Numuri i fundit i revistës “Evropa Lindore”, përmban një intervistë të kolegut tonë Sotir Gjika me ish ministrin e arsimit publik shqiptar, doktor Kristo Floqi, në të cilën është paraqitur imtësisht gjëndja e tanishme e shkollave në Shqipëri. Besojmë se është interesante të japim një përmbledhje të gjërë të kësaj interviste, që paraprihet nga një hyrje historike.
“Vdekja e heroit kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, e hodhi Shqipërinë në një skllavëri të egër për 437 vite të mira. Ajo humbi me pavarësinë e saj dhe çfarëdo mundësie rizgjimi e rilindjeje kulturore. Pa tradita letrare, n’epokën kur lulëzonin mes popujve t’Evropës artet, shkencat, letërsia, Shqipëria që merrej çdo ditë me qytetërimin aziatik, i cili përpiqej t’i nguliste me forcë individualitetin e tij, ishte katandisur në gjëndje të vajtueshme e njihte një qenësi krejtësisht të pasigurtë. Të kthyer në zotër të Vendit, të shtyrë nga inati dhe dëshira e hakmarrjes, turqit i u dhanë teprive më të llahtarëshme kundër atij populli që, për shtatë dhjetvjeçarë, dijti t’u bëjë atyre një qëndresë të pathyeshme. Qeveritë otomane mbytën çdo lëvizje për çlirim të popullit shqiptar, shkelën vullnetin e tij, këputën të gjitha nismat e tij. Mësimi i gjuhës shqipe qe për sulltanët rreptësisht i ndaluar. Asnjë shkollë kombëtare. Shqiptarët ishin të shtrënguar nga rendi i dhimshëm dhe i pashmangshëm i gjërave, të mësoinin shkronjat osmane dhe ato të popujve të tjerë. Megjithatë tek ta nuk u dobësua kurrë instikti i vetëruajtjes, dashuria e zjarrtë për lirinë dhe pavarësinë, besimi në një të nesërme më të mirë.
Ata nuk ishin shtypur në kuptimin e vërtetë të fjalës. Historia otomane ka regjistruar, nga pushtimi deri më 1912, jo më pak se 54 kryengritje shqiptare. Populli shqiptar, edhe se nën ankthin e ndarjes fetare, ka ruajtur bashkësinë kombëtare dhe karakteristikat etnike dalluese të tij, e ka mbijetuar ndaj gjithë ngjarjeve të dhimbëshme që ka pësuar në vetë të parë. Ndërmjet shqiptarëve, për shembull, nuk është vërtetuar dukuria e çuditëshme që kanë shfaqur grekët e ishullit të Kretës, ata të Maqedonisë Juglindore, bullgarët e Thrakës dhe Rumelisë lindore, serbët e Bosnje-Herxegovinës të cilët, të kthyer në besimin mysliman, kanë mohuar prerë kombësinë e tyre.
Lëvizja gjuhësore shqiptare mori një shtytje të madhe mbas kushtetutës së parë turke, në vazhdim të vendimeve të Kongresit të Berlinit për Shqipërinë. Në Korçë, qytet i Shqipërisë Jugore, e mëtuar nga grekët, më 1887 u hap për popullin e para shkollë shqipe. Ajo u mbyll, mbas pak kohësh, nga qeveria turke. Etërit françeskanë të Shkodrës futën mësimin e gjuhës shqipe në shkollat e financuara nga Austria më 1902. Ai mësim, i pandërprerë, vazhdon ende. Gjatë Kushtetutës së dytë otomane (1908), në Shqipëri u hapën mjaft shkolla dhe një shkollë Normale në Elbasan, qytet i Shqipërisë Qëndrore. Por Turqit e rinj, që mëtonin të osmanizonin gjithshka, dekretuan përndjekjet më të padëgjuara kundër lëvizjes kulturore shqiptare. Ata dëshëronin të detyronin alfabetin arab, në vënd të atij latin të përdorur nga shqiptarët. Abetare me shkronja arabe (që, ne kllapa përbënin më qesharakun hartim letrar) e të paracaktuara për mësimin e gjuhës shqipe, u shpërndanë në dhjetra mijra kopje. Për këtë në Shqipëri u mblodhën tubime të mëdha protestash. Populli i Beratit në sheshin e qytetit i grumbulloi këto abetare dhe i u vuri flakën.
Lufta e dhunëshme dhe ngulmuese nga të dy palët, u kthye në kryengritjet shqiptare të 1908, 9, 10, 11, 12. Më 28 nëndor 1912, në Vlorë u shpall pavarësia shqiptare dhe u krijua e para Qeveri e përkohëshme kombëtare. Mbas kësaj ngjarjeje historike, më së fundi, shqiptarët kishin një një qoshe të territorit të lirë e mund të linin të lira edhe shkollat e tyre. Dhe tani fjala i jepet të nderuarit Kristo Floqi :
528 shkolla
Në kohën e Ismail Qemalit – na tha ai – në vendet çliruara të Shqipërisë ishin vetëm 48 shkolla shqiptare. Duke u shtuar dhe ato të Shkodrës e të krahinës së pushtuar nga Greqia, numuri i përgjithshëm shkonte në 67, të gjitha fillore deri në klasën e pestë. Gjatë pushtimit austriak dhe italian deri në Kongresin e Lushnjes, numuri i shkollave u rrit deri në 346. Nga formimi i Qeverisë së Tiranës, e shpallur drejt për së drejti nga Kongresi kombëtar i Lushnjes, deri në ditën që kam marrë mbarështimin e arsimit popullor, ato në shtesë të vazhdueshme kishin arritur në 413. Kur, si pasojë e dorëheqjes së Qeverisë, i dorëzova pasuesit tim, prof. Peçit, zyrën time, numuri i përgjithshëm i shkollave, duke qënë ngritur 115 gjatë periudhës sime, ishte 528.
Nëse nga koha kur u hoqën zinxhirët dhe u shmang “vetoja urdhëruese” e Kostandinopojës, ne mundëm të ngremë lirisht shkollat tona, u gjindëm shpejt para vështirësisë së madhe që rridhte nga mungesa e një gjuhe të unjisuar. Për të shmangur rrëmuja e ndërlikime të rrezikëshme, ishte skajshmërisht e nevojshme që librat shkollorë të ishin shkruar në një gjuhë afërsisht të mesme e të kontrolluar nga një autoritet i krijuar, gjë që do të formonte parimin e unjisimit të gjuhës sonë letrare. Për këtë u morën masa gjatë pushtimit austriak me krijimin në Shkodër të një Komisije letrare, të përbërë nga 12 vetë. Kjo Komisi u ngarkua saktësisht të vinte bazat e para të ortografisë së gjuhës sonë. Përfundimet e saj u botuan në një broshurë të titulluar : “Rregullat e drejtshkrimit të gjuhës shqipe”. Kjo Krijesë e vogël e jona, e trasferuar në Tiranë, zhvilloi veprën e saj të zgjuar e të dobishme pranë Ministrisë së Arsimit Publik.
