Në dosjen “Hazbiu” dëshmitë e dy gardianëve të përzgjedhur për operacionin e fshehtë me Teme Sejkon, pas shpalljes së vendimit gjyqësor, mbajnë datën 14 qershor 1983. Rrëfimi rrëqethës i njerëzve të besuar të Kadri Hazbiut dhe krerëve të Sigurimit të Shtetit zbulon për herë të parë misteret e çasteve të fundit të ishkomandantit të Flotës Luftarake. Hetuesit e ministrit më jetëgjatë të Policisë Sekrete kanë hedhur në letër me përpikmëri çdo detaj nga pohimet e zyrtarëve që kanë kryer aktin e fundit me kufomën e Teme Sejkos duke lënë të nënvizuar pjesën më makabre të tyre. Historia që tregojnë para hetuesve të Hazbiut dy zyrtarët e Ministrisë së Brendshme, Islam Gjondeda e Qemal Xhaferri, fillon me torturat çnjerëzore mbi trupin e Teme Sejkos në bazën e Sigurimit në Maminas, vazhdon me çastet kur e mbytën me litar në makinën e degës dhe mbyllet me zhveshjen e rrobave para groposjes në zonën e Linzës. Ngjarja e pa precedentë ka qenë arkivuar “Top sekret” në skutat e Ministrisë së Brendshme për t’u zbuluar pas 20 vitesh në procesin e njërit prej protagonistëve kryesor të saj.
DËSHMIA E QEMAL XHAFERRIT
Lidhur me sa pyetëm, kam për të dhënë këto shpjegime: Në vitin 1960 më thërret në zyrë pasdite, në Ministrinë e Brendshme, armiku Mihallaq Ziçishti. Atje gjeta edhe Qemal Birçen e Islam Gjondedën, Luto Beqirin dhe Jorgo Bimon, kushëri i Mihallaqit, që kishte qenë shofer e u bë më pas oficer e që ka vdekur. Ishte ora rreth 17:00 pasdite. Pak më pas erdhi edhe Mihallaqi. Më tha disa herë ku ishit, do t’i thoni asgjëkundi, e kishte fjalën që çdo gjë ta mbanim sekret. Na mbajti Mihallaqi në zyrë pa na thënë gjë. Rreth orës 21:00 erdhi armiku Kadri Hazbiu, nuk e mbaj mend kush erdhi tjetër. Pa na thënë asgjë, na morën me makinë e na sollën te burgu i vjetër Nr. 5. Nga Qemal Birçe mësova se ishte arrestuar Teme Sejko dhe Tahir Demi. Na thanë që po bënim roje, me ta nuk do të bisedoni, nuk do të lini njeri të futet brenda. Përgjegjës ishin Qemal Birçe dhe Islam Gjondeda. Nuk e mbaj mend sa qëndruam atje. Në këtë kohë që i mbanim atje, Temja me Tahirin ishin dënuar me vdekje dhe prisnin vendimin përfundimtar. Temen me Tahirin i mbanin në dy dhoma, ballë për ballë në kat të dytë, ndërsa ne që bënim shërbim, rrinim në dy dhoma në kat të parë. Lart në korridor, midis dy dhomave ku rrinin të arrestuarit, qëndronte roje vetëm një nga ne të katërt që bënim shërbimin sipas radhës… Më kujtohet se gjatë kohës që dy të arrestuarit kanë qëndruar atje, kam parë që kanë ardhur bashkërisht disa herë ditën Kadri Hazbiu me Rexhep Kollin, Mihallaq Ziçishtin e Nevzat Haznedarin, ku qëndronin gjysmë ore a një orë dhe iknin. Se çfarë bënin, nuk e di se nuk futeshim brenda, por me sa mbaj mend, të dy të