VOAL

VOAL

Serbia dhe Shqipëria me Odë të përbashkët Ekonomike

October 14, 2016

Komentet

Porfirije në Kremlin: Patriarku serb përkrah “botën ruse”, dënon Perëndimin dhe i përcjell mesazhe Putinit për Kosovën

Kreu i Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije (majtas), presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, dhe kreu i Kishës Ortodokse Ruse, Kirilli, gjatë një takimi në Moskë, më 22 prill 2025.

 

Iva Martinoviq, Nevena Bogdanoviq

Dënimi i “revolucionit me ngjyra” dhe “pushteteve perëndimore”, bashkë me dëshirën që Serbia t’i bashkohet botës ruse, ishin mesazhet që kreu i Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije, ia përcolli presidentit të Rusisë, Vladimir Putin.

Porfirije, përveç falënderimeve ndaj Putinit për mbështetjen, foli edhe për Kosovën, Republikën Sërpska dhe Malin e Zi, duke thënë se qëndrimi i Serbisë varet nga qëndrimi i Rusisë.

Gjatë takimit në Kremlin, më 22 prill, ku morën pjesë edhe kreu i Kishës Ortodokse Ruse, Kirilli, dhe mitropoliti i Baçkës, Irineji, u fol për dashurinë ndaj Rusisë që është “e ngulitur gjenetikisht në popullin serb” dhe për “punët djallëzore” të Perëndimit.

Takimi i udhëheqësve të Kishës Ortodokse Serbe me presidentin rus Vladimir Putin në Kremlin, më 22 prill 2025.

Takimi i udhëheqësve të Kishës Ortodokse Serbe me presidentin rus Vladimir Putin në Kremlin, më 22 prill 2025.

Ai ia përcolli Putinit përshëndetjet e Aleksandar Vuçiqit dhe konfirmoi se presidenti i Serbisë do të jetë në Moskë më 9 maj.

Analisti i politikës së jashtme, Boshko Jakshiq, vlerëson për Radion Evropa e Lirë se vizita e kreut të Kishës Ortodokse Serbe në Moskë është “shumë më tepër sesa një gjest”.

“Konfirmimi i tij se Vuçiqi do të vijë në Moskë nënkupton se ai është takuar me të para se të nisej dhe se, me gjasë, ka marrë udhëzime, kërkesa ose lutje që të ndërhyjë tek Vladimir Putini për ta shpëtuar Vuçiqin nga ajo që ai e quan ‘revolucion me ngjyra’”, tha Jakshiq.

Ai shtoi se vizita e Vuçiqit në Moskë do të ketë “pasoja serioze për pozicionin gjeostrategjik të vendit”.

Pavarësisht paralajmërimeve të shpeshta nga Brukseli dhe synimit të deklaruar për anëtarësim në BE, Beogradi vazhdon bashkëpunimin me Moskën dhe refuzon t’i bashkohet sanksioneve kundër Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës.

Çfarë u tha në Moskë për protestat studentore?

Kreu i Kishës Ortodokse Serbe përsëriti mesazhet e pushtetit në Beograd, i cili protestat studentore disa mujore – që kërkojnë përgjegjësi për vdekjen e 16 personave në një aksident në Novi Sad – i quan “revolucion me ngjyra”.

“Shpresoj që ta kalojmë këtë sprovë. Sepse e dimë dhe e ndiejmë se qendrat e pushteteve nga Perëndimi nuk dëshirojnë zhvillimin e identitetit dhe kulturës së popullit serb. Lutjet tona janë gjithmonë me ju dhe shpresoj që Zoti do t’ju ndihmojë”, i tha Porfirije presidentit rus.

Për “përpjekjet për rrëzim të shtetit”, autoritetet në Serbi fajësojnë shërbime të paemëruara perëndimore, ndërsa nga Moska ka ardhur disa herë mbështetje për t’iu kundërvënë “revolucionit me ngjyra”.

Me këtë term përshkruhen protestat që rrëzuan regjime autoritare në republikat ish-sovjetike.

Mbështetje për autoritetet serbe kanë dhënë edhe hetues të Shërbimit Federal të Sigurisë së Rusisë (FSB).

Pas akuzave se gjatë protestës masive më 15 mars në Beograd u përdor top zanor, i cili është i ndaluar në protesta, FSB-ja pas një hetimi në Serbi erdhi në përfundim se autoritetet nuk e kishin përdorur atë.

Në videon e takimit të publikuar në faqen zyrtare të Kremlinit, vetë Putini nuk iu përgjigj drejtpërdrejt komenteve të patriarkut për “revolucionin me ngjyra”, por tha se “e di që situata në Ballkan nuk është e thjeshtë” dhe se Rusia është e vetëdijshme për përpjekjet e kreut të Kishës Ortodokse Serbe për ta “forcuar pozicionin e Serbisë”.

Teologu Vukashin Milliqeviq vlerëson se gjuha e përdorur nga patriarku tregon se ai nuk shkoi në Moskë si përfaqësues i Kishës Ortodokse Serbe apo popullit serb, por “vetëm si përfaqësues i regjimit”.

“Ka gjithnjë më shumë zëra brenda vetë kishës që dalin hapur, të udhëhequr nga ndërgjegjja dhe besnikëria ndaj vlerave të krishtera, dhe besoj se vala e ndryshimeve që falë studentëve ka prekur Serbinë, do të prekë edhe Kishën Ortodokse Serbe”, tha Milliqeviq.

Protestat studentore kanë ndarë zyrtarët e Kishës Serbe.

Ndërsa drejtuesit e kishës me mesazhet nga Moska dolën hapur në krah të pushtetit, një pjesë e klerikëve të Kishës Ortodokse Serbe mbështeti studentët.

“Dihet që gjithmonë ka përvëluar ajo përplasja mes krahut konservator dhe atij liberal të kishës. Konservatorët ishin tani në Moskë. Krahu liberal u dëgjua në Munih kur peshkopi Grigorije mbajti fjalimin e mirëseardhjes për studentët që shkuan me biçikleta”, thotë Boshko Jakshiq.

Vuçiq në vizitën e parë në Moskë që nga pushtimi i Ukrainës

Presidenti rus deklaroi se Kisha Ortodokse Serbe jep një kontribut të rëndësishëm për forcimin e marrëdhënieve mes popullit rus dhe atij serb, duke thënë se ato gjithmonë kanë “karakter të veçantë”.

“Kjo është, ndër të tjera, sepse na lidhin rrënjë të fuqishme, të thella të përbashkëta shpirtërore. Gjithmonë na vjen mirë t’ju shohim”, tha Putini.

Ai tha se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pritet në Moskë më 9 maj në ceremonitë për Ditën e Fitores.

Porfirije, përmes përshëndetjeve të presidentit serb, konfirmoi se Vuçiq do të jetë më 9 maj në Moskë “pavarësisht rrethanave në Evropë dhe gjetkë”.

