VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

SHBA, rreth 90 mijë të vdekur nga COVID-19

By | May 17, 2020

Komentet

Trump ndërpret marrëdhëniet me OBSH-në për shkak të trajtimit të koronavirusit

Marrë nga Reuters

Presidenti Donald Trump tha të premten se Shtetet e Bashkuara po ndërpresin marrëdhëniet me Organizatën Botërore të Shëndetit për shkak të trajtimit nga ana e saj të koronavirusit, duke thënë se OBSH-ja ishte bërë në thelb një organizatë kukull e Kinës.

Duke u shfaqur në Kopshtin e Trëndafilave të Shtëpisë së Bardhë, Trump shkoi më tej kërcënimeve të përsëritura për të eleminuar fondet amerikane për organizatën, që shkon në disa qindra milion dollarë në vit.

Trump tha se OBSH-ja kishte dështuar të bënte reforma në organizatë që presidenti kishte kërkuar përmes një letre më 18 maj drejtuar Drejtorit të Përgjithshëm të OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus. Në letër jepej 30 ditë afat për t’u angazhuar për reforma.

Në paraqitjen e tij në Kopshtin e Trëndafilave, Trump e lidhi OBSH-në ngushtë me Kinën, nga e kishte origjinën koronavirusi.

Ai tha se zyrtarët kinezë “injoruan detyrimet e tyre të raportimit” në OBSH në lidhje me virusin dhe i bëri presion OBSH që të “mashtrojë botën” kur virusi u zbulua për herë të parë nga autoritetet kineze.

“Kina ka kontroll të plotë mbi Organizatën Botërore të Shëndetit, pavarësisht se ka paguar vetëm 40 milion dollarë në vit në krahasim me ato që kanë paguar Shtetet e Bashkuara, shumë e cila është afërsisht 450 milion dollarë në vit. Ne kemi detajuar reformat që duhet të bëjë dhe të angazhohen drejtpërdrejt me to, por OBSH nuk ka pranuar të veprojnë “, tha Presidenti Trump.

“Për shkak se ata nuk kanë arritur të bëjnë reformat e kërkuara dhe të nevojshme, ne po ndërpresim sot marrëdhëniet tona me Organizatën Botërore të Shëndetit dhe do të ridrejtojmë ato fonde në të gjithë botën duke plotësuar nevoja urgjente globale të shëndetit publik,” tha presidenti.

Shkurtimi i kontributit të Sh.B.A mund të ketë pasoja globale pasi OBSH është e përfshirë në përgjigjen ndaj pandemisë, e cila ka goditur dhjetra vende.

Presidenti Trump ka kohë që ka vënë në dyshim vlerën e Kombeve të Bashkuara dhe ka përçmuar rëndësinë e multilateralizmit ndërsa përqendrohet në një moton “Amerika e Para”. Që nga marrja e postit, Presidenti Trump ka tërhequr Shtetet e Bashkuara nga Komisioni i të Drejtave të Njeriut të OKB-së, agjencia kulturore e UNESCO, një marrëveshje globale për të adresuar ndryshimin e klimës dhe marrëveshjen bërthamore të Iranit.

Organizata Botërore e Shëndetit është një organ i pavarur ndërkombëtar që punon me Kombet e Bashkuara. OBSH nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment për vendimin e presidentitTrump.

“Ne kemi bërë thirrje në mënyrë të vazhdueshme që të gjitha shtetet të mbështesin OBSH-në”, tha një zëdhënës i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së. Antonio Guterres kur u pyet për vendimin e presidentit Trump.

Protesta në ShBA pas vdekjes së afrikano-amerikanit George Floyd

Vdekja e një burri afrikano-amerikan në pranga, që humbi jetën ndërsa një oficer i bardhë policie, i bllokonte frymën duke mbajtur gjurin në grykën e tij, ka shkaktuar protesta në gjithë Shtetet e Bashkuara.

Presidenti Donald Trump tha se mbështet protestat paqësore por se nuk do të lejojë situatën “të degradohet më tej në anarki dhe kaos të paligjshëm”, njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës pranë Shtëpisë së Bardhë, Patsy Widakuswara.

Protestat vazhduan të premten në Mineapolis të Minesotës, për vdekjen e George Floyd-it. Floyd, një afrikano-amerikan vdiq më 25 maj pasi një një oficer i bardhë policie kishte mbajtur gjurin në qafën e tij për mbi tetë minuta.

Floyd ishte nën pranga dhe i paarmatosur dhe mund të dëgjohet të lutet për jetën e tij, duke thënë “nuk marr dot frymë”.

Oficeri Derek Chauvin është arrestuar dhe mbi të janë ngritur akuza për vrasje.

Presidenti Donald Trump ka kërkuar përshpejtimin e hetimit për vdekjen e Floyd-it. “Kemi protestues paqësore dhe unë e mbështes të drejtën për protesta paqësore. Nuk mund të lejojnë një situatë si ajo që ndodhi në Mineapoli të shkojnë më tej në anarki dhe kaos të paligjshëm”, tha ai.

Në një mesazh të premten që Twitter-i e konsideroi si “nxitje të dhunës”, zoti Trump shkruante se nëse ishte e nevojshme do të dërgonte ushtrinë.

Ai tha gjithashtu se “kur fillojnë plaçkitjet, fillojnë të shtënat”, një frazë e përdorur në vitet ’60 nga një oficer policie në Majami, i akuzuar për metoda raciste.

Kritikët akuzojnë zotin Trump se po nxit dhunë.

“Ai po nxit ndasitë racore. Kemi qenë në një situatë shpërthyese e cila është keqësuar kur ai mori detyrën në vitin 2016. Mund të themi që kemi qindra vjet me këtë situatë, që ai po e ndez më tej”, thotë Keith Mayes, porfesor i marrëdhënieve racore në Universitetin e Minesotës.

Guvernatori i Minesotës, Tim Walz e pranoi dhimbjen dhe ankthin e komunitetit me ngjyrë, por bëri thirrje për ndalejne plaçkitjes dhe dhunës. “Nuk mund ta pranoj se nuk funksionojmë dot si shoqëri dhe nuk dua të largohet vëmendja nga njolla që duhet të heqim, që është ajo që ndodh kur ka racizëm të institucionalizuar që lejon trajtimin e tillë të një njeriu në mes të ditës”, tha ai.

Protestat janë përhapur në gjithë vendin.

“Dikur, varnim një flamur në dritare për të treguar se dikush tjetër ishte linçuar. Ka ardhur koha të bëjmë të njëjtën gjë në median sociale, për të thënë: nuk duam të vdesim më”, thotë Derrick Johnson, President i Shoqatës Kombëtare për Avancimin e Personave me Ngjyrë.

Kandidati demokrat për President, Joe Biden nga shtëpia e tij në Delaware tha se pas vdekjes së Floyd-it ishte “plaga e hapur” e racizmit të vazhdueshëm. “Nuk mund të shohim nga ana tjetër. Nuk mund të heshtim. Nuk mund t’i dëgjojmë më fjalët ‘nuk marr dot frymë’ dhe të mos bëjmë asgjë”, tha ai.

