Ilir Proda është shkarkuar nga detyra e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Vendimi është marrë sot nga Kryeministri Edi Rama, duke sjellë ndryshime në drejtimin e institucionit më të lartë të rendit në vend. Vendimi u mor pas protestës së opozitës ku nuk u garantua siguria e qytetarëve.
Sipas burimeve, vendimi për largimin e Prodës është ekzekutuar menjëherë. Në vend të tij është komanduar zëvendësi, Sokol Bizhga, i cili do të mbajë përkohësisht detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit deri në një vendim të dytë për emërimin e drejtuesit të ri. Gjithashtu është shkarkuar edhe drejtori i Policisë së Tiranës, Elton Alushi.
Proda, 43 vjeç, u propozua për këtë post nga ministri Hoxha më 30 Shtator 2024, dhe propozimi iu dërgua Kryeministrit për firmosje. Ilir Proda pasoi në këtë detyrë Muhamet Rrumbullakun, në vitin 2002 nisi studimet në Akademinë e Sigurisë, deri në vitin 2005, kohë kur u emërua specialist pranë Komisariatit 3 në Tiranë, ku qëndroi për 6 vite. Më pas karriera e tij ka vijuar në disa komisariate, struktura hetimore dhe disa drejtori qarqesh dhe në Mars të 2023 është emëruar në krye të Policisë së Elbasanit.
Por karriera e tij në polici nuk ka qenë shumë e ndritur pasi në vitin 2024 me vendim të SPAK, celulari i tij është sekuestruar si pjesë e një hetimi për dekonspirimin e dyshuar të një operacioni. Dyshimet për dekonspirim u ngritën pasi nga 33 urdhër- arreste të lëshuara kundër njërës prej organizatave kriminale më të rrezikshme në vend, Çopja, u ekzekutuan vetëm 13 masa sigurie ndërsa pjesa tjetër i shpëtoi prangave./JOQ