Vizitën e parë në Rusi që nga nisja e agresionit ushtarak të Kremlinit ndaj Ukrainës, presidenti i Serbisë e njoftoi në fillim të marsit, pas një bisede telefonike me Putinin.

Në deklaratat e mëvonshme, Vuçiq këmbënguli se nuk do ta ndryshojë vendimin për të udhëtuar, pavarësisht se Perëndimi, siç tha, mund të përgjigjet me ndonjë lloj sanksionesh.

“Është një çështje e madhe nëse Vuçiq me të vërtetë e dëshiron Serbinë në BE, apo dëshiron ta afrojë më shumë me Lindjen dhe nesër të na ofrojë BRIKS-un në vend të Bashkimit Evropian”, thotë analisti Boshko Jakshiq.

Ai shton se presidenti i Serbisë “do të kishte shmangur kritikat edhe nga Perëndimi edhe nga Lindja” nëse, në vend të udhëtimit në Moskë, do të organizonte kremtimin e Ditës së Fitores mbi fashizmin në Beograd.

“Por, ai zgjodhi Lindjen”, thotë Jakshiq.

Si kandidat për anëtarësim në BE, Serbia që nga dhjetori 2021 nuk ka hapur asnjë kapitull negociues.

Procesi ka ngecur për shkak të refuzimit për të harmonizuar politikën e jashtme me atë të BE-së dhe për të vendosur sanksione ndaj Rusisë për pushtimin e Ukrainës.

Brukseli i kërkon Beogradit edhe përparim në sundimin e ligjit dhe në dialogun me Kosovën.

“Bota serbe dhe ajo ruse” në sytë e kreut të Kishës Serbe

Kreu i Kishës Ortodokse Ruse, Kirilli, tha gjatë takimit në Kremlin se dashuria ndaj popullit dhe Kishës ruse është “organikisht e përfshirë në kulturën e Serbisë, në popullin serb”.

“Disa vende sllave, pa i përmendur, nën ndikimin e fuqive të fuqishme militariste perëndimore, përkohësisht e ndryshuan orientimin, pastaj u penduan, por e ndryshuan. Serbët nuk e kanë ndryshuar kurrë”, tha Kirilli.

Ai shtoi se ajo që po ndodh me moralin dhe etikën njerëzore në Perëndim është një “punë djallëzore”.

Pasi Porfirije u pajtua, Kirilli sqaroi se “qëllimi i djallit është që njeriu të humbasë dallimin mes të mirës dhe të keqes”.

Patriarku Porfirije, i cili foli në rusisht në Kremlin me ndihmën e mitropolitit të Baçkës Irinejit, deklaroi se populli serb e sheh popullin rus si të vetin.

Ai citoi fjalët e patriarkut të mëparshëm Irinej, i cili thoshte se “barka e vogël serbe, duke lundruar në një det të trazuar, duhet të jetë gjithmonë e lidhur pas anijes së madhe ruse”.

“Qëndrimi ynë për Kosovën, Republikën Serbe dhe Malin e Zi, e konsideroj dhe e ndiej se varet edhe nga qëndrimi i Federatës Ruse në nivel global. Dëshira ime, dhe e shumicës në Kishën tonë, është që në të ardhmen, nëse ndodh një rigrupim i ri gjeopolitik, të jemi pranë atij rrethimi rus, në botën ruse”, tha Porfirije.

Këtë mesazh e komentoi zyrtarisht edhe Prishtina edhe Podgorica.

Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, tha se deklaratat e Porfirijes në Moskë cenojnë sovranitetin e Kosovës dhe nxisin përçarje në të gjithë rajonin.

“Fjalët e Porfirijes nuk janë fjalë pa peshë – ato përçojnë një vizion për të kaluarën, jo për të ardhmen. E ardhmja e rajonit nuk ndërtohet mbi nostalgjinë për dominim e konflikt, por mbi respektin dhe bashkëjetesën”, shkroi ajo ne Facebook.

“Presim reagim të qartë nga Bashkimi Evropian, si ndërmjetësues i dialogut Kosovë–Serbi. Heshtja ndaj deklaratave që minojnë paqen dhe nxisin urrejtje nuk është neutralitet — është normalizim i gjuhës së urrejtjes”, shtoi Gërvalla.

Ministria e Punëve të Jashtme të Malit të Zi i cilësoi deklaratat e patriarkut serb si “të papërshtatshme dhe të papranueshme”.

Nga ministria u tha se çështjet shtetërore janë ekskluzivisht kompetencë e institucioneve të Malit të Zi, që është shtet laik, anëtar i NATO-s dhe kandidat për anëtarësim në BE.

“Porfirije i përcolli Putinit lavde për mbështetjen ndaj Kosovës, Republikës Serbe dhe popullit serb në Mal të Zi, dhe më pas, më duket se hyri drejtpërdrejt në një territor që duhej t’i ishte i ndaluar në një vend nominalisht laik. Ai nuk ishte mesazh i një njeriu të Zotit, por i një njeriu të Vuçiqit”, vlerëson Boshko Jakshiq.

Teologu Vukashin Milliqeviq mesazhet e kreut të Kishës Serbe në Moskë i cilëson si të papërgjegjshme.

“Kur bëhet fjalë për mënyrën se si politika e jashtme ruse dhe ndikimi i tyre në përgjithësi reflektohet në rajonin tonë, nuk ka asnjë dyshim se ai është destruktiv, sepse është e qartë që Rusisë i konvenon hapja e sa më shumë pikave të konfliktit”, tha Milliqeviq.

Parlamenti Evropian në mars 2022 shprehu shqetësimin për “përpjekjet e Kishës Ortodokse në Serbi, Mal të Zi dhe në entitetin e Bosnjë-Hercegovinës, Republika Serbe, për ta promovuar Rusinë si mbrojtëse të vlerave tradicionale familjare dhe për të forcuar lidhjet mes shtetit dhe Kishës”.

Eurodeputetët e dënuan me një rezolutë përpjekjen e Rusisë për të shfrytëzuar tensionet etnike në Ballkanin Perëndimor “për të nxitur konflikte dhe ndarje mes komuniteteve”.

Radio Evropa e Lirë

Dëbimi i shtetasve kroatë nga Serbia: Drama njerëzore në mes të tensioneve politike

Protestë e mbajtur në Beograd më 10 prill lidhur me dëbimin e shtetasve të huaj nga Serbia.

 

Milla Manojlloviq

“Rrezik për sigurinë e Republikës së Serbisë”, thuhet në vendimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) të Serbisë me të cilin shtetasit kroat Nikolla Francetiq i është anuluar leja e qëndrimit në Serbi.

Në Beograd, siç ka deklaruar ai për gazetën kroate Jutarnji list, “kishte qenë për shtatë vjet, kishte punuar, kishte krijuar miq” dhe “asnjëherë nuk kishte pasur ndonjë problem”.

