VOAL

VOAL

SHBA: Rusia ka kryer krime lufte në Ukrainë

March 24, 2022
blank

Komentet

blank

Nataša Kandić, Aktivistja e shquar serbe e të drejtave të njeriut paditet për shpifje në Beograd sepse mbrojti shqiptarët

 

Mbrojtësi i palës paditëse është avokati i Ratko Mlladiqit.

Sot në orën 11:00 AM fillon në Beograd gjykimi i Aktivistes të shquar serbe të të drejtave të njeriut Nataša Kandić me akuzën për fyerje. Kjo akuzë sot është vënë në lëvizje nga shtetet autokratike për të mbyllur gojën e gazetarëve dhe veprimtarëve.

Zonja Nataša Kandić bën me dije përmes Twitter-it si më poshtë:

“Në ora 11 në Pallatin e Drejtësisë fillon gjykimi i padisë për fyerje të Danica Marinkoviqit – sepse thashë se ajo ishte mbështetja kryesore në drejtësi për mbulimin e represionit policor ndaj shqiptarëve dhe mohimin e krimeve të luftës. Ajo përfaqësohet nga avokati mbrojtës i Ratko Mlladiqit nga ana ime, Sead Spahoviq.”

blank

Donika Gërvalla, pas sulmeve terroriste në veri: Asociacioni ka vdekur

Prishtinë – Zëvendëskryeministrja e Kosovës, njëherësh edhe Ministrja e Punëve të Jashtme Donika Gërvalla, ka deklaruar se Asociacioni me Serbinë “ka vdekur”.

Ajo u shpreh se tashmë ka prioritete komplet ndryshe pas sulmit të së dielës, në lidhje me BE-në dhe SHBA-në. Tashmë sipas saj siguria është prioriteti kryesor i diskutimeve me ndërkombëtarët, gjë e cila e ka ndryshuar pozitën e Kosovës pas ditës së diel, njofton RTK..

Gërvalla u shpreh se nuk ka shkelje më të rëndë sesa agresioni i hapur ndaj atij që pretendon që ke në tavolinë.

“Të them të drejtën pas të dielës çdo bisedë për Asociacionin më duket e tepërt se pas te dielës nuk kanë kuptim. Asociacioni ka vdekur për ne dhe ndërkombëtarët. Të koordinojmë punën e komunave në veri të Kosovës është dallim tjetër. Janë katër parime të mos shkelë sovranitetin, Kushtetutën, të mos dëmtojë dhe të jenë koordinues”, tha ajo për Top Channel.

Sipas saj, Asociacioni i 2013 është kundër kushtetutës së Kosovës dhe nuk mund të bëhet.

“Escobar shumë qartë e ka përcaktuar se nuk mund të ketë Asociacion pasi mund të jetë një republikë e dytë serbe. Për ne ka qenë shumë e rëndësishme që shkelja e Kushtetutës të mos jetë pjesë e marrëveshjes që kemi pranuar në Bruksel. Nuk ndodhi sepse Serbia e ka pasur të qartë që nuk është e gatshme e që i mungon gatishmëria e plotë. E dallojmë BE-në nga SHBA sepse SHBA ka qenë më pragmatike në të kuptuarit të realitetit të vendit tonë dhe të Ballkanit”, theksoi e dyta e qeverisë.

“Çdo përpjekje e jona për të sjellë energji dhe rezultate në proces, në fund ju e shihni që jemi pala e vetme që kërkon implementimin e marrëveshjes në Bruksel. Ky dialog nuk çon askund është qorrsokak. Për mua është shumë e rëndësishme që mbas asaj që ka ndodhur të dielën ka prioritete krejt të tjera në raportin tonë me ndërkombëtarët, siguria. Nuk ka shkelje më të rëndë sesa agresioni i hapur ndaj atij që pretendon që ke në tavolinë. Pas sulmit qëndron Serbia dhe aty ka pasur armatim për qindra trupa”-tha Gërvalla.

blank

Zaimi: Rama duhet të mbrojë shqiptarët e Preshevës, Vuçiç i ka kërcënuar hapur

I ftuar në Edicionin e Pasdites në SYRI TV me moderatorin Edvin Parruca për të folur për tensionet në veri të Kosovës ishte anëtari i Lëvizjes Vetëvendosjes, Arbër Zaimi.

Zaimi është shprehur se nëse Rama kërkon të ndihmojë me të vërtetë Kosovën duhet të ndërhyjë për të mbrojtur shqiptarët e Preshevës nga kërcënimet e Vuçiçit dhe të kërkojë prezencën e forcave të sigurisë në veri të vendit.

“Kërkesa e Ramës është kundërthënëse, në rastin më të keq është një kërkesë shumë e dëmshme për Kosovën, natyrisht që Kosova ka nevojë për ndihmën e Shqipërisë por ndihma duhet të jetë në fuqizimin e sovranitetit por jo në heqjen dorë prej saj.

Kosova nuk ka nevojë për të mbrojtur Veriun e Kosovës, rendin dhe ligjin atje pasi ajo është në gjendje ta bëjë dhe e ka treguar vazhdimisht që institucionet e Kosovës janë në nivelin e duhur për të përballuar situatat që hasin.

Kshu që nu presim ndihmë në këtë aspekt pasi rendin dhe ligjin Kosova mban vendin e parë në Ballkan sa i përket prezencës së kriminalitetit, ne kemi nevojë për konfirmim të sovranitetin të saj dhe nëse Rama kërkon të mbrojë Kosovën duhet të kërkojë që të dërgojë forcat e saj të sigurisë e jo të heqë forcat e policisë nga atje se kjo është absurde.