Sistemi pedagogjik
Synimi im i paepur ishte të zbatoja një sistem pedagogjik të njëjtë me atë të praktikuar sot në shkollat italiane. Sa i përket shkollave profesionale mendoja të ngrinja një për çdo prefekturë, pra gjithsej tetë. Tani për tani kemi vetëm dy të plota, të pamjaftueshme për nevojat në shtim të vendit. Duke mbajtur parasysh se letërsia shumë e re e jona nuk ka arritur ende një shkallë zhvillimi të mjaftueshme, nevojës për libra të shkollave të mesme, të liceut me tetë klasë të Korçës, apo gjimnazit të Gjirokastrës, do të marrim masa për të patur tekste franceze. Në rast nevoje do të thirren nga Zvicra 12 profesorë francezë. Për këtë vetëm Ministria e Arsimit është në letërkëmbim me mikun dhe agjentin konsullor të nderit të Shqipërisë në Gjenevë, prof. Eugjen Pittard. Rinia jonë do të mësojë edhe në gjuhën frëngjishte, e cila do të na shërbejë si gjuhë diplomatike dhe për marrëdhëniet tona me botën. Veç këtyre ishte synimi im, madje ky bën pjesë integrale në programin tim për të ngritur tre konvikte në Malësinë e Shqipërisë qëndrore e veriore, një me 200 shtretër në Panaja të Vlorës dhe një tjetër në një vend të Toskërisë.
Bilanci 1920 – 21
Fatkeqësisht bilanci i Arsimit për vitin në vazhdim (për shkak të harxheve ushtarake që Shteti ka qenë i detyruar të përballojë) është prej vetëm 2.140.000 franga. Me një bilanc të tillë sigurisht nuk mund të bëhen gjëra të mëdha dhe as un nuk mund të zbatoja plotësisht programin tim. Aq është e vërtetë sa që ishte përpunuar, para dorëheqjes sime, një raport për t’u miratuar nga Ministria e Luftës, në të cilin kërkohej një shtesë prej 500.000 frangash në bilanc. Megjithatë Ministria ka një fond rezervë, jo më pak se 180.000 franga për të përballuar harxhet e jashtzakonëshme : blerje artikujsh shkollorë, riparime, shpërblime mësuesve etj. Një sistem i ri është zbatuar, me rezultate shumë të mira praktike, për pagesat e rrogave. Ai qëndron në ndarjen e honorareve simbas Prefekturavet, në mënyrë që çdo Drejtori apo Inspektoriat e merr shumën e rrogave të vartësve të vet nga Drejtori lokal i financavet të Prefekturës. Mësuesit paguhen kështu drejt për së drejti dhe janë shmangur më së fundi rrëmujat dhe është siguruar pagesa e rregulltë e honorareve në ditët e caktuar.
Shkollat e huaja
“Për shkolla të huaja – na u përgjigj i nderuari Floqi – është tani vetëm një serbe në Shkodër, prej tre klasësh. Shkollat greke të Korçës do të kalojnë sa më shpejt nën mbarështimin tonë të drejtpërdrejtë, siç ka ndodhur për shkollat greke të Delvinës dhe Dhrovianit, mësuesit e të cilave janë të paguar nga financat tona, dhe në të cilat mësimi i shqipes është i detyrueshëm.” “Kryqi i Kuq Amerikan” administron me mjetet e tij një shkollë shqipe në Tiranë dhe një në Shkodër, me që është shkrirë ajo e Elbasanit që ka kaluar në mbarështimin tonë. Kryqi i Kuq s’afërmi do të ngrerë një shkollë teknike në Tiranë, për të cilën Qeveria shqiptare do të ndihmojë më 60.000 fr. Është interesant të njihet se në gjithë Shqipërinë janë hapur shkollat e mbrëmjes. Ato japin rezultate të kënaqëshme, në to më shumë se 5.000 analfabetë kanë mësuar të lexojnë e të shkruajnë e të kryejnë katër veprimet arithmetike. Në këtë fushë ajo që mund të pohohet është se ka qenë dega më prodhuese në gjithë administratën e Shtetit, nuk lihet mbas dore asgjë që mund t’i interesojë përtëritjes morale dhe intelektuale të popullit tonë, i cili shfaq një vullnet të habitshëm për të nxënë e për t’u zhvilluar. Por ju mund të përfytyroni vështirësitë e pamasa, herë herë të padurueshme, që një Ministër i Arsimit është i detyruar të përballojë në një vend si Shqipëria, që nuk ka tradita shkollore kombëtare. Ne duhet të krijojmë gjithshka, për fije e për peri. Kemi një trashëgimi të hidhur, atë turken, të vjetër katër shekujsh, gjurmët e së cilës janë pengesa të rënda në vend të drejtimit e lehtësisë, në sistemimin kombëtar të Vendit tonë. Ne duhet të prishim që të mund të ndërtojmë në mënyrë të qëndrueshme.
SOTIR GJIKA
Corriere delle Puglie, 20 – 10 – 1921Pёrktheu nga italishtja Eugjen Merlika
Cila ishte gjëja e fundit që i kërkuat një chatbot-i me inteligjencë artificiale të bënte për ju? Ndoshta i kërkuat të hartonte një ese, apo një analizë të thellë të të dhënave, sipas BBC.
Disa ekspertë shqetësohen se realizimi i detyrave nga IA-ja do të thotë që truri juaj po punon më pak – dhe madje mund të dëmtojë aftësinë e të menduarit dhe zgjidhjen e problemeve.
Instituti i Teknologjisë në Masaçusets (MIT) publikoi këtë vit, një studim që tregonte se njerëzit që përdorën ChatGPT për të shkruar ese – treguan më pak aktivitet në rrjetet e trurit të lidhura me përpunimin kognitiv gjatë kryerjes së ushtrimit.
Këta njerëz gjithashtu nuk mund të përshkruanin esetë e tyre aq lehtë sa personat që nuk përdorën një chatbot të inteligjencës artificiale.
Hulumtuesit thanë se studimi tregoi një rënieje të aftësive të të nxënit.
Të gjithë 54 pjesëmarrësit u rekrutuan nga MIT dhe universitetet aty pranë. Aktiviteti i tyre i trurit u regjistrua duke përdorur elektroencefalografi (EEG), e cila përfshin vendosjen e elektrodave në kokë.
Disa nga kërkesat e pjesëmarrësve përfshinin pyetjen ndaj IA-së për të përmbledhur pyetjet e eseve, për të gjetur burime, si dhe për të përmirësuar gramatikën.
IA-ja u përdor gjithashtu për të gjeneruar dhe artikuluar ide – por disa përdorues menduan se ajo nuk ishte shumë e mirë në këtë.
IA-ja e bën shumë të lehtë gjetjen e përgjigjeve
Universiteti “Carnegie Mellon” dhe “Microsoft” zbuluan se aftësitë e njerëzve për zgjidhjen e problemeve mund të zvogëloheshin nëse ata bëheshin shumë të varur nga IA-ja.
Ata anketuan 319 punonjës të mjekësisë që përdorën mjete IA për punët e tyre të paktën një herë në javë.
Ata shqyrtuan 900 shembuj të detyrave të dhëna për IA-në, duke filluar nga analizimi i të dhënave për njohuri të reja deri te kontrolli nëse puna përmbushte rregulla të caktuara.
Studimi zbuloi se besimi më i lartë në aftësinë e IA-së për të kryer një detyrë lidhej me përpjekje më të vogla të të menduarit të rëndësishëm.
Ndërsa GenAI mund të përmirësojë efikasitetin e punonjësve, ai mund të pengojë angazhimin e rëndësishëm. me punën dhe potencialisht mund të çojë në mbështetje të tepruar afatgjatë në inteligjencën artificiale dhe aftësi të reduktuar për zgjidhjen e pavarur të problemeve.
Nxënësit e shkollave në Britaninë e Madhe u anketuan në mënyrë të ngjashme për një studim të botuar në tetor nga “Oxford University Press” (OUP).
Ai zbuloi se gjashtë në 10 nxënës mendonin se IA-ja kishte ndikuar negativisht në aftësitë e tyre në lidhje me punën shkollore.
Pra, me shpërthimin masiv të përdorimit të inteligjencës artificiale, a rrezikojnë të dobësohen aftësitë tona njohëse?