“Pastaj mora një thirrje nga policia, nga drejtoria për të huajt”, tha ai më 21 prill.

Në vendimin që e ka marrë nga MPB-ja e Serbisë, nuk është shpjeguar se në çfarë mënyre ai përbën rrezik për sigurinë e Serbisë.

“Unë nuk jam person me interes, nuk kam vepruar politikisht, problemet e mia profesionale dhe private janë si te çdokush tjetër. Pas dëbimit tim qëndron politika, sepse asgjë tjetër nuk ka kuptim”, vlerësoi Francetiq.

Në opinionin publik është shpërfaqur edhe rasti i Arien Stojanoviq-Ivkoviq, e cila jeton në Serbi prej 12 vjetësh dhe ka familje në këtë shtet. Sipas avokatit të saj, ajo aktualisht është në pritje të vendimit të gjykatës administrative lidhur me kërkesën e paraqitur për të shtyrë zbatimin e vendimit për anulimin e lejes së qëndrimit në Serbi.

Ambasadori i Kroacisë në Serbi për REL: Dëbimet kanë një dimension politik

Sipas të dhënave nga Ambasada e Kroacisë në Serbi, Francetiq dhe Stojanoviq-Ivkoviq janë mes gati 20 shtetasve kroatë që në tre-katër muajt e fundit kanë marrë vendim për dëbim nga Serbia.

Ambasadori kroat në Beograd, Hidajet Bishçeviq.

Ambasadori kroat në Beograd, Hidajet Bishçeviq.

“Shumica e tyre jetojnë në Serbi prej dhjetë vjetësh, kanë krijuar familje këtu, janë të stabilizuar në punë, kanë blerë banesa … kështu që pas të gjitha këtyre vendimeve burokratike fshihen një sërë dramash njerëzore”, tha për Radion Evropa e Lirë, ambasadori i Kroacisë në Serbi, Hidajet Bishçeviq.

Në një përgjigje me shkrim dërguar REL-it, Bishçeviq vlerësoi se dëbimin e shtetasve kroatë kanë një dimension politik.

Si argument për këtë, Bishçeviq përmendi se në vendimet për anulimin e lejeve të qëndrimit për shtetasit kroatë “nuk shpjegohet apo argumentohet në asnjë mënyrë” se si këta shtetas përbëjnë “rrezik për sigurinë” e Serbisë.

“Për motivet e këtij trendi shqetësues mund të hamendësojmë… ndoshta, para së gjithash, në kontekstin e situatës aktuale politike dhe shoqërore në Serbi, apo edhe për shkak të insinuatave të shprehura publikisht se Kroacia po i nxit protestat studentore apo dëshiron të destabilizojë Serbinë”, tha ambasadori Bishçeviq.

Dëbimi i shtetasve kroatë po ndodh në kohën kur në Serbi po mbahen protesta masive, të udhëhequra nga studentët, të cilët tash e katër muaj kanë bllokuar më shumë se 60 fakultete në mbarë vendin.

Zyrtarët e lartë shtetërorë serbë, përfshirë edhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, disa herë kanë përsëritur akuzat, pa ofruar prova, se pas bllokadave studentore qëndron Kroacia – akuza që janë mohuar me vendosmëri nga zyrtarët kroatë.

Deklaratat e zyrtarëve serbë për përfshirjen e pretenduar të Kroacisë në bllokadat dhe protestat në Serbi i kanë hedhur poshtë edhe vetë studentët protestues, të cilët kanë theksuar në komunikata zyrtare se protestat organizohen për të realizuar kërkesat e tyre studentore. Ndër kërkesat kryesore është ajo për të përcaktuar përgjegjësinë për vdekjen e 16 personave nga shembja e një strehe betoni në stacionin hekurudhor në Novi Sad.

Asnjë institucion zyrtar i sigurisë në Serbi deri tani nuk ka lëshuar ndonjë deklaratë që të mbështesë pretendimet se ka dyshime të bazuara që Kroacia qëndron prapa bllokadave studentore në Serbi.

S’ka shpjegim nga autoritetet në Serbi, pritet përgjigjja nga Brukseli

MPB e Serbisë nuk i është përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë se sa shtetas kroatë kanë marrë vendimin për anulimin e lejes së qëndrimit në Serbi që nga fillimi i vitit dhe çfarë arsyetimi është dhënë në këto vendime.

As Kroacia nuk ka marrë përgjigje për këtë çështje nga autoritetet serbe. Ambasadori i Kroacisë në Beograd, Hidajet Bishçeviq, tha për REL-in se Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë nuk ka reaguar ndaj notës diplomatike, përmes së cilës autoritetet kroate kanë kërkuar sqarim për dëbimin e shtetasve kroatë.

Bishçeviq tha se Kroacia – e cila është anëtare e Bashkimit Evropian – po pret një përgjigje edhe nga Brukseli, i cili është informuar për këtë çështje.

BE-ja ka shprehur shqetësim lidhur me dëbimin e shtetasve kroatë nga Serbia.

“Po e ndjekim situatën dhe nuk do të hezitojmë që shqetësimet tona t’ua përcjellim autoriteteve të Serbisë, në nivelin më të lartë, nëse është e nevojshme”, tha zëdhënësi i Komisionit Evropian, Guillaume Mercier, më 11 prill, në përgjigje ndaj një pyetjeje të bërë nga një gazetar kroat në Bruksel.

Fushata e shënjestrimit të shtetasve kroatë në Serbi

Sofija Todoroviq, drejtoreshë e organizatës joqeveritare Nisma Rinore për të Drejtat e Njeriut, vlerësoi për REL-in se shtetasit kroatë janë shënjestruar në Serbi për muaj me radhë, gjë që sipas saj përbën shkelje të të drejtave të njeriut.

Sofija Todoroviq.

Sofija Todoroviq.

“Po e shohim sërish atë histerinë antikroate, e cila është e pranishme kudo – në media, portale, televizione kombëtare – dhe kjo duket se nuk shqetëson askënd”, tha Todoroviq.

Në një raport të publikuar në mes të marsit, Nisma Rinore për të Drejtat e Njeriut ka evidentuar të gjitha veprimet problematike, me synimin për të vënë në dukje një “fushatë sistematike disa javore të dezinformatave dhe shpifjeve nga zyrtarët serbë dhe mediave proqeveritare” që nga dhjetori 2024 deri në mars 2025, fushatë që kishte në shënjestër shtetasit kroatë – përfshirë edhe qytetarë e Serbisë, që kanë shtetësi kroate.

“Në esencë, nuk ekziston ndonjë lidhje reale mes asaj që po ndodh sot në Serbi dhe Kroaci. Kjo lidhje po ndërtohet në mënyrë artificiale përmes këtij lloji të shtypjes ndaj shtetasve kroatë”, përfundoi Todoroviq.