arrestuarit i kisha parë që shkruanin. Kadri Hazbiu ose të tjerë nuk i kam parë të vinin vetëm, nga të sipërmit mundet të ketë ardhur ndonjëri natën, por unë mund të kem qenë në gjumë, po edhe shokët nuk më kanë thënë gjë. Një natë, unë e kisha shërbimin e rojës nga ora 2 deri në 4 të mëngjesit. Kur u ngrita, më tha shoku tjetër, Luto Beqiri që e kanë marrë Teme Sejkon dhe se ku e kanë çuar. Kush e mori, i thashë unë. Lutua më tha, ishte Mihallaq Ziçishti, Rexhep Kolli, Nevzat Haznedari, Qemal Birçja, Islam Gjondede dhe Jorgo Bimo. Pas një ore, erdhi tek ne Jorgo Bimo me makinë dhe më tha hajde, se do të vemi në një vend. Më çoi afër Maminasit, në mes të vreshtit ku ishte një shtëpi e vetmuar që në të nuk banonte njeri. Kur shkova atje, gjeta Mihallaqin, Rexhepin, Nevzatin, Qemal Birçen, Islam Gjondedën, kishin edhe Teme Sejkon që ishte me duar të lidhura. Unë i gjeta duke e rrahur Temen me shkopinj. I kishte plasur gjaku në gjithë trupin. Sa ndenja unë, u thyen 5-6 shkopinj. Të gjithë e rrihnin me radhë. Unë aty ndenja pak minuta se pastaj më thanë e dola roje në një kodër të vogël mbi shtëpi, ndërsa Islam Gjondede, poshtë shtëpisë se mos afrohej njeri. Qëndruam deri në darkë, rreth orës 20:00 kur erdhi Kadri Hazbiu, i cili u fut brenda, qëndroi pak minuta, se ç’bisedoi dhe u largua. Si iku Kadriu, që nga vendi ku bëja roje, pashë që Temen e nxorën jashtë për duarsh e për këmbësh dhe e hodhën në makinë. Aty shkuam edhe unë e Islami. Kur vajta aty, dëgjova shokët që thanë që do ta mbysim, që mos të qëllojmë me armë, se dëgjohen të shtënat. Se kush e tha këtë, nuk e mbaj mend. Që pa u nisur makina, mbaj mend se Temes i hodhëm në fyt një litar kërpi të trashë sa gishti dhe të dy anët e litarit i tërhoqëm me radhë në të dy krahët, derisa e mbytëm Temen, pra s’kishte më asnjë shenjë jete. Mihallaq Ziçishti e Rexhep Kolli kanë qenë prezent gjatë gjithë kësaj kohe. Ne të shërbimit e bashkë me ne edhe Nevzat Haznedari u nisëm në drejtim të Tiranës e pastaj shkuam në Linzë, në disa kodra. Para nesh, me sa më kujtohet, ishte makina e Mihallaq Ziçishtit dhe kur ndaloi ai, ndaluam edhe ne. Aty nuk e pashë më Rexhep Kollin, se ku kishte qëndruar nuk e di, mundet në Tiranë. Kur shkuam në Linzë, ishte errësirë dhe vend me shkurre. Temen e kapëm dy veta dhe zvarrë e zbritëm rreth 20 metra poshtë rrugës, vendi ishte shumë i pjerrët. E çuam ku ishte një gropë e hapur, se kush e kishte bërë, nuk e di. E hodhëm në gropë. Në gropë, me sa më kujtohet, dikush i ra me kazmë në kokë disa herë dhe tha: “Sa të fortë e paska kokën”. Para se ta hidhnim në gropë, Jorgo Bimo i hoqi pantallonat dhe një bluzë kadife dhe i mori me vete. Pas kësaj, e mbuluam me baltë, shkuam tek makinat dhe erdhëm në Tiranë.”
