Vendet e varfra kanë vuajtur shumë, por shumica e vdekjeve ka ndodhur gjetiu, shkruan The Economist.
Sipas shifrave zyrtare, në Afrikën e Jugut ka pasur 55,000 vdekje nga Covid-19 që nga 27 marsi i vitit të kaluar. Kjo do të thotë se shkalla e vdekshmërisë në vend është 92.7 për 100,000 njerëz, më e larta në Afrikën Nënsahariane. Shifra është gjithashtu një nënvlerësim domethënës, ashtu si të gjitha të dhënat e tjera afrikane mbi sëmundjen.
Gjatë vitit, deri më 8 maj, vendi regjistroi 158,499 vdekje shtesë – pra vdekje mbi numrin që pritej në vitet e kaluara, duke pasur parasysh ndryshimet demografike. Zyrtarët e shëndetit publik mendojnë se 85-95% e këtyre vdekjeve janë shkaktuar nga sars-cov-2, virusi i Covid-19.
Kjo mospërputhje ndodh sepse, në mënyrë që një vdekje të regjistrohet për shkak të Covid-19, i ndjeri duhet të ketë kryer një test Covid-19 dhe duhet të regjistrohet se ka vdekur nga kjo sëmundje. Megjithëse Afrika e Jugut kryen shumë më tepër testime në krahasim me vendet fqinje, niveli i përgjithshëm i testimit është ende i ulët.
Afrika e Jugut nuk është ndonjë rast unik dhe i pazakontë për sa u përket niveleve të testimit, ose vdekjeve të paregjistruara nga sistemi mjekësor. Vdekshmëria shtesë ka tejkaluar vdekjet e raportuara zyrtarisht si pasojë e Covid-19, të paktën në disa periudha gjatë epidemisë, në pjesën më të madhe të botës. Sipas të dhënave më të fundit, vdekjet shtesë në Amerikë ishin 7.1% më të larta se vdekjet zyrtare nga Covid-19, midis fillimit të marsit 2020 dhe mesit të prillit 2021.
Shumë vende kanë pasur mospërputhje të tilla. Për shembull, Britania kishte vdekje shtesë më të larta se vdekjet zyrtare nga Covid-19 gjatë valës së parë, por më të ulëta se vdekjet zyrtare nga Covid-19 në valën e dytë – një efekt që tregon se masat për të ndaluar përhapjen e Covid-19 kanë shpëtuar jetë, të cilat në një vit të zakonshëm do të ishin humbur nga sëmundje të tjera, si gripi sezonal. Një dukuri e ngjashme ndodhi edhe në Francë.
Por metoda e vdekshmërisë shtesë nuk ka mundësuar shifra të dobishme globale, sepse shumica e vendeve, në veçanti shumica e vendeve të varfra, nuk japin statistika të vdekshmërisë shtesë në kohën e duhur. Vlerësimet globale kanë përdorur shifrat zyrtare, pavarësisht se e dinë se këto shifra – aktualisht 3.3 milionë – janë shumë larg realitetit.
Për të kuptuar se sa larg realitetit janë në të vërtetë këto shifra zyrtare, The Economist është përpjekur të përcaktojë nivelin e vdekshmërisë shtesë gjatë rrjedhës së pandemisë në vendet që nuk e raportojnë atë. Studimi arriti në përfundimin se ka një probabilitet prej 95% që numri i të vdekurve deri më sot të jetë midis 7.1 milionë dhe 12.7 milionë, me një vlerësim qendror prej 10.2 milionë. Në rastin më të mirë, shifrat zyrtare përfaqësojnë më pak se gjysmën e numrit real të vdekjeve, dhe në rastin më të keq, vetëm një të katërtën e tij.
Përveçse jep një vlerësim të ri të shtrirjes së përgjithshme të pandemisë, modelimi nga The Economist hedh dritë mbi shpërndarjen e efekteve të pandemisë dhe rrjedhën e përgjithshme.
Vendet e varfra kundrejt të zhvilluarave
Nuk është për t’u çuditur se pjesa më e madhe e vdekjeve të shkaktuara nga Covid-19 por që nuk janë përcaktuar zyrtarisht si të tilla, vijnë nga vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme. Sipas studimit, shkalla e vdekshmërisë në vendet e pasura që janë anëtare të grupit OECD, ishte 1.17 herë më e lartë se numri zyrtar. Ndërsa shkalla e vlerësuar e vdekshmërisë për Afrikën Nënsahariane ishte 14 herë më e lartë se numri zyrtar. Dhe struktura e valës së parë dhe të dytë që vihet re në Europë dhe Shtetet e Bashkuara është shumë më pak e dukshme në shifrat e studimit për botën në tërësi. Në përgjithësi, pandemia po përqendrohet gjithnjë e më tepër në ekonomitë në zhvillim dhe kjo dukuri po vazhdon të rritet.
Për të krijuar këto vlerësime globale të vdekjeve totale shtesë gjatë pandemisë, ne kemi marrë parasysh një gamë të gjerë të dhënash. Numri zyrtar i vdekjeve nga Covid-19, sado i pasaktë, është mundësuar nga shumica e vendeve. Po ashtu ka të dhëna mbi numrin e rasteve Covid-19 dhe përqindjen e testeve pozitive. Në përgjithësi, nëse shumë teste dalin pozitive, do të thotë se shumë më tepër infeksione po humbasin nga një regjim testimi që po vëzhgon vetëm njerëzit që kërkojnë trajtim mjekësor.
Vekjet Ditore Shtese Ne Nivel Global 982
Faktorët
Në disa vende, janë kryer sondazhe që tregojnë se sa njerëz kanë antitrupa të zbulueshëm sars-cov-2, një shenjë e infeksionit të hershëm. Faktorë të tjerë që menduam se mund të kishin rëndësi janë hapat që kanë ndërmarrë qeveritë për të frenuar përhapjen e sëmundjes, si mbyllja e shkollave, dhe shkalla e lëvizshmërisë së njerëzve.
Demografia ka shumë rëndësi: vendet me më shumë të rinj zakonisht kanë një shkallë më të ulët vdekjesh. Një rol luajnë edhe faktorë më pak të dukshëm si sistemet e qeverisjes dhe shkalla e lirisë së medias. Për të marrë një shembull specifik, vdekjet shtesë në Rusi janë 5.1 herë më të larta se vdekjet zyrtare nga Covid-19.
The Economist ka mbledhur të dhëna për 121 tregues, për më shumë se 200 shtete dhe territore. Më pas u krijua një model i të mësuarit makinerik, i cili përdor një proces të quajtur rritja e pjerrësisë për të gjetur marrëdhëniet midis këtyre treguesve dhe të dhënave për vdekjet shtesë në vendet ku ato ishin në dispozicion. Modeli i përfunduar i përdori këto të dhëna për të siguruar vlerësime të vdekjeve shtesë në kohë dhe vende për të cilat nuk kishte të dhëna të disponueshme.
