VOAL

VOAL

Shkolla si paraprirëse e zhvillimit – Nga Fran Gjoka, Lezhë

September 25, 2019

Komentet

Popët e çmendur serbë duan ta kthejnë paqën në luftë shfarosëse ndaj popujve të tjerë në Ballkan- Nga SKËNDER MULLIQI

Sundimi i Vuçiqit e ktheu Serbinë në epokën e feudalizmit, sepse ai dhe feudalët e tij janë me origjinë kriminale . Priftërinjët janë bërë partia e vërtetë politike e Aleksander Vuqiqit, të cilët po ndërhyjnë në në jetën politike.Ata janë qmendur deri në pikën, sa ata duan ta kthejnë paqën në luftë të shfarosur ndaj popujve të tjerë në Ballkan.Edhe kjo qeveri e Vuqiqit, është e rrezikshme sikur ajo e Millosheviqit të viteve të 90-ta të shekullit të kaluar, e cila shkaktojë gjakëderdhjën më të madhe të pas Luftës së Dytë Botërore, në ish-Jugosllavi.Kisha Ortodokse Serbe përmës popëve më mjekrra të gjata dhe të veshura më të zeza, e shpirt katran, po kërkojnë që më luftë të formojnë Serbinë e Madhe, që nuk ju kishte lejuar Millosheviqit nga NATO.Këta po lëshojnë zëra qjerrës dhe mjegullnaja për të ashtuquajturën “Kosova Juresalemi serb”.Prap popët serb po bartin reliktet e Princ Lazarit, e kriminelëve të luftës në çdo qytetet në Serbi, në Mal të Zi, Bosnje, dhe në veri të Kosovës, duke i ndezuar pasionet e qmendura ultranacionaliste për luftë .Kisha është në radhët e para të organizimeve të ndryshme politike dhe fetare, për të nxitur urrejte patologjike ndaj qdo gjëje shqiptare.Ata tashmë kan krijuar fiksion në kokat e tyre mesjetare për një llojë të botës serbe.Kjo logjikë fashiste po bartët edhe në qdo aktivitet sportiv në Serbi, edhe jashtë vendit, si motivim dhe helmim për luftë të gjeneratës se re.Në këtë kontest e kemi edhe deklaratën provokuese ndaj Kosovës të gjeneralit serb, Zoran Stojkoviq, i cili është drejtor i Agjencisë së Inteligjencës Ushtarake në Serbi , së “Nuk ka vend në shërbimin tonë për ata që nuk e mbajnë Kosovën në zemër dhe që nuk jetojnë për ditën kur trengjyrëshi serb do të fluturojë në gjithë krahinën tonë jugore- Kosovën”.Provokime të tilla për pushtim të Kosovës kemi çdo ditë nga kreu i Kishës, Porfirije të cilt nuk ju lejua këtyre ditëve hyrja në Kosoëv për të vizituar Patrikanën e Pejës.Pasi që Serbia nuk u dënua për gjenocid në Bosnje dhe në Kosovë nga TPI-ja në Hagë, regjimet pasmillosheviqiane, harruan mijëra të vrarë dhe të masakruar në Bosnje, dhe vrasjët masive dhe largimet e 1 milon shqiptarëve nga Kosova nga Millosheviqi, Shesheli, Karagjiqi,Mlladiqi e kriminelet e tjerë serb, të cilat po rehabilitohen nga regjimi po ashtu i një krimineli të luftës siq është presidenti , Aleksander Vuqiq, dhe kryepopët serb. Natyrishte së e keqja e pa ndëshkuar kthehet dhe kryen edhe më shumë krime.Protagonistët politikë të luftës në Serbi ,ishin dhe po mbesin në pushtet, pse ashtu po mendon Kisha Ortodokse Serbe, me krypopët, që nga Pavle deri të Porfirije, por edhe më herët. NATO, do të duhej edhe një herë të bëjë më dije Serbinë e Vuqiqit, së nuk do të lejohet të realizohet miti mesjetar i Kishës Ortodokse Serbe, për “popullin qiellor serb’, dhe idenë të “gjithë serbët në një shtet”, që janë shëndrruar në ide psikopatike, e sociopatologjike…

VOA: Shqipëri, gjendja e medias në keqësim të vazhdueshëm

Ilirian Agolli

Në Tiranë, veprimtarë dhe organizata që mbrojnë lirinë e shtypit pohuan sot se gjendja e medias shqiptare po përkeqësohet në vazhdimësi, ndërsa siguria e gazetarëve po cënohet shpesh nga kërcënime dhe presione për shkak të punës.

Rrjeti për Gazetarë të Sigurtë në Ballkanin Perëndimor ka raportuar 10 raste ku është cënuar siguria e gazetarëve, punonjësve të medias dhe mediave në 4 muajt e parë të këtij viti, dhe 24 raste gjatë vitit të kaluar, ndërsa paditë gjyqësore ndaj gazetarëve në vitin 2023 u dyfishuan.

Blerjana Bino, përfaqësuesja e Qendrës Scidev, e cila bën kërkime dhe raportime pranë Rrjetit për Gazetarë të Sigurtë, thotë për Zërin e Amerikës, se në Shqipëri janë bërë shqetësim i madh gjuha denigruese kundër gazetarëve, fjalimet kundër mediave, sulmet ndaj gazetareve gra, si dhe rritja e padive gjyqësore ndaj gazetarëve dhe punonjës të medias, deri në dyfishim, nga 33 raste në vitin 2022, në 73 raste në vitin 2023.

“Rastet që ne kemi monitoruar ndër vite tregojnë që pavarësisht se sulmet fizike, të drejtpërdrejta, nuk janë sistemike në Shqipëri, problem qëndron tek intimidimet, kërcënimet dhe tek presionet jo të drejtpërdrejta, që vijnë si rezultat i marrëdhënieve të ndërsjellta dhe intersave të fshehur ndërmjet politikës, pronarit të medias, shpesh herë edhe krimit të organizuar. Kjo krijon një situatë jo të sigurtë, dhe pamundëson gazetarinë e pavarur, cilësore dhe në interes të publikut”, thotë zonja Bino.

Një tryezë e gazetarëve me përfaqësues të Kuvendit, qeverisë, drejtësisë dhe diplomatë perëndimorë u zhvillua sot për të diskutuar mbi pasigurinë e gazetarëve në Shqipëri, ku siç u theksua aty, presionet i shtyjnë ata drejt vet-censurës dhe shtytjes për të mbrojtur interesat e pronarit më shumë se sa kodin e gazetarisë.

Përfaqësuesja e Qendrës Europiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias, Flutura Kusari, thotë për Zërin e Amerikës se gjendja e medias në Shqipëri po përkeqësohet në vazhdimësi, siç u theksua edhe në Raportin vjetor të organizatës Reporterë pa Kufij.

Ajo thotë se tani është koha që zyrtarët dhe politikanët në pushtet të zbatojnë ligjet, standartet që ekzistojnë në direktivat europiane për sigurinë dhe lirinë e shtypit, duke nisur me një plan veprimi për sigurinë e gazetarëve, krahas një dialogu më të madh me organizatat e shoqërisë civile.

“Siguria e gazetarëve në Shqipëri është shqetësim serioz. Gazetarët shahen, fyhen dhe nuk bëhet gati asgjë për t’i mbrojtur ata. Shpresoj shumë që së pari të ndalen sulmet verbale ndaj gazetarëve. Lehtësia e politikanëve në Shqipëri, që të shajnë dhe të ofendojnë secilin që i kritikojnë ata, është e patolerueshme dhe është e rrezikshme. Dhe e dyta duhet të ndalet ajo që njihet si metodologjia e kasetave. Të ndalen materialet e gatshme nga qeveria, partitë dhe bashkitë, gazetarët të lejohen të ndjekin veprimtari zyrtare, të bëhen konferenca shtypi normale, në mënyrë që gazetarët të bëjnë lirisht pyetjet që duan, të citojnë lirisht pushtetin, dhe të marrin të dhënat që interesohen”, tha zonja Kusari.

Në këtë tyrezë me median, ligjvënës dhe përfaqësues të ministrive që mbulojnë çështje të sigurisë, prokurori i përgjithshëm, Olsian Çela, tha se ky institucion po e rrit transparencën e vet përballë medias, po i nxit prokurorët të nisin hetime proaktive kur mësojnë për dhunë e kërcënime ndaj mediave, po shton punën dhe angazhimin për sigurinë e gazetarëve, duke i ftuar ata që të denoncojnë rastet e tyre me fakte sa më shpejt në mënyrë që të nisin hetimet, dhe të bashkëpunojnë me drejtësinë për të forcuar mbrojtjen e tyre.