“Jo domosdoshmërisht”, tha Dr. Alexandra Tomescu, një specialiste e inteligjencës artificiale gjenerative në OUP e cila punoi në anketën shkollore.
“Hulumtimi ynë na tregon se nëntë në 10 studentë thonë se IA-ja i ka ndihmuar të zhvillojnë të paktën një aftësi të lidhur me detyrat shkollore – qoftë zgjidhja e problemeve, kreativiteti apo rishikimi.
“Por në të njëjtën kohë, rreth një e katërta thonë se përdorimi i IA-së ua bëri shumë të lehtë kryerjen e punës”, shtoi ajo.
ChatGPT, e cila ka më shumë se 800 milionë përdorues aktivë javorë – sipas shefit Sam Altman, ka publikuar një set prej 100 pyetjesh për studentët, të dizajnuara për t’i ndihmuar ata të përfitojnë sa më shumë nga teknologjia.
Por, Prof. Wayne Holmes, i cili kryen studime të rëndësishme të inteligjencës artificiale dhe arsimit në |University College London” (UCL), tha se kjo nuk ishte e mjaftueshme.
“Duhet të bëhen shumë më tepër kërkime akademike rreth efekteve të mjeteve të IA-së në të nxënë – përpara se nxënësit dhe studentët të nxiten për t’i përdorur ato”, tha ai.
“Sot nuk ka prova të pavarura në shkallë të gjerë për efektivitetin e këtyre mjeteve në arsim, ose për sigurinë e tyre, apo edhe për idenë se ato kanë një ndikim pozitiv”, tha Holmes.
Prof. Holmes theksoi hulumtimin rreth atrofisë konjitive, ku aftësitë dhe shkathtësitë e dikujt përkeqësohen pas përdorimit të inteligjencës artificiale. bw
Blerta Sejdija ishte 17-vjeçare kur e pranoi një pije nga një burrë i panjohur.
“Disa herë i thashë se nuk doja”, tregon Sejdija për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë.
Megjithatë, ai këmbënguli dhe shkoi ta blinte një pije energjike. Pikërisht kjo këmbëngulje e shtyu Blertën ta ndiqte atë instinktivisht për të parë sesi ai po hidhte diçka në pijen e saj.
“Edhe pse prindërit të thonë vazhdimisht të jesh e kujdesshme, nuk mendoja se diçka e tillë ndodh vërtet” thotë ajo.
Ngjarja në një kafene pranë Prishtinës e ndryshoi rrjedhën e karrierës së saj dhe e shtyu atë të përkushtohej ndaj problemit të hedhjes së drogës apo substancave të tjera në pije pa dijeninë dhe pëlqimin e personit.
Arsyeja pse atë natë ajo veproi instinktivisht dhe u mbrojt lidhet me njohuritë që kishte fituar përmes organizatës “Beat Sexism”, të cilën e kishte themeluar një vit më parë për, siç thotë ajo, ta luftuar patriarkatin.
E lindur dhe e rritur në Çeki, nga prindër me prejardhje nga Kosova, Sejdija sot e ndan kohën dhe angazhimin e saj mes këtyre dy vendeve. Megjithatë, se ndotja e pijes me substanca narkotike ishte kaq e përhapur, ajo e kuptoi vetëm në vitin 2021, kur vendosi ta ndajë publikisht përvojën e saj dhe të hapë një diskutim në Çeki.
“Vendosëm të mbledhim rrëfime të grave të tjera, sepse kuptuam se ky nuk ishte problem i izoluar, por diçka që prek shumë gra”, tregon Sejdija.
Blerta Sejdija dhe Veronika Shimkova gjatë prezantimit të platformës së sapothemeluar “Blurred”, në Pragë më 10 nëntor.
Se nuk bëhet fjalë për raste të veçuara, por për një problem më të gjerë shoqëror, e dëshmojnë edhe të dhënat dhe historitë që viktimat kanë ndarë me ta.
Sipas të dhënave që organizata e saj ka mbledhur në bashkëpunim me policinë dhe qeverinë në fillim të këtij viti, çdo i treti i anketuar në Pragë është përballur me hedhje të padëshiruar të drogës në pije.
Kjo ndodh më së shpeshti te gratë e reja, shpjegon Sejdija, por rasti i fundit i përdhunimit të Gisele Pelicot në Francë ka treguar se mund të ndodhë në çdo kohë dhe në çdo rrethanë.
“Mund të ndodhë në një takim romantik, mes një çifti apo edhe mes personash të martuar, mund të ndodhë edhe mes miqsh ‘për qejf’”, sipas saj.
Se bëhet fjalë për një dukuri të përhapur e dëshmon edhe rasti në një festival muzikor, po ashtu në Francë, ku 145 njerëz raportuan se ishin shpuar me shiringë.
Arsyet pse ndodh kjo janë të ndryshme dhe nuk lidhen vetëm me sulme seksuale, por edhe me vjedhje, forma të tjera dhune, madje ndonjëherë edhe “për shaka”, pavarësisht se pasojat mund të jenë shkatërruese. Në shumicën e vendeve ky akt nuk është i kriminalizuar veçmas, ndërsa Sejdija shton se Mbretëria e Bashkuar ka një praktikë pozitive.
Shtimi i alkoolit, drogës së jashtëligjshme ose ilaçeve në ushqim, pije apo cigare të një personi është i paligjshëm dhe, përmes ligjeve të ndryshme britanike, mund të dënohet nga gjashtë muaj deri me burgim të përjetshëm. Së fundmi, kryeministri britanik, Keir Starmer, ka paralajmëruar edhe krijimin e një vepre të veçantë penale që lidhet me këtë çështje.
“Qëllimi ynë me futjen e kësaj vepre të re penale është të inkurajojmë viktimat të dalin hapur dhe t’i raportojnë incidentet në polici, si dhe të ndihmojmë në tejkalimin e pengesave kryesore në ndjekjen penale të rasteve të hedhjes së substancave në pije, në mbledhjen e provave dhe identifikimin e autorëve”, thuhet në njoftimin e Ministrisë britanike të Drejtësisë lidhur me këtë dispozitë të ardhshme ligjore.
Problem edhe në Ballkanin Perëndimor
Se edhe të rinjtë në vendet e Ballkanit Perëndimor përballen me këtë problem, e konfirmon Stefan Pejiq nga organizata beogradase “Re Generation”, por, sipas tij, është e vështirë të flitet për përhapjen reale të hedhjes së substancave në pije, pasi këto raste raportohen shumë rrallë.
“Organizatave si e jona u drejtohen persona që besojnë se janë përballur me hedhje të substancave në pijen e tyre, ose kanë dyshime të bazuara, por shpesh nuk i raportojnë rastet te autoritetet. Arsyet janë frika, mungesa e besimit në institucione, stigma, por edhe pasiguria. Shumë persona nuk janë të sigurt se çfarë ka ndodhur saktësisht, veçanërisht nëse nuk u kujtohet saktë, ose nuk kanë prova të qarta”, thotë ai.
Për këto arsye, thekson Pejiq, është e rëndësishme të punohet në njohjen dhe parandalimin e kësaj forme dhune, në edukim, si dhe në përmirësimin e reagimit institucional.
“Parandalimi duhet të shkojë shumë më tej sesa këshilla ‘kujdes se mos të hedhin diçka në pije’. Mesazhe të tilla, edhe pse me qëllim të mirë, e transferojnë përgjegjësinë te personat që mund të jenë viktima, në vend se te ai që e shkakton dhunën” shpjegon Pejiq.
Sipas tij, parandalimi nënkupton staf të trajnuar në bare, si dhe protokolle të qarta.