The Economist vlerëson se, deri më 10 maj, ka një probabilitet prej 95% që pandemia të ketë shkaktuar vdekje shtesë midis 2.4 dhe 7.1 milionë në Azi (vdekje zyrtare nga Covid-19: 0.6 milion), 1.5-1.8 milionë vdekje në Amerikën Latine dhe Karaibet (zyrtare: 0.6m), 0-2.1 milionë vdekje në Afrikë (zyrtare: 0.1m), 1.5-1.6 milionë vdekje në Europë (zyrtare: 1.0m) dhe 0.6-0.7 milion vdekje në Amerikë dhe Kanada (zyrtare: 0.6m). Në Oqeani, me vetëm 1,218 vdekje zyrtare, modeli parashikoi diku midis 12,000 dhe 13,000 vdekje, ku kufiri i poshtëm reflekton mundësinë që masat paraprake kundër Covid-19 të kishin zvogëluar vdekjet nga shkaqe të tjera.
Diferencat për Afrikën dhe Azinë janë shumë më të mëdha. Të dhënat për të kryer parashikime të forta nuk janë të disponueshme dhe në disa vende nuk ekzistojnë fare. Megjithatë, ato ofrojnë një pamje më të besueshme sesa statistikat zyrtare. Shkalla e probabilitetit prej 50% ngushtohet ndjeshëm: 3.3m-5.2m për Azinë, 0.8m-1.6m për Afrikën, 8.2m-10.5m për botën.
Gjatë vitit 2020, vdekjet ditore u rritën për 33 nga 52 javë. Pas një qetësie të shkurtër në fillim të vitit 2021, ato arritën rekorde të reja, të nxitura në pjesën më të madhe nga tragjedia që po ndodh aktualisht në Indi. Modeli tregon se në vend po ndodhin midis 6,000 dhe 31,000 vdekje shtesë në ditë, shumë më tepër se rreth 4,000 vdekje që tregojnë shifrat zyrtare. Kjo është në të njëjtën linjë me vlerësime të pavarura epidemiologjike prej 8,000 deri në 32,000 vdekje në ditë. Modeli tregon se rreth 1 milion njerëz mund të kenë vdekur nga Covid-19 në Indi deri tani këtë vit.
Do të vijë një pikë kur katastrofa në Indi do të zbutet, siç ka ndodhur edhe në vende të tjera. Por kjo nuk do të thotë se gjendja globale do të përmirësohet. Megjithëse sëmundja rritet dhe bie në valë në vende të caktuara, valët nuk janë të gjitha në sinkronizim. Një valë e parë pasohet nga përgjigje që frenojnë përhapjen, ndërsa një valë e dytë ndërtohet pasi këto përgjigje zbuten dhe lihen pas dore. Kjo është arsyeja pse, deri më sot, numri i vdekjeve në ditë në të gjithë botën është rritur në 10 nga 15 muaj.
Ia vlen të përmendet se, pavarësisht se vendet më të varfra të botës janë goditur më tepër nga ana ekonomike, mbi bazën “për person” Covid-19 ka qenë më i rëndë për vendet e pasura. Për Azinë dhe Afrikën, vdekjet mesatare të vlerësuara për 1 milion banorë, janë sa gjysma e atyre të Europës (përfshirë Rusinë). India është e krahasueshme me Britaninë, të paktën tani për tani.
Kjo mund të tingëllojë e habitshme për europianët, të cilët kanë qenë nën karantinë për një pjesë të mirë të vitit. Si ka mundësi që në këto vende kryesisht të varfra të ketë pasur më pak vdekje, pavarësisht mungesave të ndërhyrjeve për të frenuar përhapjen e virusit dhe me një kujdes shëndetësor më pak të financuar? Duket se çelësi i përgjigjes është mosha. Nëse dy popullata kanë të njëjtin nivel të kujdesit shëndetësor, popullsia me më shumë njerëz të moshuar do të ketë më shumë vdekje. Nëse demografia do të ishte ndryshimi i vetëm, atëherë, duke marrë si bazë moshën, sëmundja do të ishte 13 herë më vdekjeprurëse në Japoni (mosha mesatare 48 vjeç) sesa në Ugandë (mosha mesatare 17 vjeç). Të dhënat e besueshme të vdekshmërisë shtesë zakonisht vijnë nga vendet me popullsi më të vjetër.
Megjithëse i ulët në terma absolutë, niveli i vdekjeve tek popullsitë e reja të varfra është shumë më i lartë sesa do të ishte për popullsitë e vendeve të pasura me profile të ngjashme moshe. Dhe për të moshuarit në vendet e varfra, perspektiva është mjaft e zymtë. Afrika e Jugut ka pasur 120,000 vdekje shtesë te personat mbi 60 vjeç.
Fakti që një mungesë relative e vdekjeve në vendet në zhvillim duket se është për shkak të moshës dhe jo për ndonjë arsye tjetër, ka implikime të ndryshme. Njëri është se virusi po përhapet lehtësisht midis të rinjve – një zbulim i mbështetur nga sondazhet, të cilët zbulojnë nivele shumë më të larta të infeksioneve në Afganistan, Indi dhe gjetiu sesa në Europë ose Amerikë. Kjo tregon se ka shumë raste jo-fatale të sëmundjes, çka sugjeron se problemi i “covidit të gjatë” do të jetë më i keq në këto vende. Kjo gjithashtu do të thotë se virusi po gjen shumë mundësi për të kaluar nëpër mutacione.
Covid 19 Sipas Demografise Shkalla E Pritur E Fatalitetit 982
Ka një përjashtim nga ky rregull. Në disa vende në Azinë Juglindore, vdekjet duket se janë jashtëzakonisht të ulëta, të paktën deri tani. Por kjo nuk e hedh poshtë studimin e mësipërm: të dhënat e vdekjeve shtesë për Malajzinë dhe Tajlandën thuajse nuk janë rritur fare. Është e mundur që njerëzit në këto vende përfitojnë nga “ndër-imunitetet” – një nivel mbrojtjeje kundër sars-cov-2 i mundësuar nga infeksionet e kaluara nga viruse të tjerë që qarkullojnë në rajon. Për fat të keq, ka shenja që shifrat tani janë në rritje.
Vlerësimet globale të numrit të vdekjeve shtesë nga The Economist janë të parat në llojin e tyre. Ato nuk janë mënyra e vetme për të matur numrin e përgjithshëm të vdekjeve nga Covid-19. Më 6 maj, Instituti për Matjet dhe Vlerësimin e Shëndetit (IHME) në Universitetin e Uashingtonit publikoi rezultatet e një modeli më të thjeshtë. Kjo metodologji shpesh mundëson shifra që nuk përputhen me vdekjet shtesë të raportuara. Për shembull, IHME vlerëson se ka pasur 100,000 vdekje nga Covid-19 në Japoni, shumë më tepër sesa janë raportuar, por shifra e vdekjeve shtesë në vit deri në mars 2021 ishte 11,000.
