VOAL

VOAL

Rumunët protestuan për të 20-tën natë

February 20, 2017

Komentet

Finlanda redukton me 90 për qind vizat turistike për shtetasit rusë për shkak të luftës në Ukrainë

RFE/RL

Finlanda bëri të ditur se do të reduktojë numrin e vizave turistike që lëshon për shtetasit rusë me 90 për qind për shkak të rritjes së pakënaqësisë mbi luftën në Ukrainë.

Vendimi, i shpallur më 16 gusht nga ministri i jashtëm Pekka Haavisto, është i fundit në një seri veprimesh nga Finlanda në përgjigje të drejtpërdrejtë ndaj pushtimit rus të Ukrainës.

Duke folur për mediat në Helsinki, Haavisto tha se që nga data 1 shtator vizat turistike për shtetasit rusë do të jepen në masën e 10 për qind të masës aktuale.

“Vizat turistike nuk do të ndalen plotësisht, por numri i tyre do të reduktohet ndjeshëm”, citohet të ketë thënë ministri i jashtëm finlandez.

“Kjo do të thotë se llojet e tjera të vizave — vizitat te të afërmit, kontaktet familjare, puna, studimi — do të kenë përparësi dhe do t’i jepet më shumë kohë,” tha ai.

Finlanda aktualisht shqyrton rreth 1000 aplikime për viza në ditë, nga shtetas rusë sipas televizionit publik Yle.

Haavisto tha se Finlanda do të konsiderojë gjithashtu krijimin e një kategorie specifike të vizave humanitare, e cila mund të ndihmojë gazetarët ose punonjësit e OJQ-ve.

Një numër i vogël, por në rritje i vendeve anëtare të Bashkimit Evropian kanë bërë publikisht thirrje për kufizimin ose ndalimin e plotë të turistëve rusë në Evropë në përgjigje të luftës.

Anëtarët më të gjerë të BE-së, përfshirë Gjermaninë, e kanë kundërshtuar deri më tani idenë, megjithëse Republika Çeke, e cila mban presidencën e radhës së BE-së, është zotuar të diskutojë më tej këtë çështje.

Pas dekadash qëndrimi dhe mbajtjeje të një statusi neutral, Finlanda ka nisur shpejt procedurën për anëtarësim në NATO pas pushtimit rus të Ukrainës më 24 shkurt. Edhe Suedia ka vendosur për t’u anëtarësuar dhe aktualisht, 20 nga 30 anëtarët e NATO-s kanë miratuar anëtarësimin e dy vendeve.

“Nuk është e drejtë që qytetarët rusë mund të hyjnë në Evropë, në zonën Shengen, të jenë turistë…ndërsa Rusia po vret njerëz në Ukrainë. Është e gabuar,” tha kryeministrja finlandeze Sanna Marin më 15 gusht.

Moska akuzon sabotatorët ukrainas për shpërthimet në bazën ruse në Krime

Pamje nga tymi që ngrihet pas një shpërthimi në fshatin Mayskoye në rrethin Dzhankoi, Krime, 16 gusht 2022.
RFE/RL

Moska fajësoi më 16 gusht sabotatorët për një sërë shpërthimesh në një depo municionesh në Gadishullin e Krimesë, të aneksuar nga Rusia, duke pranuar se ekzistojnë grupe të armatosura besnike ndaj Ukrainës, që po dëmtojnë logjistikën ushtarake dhe linjat e furnizimit në territoret që ajo kontrollon.

Incidenti i sotëm pason një sërë shpërthimesh javën e kaluar në bazën ajrore të Rusisë në Krime, për të cilat Kievi tha se ishin kryer nga forca speciale ukrainase, por që Moska në atë kohë i quajti rezultat i një zjarri aksidental.

Ministria ruse e Mbrojtjes tha sot se nuk pati viktima nga shpërthimet që dëmtuan linjat elektrike, një nën-stacion elektrik, infrastrukturën hekurudhore dhe disa shtëpi banimi.

Nuk dihet se çfarë mjeti u përdor për të kryer shpërthimet, por shtypi shtetëror rus spekuloi se mund të jenë përdorur dronë.