Numri i protestuesve në afërsi me njëri-tjetrin në gjithë Shtetet e Bashkuara, ka ngritur shqetësime se grumbullimet e mëdha do të shkaktojnë një rritje të rasteve me koronavirus në vend.

Vazhdojnë protestat në SHBA në kërkim të drejtësisë për vdekjen e George Floyd

Protestuesit janë përplasur me forcat e sigurisë në shumë qytete në Shtetet e Bashkuara, pas vdekjes së afrikano-amerikanit, George Floyd, në duart e autoriteteve në Mineapolis ditë më parë.

Qindra njerëz kanë protestuar para Shtëpisë së Bardhë, duke brohoritur “Nuk mund të marrë frymë”, fjalët të cilat i kishte thënë Floyd.

Shtëpia e Bardhë u vendos në izolim të premten për shkak të kërcënimeve për sigurinë.

Minesota, Nju Jorku dhe Atlanta kanë nuk kanë pushuar nga protestat e dhunshme për ditë me radhë, në kërkim të drejtësisë për Floyd.

Protestuesit i kanë vendosur zjarrin një stacioni të policisë në Mineapolis dhe veturave.

Në Atlanta u shpall gjendje e jashtëzakonshme në disa zona për të ruajtur qytetarët dhe pronat, pasi shumë ndërtesa u sulmuan nga protestuesit.

Si vdiq George Floyd?

Policët po ndiqnin veturën me të cilën po udhëtonte Floyd, nën dyshimin për përdorim të parave të falsifikuara. Sipas policisë, atij iu tha që të largohej nga makina dhe ai tregoi rezistencë fizike, pas së cilës u prangos.

Videot treguan sesi një polic i bardhë bëri presion me gju në qafën e tij, teksa ka tentuar ta arrestojë, ndërsa Floyd dëgjohej duke bërtitur “të lutem, nuk mund të marr frymë” dhe “mos më vrit”.

George Floyd më vonë ka vdekur në spital.

Një oficer policie, i pushuar nga puna pas vdekjes së afrikano-amerikanit George Floyd, u arrestua dhe u akuzua për vrasje.

Oficeri Derek Chauvin, pritet të paraqitet para gjykatës në Mineapolis të hënën.

Presidenti Donald Trump e ka përshkruar incidentin si të tmerrshëm dhe tha se ka biseduar me familjen e viktimës. rel

Transkriptet e telefonatës së Michael Flynn me ish-ambasadorin rus

Marrë nga Associated Press

Drejtori i ri i shërbimeve amerikane të zbulimit duket se është zhytur në ujëra politike që në javën e parë në detyrë, duke hequr klasifikimin sekret për dokumente që sipas aleatëve të presidentit mbështesin argumentin e tyre se Michael Flynn, ish-këshilltari i presidentit, u ndoq pa të drejtë penalisht.

Ky vendim i pazakontë për të nxjerrë transkripte të telefonatave të zotit Flynn me ambasadorin rus, është pjesë e përpjekjeve të administratës Trump për të bërë publike element dhe të dhëna nga hetimi për kontaktet me Rusinë, me shpresën se do të krijohet bindja që zyrtarë të administratës Obama nuk vepruan në përputhje me rregullat.

Transkriptet e telefonatave me ambasadorin e atëhershëm rus Sergey Kislyak, u japin rastin të dyja palëve për të forcuar argumentet e tyre.

Siç kanë argumentuar prokurorët, duket se transkriptet tregojnë se zoti Flynn i kërkoi ambasadorit Kislyak që Rusia të tregohej e duruar dhe të mos rriste tensionet me SHBA, në përgjigje të sanksioneve të reja amerikane kundër Moskës. Flynn pranoi fajësinë se kishte gënjyer në deklaratat e dhëna FBI-së për këtë telefonatë.

Por republikanët që këmbëngulin se zoti Flynn thjesht po përpiqej të shmangte keqësimin e situatës me Kremlinin menjëherë theksuan se transkriptet tregojnë që s’kishte asgjë të parregullt në këtë telefonatë. Departamenti i Drejtësisë i administratës Trump e shpalli të pavlefshëm këtë çështje muajin e kaluar duke thënë se FBI-ja nuk kishte arsye për të marrë në pyetje zotin Flynn.

Dokumentet u bënë publike të premten nga republikanët e Senatit pasi u hoq klasifikimi “sekret” nga John Ratcliffe, ish-ligjvënës nga Teksasi, një person i besuar i Presidentit Trump, i cili në fillim të javës bëri betimin si drejtor i inteligjencës kombëtare.

Pararendësi i zotit Ratcliffe, Ambasadori Richard Grenell këtë muaj hoqi klasifikimin sekret për një listë emrash me zyrtarë të zbulimit dhe të administratës Obama, të cilët në fund të 2016 dhe në fillim të 2017 kërkuan të dinë kush ishte një shtetas amerikan, i cili nuk ishte identifikuar me emër në raportet e zbulimit. Siç rezultoi, ai emër ishte Michael Flynn.

Ky proces nuk është i pazakontë në vetvete, pasi “demaskimi” siç quhet procesi i zbulimit të identitetit të një shtetasi amerikan bëhen shpesh me kërkesë të zyrtarëve të autorizuar, por përkrahësit e presidentit kanë këmbëngulur se kërkesa u bë për arsye politike. zëri i amerikës

Arrest dhe akuza për vrasje me paramendim të gradës së tretë për policin Derek Chauvin

Një ndër katër policët e përfshirë në arrestimin e George Floyd, një 46-vjeçar afrikano-amerikan i cili vdiq pas arrestit të hënën në Minesota, është arrestuar dhe është tani akuzuar për vrasje me paramendim të grades së tretë, si dhe vrasje pa paramendim.

Oficeri Derek Chauvin është polici që shihet në videon e xhiruar nga një kalimtar, duke mbajtur gjurin në qafën e viktimës, ndërkohë që George Floyd dëgjohet duke u ankuar se nuk merr dot frymë. Videoja vazhdon mbi pesë minuta, kur George Floyd është i shtrirë përtokë dhe oficeri Derek Chauvin vazhdon ta mbajë nën kontroll me gjurin në qafë.

Qyteti i Minesotës është përfshirë nga trazirat, ndërkohë që autoritetet kanë thirrur Gardën Kombëtare për të ruajtur rendin, pas natës së të enjtes që u shoqërua me protesta të dhunshme të ndezura nga vdekja e 46-vjeçarit George Floyd.