Sidoqoftë, vlerësimet nuk mund të zëvendësojnë dot të dhënat, vëren Ariel Karlinsky, në Forumin Ekonomik Kohelet, një think-tank izraelit, i cili si udhëheqës i projektit World Mortality Dataset ka mbledhur shumë nga të dhënat e vdekshmërisë shtesë ku është mbështetur modeli i The Economist.
Vetëm duke ndjekur më mirë vdekshmërinë në vendet e varfra mund të përmirësohen vlerësimet e shkallës së vdekjes. Burimet e të dhënave duhet të organizohen në mënyrë të drejtë, jo vetëm për të nderuar të vdekurit dhe të vërtetën, por edhe sepse, pa një shifër kaq themelore, vlerësimet e ndikimeve të tjera – ekonomike, arsimore, kulturore ose në shëndetin e të mbijetuarve – janë të vështira për t’u kuptuar, ose për t’u krahasuar./Monitor
Është ndarë nga jeta mbrëmjen e së hënës (15 qershor) mjeku i njohur pediatër dhe neonatolog, Edi Tushe.
Lajmi i trishtë është bërë publik nga klinika ku ai ushtronte aktivitetin e tij, e cila i ka kushtuar një mesazh prekës në rrjetet sociale, duke e vlerësuar si një profesionist të shkëlqyer dhe një njeri me vlera.
“Sot tavolina e tij mbeti bosh. Stetoskopi heshti. Dera nuk do të hapet më për të pritur fëmijët që e donin aq shumë. Dhe zemrat tona mbetën me një plagë që nuk do të mbyllet kurrë plotësisht. Sa shumë njerëz ke ndihmuar. Sa shumë fëmijë ke shëruar. Sa shumë prindër ke qetësuar. Sa shumë dashuri ke lënë pas.”, shkruhet ndër të tjera në postim.
Doktor Edi Tushe është një prej figurave më të respektuara dhe pionier i shërbimit të kujdesit ndaj të porsalindurve dhe fëmijëve. Për dekada me radhë, me profesionalizëm, përkushtim dhe humanizëm të lartë, doktor Tushe u shndërrua në një emër të dashur dhe të besuar për mijëra familje dhe breza të tërë fëmijësh.
Postimi në Facebook
Për mikun tim, Dr. Edi Tushe
Sot po shkruaj me zemrën e copëtuar.
Ka ikje që të lënë pa frymë. Ka humbje që nuk pranohen dot. Dhe ka njerëz që janë aq të mirë, aq të dashur, aq të pazëvendësueshëm, sa duket e padrejtë që Zoti t’i thërrasë kaq heret pranë vetes.
Edi ishte njëri prej tyre.
Nuk po qaj vetëm një koleg. Nuk po qaj vetëm një mjek të shkëlqyer. Po qaj një mik të shtrenjtë, një njeri të rrallë, një shpirt të bukur që e bënte botën më të mirë vetëm me praninë e tij.
Sa herë e shihja në klinikë, më dukej sikur gjithçka bëhej më e lehtë. Kishte atë qetësinë e njerëzve të mirë, atë buzëqeshjen e butë që të jepte siguri, atë mirësinë që nuk kishte nevojë të fliste me zë të lartë për t’u ndjerë.
Sot tavolina e tij mbeti bosh.
Stetoskopi heshti.
Dera nuk do të hapet më për të pritur fëmijët që e donin aq shumë.
Dhe zemrat tona mbetën me një plagë që nuk do të mbyllet kurrë plotësisht.
Sa shumë njerëz ke ndihmuar.
Sa shumë fëmijë ke shëruar.
Sa shumë prindër ke qetësuar.
Sa shumë dashuri ke lënë pas.
Dhe ndërsa të gjithë flasin për mjekun e madh që ishe, unë dua të kujtoj njeriun e madh që ishe.
Njeriun që nuk i bëri kurrë keq askujt.
Njeriun që i trajtonte të gjithë me respekt.
Njeriun që nuk kurseu kurrë kohë, përkushtim apo zemër për ata që kishin nevojë.
Sot lotët nuk mjaftojnë për të shprehur dhimbjen.
Sepse kur largohet një njeri si ti, nuk humbet vetëm familja, nuk humbasin vetëm miqtë.
Humbet një copëz e bukur e kësaj bote.
Lamtumirë, miku im.
Lamtumirë, shoku im.
Lamtumirë, kolegu im i dashur.
Por bashkë me dhimbjen do të jetojë edhe mirënjohja që patëm fatin e madh të të kishim në jetën tonë.
U prehsh në paqe, Edi.
Ti nuk je më mes nesh, por do të jetosh përgjithmonë në zemrat tona.
Sot qielli fitoi një engjëll, ndërsa ne humbëm një njeri të pazëvendësueshëm.
Gazetari Osman Stafa ka demaskuar propagandën e ministres së Shëndetësisë Evis Sala për të mbuluar një realitet tragjik që pacientët me kancer përballen në QSUT, e jo vetëm
I ftuar sot në ‘Kafe Shqeto’ gazetari Stafa tregon për akseleratorin e ri në spitalin Onkologjik në QSUT, një pajisje jetike për trajtimin e kancerit. Ndonëse i ardhur prej pesë muajsh, akseleratori nuk është vënë në punë për shkak të burokracive. Edhe inaugurimi i tij nga Ministria ishte një shfaqje propagandistike. Ndërsa ministrja prezantoi me video trajtimin e pacientit të parë ditën e hënë, dokumentet zyrtare tregojnë se trajtimi i parë është kryer fshehurazi ditën e mërkurë, pas denoncimeve publike dhe nga personel që nuk ishte i trajnuar për përdorimin e pajisjes së re.
Sfata ka një apel dhe për qytetarët të ngrenë zërin sepse nëse sot ata nuk po përballen me spitalet por janë të tjerë, nesër do jenë ata apo familjarët e tyre që do përballen
Gazetari Osman Stafa
Situata në onkologji është dramatike. Pacientet me kancer nuk marrin dot shërbimin e brakiterapisë, një procedurë thelbësore që përmbyll ciklin e trajtimit, duke i lënë ato të rrezikuara nga rikthimi i sëmundjes. Mungesa e këtij shërbimi, është një “dënim me vdekje”, pasi shumë gra nuk kanë mundësi financiare ta kryejnë jashtë vendit, ndërkohë që shteti nuk ofron asnjë rimbursim.
Ka ardhur një akselerator Linear 3 dhe ka bërë shumë mirë që e kanë sjellë, është një lajm shumë i mirë, sepse e kam, kam tre vite që e them që Shqipëria do të duhet të ketë katër ose pesë akseleratorë në mënyrë që të përballojë të gjithë pacientët të cilët vuajnë nga kanceri për të bërë rrezet e jashtme.
