbrojtja kolektive.

Ceremonia e nënshkrimit të deklaratës për bashkëpunim ushtarak mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë.

Ceremonia e nënshkrimit të deklaratës për bashkëpunim ushtarak mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë.

Pse Serbia po e kundërshton nismën?

Beogradi kërkoi shpjegim nga Tirana dhe nga Zagrebi lidhur me qëllimet e nismës, teksa tha se “nuk do të lejojë veprime të njëanshme që mund të rrezikojnë integritetin tonë territorial, sigurinë e qytetarëve dhe paqen në rajon”.

Ministria e Jashtme dhe e Diasporës e Kosovës u kundërpërgjigj, duke thënë se një sjellje e tillë e Serbisë paraqet një shkelje të re të Marrëveshjes së Brukselit, “e cila përcakton qartë se Serbia nuk do të pengojë marrëdhëniet ndërkombëtare të Kosovës”.

Ndërkaq, Kroacia tha se ka kaluar koha kur Zagrebi i kërkonte leje Beogradit se si të vepronte e më kë të bashkëpunonte.

Për Vuksanoviqin, Serbia me më shumë gjasa e sheh këtë nismë si “provokim politik nga ana e Zagrebit”.

Sipas tij, pushteti në Beograd mund ta përdorë këtë zhvillim për të zhvendosur vëmendjen nga situata politike në Serbi dhe protestat që po mbahen atje tash e disa muaj.

Edhe Ilazi mendon se reagimi i ashpër i Serbisë është thjesht për shkak të përfshirjes së Kroacisë, e cila në vitet ’90 zhvilloi një luftë për pavarësi nga ish-Jugosllavia.

Megjithatë, ai konsideron se bashkëpunimi trepalësh është nxitur nga mendimi i njëjtë se Rusia ushtron një ndikim dashakeqësnë rajon, dhe se regjimet autokratike në rajon paraqesin kërcënim për stabilitetin e Ballkanit – akuza që janë bërë vazhdimisht edhe nga autoritetet kosovare.

Përderisa mendon se Kosova do të përfitonte shumë nga përvojat e dy shteteve të NATO-s, por edhe nga trajnimet e ndryshme, Ilazi shpreh skepticizëm rreth zbatimit të nismës, duke kujtuar nivelin e ulët të zbatimit të marrëveshjeve të mëparshme mes Prishtinës dhe Tiranës.

Plenkoviq: BE-ja duhet t’i kushtojë më shumë vëmendje mungesës së stabilitetit në Ballkan

Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq.

 

Radio Evropa e Lirë

Liderët e Bashkimit Evropian (BE) duhet t’i kushtojnë më shumë vëmendje mungesës së stabilitetit në Ballkanin Perëndimor, posaçërisht në Bosnje e Hercegovinë dhe Serbi, tha të enjten kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq.

“Duhet ta vëzhgojmë gjendjen në Evropën juglindore, posaçërisht stabilitetin e Bosnje e Hercegovinës dhe situatën në Serbi”, tha Pllenkoviq para samitit të BE-së në Bruksel.

“Ka kaq shumë ngjarje globale për momentin, është koha që një pjesë e asaj vëmendjeje të fokusohet edhe në një rajon që është treguar shumë i ndezshëm gjatë 35 vjetëve të fundit”, deklaroi Andrej Pllenkoviq për gazetarë.

Ai po i referohej krizës më të rëndë politike në Bosnje që nga përfundimi i luftës së saj 1992-95, e shkaktuar nga lëvizjet separatiste të Republikës Sërpska, pasi lideri i saj, Millorad Dodik, u dënua me një vit burg për shpërfilljen e vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë ndërkombëtar.

Pllenkoviq gjithashtu iu referua edhe protestave disamujore kundër Qeverisë në Serbi, pas vdekjes së 15 njerëzve nga shembja e një strehe prej betoni në stacionin hekurudhor në Novi Sad në nëntor.

Pllenkoviq i komentoi edhe deklaratat e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili të mërkurën tha se Koracia dhe Shqipëria e kanë hapur “një garë armësh” duke nënshkruar memorandum për bashkëpunim në mbrojtje me Kosovën.

Sipas transmetuesit publik kroat, HRT, kryeministri kroat deklaroi në Bruksel se e kupton që në Serbi po përpiqen të kërkojnë probleme diku tjetër, por se ato nuk gjenden në memorandumin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, e nënshkruar rishtazi mes Kroacisë, Kosovës dhe Shqipërisë.

