VOAL

VOAL

“SHËNIMET E GJON NIKOLLË KAZAZIT” në Panairin e Librit në Paris

March 15, 2019

Komentet

ARTI I SINTEZAVE JETIKE- Nga Meti REXHEPI

          Meti REXHEPI:

      Prend BUZHALA: ANA TJETËR E JETËS (Poezi), LENA, Prishtinë, 2026

 

Libri poetik “ANA TJETËR E JETËS” i autorit Prend BUZHALA, sipas renditjes së deritashme bibliografike është i tridhjetë e një (31) në radhën e botimeve të vëllimeve të tija poetike. Publikimi i radhës paraqet një fond të dukshëm sasior, që pa dyshim shkrimtarin BUZHALA e radhit te më të frytshmit poetë, i cili si në sasi edhe në cilësi e begatoi poezinë shqipe. Mirëpo, kjo është njëra nga veçantitë jetësore të kultivimit të së bukurës së këtij autori. Veçantia tjetër e qëmtimeve, e kërkimit dhe e pasqyrimit të trajtave dhe të vlerave artistike të tij shtrihet gjerë e gjatë edhe në diskurset kritike, eseistike, publicistike, të studimeve letrare të autorëve të veçantë dhe të dukurive të përgjithshme në letërsinë shqipe. Duke pasur parasysh sferën e kritikës, studimet letrare: eseistikë, publicistikë dhe monografi të veçanta letrare, korpusi i veprave të këtyre gjinive dhe llojeve arrin 97 s’osh, pa tri njëqind (100)! E tëra për një krijues të mirëfilltë si Prend BUZHALA është përmbushje madhështore e opusit të tij krijues, e vlefshme për letërsinë dhe kulturën e shkrimit shqip.

KUJTESA E TRISHTË E EKSODIT TË SHQIPTARËVE

Nisur nga cikli “Eksodi biblik i shqiptarëve të Kosovës më 1999”(Kantatë në tri pjesë për recitativ e kor), vijojnë ciklet e gamës së gjerë të strukturës poetike të librit: “Tapia e rrëfimeve”; “Nëna e heshtjes”; “Në paskajoren e qenies”; “Çaste lirike me rrëfime komentuese”; “Poetët me gjarpër”(Në nëntë paradigma); “Katër etyde për dritën”; “Njeriu i drejtë” (Katër fragmente poetike që kanë humbur nëpër fragmente pa e gjetur as parë dot Njeriun e Drejtë); “Gjuha e zgjuar nga guri”(Dhjetë shpalosje pergamene për një histori jetime); “Kënga e grahmave”(Poezi me pak fjalë) dhe “Doracak nga mësimi i madh i historisë.”

Gjatë leximit nga cikli në cikël, pra në dhjetë sitsh, të hapet moria e motiveve me pamje e përfytyrime të qenësisë së jetës përplot ndjeshmëri, peripeci e përsiatje të sprovave filozofike, etike, estetike dhe ekzistenciale. Siç shihet fushë shtrirja e lëvrimit dhe e mbjelljes të farës së shkronjave, që shpirtëzohen hullive, është e gjatë dhe e gjerë në hapësirë e kohë. Në dyqind e tetëdhjetë e shtatë vargje rrokjesh e ritmesh, çfarë ia diktonin poetit përjetimet e thella dhe drithërimet e pashuara të golgotës shqiptare nga “Eksodi biblik i shqiptarëve të Kosovës” shfaqet kalvari:

“Kur u nisën, si ndjekësit e Moisiut,

pas shenjave, pas etheve e anktheve të zemrave,

ata po shkruanin një hartë të re,

me gishta të mbushur me dhe…”

Kantata e rrëfimit të trishtimit të dhunës hyri në poezinë e poetit, të sprovuar sikurse të tjerët, si dëshmi, si rrëfim vuajtjesh, pamje flakësh në vatra, ankthe  djegiesh, vatrash të rrënuara, plagësh që nuk qepeshin dhe, thirrje për brezat qoftë edhe me zë të ngjirur:

“Kthehu, bir! Ma mbaj gjallë kujtimin!”

Pasoja solli rrjedhimin: qenësia lëndore pothuajse ishte zhbërë! Por, çka kishte ngelur nga ajo gjëmë e zhbërjes së përsëritur ciklike mbi etninë jo sllave?! Ajo që duhej t’i shpëtonte zhbërjes nuk ishte materialja. Atë që nuk mund ta zhbënin barbarët do të ishte e pakapshme… E paprekshme ishte kujtesa e rrënjosur thellë në vetëdijen e brezave. Mbajtja  gjallë e kujtesës mund t’i rikthente ciklet dhe, t’i rimbushte hapësirat e shtrirjes së ngrohtësisë së lirisë. Trishtimi, frika, dhimbja, djegia e djepave, ndjekja për ikje dhe copëtimi shpirtëror jashtë vatrave… Ku duhej ta lypte shpëtimin popullata, nëse jo te shpresa apo te tejkalimi i frikës? Doemos të përndjekurit e dërmuar duhej ta tejkalonin vetveten përmes një “Kthimi biblik, me ringjallje të heshtur.”

Poezia e një rrëfimi thellësisht të ndjerë kap kalvarin e vuajtjeve të papërshkruara. Vuajtjet nuk dolën nga legjenda e mite të imagjinatës, por mbase tej periudhës së katrahurës ato do të shndërrohen në trajta legjendash e rrëfimesh të trishtueshme, veçmas për ata pasardhës përtej vorbullave të historisë. Kështu ka ndodhur në kohëra të humbura… Me gjasa përmasat e dhimbjes së vërtetë kurrë nuk u përjetësuan, madje as majë penat më të mprehta nuk thurën dot të vërtetat tona të pa jetësuara?!

Një përngjasim përjetësimi homerik të Eksodit Biblik të Etnisë Shqiptare nëpërmjet kësaj kantate për korin e recituesve, mëtoi ta përjetësonte në librin “ANA TJETËR E JETËS” poeti Prend BUZHALA:

“Kthimi ishte një besë, si ajo e Konstantinit me Doruntinën

Një betim në heshtje: Këtu jemi, këtu do të qëndrojmë!”[1]*

KONCEPTI POETIK I RRËFIMIT

Çka sugjeron emërtimi “Tapia e rrëfimeve”, jo vetëm si titullim cikli?

Tapi – a fjalë (turqisht tapu) dokument zyrtar mbi pronësinë e patundshme.

Të kesh tapi mbi një pronë është legjitimimi juridik i pronësisë së trashëguar në breza nëpërmjet dokumentimit themelor të zyrtarizuar, sipas së drejtës etnike dhe qytetare. Këtu rrënjët e tapisë qëndrojnë në qenësinë e vijueshme etnike, me anë të dëshmive arkeologjike nën dhe e, mbi tokë. Por, ja që kjo e drejtë e tapisë ndodhet nën goditjet shekullore shpërfillëse të barbarisë sllave. Gjithsesi me zjarr e hekur etnisë po i grabitej tapia ekzistenciale, duke iu lëshuar mbi trup stiva e dhimbjeve, e dhunës më mizore kundruall të vërtetave të tapisë e ngjizur në gjak, djersë e ëndrra:

“që fshihen nëpër kujtime,

si thesare të nëndheshme”

Atëbotë në zemrën, shpirtin dhe dorën e Mjeshtrit mbetën amanete të pashkruara që të skaliten si:

“rrëfime që derdhin lotët

nga sylynjarët e zemrave” (Po aty; f. 29)

       Bartësi shpirtëror i plagëve është i ngarkuar me barrën e këtillë të zbrazjes, që nuk është thjesht zbrazje, me dëshmi rrëqethëse që nuk janë, veçse dëshmi me kujtime të trishta, që s’janë vetëm trishtimi i një katrahure kalimtare, por gjithandej gjëmës që mund të fashitet e t’i mbesin dënesat e herë pas herë të pamundësisë për rikthimin e shërimit e të Shpresës së Madhe! E gjithë kjo periudhë vorbullash e dhunës, poetit i hapi një shteg për ta përtrollitur të zgjeruar konceptin e tapisë së bëmave dhe, kërkoi ndihmën stilistike edhe nëpërmjet antipodit të poezisë: prej rrëfimit arteries gjallëruese të prozës. Në këtë përmasë shkrimore na vjen pyetja konceptuale: si do të mund ta pajtojë poeti narracionin, përkatësisht stilin rrëfimtar për bartjen e kujtesës mbi natyrën refleksive tejet të ndjeshme të poezisë lirike? Mos vallë shkrim-qëmtuesi me çelësin e gjinisë së prozës, do të mund t’ia shumëfishojë faqet e dëshmive pjellorisë së poezisë, duke i dhënë një rol praktik ndjeshmërisë shprehëse të poezisë edhe përmes mjeteve rrëfimtare, por pa e cenuar frymën e saj figurative? Sido qoftë, Mjeshtri ynë poezisë së tij arriti t’i jap pajtimin përputhshëm: konceptin e rrëfimit poetik me njomështinë e poezisë lirike. Ai këtë barrë e mati me sy e zemër për ta shpjer në cakun e së mundshmes së konceptimit të tij artistik:

“ Kjo barrë rrëfimesh

është tapia jonë e dëshmive” (Po aty; f. 31)

Cila është barra shpirtërore e rrëfimeve që poeti duhet t’i nxjerr nga terri i frikshëm në dritën e së vërtetës? Në këtë kontekst nuk ka asgjë paradoksale, por ka një logjikë, përmes së cilës ishte përtrollitur tmerri:

“plagët që na therin,

kur errësira e vuajtjeve na mbulon.”

Të gjitha vuajtjet, plagët, përdhosjet dhe dhimbjet, e gjithë tragjedia e dhunës së shpopullimit të dhe-përshkrimit dardan, në pikë cakun e poetit doemos duhej të sublimoheshin në tapinë tonë madhore, në tapinë e dëshmive tona. Barrës të renditjes së rrëfimeve për ta dëshmuar meritën e përgjakshme të tapisë për trojet, assesi e shmangu poeti i identifikuar me fatin dhe fatkeqësinë e kurdisur mbi kurrizin e etnisë. Çfarë do të ndodhë pastaj në ëndrrat drithëruese të gjakimit të kthimit dhe, të ri -ngulimeve në vatrat e djegura të vendlindjes? Ndodhi rikthimi te tapia, sepse tashmë kemi tapinë e lotëve, të gjakut, të dhimbjes dhe varganin e rrëfimeve… Që të gjitha ia shtojnë vëllimin faqeve të librit dhe tapisë.

Gjithnjë jemi brenda konceptit të rrëfimit ose të shumësisë së rrëfimeve, por në gjininë e ndjeshme të poezisë. Poezia ka veçantinë e saj dhe, rrjedha e rrëfimit doemos i jep asaj aq peshë sa mund të bartin supet e saj të njomë, përherë të ndërtuara në rregullat që e shquajnë. Pa dyshim poeti Prend BUZHALA kaherë është përngjasuar me natyrën e poezisë, me finesat dhe zbatimin praktik të veçorive poetike të poezisë. Ai e sheh të pashmangshëm konceptin e rrëfimit poetik, andaj e zbaton me vendos- mëri. Rrëfimi poetik, sipas poetit, në poezinë postmoderne nuk mund të jetë i një njëshëm, sikurse te simotra rrëfimtare e poezisë proza. Ndarjet klasike të llojeve dhe të gjinive moderne dhe postmodernia ua kanë ndryshuar fytyrën. Te secila shfaqen prani të dukshme të njërës te tjetra, pleksje të llojeve apo të zhanreve. Si tipologji e tillë më gjithëpërfshirëse haset te proza dhe dramat e Beqir Musliut.

Poezisë së poetit dhe estetit Prend BUZHALA koncepti i rrëfimit poetik i shërben për kapje sa më të gjerë të lëndës së dukshme dhe të padukshme ideore dhe të përfytyrimeve imagjinare. Ai në diskursin e vet poetik mëton t’i përmbush dy caqe:

  1. kapje të gjerësive tematike dhe të motiveve të patrajtuara të realitetit jetësor e fiktiv dhe,
  2. artikulime përvojash e sprovash për t’i shtruar në një rrafsh të sheshtë qartësie ndikuese, e qëmtuar kryesisht nga s’përshfaqja në thellësi të ngjarjeve dhe të

dukurive.

Këto dy premisa janë pikënisje udhërrëfyese për shtjellimin në vargje të akëcilës dukuri të realitetit, që në pamje të parë të duket i pa ndërlikuar, por nën syprina fsheh të panjohurën e këndshme apo të pakëndshme dhe, zgjon përsiatje për perceptime e përthellime të njohjes. Andaj, poetit nuk i mjafton vetëm zgjimi i ndjenjës estetike për të bukurën, për të madhërishmen, për të ligën dhe të shëmtuarën, për tragjiken dhe heroiken, për fatin ironik dhe marrëzinë… Poetit i shtrohen edhe dilema për kahet e mësimeve dhe të pësimeve të shpirtrave njerëzorë. Për çdo zgjim mëngjesor Ai lutët te i Tej të Lartit, që t’i ndjejë dhimbjet  dhe të mëshirohet me ne për huqet dhe gabimet tona; të përçojë frymën biblike kundruall ndasive racore dhe të urrejtjes ndërnjerëzore:

“Na ndihmo ta shohim të bukurën

te secila qenie njerëzore” (Po aty; f. 31)

Lutja si e këtillë shquan tiparet njerëzore dhe estetike për praninë e së bukurës “te secila qenie njerëzore.” Përmes kësaj lutjeje të drejtuar të Tej të Lartit shpërfaqet bukuria estetike, shpirti i një estetike si njëra nga tiparet themelore të cilësisë të së njerëzishmes, kundruall vrazhdësisë dhe egërsisë, tiranisë dhe barbarisë, së keqes dhe djallëzisë mes njerëzve.

LIGJËRIMI I HESHTJES

Në përsiatjet e tij poeti i rreket zbërthimit të ngërthesave, të cilat i has madje dhe në hapësira të panjohura… Ndoshta ato hapësira i përkasin fluturimeve në ndërdymën e poetit? Mos të hamendësojmë: se kërkimi i hireve të njeriut nga poeti, shpijnë edhe atje ku logjikës njerëzore i topitet mendje – mprehtësia. Gjithandej intuita e thellë poetike kap përfytyrime për shenjat e lashta të një kujtese, që nuk ruhet vetëm në sirtarë apo skedarë raftesh të mbyllura brenda muresh dhe kulmesh. Penë – shkruesit tonë përfytyrimet i shpalosen edhe si pohime paradoksale:

“Qenka vetëm qielli

që t’i ruan thesaret e fshehura

në arkivin e vet qiellor” (Po aty; f. 35)

Poezia që në thelb ngrihet mbi kontraste ndjeshmërie, mbi përfytyrime paradoksale, nuk përmbushet vetëm nga mbresat vezulluese të syprinave. Ajo shfleton edhe arkivin qiellor që t’i kapim shenjat e dikurshme të mbetura për t’i eksploruar në të sotmen.

“ANA TJETËR E JETËS” së qëmtuar të Prend BUZHALËS është shumësia e muzave të kujtesës, Orët e Mësimeve të Pamësuara, hapa të hedhur në labirintet pa mure, harrimi i vetvetes shtresave të vetëdijes somnambul; ligjërimi për “Revoltën e Heshtjes”, shëmbëllimi i Vinçenc Prendushit, i Etëhem Haxhiademit, Marie Tucit e mbyllur në “thesin e natës“, “Në moshën e lulëzimit të jetës” në thes me macen! E folura e prozopopes dëfton dëshminë rrëqethëse të vuajtjes së idealistes shkodrane Marie Tuci:

“Një mace çirrte trupin tim,

por shpirti im rrinte zgjuar

si një yll që nuk fiket

në qiellin e vuajtjes”

Drama mbi personazhin e poezisë Marie Tuci, përmes rrëfimit poetik në ciklin “Nëna e Heshtjes”, merr shtrirje të përmasës së mizorisë së vuajtjes dhe ngadhënjimit etik mbi vuajtjen në pesëmbëdhjetë njësi poetike. Poeti BUZHALA rikthen në përfytyrime brezash rrëqethshëm shëmbëlltyrën unike të një idealisteje atdhetare, siç ishte Marie Shllaku.