“Goditje ndaj sigurisë së njerëzve dhe përkeqësim i marrëdhënieve me BE-në”

Për Maja Stojanoviqin, drejtoreshë ekzekutive e organizatës joqeveritare Nismat Qytetare, veprimi i autoriteteve në Serbi përbën një “goditje ndaj sigurisë themelore të njerëzve, ndaj jetës së tyre dhe mundësisë për të planifikuar të ardhmen e tyre”.

“Kjo vetëm sa e përkeqëson edhe më shumë situatën në rajon, marrëdhënie që tashmë prej vitesh janë të prishura për shkak të politikës zyrtare të Beogradit”, vlerësoi Stojanoviq.

Përpjekjen e autoriteteve serbe për të paraqitur protestat në Serbi si një “revolucion shumëngjyrësh” dhe për t’i lidhur ato me Kroacinë, Stojanoviq i sheh si “propagandë të brendshme” të Serbisë.

Maja Sojanoviq.

Maja Sojanoviq.

“E konsideroj si më të rrezikshmen pikërisht atë që e kemi parë edhe në vitet ’90, kur kjo propagandë e brendshme serbe filloi të përhapet në gjithë rajonin, dhe kjo mund të ketë pasoja shumë më të mëdha”, paralajmëroi ajo.

Ajo shtoi se rastet e dëbimeve të shtetasve kroatë mund të çojnë jo vetëm në përkeqësim të marrëdhënieve me Kroacinë, por edhe me BE-në, anëtare e të cilës është Kroacia.

“Më shqetëson fakti që nuk kemi një reagim zyrtar apo më të ashpër nga vetë Bashkimi Evropian. Një vend që mohon lejen e qëndrimit pa asnjë arsye apo arsyetim zyrtar ndaj shtetasve të BE-së, nuk mund të presë të anëtarësohet në BE”, tha Maja Stojanoviq.

Serbia e ka nisur procesin e negociatave me BE-në në vitin 2014. Megjithatë, në tre vjetët e fundit, nuk ka hapur asnjë kapitull negociues.

Ambasadori kroat: Dëbimet do t’i përkeqësojnë më shumë raportet mes dy vendeve

Beogradi dhe Zagrebi zyrtar kanë këmbyer akuza dhe retorikë të ashpër në disa raste gjatë viteve të fundit, ndërsa marrëdhëniet mes dy vendeve ndodhen në një trajektore në rënie.

Ambasadori i Kroacisë në Serbi, Hidajet Bishçeviq, vlerësoi se dëbimi i shtetasve kroatë nga Serbia mund të rëndojë edhe më shumë këto marrëdhënie.

“Është e pamundur të shmangen pasojat negative, sidomos mes qytetarëve, sepse krijohet një atmosferë mosbesimi – njerëzit pyesin veten nëse mund të udhëtojnë në Serbi, çfarë duhet të bëjnë”, tha ai.

Bishçeviq shtoi se në një atmosferë të tillë “është më e vështirë të pritet ndonjë përparim serioz” në raportet Kroaci–Serbi.

“Edhe pse disa muaj më parë ishim pajtuar për mënyrën dhe renditjen e trajtimit të çështjeve të hapura. Fatkeqësisht, në vend të vullnetit politik, kemi përfunduar me këto dëbime, të cilat – do të guxoja të thosha – kanë një dimension politik”, përfundoi ai.

Radio Evropa e Lirë

Tërmeti 6.2 ballë në Stamboll, eksperti turk bën deklaratën e fortë: Mund të ketë edhe një tërmet më të fortë! Duhet vigjilencë

Stambolli u trondit paraditen e sotme nga tërmete të njëpasnjëshme, pas atij me magnitudë 6.2.

AFAD bëri të ditur magnitudën e tërmetit me qendër në Silivri në orën 12:49 me magnitudë 6.2 ballë.

Ndërsa Ministri i Punëve të Brendshme Ali Yerlikaya bëri një deklaratë duke thënë: AFAD dhe institucionet tona përkatëse kanë filluar skanimin me të gjitha ekipet e tyre.

Sipas medias turke Sabah, eksperti i tërmeteve Şükrü Ersoy bëri deklarata të rëndësishme ndërsa tha se edhe në vitin 2019 në po të njëitn vend ka pasur sërish një tërmet të fortë.

“Kur po komentonim 3.9, thamë se vendndodhja e tij ishte kritike. Po kështu, një tërmet me magnitudë 5.8 ka ndodhur në të njëjtin vend në vitin 2019. Pra, thamë se mund të jemi të shqetësuar sepse mund të jetë pikënisja e tërmetit të ardhshëm të Marmarasë. Kjo madhësi është shumë e rëndësishme. Mund të ketë një tjrtër tërmet në vijim edhe më i fortë”, tha ai.

“Është e dobishme të jesh vigjilent. Një pikë ku mund të pritet një tërmet më i madh, pasi vetë tërmeti mund të shkaktojë dëme. Nëse qëndrojmë jashtë, duhet të qëndrojmë në një zonë të hapur, jo aty ku ka shtëpi”, shtoi ai. sn

Komisionarja Kos bën thirrje për përmbajtje në Serbi

Radio Evropa e Lirë

Komisionerja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, deklaroi të shtunën se po ndjek me kujdes situatën në Serbi, duke përfshirë bllokadën e Radio Televizionit të Serbisë (RTS), dhe u bëri thirrje të gjithëve të përmbahen nga përshkallëzimi i tensioneve. Ajo shprehu shqetësimin për ngritjen e një padie penale kundër rektorit të Universitetit të Beogradit, Vlladan Gjokiq.

“Bashkimi Evropian po ndjek bllokadën e RTS-së. Mediat publike kanë përgjegjësinë të veprojnë në interesin më të mirë të publikut dhe të sigurojnë hapësirë për të gjitha pozicionet legjitime; ata kanë të drejtë, ashtu si të gjithë gazetarët, të kryejnë detyrën e tyre pa asnjë presion”, shkroi Kos në rrjetin social X.

Ajo tha se shpreson që situata aktuale mund të zgjidhet përmes dialogut konstruktiv dhe frymës demokratike.

Komsionarja Kos theksoi gjithashtu se, për të dalë nga ngërçi politik dhe ndarjet në shoqëri, Serbia duhet të intensifikojë përpjekjet në luftën kundër korrupsionit dhe të përmirësojë reformat në sundimin e ligjit, përfshirë forcimin e pluralizmit mediatik dhe zgjedhjen e Këshillit të Autoritetit Rregullator për Mediat Elektronike (REM), përmes një procesi transparent dhe gjithëpërfshirës.

“Këto reforma janë kyç për përparimin e Serbisë në rrugën evropiane. BE-ja ofron mbështetje, dhe unë planifikoj të vizitoj Serbinë më vonë këtë muaj për të diskutuar për këtë”, përfundoi Kos.