“Parandalimi duhet të shkojë shumë më tej sesa këshilla ‘kujdes se mos të hedhin diçka në pije’”.
Stefan Pejiq
Të gjitha këto i kishte parasysh edhe Blerta Sejdija kur, në mes të nëntorit, së bashku me kolegen e saj Veronika Shimkova, lansoi platformën “Blurred”.
Bëhet fjalë për një platformë digjitale unike që përfshin programe edukative, trajnime për parandalim, punëtori dhe ligjërata për shkolla, si dhe mundësinë që një person të raportojë nëse dyshon se është droguar pa dijeninë e tij.
Qëllimi, siç shpjegon Sejdija, është që përmes avokimit, shkencës dhe inovacionit të luftohet problemi i hedhjes së substancave në pije dhe që aktivizmi të shndërrohet në diçka që ofron ndihmë konkrete.
“Ne nuk i lidhim vetëm dhembshurinë dhe sigurinë, por edhe shkencën dhe teknologjinë për të krijuar diçka funksionale. Sepse, siç e dimë, ekzistojnë disa teste në treg që në fakt nuk ndihmojnë nëse dëshironi të kontrolloni pijen dhe krijojnë një ndjenjë të rreme sigurie”, nënvizon ajo.
Në treg ekzistojnë teste të ndryshme që shiten me pretendimin se ndihmojnë në zbulimin e substancave të padëshiruara – nga manikyr të thonjve që ndryshojnë ngjyrë, deri te teste të ndryshme që mund të porositen online, mjafton një klikim online.
Lansimi i platformës “Blurred” kundër hedhjes së substancave në pije, në Pargë, nga themelueset Blerta Sejdija dhe Veronika Shimkova, 10 nëntor.
Megjithatë, se ato nuk janë më të besueshmet, e konfirmon edhe Martin Kuchar, shef i Laboratorit për Analizë Forenzike të Substancave Bioaktive në Universitetin Teknologjik të Pragës. Një nga problemet është se testet nuk funksionojnë në pije me ngjyrë dhe se përqindja e drogës në pije duhet të jetë e lartë që testi ta zbulojë atë. Por, Kuchar shpjegon se edhe një përqindje më e vogël e drogës mund të ndikojë te viktima.
“Ndryshimi i ngjyrës ndodh vetëm në nivele më të larta të substancës aktive. Po flas për GBL, MDMA, benzodiazepina dhe droga të tjera. Nga perspektiva ime, testet komerciale nuk funksionojnë dhe mund të çojnë në rezultate të rrejshme negative” thotë ky ekspert forenzik.
Testet janë verifikuar edhe në laboratorin e Fakultetit Teknologjik. Droga është hedhur në pije të ndryshme, nga vera e kuqe dhe e bardhë e deri te pijet joalkoolike. Megjithatë, testet, të dizajnuara për të ndryshuar ngjyrë në prani të drogës, nuk reaguan.
“Ndoshta funksionojnë nëse testohen vetëm me ujë dhe drogë”, thotë Kuchar. “Kemi dokumentacion fotografik që tregon se testet nuk ndryshuan ngjyrë. Nëse kanë ndryshuar, atëherë në pije ka pasur një dozë shumë të lartë alkooli ose ngjyra është ndikuar nga vetë ngjyra e pijes”.
Për momentin, thotë Kuchar, nuk ka teste te të cilat përdoruesit mund të mbështeten 100 për qind.
Çfarë të bëni nëse sulmoheni?
Kur dikush ju drogon kundër vullnetit tuaj, keni 20–30 minuta për të ndërmarrë diçka, shpjegon Blerta Sejdija.
“Së pari vini re se diçka po ndodh në organizmin tuaj. Ndjeni marramendje, shikimi ju turbullohet, mund të filloni të mos i ndieni fare disa pjesë të trupit”, thotë ajo.
“Nuk është faji juaj, përgjegjësia është gjithmonë në anën e sulmuesit”.
Blerta Sejdija
Ndonjëherë droga e ndryshon shijen e pijes dhe ajo bëhet e hidhur, ndonjëherë i ndryshon ngjyrën ose bëhet e turbullt.
“Të gjitha këto janë gjëra të vogla që mund t’i vini re dhe që janë nën kontrollin tuaj. Ajo që nuk është nën kontrollin tuaj është mënyra se si trupi juaj do të reagojë”, sipas saj.
Të gjithë këshillohen që, nëse papritur nuk ndihen mirë, t’i tregojnë personit pranë ose stafit të lokalit.
“Mos u izoloni, sepse nuk e dini se çfarë doze keni marrë dhe si mund të reagojë trupi juaj”.
Nëse është e mundur, do të ishte e dëshirueshme të ruhet pjesa e mbetur e pijes, pasi ajo mund të testohet për prani droge, sepse substanca largohet shpejt nga trupi. Duhet të pini shumë ujë, të shkoni në një vend të sigurt, të vendoseni në një pozicion të qëndrueshëm dhe patjetër të telefononi policinë.
“Kur të arrini në urgjencë, kërkoni që t’ju bëhet analizë toksikologjike, sepse mund të mos e dinë se ju ka droguar dikush. Shpesh ndodh që të shkoni në urgjencë dhe t’ju thonë se keni pirë shumë”, shpjegon Sejdija.
Ajo që ndodh shpesh është edhe fakti që njerëzit nuk e raportojnë rastin në polici, sepse do t’i fajësojnë ose nuk do t’iu besojnë.
“Nuk është faji juaj, përgjegjësia është gjithmonë në anën e sulmuesit”, thotë ajo.
Kur atë mbrëmje në kafenenë pranë Prishtinës burri i panjohur u kthye me pijen, në të cilën tashmë kishte diçka për të cilën ajo nuk kishte dhënë pëlqimin, Blertën e zuri paniku. Por, ajo nuk e shfaqi këtë.
“Nga ajo anë isha krenare për veten. Por, nuk jam krenare për mënyrën se si e zgjidha më pas situatën – nuk e raportova, nuk u përballa me të, thjesht ika, gjë që ishte një akt vetëmbrojtjeje”, shpjegon ajo.
Në atë moment, thotë ajo, nuk donte që ai të bëhej edhe më agresiv, ndaj trilloi se duhej të shkonte në tualet me shoqen dhe nuk u kthyen më kurrë.
“Ajo natë vërtet e ka formësuar mënyrën se si mendoj për sigurinë gjatë daljeve dhe veçanërisht për hedhjen e substancave në pije si një fenomen të tërë, të cilin që nga ai moment kam filluar ta hulumtoj”, tregon ajo.
Me organizatën e saj, Sejdija sot planifikon të punojë në edukim dhe në gjetjen e zgjidhjeve për problemin e hedhjes së substancave në pije. Për momentin ata veprojnë në Evropën Qendrore, por në të ardhmen planifikojnë të zgjerojnë aktivitetet e tyre edhe në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe në pjesë të tjera të Evropës.
Kreu i PD Sali Berisha ka reaguar në lidhje me kërcënimin me jetë ndaj gazetarit Osman Stafa, pas denoncimeve për Spitalin Onkologjik.
Në një konferencë për shtyp nga selia blu,. Berisha u shpreh se gazetari faktoi se tek Onkologjiku kanë ndodhur krime kundër njerëzimit.
“Kërcënimi vjen vetëm një muaj pasi mafia më e rrezikshme i vendosi minën gazetarit të mirënjohur italian kundër mafias shqiptare.
