VOAL

VOAL

SHBA përdorin bombën më të madhe jo-bërthamore kundër IS-it

April 14, 2017

Komentet

Aleatët e Nënpresidentes Harris fajësojnë Presidentin Biden për humbjen e saj

VOA/Marrë nga Associated Press

Emri i Joe Biden nuk ishte në fletëvotime në zgjedhjet e 5 nëntorit, por historia ka të ngjarë ta kujtojë humbjen e madhe të Kamala Harrisit edhe si humbjen e tij.

Pas fitores bindëse të Presidentit të zgjedhur Donald Trump, disa nga mbështetësit e nënpresidentes po shprehin pakënaqësinë e tyre duke thënë se fakti që zoti Biden priti deri në verë për t’u tërhequr nga gara– pavarësisht shqetësimeve të hershme të votuesve për moshën e tij dhe shqetësimeve për inflacionin pas pandemisë, si edhe për gjendjen në kufirin SHBA-Meksikë – vulosi humbjen e Shtëpisë së Bardhë nga partia e tij.

“Përgjegjësia më e madhe për këtë humbje është e Presidentit Biden,” thotë Andrew Yang, i cili kandidoi kundër zotit Biden në vitin 2020 për emërimin e partisë demokrate dhe e mbështeti kandidaturën e pasuksesshme të zonjës Harris.

“Nëse ai do të kishte dhënë dorëheqjen në janar dhe jo në korrik, ne mund të ishim në një situatë shumë të ndryshme.”

Zoti Biden largohet nga posti pasi i nxorri Shtetet e Bashkuara nga pandemia më e keqe prej një shekulli, nxiti mbështetjen ndërkombëtare për Ukrainën pas agresionit të Rusisë dhe miratoi një paketë prej 1 trilionë dollarësh për infrastrukturën në vend që do të ketë ndikim për vite me radhë.

Por pasi kandidoi katër vjet më parë kundër zotit Trump për të “rikthyer shpirtin e vendit”, zoti Biden do t’ia përcjellë postin paraardhësit të tij pas vetëm një mandati. Zoti Trump është zotuar ta reformojë rrënjësisht qeverinë federale dhe të tërhiqet nga shumë nga prioritetet e zotit Biden.

“Ndoshta pas 20 ose 30 vjetësh, historia do ta kujtojë Bidenin për disa nga këto arritje,” thotë Thom Reilly, bashkëdrejtor i Qendrës për një Demokraci të Pavarur dhe të Qëndrueshme në Universitetin Shtetëror të Arizonës.

“Por në një të ardhme afatshkurtër, do të jetë e vështirë që ai t’i shmanget trashëgimisë së të qenit presidenti që mundi Donald Trumpin vetëm për t’i hapur rrugën një administrate tjetër të Donald Trumpit katër vjet më pas.”

Të enjten zoti Biden nuk e përmendi drejtpërdrejt pakënaqësinë e elektoratit ndaj presidencës së tij, por tha se amerikanët do të ndjejnë efektet e nismave legjislative të administratës së tij për vitet në vijim.

“Mos harroni gjithçka që arritëm”, tha zoti Biden në një fjalim të shkurtër në Kopshtin e Trëndafilave të Shtëpisë së Bardhë ku morën pjesë anëtarë të kabinetit dhe ndihmës të lartë, por jo zonja Harris. “Ishte një presidencë historike – jo sepse jam unë president, por falë asaj që kemi bërë. Asaj që keni bërë ju.”

Ai lëshoi një deklaratë menjëherë pasi zonja Harris mbajti fjalimin e saj ku pranoi humbjen të mërkurën, duke e vlerësuar atë për një “fushatë historike” në “rrethana të jashtëzakonshme”.

Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre nuk iu përgjigj drejtpërdrejt pyetjeve në lidhje me kritikat se zoti Biden priti shumë gjatë për t’u tërhequr.

“Ai besoi se mori vendimin e duhur,” tha zonja Jean-Pierre në konferencën e përditshme për shtyp.

Vetëm rreth 4 ndër 10 votues në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024 e miratuan punën e zotit Biden si president, sipas AP VoteCast, një sondazh me më shumë se 120,000 votues në mbarë vendin. Afërsisht 6 ndër 10 nuk e miratuan atë dhe Donald Trump bëri për vete një shumicë të ndjeshme të atyre votuesve që ishin të pakënaqur me zotin Biden.