Çështja e ngritur në pararendje të këtij këndvështrimi për rrëfimin si mjeti parësor që ndërton skeletin e prozës, rikthehet pikërisht te cikli përkatës i lëndës, si rrëfim poetik i përdorur me masën e mjeshtërisë që nuk cenon natyrën lirike të kësaj poezie. Në qoftë se elementët e epikës, të paraqitjes epike të së vërtetës, i japin krah mbështetjes së frymëmarrjes lirike, te lirika e motivimit të këtillë kemi një gërshetim pleksjesh të shkrira të anës rrëfimtare me reflektimet figurative të peripecive.

Brenda treqind e pesëdhjetë vargjesh rrokjesh të ndryshueshme në trajtë ri – kujtese poetike, BUZHALA rikthen kujtesën e heshtur për vashën Marie Tuci; një shëmbëlltyrë sakrifice me pikësynime bashkimin e trojeve të copëtuara shqiptare.  Dëftorja dramatike ndërtohet në trajtën e një monologu të dialoguar, e shfaqur nga prozopopja që herë – herë veta e dytë e botës së amshimit përplotëson vetën e parë. Vargjet e trajtës shprehëse të prozopopes e përçojnë përcaktimin e pakthyeshëm të Heroinës nga idealet e tërësisë së kombit, pa të cilat nuk e përfytyron jetë – rrojtjen, as gëzimet e moshës:

“Nuk e shita fjalën,

nuk e ula shikimin

nuk e ndava shikimin nga Zoti”(Po aty; f. 55)

Mbresa e thellë e bëmave të krye-personazhit të historisë dhe të poezisë Marie Tuci, nuk të lë të qetë dhe pa përsiatje… Këtë dhunti e ka arti. Sërish nuk mund t’i largohemi mbresës së pyetjes retorike: si iu ngjiz forca morale vashës me prejardhje mirditore? Gjithë ajo forcë pathyeshmërie nga mizoria që zbërtheu mizori mbi atë trup të njomë të Marie Tucit!  Asaj forca i ishte ngjizur në bindjen dhe besimin e thellë tek etnia dhe te Zoti, te pastërtia e një shpirti që po i falej kurban atdheut me filozofinë biblike, shëmbëllyeshëm Jezu Krishtit. Heroina, thellësisht deri në frymën e fundit, do t’i jepet trinisë: idealeve të bashkimit kombëtar, parimeve të filozofisë së Krishtit dhe nderit të papërlyer mbi bazamentin e guximit. Vasha shfaqet në figurën e prozopopes, si një qëmtim i autorit për spikatje të gatishmërisë së një shpirti për flijim. E madhërishmja e flijimit patjetër që duhet nënvizuar si kryefjalë e shëmbëllimit estetik të kategorisë të së madhërishmes.

Poezia “Letër që nuk u shkrua kurrë” ligjëron trajtat e një dëftoreje, e cila brenda vetes mbartë dhimbje e llahtari njëkohësisht admirim e krenari, larg-vajtje të jehonës së mbyllur, së cilës poeti ia zgjeron përmasën e hapësirës sipërore, nga burgu deri në lartësinë e muzave dhe të Hyjnisë qiellore:

 

“Po më bëjnë copë, më kafshojnë, më thyejnë

Unë nuk qenkam bërë prej frike, nënë.

Jam bërë prej Krishti, prej gjaku mirditor,

Dhe shpirti im i lartë s’njeh dot dorë mizore” (Po aty; f. 56)

Heshtja si kategori shpirtërore ia përfytyron poetit dëftimet e atmosferës së kohës, bëmat e zëshme, sintezat më kuptimplota, tipare të një lirike e gatuar prej brumit të sprovimeve me sfond biblik:

“Këtu më futën

për ta harruar Zotin,

po unë e bëra Zotin shok qelie

dhe muret i mësova të luteshin”

  (Poezia “Qelia nr. 13”)

Rrjedhave të ligjërimit në librin “ANA TJETËR E JETËS” nga konteksti i leximit të metaforës “Thesi i natës”, natyrshëm del analogjia: ana tjetër e heshtjes. Atëherë çka qenka pra ajo anë tjetër e heshtjes? Uni i poetit BUZHALA i dha kahe penës së tij të mos ndryshkej në heshtje. Në të ndërdymën e tij krijuese nuk mbaheshin më tej gacat nën hirin e asaj heshtjeje… Sapo filluan të digjnin ende të pafikura në tetë dhjetëvjeçarë… Autori filloi shpërpushje të zjarrit të gjëmës së mbuluar me hirin e heshtur. Ishte gjëma e madhërishme e Marie Tucit… Asaj duhej t’i spikatej zulma qoftë edhe me figurën që i flet amshimit:

“Unë jam zëri që s’foli

e dëgjohet gjithnjë

në ndërdijen e kombit “

(“Martirja e fundit”)

Kësisoj, heshtja është prodhimtare e një shumësie sintezash artistike, mësimesh të trishtueshme, të cilat dalin si ushtima nga majë – pena e mendjes thellësisht të njësuar me krye – personazhin, motër jona Marie Shllakun. Pamjet e poezisë na vijnë gjithnjë me një stil epik – lirik, heroik e dhimbje – përçues, por përjashtohen pozat patetike dhe ligësia. Mbahet në këmbë logjika e paturbulluar e filozofisë së durimit dhe, krejtësisht logjikshëm përballë akteve të heshtjes del kontrasti i rënkimit e i britmës së kushtëzuar…

Sinteza artistike e poetit pa të ndërlikuar pohimin sjell konstatimin:

“Britma është e shkurtër.

Heshtja është e gjatë

sa përjetësia.” (Po aty; f. 66)

Tre vargjet e kësaj strofe metaforike reflektojnë porosi (j)etike.

Përtej kësaj situate ekzistenciale e qëmtuar për vargje që kapin trajta të heshtjes, tej çdo muri sado të trashë të burgut, referenca e zërit shpërthyes të Heroinës është e pandalshme, madje shndërrohet në jehonë e kambanë tingëlluese e heshtjes:

“Në heshtjen time

u rrit një zë

që nuk mund ta shuaj asnjë burg.”

(“Martirja e heshtjes” f. 66)

Stili i poetit BUZHALA për çdo motiv motivohet, duke e ruajtur mëvetësinë e shprehjes së atmosferës dhe të frymëmarrjes, mbarështron fjalësin me forcën e tij të bindjes dhe, arrin pasqyrime gjendjesh shpirtërore të nuancuara, dritë – hijet e kontrasteve mes kundërshtive njerëzore. Për të ilustruar diskursin konstatues lë t’i përafrojmë dy tipa vargjesh që përfaqësojnë ndërtime të ndryshme stilistike:

“S’ka zinxhirë që mund të mbajë besimin tim” por, vargu vijues i veshur figurativisht e shkrin pararendësin brenda vetvetes. Pohimi prozaik shkrihet në atë figurativ:

“as shufra që shuan dritën që më mbanë gjallë”

Mjaftueshëm përcillet në breza porosia e përgjakshme: e madhërishmja e Heroinës së njomë ngjitet në lartësinë e idealeve hyjnore.

MOTIVE DHE MOTIVIME TË GAMËS SË GJERË

Diskursit tonë vlerësues botimi i librit “ANA TJETËR E JETËS” i sjell shumësi motivesh, idesh dhe ndërtimesh figurative të tekstit poetik. Le t’i nënvizojmë disa formulime që e përshkojnë tërësinë e faqeve të këtij vëllimi:

pamje nën syprina të realitetit, përfytyrime kohësh të papërmbushura me rrëfime, kahe e mëkate të identitetit dhe të ligësisë; filozofia biblike e faljes (modeli i Vinçenc Prendushit); kultivimi i një etike për pezmin kundruall së keqes; reflektime për kthimin te vetvetja; shpalime shtresash të vetëdijes; shenjat e pavdekshme të kujtesës; sprova të urtisë; përshkallëzimi i marrëzisë; alkimia e shndërrimit të helmit të gjarpërinjve nga poetët “në një art të fshehur, të pa emër, për të gjetur shpëtim  vetëm për lirinë.” Mandej, motivime fisnike të poetëve të përcaktuar në misionin për shpëtimin e njerëzores dhe të botës; etydet për dritën; bredhëritje nëpër galaktika; koncepti poetik për fjalën; për të vërtetën; për Fjalën e Lirë; për Pushtetin e Lirisë; ligjërime për vetveten; për krizën e shenjës identitare; për jetën pa të bukurën; “Gjuha e zgjuar nga guri”; “Kënga e grahmave”; shpalime nga mësimi i madh i historisë; Republika e dëshmive të luftës”; sprovime të urtisë; helmi i shndërruar në alkimi”; koncepti për njeriun e harruar; mëkati i heqjes dorë nga vetvetja; poetët me gjarpër…

ALKIMIA E HELMIT TË GJARPRIT

Në 138 vargje të poezisë “Poetët me gjarpër”(Në nëntë paradigma) thuret ideja e metamorfozës së gjarprit, e helmit që “përhapet nëpër kujtime dhe mbështjell secilin mendim të lirë.” Përtej shtjellimit fillestar, poeti përpiqet t’i shpëtojë atij gjarpri të përhershëm pas secilës kthese të shpirtit. Porse, çka qenka ai gjarpër i përhershëm në kafazin e brendshëm të poetit? Këtu poeti kuptoi si zbërthehen trajtat e lakoreve të ngërthesës metaforike gjarpër:

“Gjarpër qenka vetëm mendimi

që të ndjek pa pushim, i heshtur, i përhershëm,

një fantazmë që nuk do të ikë

dhe çdo shpërthim i tij lë një shenjë” (Poetët me gjarpër1)

Diskursi poetik i metamorfozës poetin e shpie drejt çlirimit të shpirtit dhe, kjo është forca etike – shpirtërore që arrin ta tejkalojë vetveten. Vetvetja bashkohet me të vërtetën. Kështu, poeti merr një rol të ndjeshëm, por të pabujshëm për ta gjetur trajtën e shpëtimit për lutësin. Poetit i është futur helmi, por kërkon trajta për të mos u helmuar, që të mos shndërrohej në helmues! Si do të çlirohet Ai nga helmi i së keqes? Si trajtë zilie apo të tjera sinonime zilish, helmatisja ka depërtuar thellë në egot njerëzore. Poetët e kanë ndjeshmërinë e pagjumë dhe durimin që e futën në çdo fjalë, në çdo simbolikë “kur në shpirtin e tyre helmi bëhet poezi!” Pohimet e estetëve se poezia në qenien e saj është paradoksale, përputhet pikërisht në këtë trajtë shtjellimesh të metamorfozave ideore të Prend BUZHALËS. Sipas këtij diskursi të artit – etikë poetët e përqafojnë helmin! Po si? Ashtu. Pse e dinë se ai iu shërben si çelës i shpirtit… Ata, poetët arrijnë helmin ta shndërrojnë “në një puthje magjike!” Si? Kështu, ngaqë nuk frikësohen nga helmi që i vret. Ata e mbledhin me duar dhe e “përpunojnë si ar duke e shndërruar në liri.”

Vargjet e diskursit magjik gjithnjë janë në kërkim të magjikes art – jetike. Gjithnjë në kërkime pas krijimit të ëndrrës së prekshme, të urtisë së guximshme ndaj “digjen dhe rilindin”si Feniksi, “për ta dhënë atë që të tjerët s’mund ta shohin”

Në kontekst të paradigmës së katërt (IV) tre vargjet vijues sjellin sintezën e alkimisë:

“Poetët janë ata që e marrin helmin e gjarpërinjve,

dhe në duar të tyre e bëjnë alkimi të pafund,

që vetëm lirinë mund ta krijojë” (Poetët me gjarpër, f. 104)

Paradigma e pestë përthellon përkufizimin për poetët, si bartës misionesh për ta shndërruar dhimbjen në një simfoni.

“në një melodi që bëhet tingull i shpëtimit

në një notë që ringjall shpresën dhe ndriçon

errësirën e botës së mbërthyer.” (Po aty; f. 105)

Përmasa e misionit të poetëve shtrihet në gjatësi, lartësi dhe thellësi të pamatshme. Diskursit analizues lë t’i flasë tërthoras apo drejtpërdrejt misioni poetik, ndonëse e folura e tërthortë i përket kryesisht stilit figurativ:

“Poetët marrin gjithçka,

çdo armë të përdorur, çdo plagë të hapur,

e kthejnë në poezi, për të krijuar një galaktikë të re,

ku çdo yll që zbret –

është një fjalë e pathënë, një varg që ndriçon

për ata që kanë humbur shpresën “ (Po aty; paradigma e VIII, f. 108)

Misioni që iu ngarkohet poetëve në nëntë paradigma poetike, në përfytyrimet tona vjen si seria e çasteve të ëndrrave hiperbolike, të cilat burimet i kanë në zhgjëndrra të një realiteti të frikshëm, përplot shpërthime bombash e luftërash dhe tmerresh shkatërrimtare! Megjithatë, poetët shkëpusin yje që t’ua vënë në ballë njerëzve për ta ndriçuar paqen.

Sinteza e zmadhimit poetik e Prend BUZHALËS sublimohet në pohimin madhështorë: se poetët e shpëtojnë botën!

Vëllimi “ANA TJETËR E JETËS” e motivoi gjithanshëm autorin të qëmtojë një mori margaritarësh artistikë, nga gërmimet e pandalshme shtresimeve të kuptimit, prej më të imtave njësi të fjalës e fjalëzave, simbolesh e metaforash, apostrofash e refleksesh që shpërfaqin kumte, kënde e pikasje shpesh të pavërejtura në hapësirat rrethanore të njeriut.

LIGJËRIMI PËR VETVETEN

“ANA TJETËR E JETËS” mbase pashmangshëm prek ligjërimin për vetveten. Për ta njohur vetveten, jo njëherë, duhej të kishe pasur udhëtime nëpër stuhi ndodhish: tërmete, rënie e ngritje, dhimbje, pikëllime, ngazëllime. Poeti BUZHALA jo rrallë sjell konstatime themelore për karakterin njerëzor, për mënyrën e formimit të karakterit mbi parime dhe kënd – shikime e mëdyshje ndaj lakmisë së vetvetes e të brez balljeve.

“Nuk do të jesh i drejtë, as ai që ke qenë,

po që se nuk e ke si mal mbi shpinë

dyshimin mbi vetveten e mbi krejt botën” (Po aty; f. 124)

Karakteri dyshues ndaj vetvetes dhe botës njeriut i jep shkase për përsiatje mbi kahen e udhës dhe çfarësinë e arritjes deri te qëllimi. Mësymja rrugëve të lehta dhe të pandershme drejt mirëqenies nuk të shpien te cilësia e përkufizimit togfjalësh: Njeri i Drejtë. Vetvetja e drejtë provohet vetëm në kontrastin e mundjes së lakmisë dhe, si t’i qëndrosh pastërtisë apo papastërtisë së asaj?

“Si të qëndrosh kështu

i rrethuar nga një botë kaq të shtrembër, kaq katile?