DËSHMIA E ISLAM GJONDEDËS
I vitlindjes 1914, banues në Tërbaç të Vlorës, pensionist, dëshmonte më 14 qershor 1983 rreth vdekjes së Teme Sejkos si më poshtë: “Lidhur me sa pyetëm, kam për të dhënë këto gjëra: vitin e saktë nuk e mbaj mend, por duhet të ketë qenë viti 1960. Isha në Drejtorinë e Policisë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, në sektorin e zbatimit të vendimeve penale. Një ditë më thirri në zyrën e tij armiku Mihallaq Ziçishti që në atë kohë ishte zëvendësministër i Punëve të Brendshme. Aty gjeta edhe shokë të tjerë që nuk i mbaj mend. Mihallaqi na tha se do t’u ngarkoj me një detyrë të rëndësishme. Në mbrëmje vonë, me makinën që e drejtonte Jorgo, kushëriri i Mihallaqit, na çuan te burgu i vjetër. Veç Nevzat Haznedarit, kishte edhe tre-katër vetë të tjerë që nuk i mbaj mend. Kur sh kuam te burgu i vjetër, erdhi edhe Mihallaq Ziçishti, i cili na tha që do të ruani Teme Sejkon dhe Tahir Demin. Temen e Tahirin, siç mora vesh aty, pasi i dënuan me vdekje, i prunë aty. Sepse, nuk e di. Unë për vete e dija deri atë ditë se ata qenë pushkatuar. Temen dhe Tahirin i kishin vendosur në dy dhoma përballë njëra–tjetrës në katin e dytë, që ndaheshin me një korridor në mes. Edhe ushqimin atje e hanin. Aty kemi qëndruar rreth një muaj. Aty bënim roje katër veta, që s’i mbaj mend cilët ishin. Roje bënim dy e nga dy. Gjatë kohës që qëndruam aty, mbaj mend që kanë ardhur Mihallaq Ziçishti, Rexhep Kolli, Nevzat Haznedari që futeshin në dhomat e këtyre, se ç’bënin nuk e di se e mbyllnin derën. Tjetër njeri nuk më kujtohet të ketë ardhur. Një mbrëmje erdhi Mihallaq Ziçishti me Nevzatin dhe shofer Jorgon. Sonte, tha Mihallaqi, do ta heqim Teme Sejkon. Dhe, me sa kujtoj unë, që atë natë e hoqën Temen, e çuam me makinën e Jorgos në një shtëpi në Maminas, midis vreshtit. Atje nuk banonte njeri. Mua më kujtohet se atje kemi qëndruar rreth dy ditë. Aty, veç ne të shërbimit, erdhi edhe Mihallaqi me Jorgon. Tjetër njeri unë nuk mbaj mend të ketë ardhur. Mua më caktuan dhe qëndrova roje aty tek dera e shtëpisë. Unë Teme Sejkon e kam njohur shumë mirë, sepse atë e kam pasur komisar batalioni për një vit, më 1944, në Batalionin e Disiplinës në Gurrë të Tiranës. E kam parë edhe më pas kur ka qenë në Vlorë. Edhe te burgu i vjetër që e morëm në makinë dhe e çuam në Maminas, unë kam qenë prezent dhe Temen e kam ruajtur e shoqëruar. Kam qenë prezent edhe kur e kanë nxjerrë Teme Sejkon jashtë nga shtëpia në oborr, i vumë një litar me lak në fyt dhe katër veta, dy në një krah e dy në një krah e shtrënguam sa Temja vdiq. Mihallaqi tha e lëvizni njëherë. Ne e kthyem në Linzë (Linzë) në disa kodra. Qëndruam atje ku kishte qëndruar Mihallaq Ziçishti. Prezent ishte edhe Nevzat Haznedari. E morëm kufomën unë me shokë dhe e çuam tek gropa që ishte bërë përpara, se nga kush, nuk e di, dhe ishte rreth 100-200 metra larg xhadesë në një vend të pjerrët me shkurre. E hodhëm në gropë dhe e mbuluam me baltë. Nuk mbaj mend të jetë bërë ndonjë veprim tjetër aty me kufomën. Kujtoj gjithashtu që gjithë këto veprime janë bërë në errësirë, po a ishte herët në mëngjes pa u gdhirë mirë, a ishte mbrëmje, nuk e mbaj mend. Unë nuk kam dijeni nëse Temen e kanë rrahur gjatë kohës që e mbajtën në Maminas dhe nuk mbaj mend nëse e kishin dëmtuar në fytyrë me gjak. Më kujtohet vetëm një gjë, që kur i hodhëm litarin në fyt, ia bëri vetëm njëherë “ah”, sytë i zgurdulloi dhe nuk foli më … vijon.
“E mbytën, e pushkatuan apo e nxorën nga burgu Teme Sejkon?!”