Shpërthimet sjellin në pah perspektivën e një dinamike të re në luftën gjashtëmujore pasi tashmë duket se Ukraina ka aftësinë për të goditur më thellë në territorin rus dhe me grupet pro-Kievit që janë duke pasur sukses me sulme të stilit gueril.

Rusia e ka përdorur Krimenë, të cilën e aneksoi nga Ukraina në vitin 2014-të, për të përforcuar trupat e saj që luftojnë në pjesë të tjera të Ukrainës me pajisje ushtarake, një proces që Kievi kërkon ta prishë përpara një kundërsulmimi të mundshëm në Ukrainën jugore.

Krimea është baza e flotës ruse të Detit të Zi dhe gjithashtu e njohur si një atraksion turistik për pushuesit gjatë verës.

Për incidentin e së martës, agjencia ruse e lajmeve RIA tha se shtatë trena u vonuan dhe se trafiku hekurudhor në një pjesë të linjës në veri të Krimesë ishte pezulluar.

Ukraina nuk e ka konfirmuar apo mohuar zyrtarisht përgjegjësinë për shpërthimet në Krime, megjithëse zyrtarët e saj kanë përgëzuar hapur incidentet në territorin që, deri javën e kaluar, dukej i sigurt nën kontrollin e Moskës përtej rrezes së sulmeve ukrainase.

Pas shpërthimeve të së martës, këshilltari presidencial ukrainas Mykhailo Podolyak dhe shefi i stafit Andriy Yermak postuan në mediat sociale mbi “çmilitarizimin”, një referencë e dukshme tallëse e termit që përdor Rusia për të justifikuar pushtimin e saj.

“Operacioni ‘demilitarizimi’ në stilin e saktë të Forcave të Armatosura të Ukrainës do të vazhdojë deri në çlirimin e plotë të territoreve të Ukrainës,” shkroi Yermak në Telegram.

Ministria ruse e mbrojtjes tha se shpërthimet në depon e municioneve ishin “rezultat i sabotimit”.

Estonia ndalon rusët të hyjnë në vend duke filluar nga 18 gushti

VOA/Marrë nga Reuters

Estonia po vendos sanksione kundër Rusisë duke ndaluar nga data 18 gusht hyrjen e qytetarëve rusë me viza turistike në vendin më verior të Balltikut si pasojë e luftës në Ukrainë. Bashkimi Evropian, anëtar i të cilit është Estonia, tashmë ka ndaluar udhëtimet ajrore nga Rusia. Por rusët ende mund të udhëtonin me rrugë tokësore për në Estoni dhe me sa duket marrin prej andej fluturime për në destinacione të tjera evropiane.

Duke filluar nga 18 gushti, Estonia tha se do të ndalojë shumicën e rusëve që të hyjnë në vend përmes vizave të lëshuara nga autoritetet estoneze, duke ndërprerë kështu një rrugë të rëndësishme për në zonën Shengen të Evropës pa pasaporta. Ministri i Jashtëm Urmas Reinsalu tha të hënën se të gjitha vizat e vlefshme Shengen, me përjashtim të disa rasteve humanitare, do të anulohen.

“Bëhet fjalë për rreth mbi 50,000 viza të vlefshme dhe shumica dërrmuese e tyre nga 18 gushti do të bllokohen. Personat që kanë këto viza do të bllokohen të hyjnë në Estoni. Së dyti, ne po shqyrtojmë mundësinë për të mbyllur, kufirin ruso-estonez për të gjithë qytetarët rusë që hyjnë në zonën Shengen ose në territorin estonez”, tha zoti Reinsalu.

Kreu i rojes kufitare thotë se pas fillimit të luftës në Ukrainë, numri i qytetarëve rusë që kalonin kufirin ka vazhduar të rritet.

“Arsyeja kryesore ishte për shkak të pezullimit të fluturimeve midis BE-së dhe Rusisë. Qytetarët rusë që donin të shkonin në BE duhej të kalonte kufirin tokësor. Pra, në thelb do të thotë nga Finlanda, Estonia dhe Letonia. Dhe kur filloi sezoni i verës, shifrat po rriteshin gjithnjë e më shumë, për shkak të turistëve nga Federata Ruse që vinin në destinacione të ndryshme verore në Evropë”, thotë Ergert Belitsev.