Disa demokratë me peshë, përfshirë tre këshilltarë të fushatës së zonjës Harris, shprehën zhgënjimin e thellë që zoti Biden nuk pranoi që më herët në ciklin zgjedhor se nuk e përballonte dot sfidën e rikandidimit. Këshilltarët folën në kushte anonimiteti sepse nuk ishin të autorizuar të komentonin publikisht.

81 vjeçari Biden i dha fund fushatës së tij për rizgjedhje në korrik, disa javë pas një paraqitjeje tepër të dobët në një debat përballë zotit Trump, që ngriti pikëpyetje lidhur me mprehtësinë mendore të tij për të qenë një kandidat i besueshëm.

Por sondazhet kishin treguar prej kohësh se shumë amerikanë ishin të shqetësuar për moshën e tij. Rreth 77% e amerikanëve thanë në gusht të vitit 2023 se zoti Biden ishte shumë i moshuar për të qenë efektiv edhe për katër vjet të tjera, sipas një sondazhi nga agjencia e lajmeve Associated Press dhe Qendra për Çështjet Publike NORC (AP-NORC).

Presidenti u tërhoq më 21 korrik pasi u nxit në mënyrë jo edhe aq delikate nga figurat e njohura të Partisë Demokrate, përfshirë ish-presidentin Barack Obama dhe ish-kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi që të hiqte dorë nga gara për rizgjedhje.

Zoti Biden mbështeti zonjën Harris për kandidaturën. Ligjvënësi nga shteti i Masaçusetsit Seth Moulton, një nga disa ligjvënësit demokratë që i kërkuan publikisht zotit Biden të largohej këtë verë, tha të enjten në CNN se Partia Demokrate “do të kishte qenë në një pozicion shumë më të mirë” nëse zoti Biden do ta kishte lënë garën më herët.

Zoti Yang argumentoi se edhe udhëheqësit e Partisë Demokrate duhet të mbahen përgjegjës që pritën aq gjatë për të larguar zotin Biden. Me pak përjashtime, si ligjvënësi nga Minesota, Dean Phillips, demokratët nuk dolën të flisnin hapur për moshën e zotit Biden.

“Pse nuk u bë një gjë e tillë nga ndonjë udhëheqës demokrat?” tha zoti Yang. “Arsyeja është një mungese guximi dhe pavarësie dhe një karrierizëm i tepruar”.

Fushata vuajti gjithashtu pasojat e zemërimit të votuesve arabo-amerikanë dhe të rinjve për qasjen ndaj luftës së Izraelit në Gaza dhe Liban.

Senatori Bernie Sanders, një aleat i Presidentit Biden dhe Nënpresidentes Harris, tha në një deklaratë se demokratët nuk po u kushtonin rëndësi shqetësimeve të amerikanëve të klasës së mesme.

“A do të nxjerrin ndonjë mësim real nga kjo fushatë katastrofike ata që mbështesin interesat e të pasurve dhe konsulentët e paguar mirë që kontrollojnë Partinë Demokrate?” tha ligjvënësi i pavarur nga Vermonti.

Zonja Harris arriti të ngjallte entuziazëm shumë më të madh sesa zoti Biden në bazën e partisë. Por ajo nuk arriti të shprehte qartë se si do të ndryshonte administrata e saj nga ajo e zotit Biden.

Në një emision televiziv në shtator, Nënpresidentja Harris nuk mund të përmendte ndonjë shembull se si do të merrte një vendim të ndryshëm nga zoti Biden.

“Nuk më vjen ndonjë gjë ndër mend,” tha zonja Harris, duke i dhënë fushatës së zotit Trump material për reklama që u transmetuan deri ditën e zgjedhjeve.

Këshilltarët e zonjës Harris thanë se fushata e shkurtër e bëri edhe më të vështirë për nënpresidenten që të distanconte veten nga presidenti. Nëse zoti Biden do të ishte tërhequr në fillim të vitit, thanë ata, kjo do t’u kishte dhënë demokratëve kohë të mjaftueshme për të mbajtur zgjedhje brenda partisë. Një garë brenda partisë do ta kishte detyruar zonjën Harris ose një kandidat tjetër të mundshëm që t’i theksonin më shumë dallimet me zotin Biden.

Këshilltarët demokratë e pranojnë se pakënaqësia e thellë në lidhje me kostot në rritje si pasojë e pandemisë dhe shqetësimet e gjera në lidhje me sistemin e imigracionit të SHBA-së, ishin të rëndësishme për votuesit në shtetet kyçe.

