Është interesant se edhe ata të cilët ishin ftuar me dëshmua kundër Selim Kelmendit, nuk e rënduan aktakuzën kundër tij. Më kujtohet dëshmia e Ramadan Shalës i cili në mes tjerash tha: “ Nëse Selim Kelmendi është tradhtar, atëherë edhe unë jam armik!”
Pasi Selim Kelmendit iu kumtua nga prokurori fjala Vdekje, u këndella, erdha në vete. E pashë gjendjen në të cilën ndodhesha, sepse e kisha humbur konceptin e gjithëshkafit edhe të kohës. E kjo mu bë me qartë natën e njëzet e një dhe njëzet e dy të muajit dhjetorit të vitit 1984, kur në burgun famëkeq Koci Xoxe me bashkuan me nacionalistin e mirënjohur Selim Kelmendin në kthinën numër trembëdhjetë. Aty Selim Kelmendi më tha: Një amanet po të lë: “Nëse me pushkatojnë, zbardhe të vërtetën e jetës sime!”.
Të nesërmen, me njëzet e dy dhjetor të vitit 1984, para se të jepej vendimi i formës së prerë, pa të drejt apelim në sallën e gjykatës unë Shefqet Kelmendi thashë për për Selim Kelmendi në mes tjerash :” Njeriun që po e akuzoni dhe dënoni sot nuk e ka kurrfarë faji për të gjitha ato që u thanë dhe u dëgjuan ne këtë seancë gjyqësore. Selim Kelmendi është njeri i ndershëm, i drejtë dhe patriot. E fajtor për të gjitha këto për të cilat ju po na akuzoni sot, jam unë Shefqet Kelmendi dhe askush tjetër.
Unë Shefqet Kelmendi e meritoj dënimin me vdekje, e askush tjetër!”
Andaj kryetarit të Gjykatës së lartë- Tamar Malaj me ju lutë që dënimi me vdekje t’i hiqet Selem Kelmendit dhe i njëjti dënim të kalojë të unë Shefqet Kelmendi, kurse të gjithë shokë tjerët nga Kosova që jemi sot në këtë gjykatë të dënohen me dënimin –burgim të përjetshëm…
Shpallja e dënimit me vdekje nga gjyqtarja Tamara Malaj
Ndoshta vlen me i përmendur edhe ky fakt : Teksa kryetarja e gjykatës, Tamara Malaj gjatë leximit të vendimit të formës së prerë lidhur me dënimin tim, duke përmendur pikën nëntë e shqiptoi fjalët-“Shefqet Kelmendi, dënohet me vdekje- pushkatim!”, polici të cilin e kisha aty afër, mendoi së unë gjatë komunikimit të dënimit me vdekje do të binte të fikët, me kapi për krahu, dhe unë në ato momente, ndonëse isha i habitur u ktheva kah ai dhe në mes tjerash i thashë: “Hiqe dorën se nuk kam ku me shkua!” Pa vonua ai mi zgurdulloi sytë. Ndërkohë, kryetarja e Gjykatës vazhdoi përsëri me nëntë pika dhe e shqiptoi edhe një herë dënimin me vdekje për mua, Shefqet Kelmendin.
I thash vetës pse dy herë, mendova në atë çast, kur një herë me mjaftonte?
Në fund i shtoi për mua edhe njëzet vjet burg. Se unë Shefqet Kelmendi paskësha qenë shumë i rrezikshëm! Si përfundim, me bashkim nenesh, vendimi ishte i formës së prerë, pa të drejt apelimi: dënimi me vdekje- pushkatim?!
E për zbatimin e këtij vendimi, brenda një jave do të vendoste Presidiumi i Kuvendit Popullor të Shtetit shqiptarë. Pra, mendova , paskam edhe një javë jetë…
Pas dënimit tim, Selim Kelmendit iu shqiptua dënimi me njëzet e tri vjet burg të rëndë. Çka do të thotë se na i ndërruan vendet. Pa vonua shumë na pranguan dhe na rrasën në makinën e policisë mua dhe Selimin në mes shumë policeve. Nuk guxonim të flisnim. Megjithatë, me shikim dhe gjeste të lehta të fytyrës. Në këto momente Selimi më jepte kurajë. Atë e zbritën të Burgu i vjetër, kurse mua më çuan të burgu i ri.. Selimin nuk e pashë më kurrë!…
Si u helmua Sali Kelmendi në burgun famëkeq të Burrelit?