“Ky është një memorandum për bashkëpunim të përbashkët, nuk ka asnjë karakter armiqësor, kështu që e kuptoj që tani po kërkohen probleme diku tjetër, por në këtë tekst ato nuk ekzistojnë”, tha Pllenkoviq duke iu përgjigjur pyetjes për deklaratën e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

Lideri serb tha se memorandumi përbën shkelje të të ashtuquajtures marrëveshje nënrajonale për kontrollin e armatimit nga viti 1996 dhe se është “pothuajse i sigurt” që për këtë nuk është njoftuar NATO-ja.

Pllenkoviq nguli këmbë se ky memorandum ndihmon përpjekjet e Kosovës dhe Shqipërisë në reformat e tyre dhe në shkëmbimin e përvojave.

Vuçiq thotë se Shqipëria dhe Kroacia kanë hapur “garë armësh” pas memorandumit me Kosovën

Radio Evropa e Lirë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se Shqipëria dhe Kroacia e kanë hapur “një garë armësh” duke nënshkruar memorandum për bashkëpunim në mbrojtje me Kosovën.

Kosova, Shqipëria dhe Kroacia e nënshkruan një deklaratë në Tiranë më 18 mars, për ta forcuar bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, gjë që nxiti reagime në Serbi.

“Është situatë e vështirë për ne, por ne e kemi kuptuar mesazhin e tyre. Dhe, ne do ta ruajmë vendin tonë, do t’i pengojmë ata dhe gjithmonë do ta mbrojmë me sukses nga çdo agresor i mundshëm, qoftë edhe një agresor kaq i fuqishëm”, tha Vuçiq për gazetarë në Bruksel më 19 mars.

Duke folur pas një takimi me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, Vuçiq theksoi se memorandumi përbën “shkelje të marrëveshjes nënrajonale” dhe se është “i bindur se NATO-ja nuk ka qenë e njoftuar për këtë”.

Ai tha se këtë çështje e ngriti në takim me shefin e aleancës veriatlantike, por nuk tregoi çfarë ka thënë Rutte në lidhje me të.

“Është detyra jonë t’ua themi zotit Rutte, njerëzve në NATO dhe gjithë të tjerëve se kjo është shkelje e të ashtuquajturës marrëveshje nënrajonale për kontrollin e armëve nga viti 1996”, tha Vuçiq.

Ai shtoi se me Rutten ka biseduar dhe situatën në Kosovë dhe marrëdhëniet ndërmjet Ushtrisë Serbe dhe misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, si dhe për situatën në Bosnje e Hercegovinë.

Deklarata e nënshkruar nga ministrat e Mbrojtjes së Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës kërkon forcimin e bashkëpunimit trepalësh dhe rëndësinë e reagimit të përbashkët ndaj sfidave të sigurisë, kërcënimeve hibride dhe rreziqeve të tjera që mund të rrezikojnë stabilitetin rajonal.

Deklarata përfshin, siç raporton Radio Televizioni Kroat, promovimin e aftësive mbrojtëse dhe bashkëpunimin midis industrive të mbrojtjes, forcimin e ndërveprimit nëpërmjet edukimit, trajnimit dhe stërvitjeve, kundërvënien e kërcënimeve hibride, si dhe mbështetjen e plotë për integrimin euro-atlantik.

Deklarata lë të hapur mundësinë për vende të tjera për t’iu bashkuar asaj.

Serbia e kundërshton pavarësinë e Kosovës sepse e konsideron shtetin pjesë të saj, megjithëse dialogon me Kosovën, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, në një proces që synon normalizimin e plotë të marrëdhënieve.

Më 2023, palët arritën një marrëveshje për rrugën drejt normalizimit, e cila, veç tjerash, i kërkon Serbisë që të mos pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Tensionet mes dy shteteve kanë qenë të larta viteve të fundit, dhe Kosova e ka fajësuar Serbinë se qëndron prapa një sërë sulmesh në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.

Kosova fajëson Serbinë për sulmin e armatosur ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit më 2023, kur u vra një polic, si dhe për një shpërthim në një kanal jetik të ujit në veriun e Kosovës nëntorin e vitit 2024.

Nata bëhet ‘ditë’ në Turqi! Mijëra protestues pushtojnë sheshet në mbështetje të Imamoglu

Pavarësisht arrestimeve dhe brutalitetit të policisë në qendër të Stambollit, mijëra qytetarë dolën në rrugë të mërkurën në mbrëmje për të protestuar në mbështetje të kryebashkiakut Ekrem Imamoglu, i cili u arrestua në mëngjes së bashku me mbi 100 persona të tjerë.

Mijëra njerëz u mblodhën jashtë bashkisë për të dëgjuar fjalimin e kreut të CHP, Özgür Özel. Ozel në ndërhyrjen e tij tha se vendimi për arrestimin e kryebashkiakut “ishte një grusht shteti”.