Osman Stafa me investigimet e tij ka provuar para shqiptarëve dhe mbarë Europës se regjimi i Ramës ka kryer krime kundër njerëzimit tek Onkologjiku,, se të sëmurët janë privuar nga ilaçet jetike në betejën e tyre me sëmundjen. Të sëmurët janë privuar nga aparaturat e domosdoshme të mjekimit dhe diagnozës.
Këto qendrime që tejkalojnë çdo imagjinatë kanë kushtuar me qindare vite jetë të këtyre të sëmurëve të marrë së bashku.
Rama është kryeministri i parë që pohon publikisht se ilaçet nuk i siguruam sepse të sëmurët me këtë sëmundje janë të shumtë në numër.
Në shumë raste vërtetoi se ishin vjedhjet e abuzimet mafioze të atyre që plaçkitën, bënë tenderat dhe nuk sollën një ilaç të vetën. Ministra dhe drejtor spitali.
Kanë ndodhur krime të rënda në 32 vite, por garantoj shqiptarët se krimi më i shëmtuar ka ndodhur në atë spital”, tha ai. bw
Në studion e “News24 Fundjavë” ishte sot e ftuar psikiatrja Denisa Hoxha, e cila foli në lidhje me ankthin, atakët e panikut dhe çrregullimet me të cilat përballen sot shqiptarët, e kryesisht rinia.
Ajo u shpreh zgjidhja më e mirë kur je në një situatë ku ankthi dhe stresi po të mposht, është t’i drejtohesh specialistit.
“Stresi është kthyer në kryefjalën e shqiptarëve. Vuajmë shumë nga ankthi dhe stresi por kujdesemi shumë pak për t’i menaxhuar ato. Pyetjet që has më shumë janë: Si ta menaxhoj stresin e punës dhe të balancojmë punën dhe jetën personale? Njerëzit jetojnë në multi tasking kur duhet të bëjnë 2 -3 gjëra njëherazi.
Kur stresi të mbyt nuk ke më shpëtim dhe i drejtohesh psikologut apo psikiatrit, ose edhe një faqe si e jona ku marrim c çdo ditë të paktën 500 pyetje të cilëve u përgjigjemi brenda 24 orëve. Atë që mendja mundohet të fshehë, trupi nuk e harron. Ndodh që njerëzit që më në fund arritën të kenë një ambient stabël, papritur ndodh një atak paniku dhe një gjendje ankthi. Kjo ndodh sepse përgjatë jetës janë funksionalë dhe mekanikë, duke shkelur dhe neglizhuar emocionet dhe ndjesitë. Në këtë kohë nuk e kontrollon më trupin tënd.
Trupi të thotë merru me veten më shumë”, tha ajo, ndërsa ka sugjeruar edhe një ushtrim frymëmarrjeje që ndihmon në qetësimin e trupit dhe uljen e rrahjeve të zemrës në momente të tilla.”, tha ajo.
Psikiatrja u shpreh se ushtrimi konsiston në frymë marrjen nga hundë për 4 sekonda, mbajtjen për 6 sekondë, dhe frymë nxjerrjen për 8 sekonda.
Komentet e pasakta të një mjeku në rrjetet sociale mbi një studim mjekësor në Korenë e Jugut u kthyen në një fushatë online keqinformimi dhe paniku.
Më 9 nëntor, kardiokirurgu Edvin Prifti shpërndau katër foto nga një studim i kryer në Korenë e Jugut, me titull: “Rreziqet 1-vjeçare të kancerit të lidhura me vaksinimin COVID-19: një studim kohorte i bazuar në popullsi në Korenë e Jugut”.
Prifti e shoqëroi postimin me një interpretim personal, duke pretenduar se materiali vërtetonte një lidhje direkte mes vaksinave dhe kancerit.
“Nuk ka asnjë shpjegim tjetër përveçse urrejtjes ndaj njeriut! Një holokaust pa asnjë diskriminim!”, shkroi ai.
Mbi 15 faqe online në gjuhën shqipe, përfshirë të përditshmen Gazeta Dita dhe portale të tjera, e shpërndanë postimin e Priftit me tituj alarmues. Postimi u rishpërnda nga 129 ndjekës të kardiokirurgut shqiptar dhe gjeneroi video virale në rrjetet sociale.
Studimi që i referohet Dr.Prifti, i publikuar nga revista “Biomarker Research”, ka si autorë katër shkencëtarë koreano jugor.
Megjithatë, ndryshe nga pretendimi i doktorit shqiptar, ai nuk shkruan se ka një lidhje shkakësorë midis vaksinimit kundër COVID-19 dhe rritjes së rrezikut të sëmundjes së kancerit.
Vetë autorët e studimit theksojnë në mënyrë specifike në konkluzionet e publikuara se gjetjet e tyre nuk provojnë lidhje shkak-pasojë mes kancerit dhe vaksinës.
“Nevojiten studime të mëtejshme për të sqaruar marrëdhëniet e mundshme shkakësore,” shkruajnë ata në konkluzionet e studimit.
I pyetur nga BIRN mbi deklaratën e tij për studimin, kardiokirurgu Prifti këmbënguli në qëndrimin e tij për lidhjen e vaksinë me kancerin.
“Në konkluzion, mendoj që të dhënat janë të shumta dhe kokëforta,” tha ai, duke pranuar gjithsesi se “duhen studime të tjera”.
Një lajm i vjetër dhe i përgënjeshtruar
Zhurma e krijuar së fundmi në Shqipëri mbi këtë studim, bazohet në një lajm që është përgënjeshtruar prej kohësh në arenën ndërkombëtare. Studimi, i publikuar fillimisht në “Biomarker Research” si letër për redaktorin, u bë viral në botën anglisht folëse pas një artikulli sensacionalist në gazetën britanike ‘Daily Mail‘ më 29 shtator.
Ekspertët dhe faqe të verifikimit të fakteve, si Full Fact, reaguan menjëherë, duke detyruar Daily Mail të korrigjonte artikullin. Në versionin e rishikuar, gazeta sqaroi se studimi nuk provonte lidhje mes vaksinës dhe tumoreve. Patologët shpjeguan se “është e pamundur mjekësisht që një kancer solid të zhvillohet deri në atë pikë sa të diagnostikohet brenda një viti”.
Sipas ekspertëve, rritja e numrit të diagnozave lidhet me faktin se personat e vaksinuar kanë kryer më shumë vizita mjekësore gjatë pandemisë COVID-19, duke çuar në zbulimin e sëmundjeve ekzistuese, jo në krijimin e tyre nga vaksina.
Përtej studimit koreano-jugor, Dr.Prifti tha se ishte i bindur për vërtetësinë e lidhjes midis vaksinës kundër COVID-19 dhe tumoreve.
Për të mbështetur tezën e tij, Prifti referoi një tjetër studim nga Italia me rreth 300,000 banorë, ku sipas tij ishte gjetur një rritje prej 23% e tumoreve te të vaksinuarit. Por edhe në këtë rast, interpretimi bie ndesh me konkluzionet e autorëve. Studiuesit italianë theksojnë se: “Subjektet që morën vaksinën treguan pothuajse përgjysmim të rrezikut të vdekjes nga çdo shkak pas një periudhe ndjekjeje prej 25 muajsh.”
Edhe këtu, autorët sqarojnë se zbulimi i më shumë rasteve të kancerit lidhet me monitorimin më të shpeshtë mjekësor të personave të vaksinuar dhe jo me shkaktimin e sëmundjes nga vaksina.
Rishpërndarja e shpejtë e këtij informacioni alarmant në një numër të madh mediash online shqiptare tregon sërish për cenueshmërinë e publikut dhe mangësitë serioze në procesin e verifikimit të fakteve në peizazhin mediatik vendas.
