Sekretari amerikan i shtetit, Rex W. Tillerson, përgëzoi Kosovën me rastin e nëntë vjetorit të pavarësisë duke shprehur përkushtimin për mbështetjen amerikane ndaj saj.
Në një deklaratë të sekretarit Tillerson thuhet se “Shtetet e Bashkuara vlerësojnë miqësinë e saj të fortë me Kosovën të mbështetur në aspiratat e përbashkëta për qëndrueshmëri, paqe dhe përparim për të gjithë qytetarët tanë.
Ne përshëndesim përparimin që populli i Kosovës ka arritur në ngritjen e institucioneve demokratike e shumetnike gjatë nëntë viteve të pavarësisë.
Në vitin 2016, Shtetet e Bashkuara ishin të kënaqura që panë medaljen e parë olimpike të Kosovës dhe që ekipi i saj kombëtar i futbollit hapi lojërat e para në FIFA. Ne i gëzohemi vazhdimit të arritjeve të Kosovës në punën e saj për forcimin e sundimit të ligjit, luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe ndërtimit të marrëdhënieve pozitive më fqinjët e saj dhe botën.
Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara për të ndihmuar suksesin e Kosovës dhe do të vazhdojnë të punojnë me udhëheqësit e saj në synimet e paqes dhe përparimit”, thuhet në urimin e sekretarit amerikan të shtetit.
Vlora dhe Tirana që mbajtën peshën e ceremonive zyrtare për Ditën e Flamurit, Shpalljen e 112 të Pavarësisë nuk e fshehën dot treguesin e protokollit zyrtar se si jo vetëm kundërshtarët frontal në politikën përditshme shqiptare, por dhe ata brenda llojit të shfaqeshin në kohë të njëjtë në vende të ndryshme apo edhe në të njëjtin vend në mos përplasje kohore për të treguar se veçmas ata /ato vazhdojnë t’i nderojnë datën/datat apo edhe e shtyjnë ftesat për ta kapur shpenguar datën më pas që në mbi tre dekada tranzicioni ka mbetur si peshë e asaj force që qeveris.
Në këtë shënim nuk do të dëgjoni mbi refrenin 28-a dhe 29-a.
Nuk do ta dëgjojmë sepse në shumë media protagonistët e politikës paragjykohen kur ftohen në biseda dhe në opinione në të cilat gjerësisht përdoret togfjalëshi “nga mëngjesi deri në darkë”.
Një shprehje që del nga ata/ato që togfjalëshin e kanë si mburojë verbale ose shprehje ndaj sulmeve të kundërshtarit gjatë një debati i cili përshkallëzohet deri në idhnim për ata që janë jashtë ekranit, opinionin publik.
Pra “nga mëngjesi deri në darkë” shqiptarët i përcjellin dhe konsumojnë lajmet mes një rrëmuje edhe në rastin kur flitet për 112 vjet Pavarësi dhe shtet formim.
Ndërsa titujt kryesor i mëshojnë jo aq fort kulturës historike asaj që formon mendimin e elementëve të përbashkëta që kanë shqiptarët si komb në shtete të ndarë dhe në diasporë pra atë se çfarë na bashkon, por të merremi edhe atë ditë me propagandën dhe paramendimin se si mund të kapitalizohen datat historike, për t’i përdorur ato në grupimet e interesit e që lidhen rrjedhimisht me formacionet paraelektorale të vitit të ardhshëm dhe zgjedhjet e përgjithshme 2025. Pra që lidhen me mbajtjen e pushtetit apo hipjen në pushtet.
“Festa e Pavarësisë i Bashkoi apo i Ndau” (?!).
Me këtë sy e pamë përmes ekranit atë që na u servir. Krerët e shteteve, kryeministrat, kryetarët e partive dhe popullsia sipas protokollit kishin edhe praninë e kamerave dhe në këtë ngjarje të dokumentuar të gjithë bashkë mbajtën peshën e historisë shekullore kombëtare si dhe e aktualizuan atë me situatën rajonale dhe ndërkombëtare në të cilën ndodhen dy shtetet e pavarura Shqipëria dhe Kosova. Ceremonitë zyrtare u përcollën vetëm me prani fizike, vendosje kurorash dhe shtrëngime duarsh, por mesazhi mungoi. Kryeqyteti u paraqit ndryshe madje paraqiti edhe përmasat e një “strategjie unifikuese” ku u mësua se mysafirët për nga pjesëmarrja i përkisnin një hapësire shqiptare në diasporën e hershme arbëreshe dhe atë të re në moshë e cila numëronte rreth10 mijë persona dhe me gati 300 përfaqësi të ndryshme dhe organizime. Deri këtu asgjë nuk ka në qoftë se flasim për shqiptarinë, kulturën, gjuhën, historinë dhe traditat shqiptare. Edhe paradat në vetvete janë shprehje dhe shenjë e bukur feste kur “skenografia shpirtërore” është gjithëpërfshirëse dhe transparente, me qytetari dhe jo me zhurma, me mesazh dhe jo me rrëmujë, pra atë që veprimtaria të të mbushë me frymëzim pa ndier lodhjen dhe kohën që rrjedh.
Këtë problematikë zakonisht e zgjidh propaganda si instrument pushtetit.