“Përgjatë vitit 2023 ne kemi patur vetëm 6 raste të denoncuara për dhunë ndaj gazetarëve. Duket se kemi një mospërputhje mes asaj që raportohet nga gazetarët dhe asaj për të cilën në fakt bëhet kallzim në organet ligjzbatuese. Këto kanë të bëjnë me vepra penale si goditje për shkak të detyrës, kanosje, shkatërrim i pronës, si dhe një rast për heqje të paligjshme të lirisë. Dy nga këto raste janë çuar për gjykim, një ngjarje në Fier dhe një në Lezhë. Edhe dy çështje të tjera këtë vit janë afër fazës të dërgimit për gjykim. Kjo tregon që ka një angazhim dhe çështjet merren seriozisht, përpiqemi të kryejmë hetime të shpejta. Duhet vlerësuar edhe konteksti në të cilin po diskutojmë sot. Jemi në një situatë aspak normale për prokurorinë, ku kemi shumë çështje që janë me përparësi dhe pa diskutim çështja e mbrojtjes së gazetarëve është ndër çështjet që duhet të jetë me përparësi”, tha zoti Çela.

Nga ana tjetër përfaqësuesja e rrjetit të gazetarisë investigative BIRN, Kristina Voko, shprehu shqetësim për faktin që tani po sulmohen vazhdimisht sidomos gazetarët që po raportojnë mbi proceset e e rëndësishme hetimore të hapura nga SPAK-u, ndaj gazetarëve që raportojnë mbi zhvillimet në parlament, si dhe ngritjen e komisionit kundër disinformimit.

Ajo theksoi që ndonëse në fillim kjo ide u mirëprit, si një ndihmë përballë sfidave të gazetarisë, por kjo ende nuk po shihet.

“Po shohim se ky komision në fillesat e tij po humbet fokusin nga ato rekomandime të vazhdueshme, që ne kemi nga raporte ndërkombëtare, siç është përafrimi me legjislacionin dhe direktivat europiane, detyrimi i vazhdueshëm që kemi për të adoptuar GDPR-në, detyrimi që do të kemi në vitet në vijim për të përafruar legjislacionin tonë në lidhje me Digital Service Act. Ai duhet të ketë në fokus edhe rekomandimet e vazhdueshme që vijnë për shembull edhe nga ODIHR-i, lidhur me rregullimin e propagandës përmes kasetave të gatshme, e ndikimit të partive politike në proceset editoriale të medias. Ftoj deputetët që ta nisin fillimisht punën nga ndotësit kryesorë të hapësirës së informimit, që kryesisht vijnë nga partitë politike, nga forca të huaja dhe që lidhen me procese demokratike siç janë proceset zgjedhore, dhe më pas të merren me rregullimin e platformave, e më pas të zgjerojmë diskutimin lidhur me rregullimin ose jo, se cilat janë metodat më të mira të vetërregullimit lidhur me mediat online”, tha zonja Voko.

Në tryezën mes gazetarëve, deputetëve, zyrtarëve dhe diplomatëve u theksua po ashtu se një shqetësim me rëndësi për gazetarët mbeten edhe kushtet e punës dhe siguria ekonomike e tyre. Në vitin 2022 u raportuan vetëm 6 raste në Inspektoriatin e Punës, kundrejt 26 rasteve që u raportuan në 2023, pa harruar që shumë raste e sulme nuk raportohen, por ato sjellin kufizimin e vazhdueshëm të hapësirës për gazetari në shërbim të interesit të publikut.

Rama si horr në Athinë – Nga FATOS LUBONJA

Shprehje “Nacionalizmi është streha e fundit e horrave” është e shumëcituar, por shpesh ka një keqkuptim në interpretimin e saj.

Rëndom ajo përdoret, duke pasur parasysh krimet e mëdha që ka shkaktuar nacionalizmi në shekullin e XX – dy luftërat botërore, por edhe shumë luftëra e konflikte të tjera me bazë nacionale që kërcënojnë botën edhe sot, – për të akuzuar nacionalistët.

Ky kontekst ka sjellë edhe dallimin konceptual midis termit “nacionalist” që përkufizohet nga disa si urrejtje për të tjerët dhe “patriot”, që përkufizohet si dashuri për vendin tënd.

Keqkuptimi për të cilin e kam fjalën është se autori i shprehjes së mirënjohur, shkrimtari, poeti, linguisti i shquar anglez Samuel Johnson, e ka thënë këtë në një periudhë kur nacionalizmi nuk kishte lindur ende si ideologji. Madje, shprehja e saktë e përdorur prej tij është: “Patriotizmi është streha e fundit e horrave”, frazë që ia ka drejtuar më 1775 lordit William Piit duke e akuzuar për patriotizëm të rremë.

Pra, shprehja e Johnsonit nuk kërkon të na thotë se patriotët apo nacionalistët në përgjithësi janë horra – temë kjo tjetër e një kohe tjetër – por se horrat, kur nuk u mbetet asnjë argument apo justifikim tjetër për të fshehur apo shpëlarë horrllëqet e tyre, hiqen sikur këto i kanë bërë apo bëjnë për patriotizëm.

Në pamfletin e tij “Patrioti” ku kritikon patriotizmin e rremë, Johnson shkruan midis të tjerash se patriotizmi i vërtetë është “të qenit vazhdimisht vigjilent për të kapur çdo makinacion (që dëmton vendin) dhe për të shquar me largpamësi çdo rrezik publik”.

Vizita e Ramës në Greqi duhet parë në optikën e kuptimit origjinal të shprehjes “Patriotizmi është streha e fundit e horrave”.

Shqipëria sot po zien nga disa skandale që e kanë tronditur opinionin publik më shumë se kurrë gjatë viteve të fundit – si ai i inceneratorëve, ai 5D i Bashkisë së Tiranës apo edhe reportazhi investigativ i RAI 3 – që tregojnë se vendi qeveriset nga banditë të paskrupullt që e kanë shndërruar atë në një narkoshtet. Janë skandale që do ta shtynin çdo patriot të vërtetë – sipas kuptimit që i jep Johnson – të brengosej e të mendonte se ç’duhet bërë për të frenuar rrezikun që bart ky lloj banditizmi që ka shumë shenja se po çon në pastrimin etnik të shqiptarëve nga vendi i tyre.

Fjalimi në Athinë/ Rama flet për racizmin grek dhe ligjin e luftës

Ndërkaq, çfarë bën kryeministri i këtij vendi që, po të ishte një patriot i vërtetë, do të duhej të ishte më i alarmuari për faktin se i paska shpëtuar nga vigjilenca aktiviteti i banditëve rreth tij?

E para, ai nxiton të mbajë brenda vendit një fjalim dyorësh me rrethin e ngushtë të bashkëpunëtorëve nëpërmjet të cilit i thotë opinionit se ai nuk ka asnjë lidhje me këta njerëz e këto akte – ndërkohë që këta njerëz i ka vënë ai në postet e larta dhe aktet e tyre i ka mbështetur e aprovuar e promovuar ai vetë deri ditën që u zbuluan se ishin kriminale.

Së dyti, nxiton të organizojë në një stadium në Greqi shpëlarjen në një banjë turme, me ujin dhe sapunin e një fjalimi patriotik dhe me shtupa flamujsh kuqezi, ndotjen e tij nga skandalet në Shqipëri.

Së bashku me miklimin e ndjenjës së mburrjes kombëtare të shqiptarëve të cilëve u tha se nga shërbëtorë të të huajve, tani janë bërë bashkëzotër me grekët, të barabartë mes të barabartëve me popujt evropiane që deri dje i kanë trajtuar si inferiorë, ai u përpoq të demonstrojë atje, duke sjellë gjysmën e pjesëmarrësve me autobusë nga Shqipëria, se është një lider i dashur për shqiptarët dhe jo siç flasin qartë skandale e fundit, koka e një bande kriminale që u grabit shqiptarëve jo vetëm tokat, siç kanë bërë në Himarë e gjetkë, por edhe të ardhmen.

Rama krahason emigrantët shqiptarë të 90’s në Greqi me çamët

Këtë kamuflim të një “rreziku publik” në patriot, Samuel Johnsoni do ta quante ilustrimin më gjetur të thënies së tij. E vlefshme kjo edhe për të gjithë ata që e shoqëruan me këngë, valle, lavde dhe brohoritma në këtë kamuflim.

