VOAL

VOAL

“SHBA, Francë e Britani kanë 970 koka bërthamore në gatishmëri”, “DW”: Nuk përjashtohet përdorimi i armëve nukleare nga Rusia

March 1, 2022

Komentet

Kurti: 23 mbetjet mortore në Zubin Potok përkojnë me “grupin e intelektualëve”, identifikimi mund të zgjasë disa muaj

Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur e prezantoi një raport në Prishtinë lidhur me gërmimet në tri lokacione në Zubin Potok, kur u gjetën dhe zhvarrosën mbetje kockore që besohet se u përkasin 23 njerëzve të zhdukur gjatë luftës më 1998-’99.

Radio Evropa e Lirë

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të hënën se mbetjet mortore të gjetura dhe zhvarrosura në Zubin Potok përkojnë me atë që njihet si “grupi i intelektualëve” të zhdukur në veri të vendit gjatë luftës së viteve 1998-’99, por shtoi se identifikimi i plotë i tyre mund të marrë disa muaj kohë.

Pas gërmimeve që zgjatën katër javë, të hënën Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur e prezantoi një raport në Prishtinë lidhur me këtë proces.

Duke folur gjatë prezantimit të raportit, Kurti tha se gërmimet përfunduan me gjetjen dhe zhvarrosjen e mbetjeve mortore që vlerësohet se u përkasin së paku 23 njerëzve, të cilët dyshohet të jenë viktima të zhdukjes me dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë.

“Numri 23 përkon me atë që njihet si ‘Grupi i intelektualëve’, të cilët më 19 prill të vitit 1999, u ndaluan, u rrëmbyen dhe u pushkatuan nga forcat armike të Serbisë, që u përpoqën të fshehin dhe të zhdukin gjurmët e këtij krimi gjenocidal”, tha Kurti.

Megjithatë, shtoi ai procesi i identifikimit në tërësi mund të marrë edhe disa muaj kohë, “andaj vetëm atëherë do të mund të flasim me saktësi të plotë së për kë bëhet fjalë dhe, bashkë me familjet, t’u japim një lamtumirë dinjitoze dhe nga një varr me emër e mbiemër”.

Ky grup, i njohur si “grupi i intelektualëve të Mitrovicës” është i zhdukur që nga 19 prilli i vitit 1999. Në mesin e tyre kishte mjekë, profesorë, avokatë dhe profile të tjera.

Në mesin e tyre ishte edhe mjeku Adem Ademi, motra e të cilit i tha Radios Evropa e Lirë pas fillimit të gërmimeve në Zubin Potok se beson se aty mund të jenë të varrosur pjesëtarët e grupit të vëllait të saj.

“Unë i them vetes, padyshim, 100 për qind, se është grupi i vëllait tim, Adem Ademit. Mendoj se pas kësaj, do të na pushojnë shpirtrat, do ta kemi një varr ku për një festë, një ditëlindje, një Bajram, do të çoj një buqetë lulesh dhe do të shkoj të flas me të”, tha Lutfije Ademi – Vokshi.

Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP) për Ballkanin Perëndimor, i cili do të marrë në identifikimin e tyre, i tha REL-it ditë më parë se gjetja e mbetjeve mortore ishte vetëm fillimi i një procesi kompleks identifikimi.

Ky institucion pritet të kryejë analizat e ADN-së dhe krahasimin e mostrave biologjike për të arritur identifikimin e mbetjeve mortore.

Ai tha se gjendja e mbetjeve, degradimi i ADN-së dhe mungesa e mostrave të mjaftueshme nga familjarët mund ta vështirësojnë identifikimin. Në rastet më komplekse, sipas tij, mund të kërkohen ekspertizë, analiza dhe përpjekje shtesë.

ICMP-ja është përfshirë në kërkimin dhe identifikimin e personave të zhdukur nga lufta në Kosovë që nga viti 1999. Sipas një raporti të institucionit të vitit 2017, mbi 2.500 nga rreth 4.500 personat e zhdukur nga lufta dhe pasojave të saj ishin identifikuar me ndihmën e teknologjisë së ADN-së.

Rreth 2.000 raste të tjera ishin identifikuar përmes metodave tradicionale, kryesisht para vitit 2002.

Ndërkohë, Kurti gjithashtu përsëri i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare ta shtojë trysninë ndaj Serbisë për ta bërë t’i hapë dhe t’i vërë në dispozicion arkivat shtetërore, që mund të çojnë në zbardhjen e fatit të të pagjeturve.

“Doemos më duhet ta përsëris thirrjen për hapjen e arkivit të Brigadës së Motorizuar 37 të Ushtrisë së Jugosllavisë, e cila ka kryer masakra, posaçërisht në Drenicë, por edhe gjithandej Kosovës, dhe dosja e së cilës para 12 vjetësh është klasifikuar për 30 vjet. Familjet që kanë pritur 27 dhe 28 vjet, nuk mund dënohen me pritje, ankth e dhimbje, edhe për 18 vjet të tjera”, theksoi Kurti.

Gërmimet në Zubin Potok nisën më 28 korrik dhe u zhvilluan në Kalludër të Vogël, Jabukë dhe në një lokacion tjetër në këtë komunë, në veri të Kosovës.

Gërmimet nisën pas një hetimi dyvjeçar lidhur me dyshimet për krime lufte.

Prokuroria Speciale e Kosovës tha se për këtë rast po hetohen tre persona, J.R., M.J. dhe M.B., të dyshuar për krime lufte kundër popullsisë civile.

Që të tre ndodhen në paraburgim.

Njëri nga të arrestuarit, sipas autoriteteve, dyshohet se në kohën e luftës kishte qenë pjesë aktive e Armatës Jugosllave.

Sipas Institutit të Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, 1.577 persona vazhdojnë të jenë të zhdukur nga lufta e viteve 1998-1999, ndërsa janë dokumentuar gjithsej 12.230 viktima të luftës.

Kosova ka kërkuar vazhdimisht nga Serbia bashkëpunim për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur dhe qasje në arkivat ushtarake që sipas autoriteteve mund të ndihmojnë në identifikimin e lokacioneve të varreve të mundshme.

Gati 32% të shqiptarëve përballen me pasiguri ushqimore, katër herë mbi mesataren europiane

Rreth 31.8% e shqiptarëve përballen me pasiguri ushqimore të moderuar ose të rëndë në periudhën 2023-2025, vlerëson FAO.

Ndonëse treguesi ka shënuar përmirësim të lehtë, ai mbetet shumë më i lartë në Europë dhe në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO).

Në harkun e një viti, treguesi është ulur me 1.2 pikë përqindjeje. Pavarësisht përmirësimit, niveli në Shqipëri është rreth 4.3 herë më i lartë se mesatarja europiane prej 7.4% dhe rreth 5.5 herë mbi mesataren e Europës Jugore, prej 5.8%.