Studentët vazhdojnë bllokadën e RTS dhe RTV

Studentët nga Beogradi dhe Novi Sadi kanë filluar bllokimin e ndërtesave të RTS-së dhe Radio Televizionit të Vojvodinës (RTV) mbrëmjen e 14 prillit, duke pretenduar se mediat publike nuk raportojnë në mënyrë objektive për protestat e tyre.

Ata kanë deklaruar se bllokada do të vazhdojë “derisa të shpallet një konkurs i ri për anëtarët e Këshillit të REM-it”.

Studentët kanë protestuar për muaj të tërë, duke kërkuar përgjegjësi për rrëzimin e një strehe betoni në Stacionin Hekurudhor të Novi Sadit më 1 nëntor të vitit të kaluar, që shkaktoi vdekjen e 16 personave.

Ata gjithashtu kërkojnë ndëshkimin e sulmuesve të studentëve gjatë protestave që pasuan pas tragjedisë dhe ndalimin e procedurave kundër demonstruesve të arrestuar.

Kërkesat e tyre janë mbështetur nga organizata të punonjësve të arsimit, avokatëve, profesorëve universitarë, bujqve dhe një pjesë e qytetarëve të tjerë.

Rektori i Universitetit të Beogradit, Vlladan Gjokiq, është marrë në pyetje më 18 prill në kuadër të një procedure paraprake hetimore për veprën penale të abuzimit të pozitës zyrtare.

Ai është një nga rektorët që ka mbështetur kërkesat e studentëve që, përmes bllokimeve të fakulteteve dhe protestave në të gjithë Serbinë, kërkojnë përgjegjësi për ngjarjen në Novi Sad.

Mbrëmjen e 10 marsit, studentët nga Beogradi dhe Novi Sadi janë mbledhur pa paralajmërim para mediave publike dhe kanë bllokuar të gjitha hyrjet, duke kërkuar raportim objektiv për protestat.

RTS ka raportuar më parë se, për shkak të kushteve të vështira të punës të shkaktuara nga bllokimi, është detyruar të përshtatë skemën programore, dhe është paraqitur një padi penale në Prokurorinë Publike Themelore të Beogradit kundër personave të panjohur, duke kërkuar reagimin e institucioneve ndërkombëtare.

” Nuk kam frikë nga sanksionet e BE-së”, Dodiku konfirmon vizitën në Moskë më 9 maj

Presidenti i Republikës Srpska, Milorad Dodik, ka konfirmuar se do të marrë pjesë në ceremoninë përkujtimore të 80-vjetorit të Fitores në Luftën e Madhe Patriotike në Moskë, në 9 maj, pavarësisht paralajmërimeve nga Bashkimi Evropian për pasoja të mundshme diplomatike.

“Nuk kam frikë nga sanksionet e BE-së. Është një nder për mua të marr ftesë nga presidenti Vladimir Putin dhe të jem pjesë e një ngjarjeje që përkujton fitoren mbi fashizmin,” u shpreh Dodik për mediat lokale.

Ai deklaroi se vizita në Rusi nuk është vetëm simbolike, por një shprehje e respektit për historinë antifashiste të Evropës, duke theksuar se këto data nuk duhet të harrohen “për hir të së ardhmes së kontinentit”.

Komentet e Dodikut vijnë pas një deklarate të përfaqësueses së lartë të politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, e cila njoftoi se Brukseli do t’u kërkojë përfaqësuesve të vendeve kandidate që të mos marrin pjesë në ceremonitë e 9 majit në Moskë. Ajo bëri thirrje që sa më shumë liderë evropianë të udhëtojnë në Kiev atë ditë, në shenjë solidariteti me Ukrainën, e cila vazhdon të përballet me agresionin ushtarak rus.

Sipas rregullave të BE-së, vendet që synojnë anëtarësimin duhet të harmonizojnë politikën e tyre të jashtme me atë të unionit, edhe pse nuk kanë të drejtë të ndikojnë në vendimmarrjen brenda BE-së deri në momentin e anëtarësimit të plotë.

Dodik është një nga zërat më pro-rusë në rajon dhe prej vitesh ka mbajtur një linjë politike të kundërt me integrimin euroatlantik të Bosnje dhe Hercegovinës, çka ka krijuar tensione të vazhdueshme si në nivel vendor, ashtu edhe ndërkombëtar. bw

Vuçiçi nuk do t’ia dijë për Evropën: Më 9 maj do të jem në Moskë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka konfirmuar se do të udhëtojë në Moskë për të marrë pjesë në ceremoninë e “Ditës së Fitores” më 9 maj, pavarësisht paralajmërimeve të forta nga Bashkimi Evropian.

Në një fjalim drejtuar publikut, Vuçiç tha se në paradën ushtarake do të marrë pjesë edhe një njësi e Ushtrisë së Serbisë, e cila do të marshojë në sheshin e Kuq të kryeqytetit rus.

“Unë nuk e kam ndryshuar mendjen. Do të jem në Moskë më 9 maj”, u shpreh Vuçiç, duke e bërë të qartë qëndrimin e tij në lidhje me marrëdhëniet me Rusinë.

Ky vendim vjen në një kohë kur shefja e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, ka paralajmëruar ashpër vendet e Ballkanit Perëndimor që të shmangin pjesëmarrjen në ngjarjet zyrtare në Rusi, për shkak të luftës në Ukrainë dhe përpjekjeve të BE-së për të ruajtur një qëndrim të përbashkët kundër agresionit rus.

“E kemi bërë shumë të qartë që nuk duam që asnjë vend kandidat i BE-së të marrë pjesë në këto ngjarje më 9 maj në Moskë”, deklaroi Kallas, duke iu referuar gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor që synojnë anëtarësimin në BE.

Pjesëmarrja e Serbisë në këtë ceremoni shihet si një tjetër sinjal i politikës së saj të balancuar mes Lindjes dhe Perëndimit, në një kohë kur tensionet gjeopolitike janë në rritje. Ndërsa vendet e tjera të rajonit përpiqen të harmonizohen me qëndrimet e BE-së, Beogradi vazhdon të ruajë lidhje të ngushta me Moskën.

Për BE-në, kjo pjesëmarrje përfaqëson një provë të vështirë për përkushtimin e Serbisë ndaj kursit evropian, ndërsa për Vuçiçin, është një demonstrim i qëndrimit të tij të pavarur në skenën ndërkombëtare.  sn

Kundërshtarët dhe mbështetësit e Vuçiqit protestojnë në qytetet serbe mes tensioneve në rritje

Një protestë kundër Qeverisë, e udhëhequr nga studentët, në Novi Pazar (majtas) dhe një tubim pro-qeveritar në Beograd.