Se çfarë bëjnë pacientët me ata dy që kishim ne? Prishej njëri, dhe një terapi rrezeje që duhej të shkojë 28 ditë, shkonte tre muaj
Akselatori I ri ka ardhur më 11 dhjetor 2025. Pra, gati pesë muaj edhe nuk u vendos në punë. Del ministrja të hënën, shkon në QSUT, pas dreke, se thotë aty s’ka radhë. E shiko sa bukur e kemi bërë, por pas dreke aty numri bie. Të shkojë ministrja në orën 8:00, në orën 9:00 aty. Të shkojë aty, ta shikojë dhe ta filmojë. Filmimet që u regjistruan të hënën, jepen të mërkurën. Dhe thotë aty pacienti i parë e të tjerë e të tjerë. Burimet e mia, 100% të besueshme brenda atij spitali, më thonë, jo, nuk ka pacient të pare.
I kam çuar dhe kërkesë për informacion Drejtorisë së QSUT-së, sepse do e pres atë përgjigje dhe në varësi të atyre përgjigjeve, dhe sido që të jetë, çështja mund të shkojë në prokurori. Sepse po gënjejnë. Sepse po mashtrojnë dhe unë nuk di a është e duhur pajisja për të bërë rrezatimin apo jo?
Nuk ka pacient të hënën kur ka qenë ministrja. Është gënjeshtra e parë, është propagandë. Ti po mashtron publikisht. Duhet të mbash përgjegjësi. Si mundet një ministre e cila vjen nga një eksperiencë ndërkombëtare me tituj, me një eksperiencë që ka qenë e fushës, profesioniste e të tjerë dhe të gënjejë në këtë formë.
Ja është, unë e kam dokumentin zyrtar këtu. Kam emrin e pacientes e të tjerë dhe e shkruajtur dhe këtu. Shiko. Di çdo gjë çfarë ndodh aty brenda dhe prandaj dal dhe flas dhe mund të përballem me ta në çdo moment. Por duhet t’ju vijë turp për këtë gjënë që kanë bërë. Sepse është mashtrim dhe është e shëmtuar. Pra, një, një i njëjti person dhe e njëjta ministre për të cilën thonë që brakiterapia do vijë. Kur do vijë, se ke gra që vuajnë nga kanceri gjinekologjik sot.
A nuk mundet kryeministri që të krijojë një linjë të caktuar për këto gra të cilat vuajnë nga kanceri për të bërë brakiterapinë?
Flavio Qarri: Ti po thua që në Shqipëri kanceri, është dënim me vdekje me këtë shërbim që ofrohet?
Osman Stafa: Në mungesë të brakiterapisë, është dënim me vdekje. Në mungesë të medikamenteve, është dënim me vdekje. Në mungesë të PET-scanit, është dënim me vdekje. Ministrja e di fare mire. Ajo e di se çfarë është brakiterapia. Ajo e di rezultatin dhe efektshmërinë që ka ky lloj trajtimi. Në qoftë se nuk bëhet, ajo e di që sëmundja rikthehet te gratë.
Pastaj për PET-scani. Mjekët e spitalit onkologjik, në mungesë të PET-scanit, i thonë pacientëve bëni rezonancë magnetike ose skaner të zakonshëm. Nuk e zëvendësojnë PET-scanin. Pra, atë që bën PET-scani nuk e bën dot as skaneri i zakonshëm, as rezonanca magnetike. Skaneri, PET-scani të ndihmon ty që të kuptosh a janë aktive qelizat kancerogjene, a ka metastaza, edhe ato të fshehurat e mundshme që ti sëmundja mund të ketë në trupin tënd. Nuk i bën dot as, as skaneri i zakonshëm, as rezonanca magnetike. Dhe prandaj u mbetet pacientëve të marrin avionin, ata që kanë lekë gjithmonë e ata që s’kanë lekë vëlla e kanë të mbyllur. Do rrinë në shtëpi. Do bëjnë një skaner të zakonshëm ose një rezonancë magnetike dhe me atë do ecë trajtimi i tyre. Por protokolli nuk e thotë kështu. Është shpikur në 2000, PET-scani dhe akoma nuk është në Shqipëri.
Kosova ka tre PET-scan, ka brakiterapi. Ka 100 poltrona Kosova.
Janë këto realitete të frikshme, tragjedi të shoqërisë shqiptare. Ndërkohë, pikërisht në këtë, nga njëra anë kemi këtë panoramë tragjike, nga ana tjetër kemi këtë përpjekjen e dëshpëruar të Evis Salës, e cila vetë si emërim ishte një emërim propagande, pra sollëm një profesioniste nga jashtë.
Ministrja kur erdhi tentoi të bëjë njerëzoren dhe eci në ato hapat që ishin normal dhe të sinqertë. Sa tha që këtu nuk bëhen analiza 10 ditët e fundit të muajit, doli ministria dy, tre orë më vonë dhe tha, jo, thotë, nuk është e vërtetë. Kur unë kam tre vite, katër vite që them ditë për ditë që ore, 10 ditët e fundit të muajit dhe e kam me prova unë, jo me deklarata, burime e të tjerë, e kam me prova, me fakte.
Del ministrja pastaj, ndryshon totalisht. Aty ndryshoi totalisht. Është pika e kthesës që tashmë nuk është më një mjeke, por është thjesht një person politik, propagandues, e cila mendon se me gënjeshtra, me propagandë do bëjë shëndetësinë.
E di çfarë ndodh? Ministrja mendon se duke pasur një shumicë mediash që i bëjnë lajmet për akselatorin tre pa pikën e verifikimit mendon se do gënjejë gjithë shqiptarët. Po janë njerëzit të cilët shkojnë nëpër spitale, pacientët, familjarët e tyre që shikojnë të vërtetën. Pra, janë ata që shkojnë te Onkologjiku. Se thotë ministrja, s’ka ilaçe. Do t’ia nxjerr unë katër ilaçe tani që mungojnë. Në Elbasan mungon Goserelina për pacientët të cilët vuajnë nga prostata, nga kanceri i prostatës.
Nuk është qëllimi i tyre me zgjidh situatën. Qëllimi i tyre është me i fsheh, me i zhduk skandalet në shëndetësi. Nuk ka zgjidhje, mo. Thjesht i fusin poshtë tapetit aty
Mos mashtroni sepse është gjëja më e turpshme që është duke, është duke ndodhur. Pa brakiterapi, pa PET-scan, pa ilaçe, do jua numëroj, se do jua nxjerr edhe ilaçet që mungojnë. Jo vetëm në Tiranë, por edhe në, edhe në rrethe. Pa poltrona. Pa ato shiringat elektrike. Pastaj, trombektomi jo, po lente jo, me mungesa që lidhen me vigonat, me mungesa të alkoolit.