Shqipëria paraqitet gjithashtu shumë më keq se vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Për periudhën 2023–2025, pasiguria ushqimore e moderuar ose e rëndë vlerësohet në 9.2% në Maqedoninë e Veriut, 9% në Malin e Zi, 8.7% në Bosnjë-Hercegovinë dhe 6.7% në Serbi.

Brenda grupit të përgjithshëm, 8.3% e popullsisë së Shqipërisë klasifikohet në pasiguri të rëndë ushqimore.

Pasiguria e rëndë lidhet me situata kur familjet mbeten pa ushqim, konsumojnë më pak sesa u nevojitet, përjetojnë uri ose kalojnë një ditë të plotë pa ngrënë për shkak të mungesës së parave apo burimeve të tjera.

Treguesit për fëmijët kanë shënuar përmirësim. Përqindja e fëmijëve nën pesë vjeç me zhvillim të vonuar fizik ra nga 16.5% në vitin 2012 në 7.4% në vitin 2024. Edhe mbipesha te fëmijët u reduktua nga 20.9% në 16.7%.

Në kahun e kundërt ka lëvizur obeziteti te të rriturit. Në vitin 2024, ai prekte 24.1% të popullsisë mbi 18 vjeç, nga 17.8% në vitin 2012. Numri i të rriturve obezë vlerësohej në rreth 500 mijë.

Edhe anemia te gratë e moshës 15–49 vjeç është përkeqësuar, duke u rritur nga 20.1% në vitin 2012 në 24.7% në vitin 2023.

Dieta ditore e shqiptarëve, 70% më e shtrenjtë se në 2017-n dhe 30% mbi mesataren europiane

Në vitin 2025, kostoja minimale e një diete të shëndetshme në Shqipëri arriti në 5.16 dollarë ndërkombëtarë, sipas barazisë së fuqisë blerëse, për person në ditë.

Kostoja është rritur nga 3.04 dollarë në vitin 2017, duke u shtrenjtuar me rreth 70% deri vitin e kaluar, sipas raportit më të fundit “Gjendja e Sigurisë Ushqimore dhe Ushqyerjes në Botë 2026”.

Dieta e shëndetshme në Shqipëri rezulton rreth 30% më e shtrenjtë se mesatarja europiane prej 3.97 dollarësh dhe 12% mbi mesataren e Europës Jugore prej 4.62 dollarësh. Sipas metodologjisë së FAO Vlera prej 5.16 dollarësh është kostoja minimale ditore e një diete të shëndetshme për një person në Shqipëri.

Ajo llogaritet duke zgjedhur ushqimet më të lira që sigurojnë energjinë dhe larminë e nevojshme ushqimore dhe tregon pragun minimal ekonomik për një ushqyerje të ekuilibruar.

Pavarësisht shtrenjtimit, përqindja e shqiptarëve që nuk mund ta përballojnë financiarisht një dietë të shëndetshme ka rënë ndjeshëm. Në vitin 2025, ajo vlerësohej në 11.9% të popullsisë./monitor

Dita e 86 e protestës kundër Ramës, shqiptarët kërkojnë dorëheqjen e panegociueshme të kryeministrit: Shqipëria kërkon revolucion

Sot shënohet dita e 86-të e protestës qytetare.

Qytetarët do të organizohen sërish për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe ndryshimin e kursit politik në vend.

Protesta pritet të nisë organizimin në sheshin “Skënderbej”, nga ku protestuesit më pas do të marshojnë përgjatë bulevardit drejt Kryeministrisë. Pas mbërritjes përpara godinës së ekzekutivit mbahen fjalimet, ku qytetarët shprehin shqetësimet dhe pakënaqësitë e tyre ndaj politikave të qeverisë.

Kërkesa kryesore e protestuesve mbetet largimi i Edi Ramës nga detyra. Në platformën e tyre përfshihet edhe krijimi i një qeverie tranzitore me mandat 12-mujore, e cila do të përgatiste vendin për zgjedhjet e ardhshme.

Protestuesit kërkojnë gjithashtu shfuqizimin e disa nismave ligjore që, sipas tyre, dëmtojnë interesat e qytetarëve shqiptarë.

Organizatorët kanë deklaruar se protesta do të vijojë edhe në ditët në vazhdim dhe se nuk do të ketë tërheqje deri në plotësimin e kërkesave të tyre. bw