Megjithatë, ata thanë se zoti Biden i kishte vënë demokratët në një pozitë të vështirë.

David Plouffe, një këshilltar i lartë i zonjës Harris, tha se ekipi i fushatës “u përpoqën me mish me shpirt për vendin e tyre”.

“Ne u ngritëm nga një pikë shumë e ulët, por mesa duket jo mjaftueshëm,” tha ai. “Një humbje e dhimbshme”.

Ky postim u fshi më vonë.

Disa përkrahës të zonjës Harris thonë se do të kishin dashur që ajo të kishte pasur më shumë kohë për të bërë për vete votuesit amerikanë.

Përveç Shtëpisë së Bardhë, republikanët do të kontrollojnë edhe Senatin. Kontrolli për Dhomën e Përfaqësuesve nuk është përcaktuar.

Matt Bennett, nënkryetar ekzekutiv i grupit “Rruga e Tretë”, një aleat i demokratëve, tha se është momenti më i vështirë i partisë që ai ka parë.

“Harris u vu në një pozitë shumë të vështirë, pjesërisht për shkak të zotit Biden dhe pjesërisht për arsye të tjera”, thotë zoti Bennett, i cili ishte këshilltar i Nënpresidentit Al Gore gjatë administratës së (Presidentit) Klinton.

“A do të ishin në një pozitë më të mirë demokratët nëse Biden do të ishte tërhequr më herët? Nuk e di nëse mund ta themi me siguri, por kjo është një pyetje e vlefshme.”

Trumpi zgjedh këshilltaren e tij Susie Wiles si shefen e ardhshme të kabinetit

VOA/Marrë nga Associated Press

Presidenti i zgjedhur Donald Trump emëroi Susie Wiles, një nga drejtueset e ekipit të fushatës së tij, si shefe të kabinetit të ardhshëm të Shtëpisë së Bardhë, gruaja e parë që do të ketë këtë post të rëndësishëm.

Zonjës Wiles i atribuohet gjerësisht merita brenda dhe jashtë rrethit të brendshëm të zotit Trump për drejtimin e fushatës së tij të fundit, që konsiderohet si më e disiplinuara. Ajo ishte pretendentja kryesore për këtë pozicion.

Ajo ka qëndruar përgjithësisht në hije dhe madje as nuk pranoi të merrte mikrofonin për të folur ndërsa zoti Trump deklaroi fitoren në orët e para të së mërkurës.

Enërimi i zonjës Wiles është vendimi i parë madhor i zotit Trump si president i zgjedhur dhe mund të jetë një provë përcaktuese për administratën e ardhshme të tij, pasi i duhet të krijojë shpejt ekipin që do të ndihmojë në drejtimin e qeverisë federale.

Zonja Wiles nuk sjell shumë përvojë të qeverisë federale në këtë rol, por ka një marrëdhënie të ngushtë me presidentin e zgjedhur. Gjatë fushatës, ajo arriti të bënte atë që pak të tjerë kanë mundur ta realizojnë – të ndihmonte në kontrollin e impulseve të zotit Trump, duke fituar respektin e tij dhe duke treguar se ishte më mirë që ai të ndiqte këshillat e saj sesa t’i injoronte ato.

“Susie është e fortë, e zgjuar, krijuese dhe admirohet dhe respektohet në të gjithë botën. Susie do të vazhdojë të punojë pa u lodhur për ta bërë Amerikën përsëri madhështore,” tha zoti Trump në një deklaratë. “Ajo e meriton plotësisht që të jetë shefja e parë femër e kabinetit në historinë e Shteteve të Bashkuara. Nuk kam asnjë dyshim se ajo do ta bëjë vendin tonë krenar.”

Shefat e kabinetit shërbejnë si personat më të besuar të presidentit, ndihmojnë në ekzekutimin e agjendës së presidentit dhe balancojnë prioritetet politike.

Zonja Wiles është një këshilltare republikane me bazë në Florida, e cila drejtoi fushatat e zotit Trump në këtë shtet në vitet 2016 dhe 2020, si edhe fushatën e suksesshme të guvernatorit të Floridës Ron DeSantis në vitin 2018.