Fundi i Teme Sejkos ishte një nga enigmat që kreu i regjimit nuk e zbardhi asnjëherë. Deri në çastet e fundit, për Hoxhën fati i ish-admiralit të Flotës Luftarake nuk e kapërceu kufirin e dilemës përvuajtëse. E mbytën, e vranë apo e nxorën fshehtazi nga burgu Teme Sejkon?! Njëri nga zyrtarët e kabinetit të kreut të Partisë pohon se e vërteta për çastet fatale të “gjeneralit tradhtar” ka qenë një nga misteret e periudhës së diktaturës që ka shkaktuar përvuajtje të jashtëzakonshme për Enverin. Historia e admiralit nga Çamëria, i dënuar me vdekje në vitin ‘61 si agjent i grekëve dhe amerikanëve, sipas ndihmësit të shefit të regjimit, u rikthye në vëmendjen e Enver Hoxhës në fillimin e viteve ‘80. Në gjyqin që Sekretariati i KQ i bëri Kadri Hazbiut, pas dënimit të Mehmet Shehut në shtator ‘82, u publikuan për herë të parë disa aspekte të panjohura të dosjes së Teme Sejkos. Sipas tyre, pohon ish-funksionari i KQ, admirali i Flotës nuk kishte qenë vetëm agjent i grekëve e amerikanëve, por edhe i KGB-së. Ndërkaq, në këtë mbledhje është dëshmuar edhe një fakt tjetër: Teme Sejkon nuk e kanë pushkatuar sipas vendimit të gjyqit, por e kanë mbytur në qeli! Enigma këtë radhë tronditi fort Enver Hoxhën, i cili kërkoi me ngulm arsyen pse dy ish-zëvendësministrat me bekimin e Kadri Hazbiut kishin kursyer skuadrën e pushkatimit dhe i morën jetën Sejkos me duart e tyre! Gjithçka në këtë lëmsh të dhënash parakuptonte një veprim të mundshëm të Mehmet Shehut për të fshehur gjurmët e tij. Sidoqoftë, mbledhja maratonë e 20 shtatorit 1982 nuk ofroi ndonjë gjë të re mbi fatin e dosjes së Teme Sejkos. Një ditë më pas, kujton ishpunonjësi i K.Q, një letër e papritur në zyrën e Hoxhës e riktheu çështjen e Temes me një dramaticitet rrëqethës. “Teme Sejkoja është parë në Patos!” Ky lajm që Enverit i vinte nga një i njohur, e fuste situatën në një tjetër hulli. Në zbardhjen e enigmës, Enveri i dha urdhër të prerë Hekuran Isait, atëherë ministër i Brendshëm, për të gjetur vendvarrimin e Teme Sejkos e për t’i sjellë eshtrat e tij që t’i shikonte me sytë e vetë. Njeriu që ka punuar në kabinetin e Enverit mban mend që pas kësaj u ndërmor një operacion sekret në kërkim të eshtrave të Teme Sejkos. “Për tre muaj, mbi 300 ushtarë, shpjegon ai, kërkuan në kodrat e Linzës, por përpjekjet e tyre rezultuan pa sukses. Pikërisht ky ka qenë momenti, sipas funksionarit të KQ, që Enveri ka porositur krerët e lartë të Sigurimit për të thirrur në procesin e Hazbiut gardianët që kanë pasur në ruajtje komandantin e Flotës, por edhe dëshmitë e tyre nuk kanë zbardhur ndonjë gjë rreth enigmës për vendvarrimin e Sejkos.
AFRIM IMAJ
Deshmia e Kadri Hazbiut në burg: Teme Sejko vdiq nga torturat, e mbytën me litar në qafë
“Para se të ekzekutohej sipas vendimit të gjyqit, Teme Sejko është marrë dhe është çuar për t’u pyetur jashtë burgut. Aty është torturuar për t’i marrë rezervat që fshihte. Në dhunë e sipër ka ndërruar jetë. Rexhep Kolli e Nevzat Hazdenari më raportuan se Temja kishte vdekur nga shtrëngimi me litar në grykë”.
