Më 25 mars 1985 u nda nga jeta aktori i madh Sander Prosi. I paperseritshmi i kinemase shqiptare, me role aq te spikatur qe mbeten gjate ne kujtese. “Panorama” sjell ne kujtese per gjithe te interesuarit pjese nga libri me ‘sekrete’ nga jeta e tij, shkruar nga regjisori Muharrem Fejzo. Janë pikerisht të pathënat e aktorit Sandër Prosi, që vdiq në sheshxhirimin e filmit me regji pikërisht të Muharrem Fejzos, “Pranverë e hidhur”.
Fejzo ka treguar ne nje rrefim per “Panorama” me 2015, kohe kur doli edhe libri, se Prosi ziente përbrenda nga shumë pamundësi. Ai aktori me shpatulla të gjera, me një ballë të lartë e rrudha fisnike, mundohej nga kaq shumë të pathëna: që nga rroga e vogël që nuk i dilte për të mbajtur dy djemtë e tij në shkollë, te frika e të qenët i përgjuar në çdo kohë.
Kopertina e librit
PJESE NGA LIBRI
… Fundi i janarit do të na mblidhte për analizën vjetore dhe detyrat e 3-mujorit të parë të vitit 1985. Asistonin shoku Manush, Anastas Kondo dhe Sefedin Çela. Fjala e parë e Gjikës ishte: “Brenda muajit prill të përfundojë filmi ‘Pranverë e hidhur’”.
Nga drejtoria për ndjekjen e problemeve caktohet shefi i degës së prodhimit, Viktor Hykollari. Në fund e mori fjalën Manush Myftiu.
Ai dha si gjithmonë orientimet e Partisë për ardhmërinë e krijimtarisë filmike… Shikimi i vendeve, fotoprovat dhe kinoprovat u bënë shkel e shko. Këmbëngul për Vangjush Furxhiun. Lexoi skenarin, nuk pranoi.
Timo Flloko është i zënë. Sandër Prosi…
Lëndimthi kaloj fletët e bllokut kaf me duart që më dridhen, për të arritur tek ajo ngjarje e trishtë që tronditi mbarë opinionin kombëtar. Drejtori sugjeron të merret Sandri.
Pse: “Ai ka shkuar deri në Komitetin Qendror për t’u ankuar përse nuk i japin role. Ndaj dhe ne duhet ta aktivizojmë këtë aktor me vlera të padiskutueshme”.
I nënvizoj problemin shëndetësor të tij.
-Ta garantoj unë, – përfundoi drejtori, – është në ditët e tij më të mira. Mos ki merak, sa e njoh unë Sandrin, nuk e njeh njeri. Brenda vitit ë, mos harro.
I ndodhur në pamundësi të marrjes së aktorëve të përzgjedhur, vendosëm të marrim nga teatrot e rretheve.
Kështu në rolet kryesore u vendos Benon Lapari, Ariana Musabelliu, Eduard Çala, Xhelal Tafai, Milto Profi, Teodor Rrupi, Spiro Urumi e Medi Malkaj, i cili do të tregonte një heroizëm duke u hedhur në rrëpirë nga maja e kodrës poshtë bashkë me topin luftarak.
Grupi u vendos te hotel “Vollga”, në Durrës, pranë Portit Detar, atje ku dhe ishin zhvilluar ngjarjet e 7 prillit të vitit 1939. Bisedat me Sandrin, vërejtjet dhe sugjerimet e tij për trajtimin e rolit ishin të mirëpritura. Pedagogu im në akademi m’i njihte mirë xanxat e mia, si dhe unë të tijat.
E lashë të lirë në krijimin e rolit të fotografit. Bëri çmos derisa takoi një fotograf të atyre viteve, i cili do t’i mësonte përdorimin e aparatit fotografik dhe larjes së qelqeve të ndjeshme.
Metikoloziteti i tij në mishërimin e rolit ishte për t’u admiruar. Me të isha dhe student i tij dhe koleg në mësimdhënie në akademi.
Ai vlerësonte shumë temperamentin tim motiv.
-Ti do të bëhesh një artist i mirë, Muharrem, – më tha në vënien në skenë të dramës “Kati 6”, si dhe për skenografinë e dramës “E bardha dhe e zeza”, dhe më pas më uroi plot ndjenjë për ekspozitën time të parë të skulpturës dhe pikturës. Bashkë punuam fillimisht në filmin “Shpërthimi” e më pas në “Fijet që priten”…
Në sheshin e xhirimit u pa në rolin e profesorit, figura e hijshme plot sharm e fisnikëri e Sandrit. Kisha vënë re që si në teatër, ashtu dhe në kinematografi ai nuk kishte luajtur asnjëherë personazhe negative! Përjashtimi ishte i rrallë, por i domosdoshëm për të mos mbetur pa punë e jo pse ia kishte ënda.
Pse-ja pasurohej nga viti në vit me pandehma të reja. Nuk e di ku e kishte zanafillën sindroma e tij psikike. Kushdo që gërmonte në shkaqet dhe cenonte këtë shqetësim, ai e turrahiste bisedën me një urtësi shembullore.
Ndaj isha tepër i vëmendshëm në çdo shprehje të tij, në çdo lëvizje a veprim e të mos e lëndoja, mos t’i shkaktoja vështirësi në punën me rolin. Ditët e para të marsit po shkonin rrokopujë. Problemet buisnin kohë pas kohe. Asistent regjisorët nuk ishin caktuar ende. Aktorët e teatrit të Elbasanit nuk po dukeshin gjëkundi.
Zënkat në grup për t’ia hedhur fajin njërit apo tjetrit, mangësitë dhe gjendja e përgjithshme e klimës politike tejet e tkurrur, varfëria që shihej anë e kënd e ndrydhnin Sandrin në një vetmi trishtuese.
Uleshim në një qoshe të errët të “Vollgës” për të pirë kafe. Cigaret që pinte ishin të panumërta. Megjithëse kishte studiuar për stomatologji në Austri, dhëmbët e tij ishin të zverdhur.