E, po, ky qenka një Hap i Vërtetë:

çdo dyshim qenka një hap drejt njohjes.”(Po aty; f. 127)

Mosnjohja e vetvetes përfshin edhe përmasën e humbjes jo, veçse të shenjave të identitetit… Qartë e thjeshtë identiteti ka shenjat e simbolikës së vet me të cilat identifikohet e djeshmja, e sotmja dhe e nesërmja:

“Në vend të kuqes

erdhi

një ngjyrë që s’ka dhembje,

një stof pa kujtim,

pa shenj gjaku,

pa plagë.” (Po aty; f. 145)

Pësimet etnike të krizës identitare provokojnë vetëdijen e poetit, gjendjen tragjike të humbjes, të mos qenët vetvetja, të tjetërsimit dhe të asimilimit. Nëse mohimi i identitetit kushtëzohej së jashtmi ishte brengë rrethanash, por nëse humbej së brendshmi, heqja dorë vullnetshëm prej vetvetes është mungesë e plotë e vetëdijes?! Pikërisht ky është mëtimi i Thirrjes së Madhe të Mësimit, i apostrofës madhore që rrjedh nga sprovimet e udhë rrëfimit të kësaj tipologjie poetike:

“Nëpër rrugët e mohimit, krijo oazën tënde” (Po aty; f. 177)

Mësimet përgjithësuese për trajtimin e vetvetes dhe përbërësit e ngjizur të identitetit, të qenët vetvetja ose vetja autentike shpalosin cakun konkret të qortimit:

“Po hoqe dorë nga lufta për Fjalën Shqipe,

është njësoj

si të heqësh dorë nga Fjalët Zot e Atdhe

ose nga foshnjat ose nga rrezet e diellit”

Këto porosi të drejtpërdrejta janë abeceja jetike e qenies sonë identitare etnike e njerëzore. Kapërcimi symbyllur mbi këta përbërës të mëkëmbjes së gjallërisë sonë, rezulton mallkimin më të pafalshëm! Kësisoj, poeti nxori nga poezia njërën nga sintezat fondamentale të plotnisë etnike:

“I pari mëkat në botë

qenka heqja dorë nga vetvetja” (Po aty; f. 188)

KONCEPTIMI I JETËS PA TË BUKURËN

E dëgjojmë dhe ndjejmë ëndjen e melodisë së një zëri të bukur dhe përshkues në ndjesi. Shkëlqimin e papritur të rrezeve diellore, prarimin e ngjyrave stinëve të lulëzuara. Hijeshinë e tipareve të vashës; zjarrin e shpërthimit të butë të luleve dhe erë – ëndjen e aromës dehëse të tyre… Pastaj shumë përbërës dukurish që e shpërfaqin magjiken dhe të bukurën e jetës… Ndoshta mos të japin diçka të dobishme, diçka që gufon ndjesitë dhe të joshësh shpirtin për pamjet e përfytyrimet? Ato dalin e hapen si petale, si gjethe të blerta, si faqe fletash të shkruara që t’i lexosh e, t’ua shijosh magjiken e librave përplot hire të Enigmës së Përsosjes së Bukurisë… Trajta të shfaqjes së dritë – hijeve si hijeshi e fisnikëri e qarkullimit të botës së jashtme dhe, pasqyrime të brendshme të shqisave impulsive te homo sapiens.

 Poeti Prend BUZHALA këtu ngre vargun hipotetik sintetik për pikëpyetjen që në vetvete ngërthen dhe zbërthen përgjigjen:

“E, ç’kuptim ka jeta pa të bukurën?”

FJALË PËRMBYLLËSE

E tërë lënda poetike brenda titullit të librit, mbase paksa prozaik “ANA TJETËR E JETËS”, i poetit dhe studiuesit të pasionuar Prend BUZHALA, doli e shkruar prej përvojës së thellë të baticave dhe të zbaticave të jetës; e mësimeve nga pësimet e saj, të përthelluara në dukuri e ngjarje reale dhe imagjinare të realitetit tonë të prekshëm dhe të paprekshëm.

Teksti artistik është ngritur në një epërsi shkrim – qëmtuese të denjë për t’u lexuar, për ta shijuar dhe për t’ia vjelë të vërtetat e çiltërsisë së përjetësuar në poezi.

Pothuajse secila poezi në këtë libër të autorit BUZHALA hap shtigje përfytyrimesh, nëpërmjet të cilave mund t’i shohësh dhe t’i ndjesh, të përngjasohesh me anët tjera të panjohura të ekzistencës. Jo në pak raste, poeti më shumë i lë vend perceptimit njohës të vargut dhe figurës, se sa mbresës lirike të poezisë.

Prend BUZHALA në përkushtimin e tij krijues, si i rrallë në letërsinë dhe kulturën e shkrimit artistik e të diskurseve kritike të shqipes, krijoi një opus tejet të pasur letrar.

Atij më së miri i përshtatet pohimi i teorikut Ostin Voren: “Asnjë ditë pa shkruar ndonjë rresht.”

 

 

 

Gjilan, maj 2026

[1] Prend BUZHALA “ANA TJETËR E JETËS”; Lena, Prishtinë, 2026; f. 25

EVARIST BEQIRI DHE VLERAT E SHKRIMIT “NJË ROMAN ME PESHË HISTORIKE”: “HALIMI” I PETRO MARKOS- Nga Albert HABAZAJ

 

 

Qysh në krye të këtij shkrimi reflektues, dua të shprehem: Faleminderit dr. Evarist Beqiri për shkrimin “Një roman me peshë historike” (kushtuar romanit “Halimi” i Petro Markos)

 

Ky shkrim lakonik dhe me shumë vlera i Evaristit, birit të denjë tërbaçiot, dr. Evarist Beqiri për romanin e shkrimtarit të shquar Petro Marko, kalorësin rebel të lirisë kushtuar Halim Xhelo Tërbaçit tonë të idealeve të larta kombëtare meriton mirënjohje jo vetëm për risjelljen në kujtesën e sotme të dy burrave të mëdhenj të kombit tonë, (shkrimtari i humanizmit universal nga Dhërmiu, luftëtari dhe frymëzimtari i Njëzetës nga Tërbaçi), por sidomos për çka unë e quaj një kambanë kushtrimi për ndërgjegjen kombëtare sot ndër ne.

Shkrimi i Evaristit më ktheu mbrapa në kohë, kur unë isha nxënës i shkollës 8-vjeçare “Halim Xhelo” Tërbaç në Gryka, ndoshta në klasë të tretë. I kam pasur qejf librat e mirë, qysh fëmijë. Atëherë kemi ardhur në Vlorë me grupin e fatosave, ndoshta të pionierëve me drejtor Dragoin e këngës labe Kujtim Mici dhe këtë e verifikoj, duke kërkuar në bibliotekën time romanin “Halimi” të Petro Markos, blerë në Skelë, më 10 shtator 1969.

E kam dashur shumë Petro Markon për veprën e tij të shkëlqyer letrare, sidomos për romanin “Halimi” (Tiranë; “Naim Frashëri”; 1969, 207 f.), për romanin etnologjik “Ultimatum” me objekt Luftën e Vlorës, 1920 (Tiranë, “Naim Frashëri”, 1972, [328] f., ku ndër personazhet kryesorë është Halimi ynë, po ashtu Selman Hyseni, Murat Tërbaçi etj.

Po ashtu e dua Petro Markon, këtë burrë që kullon fisnikëri e karakter edhe për vjershën e tij “Të kish’ rritur Labëria” thurur më 1937 për Halimin, e cila këndohet në Tërbaç e gjetkë si këngë e përvajshme e përjetësimit të Heroit.

Sa ngjanin në karakter e dinjitet Halimi me Petron!

E dua shumë Petro Markos, saqë do të kisha dëshirë të ishte nga Tërbaçi (po yni është dhe Dhërmiu, se derë e tepsi kemi qenë, si i thonë fjalës), të paktën, sipas burimeve shkrimore, qysh nga koha e Nilo Catalanos (vitet 1630-1640 e në vijim).

Evaristi meriton mirënjohje për mesazhet që jep, duke u shprehur se “romani “Halimi” nuk është thjesht letërsi. Ai është kujtesë, ideal dhe karakter…Sa grimca nga ajo djalëri e kulluar e shqiptarizmës jeton ende tek ne sot?”

Në nderim të 5 Majit – ditës simbolike të dëshmorëve, sjell ndërmend këngën popullore

“Lule more trima

Që ratë për Atdhe”

dhe shtoj:

Ju e bëtë detyrën

Çfarë po bëjmë ne?!

Evaristi më tej nënvizon: “Ndoshta nuk është rastësi që disa libra nuk plaken kurrë. Sepse nuk flasin [thjesht] për kohën e tyre…por për ndërgjegjen tonë”.

Mendojmë se është e duhur që të kujtojmë se një nga pseudonimet që përdorte Halim Xhelo në shkrimet që botonte ishte “NDËRGJEGJJA KOMBËTARE”

Ç’mendje parashikuese kishte për të ardhmen gri me nuanca të murme…

Porsa u botua në Amerikë, Amazon, Barne Noble, romani i shkrimtarit të mirënjohur KRISTAQ TURTULLI  “CONDEMNED FOR LOVE”

Të nderuar Miq me rastin e festivalit të librit në Torontio u botua sot në Amerikë, Amazon, Barne Noble, romani : CONDEMNED FOR LOVE ( Dënuar nga dashuria) PO hedh për ju një fragmentenga ditari i vajzës të bukur koreane May Lee, internuar me vdekje në orizoret e Koresë së veriut për shkak të dashurisë me një student shqiptar:
5 Mars
Mbrëmje e përgjakur, Viron. Vdekja më pa në sy… dhe më la.
Jo nga mëshira, por nga dëshira për të më zgjatur dhimbjen.
Jam mbjellë në këtë orizore si një trup i gjallë. Uji më kafshon gjunjët, i ftohtë si hekuri i vdekjes. Mishi çahet pa zë.
Pi kalbëzim. Ha pluhur buke. Këtu ligj është ferri…
2 Prill
Zëri yt rri brenda si një plagë që nuk mbyllet. Të shoh çdo natë, jo me sy, por me atë që mbetet kur sytë shuhen. Atëherë e kuptoj:
jeta ime ka ndodhur tashmë me ty, dhe gjithçka tjetër është mbetje.
Më fal… për jetën që nuk e pimë deri në fund, për frutin që mbeti në buzë.
Të dhashë gjithçka: trupin tim si tokë, buzët si zjarr dhe zemrën si një derë pa çelës. Ikja ime ishte vrap drejt humnerës. Dhe djajtë më kapën në çastin kur besoja se isha e lirë.
1 Maj
Të dua, jo si fjalë, por si një plagë që nuk shërohet.
14 Maj,
Ti je drita që më verbon,era që më shpërndan, dallga që më thyen.
Hyre në zemrën time pa trokitur, si fatkeqësia… ose si mrekullia.
Për një çast, unë isha e plotë.
Vetëm një çast —
dhe kjo më mjafton për një jetë.
1 Qershor
Këtu vdekja në skëterrë vdekja numërohet si orët. Por ti… më mësove si të ndiej kohën. Si të jetoj një minutë si një përjetësi.
Ti je fryma ime. Dhe në çdo frymëmarrje është një betim.
21 Qershor
Vallë a lodhet njeriu nga puthjet? Jo.Ashtu si nuk lodhet nga ëndrrat që e mbajnë gjallë.
30 Qershor
Urtësia lind në tri mënyra: duke menduar, duke ndjekur, duke u thyer. Unë kam zgjedhur të tretën.
15 Korrik
Ndarja jonë nuk ishte fundi i botës. Ti ishe gjithçka që dija të besoja. Nuk dua të vdes në këtë baltë. Ndoshta… do të ngrihem.
Do të bëhem dritë. Do të bëhem ajo që më thoje: një engjëll.
1 Gusht
Dashuria është më e fortë se vdekja. Një re vjollcë më mbështjell…
po shpërbëhem… po ngjitem… Po bëhem diçka tjetër.
Lamtumirë, Viron. …L a m t u m i r ë…
KRISTAQ@TURTULLI
CONDEMNED FOR LOVE mërkurë, 5 maj 2026
SYNOPSIS THE TULIP OF KOREA
The writer Kristaq Turtulli, in his novel Tulip of Korea is a literary novel rooted in real historical and political circumstances of the Cold War, revealing the human cost of communist internationalism and its profound hypocrisy. The protagonist, Viron Delishurdhi, is an Albanian student officially sent by the Albanian state to study in North Korea during a period when Albania, China, and North Korea maintained close ideological ties as so-called “brother parties.” These alliances, publicly founded on socialist solidarity and internationalism, concealed a rigid and inhumane system of control over private life. While studying in North Korea, Viron falls in love with a young Korean woman. Despite belonging to the same communist ideological camp, the North Korean and Chinese regimes strictly forbade their citizens from forming romantic relationships or marrying foreigners, even those from allied socialist countries.
This prohibition becomes the core of the novel’s conflict. The relationship is not treated as a private transgression but as a political crime. The Korean woman becomes the primary victim of state persecution, subjected to surveillance, interrogation, and moral destruction. Love itself is criminalized, transformed into evidence of ideological betrayal. Viron, caught between loyalty to the state that sent him and loyalty to his conscience, is forced to confront the brutal limits of obedience. Through this tragic love story, the novel offers a rare and authentic panorama of North Korea as a closed society, one that even today remains largely unknown to the world.
 Everyday life is portrayed through fear, silence, and ritualized loyalty, where ideology penetrates language, emotions, and human relationships. Beyond its personal narrative, *The Tulip of Korea* stands as a powerful indictment of communist hypocrisy. The regimes that preached equality and international brotherhood enforced isolation, suspicion, and repression, reducing human beings to instruments of ideological control.
The novel exposes how authoritarian systems manipulate ideals to justify cruelty, while destroying the most intimate human bonds. At the same time, the novel carries a broader national and universal significance. It reflects the experience of an Albanian individual within the global communist system and transforms it into a moral and literary testimony. Love, memory, and quiet resistance emerge as the only forms of dignity left to individuals trapped within totalitarian structures. *The Tulip of Korea* is a novel of historical truth, ethical urgency, and emotional depth. It will appeal to readers of literary and political fiction interested in hidden histories, forbidden love, and the human consequences of totalitarian ideologies.

Mesazhi i poezisë “Të Bijtë e Shekullit të Ri” – Migjeni- Nga Isuf B.Bajrami

Thirrje për veprim, revoltë dhe përmbysje të mentalitetit të vjetër, me synim ndërtimin e një të ardhmeje të re.

Te Bijte e Shekullit te Ri

Na të birtë e shekullit të ri,
që plakun e lamë në “shejtnin” e tij
e çuem grushtin për me luftue
ndër lufta të reja
dhe me fitue…
Na të birtë e shekullit të ri,
filizat e një toke së rimun me lot,
ku djersë e ballit u dikonte kot
se dheu ynë qe kafshatë e huej
dhe në marrzi duhej shum shtrejtë t’u paguhej.
Na të birtë e shekullit të ri,
vllazën të lindun e të rritun në zi,
kur tinglloi çast’ i ynë i mbramë
edhe fatlumë
ditëm me thanë :
S’duem me humbë
në lojë të përgjaktë të historis njerzore,
jo! jo! s’i duem humbjet prore
duem ngadhnim!
ngadhnim, ndërgjegje dhe mendimi të lirë!
S’duem, për hir
të kalbsinave të vjetra, që kërkojnë “shejtnim”,
të zhytemi prap në pellgun e mjerimit
që të vajtojmë prap kangën e trishtimit,
kangën monotone, pa shpirt, të sklavnis
të jem’ një thumb i ngulun ndër trutë e njerzis.
Na të birtë e shekullit të ri,
me hovin ton e të ndezun peshë,
ndër lufta të reja kemi m’u ndeshë
dhe për fitore kem’ me ra fli.

Migjeni

Poezia “Të Bijtë e Shekullit të Ri” është një ndër poezitë më të rëndësishme programatike të Migjenit, e cila shërben si një manifest i fuqishëm i brezit të ri për ndryshim dhe transformim shoqëror. Në këtë poezi shprehet hapur revolta kundër prapambetjes, e simbolizuar përmes figurës së “plakut”, si dhe dëshira për të ndërtuar një të ardhme të re, duke u shkëputur nga traditat dhe mentalitetet e vjetra që pengojnë zhvillimin.

