VOAL

VOAL

Rubairat e Omar Khajamit në shqipërimin e Sejfulla Maleshovës – Nga Prof. Nasho Jorgaqi

March 25, 2017

Komentet

KORBAT E GAZIMESTANIT- Poezi nga ARIF EJUPI

Mitomanë e shejtanë
festojnë të ashtuquajturin Vidovdan,
fantazmë
të sajuar si triumf.
.
Ata,
në Gazimestanin e Kastriotit,
tubohen çdo vit,
si korbat
kur prishet moti.
.
Fare mirë e dinë
se nuk ringjallen
Mara Brankoviqi
dhe bukuroshet
e haremeve
të sulltanëve
dhe vezirëve.
.
Por i mbesin besnikë
amanetit të Ivo Andriqit
dhe Dobrica Qosiqit:
se me trillime
e gënjeshtra
duhet arritur
deri te qëllimi.
.
Të rinj e të reja të Serbisë,
të rritur e të frymëzuar
nga gjyshër të verbuar
prej miteve
dhe urrejtjes,
vazhdojnë avazin e vjetër.
.
Në vend të kërkimfaljes
për gjenocidin
dhe krimin,
prapë dëshirojnë
që Kosovën
ta mbërthejnë flakët
e ta mbulojë tymi.
.
Evropa nuk duhet
të bëjë sehir,
por duhet t’u thotë:
mjaft
epsheve ndjellakeqe
të qarqeve shoviniste të Serbisë,
që na përzunë
nga tokat tona stërgjyshore,
që nga Nishi
e deri në Merdar,
duke na plaçkitur
e vrarë.
.
Kryekasapi i Ballkanit,
në Gazimestan,
dha betimin
për Serbinë
e Car Dushanit.
.
Evropa
as që deshi
t’i dëgjonte
kërcënimet e tij.
Kur ndodhi krimi
dhe gjenocidi,
u dëgjua vetëm klithma:
“Uh, ç’u bë!”
.
Ai që nuk e pengon zjarrin,
fare lehtë
edhe vetë
mund të digjet në të.
.
ARIF EJUPI

TI ISHE BEKIM PËR NE- Nga ARIF EJUPI

(Kushtuar mësuesit tim të parë, Sabri Raçi, me rastin e 80-vjetorit të lindjes)
.
Lindja jote
ishte bekim për ne.
Nga balta
dhe pluhuri
na nxore;
si farkëtari i mirë
hekurin e lakuar,
na drejtove.
.
Na bëre
ta njohim vetveten
dhe ta themi
të vërtetën,
qoftë edhe
e hidhur
si pelini.
.
Na mësove
të falim dashuri
dhe të ndiejmë
dhembshuri.
.
Na mësove
që dëshirat
t’i plotësonim
me disiplinë
e punë,
e assesi
me forcë
e dhunë.
.
Na edukove
me respektin
ndaj të moshuarve
dhe të sëmurëve.
.
Na mësove
të mos bëhemi
zvarranikë
e vegël e askujt.
.
Vazhdimisht na thoshe:
Poqëse
Atdheu rrezikohet,
të gjithë
zot duhet t’i dalim,
se nuk kemi
Atdhe rezervë.
.
Ishe i qetë,
i ditur
dhe i urtë.
.
Me fjalë të ëmbla
dhe këshilla prindërore
na mbolle dashurinë
për shokët,
shoqet
dhe shkollën.
.
Veçanërisht për shoqet
na thoshe:
“Me sjelljen tuaj njerëzore
bëni që shkollat
të mbushen me to.”
.
Aty ku shkeli
këmba jote,
u shua errësira
dhe mbërriti drita.
.
Ishe dhe do të mbetesh
fanar drite
i shumë brezave!
.
ARIF EJUPI
Gjenevë, 6 korrik 2026

TRADITA E TË QETHURAVE TË DELEVE NË STANKAJ-RUGOVË- Reportazh nga TAHIR BEZHANI

 

 

Rugova është njëra ndër krahinat më të njohura të gjeografisë shqiptare ku ruhen më së miri traditat dhe kultura jonë kombëtare. Rugovasit në radhë të parë i karakterizon bujaria, fisnikëria, trimëria dhe ndershmëria. Rugovasit i kanë dhënë burra e trima këtij vendi në mbrojtje të lirisë, atdhetarë të spikatur ndër shekuj. Veshja kombëtare paraqet kulmin e traditës dhe kulturës sonë së bashku me këngët, vallet. lojërat etj, tejet artistike.

Ndonëse të shkapërderdhur neper vende të ndryshme nga kushtet e vështira të kohëve, duke marrë boten në sy për një jetë më të mirë, megjithatë, kohëve të fundit janë rikthyer disa sish dhe kanë filluar jetën në trojet e tyre së bashku me traditat dhe mirësitë që i karakterizojnë këta banorë të vyer.

Fshati Stankaj i Rugovës jep shembullin më të mirë për të rikthyerit dhe të jetës së rehatshme në vendlindjen e tyre, ku ruhen me xhelozi traditat tona, të kësaj krahine famëmadhe.

Vëllezërit Naser e Halil Ukë Kurtaj, këto ditë dëshmuan dashurinë për vendlindje dhe për traditat tona të çmuara. Këta dy vëllezër, me 4.korrik, organizuan ceremoninë e të qethave të deleve si një nga traditat e këtij vendi prej kohësh. Tufa e deleve të tyre prej 250 krerësh, hijeshon shpatet e bjeshkëve në kullosa. Blegërima e qingjave të rikujton “Bagëti e Bujqësi” të Naimit romantik. Nuk mungon as kënga e fyelli shpateve të fshatit Stankaj.

Ferma e blegtorisë së Naser e Halil Kurtaj, është bërë e njohur edhe për produktet e qumështit dhe mishin cilësore të qingjave të tyre. Nga këto produkte edhe fitimet janë të lakmuara.

Për këtë festë të qethurave, vëllezërit Kurti kishin ftuar hiç më pa se 100-150 veta, shokë e miq, e mes tyre edhe zyrtarë të pushtetit Qendror e lokal, nga Ministria e Bujqësisë dhe pylltarisë, si bashkë organizatorë të kësaj tradite në Rugovë të Pejës. Mori pjesë këshilltari i resorit të Bujqësisë e pylltarisë, nga Peja, z. Mehdi Mulaj, i cili, me fjalët e tij kurajuese, falënderoi fermerin Kurtaj për organizimin tradicional të Rugovës, ruajtjen e traditave dhe zgjerimit të kësaj veprimtarie dobiprurëse. Premtoi bashkëpunim dhe ndihmë në këtë lami me qëllim të zgjerimit të tufave të deleve në bjeshkët e Rugovës. Ndërkaq, banorët dhanë disa mendime e vërejtje me qëllim të plotësimit të nevojave të tyre për kultivimin e fermave të blegtorisë në këto bjeshkë të bukura. Njëri nga biseduesit iu drejtuar z. Mehdi me fjalët: ” në fshatin Stankaj mbaj mend 3000 dele qe kullosnin këto shpate, ndërsa tani, vetëm 250 krerë ka fshati. Mos të përmend edhe fshatrat tjera që kishte mbi 5000 krerë dele. Andaj, na si banorë të këtij vendi kërkojmë ndihmën e pushtetit lokal e Qendrorë për ndihmë sa më të arsyeshme. Biseduesi tjetër përmendi si problem Parkun Nacional i cili ka kufizuar hapësirën për kullosa delesh…”

Në vazhdim të këtij manifestimi, n’atë lartësi bjeshkore, mes Bogës e Stankajve, jehonte kënga e çiftelia nga grupi folklorik ardhur enkas nga Shqipëria, të cilët kënaqen të pranishmit me mësonin e bukur të rapsodisë sonë. Kënaqësia kishte arritur kulmin edhe me pjesëmarrjen e disa qytetarëve nga diaspora jonë, të cilët, të përmalluar dhe të etur për vendlindjen e tyre, dalldiseshin nga kënaqësia, u qeshte fytyra dhe incizonin programin e pasur e të organizuar për mrekulli nga mikpritja e vëllezërve Kurtaj të fshatit Stankaj.