STRATEGJIA KINEZE: TË NDAJË EVROPËN DHE NATON- Nga DANILO TAINO- Përktheu Eugjen Merlika

 

Një dhelpër u end nëpër Evropë. Apo ishte një ujk? Udhëtimi i ditëve të shkuara të Xi Jingpinit ndërmjet Parisit, Beogradit e Budapestit u quajt nga shumë vëzhgues si shumë dhelparak. Vitin e kaluar, Emmanuel Macron kishte shkuar në Pekin e zhurmshëm kishte mbajtur qëndrim kundër amerikanëve mbi mbrojtjen e Taivanit dhe tani i a ka shpërblyer: për pak muaj nuk do t’i verë taksa të tepruara mbi importimet e konjakut në Kinë. Pastaj qe më bujar në dy vizitat miqve (të tij e të Putinit), njëri në Sërbi e një tjetër në Hungari: i pari jashtë BE e NATO-s, i dyti në një që bën pjesë në të dyja organizatat por i pengon nga brenda. Me gjasë, në Pekin udhëtimi vazhdon të shihet kështu: diplomaci shumë e hollë. E në Perëndim gjithashtu: tek neve evropianët qeveritarët kinezë gjithmonë janë parë si të aftë e dinakë, dhelpra.

Të qetësuara valët e ngritura nga rrugëtimi i çuditshëm i njeriut të fuqishëm të Pekinit, mund të kërkohet të jepet një gjykim i ftohtë mbi strategjinë e mbi taktikën e tij. E para është shqetësuese, e dyta nuk duket aq gjeniale dhe aq e hollë.

Strategjia ishte e njohur por java evropiane e Xi qe e vrullëshme, jo e shtirë, e pothuaj luftarake si asnjëherë: për mënyrën në të cilën Pekini e ka planifikuar udhëtimin, për përmbajtjen e bisedimeve dhe të deklaratave, për paratë që udhëheqësi kinez ka premtuar të dërgojë në arkat e qeverive të Aleksandar Vuçiçit dhe Viktor Orbanit.

Synimi i pafshehur i drejtuesve konfucian-komunistë kinezë është ai i ndarjes së evropianëve, si në BE ashtu edhe në NATO, e për të futur një pykë (për sa të jetë e mundur) në marrëdhëniet ndëratllantike.

Investimet që Kina ka lajmëruar për në Sërbi e Hungari, kanë një anë tregtare në të parin e Vendeve, të ndërtojnë infrastruktura për të shpënë n’Evropën qëndër-lindore mallrat e veta të shkarkuar në portin grek të Pireut ( në pjesën më të mirë i mbarështuar nga kinezët); në të dytin për të instauluar fabrika në një territor të BE për të shmangur taksat e mundëshme që Brukseli do të verë mbi importimet nga Kina të automobilëve elektrikë e prodhimeve të tjerë për kalesën klimatike. Ana politike është ende më e rëndësishme.

Xi dhe delegacioni që e ndiqte kanë shoqëruar investimet me një akt diplomatik të fuqishëm: kanë ngritur marrëdhëniet e Pekinit me Budapestin në një rang miqësie e afërsie të kaluar vetëm nga Pakistani dhe Rusia. Udhëheqësi kinez ka lavdëruar politikën e jashtëmë “të pavarur “ të Orbanit dhe sfidën e tij politikave të fuqisë së madhe: me këtë kuptohen bojkotimet e politikave të BE dhe pengesat që shpesh Budapesti i ve NATO-s (Hungaria , ndërmjet të tjerash do të ketë kryesinë e rradhës së bashkimit evropian nga 1 korriku, gjatë gjashtë muajve pasuese të votimeve për Parlamentin evropian).

Mesazhi: kush shkëputet në ndonjë farë mënyre nga Brukseli dhe NATO do të shpërblehet me miqësinë e Kinës e veçanërisht me investimet e saj. Njoftime tashmë të regjistruar nga të tjerë veshë të ndijshëm: kryeministri sllovak Robert Fico i ka valixhet gati për një vizitë zyrtare në Pekin në qershorin e ardhshëm.

Suksese taktike të lehta, si përfundim në Beograd e Budapest. Takimi më i rëndësishëm, ai me Macronin, qe gjithçka por jo një trumf për Xi. Premtimi për të pezulluar vendosjen e taksave ndaj konjakut i jep kënaqësi Parisit, por objektivisht është anësor. Veçanërisht për një president francez, që ka ndryshuar rrënjësisht përimtimin mbi Kinën (e jo vetëm) në krahasim me udhëtimin në Pekin të 2023.

Nëse për një periudhë në Perëndim janë gënjyer se Kina mund të ishte një ndërmjetës në Ukrainë, sot është e qartë se jo vetëm gjigandi aziatik nuk është i barazlarguar nga Moska e Kievi, por ajo mbështet aktivisht Kremlinin e do të vazhdojë ta bëjë. Për Xi është qenësore që Putini mos të humbë: ajo do t’i jepte një goditje të fuqishme teorisë së tij qëndrore, simbas së cilës Perëndimi është në një rënie të pakthyeshme. Aleanca ndërmjet Kinës e Rusisë do të dilte e dobësuar dhe synimi kinez për të “rishikuar” rendin ndërkombëtar do të largohej me vite, me gjasë shumë për Xi. Prandaj Pekini ka shtuar në mënyrë të jashtzakonshme furnizimet dual-use (si civilet si ushtaraket) kundrejt Moskës nga marsi i vitit të shkuar kur udhëheqësi kinez vizitoi një Kremlin që i ndruhej kundërsulmit ukrainas. Edhe se në fillim Macroni e shihte me sy të mirë Kinën, ai e kuptoi gjëndjen.

Biseda me Xi në veshjen e ujkut ka qenë e pamundur.

Përfundimi i udhëtimit kurreshtar evropian të drejtuesit kinez është vërtetimi i dëshirës së tij për të ndarë BE dhe Nato-n e largimin e Evropës nga Shtetet e Bashkuar. Është vërtetimi i mbështetjes së tij agresionit rus në Ukrainë: nuk është një shpërthim të thuhet se nuk është Perëndimi ai që përdor Kievin për të sulmuar Rusinë, siç pohon dikush, por është Pekini që përdor Moskën për të dobësuar Perëndimin. Nga ana tjetër, është në kulturën politike e ushtarake kineze të mendojë se një luftë, edhe e rastit, fitohet më parë se të fillojë: të raskapitet kundërshtari deri sa të vihet në kushte dorëzimi. Kjo është pamja shqetësuese e udhëtimit të Xi. Në rrafshin praktik , ai ka shpërndarë çmime në Beograd e Budapest, por agresiviteti i tij i papritur dhe i shfaqur ka ngritur lajmërimet e rrezikut në Paris e në të gjithë Evropën, që ndoshta tashti janë më të vetëdijshëm se më parë për prurjen e belegut kinez. Jo gjithmonë është një dhelpër ajo që vjen nga Pekini.

“Corriere della Sera”, 14 maj 2024 Përktheu Eugjen Merlika

Leximi i Demandt-it… (Dy tri fjalë të lira)- Nga REX KASUMAJ

 

1.
Një atentat ndryshe

Atentat n’kufi të vdekjes në Bratislavë. Që moti s’kishte ndodhur në Europë.

Të fundmit e atentuar që njohim nga krye guvernash ishin Aldo Moro, Olaf Palme apo Zoran Xhinxhiq i Serbisë.

Në fakt ky i mbrami, ndryshe nga të parët që vinin nga demokraci libertare, do të humbte jetën në një milje të zymtë ballkanik. Dhe të ndotur nga kënetë e krimit akoma sot.

Ishim mësuar që autorë përpjekjesh, me efekt fatal ose në tentativë, të ishin njerëz politike, vrasës me pagesë, madje përplasje mafije që shtrinte degnajën deri në kupolën e epërme regjimore.

Por, kësaj radhe (që dhe nëse s’është i pari nga ata që tashmë kanë mbetur në harresë), ishte Juraj Çintula, një poet i njohur sllovak.

Natyrisht, armëzjarri është i huaj për rendin e lirisë, anipse Neruda fliste me peshë misionari se poetët parathonë gjithçka…Sigurisht që dashnori i vargut të Andeve, e tepronte. Por, sidoqoftë, shpirti i poetit zbërthehet vështirë…

Tani fantazia konspirative do të përndizet si flakët e një zjarri të papritur. Teoritë do të ngjizin rrëmujshëm ide të prapaskenave të errëta.

Veçse justifikimi i tij nuk ishte aspak fjalëmadh: historia, kombi, armiku…Ishte, thjeshtë, përditësia e jetës së paslënë që bezdiste njeriun e tij të vogël sllovak.

Kur lexoja Princin, mrekullohesha nga mendimi i urtë politik i Niccollos. Por, njëkohësisht, përfundoja beftas në trishtim: panorama e grindjeve princërore ishte shpesh aq e përgjakur. E tillë, ajo çonte, jo vetëm në marrje haku ndaj njërit dinjitar të shtet-familjes rivale. Por shuhej i gjithë fisi armik, i madh e i vogël, që t’mos mbetej kush për revanshin e një kohe të dytë.