“Kafeja pa duhan është si turku pa iman”, thoshte duke e vështruar cigaren “D.S”, zjarri i të cilit kishte prekur thonjtë e nxirë nga nikotina. Rrudhat dalëngadalë po mënjanoheshin duke i lënë sytë të lirë e të qeshur si dikur në orët e mësimit të mjeshtërisë së aktorit.
Ajo që e trembte më shumë se çdo gjë ishte marrëdhënia me shtetin partiak dhe varfëria. Më kujtohet kur do të shkonim me një delegacion aktorësh në Paris së bashku me Demir Hyskjen, ai nuk kishte as pardesy për të qenë. I dhashë timen që sapo ma kishin sjellë motrat nga Italia.
-Them me vete, i dashur Rremë: mos kërkoj si shumë? More, le të më japin ushqimin, cigaret dhe kafetë dhe le të mos më japin rrogë, por kam dy djem për të rritur dhe arsimuar. Dikur nxirrja ndonjë lek duke luajtur në kitarë, fizarmonikë, violinë, me ndonjë orkestër të improvizuar.
Hë! – buzëqeshi – ashtu si ty, më ka pëlqyer muzika dhe instrumentet që në fëmini. Pastaj tundte kokën me sytë ngushtuar midis rrudhave gjysmë të mbyllur, duke ndjekur fjollën e duhanit që i përkëdhelte fytyrën e tij zeshkane që vinte erë athëtije e kashte të djegur. Trishtimi lodronte në mikrofizionominë e tij.
Vetullat herë ngërtheheshin e herë çliroheshin nga një buzëqeshje çlodhëse. Shkundi me nervozizëm hirin e duhanit, pastaj me gishtin tregues e dërrmoi në taketuke, a thua se shkarkoi aty gjithë mllefin ndaj vetvetes; pazotësinë për të reaguar ndaj asaj që mbante në atë trup të drobitur nga “e pathëna”.
Kishte një fobi për çdo gjë: nga vështrimet e njerëzve, nga ajo që thoshte, nga ajo që dëgjonte, nga mendimet e tij që i vërtiteshin si një shtjellë e zjarrtë që digjte gjithë kënaqësitë e të shprehurit lirshëm të ideve dhe shqetësimeve.
Ndaj fliste ngadalë, shtruar, duke gërmëzuar çdo fjalë, çdo mendim. E hamendësoja gjithë vëllimin e asaj që nuk e thoshte si një lëmsh i hidhur brenda trupit dhe trurit që gllabëronte çdo ditë troje të qenies së tij deri aty sa gëlltiste çdo mendim që mund ta dëmtonte politikisht.
Frymëmarrja e tij e shkurtër shkaktuar nga katrani i duhanit tregonte mbilodhje fizike. Ndaj vendosa që mizansenat e tij t’i bëja vetë. Më 23 mars, ne përgatitëm shkollën “29 Nëntori” sipas bibliotekës së qytetit. Xhiruam ç’ishte e mundur të xhirohej me aktoren e porsaardhur Ariana Musabelliun dhe Benon Lapari nga teatri i Elbasanit.
Mbasdite bashkë me Nadin, time shoqe, shëtitëm gjatë në shëtitoren buzë detit. Sandri shpesh ishte mbresëlënës me atë humorin e tij të hollë plot kuptim.
Nuk ndejti gjatë. “Do të iki, – tha, – se nesër në mëngjes ku burri yt na do të përgatitur.
E ka qef korrektesën, apo jo?” Ktheu kokën nga unë, buzëqeshi dhe u largua drejt hyrjes së hotelit me atë hapin e qetë, duke u lëkundur lehtas.
Mëngjesi i 24 marsit ishte i ftohtë dhe i lagësht. Ishte e diel. Frynte erë veriore dhe lëkura e detit gri ishte kreshpëruar. Shkurret buzë bregut përkuleshin e fishkëllenin. Për mua ishte kohë ideale për krijimin e atmosferës të asaj që do të ndodhte.
Çunat e teatrit “Skampa” të Elbasanit ishin gjithë qejf që do të fillonin xhirimet. Sandri i veshur me pardesy të bardhë, shalli i madh rreth qafës, syze, mustaqe të shkurtra dhe me atë kapelen me strehë të gjera të krijonte parafytyrimin e Marubit. Bukur.
Ashtu tek po vinte duke iu ruajtur erës që kërkonte t’i rrëzonte kapelen dhe ngritur përpjetë kindet e pardesysë, m’u duk i shpërqendruar, disi i zymtë, si të kishte sjellë me vete retë e rënduara të perëndimit. Ishte brenda rolit të tij.
I thashë Gavroshit të xhirojë. Kur e pa figurën e Sandrit të përlarë nga era, ai buzëqeshi i kënaqur dhe shtoi: -Kamera!-Ka…! Sandri, ky aktor mahnitës, e nuhati që po xhirohej. Kishte një intuitë krijuese për ta pasur zili. U afrua në plan amerikan (deri te gjunjët), vendosi dorën strehë mbi sy dhe vështroi qiellin e murrmë me retë që arratiseshin drejt veriut.
Diçka belbëzoi. Çfarë i foli qiellit të rënduar, vetëm ai e di. Mos vallë i trokiti yllësisë pa fund? -Stop!… Shkëlqyeshëm, Sandër, – i thashë, – dhe i futa krahun, duke e shtrënguar në gjoks. Trupi iu drodh një çast.
Fytyra iu ngjeth dhe mori frymë thellë. Pasoi një kollë e thatë që ia përzhiti fytyrën. E lashë të qetësohej dhe i thashë Vangjelit, nëndrejtorit të grupit, të merrte një çaj. Ai më ndaloi dorën në sup. -Kalon, kalon… nuk ka nevojë.
U nis të ikte nga sheshi i xhirimit.
-Sandër, – i thashë i shqetësuar, por me takt, – duhet të bëjmë dhe një dubël, ti e di që mund të na djegë laboratori dhe pastaj duhet të vijmë prapë për rixhirim.
Ai tundi kokën në shenjë mospranimi. Shkuam për një çaj në hotel. U ulëm te vendi i preferuar për të. Duke surbur lëngun e nxehtë, për ta sjellë në humor, i them: -Sandër i dashur. Profesori im i mirë. Do të të tregoj një anekdotë…
Ai filloi të përplasë këmbët për t’u ngrohur. -Në një shtëpi fshati, mbi trarët e çatisë po luanin dy minj. Një lëvizje e gabuar dhe të dy miushët ranë në një tundje dhalle. O bo bo, ç’na gjeti, do mbytemi, do mbytemi.