Një sharm të veçantë e të paharruar këtij manifestimi ia shtoi rapsodi tani i mirënjohur anekënd trojeve shqiptare, lahutari Hysen Kurti, i cili me veshje kombëtare, ”zbarkoi” nga hoteli “Kulla e Rugovasit” si një shqiponjë, veshur në kostume kombëtare të Rugovës, duke ia thënë bukur këngës majëkrahut, i cili u prit me duartrokitje të gjata.

Pastaj, në ecje e sipër, si një aktor i vërtetë, ofrohej masës së tubuar duke recituar vargje nga Fishta, vargje për Vraninen. Nga ajo atmosferë madhështore, dukej se edhe pishat e gjata po këndonin me këtë malësorë të Rugovës, i cili kudo që qëllon ndezë atmosferë gëzimi e hareje. Nuk mungoj as vallja e njohur e burrave të Rugovës, një valle e njohur  anekënd botes për traditën dhe koreografinë fine të shqiptarisë.

Pas kësaj ceremonie, këshilltari i sektorit të Bujqësisë nga pushteti lokal në Pejë, ndau disa mirënjohje për organizatorin ( mikpritësin) dhe disa të tjerë , si motivim e nxitje për vazhdimin e traditave tona dhe zgjerimin e fermës së blegtorisë në këtë fshat dhe tjerat për rreth.

Bujaria rugoviane është e njohur anekënd trojeve tona. Pos që të hapin zemrën e bujarisë, ata shtrojnë tryezën me gjitha të mirat që ka shtëpisë.

Për fillim, mysafirëve të ftuar iu shërbyen me përshesh me tamel të deleve, i cili ka shije të këndshme. Në radhe, pas një pauze, shtruan tryezën e gjatë për të pranishmit me të gjitha llojet e ushqimeve vendore, duke filluar me pjatat me djathë cilësor, mish qengji të pjekur, leqenik, flija, ëmbëlsira, ku secila ishte më e shijshme se tjera. Të pranishmit shërbeheshin sipas dëshirës së tyre me ato të mira të shtruara në tryezën e gjatë. Në një ambient të këndshëm bjeshkor, nën përkundjen e flladit të pishave, me pije të llojllojshme e ujë bjeshke, secili ngopjen në dy aspekte: me ajrin e pastër, pamjet dhe ushqimet e mrekulluara vendore të Rugovës.

Flija, specialitet i Rugovës

Të gjitha ushqimet e ofruara për mysafirë, ishin përgatitur nga familjaret e mikpritësit. Për kureshtje të këtyre specialistëve, tregova interesim të di për gatimet. Zymer Kurti nuk hezitoi, dhe me dërgoi në kuzhinën ku bëhej gatimi. Me njohu me nënën Cubë, Cube Kurtin, e moshës 86 vjeç, e njohur në tërë Rugovën për çdo lloj gatimi. Ajo ishte ulur në një karrige dhe përziente mazën e zier, njëri nga specialitet më të kërkuara në menynë rugoviane. Të rejat e shtëpisë e dëgjonin dhe përfillnin me vëmendje porositë e saja. Një trashëgimi ndër breza, sa mrekulli!

Ora kishte kaluar katër pasdite. Flladi i mbrëmjes kishte ndërruar melodinë, ishte më i ashpër. Pishat luhateshin dhe lëshonin armë të këndshme. Sikur donin të na tregonin për ikjen e një dite të këndshme në fshatin Stankaj, mysafir në të qethurat e deleve të mikpritësve, Naser e Halil Kurti nga ky fshat.

U ndamë duke u përshëndetur ngrohtësisht me falënderimet për ftesën, duke iu dëshiruar shëndet e suksese në zhvillimin e fermës së deleve dhe ruajtjen e traditave aq të pasura vendore.

Sa gjatë ngelet në mendje të njeriut një ditë e kalendarit të jetës kur përjetohet me aq ngrohtësi!….

 

Stamkaj – Rugovë, 5 korrik 2026

SHKALAFITJE MOTI- Skicë nga RUZHDI GOLE

O shkurtabiq, o shkurto, o gjatosh i të shkurtërve, k’ce njëherë rrumbullak!
Oooo, k’ceve? Po ku je tani? S’të shoh? S’ta ndigjoj zanin? Ooo, ja ku qenke, sipër e poshtë një reje (afër teqeje), sipër e poshtë një flakëze (thellë vashëze), poshtë një oxhaku fyelltar?…
Si u ngrite nga poshtë përpjetë, të thërriti teqeja, ndonjë qyngj çatie, të thërritën retë?
Sa bëhem gati ta mas me sy së nalti shkurton ai kthehet anash n’ajri. Koka i shtrihet nga bregu, këmbët nga kodra. Ulet, ngjitet, gufon, diku as ngjitet, as nuk zbret. Ngadalë – ngadalë përhapet gjithandej pafund pllajnajë e hirtë ajrore.
Gjithçka gjallërohet kur i vjen afër era e i ledhaton flokët, i puth sytë, i fishkëllen butë në vesh dhe i heq çorapet e vapës.
Ta shohësh shkurton ahere… pupthi -pupthi, më i hareshmi sikur s’është i këtushmi, ta shohësh degë – degë të hareshmin, sikur s’është gaz veç sot por dhe nesërmi. Ta k’qyrësh nesërmi si i qeshin edhe flokët, edhe thonjtë.
Era e rrëmben butë edhe vrullti, me ledha e fshikuj aq sa shkurtoja i vogëlth e pllajnajë nuk di nga t’ia mbathi, nuk di ku të fshihet. Të marr përpjeta nga kodra ka frikë se gris e shqep penjtë e tij të hirtë tek halat e pishave dhe bredhave, ka frikë se rr’xohet tek ndonjë gropë që e hapi papritur nata dhe nuk e mbyll dot gjithë dita e lume.
Kjo pllajnajë dhe shkurto bashkë po të zbresin tek bregu i detit mund të ftohen keqas nga grykët ose të zhyten në dallgë pa vetëdije dhe horizont.
Të jetë ky shkurto pllajnaja që k’cen në qytetin tonë blojë e të pablojë?
Shkurtoja gëzon fat, fat fitimtar. Suferina nuk e zë, se ai i dredhon fshikujve të saj, nuk i tut asnjë qerpik,
rrufeja nuk e mbërrin se ai mblidhet krruspullti mbi ca rrënoja të pagoja
mbetur rrethrrotull nga Vila mbretnore, tash aq jetime sa s’ia beson askujt rringjalljen e saj ko(m)bëtare.
Ky shkurtabiq, me dhe pa të liq, (secili e gjen vet cili është,) nuk ia thotë
askuj’ të vërtetën se ia vjedhin shpejt origjinalitetin e befasisë mjedisore.
Agu është harta natyrore plot dritë e paramëngjesit. Në paramëngjes agu jetnon mes nesh, brenda e tej nesh meterolog natyror për detin, qiellin, qytetin me amfiteatër.
Vrapi i agut i gëzon të shumtit. Ky vrap urban – lokomotivë (e qëmotshme?) me një shigjetë të padukshme në krye i nxit’ e i ndërron kahjet urbane, i afron dhe i ndan ato, kurrsesi nuk i shuan e s’i tret.
(Po perëndimi?)
Vërdallosja tërheq këmbët zvarrë e herë si pupël. Vërdallosja, ky hi i bredharakut, bredhëron sa andej-këndej me be e belara se ai vuan, jeton vorfën, se xhepat ia merr edhe flladi e kur ai është përgjumsh në mes të ditës ia vjedh qindarkat.
Vërdallosja cingëron e thatë, kërcure, e pa vaditur. Ushqehet mjerisht, jo aq mjerisht, gojon e përgojon shumë, shqyhet llupëse anekand.
Shquhet për kërcimet dhe përdredhjet e saj. Lum e mjerë kush vërdalloset!
Shpalosja e së vërtetës është e hidhur, e rëndë, kërcënuese, e bëftë. Kjo shpalosje shpartallon bredharakun dinak e më dinak me buzagazin më të helmët.
Dikush, i dikurshëm sa më s’ka, (para)thotë se ky shkurto rrethohet nga hiri tribal. Dikush, i këtushëm, (para)ndjen se i hirnosuri kallkanoset e zjarrmon çdo frymë e frymëmarrje të hirnosur, në mos secilin prej nesh.
Kryenalti me bulçinjtë gaz anadollak (para)gjykon se ky shkurto kërcimtar nuk është i hirnosuri.
(Si mendon ti, o njeri, tundshkundur gjithë jetën mes tymrave, kacafytur me veten e me botën jo për hair por për pahir të botës njerëzore mbi vete)?!
Kush të jetë anekënd rrotullimit të begatë ajror, kush të jetë rrethrrotull ca gërmadhave të tjera prej fabrike me nofulla të ndryshkura metali?
Qe besa, askund keqardhje, askund pendesa! Ne ishim grabitësit e gjithçkaje e të grabitur në gjithçka tek vetja po nga vetja. Në mos nga vetja nga tjetri, jo më i ngathëti por më sypatremburi.
Gërmadhat zbukurohen përdita, jo shumë të nalta tani, se atyre ua ka ngrënë kuja e varfërisë hekurat. Shkul’rrjep’gjakos’ duart e njeriut, shitur për një kothere bukë. Poshtë gërmadhave mjekrojnë motmotit themelet plot gongalla të krisura betoni. S’i sheh askush e askush s’ka me i pa veç gjarprinjve e të vdekurve.
Plasa – plasa tymi, prandaj duket i shkurtër këtuatje, i cekët e i thellë, hollak e bufalaq, kërcimtar e zvarritje këmbësh.
Këmbët i shtrihen nga bregu, koka i freskohet nga kodra. Kujt? Tymnajës qytetare pra, shkalafitjes qytetare…