Ne në konferencën e Vuçiç i cili në vend se të distancohet nga terroristë dhe krimi ai i mbrojti ato, ai ka bërë kërcënim duke u shprehur se policor që vranë terroristët në Kosovë ishin disa prej tyre nga Presheva dhe me këtë ai po kërkon përplasjen serbve me shqiptarët e Preshevës për këtë Rama duhet të ndërhyjë dhe nëse kërkon të ndihmojë me të vërtetë këto janë mundësitë.”

blank

Bieber: Pas Banjskës çështja e dialogut është qesharake, Asociacioni ka vdekur

Çështja e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në rrethanat e përshkallëzimit të dhunës që rezultoi me disa vdekje tani tingëllon qesharake dhe është e vështirë të imagjinohet se do t’i kthehemi asaj, tha Florian Bieber, ekspert për Ballkanin dhe profesor në universiteti i Gracit.

Në një intervistë për agjencinë serbe të lajmeve Beta, Bieber thotë se është e pamundur të vazhdosh dialogun nëse ke një ngjarje që interpretohet në mënyra diametralisht të kundërta: njëra palë shpall ditë zie për ata që sulmuan policët dhe pala tjetër këtë e interpreton si sulm ndaj Kosovës.

“Në këtë kuadër, është vështirë të kesh ndonjë besim te pala tjetër dhe të kthesh atë besim, do të jetë shumë e vështirë, madje besoj, pothuajse e pamundur ta ndërtosh këtë besim te pala tjetër dhe të ecësh në drejtimin e duhur”, ka thënë Bieber.

Ai rikujton se në Bashkimin Evropian po afrohen zgjedhjet, të cilat do ta lënë anash të gjithë procesin për të paktën një vit dhe se deri atëherë do të bëhet vetëm menaxhimi i krizës me qëllim të parandalimit të vazhdimit të konfliktit, transmeton Paparaci.

“Ne jemi më larg nga çdo marrëveshje sesa kemi qenë dhjetë vjet më parë”, ka thënë Bieber.

Ai gjithashtu ka thënë se çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe tashmë ka vdekur, sepse është e vështirë të imagjinohet se pala kosovare do të pranonte të jepte një lloj autoriteti në rrethana të tilla sigurie.

“Kurti është shumë kokëfortë dhe tani ka edhe më pak motivim sepse doli se Serbia nuk është e interesuar për normalizim dhe ulje të tensioneve. Kjo më pas pengon çdo hapësirë ​​për kompromis dhe për një lloj marrëdhënie paqësore”, ka thënë Bieber.

Duke komentuar informacionet që dalin në opinion lidhur me konfliktin mes një grupi terroristësh të armatosur të serbëve dhe Policisë së Kosovës në Banjskë, Bieber ka vlerësuar se është e pamundur që Serbia të mos e dinte se çfarë po përgatitej, veçanërisht në dritën e ndikimit të saj në veri të Kosovës përmes shërbimeve të sigurisë.

“Pyetja është se çfarë është shteti dhe pyetja është nëse presidenti e kontrollon shtetin, a ka ditur apo nuk e ka ditur, cila pjesë e shtetit ka ditur për këtë, por nuk mund të besoj se askush në Serbi, në kuptimin e strukturës shtetërore, nuk ka ditur për këtë”, ka thënë Bieber.

Në një vend, vazhdon Bieber, ku presidenti është i fiksuar pas kontrollit të çdo gjëje dhe gjithçkaje, i cili mburret që ka për gjithçka informacione, të dyja opsionet janë të rrezikshme – edhe nëse e dinte edhe nëse nuk e dinte, sepse atëherë atje është mundësia e dhunës dhe destabilitetit në të ardhmen, sepse konflikti në Banjskë ishte e një intensiteti të tillë që nuk e kemi parë në Kosovë në 20 vjetët e fundit.

“Nëse ai nuk e kontrollon këtë, çfarë do të thotë kjo? Cilat janë këto forca, cilat janë synimet e tyre? Ka shumë pikëpyetje, por gjithsesi tregon se diçka ka kërcit në sistemin në Serbi. Duket se është një prerje e thellë, në kuptimin që tashmë është e dukshme diçka që nuk e kemi parë më parë, kjo gatishmëri për dhunë në Kosovë dhe kjo është shumë e rrezikshme”, ka theksuar Bieber.

Kur bëhet fjalë për bashkësinë ndërkombëtare, ai vlerëson se tani është e rëndësishme që NATO dhe KFOR-i ta mbajnë situatën nën kontroll dhe të parandalojnë përshkallëzimin e mëtejshëm, sepse edhe pse nuk ka rrezik lufte, konfliktet mund të vënë në pikëpyetje aftësinë e KFOR-it për të mbajtur stabilitetin në Kosovë dhe kjo do të dobësonte imazhin e NATO-s.

blank

Berisha: Kërkesa e Ramës që në komunat e veriut të vendoset KFOR-i, djallëzore

TIRANË

Ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi sot se kërkesa e Ramës që në komunat e veriut të vendoset KFOR-i është djallëzore dhe akuzoi kryeministrin se kërkon të ndajë Kosovën mes Serbisë dhe Shqipërisë.

Berisha tha se këtë projekt Edi Rama për Komunat e Veriut të Kosovës e mbrojti për vite të tëra me shkëmbim territoresh, por ky projekt ka dështuar, është arkivuar njëherë e mirë.