Në fakt, pohimet rrë-qethëse të Kadri Hazbiut para hestuesve në janarin e vitit 1983, ish kreu i Policisë Sekrete më herët i ka bërë para Enver Hoxhës në mbledhjen e Byrosë Politike. I thirrur në raport nga shefi i tij, Hazbiu është befasuar me mënyrën me të cilën Hoxha i kërkonte të dhëna për një histori të hershme. Fillimisht, njeriu që kishte ndjekur nga afër hetimet dhe dënimin e ish-kreut të Flotës Luftarake në vitet ’60, është munduar të shtejllojë rrethanat që i kujtoheshin aty për aty nga ai proces. Mirpo kreu i regjimit nuk ia ka vënë veshin dhe ka dalë menjëherë tek informatat e fundit të siguruara në rrugë agjenturore, duke i kërkuar llogari pse e kishte mbytur Teme Sejkon dhe nuk e kishte pushkatuar sipas vendimit të gjykatës. Pjesa që shpjegon Hazbiu në hetuesi, në vija të përgjithshme, është një mbivendosje e përgjigjeve të tij para Enver Hoxhës, me të vetmin ndryshim saktësimin e vendit të krimit dhe mjeteve me të cilat i morën jetën barbarisht ish-komandantit të Flotës Luftarake në majin e vitit ’61. Veç këtij episodi dramatik, marrë nga libri i Kastriot Dervishit “Kadri Hazbiu, krimet dhe vrasja e tij”, gazeta “Panorama” boton sot dëshmi të tjera të ish-shefit të Shërbimit të Fshehtë përballë akuazve të Mihallaq Ziçishtit, ish-numrit dy të Policisë Sekrete për shumë dekada, Llambi Peçinit, të besuarit të Mehemt Shehut në Sigurimin e udhëheqjes, Fiqrete Shehut, të vesë së kryeministrit të vetvrarë etj.
11.1.1983 Pyetje: Ç’keni për të thënë rreth atribuimeve që dëgjuat nga armiku Mihallaq Ziçishti se ju e keni vënë në dijeni që mbanit lidhje agjenturore me këshilltarët ushtarakë jugosllavë, të cilët i informonit për çdo gjë dhe se ishit vënë prej kohësh në shërbim të agjenturës jugosllave? Përgjigje: Për sa i përket çështjes së marrëdhënieve me këshilltarët jugosllavë, i kam thënë vetëm në drejtim të marrëdhënieve të mira, normale me ta dhe jo agjenturore, pikërisht për ato marrëdhënie që kanë karakterizuar bashkëpunimin me ta, për atë kohë që ata kanë qenë pranë Sigurimit të Ushtrisë. Për sa i përket problemit të vënies në shërbim prej kohësh në favor të jugosllavëve, siç thotë Mihallaq Ziçishti, kjo është një shpifje prej spiuni të regjur.
Pyetje: Si e shpjegoni faktin që për këtë problem, edhe armiku tjetër Llambi Peçini është shprehur, siç e dëgjuat, se: “Këshilltarët jugosllavë merrnin çdo gjë që kishte Sigurimi i Ushtrisë dhe se ju kishit porositur që t’u jepej gjithçka që kërkonin ata?” Përgjigje: Llambi Peçini jep deponimin e tij, për të cilin mban vetë ai përgjegjësi; këshilltarët jugosllavë na kanë dhënë materiale vetëm të karakterit teorik, që nuk u pranuan nga ana jonë. Lidhur me ndërtimin e punës së Sigurimit, normat e marrëdhënieve me Drejtorinë Politike e Shtatmadhorinë, rregullat administrative të marrjes së kontingjentit, përpunimit, regjistrimit, evidencës operative, por jo të dhëna konkrete për probleme të agjenturës e përpunimit. Mundet që në mungesën time, pa ardhur unë nga Bashkimi Sovjetik, i pandehuri Nesti Kerenxhi mund t’ia ketë dhënë një porosi të tillë Llambi Peçinit si zëvendësi im, për t’u dhënë jugosllavëve gjithçka që kërkonin ata. Unë vetë nuk kam dhënë një porosi të tillë, për arsye të kohës se kur erdha unë, ishin shtruar problemet e mësipërme të bazës teorike. Nuk përjashtohet që vetë jugosllavët të kenë marrë të dhëna, porse rast të evidentuar unë nuk kam. Pyetje: I dëgjuat, i pandehur, thëniet e armikes Fiqrete Shehu, se