Titulli “Flamuri Kuqezi dhe tullumbacet pushtojnë qiellin e Tiranës në Ditën e Pavarësisë” dhe ilustrimet e vetmuara të kryetarit të bashkisë Tiranë Erion Veliaj, ishin kontrastuese me ato se çka ndodhën në po të njëjtën ditë me të tjerë autoritete shtetërore, me zyrtarë të diplomacisë si dhe të figurave politike të cilat morën pjesë apo uruan festën e Pavarësisë si dhe 29 Nëntorin e kryeqytetit të zbehur nga moti me reshje dhe vranësira. Por tek sa sheh propagandën pa frena shpenzimesh dhe pa transparencë këta mijëra tullumbace “kuq e zi” jo vetëm duan një departament bashkie për t’u mbushur me Helium (He), por janë të dëmshëm për mjedisin dhe jetën e botës së gjallë të tokës dhe ujit. Shumë shtete e kanë ndalur tullumbacen e hedhur në qiellin e hapur, por mesa duket kjo bashki moderne e gjithëpërfshirës globale dhe kryeqendra Evropiane e Rinisë, Kryeqyteti i Sportit, vitin e ardhshëm edhe Kryeqyteti i Kulturës siç i rendit Erion Veliaj cilësimet për Tiranën kur vjen fjala për shpenzimet e imazhit dhe propagandën e Rilindjes Socialiste pasojat nuk kanë nevojë të dihen. Këta gurë kilometrik të propagandës pas 8 vitesh në drejtim ai i shtyn më tej kur shprehet edhe për diasporën shqiptare të ftuar për festimet e pavarësisë:-“Sot ky union, bashkimi ynë, përfaqëson shumicën e qytetarëve që kanë kombësi shqiptare. Kjo do të thotë që shumica e shqiptarëve qeverisen prej zyrave tuaja, prej vendimeve tuaja, prej skuadrave tuaja. Kjo do të thotë që keni përsipër një mision të jashtëzakonshëm, për t’i dhënë dinjitet kombit tonë, pavarësisht kufijve shtetërorë, pavarësisht ndarjeve kufitare për t’i dhënë secilës hapësirë ku jetojnë shqiptarët, ku studiojnë nxënësit tanë, ku pensionojnë të moshuarit tanë, ku kalojnë kohë në universitet, ku mjekohemi në spitale, ku shëtisim në parqe, në secilën prej hapësirave që prek dora jonë, le të jetë kjo me dinjitet dhe të jetë kjo një vepër patriotike”.
Këtë demagogji dhe propagandë veçanërisht shqiptarët e lirë që jetojnë dhe punojnë në diasporë me mundin dhe me djersën e tyre e kanë të filtruar. Ata bashkë duan një vendlindje dhe atdhe të çliruar nga propaganda e partisë shtet, nga korrupsioni sikurse urojnë për një zhvillim modern, demokratik dhe të integruar në vlera me identitetin e kulturës, gjuhës dhe traditave të kombit shqiptar.
Edhe në ditë feste njerëzit kanë nevojë për të njohur të vërtetën.
Njerëzit në kryeqytet sikurse përditë thithin pluhurin e ndërtimeve nga kullat, tymin e automjeteve ashtu përtypin edhe propagandën e pushtetit kur shohin të parakalojnë vitrina të motorizuara me produkte bio-bujqësore të fshatrave të Tiranës apo dhe repartet pastruese-higjenizuese qytetase që ende janë koncesione dhe borxhe financiare që i shtohen gjithë shtresave të popullsisë nga taksat që paguajnë. Parada në fjalë e nisur që prej fillimit si një demagogji dhe propagandë patriotike të kujtonte një formë feste mes shartesës së 1 Majit dhe Paradave Ushtarake të Shqipërisë që jetonte si në rrethim dhe sot kur 1/3 e popullsisë vendase jeton e punon jashtë vendit këtyre fasadave i shtohet edhe kuadrati diasporë, një kujtesë e vonuar për 34 vitet e tranzicionit sikurse veçanërisht e tre mandateve të fundit të Rilindjes Socialiste.
Por me sytë e ambjentalistëve të cilët sigurisht nuk thirren për këshilla sepse autoriteti politik vendos, përsa i përket ndikimit në mjedis të i duhet kujtuar edhe medias në këndvështrimet e paraqitjeve të drejtpërdrejta që duhet ta shohin festën me sytë e publikut dhe jo me zhurmën dhe kaosin që propaganda e pushtetit krijon. Mijëra tullumbacet dhe kullat që kanë tjetërsuar pamjen karakteristike dhe simbolet e kryeqytetit janë edhe ndjesia e keqe që shpenzimet e propagandës politike me hyrjen në një vit zgjedhor i japin banorëve.
Banorët e Tiranës kanë nevojë t’i shijojnë duke u ndier të respektuar si qytetarë liritë e tyre veçanërisht në një ditë solemne si ajo e Flamurit në 112 vjetorin e Pavarësisë.
Propaganda dhe imazhi kontrastojnë sa me tullumbacet e hedhura në qiell tashmë jashtë kohe sikurse edhe me vitrinat e motorizuara apo kuadratet njerëzore të cilët nga gënjeshtrat patriotike si dhe militantizmi politik parakalojnë dhe shpenzojnë orë të tëra ku treguesit e ekonomisë shëndetësisë arsimit etj. janë në nivelet më të ultë për shkak të keq qeverisjes dhe korrupsionit.
Vështrimi kritik në këtë shënim ka të bëjë me ndërgjegjësimin e publikut që ai në data të tilla të shënuara të ushqehet me histori, kulturë, fakte tryeza dhe studime shkencore. Dhe në qoftë se këto mungojnë do të thotë që shoqëria po i dorëzohet pak nga pak nostalgjisë së sistemit të kaluar partisë shtet dhe të pajtohet me të duke gëzuar vetëm lëvizjen e lirë dhe statusin e emigrantit në diasporë. Sa për qeveritë e orientuara globalisht për problemet e popullsisë, mjedisit, energjisë e të tjera problematika të rreshtuara me rradhë për nga përparësitë, qoftë qeverisja qendrore dhe qoftë ajo vendore tregojnë se e përdorin propagandën për të siguruar vazhdimësinë e mbajtjes së pushtetit. Dhe për këtë përdoret karta e patriotizmit dhe kombëtarisë sa herë që i duhen votat dhe jubiletë e fryrë tullumbac.