Tema dhe përplasja e dy botëve

Tema kryesore e poezisë është revolta dhe rinovimi, por ajo shkon përtej kësaj, duke paraqitur një përplasje të fortë midis dy botëve: asaj të vjetër, të ngurtë dhe konservatore, dhe asaj të re, dinamike dhe kërkuese për ndryshim. Brezi i ri (“të bijtë e shekullit të ri”) distancohet qartë nga e kaluara e ndryshkur (“plakun e lamë në shejtnin e tij”), duke i refuzuar jo vetëm traditat, por edhe një sistem të tërë vlerash që nuk i shërben më zhvillimit të shoqërisë.

Mesazhi dhe thirrja për veprim

Mesazhi i poezisë është një thirrje e fuqishme për veprim, revoltë dhe ndërgjegjësim. Shprehja “çuem grushtin” nuk nënkupton vetëm luftën fizike, por simbolizon vendosmërinë, unitetin dhe guximin për të ndryshuar realitetin. Migjeni i fton të rinjtë të mos pranojnë pasivisht gjendjen ekzistuese, por të angazhohen aktivisht për ndërtimin e një bote të re, më të drejtë dhe më të zhvilluar.

Simbolika dhe kuptimi i saj

Simbolika e poezisë është e pasur dhe domethënëse. “Filizat e një toke të rimun me lot” përfaqësojnë brezin e ri që rritet mbi dhimbjen dhe vuajtjet e së kaluarës. Këta filiza janë të brishtë, por mbartin potencialin e madh për të ardhmen, duke krijuar një kontrast mes dobësisë së momentit dhe fuqisë së mundshme për transformim. Ndërkohë, “plaku” simbolizon një botë të vjetër që po lihet pas, një mentalitet i tejkaluar që nuk përputhet më me kërkesat e kohës.

Stili dhe veçoritë artistike

Poezia karakterizohet nga një gjuhë e drejtpërdrejtë, tone të forta emocionale dhe një ritëm energjik, që e bëjnë atë të tingëllojë si një manifest revolucionar. Në stilin e Migjenit, poezia nuk synon zbukurimin estetik, por tronditjen dhe ndërgjegjësimin e lexuesit. Kjo e bën veprën jo vetëm artistike, por edhe ideologjike, pasi ajo kërkon të ndikojë drejtpërdrejt në realitetin shoqëror.

Aktualiteti i poezisë

Mesazhi i kësaj poezie mbetet aktual edhe sot. Edhe në kohën moderne, brezi i ri përballet me sfida të ndryshme si padrejtësitë sociale, papunësia, korrupsioni dhe ndikimi i mentaliteteve të vjetra. Ashtu si tek Migjeni, edhe sot ekziston nevoja për reagim, për angazhim dhe për ndryshim. “Filizat” e sotëm janë të rinjtë që, pavarësisht vështirësive, mbartin ide të reja dhe potencial për të ndërtuar një të ardhme më të mirë.

Poezia “Të Bijtë e Shekullit të Ri” nga Migjeni nuk është thjesht një krijim letrar, por një thirrje e thellë që vazhdon të jehojë edhe në kohën tonë, si një pasqyrë e dhimbshme e shoqërisë dhe një kërkesë e pandalshme për ndryshim.

Edhe sot, si në kohën e Migjenit, e kaluara duket se nuk është larguar plotësisht. Në skenën politike vazhdojnë të jenë të pranishëm njerëz me të njëjtin mentalitet të ngurtë, të lidhur pas së vjetrës, të paaftë ose të pavullnetshëm për të sjellë ndryshimin që shoqëria e kërkon me forcë. Ky stagnim krijon një ndjenjë zhgënjimi të thellë, sikur koha ka ndalur për ata që presin drejtësi dhe zhvillim.

Në këtë realitet të rëndë, punëtorët janë ndër më të goditurit. Shumë prej tyre kanë humbur vendet e punës, jo për mungesë përpjekjeje, por për shkak të mbylljes së fabrikave, keqmenaxhimit dhe mungesës së mundësive të reja. Ata mbeten simbol i një jete të vështirë, të mbushur me sakrificë dhe pasiguri, duke kujtuar fort imazhin migjenian të njeriut të shtypur nga rrethanat.

Edhe rinia, që duhej të ishte forca më e madhe e një shoqërie, shpesh përballet me një mur të padukshëm. Të rinj të arsimuar, të dalë nga periudha e vështirë e luftës dhe tranzicionit, e gjejnë veten pa hapësirë, pa mundësi dhe pa vendin që u takon. Në vend të zhvillimit dhe kontributit, shumë prej tyre detyrohen të largohen, të emigrojnë, duke lënë pas vendin e tyre dhe ëndrrat e papërmbushura.

Kjo krijon një boshllëk të dhimbshëm — një shoqëri që humb forcat e saj më të reja dhe më të afta, ndërsa mbetet e mbërthyer mes së shkuarës dhe së tashmes së pasigurt. Është pikërisht këtu që mesazhi i Migjenit bëhet sërish i gjallë: një thirrje që nuk pranon heshtje, një revoltë që lind nga dhimbja dhe padrejtësia.

Në këtë kontekst, “grushti” i Migjenit nuk është vetëm simbol i revoltës, por edhe i zgjimit të ndërgjegjes shoqërore. Ai përfaqëson momentin kur njeriu nuk pranon më të jetojë i nënshtruar, por ngrihet për të kërkuar dinjitet, drejtësi dhe një të ardhme më të ndritur.

Në këtë kohë duket sikur kërkon pikërisht atë që Migjeni e ka thënë me forcë: një ndryshim rrënjësor, një thyerje të së vjetrës dhe një lindje të re shprese. Sepse vetëm përmes guximit për të ndryshuar, një shoqëri mund të dalë nga errësira dhe të ecë drejt një të ardhmeje më të drejtë dhe më njerëzore.

Përfundim

Në thelb, “Të Bijtë e Shekullit të Ri” është një deklaratë e fuqishme identiteti e një brezi që refuzon të trashëgojë pasivisht të shkuarën dhe synon të ndërtojë një botë të re mbi rrënojat e saj. Poezia mbetet një thirrje e hapur për ndryshim dhe një simbol i besimit në fuqinë transformuese të rinisë.

Vendi i Lekës,01.04.2026

Tri shtylla të një vetmie: Prometeu, Qosja dhe intelektuali i anatemuar- Nga Isuf B.Bajrami

Në çdo kohë ekziston një figurë që nuk pajtohet. Një zë që nuk rreshtohet, një mendje që nuk pranon të bëhet pjesë e korit. Por kjo figurë nuk është kurrë vetëm estetike apo morale—ajo është gjithmonë politike. Sepse mendimi që del jashtë rreshtit nuk sfidon vetëm opinionin; ai sfidon rendin e vendosur të asaj që quhet “normalitet”.

Në mitologji ai ishte Prometeu; në historinë tonë kulturore ai merr trajta më njerëzore, si tek Rexhep Qosja; ndërsa sot ai shpesh mbetet pa emër—një intelektual i anatemuar, i zhvendosur nga qendra e institucioneve që dikur pretendonin ta mbanin gjallë mendimin.

Këto janë tri shtylla të së njëjtës dramë: raporti i përjetshëm midis dijes dhe pushtetit, i cili nuk zhduket—vetëm ndërron maskë.

Prometeu nuk është thjesht figurë e rebelimit; ai është simbol i aktit që prish ekuilibrin e një rendi të mbyllur. Zjarri që ai sjell nuk është vetëm dritë teknike, por është mundësia e vetëdijes. Dhe pikërisht këtu lind konflikti themelor: çdo sistem që pretendon stabilitet absolut e percepton vetëdijen e re si rrezik. Ndëshkimi i Prometeut nuk është devijim i drejtësisë, por logjikë e pushtetit të pakontrolluar—logjikë që thotë se dija duhet të jetë e autorizuar, përndryshe bëhet e rrezikshme.

Në kohët moderne, kjo logjikë nuk zhduket; ajo rafinohet.

Figura e Qosjes nuk mund të kuptohet jashtë këtij tensioni. Ai nuk është thjesht një zë kundërshtues, por një shembull i përplasjes mes intelektit dhe institucioneve që synojnë ta përkufizojnë mendimin brenda kufijve të pranueshëm. Marrëdhënia e tij me Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës nuk është vetëm biografike; ajo është simptomë e një strukture më të gjerë: institucionet nuk janë vetëm vende dijeje, por edhe mekanizma seleksionimi të së vërtetës.

Dhe këtu lind pyetja e vërtetë politike: kush e përcakton të vërtetën që lejohet të qarkullojë si “e pranueshme”?

Shtylla e tretë—intelektuali i anatemuar—nuk është më figurë dramatike. Ai është produkt i një sistemi që nuk ka më nevojë të shtypë drejtpërdrejt, sepse ka kaluar në një fazë më të avancuar të kontrollit: administrimin e vëmendjes. Në këtë fazë, nuk ka censurë të hapur, por ka shpërndarje të pafundme informacioni; nuk ka ndalim, por ka mbingarkesë; nuk ka heshtje të detyruar, por zhurmë që e bën mendimin të padëgjueshëm.

Kjo është forma moderne e neutralizimit: jo përjashtimi i zërit, por zhdukja e peshës së tij.

Në këtë kuptim, problemi nuk është më vetëm pushteti klasik institucional. Problemi është shndërrimi i vetë hapësirës publike në një treg ku vëmendja është valuta, dhe ku mendimi i thellë humbet përballë shpejtësisë. Në një realitet të tillë, intelektuali kritik nuk heshtet—ai thjesht nuk arrin të depërtojë.

Dhe kjo është më e rrezikshme se censura.

Sepse censura prodhon kundërshtim.
Ndërsa irrelevanca prodhon zhdukje të qetë.

Këtu qëndron edhe kriza filozofike e kohës sonë: ne ende besojmë se e vërteta ka fuqi të brendshme për të dominuar, ndërkohë që ajo duhet të luftojë në një mjedis ku nuk fiton më e sakta, por më e shpejta; jo më e thella, por më e dukshmja.

Në këtë mjedis, Prometeu nuk është vetëm simbol i guximit, por edhe paralajmërim: çdo sistem që e frikësohet dijes, përfundon duke e transformuar atë në rrezik që duhet menaxhuar.

Qosja, në këtë lexim, nuk është thjesht figurë kulturore, por shenjë e përhershme e asaj që ndodh kur mendimi refuzon të përshtatet me kornizat e gatshme të institucionalizuara.

Dhe intelektuali i sotëm nuk është thjesht viktimë, por edhe dëshmi e një epoke ku konfliktet nuk zgjidhen më përmes përballjes, por përmes shpërndarjes së vëmendjes derisa asgjë të mos ketë peshë të mjaftueshme për të qenë qendrore.

Në këtë kuptim, pushteti bashkëkohor nuk është më vetëm ndalues. Ai është menaxhues i perceptimit.

Ai nuk thotë “nuk lejohet të mendosh kështu”.
Ai thotë: “mund të mendosh çfarë të duash, por askush nuk po dëgjon më”.

Dhe kjo është forma më e rafinuar e dominimit: liria e plotë e shprehjes në një hapësirë ku fjala nuk ka më rezonancë.

Në fund, tri shtyllat nuk janë figura të së shkuarës. Ato janë diagnozë e së tashmes.

Prometeu tregon kufirin midis dijes dhe ndëshkimit.
Qosja tregon tensionin midis mendimit dhe institucionit.
Intelektuali i anatemuar tregon fazën e fundit: kur mendimi nuk përballet më me ndalim, por me shpërbërje.

Dhe këtu pyetja bëhet radikale, jo thjesht filozofike:

A jetojmë ende në një hapësirë ku e vërteta sfidon pushtetin—apo në një hapësirë ku pushteti ka mësuar ta bëjë të vërtetën të padëgjueshme?

Sepse nëse përgjigjja është kjo e dyta, atëherë Prometeu nuk është më mit.
Ai është kujtesë e një kohe kur drita të paktën kishte një armik të qartë.

Sot, errësira nuk ka nevojë të luftojë dritën.
Mjafton ta mbysë në shikim të parë—në indiferencë.

Vendi i Lekës,24.04.2026

BOTA ME KËMISHË NATE- Nga LULZIM LOGU

 

Një vepër e re poetike që flet me shpirtin dhe prek ndjenjat më të thella të lexuesit!

Libri ‘’ Atje ku fjala merr frymë’’West Print, 2026

Me librin ‘’Atje ku fjala merr frymë ‘’nga Hasan Muzli Selimi, poezia vjen si një udhëtim i qetë mes mendimit, dashurisë, kujtesës dhe shpirtit njerëzor.Fjala në këtë vepër merr jetë, merr frymë dhe bëhet zë i ndjenjave që secili prej nesh i ka përjetuar.Ky libër është një ftesë për të ndalur pak ritmin e përditshëm dhe për të hyrë në botën e poezisë, aty ku fjala bëhet emocion dhe mendimi bëhet art.

‘’Atje ku fjala merr frymë ‘’nga Hasan Muzli Selimi është një prej atyre veprave poetike që nuk të fton vetëm ta lexosh, por të ndalosh, të reflektosh dhe të dëgjosh zërin e shpirtit tënd.Në çdo varg ndjehet qetësia, mallëngjimi, dashuria për jetën dhe për njeriun, sikur fjala vërtet merr frymë dhe jeton mes nesh:

‘’Unë udhëtoj rrugë në rrugë

Të shikoj shenja, të shikoj gjurmë

Ti ngjall perënditë e vdekëta…’’

Kjo vepër është një udhëtim i ndjeshëm në botën e emocioneve, një dritë e qetë që të shoqëron në heshtje dhe të kujton se poezia është zëri më i bukur i shpirtit njerëzor,njerëz që nuk shkruajnë vetëm vargje, por shkruajnë shpirtin e tyre në letër.Ky libër nuk është vetëm një përmbledhje poezish, por një dëshmi e shpirtit krijues, një dhuratë për lexuesin dhe për letërsinë.

Miti i qiellit, miti i diellit, trualii i vjetër dhe i ri, shpirti dhe ëngjëjt përbëjnë një kaleidoskop të pasur simbolesh në universin krijues të autorit. Në këtë vepër poetike, këto elemente nuk shfaqen thjesht si figura estetike, por si shtylla filozofike dhe shpirtërore që ndërtojnë botëkuptimin e tij letrar:

‘’ Me një grusht yje të gjuaj

Të vras pak nga pak

Me dritën e hënës

Me fjalën e heshtjes

Me këngën e zogut të darkës

Jam aty brenda teje…’’

Qielli dhe dielli përfaqësojnë dimensionin e përjetshëm dhe dritën e shpresës, duke e vendosur poezinë në një hapësirë mes tokësores dhe hyjnores. Ndërsa trualli i vjetër dhe i ri simbolizon përplasjen dhe vazhdimësinë e traditës me kohën moderne, duke e bërë poezinë një urë lidhëse mes kujtesës dhe realitetit bashkëkohor. Në këtë përballje kohësh, autori kërkon të ruajë identitetin shpirtëror dhe kulturor, duke e kthyer fjalën poetike në një akt kujtese dhe ringjalljeje.

Shpirti dhe ëngjëjt, si elemente të botës metafizike, i japin krijimtarisë një dimension të thellë meditativ. Poezia shndërrohet kështu në një dialog të brendshëm me njeriun, me Zotin dhe me universin, duke e bërë vargun një hapësirë reflektimi dhe ndriçimi shpirtëror. Ky kaleidoskop simbolesh krijon një harmoni mes mitit, realitetit dhe përjetimit personal, duke e bërë veprën një udhëtim poetik në thellësinë e qenies njerëzore:

‘’ Drejtë majës së shenjtë kame cur me hap

Me thesin e shkyem vende vende

Djersa e kripur më dogji kurrizin

Opingat mbetur në rrfan

Ngjaj si eremit

Mëkatin shtyp këmbëzbathur…’’

Në tërësi, krijimtaria e autorit shfaqet si një ndërthurje e mitit, traditës dhe spiritualitetit, ku fjala merr frymë përmes dritës së qiellit, kujtesës së truallit dhe pastërtisë së shpirtit. Kjo e bën poezinë e tij një hapësirë të ndjeshme reflektimi dhe një kontribut të veçantë në letërsinë poetike bashkëkohore.