Ky rast ka tërhequr vëmendjen e mbarë vendit si dhe vëmendje ndërkombëtare dhe ka rindezur debatin për trajtimin e personave me ngjyrë në SHBA. Demonstratat tani janë përhapur në qytete të ndryshme amerikane./ZiA

Minesota thërret Gardën Kombëtare për të shuar protestat e dhunshme në Mineapolis

Kryetari i bashkisë së Mineapolisit Jacob Frey shpalli të enjten gjendjen e jashtëzakonshme për shkak të protestave të dhunshme që kanë përfshirë qytetin dhe që u shtrinë edhe gjatë ditës së premte. Një stacion policie dhe ndërtesa të tjera u dogjën në qytetin e mbushur me tension, pas vdekjes së një afrikano-amerikani nën arrest. Personi ishte nën pranga dhe një polic i bardhë i kishte vënë gjurin në qafë, ndërsa ai thërriste se nuk po mbushej dot me frymë.

Guvernatori i Minesotës Tim Walz thirri Gardën Kombëtare në një përpjekje për të ndalur përhapjen e mëtejshme të dhunës. Garda Kombëtare njoftoi të enjten vonë se janë aktivizuar pesëqind ushtarë të cilët do të vendosen në qytetet Saint Paul, Mineapolisit e në disa zona përreth.

Një reporter i gazetës “Minneapolis Star Tribune” postoi në twitter se automjete të blinduara po lëviznin drejt qendrës së qytetit përpara agimit të ditës së premten. Kryetari i Bashkisë së Mineapolisit Jacob Frey tha të premten herët në mëngjes se në qytet ka “shumë dhimbje e zemërim”, por ai shtoi se plaçkitjet dhe djegiet janë akte të papranueshme. Pronat e dëmtuara ishin thelbësore për komunitetin, shtoi ai.

Të enjten vonë në mbrëmje, qindra demonstrues marshuan fillimisht paqësisht, më pas një rajon policie në Mineapolis u përfshi nga flakët. Gazetarët në vendngjarje thanë se policia ishte larguar tërësisht nga zona dhe se ata nuk ishin të sigurt se ku ndodheshin punonjësit e policisë.

Postimet në Twitter tregonin se stacioni policor ishte braktisur dhe se nuk kishte zjarrfikës. Ndërkohë zyrtarët e qytetit bënë të ditur se sipas informacionesh të pakonfirmuara linjat e furnizimit me gaz ishin prerë dhe se ndërtesa e bashkisë mund të shpërthente. Disa dyqane në Mineapolis si dhe ne qytetin e Saint Paul u dogjën të enjten në mbrëmje. Policia e Saint Paul njoftoi se punonjës të saj ishin goditur me gurë dhe shishe.

Të premten herët në mëngjes policia e këtij qyteti shkruante në një postim twitter se më shumë se 170 biznese ishin dëmtuar apo plaçkitur dhe qyteti ishte përfshirë nga disa vatra zjarri, por nuk kishte të plagosur në gjendje serioze. Protestestat u nxitën nga vdekja e George Floyd nje afrikano-amerikan, ndërsa ishte ndaluar nga një polic i bardhë. Sipas rrjetit televiziv CNN ndaj oficerit të policisë ishin bërë 18 ankesa më parë pranë shërbimit të brendshëm të Departamentit të Policisë së Mineapolisit.

Policia e Minneapolis thotë se Floyd i ngjante një të dyshuari që ishte përpjekur të përdorte një kartmonedhë të falsifikuar 20 dollarëshe në një dyqan ushqimesh. Policia thotë se ai i kishte rezistuar arrestimit. Kalimtarët filmuan me celular momentin kur oficerët ndaluan Floydin. Videoja u përhap gjerësisht kur u postua në internet.

“Të lutem, të lutem, të lutem, nuk mund të marr frymë. Të lutem, o burrë”, u përgjërua Floyd, ndërsa mbahej nga një polic i bardhë. Sipas videove të celularit, oficeri e mbajti Floydin në tokë dhe i vendosi gjurin në qafë. Floyd ishte ndërkohë me pranga.

Protestuesit duke i vënë flakën stacionit të policisë në Minneapolis

Protestuesit duke i vënë flakën stacionit të policisë në Minneapolis

Oficeri që e prangosi Floydin e nxiste të “qetësohej”, por oficeri e mbajti gjurin në qafën e Floydit edhe pasi Floyd pushoi së lëvizuri. Një dëshmitar tha se ai dëgjoi Floydin duke thirrur për nënën e tij para se të vdiste.

Për shkak të thirrjes së tij “Nuk marr dot frymë”, vdekja e tij u krahasua shpejt me atë të Eric Garnerit, një afrikano-amerikan i paarmatosur në New York i cili vdiq në 2014 pasi një oficer i bardhë e shtrëngoi rreth qafës me krah, ndërsa ai lutej për jetën e tij. Garner gjithashtu u tha oficerëve “Nuk marr dot frymë”, dhe klithma e tij u bë simbol kombëtar kundër brutalitetit të policisë.

Tubime po mbaheshin edhe në qytete të tjera të enjten. Agjensia e lajmeve Associated Press (AP) raportoi se qindra demonstrues qëndruan në rrugët në qendër të qytetit dhe brohorisnin ndërsa errësira binte jashtë Kapitolit të Shtetit të Kolorados në Denver, ku protestuesit spërkatën me bojë dhe thyen xhama makinash.

AP raportoi se videoklipi i xhiruar nga protestuesja Anabel Escobar, 29 vjeçare, tregon një burrë mbi kofanon e një fuoristrade që po çante përmes turmës përpara Kapitolit. Videoja tregonte se shoferi po rriste shpejtësinë dhe më pas dukej se po përpiqej të shtypte personin pasi ra nga makina. Automjeti u largua ndërsa protestuesit e tjerë e ndoqën atë. Është e paqartë nëse njeriu mbi makinë ishte plagosur.

Në pjesë të tjera të qendrës së qytetit Denver, policia hodhi gaz lotsjellës dhe përdori plumba gome për të larguar njerëzit që po bllokonin rrugët, tha agjensia e lajmeve AP. Gazeta Washington Post raportoi se pati të shtëna me armë.

Departamenti i Policisë në Minneapolis shkarkoi të katër oficerët e përfshirë në arrestimin e Floydit. FBI-ja i është bashkuar hetimeve të policisë së Minneapolisit dhe zyrës së prokurorit të kontesë Hennepin. Departamenti i Drejtësisë tha se hetimi është një përparësi kryesore.

Presidenti Donald Trump shkruajti në Twitter se ka kërkuar që hetimi të “shpejtohet. … Zemra ime shkon familja dhe miqtë e Xhorxhit. Drejtësia do të bëhet!”.

Ai më vonë kritikoi udhëheqësit e qytetit si “të dobët”, tha se ishte i gatshëm të “dërgoj Gardën Kombëtare dhe ta kryejë punën si duhet” dhe paralajmëroi se në rast se do të ketë ndonjë vështirësi, “ne do të marrim kontrollin, por kur fillon plaçkitja, të shtënat fillojnë…”. Twitter më vonë e shënoi mesazhin, duke thënë se “shkelte Rregullat e Twitter-it në lidhje me lavdërimin e dhunës”.