Kështu ishte etabluar aherë kultura politike e pushtetit, armiqësive dhe ekspanzionit të Fuqisë.

Ndër mote më pas, atentati sofistikohet pak. Goditet vetëm titullari i një rangu apo ideologjie, ikja e të cilit, rëndom, mbyllte një epokë politike.

Mirëpo si ftillohej përligjja e atentatit politik në histori?

Një libër i Alexander Demandt, rreket t’i gjej fijen e hollë në skenat e mëdha oborrtare.

2.
Rezoni shtetëror…

Në Hotel Saint-Pol, të Pallatit mbretëror, kishin mbërritur të gjithë: dukët, princërit, grofët, fisnikët, klerikët dhe, i pamunguari në të tilla ngjarje madhore, rektori i Universitetit parisien.

I fundit do të mbërrinte Johanni, duka i Burgonjëve. Kshte veshur mantelin e gjatë të kuq që, kur ngrinte dorën të njatjetonte, i shihej këmisha e hekurt e frikës dhe sigurisë…

Pati një kohë që midis tij dhe Luit, Dukës së Orléansit, i cili udhëhiqte Monarkinë pas rënjes n’shtratvdekje të të vëllait defrimtar, mbretit Karl i IV, vlonte një rivalitet i ashpër. Dyzimi konceptual i tyre përcyste zhvillime që do të çonin shpesh Francën e viteve 1400 në pragluftë civile…

Por nyjën e vështirë shtetprishëse u ngut ta prente Duka i Burgonjëve. Tashmë kundërshtari i tij ishte nën dhé. E Asambleja e madhe duhej të justifikonte pikërisht fundin e kësaj drame.

Ftillimin e tezës nuk mund t’a bënte kush tjetër përpos Normann Jean-Petit, teolog i shquar e armik idhnak i dukës së vrarë. I diplomuar në t’gjithë shtatë artet e lira, ai përfaqësonte tipikisht miljeun e atëmotshëm universitar.

Ndaj, në përplasjet politike do të merrte anë e do vënte dijet e tij në shërbim të Burgonjëve. Dhe këtë e bënte me t’vetmin instrument të kohës: logjikën aristoteljane!

Silogjizmi i tij përbëhej nga dy premisa përligjëse: “Është e lejuar dhe, njëkohësisht, meritore të vrasësh një tiran të vërtetë e trathtar”!

E pra: tiran e trathtar!

A s’ishin dy të këqija të mjafta që t’a vdisnin legjitimisht dukën e Orléansit..?

Që aherë, mbytja e tiranëve dhe, përgjithësisht, atentati politik për interesa të lartë shtetërorë, do rrekej të siguronte statusin e doktrinës.

3.
Kohë e moral tjetër

Ndërkaq, gjatë historisë së vonë politike, në shumëllojsinë e gjithëçkaje, bota do të njohë dhe shfaqje tiranish të fshehta që vijnë e krimbërojnë në ditët tona.

Porse, tashmë jashtë tipologjisë së diktaturave klasike, ato gjallojnë e zvarriten si shfaqje rudimentare kohe a rendi tjetër atipik.

Të kësillojta ngjajnë sepse, këtej botës së lirë, formalisht janë tirani e shpallur elektorale, por, sërish, si çelës i sojit, ushtrojnë vesin autokratik që flijon interesat kombëtarë…

Po ja, thotë Ana Magdalena Bach (Markezi “Shihemi në gusht”) dhe unë s’bëja tjetër përveçse ndiqja kurvëritë e varrezës. Ashtu si ajo një tjetri më parë, i shkoja nënës tek varri për lule dhe, më pas, përfundoja në trathti…

A s’kanë dhe monokratët e këtij miljeu varrezat e “Nënave”, amzën kulturore të tyre, ku, pas luleve dhe përshpirtjes, ndjekin po atë shteg përvers trathtie?

Ndaj dhe, përfundimisht, për t’i lënë pas regjimet e liga drejt një epoke të re, kushedi, mbase dikush mund të evokojë për frymëzim frëngun Jean-Petit dhe doktrinën e tij të bekuar…

R. K.

Weber: Perëndimi me qasje të padrejtë ndaj Kosovës në vitet e fundit

Situata rreth anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, po ndryshon nga ora në orë. Nuk është shumë e qartë se çfarë do të ndodhë më 17 maj, në Strasburg, kur Komiteti i Ministrave i kësaj organizate të mblidhet për një takim vjetor.

Teksa temë kryesore e javëve të fundit ka qenë Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë, jo të paktë kanë qenë ata që e kanë kritikuar Perëndimin për kushtëzimin e inkuadrimit të Kosovës në Këshill me bërjen e hapave drejt themelimit të tij.

Qasja e Francës dhe e Gjermanisë përmes kushtëzimit të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës (KiE) me hedhjen e hapave drejt themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe nuk është për t’u admiruar, sidomos për faktin se ato janë të bindura se Kosova duhet të jetë pjesë e kësaj organizate, se ato janë vende të QUINT-it, dhe se flasin me plot gojën në mbështetje të Kosovës – kështu vlerëson Engjëllushe Morina nga Këshilli Evropian për Marrëdhënie me Jashtë.

Ajo pohon se njoftimi i Kosovës se po përgatit një draft-statut për themelimin e “një mekanizmi për vetëmenaxhim, koordinim dhe bashkëpunim të komunave me shumicë serbe në Kosovë”, duhet të jetë argument i mjaftueshëm për Perëndimin, sepse, sipas saj, tregon gatishmërinë e Kosovës për t’i adresuar brengat rreth komunitetit serb.

“Secila lëvizje, sado e vogël të jetë, në drejtim të formimit të Asociacionit, do të mjaftojë në këto momente”, thotë Morina për REL-in.

Sipas saj, ky është momenti kur duhet të përkrahet Kosova, pasi anëtarësimi në Këshill – organizatën lidere për të drejta të njeriut – do të sillte shumë përfitime për qytetarët e këtij vendi, përfshirë minoritetet.

Por, Bodo Weber, bashkëpunëtor i lartë në Këshillin joqeveritar për Politikat e Demokratizimit në Berlin, nuk është optimist.

“Jam skeptik, duke marrë parasysh se refuzimi i Qeverisë së [kryeministrit të Kosovës, Albin] Kurti për të prezantuar draftin e vet, ka shtyrë [të dërguarin evropian për dialog, Mirosllav] Lajçakun dhe QUINT-in të hartojnë propozimin e tyre, dhe për faktin që Prishtina po kërkon nga Berlini, Parisi dhe Roma të votojnë këtë javë për diçka që do të mund ta shohin më vonë”.

Komiteti i Ministrave i Këshillit të Evropës do të mblidhet më 16 dhe më 17 maj. Kosova nuk është në agjendë, dhe ka pak mundësi të futet.

I pyetur nëse vendimi i Kosovës për të hartuar një draft-statut për Asociacionin do ta bindë Francën dhe Gjermaninë, Gerald Knaus nga Iniciativa Evropiane për Stabilitet thotë për Radion Evropa e Lirë se diplomacia ka të bëjë me argumentim, ndonëse, sipas tij, letra që Kosova ia ka shkruar Këshillit të Evropës për hapat drejt Asociacionit, ka ardhur pak me vonesë.

“Kosovës i nevojiten argumente të forta, ajo i ka ato… I takon Qeverisë së Kosovës që t’i bindë të gjithë se është serioze, se ka qenë serioze në muajt e fundit”, pohon Knaus, i cili beson se Asambleja Parlamentare e KiE-së e ka thënë fjalën e vet, kur më 16 prill e ka mbështetur raportin e deputetes greke, Dora Bakoyannis, që rekomandon anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë me seli në Strasburg.

“Nëse Komiteti i Ministrave nuk e respekton rekomandimin e Asamblesë Parlamentare, atëherë kemi një krizë. Nuk është krizë për Kosovën, është krizë për institucionin”, vlerëson Knaus.

Pse kjo qasje e Perëndimit ndaj Kosovës?

Analisti Weber beson se Perëndimi ka pasur në vazhdimësi qasje të padrejtë ndaj Kosovës në vitet e fundit, dhe, sipas tij, kjo qasje bazën e ka te “dialogu i dështuar” Kosovë-Serbi.

Dy arsyet kryesore, sipas tij, janë:

-Distancimi prej kornizës fillestare për negocimin e një marrëveshjeje përfundimtare gjithëpërfshirëse, për një marrëveshje të ndërmjetme, sikurse ajo Bazë dhe ajo e Ohrit, pa një strategji afatgjate; dhe

-Qasja e Perëndimit, që nuk i përcakton vetë rregullat, por e ledhaton dhe e pyet Serbinë se çfarë është në gjendje të pranojë.
Nuk është hera e parë”
Gjithë diskutimet nëse Kosova do të mund të anëtarësohet ose jo këtë javë në Këshillin e Evropës, nuk përbëjnë diçka të padëgjuar më parë për Weberin.