Vendlindja Kasaj zë një vend qendror në universin poetik të autorit, duke u shndërruar në një hapësirë kujtese, identiteti dhe meditimi shpirtëror. Në këtë vepër, poeti pozicionohet mes të shkuarës nostalgjike dhe së tashmes, duke ndërtuar një dialog të vazhdueshëm me rrënjët e tij, me peizazhin alpin dhe me botën e brendshme të ndjenjave:

‘’ Qiellore dhe tokësore në Kasaj

Gjithmonë pa ardhë dita

Marr nga ti fillin e zjarrtë

Një lëmsh të bëj

Të konkuroj diellin…’’

Romantika e peizazhit të mrekullueshëm alpin nuk është vetëm një përshkrim natyre, por një mënyrë për të rikthyer kujtesën dhe për të ruajtur lidhjen me truallin e lindjes. Male, qiell i pastër, qetësi dhe hapësirë e gjerë krijojnë një sfond poetik ku njeriu dhe natyra bashkëjetojnë në harmoni, ndërsa fjala poetike bëhet një urë mes realitetit dhe përjetimit emocional. Në këtë kontekst, vendlindja shfaqet si një burim frymëzimi dhe si një strehë shpirtërore ku poeti gjen qetësi dhe identitet:

‘’ Udhëtoj botës së terrtëtë gjej në gjumë

Me lotin pa tha

Si fluturim zogu

Të zgjoj pa t’nga

Ti dhe unë me diellin

Luajmë ku-ka-mshehtas..’’

Në qendër të këtij meditimi qëndron figura e amshuar e nanës dhe babës, të cilët përfaqësojnë jo vetëm familjen, por edhe rrënjën e ekzistencës dhe vlerat e trashëguara ndër breza. Ata shfaqen si simbole të sakrificës, dashurisë dhe qëndrueshmërisë, duke e bërë poezinë një homazh të ndjerë ndaj prindërve dhe ndaj kujtesës familjare. Kjo figurë e përhershme krijon një dimension të thellë emocional, ku poeti kërkon kuptimin e jetës përmes dashurisë dhe mirënjohjes:

S’di në gjumë a zgjuar

Dorën e futa thellë në zemrën time

Fap sytë, dora ishte

N’zemër të nanës…’’

Fuqia vuajtëse e mallit është elementi që përshkon gjithë këtë botë poetike. Malli për vendlindjen, për prindërit, për kohën e shkuar dhe për bukurinë e natyrës shndërrohet në një energji krijuese që ushqen vargun. Ky mall nuk është vetëm dhimbje, por edhe forcë shpirtërore që e mban poetin të lidhur me rrënjët dhe me kujtesën e tij. Në këtë mënyrë, poezia bëhet një udhëtim i brendshëm mes nostalgjisë, dashurisë dhe meditimit, duke e kthyer fjalën në një akt të thellë shpirtëror:

‘’ Ai është bronz

Me bark bosh

Brenda tij ruan mitin

Si burrat moti në mort

Malli më flet me gjuhën e trupit

Ishte këngë jete…’’

Në tërësi, krijimtaria e autorit shfaqet si një ndërthurje e vendlindjes, peizazhit alpin, kujtesës familjare dhe mallit njerëzor, ku poeti qëndron mes së shkuarës dhe së tashmes, duke kërkuar kuptimin e jetës përmes fjalës poetike dhe përmes rrënjëve të tij shpirtërore:

‘’Ti qaj, kujto hijet

Lojën, puthjen e bjeshkës

Koha nuk është e këngës…’’

Fryma në krijimtarinë e autorit shfaqet si një mistikë e brendshme që ndërton dimensionin shpirtëror të vargut. Ajo nuk është vetëm një element estetik, por një energji e padukshme që e përshkon poezinë dhe e kthen fjalën në një hapësirë meditimi dhe përjetimi të thellë. Fryma, si metaforë e jetës dhe e shpirtit, bëhet një bosht simbolik rreth të cilit ndërtohet universi poetik, duke krijuar një lidhje të ndjeshme mes njeriut, natyrës dhe përjetësisë:

‘’Jam në dilemë

Të jetoj a të vdes

E nëse vdes të shkoj pranë baltës

Prej kohës mbjellë bekime

Aty gjej Kohën…’’

Eufemizmat dhe simbolika janë elemente që e pasurojnë ndjeshëm strukturën e vargut, duke i dhënë një finesë të veçantë artistike. Përmes eufemizmit, autori arrin të zbusë dhimbjen, mallin dhe përjetimet e forta emocionale, duke i shndërruar ato në një gjuhë poetike të butë dhe të thellë, ndërsa simbolika krijon një shtresë të dytë kuptimore që e bën poezinë më të hapur për interpretim. Kjo mënyrë shprehjeje e bën vargun më meditativ dhe më të pasur në nivel estetik:

‘’Takova babën në të njëjtin vend

Koha ishte mbështetë mbi të

Diellin e vuri në gjumë

Gurrat e zeza harbuan

Lulet çelnin…’’

 

Simbolika në poezinë e tij funksionon si një muzikë e brendshme shpirtërore, që rrjedh natyrshëm në strukturën e vargut dhe krijon një harmoni mes mendimit dhe ndjenjës. Ritmi i brendshëm, figuracioni dhe gjuha e përzgjedhur e bëjnë poezinë të tingëllojë si një melodi e qetë, ku fjala nuk është vetëm komunikim, por edhe ndjesi dhe përjetim. Kjo muzikë e brendshme i jep vargut personalitet dhe peshë emocionale, duke e bërë zërin poetik të dallueshëm dhe autentik

‘’Sonte renkonte nata

Gjumi në frikën e vet kullat dridhte

Mengjesin e marr përdore

Ndriçoj gjethin…’’

Në tërësi, fryma mistike, metafora, eufemizmat dhe simbolika krijojnë një strukturë poetike të harmonizuar, ku vargu fiton thellësi shpirtërore, ndjeshmëri artistike dhe identitet të qartë letrar. Kjo e bën poezinë e autorit një përvojë estetike dhe emocionale, ku fjala merr peshë, frymë dhe kuptim në ndërthurjen e mendimit me ndjenjën:

‘’Helmin e baj ujë, t’shuaj etjen e shtrigave

Mriz zanash mos të ketë kurrë

Dashurinë ta hedh, lumenjtë ta përpijnë…’’

Në tërësi, kjo vepër poetike dëshmon një zë të pjekur krijues, ku fjala, fryma dhe simbolika ndërthuren për të ndërtuar një univers të ndjeshëm letrar me vlera të qëndrueshme artistike. Në fund, poezia e tij mbetet një dritë e qetë shpirtërore, që flet me zemër dhe lë gjurmë të thella në ndjeshmërinë e lexuesit.

 

Tropojë, Prill 2026

Eh, ore Petro Mejdi, më vikate në memorje…- Nga Prof Dr Fatmir Terziu

 

Eh, ore Petro Mejdi, më vikate në memorje…

Kam qenë vetë mësues në atë zonë, pikërisht në atë kohë të viteve tetëdhjetë, në Ostrenin e Madh të Dibrës, dhe ky tregim më rikthen me një gjallëri të rrallë jo vetëm ngjarjet, por edhe frymën, ritmin dhe peshën psikologjike të jetës në atë hapësirë të Veriut. Ai nuk është thjesht një rrëfim udhëtimi i gjatë e të mundimshëm, por një dokument i gjallë letrar, ku ndërthuren përvoja individuale, presioni ideologjik dhe humanizmi i thjeshtë i njerëzve.

Që në hyrje, autori vendos një ton autentik dhe emocional, duke e nisur me një kujtesë tingëlluese, thirrjen dramatike ndaj Fatemes në agjencinë e biletave. Kjo nuk është vetëm një episod folklorik apo anekdotik; ajo përfaqëson tensionin social të kohës, mungesën, padrejtësinë dhe përplasjen mes njerëzve të zakonshëm dhe një sistemi që shpesh funksiononte me privilegje të fshehta. Rradha për një biletë bëhet metaforë e një gare të pabarabartë për mbijetesë dhe dinjitet.

Struktura e tregimit është e ndërtuar me kujdes, duke përdorur “intermexo”, si ndërprerje që nuk e thyejnë rrjedhën, por e thellojnë atë. Letra anonime është një nga pikat më të forta narrative. Ajo nxjerr në pah klimën e frikës dhe të kontrollit ideologjik, ku një veprim i thjeshtë njerëzor, si bujtja në një shtëpi në një natë të ftohtë, mund të interpretohej si devijim politik. Këtu autori arrin të japë me finesë absurditetin e “luftës së klasave”, pa e tepruar me retorikë, por duke e lënë faktin të flasë vetë.

Po aq i goditur është portretizimi i operativit të sigurimit, Tafës. Ai nuk paraqitet si figurë njëdimensionale, por si një personazh kompleks, pothuaj paradoksal: njëkohësisht përfaqësues i sistemit dhe njeri me sjellje të çuditshme, herë ironike, herë të çliruar nga rregullat që vetë sistemi predikonte. Episodi me fotografinë e Enver Hoxhës është kulmor, një moment që përmbledh në mënyrë simbolike hipokrizinë, frikën dhe lojën e heshtur që zhvillohej mes individit dhe pushtetit. Heshtja e Zylifit dhe e rrëfimtarit është më elokuente se çdo reagim i drejtpërdrejtë.

Pjesa kryesore e udhëtimit Tiranë–Qafë Buall–Shupenzë është ndërtuar me një realizëm të hollë dhe me një ritëm që pasqyron vetë vështirësinë e rrugës. Përshkrimet e dëborës, të autokolonave të bllokuara, të ankthit kolektiv në autobus, janë jo vetëm vizuale, por edhe ndijore. Lexuesi ndjen të ftohtin, pasigurinë, lodhjen dhe shpresën që vjen herë pas here nga lajmet për buldozerët apo ndërhyrjen e shtetit. Kjo pjesë ka një forcë të veçantë sepse ndërthur natyrën e egër me psikologjinë njerëzore.

Në këtë rrëfim, gjuha është një pasuri më vete. Ajo bart në vetvete jo vetëm shqipen standarde të kohës, por edhe nuanca të të folmeve lokale, sidomos të Dibrës dhe zonave përreth. Shprehje si “qe pieme gollo”, përdorimi i fjalës “kromid”, apo intonacionet e bisedave, nuk janë thjesht elementë stilistikë, por dëshmi të gjalla të një bote ku gjuha ishte identitet. Për ne që kemi jetuar aty, këto nuk janë vetëm fjalë, janë tinguj që na kthejnë në klasa të ftohta dimri, në oda burrash, në biseda pranë sobës.

Po ashtu, përmendja e emrave dhe figurave, qofshin ata Zylifi, Flora, Taf Murrra, apo edhe operativi Tafa, nuk mbeten thjesht personazhe letrarë. Ata përfaqësojnë një brez të tërë kuadrosh të rinj, agronomë, mësues, ekonomistë, veterinerë, që u dërguan në këto zona si pjesë e një misioni ideologjik, por që në fakt u bënë pjesë e një realiteti shumë më të ndërlikuar. Në kujtesën tonë, këta emra ngjajnë me dhjetëra të tjerë që kemi njohur: njerëz të mirë, të përkushtuar, por gjithmonë nën hijen e një biografie që mund të kthehej në pengesë në çdo çast.

Toponimet në tregim janë një hartë e gjallë e memories: Qafë Bualli, Klosi, Batra, Bulqiza, Ura e Shupenzës, Gjorica, Zerqani… këto nuk janë vetëm pika gjeografike, por etapa të një udhëtimi që kush e ka bërë një herë, e mban mend gjithë jetën. Rruga me kthesa, ngricat, zinxhirët e gomave, ndalesat e gjata – të gjitha këto janë pjesë e një përvoje kolektive që sot duket e largët, por atëherë ishte përditshmëri. Edhe vetë udhëtimi 11-orësh nuk është thjesht një fakt, por një provë durimi dhe qëndrueshmërie.

Në sfond, pa u thënë drejtpërdrejt, qëndron e gjithë struktura e jetës nën diktaturë. Letra anonime, frika nga biografia, prania e operativit, autocensura në biseda, të gjitha këto janë elementë që për ne nuk janë të huaj, por pjesë e përvojës sonë. Ato nuk duken të ekzagjeruara në tregim, përkundrazi, janë të përmbajtura, çka i bën edhe më të besueshme. Janë pikërisht këto detaje që e bëjnë tregimin të ngjajë si një copëz e drejtpërdrejtë e kujtesës sonë.

Një element shumë i rëndësishëm është kontrasti mes vështirësive ekstreme dhe ngrohtësisë njerëzore. Mbërritja në shtëpinë e Taf Murrës përbën kulmin emocional të tregimit. Në një kohë kur ideologjia ndante njerëzit në “të mirë” dhe “armiq”, mikpritja e kësaj familjeje e thyen këtë kufi artificial. Tavolina e mbushur, kujdesi për fëmijën, sakrifica e heshtur e familjarëve, të gjitha këto japin një mesazh të fortë: humanizmi mbetet mbi çdo ndarje politike.

Në tërësi, ky tregim është një dëshmi e fuqishme e një kohe të vështirë, ku idealizmi i rinisë përplasej me realitetin e ashpër të jetës dhe të sistemit. Ai na kujton se përtej vështirësive, frikës dhe kontrollit, ekzistonte një botë njerëzore e mbushur me solidaritet, guxim të heshtur dhe dashuri për tjetrin.

Dhe ndoshta për ne që e kemi jetuar atë kohë, ky rrëfim nuk është thjesht letërsi, është një rikthim i plotë në një jetë që, me gjithë ashpërsinë e saj, mbetet e gdhendur thellë në kujtesën tonë. Rrugët mund të kenë ndryshuar, emrat mund të jenë harruar nga disa, por ndjesitë, njerëzit dhe ajo frymë mbeten të paharrueshme.

FRYMA DHE IMAGJINATA E BEGATË NË POEZINË E RUZHDI GOLES- Nga Prof. dr. Bardhosh Gaçe

 

Poezinë e Ruzhdi Goles, disa kritikë letrarë e kanë cilësuar “poezi gjendjesh” dhe metaforike si poezi që i jep rëndësi gjuhës. Në të vërtetë, poezia ka në natyrën e saj gjendjen shpirtërore, shpërthimin e saj dhe marrjen rrjedhë të kësaj gjendjeje përmes vargut. E veçanta e poezisë së Ruzhdi Goles është se kjo gjendje nuk ngrihet mbi bazën e një motivi konkret, por të një fryme trancedentale dhe të një imagjinate të pasur. Kjo imagjinatë e begatë i jep krahë një mendimi që duhet kuptuar përmes konvencave dhe alegorive të shumta, gjë që e bën poezinë e tij, moderne, Prandaj edhe poezia e tij lexohet përmes perceptimit intelektual dhe njohjes së mirë të regjistrit leksikor që ndërmerr vetiu kjo lloj poezie. Edhe titujt e poezive na lajmërojnë, para se të fillojmë ta lexojmë vargun e tij, për natyrën e kësaj poezie.

Poeti, në tërë frymëzimin e vet ndalet dhe përqëndrohet më tepër tek imazhi. Për poezinë ka mendime të ndryshme. “Poeti duhet të jetë i errët” thotë Didëroi, enciklopedisti francez, ndërsa Gëte, në vlerësimet e tij për artin, shprehet se “arti duhet të jetë i thjeshtë”. Sentencat e ndryshme nuk na japin një mendim të përcaktuar saktë sesi duhet të jetë poezia, prandaj ajo mbetet e bukur, mbetet gjithnjë një lojë e pakapshme e fjalës, një imazh që ndërron pamje. Por një gjë mbetet e saktë në sensin kuptues të saj, kur ajo shkruhet mirë, çdo tipologji dhe model krijimi harrohet dhe cilësia e shkrimit dhe arritja e nivelit është përcaktuese.