“Tezat e padronit dhe shtoj në këtë mënyrë, akuzat ndaj Kosovës, udhëheqjes së saj në problematikën e marrëveshjes mes Prishtinës dhe Beogradit.
Edi Rama kërkoi sot fjalë për fjalë siç kërkoi Beogradi dhe mashtroi shqiptarët dhe publikun se gjoja ka kërkuar Prishtina që komunat e veriut të Kosovës të vendoset KFOR-i. Njësitë ushtarake të KFOR-it si njësi të NATO-s, kanë përgjegjësi ndërkombëtare për garantimin e integritetit territorial të Republikës së Kosovës dhe mbrojtjes së saj.

Qeveria e Kosovës në radhë të parë dhe partnerët ndërkombëtar nuk janë dakord as me padronin e Edi Ramës, Vuçiç dhe argatin e tij në Tiranë. Ata mendojnë dhe besojnë se, përgjegjëse për sigurinë e rendit në të gjithë territorin e Kosovës është Policia. Ajo është linja e parë në garantimin e rendit dhe luftën ndaj kriminalitetit, në të gjithë territorin pa përjashtuar asnjë zonë.
Natyrisht në çdo rast ajo bashkëpunon dhe duhet të bashkëpunojë me KFOR-in dhe EULEX-in, sa herë që t’i paraqitet nevoja.
Por kërkesa e Edi Ramës me porosi të Aleksandër Vuçiç që komunat në veri të Kosovës me shumicë serbe të vendosen nën kontrollin e KFOR-it është një kërkesë djallëzore e cila nuk ka qëllim tjetër përveç indirekt për të dalë tek ndarja e Kosovës mes Serbisë dhe Shqipërisë.
Këtë projekt Edi Rama për Komunat e Veriut të Kosovës e mbrojti për vite të tëra me shkëmbim territoresh, por ky projekt ka dështuar, është arkivuar njëherë e mirë.
Ndaj dhe dënoj me ashpërsinë më të madhe këtë qëndrim të Edi Ramës që shkon fund e krye në përputhje me kërkesat e Beodradit”, deklaroi Berisha.bw

blank

 

blank

Kurti në Kuvend: Nëse Serbia kalon e pandëshkuar, ajo do ta përsërisë krimin

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka bërë thirrje nga Kuvendi i Kosovës për sanksionim dhe ndëshkim të Serbisë nga faktori ndërkombëtar për sulmin ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit, më 24 shtator.

“Nëse kalon e pandëshkuar, atëherë ajo [Serbia] do ta përsërisë krimin”.

Si pasojë e përleshjeve të Policisë me një grup të armatosur në këtë pjesë në veri të Kosovës – të banuar me shumicë serbe – kanë vdekur një zyrtar policor dhe tre sulmues.

Seanca e 28 shtatorit në Kuvend ka nisur me një minutë heshtje në nderim të zyrtarit policor të vrarë Afrim Bunjaku – tashmë të shpallur hero.

Mes tjerash, Kurti ka bërë thirrje që organizatat Mbrojtja Civile dhe Brigada Veriore të shpallen organizata terroriste nga shtetet partnere të Kosovës.

Qeveria e Kosovës i ka shpallur këto dy organizata si terroriste, më 29 qershor.

Ato besohet se veprojnë në veriun e Kosovës dhe numërojnë qindra pjesëtarë nga radhët e komunitetit serb, që janë shumicë në këtë zonë.

Kurti i ka falënderuar të gjitha shtetet që e kanë dënuar sulmin ndaj Policisë së Kosovës dhe për mbështetjen e ofruar.

“Lufta kundër krimit e terrorit të sponsoruar nga Serbia vazhdon, dhe ajo do të përfundojë doemos me fitoren e shtetit tonë të pavarur”.

Kuvendi i Kosovës është pajtuar që të hartojë një rezolutë për dënim të sulmeve që kanë ndodhur ndaj Policisë së Kosovës.

Autoritetet e Kosovës e kanë konsideruar Serbinë përgjegjëse për këtë sulm, derisa presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka thënë se sulmuesit kanë qenë serbë të Kosovës, të ngopur nga “terrori” i Kurtit.

Shefja e grupit parlamentar të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lila, ka bërë thirrje për unitet politik, në këtë periudhë kur, sipas saj, është duke u sfiduar integriteti territorial i Kosovës.

“E diela që lamë pas shpërfaqi një sulm të organizuar dhe të dirigjuar direkt nga Beogradi, për të ndezur zjarrin e një konflikti të ri në Kosovë. Asnjë fakt nuk çon në ndonjë përfundim tjetër”, ka thën ajo, teksa e ka përmendur armatimin e gjetur nga Policia e Kosovës në zonën e sulmit.

Kusari-Lila e ka fajësuar Serbinë për sulmin.

“Porosia dhe veprimi i të gjithëve duhet të jetë konsistent në dënimin e këtij terrori dhe këtij krimi… u kuptua se Serbia as nuk ka ndryshuar, as nuk e fsheh faktin që ka mbetur Serbia e [ish-liderit Sllobodan] Millosheviqit, vetëm se ndikimin e ka më të vogël dhe fushëveprimin më të ngushtuar”.

Kryetari i partisë opozitare, Partia Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka bërë thirrje për hetim ndërkombëtar për ta vërtetuar përfshirjen e Serbisë në këtë sulm.