Ore, reagoni për këtë. Reagoni të paktën për shëndetësinë, për shëndetin tuaj se nesër pastaj do e paguani ju, familjarët tuaj, fëmijët tuaj, gjyshërit tuaj, të gjithë, e gjithë ne me radhë, mo. E na ruajt Zoti, unë e them, sidomos për këtë trombektominë, e arteriografinë, na ruajt Zoti, se po na ra Flavio, shans ne nuk kemi.
Ministria franceze e Shëndetësisë njoftoi sot (13 maj) se 22 francezët e identifikuar si kontakte të pasagjerit holandez në anijen turistike MV Hondius, i cili vdiq nga koronavirusi, po trajtohen gjithashtu në spitale.
Tetë francezët që u nisën me avion më 25 prill nga ishulli i Shën Helenës për në Johanesburg me fluturimin në të cilin ndodhej edhe gruaja holandeze e prekur, “mbeten të gjithë në spitale në Paris”.
Përveç kësaj, 14 kontakte të së njëjtës grua në fluturimin Johanesburg-Amsterdam, në të cilin ajo hipi për pak kohë, mbeten në spitale “në qytete të ndryshme në Francë”, sqaroi ministria.
Dje të martën, Ministrja Franceze e Shëndetësisë, Stephanie Rist, përsëriti gjatë një konference për shtyp se të gjitha kontaktet pritet të qëndrojnë në spital për të paktën “14 ditë”.
Grupi i parë përfshin tre adoleshentë që udhëtonin me prindërit e tyre. Të gjithë ata mbeten në spitalin Pitié Salpêtrière në Paris, tha Xavier Leskier, një specialist i sëmundjeve infektive në spitalin Bichat.
“Ata do të testohen sot”, tha Philippe Bechet, një zëdhënës i federatës kryesore të farmacistëve francezë (FSPF), pas një takimi midis ministrit francez të shëndetësisë dhe sindikatave të infermierëve dhe farmacistëve.
Ndërkohë, qeveria franceze po përgatitet të shpallë një “protokoll për kontaktet” e këtyre personave, shtoi ai.
Përveç kësaj, pesë francezët që ishin në anijen turistike MV Hondius janë në spitalin Bichat nën vëzhgim të ngushtë. Prej tyre, vetëm një grua ka rezultuar pozitive për koronavirusin.
“Ata duhet të testohen rregullisht” bazuar në protokollin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), “ne kryejmë teste çdo dy ditë”, tha për franceinfo Yazdan Yazdapanah, një specialist i sëmundjeve infektive në spitalin Bichat-Claude-Bernard.
“Shpresoj të mos rezultojnë pozitivë”, shtoi ai, duke shpjeguar se edhe në atë rast “këta njerëz janë tashmë në izolim”.
Francezja e sëmurë, një grua mbi 65 vjeç që u kthye në Francë me katër bashkatdhetarë të tjerë në një fluturim special gjatë fundjavës, mbetet e shtruar në spital në një njësi të kujdesit intensiv në Bichat në gjendje të rëndë.
Hantavirusi është kruyefjala e ditëve të fundit, ku frika për një përhapje të gjerë të infektimeve është ndikuar edhe nga ajo që ndodhi me koronavirusin që u kthe në pandemi, edhe pse në rstin konkret ekspertët shprehen se kjo nuk ka shanse të ndodhë.
Ky virus ka një shkallë të lartë vdekshmërie, megjithatë mbijetesa ndaj infeksionit hantavirus nuk do të thotë gjithmonë një kthim i menjëhershëm në gjendjen e mëparshme shëndetësore. Të dhënat e reja nga Kili tregojnë se pacientët e infektuar me llojin e Andeve vazhduan të raportonin simptoma 3 deri në 6 muaj pas gjatë fazës së rikuperimit.
Interesi është rritur ndjeshëm pas rasteve të fundit të lidhura me anijen turistike MV Hondius. Kujtojmë se ky është virusi i Andeve, i cili zbulohet kryesisht në kontinentin (e Amerikës së Jugut).
Dy faktorë e bëjnë menaxhimin e tij sfidues: periudha e inkubacionit mund të jetë deri në tetë javë dhe nuk ka ilaç ose vaksinë antivirale.
Kur infeksioni nga virusi i Andeve përparon në sindromën kardiopulmonare të hantavirusit (HCPS), ai mund të shkaktojë barrë të rëndë respiratore dhe kardiovaskulare. Në këto raste, kujdesi intensiv në kohë bëhet kritik, pasi shkalla e vdekshmërisë është e lartë.
Nuk konsiderohet një kërcënim i tipit COVID-19
Hantavirusi – dhe në këtë rast lloji i Andeve – nuk është i ri për komunitetin shkencor. Prej vitesh dihet se ku është endemik, si transmetohet dhe çfarë pamjeje klinike mund të shkaktojë.
Kjo është arsyeja pse Organizata Botërore e Shëndetësisë ka theksuar se nuk ka prova që ajo mund të zhvillohet në një pandemi të ngjashme me COVID-19.
Megjithatë, përvoja që kemi pasur me koronavirusin në të kaluarën e afërt ka ndryshuar mënyrën se si vlerësohen infeksionet. Pyetja ka të bëjë jo vetëm me fazën akute, por edhe me rrjedhën e pacientëve pas shtrimit në spital.
Studiuesit në Pontificia Universidad Católica de Chile ndoqën 21 të mbijetuar nga infeksioni i virusit të Andeve për 3 deri në 6 muaj. Pacientët u ndanë sipas ashpërsisë së sëmundjes së tyre dhe nëse kishin nevojë për oksigjenim membranor ekstrakorporal, një metodë mbështetjeje që përdoret kur mushkëritë ose zemra dështojnë.
Qëllimi ishte të vlerësoheshin simptomat, funksionimi dhe cilësia e jetës së tyre pas fazës akute.
Ekipi përshkruan se të gjithë 21 pjesëmarrësit përjetuan të paktën një simptomë gjatë periudhës së ndjekjes. Më shumë se 60% thanë se nuk ishin shëruar plotësisht. Mesatarisht, çdo pacient raportoi rreth 11 deri në 12 simptoma. Këto përfshinin lodhje, pagjumësi, ankth, probleme me kujtesën, rënie flokësh, ankthe, çrregullime shqisore dhe vështirësi në lëvizje.
Në rastet më të rënda, problemet me lëvizjen dhe takikardia u identifikuan më shpesh. Megjithatë, shqetësimi i vazhdueshëm u regjistrua edhe tek pacientët që nuk kishin pasur nevojë për oksigjenim membranor ekstrakorporal, duke treguar se shërimi i zgjatur nuk shoqërohet vetëm me kujdes intensiv.
Ndjekje e pamjaftueshme pas daljes nga spitali
Qasja në shërbimet e rehabilitimit nuk ishte e njëjtë për të gjithë. Pacientët me gjendje klinike më të rënda, veçanërisht ata që i nënshtroheshin oksigjenimit me membranë ekstrakorporale, merrnin më shpesh fizioterapi ose mbështetje tjetër.