Dyer të mbyllura me murana- Nga ARIF EJUPI

(Ish-Radio Prishtina, e pushtuar nga Serbia më 5 korrik 1990.
Kjo ndërtesë mbetet dëshmi e mbylljes së dhunshme të zërit të Kosovës
dhe e qëndresës së gazetarëve, nëpunësve dhe punëtorëve
të Radio Televizionit të Prishtinës.)
.
Në shkallët e pallatit,
njerëz harbutë
e kokëboshë,
me kallashë në duar,
ruajnë një të shitur
që thërret
për nënshtrim.
.
Nga mikrofonat
vjen
zë qyqesh
i përzier
me zë korbash.
.
Nga jashtë,
populli thërret:
“Duam zërin
e bijve
dhe bijave
të Dardanisë,
e jo të qyqeve
dhe korbave
të Shumadisë.”
.
Vuajtje
sa të Jezu Krishtit
në Judë,
por ecje
me këmbë të shëndosha
e fytyrën e ndritur
kah Perëndimi
e Atlantiku,
për ditë shprese
e ditë të bardha.
.
Gazetarë,
nëpunës
e punëtorë
të Radio Televizionit
të Prishtinës,
lajmëtarë
të lirisë
së Kosovës.
.
Farkuar
si hekuri
në zjarr,
qofshi
jetë e mot
faqebardhë!
.
ARIF EJUPI
Gjenevë, 5 korrik 2000
.
P.S.
Autori i këtyre rreshtave, gjatë atyre viteve të rënda, ishte gazetar i kësaj dritareje të njohur
informimi në Kosovë e në botë. Ai u dëbua më 5 korrik 1990 nga vendi i punës, së bashku me
qindra kolegë.
Edhe pse më 14 mars 1994 u keqtrajtua rëndë nga policia serbe, për shkak se denonconte
dhunën dhe terrorin serb mbi popullin shqiptar në mediet vendore dhe ndërkombëtare, z.
Ejupi asnjë çast nuk hoqi dorë nga profesioni i tij.
Nëpërmjet qindra dokumentarëve, shkrimeve dhe ekspozitave, në cilësinë e anëtarit të
KMDLNJ-së, ai dëshmoi kudo dhunën dhe gjenocidin serb ndaj shqiptarëve të pambrojtur të
Kosovës.

NE PËRBALLË VETES SONË Visar Zhiti me romanin “Në kohën e Britmës”- Nga Orilda Kalami, Sociologe – “Tomorrow’s Education System”

 

– Të rinjtë duhet të dinë –

 

“Kemi nevojë për tjetrin, të duam dhe të na duan, ndryshe s’është më ngrohtë… acar…”

                                                        Visar Zhiti

 

Në mesnatën e Tiranës fishekzjarret jashtë përkojnë me mbarimin e leximit të romanit “Në kohën e britmës” të shkrimtarit Visar Zhiti. Më duket sikur ajo shkrepëtimë drite doli nga fletët e librit që t’më tregojë rrugën për një kërkim të një ideje, të një qendrimi, të një emocioni të madh dhe më nxit të bërtas dhe unë, të kërkoj atë që mungon, mbase… quhet Gjergji në roman…

Dikush po e pret, Gjergji nuk ka ardhur… unë e shoh si metafor;e… Një tryezë e shtruar, një familje e shqetësuar… Një pritje me ankth.

Romani ka në qendër shoqërinë shqiptare të fillimviteve 1990, kur Wind of change po frynte edhe në Shqipëri dhe revolucioni politik, ekonomik, social e kulturor si tufan po shkundte jo vetëm regjimin, por edhe një sistem dhune, propagande, poshtërimi e shkatërrimi njerëzor të ngritur për dekada.

Në këtë kohë kur dikush shpejton të zhdukë gjurmët e së keqes, të pastrojë imazhin e vet të turbullt apo të minimizojë ligësinë monstruoze, janë dhe ata, njerëzit e bukur, që kanë vuajtur, që dashurojnë e dashurohen, por edhe që humbasin e kërkohen.

Në roman Gjergji dashuron Rezanën duarartë që qep këmishat e “Odisesë” së saj të zhdukur deteve, apo diku tjetër. Evgjeni, piktori me mamanë ruse, dashuron Afërditën, artisten moderne… roman i dashurve tronditëse.

Këta dy çifte i ndajnë koha dhe rrethanat, i bashkojnë më fort se kujtimet, misioni. Mes ndarjesh e bashkimesh padrejtësia bëhet shkak, por edhe pasojë e një diktature që cënoi jetë njerëzish. Ata nuk janë vetëm, janë gjithmonë të mbështjellë nga meraku ynë, nga kujdesi vëllazëror. Dy vëllezër, Petriti dhe Martini që kërkojnë, që duan të gjejnë dhe të ndihmojnë, që duan të bashkojnë. Të mbrojnë njeriun, të mbrojnë familjen. Figura e vëllait, kjo shtyllë e fortë mbështetëse vjen në këtë roman me Martinin fjalëpak, vëllain e Rezanës dhe me Petritin përkujdesës, vëllain e Gjergjit.

Romani trajton familjen shqiptare përballë dramës së madhe të emigrimit, që mund të ndodhë brenda vendit, kur ikën nga vetja kolektive apo largon një pjesë të rëndishme, më të vuajturën dhe më idealen, – këtë Visari na e rrëfen mrekullisht. Mos vallë emigrimi largoi dhe shpirtin nga morali? Apo gjakun e bëri ujë? Përshtatja me jetën e re, edhe andej nga ana tjetër e detit, nga largimi, loti, ndarja, malli janë sfida të rënda nga ato që shënjojnë ndërgjegjen e një shoqërie.