 

Radio Evropa e Lirë

Kundërshtarët dhe mbështetësit e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u mblodhën në vende të ndryshme më 12 prill për të protestuar, në një kohë kur tensionet janë të larta, pas muajsh protestash të organizuara nga studentët kundër Qeverisë së udhëhequr nga Vuçiqi.

Vetë Vuçiq i mblodhi mbështetësit në Beograd, duke njoftuar se do ta formojë një lëvizje të re politike përballë valës në rritje të protestave që filluan në nëntor, pas shembjes së strehës në stacionin e trenit si pasojë e të cilës humbën jetën 16 njerëz në Novi Sad.

Protestuesit, të udhëhequr nga grupe studentore por të bashkuar nga mijëra të tjerë, kanë fajësuar korrupsionin dhe mungesën e kujdesit për tragjedinë në stacionin hekurudhor të Novi Sadit.

Protestat janë shndërruar në një lëvizje më të gjerë që kundërshton atë që demonstruesit e cilësojnë si dështim të sundimit të ligjit, si dhe korrupsion sistematik nën udhëheqjen e Vuçiqit, i cili ka shërbyer si president që nga viti 2017, pasi më parë ishte kryeministër për tre vjet.

Vuçiq këmbëngul se protestat – të cilat janë kthyer në një nga sfidat më të mëdha ndaj pushtetit të tij të kamotshëm – po e rrezikojnë paqen dhe stabilitetin në vend dhe i akuzon organizatorët se paguhen nga “agjenci të huaja të inteligjencës”.

Para mijëra mbështetësve, presidenti populist i Serbisë tha se autoritetet duhet të nisin procedurat “për të rikthyer rendin në vend” dhe se “respektimi i plotë i Kushtetutës [duhet të ndodhë] për të garantuar sigurinë e Serbisë”.

Vuçiq tha gjatë tubimit se është e nevojshme një “Lëvizje për Popullin dhe Shtetin”, sepse “na nevojitet energji e re dhe forcë e re, një plan i ri, jo plan deri në vitin 2027, por deri në vitin 2035”.

Presidenti serb Aleksandar Vuciçiq flet në tubimin në Beograd.

Presidenti serb Aleksandar Vuciçiq flet në tubimin në Beograd.

Ai nuk dha hollësi për këtë lëvizje, por tha se do të mbahen tubime të tjera.

Vuçiq përsëriti thirrjen ndaj studentëve për t’u rikthyer në shkolla dhe deklaroi se “revolucioni me ngjyra ka përfunduar”.

Autoritetet në Serbi i kanë quajtur vazhdimisht protestat dhe bllokadat e udhëhequra nga studentët si një përpjekje për “revolucion me ngjyra”.

Ky është një term që i referohet kryengritjeve popullore në vende si Ukraina, Gjeorgjia dhe Kirgizi, që çuan në rrëzimin e qeverive atje.

Protestat popullore që çuan në rrëzimin e liderit jugosllav, Sllobodan Millosheviq në vitin 2000 gjithashtu shpesh cilësoheshin si “revolucion me ngjyra”.

Gazetarët në vendngjarje raportuan se shumë nga mbështetësit që morën pjesë në tubim ishin sjellë me autobusë nga e gjithë Serbia si dhe nga Kosova dhe Bosnje e Hercegovina, ku ka minoritete të mëdha serbe.

Studentët dhe të tjerë protestojnë me pankarta, muzikë dhe brohoritje në Novi Pazar.

Studentët dhe të tjerë protestojnë me pankarta, muzikë dhe brohoritje në Novi Pazar.

Lideri serb i Bosnjës, Millorad Dodik – i kërkuar nga autoritetet qendrore në Sarajevë pasi u dënua për shkelje të Kushtetutës së Bosnjës – u shfaq në tubimin e Beogradit, raportoi AFP.

Dodik, i cili është president i entitetit serb në Bosnjë – Republika Sërpska – iu drejtua turmës në tubim.

Ai është gjithashtu nën sanksione nga SHBA-ja dhe Mbretëria e Bashkuar për veprime që qeveritë perëndimore thonë se synojnë shkëputjen e Republikës Sërpska nga Bosnja.

Arkivi i Takimeve Publike, një organizatë joqeveritare që vlerëson madhësinë e turmave, tha se në tubimin në Beograd morën pjesë rreth 55.000 persona. Më 15 mars, grupi vlerësoi se protesta e udhëhequr nga studentët kundër qeverisë kishte midis 275.000 dhe 325.000 pjesëmarrës.

Ndërkohë, protesta e udhëhequr nga studentët u mbajt në rrugët e Novi Pazarit, rreth 300 kilometra në jug të kryeqytetit.

Protesta është në mesin e një sërë demonstratash të thirrura nga studentët që kanë bllokuar fakultetet universitare për më shumë se katër muaj, duke kërkuar llogaridhënie nga Qeveria për vdekjen e 16 njerëzve pas shembjes së strehës së betonit në Novi Sad.

Një grup studentësh në bllokadë ecën për ditë me radhë nga qytete të tjera drejt Novi Pazarit për t’u bashkuar me protestuesit atje.

Studentët e Universitetit të Novi Pazarit e bllokuan rrethrrotullimin në dalje të qytetit.

Autobusë me mbështetës të Partisë Progresive Serbe në pushtet, të udhëhequr nga Vuçiq, ishin planifikuar të kalonin nëpër atë rrethrrotullim për të shkuar drejt tubimeve në Beograd. Nuk ishte menjëherë e qartë nëse autobusët ndoqën rrugë alternative.

Mbështetësit e Vuçiçit rrahin një politikan të opozitës në Serbi

Nemanja Sharoviç, president i lëvizjes opozitare “Dashuri, Besim, Shpresë” dhe një gazetar është sulmuar fizikisht nga mbështetësit e Partisë Progresive Serbe (SNS) para Kuvendit të Serbisë në Beograd.

Sharoviç fillimisht u sulmua verbalisht, pastaj edhe fizikisht, raporton nova.rs.

Sipas dëshmive, sulmit i kishin paraprirë thirrjet dhe kërcënimet e shumta ndërsa anëtarët e SNS-së të presidentit serb, Aleksandar Vuçiqit kanë sulmuar edhe gazetarë të tjerë.

Në një moment, një grup njerëzish me veshje njgyrë të gjelbër, që duhet të shërbenin si roje për të siguruar rendin dhe paqen gjatë tubimit, sulmuan gazetarët.

Sharoviq është i njohur për publikun si një politikan opozitar ndërsa ka qenë një figurë e lartë e Partisë Radikale Serbe (SRS) të të dënuarit për krime lufte në ish-Jugosllavi, Vojisllav Sheshel dhe pas një konflikti me udhëheqësinë, ai e ka braktisur partinë dhe ka krijuar lëvizjen politike “Dashuri, Besim, Shpresë”, me anë të së cilës ka kritikuar pushtetin e Vuçiçit dhe SNS-në.