Nëntori u mbyll dhe qeveritarët ose kryebashkiakët ka mundësi ta fillojnë me të njëjtin vrull veprimtarinë e tyre pas ç’fryrjes nga festimet. Dhjetori nis me ndërgjegjësime të reja dhe jo vetëm propagandë. Kryebashkiaku Veliaj ndoshta ka harruar të ngrejë ndonjë kioskë/pikë ditore informimi dhe ndërgjegjësimi për parandalimin e sëmundjeve seksualisht të transmetueshme për HIV/AIDS në Ditën Botërore 1 Dhjetorin ashtu siç bëri për kontrollin ditor të diabetit veçanërisht për pensionistët dy javë më parë. U fol dhe u dhanë shifra globale se nga diabeti janë prekur 537 milionë njerëz ashtu sikurse prapë për shifra mbi prekshmërinë nga HIV dhe AIDS njihen rreth 39 milionë njerëz të prekur nga sëmundja. Ndërsa për popullsinë shqiptare ende nga autoritetet asnjë kërkim dhe statistikë zyrtare në një kohë që shëndeti i popullsisë dhe cilësia e jetës janë prioritete të qeverisë dhe çdo force politike që synon të vijë në pushtet.
E nëse kjo harrohet nga qeverisja qendrore dhe vendore për shkak të ngarkesës me dy festat Pavarësinë dhe Çlirimin, kjo nuk prish shumë punë. Dhjetori ka në kalendar boll faqe të tjera propagande. Muaji Dhjetor është një muaj sulmi për pyllëzimet. Qeveritarët dhe bashkiakët me lopata dhe fidanë në duar padyshim që do jenë të parët në veprim për të treguar rëndësinë e mbrojtjes së natyrës, bukuritë turistike dhe shëndetin për qytetarët shqiptarë duke vërtetuar se 364 ditët e vitit janë kozmopolitanë dhe vetëm 1 ditë patriotë.
1 Dhjetor, 2024
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)
Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)
Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë të hënën se vendi i tij dënon në nivelin më të lartë sulmin “e tmerrshëm” që është kryer në kanalin e Ibër-Lepencit më 29 nëntor në Zubin Potok, dhe që ndonëse është herët të dihet fajtori, në këtë fazë nuk mund të përjashtohet asnjë grup apo shtet.
Ai i ka bërë këto deklarata pas një takimi me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, i cili e ka ftuar korin diplomatik në Kosovë për t’i njoftuar për më të rejat lidhur me këtë sulm që Kosova e konsideron terrorist dhe e fajëson Serbinë.
Serbia, në anën tjetër, mohon të gjitha akuzat dhe ka thënë se po kryen hetimet e veta për këtë rast.
“Momentalisht SHBA-ja nuk mund të thotë se kush është mbrapa sulmit, është herët dhe çështje si këto kërkojnë hetime të kryera me kujdes. Ajo që mund të them është se u kemi ofruar ndihmë autoriteteve të Kosovës. Mendojmë që është shumë e rëndësishme që të ketë hetim të thuktë për t’i identifikuar përgjegjësit”.
Hovenier ka thënë se sulmi ka rrezikuar qytetarët e Kosovës dhe që “përgjegjësit duhet të japin llogari”.
Sulmi ka ndodhur në fshatin Varragë të komunës së Zubin Potokut – komunë me shumicë serbe në veri të vendit.
Policia e Kosovës ka thënë se sulmi është kryer me lëndë shpërthyese deri në 20 kilogramë.
Kanali Ibër-Lepenc furnizon me ujë nga Liqeni i Ujmanit gjithë veriun e Kosovës, rajonet e Mitrovicës, Prishtinën me rrethinë, si dhe Korporatën Energjetike të Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj.
Autoritetet e Kosovës kanë ndaluar fillimisht tetë të dyshuar lidhur me këtë sulm dhe kanë kryer bastisje në pjesën veriore të vendit.
Gjykata Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur të dielën se të pandehurit D.V ia ka caktuar masën e paraburgimit prej 1 muaji nën dyshimet se ka kryer veprën penale, rrezikimi i rendit kushtetues me shkatërrimin apo dëmtimin e instalimeve dhe pajisjeve publike.
Sulmi është dënuar ashpër edhe nga faktori ndërkombëtar.
Bashkimi Evropian e ka cilësuar sulmin si akt terrorist dhe sabotues, ndërsa Shtetet e Bashkuara kanë thënë se do të mbështesin gjetjen dhe ndëshkimin e përgjegjësve për sulmin ndaj Ibër-Lepencit./REL
Presidenti i parë i Republikës së Kosovës, Ibrahim Rugova sot do të festonte 80-vjetorin e lindjes (1944-2006).
Ibrahim Rugova është presidenti i parë i Republikës së Kosovës, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe studiues. Ai lindi në 2 dhjetor 1944 në Cerrë të Istogut.
Shkollën e mesme e kreu në Pejë (1967) dhe studimet e larta i kreu për gjuhë dhe letërsi shqipe në Universitetin e Prishtinës. Në vitet 1976-1977 studioi në Ecole Pratique des Hautes Etudes (Shkolla praktike e studimeve të larta), në Paris. Më 1984 mbrojti doktoraturën për letërsi në Universitetin e Prishtinës. Gjatë viteve 1988-1990 shërbeu si sekretar shkencor, në Institucionin Albanalogjik të Prishtinës.
Ai ka botuar disa libra, ku më kryesorët janë: “Vepra e Bogdanit 1675-1685” (Prishtinë 1982), “Kahe dhe premisa të kritikës letrare shqiptare 1504-1983” (Prishtinë 1986), “Refuzim estetik” (Prishtinë 1987) dhe një varg studimesh në fushën e teorisë së letërsisë, të kritikës dhe kulturës shqiptare.
Në vitin 1988, u zgjodh kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës që u bë bërthamë e fuqishme e lëvizjes shqiptare, e cila kundërshtoi sundimin komunist serb dhe jugosllav në Kosovë.
Me formimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës u zgjodh kryetar i saj (23.12.1989) dhe qëndroi në këtë detyrë deri në vitin 2005. Me formimin e partive të tjera politike shqiptare ai u zgjodh kryetar i Këshillit Koordinues të Partive Politike të Shqiptarëve të Kosovës (22.07.1991).