“Mposhtja e grupit terrorist në Banjskë të Zveçanit, nuk është përfundimi i qëllimeve dhe synimeve të Serbisë karshi Kosovës, e që është destabilizimi i skajshëm i vendit tonë. Për mua dhe PDK-në është krejtësisht e qartë se organizimi dhe orkestrimi i sulmit terrorist mbi republikanë tonë, adresën kryesore e ka në Beograd”.

Ai ka thënë se Kosova duhet të kërkojë “ekstradimin e terroristëve nga Serbia, të cilët e kanë kryer sulmin ndaj mbi shtetin tonë”.

Kryetari i partisë tjetër opozitare, Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se synimi i sulmit të 24 shtatorit ka qenë krijimi i një realiteti të ri në veri.

Sipas tij, përgjigja e autoriteteve të Kosovës ndaj sulmit ka qenë “më adekuatja e mundshme”.

“Faktet janë të qarta. Kosova nuk e ka sulmuar Serbinë. Kosova nuk e ka vrarë një polic të shtetit tjetër. Nga Kosova nuk janë nisur mjete e trupa ushtarake drejt një shteti tjetër. Në Kosovë nuk janë kthyer individë të armatosur, pasi e kanë vrarë një polic të shtetit tjetër. Kosova nuk ka vendosur trupa të armatosura në objekte fetare”.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se një rezolutë që e dënon sulmin në Banjskë, është e drejtë dhe Kuvendi i Kosovës duhet ta aprovojë.

“Në këtë rezolutë kërkoj që të përfshihet kërkesa për një hetim ndërkombëtar. Ky hetim do të ndihmonte, jo vetëm në zbardhjen e përfshirjes së Serbisë në këtë sulm terrorist ndaj Kosovës, por do ta ndihmonte bashkësinë ndërkombëtare që t’i ndëshkojë sponsorët e terrorizmit”.

Sulmet ndaj Policisë së Kosovës janë dënuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian dhe është bërë thirrje për përballjen e fajtorëve me drejtësi.rel

blank

Wesley Clark: Interesi i Rusisë paqëndrueshmëria në Ballkan – Gërryerja e pavarësisë së Kosovës në interes të Moskës

Thekse nga Intervista e Gjen.Wesley Clark tek Zëri i Amerikës

Zëri i Amerikës: Ministri serb i mbrojtjes, përveç tjerash, tha se Serbia është e pakënaqur me reagimin e KFOR-it. Si duhet të reagonte KFOR-i në këtë situatë ?

 

Wesley Clark: KFOR duhet të veprojë me forcë kundër dhunës në Kosovë, kudo qoftë apo ndaj palëve që ushtrojnë dhunë. Kjo është arsyeja pse KFOR ndodhet atje.

 

Por do të vëreja gjithashtu se këto veprime në Kosovë nuk janë të palidhura me dhunën në Ukrainë. Për Rusinë, nxitja e trazirave në Kosovë, duke përdorur Serbinë si agjent të saj do të ishte ekuivalenti i një sulmi të thellë të luftës hibride. Rusia do të dëshironte të shihte paqëndrueshmëri më të madhe në Ballkan, një shpërqendrim për NATO-n, me preteksin se demokracia nuk funksionon.

 

Gërryerja e pavarësisë së Kosovës do të ishte në interes të Moskës. E gjitha është pjesë e një axhende që po ndiqet nga të paktën disa elementë në Beograd.

Intervista Zëri i Amerikës- Gjenerali Wesley Clark: NATO-ja duhet të forcojë aftësitë e saj për qenë më efikase kudo në Kosovë

blank

Presidentja Osmani: Duhet ta bëjmë me SHBA-në projekt statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe

VOA

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha të mërkurën se Kosova duhet që me Shtetet e Bashkuara të përgatisë projektin e statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, themelimi i të cilit është pjesa më e vështirë e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Në një intervistë për Radiotelevizionin e Kosovës, presidentja Osmani tha se ka ende mëdyshje rreth marrëveshjes së arritur në Bruksel dhe në Ohër më herët gjatë këtij viti, posaçërisht për pjesët që kanë të bëjnë me vetmenaxhimin e komunitetit serb, por ajo marrëveshja, tha ajo, është një detyrim ndërkombëtar.

“Ne duhet të ulemi me Shtetet e Bashkuara dhe të përgatisim projektin tonë. Mendoj se kështu është zgjidhja, të ulemi me partnerët tanë në Shtetet e Bashkuara, ta prezantojmë para sekretarit amerikan të Shtetit draftin tonë, i cili është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, në përputhje me letrën (e ish-shefes së politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Federica) Mogherinit që garanton se nuk do të ketë kompetenca ekzekutive dhe në përputhje me qëndrimin e shkruar amerikan në opinionin (këshilltarit të lartë të Departamentit Amerikan, Derek) Chollet dhe (të dërguarit amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel) Escobar që sqarojnë se një trup i tillë do të jetë një trup koordinues, pa kompetenca ekzekutive”, tha presidentja Osmani.

Me 2 maj në Bruksel u paraqit një projekt statut i Asociacionit i hartuar nga një ekip menaxhues që përbëhej nga katër pjesëtarë të komunitetit serb, përfshirë një deputete të parlamentit të Serbisë.

Por ai u refuzua nga kryeministri i Kosovës Albin Kurti, i cili e cilësoi të “papajtueshëm me kushtetutshmërinë, ligjshmërinë, të drejtat e njeriut, vlerat evropiane, të drejtat e pakicave sipas standardeve evropiane”. Në vend të tij ai tha se ka propozuar me një projekt pikëpamje se si do duhej të ishin vlerat dhe parimet që rregullojnë çështjen e komuniteteve pakicë në Kosovë.