UGSHPD: “PROPORCIONALITETI” NDAJ PROTESTËS (Propaganda)22 Gusht, 2026

Një video në gjuhën italiane prej mbi 9 minuta qarkulloi në media e në rrjetet sociale dhe sigurisht në mjetet e propagandës zyrtare të qeverisë. Po ashtu ky tekst “i përkthyer” në shqip i shërbeu ATSH dhe mediave pranë qeverisë ta përcillnin të plotë dhe me të gjitha nuancat politike dhe ideologjike përmbajtjen e një reagimi të  Jola Hysaj, Drejtoreshë e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Turizmit  ku ishte mbivendosur një koment i kryeministrit Edi Rama:- “Ehhhhh… këta revolucionarët e rrenave i ikin të vërtetës si djalli temjanit, po ndërkohë çoroditën dynjanë me marrëzitë e tyre”.
“Global Sumud Flotilla” ose një treshe anijesh me vela e nisur nga Brindisi i Italisë drejt Vlorës shkaktoi më shumë interes dhe shqetësim njëherësh tek kryeministri se sa 84 ditët e pandërprera të protestës. Shkaktoi më shumë interes dhe shqetësim tek kryeministri edhe pse popullsia e Divjakës vazhdon protestën në ditën e 24 që kur Reforma Territoriale ka sugjeruar se Lushnja mund të ketë nën administrim bregdetin duke e shkrirë bashkinë e Divjakës. Divjaka është në rrezik prej skemës territoriale të Rilindjes Socialiste mes 15 të tjerave që janë sugjeruar të shkrihen dhe ku po provohet çdo ditë se një hartë territoriale për shkak të rënies ndjeshëm të numrit të popullsisë (mplakja, ulja e lindshmërisë lëvizja e lirë brenda vendit dhe emigracioni), do të jenë zgjidhja dhe sigurimi i listave votuese për zgjedhjet e pushtetit vendor të vitit 2027 në favor të partisë në pushtet, PS, patronazhistëve, taksëmbledhësve e gjobëvënësve, administratës “shembullore” që paguhet për ti shërbyer elitës së Rilindjes Socialiste.
Për përfaqësues të Flotiljes u përdor një përplasje në mediat sociale kryesisht për të përpunuar trendin e ndjekësve ose algoritmin që kryeministri rama e ka që nga ditët e para të protestës. U p
7rcollën gjithashtu edhe lajme dhe u dhanë intervista me titujt që përfaqësues të Flotiljes “Global Sumud” nuk u lejuan të flisnin në shesh në një kohë kur udhëtimi prej mbi 20 orësh nga Brindisi në Vlorë ishte cilësuar si një Solidaritet me Revolucionin e Flamingove.
Pikërisht mbi këto pikëprerje të mesazheve strategët e propagandës së Ramës urdhërojnë drejtoreshën e AKT Hysaj që të kujdeset pë mikpritjen, çarmatosjen me informacion dhe së fundi të dalë me një reagim në gjuhën italiane se për Sazanin nuk ka projekt, nuk është pronë e shitur ose:-Po të kishin parapëlqyer faktet ndaj sloganeve, do të kishin zbuluar se Sazani është shëndoshë e mirë. Por pse ta lejojmë realitetin të na prishë një karusel të bukur në Instagram? Gjithsesi, mirë se erdhët në Shqipëri. Këtu çdokush është i lirë të protestojë, të kritikojë dhe madje të tregojë absurditete. Por, po e përsëris, askush nuk duhet ta përdorë ferrin e përjetuar nga populli palestinez për të fabrikuar një emergjencë të rreme mbi një ishull që këta vizitorë as nuk deshën ta vizitonin. Rrugë të mbarë drejt Tiranës dhe argëtim të këndshëm me Revolucionin tuaj imagjinar! Kur më në fund të duan ta shohin Sazanin dhe të njohin faktet, dera jonë do të mbetet e hapur. Ndërkohë, Sazani mbetet aty ku ka qenë gjithmonë: shqiptar, publik, shëndosh e mirë. Nuk është në shitje. Nuk ka qenë kurrë në shitje.
Kjo mbyllje e mesazhit përkonte me fundin e reagimit të cilit në sfond i duket se i ka rënë nata.
Kjo teknikisht të jep të kuptosh se sa herë është prapësuar mesazhi për të përfunduar aty se ku i dukej më goditës Ramës.
Në fakt ideja se … Por pse ta lejojmë realitetin të na prishë një karusel të bukur në Instagram?    i shërbeu Ramës për ta ndërkombëtarizuar pak veten.
Ndërsa drejtoresha Hysaj, me siguri ka patur më shumë trend në media kur kaloi nga PD tek PS se sa tani në anijen plot vrima të Rilindjes Socialiste dhe kur kryeministri në këtë fazë formatimi të qeverisë shkruante:-“Gjithësesi, një kompliment Agjencisë Kombëtare të Turizmit dhe Ministrisë së Kulturës e Turizmit për “pritën” e bukur që u bënë çlirimtarëve të Sazanit”.
______

*ATSH-Jola Hysaj Reagimi:-ERDHËN PËR TË “SHPËTUAR” SAZANIN. POR NUK SHKUAN AS NË SAZAN.

22 Gusht, 2026
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)
Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)

‘Ambasadorë’ të çështjes shqiptare- Ish kongresistit amerikan Joe dhe aktivistja Shirley DioGuardi marrin nesër shtetësinë e Kosovës

KOSOVË- Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, do tu dorëzojë nesër dekretin e shtetësisë së Kosovës ish-kongresistit amerikan Joe DioGuardi dhe aktivistes Shirley Cloyes DioGuardi. Ceremonia e veçantë do të mbahet në orën 11:00, ku Haxhiu do t’ua dorëzojë zyrtarisht dekretet e shtetësisë dy figurave të njohura për kontributin e tyre në çështjen shqiptare dhe në mbështetje të Kosovës.

Joe DioGuardi, ish-kongresist amerikan dhe ish-kreu i Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, është konsideruar një nga miqtë e mëdhenj të Kosovës dhe një zë i fuqishëm në SHBA për lirinë dhe pavarësinë e saj. Edhe Shirley Cloyes DioGuardi ka qenë për vite të tëra aktive në promovimin e çështjes së Kosovës dhe të drejtave të shqiptarëve në Shtetet e Bashkuara./AACL

Harta e re me 46 bashki- Përvoja e 2014-ës si alarm: Bashkimi i njësive rriti taksat, por jo cilësinë e shërbimeve për qytetarët

 

Shqipëria po përgatitet të ndryshojë për herë të dytë, brenda pak më shumë se një dekade, hartën e qeverisjes vendore. Projektligji i mazhorancës propozon uljen e numrit të bashkive nga 61 në 46, duke bashkuar 15 prej tyre me njësitë më të mëdha fqinje.

Por debati nuk duhet të kufizohet te numri i bashkive. Pyetjet thelbësore janë nëse harta e re do të arrijë të bëjë një menaxhim më të mirë të zonës në njësinë që mbulon pushteti vendor dhe do t’i përmirësojë realisht shërbimet për qytetarët.

Përvoja e reformës së vitit 2014 nuk është inkurajuese. Bashkimi i 373 njësive vendore në 61 bashki synonte ekonomi shkalle, administrata më profesionale dhe shërbime më cilësore. Të ardhurat vendore u rritën për shkak se morën më shumë funksione dhe taksat e tarifat më të larta, por kjo nuk u përkthye në të njëjtën masë në përmirësim të shërbimeve.

Banka Botërore evidentoi se furnizimi me ujë, kanalizimet, menaxhimi i mbetjeve, arsimi, kujdesi për fëmijët dhe reagimi ndaj fatkeqësive u përkeqësuan në zonat me nevoja më të mëdha, sidomos në territorin rural.

Teksa banorët detyroheshin të udhëtonin me orë për të marrë një shërbim minimal, kjo nxiti dhe shpopullimin e zonave, një temë kjo e trajtuar më herët në “Monitor”.

Ky është mësimi që rrezikon të anashkalohet përsëri: bashkimi administrativ zvogëlon numrin e institucioneve, por nuk e shkurton distancën e qytetarit nga shërbimi.

Kur qendra e vendimmarrjes largohet dhe njësitë administrative nuk kanë buxhet, personel e kompetenca reale, ekonomia e shkallës për bashkinë mund të kthehet në kosto shtesë për banorin.

Edhe pretendimi se reforma e vitit 2024 solli administrata më të vogla dhe më eficiente ka rënë tërësisht. Personeli i pushtetit vendor u dyfishua nga rreth 19 mijë punonjës në 2014 në mbi 39 mijë në 2025. Vitin e kaluar, rreth gjysma e buxhetit vendor shkoi për personelin, nga 25.5% në vitin 2021.

Në shumë bashki të vogla, pagat zënë mbi 60% të buxhetit, duke lënë pak hapësirë për investime. Ndërkohë, raporti i punonjësve për 1,000 banorë u rrit me rreth 8.2% vetëm gjatë vitit 2024.

Rritja e personelit lidhet pjesërisht me funksionet e transferuara nga qeveria qendrore, ndaj nuk mund të trajtohet e gjitha si fryrje administrative.