LDK nën udhëheqjen e Dr. Ibrahim Rugovës, u bë shpejt forca politike prijëse në Kosovë, duke mbledhur shumicën e popullit rreth vetes. Në bashkëpunim me forcat e tjera politike shqiptare në Kosovë si dhe me Kuvendin e atëhershëm të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova dhe LDK-ja përmbyllën kornizën ligjore për institucionalizimin e pavarësisë së Kosovës. Deklarata e pavarësisë (2 korrik 1990), shpallja e Kosovës Republikë dhe miratimi i kushtetutës së saj (7 shtator 1990), referendumi popullor për pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës, mbajtur në fund të shtatorit 1991, qenë prelud për zgjedhjet e para shumëpartiake për Kuvendin e Kosovës, mbajtur më 24 maj 1992.
Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh President i Republikës së Kosovës. Dr. Ibrahim Rugova u rizgjodh President i Republikës së Kosovës në zgjedhjet e mbajtura në mars të vitit 1998.
Ai u rizgjodh president i Republikës së Kosovës, në mars 2002 dhe në dhjetor të vitit 2004.
Ibrahim Rugova është laureat i shumë çmimeve dhe dekoratave ndërkombëtare, ndërmjet të cilave: çmimi për Paqen i Fondacionit Paul Litzer, në Danimarkë (1995); çmimi për paqen i Unionit Demokratik të Katalonisë “Manuel Carrosco i Farmiguera”.
Ibrahim Rugova vdiq në Prishtinë, më 21 janar 2006.
Në përvjetorin e vdekjes së Ibrahim Rugovës, më 21 janar 2007, Presidenti i Kosovës, Dr. Fatmir Sejdiu, dekoroi Presidentin historik të Kosovës me Urdhrin “Hero i Kosovës”, titulli më i lartë në vendin tonë që u jepet figurave historike shqiptare dhe të Kosovës që kanë bërë “vepra trimërie për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”.
Pas vdekjes ai u dekorua me “Urdhrin e Flamurit Kombëtar”, nga presidenti i Republikës së Shqipërisë, Alfred Moisiu.
Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se institucionet e Kosovës, pas shpërthimit në kanalin e Ibër-Lepencit në Komunën e Zubin Potokut në veri më 29 nëntor, kishin kërkuar autorizim nga komandanti i KFOR-it për dërgimin e mundshëm të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në zonën e prekur.
“Komandanti i KFOR-it nuk ka dhënë një autorizim të tillë, bazuar në vlerësimin e tij të sigurisë dhe veprimet që tashmë janë ndërmarrë nga KFOR-i”, tha KFOR në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë.
Kosova e bëri këtë kërkesë në përputhje me marrëveshjen e vitit 2013 të nënshkruar mes institucioneve të Kosovës dhe NATO-s, sipas së cilës, kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi, e siguroi NATO-n se FSK-ja nuk do të shkojë në veri pa pëlqimin paraprak të KFOR-it.
“Siç është komunikuar në deklaratën tonë të djeshme, KFOR ka vendosur njësite për të siguruar zonën e dëmtuar të kanalit të ujit në Zubin Potok. KFOR gjithashtu ka ofruar ndihmë shtesë për institucionet në Kosovë, duke përfshirë mbështetje logjistike dhe për asgjësimin e mjeteve shpërthyese”, tha KFOR në përgjigjen e tij.
Misioni shtoi se komandanti i KFOR-it mbetet në kontakt me të gjithë partnerët e tij kryesorë dhe se po e mban situatën nën vëzhgim.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të dielën në mbrëmje gjatë një konference për shtyp nuk iu përgjigj pyetjes nëse ai i kishte kërkuar KFOR-it leje për ta dërguar FSK-në në veri, por tha se “ne jemi të kufizuar në veri duke qenë se ushtria jonë, bazuar në marrëveshjen e vitit 2013, nuk mund të shkojë në veri.”
“Prandaj, situata atje nuk është e njëjtë si në pjesët e tjera të vendit tonë.”
Kurti shtoi se, edhe pse nuk i pëlqen zotimi i dhënë për mosdërgimin e FSK-së në veri, ai do ta respektojë atë.
“A do të ishte më mirë dhe më e sigurt të ishte ushtria e Kosovës? Po, do të ishte. Mirëpo, nuk është atje, dhe ne e respektojmë atë zotim që ka dhënë Thaçi”, ka thënë Kurti.
Më herët gjatë ditës së sotme, presidenti serb Aleksandar Vuçiq tha se Kurti e ka bërë këtë kërkesë NATO-s.
Shpërthimi ndaj kanalit në fshatin Varragë të Zubin Potokut nuk shkaktoi viktima, por e krijoi një çarje të madhe në murin anësor të tij, duke shkaktuar rrjedhe të ujit jashtë kanalit, duke bërë që disa pjesë të vendit të përballeshin me reduktime uji.
Nga hidro-sistemi Ibër-Lepenci, në Gazivodë (Zubin Potok), furnizohet me ujë i gjithë veriu i Kosovës, rajonet e Mitrovicës si dhe Prishtina me rrethinë, përfshirë edhe Korporatën Energjetike të Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj. REL
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare t’i bëjë trysni Serbisë ta dorëzojë tek autoritetet kosovare Millan Radoiçiqin, duke thënë se politikani dhe biznesmeni serb është “arsyeja thelbësore” e sulmeve që kanë ndodhur dhe mund të ndodhin në të ardhmen në Kosovë.
Duke folur në një konferencë për media të dielën në Prishtinë pas një sulmi ndaj kanalit të Ibër-Lepencit në veri të Kosovës dy ditë më parë, Kurti tha se “problemi kryesor për bindjen time është fakti që Millan Radoiçiqi nuk dorëzohet nga autoritetet serbe te ato të Kosovës”.
Autoritetet kosovare kanë leshur fletarrestim dhe kanë ngritur aktakuzë ndaj Radoiçiqit, ish-nënkryetar i Listës Serbe, i cili e mori përgjegjësinë për një sulm vdekjeprurës ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë, në shtator të vitit 2023.
Kurti tha se, sikur Radoiçiq të mos lihej i lirë në Serbi, do të “binin gjasa në mënyrë drastike që të realizoheshin të gjitha këto sulme që kanë ndodhur dhe sulme në të ardhmen që ata i planifikojnë”.