Ndjeshmëria e autorit për të risjellë në vëmendje tragjedinë e ikjes, për të trajtuar jetë njerëzish të mbytura në det… jo si statistika, por si shpirtëra që ëndërruan dhe tani ulërijnë, i jep romanit një tis aq sa keqardhjeje e dhimbjeje, por edhe rebelimi dhe nevoje për t.u ngritur, për të kërkuar…

E teksa faqet e librit kalojnë në kërkime, udhëtime, shkrime, që vijnë nga ai që quhet Gjergj në mënyrë misterioze, por që mund të jetë cilido nga ne, kalojnë dhe vitet, koha si nocion filozofik.

Është tranzicioni që solli largim, vetmi, lotë, por dhe përpjekje për politikëbërje, nxitim dhe rrëmbim për plotësim material dhe dëshire, por edhe mpakje e varfëri, dhimbje, nevojën për gjetjen e vetes. Gjithashtu solli edhe marrëdhënie të bukura e miqësi, si ajo e Martinit me Amedeon, gazetarin italian, si e shumë shqiptarëve me familje italiane dhe Italinë e ëndërruar.

Çdo izolim bërtet një nevojë për largim dhe kështu shqiptarët kapërcyen male e dete si Kostandini mitik, iu larguan vendlindjes, për t’iu afruar vetvetes. Në një udhëtim për t’u ndjerë i lirë, për të kuptuar, larg fantazmave të së shkuarës, që ndollën shkatërrimin.

Sidoqoftë identiteti është i lidhur me vendlindjen dhe formohet prej saj, nga gjuha që flet, nga përrallat e gjyshes, nga historitë, nga poezia… nga ato ngjarje që i kemi perjetuar bashkë, qër na shpalosen dhe në roman, dhimbja e eksodit me anije, ikjet drejt ambasadave, vrasjet në kufi, të treguara kaq furishën dhe me emocion si në “Në kohën e britmës”.

Mbi të gjitha ky roman jo vetëm bërtet, po aq sa për të burgosurit, të internuarit, të vrarët nga diktatura e egër, për dhe na prin në përpjekjet për të gjetur  vendin në jetë edhe të nxit fort: “Vazhdo! Nxirre dhe ti britmën! Bërtit për veten, për ne!”

Britmën e kujt? Të Rezanës, që vuan dashurinë e humbur? Të Afërditës, që është viktimë e shpirtit të saj artistik? Të të mbyturve në Kanalin e Otrantos? Oh-trantos! – është pasthirma e autorit. Të të malluarve larg Shqipërisë? Të familjarëve që presin? Të të humburve në det? Të të zhdukurve apo të atyre që nuk u gjenden eshtrat?

Në roman gjejmë dhe personazhe me emra të vërtetë si poeti malazias, mik i shqiptarëve, Jevrem B:erkoviq, apo Maestro Ibrahim Kodra, apo shembëlltyrën e At Zef Pllumit, gjëmimet e luftës në Kosovë dhe… kthimet. Atë për të cilën po b:ertasim dhe sdot.

Dua ta gjej Gje(j)rgjin. Si mund të ndihmoj të vijë mes nesh metafora e tij sërish? Ai është guximtari, moderni, antikonformisti që s’ka frikë, që i duhet ndryshimeve, revolucioneve që bëjnë shoqëritë. Ai duhet dëgjuar. Është i mençuri mendjebukur, që edhe të tremb. Është përballuesi i veçanti në një diktaturë që imponon standartizimin, kuadratin, barazinë dhe në postdiktaturë bën të skërmisin dhëmbët kriminelët, gjakpirësit, sepse dëshmon moralin e munguar.

A e kemi prodhuar ne diktaturën, apo ajo ka prodhuar njeriun që bën keq? Çështja nëse njeriu është i mirë apo i keq nga natyra ka qenë objekt diskutimi për shumë filozofë. Sipas Rusoit njeriu lind i mirë dhe është shoqëria ajo që e korrupton. Në të kundërt, Hobs mendonte se njeriu është i prirur drejt egoizmit dhe konfliktit, prandaj ka nevojë për rregulla dhe autoritet. Ndërsa Aristoteli argumentonte se njeriu nuk është as plotësisht i mirë dhe as plotësisht i keq, por karakteri i tij formohet nga veprimet, zakonet dhe zgjedhjet që bën gjatë jetës.

Një realitet i jetuar dhe i treguar përmes historish njerëzore, siç bën Visar Zhitit me këtë roman,  sjell mes nesh dëshmi të dhimbjes dhe padrejtësisë historike. Pse kemi bërë kaq keq? Pse qenia njerëzore shtyp e dhunon? Çfarë e detyron të bëjë mënxyra? Në emër të pushtetit? Të frikës? Të padijes? Cila pikë gjaku e justifikon një autoritet të dhunshëm? Cila britmë është aq e fortë sa të shkundë përbaltjen e shpirtërave njerëzorë?

U baltos dinjiteti njerëzor. Po bërtas sot për intelektualët, shkencëtarët, studiuesit, shkrimtarët, artistët, arkitektët, mësuesit, profetët e dijes, bërtas bashkë me ta, për shoqërinë tonë si jejonë e «Kohës së britmës».  që vuan pasojat traumatike të vetes.

Themele të fundosura në baltra të rrëshkitshme ligësish. Pasuri të çmuara të mbuluara në varrin e frikshëm të harresës. Arkeologji vlerash të përhershme. – ky është romani…

Nëse nuk i vlerësojmë, nuk ndërtojmë dot më lart. Nëse nuk e njohim dhe nuk kuptojmë të kaluarën, nuk do të gjejmë qartë rrugën drejt së ardhmes. Nëse nuk nderojmë vuajtjen, dhimbjen tonë, historinë, atëherë cënojmë vetë dinjitetin tonë të të qenurit shqiptarë. Pa kujtesë nuk ka të vërtetë, dhe pa të vërtetë nuk ka liri. Ndaj liria e vërtetë për një shoqëri shpirtgjymtuar vjen kur ajo punon dhe kujton, çmon dhe pranon dhe ecën përpara..

Këto ndjeja gjatë leximit të këtij romani.

Britma ime sot është për Atdheun me dhimbje, Atdheun me vuajtje. Atdheun e bukur, me njerëz të bukur… si Rezana, Afërdita, Gjergji, Evgjeni, Martini, që na sjell Visar Zhiti, si të rinjtë sot.

Kohët ndryshojnë, diktaturat bien, por të rinjtë gjithmonë do të dashurojnë, do të qeshin, do të gjejnë të bukurën edhe në baltën që ligësia hedh. Asnjë det i zi dhune, dhimbjeje e ikjeje nuk mund të kafshojë qeshjen e dashurisë.

Fisnikët nuk do të bërtasin për hakmarrje, por me qenien dhe veprën e tyre bërtasin bukurinë e shpirtit njerëzor. Të atij shpirti që jeton.

Atdheu jemi ne.

Atdheu jane të dashurit tanë, afër dhe larg.

Atdheu janë përqafimet në aeroporte, që bërtasin mallin, lotët që bërtasin mungesën.

Atdheu janë prindërit krenarë.

Atdheu janë të rinjtë që të shohin në sy dhe frymëzohen nga dija, nga fjala.

Atdheu është dashuria.

Atdheu është kënga. Atdheu janë letrat tona, është romani i Vasar Zhitit.

Arti dhe kultura e zhvillojnë një shoqëri, sepse pasurojnë shpirtin e saj dhe sjellin emancipimin, ndaj dhe letërsia sjell dijen. Ajo hap mendjen e si zanë magjike, fal flatra dhe kështu të gjithë mund të fluturojnë në kohë e hapësira të tjera.