Thoshte njëri, dhe tjetri: Rrihni këmbët fort, fort, sa të bëhet një popël gjalpë dhe pastaj i hipim sipër dhe shpëtojmë… Ashtu bënë dhe miushët shpëtuan. Sandri po më dëgjonte me një buzëqeshje të ëmbël. E binda, thashë ndërdyshas.
Ai u mbështet me një bërryl mbi gju dhe mbas një pauze të ndërprerë nga kolla më tha: -Po. Unë buzëqesha hareshëm dhe ndala frymën për të dëgjuar përgjigjen.
-Po… po ata kishin këmbë, Remo… unë nuk kam! Nuk kam më fuqi. Mbështeti fytyrën te pëllëmbët e tija dhe ndejti për një kohë, që mua m’u duk e pafund.
Ishte një buzëmbrëmje marsi e po asaj dite. 24 mars. Retë e atij muaji të pashpirt lëshonin një shi të imët si llohë dëbore. Për fat të mirë, nuk zgjati shumë. Do të xhironim te shkolla. Vendosëm digat, projektorët dhe figurantët nëpër vendet e tyre mbi shkallë. Njëri prej tyre filloi t’i binte klarinetës, një miturak simpatik.
Ishte Genti Salillari (saksofonisti i shkëlqyer i ditëve tona). Bëra mizansenën që do të kryente Sandri. Po e prisnim me drita ndezur për t’u ngrohur sadopak mjedisi.
Orët po kalonin dhe aktori nuk po dukej gjëkundi. Shkrumbi i natës po e përpinte dritën e asaj buzëmbrëmjeje të paharruar! Klarineta e Gentit që i binte një kabaje të njohur përmetare e shtonte skajshëm ankthin e pritjes.
Nga rrugica e kalldrëmtë u dëgjuan hapa të shpejtë dhe më pas të ngadalësuar deri në heshtje. Të gjithë drejtuan vështrimin drejt hyrjes për nga do të vinte Sandri. -Gati për xhirim, – bërtita. Dritat u ndezën, cërritën digat dhe pashë të dalë nga terri Josifin. Ishte i bardhë si meit. I tkurrur nën xhupin e leshtë, dukej edhe më i vogël se ç’ishte.
Bëri një lëvizje të atillë sikur donte të qetonte veten dhe të tjerët që ishin ngurtësuar në lëvizjet e tyre. Më bëri shenjë t’i afrohesha. Pandehmat vrumbullonin brenda meje shoqëruar me tamtamet e zemrës që kishte marrë revan si troku i një kali të çmeritur. -Merr ilaçet e zemrës, – foli ai me një zë të shpërfytyruar.
U akullova krejt. Nxora trinitrinën nga kutiza dhe e futa nën gjuhë pa e ditur pse! -Josif, çfarë ka ndodhur? Folë, se po na luan menç. Ai nuk foli. Mori rrugicën tatëpjetë duke u mbajtur mureve. E ndoqa pas deri te Gazi që ishte i ndezur.
Të heshtur si dy mumje u zhytëm në errësirën e makinës. Gomat e makinës fërshëllyen dhe mjeti u shkëput nga vendi me një shpejtësi marramendëse. Kohë pas kohe te pasqyra ballë tij, pashë sytë e trembur të grahësit që më zhbironin. Mori kthesën te Torra dhe frenoi përpara hotel “Vollgës”. Një turmë e hallakatur buronte e heshtur.
Policia kishte rrethuar vendin. Dritat e katit të parë ishin të ndezura. Nga dera e qelqtë rrotulluese hynin e dilnin njerëz me bluza të bardha. Në turmë dallova disa persona të Sigurimit. Përpara se të zbres, Josifi më zuri për krahu dhe më shkundi fort.
-Mblidhe veten. Pi një grykë raki. Sandri… zëri iu drodh e sytë iu skuqën. Sandri, na la! Ka rënë nga kati i tretë i hotelit. Më vetoi në tru një vegim i munguar prej kohësh!
Gjithçka që shihja përreth ishte e akulluar krejt. Mos ishte ndonjë shajni, vagulli a çka tjetër… por jo. Vdekja e Sandrit? Jo. Një pezm i pandjerë kurrë më pushtoi të gjithin. Me vështirësi çava korridorin e policëve që donin të më ndalonin.
-Është regjisori i filmit, – foli në ecje Josifi, duke çarë përpara meje. Kisha ngrirë përpara derës së qelqtë. Nuk më bënin këmbët të ecja më tej. Josifi më mori për dore dhe…
Përpara syve më verboi çarçafi i bardhë me bllama gjaku të mpiksur. Nga grupi i mjekëve ligjorë u shkëput një grua e re.
-Ju jeni regjisori?
-Pohova me kokë ngaqë më kishte mbytur thaurima. -Aktori Sandër Prosi ka rënë nga kati i tretë, me pasojë vdekjen e menjëhershme. Shkaqet janë në shqyrtim e sipër.
Shqipëria është futur në muajin e tretë të protestave, ku për më shumë se 60 ditë, në Tiranë sheshet janë mbushur plot me qytetarë që kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Rama.
Prej më shumë sesa 2 muajsh, kemi ndjekur këtë protestë, duke qenë zëri i qytetarëve. Nuk kemi sesi mos të rendisim në këtë hapësirë edhe personazhet e famshme që kanë qenë frymëzimi i kësaj proteste.
Për më shumë se 60 ditë, emrat e njohur të ekranit janë parë në shesh, ku janë renditur krah protestuesve për t’ju bashkuar thirrjeve të tyre.
MEHDI MALKAJ
Aktori Mehdi Malkaj nuk mungon në asnjë protestë. Malkaj deklaroi se Rama tashmë është një ish-kryeministër sepse populli po e largon pasi ka vjedhur edhe jetën e foshnjave.