jeni vënë në shërbim të jugosllavëve nëpërmjet Dushan Mugoshës qysh gjatë Luftës Nacionalçlirimtare dhe se keni bërë pjesë në grupin armiqësor të kryesuar nga tradhtari Mehmet Shehu. Ç’keni për të thënë? Përgjigje: Këto nuk janë gjë tjetër, veçse shpifje monstruoze për të dyja problemet. Pyetje: Dëgjuat edhe atë pjesë të deponimeve të tradhtarit Feçor Shehu, se veç lidhjeve shoqërore e miqësore me tradhtarin Mehmet Shehu, ju ka bashkuar edhe veprimtaria e përbashkët armiqësore që keni kryer kundër Partisë së Punës të Shqipërisë dhe vendit tonë. Ç’keni për të thënë lidhur me këtë deponim? Përgjigje: Edhe ky deponim i Feçor Shehut që unë dëgjova, është një shpifje dhe provokacion prej agjenti; unë s’kam pasur asnjë lidhje me Mehmet Shehun, veç lidhjeve të punës, zyrtare e partie, si dhe lidhje shoqërore normale. 14.1.1983 Pyetje: I pandehur Kadri Hazbiu, dëgjuat pjesë nga deponimi i Nesti Kerenxhit se Koçi Xoxe ju zgjodhi për në aparatin e Sigurimit si njeri që do të mbanit një qëndrim projugosllav. Na thoni cili ka qenë qëndrimi juaj lidhur me bashkëpunimin me jugosllavët në atë kohë? Përgjigje: Refuzoj të përgjigjem. Pyetje: Dëgjuat për të njëjtin problem thëniet e të pandehurit Mihallaq Ziçishti, se armiku Koçi Xoxe kishte simpati të madhe dhe ju mbante afër, se kishit shoqëri të ngushtë me armiqtë Nesti Kerenxhi, Mehmet Shehu etj. dhe se flisnit me admirim për Titon e Jugosllavinë, siç ka ndodhur në rastin e piknikut të Ibës, me këshilltarët jugosllavë e në raste të tjera. Ç’keni për të thënë sa më sipër? Përgjigje: Refuzoj të përgjigjem. Këto janë shpifje fund e krye. Ky është proces i montuar dhe i sajuar.
14.1.1982 Pyetje: Dëgjuat pjesë nga deponimet e të pandehurës Fiqret Shehu për bisedën e zhvilluar me të nga Nako Spiru, se tradhtari Koçi Xoxe kishte mbledhur mjaft kuadro të aftë për qëllimet e tij në favor të jugosllavëve si në KQ të Partisë, sektorin e tij edhe në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe se një kuadër i tillë ishte Kadri Hazbiu. Ç’keni për të thënë? Përgjigje: Refuzoj të përgjigjem. Procesi është i montuar. Këto janë deponime spiunësh dhe provokatorësh të kurdisur. Pyetje: Siç del nga deponimet e të pandehurës Fiqret Shehu që i dëgjuat, Liri Gega ka qenë në dijeni të marrëdhënieve tuaja të afërta me Dushan Mugoshën e detyrat që ju ka ngarkuar ai gjatë Luftës e pas Luftës Nacionalçlirimtare. Na jepni shpjegime për marrëdhëniet tuaja me Dushan Mugoshën e Liri Gegën. Përgjigje: Njohja dhe marrëdhëniet që kam pasur me Dushan Mugoshën dhe Liri Gegën janë ato që kam shpjeguar në proceset e mëparshme. Deponimet e saj janë provokacion dhe shpifje e sajuar. Refuzoj të përgjigjem më tutje.
12.3.1983 Pyetje: Na shpjegoni, i pandehur, si është zhvilluar procesi penal në ngarkim të armikut Teme Sejko etj. A keni marrë pjesë direkt në hetimin e kësaj çështjeje? Përgjigje: Me sa kujtoj unë, kam marrë pjesë në hetimin e çështjes së Teme Sejkos që në fillim, sepse pas arrestimit ai nuk i bindej hetuesit. Për këtë arsye, kam shkuar e i kam folur unë e, pas kësaj hetimi, ka vazhduar normalisht. Unë kam marrë pjesë disa herë në hetim, se sa herë nuk mund ta përcaktoj, duke qenë i pranishëm edhe hetuesi i çështjes Ferhat Matohiti ose kryetari i degës së hetuesisë, Nevzat Haznedari. Nuk përjashtoj mundësinë që të kem qenë edhe me ndonjë person tjetër që merrej me këtë problem në rrugë operative, si ish-drejtori i Sigurimit të Shtetit në atë kohë, Rexhep Kolli.