Dezinformatat shëndetësore, veçanërisht ato që lidhen me vaksinat, gjejnë shpesh terren pjellor në Shqipëri, veçanërisht kur vijnë nga figura autoritare si mjekët.
Pandemia e COVID-19, në nivel global, u shoqërua me atë që Organizata Botërore e Shëndetësisë e quajti “infodemi” – një përhapje masive dhe e shpejtë e informacionit të pasaktë, shpeshherë me qëllim manipulimin.
Në Shqipëri, kjo valë dezinformimi goditi veçanërisht vaksinat, duke ushqyer hezitimin te një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve, pavarësisht fushatës së institucioneve shëndetësore për imunizim.
Pasojat e drejtpërdrejta të këtyre pretendimeve të pavërteta shëndetësore janë të rënda. Ato jo vetëm mbjellin panik dhe pasiguri, por potencialisht pengojnë shkallën e vaksinimit dhe rrisin rrezikun e sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë në popullatë.
Edhe një shkëndijë e vetme mjafton për të ndezur një zjarr. Njerëzimi e kishte harruar se qindra vjet të shkuar besohej se Toka ishte e sheshtë. U desh një shaka interneti, më saktë krijimi i një faqeje online ku pretendohej se Toka është e sheshtë që të riniste në shekullin e 21-të konspiracioni që ende vazhdon.
Në rastin e vaksinave ishte sërish një shkëndijë. Mjeku anglez Andrew Wakefield, kirurg i njohur, por pa asnjë lidhje me vaksinat dhe autizmin, duke analizuar një grup prej vetëm 12 fëmijësh, publikoi artikullin tashmë famëkeq që lidhte vaksinën MMR (fruth, shyta, rubeolë) me një sëmundje të zorrëve dhe me autizmin.
Që nga viti 1998, kur ky artikull u botua për herë të parë, janë botuar me qindra studime që provojnë jashtë çdo dyshimi se midis vaksinave dhe autizmit nuk ka asnjë lidhje, as nga ana statistikore dhe as nga ana biologjike.
Nëse mjeku anglez studioi vetëm 12 pacientë, studiuesit nga vendet nordike studiuan me miliona fëmijë, nisur edhe nga statistikat tepër të sakta që këto vende mbajnë prej dekadash. Nuk u gjet asnjë lidhje midis ndonjë vaksine dhe autizmit.
Ndërkohë është zbuluar tashmë se në 60 deri 90% të rasteve, autizmi shkaktohet nga shumë faktorë, ku ndërthurren faktorët gjenetikë dhe ata të zhvillimit të shtatzënisë.
Pas botimit të artikullit në fjalë dhe nisjes së lëvizjes anti-vax, shumë vende patën rënie të shkallës së vaksinimit. Nëse teoria e lidhjes së vaksinimit me autizmin do të ishte e saktë, shkalla e autizmit në këto vende do të ulej. Në fakt, asnjë ulje e tillë nuk u konstatua.
Nga ana tjetër, si pasojë e mosvaksinimit kundër fruthit, pati shpërthime të sëmundjes të pasuara nga vdekjet, shurdhime dhe ndërlikime të tjera shëndetësore.
***
Vaksina kundër COVID-19 u bë shënjestra e radhës e konspiracionistëve.
Disa gabime në politikën e vaksinimit që duhej të ishin shmangur, si p.sh., rekomandimi për të vaksinuar fëmijët, rigjallëruan lëvizjen anti-vax dhe i dhanë asaj një përmasë dhe vëmendje që nuk e kishte patur kurrë më parë.
Kësaj radhe, vaksinat u etiketuan si terapi gjenetike dhe “lidhja” e tyre u gjet me kancerin! Dhe duke qënë se kanceri njihet si sëmundje që zhvillohet tepër ngadalë, ka raste me dekada të tëra, u “shpik” termi “turbokancer”, një term i padëgjuar më parë dhe që nuk figuron në asnjë manual mjeksor.
Studime të veçanta që arrijnë të kalojnë filtrat e shkencës dhe etikës, pretendojnë se vende të caktuara janë duke përjetuar rritje të formave të caktuara të tumoreve dhe kjo lidhur me vaksinimin. Sërish, studime të tjera, shumë më të sakta, shumë më shkencore, nuk zbulojnë asnjë lidhje të tillë.
Ato që kemi mësuar deri më sot lidhur me tumoret (dhe që nuk është pak) nuk sugjeron ndonjë mekanizëm se si vaksinat mund të shkaktojnë kancer.
Edhe shifrat dhe statistikat janë kokëforte. Ndërsa me vaksinën anti-COVID u vaksinuan miliarda njerëz në gjithë botën, asnjë ndryshim nuk ka në incidencën e kancerit. Rastet e reja dhe vdekjet nga kanceri në shkallë globi dhe në vende të veçanta kanë mbetur në të njëjtat nivele si para pandemisë.
***
Kirurgu anglez që i dha jetë tërbimit anti-vax, u gjet më vonë se kishte manipuluar të dhënat dhe se synonte të përfitonte financiarisht nga “zbulimi” i bërë. Pas disa vitesh, atij madje edhe ju hoq e drejta e ushtrimit të profesionit, aq të rënda u gjykuan sjelljet e veta. Sot, ky ish-mjek fiton para duke bërë filma dhe organizuar tubime anti-vax.
Ndërkohë dëmi që teoritë e të fantaksurve anti-vax po shkaktojnë është i jashtëzakonshëm.
Vaksinat në shekullin e 20-të shpëtuan dhjetëra miliona jetë fëmijësh dhe e ndihmuan njerëzimin të fitonte luftën kundër sëmundjeve infektive.
Si të tilla, ato e kanë në fakt një “lidhje” me kancerin.
Duke mundësuar që njerëzit të jetojnë më gjatë, duke i lejuar atyre të arrijnë të tetëdhjetat dhe të nëntëdhjetat, sigurisht që në këtë moshë rreziku i shfaqjes së tumoreve është më i lartë.
Pra sot kemi më shumë tumore, sepse njerëzit po jetojnë më gjatë, për të arritur atë moshë, ku fatkeqësisht edhe tumoret janë më të shpeshta.
Dhe kjo në sajë edhe të vaksinave!
Prandaj, të nderuar ndjekës të faqes dhe lexues, sa më larg konspiracioneve dhe konspiracionistëve.
Mund t’i lexoni apo t’i shikoni ata, si një shaka, një satirë, madje edhe si një provë se fantazia njerëzore nuk ka kufi.
Qeshni dhe argëtohuni me ta si në një shfaqje humori!
Frutat e thata janë ndër ushqimet më të pasura me vitamina, minerale dhe yndyra të shëndetshme. Të konsumuara rregullisht, ato mund të përmirësojnë funksionet kryesore të trupit, duke mbrojtur zemrën, duke forcuar kockat dhe duke rritur aktivitetin e trurit. Ja katër prej më të dobishmeve:
1. Arrat, aleatet më të forta të trurit
Arrat janë të pasura me omega-3, antioksidantë dhe vitamina që ndihmojnë në përmirësimin e kujtesës, fokusit dhe shëndetit të përgjithshëm të trurit. Studimet i cilësojnë si një nga ushqimet më të mira për sistemin nervor.
2. Bajamet, mbrojtje për zemrën dhe kockat
Bajamet përmbajnë vitaminë E, kalcium, magnez dhe yndyra të shëndetshme që ndihmojnë në uljen e kolesterolit, parandalimin e sëmundjeve të zemrës dhe forcimin e kockave.
3. Fistikët, energji për trupin dhe zemrën
Fistikët ndihmojnë në qarkullimin e mirë të gjakut, ulin tensionin arterial dhe janë të shkëlqyer për mirëmbajtjen e një zemre të shëndetshme. Aroma dhe vlerat e tyre ushqyese i bëjnë një nga zgjedhjet më të mira për snack të shëndetshëm.