Kryebashkiaku Jacob Frey, kur u njoftua nga gazetarët për këto mesazhe në Twitter, tha se: “Donald Trump nuk di asgjë për forcën e Minneapolisit.” dhe “Ne jemi të fortë si dreqi”.

Sindikata e policisë së qytetit po i kërkon publikut të presë derisa hetimi të përfundojë përpara se të “nxitojnë në një përfundim dhe të dënojnë menjëherë oficerët tanë.”

Por publiku po reagon për videon, e cila tregon se koka e Floydit është e kthyer mënjanë, ndërsa ai nuk duket se po reziston. Nga fundi i videos, vijnë mjekët e urgjencës, ngrenë Floyd-in e mpirë mbi një barelë dhe e vendosin atë në një ambulancë.

“Ai nuk po rezistonte në mënyrë aktive dhe po thoshte se nuk mund të merrte frymë,” tha Charles P. Stephenson, një ish-oficer policie dhe ish-agjent i FBI-së me ekspertizë në taktikat e përdorimit të forcës, i cituar nga Associated Press. “Duhet ta kishin parasysh se ekzistonte mundësia (që Floyd nuk mund të merrte frymë), dhe të lironin menjëherë çdo lloj kufizimi që mund t’u kishin bërë rrugëve të frymëmarrjes”.

Zyrtarët e zbatimit të ligjit kanë shumë mënyra për të ndaluar njerëzit, por “asnjë akademi policie që ne njohim nuk i mëson oficerët e policisë të përdorin gjurin e tyre, tua vendosin atë në qafë”, thotë Chuck Wexler, drejtor i Forumit Ekzekutiv të Hulumtimit Policor, i cili studion dhe jep këshilla për praktikat e policisë. “Kjo thjesht nuk u mësohet sepse mund të ndikojë në frymëmarrje dhe tek arteriet karotide (një enë e rëndësishme që furnizon gjakun në tru). Kështu që kur policia shikon atë video, ata janë të tronditur që janë përdorur ato taktika”.

Të enjten, Jacob Frey, kryetari i bashkisë së Minneapolisit, u bëri thirrje të gjithëve në qytet që të mbajnë qetësinë pas dy netëve të dhunës kur pati zjarrvënie dhe njerëz – të bardhë dhe afrikano-amerikanë – që duket se grabisnin një dyqan Target, duke shtyrë karrocat me mallra në rrugë.

Brenda supermarketit të grabitur

Brenda supermarketit të grabitur

Dritaret e pothuajse çdo dyqani përreth supermarketit Target u thyen dhe një restorant hamburgerash u dogj krejtësisht.

Policia me veshje mbrojtëse hodhi gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën që demonstronte para një rajoni të policisë në Minneapolis. Ndërtesa dhe një makinë policie u dëmtuan.

Nuk u raportuan plagosje serioze, por policia e Minneapolisit ka arrestuar një të dyshuar që ata thanë se qëlloi dhe vrau një person që besonte se po përpiqej të plaçkiste një dyqan.

Disa banorë që jetojnë pranë dyqaneve të plaçkitura kritikuan ashpër policinë, por thanë se nuk mund ta kuptojnë pse njerëzit po shkatërrojnë lagjen e tyre, përfshirë vendet ku bënin pazar.

Në qytetin Nju Jork, raportoi Associated Press, protestuesit sfiduan masat ndaluese për koronavirusin në tubimet publike të enjten, duke u përplasur me policinë. Demonstrata u zhvilluan gjithashtu në Albuquerque, New Mexico. Një ditë më parë, demonstruesit kishin dalë në rrugë në Los Angeles dhe Memfis.

Vdekja e Floydit tërhoqi vëmendje ndërkombëtare.

Komisionerja e Lartë e OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Michelle Bachelet, tha se autoritetet amerikane kanë për detyrë të sigurohen që do të bëhet drejtësi, pasi ajo lexoi listën e burrave afrikano-amerikanë që kanë humbur jetën në paraburgimin e policisë amerikane gjatë viteve të fundit.

“Në shumë raste në të kaluarën, hetime të tilla i kanë konsideruar vrasjet të arsyeshme mbi baza të dyshimta, ose janë vendosur vetëm masa administrative,” tha ajo.

Ndërsa zonja Bachelet tha se racizmi “i ngulitur dhe i përhapur” në Shtetet e Bashkuara duhet të njihet dhe trajtohet, ajo gjithashtu tha se më shumë dhunë dhe plaçkitje nuk do ta zgjidhin problemin:

“Unë u bëj thirrje protestuesve të shprehin kërkesat e tyre për drejtësi në mënyrë paqësore, dhe i bëj thirrje policisë që të bëjë kujdes maksimal për të mos ndezur situatën aktuale edhe më shumë me ndonjë përdorim të mëtejshëm të forcës së tepruar.”

Vëllai i Floydit, Philonise Floyd, i tha kanalit CNN të enjten se ai është “lodhur duke parë afrikano-amerikanë që vdesin” dhe u bëri thirrje protestuesve të ruajnë paqen. Ai i bëri thirrje policisë “të filloni të bëni punën tuaj në mënyrën e duhur, sepse unë nuk e kam parë këtë. … dua drejtësi. Unë thjesht dua drejtësi”, tha ai, duke u munduar të mbante lotët.

Kryebashkiaku Frey tha të enjten se reagimi i dhunshëm ndaj vdekjes së Floyd-it është “rezultat i zemërimit dhe trishtimit kaq shumë të akumuluar … që është gdhendur në komunitetin tonë afrikano-amerikan, jo vetëm për shkak të pesë minutave të tmerrit, por për 400 vjet”, – një referencë kjo për skllavërinë dhe racizmin që e pasoi.

Zoti Frey është i bardhë, dhe qyteti që ai drejton është rreth 64 përqind i bardhë, sipas Censusit të Shteteve të Bashkuara. Vetëm rreth 19 përqind e banorëve të qytetit janë afrikano-amerikanë.

Vdekja e Floydit vjen disa javë pasi tre persona u akuzuan për të shtënat fatale në shtetin Georgia, të Ahmaud Arbery-it. Afrikano-amerikani aludohet se u vra në shkurt nga një ish-polic i bardhë i kontesë Glynn dhe djali i tij, i cili me sa duket e mori gabimisht për një hajdut ndërsa ai bënte vrap. Të dy u akuzuan vetëm pasi një video nga të shtënat u shfaq disa javë më vonë. Akuza u ngritën edhe ndaj personit që kishte filmuar. zëri i amerikës

SHBA kërkon të respektohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese

Gjykata Kushtetuese e Kosovës tha të enjten mbrëma se “Dekreti i kontestuar i Presidentit është në përputhshmëri me paragrafin 2 të nenit 82 të Kushtetutës, duke konstatuar rrjedhimisht, që votimi i suksesshëm i një mocioni mosbesimi të Kuvendit ndaj Qeverisë, nuk rezulton në shpërndarjen e detyrueshme të Kuvendit dhe mundëson formimin e një Qeverie të re në pajtim me nenin 95 të Kushtetutës.