Incidenti ndodhi para një tubimi në mbështetje të “Lëvizjes për Popullin dhe Shtetin”, që drejtohet nga SNS, ku këtë mbrëmje pritet të flasë edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç. /Telegrafi 

Plenkoviq dënon dëbimin e shtetasve kroatë nga Serbia

Radio Evropa e Lirë

Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq, ka dënuar dëbimin e shtetasve kroatë nga Serbia dhe ka kërkuar sqarim nga autoritetet në Beograd.

“Dëbimi i qytetarëve kroatë nga Serbia është një praktikë e papranueshme që duhet të dënohet, me insinuatën se qytetarët tanë po ndërhynin në çështjet e brendshme të Serbisë, gjë që nuk qëndron”, tha Pllenkoviq gjatë një mbledhjeje të Qeverisë kroate më 10 prill.

Ai tha se Kroacia kërkon “sqarim nga autoritetet në Serbi” dhe shtoi se Ministria e Punëve të Jashtme i ka dërguar Beogradit një notë proteste për këtë çështje.

Pllenkoviq tha se partnerët e Kroacisë në Bashkimin Evropian janë informuar për këtë situatë.

Shtetases kroate, Arien Stojanoviq-Ivkoviq, që ka diplomuar në Fakultetin e Mjekësisë në Beograd, ka punuar dhe është martuar e ka krijuar familje në Serbi, i është mohuar qëndrimi nga autoritetet serbe pas 12 vjetësh jetese në Beograd. Ajo është dëbuar nga Serbia dhe i është ndaluar që të hyjë në këtë shtet për një vit.

Më 8 prill, policia ia dorëzojë vendimin për heqjen e lejes – që ishte miratuar më herët – të qëndrimit në Serbi dhe ndalesës për hyrje në këtë shtet.

Shkaqet e këtij vendimi nuk u bënë publike, por Stojanoviq-Ivkoviq tha se kjo mund të jetë për shkak të mbështetjes së saj për studentët, të cilët kanë protestuar në Serbi për muaj të tërë.

Ambasadori kroat në Serbi, Hidajet Bishçeviq, u tha mediave në Serbi se në tre ditët e fundit ka pranuar informacione lidhur me dëbimin e tre shtetasve kroatë nga Serbia, përfshirë kreun e Dhomës kroate të Tregtisë.

Dëbimet e fundit janë pjesë e një serie të dëbimeve të shtetasve kroatë nga Serbia. Nën pretekstin se paraqesnin kërcënim të sigurisë, në janar të vitit 2025, pjesëmarrës në një punëtori të organizuar nga Fondacioni Erste në Beograd u dëbuan nga Serbia.

Për më tepër, udhëheqja shtetërore serbe e ka akuzuar Kroacinë se përmes shërbimeve sekrete dhe protestave studentore po përpiqet të rrëzojë pushtetin në Serbi.

Ndërkaq, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në fund të dhjetorit 2024, foli për ndikimin e agjencisë kroate të inteligjencës në sektorin joqeveritar në Serbi, duke thënë se e gjithë kjo mbështetet drejtpërdrejt ose tërthorazi nga agjencitë perëndimore të inteligjencës, si nga Evropa ashtu edhe nga Shtetet e Bashkuara.

Vuçiq nuk ka ofruar asnjë dëshmi për këto pretendime.

Në Serbi, prej muajsh po mbahen protesta dhe bllokime fakultetesh, teksa studentët po kërkojnë përgjegjësi për vdekjen e 16 personave nga shembja e strehës prej betoni në Stacionin Hekurudhor në Novi Sad.

“Asnjë mundësi për bashkim me Serbinë”, ministrja Gjermane e prerë: Dodik i izoluar dhe i rrezikshëm! Ka politikë përçarëse dhe anti-europiane

Ministrja gjermane e shtetit për Europën, Anna Lührmann flet për kërcënimet në Republika Srpska. Ajo kritikon politikën përçarëse dhe anti-europiane të Dodikut

Gjatë një vizite zyrtare në fillim të prillit në njësinë autonome serbe të Bosnjë-Hercegovinës, Republika Srpska, Anna Lührmann (Të Gjelbrit), ministre shteti për Europën në Ministrinë e Jashtme gjermane, u përball me kërcënime serioze nga përfaqësues të presidentit nacionalist Milorad Dodik. Fillimisht iu ndalua në mënyrë joformale e drejta për të hyrë sërish në territorin e Republika Srpskas, më pas u kërcënua se nuk mund t’i garantohej siguria dhe në fund, autoritetet kërcënuan me përdorim force nëse ajo nuk largohej menjëherë.

“Na u tha se duhet të largoheshim menjëherë, përndryshe do të përdorej dhuna,” tha Lührmann në një intervistë zhvilluar për Deutsche Welle-n nga korrespondentja, Tina Gerhäusser. Vizita ishte pjesë e një turneu diplomatik për të mbështetur perspektivën e anëtarësimit të Bosnjë-Hercegovinës në Bashkimin Evropian.

Sinjal për Brukselin dhe Berlinin
Lührmann e cilësoi incidentin si një sulm ndaj vlerave evropiane: “Të trajtosh në këtë mënyrë një përfaqësuese të një vendi partner si Gjermania është shenjë dobësie,” tha ajo. Ajo shtoi se kishte marrë shumë mesazhe solidariteti, përfshirë nga qytetarë të Banja Lukës, që e kishin distancuar veten nga veprimet e Dodikut. “Kjo nuk është Bosnja e vërtetë,” i kishin shkruar disa.

Dodik i izoluar – dhe provokues
Sipas Lührmann, Dodik po bllokon reformën dhe po e çon vendin drejt izolimit. Kundër tij ekziston një urdhër arresti nga autoritetet e Bosnjës, për shkak të refuzimit për të dalë në seanca dëgjimore mbi veprimet e tij për ndarjen e territorit dhe ndryshimin e kushtetutës. “Presim që autoritetet vendore të veprojnë. EUFOR nuk është përgjegjëse për këtë sipas mandatit të tij”, tha ministrja.

Asnjë mundësi për bashkim me Serbinë
Lührmann përjashtoi kategorikisht mundësinë që Republika Srpska të bashkohet me Serbinë: “Do të ishte në kundërshtim me Marrëveshjen e Dejtonit, me kushtetutën dhe me vullnetin e shumicës së qytetarëve. Edhe në parlamentin e tij nuk ka shumicë për këto plane.”

Gjermania mbështet rrugën drejt BE-së
Ministrja nënvizoi se Gjermania është përkrahëse e fuqishme e Bosnjë-Hercegovinës: “E kemi ndihmuar vendin të marrë statusin kandidat për BE. Kemi përgatitur një paketë të madhe financiare në kuadër të planit të rritjes për Ballkanin Perëndimor.” Por, theksoi ajo, bllokimet nga Dodik e pengojnë vendin të ecë përpara.