Ai kritikoi edhe artistët e shumtë që kanë heshtur për protestën. “Nuk bëhet kontratë me gjarpërinjtë dhe hardhucat. Jemi në një kohë të vështirë, por heroike. Unë nuk jam njeriu më i mençur, por e dua Shqipërinë. Këtu nuk mungon asgjë, i kemi të gjitha, por nuk jemi ne mirë, të ishin ne mirë e kishim marrë para me këngë dhe valle”, tha ai.
FJORALBA PONARI
Për disa javë rresht, Fjoralba ka qenë kryefjala e zhvillimeve të protestave. Ishte pikërisht figura e saj, që u imitua nga kryeministri Rama kur u tall me blogeret.
Por duket se një fakt i tillë nuk e ka intimiduar aspak prezantuesen, e cila ka vijuar me angazhimin e saj. Ajo është parë në protestë thuajse çdo ditë, duke vijuar me angazhimin e saj qytetar.
Paralelisht edhe në rrjetet sociale, ajo ka bërë kryefjalë tashmë zhvillimet që vijnë nga kjo protestë. Këtë javë, moderatorja mbante në duar edhe pankartën “Anullo ligjin 21/2024”.
TIRI GJOCI
Këngëtari është nga emrat e njohur që ka qenë në protestë që ditën e parë. Kur ende shumë të tjerë nuk ishin bashkuar, ai u pa në shesh dhe në rrjetet e tij sociale postonte atë çfarë ndodhte në shesh.
Që prej asaj dite, artisti është parë shumë shpesh në protestë, duke ndarë edhe pamjet në rrjetet e tij sociale.
E teksa kanë kaluar më shumë se dy muaj nga ajo ditë, Tiri ende shihet në shesh. Mesa duket edhe ai, është ndër ata që nuk heqin dorë nga kauza për këtë protestë paqësore.
ERBLIN BAJKO
Me aktorin jemi mësuar tashmë prej vitesh ta ndjekim në ekran. Në ato momente kur është mbi skenë, herë pas here nuk na i ka kursyer batutat me satirë për politikën apo edhe për politikanë të caktuar.
Por duket se kur përfundon detyrën si aktor profesionist, Erblini ka edhe kauza që zgjedhë ti ndjekë. Si është edhe protesta.
Artisti është parë në këtë protestë, ku I shoqëruar nga një vajzë ka qenë mes protestuesve. Jemi të sigurt që edhe Erblini ka jo pak arsye për të protestuar.
ERANDA LIBOHOVA
Këngëtarja e njohur ka preferuar që të jetë e fokusuar vetëm tek karriera e saj. Prej vitesh, Eranda Libohova ka preferuar mos të prononcohet për çështje të tjera që prekin vendin tonë.
Por kur bëhet fjalë për një kauzë të tillë kaq të rëndësishme, edhe Eranda nuk ka sesi të mungojë në shesh. Artistja është shfaqur mes protestuesve, duke mos e fshehur imazhin e saj në këtë protestë.
Nuk është hera e parë që e shohim artisten në shesh, krah protestuesve dhe jemi të sigurt që do ta shikojmë dhe herë të tjera. Panorama
Shqipëria është zgjuar. Prej gati 1 muaj protestat në shesh kanë treguar se shqiptarët kanë vendosur që të marrin në dorë fatet e tyre. Prej gati 1 muaj, qytetarët kërkojnë dorëheqjen e Kryeministrit Rama.
E mes tyre që nuk i është dorëzuar kësaj kauze janë edhe të famshmit. Njerëzit e ekranit të madh kanë treguar hapur mbështetjen e tyre jo vetëm me statuse “Instagram”-i, por me prezencën e tyre.
ALDO MARKU
Regjisori ka preferuar që të mbajë një profil të ulët në media. I fokusuar vetëm tek projektet e tij, Aldo ka preferuar që pak të flasë për tema të tjera. Megjithatë, kur vjen puna për një kauzë kaq të rëndësishme, ai nuk ka sesi të mungojë në shesh. I vetëm, pa miq dhe pa shumë bujë edhe në rrjetet sociale, ai i është bashkuar protestës, duke u bërë njësh me qytetarët e tjerë.
ARJON MUÇA
Në media e kemi parë shpesh të flasë për çështje të nxehta, por gjithnjë në rolin e moderatorit. Por tashmë si qytetar i këtij vendi dhe si një vlonjat, Arjoni nuk ka sesi mos ti bashkohet protestës. Së bashku me motrën e tij, Frensi, ata janë parë në shesh, përgjatë ditëve të protestës. Jemi të sigurt, se si shumë VIP-a të tjerë nga Vlora, pakënaqësia e tyre ka nisur nga projekti i Zvërnecit.
FJORALBA PONARI
Për disa javë rresht, Fjoralba ka qenë kryefjala e zhvillimeve të protestave. Ishte pikërisht figura e saj, që u imitua nga Kryeministri Rama kur u tall me blogeret. Por duket se një fakt i tillë nuk e ka intimiduar aspak prezantuesen, e cila ka vijuar me angazhimin e saj. Ajo është parë në protestë thuajse çdo ditë, duke vijuar me angazhimin e saj qytetar. Paralelisht edhe në rrjetet sociale, ajo ka bërë kryefjalë tashmë zhvillimet që vijnë nga kjo protestë.
STENALDO MËHILLI
Pa asnjë mëdyshje edhe Stenaldo të ishte pjesë e protestës. Si një i ri me aftësi të kufizuara, i cili është detyruar të emigrojë, ai nuk kishte sesi të mungonte. Paparaci ynë e ka fotografuar, ku jo vetëm ka dalë në krye të protestuesve, por edhe ka marrë një daulle dhe i binte. E pamundur që si një qytetar që në këtë vend ka hasur në shumë vështirësi, Stenaldo të mos protestojë bashkë me mijëra të tjerë në shesh.
RUDINA HAJDARI
Angazhimi i saj në politikë ka mbaruar prej disa kohësh. Por kjo nuk do të thotë që Rudina të heq dorë nga angazhimi si qytetare. Mes stinës së nxehtë dhe jetës që bën mes Shqipërisë dhe SHBA, ajo ka gjetur kohë të vijë në protestë. Ish-deputetja ka marrë pjesë në cilësinë e qytetares, duke lënë pas detyrën e lartë që dikur ka përfaqësuar.