Përmes romanit “Në kohën e britmës” të rinjtë plotësojnë njohjen, estetikisht dhe me emocion, i qasen realiteve shqiptare, diktaturë dhe tranzicion dhe hapje ndja botës, universalizojnë ëndrrën,

Autori me këtë roman sikur na kap për dore dhe na dërgon në gjithkohë për të na treguar. Le të jetë një qytet i vogël dhe ca njerëz të zakonshëm, një rrugë nga shtëpia në një hotel, një galeri e dyer ambasadash, e bregu i detit e anije të rrëmbyera, më pas qytete të huaja, ku dhe humbet, por ajo që ndodh, është e gjithë, Europa është pas kthesës së parë dhe në një pikë loti është kthimi.

Duke lexuar aq sa trembesh, edhe shqetësohesh, intrigohesh, frymëzohesh, rebelohesh, zemërohesh, dashuron e zgjerohesh e arrin… te britma jote dhe protesta jote.

Nuk je vetëm me imagjinatën, me shpresën, por je konkretisht me librin në dorë si me një dorë, je me një autor që bën të mundur të gjesh forcën te vetja, por edhe te të tjerët, je i lirë. Misionin e tij si shkrimtar e bën kaq paqësisht, kaq artistikisht dhe do të thosha me një figuracion të pasur duke frymëzuar, ndërgjegjësuar dhe ndriçuar, me trëndafilin, tankun, me baltën, dallgën e detin, me këmishën, çelësin dhe britmën, sa të përfshin në beteja të brendshme, në përjetime e ndodhi, me artin që na duhet.

Mes dualitetetsh si jeta dhe vdekja, dashuria dhe dhuna, frika dhe guximi, drejtësia dhe padrejtësia jeton dhe realitetet , deri te i sotmi e ato që do të vijnë…

Misteri që shoqëron romanin kthehet në sfidë, në mision. Këmbëngulja për të gjetur bëhet edhe lajtmotiv. Të gjithë kërkojmë e gjejmë, secili sipas mënyrës së vet, Gjergjin e tij, që i jep kuptim ekzistencës që secili prej nesh ia jep edhe qenies së vet sot dhe vendit në shoqëri. Të gjithë kemi një arsye për të kërkuar.

Një yll polar drejtues është dhe romani “Në kohën e britmës”, i cili orienton një brez të ri të kuptojë dhe të njohë. Ai nxit besimin te optimizmi si psikologjie e përmirësit, duke ndikuar në formimin e qytetarit aktiv, që di nga vjen dhe njeh sakrificën.

“Në kohën e britmës” modelon, jo vetëm te të rinjtë, një qasje mirënjohjeje ndaj atyre që me guxim kundërshtuan, nderim ndaj atyre që kanë dhenë ndihmesën në demokratizimin e shoqërisë, për të kuptuar që asgjë që sot është e mirëqenë, s’ka qenë e lehtë për t’u arritur.

Sistemi i vlerave është përmbysur, shpesh anormalja kthehet në normë, apo privimi nga mundësitë e barabarta bëhet më tepër se sfidues, modelet orientuese jo gjithmonë janë zhvilluese e ndonjëherë demotivuese dhe sidomos gjenden përballë një pakënaqësie të akumuluar ndër vite dhe izolimi të nformacionit politik që qarkullon.

Jemi në një kohë e një brez që e njeh vështirësinë, atë emigrim të një rifillimi të jetës nga e para, një brez që ka të drejtë, ndaj kërkon ato që i takojnë.

Të rinjtë sot kanë aspirata të tjera. Ata kanë informacion dhe  kulturën e dialogut dhe me dinjitet kërkojnë jo më vetëm revolucionin politik, siç ishte rënia e komunizimit në vitet 1990, por një revolucion në mënyrën si një qytetar i shekullit XXI duhet të trajtohet në Shqipëri. Dëgjojeni… duke sjellë mendimin e ri, idenë zhvilluese e përparimtare, të cilat frymëzohen nga dija dhe leximi.

Ky roman është nga ata libra që pasuron dhe na thërret me simbolikë, sidomos për të gjetur një motivim me grintën për të bërë vendin më të mirë, për të gjetur veten, se çdo kohë ka britmën e vet njerëzore.

 

Tiranë, qershor 2026

Emil Kastrioti – burri që ia kushtoi tërë jetën çështjes kombëtare- Nga Neki Lulaj

Në foto :ulur Idriz Zeqiraj, Emil Kastrioti, Neki Lulaj në këmbë! Xhafer Leci ,Fahredin Tafallari dhe disa aktivistë të tjerë

 