Ai ia atribuoi lëvizjen e fundit që ka tronditur Turqinë, Presidentit Rexhep Tajip Erdogan, duke thënë se e bëri këtë për shkak të një mosmarrëveshjeje personale me Imamoglu, pasi humbi kontrollin e Stambollit për shkak të tij dhe imazhi i presidentit “u zbeh”.

Siç shpjegoi Özel, Erdogan mund të humbiste ndaj Imamoğlu-s dhe vetë Turqinë, ndaj ai luajti “kartën” e grushtit të shtetit.

Para protestuesve ka folur edhe bashkëshortja e Imamoglus, Dilek, e cila tha se nuk është arrestuar kryebashkiaku, por testamenti i 16 milionë qytetarëve, ndërsa vlerësuan punën sociale të kryer nga kryetari i bashkisë menza sociale dhe transport falas për kategoritë e qytetarëve vurnerabël në Stamboll.

Demonstrata sakaq u zhvilluan edhe në qytete të tjera të Turqisë, si Ankara, Izmir dhe Trabzon. Mijëra qytetarë që dolën në sheshe, goditën edhe tenxheret dhe tiganët duke krijuar një jehonë.

Guvernatori i Stambollit kishte urdhëruar mbylljen e shumë rrugëve kryesore, stacioneve të metrosë dhe rrugëve në qytet, si dhe qendrave kryesore të transportit, ndërsa vendosi një ndalim katër-ditor të demonstratave.

Synimi i dukshëm është parandalimi i demonstratave në favor të kryetarit të bashkisë ose së paku pengimi i dukshëm i tyre.

Ndërkohë, qeveria mori edhe masa ligjore. Aktivistët thonë se që nga mëngjesi i së mërkurës, qasja në platformat kryesore të mediave sociale, si X, Instagram, YouTube dhe TikTok, është kufizuar.

Kujtojmë se arrestimi i Imamoglu vjen një vit pas fitores së tij në zgjedhjet komunale në të cilat ai u rizgjodh me 51.14% të votave si kryebashkiak i Stambollit.

Ai u akuzua për terrorizëm, çka çoi në ndalimin e tij, me ç’rast Ministri i Brendshëm e largoi nga detyra dhe e zëvendësoi me një zyrtar të caktuar nga qeveria deri në përfundimin e procedurave ligjore. sn

Protestat masive detyrojnë Vuçiçin të çojë vendin në zgjedhje të parakohshme

Parlamenti i Serbisë pranoi zyrtarisht dorëheqjen e kryeministrit Millosh Vucevic të mërkurën, duke shkaktuar një afat 30-ditor për formimin e një qeverie të re ose thirrjen e zgjedhjeve të parakohshme.

Vuçeviç, kreu i Partisë Progresive Serbe (SNS) në pushtet dhe një aleat i presidentit populist Aleksandar Vuçiç, dha dorëheqjen më 28 janar mes protestave të shkaktuara nga shembja e një tende në një stacion treni në qytetin verior të Novi Sadit nëntorin e kaluar, ku 15 persona humbën jetën.

Më shumë se 100,000 protestues zbritën në Beograd të shtunën, në një nga mitingjet më të mëdha në dekada. Protestuesit thonë se katastrofa e trenit ishte një simptomë e korrupsionit dhe keqmenaxhimit të përhapur, të cilin qeveria e mohon.

Sipas kushtetutës, presidenti Vuçiç ka tani 30 ditë për të propozuar një kryeministër të ri të emëruar për të udhëhequr qeverinë deri në vitin 2027, kur janë caktuar zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale.

“Parlamenti serb, … ka pranuar dorëheqjen e Kryeministrit dhe mandati i qeverisë përfundon,” tha kryetarja e parlamentit Ana Brnabiç. “Afati i fundit për …qeverinë e re është 18 prilli në mesnatë.”

Nëse Vuçiq nuk arrin të emërojë një kryeministër të ri të emëruar brenda afatit, zgjedhjet do të shkaktohen brenda 45 deri në 60 ditë.

Seanca e parlamentit që filloi më 4 mars dhe kishte dorëheqjen e Vuçeviçit si pikën e fundit të rendit të ditës, është dëmtuar nga dhuna, pasi deputetët e opozitës protestuan kundër qeverisë dhe në mbështetje të studentëve demonstrues.

Protestat mbarëkombëtare kanë tronditur Vuçiçin, i cili ka mbajtur pushtetin që kur u bë kryeministër më 2014 dhe president më 2017.

Protestat, të cilat filluan në Novi Sad në nëntor, janë përhapur që atëherë në pjesën tjetër të Serbisë.

Është e paqartë se si do të kalonin aleatët e Vuçiqit nëse shpalleshin zgjedhje të parakohshme. Në dhjetor, anketuesi i IPSOS Strategic Marketing tha se SNS gëzonte mbështetjen e 48.3% të elektoratit, megjithëse ndjenja popullore kundër qeverisë është rritur që atëherë.