KRISTI DRAGOTI
Prej shumë vitesh Kristi jeton në Belgjikë, ku dhe ka ndërtuar një jetë të re. Megjithatë, kur vjen puna për të marrë pjesë në një protestë paqësore në dobi të vendit, ai nuk ka sesi të mungojë. Në shoqërinë e miqve, Kristi është parë shpesh herë në protestë. Kujtojmë se edhe babai i tij. Roberti është treguar i ashpër në deklarata në lidhje me zhvillimet që vijnë nga organizimi i kësaj proteste.
MATILDA MCINI
Prej shumë vitesh pjesë e ekranit, Matilda e ka bërë me korrektësi detyrën e moderatores. Ndaj me të njëjtën korrektësi, tashmë po bën atë të qytetares së Shqipërisë. Ajo i është bashkangjitur protestave, duke lënë për pak kohë më mënjanë famën, duke u bërë njësh me protestuesit e tjerë. Krah saj u pa edhe Alesio Aliaj, që duhet thënë ka qenë në shesh që në ditën e parë të protestës, dhe ende nuk ka hequr dorë. gsh
Alis Kallaci përmbylli aventurën e tij në “Eurovision Song Contest 2026”, duke u renditur në vendin e 13-të me këngën “Nan”, një performancë që u prit me emocione si nga publiku shqiptar, ashtu edhe nga ai ndërkombëtar.
Gjatë gjithë kompeticionit, artisti i ri tërhoqi vëmendje me interpretimin e tij emocional dhe stilin e veçantë skenik, duke fituar mbështetje të gjerë në rrjetet sociale dhe nga fansat e muzikës në Europë.
Pas finales, Kallaci reagoi përmes një postimi në “Instagram”, ku shprehu mirënjohjen e tij për të gjithë ata që e kanë mbështetur në këtë eksperiencë të rëndësishme për karrierën e tij.
“Kur nisi gjithçka, më dukej shumë më e madhe se vetja ime…”, – shkroi ai, duke kujtuar pasiguritë dhe emocionet si një artist i ri në një skenë të madhe ndërkombëtare, ku përfaqëson jo vetëm veten, por edhe një vend të tërë.
Ai theksoi se mbështetja e publikut, votat dhe mesazhet e shumta kanë qenë forca më e madhe gjatë gjithë rrugëtimit të tij, duke e bërë këtë eksperiencë edhe më të veçantë. Në fund të reagimit, artisti u shpreh se kjo përvojë do të mbetet gjatë në kujtesën e tij, jo vetëm si arritje artistike, por edhe si një rritje personale dhe emocionale.
Postimi i tij është shpërndarë gjerësisht në rrjete sociale, ku shumë ndjekës e kanë vlerësuar përfaqësimin e tij në Eurovision si dinjitoz dhe premtues për të ardhmen e karrierës së tij. Por teksa të gjithë ishin të përqendruar tek Alis, pak e panë, partneren e tij që e shoqëroi jo vetëm si prezencë në këtë kompeticion.
Desara Gjini është e dashura e këngëtarit dhe çifti prej disa kohësh ka një lidhje të konsoliduar tanimë. Desara është edhe tekstshkruesja e këngës “Nan”, duke folur edhe publikisht për temën e këngës që këtë vit përfaqësoi Shqipërinë në Eurosong. Desara Gjini ndau historinë e lindjes së kësaj kënge, duke e përshkruar si një përjetim personal të lidhur ngushtë me kujtimet e familjes.
“Unë jam nga një fshat i vogël në Lezhë dhe të gjithë të afërmit jetojnë jashtë. Teksti ka dalë shumë natyrshëm. Ishte një ditë nga fundi i gushtit… disa nga të afërmit ishin larguar dhe disa do largoheshin në vijim. Më doli si ëndërr ‘mirupafshim nan’. Më kujtohet nana që ishte çdo herë te dera dhe kam hapur telefonin e kam shkruar. Të nesërmen kur ia tregova Alis, ai u ul fillimisht në kitarë dhe më pas në piano dhe doli muzika. Kështu ka nisur kënga. Ishte thjesht një përjetim i shumë viteve”, – tha Gjini.
Por deri më tani, asnjëri dhe as tjetri nuk kanë folur për historinë e tyre të dashurisë, edhe pse pozat në rrjetet sociale nuk mungojnë aspak. Në një lidhje të konsoliduar prej disa kohësh, Alis dhe Desara kanë bashkuar forcat edhe në muzikë, duke sjellë një ndër produksionet më të pëlqyera në Shqipëri, por jo vetëm./Panorama Plus
Përmes një mesazhi në rrjetet sociale, artistja theksoi rëndësinë e gjuhës shqipe për identitetin kombëtar të shqiptarëve, duke kujtuar sakrificat ndër breza për ruajtjen e saj.
SHBA- Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Bebe Rexha, ka reaguar në mbështetje të studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, të cilët kanë paralajmëruar protestë lidhur me të drejtën për zhvillimin e provimit të Jurisprudencës në gjuhën shqipe. Përmes një mesazhi në rrjetet sociale, artistja theksoi rëndësinë e gjuhës shqipe për identitetin kombëtar të shqiptarëve, duke kujtuar sakrificat ndër breza për ruajtjen e saj.
“Gjuha jonë shqipe është thellësisht e rrënjosur në identitetin tonë. Për breza me radhë kemi luftuar për ta ruajtur dhe mbajtur gjallë”, është shprehur ajo.
Bebe Rexha rikujtoi gjithashtu se Maqedonia e Veriut është një shtet multietnik, ku gjuha shqipe njihet si gjuhë bashkëzyrtare, ndërsa theksoi se studentët shqiptarë meritojnë të njëjtat të drejta dhe mundësi si të gjithë qytetarët e tjerë. Reagimi i artistes vjen në kohën kur studentët shqiptarë kanë ngritur shqetësime për kufizimin e përdorimit të gjuhës shqipe në provimet universitare./Dosja.al
Në artikullin e saj, AP veçon edhe praninë e aktores Raimonda Bulku gjatë performancës, si dhe momentin kur në ekran shfaqen imazhe të djemve në emigrim, një simbolikë që lidhet me largimin e bijve nga vendi.