Turistët rusë, që kalojnë kufirin në qytetin lindor Narva, thonë se qytetarët rusë nuk duhet të ndëshkohen për veprimet e qeverisë së tyre.

“Mendoj se nuk duhet të shkelen të drejtat e njeriut, pavarësisht nga të gjitha gjërat që po ndodhin. Njerëzit duhet të lëvizin lirshëm. Ashtu siç tha kancelarja gjermane – nuk janë njerëzit fajtorë, por ata që kanë marrë vendime duhet të jenë përgjegjës. Njerëzit nuk duhet të jenë përgjegjës për to”, thotë shtetasi rus Boris.

“Është shumë keq, u mërzitëm shumë kur lexuam këtë njoftim, sepse Evropa është e qytetëruar dhe ne e shohim veten si njerëz të civilizuar dhe duam të lëvizim lirshëm. Tani po shkoj në Gjermani për të parë miqtë e mi dhe kemi miq në të gjithë botën. Është turp nëse Estonia mbyll kufirin. Kjo është shumë keq për ne”, thotë Ekaterina.

Muajin e kaluar Bashkimi Evropian ra dakord për raundin e shtatë të sanksioneve kundër Rusisë. Letonia, Lituania dhe Republika Çeke kanë ndaluar tashmë dhënien e vizave për shumicën e rusëve, ndërsa Finlanda dhe Estonia së fundmi kërkuan që BE-ja ta bëjë këtë përmes një veprimi të përbashkët.

“Ne do t’i bëjmë një propozim zyrtar Komisionit Evropian përmes paketës së 8-të të sanksioneve për të kufizuar gjithashtu, ose për t’i dhënë fund, në mënyrë efektive lëshimit të vizave Shengen dhe gjithashtu për të bërë një rishikim të vizave ekzistuese të vlefshme në të gjithë zonën Shengen”, tha ministri i jashtëm i Estonisë.

Dy të plagosur nga zjarri në një depo municioni në Krime

Kjo pamje tregon tymin që ngrihet mbi zonë pas një shpërthimi të supozuar në fshatin Mayskoye, Krime 16 gusht 2022.

RFE/RL

Nga zjarri në një depo municioni në Krime të martën u plagosën dy persona, që vjen një javë pas një serie shpërthimesh në një bazë ajrore në gadishullin ukrainas që u aneksua nga Rusia.

Zjarri dhe shpërthimet tronditën fshatin Mayskoye të Krimesë herët të martën, raportuan mediat ruse.

Ministria ruse e Mbrojtjes tha se një zjarr shpërtheu në një “vend për ruajtjen e përkohshme të municioneve të një prej njësive ushtarake”.

“Si rezultat i zjarrit, municioni i depozituar shpërtheu”, tha ministria, duke shtuar se nuk ishte e qartë menjëherë se çfarë e shkaktoi zjarrin.

Guvernatori i Krimesë i emëruar nga Rusia, Sergei Aksyonov, tha se dy persona pësuan lëndime dhe se banorët vendas po evakuoheshin nga zona, derisa shpërthimet e municioneve vazhduan.

Autoritetet ukrainase ende nuk kanë komentuar mbi incidentin.

Javën e kaluar, një seri shpërthimesh ndodhën në bazën ajrore Saki pranë fshatit Novofyodorovka në Krime. Ushtria ruse tha se kishte shpërthim aksidental të municioneve atje, por incidenti dukej se ishte rezultat i një sulmi ukrainas. Kievi tha se shpërthimet shkatërruan nëntë avionë rusë.

Zyrtarët ukrainas në atë kohë nuk morën publikisht përgjegjësinë për shpërthimet, ndërsa talleshin me shpjegimin e Rusisë se një duhanpirës i pakujdesshëm mund të kishte shkaktuar që municionet në bazën ajrore Saki të merrnin zjarr dhe të hidheshin në erë. Analistët thanë gjithashtu se shpjegimi nuk ka kuptim dhe se ukrainasit mund të kishin përdorur raketa kundër anijeve për të goditur bazën.