Ai rikujton se ngjashëm ka ndodhur edhe në të kaluarën, duke përmendur shembullin e mosanëtarësimit të Kosovës në Agjencinë Ndërkombëtare të Policisë (INTERPOL).

Sipas analistit gjerman, diçka e tillë ka ndodhur dhe mund të ndodhë prapë në të ardhmen, jo pse do të ketë kundërshtime prej vendeve mosnjohëse, por sepse Kosova nuk koordinohet si duhet me aleatët e saj.

Përveç kushteve lidhur me anëtarësimin nëpër organizata ndërkombëtare, Weber e sheh si të padrejtë qasjen e Perëndimit ndaj Kosovës edhe me vënien e masave ndëshkuese ndaj Prishtinës për tensionet në veri, në maj të 2023-ës, teksa nuk e ka ndëshkuar Serbinë për sulmin e armatosur në Kosovë, në fshatin Banjskë, po atë vit – për të cilin Beogradi e mohon përfshirjen – apo për mënyrën se si janë mbajtur zgjedhjet e dhjetorit në Serbi.

Çfarë duhet të bëjë Kosova?

Weber i var shpresat te përbërja e re diplomatike pas zgjedhjeve në Bashkimin Evropian, pasi, tani për tani, Prishtina nuk ka shumë për të bërë.

“Shpresoj që do të krijohet një mundësi e re për të shtyrë Perëndimin që të ndryshojë qasjen në dialog, dhe të pranojë se qasja aktuale nuk është duke funksionuar, dhe se ekziston nevoja për një strategji të re”, thotë Weber.

Morina vlerëson se duhet të rishikohet procesi i dialogut, “…për të parë se sa mund të sjellë benefite ky proces i dizajnuar kësisoj, apo nëse duhet të ridizajnohet komplet. Këtu, Qeveria e Kosovës duhet ta ketë kontributin e vet dhe duhet të angazhohet për të treguar se si e paramendon Kosova zgjidhjen e Asociacionit përmes procesit të dialogut”.

Tema e Asociacionit aktualizohet shpesh në Kosovë, qysh prej vitit 2013, atëherë kur vendi e ka arritur një marrëveshje me Serbinë për formimin e tij.

Më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën. Serbia ngulmon që Kosova t’i zbatojë marrëveshjet e arritura, por Qeveria e Kosovës është deklaruar disa herë kundër një asociacioni njëetnik. /REL/

‘Boll u fshehe! Na trego çfarë bënte yt vëlla me makinën e kokainës me targa AA 653 DM’ – Nga Gazment Bardhi

Vëllai i madh i Olsit, Edi Rama, është i lumtur për rihapjen e dosjes “Xibraka”, po aq sa ishte Erion Veliaj kur doli pas 8 orëve nga SPAK!

Përpjekja e tij e dëshpëruar për të diskretituar SPAK, duke e urdhëruar nga TV se çfarë duhet të bëjë dhe sesi duhet ta trajtojë këtë çështje, është tregues i formimit të tij prej analfabeti ligjor që mendon se institucionet e drejtësisë janë zyra propagande qeveritare.

Në mëngjes, vëllai i vogël ripërsërit të njëjtën kërkesë në SPAK që është rrëzuar më parë, me shpresën se do t’i japë oksigjen për gënjeshtrën ditore të darkës – vëllait të madh, që i ikën të vërtetës prej më shumë se 2 muajsh.

Boll u fshehe pas letrave pa vlerë të vëllait më të vogël!

Na trego çfarë bënte yt vëlla me makinën që përdorte grupi i kokainës me targa AA 653 DM.

Sado të përdridhesh nuk e fsheh dot të vërtetën dhe as makinën e kartelit të drogës me targë AA 653 DM, e përdorur nga Olsi Rama!

Image

Një hap afër, një hap larg anëtarësimit në KiE

Valona Tela

Nga “një hap larg” në “nuk dihet se kur”! Kështu devijoi rruga e Kosovës drejt Këshillit të Evropës në një periudhë prej vetëm tridhjetë ditësh.

Kur më 16 prill Asambleja Parlamentare e kësaj organizate votoi pro Kosovës, kryeministri i vendit, Albin Kurti, tha se “jemi edhe një hap më afër dhe vetëm një hap larg” anëtarësimit në organizatën lidere në kontinent për të drejtat e njeriut.

Një muaj më vonë, kur Komiteti i Ministrave të saj do të merrte vendimin përfundimtar për Kosovën, ajo nuk u fut fare në rend dite.

Zëvendësministri i Jashtëm i Kosovës, Kreshnik Ahmeti, tha se këtë e shkaktoi qëndrimi i disa vendeve që Kosova ta pranojë fillimisht draft-statutin për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe ta çojë atë në Gjykatën Kushtetuese për vlerësim.

Qeveria e Kosovës, fillimisht, e refuzoi këtë kusht, por në një përpjekje të minutave të fundit për ta ndryshuar situatën, ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, tha se ka njoftuar Këshillin e Evropës përmes një letre, se Kosova po e përgatit draft-statutin, për ta dërguar në Gjykatë Kushtetuese deri në fund të majit.

“Ne e kemi shprehur me shumë seriozitet vullnetin tonë për të kontribuuar në mënyrë konstruktive. Ky hap nuk ishte i lehtë për Qeverinë e Kosovës. Ne e kemi shprehur vullnetin tonë dhe presim se cili do të jetë reagimi”, u tha Gërvalla gazetarëve.

Dhe, reagimi nuk ishte aq pozitiv. Ambasada gjermane në Prishtinë, duke u thirrur edhe në vendet e tjera të Quint-it – SHBA-në, Britaninë, Francën dhe Italinë – tha se kërkesë e tyre ishte dorëzimi i draft-statutit në Gjykatën Kushtetuese përpara takimit të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Jashtëm.

“Kosova tani duhet ta bëjë punën e vështirë. Kjo nuk ka ndodhur ende”, tha Ambasada e shtetit gjerman për Radion Evropa e Lirë, më 16 maj.

Në të njëjtën ditë, Gjermania, Franca dhe Italia bënë të ditur se, më 15 maj, i kanë dërguar një letër kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në të cilën kanë shprehur mbështetje për një draft-statut të diplomatëve perëndimorë.

Qeveria e Kosovës tha se është duke hartuar një draft-statut të vetin, të frymëzuar nga një version i një organizate gjermane.

Asociacioni që përmendet, do të koordinonte mes tjerash punën në arsim, kujdes shëndetësor dhe ekonomi në komunat me shumicë serbe të Kosovës.

Për themelimin e tij, Kosova dhe Serbia ranë dakord qysh në vitin 2013. Marrëveshja u miratua edhe në Kuvendin e Kosovës, por Gjykata Kushtetuese konstatoi më pas se ajo ishte jokushtetuese, meqë nuk përfshinte edhe etni të tjera.

Pavarësisht garancive nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian, Kosova ka frikë tani se një asociacion i tillë do të ndikonte në funksionimin e shtetit.

Në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë më 19 mars kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Kosova nuk e ka pranuar draft-statutin e këtij asociacioni, të hartuar dhe të dorëzuar nga diplomatët perëndimorë në tetor të vitit 2023.

Kurti e përsëriti të njëjtin qëndrim edhe këtë javë, duke thënë se “nuk ka asgjë të re”.

Toby Vogel, nga Këshilli për Politikat e Demokratizimit në Bruksel, thotë për programin Expose të Radios Evropa e Lirë se nisma e fundit e Qeverisë së Kosovës rreth draft-statutit është shumë e vonuar.

“Ky hap i sekondës së fundit – me shpresën se mund t’i ndikojë disa vota – është befasues për mua, nëse nuk ka pasur ndonjë koordinim. Njerëzit me të cilët kam biseduar, thonë se nuk ka pasur koordinim të tillë me Bashkimin Evropian apo Quint-in. Nëse ky informacion nuk është i gabuar, unë nuk e kuptoj qëllimin prapa letrës”, thotë Vogel.

Ai nuk mund të gjykojë nëse Kosova ka gabuar që nuk ka vepruar me kohë për të përfituar ulësen në Këshillin e Evropës, por thotë se, qartazi, veprimet e Qeverisë nuk janë serioze.

“Dhe, ato do ta përforcojnë përshtypjen e Quint-it dhe të BE-së se Kurti jo gjithmonë vepron me mirëbesim. Pavarësisht nëse kjo përshtypje është e justifikueshme ose jo, të luash teatër politik si ky, për një çështje shumë serioze, vetëm se do ta përforcojë atë përshtypje”, thotë Vogel.