Në vendim thuhet më tej se “dekreti i kontestuar është në përputhshmëri me paragrafin 14 të nenit 84 të Kushtetutës në lidhje me paragrafin 4 të nenit 95 të Kushtetutës.

Vendimi i sontëm i Gjykatës Kushtetuese pasoi kërkesën e lëvizjes Vetëvendosje për vlerësimin e kushtetutshmërisë së dekretit të presidentit Thaçi për mandatarin e ri për qeverinë e re.

Më 30 prill presidenti Thaçi shpalli dekretin me të cilin i propozon parlamentit të Kosovës, Avdullah Hotin nga Lidhja Demokratike për formimin e qeverisë së re të Kosovës.

Ai e mirëpriti të enjten mbrëma vendimin e gjykatës duke bërë thirrje që “partitë politike dhe të gjitha institucionet duhet të tregojnë pjekuri politike, respekt dhe përkushtim për rendin, ligjin dhe institucionet e Republikës së Kosovës. Ato duhet t’i respektojnë, pranojnë dhe zbatojnë vendimet e autoritetit përfundimtar për interpretimin e Kushtetutës dhe përputhshmërisë së ligjeve e akteve të tjera me Kushtetutën. Kosovën e presin shumë sfida përpara, prandaj tash nuk duhet të humbet më kohë për formimin e Qeverisë së re, me legjitimitet të plotë nga Kuvendi i Kosovës”, shkroi ai në rrjetet sociale.

Ambasada amerikane në Prishtinë në një komunikatë tha se “Shtetet e Bashkuara u bëjnë thirrje të gjitha institucioneve dhe partive politike të zbatojnë vendimin e sotëm dhe të gjitha vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Ne kërkojmë nga të gjithë udhëheqësit të punojnë së bashku për një tranzicion të rregullt në interes të paqes, qëndrueshmërisë dhe përparimit për të gjithë qytetarët e Kosovës”.

Ambasadori Richard Grenell i dërguari i posaçëm i presidentit Donald Trump për bisedimet e paqes Kosovë-Serbi, nëpërmjet një komunikate bëri thirrje poshtu për respektimin e vendimit.

“Gjykata Kushtetuese foli. Për të siguruar paqen dhe qëndrueshmërinë dhe për të mbështetur integritetin e sistemit të drejtësisë së Kosovës, të gjithë duhet të respektojnë vendimin e Gjykatës. Mezi pres të vazhdoj punën time me njerëzit e Kosovës dhe qeverinë e tyre për të sjellë përparim, zhvillim dhe vende pune në rajon”, thuhet në njoftimin e zyrës së ambasadorit Grenell.

Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar shpërndarjen e parlamentit dhe organizimin e zgjedhjeve të reja, ndërsa ka akuzuar presidentin për “krijim të vullnetit politik”, përtej përgjegjësive të tij.

Të enjten pasdite veprimtarët e kësaj lëvizjeje organizuan të enjten pasdite në sheshin qendror të Prishtinë një, siç thanë ata, provë proteste, duke kërkuar zgjedhje të reja.

Në kohën e shpalljes së vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ministri i Jashtëm në detyrë, Glauk Konjufca, që ishte në një debat politik në Klan Kosova, e cilësoi “skandaloz” dhe që mund të çojë në “revoltë qytetare”.

“Skandaloz” e cilësoi vendimin edhe ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu e cila shkroi se “Gjykata Kushtetuese i dha grusht vullnetit të popullit!”

Kosova mbeti me qeveri në detyrë në mes të pandemisë së koronavirusit dy muaj ma parë, kur u votua mocioni i mosbesimit i paraqitur nga Lidhja Demokratike e Kosovës për rrëzimin e qeverisë së koalicionit të saj me lëvizjen Vetëvendosje.

Lidhja Demokratike arriti ndërkohë marrëveshje me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, Nismën Socialdemokrate dhe partitë e pakicave kombëtare për krjimin e një qeverie të re dhe është zotuar se do të kërkojë votimin në parlament menjëherë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Kryetari i Lidhjes Demokratike, Isa Mustafa, tha të enjten mbrëma se vendimi i Gjykatës Kushtetuese dëshmon se shteti i Kosovës dhe drejtësia po funksionojnë.

“LDK gjthëherë ka respektuar vendimet e kësaj Gjykate dhe kemi kontribuar që ky institucion të jetë i pavarur dhe ta gëzojë besimin e plotë. Janë këto personalitete që mbajnë peshën e drejtësisë dhe demokracisë në shtetin tonë të ri. Vendimi i Gjykatë nuk i destinohet një partie dhe një grupi por një zgjidhjeje kushtetuese e cila do të vlejë për të gjithë ne, tani dhe në të ardhmen. I takon Qeverisë së ardhshme, të drejtuar nga LDK që të mbajë peshën e demokracisë dhe të kesaj drejtesie të ndarë nga Gjykata Kushtetuese. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është i qartë . Të gjithë duhet ta respektojmë dhe ta zbatojmë”, shkroi ai në rrjetet sociale.

Ndërsa kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, mirëpriti vendimin që sic shkroi ai “i hap rrugë formimit të qeverisë së re. Ftoj të gjitha palët që ta respektojnë këtë vendim dhe të veprojnë konform tij. I mandatuari për krijimin e Qeverisë së re, Avdullah Hoti, duhet që sa më parë të kompletojë ekipin dhe Kuvendi pa humbur kohë të caktojë seancën për votimin e Qeverisë. Në rrethanat e krijuara, çdo ditë e humbur ka kosto për ekonominë dhe mirëqenien e qytetarëve. Kosova nuk ka kohë për të humbur”, shkroi ai. zëri i amerikës

Presidenti Trump nënshkruan urdhërin ekzekutiv për kompanitë e mediave sociale (video)

President Donald Trump speaks in the Oval Office of the White House, Thursday, May 28, 2020, in Washington.

Duke përshkallëzuar luftën e tij me kompanitë e mediave sociale Presidenti Donald Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv të enjten që sfidon mbrojtjen ndaj detyrimeve ligjore që këto kompani kanë për materialet e postuara nga përdoruesit e tyre.

Megjithatë, masa duket se ka të bëjë më shumë me politikën sesa substancën, pasi presidenti kërkon të mbledhë pas vetes mbështetësit e tij pasi ai sulmoi Twitter-in për aplikimin e konceptit të kontrollit të fakteve në dy nga postimet e tij.

Trump, i cili personalisht mbështetet shumë tek Twitter-i për të sulmuar armiqtë e tij, ka akuzuar prej kohësh gjigantët e teknologjisë në Silicon Valley që anojnë nga liberalët, se po vënë në shënjestër konservatorët duke i kontrolluar ose duke hequr postimet e tyre.