Ka njerëz që jetojnë gjatë, por lënë pak gjurmë pas vetes. Ka edhe të tjerë, që ndonëse largohen nga kjo botë, mbeten të gjallë në kujtesën e brezave, sepse jeta e tyre ishte një mision. I tillë ishte Emil Kastrioti – një burrë që nuk jetoi për veten, por për kombin, për mërgatën shqiptare dhe për ëndrrën e bashkimit kombëtar.
Sot, në njëmbëdhjetë vjetorin e ndarjes së tij nga jeta, kujtimet më kthehen pas si një lumë që nuk ndalet. Më rikthejnë në korrikun e largët të vitit 1991, kur fati më dha mundësinë ta njihja për herë të parë. Kanë kaluar dekada, por ajo ditë mbetet e freskët në kujtesën time, sikur të kishte ndodhur dje.
Atë verë ndodhesha mysafir në Gjermani. Ishte një kohë e rëndë për shqiptarët e Kosovës. Në atdhe mbizotëronte frika, dhuna dhe pasiguria, ndërsa mërgata jetonte me plagën e mallit dhe me shpresën se një ditë do të vinte liria. Në mesin e atyre njerëzve që jetonin larg vendlindjes, në mërgim një emër përmendej me respekt të veçantë – Emil Kastrioti.
Një mik i imi më foli gjatë për të. Nuk fliste vetëm për një njeri, por për një idealist të rrallë. Më tregoi për netët pa gjumë, për udhëtimet e panumërta, për organizimet, për librat që shpërndante, për takimet me bashkatdhetarët dhe për përpjekjet e tij të pandalshme për t’i mbajtur shqiptarët të bashkuar rreth çështjes kombëtare ngase aso kohe nuk kishte Parti politike por funksononte me sukses “Besëlidhja kombëtare” e cila kishte grumbulluar rreth vetës pjesën me të madhe të mërgatës shqiptare. Emili ishte bërë halë në sy edhe për përfaqësitë diplomatike të  Jugosllavisë Se atëhershme. Sa më shumë dëgjoja, aq më shumë shtohej dëshira për ta takuar.
Miku im organizoi një bisedë telefonike. Nuk kaloi shumë dhe mora rrugën me makinë nga Hamburgu drejt Stuttgartit. Ishte një udhëtim i gjatë, por për mua kilometrat nuk kishin rëndësi. Më dukej sikur po shkoja drejt një njeriu që e njihja prej kohësh, edhe pse nuk e kisha parë kurrë porse në Vushtrri kisha dëgjuar për te.
Kur mbërrita, më priti me një buzëqeshje të ngrohtë dhe me një përqafim që të bënte menjëherë të ndiheshe si në shtëpinë tënde. Në fytyrën e tij lexohej urtësia, ndërsa në sytë e tij shkëlqente dashuria për kombin. Nuk kishte asnjë grimë mendjemadhësie, megjithëse ishte një figurë e respektuar  me një autoritet të madh në mërgatë. Përkundrazi, të fliste me përulësi, me sinqeritet dhe me atë fisnikëri që e kanë vetëm burrat e mëdhenj.
Kaluam së bashku disa orë që për mua u shndërruan në një shkollë të vërtetë guximi. Biseduam për Kosovën, për Shqipërinë, për shqiptarët e shpërndarë nëpër botë dhe për të ardhmen e kombit. Ai fliste me një bindje të palëkundur se, sado e vështirë të ishte rruga, liria do të vinte dhe bashkimi me Shqipërin është i pa shmangshëm. Besonte se shqiptarët nuk duhej të humbnin kurrë shpresën dhe se një ditë kufijtë që i ndanin do të mbeteshin vetëm pjesë e historisë.
Ajo që më bëri më shumë përshtypje ishte kujtesa e tij e jashtëzakonshme. Ai njihte njerëz atdhetar pothuajse nga çdo qytet i Kosovës. Kur përmendi emra nga Vushtrria dhe Mitrovica, me të cilët edhe unë kisha lidhje farefisnore e familjare, mbeta i habitur. E kuptova se ai nuk i donte shqiptarët vetëm me fjalë; ai i njihte, i respektonte dhe i mbante pranë zemrës.
Po atë ditë pata nderin të anëtarësohesha në Besëlidhjen Shqiptare me pseudonimin “Lul Shala”. Ishte një moment solemn, që edhe sot e ndiej si një nga çastet më të rëndësishme të jetës sime. Nuk ishte thjesht një anëtarësim; ishte një betim moral se edhe unë do të jepja aq sa mundesha për çështjen kombëtare.
Kur erdhi çasti i ndarjes, baca Emin Fazliu a lias (Emil Kastrioti) më solli një karton me libra të ndryshme dhe Harta të Shqipërisë Etnike . Disa m’i dhuroi mua, ndërsa të tjerët ishin me dedikime për të afërmit e tij në Vidishiq, Mitrovicë dhe Vushtrri. E dija mirë se bartja e atyre librave  dhe materialëve nuk ishte pa rrezik. Ishte një kohë kur edhe një libër shqip mund të ngjallte dyshime dhe të sillte pasoja. Megjithatë, nuk hezitova asnjë çast. I mora me vete, sepse ndihesha i nderuar që më kishte besuar atë detyrë.
Kur më në fund arrita t’i dorëzoja të gjithë librat dhe materjalet, në destinacion, ndjeva një lehtësim të madh. Sot, kur e kujtoj atë episod, më duket i vogël në pamje të parë, por në zemrën time ka mbetur si një amanet i shenjtë, të cilin pata fatin ta përmbush.
Vitet kaluan. Edhe unë u vendosa përfundimisht në Gjermani ngarkuar mbi supe me nofkën azil kërkues. Takimet me bacën Emil u bënë më të shpeshta. Çdo takim ishte një festë e vogël shpirtërore. Nuk mbaj mend të kem dalë ndonjëherë nga shtëpia e tij pa marrë një këshillë të mençur, pa dëgjuar një histori të panjohur ose pa u larguar me zemrën më të mbushur me shpresë.
Ai nuk e njihte lodhjen. Edhe kur vitet rëndonin mbi supe, mendjen e kishte gjithmonë te Kosova, te Shqipëria dhe te shqiptarët. Fliste për ta me të njëjtin zjarr si një djalosh i ri. Ishte ndër ata njerëz që nuk kërkonin as lavdi, as përfitime. Mjaftonte t’i shihte shqiptarët të bashkuar dhe ndihej i lumtur.
Edhe sot, pas kaq shumë vitesh, ruaj me fanatizëm librezën e anëtarësimit në Besëlidhjen Shqiptare. Sa herë e nxjerr nga sirtari, më duket sikur ndalem për një çast në kohë. Më rikthehet para syve fytyra e tij, buzëqeshja e qetë, shtrëngimi i dorës dhe zëri i ngrohtë që të jepte kurajë. Ajo librezë nuk është thjesht një dokument; është një copëz historie, një kujtim i shenjtë dhe një dëshmi e një kohe kur idealet peshoheshin më shumë se interesat personale.
Sot më dhemb fakti që burra të tillë nuk jetojnë përgjithmonë. Mungesa e tyre ndihet sa herë kujtojmë sakrificat që u bënë për lirinë dhe dinjitetin e kombit. Megjithatë, ngushëllimi ynë është se njerëzit si Emil Kastrioti nuk vdesin kurrë. Ata vazhdojnë të jetojnë në kujtimet tona, në librat që lanë, në veprat që ndërtuan dhe në frymëzimin që u japin brezave të rinj.
Prandaj, sa herë përmendet emri i bacës Emil, unë nuk kujtoj vetëm një njeri. Kujtoj një epokë të tërë sakrificash, idealesh dhe shprese. Kujtoj një brez që jetoi larg atdheut, por që zemrën nuk e largoi kurrë prej tij. Dhe mbi të gjitha, kujtoj një burrë që e deshi kombin pa kushte, pa kërkuar asgjë në këmbim.
Qoftë i paharruar kujtimi i bacës Emil Kastrioti! Veprat e tij le të mbeten frymëzim për çdo shqiptar që beson se dashuria për atdheun është ndër vlerat më të mëdha që mund të lërë një njeri pas vetes.

VRASJET E SHKRIMTARËVE NGA TERRORISTËT KOMUNISTË NGA VITI 1945 DERI MË 1988- Nga Bedri BLLOSHMI

-Marrë nga libri “Revolta e Qaf Barit dhe terrori komunist 1943-1990”-
Diktatura komuniste zhvilloi një luftë të egër ndaj shkrimtarëve, poetëve, gazetarëve, përkthyesve, dramaturgëve, regjisorëve, etj. Mjaft prej tyre u pushkatuannga regjimi që nga viti 1945 deri në vitin 19888. Por shumë të tjerë u burgosën dhe u torturuan në mënyrë çnjerëzore nëpër burgjet e ferrit komunist ku edhe gjetën vdekjen.
Zëvendësi i diktatorit Hoxha, Ramiz Alia në vitin 1985 vazhdoi rrugën e paraardhësve të tij. Dënimet false, me intriga e shpifje, vazhduan me të njëjtin intensitet. Ramizi vazhdonte të çonte vendin në greminë aq sa populli nuk po gjente as një copë buke misër të thatë.
Për ta shtuar terrorin Ramizi përdori edhe litarin, por kur bota komuniste po shkonte në rrokullim e sipër pa asnjë shpresë, në mesin e qytetit të Kukësit u ngrit një trekëmbësh. Poetin Havzi Nela e varën në mesin e natës dhe e lanë tre ditë të varur, duke e detyruar popullin të pështynte poetin e talentuar.
Në 10 gusht 1988 terrori vazhdoi, duhej derdhur gjak sepse gjaku ishte ushqimi kryesor i komunistëve. Formula u gjet në vitin 1990. U ndryshua ligji i arratisjes, ku sistemi nuk të pushkatonte më, por të dënonte me riedukim nëpërmjet punës deri në 5 vjet burg. Atëherë populli donte të ikte nga sytë këmbët për të mbushur barkun me bukë. Ata besuan tek ky ndryshim ligji se nuk i vriste ushtari apo komandanti i postës. Por Ramizi çfarë bëri me këta që merrnin arratinë:
Mbasi i vrisnin i lidhnin me tela me gjemba pas makinës dhe i shëtitnin nëpër rrugët e fshatrave e qyteteve ku ishin vrarë duke lënë pas shkulmet e gjakut që skuqnin rrugët apo bulevardet. Dhe në gramat e fundit zv. Diktatori kishte derdhur gjak për 45 vjet nuk u ndal. Vetëm gjak e lot shkaktuan këta pushtues të Shqipërisë. Këtu pa përfshirë gjakun e derdhur gjatë luftës civile para nëntorit 1944 nga këta barbarë.
Parlamenti shqiptar hesht kur vjen puna për këto vrasje. Dëgjojmë shpesh të thuhet se zv.diktatori ka kryer krime si Çigiskahni e Hitleri, por askush nuk mori kurajën t’i hidhte hekurat për krimet e kryera, madje harrojnë dhe nuk i përmendin fare këta djem nënash që u vranë e u tërhoqën zvarrë pas makinave duke mbjellë terror.
Po publikojmë emrat e shkrimtarëve dhe të gazetarëve të pushkatuar nga regjimi dhe të vdekur në qelitë e burgjeve.
Të pushkatuar
1. At Anton Harapi – shkrimtar
2. Doma Lazer Shantoja – shkrimtar
3. Dom Ndre Zadeja – poet
4. Trifon Xhagjika – poet – pushkatuar në vitin 1963
5. Xhelal Koprencka – poet – pushkatuar në vitin 1979 në burgun e Spaçit
6. Genc Leka – mësues, poet, studiues folklori – pushkatuar më 17 korrik 1977
7. Vilson Blloshmi – poet, përkthyes – pushkatuar më 17 korrik 1977
8. Beqir Çela – poet
9. Havzi Nela – poet – varur në litar më 10 gusht 1988
10. Qani Panariti – përkthyes
11. Dhimitër Falla – përkthyes
12. Imzot Jul Bonati – përkthyes
13. At Gjon Shllaku – gazetar kritik
14. Terenc Toçi – gazetar
15. Fadil Kokomani – gazetar – pushkatuar në burgun e Spaçit në vitin 1979
16. Vangjel Lezho – gazetar – pushkatuar bashkë me Fadilin në një natë në Spaç në vitin 1979.
Vdekur në hetuesi dhe në burg
1. Muzafer Pipa – gazetar, kritik – vdekur në hetuesi
2. At Aleksandër Sirdari – folklorist – vdekur në hetuesi
3. Frat Gjon Pantali – regjisor – vdekur në hetuesi
4. At Nikoll GAzuli – linguist – vdekur në hetuesi
5. Vinçent Prenushi – poet – vdekur në burg
6. Et’hem Haxhiademi – poet, dramaturg – vdekur në burg
7. Pjetër Gruda – aktor – vdekur në burg
8. Mirash Ivanaj – linguist – vdekur në burg
9. Sulejman Idrizi – linguist – vdekur në burg
10. Qemal Draçani – kritik – vdekur në burg
11. Gjergj Bubani – gazetar – vdekur në burg
12. Kiço Venetiku – dirigjent – vdekur në burg
13. Krisanthi Venetiku – fotograf – vdekur në burg
14. Vangjush Tushi – piktor – vdekur në burg
15. Myqerem Janina – përkthyes – vdekur në burg