Megjithatë, nuk ka analiza për të vlerësuar dobishmërinë e rritjes së numrit të punonjësve. Në vitin 2024, shërbimi i mbetjeve mbulonte mesatarisht 85.6% të popullsisë, por vetëm rreth 65% të banorëve ruralë. Pra, pas një dekade reformë, një pjesë e madhe e fshatrave mbetet ende jashtë një shërbimi bazë.

Përvoja tregoi se reforma e vitit 2014 u deformua gjatë zbatimit. Shumë funksione u transferuan të copëzuara te pushteti vendor, duke sjellë kaos në ofrimin e shërbimeve.

Zjarret janë shembulli më i qartë i pasojave të amullisë së kompetencave: stacionet dhe trupat zjarrfikëse varen nga bashkitë, standardet mbikëqyren nga Ministria e Brendshme, ndërsa operacionet e mëdha duhet të drejtohen nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, duke krijuar disa qendra vendimmarrjeje që ngadalësojnë ndërhyrjen dhe lejojnë kalimin e përgjegjësisë nga një institucion te tjetri.

Pikëpyetje ngre edhe konsultimi për reformën e re. Procesi nisi përmes një komisioni të paraqitur si bipartizan, por përfundoi pa një produkt konsensual. Projektligji me 46 bashki u depozitua në Kuvend dhe vetëm më pas iu dërgua bashkive, të cilave iu dhanë 60 ditë kohë për konsultime me qytetarët. Kjo krijon përshtypjen se qytetarët po pyeten, pasi harta është konfiguruar.

Një konsultim serioz duhej të zhvillohej përpara përzgjedhjes së variantit. Për çdo bashkim duhej të publikohej analiza e ndikimit: sa do të kursehet, çfarë shërbimesh do të përmirësohen, sa do të udhëtojë qytetari, si do të ndahet buxheti dhe çfarë përfaqësimi do të kenë komunitetet që humbasin statusin e bashkisë.

Dëgjesat duhej të përfshinin jo vetëm drejtuesit vendorë, por edhe banorët e fshatrave, bizneset, fermerët dhe grupet që përdorin çdo ditë shërbimet lokale.

Reforma e re duhej të niste nga analiza e problemeve të reformës së parë dhe problemeve aktuale që kanë banorët për shërbimet dhe jo nga kufijtë.

Fillimisht duhej të përcaktohej standardi minimal: sa larg duhet të jetë qytetari nga sporteli, sa shpesh duhet të mblidhen mbetjet dhe çfarë mbulimi duhet të ketë për rrugët, ujitjen, zjarrfikësit, kujdesin social dhe arsimin parashkollor. Vetëm më pas mund të vendosej nëse zgjidhja është bashkimi, bashkëpunimi mes bashkive, forcimi i njësive administrative apo financimi më i madh.

Kapaciteti i dobët i një bashkie nuk është automatikisht argument për shkrirjen e saj. Ai mund të jetë pasojë e financimit të pamjaftueshëm, e mungesës së stafit profesional, ose e funksioneve që nuk përputhen me burimet.

Për këtë arsye, harta e re duhej të shoqërohej me reformë të financave vendore dhe me kompetenca e buxhete të identifikueshme për qytetet dhe njësitë administrative. Emërimi i një nënkryetari në qytetin që humbet statusin e bashkisë nuk garanton afërsi me qytetarin, nëse ai nuk ka autoritet dhe burime.

Reforma e vitit 2014 tregoi se bashki më të mëdha nuk do të thotë domosdoshmërisht bashki më funksionale.

Nëse ndryshojnë vetëm kufijtë, Shqipëria mund të ketë 46 bashki në vend të 61, por të njëjtat probleme me financimin, administratën dhe shërbimet. Harta e re ka kuptim vetëm nëse qytetari shërbehet më mirë, më shpejt dhe më pranë vendbanimit të tij dhe nuk detyrohet ta braktisë atë për shkak të mungesës së shërbimeve, dhe jo të shndërrohet në një mekanizëm shtesë për nxitje migrimi dhe braktisjeje të zonave të largëta.

Në përfundim, thelbi i pavarësisë së pushtetit vendor lidhet edhe me krijimin e mjedisit institucional që mbështet përfaqësimin efektiv të komuniteteve, sado të vogla apo ekonomikisht të pafuqishme të jenë ato. Përqendrimi i qendrave të pushtetit në Shqipëri gjithnjë ka sjellë reduktim të këtij përfaqësimi./ Monitor.al

Sot dita e 85-të radhazi revoltë – Qytetarët protestojnë sërish kundër Ramës dhe qeverisë: Dorëheqje e menjëhershme dhe qeveri tranzitore

Sot shënohet dita e 85-të e revoltës qytetare, ku qytetarë të shumtë janë grumbulluar sërish për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe ndryshimin e kursit politik në vend.

Nisja e grumbullimit u bë në sheshin “Skënderbej”, nga ku turma e protestuesve nisi marshimin përgjatë bulevardit drejt godinës së Kryeministrisë. Me mbërritjen përpara selisë së ekzekutivit kanë nisur edhe fjalimet e qytetarëve, të cilët po ngrenë zërin për shqetësimet kryesore dhe pakënaqësitë e tyre ndaj politikave të qeverisë.

Protestuesit theksojnë se kërkesa e tyre kryesore dhe e panegociueshme mbetet largimi i menjëhershëm i Edi Ramës nga detyra. Platforma e tyre përfshin krijimin e një qeverie tranzitore me mandat 12-mujor për të përgatitur vendin për zgjedhjet e ardhshme, si dhe shfuqizimin e disa nismave ligjore që konsiderohen si të dëmshme e në kundërshtim me interesat e qytetarëve shqiptarë.

Organizatorët dhe pjesëmarrësit kanë bërë të ditur se nuk do të ketë tërheqje dhe se protesta do të vijojë ditë pas dite deri në plotësimin e të gjitha kërkesave. bw

84 ditë revoltë! Shqiptarët nuk heqin dorë, mblidhen sot para Kryeministrisë: Rama jep dorëheqjen!

Qytetarët do të mblidhen sërish sot në Tiranë, duke vijuar për të 84-ën ditë radhazi protestën kundër qeverisë dhe kastës politike.

Ashtu si në ditët e fundit, protestuesit pritet të grumbullohen fillimisht në sheshin “Skënderbej” dhe më pas të marshojnë drejt Kryeministrisë, ku do të vijojnë tubimin dhe fjalimet e tyre.

Protesta ka në fokus kryeministrin Edi Rama dhe qeverinë, por kritikat nuk janë kufizuar vetëm te mazhoranca. Pjesëmarrësit kanë sulmuar vazhdimisht edhe opozitën e drejtuar nga Sali Berisha, duke kërkuar largimin e asaj që e cilësojnë si kasta e vjetër politike.