“Dorëzimi është i pafalshëm”, Bideni thumbon Trumpin nga Shtëpia e Bardhë: Nuk mund ta duash vendin vetëm kur fiton…

Presidenti Joe Biden ka hyrë në Kopshtin e Trëndafilave jashtë Shtëpisë së Bardhë, ku është pritur me duartrokitje.

Prej andej, Presidenti në detyrë ka nisur fjalimin, i pari që pas zgjedhjeve të 5 nëntorit, ku kandidatja demokrate, Kamala Harris, humbi përballë republikanit Donald Trump.

Biden e filloi fjalën e tij duke thënë se për më shumë se 200 vjet, SHBA ka kryer “eksperimentin më të madh të vetëqeverisjes në historinë e botës”, ku njerëzit votojnë dhe zgjedhin liderët e tyre dhe e bëjnë atë në mënyrë paqësore, “aty ku vullneti i njerëzve mbizotëron gjithmonë”.

Ai thotë se foli me presidentin e sapozgjedhur Donald Trump për ta uruar për fitoren e tij dhe për ta ndihmuar atë me një tranzicion të rregullt të pushtetit.

Biden thotë se ka folur edhe me Kamala Harris, dhe thekson se ajo kishte qenë “një bashkëpunëtore dhe një nëpunëse publike”.

Ai komplimenton fushatën “frymëzuese” të Harris, lavdëron “shtyllën kurrizore” të saj dhe thotë se ajo duhet të jetë krenare për punën e saj.

Në vijim, Biden thotë se për disa njerëz është një kohë për fitore, për të tjerë është një kohë humbjeje.

“Një vend zgjedh njërën ose tjetrën. Ne e pranojmë zgjedhjen që bën vendi”, thotë ai.

Dhe në vijim, Presidenti në detyrë i SHBA, thekson “nuk mund ta duash vendin tënd vetëm kur fiton. Nuk mund ta duash fqinjin tënd vetëm kur bie dakord.”

Biden vazhdoi duke thënë se duhet të rikthehet respekti për të gjithë punonjësit e zgjedhjeve dhe se ata duhet të falenderohen.

“Shumë janë vullnetarë që e bëjnë këtë nga dashuria për atdheun”, thotë ai.

Biden vazhdon duke thënë se do të ketë një transferim paqësor të pushtetit më 20 janar, duke shtuar: “Unë do të bëj detyrën time si president”.

“Ne po lëmë pas ekonominë më të fortë në botë. Tani kemi 74 ditë për të mbaruar mandatin tonë, le t’i numërojmë çdo ditë”, thotë ai dhe shton se kjo është përgjegjësi e tyre si qeveri.

Ne të gjithë rrëzohemi, thotë ai, por “masa e karakterit tonë” është se si ngrihemi përsëri.

“Ne e humbëm këtë betejë, Amerika e ëndrrave tuaja po ju bën thirrje që të ngriheni përsëri”, shprehet Biden.

Në vijim, Presidenti i SHBA theksoi “ne duhet të mbajmë besimin”, duke shtuar se është krenar që ka punuar me kabinetin dhe ekipin e tij”.

“Zoti ju bekoftë të gjithëve dhe Amerikën”, thotë ai. bw

Përfundim i shpejtë i luftës në Ukrainë, ish-ambasadori amerikan zbulon prapaskenat- Ja lëvizjet e pritshme të Trump

Donald Trump do të kërkojë një fund të shpejtë të luftës në Ukrainë të nisur nga Vladimir Putin, tha ish-përfaqësuesi special i presidentit të zgjedhur amerikan.

Kurt Volker, i cili ishte i përfshirë në negociatat me Ukrainën dhe Vladimir Putinin midis 2017 dhe 2019 gjatë mandatit të mëparshëm të Trump, i tha Kyiv Independent se republikani “do t’i bëjë një telefonatë Putinit sa më shpejt të jetë e mundur” dhe do t’i thotë presidentit rus se “ai duhet të ndalojë luftën”.

Komentet e tij vijnë në mes të pasigurisë rreth asaj se çfarë do të thotë presidenca Trump për ndihmën e vazhdueshme të SHBA për Ukrainën, duke pasur parasysh kritikat e tij të përsëritura për mbështetjen financiare të Uashingtonit. Megjithatë, Putini do të jetë “një kundërshtar dinak”, për Trump dhe ai nuk dëshiron një marrëveshje, por përkundrazi të marrë të gjithë Ukrainën, tha Volker.