Në të kundërt, midis të mbijetuarve që nuk kishin nevojë për oksigjenim me membranë ekstrakorporale, vetëm 30% e kishin marrë një kujdes të tillë pas daljes nga spitali.
Shumë prej tyre u përpoqën t’i menaxhonin vetë simptomat e tyre, kryesisht me qetësues dhimbjesh, pilula gjumi dhe vitamina. Vetë-mjekimi ishte veçanërisht i zakonshëm midis atyre që nuk kishin nevojë për oksigjenim me membranë ekstrakorporale.
Vështirësi për t’u rikthyer në jetën e përditshme
Gjetjet treguan se gati 1 në 5 nuk ishin kthyer në punë ose shkollë gjashtë muaj pasi ishin sëmurë. Ndër ata që u kthyen, koha mesatare ishte 3.5 muaj. Shumë prej tyre raportuan performancë të reduktuar, pa ndonjë diferencim të qartë në varësi të ashpërsisë së infeksionit fillestar.
Studimi regjistroi gjithashtu ndikime sociale. Në grupin e pacientëve që kishin nevojë për oksigjenim membranor ekstrakorporal, 45.5% përjetuan stigmatizim në shkollë ose në vendin e punës për shkak të frikës nga të tjerët për sëmundjen. bw
Forcat e Armatosura të Britanisë së Madhe zhvilluan një operacion të rrallë në një nga zonat më të izoluara të botës, për t’i ardhur në ndihmë një shtetasi britanik me simptoma të dyshuara të hantavirusit.
Ngjarja ndodhi në ishullin Tristan da Cunha, në Oqeanin Atlantik Jugor.
Parashutistë dhe staf mjekësor u hodhën nga avioni
Sipas ushtrisë britanike, gjashtë parashutistë, një këshilltar i RAF dhe një infermiere ushtarake u dërguan me një mision special drejt ishullit.
Ata u hodhën me parashutë nga një avion ushtarak për të ofruar ndihmë mjekësore për pacientin britanik, i cili kishte shfaqur simptoma të ngjashme me hantavirusin.
Në videot që po qarkullojnë në internet shihet momenti kur ekipi hidhet nga rampa e hapur e avionit ushtarak.
U transportuan pajisje mjekësore dhe oksigjen
Ekipi mbërriti në ishull duke transportuar pajisje mjekësore, oksigjen dhe ndihma humanitare për pacientin.
Operacioni u realizua me avionin ushtarak RAF A400M, i cili u nis nga baza RAF Brize Norton dhe bëri ndalesë në Ascension Island.
Misioni u mbështet gjithashtu nga një avion furnizimi RAF Voyager.
Ishulli konsiderohet një nga më të izoluarit në botë
Tristan da Cunha ndodhet në Atlantikun Jugor dhe konsiderohet një nga vendet më të largëta dhe më të izoluara të banuara në botë, gjë që e bëri operacionin edhe më të vështirë. Panorama
Eksperti i shëndetit publik, Erion Dasho, ka ngritur shqetësimin se hantavirusi është i pranishëm në Shqipëri. Sipas Dashos, hantaviruset përbëjnë një familje të madhe virusesh me pasoja të ndryshme klinike te njeriu. Ai shpjegon se lloji i njohur si “hantavirusi i Andeve” ka qarkulluar kryesisht në Amerikën e Jugut dhe karakterizohet nga transmetimi fillestar nga brejtësit te njeriu, por në raste të caktuara mund të kalojë edhe nga njeriu te njeriu.
“Kjo nuk është diçka e re, është konstatuar prej më shumë se 10 vitesh në Kili dhe Argjentinë, ku pacientët kanë infektuar edhe mjekët që nuk kanë respektuar masat mbrojtëse”, tha ai.
Dasho thekson se rastet në Shqipëri janë sporadike dhe shumë të rralla. Sipas tij, në vend ka pasur një shpërthim në vitet ’80, ndërsa aktualisht shumica e rasteve kalojnë si viroza të zakonshme. Megjithatë, ai paralajmëron se në rastet me komplikacione, hantavirusi mund të jeyë agresiv dhe të kenë vdekshmëri më të lartë krahasuar me vende të tjera europiane.
Sipas ekspertit, një nga burimet kryesore të infektimit është kontakti me brejtësit, veçanërisht minjtë e arave, si dhe me jashtëqitjet dhe urinën e tyre. Kur këto thahen dhe kthehen në pluhur, grimcat mund të thithen përmes rrugëve të frymëmarrjes. Ai shton se mënyra të tjera infektimi përfshijnë edhe kafshimin e brejtësve ose konsumimin e ushqimit të kontaminuar prej tyre.
“Hantaviruset janë një familje e madhe virusesh me pasoja të ndryshme klinike te njeriu. Hantvirusi në fjalë njihet si i Andeve sepse ka qarkulluar lirisht në Amerikën Jugore. Karakteristika e hantaviruseve janë kalimi nga brejtësit te njeriu. Hantavirusi i Andeve ka edhe mundësinë e kalimit nga njeriu te njeriu. Kjo nuk është diçka e re, ka më shumë se 10 vite që është konstatuar në Kili dhe Argjentinë, zona ku ai qarkullon. Pacientët kanë infektuar mjekët që janë kujdesur pa respektuar masat.
Rastet në Shqipëri janë sporadike, numërohen me gishtat e dorës. Ka pasur një shpërthim në vitet ’80, por momentalisht janë shumë të rralla. Shumica e rasteve kalojnë si një virozë e zakonshme. Por në rastet me komplikacione, variantet që transmetohen në Shqipëri janë agresive dhe kanë një vdekshmëri më të lartë në krahasim me hantaviruset që janë në Gjermani apo vende të tjera.
Fati i keq i Ballkanit është që hantavirusi që prek minjtë e vegjël të arave, që ka një shenjë të verdhë në qafë dhe njihet edhe si miu i verdhë i arave, bëhet bartës i hantavirusit të Beogradit dhe ka një shkallë vdekshmërie të lartë kur komplikohet me komplikacione pulmonare. Ky virus e ka prekur Shqipërinë, është aktiv prej disa dekadash.
Varet vetëm nëse qytetarët kanë kontakt me jashtëqitjen dhe urinën e minjve. Kur ato nuk pastrohen dhe thahen, më pas kthehen në pluhur dhe grimcat mund të merren nëpërmjet rrugëve të frymëmarrjes. Variantet e tjera janë nga kafshimi i brejtësve ose kur jashtëqitjet e tyre kontaminojnë ushqimin”, tha ai.
Kreu i OBSH-së ka reaguar pas alarmit të ngritur për frikën e rrezikut të hantavirusit.
Në një letër, e cila është bërë publike, drejtuar banorëve të Tenerifes, Tedros Adhanom Ghebreyesus i siguron se hantavirusi nuk ka të bëjë me COVID-19.