Gadishulli i Krimesë ka një rëndësi të madhe strategjike dhe simbolike për të dyja palët. Kërkesa e Kremlinit që Ukraina të njohë Krimenë si pjesë të Rusisë ka qenë një nga kushtet e saj kryesore për t’i dhënë fund luftimeve, ndërsa Ukraina është zotuar të dëbojë rusët nga gadishulli dhe të gjitha territoret e tjera të pushtuara.

Rusia aneksoi ilegalisht Krimenë në vitin 2014 dhe nisi pushtimin e saj të paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt.

Treguan aksidentalisht vendndodhjen, goditet nga raketat ukrainase baza e grupit mercenar të lidhur me Kremlinin, dyshohet për dhjetëra të vrarë

Një bazë e përdorur nga grupi mercenar Wagner i lidhur me Kremlinin në Ukrainën lindore besohet të jetë shkatërruar pasi u zbulua aksidentalisht vendndodhja nga një prej propaganduesve të Presidentit Putin.

Sergei Sreda ndau imazhe të tij duke shtrënguar duart me një ushtar që i ngjan Yevgeny Prigozhin, një i besuar i ngushtë i Putinit, në bazën Wagner javën e kaluar. Gazetari ushtarak rus bëri fotografi në bazë më 8 gusht dhe i postoi në kanalin e tij Telegram. Ata treguan ushtarë që mbulonin fytyrat e tyre, por me një tabelë që tregonte adresën e ndërtesës, Mironivska 12. Fotot që atëherë janë fshirë.

Një ose më shumë raketa të lëshuara nga Forcat e Armatosura të Ukrainës goditën ndërtesën në Popasna, 50 milje në perëndim të Luhansk në Donbas, në fundjavë. Serhiy Haidai, kreu i Administratës Rajonale Ushtarake-Civile të Luhanskut, tha se dhjetëra luftëtarë të Wagner mund të kenë vdekur në sulm.

“Ne presim informacion të detajuar për këtë. Lajmet me siguri do të jenë të mira … me një shifër prej më shumë se 100”, ka shkruar ai në Telegram.

Mendohet se është përdorur sistemi raketor M142 Himars i prodhimit amerikan. Prigozhin, i cili është i sanksionuar në Perëndim, besohet se ka qenë duke vizituar bazën e Wagnerit për të shpërndarë medalje trupave për rolet e tyre në “çlirimin” e Popasnës, sipas pamjeve të Sredës.

Rusia thuhet se ka vendosur deri në 20,000 mercenarë nga Siria dhe Libia, duke përfshirë luftëtarët Ëagner, në Ukrainë. Kievi ka akuzuar dy mercenarë Ëagner për vrasjen e civilëve pranë Kievit. Grupi akuzohet gjithashtu për krime lufte në Afrikë, ku luftëtarët e tij kanë qenë të lidhur me grabitje, përdhunime dhe tortura në Libi, Mali dhe Republikën e Afrikës Qendrore.

Popasna është në jug të Severodonetsk në rajonin e Luhansk, të cilin forcat ruse tani e kontrollojnë plotësisht. Deputeti ukrainas Oleksiy Honcharenko shkroi në Facebook: “Nuk ka më seli të Wagner në Popasna. Faleminderit Himars dhe Forcat e Armatosura të Ukrainës!”

Në javët e fundit, mes raporteve për humbjet e Rusisë në fushën e betejës, grupi Wagner ka kërkuar të forcojë numrin e tij. Muajin e kaluar, të dënuarve rusë iu ofrua liri dhe shpërblime financiare për të luftuar në Ukrainë, sipas të afërmve të luftëtarëve në vijën e frontit. Të burgosurve në kampet e burgut IK-7 Yablonevka dhe IK-6 Obukhovo në Shën Petersburg iu tha se do të merrnin falje të plotë dhe 200,000 rubla (2,900 £), nëse pranonin të bashkoheshin me Wagner.

Ata që regjistrohen do të vendosen në Ukrainë për gjashtë muaj, sipas iStories, një faqe interneti e gazetarisë investigative e etiketuar si “agjent i huaj” dhe e bllokuar nga Kremlini.