Çështja e Asociacionit është Thembra e Akilit në procesin e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi.

Palët u morën vesh në vitin 2013 për themelimin e Asociacionit, ndërsa në vitin 2015 u pajtuan për parimet e tij. Por po atë vit Gjykata Kushtetuese e Kosovës gjeti se një pjesë e madhe e këtyre parimeve janë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.

Serbia ngulë këmbë për themelimin e tij, ndërsa Prishtina ka hezituar gjatë të themelojë Asociacionin që e sheh si kërcënim për një ‘Republikë Serbe’ si ajo në Bosnje e Hercegovinë.

Shtetet e Bashkuara thonë se kjo nuk do të ndodhë por Asociacioni është mundësi për të ulur ndikimin e Beogradit në veri të Kosovës. I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar ka thënë se nëse Kosova dëshiron të ecë përpara me integrimin evropian, duhet ta themelojë Asociacionin.

Presidentja Osmani tha të mërkurën se një përfshirje e drejtpërdrejte amerikane në procesin e bisedimeve është shumë me rëndësi për suksesin e procesit të bisedimeve me Serbinë që lehtësohen nga Bashkimi Evropian.

Procesi i bisedimeve që nuk ka shënuar ndonjë përparim pas marrëveshjes së Ohrit, sipas vëzhguesve, mund të jetë dëmtuar rëndë pas përleshjeve të 24 shtatorit ndërmjet policisë së Kosovës dhe një grupi serbësh të armatosur në veri të vendit, i cili vrau një oficer të policisë dhe plagosi një tjetër.

Sulmi nxiti shqetësime të reja të diplomatëve perëndimorë për qëndrueshmërinë në rajon, të cilët bënë thirrje që palët të kthehen në tryezën e bisedimeve.

Presidentja Osmani akuzoi Serbinë për “orkestrimin” e sulmit ndaj policisë së Kosovës në fshatin Banjskë në veri, duke i bërë thirrje Bashkimit Evropian për masa të ashpra ndaj Beogradit.

Një zëdhënës i bllokut tha të mërkurën se “pasi të vërtetohen të gjitha rrethanat dhe faktet e asaj që ka ndodhur më 24 shtator në fshatin Banjskë në veri të Kosovës, vendet anëtare të Bashkimit Evropian do të marrin vendime rreth masave dhe hapave të mundshëm”.

blank

Intervista Zëri i Amerikës- Gjenerali Wesley Clark: NATO-ja duhet të forcojë aftësitë e saj për qenë më efikase kudo në Kosovë

Wesley Clark gjatë intervistës dhënë Zërit të Amerikës (27 shtator 2023)

Clark: Incidenti në veri të Kosovës, problem real për qëndrueshmërinë në Ballkan

VOA/Milan Nesic

Ish-komandanti i lartë i NATO-s, Gjenerali Wesley Clark, i cili drejtoi fushatën e bombardimeve të NATO-s kundër forcave serbe në vitin 1999, thotë se incidenti në veri të Kosovës përbën një problem real për qëndrueshmërinë në Ballkan. Zoti Clark tha se NATO-ja duhet të forcojë aftësitë e saj për qenë më efikase kudo në Kosovë, ndërsa u shpreh se armatimet ka të ngjarë të kenë ardhur nga Serbia, dhe ndoshta ky ka qenë një veprim i koordinuar ose të paktën i miratuar në heshtje nga forcat speciale serbe.

Zëri i Amerikës: Si i komentoni ngjarjet që ndodhën të dielën e kaluar në veri të Kosovës afër fshatit Banjskë?

Wesley Clark: Para së gjithash, është një tragjedi për të gjitha palët dhe është një problem real për qendrueshmërinë në Ballkan. Duhet të përbëjë shqetësim për Bashkimin Evropian dhe NATO-n, ndërsa dalin në pah detajet e incidentit. Ajo që është më shqetësuese për mua është se pas incidentit, rezultoi se kishte një grumbullim të madh armësh në manastirin serb. Kjo ka ndodhur edhe më parë.

Ne e dimë nga përvoja e mëparshme në Ballkan në vitet 1990, dhe që atëherë se manastiret serbe kanë qenë strehë e nacionalizmit serb. Dhe kjo nuk e përjashton përdorimin e tyre si arsenale. Ndaj kjo është gjëja më shqetësuese.

Shpresoj që KFOR të insistojë që këto manastire të inspektohen dhe arsenalet të konfiskohen, sepse nuk ka vend për këtë në mes të përpjekjeve për të arritur marrëveshjen e autonomisë për qytetarët serbë të Kosovës. Është kundërproduktive dhe nuk ka vend për kërcënime me dhunë dhe armë.

Zëri i Amerikës: Çfarë lloj formacioni do të kishte qasje tek pajisjet dhe burimet që janë kapur pas neutralizimit të sulmit?

Wesley Clark: Armatimet ka të ngjarë të kenë ardhur nga Serbia, dhe ndoshta ky ka qenë një veprim i koordinuar ose të paktën i miratuar në heshtje nga forcat speciale serbe. Ne i kemi parë këto lloj veprimesh edhe më parë, sepse më kujtohet se gjatë fushatë ose në fillim të fushatës ajrore të vitit 1999 në Kosovë, një grup ushtarësh serbë në rroba civile rrëmbyen tre ushtarë amerikanë të cilët ishin pjesë e patrullës në atë që sot njihet si Maqedonia e Veriut.