“E di që jeni të shqetësuar. E di që kur dëgjoni fjalën ‘shpërthim’ dhe shikoni një anije që lundron drejt brigjeve tuaja, shfaqen kujtime që asnjëri prej nesh nuk i ka harruar plotësisht. Dhimbja e vitit 2020 është ende reale dhe unë nuk e shpërfill atë për asnjë moment”, shtoi ai.
Shefi i OBSH-së theksoi se rreziku aktual i shëndetit publik nga virusi “mbetet i ulët”.
“Ky është vlerësimi i OBSH-së dhe ne nuk e bëjmë atë lehtë”, shtoi Ghebreyesus. BW
Gjinekologia Xhensila Omeri, e ftuar në emisionin “News24 Fundjavë” me moderatoren Megi Latifi, ka ngritur alarmin për përhapjen në rritje të sëmundjeve seksualisht të transmetueshme, sidomos HIV-AIDS.
Sipas saj, një nga problemet më shqetësuese është fakti që shumë persona diagnostikohen pas viteve të gjata nga infektimi, madje edhe pas një dekade, duke rritur ndjeshëm rrezikun e përhapjes tek të tjerët gjatë kësaj periudhe.
Omeri theksoi se trendi i infektimeve është në rritje, ndërsa shpesh rastet zbulohen jo nga kontrolle rutinë, por vetëm pasi pacientët shfaqin komplikacione të avancuara.
Një tjetër fenomen që, sipas saj, ndikon në përhapjen e këtyre sëmundjeve është edhe turizmi seksual.
“Sëmundje seksualisht të transmetueshme quhen epidemia e heshtur. Ka persona që diagnostikohen pasi kanë 10 vite të diagnostikuar, çka shton riskun për infektimin e personave të tjerë gjatë kësaj kohe. Trendi i infektimeve është rritës, Më shumë se numrat shqetësues është fakti që diagnostikohen jo nga një check up rastësor por problemeve që shfaqen nga infektimi me HIV prej vitesh. Meshkujt janë 3.5 herë më shumë në numër të infektuar, një nga arsyet janë marrëdhëniet homoseksuale. Nga ana tjetër meshkujt kanë më shumë partnerë se femrat dhe nuk përdorin edhe masa mbrojtëse si prezervativi. Një nga indikatorët është edhe turizmi seksual, ka vajza që vijnë të punojnë dhe ofrojnë shërbime seksuale në vendin tonë. Kjo është evidente, kam edhe paciente të tilla që ndiqen me analiza dhe kontrolle”, tha ajo.
Mjekja apeloi për rritjen e ndërgjegjësimit, kryerjen e kontrolleve periodike dhe përdorimin e masave mbrojtëse, si mënyra kryesore për të frenuar përhapjen e infeksioneve seksualisht të transmetueshme. bw
Një studim i ri ndërkombëtar ka nxjerrë në pah barrën e rëndë që vazhdon të ketë meningjiti në nivel global, duke shkaktuar mbi 250 mijë vdekje çdo vit, ku më shumë se një e treta e të cilave janë fëmijë, kryesisht në Afrikë.
Sipas kërkimit të publikuar në The Lancet Neurology, në vitin 2023 u regjistruan rreth 2.54 milion raste dhe 259 mijë vdekje nga kjo sëmundje. Autorët e studimit theksojnë se këto janë vlerësimet më të plota deri më sot, bazuar në analizën e 17 patogjenëve të ndryshëm.
Megjithatë, shifrat mbeten me një shkallë pasigurie: ekspertët vlerësojnë se numri i vdekjeve mund të variojë nga 202 mijë deri në 335 mijë, ndërsa rastet nga 2.2 deri në 2.93 milion në vit.
Meningjiti është një inflamacion i membranave që rrethojnë trurin dhe palcën kurrizore, i shkaktuar nga viruse, baktere apo kërpudha. Forma bakteriale konsiderohet më e rrezikshmja, pasi mund të jetë fatale brenda 24 orëve nëse nuk trajtohet menjëherë.
Studimi vjen në një kohë kur një shpërthim i fundit në Britania e Madhe shkaktoi dy viktima nga 22 raste të infeksionit invaziv meningokokal B. Autoritetet shëndetësore reaguan me një fushatë të gjerë, duke administruar rreth 11 mijë vaksina dhe 14 mijë doza antibiotikësh.
Ekspertët theksojnë se, megjithëse që nga viti 2000 vaksinimi global ka ndihmuar në uljen e rasteve dhe vdekjeve, progresi është më i ngadaltë krahasuar me sëmundje të tjera infektive.
Rajonet më të prekura mbeten vendet e varfra në të ashtuquajturin “rripi afrikan i meningjitit”, nga Senegali deri në Etiopia. Vendet si Nigeria, Çadi dhe Nigeri raportojnë nivelet më të larta të infeksionit dhe vdekshmërisë.
Faktorët kryesorë të rrezikut për përfundime fatale përfshijnë lindjen e parakohshme, peshën e ulët në lindje dhe ndotjen e ajrit, sipas studimit.
Sipas objektivave të Organizata Botërore e Shëndetësisë, synohet një ulje me 50% e rasteve dhe 70% e vdekjeve nga meningjiti deri në vitin 2030, krahasuar me nivelet e vitit 2015. Por shkencëtarët paralajmërojnë se ritmi aktual i përmirësimit është rreth gjysma e asaj që kërkohet për të arritur këto objektiva.
Ata nënvizojnë gjithashtu se në shumë vende, sidomos atje ku sistemet shëndetësore janë të dobëta, një pjesë e madhe e rasteve dhe vdekjeve nga meningjiti mbeten të paraportuara, duke e bërë edhe më të vështirë luftën ndaj kësaj sëmundjeje. bw
Kina ka miratuar implantin e parë në tru të projektuar për të ndihmuar njerëzit me paralizë të rifitojnë lëvizjen e duarve, duke shënuar autorizimin e parë komercial në botë për një pajisje të tillë. Pajisja u zhvillua nga kompania kineze Neuracle Medical Technology dhe përdor një ndërlidhje tru-kompjuter (BCI).
BCI-të lidhin sistemin nervor të një personi me pajisje të afta për të interpretuar aktivitetin e trurit të tyre, duke i lejuar ata të veprojnë, siç është përdorimi i një kompjuteri ose lëvizja e një dore protetike, me anë të forcës së mendimit të tyre.
Sistemi Neuracle është i destinuar për njerëzit që kanë paralizë të shkaktuar nga dëmtime serioze të palcës kurrizore në qafë. Këto dëmtime mund të pengojnë sinjalet e trurit të arrijnë në krahë dhe duar.