Më kujtohet se nga mesi i procesit, e pasi Teme Sejko në një seancë hetimore kur kam qenë i pranishëm edhe unë, ka dhënë shpjegime për veprimtarinë e përbashkët armiqësore me armikun Panajot Plaku dhe për ardhjen e tij ilegalisht në Shqipëri në dy raste. Temja shpjegoi se si kishte marrë në lidhje Panajot Plakun. Më kujtohet që në rastin e parë Panajotin e kishte marrë në Konispol vetë Temja të veshur si oficer sovjetik, nga ata që ishin këshilltarë në zbulim dhe e kishte nxjerrë nga Korça. Temja ka shpjeguar se në këtë radhë, Panajoti kishte bërë një takim të fshehtë në urën e Rrogozhinës me persona të panjohur, që kishin dalë atje me një makinë të vogël. Më tej, ai nuk dha shpjegime se cilët ishin ata persona dhe pse i takoi. Ne ngritëm versionin se Panajoti duhet të ishte takuar me Maqo Çomon ose Koço Tashkon, duke u nisur nga marrëdhëniet që kishin pasur ata më parë. Herën e dytë, unë tani nuk e kujtoj se si ka ardhur Panajot Plaku dhe ç’itinerar ka ndjekur. Për këtë duhen parë proceset e asaj kohe, pasi unë nuk e mbaj mend kush e ka thënë këtë çështje. Në këtë radhë kujtoj që Panajot Plaku është çuar në Vlorë, në një banesë ku jetonte një këshilltar sovjetik dhe Arif Hasko, sipas të pandehurit Nasho Gerxho, Panajot Plaku u la në këtë shtëpi dhe ai nuk dinte si ishte larguar që andej me anën e sovjetikëve apo me rrugë të tjera. Ky fakt, që sovjetikët plekseshin në veprimtari të përbashkët spiunazhi me jugosllavët, grekët dhe amerikanët, duke gjykuar nga rasti i Panajot Plakut që erdhi në Shqipëri një herë nga Greqia dhe herën tjetër shkoi në shtëpinë ku banonte këshilltari sovjetik, nuk u kthjellua në hetim, megjithëse bindja ishte se sovjetikët e kishin marrë dhe e kishin përcjellë jashtë shtetit Panajotin. Unë kam bindjen se hetimi i çështjes së Teme Sejkos në këtë pikë dhe për probleme të tjera është sabotuar në atë kohë. Në ç’rrethana ka ndodhur kjo, unë nuk e di. Fillimisht Teme Sejko vetë ka dhënë shpjegime për Panajot Plakun, që ishte rekrutuar që në kohën e Zogut, kur punonte në Durrës në shoqërinë “Singer”. Temja nuk shpjegoi se si Panajoti kishte rënë në dorë të jugosllavëve dhe pastaj u arratis. Ai tha vetëm se Panajoti kishte studiuar me hollësi dy pika për t’u arratisur në Qafë-Thanë dhe në Bllatë. Më kujtohet se ky shpjegim i Temes konfirmohej edhe nga vetë shërbimet që kujtoja unë në atë kohë të Panajotit, në këto dy zona ku ai kishte shkuar shpesh. Në sabotimin e hetimit të kësaj çështjeje duhet të kenë luajtur rol armiku Beqir Balluku dhe armiku Mihallaq Ziçishti. I pari ka kërkuar të pyesë vetë Teme Sejkon pa praninë e ndonjë personi tjetër, me pretekstin se do të interesohej për çështjet e zbulimit të ushtrisë që Temja si spiun u kishtë dhënë amerikanëve e grëkëve. Me sa kujtoj unë, Beqiri ka shkuar në Hetuesi, por si është zhvilluar takimi i tij me Teme Sejkon duke qenë hetuesi ose kryetari i degës së hetuesisë apo jo, unë nuk di të them. Unë vetë nuk kujtoj që të kem qenë me Beqir Ballukun në këtë takim, po ashtu nuk e kam takuar Temen ndonjëherë vetëm pa hetuesin. Po kështu, armiku Mihallaq Ziçishti si ish-zëvendësministër që e kishte në linjë problemin e komplotit të Teme Sejkos dhe e njihte