Ata nuk kishin uniforma ushtarake, por kaluan kufirin dhe rrëmbyen tre ushtarë amerikanë nga makina e patrullës, i rrahën dhe i dërguan në Beograd. Pra, mbetet për t’u parë se kush ishin sulmuesit në pjesën veriore të Kosovës dhe lidhet me forcat speciale dhe qeverinë serbe.

Zëri i Amerikës: Presidenti serb pretendoi se sulmuesit ishin serbë të zonës të cilët nuk mund ta përballonin represionin nga qeveria e Kryeministrit Kurti. Çfarë mendoni për këtë?

Wesley Clark: Do të më duhej të kuptoja më mirë se cilat janë ankesat e tyre për shtypjen. Shtypja nuk filloi pas futjes së KFOR-it në vitin 1999 nën udhëheqjen franceze. Në thelb, në atë zonë ishte eliminuar autoriteti shqiptar dhe shqiptarët ishin spastruar nga detyrat në spitale apo vende të tjera ku mund t’i shërbenin komunitetit. Që nga atëherë, zona ka qënë relativisht e ndarë.

Ka qenë një tranzicion i vështirë për qeverinë e Kosovës që të merret me separatizmin serb në veri, kështu që unë mendoj se këto pretendime për shtypje janë të pakuptimta. Është thjesht një deklaratë. Nuk ka asnjë tregues për ndonjë shtypje.

Në fakt, të dhënat tregojnë se ky rajon po i paguan taksa Beogradit dhe fondet vijnë nga Beogradi sikurse ky rajon të ishte një shtet më vete. Por nuk është. Është pjesë e Kosovës. Duhet të jetë pjesë e sistemit të taksave të qeverisë së Kosovës. Por nuk është. Pra, atje ka një problem të vërtetë.

Zëri i Amerikës: Autoritetet e Kosovës pretendojnë se një nga sulmuesit është Milan Radoiçiq, nënkryetar i partisë më të madhe dhe më me ndikim të serbëve të Kosovës, që ka lidhje të ngushta me partinë serbe në pushtet. Ai është gjithashtu nën sanksionet e SHBA-së dhe Britanisë së Madhe. Si e shihni këtë?

Wesley Clark: Kjo është një dëshmi e mëtejshme e përfshirjes së qeverisë serbe. Incidenti tregon për rrezikshmërinë që mund të ketë zbatimi i marrëveshjes për Asociacionin, të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian. Incidenti është tregues i një lidhje me Serbinë, vendosjen e një shteti policor ushtarak që mund të përbëjë një rrezik të konsiderueshëm shkatërrimi brenda Kosovës.

Zëri i Amerikës: A ka ndonjë pasojë specifike që mendoni se duhet të kenë palët? Kush dhe në çfarë mënyre?

Wesley Clark: Serbët që morën pjesë në sulm duhet të sillen para drejtësisë sipas të gjitha rregullave të legjislacionit të Kosovës. Mendoj se NATO-ja duhet të forcojë aftësitë e saj për të qenë në mënyrë efikase kudo në Kosovë. Nëse është e nevojshme të kontrollojë manastiret serbe nëse në to strehohen individë ndaj të cilëve janë vënë sanksione nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian. Përse një individ i tillë duhet të jetë udhëheqës i një partie politike në Kosovë? Si mund të lejohet kjo? Zoti Thaçi, ndaj të cilit janë ngritur akuza, është ende në burg në Hagë. Pra, duhet të ketë një masë mirëkuptimi nga të dyja palët për sundimin e ligjit në Kosovë.

Zëri i Amerikës: Ministri serb i mbrojtjes, përveç tjerash, tha se Serbia është e pakënaqur me reagimin e KFOR-it. Si duhet të reagonte KFOR-i në këtë situatë ?

Wesley Clark: KFOR duhet të veprojë me forcë kundër dhunës në Kosovë, kudo qoftë apo ndaj palëve që ushtrojnë dhunë. Kjo është arsyeja pse KFOR ndodhet atje.

Por do të vëreja gjithashtu se këto veprime në Kosovë nuk janë të palidhura me dhunën në Ukrainë. Për Rusinë, nxitja e trazirave në Kosovë, duke përdorur Serbinë si agjent të saj do të ishte ekuivalenti i një sulmi të thellë të luftës hibride. Rusia do të dëshironte të shihte paqëndrueshmëri më të madhe në Ballkan, një shpërqendrim për NATO-n, me preteksin se demokracia nuk funksionon.

Gërryerja e pavarësisë së Kosovës do të ishte në interes të Moskës. E gjitha është pjesë e një axhende që po ndiqet nga të paktën disa elementë në Beograd.

Zëri i Amerikës: Për serbët e vrarë u mbajtën përkujtimore dhe ditë zie, një lloj nderimi për autorët. Çfarë mesazhi dërgon kjo?