Për Augustin Palokajn, gazetar që prej vitesh përcjell politikën evropiane, Kosova e ka humbur një “rast shumë të mirë” për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës, i cili nuk dihet se kur do të vijë sërish.

“Kemi raportuar shpesh për dobitë që i kanë qytetarët e Kosovës nga anëtarësimi në Këshillin e Evropës dhe tani, për shkak të mosanëtarësimit, ata kanë pasoja. Për shembull, nuk do të mund të kenë qasje në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Gjasat tani janë shumë të vogla që të ketë lëvizje edhe për integrimin e Kosovës në ndonjë organizatë tjetër ndërkombëtare, përfshirë këtu nisjen e procedurave për marrjen e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE”, thotë Palokaj.

Me rregullore, Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës, që përbëhet prej 46 vendesh anëtare, mblidhet një herë në vit, që do të thotë se takimi i radhës do të jetë në maj të vitit 2025.

Por, Gerald Knaus, nga Iniciativa Evropiane për Stabilitet, që përcolli nga afër rrugëtimin e Kosovës, pret një takim të jashtëzakonshëm – ndoshta edhe brenda javësh.

“Nëse Kosova e dorëzon këtë draft në Gjykatën Kushtetuese, ashtu siç ka thënë tani, atëherë duhet të ketë së shpejti një samit dhe Kosova duhet të pranohet këtë verë. Kjo duket reale tani. Merr kohë, sepse nuk është e lehtë për qeveritë në Evropë dhe në Prishtinë të gjejnë konsensus. Është vonë, por nuk është shumë vonë”, thotë Knaus për Radion Evropa e Lirë.

Palokaj, megjithatë, nuk është optimist për këtë.

“Premtimet se mund të ketë takime të jashtëzakonshme, janë vetëm tentime për ta ulur dëmin që është bërë me mosvendosjen e Kosovës në rend dite dhe moskalimin e aplikimit të saj për anëtarësim. Pra, nuk dihet se kur do të vijë rasti tjetër. Kemi shembullin e UNESCO-s [Agjencisë për Kulturë të OKB-së], ku Kosova vetëm për dy-tri vota nuk është pranuar. Pastaj, kanë kaluar 9 vjet dhe nuk është shfaqur ndonjë rast tjetër për anëtarësim në UNESCO”, thotë Palokaj.

Palokaj shton se, ndërkohë, mund të ndryshojnë edhe qëndrimet e vendeve që, deri më tash, e kanë mbështetur Kosovën.

Ai e merr si shembull të mundshëm Maqedoninë e Veriut, ku, javën e kaluar partia nacionaliste VMRO-DPMNE i fitoi zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale, duke i rritur shqetësimet për marrëdhëniet e ardhshme të këtij vendi me fqinjët, por edhe me BE-në.

Për t’u pranuar në Këshillin e Evropës, në favor të vendit aplikues duhet të jenë së paku dy të tretat e votave në Komitetin e Ministrave.

Nga 46 vende anëtare sa ka organizata, Kosovën e kanë njohur 34.

Për të siguruar anëtarësinë, në favor të saj do të duhej të votonin ministrat e së paku 31 vendeve.

Tash për tash, Kosova mbetet në vendndalim, derisa vendi kryesues i Këshillit të Evropës ta nxjerrë në agjendën e Komitetit të Ministrave – qoftë në mbledhje të jashtëzakonshme, qoftë në cilëndo mbledhje të rregullt në vitet e ardhshme. Në parim, procedura në Asamblenë Parlamentare nuk përsëritet.

Kosova ka vite që nuk ka arritur të bëhet pjesë e ndonjë organizate të madhe ndërkombëtare dhe këtu ka luajtur rol edhe lobimi kundër i Serbisë.

Një nga dështimet e fundit ndodhi në vitin 2018, kur agjencia ndërkombëtare e policisë, Interpol, e refuzoi pranimin e Kosovës për herë të tretë.

Duke reaguar ndaj nismës së fundit të Qeverisë së Kosovës për draft-statutin e Asociacionit, shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, tha se ajo është “një tentativë e madhe mashtrimi”.

“Bëhet fjalë për një falsifikim të pastër, përmes të cilit Kurti dëshiron t’i shmangë obligimet e tij nga dialogu [për normalizimin e marrëdhënieve] me Serbinë”, tha Petkoviq.

Por Vogel thotë se ajo që duhet të ndryshojë tani, është qasja e Perëndimit ndaj Serbisë.

“Për Asociacionin është rënë dakord në rrethana krejt ndryshe prej tash. Marrëveshja është arritur në kohën kur dialogu mes Beogradit dhe Prishtinës ka qenë i fokusuar në mënyrë eksplicite në krijimin e kushteve për një marrëveshje gjithëpërfshirëse mes dy vendeve, që do të nënkuptonte së paku njohjen de facto të Kosovës nga Serbia. Tani jemi në një situatë kur Qeveria e Serbisë e ka njoftuar zyrtarisht BE-në se nuk do të pranojë asgjë që do të ishte njohje de facto e Kosovës”, thotë Vogel.

Asociacioni dhe njohja de facto e Kosovës janë pjesë të Marrëveshjes së Ohrit mes dy vendeve, e arritur vitin e kaluar.

Bashkimi Evropian këmbëngul se ajo duhet të zbatohet, edhe pse nuk është nënshkruar.

Muajin e kaluar, BE-ja e kushtëzoi zyrtarisht integrimin e Serbisë në këtë bllok me normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, ndërsa ndaj Kosovës mban në fuqi masa ndëshkuese, të cilat u ndërmorën qysh vitin e kaluar, pas përshkallëzimit të tensioneve në veri. REL

Gazetari gjerman për SYRI TV: Strategjia është që Kosova të pranohet në qershor në Këshillin e Europës

Gazetari i njohur gjerman, Michael Martens, që raporton për gazetën Frankfurter Allgemeine Zeitung, ishte i ftuari i mbrëmjes në SYRI TV.

Gazetari u pyet nga moderatorja Armela Ferko në lidhje me çështjen e pranimit të Kosovës në Këshillit të Europës.

Ai pranoi ekzistencën e një letre nga Gjermania, Franca dhe Italia për këtë çështje.

Ajo që mund të them se unë kam dëgjuar të njëjtën gjë, nuk e kam parë letrën origjinale, por e kam dëgjuar.

Ka disa forca në kancelarinë gjermane që nuk u pëlqen që Kosova të bëhet pjesë e Këshillit të Europës.

Është një shumicë e qartë brenda parlamentit gjerman, të cilit janë pro anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Europës, por ka disa forca që nuk janë të kënaqura me këtë.

Këshilltari kryesor i zotit Scholz, i cili ka qenë i stacionuar në këtë rajon, që ka qenë kundër përfshirjes së Kosovës si anëtare në Këshillin e Europës,’ tha Martens.

Sipas tij, strategjia është që Kosova të pranohet në Këshillin e Europës në qershor.

‘Nga informacionet më të fundit që kam nesër, në axhendë nuk do të diskutohet çështja e Kosovës.

Duket se ka një strategji tani që Kosova tani të dërgojë një draft të statutit të Asociacionit në Gjykatën Kushtetuese për të vërtetuar që qeveria e Kosovës nuk është kundër krijimit të këtij asociacioni.

Gjermania herë pas here është shprehur duke thënë se duhet të integrojmë Ballkanin Perëndimor, ku përfshihet edhe Kosova. Kjo është theksuar veçanërisht nga kancelari Scholz pas sulmit të Rusisë në Ukrainë. Tani është mundësia për ta bërë këtë.

Pas një muaji, në qershor do pranohet Kosova. Mendohet se kjo është strategjia e këtyre personave që mbështesin pranimin e Kosovës si anëtare të Këshillit të Europës,’ tha Martens.

Sipas tij, Kosova është mësuar me faktin që gjithmonë duhet të plotësojë kushte që nuk lidhen fare me procesin. Kjo ndodhi edhe me çështjen e liberalizimit të vizave, por po ndodh tani edhe me çështjen e anëtarësimit në Këshillin e Europës.

Ligji për surrogacinë cenon rëndë familjen dhe bie ndesh me natyrën njerëzore – Nga BUJAR SPAHIU

Të dashur motra dhe vëllezës. Ditë më parë ndava me ju një temë që i kushtohej kujdesit ndaj prindërve dhe familjes në tërësi. Familja në të gjitha besimet fetare është e shenjtë, por unë dua ta trajtoj sot me ju në këndvështimin që na përket ne, atë Islam.

Islami është një fe që përkrah shkencën dhe sigurisht edhe i paraprin asaj në shumë çështje. Për këtë nuk ka asnjë dyshim dhe historia mijëra vjeçare është dëshmitare. Tema e sotme ka të bëjë me debatin e fundit që ligjvënësit e Parlamentit të Republikës së Shqipërisë kanë hapur diskutimin në lidhje me familjen, ose ta themi ashtu siç ka marrë emër gjerësisht, surrogacia.