“Ne kërkojmë prej faktorëve ndërkombëtar t’i bëjnë trysni Beogradit ta dorëzojnë kryekriminelin Radoiçiq tek institucionet e Kosovës. Nëse Serbia ka dyshim se Radoiçiq nuk do të kishte gjykim të drejtë në Kosovë, ne e kemi EULEX-in, ai i vëzhgon të gjitha rastet në Kosovë. Prandaj ai duhet t’i dorëzohet Kosovës”, tha ai.
Sulmi ndaj Ibër-Lepencit ishte i treti brenda 72 orëve të fundit në veri të vendit, i banuar me shumicë serbe, pas shpërthimeve që ndodhën në një stacion policor dhe në ndërtesën e Komunës në Zveçan.
Shpërthimi ndaj kanalit në fshatin Varragë të Zubin Potokut nuk shkaktoi viktima, por e krijoi një çarje të madhe në murin anësor të tij, duke shkaktuar rrjedhe të ujit jashtë kanalit, duke bërë që disa pjesë të vendit të përballeshin me reduktime uji.
Furnizimi i rregullt me ujë u rikthye pothuajse një ditë pas shpërthimit, njoftuan autoritetet kosovare të dielën, ndërsa furnizimi i Korporatës Energjetike të Kosovës me ujë për ftohjen e termoelektranave të saj nuk u ndikua.
Autoritetet kosovare të sigurisë i arrestuan tetë të dyshuar dhe konfiskuan armatim gjatë një aksioni të gjerë në veri të Kosovës të shtunën, në lidhje me këtë sulm që thanë se ishte më i rëndi ndaj infrastrukturës kritike të vendit që nga paslufta.
Kurti tha se sulmi i së premtes ndaj kanalit të ujit në veri ndërlidhet me sulmet që Rusia është duke i kryer në muajt e fundit kundër infrastrukturës energjetike të Ukrainës.
“Qëllimi ka qenë që një pjesë e madhe e vendit të mbetej pa ujë, në terr, në të ftohtë dhe pa komunikim. Ky sulm duket se ka ndërlidhje me sulmet masive të Federatës Ruse ndaj Ukrainës”, tha Kurti.
Ai e shfaqi gjatë konferencës një fotografi për të cilën tha se shfaq emblema të njësive ushtarake të Ushtrisë Ruse të konfiskuara nga Policia e Kosovës gjatë aksionit të së shtunës në veri të vendit.
“U gjetën dhjetëra emblema të njësive ushtarake ruse. Këto emblema ju përkasin njësive të veçanta ruse”, shtoi ai.
Sulmi ndaj kanalit të ujit në veri u dënua nga bashkësia ndërkombëtare.
Bashkimi Evropian dhe Gjermania thanë se ai ishte një akt terrorist.
Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Matthew Miller, tha se Shtetet e Bashkuara do të ofrojnë mbështetje në gjetjen dhe ndëshkimin e kryerësve të një sulmi ndaj kanalit të Ibër-Lepencit. REL
Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit (DASH), Matthew Miller.
Shtetet e Bashkuara do të ofrojnë mbështetje në gjetjen dhe ndëshkimin e kryerësve të një sulmi ndaj kanalit të Ibër-Lepencit në veri të Kosovës, i cili shkaktoi ndërprerjen e përkohshme të furnizimit me ujë në disa pjesë të vendit dhe kërcënoi furnizimin me rrymë, tha zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit (DASH), Matthew Miller.
Miller tha në X se “ne e dënojmë sulmin e 29 nëntorit ndaj ujësjellësit të Kosovës” dhe i falënderoi ekipet emergjente të Kosovës dhe misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR, për punën e tyre në rikthimin e furnizimit me ujë.
Shpërthimi ndaj kanalit në Varragë nuk shkaktoi viktima, por e krijoi një çarje të madhe në murin anësor të tij, duke shkaktuar rrjedhe të ujit jashtë kanalit, duke bërë që disa pjesë të vendit të përballeshin me reduktime uji.
Furnizimi i rregullt me ujë u rikthye pothuajse një ditë pas shpërthimit, njoftuan autoritetet kosovare të dielën, ndërsa furnizimi i Korporatës Energjetike të Kosovës me ujë për ftohjen e termoelektranave të saj nuk u ndikua.
Autoritetet kosovare të sigurisë i arrestuan tetë të dyshuar gjatë një aksioni të gjerë në veri të Kosovës të shtunën, në lidhje me këtë sulm që thanë se ishte më i rëndi ndaj infrastrukturës kritike të vendit që nga paslufta.
Gjatë aksionit policor u sekuestruan mbi 200 uniforma ushtarake, gjashtë raketahedhës dore, tri granata dore, dy pushkë të llojit AK47, një revole, municion të kalibrave të ndryshme, pjesë të armeve, fitila ndezës për inicim të lëndëve plasëse, helmeta ushtarake, maska, thika, të holla në valuta si euro dhe dinar dhe pajisje të tjera.
Sulmi është dënuar nga bashkësia ndërkombëtare, ndërsa Kosova dhe Bashkimi Evropian e kanë cilësuar atë si akt terrorist. REL
Emil Asdurian, i biri i ikonës së Baletit Shqiptar Zoica Haxho shkrun në rrjetin social për cilësitë e pashtershme të nënës së tij për Artin, Kombin dhe Familjen. Më poshtë po e sjellim të plotë:
“Nuk kerkoi kurre asgje dhe ato tituj qe i dhene sepse u duhej por siç ishte ashtu e thjeshte kurre nuk u kerkoi asgje klikave te kohes!
Çdo rol me gjithe prapaskenat e fitoi me pune sa nuk e mënjanonin dot.
Keshtu per Cucen, keshtu per Gjeneralin e me pare per Haliin e çdo tjeter, kerceu si e pare e te parave dhe e dyte per kryetare shtetesh dhe femije kopshti nga Konispoli ne Tropoje, me numer shfaqesh qe s’e arrin askush!