Wesley Clark: E kuptoj kur bëhet fjalë për anëtarët e familjes. Por si çështje e politikës shtetërore, jo, këta njerëz janë të jashtëligjshëm. Ata shkelën sundimin e ligjit në Kosovë. Dhe ata që morën pjesë duhet të ndëshkohen dhe të mos njihen si heronj. Por unë e di se në Serbi dhe në këtë rajon, trashëgimitë e konfliktit që datojnë më shumë se një shekull janë përplasjet etnike, përplasjet fetare, Lufta e Parë Botërore, Lufta e Dytë Botërore e deri në epokën e Titos, përpjekja për të shtypur nacionalizmin shqiptar dhe ardhja e Milosheviçit në pushtet, gjithçka është shoqëruar me dhunë, me urrejtje, me tensione ndëretnike. Dhe është koha për ta ndaluar atë dhe për të ecur përpara në shekullin e 21-të. Është një tragjedi e vërtetë. Më vjen shumë keq për familjen e këtyre njerëzve të vrarë nga të dyja anët. Dhe polici shqiptar që u vra, polici i Kosovës po bënte detyrën.

Ai po mbështeste sundimin e ligjit. Serbët (që ndërmorën sulmin) ishin rebelë, terroristë. Dhe ata nuk meritojnë asnjë njohje zyrtare. Por, sigurisht, është një tragjedi për ta dhe familjet e tyre. Dhe na vjen keq për të gjitha humbjet e jetëve në zonë.

Zëri i Amerikës: Si do të ndikojë kjo lidhur me dialogun tashmë të ngecur mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve?

Wesley Clark: Është për të ardhur keq, por nuk do ta çojë përpara dialogun. Shtetarët e arsyeshëm nga të dyja palët duhet të thonë se kjo duhet të ndalet. Është koha për ta njohur Kosovën, të shkohet përpara dhe të vendoset paqja në rajon.

Por kjo nuk ka ndodhur dhe nuk ka gjasa të ndodhë. Por fuqia e urrejtjes ndëretnike, trashëgimia e më shumë se një shekulli konflikti dhe vdekjesh është kaq e madhe sa mendoj që vendet e Evropës dhe Shteteve të Bashkuara duhet të bashkohen dhe thjesht ta qetësojnë situatën. Ta ruajnë status quo-në. Nuk do të shohim përparime të shpejta në drejtim të normalizimit. Duhet të gjejmë mënyra të tjera për të forcuar stabilitetin në Ballkan dhe për t’u përkujdesur për njerëzit atje.

blank

(Video – Intervista e plotë) Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani: Të gjitha veprimet do t’i marrim bashkë me SHBA dhe aleatët tanë

Intervista e plotë e Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani tek RTK në lidhje me situatën aktuale.

blank

Gazetarët e Diasporës thirrje klasës politike për një tryezë teknike mbi variantet e votimit nga jashtë

 

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD) me anëtarë në Zvicër, Francë, Itali, SHBA dhe Kanada i bashkohen betejës për Votën e Diasporës, ku nevojiten propozime konkrete për të promovuar mënyrën se si mund të votojnë shqiptarët me vendbanim jashtë.

Përfaqësues të këtij Unioni gazetarësh kanë nisur një cikël takimesh dhe kontaktesh me politikanë të lartë në Shqipëri jo më për t’i sensibilizuar për votën e Diasporës, sepse koha nuk pret, por për t’i vënë përpara përgjegjësive se çfarë plani konkret kanë në këtë drejtim.

Ligji shqiptar i ka fiksuar qeverisë si afat të fundit muajin janar 2024 për të shpallur modalitetet e votës së Diasporës, nëse synohet pjesëmarrja e saj në zgjedhjet legjislative të vitit 2025.

Pasiviteti i Qeverisë, kur kanë mbetur tre muaj, na shkakton një frikë serioze për sa i përket sinqeritetit të saj nëse e dëshiron apo ajo ta shohë Diasporën të votojë.

Konstatojmë se shumë zhurmë po bëhet dhe shumë para po hidhen në mondanitete, por propozime konkrete nuk po shihen në mënyrë që të materializohet një paketë ligjore për votën e Diasporës.

Qeveria bën sikur vepron nëpërmjet pranive diplomatike jashtë, nëpërmjet përzgjedhjes se disa eksponentësh ambasadash që kurrsesi nuk mund të përfaqësojnë Diasporën, nëpërmjet emërtimeve zhargonuese si « Ambasador i Kombit » apo « Koordinator i Diasporës », nëpërmjet financimit të disa mediave të ngritura në Diasporë, por realiteti është kokëfortë: katër muaj para mbarimit të afateve ligjore për mbylljen e paketës ligjore se si do të administrohet vota e Diasporës, asnjë propozim ligjor konkret nuk po shpallet.

Ndaj pyetja që ne sjellim nga Diaspora dhe që asnjëherë nuk është shtruar në tryezat e politikës është: a ka një platformë konkrete klasa politike në Shqipëri, si ajo në pushtet dhe ajo në opozitë, në lidhje me variantet e ndryshme që mund të ekzistojnë për votimin nga jashtë shtetit.

Këtë pyetje ia bëmë fillimisht zotit Berisha si përfaqësues i grupit me më shumë deputetë të Opozitës në Parlament, një grup që ka domosdoshmërisht përgjegjësinë më të madhe për mbrojtjen e votës së Diaspores, si në ideal ashtu dhe në praktikë. Ai na siguroi se Opozita e tij nuk e vë në diskutim domosdoshmërinë që Diaspora të jetë e pranishme me votë në zgjedhjet e ardhshme legjislative dhe se deputetët e grupit të tij do të aprovojne çdo paketë ligjore që do te garantonte votën e Diaporës jo vetem të lirë por dhe sa më të thjeshtë.

