Pas denoncimeve të opozitës, këtë herë ishte KLSH që konstatoi pagesat ndaj kompanive të Klodian Zotos pa kryer asnjë punë. Sipas KLSH, bashkia e Tiranës ka paguar rreth 30 milionë euro më shumë se sa shërbimi që ofrohet nga Inceneratori i Tiranës.
Nga SYRI TV
Pagesat për landfillin e Tiranës kanë dyfishuar kostot për banorët e kryeqytetit, të cilët paguajnë për një shërbim që nuk e marrin. Qeveria dhe bashkia e Tiranës këmbëngulin se qytetarët duhet të paguajnë më shumë për të pasur një qytet më të pastër.
Ndërsa, për Kontrollin e Lartë të Shtetit, për periudhën 2018-2021, bashkia e Tiranës ka paguar rreth 30 milionë euro më shumë se sa shërbimi që ofrohet nga kompania koncensionare “Integrated Energy BV”, e krijuar nga Klodian Zoto.
Në një raport mbi performancën e landfillit të Sharrës, KLSH thotë se prej vitit 2018 deri aktualisht, nga Ministria e Infrastrukturës është paguar tarifa prej 29 euro/ton mbetje urbane për incinerimin e mbetjeve për një shërbim ende të pakryer, duke qenë se incineratori ende nuk është përfunduar si objekt industrial për djegien e mbetjeve urbane.
Sipas KLSH-së, pavarësisht kostos së pastrimit të qytetit të Tiranës prej 3,866,183,658 lekë për periudhën 2018-2020, depozitimi dhe incenerimi i tyre ka shtuar koston për buxhetin e shtetit edhe me 3,234,124,798 lekë të tjera për një shërbim ende të pa përfunduar.
Në këto kushte, Kontrolli i Lartë i Shtetit rekomandon që Ministria e Infrastrukturës dhe bashkia e Tiranës të negociojnë me kompaninë koncesionare për të ulur tarifën 29 euro për ton mbeturina, duke përcaktuar vlerën reale të shërbimit të ofruar, përjashtuar incenerimit.
Procedurat paraprake dhe zbatimi i kontratës koncensionare për landfillin dhe inceneratorin e Sharrës janë prej dy vjetësh nën hetim nga Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit, SPAK.
Deri më tani, nga SPAK-u nuk është bërë publik asnjë informacion mbi ecurinë e këtij hetimi, megjithëse Partia Demokratike dhe Partia e Lirisë kanë depozituar një numër shumë të madh dokumentesh dhe faktesh mbi atë që konsiderohet si “mega-afera qeveritare e inceneratorëve”.
Komentet