“Rama në burg, Berisha në burg” është kthyer në një prej thirrjeve kryesore të protestuesve. Krahas saj, gjatë tubimeve janë dëgjuar edhe sloganet “Edi Rama jep dorëheqjen”, “Pa rini nuk ka Shqipëri” dhe “Shqipëria kërkon revolucion”.

Një ditë më parë, në protestën e 83-të, qytetarët marshuan nga sheshi “Skënderbej” drejt Kryeministrisë. Pas përfundimit të fjalimeve përpara godinës së qeverisë, ata vijuan marshimin në rrugët e kryeqytetit. bw

UGSHPD: PORTRETI I KRYEMINISTRIT MUND POROSITET NË MEDIA (Spanjollja El Pais e mban në sipërfaqe Ramën)

 

Drejt një shteti plotësisht autoritar me Ramën në krye ka shumë mundësi që ndër shumë ditët zyrtare të festave që ka Shqipëria, kalendarit mund t’u shtohet edhe e Marta si një “Ditë Tersi”.

Nuk do të jetë me VKM, por as edhe me Referendum besojmë.

Diçka do të ndodhë.

Mbase mediat që nuk dinë ta parashikojnë dot këtë, ndoshta do ta japin edhe si lajm.

Po të ishte për media të tilla, pozitat e një qeverisje 13-14 vjeçare që vuan nga korrupsioni dhe krimi ekonomik sistematik janë dhe qëndrojnë mbi sovranin dhe mbi kërkesat e qytetarëve që sot janë zgjuar.

Shumë mund të çuditen se si ka mundësi kjo, por do të mundohemi ta thjeshtojmë këtë konstatim me një paralele ngjarjesh.

Një histori me Kim Ir Sen* diku nga vitet 80-të, ku “la barzelletta”* e një radioje italiane bashkë me rrufisjen e ekspresit të mëngjesit tregonte një shaka. Ajo mund të ndihmonte për ta nisur me humor ditën e mund të tregonte një mënyrë se si ishte bota që i rrethonte njerëzit.

Ata duhej ta kuptonin nganjëherë indirekt se çdo të thoshte shoqëri e lirë.

Ose çfarë ishte diktatura.

Ishin vitet mbase të viteve të fundit të Luftës së Ftohtë dhe planeti ishte i ndarë dy kampe kryesore armiqësore.

Kapitalizmin dhe Social-komunizmin të cilët e ruanin kujdesshëm njëri-tjetrin dhe mes tyre vepronin botëkuptime duke u zbatuar me përparësi ideologjitë.

Dallimet mes Lindjes dhe Perëndimit i bënte kryesisht ekonomia dhe konsumi,  shkalla e zhvillimit të  shkencës dhe teknologjisë, ushtria dhe armatimi, arsimi, arti, sporti, e drejta e votës dhe zgjedhjeve, pluralizmi politik ose partia-shtet, pjesëmarrja në qeverisje, e deri tek konceptet mbi lirinë dhe luftën.

Njerëzit pak a shumë këtë paketë informacioni e merrnin nga gazetat, radio-televizionet pavarësisht përkatësisë në kampet të ndara. Ajo që dallonte ishte se çdo komb kishte krenarinë e vet dhe shprehte pavarësisht sistemit ndjenjën patriotike.

Për t’u kthyer tek ekspresi i mëngjesit, ngjarja në fjalë ose humori lidhej me udhëheqësin e Koresë së Veriut Kim Ir Sen. Ai nga guerilas gjatë Luftës së II Botërore dallohej si një ndër diktatorët komunist që kishte nënshtruar pjesën e ndarë të popullit dhe në jug kishte konkurrencën direkte mes sistemeve. Pushteti i Kim-it të parë (që zgjati 48 vjet dhe ia trashëgoi djalit e nipit), pasqyrohej gati si një fe zyrtare. Koreja e Veriut në çdo pëllëmbë  veç parullave ishte e mbushur me portrete, pllakate, monumente etj. e deri tek stemat në gjoks të popullsisë që jetonte në atë territor të shtetit komunist.

Një reporter perëndimor që ishte menduar se mund ta përcillte pak njohje mbi Korenë e Veriut nuk mund t’i shpëtonte propagandës së një vendi tërësisht të izoluar.

Rasti i vizitës e solli që ai dhe grupi shoqërues të ndalonin për një pushim shkrifje gjatë rrugës.

Ishin ndalur në fakt pranë një lapidari. Reporteri kërkoi shpjegimin e asaj që ishte shkruar mbi pllakë.

Shoqëruesi para se ta bënte të ditur shënimin, u përkul me admirim  dhe pas pak lexoi:-“Këtu udhëheqësi dhe komandanti ynë Kim Ir Sen  gjatë një beteje përdrodhi kyçin e këmbës në datën kaq e aq të vitit kaq e aq”.

Përfytyroni tani se ku është katandisur Shqipëria me shqetësimet e saj dhe se veç mediave vendase që mbajnë anën e qeverisë herë pas here na dalin gazetat e huaja që gjithmonë si rastësisht shkruajnë për kryeministrin Rama. Një së fundmi është edhe gazeta spanjolle ‘El Pais’.

More po çfarë interesi mund të kenë?!

Të jetë e pa eksploruar ende Shqipëria dhe shqiptarët apo mbase lufta politike e tranzicionit ka patur të tjera prioritete pa i dhënë gjerësisht hapësire lëvizjes së lirë të njerëzve, kapitalit të tyre dhe pavarësisë së zhvillimit ekonomik?

Kur prirje të tilla i vëren në media dhe përmes propagandës që kujdeset dhe sforcohet për imazhin e vendit, kuptohet nga këto cilësi se sistemi i zgjedhur është i vjetërsuar, është kalbur dhe zgjimi i njerëzve sigurisht që do të përfaqësohet me një reagim frontgjerë sepse premtimet nuk janë mbajtur.

Varfëria, korrupsioni dhe propaganda për ta mbajtur përjetësisht pushtetin tentojnë të rikthehen pas dhe të japin shenjat për një izolim të ri. Izolimin në këto situata gjithashtu e bëjnë politikanët dhe kryesisht ata që e kanë pushtetin duke i drejtuar projektorët e dritave tek burimet natyrore, tek pasuritë ku nuk u investua por këto investime u gëlltitën nga korrupsioni dhe ku përparësi më parë se vetë qytetarët kanë investitorët strategjik shumë herë pa e kaluar filtrin e transparencës, por duke u bazuar në njohjet personale që sjellin më pas pasoja. Shkatërrim të pronës dhe pasurive, bllokime ligjore, transaksione të dyshimta dhe përplasje me botën e krimit.