Në këtë kontekst, ne gazetarët shqiptarë të Diasporës të UGSHPD-së, i lëshojmë sot një thirrje gjithë spektrit politik shqiptar, atij parlamentar si dhe atij që nuk ka përfaqësues në parlament që të mblidhet me një përfaqësues secili në një tryezë kombëtare të Votës së Diasporës. Unioni ynë i gazetarëve të Diasporës propozon ta monitorojë këtë tryezë, e cila nuk do të duhet jetë politike por teknike. Politikisht, të gjitha partitë në Shqipëri jane dakordësuar se Diaspora duhet të votojë më 2025. Le të kalojmë në vepra konkrete. Tryeza e perbashkët e punës duhet të diskutojë për mënyren më optimale dhe më të sigurt të të votuarit nga jashtë, duke përfshirë dhe mënyrën e hartimit të listave të zgjedhësve, apo atë vëzhgimit, kontrollit dhe numërimit të votës së Diasporës në të dyja variantet, atë fizik dhe elektronik. Ne kemi kompetencën e duhur për ta monitoruar këtë tryezë. Mbi të gjitha, ne kemi vullnetin dhe legjitimitetin e duhur, sepse bëhet fjalë për votën TONË.

Së fundi, ne kërkojmë dhe ndryshim fjalori. Shpesh klasa politike dhe mediat përdorin shprehjen “vota e emigranteve” në vend të shprehjes « vota e Diasporës ». Fjala « emigrant » në këtë rast, përveç se nuk tingëllon bukur, nuk është e drejtë dhe nga pikëpamja ligjore. Shumë nga ne kemi krijuar familje jashtë shtetit, kemi fëmijë në moshë për të votuar, fëmijë që kanë lindur jashtë, të cilët nuk mund të konsiderohen si emigrantë. Fjala « Diasporë » është më e duhura që iu përshtatet të gjitha rasteve.

Shpresojmë se politika shqiptare do t’i përgjigjet pozitivisht ftesës për një tryezë kombëtare për Votën e Diasporës, rezultatet e të cilës të shpallen jo më vonë se data e festës kombëtare të 28 Nëntorit.

 

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)

Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)

Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)

Union des Journalistes Professionells Albaniase de la Diaspora (UJPAD)

Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)

blank

Liderët opozitarë takohen me Osmanin pas sulmit në veri

Liderët e partive opozitare në Kosovë janë takuar me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe drejtorin e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Petrit Ajeti, pas sulmit ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë më 24 shtator.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, tha se në takim u informua për gjendjen e sigurisë në Kosovë pas sulmit ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku dhe tre sulmues të dyshuar.

“Kam shprehur mirënjohjen e Lidhjes Demokratike të Kosovës për të gjithë në shërbim. Kam shprehur po ashtu domosdoshmërinë e unitetit nacional në përballje me sfidat që mund të vijnë nga Serbia, si shtet sponsorizues e strehues i terroristëve”, tha Abdixhiku përmes një postimi në Facebook.

Ndërkaq, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, pas takimit deklaroi për mediat se është e rëndësishme që të ketë bashkëbisedim në situata të tilla të sigurisë “për shkak se rreziku për sigurinë vazhdon edhe më tutje”.

Ai po ashtu tha se për ngjarjet e 24 shtatorit duhet të ketë një hetim ndërkombëtar, pasi sipas tij, ky rast është “pastër terrorizëm”, duke fajësuar Serbinë se qëndron prapa tij.

“Serbia nuk e fsheh faktin se është sponsorizuese, trajnuese dhe i ka dhënë udhëzime këtij grupi terrorist. Me qenë se është kështu, është mjaft me interes të Amerikës dhe BE-së të zhvillohet një hetim dhe të vërtetohet që Serbia është prapa këtij sulmi –edhe pse shihet e dihet botërisht – por, të hetohet nga hetuesit ndërkombëtarë, me mundësi edhe të një gjykate, ashtu siç ka ndodhur me Kosovën [të ndodhë] edhe për Serbinë, të gjykohen ata që po e rrezikojnë rajonin me vepra terroriste”, tha ai.

Ndërkaq kreu i subjektit më të madh opozitar, Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, do të takohet më vonë gjatë ditës me Osmanin.

Çfarë ndodhi në veri më 24 shtator?

Policia e Kosovës u sulmua nga një grup i maskuar dhe i armatosur, teksa forcat e rendit po tentonin të largonin barrikadat që ishin vendosur në një rrugë në fshatin Banjskë të Zveçanit – një prej katër komunave në veri, të banuara me shumicë serbe.

Grupi i armatosur më pas u strehua në manastirin e Banjskës, prej ku gjatë gjithë të dielës u përlesh me policinë.

Policia dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, kanë thënë se organizator dhe pjesëmarrës i këtij sulmi ishte Millan Radoiçiq, nënkryetar i Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.

Për pjesëmarrjen e Radoiçiqit – i cili është nën sanksione amerikane dhe kërkohet në Kosovë për frikësimin e dëshmitarëve në rastin gjyqësor të njohur si Brezovica – Sveçla ka publikuar edhe një video të incizuar me dron, që tha se e shfaq zyrtarin e Listës Serbe në Banjskë.

Aktualisht, katër persona janë të arrestuar për ngjarjet në Banjskë, teksa Policia ka ekspozuar më 25 shtator armë dhe pajisje të tjera që ka thënë se janë konfiskuar në këtë fshat.

Kosova e ka bërë përgjegjëse Serbinë për sulmin, ndërsa Beogradi zyrtar serbët e Kosovës.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë dënuar ashpër sulmin dhe kanë kërkuar që përgjegjësit të përballen me drejtësinë.rel


Send this to a friend