Pas disa ditësh në kamp ku isha i burgosur me erdhi lajmi i kobshëm se vëllai, shoku, kushërini, rugovasi, profesori i gjuhës dhe letërsisë shqipe, nacionalisti Selim Kelmendi kishte vdekur në birucat e burgut famëkeq të Burrelit, i helmuar nga këlyshët e diktatorit Enver Hoxhës. Në këto momente u trondita tej mase.
Mendoja se ajo që i acaroi tej mase sigurimsat, ishte letra që vëllai dhe kushërini i im Selim Kelmendi nga birucat e burgut famëkeq të Burrelit, me këmbënguljen e bashkëshortes së Selimit, i dërgoi Ramiz Alisë, një letër në të cilën iu ofruan argumente bindëse nëpërmjet të cilave u prezantua pafajësia e tij.. E kjo, bandave dhe banditëve në krye me diktatoret e mirënjohur Enver Hoxhën dhe Ramiz Alin u dogji shumë. Pa vonua nacionalisti nga Rugova dhe Kosova Seli Kelmendi e helmuan në ditët më të mira të rinisë?!…
Si i përjetova tridhjetë nëntë netët e dënimit me vdekje, duke pritur pushkatimin, e di vetëm unë, Shefqet Kelmendi dhe ata që kanë pas fatin tim e kanë arritur të mbijetojnë. Por sot nuk janë në gjendje me e përshkrua hollësisht. Dhimbja e atyre plagëve ka pushuar. Së fundi kjo ishte një histori në vete, që në këto momente nuk e shoh të udhës me u futur në hollësira më të mëdha…
Gjatë këtyre netëve nuk po më rrihet pa e tregua një episod- me kujtohet, se para ramjës në burguan famëkeq, u kisha mbetur borxh dy personave një shumë të vogël parash. Dhe mendoja: “ Nëse më pushkatojnë, atyre do tu dhimbsem, por në ndërgjegjeje do të thonë: “Mbeti pa ma paguar borxhin!”
Ky mendim erdh duke më munduar aq shumë, sa që tri ditë rresht kam trokitur në derë, duke kërkuar hetuesin tim, që t’ia kumtoja këtë si amanet, që ai t’ua përcillte djemve të mi. Se vetëm hetuesi me njihte. Po ai tashme kishte ndërpre çdo lidhje me Shefqetin. .
E vërteta duhet thënë: Dy hetuesit Gavrosh Andoni dhe Nexhat Selimi, e kryen detyrën që u ishte ngarkuar.
——————-
Shefqet Kelmendi (Peja, 1930) është shkrimtar nga Kosova dhe njihet si një ndër përfaqësuesit e plejadës së të rinjve intelektualë krijuar gjatë Luftës së Dytë Botërore. Intelektualët e tjerë të sotshëm që e nisën aktivitetin patriotik në vjeshtën e vitit 1942 janë Ramiz Kelmendi, Viktor Gashi, Kamber Pajaziti, Engjëll Berisha, Skënder Rizaj dhe Osman Basha.
U arratis nga vendlindja drejt Shqipërisë më 1956, ku punoi si arsimtar dhe botoi pjesë të shkrimeve të veta nëpër të përkohshmet letrare të kohës. Më 1984 u dënua me vdekje, por dënimi u rishikua më 1985 dhe iu shndërrua në 25 vite burgim.
Është autor i botimeve “Një brez i veçantë” – Prishtinë, 1993; “Heroina Marije Shllaku” – Tiranë, 1994 ; “Selim Kelmendi, dëshmor i demokracisë” – Shkodër, 1995.