“Nëse Trump dëshiron të ndalojë konfliktin, ai do të duhet të bindë Putinin “se do ta dëmtojë atë, se do t’i kushtojë shumë nëse ai ndjek luftën”. tha Volker, ish ambasador i SHBA në NATO.

Volker tha se një skenar mund të jetë rritja e prodhimit të naftës dhe gazit dhe vërshimi i tregut me energji të lirë, gjë që do të jetë e keqe për buxhetin e Putinit. Një taktikë tjetër mund të jetë një program huazimi me qira në të cilin Ukraina merr hua për të blerë armë amerikane.

“Unë nuk mendoj se Trump dëshiron të shpenzojë paratë e taksapaguesve amerikanë në Ukrainë, por të lejojë Ukrainën të marrë hua atë që i nevojitet për të mbrojtur veten”, tha Volker.

Kur Trump të hyjë në Zyrën Ovale më 20 janar, lufta e nisur nga Putini mbush 3 vjet dhe pretendimet e përsëritura të presidentit të zgjedhur se do t’i jepte fund luftës brenda “24 orëve” kanë nxitur spekulime se si do të përballet ai me agresionin rus.

“Trump mund të nënkuptojë çdo gjë për Ukrainën – ta shesë atë për hir të politikës së fuqive të mëdha ose të dyfishojë dëmin që mund t’i shkaktojë Rusisë”, tha Orysia Lutsevych, zëvendësdrejtore e programit Rusia dhe Euroazia në institutin Chatham House.

Një ide për t’i dhënë fund luftës përfshin shtyrjen e anëtarësimit të Kievit në NATO për të paktën 20 vjet në këmbim të furnizimeve të vazhdueshme me armë, sipas Wall Street Journal, e cila citoi tre burime të paidentifikuara të afërta me Trump.

Burimet sugjeruan se rrethi i brendshëm i Trump po kërkon të ngrijë luftën në vijat aktuale të frontit dhe të krijojë një zonë të çmilitarizuar në lindje.

Një ndihmës i paidentifikuar i Trump shprehet se Uashingtoni do të kërkonte që aleatët evropianë të dërgonin trupa për të kontrolluar zonën e çmilitarizuar prej 800 miljesh, megjithëse ide të tjera po shqyrtohen.bw

Fitorja e zgjedhjeve, Trumpit i rritet pasuria me një miliard dollarë. Ata që vunë bast kundër tij humbën 420 mln dollarë

Donald Trumpi jo vetëm që fitoi Shtëpinë e Bardhë, por që nga mëngjesi i sotëm ai është më i pasur me më shumë se një miliard dollarë, sepse aksionet e kompanisë së republikanit, “Trump Media” u rritën me 35 për qind brenda natës, duke e rritur vlerën e tregut të kompanisë në nëntë miliardë dollarë.

Ish-presidenti amerikan është pronari shumicës së aksioneve të kompanisë, rrjet social konservator me të ardhura minimale, raporton cnn.

Presidenti i zgjedhur i SHBA-së ka 114.75 milionë aksione, të cilat kapin vlerën prej 5.3 miliardë dollarëve dhe ishin me vlerë 3.9 miliardë dollarë kur tregtimi përfundoi në prag të ditës së zgjedhjeve.

Sigurisht, shton CNN, është një fitim në letër, sepse në praktikë do ta kishte të vështirë që 78-vjeçari të shiste kaq shumë aksione pa u ulur çmimi i tyre.

Për muaj të tërë, Trump Media ka shërbyer si një përfaqësues për mënyrën se si tregtarët parashikojnë rezultatin e zgjedhjeve.

Kur shanset e republikanin po binin, aksionet e kompanisë ranë në nivele rekord të ulëta dhe në muajin shtator arritën pikën më të ulët.
Në periudhën midis 23 shtatorit dhe fundit të tetorit, Trump Media trefishoi vlerën.

Nga ana tjetër, sipas një raporti të publikuar të mërkurën nga firma analitike financiare S3 Partners, investitorët që vënë baste kundër Trump Media & Technology Group (DJT.O), kanë humbur 420 milionë dollarë që kur bursa filloi të gjurmonte shanset për zgjedhjet e Donald Trump, shkruan Reuters.

Republikani Trump, 78 vjeç, rimori Shtëpinë e Bardhë të mërkurën me një fitore gjithëpërfshirëse ndaj kandidates demokrate Kamala Harris.
Në gjashtë javët para fitores së Trump, aksionet e Trump Media u rritën me 196%.