Në këto vite të regjimit, prej 2013 në strategjinë e Rilindjes Socialiste drejt BE-së 2030 do të numëroheshin 17 vite po të supozonim mos ndryshimin e pushtetit. Ndaj mesa duket edhe kryeministri shqiptar edhe sot e ka mundësinë që jo vetëm të qëndrojë në karrige, por edhe të japë leksione demokracie. Tua shpjegojë në një mënyrë tjetër dobinë prej tij dhe t’u përsërisë qytetarëve si interesante biografinë dhe CV-në e vet sikurse publiku po ndeshet për herë të parë me të. Rama nuk ka më të panjohura. Jeta sportive e artistike ose mbresat e jetës që mbledh “El Pais”, një gazetë spanjolle, është jashtë realitetit për të dy vendet dhe pavarësisht problemeve që sot  kanë Shqipëria dhe shqiptarët.

Prej propagandës njerëzit janë të detyruar të lexojnë edhe nga këto rrëfime limonadash.

Rrëfime që ngjajnë me kthim borxhi ose blihen si për t’i bërë “make-up” një figure apo një pushtetari që fillimet e kultit i paska nga karrierat artistike dhe sportive të materializuara më pas në politikë.

Mes penelatave të “El Pais” shkruhet për vetën e tretë kjo:-“Në vitin 1984, destinacioni i tij i parë ndërkombëtar ishte Paderborni, pranë Dyseldorfit. ‘Bëmë ndalesë në Vjenë sepse nuk kishte fluturime direkte. Pasdite u largova fshehurazi nga hoteli për të vizituar ‘Muzeun e Historisë së Artit’, kujton. ‘Nuk dija si të orientohesha, nuk kisha as hartë. Nuk doja as të merrja autobusin nga frika se mos humbisja. Ishte nëntor dhe binte borë, ndaj vazhdova të ecja pa pushim, duke pyetur njerëzit në rrugë si mund të shkoja te muzeu. Po errësohej kur mbërrita. U afrova te ajo derë e madhe dhe gjeta një tabelë ku shkruhej: ‘E martë, mbyllur’. M’u desh të prisja edhe pesë vjet”.

Skiç (!)…

Çfarë skeçi i shkruar për portretin?

Një skicë që fillon me pasion për ‘këmbënguljen dhe pritjen’!

Çfarë shërbimi!

E kujt i duhet ky gur kilometrik ndërkombëtar i vitit 1984 kur BE-në shqiptarët e kanë “të premtuar” në 2025 vetëm me 3-4 vite larg tani në 2026 me Ramën (?!).

Sa shpejtë kalon koha dhe sa ngadalë reagon pushteti.

Kujt i drejtohet ky detaj?!

Megjithatë edhe me këtë mendësi skiç dhe jashtë realitetit tani ka edhe diçka tjetër që mund të krahasohet për përpjekjet dhe këmbënguljen e aventurës së arratisjes së fshehtë të liderit rilindës.

Deri tani, në gati tre muajt e fundit dhe ata më të vështirët të jetës qeverisëse, pushteti i Ramës nuk ka më shkëlqim. Ai nuk aktron dot më në qendër të vemendjes sepse nuk i ka më përballë kundërshtarët politikë.

Ka mbetur i vetëm.

Për fat të mirë a të keq stina e verës e struku administratën dhe i dha pushime edhe Kuvendit, por protesta vazhdon.

Mbarë qytetarët e kryeqytetit, ata nga rrethet dhe ata nga diaspora janë të pranishëm dhe e ndjekin çdo ditë situatën. E mbështesin rininë, djemtë dhe vajzat që kanë ëndrra për Shqipërinë, për të ardhmen e vet dhe të familjen e tyre. Në krye të listës për zgjidhje të problemit është “Dorëheqja e pa negociueshme!”.

Media qoftë vendase dhe ajo ndërkombëtare nëse janë të interesuar për t’i dhënë zë demokracisë  në shoqërinë shqiptare dhe nëse duan të zgjidhin problemet duke zbuluar përgjegjësitë, kësaj teme të protestës duhej t’i jepnin hapësirën e duhur. Lëvizja qytetare në Shqipëri ka vendosur në 2026 standarde kuptimplote për forcën e sovranit, kërkesën e zgjedhjeve të lira, luftën kundër korrupsionit dhe funksionimin e shtetit të së drejtës dhe për më shumë është bërë bindëse se një shoqëri që kërkon të drejtat dhe vlerëson meritat ndjehet çdo ditë më e bashkuar për të sjellë ndryshimin dhe për të mos bërë hap mbrapa.

Kështu ‘El Pais’ për sa i shkruan CV dhe na e jep filozofinë dhe mendimin politik të Ramës me Rilindjen përmes këndeve të sportit dhe artit, përse nuk i bën një pyetje apo një rrëfim përmbajtësor Ramës se:- Çfarë roli luan ai sot ndërkombtarisht kur mes socialistëve progresistë global që prej kongreseve 2013-2017-2022 ai bën pjesë në  kolektivin rajonal të zëvendës presidentëve ku kryeministri i Spanjës Pedro Sançez është presidenti i Internacionales Socialiste prej vitit 2022?

Kaq i nevojshëm është Rama?

Kaq i pa zëvendësueshëm është ai?

Në fakt ‘El Pais’, dy kryeministrave të progresistëve globalistë problematikë me korrupsionin i trajton diku nga fundi i shkrimit Sançez dhe Rama pa dalë nga sporti dhe arti që duket sikur ata i bashkon.

Përsëri në vetën e tretë shkrimi shtjellon edhe se si krah drejtimit të qeverisë vlera e artit që ai prodhon mund të shitet dhe siguron të ardhura të verifikueshme e në rrugë të ndershme. Nuk dihet sa i mjaftueshëm është ky tregim por në përmbajtje shkruhet kjo:-“E vetmja gjë që nuk bëj është t’ua shes veprat e mia shqiptarëve ose dikujt që ka biznese në Shqipëri, shpjegon (Rama). Çështja është të verifikohet kushdo që dëshiron të blejë një nga veprat e mia. Nëse ndonjë nga galeritë me të cilat punoj merr një kërkesë për blerje, ma përcjell dhe kontrollohen të dhënat e atij personi për t’u siguruar që nuk ekziston asnjë lidhje me punën time qeveritare.”, deri këtu duket punë e pastër. Ndërsa më poshtë shkrimi vijon:-“Ndërkohë, pikturat e tij, një lloj shkarravinash jashtëzakonisht shumëngjyrëshe, vazhdojnë të grumbullohen në muret e zyrës së tij në kryeqytetin shqiptar, një ndalesë pothuajse e detyrueshme për udhëheqësit botërorë gjatë vizitave zyrtare. ‘Nëse pendohem për diçka, është që nuk i kam filmuar’, bën shaka ai (Rama). ‘Fillova ta bëja shumë vonë. Ka nga të gjitha llojet e reagimeve dhe është shumë argëtuese. Do të kishte dalë një film i jashtëzakonshëm. Mendoj se kam të regjistruar John Kerry-n dhe Mark Rutte-n’. Dhe gjithashtu Pedro Sánchez-in. ‘Ka shije të shkëlqyer. Dhe organizoi samitin më të paharrueshëm të NATO-s në histori në Muzeun Prado! Është diçka që nuk do ta harroj kurrë’, thekson ai (Rama).“