Së pari dua të ndaj konsideratën time për krerët e bashkësive fetare që kanë ngritur zërin dhe për cilindo që i është bashkuar shqetësimit tonë. Iniciimi i këtij ligji pa konsultim të gjerë, edhe me komunitetet fetare, në një shoqëri ku ne jemi mazhorancë, më duket tejet absurd dhe tendencioz.

Ky ligj në këndvështrimin tonë është anti familje. Trondit themelet e qelizës bazë të shoqërisë, i pa natyrshëm.

Feja islame nuk është kundër përparimit të shkencës sa i përket lehtësimit që shkenca ka arritur t’u japë një zgjidhje çifteve që për arsye të ndryshme shëndetësore nuk mund të kenë një fëmijë në kushte natyrale. Dhe këtu kam parasysh fertilizimim invitro, etj. Çdo përparim shkencor në këtë drejtim është i mirëpritur.

Por ky ligj nuk ka të bëjë vetëm me këtë aspekt. Së pari, siç dihet, feja islame është kundër abortit, përveç rasteve kur rekomandohet nga mjekët për shkak të rrezikimit të jetës së nënës. Në çdo rast tjetër aborti është i papranueshëm, sidomos në javët që embrioni ka hyrë në faza zhvillimi jetësore në të gjitha aspektet.

Së dyti, surrogacia është e papranueshme në Islam. Dhe argumentat për këtë nuk janë dogmatike, siç përpiqen ta trajtojnë disa. Jo aspak. Surrogacia është një bartje, që së pari ka të bëjë me shkeljen e të drejtave të grave, gjë për të cilën sot flitet aq shumë, por kur vjen puna te surrogacia, heshtet.

Nëna surrogato është një grua që do bartë në organizmin e saj një fëmijë për një burrë, me të cilin ajo nuk është e martuar. Pra, duke transferuar spermatozoidin e një burri dhe vezët e një gruaje në mitrën e një gruaje tjetër me të cilën burri nuk është i martuar. Dhe kjo gjë bëhet kundrejt pagesës ose edhe falas qoftë.

Po çfarë është kjo? A nuk është përdorim i një gruaje në mënyrë të ulët!! A nuk është trajtimi i saj si një qenie pa dinjitet, pa ndjenja dhe pa logjikë!? Nëse nuk është kështu – Çfarë është!?

A nuk është poshtërim për atë grua që fill pas lindjes së foshnjës, të cilën e ka bartur në barkun e saj për 9 muaj t’i rrëmbehet për të mos e parë më kurrë!?

Po a ka legjitimitet një fëmijë i lindur i tillë!? Kush është nëna e vërtetë e tij, ajo që e ka ushqyer me kordon në trupin e saj për muaj të tërë, apo një nënë që thjeshtë ka trasferuar vezët në barkun e surrogatos!?

Unë kam konsultuar shumë referenca shkencore islame të dijetarëve, pa përjashtim të gjithë janë unanimisht kundër diçkaje të tillë.

Nëna zëvendësuese është një akt që ngatërron vetë natyrën e familjes dhe prejardhjes së saj. Konfuzioni i linjës së gjakut konsiderohet si një veprim kundër vullnetit të Zotit dhe për këtë arsye është i paligjshëm dhe etikisht e cënon dinjitetin e gruas bartëse dhe fëmijës së lindur nga ajo. Si rezultat, origjina e një fëmije duhet të gjurmohet tek babai dhe nëna e tij/saj biologjike.

Rregulli islam i trashëgimisë bazohet në atësinë dhe amësinë biologjike dhe përmasat e trashëgimisë janë të specifikuara në mënyrë eksplicite në Kuran. Ky ligj nxit prishjen e lidhjeve familjare dhe prejardhjes. Zëvendësimi krijon një pamje të paqartë të prindërve, e cila mund të çojë në probleme të rënda sociale dhe ligjore të paparashikuara.

Të dashur motra dhe vëllezër. Islami ka vendosur ligje të qarta për vijimësinë e rregullt të rracës njerëzore, siç e kanë edhe besimet e tjera. Qëllimi kryesor i ligjeve hyjnore është të sigurohen fëmijët dhe e ardhmja e tyre që lindin nga bashkëshortë të caktuar dhe që fëmija i dikujt tjetër, në aspektin biologjik, të mos përzihet, me fëmijët që lindin nga ky çift.

Jo vetëm Islami, çdo besim në botë parandalon mundësinë e paligjshmërisë së fëmijës dhe për këtë u jep edhe mësime njerëzve. Shkencëtarët e kësaj fushe pohojnë se fëmija i tillë më shumë tipare merr jo nga veza e fertiluar, por nga nëna surrogate gjatë procesit të zhvillimit të tij në mitër, duke u ushqyer prej saj dhe duke u formuar i gjithi në mitrën e saj.

Unë e quaj një gabim me dashje të thuash se fëmija i tillë i përket nënës dhuruese të vezës. Ai i përket më shumë nënës që e ka bartur në barkun e saj, që e ka ushqyer përmes kordonit, që e ka lindur atë, sesa asaj që transferon vezët.

Pra, siç thashë në fillim, ky ligj jo vetëm është përçmues për disa gra të cilat i quajnë surrogato duke i zhbërë si qënie njerëzore, por kjo lloj lindje, ky fëmijë që lind në këtë mënyrë, edhe fetarisht, edhe shkencërisht, edhe sociologjikisht i përket nënës që e lind, ushqehet prej saj dhe me të krijon lidhjen emocionale.

Ka shumë raste kur nëna surrogate pas lindjes ka shkuar në gjykatë për të kërkuar mbajtjen e fëmijës dhe duke refuzuar paratë. Pse ndodh kjo? Kjo ndodh sepse lidhja emocionale është aq e fortë sa tejkalon çdo gjë tjetër materiale.

Pra, praktikisht, ky ligj dëmton rëndë familjen.

Është kundër natyrës së saj. Kundër urdhërave të Atij që krijon nga asgjëja, krijon pa patur nevojë për një model dhe e përsërit krijimin, Zotit të gjithësisë, sunduesit absolut.

Një ligj që nuk i merr parasysh këto fakte, kurrsesi nuk është i lejuar, madje ai është i dëmshëm edhe në aspektin njerëzor.

Unë nuk dua të hyj në diskutimin tjetër që ky ligj po bëhet për një qëllim edhe më të mbrapshtë se kaq, atë të prindit 1 dhe prindit 2, sepse nuk dua të paragjykoj diçka që nuk është thënë.

Por sigurisht që kjo është katërcipërisht e ndaluar në fenë Islame dhe ne shprehim gjithë kundërshtinë tonë sa i përket kësaj çështjeje.

Unë gjej rastin t’u bëj thirrje të gjithë ligjvënësve të Parlamentit të mendojnë në këtë rast, së pari, si shqiptarë. Së dyti, si prindër e familjarë. Së treti, si përfaqësues të një populli i cili është kundër të tilla ligjeve e praktikave.

Dhe këtu është rasti që Shqipërisë nuk po i imponohet një ligj i tillë, edhe sikur kjo të ndodhte, ky ligj nuk mund të miratohet në kundërshtim me vullnetin e popullit.

E lus Zotin që ta kthejë nga e mbara këtë shoqëri. E lus Zotin që familja jonë mos të përballet me sfida të tilla dhe kombi ynë të shtohet në mënyrë natyrale, ashtu siç Zoti e ka caktuar.

Amin!

A është Perëndimi i drejtë ndaj Kosovës?

Qasja e Francës dhe e Gjermanisë përmes kushtëzimit të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës (KiE) me hedhjen e hapave drejt themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe nuk është për t’u admiruar, sidomos për faktin se ato janë të bindura se Kosova duhet të jetë pjesë e kësaj organizate, se ato janë vende të QUINT-it, dhe se flasin me plot gojën në mbështetje të Kosovës – kështu vlerëson Engjëllushe Morina nga Këshilli Evropian për Marrëdhënie me Jashtë, në disa përgjigje për Radion Evropa e Lirë.

Ajo pohon se njoftimi i Kosovës se po përgatit një draft-statut për themelimin e “një mekanizmi për vetëmenaxhim, koordinim dhe bashkëpunim të komunave me shumicë serbe në Kosovë”, duhet të jetë argument i mjaftueshëm për Perëndimin, sepse, sipas saj, tregon gatishmërinë e Kosovës për t’i adresuar brengat rreth komunitetit serb.