Trump Media & Technology Group operon Truth Social, një faqe e mediave sociale dhe shërbim transmetimi. Vetë Trump është aksioneri më i madh i kompanisë.

Të martën mbrëma, qindra fansa të aksioneve u mblodhën në një festë për vëzhgimin e zgjedhjeve në platformën e ndarjes së videove në internet Rumble. bw

‘Shenjë e shëndetit të Republikës sonë’- George W. Bush uron Donald Trump si presidenti i 47 i SHBA

Këtë të mërkurë, nuk mund të mungonte edhe urimi i ish-presidentit republikan George W. Bush për Donald Trump, si Presidenti i 47-të i ShBA.

“Uroj presidentin Trump për zgjedhjen si presidenti i 47-të i SHBA, gjithashtu dhe zv.presidentin JD Vance dhe familjet e tyre”, u shpreh ai.

Në një deklaratë për mediat, Bush tha se ai dhe ish-Zonja e Parë, Laura Bush, i janë mirënjohës të gjithë zyrtarëve zgjedhorë.

“Pjesëmarrja e madhe në këto zgjedhje është shenjë e shëndetit të Republikës sonë dhe fuqisë së institucioneve tona demokratike. Laura dhe unë u jemi mirënjohës zyrtarëve zgjedhorë, punonjësve të sondazheve dhe vullnetarëve që mbikëqyrën zgjedhjet e lira, të drejta dhe të sigurta”, theksoi ish-presidenti amerikan. sn

Republikanët fitojnë Senatin, sigurojnë 51 vendet që u duhen

Republikanët fitojnë edhe Senatin. Sipas projeksioneve të FOX, por edhe të mediave të tjera prestigjioze amerikane, ata kanë siguruar 51 vendet që u duhen, teksa mund të marrin edhe më tepër pasi procesi vijon.

Partia Republikane do të mbajë të paktën 51 vende, të mjaftueshme për një shumicë të plotë.

Vendi i pikës së kthesës është Nebraska, ku FOX projekton që senatori aktual republikan Deb Fischer do të mundë sfiduesin e pavarur Dan Osborn. Nuk është ende e qartë se kush do të shërbejë si udhëheqësi i ardhshëm i shumicës në Senat.

Udhëheqësi republikan Mitch McConnell, i cili është udhëheqësi më jetëgjatë i Senatit në histori, njoftoi në fillim të këtij viti se ai do të largohej. bw

Trumpi mban fjalimin e fitores: Do të ndihmojmë vendin tonë që të shërohet

“Ne duam Trump! Ne duam Trump!” dhe Presidenti i 47-të i SHBA-ve Donald Trump ngjitet në skenë për të shpallur fitoren dhe për t’iu drejtuar mbështetësve.

“Kjo është një lëvizje e jashtëzakonshme. Do të ndihmojmë vendin tonë që të shërohet. Do të rregullojmë çdo problem me të cilin përballet vendi jonë. Ne bëmë histori për një arsye dhe historia është piëkrisht kjo. Ne kaluam pengesat dhe ja ku jemi, një çmenduri e vërtetë. Është një fitore politike që vendi ynë nuk e ka parë kurrë më parë. Dua të falënderoj popullin amerikan që më zgjodhën si Presidenti i 47-të”, tha Trump.

Nga perdja blu pranë skenës vjen një shushurimë, e cila ka tërhequr vëmendjen e turmës. Donald Trump del në skenë me familjen e tij. bw

“Votoni! Le të bëjmë histori duke votuar Kamala Harris”, Biden mesazh qytetarëve amerikanë nga Shtëpia e Bardhë

Joe Biden u ka bërë thirrje votuesve që të “bëjnë histori” duke zgjedhur Kamala Harris si pasuese të tij, ndërsa ai përgatitej për një ditë të qetë zgjedhjesh në Shtëpinë e Bardhë.

“Shkoni votoni”, tha ai në një postim për X.

Presidenti amerikan u tërhoq nga gara dhe mbështeti zonjën Harris në korrik, teksa thirrjet për tërheqjen e tij u intensifikuan pas një debati katastrofik kundër Donald Trump.

Zoti Biden u kthye në Shtëpinë e Bardhë dje pasi kaloi pjesën më të madhe të fundjavës në Delaware me një ndalesë të fundit të fushatës në Pensilvani.