Ky është momenti kur hajdutët vjedhin një tualet të artë 18 karatësh nga vendlindja e Winston Churchill.

Partitë opozitare kanë hedhur poshtë mundësinë e një votimi të parakohshëm dhe kanë kërkuar një qeveri të përkohshme pa SNS. Vuçiq e ka hedhur poshtë vazhdimisht një opsion të tillë./ Reuters. sn

Panik në tregje- Kolaps ekonomik në Turqi pas arrestimit politik të rivalit kryesor të Erdogan

Turqia po përballet me një krizë të thellë ekonomike, teksa regjimi autoritar i Rexhep Tajip Erdogan vazhdon goditjet e tij kundër opozitës. Lira turke ra në një nivel historikisht të ulët prej 42 për dollar, duke shënuar rënien më të madhe ditore që nga korriku i vitit 2023. Aksionet dhe obligacionet turke gjithashtu u shembën, duke reflektuar mungesën e stabilitetit ekonomik dhe pasiguritë e tregut.

Kriza erdhi pasi Erdogan urdhëroi arrestimin e rivalit të tij kryesor politik, kryetarit të bashkisë së Stambollit, Ekrem Imamoglu. Opozita e cilësoi këtë akt si një “përpjekje për grusht shteti” dhe një manovër të pastër politike për të eliminuar kundërshtarët e tij në prag të zgjedhjeve. Imamoglu pritej të ishte kandidati kryesor i opozitës përballë Erdogan, por tashmë ai është vënë në shënjestër të një sulmi të orkestruar nga regjimi.

Panik në tregje, investitorët po largohen

Pas arrestimit të Imamoglu, lira turke pësoi një goditje të rëndë, duke humbur mbi 12.7% të vlerës së saj. Banka qendrore turke u detyrua të ndërhynte duke shitur miliarda dollarë nga rezervat valutore për të ndaluar rënien e monedhës, por pa sukses. Analistët paralajmërojnë se situata mund të përkeqësohet më tej, duke vënë në dyshim të ardhmen e ekonomisë turke.

Aksionet kryesore në bursën e Stambollit ranë me gati 6%, duke shënuar performancën më të keqe ditore që nga fundi i vitit 2023. Nën-indeksi bankar u shemb me 9.67%, duke detyruar Borsën e Stambollit të ndërpresë përkohësisht tregtimin për të shmangur një kolaps të plotë. Investitorët e huaj po tërhiqen me shpejtësi nga Turqia, duke rritur shqetësimet për një krizë të re financiare në vend.

Politikat e gabuara të Erdogan, shkaktare e krizës

Kjo situatë dramatike është rezultat i viteve të politikave të gabuara të Erdoganit, i cili ka mbështetur politika ekonomike joortodokse që kanë nxitur inflacionin dhe kanë dëmtuar besimin e investitorëve. Pas një periudhe të gjatë manipulimesh financiare dhe ndërhyrjeve në bankën qendrore, Erdogan është detyruar të mbështesë politika më ortodokse, por dëmi tashmë është bërë.

Ekspertët paralajmërojnë se me këtë krizë të thellë ekonomike dhe represion politik në rritje, Turqia po shkon drejt një pike pa kthim. Arrestimi i Imamoglu dhe shtypja e opozitës tregojnë se Erdogan është i gatshëm të sakrifikojë stabilitetin ekonomik dhe politik të vendit për të mbajtur pushtetin me çdo kusht./ Reuters – Syri.Net

Shpërthejnë protestat dhe incidentet në Stamboll, pas arrestimit të kryebashkiakut Ekrem Imamoglu

Në Stamboll kanë shpërthyer protestat dhe incidente pas anulimit të gradës së kryetarit të bashkisë dhe kandidatit për president të CHP, Ekrem Imamoglu si dhe arrestimit të tij mëngjesin e së mërkurës.

Pavarësisht ndalimit, studentët e universitetit u mblodhën për të protestuar. Policia u përpoq të bllokonte marshimin, por mijëra protestues duke brohoritur pro-demokracisë, arritën të thyenin bllokadën e policisë.

Jashtë portës kryesore, studentët u bënë thirrje studentëve të tjerë që të mbrojnë të drejtat dhe liritë e tyre demokratike. Më pas marshimi u drejtua drejt bashkisë së qytetit në zonën e Saratchane.

Në mobilizim morën pjesë edhe studentë nga universitete të tjera në Stamboll. Policia turke ndaloi protestuesit para Shkollës Ekonomike.

Situata mbetet e tensionuar, ndërsa studentët deklarojnë se do të vijojnë protestat e tyre. bw


Send this to a friend