Masa udhëzon agjencitë e degës ekzekutive të kërkojnë nga agjenci të pavarura që hartojnë rregullore, përfshirë Komisionin Federal të Komunikimit dhe Komisionin Federal të Tregtisë, të studiojnë mundësinë nëse ata mund të vendosin rregullore të reja për kompanitë – megjithëse ekspertët shprehin dyshime se kjo mund të bëhet pa një akt të Kongresit.

Kompanive si Twitter dhe Facebook u jepet mbrojtje nga përgjegjësitë ligjore në bazë të nenit 230 të Aktit për Komunikimin e Qytetëruar sepse ato trajtohen si “platforma” dhe jo “botues”, të cilët mund të përballen me padi mbi përmbajtjen që publikojnë.

Një urdhër i ngjashëm ekzekutiv ishte konsideruar më parë nga administrata, por ishte lënë mënjanë mes shqetësimeve se nuk plotësonte detyrimet ligjore dhe shkelte parimet e lirisë së fjalës.

Trump dhe fushata e tij reaguan pasi kompania Twitter shtoi një frazë paralajmëruese në dy postime të presidentit Trump ku ai i quante votimet me postë “mashtruese” dhe parashikuante se “kutitë postare do të grabiteshin”. Nën postimet në Twitter, tani ekziston një hallkë ku lexohet “Njihuni me faktet për votimet me postë” që i udhëzon përdoruesit në një faqe me kontrolle faktesh dhe lajme mbi njoftimet mbi pretendimet e pabazuara të Trump.

Presidenti Trump akuzoi Twitter-in për ndërhyrje në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020″ dhe deklaroi se “si president, unë nuk do të lejoj që kjo të ndodhë”.

Presidenti dhe konservatorë të tjerë kanë pohuar, për vite me rradhë, se kompanitë e teknologjisë në Silicon Valley janë treguar paragjykues ndaj tyre.

Por nuk ka asnjë provë për këtë – dhe ndërsa drejtues dhe shumë punonjës të Twitter-it, Facebook-ut dhe Google-it mund të anojnë nga liberalët, kompanitë kanë theksuar se nuk kanë asnjë interes të biznesit për të favorizuar një parti politike ndaj të tjere.

REAGIMET

Marcus Messner, ekspert për mediat në Universitin e Komonuelthit të Virxhinias i tha Zërit të Amerikës se “kompanitë e mediave sociale prej vitesh luftojnë kundër përhapjes së dezinformatave dhe për nevojën e verifikimit të fakteve, sidomos gjatë zgjedhjeve të fundit presidenciale.”

“Twitter ka të drejtë të vënë në dukje informacionet që janë të pasakta, edhe kur kjo ka të bëjë me tweete të Presidentit Trump,” tha profesor Messner.

Profesori i gazetarisë vuri në dukje se hapi i ndërmarrë nga Twitteri prek linjën delikate “mes verifikimit të fakteve dhe rrezikut se mund të akuzohesh për censurim të fjalës politike me veprime më drastike, si fshirja e postimeve apo pezullimi i llogarive.”

Profesor Messner tha se çështja që shtrohet është: “nëse u shton postimeve një link për verifikim faktesh që të çon tek shkrime të ndryshme të mediave, a do të pranoheshin ato nga mbështetësit e Presidentit Trump, të cilët regullisht i mohojnë raportimet e mediave të mëdha?”

Efekti i veprimeve të tilla në këtë atmosferë të ndezur partiake do të ishte i kufizuar, thotë profesori.

Shefi ekzekutiv i firmës Twitter Jack Dorsey tha në faqen e internetit të kompanisë se tweetet e presidentit “mund t’i bëjnë njerëzit të mendojnë gabimisht se ata nuk kanë nevojë të regjistrohen për të marrë një fletëvotimi me postë. Synimi ynë është të sqarojmë deklarimet konfliktuale dhe të japim informacionet për të cilat ka debate, në mënyrë që njerëzit të mund të gjykojnë vetë.”

Steve DelBianco, president i NetChoice, një grup komercial që ka në klientelën e tij edhe kompanitë Twitter, Facebook dhe Google, tha se “presidenti është duke shkelur Amendamentin e Parë të Kushtetutës, duke kërcënuar të drejtat themelore të fjalës së lirë për platformat e mediave sociale”. Ky hap i administratës “i nxit qeveritë e huaja të kontrollojnë lirinë e shprehjes në internet,” tha ai në një deklaratë të enjten.

Ekspertët kushtetues: Presidenti Trump nuk gëzon kompentenca pa kufi

Presidenti Trump nuk kursehet në kërcënime, që nga kanosja se do të mbyllë Twiterin, tek zotimi për të superuar vendimet e guverntorëve që mbajnë të mbyllura objektet fetare. Ai është shprehur se ka “autoritet total” për të detyruar shtetet të rihapin aktivitetin ekonomik, megjithëse udhëheqësit localë thonë se është herët për rihapje.

Në përballjen me pandeminë presidenti është shprehur se gëzon autoritet të gjerë, por studiuesit e së drejtës kushtetuese nuk mendojnë kështu.

“Presidenti në fakt ka autoritetet shumë të madh për t’u përgjigjur në një krizë të shëndetit publik. Por ai thjesht nuk ka këtë atoritet që pretendon,” thotë Stephen Vladeck, profesor i së drejtës në Universitetin e Teksasit.

Presidenti tha fillimisht se mund të detyronte guvernatorët të rihapnin ekonominë para se ata ishin gati për këtë hap. “Dikush që është president i Shteteve të Bashkuara ka autoritet total,” tha zoti Trump.

Presidenti hoqi dorë nga ky kërcënim, duke thënë se do ia linte vendimin shteteve. Por ai e përsëriti këtë kërcënim kur foli javën e kaluar se gëzon autoritet për rihapjen e objekteve fetare edhe në zona ku mbeten në fuqi urdhrat e qëndrimit në shtëpi.

Të martën, atij iu drejtua një pyetje lidhur me autoritetin që gëzon për një veprim të tillë. Presidenti nuk dha një përgjigje të drejtpërdrejtë.

“Mund ta bëj nëse dua. Kemi mënyra të ndryshme për të superuar vendimet e guvernatorëve dhe nëse është e nevojshme, do ta bëj,” tha presidenti.

Shtëpia e Bardhë nuk ka sjellë si argument ndonjë statut specifik, por zëdhënësi i presidentit tha në një deklaratë “çdo vendim i presidentit gjatë pandemisë është udhëzuar nga synimi për të mbrojtur shëndetin dhe jetën e amerikanëve”.

Presidenti Trump “nuk ka asnjë autoritet nëse e lexon dhe interpreton normalisht Kushtetutën dhe autoritetin federal për të dhënë urdhër që të rihapen objektet fetare,” thotë historiani Matthew Dallek.

Por historiani Dallek shtoi se thjesht fakti që zoti Trump nuk gëzon autoritetin për të bërë gjëra që zotohet të bëjë, nuk do të thotë që nuk do t’i bëjë, pra ai mund të nënshkruajë urdhra ekzekutive që më pas bllokohen nga gjykatat.