4. Kajsitë e thata, kocka të forta dhe imunitet më i mirë
Kajsitë e thata janë të mbushura me kalium, hekur dhe vitaminë A. Ato ndihmojnë në forcimin e kockave, përmirësojnë tretjen dhe mbështesin sistemin imunitar. bw
Gazetari, Osman Stafa, i pranishëm në protestën tek Onkologjiku për mungesën e medikamenteve, theksoi se duhet reagim nga masa e qytetarëve.
Ai tha se 43 milionë euro duhet të shkonin vetëm për medikamentet për kancerin e gjirit.
Në këtë protestë të pranishmit mbanin tullumbace me ngjyrën e zezë në shenjë.
“Nuk mund të rrijë 8 orë në ditë për qejf në karrige, si mund të lesh një pacient? Është e dhimbshme ndaj duhet të reagojmë.
43 milionë euro do të ishin medikamentet e për kancerin e gjirit. Nuk janë rrush e kumbulla janë paratë tona.
Duhet të reagojmë sepse askush nuk është imun. Ka histori për të treguar ka pasur një familjar.
Është shumë e rëndësishme që në këtë ditë ata që sot janë duke u përballur me. Ta themi një të vërtetë që ata sot janë duke u përballuar me një sëmundje. Ta themi një të vërtetë që ta dëgjojnë të gjithë.”, tha Stafa. bw
Përveç sëmundjes, gratë e diagnostikuara nga kanceri i gjirit në Lezhë duhet të përballojnë udhëtime rraskapitëse dhe të kushtueshme drejt Tiranës për trajtimet e kimioterapisë, pasi shërbimi në spitalin rajonal nuk ofrohet për shkak të mungesës së një aparature.
Vjeshta e vitit 2024 shënoi një kthesë të vështirë në jetën e Vera Loshit, një 56-vjeçare nga Ishull Lezha. Pas disa vizitave nisur nga shqetësimet fizike, diagnoza ishte e prerë: kancer gjiri.
Ky ishte vetëm fillimi i një beteje të dyfishtë për Loshin; ajo me sëmundjen dhe me një sistem shëndetësor, që e detyron të udhëtojë rreth 120 kilometra për të marrë trajtimin jetik.
“Trajtimi i sëmundjes ka qenë një sfidë dhe me shumë kosto,” tregon ajo për BIRN. “Më është dashur të shkoj në Tiranë për të zhvilluar seancat e terapisë, pasi këtu në Spitalin e Lezhës nuk ofrohet ky shërbim,” shtoi gruaja.
Nëna e dy fëmijëve e quan veten me fat, pasi u diagnostikua në fazë të hershme. Por pas trajtimeve prej 1 viti në Tiranë, Loshi shpreson që spitali rajonal i Lezhës të jetë në gjendje ta ofrojë këtë shërbim sa më parë.
“Fillimisht, godina e spitalit ishte në rikonstruksion, por edhe tani që kanë përfunduar punimet, nuk bëhet kimioterapia sepse thonë se mungon një aparaturë. Janë shumë gra si puna ime që po vuajnë për shkak të kësaj situate, sepse është një makth i vërtetë të udhëtosh drejt Tiranës për të marrë këtë shërbim,” theksoi ajo.
Mungesa e trajtimit me kimioterapi në spitalet rajonale është pjesë e një problemi sistemik të shëndetësisë shqiptare, e cila reflekton një centralizim ekstrem të shërbimeve të specializuara në Tiranë. Siç ka gjetur BIRN në një sërë investigimesh, pacientët nga i gjithë vendi detyrohen të ndërmarrin udhëtime të kushtueshme dhe rraskapitëse drejt kryeqytetit për trajtime jetike, ndërkohë që spitalet rajonale vuajnë nga mungesa e investimeve në aparatura dhe në personel të specializuar.
Sipas drejtorit të spitalit rajonal të Lezhës, Leon Kaza, njësia e kimioterapisë u hap para dy vitesh për t’u mbyllur sërish.
“Për shkak të rikonstruksionit që ka qenë në proces prej kohësh, shërbimi nuk është ofruar plotësisht. Aktualisht po përfundojmë sistemimin në të gjitha pavionet dhe sigurisht, kimioterapia do të rikthehet në funksion,” premtoi Kaza, ndërsa shtoi se ishin në pritje të aparaturave të reja për “zgjerimin dhe përmirësimin e shërbimeve të kimioterapisë.
Në qarkun e Lezhës, numri i grave të prekura nga kanceri i gjirit është në rritje. Sipas mjekes onkologe, Bardha Gjoni, vetëm gjatë këtij viti janë diagnostikuar përmes analizave dhe biopsive rreth 30 raste të reja.
“Nga përvoja ime 25-vjeçare, shohim një rritje të rasteve çdo vit. Krahasuar me 15 vite më parë, ka një dyfishim të grave të prekura,” tha Gjoni për BIRN.
Ajo shton se problematik mbetet fakti që shumica e rasteve diagnostikohen në faza të avancuara. “Duhet një sensibilizim më i madh i grave dhe vajzave që të kryejnë kontrolle të paktën një herë në vit, në mënyrë që sëmundja të kapet në kohë dhe të shërohet,” apelon ajo.
Sipas Afërdita Gjonit, aktiviste për të drejtat e grave në qarkun e Lezhës, pavarësisht rritjes së ndjeshme të ndërgjegjësimit gjatë viteve të fundit, veçanërisht në muajin tetor, nevojitet ende shumë punë.
Gjoni shpjegon se përhapja e kancerit të gjirit mes grave në qarkun e Lezhës është pak më e lartë se mesatarja kombëtare, ndërsa apelon që shërbimi parësor duhet të luajë një rol kyç në nxitjen e grave për kryerjen e kontrolleve periodike. Ajo thekson gjithashtu se duhet përmirësuar trajtimi i tyre.
“Gratë që përballen me këtë sëmundje hasin shpesh vështirësi për t’u trajtuar, për shkak të pamundësive financiare. Duhet të ketë më shumë vëmendje për t’u ofruar këtyre pacientëve shërbime sa më afër vendbanimit të tyre dhe pa kosto financiare,” tha Gjoni.
Njëra prej pacienteve, e sapodiagnostikuar me kancer gjiri i tha BIRN në kushtet e anonimatit se detyrohet të udhëtojë deri në katër herë në javë në Tiranë për të marrë trajtimin.
“Përveç lodhjes dhe stresit që më është krijuar, udhëtimi ka edhe një kosto që për mua është e papërballueshme. Jam detyruar të marr borxh për t’u përballur me sëmundjen, pasi nuk kam mundësi financiare,” tha gruaja, ndërsa shtoi: “Është absurde që ky shërbim të mos ofrohet në Lezhë”.
Ka një urtësi të thellë në mënyrën si funksionon natyra.
Asgjë nuk është rastësi.
Çdo frut, çdo perime, çdo erëz, del në momentin e duhur pikërisht atëherë kur trupi ynë ka më shumë nevojë për të.
Nëse studioni shkencën e ushqimit në detaje, do ta shihni qartë:
frutat e vjeshtës janë një kombinim i përsosur për të përgatitur trupin për dimër, për ndryshimin e klimës, për mungesën e dritës, për lodhjen e sistemit nervor dhe imunitar.
Që në lashtësi, Hipokrati e theksonte: “Klima dhe moti ndikojnë fuqishëm në shëndetin e njeriut.”
Kur ndryshon stina, nuk ndryshon vetëm ajri apo temperatura ndryshon biologjia jonë.