Përfaqësuesit e Wagner udhëtuan në burgje dhe u kërkuan të burgosurve të “mbronin atdheun”. Ata do të përcilleshin në betejë, ku do të futeshin drejtpërdrejt në luftime ose në punë të rrezikshme zbulimi. Ata u paralajmëruan se shanset për të mbijetuar ishin të ulëta./ The Times

Zelensky: Çdo rus që qëllon në centralin bërthamor do të bëhet objektiv i ushtrisë sonë

RFE/RL

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky tha se forcat ukrainase do të synojnë çdo ushtar rus që qëllon në centralin bërthamor të Zaporizhjas, ndërsa të dyja palët vazhdojnë të shkëmbejnë akuza për incidentet e fundit të bombardimeve në të.

“Çdo ushtar rus që ose qëllon në uzinë, ose qëllon duke përdorur uzinën si mbulesë, duhet të kuptojë se ai bëhet një objektiv i veçantë për agjentët tanë të inteligjencës, për shërbimet tona speciale, për ushtrinë tonë”, tha Zelensky në fjalimin e tij të natës më 13 gusht.

Situata në këtë central bërthamor shkaktoi alarm të shtuar këtë javë në Kombet e Bashkuara dhe vëzhguesin e energjisë bërthamore të OKB-së, Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA).

Kievi dhe Moska vazhdojnë të shkëmbejnë akuza për rreziqet e luftimeve pranë centralit bërthamor të Zaporizhjas, për të cilin Kombet e Bashkuara thanë se duhet të çmilitarizohet zona rreth tij.

Zaporizhja është centrali më i madh bërthamor në Evropë dhe në të gjenden gjashtë nga 15 reaktorët që gjenden në Ukrainë.

Forcat ruse e kanë nën kontroll këtë central që nga ditët e para të pushtimit në Ukrainë.

Agjencia e inteligjencës mbrojtëse e Ukrainës më 13 gusht paralajmëroi për “provokime” të reja ruse rreth uzinës, ndërsa kryetari i bashkisë së qytetit ku ndodhet uzina tha se kishte granatime të reja ruse.

Rusia ka kundërshtuar pretendimet, duke thënë se forcat ukrainase qëlluan nëntë predha artilerie në zonën pranë uzinës.

Në fushëbetejë, Ministria ruse e Mbrojtjes pretendoi më 13 gusht se kishte marrë kontrollin e plotë të Pisky, një fshat në periferi të Donjeckut, ndërsa komanda ushtarake e Ukrainës tha se “luftimet e ashpra” vazhduan në fshat.

Zelensky: 16 anije tashmë janë nisur me 500 mijë tonë produkte bujqësore

”Që nga zbatimi i Marrëveshjes së eksportit të grurit të Stambollit, gjithsej 16 anije me 500 mijë ton produkte bujqësore janë larguar nga portet e Ukrainës për në tre kontinente. Pothuajse gjysmë milioni ton produkte bujqësore në bord: misër, grurë, vaj luledielli, sojë dhe të tjera mallra absolutisht të nevojshme për tregun botëror”.

Kështu deklaroi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, në fjalimin e tij të zakonshëm të mbrëmjes drejtuar kombit.

“Kjo – tha presidenti ukrainas – tashmë ka bërë të mundur uljen e ashpërsisë së krizës ushqimore dhe u ka dhënë njëfarë shprese paqe vendeve konsumatore të produkteve tona bujqësore”.

syri.net

Zelensky telefonatë me Papa Françeskun: E informova për tmerret që Rusia po kryen në Ukrainë

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy ka njoftuar në Twitter se ka folur sot me Papa Françeskun.

“E informova për agresionin që Federata Ruse po kryen kundër Ukrainës, për krimet e tmerrshme të Rusisë. Ne i jemi mirënjohës Papës për lutjet e tij për Ukrainën. Populli ynë ka nevojë për mbështetjen e liderëve shpirtërorë të botës, të cilët duhet t’i përcjellin botës të vërtetën për tmerret që agresori po kryen në Ukrainë”, shkroi ai në Twitter.bw

Ish-kancelari gjerman Schroeder padit parlamentin mbi heqjen e privilegjeve

Ish-kancelari gjerman Gerhard Schroeder gjatë një konference në Shën Petersburg, 29 shtator 2017.