Nuk ishte e para ishte e vetmja ne artin e dashurine e saj.
Po të gjithe kontribuan per shkollen e Baletit po ish ajo qe nuk la asnje funksionar te larte pa i trokitur ne dere deri tek me i madhi.
Jo per te kerkuar diçka per vete apo familjen e saj, por per ate shkolle ku mezi i kane vene emrin nje salle per ta bere me zor te barabarte, kur mundeshin dhe kur s’ishte!
Qe nga aprovimi, tek prejektimi, tek programet e gjeneratat e nxënësve ishte dora dhe zemra e saj!
Ishte mbi te gjitha intrigat me forcen e vullnetit te te pashtershem.
Bente ushtrimet çdo dite deri para gjashte muajve kur nuk mundete e mezi ngrihej të me jepte buzeqeshjen dhe shpirtin sa hyja ne dere!
Ajo ish heroine se sakrifikoi çdo gje per Artin, Kombin dhe familjen, pa pasur nevoje per lemoshe nga injorantet a gjysem injorantet shpirtzinj !
Me mire keshtu na perket vetem neve dhe atyre qe e nderuan, e nderojne dhe e duan vertet!
Iku me nje gur te rende per atdheun e saj, qe varferisht e deboi ne nje menyre apo nje tjeter, nje plage qe nuk iu mbyll kurre!
Vdekja fal shume gjera, por gjurmet nuk i fshin dot dhe aq me pak veprat e saj dhe pershtypjet qe la tek te gjithe qe e njohen persedrejti apo nga filmi dhe skena!
Hirushja jone e vetme trime e luftetare si ajo per dashurine e saj!
Shoqe besnike per koleget dhe kushdo qe erdhi prane e i kerkoi ndihme aq sa mund te jepte!
Miq dhe shoke, kolegë dhe per kedo qe solli fjale te ngrohta per te, por edhe ata qe e kujtuan per nje çast dhe per ata qe enkas ishin te zene me pune per ta harruar
FALEMINDERIT nga zemra sot ne diten qe e percollem ne ameshim.
VOAL- Në qytetin e tij, në Pejë, ndërroi jetë shkrimtari i shquar Sejdi Berisha, një humbje e ndjeshme për familjen, miqtë, të afërmit, admiruesit e shumë të penës së tij në Kosovë dhe anembanë hapësirës shqiptare.
Lajmin pikëllues e jep miku i tij i ngushtë, shkrimtari i njohur Tahir Bezhani, në faqen e tij në facebook:
LAJMI QË MË ZURI FRYMEN.!…NA IKU SEJDI BERISHA!…
Na iku edhe një mik i madh,nje poet, romansier, punlicist, eseist, dramaturg,gazetare,nje mik e krijues i rralle i letrave shqipe, me i dashuri,Sejdi Berisha. Lajmi i trisht kete mengjes dhjetori,2024 do mbetet njera nga ditet me te hidherura te jetes sime. Me çan zemnra e shpirti per kete burre qe e desha shume,që me respektoj gjithmonë,nje figure emblematike e letersise sone,i cili zhvilloi aktivtet ne bashkveprim me gjithe krijuesit e Malesise se Gjakoves per afer dy dekada, nuk pushoi penda e tij duke vuar ne spikame atributet e njeriut te devotshem per kombin dhe dashurine per njeriun ne pergjithesi. Sejdiu dha kontribut te pashoq,tregoi shembulltyren e krijuesit te palodhshem kudo ne takimet tona si ne Bajram Curri,Tirane,Lezhe,Gjirokates e ku jo ne qytete te Shqiperise e Kosoves.
Per kete figure emblematike te letersise sone,ju shprehi ngushllime familjes Brisha,farefisit te tij,shokeve,miqeve te pandashem nga Klina,Malisheva e Gjakova,Bajram Curri et.gjithandej krjiuesve shqiptare ne Shqiperi,Kosove,Diaspore e kudo qe ka shqiptare!
Figura e Sejdi Berishes mbetet e kalitur ne kujtesen tone per jete e mot! I jam mirenjohes per gjithe jeten veprimtarise se tij madhore letrare! Pushofte ne amshimin e merituar!
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka bërë të ditur se një nga vendimet e mbledhjes së Këshillit të Sigurisë së Kosovës që është mbajtur në orët e para të mëngjesit të së shtunës ka qenë edhe angazhimi i FSK-së në patrullime dhe vëzhgim të pikave të infrastrukturës kritike në lokalitete të ndryshme në Kosovës.
Kurti ka treguar se patrulla të FSK-së janë vendosur në regjionin e Obiliqit dhe Vushtrrisë.
“Ndër vendimet e dala nga mbledhja e Këshillit të Sigurisë, që e mbajtëm në orët e para të mëngjesit ishte angazhimi i FSK-së në mbështetje të autoriteteve civile përmes detyrave të patrullimeve dhe vëzhgimit të pikave të infrastrukturës kritike në lokalitete të ndryshme në Kosovë”.
“Pas vizitës në Varagë të Zubin Potokut, kësaj radhe me ministrin e Mbrojtjes, Maqedonci ishim në pikat statike dhe patrullat ushtarake të vendosura në regjionin e Obiliqit dhe Vushtrrisë. Jemi të përkushtuar për garantimin e sigurisë dhe mirëqenies së qytetarëve”, ka shkruar Kurti.sn
Komiteti i Përhershëm i Konventës së Bernës pritet të shqyrtojë në sesionin e 44 që mbahet në Strasburg nga data 2 deri më 6 dhjetor ndikimet në Lumin Vjosa në Shqipëri dhe ndërtimin e Aeroportit të Vlorës.
Konventa e Bernës, e njohur ndryshe edhe si Konventa për Ruajtjen e Jetës së Egër dhe Habitatet Natyrore Evropiane, është një instrument juridik detyrues ndërkombëtar në fushën e mbrojtjes dhe ruajtjes së natyrës.
Shqipëria e ka nënshkruar këtë Konventë në vitin 1995 dhe ka hyrë në fuqi në maj të vitit 1999.