Gati në mbyllje ‘El Pais’ na jep dhe surprizën:-“Në kabinetin e tij, përpara këtyre krijimeve, disa udhëheqës sillen normalisht, të tjerë shfaqen të habitur dhe pjesa tjetër mbetet duke menduar se çfarë të thotë. ‘Njëri prej tyre, nuk do t’ia them emrin, nuk ndihej shumë rehat’, pranon ai (Rama). Papritur më pyeti: ‘Ku është zyra juaj?’. I thashë: ‘Kjo është zyra ime’. ‘Po këto çfarë janë?’, këmbënguli. I shpjegova se ishin vizatimet e mia. ‘Pikturoni mbi mur?’, më pyeti. I sqarova se i bëj mbi tavolinën e punës dhe më pas prodhoj letër-muri që vendoset në mure. Ai thirri: ‘Ju jeni një njeri i çuditshëm, Edi Rama. Mendova se ky ishte vendi ku kujdesen për fëmijët e punonjësve kur nuk mund t’i çojnë në çerdhe’. Unë vetëm munda t’i përgjigjesha: ‘Jo, i vetmi fëmijë këtu jam unë’. ‘Jo, i vetmi fëmijë këtu jam unë’.”

A ka më nevojë për shpjegim ?

Kur thuhet se kreu i qeverisë së vendit kandidat për në BE sapo ka prezantuar në Berlin një ekspozitë me skulptura bronxi të krijuara nga printime 3D dhe e ke plotësuar dëgjimin e historisë me

detajet që Rama nuk ua “shet veprat shqiptarëve dhe bizneseve shqiptare”…,por i hapur që  sipas rregullave “kushdo që dëshiron të blejë një nga veprat e mia”, këtu shohim një kontradiktë serioze mes kohës, parasë dhe konfliktit të interesit për një detyrë publike posti i kryeministrit që ka pretendon se ka dalë nga vota e zgjedhësve dhe ka përgjegjësi përpara të gjithë qytetarëve për performancën dhe jo thjeshtë pë reklama boshe dhe imazhin personal.

Nëse këto i analizojmë dhe i kuptojmë mirë pa i përbuzur edhe pse janë propagandë profesionalisht gazetarët, juristët, specialitetet e ndryshme dhe deri artistët e sportistët mund ta thonë fjalën e tyre edhe për të shkuarën edhe për të tashmen, pasi e ardhmja nuk mund t’i lihet mediokërve por meritave.

Pra çështja e festës së re zyrtare është e vërtetë.

A ka mbetur Rama ende fëmija?

Apo dera e mbyllur e BE-së sikurse edhe ajo e Muzeut të Historisë së Artit që dikur në 1984 Rama donte ta vizitonte, do t’u japë shqiptarëve disa vite të tjera pritjeje?

Duke e rifreskuar ditën e tersit:-“E martë, mbyllur. M’u desh të prisja edhe pesë vjet” dhe mund të thuhet se kohët kanë ndryshuar prej atëherë. Madje në perëndim shumë Muzeume ditëve të Hëna qëndrojnë mbyllur, ndërsa nga e Marta deri të Dielë presin vizitorë dhe artdashës.

Ndërsa në Tiranë protesta nuk ka as ditë pushimi dhe as dyer të mbyllura.

Humbja dhe Fitorja janë përballë.

E para gjë që protesta ka refuzuar është për atë pjesë të shoqërisë që shkon pas Ramës. Për ata që ndjekin mendësinë e vjetër politike pa i hapur rrugë të resë dhe zhvillimit. Pra për ata qe e presin edhe ‘Të Martën si Ditë Tersi’ dhe duan ta shfrytëzojnë si një ditë më shumë pushimi.

Ndërsa për të gjithë shqiptarët ‘Dorëheqja’ kur të ndodhë edhe po të jetë Ditë e Martë, do të jetë një ditë e shënuar  dhe shumë pritur sepse pas një qëndrese shembullore do të vuloset një marrëveshje tëre. Një marrëveshje shoqërore që sjell ndryshimin dhe mbyll tranzicionin.

 
20 Gusht, 2026
 
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)
Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)

Protesta nuk ndalet- Sot dita e 83-të, qytetarët sërish në shesh kundër qeverisë: Rama jep dorëheqjen!

Qytetarët do të mblidhen sërish sot në Tiranë, duke vijuar për të 83-ën ditë radhazi protestën kundër qeverisë dhe kastës politike.

Ashtu si në ditët e fundit, protestuesit pritet të grumbullohen fillimisht në sheshin “Skënderbej” dhe më pas të marshojnë drejt Kryeministrisë, ku do të vijojnë tubimin dhe fjalimet e tyre.

Protesta ka në fokus kryeministrin Edi Rama dhe qeverinë, por kritikat nuk janë kufizuar vetëm te mazhoranca. Pjesëmarrësit kanë sulmuar vazhdimisht edhe opozitën e drejtuar nga Sali Berisha, duke kërkuar largimin e asaj që e cilësojnë si kasta e vjetër politike.

“Rama në burg, Berisha në burg” është kthyer në një prej thirrjeve kryesore të protestuesve. Krahas saj, gjatë tubimeve janë dëgjuar edhe sloganet “Edi Rama jep dorëheqjen”, “Pa rini nuk ka Shqipëri” dhe “Shqipëria kërkon revolucion”.

Një ditë më parë, në protestën e 82-të, qytetarët marshuan nga sheshi “Skënderbej” drejt Kryeministrisë. Pas përfundimit të fjalimeve përpara godinës së qeverisë, ata vijuan marshimin në rrugët e kryeqytetit.

Nga podiumi u artikuluan akuza për korrupsionin, shpopullimin, arsimin, pronësinë dhe mënyrën e administrimit të pasurive natyrore. Protestuesit ngritën gjithashtu çështjen e investimeve dhe projekteve në zona si Sazani, Zvërneci dhe Rrjolli.

“Korrupsioni ka shkatërruar gjithçka, korrupsioni ka shkatërruar shkollat, universitetet, ka shkatërruar pyjet, ka shkatërruar pronësinë”, deklaroi një prej protestuesve gjatë tubimit të së enjtes.

Një tjetër pjesëmarrës vuri theksin te nevoja për bashkimin e qytetarëve dhe ndryshimet kushtetuese.