“Cfarë e ka ndalur më parë Presidentin Trump? Ai nuk është rezervuar shumë. Mendoj se do të bëjë ato që i duken në interes të tij në një moment të caktuar,” shton historiani.

Kur presidenti deklaroi gjendje emergjente për pandeminë në muajin mars, ai aktivizoi 100 agjenci të ndryshme qeveritare. Por ai nuk i ka vënë shumë prej tyre në punë, thotë zoti Vladeck.

“Një ndër ironitë e këtij momenti është se presidenti ka një numër kompetencash që në fakt nuk i ka përdorur. Por ai vazhdon të flasë për pushtetin e pakufi që gëzon”.

Këtu përfshihet Ligji për Prodhim për Mbrojtje, të cilin presidenti mund ta kishte përdorur në mënyrë më agresive për të detyruar kompanitë amerikane të prodhonin artikuj si maska apo aspiratorë. Por ai e përdori këtë ligj vetëm në mënyrë të kufizuar.

Studiuesit e së drejtës kushtetuese thonë se edhe në rastet kur presidenti nuk vepron për të vënë në jetë kërcënimet e tij, thjesht kanosjet nga posti i presidentit kanë ndikim.

Ndër kanosjet e fundit të presidentit është reagimi i tij ndaj platformës së medias sociale Twitter, pasi Twitter vuri një paralajmërim për përdoruesit pranë komenteve të presidentit, duke sinjalizuar se në postime kishte të pavërteta.

Presidenti nënshkroi një urdhër ekzekutiv të enjten ku kufizon mbrojtjen ekzistuese që gëzonin mediat sociale nga padi gjyqësore për deklarata të postuara në faqet e tyre.

“Twitter po mbyt LIRINË E FJALËS dhe unë si president nuk do ta lejoj të ndodhë,” tha presidenti të martën.

Kongresi mund të miratojë rregullore shtesë lidhur me operimin e platformave të medias sociale, por “presidenti nuk ka autoritet të tillë,” thotë ish-gjykatësi federal Michael McConnell, i cili tani drejton Qendrën Ligjore në Universitetin Stanford. “Ai thjesht shfryn,” thotë zoti McConnell.

“Nuk ka asgjë që bie ndesh me Amendamentin e Parë që mbron lirinë e fjalës në aktin e Twitterit për të vënë një shenjë paralajmëruese pranë komenteve të presidentit,” shton Jameel Jaffer, studiues në Universitetin Columbia. “E vetmja gjë që lidhet me Amendamentin e Parë është kërcënimi i presidentit të ndëshkojë Twitterin thjesht se vuri një paralajmërim për kontrollin e fakteve”.

Por Jack Balkin, profesor i së drejtës në Universitetin Yale thotë se presidenti ka tjetër synim:

“Presidenti do t’u çojë një mesazh arbitrave, jo lojtarëve. Ai do të paralajmërojë drejtuesit e kompanive të mos bëjnë numra me të”.

Profesori i medias në Universitetin Rutgers thotë se kjo është shumë e thjeshtë: presidenti do të ndezë bazën e tij politike:

“Për Presidentin Trump, çdo gjë fillon e mbaron me synimet politike,” thotë ai. zëri i amerikës

Trump: 100 000 vdekje nga koronavirusi, “një moment historik shumë i trishtuar” për SHBA

Presidenti Donald Trump i quajti të enjten vdekjet më të larta në botë nga koronavirusi në Shtetet e Bashkuara “një moment historik shumë të trishtuar”.

Në fillim të vitit, Trump shpesh e minimizonte kërcënimin e koronavirusit, duke thënë se numri i rasteve në Sh.B.A do të zvogëlohej shumë shpejt. Por ai e pranoi numrin e vdekjeve – një shifër më e lartë nga numri i vdekjeve amerikane në luftërat e Vietnamit dhe Koresë të marra së bashku – në një koment në Twitter.

“Për gjithë familjet dhe miqtë e atyre që janë ndarë nga jeta,” tha ai, “dua të shpreh simpatinë dhe dashurinë time nga zemra për të gjitha vlerat që mishëronin dhe përfaqësonin këta njerëz të mëdhenj. Zoti qoftë me ju!”

Të mërkurën, ish-nënpresidenti Joe Biden tha në një mesazh të postuar në Twitter “Ka momente në historinë tonë kaq të zymta, kaq të dhimbshme, saqë ato janë fiksuar përgjithmonë në secilën prej zemrave tona si ngushëllim i përbashkët. Sot është një nga ato raste”. Biden, kundërshtari i presidentit Trumpit në zgjedhjet e nëntorit, i dha fund mesazhit duke thënë “Për ata që vajtojnë, më vjen shumë keq për humbjet tuaj. Kombi trishtohet me ju”.​

Me Sh.B.A që kaloi 100,000 vdekje në më pak se katër muaj, një grup senatorësh nga të dyja partitë ripërsëritën thirrjen e tyre për një moment heshtjeje që do të mbahej të hënën për të nderuar të vdekurit.

“Kombi duhet ta kujtojë këtë moment të errët me unitet dhe qartësi,” tha senatori Brian Schatz, një demokrat nga Hauai. “Në këtë kohë dhimbje gati të paimagjinueshme, është thelbësore që të ndalemi për të nderuar çdo jetë të humbur dhe që të ngushëllohemi së bashku”.

“Pandemia” COVID-19 “ka shkatërruar vendin tonë,” tha senatorja republikane Lisa Murkowski nga Alaska. “Shumë familje kanë parë të dashurit e tyre të vuajnë. Për shkak të masave të rrepta të izolimit, shumë prej atyre që kanë humbur dikë nga sëmundja nuk kanë mundur të japin lamtumirën e tyre të fundit në spitale. Shumë gjithashtu nuk kanë qenë në gjendje të kenë ceremoni të duhura për të nderuar njerëzit që kanë humbur. ”

Një propozim tjetër në Dhomën e Përfaqësuesve kërkon një moment të përditshëm heshtjeje sa herë që dhoma të fillojë një seancë, si dhe një ditë kombëtare zie pasi të përfundojë pandemia dhe krijimi i një memoriali kombëtar për viktimat.

Shtetet e Bashkuara kanë parë njëfarë përmirësimi në numrin e përditshëm të vdekjeve, por ky përparim bëri një hap të mprehtë prapa të mërkurën me 1.400 vdekje të reja të raportuara.

Sipas statistikave të Universitetit Johns Hopkins, në të gjithë botën, më shumë se 356,000 njerëz kanë vdekur nga COVID-19. Ka rreth 5.7 milion raste të konfirmuara, me gati 30% në Shtetet e Bashkuara.

Koreja e Jugut raportoi 79 raste të reja të enjten ndërsa vazhdon të punojë për të parandaluar një ringjallje të përhapjes së virusit. Me shumicën e rasteve të reja të vendosura në zonën e Seulit, Ministri i Shëndetësisë Park Neung-hoo u bëri thirrje njerëzve të shmangin tubimet e panevojshme dhe kompanive të mbajnë punëtorët e sëmurë në shtëpi.