Prandaj, vjeshta nuk është thjesht një stinë
është një provë biologjike për trupin tonë.
Me rënien e temperaturave dhe zvogëlimin e dritës diellore, melatonina dhe serotonina ndryshojnë. Rritet melatonina na bën përgjumësh dhe bie serotonina që sjell rënie humori, ankth e depresion sezonal
Tiroidja dhe gjëndrat mbiveshkore punojnë më ngadalë, duke ulur metabolizmin prandaj shumë njerëz shtojnë peshë në këtë periudhë.
Sistemi imunitar përballet me sfidën e parë pas verës, sepse trupi kalon nga djersitja (detoks i verës) te ruajtja e ngrohtësisë (grumbullim energjie).
Qarkullimi i gjakut ngadalësohet dhe tensioni arterial ndryshon, sidomos tek personat me hipotension ose migrenë.
Hormonet seksuale ndryshojnë ritmin për këtë arsye shumë gra ndiejnë më shumë ndryshime emocionale ose çrregullime menstruale në vjeshtë.
Frutat e kësaj stine nuk janë “të rastësishme” ato janë biokimisht të përshtatura për periudhën e kalimit nga detoksi i verës në forcimin e dimrit.
Shega përmban punicalagin dhe antocianina që pastrojnë gjakun, forcojnë muret e enëve dhe qetësojnë inflamacionin.
Rrushi ka resveratrol antioksidant që stimulon qarkullimin dhe mbron trurin nga stresi oksidativ.
Ftoi ndihmon mushkëritë dhe qetëson traktin respirator (prandaj del kur fillojnë të ftohtit).
Dardha është hidratues natyral, me shumë fibra dhe sorbitol, ndihmon në detoksin e zorrëve.
Kungulli ka shumë beta-karoten dhe zink për imunitet dhe lëkurë.
Hurma e freskët përmban triptofan, ndihmon gjumin dhe qetësinë mendore.
Kërpudhat janë një burim i rrallë i vitaminës D2 dhe glukanëve imunoaktivë dhe nuk lënë vitaminën D3 të ulet.
Ulliri dhe vaji i ullirit kanë oleuropeinë, një antioksidant që redukton infeksionet dhe mban zemrën të fortë.
Nëse filloni në shtator–tetor një rutinë me fruta e erëza vjeshte, ju parandaloni 80% të ftohjeve sezonale.
Kombinoni shegë + rrush + pak kanelle në mëngjes = antiviral natyral.
Konsumoni kungull + farat e tij + pak vaj ulliri = mbështetje për zorrët dhe lëkurën.
Një gotë ujë me uthull molle, limon dhe xhinxher në mëngjes = stabilizim i sheqerit dhe energjisë.
1–2 çajra në ditë (trumzë, sherebelë, kanellë, rozmarinë, mente) – balancë për frymëmarrjen dhe tretjen.
Konsumo çdo ditë 4–5 porcione frutash vjeshte
Bëj një sallatë me 5–6 produkte të freskëta (jo të ziera)
Merr 1 porcion arrore çdo ditë
Shto kosin shtëpiak dhe xhinxherin turshi në dietë
Lëvize trupin çdo ditë edhe 20 minuta ecje ndryshon kiminë e trupit
Nuk ka trup të dobët, por trup të çoroditur nga natyra.
Nëse e ndjek ritmin e saj, do ta ndjesh shëndetin si një melodi që nuk ndërpritet.
Kanceri i gjirit përbën rreth 11% të të gjitha rasteve të reja me kancer çdo vit, duke zënë vendin e parë për risk individual tek gratë shqiptare.
Këto të dhëna të bëra publike nga Instituti i Shëndetit Publik theksojnë se, pamja epidemiologjike e kancerit të gjirit në Shqipëri paraqet ngjashmëri me prirjet globale.
Aktualisht, në vend jetojnë rreth 5,000 gra me kancer gjiri, ndërsa vetëm në vitin 2024 janë diagnostikuar 805 raste të reja tek femrat dhe 14 raste tek meshkujt. Krahasuar me vitin 2015, incidenca e kësaj sëmundjeje është rritur me 23%, ose mesatarisht me 2.1% çdo vit.
Rreziku i diagnostikimit rritet dukshëm me moshën, duke arritur kulmin në grupmoshën 50–70 vjeç. Analizat tregojnë se rritja e përgjithshme e incidencës shpjegohet kryesisht nga rastet mbi 50 vjeç, të cilat janë shtuar me 3.6% në vit, ndërsa tek moshat nën 50 vjeç është vërejtur një ulje mesatare prej 1.9%.
Mosha mediane në momentin e diagnozës është rritur nga 55 vjeç në vitin 2015 në pothuaj 59 vjeç në 2024, duke reflektuar efektin e plakjes së popullsisë dhe afrimin me profilin demografik të vendeve të Bashkimit Evropian.
Ndërkohë, numri i mamografive të kryera në vend është rritur ndjeshëm, raporti tregon se, nga rreth 5,000 në vitin 2014 në mbi 25,000 gjatë viteve 2022–2024, çka ka sjellë edhe rritje të mbulimit me depistim në rreth 25% të popullatës target.
Depistimi i grave për kancer gjiri kryhet falas përmes sistemit publik shëndetësor. Kontakti i parë zakonisht ndodh përmes mjekut të familjes apo infermierit të qendrës shëndetësore, të cilët informojnë gratë për rrezikun, kryejnë ekzaminimin klinik dhe i udhëzojnë për mamografi. Gratë e grupmoshës 50–60 vjeç, si edhe ato në rrezik të shtuar, ftohen për mamografi çdo dy vjet, nëse nuk kanë shenja klinike.
Sipas të dhënave të ISHP, vetëm përmes mamografive të lëvizshme identifikohen çdo vit mbi 10 raste të dyshuara për kancer gjiri, ndërsa rreth 50 raste diagnostikohen në mënyrë të hershme falë depistimit.
Këto të dhëna nënvizojnë rëndësinë e kontrollit të rregullt dhe ndërgjegjësimit për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit, një faktor kyç që rrit ndjeshëm mundësitë e shërimit./ Monitor
Me ardhjen e vjeshtës, ditët shkurtohen, mëngjeset ftohen dhe natyra ndryshon ngjyrë. Por bashkë me këtë transformim, ndryshojmë edhe ne: shpesh ndiejmë më shumë lodhje, gjumë, mungesë motivimi apo një gjendje më të ulët shpirtërore.
Shkaku? Reduktimi i dritës së diellit çrregullon ritmet tona cirkadiane – mekanizmin e brendshëm që rregullon gjumin, energjinë, hormonet dhe oreksin. Si pasojë, niveli i serotoninës bie, melatonina rritet dhe shfaqet ajo ndjesi e njohur e apatisë.
Por kjo nuk është dobësi: është një mesazh i trupit. Specialistët sugjerojnë që vjeshta mund të shërbejë si kohë reflektimi dhe lidhjeje me veten.
Si ta përballoni më lehtë këtë periudhë:
Ngadalësoni ritmin dhe dëgjoni trupin tuaj.
Lejoni emocionet të shfaqen.
Reflektoni mbi arritjet dhe mësimet e vitit.
Ruani orare të rregullta gjumi.
Shëtitni dhe lidhuni me natyrën.
Ashtu si pemët lëshojnë gjethet për t’u rigjeneruar, edhe ne kemi nevojë të lëmë pas atë që nuk na shërben më, për t’u përgatitur për një stinë të re. Vjeshta nuk është armik – është thjesht një cikël i natyrshëm, që na mëson të vlerësojmë dritën pas errësirës. bw
Komentet