Kthimi në Banja Luka? Po!
E pyetur nëse do të kthehej sërish në Republika Srpska, pavarësisht se është shpallur persona non grata nga Dodik, Lührmann u përgjigj: “Po, sepse ky vendim nuk i takon Dodikut. Ai nuk ka të drejtë të përcaktojë kush hyn në Bosnje-Hercegovinë. Unë dua të kthehem, të takoj njerëzit, të dëgjoj dhe të tregoj se Gjermania është në krah të tyre.”/ DW

Dodiku injoron sërish urdhër-arrestin e Bosnjes, udhëton me ftesë të Putinit drejt Moskës

Presidenti i rajonit autonom serb të Bosnjës thuhet se ka mbërritur në Moskë, vetëm disa ditë pasi një gjykatë e Sarajevës kërkoi një urdhër arrest ndërkombëtar për të.

Milorad Dodik, i cili drejton qeverinë e Republika Srpska, postoi një video të tij në Varrin e Ushtarit të Panjohur pranë murit të Kremlinit në kryeqytetin rus të hënën në mbrëmje.

Ndërsa ai nuk dha detaje rreth planeve të tij për vizitën e tij, ai shkroi në X se ishte ftuar nga presidenti rus Vladimir Putin të kthehej më 9 maj “për të shënuar 80-vjetorin e fitores mbi fashizmin”.

Prokurorët e shtetit boshnjak kishin bërë thirrje muajin e kaluar për arrestimin e tij për injorimin e një ftese gjyqësore në mes të një lufte serioze të brendshme për pushtet midis provincës me shumicë serbe dhe autoriteteve shtetërore qendrore në Sarajevë.

Javën e kaluar, një gjykatë i kërkoi Interpolit të lëshonte një “njoftim të kuq”, duke u kërkuar shteteve në mbarë botën ta arrestonin atë, së bashku me një politikan tjetër të lartë serb boshnjak që kishte shkuar jashtë vendit.

Pas lëshimit të urdhër arrestit të lëshuar nga gjykata e Bosnjës, Dodik u drejtua për në Izrael duke kaluar nga Beogradi, në një lëvizje që alarmoi autoritetet boshnjake për kalimin e kufirit të presidentit të Republika Srpska.

Ai u largua me urgjencë nga Izraeli më herët se sa kishte lajmëruar, pasi dyshohet se i është trembur një miratimi të urdhër arrestit ndërkomëbtar nga Interpoli.bw

Qindra mijëra njerëz protestojnë në Stamboll kundër arrestimit të Imamoglut

Pamjet nga droni shfaqin njerëzit e mbledhur në protesën kundër arrestimit të kryetarit të Stambollit, Ekrem Imamoglu, në Stamboll, Turqi, 29 mars 2025.

 

Radio Evropa e Lirë

Qindra mijëra turq protestuan në Stamboll të shtunën kundër burgosjes së kryetarit të qytetit, Ekrem Imamoglu, i cili është rivali kryesor i presidentit të vendit, Recep Tayyip Erdogan.

Demonstruesit i vazhduan protestat të shtunën, të cilat janë shndërruar në demonstratat më të mëdha në Turqi pas më shumë se një dekade.

Në protestë u lexua një letër nga Imamoglu, e shoqëruar nga brohoritjet e mëdha të turmës.

“Nuk kam frikë, ju më qëndroni pas dhe përkrah. Nuk kam frikë sepse kombi është i bashkuar. Kombi është i bashkuar kundër shtypësit”, thuhet në letrën e Imamoglut.

“Ata mund të më fusin në burg dhe të më gjykojnë sa të duan, kombi ka dëshmuar se do t’i thyejë të gjitha kurthet dhe komplotet”, thuhej në letër.

Qindra mijëra turq në mbarë vendin iu përgjigjën thirrjeve të opozitës për protesta, pasi Imamoglu u arrestua javën e kaluar dhe më pas u burgos në pritje të gjyqit nën akuza për korrupsion.

Protestat kanë qenë kryesisht paqësore, por gati 2.000 njerëz janë arrestuar.

Partia kryesore opozitare, Partia Republikane Popullore (CHP), partitë e tjera opozitare, grupet e të drejtave të njeriut dhe disa vende perëndimore kanë deklaruar se çështja kundër Imamoglu është përpjekje e politizuar për ta eliminuar një kërcënim të mundshëm elektoral ndaj Erdoganit.

Qeveria mohon çdo ndikim mbi gjyqësorin dhe thotë se gjykatat janë të pavarura.

Të shtunën, qindra mijëra protestues me flamuj turq dhe pankarta u mblodhën në një tubim në Maltepe, në anën aziatike të Stambollit, për protestën “Liri për Imamoglu”, të organizuar nga CHP-ja.

Policia vendosi masa të rrepta sigurie rreth vendit ku po grumbulloheshin mbështetësit e opozitës.

“Nëse drejtësia hesht, populli do të flasë”, shkruhej në një pankartë të mbajtur nga turma.

Kreu i CHP-së, Ozgur Ozel, duke folur në protestë, tha se miliona turq kërkojnë lirimin e Imamoglut dhe mbajtjen e zgjedhjeve. Ai theksoi se akuzat kundër kryebashkiakut janë të pabaza dhe të motivuara politikisht, ndërsa CHP-ja bëri thirrje për bojkot të mediave, markave dhe dyqaneve që mbështesin Erdoganin.

Javën e kaluar, CHP-ja mbajti zgjedhje të brendshme për ta konfirmuar Imamoglun si kandidat për zgjedhjet e ardhshme presidenciale, të cilat janë planifikuar për vitin 2028.

Megjithatë, CHP-ja kërkon zgjedhje të parakohshme, duke argumentuar se Qeveria ka humbur legjitimitetin.

Ministri i Brendshëm i Turqisë, Ali Yerlikaya, tha këtë javë se pothuajse 1.900 njerëz janë ndaluar që nga fillimi i protestave, ndërsa gjykatat kanë urdhëruar burgosjen e 260 prej tyre në pritje të gjyqit.

Erdogan, i cili ka dominuar politikën turke për më shumë se dy dekada, i ka quajtur protestat “shfaqje”, ka paralajmëruar pasoja ligjore dhe ka bërë thirrje që CHP-ja të ndalet “së provokuari” qytetarët.

Që nga arrestimi i Imamoglut, tregjet financiare turke kanë pësuar rënie të ndjeshme, duke detyruar Bankën Qendrore të përdorë rezervat për të mbështetur lirën. Kjo krizë ka shkaktuar shqetësime edhe në sektorin privat.

Qeveria ka deklaruar se ndikimi do të jetë i kufizuar dhe i përkohshëm. Banka Qendrore tha se dinamika kryesore e ekonomisë mbetet e paprekur, por është e gatshme të marrë masa shtesë nëse është e nevojshme.


Send this to a friend