Ka shqetësime edhe në shumë vende të Amerikës Latine, ku Programi Botëror i Ushqimit thotë se pandemia mund të lerë 14 milion njerëz të uritur.

“Ne po hyjmë në një fazë shumë të ndërlikuar,” tha Miguel Barreto, drejtori rajonal i WFP për Amerikën Latine dhe Karaibet. “Ne po e quajmë këtë një epidemi urie.”

Brazili ka patur goditjen më të fortë në rajon, me 411,000 rastet e saj, duke u radhitur vetëm pas Shteteve të Bashkuara. Peruja ka parë gjithashtu një rritje të mprehtë të rasteve, përfshirë raportimin e të mërkurës me një rritje rekord ditore prej 6.154 rastesh të reja.

India raportoi një kërcim të ngjashëm të enjten me 6.566 raste të reja, një rekord për vendin që tani renditet e 10 në botë për nga numri i rasteve të konfirmuara. zëri i amerikës

Palmeri mban qëndrim në prag të vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës

Shtetet e Bashkuara shpresojnë se Kosova dhe Serbia do t’u rikthehen bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre, ka thënë Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Matthew Palmer.

Siç transmeton Zëri i Amerikës në gjuhën shqipe, gjatë një debati mbi Angazhimin Strategjik të Shteteve të Bashkuara në Ballkanin Perëndimor, Egje dhe në Turqi gjatë pandemisë së koronavirusit, të organizuar nga Fondi Gjerman Marshall, Palmer ka thënë se normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është thelbësor për të hapur rrugën evropiane për të dyja vendet. Por, tha ai, ende ka shumë punë për të bërë.

“Kosovës i duhet një qeveri. Ne po presim për vendimin e Gjykatës Kushtetuese që do t’i hapte rrugën zgjidhjes së çështjeve që kanë të bëjnë me formimin e qeverisë. Dua të nënvizoj se Shtetet e Bashkuara nuk duan të ndikojnë procesin në asnjë mënyrë, nuk duam të zgjedhim qeverinë e re të Kosovës, nuk kemi favorit, nuk mbajmë anë. Ajo çfarë duam të shohim është një proces që është i mbështetur në Kushtetutën e Kosovës dhe kuadrin ligjor të Kosovës, që prodhon një qeveri që është përfaqësuese dhe ka fuqi të angazhohet në procesin e bisedimeve”, tha ai.

Astronautët amerikanë në një mision historik

Astronautët e NASA-s Douglas Hurley dhe Robert Behnken
Marrë nga Reuters

Udhëtimi drejt Stacionit Ndërkombëtar të Hapësirës, i astronautëve të NASA-s në bordin e raketës Falcon 9, Koloneli i Marinsave në pension Doug Hurley dhe Koloneli i Forcave Ajrore Bob Behnken, i jep fund një pauze nëntë vjeçare të NASA-s.

Raketa e kompanisë private SpaceX, në pronësi të miliarderit Elon Musk, pritet të lëshohet të mërkurën nga Qendra e Hapësirës Kennedy në Florida në orën 4:33 pasdite (22:33 sipas kohës së Evropës Qendrore) dhe udhëtimi deri në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës zgjat 19-orë.

Presidenti Donald Trump dhe Zëvendës Presidenti Mike Pence kanë në plan të shkojnë në Cape Canaveral për të parë nisjen.

Lëshimi i anijes do të varet nga moti. Parashikuesit thanë se ekziston 40 për qind mundësi që misioni të shtyhet për shkak të stuhive në Florida.

Nëse kjo ndodh, një mundësi e dytë për lëshimin e Falcon 9 do të ishte pasditja e së shtunës.

Kur anija e hapësirës Atlantis u nis për herë të fundit nga Cape Canaveral më 8 korrik 2011, ajo drejtohej nga astronauti i NASA-s Doug Hurley.

Tani gati një dekadë më vonë, Hurley është një nga dy pilotët e provës për anijen raketë krejt të re të prodhuar nga SpaceX për këtë fluturim.

Astronautët e NASA-s, Koloneli i Marinsave në pension Doug Hurley dhe Koloneli i Forcave Ajrore Bob Behnken janë shokë klase, miq, veteranë të eksplorimit të hapësirës, të martuar me veterane të hapësirës dhe kanë të dy djem të rinj.

Ata përdorin të njëjtën platformë lëshimi ku Atlantis mbylli programin e nisjeve në 2011, viti i fundit i lëshimit nga vendi i tyre për astronautët e NASA-s.

Tetë vite e gjysëm, nëntë vite më vonë, shohim se jo vetëm jemi gati të fluturojmë mjetin e parë me ekuipazh drejt Stacionit Hapësinor, por kemi edhe ngazëllimin se mund të rikthehemi ndoshta në Hënë pas pak vitesh. Pasi ulëm anijen Atlantis në 2011, nuk do të kishim menduar kurrë se do ndodheshim këtu nëntë vite më vonë. Është shumë më mirë se ç’e kisha imagjinuar“, thotë Hurley.

Që atëherë, e vetmja mënyrë për të shkuar në stacionin hapësinor për astronautët ka qenë me raketa ruse të lëshuara nga Kazakistani.

Hurley do të drejtojë nisjen dhe uljen, një detyrë e përshtatshme për pilotin e fluturimit të fundit të anijes hapësinore të NASA-s.

Behnken, një inxhinier mekanik me gjashtë shëtitje në hapësirë në biografinë e tij, do të mbikëqyrë kontaktin dhe uljen në Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor (ISS).

Hurley, 53 vjeç dhe Behnken, 49 vjeç, janë ekuipazhi i parë i pilotëve të NASA-s në dekada.

Hurley dhe Behnken janë martuar me kolege astronaute të NASA-s: Karen Nyberg dhe Megan McArthur. Secili çift ka nga një djalë, në moshën dhjetë dhe gjashtë vjeçare.

Kapsula Dragon në bordin e raketës Falcon 9

Kapsula Dragon në bordin e raketës Falcon 9

Megjithëse kapsula e ekuipazhit Dragon dhe sistemi i saj i shpëtimit tashmë janë demonstruar në fluturime me manekinë, nuk ka ndonjë garanci. Në fluturimin hapësinor, kurrë nuk ekziston një gjë e tillë.

Mendoj se janë kaq shumë faktorë teknikë dhe gjëra tek të cilat duhet të përqëndrohemi për t’u siguruar që do t’ia dalim mbanë, për vendin tonë në histori, apo qoftë edhe duke u përpjekur t’i vendosim emrat tanë në të njëjtat fjali si njerëzit që kanë qenë përpara nesh. Duket e parakohshme derisa ta kemi realizuar“, thotë Behnken.

Fluturimi i tyre shënon rikthimin e nisjes së astronautëve nga Shtetet e Bashkuara, si dhe të parin e këtij lloji nga një kompani private. zëri i amerikës