AUSTRI- Associated Press e ka renditur performancën “Nân” të Alis mes 10 më të mirave të Eurovision Song Contest 2026, duke vlerësuar atmosferën dramatike dhe ngarkesën emocionale të interpretimit në skenë.
Në artikullin e saj, AP veçon edhe praninë e aktores Raimonda Bulku gjatë performancës, si dhe momentin kur në ekran shfaqen imazhe të djemve në emigrim, një simbolikë që lidhet me largimin e bijve nga vendi.
“Kënga hapet me një thirrje, ku një kor me atmosferë kishtare e shton edhe më shumë teatralitetin. Dramatike, për të thënë më të paktën! Pastaj, Alis, vokalisti pas “Nân”, merr kontrollin. Gjithçka zhvillohet si kolona zanore e një skene emocionale në një film ‘blockbuster’ dhe në skenën e finales performanca vazhdoi të kishte peshë: ai kishte veshur diçka që dukej si një parzmore me zinxhirë ndërsa një grua, që simbolizonte një nënë, lëvizte rreth tij”, shkruan Associated Press./Dosja.al
Sipas anëtarit të Eurovision Kosova, Albert Limani, i cili ndodhej në sallën e mediave bashkë me ekipin e RTK-së duke ndjekur paraqitjen e Shqipërisë, një grua nga delegacioni serb iu afrua dhe tentoi t’ua largojë flamurin, duke pretenduar se nuk lejohet në atë hapësirë.
AUSTRI- Një incident është raportuar në Qendrën e Mediave të festivalit të këngës Eurovision, që po mbahet këtë vit në Vjenë, ku një pjesëtare e delegacionit të Serbisë ka tentuar të pengojë valëvitjen e flamurit të Kosovës gjatë performancës së përfaqësuesit shqiptar.
Sipas anëtarit të Eurovision Kosova, Albert Limani, i cili ndodhej në sallën e mediave bashkë me ekipin e RTK-së duke ndjekur paraqitjen e Shqipërisë, një grua nga delegacioni serb iu afrua dhe tentoi t’ua largojë flamurin, duke pretenduar se nuk lejohet në atë hapësirë.
“Derisa po festonim bashkë me kolegë të tjerë paraqitjen e Shqipërisë në Eurovision, në Qendrën e Mediave në Vjenë, një grua nga delegacioni i Serbisë erdhi dhe tentoi të na e heqë flamurin e Kosovës, duke na thënë se ‘ky flamur nuk lejohet këtu’. Sigurisht, ajo tentoi ta prekë, por nuk e lejova dhe u kthye mbrapsht. Flamuri i Kosovës do të valojë dhe do të lejohet gjithkund, ndërsa ne do ta mbrojmë me çdo kusht”, ka shkruar Limani në Facebook, duke publikuar edhe një video nga momenti i incidentit.dosja.al
Mbrëmë u zhvillua nata finale e Eurovision, ndërsa vendin e parë e siguroi Bullgaria me këngën “Bangaranga”.
Përfaqësuesi i Shqipërisë, Alis, i cili u ngjit i pesti në skenën e Vjenës me baladën “Nân”, dhuroi një interpretim të jashtëzakonshëm dhe thellësisht emocional. I shoqëruar nga mjeshtrja e skenës, aktorja e madhe Rajmonda Bulku, dyshja shqiptare krijoi një moment magjik, duke i rrëmbyer zemrat e spektatorëve në arenë, si dhe të miliona shikuesve në Shqipëri, Evropë dhe më gjerë.
Si u ndanë votat për Shqipërinë?
Në përfundim të llogaritjes së votave, Shqipëria arriti të grumbullojë në total 145 pikë, duke u renditur e 13-ta mes 25 vendeve që garuan në Natën finale. Kjo shifër vjen si një kombinim i vlerësimit të jurive profesionale të shteteve pjesëmarrëse dhe votave të publikut (diasporës dhe fansave evropianë).
Nga juritë e 35 shteteve, balada “Nân” u vlerësua nga 10 prej tyre, duke mbledhur 60 pikë në total, ku spikati vlerësimi maksimal nga Portugalia.
Pikët nga Juritë Profesionale për Alisin:
Portugalia: 12 pikë
Mali i Zi: 10 pikë
Kroacia: 8 pikë
Qipro: 8 pikë
Malta: 6 pikë
Azerbajxhani: 6 pikë
San Marino: 5 pikë
Belgjika: 3 pikë
Izraeli: 1 pikë
Greqia: 1 pikë
Nga ana tjetër, vota e publikut – e cila u mblodh përmes telefonatave, SMS-ve dhe votimit online gjatë kohës që dritarja ishte e hapur – i dha Shqipërisë një mbështetje domethënëse prej 85 pikësh. bw
Sonte, në skenën madhështore të finales së Eurovision Song 2026, Shqipëria do të përfaqësohet nga Alis me këngën “Nan”, një baladë emocionale që ka prekur publikun shqiptar dhe fansat e Eurovisionit në mbarë Europën. Pas performancës në natën e dytë të Eurovision, artisti do të ngjitet sërish sonte në skenën austriake për të sjellë një performancë plot emocion, identitet dhe kulturë shqiptare.
Kënga “Nan” është vlerësuar për tekstin e ndjerë dhe interpretimin e veçantë të Alis, duke u konsideruar si një nga përfaqësimet më artistike të Shqipërisë në vitet e fundit. Fansat shqiptarë brenda dhe jashtë vendit pritet të ndjekin me emocion performancën në finalen e madhe, me shpresën që Shqipëria të arrijë një rezultat të rëndësishëm në konkurrimin europian.
Përfaqësuesja e Shqipërisë ka marrë mjaft vlerësime pozitive nga fansat dhe komentatorët e Eurovision Song 2026, sidomos për emocionin dhe interpretimin vokal.
Portali Eurovision World e përshkruan këngën si një baladë shumë emocionale me tekst të ndjerë për dashurinë e nënës dhe largimin e fëmijëve nga shtëpia.
Faqja euroalfa shkroi se “Nan” është një nga këngët më prekëse të këtij edicioni. Panelistët vlerësuan vokalin e Alis si “perfekt” dhe thanë se kënga ka potencial të fortë.