Ulqin, 28 qershor 2026- Një pakujdesi gati sa nuk u shndërrua në tragjedi – guximi i të rinjve  shqiptarë shpëtoi një jetë- Nga Neki Lulaj

Fundi i muajit qershor ka sjellë një valë të fortë të nxehti që ka përfshirë pothuajse të gjithë Evropën dhe Ballkanin. Temperaturat e larta tropikale kanë vështirësuar jetën e përditshme, ndërsa në disa vende evropiane kanë shkaktuar edhe humbje jetësh.
Për t’i shpëtuar vapës përvëluese, mijëra qytetarë kanë zgjedhur bregdetin, pishinat apo zonat malore për t’u freskuar. Edhe qyteti bregdetar i Ulqinit ishte i mbushur me pushues nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe vende të ndryshme të Evropës Perëndimore. Plazhet ishin të stërmbushura dhe deti dukej i qetë, por pikërisht kjo qetësi mund të krijojë një ndjenjë të rreme sigurie.
Një ngjarje që për pak sa nuk përfundoi në tragjedi ndodhi sot në Plazhin e Madh të Ulqinit. Një pushues 62-vjeçar nga Shkupi, me kombësi shqiptare, kishte hyrë në det për t’u freskuar. Pas pak çastesh ai u gjend në vështirësi dhe nuk arriti më të kthehej drejt bregut.
Rreth 40 metra larg bregut u dëgjua një thirrje dëshpëruese:
“Ndihmë… mbarova!”
Pa humbur asnjë sekondë, një grup të rinjsh që ndodheshin në plazh u hodhën në det për ta ndihmuar, duke rrezikuar edhe jetën e tyre. Në ato momente pranë kaloi edhe një skaf me dy të rinj, të cilët iu afruan menjëherë personit që kërkonte ndihmë. Falë reagimit të shpejtë dhe bashkëpunimit të tyre, burri u nxor shëndoshë e mirë në breg.
Pasi mori frymë dhe u qetësua, iu afrova për ta përshëndetur dhe i thashë:
“Lum për ne e për ty që shpëtove, o burrë!”
Ai, ende i tronditur nga ajo që kishte përjetuar, u përgjigj:
“Më shpëtuan njerëzit e mirë, sepse unë e pashë vdekjen me sy.”
Më pas shtoi me emocione:
“Duhet të krenohemi me këtë rini që kemi. Ata sakrifikuan për të më shpëtuar jetën. Unë nuk di not. Hyra në det për t’u freskuar, por mbeta pa mundur të kthehesha në breg. Të them të drejtën, kam gëlltitur shumë ujë, por falë Zotit dhe këtyre njerëzve të mirë sot jam gjallë.”
Në fund të bisedës i urova shëndet dhe jetë të gjatë, ndërsa të rinjve që ndërhynë pa hezitim u shpreha mirënjohjen dhe respektin më të madh për veprën e tyre fisnike e humanitare.
Ky rast është një apel për të gjithë pushuesit që të mos e nënvlerësojnë kurrë detin. Edhe kur ai duket i qetë, mund të fshehë rreziqe të papritura. Kujdesi, respektimi i rregullave të sigurisë dhe ndërgjegjësimi janë mënyra më e mirë për të shmangur tragjeditë. Ndërsa guximi dhe humanizmi i këtyre të rinjve mbeten një shembull frymëzues se solidariteti dhe dashuria për jetën e tjetrit janë vlera që meritojnë çdo vlerësim

Dielli nuk mbulohet nga retë- Poezi nga Isuf B.Bajrami

Ai lindi
rrëzë Shkëlzenit,
në një tokë ku bora ruan fjalën
dhe guri mban betimin.

E quajtën Tahir Sinani.

Dhe emri i tij
nuk mbeti në një vend,
por u bë rrugë.

Shkëlzeni e pa si lindje drite,
si hap i parë mbi dheun e lirë.

Kullat e malësisë
e njohën në heshtje,
si burrat që flasin pak
por mbajnë shumë në zemër.

Pashtriku ia hapi horizontin,
si flamur që s’bie kurrë në tokë.

Shari e kurorëzoi me Plis mbi mjegull,
prandaj mjegulla nuk e fshehu dot
hapin e tij të rëndë si vendim.

Karadaku i dha jehonë,
si këngë që nis larg
dhe kthehet më e fortë.

E Korabi…

Korabi e priti në shpatet e tij,
aty ku era flet më fort se fjala,
dhe qielli bie mbi gurë
si dëshmi e heshtur.

Nëpër këtë rrugë
rridhnin lumenjtë poshtë maleve,

Drini si damar i tokës,
dhe fushat hapeshin
si libra të hapur historie.

Bagëtitë e bjeshkëve
e shikonin në kalim
si të kuptonin
se disa njerëz
nuk janë thjesht kalimtarë.

Ata janë gjurmë.

Ai kaloi
si stuhi që nuk shkatërron,
por zgjon.

Si zjarr që nuk djeg tokën,
por ndez kujtesën.

Dhe retë erdhën…
si gjithmonë
kur dielli është i fortë.

U munduan ta mbulojnë
Shkëlzenin, Pashtrikun, Sharrit, Karadakun, Korabin…
por malet nuk u zhdukën.

Vetëm u bënë më të heshtura,
duke pritur dritën.

Sepse emri i tij
nuk ishte vetëm emër.
Ishte vijë drite
që lidh kreshta me kreshta,
kullë me kullë,
zemër me zemër.

Tahir Sinani
nuk ecën më mbi tokë.

Ai ecën mbi kujtesë.

Dhe aty ku kaloi,
nuk mbeti vetëm gjurmë.

Mbeti betim.

Prandaj:
Dielli nuk mbulohet nga retë.

Sepse retë kalojnë
mbi Shkëlzen, Pashtrik, Sharr, Karadak e Korab…
por dielli që u ngrit mbi to
nuk zbret më.

Ai bëhet dritë
në çdo agim
që lind mbi këto male.