Poeti Ruzhdi Gole hyn ndër poetët e mirë modernë të letërsisë bashkëkohore shqipe me një pretendim për t’u pasur zili, ndaj estetikës së fjalës. Për të, fjala dhe gjuha poetike janë të dorës së parë dhe këtë nuk e vë si qëllim, por kjo mbetet natyrë krijuese e talentit të tij poetik, siç edhe e shohim dhe e perceptojmë në dy vëllimet e tij marrë në shqyrtim: “Ajër plot kallëza” dhe “Pylli me zemrekë në gisht”.

Duke qenë se poeti është nazeli i fjalës së zgjedhur, ai ka krijuar edhe leksikun e tij poetik, një leksik i pasur-rezultat kërkimi në gjuhë, por edhe përvojë shkrimore, që ka mundësuar një natyrë të veçantë të poezisë së tij. Kërkimi i fjalës çon gjithashtu në nuancat kuptimore më të imta-edhe pse poeti shkruan poezi jo fort të gjata dhe me ngjeshje fjalësie-rezultat i pasurisë së leksikut të tij, si dhe përjetimeve të thella nga koha dhe njerëzit.

Kodet e fjalëve të poezisë së Ruzhdi Goles janë të pasura. Përmes një fjalësie të thjeshtë ai arrin t’i vërë ato në pozicione të vështira kuptimore, ku fjala të mos ndihet ngushtë, madje e lirshme për të kaluar në kombinime të tjera dhe për të vijuar kështu në përhapjen e mundësive të saj që të ndërtojë asosacione e shprehi që fantazojnë e fantazohen. Prandaj, poezia e këtij poeti lexohet me kujdes dhe lexuesi ka mundësinë t’i vërë shenjat e kësaj poezie sipas gjendjeve që ajo bën të mundur të sjellë si ndikim dhe sipas gjendjeve dhe kulturës leximore të tij.

Kështu, në përgjithësi, kjo poezi të mbush me frymën e saj dhe të nxit të meditosh me të, gjatë leximit, dhe, pas leximit të gjatë, nga kjo poezi të mbetet një shije estetike e veçantë, duke menduar për kulturimin e shprehjes së vargut dhe vetitë rrezatuese të fjalës, larg asaj që është konkrete dhe e thjeshtë, por duke bërë një rrugë të gjatë me shenjat, në horizonte për të shkuar te konkretja.

Poezia e Ruzhdi Goles te vëllimi “Ajër plot kallëza” frymon një botë të natyrës përmes një perceptimi shqisor, ku autori i aktivizon njëherësh të pesë shqisat, duke transmetuar një botë, e cila vjen ashtu e gjitha, gati si përnjëherësh. Këtë përshtypje të lë poezia e tij, e cila e konfiguron këtë botë me një sistem figuracioni vetjak, krejt të veçantë. “Majëmalet vezullojnë kryet, mund të ngjitemi të gjithë/jeta buzët fërfëllon/mirëkeq ngjizen brumërat”.

Vetiu të shkon ndërmend se poeti i talentuar flet për një botë ëndërrtare, e cila majëmalet e humbura në vezullimin që të jep ëndrra i tenton si lartësi. “Brumrat”– si metonimi që shpreh poeti, nuk janë tjetër veçse lënda si qenie e ngjizur me këto ëndrra. Dhe kështu kjo botë ëndërrtare që jepet përmes materies dhe frymës, do të ndihet e do të shënohet duke u materializuar në të gjithë vëllimin “Ajër plot kallëza”, ku lënda dhe fryma shihen si të pashkëputura në poezitë e këtij vëllimi. Këtë lëndë poeti e gjen në natyrë, siç e thamë, por edhe në atë që kërkon ta objektivizojë si të tillë përmes mendimit. “Ajër/o miku im i xathun/mos t’u shterrofshin kurrë vrapimet e mushkëritë/kurrëkurrës s’kam pasur pëllëmbë/të duartrokas veten/që hera kam trokitur/gjithë mbarësitë dhe maratonomakët”.

Vëmë re se si poeti e transmeton aq bukur dhe thjesht një raport të qenies me mendimin që kërkon ajër, se si e “asgjëson” poetikisht një tipar fizik të lëndës për të treguar modestinë dhe barazpeshën. Kjo lëndë që ngjizet prej fryme dhe kjo frymë që jetëson lëndën dhe i jep lëvizje-bëhet një obsesion artistik në vëllimin poetik të Ruzhdi Goles, por jo mani deri në skaj, sepse poezia e tij është e lirshme përmes sintaksës së vargut të saj të ngjeshur në mendim dhe të frymuar nga një ritëm i brendshëm.

Pas ciklit të parë “Ëndja kallëz zani” vjen cikli tjetër “Humbak hidhërimi”, një titull eliptik dhe me një inversion që pranohet si pozicion sintaksor vetëm në poezi. Poeti i kushtohet tërësisht frymës. Poezia me këtë motiv mbështetet kryesisht mbi një shprehje që shkon deri në përcaktime sintetizuese se çfarë është hidhërimi. Hidhërimi që shpesh vjen nga mungesa e lëndës, por edhe nga lënda-hidhërimi si gjendje, duket se mezi i kapërcen shtigjet e fjalës poetike të Ruzhdi Goles dhe mbetet aty. Duket se kësaj bote memece poeti kërkon t’ia çkyçë kodet dhe ta sjellë deri afër kuptimeve dhe të folurit, andaj, pamundësia e çkyçjes e çon atë në hidhërim: “Hidhërimi, përbisht, fajtor për brambullimat, shpesh të liga/për barnat e mykura e fjalorët e pastrehë, pagojë në theskeq e më keq gatuhet me prita e kukudhët shërbesë”.

Dhe kështu poeti vijon të përvijojë me vëzhgimin e tij metaforizues gjendjen e hidhësisë prej kësaj bote që lëkundet midis mundësisë dhe pamundësisë. Poezi të tilla, si: “Fletorja fidanishte”, “Matrikulla”, “Kacavjerrje dorashka”, “Grurë hidhërimi” etj, realizohen me tjerrjen e mendimit mbi këtë gjendje-poezi, të cilat supozojnë e konkretizojnë, shkojnë deri në caqet e njohura e të panjohura të vetëdijes e të pavetëdijes, sjellin kaosin e ndërdijes dhe rregullojnë njëfarë rendi të perceptimit.

Cikli tjetër “Zemrekë shiu e ftohmë” të krijon përfytyrimin e një bote të ujtë dhe të qullët. Zemreku i shiut, një metaforë me marrëdhënie të largët me kuptimin, që duket se e arrin atë me vështirësi, nuk është gjë tjetër veçse zemreku i kohës që ngec në ecjen e saj ose e shënon atë që duhej shënuar, me vonesë. Të shprehurit metaforik dhe shenjëzimi konceptual në kontekste, që duket sikur shtyjnë njëra-tjetrën për t’u çliruar sa më parë nga pesha e kuptimit, është një veçori interesante e stilit të këtij poeti dhe e mënyrës se si ai e ndërton strukturën e poezisë. poeti hyn me imagjinatën e tij në misterin e kësaj bote të ujtë: “Shiu për t’u lumturuar nga vetja/njeriun me thupër të butë/u bie ca çudive/sikur të jenë tastiera/fantazish të fshehta”. Dhe asnjëherë poeti nuk e harron peizazhin, natyrën, të cilën e sjell atë përmes visores, me detaje që ai i zgjedh në funksionalitet të shprehjes së gjendjeve..

“Gremina të hareshme” është një cikël tjetër në vijim, ku poeti thellësinë e quan një hare zbulimi-poeti nuk e do kurrë sipërfaqen e sendeve, të fjalëve, ai sondon e di të sondojë përmes imagjinatës së tij të pasur dhe leksikut po kështu të pasur, për të abstraguar mbi këtë botë në pamje të lodhur, por me dinamizmin e thellësisë së saj. Të tërheqin për këtë këndvështrim poezi të tilla, si: “Brof me cifla”, “Zbathje vreri” “Florë e kor”, “Nji fije argjend”, “Shtiza ajri” etj: “Te të gjitha punishtet hyj, picërrimë zvogëlue sytë/te të gjitha kudhrat më janë zvogëlue shkronjat”, (poezia “Zbathje vreri” f. 60).

Metafora shumë e gjetur e helikës së mallit, që emërton titullin tjetër, të krijon ndjesinë sikur kjo helikë e ngre poetin në fluturim për ta çuar atë hapësirave të mallit. Titujt e metaforizuar dhe herë të çuditshëm e krejt të pangjashëm të këtij cikli, si dhe malli i palëndët të yshtin gjithnjë të rendësh shkarkesave të buta emotive të një shpirti të butë, që shkrihet edhe më, në ozonin e një malli, të cilit nuk i mbaron kurrë ajri, edhe pse ai ndonjëherë helmatiset nga largësia apo zhgënjimi i ndarjes. Poezi të tilla si: “Syri curril”, “E pakryer”, “Parrokshëm”, dhe shumë të tjera krijime të realizuara me një shprehje të mençur vargu, mbushur me gjendje e situata paradoksesh, të bëjnë t’i lexosh me kujdes jo vetëm një herë për t’u kapur pulsin dhe dinamikën e brendshme të kuptimit dhe për t’i vendosur jo në një raport kuptimor me botën, por me shumë raporte, sepse, poezia e Goles nëpërmjet prosedeut krijues të tij, ta dikton këtë lloj perceptimi dhe ndijimi të një bote të thellë artistike e estetike.

Nga uji marrim freskinë dhe tejpashmërinë, por edhe dëshirën e ecjes dhe të këmbënguljes për të çarë e për të gjetur një shteg tjetër kur ai pengohet, e kjo ide të vjen ndërmend teksa lexon ciklin poetik “Zell i ujërave”. Është një cikël udhëtimi në një tjetër vend, në Itali, dhe mjaft emra vendesh, duket sikur zënë vend rastësisht, sepse i gjithë cikli i kushtohet përtëritjes së natyrës në paralelizëm me përtëritjen e shpirtit. Vëllimi mbyllet me ciklin “Bletari maji”. “Maji në banjë, trup palarë./Ushtar i vrarë maji në fyt/maji me re, mbathur shtarë,/arnat arte e hise të gurtë/sytë e akujve po i groposen thellë/majit askund kush sytë s’ia gjen”.

I gjithë libri poetik me poezi “Ajër plot kallëza” me të shtatë ciklet me poezi të organizuara e të vendosura sipas një prirjeje motivore –mendimore, krijon gjendje dhe afeksione të drejtpeshuara përmes natyrës hermetike të vargut, ky minimum i fjalëve ngjiz e shpërthen kuptime të shumëfishta përmes simbolesh, konvencionesh e mbi të gjitha, përmes një gjuhe të pasur, së cilës autori i kushton kujdesin e natyrshëm në sendërtimin artistik të saj.

Poezia e frymës lexohet e shijohet edhe në vëllimin “Pylli me zemrekë në gisht”, një vëllim po kaq i bukur sa tjetri dhe në vazhdën e natyrës së këngëtimit të këtij poeti. Edhe ky libër është i ndarë në cikle, por ciklet në vëllimet poetike të Ruzhdi Goles nuk kanë ndonjë diferencë të madhe në grupmotivet e tyre, ato duket se janë në vijimësi të njëri-tjetrit, duke zgjeruar vetëm kuptimet dhe ndjesitë dhe duke e përthyer relievin e fjalëve e duke sjellë kontrapunkte interesante.

Edhe në këtë vëllim, poeti dallohet për përndritjen e një fantazie të begatë, për gjuhën e pasur, të figurshme, një nga cilësitë e veçanta të stilit të tij. Uni i tij lirik -meditativ duket sikur përbëhet nga një labirint dhe poeti kërkon të gjejë fillin e arsyes, duke e ndjekur kthesave të pafundme të këtij labirinti për të dalë te drita e kuptimit: “Maji ku më duhet të thërras ca pendesa/krahë shtërgu e shenjti, habi vedrash/me sytë baritje në yll qepallat egjëra/ngjallën zbulimet prej flore e faune” –shkruan poeti në nisje të poezisë “Hoka zane” f. 13.

Në vëllimin poetik të Ruzhdi Goles “Pylli me zemrekë në gisht”, gjejmë ngjyrat e stinëve, objekte e fragmente peizazhesh që përthithen nga ndjesitë e autorit dhe ai është në gjendje t’i rikonfigurojë e t’i përçojë përmes një mendimi të abstraguar. Ai kap sekuenca të shfaqjes së çasteve dhe i mishëron shpejt në imazhe, ndërton plotërinë e imazhit dhe nuk ngurron ta përcjellë në shumëfishim te streha e një imazhi tjetër, krijon gjithmonë mundësinë dhe hapësirën për të menduar më tej e përtej, tipare të modernitetit dhe të mendimit të ftohtë e racional, me një luksozitet të ndjenjës që gjithsesi është ndjenjë që jehon në hapsirat estetike të bukura. Ai ia njeh çdo shenjëzim natyrës dhe është gati ta shndërrojë atë në poezi- e ta transmetojë përmes mundësive që jep forca gjeneruese e fjalës, gjithnjë brenda natyrës së tij poetike ai fjalën e shndërron në vizion dhe vizionin e shtrin brenda kufijve të fuqisë së fjalës së tij poetike, duke përcjellë imazhe e perceptime të gjera.

Poezia e Ruzhdi Goles është poezi e kërkimit të ideve dhe të qasjeve ndaj tyre, duke u thelluar në mundësinë e thellësisë që ato paraqesin e parashtrojnë si joshje. Ai i kushton mjaft rëndësi formës dhe abstragimit të fjalës, duke shenjëzuar e definuar kuptime të largëta. Paralelizmat që përdor edhe kontekstet e gjera e të mistershme që u jep situatave poetike në përpjekjen e gjetjes së mënyrave të shprehjes plot paradokse, e bëjnë poezinë e tij interesante dhe e sjellin portretin e këtij poeti në letërsinë tonë të modernitetit, si një poet që spikat me gjithë heshtjen e tij modeste.

Gjithnjë vargu i tij lexohet si një zbulim, si kënaqësi që të jep kontrasti, por edhe aliteracionet e shumta apo shprehja e kulturuar dhe me sens. Vlera mendimore e poezisë së tij shpesh të kujton një thënie të mençur, një përvojë filozofike, gjithnjë i nisur nga natyra dhe njeriu si bir i saj, i cili nuk ngopet me bukuritë e natyrës dhe kërkon të gjejë e të shpjegojë bukuritë e mistershme të saj, në hapsirat e pamata të kohës dhe njeriut.

 

Vlorë-Tiranë tetor 2025.

LUFTA PËR VLORËN – 1920 NË NJË TJETËR PAMJE NGA ZENO JAHAJ – Nga Albert HABAZAJ

 

Sa më ra në dorë libri “Lufta për Vlorën – 1920” i autorit Zeno Jahaj, e lexova me ëndje dhe vëmendje, sepse, veç të tjerash, më interesonte të informohesha për ç’ka shkruan autori mbi një temë që e kam si të shtëpisë në studimtarinë time të thjeshtë.

Nuk do të merrem me përmbajtjen e librit, se ç’kuptim ka, por vlen të kujtoj sadopak se për këtë ngjarje të madhe historike dhe në rrafsh kombëtar kanë shkruar së pari ata që e bënë këtë luftë, si Halim Xhelo Tërbaçi, Avdurrahman Çiraku, Ago Agaj, Gani Ilias Habazaj, janë bërë botime serioze, të nivelit akaddemik, të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, se kanë shkruar historianë, qysh nga Sali Hallkokondi (1923), Tajar Zavalani, Sejfi Vllamasi, R. Zeqiraj, prof. Muin Çami, akad. Aleks Buda, akad. Kristo Frashëri, prof. Shahin Leka, prof.as.dr. Bernard Zotaj, prof.as.dr. Aleks Trushaj, Eduard Demo etj., madje janë bërë edhe botime nga studiues të huaj si Nikolas J. Costas, Nikola Guy, Serge Mètais etj.

