Prokuroria e Tiranës u ka drejtuar kërkesa për informacion dhe dokumentacion disa institucioneve dhe palëve të përfshira në procedurat e tenderit për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës.
Sipas burime pranë organit hetues të kryeqytetit, janë disa situacione, që ngrenë dyshime për fonde të fryra dhe rezultate të dobëta në kryerjen e ndërtimit të veprës. Indicia është marrë mbi denoncime por edhe problematika që janë vërejtur në pjesën e ngritur të infrastrukturës, përfshirë edhe përmbytjet si pasojë e reshjeve.
Efekt që u konstatua gjatë vjeshtës së kaluar në një kohë kur Kryeministri Edi Rama dhe zv.kryeministrja Belinda Balluku e kishin inauguruar me bujë certifikimin në prag të zgjedhjeve të 11 majit.
Kjo ka ngjallur dyshime për punime jo cilësore, në raport me bilancet financiare që kapin vlerën e miliona eurove.
Sipas të njëjtave burime, prokurori Ndini Tavani është duke kryer veprime të ndryshme hetimore, për të dokumentuar problematika që mund të çojnë në evidentimit të shkeljeve ligjore.
Lidhur me aeroportin e Vlorës, Gjykata e Apelit me Juridiksion të Përgjithshëm Tiranë, më 24 dhjetor hoqi pjesërisht masën e sekuestros preventive, e vënë më 17 tetor nisur nga një hetim që u regjistrua mbi përplasjen e aksionerëve./