Ai po e kalon ditën, një nga të fundit si president në rezidencën e Uashingtonit duke pritur nëse do t’ia dorëzojë pushtetin zëvendëspresidentit të tij apo do t’i kthehet Donald Trump.

Zonja e Parë Jill Biden ndodhet në Wilmington, Delaware, ku do të votojë personalisht përpara se të kthehet për t’iu bashkuar bashkëshortit të saj sonte.

Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë i tha NBC News se presidenti dhe zonja e parë do të shikojnë rezultatet e zgjedhjeve në Shtëpinë e Bardhë me ndihmës të vjetër dhe staf të lartë. bw

Harrisi dhe Trumpi reagojnë pas hapjes së kutive të votimit! Ja mesazhet që përcjellin dy kandidatët për President të SHBA

Kandidatja demokrate, Kamala Harris ka shpërndarë postimin e saj të parë në platformën X që kur u hapën qendrat e votimit në SHBA.

 

“Amerikë, ky është momenti për të bërë zërin tuaj të dëgjohet”, thotë nënkryetari aktual.

Kundërshtari i saj, Donald Trump, nuk ka postuar që nga hapja e sondazheve, por tha në platformën e tij “Truth Social”: Është koha për të dalë për të votuar- kështu që se bashkë, mund ta bëjmë Amerikën së madhe sërish!!!”

Kjo ishte rreth një orë pas përfundimit të tubimit të tij të fundit të fushatës, në Michigan. Panorama

Gara e ngushtë mes Trumpit dhe Harrisit- Çfarë ndodh nëse asnjë nga kandidatët nuk siguron dot 270 votat e nevojshme të Kolegjit?

Sytë e të gjithëve janë drejtuar sot nga Uashingtoni, ku zhvillohen zgjedhjet presidenciale.
Të gjithë presin që nesër të kemi emrin e personit që do të drejtojë SHBA në mandatin e ardhshëm, por çfarë ndodh nëse asnjë nga kandidatët nuk arrit të siguroje dot 270 votat e nevojshme të Kolegjit Zgjedhor, të domosdoshme për t’u shpallur fitues?

Nëse ndodh që të dy kandidatët presidencialë të jenë të barabartë dhe secili të fitojë 269 vota të Kolegjit Zgjedhor, d.m.th. asnjëri nuk arrin një shumicë prej të paktën 270 votash, do të jetë në dorën e Dhomës së Përfaqësuesve të përcaktojë fituesin.

Çdo delegacion i një shteti federal do të kishte më pas një votë dhe do të kërkohej një shumicë prej 26 votash për të fituar.

Megjithatë, ky është një skenar që kurrë nuk ka ndodhur.

Kur publikohet rezultati?
Në një garë kokë më kokë, mund të duhet pak kohë për të shpallur rezultatin përfundimtar. Nëse ka mospërputhje në disa shtete, ato duhet të zgjidhen deri më 11 dhjetor sipas ligjit zgjedhor.

Më 17 dhjetor, zgjedhësit do të takohen në kryeqytetet e shteteve federale për të hedhur zyrtarisht votat e tyre për president dhe nënkryetar. Më 6 janar 2025, Kongresi do të mblidhet në Uashington në mënyrë që të numërohen votat elektorale dhe të konfirmohet zyrtarisht fituesi i zgjedhjeve. Inaugurimi ceremonial i presidentit bëhet në Uashington më 20 janar. bw

Dita e fundit e zgjedhjeve, ku do ta kalojnë ditën sot dy kandidatët, Donald Trump dhe Kamala Harris?

Donald Trump dhe Kamala Harris mbajtën fjalimet e tyre të fundit para votuesve mbrëmë vonë pas një fushatë të gjatë elektorale, me tubime, intervista e reklama.

Por çfarë do të bëjnë ata ndërsa presin rezultatin e votimit?

Harris do të jetë sot në Uashington DC duke marrë pjesë në intervista në radio, raporton CNN.

Ajo më pas do të mbajë festën e saj të vëzhgimit të natës zgjedhore në Universitetin e saj Alma Mater Howard në Uashington sonte.

Një zyrtar me njohuri për planet e saj tha se ajo ka ftuar edhe donatorët kryesorë në një konferencë zgjedhore nesër.

Ndërkohë, Trump pritet të mbajë një festë natën e zgjedhjeve në West Palm Beach, Florida. gsh


Send this to a friend