Po ashtu, janë bërë botime të rëndësishme në rrafshin e folkloristikës nga studiues të fushës, si Qemal Haxhihasani, prof. Agron Xhagolli, prof. Bardhosh Gaçe etj. Edhe autori i këtij kumtimi të shkurtër (A. H) ka botuar dhe ribotuar një monografi mbi raportin sesi e trajton historia këtë ngjarje historike (historianët shqiptarë dhe studiuesit e huaj) dhe si e përjetëson folklori (Epika historike: Neraida; 2016, Maluka; 2020). Pra, kemi një vështrim krahasimtar në optikën e këtyre dy fushave, që shënon të parin punim shkencor i këtij lloji.

Ndërkaq, pasi e lexova librin “Lufta për Vlorën – 1920” e kolonel Zeno Jahaj, përjetova tri ndjesi:

Së pari, ndihem më i pasur në dije në fushën që më intereson, siç është Lufta Kombëtare e Vlorës/ Njëzeta, siç e quan populli;

Së dyti, ndihem mirë në miqësinë me dinastinë diturore – atdhetare dhe kulturore – letrare Jahajt e Mesaplikut;

Së treti, jam krenar për bashkëpunimin e shëndetshëm dhe të dobishëm të autorit me një figurë po aq të shëndetshme, të guximshme dhe vërtetësore, me të cilin më bashkon rrënja e Tërbaçit. E kam fjalën për miqësinë shembullore që ka eksperti ushtarak dhe i diplomacisë ndërkombëtare, kolonel Zeno Sali Jahaj me zëvendëskomandantin për Shkencën e Shkollës së Lartë të Bashkuar të Oficerëve [Akademia e Forcave Tokësore], Tiranë (1987-1992), Agron Hysni Berdaj. Nuk kam dëshirë t’i krahasoj para të tjerëve me vëllezërit siamezë, por si miqësinë e dëlirë të Zenos me Agronin, të cilën gjykoj se vlen ta kemi si standardin më të lartë të miqësisë intelektuale dhe atdhetare.

Libri “Lufta për Vlorën – 1920” është shkruar me një gjuhë të rrjedhshme, të qartë dhe të kuptueshme nga të gjitha shtresat e lexuesit të kulturuar (ç’ka tregon se autori është po aq mjeshtër i komunikimit me njerëzit). Në këtë libër është përdorur terminologjia korrekte, që e zotëron më së miri ushtaraku i lartë Zeno Jahaj, i cili tregon profesionalizëm ushtarak, si një ndër më të mirët ekspertë të shkencës dhe artit ushtarak, po aq dhe të fushës së diplomacisë. Libri është një shikim i kthjellët, me tjetër këndvështrim, me përmasa tej atyre që është parë shpesh nga historiografia shqiptare, i pari këtij lloji në studimtarinë serioze. Autori ka përdorur një term tjetër ndryshe nga deri më sot “Lufta për Vlorën -1920”, në një tjetër pamje, që patjetër do të ketë dhe diskutime, interpretime, mospranime, por ai këmbëngul, logjikon, argumenton.

Jahaj na jep shumë njohuri, por ka edhe kurajën e guximin të debatojë qetësisht e mbushmendshëm dhe kështu u bën leksion disa historianëve tanë, se pse lufta është së pari politikë; përse lufta është interes; përse lufta është edhe diplomaci, përse lufta është ekonomi dhe financë, sidomos ekonomi dhe financë.

Është e vërtetë që Lufta I Botërore u kthye në një lojë të madhe, në të cilën kushdo që do të ngrinte “duart lart” do të përballej me shkatërrrim total. Kjo ishte arsyeja pse kjo luftë u bë aq gjakatare. Sikurse me të tjerat fuqi të mëdha, që u ndanë në dy blloqe (Aleanca e Fuqive Qendrore me Gjermaninë, Austro – Hungarinë, Perandorinë Osmane dhe Bullgarinë, si dhe Blloku i Antantës me Francën, Britaninë e Madhe, Perandorinë Ruse dhe SHBA – në), autori na njeh Italinë fatkeqe dhe famëkeqe të asaj kohe (jemi në vitet 1915), që për interesat e saj të ngushta, u hodh e u përdrodh hu më hu, siç thotë populli dhe nuk llogariti as Vlorën, as Shqipërinë, as parimin e vetëvendosjes së popujve që orientoi idealisti i madh, ëndërrimtari universal  Woodrow Wilson dhe as frymën morale.

Libri nis me një përnjohje serioze, ku lexuesi vlerëson situatën e asaj kohe të paqartë ngarkuar me dyshime, konkurencë të heshtur, hile e paqëndrueshmëri. Pasi është është bërë rikonicioni gjeopolitik, diplomatik, strategjik, politik (kemi parasysh Kongresin e Lushnjës, i cili u mblodh më 21 janar 1920, pikërisht ditën e përfundimit të Konferencës së Parisit. Kujtojmë që Kongresi i Lushnjës bëri Tiranën kryeqytet, ndërkohë kemi parasysh mbështetjen e qeverisë së Sulejman Delvinës që i dha luftës dhe Komitetit të Mbrojtjes Kombëtare me Osman Haxhiun kryetar). Libri nis me një parathënie të Agron Berdajt dhe ka 9 kre, ku qysh në fillim trajton çështjen pse “Lufta për Vlorën” dhe jo “Lufta e Vlorës”, vijon me dinamikat gjeopolitike të Luftës I Botërore, me diplomacinë, me dinamikat strategjike: Ballkani, Shqipëria, Vlora, me politikën: Kongresin e Lushnjës, me pozitën gjeostrategjike të Vlorës si kryeurë, artin e luftës për Vlorën, “kartën” e ishullit të Sazanit, si dhe vlerësime dhe përfundime për këtë luftë, që nuk e quan as nënvlerësim italian, as mit shqiptar. Nëpërmjet pyetjes retorike, është shumë i qartë në shqyrtimin e objektit në lufta për Vlorën ishte humbje italiane, fitore shqiptare apo rikthim i sovranitetit kombëtar. Trajton dhe argumenton fuqinë dhe forcën, tezat armëpushim, dorëzim apo kapitullim, si dhe ku u vendos fati i luftës për Vlorën. Çdo kre përbëhet nga nënkre përkatës dhe, gjatë gjithë tekstit, autori bën një zbërthim të artit ushtarak si eksperti më i mirë i fushës.

Lufta për Vlorën lindi dhe u zhvillua në një terren gjeopolitik e strategjik, jo thjesht në një territor lokal, sepse vetë lufta nuk është asnjëherë zonale, as lokale. Ishte një përballje lufte direkte kundër forcave ushtrake italiane që kishin pushtuar jo vetëm qytetin symbol të SHiqprisë, por edhe një pjesë të Shqipërisë Jugperëndimore. Vërtet raporti i forcave ishte 5:1 për armikun (20000 forca ushtarake të armatosura ata, 4000 luftëtarë vullnetarë ne, veçse fatin e luftrave nuk e vendosin forcat, por fuqitë. Është këndvështrimi i duhur i studiuesit serioz për Ultimatumin e Komitetit të Mbrojtjes Kombëtare, që iu dorëzua komandës së pushtimit në Vlorë nga kalorësi shqiponjë Mehmet Selimi në emër të kombit shqiptar dhe të qeverisë së tij që i jep këtij dokumenti vlerat reale si deklaratë lufte dhe ka vlerë diplomatike. Po sa vlerë merr Ultimatumi si kod i nderit në ndeshje luftarake! Prishja e këtij kodi lufte nënkuptonte turp dhe diskreditim moral.

Vlen të mos harrojmë pazaret që bëri Ministri i Jashtëm i Italisë Tommaso Tittoni me kryeministrin grek Eleftherios Venizelos në marrëveshjen e fshehtë të Parisit, më 29 Korrik 1919, që përveç fajesh të tjera, pa pikë morali e turpi, e mendonin Shqipërinë si një plaçkë tregu, që vlente sipas tyre për këmbim malli, jo vetëm nga fakti historik se vendi ynë ishte një territor në skaje perandorish, siç pohon dhe autori. Akti i pasardhësit të Tittonit italian, Carlo Sforza, që më 20 Korrik 1920 u shpreh se Italia nuk e mbështeste ndarjen e Shqipërisë mes Italisë dhe Greqisë, se Italia respektonte integritetin territorial të Shqipërisë dhe se që dëshironte të kishte marrëdhënie të mira me të, tregoi se ai e konsideronte të pavlefshme marrëveshjen e zezë Titoni – Venizellos, pasi kishte humbur shumë terren e forca të konsiderueshme në Shqipëri.

Vërejmë interesat e tyre që përputhen, kur Italia ishte e vendosur që Perandoria Austriake të mos zbriste nëpër Adriatik, sepse kështu do të takohej diku me Greqinë dhe, ose njëra, ose tjetra do të zotëronin Vlorën. Shkrimtari Ruggero Fauro Timeus, idhtar i irredentizmit gjatë Luftës I Botërore dhe eksponenti më emblematik i nacionalizmit italian, ndër të tjera shkruante: “…të zotërosh Vlorën,për atë luftë do të thotë jo vetën të kesh një bazë ushtarake, por edhe të kesh një bazë politike për atë politikë ballkanike që ne e konsiderojmë të dodosdoshme për të përgatiturt, shoqëruar dhe zgjidhur luftën kundër Austrisë”. Sidoqoftë – shkruan autori – Italia dhe Austria pajtoheshin në qëndrimin ndaj Serbisë: ishin të vendosura ta mbanin larg nga aksesi në bregdetin Adriatik, prë të parandaluar që të bëhej bazë për flotat ruse. Pra këta ekspansionistë të mëdhenj i shikonin trojet dhe tokat e të vegjëlve, që ishin në shtëpi të tyre, që kur pat lindur jeta, sikur ti kishin tokat e gjyshërve a baballarëve ardhacakë dhe i trajtonin banorët me qesëndi e papërfillshëm. Por, “u hasi sharra në gozhdë, se këtu kishte çeçua biçak”

Kemi një vështrim të thellë të faktorit të brendshëm aq të telendisur e leqendisur, pa kokë, pa shtet, pa bankë, si mos më keq dhe patjetër shfrytëzimin e këtyre rrethanave nga faktori i jashtëm (7 ushtri të huaja vërshuan drejt Shqipërizës sonë të dashur, të bukur e hallemadhe: grekë e serbë, malazezë e bullgarë, francezë e italianë, pa harruar austro – hungarezët). Sidomos mbas Katërmbëdhjetës, me largimin e princ Wilhelm Wied, vendi ynë u kthye në Zulundan, ku fiset, klanet e krerët fetarë (dumbabistët haxhiqamilistë etj.) gjetën shesh e bënë përshesh vendin. Përvoja e mençurisë popullore e ka shprehur qartë këtë të vërtetë të hidhur: “O balo, të hëngërt tënja, e ke të keqen brënda”. Nuk e di pse m’u kujtuan ca vargje të Dritëroit tek “Nëna Shqipëri”, që fqinjët tanë, makutër e barbarë donin ta shqyenin midis vedit “një copë, një copë, një çikë, një çikë”. Mobilizimi mbarëpopullor, bujaria dhe atdhedashuria e njerëzve me emër e kapital, gjendja morale e lartë e luftëtarëve shqiptarë, mbështetja e fuqishme nga populli italian, sidomos nga nënat italiane, që nuk donin t’i humbisnin djemtë e tyre në një luftë pushtuese të padrejtë, mbështetja politike nga qeveria e Sulejman Delvinës, furnizimi me armatim, kafshë transporti, ushqim e veshje nga populli dhe përkrahja nga qeveria, solidariteti kombëtar dhe jehona ndërkombëtare e të tjerë faktorë të brendshëm dhe të jashtëm, shpunë në zgjdhjen diplomatike të kësaj drame që u nis rëndë e u luajt në kurriz të popullit shqiptar, i cili,  me luftë trimërore e me gjak, e fitoi Vlorën, e fitoi Shqipërinë, e cila, edhe pse qe jashtë tryezës së Konferencës së Paqes së Parisit, 1919, luftoi me heroizëm dhe dashuri për atdheun, që Shqipëria të mos trajtohej më si “shprehje gjeografike”, por si komb më vete, si shtet sovran, i lirë dhe i pavarur.

Lufta bëhet me dy palë, por shpesh jepet dinamika e njërës palë, zakonisht asaj fituese, ndërsa Jahaj në këtë libër na paraqet në raport të drejtë të dy palët ndërluftuese (edhe fituesit, edhe humbësit) me objektivitet shkencor, duke mbajtur qëndrim të paanshëm.

Njeriu, terreni, arma janë faktorët që të sjellin fitoren në front, kur dëgjohet, vlerësohet dhe ka përparësi mbi çdo faktor tjetër udhëheqja ushtarake e luftimeve, patjetër drejtimi politik dhe karakteri masiv, fuqia popullore me një gjendje morale e lartë, logjistika/ prapavija jetike, dhe fatmirësisht jehona që bëri kjo luftë falë përparimit në beteja e luftime të trupave mbrojtëse shqiptare, të organizuar në formacione të rregullta vullnetare të luftëtarëve shqiptarë jo vetëm nga Vlora, Tepelena, Himara, por nga mbarë vendi, që nga Mallakastra, Skrapari, Tirana, Durrësi, Berati, Gjirokastra, Korça, Elbasani, Kruja, Shkodra, Kosova dhe Çamëria, vllehët e të tjerë banorë të etnive të ndryshme të ngulur tash sa kohë në vendin tonë. Peshën kryesore Vlora e pati, anëtarët e Komitetit të Mbrojtjes Kombëtare ishin vlonjatë, fshatrat u organizuan në çeta, ku çdo shtëpi do të kishte një pushkë në luftë. Në luftë morën pjesë dhe grate, në front e në prapavijë e në shëndetsi për shërimin e plagëve të luftëtarëve të plagosur. Kishte klerikë të krishterë dhe myslimanë, katolikë, ortodoksë, muslimanë dhe bektashinj që morën pjesë në këtë luftë, e cila pati ndikim pozitiv për ngritjen e moralit të luftëtarëve shqiptarë në Koplik dhe në Dibër. Kishte edhe ushtarë italianë që erdhën si pushtues dhe u radhitën me forcat shqiptare, që zhvillonin një luftë të drejtëm, se mbronin vendin e tyre. Madje, Luftës Kombëtare të Vlorës iu bashkua edhe një grup shqiptarësh të Amerikës, pjesëtarë të orkestrës frymore “Vatra” të Bostonin me në krye profesorin e muzikës simfonike Thoma Nassi, i cili ishte  kompozitori i këngës “Vlora – Vlora” me tekst të Ali Asllanit të Madh, që u bë himni i kësaj epopeje termopiliane dhe frymëzimtare e luftëtarëve të lirisë, që hodhën në det Perandorinë Apenine. Edhe nga Egjipti Rumania, Italia e nga vende të tjera të botës, ku ndihej fryma e rrënjëve nga mërgata shqiptare, erdhën ndihma financiare dhe materiale.

Një gjë vlen ta kemi të kthjellët, se pa motivimin tërësor të shqiptarëve për të mbrojtur trojet e tyre, zjarrin e ndezur në vatër dhe nderin e familjes, pa gjendjen e tyre morale të lartë, pa pjesëmarrjen e fisnikëve dhe udhëheqjen e tyre bujare, pa Kongresin e Lushnjës,  pa gatismërinë dhe pjesëmarrjen  masive të popullit në luftë (karakteri popullor i luftës), pa vënë paria e fshatrave dhe krahinës kapitalin në shërbim të luftës, pa furnizimin me forca, mjete, armë, municion, veshmbathje e ushqime të krahiniva të tjera shqiptare, pa përkrahjen morale, politike, diplomatike, ushtarake dhe ekonomike të Qeverisë së Tiranës, pa solidaritetin e nënave italiane, të popullit italian, të forcës politike të majtë italiane, pa vëmendjen dhe opinionin europian, patjetër pa mbështetjen e padiskutueshme e të fuqishme amerikane do të ishte e diskutueshme  apo nuk do të ishte fare në hartën e botës.