Gazeta suedeze Aftonbladet e cilësoi interpretimin si “emocional dhe teatror”, duke theksuar praninë e figurës së nënës në skenë si një element që e bën performancën më të fortë emocionalisht.
Edhe komuniteti i fansave bnë faqen Reddit reagoi shumë pozitivisht. Disa komente e quajtën performancën “të fuqishme”, “prekëse” dhe “një nga momentet më emocionale të festivalit”. Shumë komentues thanë se kënga i bëri të qanin, sidomos për shkak të temës së nënës dhe interpretimit skenik.
Finalja e Eurovision Song Contest 2026 zhvillohet sonte përpara miliona teleshikuesve në të gjithë botën, ndërsa votat e publikut dhe jurive do të përcaktojnë fituesin e këtij edicioni. Shqipëria synon të lërë gjurmë edhe këtë vit me “Nan”, një këngë që sjell emocione të forta dhe tinguj modernë të ndërthurur me elementë tradicionalë shqiptarë. bw
Arena “Wiener Stadthalle” në Vjenë është shndërruar në një spektakël ngjyrash dhe emocionesh me hapjen e edicionit të 70-të të “Eurovision Song Contest”, që mblodhi mijëra tifozë nga e gjithë Europa.
Me moton “Të Bashkuar nga Muzika” 35 shtete po garojnë për kurorën e kontinentit, në një vit që sjell rregulla të reja dhe emocione të forta. Plot 11 vjet pas organizimit të fundit, Austria është sërish mikpritëse e eventit më të madh muzikor evropian, pas fitores së këngëtarit JJ në vitin 2025. Shqipëria përfaqësohet këtë vit nga këngëtari Alis me këngën “Nan”, e cila mbart një mesazh të fuqishëm dhe universal mbi figurën e nënës në familjen shqiptare.
Performanca e tij në skenë është cilësuar si një ndërthurje e thjeshtësisë së tekstit me një motiv muzikor të thellë, gjë që ka tërhequr edhe vëmendjen e mediave ndërkombëtare, përfshirë gjigantin BBC. Gjatë një interviste në RTSH, Alis rrëfeu emocionet e provave dhe përgatitjet intensive për natën e dytë gjysmëfinale, ku do të ngjitet në skenë i 13-ti në radhë. “Çfarë mund të them, është ëndërr. Në momentin e parë që kam shkuar për të bërë provat, nuk ndihesh sikur po bën provë, ndihesh sikur po të shikon e gjithë bota.
Kjo është pjesa më e bukur që përjetojnë artistët në Eurovizion. Fansat kanë një energji që nuk di si ta përshkruaj. Jam jashtë mase mirënjohës për gjithë mbështetjen e shqiptarëve dhe uroj t’i bëj sa më krenarë”, – tha këngëtari Arlis. Përtej garës, Alis theksoi klimën e shkëlqyer miqësore me artistët e tjerë konkurrues, duke lënë të hapur edhe mundësinë e bashkëpunimeve të reja ndërkombëtare pas përfundimit të festivalit. Këtë vit, Unioni Evropian i Transmetimeve (EBU) ka forcuar rregullat e votimit në përgjigje të akuzave për manipulime në të kaluarën.
Numri maksimal i votave për person është përgjysmuar në 10, duke shtrënguar masat kundër aktiviteteve të dyshimta. Për të çuar Shqipërinë në finalen e madhe, mbështetja e diasporës është thelbësore. Por cilat janë procedurën e detajuar të votimit? Nëse janë pjesë e vendeve që janë pjesëmarrëse të Eurovizionit, mjafton numri 13 që është kënga përfaqësuese e Alis dhe gjithashtu kodet e vendeve të tyre.
Ndërsa nëse janë nga vende të tjera që nuk janë pjesë e Eurovizionit, ata mund të votojnë më datë 14 për këngën e Alis gjatë gjithë ditës së sotme. Nuk do të mund të votojnë në momentin që transmetohet drejtpërdrejt spektakli i Eurovizionit dhe do të mund të votojnë edhe pak minuta pasi kënga e Alis dhe pasi vetë spektakli të ketë përfunduar në mënyrë që votat e tyre të bashkohen si një buqetë dhe të na çojnë në finale. Shqipëria synon kualifikimin në finalen e madhe të së shtunës, në një garë që mbledh artistë nga e gjithë Europa dhe më gjerë. Panorama
Zyra e Kryeministrit tha për BIRN se koncerti nuk do të sponsorizohet nga institucionet shqiptare, por nuk pranoi të shpjegojë promovimin nga ana e kryeministrit të West, i cili ka pasur disa koncerte të anuluara në Evropë dhe Australi për shkak të shqetësimeve lidhur me antisemitizmin.
TIRANË- Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, njoftoi të enjten se një koncert i Kanye West do të zhvillohet në vend, përmes një videoje të publikuar në Facebook, ku shfaqej reperi kontrovers dhe një mesazh i shkurtër nga Rama: “11 korrik në Tiranë.”
Zyra e Kryeministrit tha për BIRN se koncerti nuk do të sponsorizohet nga institucionet shqiptare, por nuk pranoi të shpjegojë promovimin nga ana e kryeministrit të West, i cili ka pasur disa koncerte të anuluara në Evropë dhe Australi për shkak të shqetësimeve lidhur me antisemitizmin.
Ministria e Kulturës shpjegoi se koncerti do të vetëfinancohet nga shitja e biletave, por se një koordinim ndërinstitucional do të “lehtësojë” zhvillimin e tij.
“Në çdo aspekt, është detyrimi ynë të mirëpresim dhe të lehtësojmë zhvillimin e ngjarjeve të tilla që sjellin përfitime të shumta për turizmin dhe ekonominë”, tha ministria për BIRN.
Ajo shtoi se koncerti “do të ketë një ndikim të jashtëzakonshëm në promovimin e turizmit dhe ekonomisë lokale.”
West, i njohur edhe si Ye, së fundmi u ndalua të hyjë në Mbretërinë e Bashkuar për shkak të komenteve antisemitike dhe një kënge që publikoi me titull “Heil Hitler”; paraqitja e tij e planifikuar në një festival në Londër u anulua. Një tjetër performancë e planifikuar në turneun e tij evropian, në Chorzów në Poloni muajin e ardhshëm, është anuluar gjithashtu.