RFE/RL

Ish-kancelari gjerman Gerhard Schroeder ka paditur parlamentin gjerman në një përpjekje për të rivendosur privilegjet që iu hoqën në maj të këtij viti.

Sipas avokatit të tij, në padinë e ngritur në Gjykatën Administrative të Berlinit, 78-vjeçari Schroeder kërkon t’i kthehet e drejta për të pasur një zyrë në parlamentin gjerman.

Komiteti parlamentar gjerman i buxhetit vendosi në maj që Schroeder, subjekt i kritikave të ashpra në Gjermani për lidhjet e tij me Rusinë, duhet të hiqte dorë nga e drejta e tij për një zyrë në Bundestag, megjithëse ai do të vazhdonte të merrte pensionin e tij.

Ekipi ligjor i ish-kancelarit po argumenton se vendimi i komitetit të buxhetit të Bundestagut për të shkurtuar fondet për zyrën parlamentare të Schroeder-it dhe për ta mbyllur atë ishte i paligjshëm.

Ish-kancelari, i cili ishte në detyrë midis viteve 1998 dhe 2005, është kritikuar për vite me radhë për përfshirjen e tij me kompanitë shtetërore ruse dhe konsiderohet një mik i ngushtë personal i presidentit rus Vladimir Putin.

Presioni ndaj Schroder-it për t’u distancuar nga Putini u rrit pas pushtimit rus në Ukrainën fqinje.

Në maj, Schroeder më në fund njoftoi se do të largohej nga bordi mbikëqyrës i gjigantit rus të energjisë Rosneft. Ai gjithashtu hodhi poshtë një nominim për një pozicion të bordit mbikëqyrës në Gazprom, një tjetër gjigant energjetik rus.

Të hënën, partia e tij e qendrës së majtë (SPD) vendosi se nuk kishte arsye për ta përjashtuar atë nga partia pas disa javësh shqyrtim.

Komiteti në qytetin verior gjerman të Hanoverit tha se Schroeder nuk ka shkelur rregullat partiake të SPD-së duke u angazhuar me kompanitë shtetërore ruse, që do të thotë se nuk ka bazë për dëbim.

Stoltenbergu javën e ardhshme takohet me Kurtin dhe Vuçiqin

RFE/RL

Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, më 17 gusht do të mbajë takime të ndara në Bruksel me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Këto takime do të mbahen vetëm një ditë para rundit të ri të dialogut midis Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Sipas njoftimit për media nga aleanca ushtarake e NATO-s, Stoltenberg fillimisht do të takohet me Vuçiqin dhe më pas me Kurtin.

Pas çdo takimi të ndarë janë paraparë të mbahen edhe konferenca për media.

Takimi në Bruksel me Stoltenbergun do të mbahet tri javë pas rritjes së tensioneve në veri të Kosovës.

Serbët lokalë më 31 korrik dhe 1 gusht bllokuan rrugët që çojnë në pikëkalimet kufitare – Jarinjë dhe Bërnjak – që lidhin Kosovën dhe Serbinë, për të shprehur kundërshtimin e tyre lidhur me vendimet e Prishtinës për targat dhe dokumentet serbe.

Më 31 korrik, NATO tha se misioni i saj në Kosovë, KFOR, ishte i përgatitur të ndërhynte nëse do të rrezikohej stabiliteti në vend.

Të njëjtën deklaratë e bëri edhe shefi i aleancës, Stoltenberg gjatë një bisede që ka zhvilluar me Vuçiqin më 3 gusht.

Por, pas ndërhyrjes së Shteteve të Bashkuara dhe BE-së, Qeveria e Kosovës tha se do të shtynte zbatimin e vendimeve për 30 ditë, kur të hiqen barrikadat e vendosura dhe barrikadat u hoqën pasditen e 1 gushtit.

Ndërkaq, më 18 gusht, sipas ftesës së dërguar nga shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, në rundin e dialogut do të bisedohet për “të gjitha çështjet e hapura” midis Kosovës dhe Serbisë. Por, nga BE-ja ende nuk kanë dhënë detaje për agjendën e takimit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë dhënë për REL-in, tha se në rundin e ri të bisedimeve nuk do të diskutojë për dy vendimet që u kundërshtuan nga serbët lokalë.