Sistemi funksionon duke zbuluar sinjale të trurit të lidhura me qëllimin për të lëvizur dorën. Këto sinjale më pas përkthehen nga softueri dhe dërgohen në një dorezë robotike që mban pacienti. Doreza përdor lëvizje me ajër për të ndihmuar dorën të hapet dhe mbyllet, duke i lejuar përdoruesit të kapë objekte, sipas CGTN.
Jo të gjithë pacientët janë të përshtatshëm për ta përdorur pajisjen. Sipas mediave shtetërore kineze, ajo është menduar për të rriturit midis moshës 18 dhe 60 vjeç që kanë pasur paralizë për më shumë se një vit dhe gjendja e të cilëve ka mbetur e qëndrueshme për të paktën gjashtë muaj. Pajisja është projektuar për njerëzit që nuk mund të kapin objekte me duar, por që ende ruajnë njëfarë lëvizjeje në pjesën e sipërme të krahëve.
Kina ka rritur investimet e saj në teknologjinë e ndërfaqes tru-kompjuter vitet e fundit. Vendi kohët e fundit e ka përfshirë teknologjinë BCI si një përparësi strategjike kombëtare dhe planifikon ta përfshijë atë në planifikimin e ardhshëm ekonomik të vendit si një nxitës të mundshëm të rritjes së ardhshme.
Zhvillimi vjen në një kohë kur kompanitë në të gjithë botën po garojnë për të sjellë teknologji të ngjashme në treg. Vitin e kaluar, një tjetër ndërfaqe tru-kompjuter e zhvilluar nga kompania kineze Shanghai NeuroXess tërhoqi vëmendjen ndërkombëtare pasi një burrë 28-vjeçar, i cili kishte qenë i paralizuar për tetë vjet pas një dëmtimi të rëndë të palcës kurrizore, ishte në gjendje të kontrollonte pajisjet dixhitale duke përdorur mendimet e tij pesë ditë pasi mori implantin në Kinë.
Ndërkohë, Elon Musk tha së fundmi në një postim në X se kompania e tij e implanteve të trurit Neuralink, e cila filloi provat në njerëz në vitin 2024, do të fillojë “prodhimin me vëllim të lartë” të pajisjeve BCI në vitin 2026. Neuralink tha në shtator të vitit të kaluar se 12 persona në mbarë botën me paralizë të rëndë kanë marrë implantet në tru dhe po i përdorin ato për të kontrolluar mjetet dixhitale dhe fizike përmes mendimit. bw
Në dekadat e fundit, përdorimi i substancave psikoaktive tek të rinjtë është kthyer në një nga sfidat më serioze për shëndetin publik dhe stabilitetin social. Ky fenomen nuk përfaqëson vetëm një problem individual, por një krizë komplekse që përfshin dimensione biologjike, psikiatrike, sociale
Një tru në zhvillim dhe një rrezik i lartë
Adoleshenca është një periudhë kritike e zhvillimit të trurit. Korteksi prefrontal, që kontrollon vendimmarrjen dhe impulset, nuk është plotësisht i zhvilluar. Ndërkohë, sistemi i shpërblimit (dopaminergjik) është shumë aktiv. Kjo krijon një disbalancë që i bën të rinjtë më të prirur drejt sjelljeve të rrezikshme, përfshirë përdorimin e drogës.
Substancat psikoaktive ndërhyjnë drejtpërdrejt në këtë ekuilibër, duke rritur artificialisht dopaminën dhe duke ulur serotoninën, çka çon në varësi dhe humbje të kontrollit.
Pasojat psikiatrike
Përdorimi i drogës lidhet ngushtë me një sërë çrregullimesh psikiatrike:Depresioni i rëndë
Psikoza e induktuar nga substancat
Çrregullime të personalitetit
Në shumë raste, të rinjtë përjetojnë një shkëputje nga realiteti, duke humbur aftësinë për të ndërtuar një të ardhme të qëndrueshme. Kjo gjendje shpesh shoqërohet me izolim social dhe ndjenjë boshllëku ekzistencial.
Rreziku i vetëvrasjes
Një nga pasojat më tragjike është rritja e rrezikut për vetëvrasje. Kombinimi i depresionit, impulsivitetit dhe humbjes së kuptimit të jetës krijon një terren të rrezikshëm. Studimet tregojnë se përdoruesit e drogës kanë një probabilitet shumë më të lartë për tentativa vetëvrasjeje krahasuar me popullatën e përgjithshme.
Ndikimi në shoqëri dhe kriminalitet
Efektet e drogës nuk kufizohen vetëm tek individi. Ato përhapen në të gjithë strukturën shoqërore:
Rritje e kriminalitetit (vjedhje, trafikim, dhunë)
Shkatërrim i marrëdhënieve familjare
Margjinalizim dhe përjashtim social
Kosto të larta për sistemin shëndetësor dhe juridik
Në veçanti, tregjet ilegale të drogës janë të lidhura me forma të organizuara të krimit dhe dhunës sistemike.
Një krizë e heshtur e shoqërisë moderne
Shumë studiues e konsiderojnë këtë fenomen si një “epidemi moderne”, ku faktorët psikologjikë, ekonomikë dhe kulturorë bashkëveprojnë. Ndjenja e pasigurisë, mungesa e perspektivës dhe presioni social i shtyjnë të rinjtë drejt përdorimit të substancave si një formë arratisjeje nga realiteti.
Diagramë ilustrative Përdorimi i drogës tek të rinjtë
→PËRDORIMI I DROGËS TEK TË RINJTË ──────────── NDRYSHIME NEUROKIMIKE
Dopamina ↑ | Serotonina ↓
▼┌─────────────
ÇRREGULLIME TË TRURIT
• Kontrolli i impulsit ↓
• Emocione të paqëndrueshme • Varësi
Izolim
• Braktisje e shkollës
• Varfëri dhe marginalizim │ └────────────
▼
KRIMINALITET DHE DHUNË
• Vjedhje
• Trafik droge
• Agresion └──
PASOJAT FINALE
Humbje e realitetit
• Humbje e së ardhmes
• Rrezik për vetëvrasje ↑ └───────────
Pasojat Psikiatrike: Depresioni, Ankthi, Psikoza, Çrregullime personaliteti
Rreziku i Vetëvrasjes: Impulsivitet, Humbje kuptimi, Probabilitet më lartë për tentativa
Ndikimi në Shoqëri dhe Kriminalitet: Rritje kriminaliteti, Shkatërrim marrëdhëniesh, Margjinalizim, Kosto të larta për sistemin Përfundim Rënia e të rinjve në drogë është një problem kompleks që kërkon një qasje multidisiplinare. Parandalimi, edukimi dhe ndërhyrjet e hershme janë thelbësore për të mbrojtur brezat e ardhshëm. Nëse nuk trajtohet me seriozitet, ky fenomen rrezikon të transformojë thellësisht strukturën psikologjike dhe sociale të shoqërisë.
Shoqëria nuk mund të qëndrojë indiferente përballë një krize që prek jo vetëm individin, por të ardhmen kolektive.
Komentet