Australia gjithashtu i ndaloi hyrjen West-it në vitin 2025.
Sidorela Vatnikaj, një aktiviste për të drejtat e njeriut në Tiranë, kritikoi vendimin për të vijuar me koncertin në Shqipëri.
“Organizimi i koncertit të tij në Tiranë është një ngjarje shumë problematike sepse… legjitimon një individ që shpesh ka përdorur popullaritetin e tij për të justifikuar dhe lavdëruar nazizmin”, tha Vatnikaj për BIRN.
Isa Myzyraj, kreu i Asociacionit të Gazetarëve të Shqipërisë, tha se “është e pakuptueshme pse kryeministri vendos të provokojë njerëzit duke promovuar Kanye West.”
“Rama është një lider shteti që në janar mbajti një fjalim në Knesset dhe shfaqet si mbështetës i Izraelit dhe, nga ana tjetër, disa muaj më vonë, promovon Kanye West, i cili, për arsye që i dimë të gjithë, ka promovuar jo vetëm antisemitizmin, por edhe udhëheqësin më barbar që ka njohur ndonjëherë njerëzimi (Hitlerin)”, tha Myzyraj për BIRN.
West ka fajësuar çrregullimin e tij bipolar për deklaratat dhe veprimet e tij antisemitike dhe pro-naziste. Ai publikoi një njoftim në The Wall Street Journal për të kërkuar falje dhe për të deklaruar se “Unë nuk jam nazist apo antisemit.”/BIRN
Wayne Moss, kitaristi legjendar dhe pionieri i muzikës country, gjatë një interviste në YouTube
Pionieri i muzikës country, ndërron jetë në moshën 88 vjeç – Ai luajti me artistë si Dolly Parton dhe Bob Dylan
VOAL- Kitaristi Wayne Moss ka vdekur në moshën 88 vjeç.Një pionier i muzikës country, ai ishte anëtar i Nashville A-Team, i cili luajti me artistë si Dolly Parton, Roy Orbison, Bob Dylan dhe shumë të tjerë. I lindur në vitin 1938 në South Charleston, Virxhinia Perëndimore, Moss u transferua në Nashville në moshën 21 vjeç.Pasi filloi të luante në grupe rock ‘n’ roll në vitet 1950, ai u punësua si muzikant sesioni nga pianisti Pig Robbins dhe më vonë u takua me të mëdhenjtë e muzikës. Muzikanti themeloi Cinderella Sound, studion e tij të regjistrimit, e cila priti artistë të tillë si Steve Miller Band, Linda Ronstadt dhe Grand Funk Railroad, dhe ndihmoi në themelimin e grupeve Area Code 615 dhe Barefoot Jerry. ATS
VOAL- Kyriaki Papadopoulou (Selanik, 19 maj 1938 – Athinë, 28 mars 2026), e njohur më mirë si Marinela (në greqisht Marinella), ishte një nga këngëtaret më të famshme greke.Që nga fillimi i karrierës së saj, ajo publikoi 66 albume solo (disa prej të cilave u bënë platin) dhe mori pjesë në albume nga këngëtarë dhe muzikantë të tjerë. Kyriaki Papadopoulou lindi në qytetin e Selanikut, Greqi.Prindërit e saj ishin refugjatë grekë nga Kostandinopoja.Ajo ishte fëmija i katërt dhe më i vogël në një familje të madhe që, pavarësisht varfërisë, ishte e pasur me dashuri dhe talent artistik.Të gjithë anëtarët e familjes mblidheshin rreth tryezës rrotulluese dhe këndonin, ndërsa babai i saj përpiqej t’u mësonte fëmijëve hapat e valsit dhe tangos.
Që në moshë shumë të vogël, ajo filloi të këndonte në programin radiofonik “Pediki Ora” (Ora e Fëmijëve) dhe më vonë u shfaq në reklama për dyqanet Melka në Selanik.Ajo gjithashtu mori pjesë në shumë produksione teatrale për fëmijë. Ajo publikoi këngën e saj të parë në vitin 1957, “Nitsa, Elenitsa” (Helena, Helena e Vogël).
Karriera e saj e hershme u shënua nga bashkëpunimi i saj me këngëtarin Stelios Kazantzidis.Së bashku, ata u bënë dyshja më e mirë në Greqi dhe interpretuan vepra nga kompozitorë kryesorë të kohës, përfshirë Mikis Theodorakis, Manos Hadjidakis, Giorgos Zambetas dhe Vasilis Tsitsanis. Marinella u martua me Stelios Kazantzidis më 7 maj 1964 dhe udhëtuan së bashku në Gjermani dhe Shtetet e Bashkuara.Çifti u divorcua në shtator 1966.
Në vitin 1974, ajo përfaqësoi Greqinë në Festivalin e Këngës në Eurovision me këngën “Krasí, zálasa ke t’agori mu” (Vera, Deti dhe Djali Im), ku ajo u rendit e njëmbëdhjeta nga shtatëmbëdhjetë vende.Kënga u kompozua nga Yiorgos Katsarós, dhe teksti u shkrua nga Pizagóras.
Më 10 prill 2003, gazeta The New York Times shkroi për Marinellën: “Zëri i saj ishte i fortë dhe i butë, dhe ajo kishte praninë e një aktoreje ndërsa kërcente disa hapa ngacmues ose i sillte dinjitet dëshirës” (nga Jon Pareles). Më 29 gusht 2004, ajo kryesoi ceremoninë e mbylljes së Lojërave Olimpike të Athinës 2004, duke kënduar së bashku me Giorgos Natalaras, Charis Alexiou, Eleftheria Arvanitaki dhe Dimitra Galani para një audience prej 70 000 vetash.Ceremonia u ndoq nga miliona shikues televizivë në të gjithë botën.
Për ne shqiptarët, Marinela mbahet mend si këngëtarja e parë greke që këndoi në Shqipëri live në vitin 1977 (12-19 gusht 1977)…
Më pas është rikthyer në Tiranë më 11 prill 2024 për një koncert madhështor në Pallatin e Kongreseve bashkë me Antonis Remos.
Komentet