Sipas dokumenteve të publikuara nga Konventa, Komitetit të Bernës pritet t`i paraqiten dy raporte, një nga qeveria shqiptare dhe një nga “ankuesit” që përfshijnë organizatat mjedisore shqiptare “Eco Albania” dhe “PPNEA”, lidhur me zhvillimet dhe kërcënimet e mundshme të ekosistemit të lumit “Vjosa” dhe ndikimin e ndërtimit të Aeroportit të Vlorës në Zonën e Mbrojtur Vjosë-Nartë.
Konventa e Bernës i ka kërkuar një vit më parë qeverisë shqiptare përmes një rekomandimi zyrtar, të ndalojë punimet për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës në Zonën e Mbrojtur Vjosë-Nartë.
Konveta e Bernës ka nxitur autoritetet shqiptare të punojnë së bashku me shoqërinë civile dhe palët e tjera të interesit për një studim të thelluar të ndikimit tek mjedisi.
Sipas dokumenteve të publikuara nga Konventa për sesionin e 44 autoritete shqiptare pritet të raportojnë për masat e ndërmarra për të zbutur ndikimin e mundshëm të aeroporti mbi mjedisin.
Në raportin e Qeverisë së Shqipërisë, të cilin Zëri i Amerikës e ka parë, thuhet se “ndërtimi i Aeroportit të Vlorës është planifikuar me përpikëri për të minimizuar shkatërrimin e habitatit dhe vlerësimet e detajuara të Ndikimit në Mjedis (VNM) janë kryer përpara fillimit të projektit, duke identifikuar habitatet kritike dhe duke propozuar masa për të zbutur efektet negative”.
Ndërsa organizata Eco Albania në rolin e “ankuesit” në raport shpreh shqetësimin se “Aeroporti Ndërkombëtar në zonën e mbrojtur Vjosë-Nartë (tashmë i quajtur Nartë- Pishë-Poro) është në vazhdim dhe kompanitë po punojnë me ritëm të plotë, pavarësisht kërkesës së Konventës së Bernës për ndalimin e punimeve”.
Konventës pritet t`i paraqiten qëndrimet si nga autoritetet shqiptare dhe organizatat mjedisore shqiptare edhe lidhur me kërcënimet e supozuara të ekosistemit të Lumit Vjosa nga projekti i devijimit të ujit nga lumi Shushica (nëndegë e Vjosës) për furnizimin me ujë të bashkisë së Himarës.
Ndërtimi i aeroportit të Vlorës nisi në nëntor të vitit 2021 nga një konsorcium kompanish, ku 50 % e aksioneve zotërohej nga “Mabetex” e sipërmarrësit Behgjet Pacolli, në partneritet me kompaninë turke, “Yda Group”, e cila kishte 48 % të aksioneve , ndërsa 2% i përkasin shoqërisë nga Kosova “2A Group Shpk”.
Shoqëria turke u tërhoq nga konsorciumi dhe Kompania “Mabco Constructions” ka marrë në zotërim 98% të aksioneve të koncesionit të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës.
Aeroporti i Vlorës shtrihet në një sipërfaqe prej 297 hektarësh me një vlerë të parashikuar të investimit në rreth 100 milion dollarë. Gjatësia e pistës pritet të jetë deri në 3.2 kilometra dhe terminali i pasagjerëve do të ketë sipërfaqe prej 25 mijë metra katrorë.
Dy ditë më parë Kryeministri Edi Rama inspektoi punimet në zonën ku po ndërtohet aeroporti dhe deklaroi se ky projekt ka rëndësi të madhe për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë, sidomos për rajonin e jugut dhe infrastruktura është duke u zhvilluar me ritme të shpejta.
“Tani duhet punë natë e ditë që të arrijmë që sezoni i ardhshëm veror të përfshihet në aktivitetin e aeroportit dhe në aktivitetin e përgjithshëm ekonomik të vendit dhe pastaj me siguri shumë gjëra të tjera pozitive do të vijnë nga prania e aeroportit”, tha Kryeministri Rama.
Sipas autoriteteve shqiptare në prill të vit të ardhshëm mbyllet faza e publikimit të aeroportit sipas standardeve ndërkombëtare, nën mbikqyrjen e operatorit të aeroportit, i cili është Aeroporti Ndërkombëtar i Mynihut.
Sipas vlerësimit të organizatave mjedisore Zona e Mbrojtur Vjosë-Nartë është një nga ekosistemet më të rëndësishme në Shqipëri, ligatina e dytë më e rëndësishme në Shqipëri dhe shtëpi e llojeve të rralla të kafshëve dhe bimëve.
Zona është habitat për më shumë se 220 lloje shpendësh përgjatë vitit dhe ka një rëndësi të lartë edhe përtej rajonit, për sa i përket korridorit të shtegtimit të Adriatikut.
Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, në konferencë të jashtëzakonshme për media, ka treguar se çfarë është gjetur sot gjatë basitjes që u zhvillua në veri të Kosovës.
Hoxha ka thënë se në 10 lokacionet që u kryen bastisjet pas sulmit terrorist në Ibër-Lepenc janë gjetur mbi 200 uniforma ushtarake, tri granata dore, dy armë automatike AK-47, një revole, municione të kalibrave të ndryshëm, pjesë të armëve, fitila ndezës për inicim të lëndëve plasëse, helmeta ushtarake, maska, thika, të holla në euro dhe në dinarë dhe pajisje të tjera.
“Si rezultat i zbatimit të këtyre kontrolleve janë sekuestruar prova të shumta materiale që mund të ndërlidhen me këto raste apo edhe me raste të tjetra që janë duke u trajtuar nga Policia e Kosovës. Si në vijim, janë sekuestruar mbi 200 uniforma ushtarake, 6 raketahedhës dore, 3 granata dore, 2 armë AK47, 1 revole, municion të kalibrave të ndryshëm, pjesë të armëve, fitila ndezës për inicim të lëndëve plasëse, helmeta ushtarake, maska, thika, të holla në euro dhe dinarë dhe pajisje të tjera. Po ashtu në një rast tjetër të dinarë sot në Zveçan, policia ka gjetur të fshehura një sasi të konsiderueshme të armatimit”, theksoi Hoxha.