Vendi i Lekës,26.06.2026

O moj Shqipëri me vlerë! Ti je zgjuar këtë herë!- Poemë nga ESHREF YMERI

 

 

O moj Shqipeja me vlerë!

Ti je zgjuar këtë herë!

Nxirr në krye njer’z me nder!

Të të drejtojnë përherë.

Shporre Ramën që mbjell vrer,

Se Rama ësht’ veç kolerë,

Ta ka bër’ jetën zeher.

Moj Shqipe në dallg’ të flamës,

Nën pushtet të Edvin Ramës,

Shih se çfarë të ka kurdisur,

Servilserbi i dalldisur,

Sa keq të ka katandisur,

Shih se ku të ka vithisur,

Moj e mira fatgremisur,

Ty të do të boshatisur,

Një milion t’i ka degdisur

Nëpër botë arratisur.

Të tjerë do degdisë, n’inat

Po pret një tjetër mandat.

Shih si të ka poshtëruar

Me ftesën që ka dërguar

Për armikun e harbuar,

Në koncert na e ka ftuar

Bregoviçin e marruar,

Atë që u ka kënduar

Kriminelëve të tërbuar

Të Serbisë së hakërruar,

Krejt shqiptarët për t’i shuar.

Atë ftesë pse e dërgoi?

Sepse djalli e mësoi:

Se kërkon që të mbjellë vaj,

Shqiptarët t’i përçaj.

Moj Shqipe, me shtat të derdhur,

Rama ty keq ta ka hedhur.

Rama, ky njeri i hiçit,

Servilthekur i Vuçiçit,

Sikur ka marr’ porosinë,

Ta shpërbëjë Shqipërinë,

Po ashtu dhe Dardaninë,

Duke mbjellë dhe tradhtinë.

Dhe të gjithë bukur e dinë,

Qëllimit po ia arrinë

Me trarin e Kalimashit

Nën efektin e hashashit.

Tani dhe vite më parë,

Bashkë me Thaçin i pandarë,

Ky Vuçiçi s’ka karar

Krejt shqiptarët pa i parë

Si askund të përçarë,

Kasht’ e koqe të shpërndarë,

Cep më cep në botën mbarë,

Punë që Rama e ka tharë.

Dhe Rama nuk kuturis

T’i kërkojë hesap Serbisë

Për krimet që i ka kryer

Dardanisë gjakpërlyer

Me vrasje dhe përdhunime,

Me djegie dhe shkatërrime.

S’kuturis se s’ka derman,

Me Vuçiçin nuk ia mban

Se ësht’ burrë pa taban.

Nuk ia mban as sadopak

Se ka lindur frikacak.

Domosdo veç na kujton

Atë diktatorin “tonë”,

Kur  si langua i stanit

I servilosej Dushanit,

Dushanit dhe Miladinit,

Burracak, pjell’ e mjerimit.

Gënjeshtrën e ka parim,

Të ngritur gjer në mashtrim,

Dhe vret mendjen e mendon

Si ta tallë Shqipen tonë.

Që të sundojë pa mbarim

Ka arritë një përfundim:

Me gënjeshtra, punë që dihet,

Me mashtrim gjithçka arrihet.

Ju, shqiptarë, kudo që jeni,

Një bindje të gjithë e keni,

Atje ku banoni, rrini,

Brenda, jashtë apo nga vini,

Se ç’është Rama, “kryetrimi”?

Thjesht është një humnerë mashtrimi.

Por ama ka dhe guxim,

Fton Prishtinën në takim,

Të ulet me kriminelë,

Që s’duan gojën me çelë

Për krimet që patën mbjellë

Dardanisë kryekështjellë.

Dikur me gjuhën e “trimit”,

Si njeriu i “guximit”,

Atje në kështjell’ të krimit,

Në Beograd, pjellën e zisë

Ia pat kujtuar Serbisë

Pavarësinë e Dardanisë,

Çka Vuçiçin e habiti,

Atë fjalë mirë nuk e priti,

Që dardanët peshë i ngriti.

Por koha iku, kaloi,

Rama shpejt mendjen ndryshoi,

Ato fjalë krejt i harroi,

Vuçiçin e përqafoi,

Krimet kurrë nuk ia kujtoi.

Me Vuçiçin flaku sqimën,

Dardanisë i ktheu shpinën.

Kur dardani kritikon,

Rama zë e reagon,

Reagon edhe nuk resht

Edhe shpejt kërcen si plesht,

Por për krimet serbe hesht.

Çdo shqiptar mendjekthjelluar

Lë mendjen i befasuar:

Medet çfar’ na paska qenë

Ky Rama kaq “hijerëndë”

Me të vetët gojëpis,

Por servil që të bezdis

I Vuçiçit të Serbisë,

Armikut të Dardanisë

Dhe të mbarë Arbërisë.

I duket dele mileti,

Se e ka dehur pushteti,

Jo pak, njëzet e ca vjet,

A thua se është mbret.

Çudi me popullin tonë,

Dostojevskin të kujton,

Kur për popullin rus shkruan

Që ka kënaqësi kur vuan.

Ndaj dhe Rama nuk përton,

Diktatorin imiton:

Shtypi njerëzit, nxirru shkumë

Që të të duan më shumë.

Gjasat janë: do zgjatet lëmshi

Deri te dyzetenjëshi,

Qindvjetorin për të pritur

E partisë “mendjendritur”

Për çka bërë e për çka ditur

Të pjellë servilë të selitur,

Servilë të gjyshepartisë,

Shërbëtorë të Serbisë.

Moj Shqipe përballë shqotës,

Rama, ky hajdut i votës,

Të ka bër’ gazin e botës,

Po të luan mendtë e kokës.

Dhe një ditë, nesër  a sot,

Serbogreku do të thotë:

“Shqipja ka mbetur pa zot,

Shqipen e shkeli kush deshi,

Nga Maroku e Bangladeshi”.

Dhe vërtet, u turpëruam,

Trojet dot nuk i bashkuam,

Se kemi qen’ të përçarë,

Njëri-tjetrin duke vrarë,

Që nga koh’ e Ilirisë,

S’na u shqit dell’ i marrisë.

Siç duket, ka qenë bitisë,

Kemi mallkim prej Hyjnisë.

Serbogrekët po gëzojnë,

Njëri-tjetrin e urojnë,

Na përbuzin, na sfidojnë

Dhe duart rrin’ e fërkojnë.

Shqipe, kthe mendjen për mirë!

Largoje këtë qafir!

Këtë njeri të pështirë,

Sepse jetën ta ka nxirë,

Ta ka nxirë e bërë pis,

Hundën vetë e mban në lis.

Ta ka nxirë fare katran,

Asnjë lum’ dot nuk ta lan.

 

ZVËRNEC I BUKUR I DHEUT- Poezi nga Albert HABAZAJ

 

 

Zvërneci im, i bukur i dheut,

I qetë, bujar, në vendin tënd,

Dinjiteti i rrënjëve të thërret: ngrehu

Mos lejo të të fyej një që u çmend.

 

Asnjë mos lejo, as dhjetë, as njëqind

Se je siç të ka falur Perëndia,

Asnjë hiene a lugati mos iu bind

S’është erë deti, është vetë lubia.

 

Dhe njerëzit, dhe flamingot, dhe pelikanët

S’i mbajnë më dot litarët e durimit,

Ne nuk kanë as cipë, as Atdhe rrufjanët,

As fe nuk kanë, a i zëntë mallkimi!

 

Deti merr frymë rëndë me dallgë tërbimi

Dhe rëra dhe pishat ndjejnë çoroditje,

Përrenjtë e bardhë nxihen nga zemërimi

Dhe mbushin detin në buzë me tronditje.

 

Fara e ligë nuk zë kurrë në Zvërnec

Për ne Zvërnec domethënë perlë,

Dufi popullor shpërthen një shtet mistrec

Si pena e Fatos Arapit qëllon thellë.

 

Vlorë, 12.06.2026


Send this to a friend