Vendimi për dokumente ka të bëjë me lëshimin e një dokumenti për hyrje-dalje për të gjithë shtetasit e Serbisë që hyjnë në Kosovë. Këtë praktikë, Serbia e aplikon për shtetasit e Kosovës qe 11 vjet.

Ndërkaq, vendimi i dytë ka të bëjë me riregjistrimin e targave të makinave me akronime të qyteteve të Kosovës, që lëshohen nga Serbia. Targat sikurse KM, PZ, UR e të ngjashme përdoren në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe dhe nga Prishtina konsiderohen ilegale.

Kurti dhe Vuçiq janë takuar për herë të fundit në dialogun e Brukselit korrikun e vitit të kaluar. Ditë më parë, presidenti serb deklaroi se është skeptik se mund të arrihet ndonjë rezultat në takimin e 18 gushtit.

Zjarrfikësit evropianë bëhen bashkë kundër flakëve në Francë

RFE/RL

Zjarrfikësit nga e mbarë Evropa kanë filluar të arrijnë në Francë për të ndihmuar në shuarjen e disa zjarreve të egra.

Franca po përballet me zjarre, veçmas me disa vatra gjigante të flakëve në pyjet në jugperëndim të vendit.

Brigada e zjarrfikësve nga rajoni francez Zhironde, tha se gjatë natës kanë arritur të kufizojnë përhapjen e zjarreve pyjore, për shkak se ka pasur pak erë. Por kushtet atmosferike për vënien nën kontroll të zjarreve ende janë “të pafavorshme” për shkak të motit të nxehtë dhe të thatë.

Që nga e dita e martë, zjarret në rajonet Zhironde dhe Landes kanë shkatërruar mbi 74 kilometra katrorë.

Për shkak të zjarreve, të paktën 10.000 persona janë evakuuar nga këto dy rajone.

Mbi 360 zjarrfikës dhe 100 makina të specializuara janë dërguar në Francë nga Gjermania, Rumania, Polonia dhe Austria. Ata do t’iu bashkohen mbi 1.000 zjarrfikësve francezë të cilët po luftojnë me zjarret pyjore. Greqia po ashtu ka njoftuar se do të dërgojë dy avionë për shuarjen e zjarreve.

Po ashtu, Suedia ka dërguar dy avionë për shuarjen e disa vatrave të zjarrit në rajonin Bretanjë në perëndim të Francës.

Britania: Shpërthimet në bazën në Krime degradojnë flotën ajrore ruse

Imazhet satelitore të bazës ajrore në Krime që u godit nga shpërthimet më herët gjatë kësaj jave.

RFE/RL

Shpërthimet që ndodhën gjatë kësaj jave në bazën ajrore ruse në Krime, kanë degraduar flotën ajrore të Rusisë, tha Britania.

Shpërthimet në bazën ajrore Saki kanë shkatërruar të paktën tetë avionë luftarakë rusë dhe kanë shkaktuar shkatërrim të madh.

Përderisa avionët e shkatërruar janë vetëm një pjesë e vogël e flotës ruse në Detin e Zi, Britania tha se kapacitetet e flotës do të preken, pasi që Saki konsiderohet si bazë kryesore operacionale.

Në përditësimin ditor për luftën në Ukrainë, Ministria britanike e Mbrojtjes, tha se me gjasë baza Saki është ende operacionale, por zonat përreth kanë pësuar dëme serioze.

Imazhet satelitore të publikuara këtë javë kanë shfaqur shkatërrim të madh në bazën ajrore Saki, në Krimenë e okupuar nga Rusia.

Rusia ka thënë se nga shpërthimet është vrarë një person dhe janë plagosur dhjetëra të tjerë. Moska ka thënë se shkaku i shpërthimeve është mosrespektimi i rregullave kundër zjarrit.

Ndërkaq, Ukraina ka mohuar se qëndron prapa shpërthimeve. Por disa zyrtarë të paidentifikuar ukrainas u kanë thënë mediave amerikane se ushtria ukrainase qëndron prapa shpërthimeve.

Rusia e ka përdorur bazën ajrore Saki, që gjendet në perëndim të Krimesë, për të kryer sulme në territorin ukrainas qëkur nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.


Send this to a friend