“Secila lëvizje, sado e vogël të jetë, në drejtim të formimit të Asociacionit, do të mjaftojë në këto momente”, thotë Morina për REL-in. Sipas saj, ky është momenti kur duhet të përkrahet Kosova, pasi anëtarësimi në Këshill – organizatën lidere për të drejta të njeriut – do të sillte shumë përfitime për qytetarët e këtij vendi, përfshirë minoritetet.

Por, Bodo Weber, bashkëpunëtor i lartë në Këshillin joqeveritar për Politikat e Demokratizimit në Berlin, nuk është optimist.

“Jam skeptik, duke marrë parasysh se refuzimi i Qeverisë së [kryeministrit të Kosovës, Albin] Kurti për të prezantuar draftin e vet, ka shtyrë [të dërguarin evropian për dialog, Mirosllav] Lajçakun dhe QUINT-in të hartojnë propozimin e tyre, dhe për faktin që Prishtina po kërkon nga Berlini, Parisi dhe Roma të votojnë këtë javë për diçka që do të mund ta shohin më vonë”.

Komiteti i Ministrave i Këshillit të Evropës do të mblidhet më 16 dhe më 17 maj. Kosova nuk është në agjendë, dhe ka pak mundësi të futet.

I pyetur nëse vendimi i Kosovës për të hartuar një draft-statut për Asociacionin do ta bindë Francën dhe Gjermaninë, Gerald Knaus nga Iniciativa Evropiane për Stabilitet thotë për Radion Evropa e Lirë se diplomacia ka të bëjë me argumentim, ndonëse, sipas tij, letra që Kosova ia ka shkruar Këshillit të Evropës për hapat drejt Asociacionit, ka ardhur pak me vonesë.

“Kosovës i nevojiten argumente të forta, ajo i ka ato… I takon Qeverisë së Kosovës që t’i bindë të gjithë se është serioze, se ka qenë serioze në muajt e fundit”, pohon Knaus, i cili beson se Asambleja Parlamentare e KiE-së e ka thënë fjalën e vet, kur më 16 prill e ka mbështetur raportin e deputetes greke, Dora Bakoyannis, që rekomandon anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë me seli në Strasburg.

“Nëse Komiteti i Ministrave nuk e respekton rekomandimin e Asamblesë Parlamentare, atëherë kemi një krizë. Nuk është krizë për Kosovën, është krizë për institucionin”, vlerëson Knaus.

Ndërtesa e Këshillit të Evropës. (Foto: Reuters)

Ndërtesa e Këshillit të Evropës. (Foto: Reuters)

Pse kjo qasje e Perëndimit ndaj Kosovës?

Analisti Weber beson se Perëndimi ka pasur në vazhdimësi qasje të padrejtë ndaj Kosovës në vitet e fundit, dhe, sipas tij, kjo qasje bazën e ka te “dialogu i dështuar” Kosovë-Serbi.

Dy arsyet kryesore, sipas tij, janë:

  • Distancimi prej kornizës fillestare për negocimin e një marrëveshjeje përfundimtare gjithëpërfshirëse, për një marrëveshje të ndërmjetme, sikurse ajo Bazë dhe ajo e Ohrit, pa një strategji afatgjate; dhe
  • Qasja e Perëndimit, që nuk i përcakton vetë rregullat, por e ledhaton dhe e pyet Serbinë se çfarë është në gjendje të pranojë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq dhe diplomatë evropianë në njërin prej rundeve të dialogut në Bruksel. (Foto: Bashkimi Evropian)

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq dhe diplomatë evropianë në njërin prej rundeve të dialogut në Bruksel. (Foto: Bashkimi Evropian)

“Nuk është hera e parë”

Gjithë diskutimet nëse Kosova do të mund të anëtarësohet ose jo këtë javë në Këshillin e Evropës, nuk përbëjnë diçka të padëgjuar më parë për Weberin.

Ai rikujton se ngjashëm ka ndodhur edhe në të kaluarën, duke përmendur shembullin e mosanëtarësimit të Kosovës në Agjencinë Ndërkombëtare të Policisë (INTERPOL).

Sipas analistit gjerman, diçka e tillë ka ndodhur dhe mund të ndodhë prapë në të ardhmen, jo pse do të ketë kundërshtime prej vendeve mosnjohëse, por sepse Kosova nuk koordinohet si duhet me aleatët e saj.

Përveç kushteve lidhur me anëtarësimin nëpër organizata ndërkombëtare, Weber e sheh si të padrejtë qasjen e Perëndimit ndaj Kosovës edhe me vënien e masave ndëshkuese ndaj Prishtinës për tensionet në veri, në maj të 2023-tës, teksa nuk e ka ndëshkuar Serbinë për sulmin e armatosur në Kosovë, në fshatin Banjskë, po atë vit – për të cilin Beogradi e mohon përfshirjen – apo për mënyrën se si janë mbajtur zgjedhjet e dhjetorit në Serbi.

Çfarë duhet të bëjë Kosova?

Weber i var shpresat te përbërja e re diplomatike pas zgjedhjeve në Bashkimin Evropian, pasi, tani për tani, Prishtina nuk ka shumë për të bërë.

“Shpresoj që do të krijohet një mundësi e re për të shtyrë Perëndimin që të ndryshojë qasjen në dialog, dhe të pranojë se qasja aktuale nuk është duke funksionuar, dhe se ekziston nevoja për një strategji të re”, thotë Weber.

Morina vlerëson se duhet të rishikohet procesi i dialogut, “…për të parë se sa mund të sjellë benefite ky proces i dizajnuar kësisoj, apo nëse duhet të ridizajnohet komplet. Këtu, Qeveria e Kosovës duhet ta ketë kontributin e vet dhe duhet të angazhohet për të treguar se si e paramendon Kosova zgjidhjen e Asociacionit përmes procesit të dialogut”.

Tema e Asociacionit aktualizohet shpesh në Kosovë, qysh prej vitit 2013, atëherë kur vendi e ka arritur një marrëveshje me Serbinë për formimin e tij.

Më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën. Serbia ngulmon që Kosova t’i zbatojë marrëveshjet e arritura, por Qeveria e Kosovës është deklaruar disa herë kundër një asociacioni njëetnik.

”Tryezat e Ambasadorit” për Shqipërinë, Ish-ambasadori italian, Paolo Foresti rrëfen rolin si negociator

 

Paolo Foresti, ambasadori italian në Shqipëri deri në vitin e mbrapshtë 1997, është rikthyer në Tiranë, tashmë jo më si diplomat, por për të sjellë në shqip kujtimet dhe takimet para e pas konfliktikt të armatosur në vend.

‘’97-ta ishte një histori për tu shkruar. Mund të them se gjeta shumë bashkëpunim nga liderat politikë.

Kujtoj se së bashku punuam edhe fundjavave edhe në mbrëmje për ta arritur zgjidhjen që i krijuan mundësinë Shqipërisë që të ecte përpara ‘’, tha Foresti.

I njohur për rolin e ndërmjetësit mes partive dhe figurave politike të kohës, ai rrëfen takimet dhe bisedeimet e zhvilluara me ta.

Libri autobiografik “Tryezat e Amasadorit”  shoqërohet me fotografi vendesh e personazhesh, risi është edhe përshkrimi i menusë që shoqëronte këto tryeza.

27 vite më pas ai tregon me detaje edhe disa prej këtyre takiemve që pasuan rikthimin  e qetësisë në vend.

‘’Si ambasador i një vendi mik ndjeja detyrimin që të vija përballë idetë dhe opinionet dhe kërkoja zgjidhjen nëse e kam bërë mirë apo jo, kushdo mund të ketë mendimin e tij.

E rëndësishme ishte që ta luaja atë rol në mënyrë të ndershme’’, tha Foresti.

Në prezantimin e kesaj vepre kanë marrë pjesë politikanë dhe figura të njohura te ekranit.

‘’Jo vetëm dashuria kalon përmes stomakut por edhe politika kalon përmes stomakut.

Tryezat e ambasadorit ishin jo vetëm logu ku konsumoheshin ushqim pork u lindnin marrëveshjet e rëndësishme politike.

Ai zgjodhi të bënte diplomacy përkundër dëshirës së babait sepse Foresti nuk zgjodhi ti shërbente biznesit të familjes por zgjodhi pasionin e tij’’, tha gazetarja Beti Njuma.

Diplomati Foresti gjithashtu eshte edhe ideatori i operacionit të ndihmës Pelikan qe i perket shtatorit të vitit 1991.

Por këto kujtime per Shqiperine ka vendosur mos ti ndaj me publikun, të paktën për momentin.

Ish Ambasadori Foresti  ka pasur detyra të rëndësishme edhe në Beograd, në vendet e Lindjes së Mesme ,gjithashtu ai ka qen edhe si këshilltar diplomatik i tre ministrave për politikat komunitare. Ora News


Send this to a friend