Lufta për Vlorën, thekson autori konfirmoi postulatin e famshëm taktik të “fait accompli” (faktit të kryer në terren përpara se sa të nisen negociatat diplomatike) një faktor që i shërbeu qeverisë së dalë nga Kongresi i Lushnjës për të mbështetur presionin diplomatik ndaj Italisë. Kjo ishte një arritje madhore, sepse asnjëherë më përpara shqiptarët nuk kishin shkuar në negociata diplomatike mbi bazën e praktikës së fatit ushtarak të kryer në terren.

Më vjen mirë që autori i mëshon stilit aristokratik të diplomacisë dhe rolit të saj në luftë, si dhe faktit që i referohet kryediplomatit botëror Henry Kissinger.

Lufta Mbarëshqiptare për Vlorën që nisi atë qershor 1920 nuk mund t’i shmangej aksiomës klasike të gjeneralit prusian Carl von Clausewitz: “Lufta është vazhdim i politikës me mjete të tjera”.

 

MESAZHET E QARTA KOMBËTARE TË LIBRIT “GJEOPOLITIKA DHE FUQIA USHTARAKE E SHQIPËRISË NË “LUFTËN E FTOHTË” E AUTORIT ZENO JAHAJ- Nga MSc. Albert HABAZAJ

 

Qoftë edhe dy fjalë të shprehësh për një punim jo thjeshtë lartësisht profesional, por që i kap meritueshëm majat shkencore, si libri voluminoz “Gjeopolitika dhe Fuqia Ushtarake e Shqipërisë në “Luftën e Ftohtë” me 523 faqe i studiuesit ushtarak dhe diplomatit Zeno Jahaj, është sinqerisht e vështirë. Për fat, na ndihmon vetë autori, që strukturën e tekstit, falë intelektit të plotë dhe zotërimit të sistemit të stileve, na e paraqet materialin e duhur me një gjuhë të pastër shqipe, me një leksik të pasur e shkrimtarì të kualifikuar, me një stil funksional, të thjeshtë e të rrjedhshëm, me synime fisnike dhe mesazhe të qarta kombëtare. Në këtë libër, autori shfaqet me profilin e tij si shërbestar i ndritshëm i kombit, sepse është modeli i diplomatit ushtarak, që me guxim e besim vihet tërësisht në shërbim të çështjes kombëatare. Një këtë libër ne shohim kompetentin shkrimor, që me njohuritë e thella, të plota e të përpikta që ka në një fushat e shkencës ushtarake e diplomatike, tregon siguri, aftësi dhe shkruan me kompetencë. Kam bindjes se çdokush që e ka lexuar apo do ta lexojë këtë libër do të njëmendësohet me mua, se Zeno Jahaj është një sakrifikues atdhetar. Kjo monografi sikur na jep mesazhin se nuk kemi të bëjmë thjesht me një tekst universitar të fushave ndërdisplinore për studentët ushtarakë apo ata që studiojnë për diplomaci, por me një botim të nivelit akademik, me një aparat bibliografik sipas standardeve shkencore.

Diturinë ushtarake dhe diplomatike të intelektualit Zeno Jahaj mund ta përmbledhim në trinitetin e përbërë nga treshja: lufta e ftohtë, gjeopolitika dhe fuqia ushtarake shqiptare, në rastin konkret të këtij studimi monografik lidhur të ngushtë ndërmjet tyre.

Tepër shkurt mund të themi se autori shkrimtarinë e tij e vendos në kohën, hapësirën dhe me personazhet e ngjarjeve të ndodhura në këtë Shqipërizën tonë të vogël hallerëndë, si pjesë e së tërës gjeopolitike në rajon e më gjerë, jo vetëm gjeografikisht midis Lindjes dhe Perëndimit.

Jahaj, Gjeopolitikën e trajton si një mënyrë të shikimit të botës, që merr parasysh lidhjen mes politikave dhe vendeve, mes gjeografisë, fuqisë dhe diversiteteve kulturore. Qoftë në rajonet e botës të përfshira nga luftërat, atje ku kufijtë bëhen çështje e jetës apo vdekjes, qoftë në SHBA apo Evropë, gjeopolitika është një pjesë e rëndësishme e jetës së përditshme globale. Madhësia e një vendi, lokacioni, sovraniteti, dhe resurset, të gjitha këto kanë ndikim tek njerëzit që jetojnë dhe kanë ndërveprime me botën e gjerë. Për të përmendur shembuj që nga hartat historike, filmat dhe retorikën e liderëve politikë, të gjitha këto kanë të bëjnë me gjeopolitikën. Njohuritë dhe vëzhgimet me pjesëmarrje në terren gati shteruese në këtë rrafsh të autorit do të vërehen faqe mbas faqeje të librit, ku kjo degë e re e gjeografisë politike (shfaqur në vitin 2010) është përdorur për të përshkruar një spektër të gjerë të koncepteve, në kuptimin e përgjithshëm të përdorur si “sinonim për marrëdhëniet politike ndërkombëtare”, më saktë për të nënkuptuar strukturën globale të këtyre marrëdhënieve”, ku strumbullar është patjetër Shqipëria me fatet dhe antifatet e saj. Në nivelin e marrëdhënieve ndërkombëtare, autori e shikon gjeopolitikën si metodë të studimit të politikës së jashtme për të kuptuar, shpjeguar dhe parashikuar sjelljen politike ndërkombëtare nëpërmjet variablave gjeografikë, krahasimtarisht me Shqipërinë dhe Fuqinë Ushtarake të saj në kushtet e gogolit të padukshëm, por tmerrësisht sat ë frikshëm, aq të urryeshëm. Nuk mund të lemë pa përmedur se në kët tekst Jahaj përfshin studimet e zonës, klimën, topografinë, demografinë, burimet natyrore, sidomos burimet e naftës dhe gazit dhe shkencën e aplikuar për vendin tonë, të rajonit, sidomos të madhorëve sovjetiko-amerikanë që merr në shqyrtim se kanë qenë faktorë vendimtarë për vendet dhe popujt vogëlushë. Në këtë libër, Gjeopolitika përqendrohet në fuqinë politike të lidhur me hapësirën gjeografike. Në veçanti, ujërat territoriale dhe territori i tokës në korrelacion me historinë diplomatike në raport me të mëdhenjtë, superfuqitë e paevitueshme asnjëherë.

Mendoj se jo vetëm studiuesit dhe lexuesit e kualifikuar e kanë të qartë se Luftë e ftohtë u quajt lufta ndërmjet vendeve të Bllokut sovjetik dhe vendeve Perëndimore, ose Lufta ku Traktati i Varshavës (Bashkimi Sovjetik me shtetet satelite) dhe Blloku i Natos (Shtetet e Bashkuara, aleatët e tyre në NATO etj.) e kërcënonin dramatikisht rëndë njëri-tjetrin me tensione politike dhe ushtarake, me armatime të sofistikuara deri dhe me bombën bërthamore për periudhën e nervave të hekurta nga vitet 1945-1947 deri në vitet 1990-1991. Lufta e ftohtë ishte dhe s’ishte luftë, lufta e ftohtë ishte dhe s’ishte paqe. Të jemi realist, të vërtëtë, sikurse autori dhe t’i shikojmë gjërat në kohën kur kanë ndodhur, të veshim lëkurën e asaj kohe për ta gjykuar sot. E kemi jetuar fort me përgjegjësi e përkushtim edhe ne atë kohë të stërvitjes ushtarake të popullit ushtar, të gatishmërisë së përhershme luftarake me ato  alarme të shtrira ritmisht dhe shpesh herë befasisht, që i kemi marrë me aq seriozitet, që i kemi vlerësuar aq drejtë e lartë, që i kemi realizuar si në luftë të vërtetë, edhe pse ajo nuk erdhi kurrë, as kur Shqipëria doli nga Traktati i Varshavës, më 12 shtator 1968, pas pushtimit të Çekosllovakisë nga BS dhe forcat këtij pakti ushtarak të shteteve komuniste të Europës Lindore.

Termi “e ftohtë” është përdorur për shkak se nuk kishte luftime në shkallë të gjerë të drejtpërdrejtë mes dy palëve, edhe pse ka pasur luftëra të mëdha rajonale, të njohura si luftëra me prokurë.

Nuk mund të vijoj me analizën kronologjike të këtij megateatri global tragjikomik, sepse i përshkruan autori saktë, qartë, bukur e ndjeshmëri të theksuar kombëtare, por kujtojmë që  Lufta e Ftohtë dhe ngjarjet e saj kanë lënë një trashëgimi të konsiderueshme. Shpesh përmendet në kulturën popullore, veçanërisht me temat e spiunazhit dhe kërcënimit të luftës bërthamore.

Dëshiroj të flas pafund e me dëshirë, jo vetëm se libri më pëlqeu shumë, nga i cili, edhe unë, edhe pse kam qenë oficer karriere me Gradën Major, gradë e oficerit madhor të shkallës së parë, mësova apo freskova vërtetë shumë gjëra, por dëshira dhe mundësia në këtë rast nuk ecin paralel. Veçse dua të theksoj, që Fuqia Ushtarake e Shqipërisë ishte besim për popullin shqiptar, apo ëngjëlli mbrojtës, si i thonë sot. Ushtarakët ishin shumë atdhetarë. Populli ishte ushtar po aq serioz,  i stërvitur dhe i përgatitur po aqsa ushtari aktiv, me një moral të lartë e ndershëmri kombëtare të admirueshme nga të tjerët.

Pedagogu ushtarak, studiuesi i gjeopolitikës, këshilltari ushtarak i Ministrit të Mbrojtjes, diplomati i shtetit shqiptar në Greqi, labi bujar me rrënjë në palcën e kombit Zeno Jahaj ka patur fatin të punojë me zell nëpër arkivat e botës për Shqipërinë dhe ka mirësinë që jo vetëm historiografisë ushtarake t’i japë monografinë e parë shkencore ndërdisiplinore të profilit të tij, por po i jep një ndihmesë të dukshme edhe historiografisë shqiptare.

Ku janë elitat: Big Brother Top Channel analfabetizëm, injorancë, degradim dhe turp kombëtar –

Ku janë elitat: Big Brother Top Channel analfabetizëm, degradim dhe turp kombëtar –

Sa turp përpara syve tanë dhe brezit më të ri na shfaqet një pamje e tillë e degradimit kombëtar nën sytë e elitave, që pretendojnë se janë, duke nisur nga trupat pedagogjike nëpër Universitetet e Shqipërisë, Artistët apo  ata që thotë se janë intelektualë!

Ku janë që heshtin përpara skenave të tilla të një programi që ka shikueshmëri të lartë nga një televizion që pretendon të jetë kombëtar.

A ju kujtohet se çfarë na ka lënë amanet Naim Frashëri se vetëm dritë e diturisë përpara do të na shpjerë!

Ndërsa errësira që përhapin televizionet e Shqipërisë sjell vetëm skllavëri, që si popull të na shtypin lehtë këta që ia pinë gjakun dhe ia rropën mishin deri në asht Atdheut tonë të shtrenjtë!

 

 

Në moshën 25-vjeçare Luàna Bajrami një aktore e Oscarizuar Nga Klara Buda

 

Ndër interpretimet më të spikatura të filmit është ai i aktores franko-shqiptare Luàna Bajrami-Rahmani. E arsimuar në Francë dhe e konsideruar gjerësisht si një nga figurat më të dashura të kinemasë bashkëkohore franceze, Bajrami sjell në ekran një prani të hollë dhe emocionalisht të pasur. E njohur ndërkombëtarisht për rolin e saj në “Portrait of a Lady on Fire”, ajo dëshmon edhe një herë ndjeshmëri dhe kontroll të jashtëzakonshëm si aktore.

—-

 

Kur u citua emri i saj, Luàna Bajrami ngriti butësisht shenjën “V” të fitores, një gjest i hijshëm që e bëri menjëherë të dallueshme mes ekipit që festonte.

Paris, 15 mars 2026

Në moshën 25-vjeçare, Luàna Bajrami-Rahmani bëhet një nga fytyrat e një filmi fitues të Oscar-it

Filmi “Two People Exchanging Saliva” fitoi Çmimin Oscar për Filmin më të Mirë të Shkurtër (Live Action Short Film)  në ceremoninë e Oscars zhvilluar në mbrëmjen e djeshme, më 15 mars, 2026. Filmi 36-minutësh, i drejtuar nga Natalie Musteata dhe Alexandre Singh dhe i prodhuar ekzekutivisht nga Isabelle Huppert dhe Julianne Moore, kishte tërhequr tashmë vëmendje të madhe në qarkun e festivaleve, pasi fitoi “Grand Jury Prize për Filmin e Shkurtër me Aktorë” në AFI Fest 2024 dhe Best Drama Short në festivalin Out on Film 2025 në Atlanta, festival i kinemasë LGBTQ+.

I vendosur në një shoqëri surreale ku puthja është e ndaluar dhe shkëmbimet e përditshme kryhen përmes shuplakave në fytyrë, filmi trajton temat e shtypjes, dëshirës dhe mbikëqyrjes përmes një premise të pazakontë dhe provokuese.

Ndër interpretimet më të spikatura të filmit është ai i aktores franko-shqiptare Luàna Bajrami-Rahmani. E arsimuar në Francë dhe e konsideruar gjerësisht si një nga figurat më të dashura të kinemasë bashkëkohore franceze, Bajrami sjell në ekran një prani të hollë dhe emocionalisht të pasur. E njohur ndërkombëtarisht për rolin e saj në “Portrait of a Lady on Fire”, ajo dëshmon edhe një herë ndjeshmëri dhe kontroll të jashtëzakonshëm si aktore.

E lindur në një familje kosovare që ka përjetuar realitetin e luftës, Bajrami përshkruhet shpesh si një person empatik, veçanërisht i vëmendshëm ndaj dhimbjes dhe emocioneve njerëzore. Kjo ndjeshmëri u pa edhe gjatë ceremonisë së Oscars: ndërsa ekipi ndodhej në skenë, ajo u pa duke ngushëlluar një kolege aktore që ishte dukshëm e emocionuar, një gjest i vogël por prekës që reflektoi ngrohtësinë dhe humanitetin e saj.

Interpretimi i saj është vlerësuar gjerësisht dhe përbën një tjetër hap në një karrierë që vazhdon të rritet në skenën ndërkombëtare. Për shumë shikues në Francë, Kosovë dhe Shqipëri, prania e Bajramit në një film fitues të Oscar-it është një moment krenarie, duke nxjerrë në pah një aktore të re, talenti i së cilës po njihet gjithnjë e më shumë në mbarë botën.

Në fotografi, Luàna Bajrami qëndron pak pas kolegëve të saj në skenë, e veshur me të zeza, duke buzëqeshur me një gëzim të qetë. Në momentin kur përmendet emri i saj, ajo ngre lehtë dorën dhe formon me gishtat shenjën “V” të fitores.

Ajo që e bën këtë gjest të veçantë është karakteri i tij diskret dhe lozonjar. Në vend që të bëjë një lëvizje të madhe apo teatrale, ajo ul pak kokën dhe ngre butësisht dy gishtat pranë fytyrës. Shprehja e saj përçon njëkohësisht krenari dhe përulësi, një xhest i vogël dhe spontan, më shumë sesa një demonstrim triumfi.

Gesti duket pothuajse si një moment privat i ndarë me publikun. Ndërsa ekipi rreth saj përqendrohet në fjalimin në skenë, Bajrami e pranon për një çast rëndësinë e momentit me këtë shenjë të thjeshtë, duke kapur emocionin e ngjarjes në një mënyrë të lehtë dhe rinore.

Në kontekstin e ceremonisë, shenja “V” simbolizon fitoren, por këtu ajo përcjell edhe diçka më të hollë: gëzim, lehtësim dhe vetëbesim të qetë. Ajo reflekton shpirtin e një aktoreje të re, një ditë pasi ka mbushur 25 vjeç,  që po përjeton një moment historik në një nga skenat më të mëdha të kinemasë, duke festuar suksesin kolektiv me elegancë dhe përmbajtje.


Send this to a friend