Në fotot e publikuara nga autoritetet në Kosovë, pikasen edhe simbole dhe emblema serbe e ruse. bw
Pasojat e një shpërthimi në kanalin e Ibër-Lepencit në veri të Kosovës, 30 nëntorit.
Ministrja e Ekonomisë e Kosovës, Artane Rizvanolli, tha të shtunën se është siguruar furnizimi i rregullt me energji elektrike për vendin dhe ngrohje qendrore për qytetarët e kryeqytetit, Prishtinë, pas sulmit ndaj kanalit të ujit të Ibër-Lepencit në veri të vendit.
Një shpërthim mbrëmjen e së premtes i shkaktoi dëme të konsiderueshme kanalit të ujit të Ibër-Lepencit në fshatin Varragë të komunës së Zubin Potokut, duke rrezikuar furnizimin me ujë dhe rrymë në vend.
Autoritetet kosovare e kanë akuzuar Serbinë se qëndron prapa sulmit, gjë që është mohuar nga ajo.
Nga ky kanal furnizohen me ujë disa qytete të vendit përmes Liqenit të Ujmanit, si dhe Korporata Energjetike e Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj.
“Ibër-Lepenci, rreth orës 02:00 pas mesnate, në një afat rekord, ka vendosur gjashtë tuba të përkohshme me kapacitet të mjaftueshëm për të siguruar ujë për ftohjen e termocentralit ‘Kosova B’. Kësisoj, presim që furnizimi me energji elektrike të vazhdojë i pacenuar”, tha Rizvanolli në një postim në Facebook të shtunën në mëngjes.
Ajo tha se pas një mbledhjeje të jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurisë së Kosovës, është marrë vendim po ashtu që autoritetet e vendit të bashkërendohen me Korporatën Energjetike të Shqipërisë për të siguruar energji shtesë për të evituar reduktime eventuale.
Rizvanolli shtoi se “nga ky akt terrorist” është ndikuar edhe furnizimi me ujë.
“Përderisa në Prishtinë furnizimi me ujë do të kompensohet nga Badovci dhe Batllava, furnizimi në Fushë Kosovë, Drenas dhe rajonin e Mitrovicës do të sigurohet përmes autobotëve, duke nisur nga mëngjesi i sotëm”, tregoi ajo.
Më vonë gjatë ditës, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se një pjesë e madhe e dëmeve janë ndrequr shpejt.
“Punë e jashtëzakonshme dhe përgatitje e lartë e institucioneve tona të cilat në kohë rekord sanuan në masë të madhe dëmin e shkaktuar në Ibër Lepenc”, tha Kurti në Facebook.
Gazetarët e Radios Evropa e Lirë nga terreni raportojnë se uji mund të shihet duke rrjedhur ende nga kanali i dëmtuar, edhe pse në sasi të vogël, pas punës riparuese gjatë natës ku u vendosën disa gypa dhe një argjinaturë prej dheu.
Tani për tani nuk ka policë në vendngjarje, por vetëm pjesëtarë të KFOR-it.
Banorët e zonës që jetojnë afër kanalit thonë se atyre nuk u rrezikohet furnizimi me ujë, për shkak se shfrytëzojnë ujin e burimit dhe nuk varen nga kanali i Ibër-Lepencit.
Shpërthimi në Ibër-Lepenc nuk ka shkaktuar viktima, sipas autoriteteve të Kosovës.
Kurti e ka akuzuar fqinjin verior të Kosovës, Serbinë, për “sulm kriminal dhe terrorist”, i cili, sipas tij, ka synuar “ta dëmtojë infrastrukturën mbase më të rëndësishme” të vendit.
Por, ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriq, i hodhi poshtë pretendimet e Kurtit, duke thënë se derisa “regjimi etnonacionalist i Kurtit është nxituar ta drejtojë gishtin drejt Beogradit pa prova, ne besojmë se akuza të tilla të parakohshme janë devijim i qëllimshëm, që potencialisht mund të tregojë përfshirjen e regjimit të Albin Kurtit” në këtë sulm.
“Serbia dënon me termat më të ashpra sulmin e fundit ndaj kanalit të Ibër-Lepencit. Ky akt sabotimi thellësisht shqetësues rrezikon jetët dhe mirëqenien e shumë njerëzve në rajon”, tha Gjuriq në një reagim në X.
Shpërthimi u dënua edhe nga përfaqësues ndërkombëtarë në Kosovë.
Sulmi ndaj Ibër-Lepencit ishte i treti brenda 72 orëve të fundit në veri të vendit, i banuar me shumicë serbe, pas shpërthimeve që ndodhën në një stacion policor dhe në ndërtesën e Komunës në Zveçan.
Pas këtyre sulmeve, Policia e Kosovës tha të premten se ka shtuar masat e sigurisë në Kosovë, përfshirë në pjesën veriore të shtetit, ku ditëve të fundit kanë ndodhur “disa sulme apo incidente serioze kriminale”.
Në vitet e fundit, në veri të Kosovës janë regjistruar një sërë sulmesh të tilla.
Rastet e hedhjeve të mjeteve shpërthyese dhe djegie të veturave u rritën veçmas gjatë periudhës kur po zbatohej vendimi i Qeverisë së Kosovës për konvertimin e targave serbe në ato RKS – Republika e Kosovës.
Prej atëherë, tensionet në veri vazhdojnë të jenë kryesisht të larta, gjithashtu për shkak të atyre që Qeveria e Kosovës i konsideron si hapa për shtirje të sovranitetit në këtë pjesë.
Komuna e Zveçanit, sikurse edhe tre komunat e tjera në veri – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq dhe Zubin Potok – udhëhiqen nga kryetarë shqiptarë, pasi serbët dhanë dorëheqje nga institucionet e Kosovës dhe bojkotuan zgjedhjet lokale të mbajtura vitin e kaluar.REL
Komentet