“Vetëm të bashkuar mund t’ia dalim. Kjo qëndresë është fuqia e vërtetë e një kombi të bashkuar”, u shpreh ai. bw

Projeksioni alarmant i OKB-së: Shqipëria do të katandiset në 1.18 milionë banorë në vitin 2100

Shqipëria e ka kaluar kulmin e popullsisë prej 35 vjetësh dhe, sipas projeksioneve të Kombeve të Bashkuara, tkurrja demografike pritet të vazhdojë gjatë gjithë këtij shekulli. Seria e World Population Prospects 2024, mbi të cilën bazohet analiza e re e Our World in Data, e vendos maksimumin e popullsisë së Shqipërisë në vitin 1991, me 3.282.602 banorë.

Por akoma më alarmant është një projeksion i Kombeve të Bashkuara.

Në skenarin e mesëm të OKB-së, popullsia e Shqipërisë zbret në vetëm 1.184.997 banorë në vitin 2100. Kjo do të nënkuptonte rreth 2,1 milionë banorë më pak se në kulmin e vitit 1991, ose një tkurrje prej 63,9%. Vetëm nga niveli i projektuar për vitin 2026 deri në 2100, vendi do të humbiste rreth 1,57 milionë banorë, më shumë se gjysmën e popullsisë së sotme sipas serisë së OKB-së.

Image

Shqipëria e nisi rënien 29 vjet përpara Europës

Kthesa demografike e Shqipërisë ka ardhur shumë më herët se ajo e Evropës në tërësi. Sipas të njëjtës databazë të OKB-së, popullsia e kontinentit europian arriti maksimumin në vitin 2020, me rreth 749,2 milionë banorë. Pra, Shqipëria e kishte kaluar kulmin 29 vjet më herët. Deri në vitin 2100, popullsia e Evropës projektohet në rreth 592,3 milionë banorë, afërsisht 21% nën kulmin e saj, një tkurrje shumë më e moderuar në përqindje se 63,9% që del për Shqipërinë.

Në fakt, Shqipëria i përket një brezi të vendeve të Evropës Lindore dhe Juglindore që e kanë arritur maksimumin demografik shumë herët. Serbia e pati kulmin në vitin 1987, Bullgaria në 1988 dhe Kroacia në 1990. Shqipëria dhe Bosnjë-Hercegovina e arritën atë në 1991.

Në pjesën tjetër të rajonit, seria e OKB-së e vendos kulmin e Kosovës në vitin 1997 dhe të Maqedonisë së Veriut në 2005, ndërsa Greqia vazhdoi të rritej deri në vitin 2010. Mali i Zi dhe Sllovenia arritën maksimumin shumë më vonë, në 2024. Turqia është një nga përjashtimet e rajonit: në skenarin e mesëm, popullsia e saj vazhdon të rritet edhe për rreth dy dekada dhe kulmon rreth vitit 2047.

Deri në 2100, vetëm Bosnja paraqitet me një rënie më të fortë se Shqipëria në rajon

Edhe më domethënës është krahasimi i madhësisë së tkurrjes së projektuar. Në grupin e vendeve të Ballkanit të krahasuara, Shqipëria del ndër vendet që humbin pjesën më të madhe të popullsisë së tyre nga maksimumi historik deri në vitin 2100.

Bosnjë-Hercegovina projektohet të zbresë nga 4,46 milionë banorë në kulmin e vitit 1991 në 1,37 milionë në 2100, ose rreth 69,4% më pak. Shqipëria vjen menjëherë pas saj me rënie 63,9%. Për Bullgarinë tkurrja nga kulmi deri në 2100 del rreth 60,7%, për Maqedoninë e Veriut 58,7%, Kroacinë 55,7%, Serbinë rreth 53,1% dhe Kosovën 50,2%.

Rënia e projektuar është më e moderuar në Malin e Zi, me rreth 49% nga kulmi deri në 2100, në Greqi me rreth 44% dhe veçanërisht në Slloveni, ku popullsia në fund të shekullit del rreth 23% më e ulët se maksimumi.

Pozicioni i Shqipërisë përputhet me një fenomen më të gjerë të Evropës Lindore. Our World in Data vëren se pothuajse të gjitha vendet që e kanë kaluar tashmë kulmin e popullsisë ndodhen në Evropë dhe Azinë Lindore, ku rënia e lindshmërisë ka qenë e shpejtë dhe normat kanë qëndruar të ulëta. Për vendet e Evropës Lindore, emigracioni i lartë ka shtuar më tej presionin në rënie të popullsisë. / ekofin.al

Revolta qytetare hyn sot në ditën e 82-të: Protestuesit sërish para Kryeministrisë, paralajmërojnë shtator të nxehtë: Rama jep dorëheqjen!

Protestuesit do të rikthehen sot për të 82-ën ditë radhazi në rrugët e Tiranës, duke vijuar tubimet kundër qeverisë dhe klasës politike.

Edhe këtë të enjte qytetarët pritet të mblidhen në qendër të kryeqytetit dhe të vijojnë protestën para godinës së Kryeministrisë.

Një ditë më parë, në protestën e 81-të, qytetarët u grumbulluan në sheshin “Skënderbej” dhe më pas marshuan drejt Kryeministrisë.

“Rama në burg, Berisha në burg”, “Edi Rama jep dorëheqjen”, “Pa rini nuk ka Shqipëri”, “Poshtë patronazhistët” dhe “Shqipëria kërkon revolucion” ishin disa prej thirrjeve të dëgjuara gjatë tubimit.

Një zhvillim i bërë publik në protestën e 81-të ishte njoftimi se grupi koordinator u është drejtuar me një letër Parlamentit Europian dhe institucioneve të tjera ndërkombëtare.

Sipas protestuesve, kërkesa synon që tubimet dhe mënyra se si autoritetet reagojnë ndaj tyre të jenë nën vëzhgimin e institucioneve ndërkombëtare, me qëllim shmangien e dhunës policore, arrestimeve arbitrare apo formave të tjera të presionit.

Ndërkohë, protestuesit po paralajmërojnë një tjetër fazë të mobilizimit me përfundimin e sezonit veror.

Një prej aktivistëve deklaroi se në shtator qytetarët pritet të rikthehen më fuqishëm në protestë, ndërsa nuk përjashtoi kalimin drejt mosbindjes civile nëse qeveria, sipas tij, vazhdon të mos reflektojë.

“Në ditët në vazhdim, me shtatorin kur shumë rikthehen në Tiranë dhe me skandalet që qeveria na nxjerr në shesh, shqiptarët do të rikthehen fuqimisht. Besoj se do të shkojmë drejt mosbindjes civile për arsye të mosreflektimit të qeverisë”, deklaroi ai. bw


Send this to a friend