me hollësi procesin, mund dhe duhet të ketë ndikuar në sabotimin e këtij procesi si tradhtar që ka qenë. Ai duhet të japë shpjegime për këtë problem. Theksoj se në atë kohë, siç kam thënë edhe unë në proceset e mëparshme, këshilltarët sovjetikë interesoheshin për të mësuar se ç’ka thënë Teme Sejkua në Hetuesi, duke e justifikuar kërkesën e tyre me faktin që Temja dinte problemet e bazës së Vlorës, të cilat mund t’ua kishte dhënë amerikanëve ose grekëve, por që siç kam shpjeguar me lejen time, atyre nuk u është dhënë gjë. Mbasi u dënua Teme Sejko dhe komplotistët e tjerë, duke pasur parasysh se ai kishte rezerva, është punuar me të. Para se të ekzekutohej ai, është marrë nga Rexhep Kolli dhe Nevzat Haznedari me sa kujtoj unë dhe është çuar për t’u pyetur jashtë burgut, duke përdorur edhe dhunë fizike për të marrë rezervat që kishte mbajtur. Më kujtohet që unë vetë kam shkuar në vendin ku po pyetjet Teme Sejko, me sa mbaj mend ka qenë kohë darke dhe Rexhepi e Nevzati më kanë raportuar se Temja kishte vdekur gjatë ushtrimit të dhunës dhe se gjë tjetër nuk kishte thënë veç atyre që kishte thënë në Hetuesi. Si më kujtohet, Rexhepi e Nevzati më thanë se Temja kishte vdekur nga shtrëngimi me litar në qafë gjatë pyetjes. Unë nuk jam i sigurt nëse e kam parë ose jo të vdekur Temen, këtë dhomën ku thanë se ishte, po kështu nuk di se ku u varros ai. Me këtë problem janë marrë Nevzati, Rexhepi dhe personeli tjetër. Unë kam shkuar tek vendi ku pyetej Teme Sejko me shpresë se ai mund të kishte thënë ndonjë gjë të re e t’i shtyja afatin e ekzekutimit, por siç thashë, kur shkova, e gjeta të vdekur. Pyetje: E dini ju i pandehur vendin ku është varrosur Teme Sejko? Përgjigje: Nuk e di as si vend, as si zonë. Me këtë janë marrë personat që përmenda më sipër. Pyetje: Po vendin e varrimit të komplotistëve, që u dënuan në vitin 1975, e dini ju, i pandehur? Përgjigje: Atë e di si vend, por jo si pikë ekzakte. Këtë e di, sepse u interesova që të bëhej e pamundur gjetja e kufomave të tyre sido që të ndodhte, sepse kështu ishte dhe porosia…
Rexhep Kollin dhe Nevzat Haznedari I Kam pa në hetusi no time DHE çka asht må e quditëshme në hetusi më ka ardhun Bedridri Islami dhe jo që ka fol me mue por Sikurse në fima kriminelësh ,në koridor ka hy nga nji derë e dal nga dera tjetër.
Nevzat Haznedari më thotë:KEMI ME TA VUE VULEN QFË PËR JETË NUK KE ME MUJT ME SHLYE.
REXHEP KOLLI SI EDHE NEVZAT HAZNEDARI MË BANIN PRESION PSE NUK E THEM TË VËRTETËN DHE KËTE PRESION MË BANININ GJITHNJI PAS TORTURAVE MÅ TË TMERSHME PSICIKE DHE KUR DONIN ME MË QUE NË PSIKIATRI VININ BASHK ME MJEKUN PSIKIATËR YLVI VEHBIUN,I CILI SIGURISHT MEURDHËRAT A PO ME DËSHIRËN E TIJ MË QONTE NË SPITALIN NR.7
VOAL- I lindur më 16 prill 1927 në Marktl am Inn, Gjermani, Joseph Aloisius Ratzinger vjen nga një familje e vjetër bujqësore nga Bavaria e Ulët. Prindërit e tij, të cilët nuk ishin v . . .
Foto: Bajram Curri, atdhetar e luftar i zjarrtë,për çeshtjen mbarkombtare shqiptare, “Hero i Popullit”
“UDHËTIMI” I FUNDIT I BAJRAM CURRIT:
DRAGOBI – KOLGECAJ – ZOGAJ – KRUMË…”
(Kujtime . . .
Profesori i njohur shqiptar Selman Sheme është ndarë nga jeta në moshën 79-vjeçare. Pedagogu i mirënjohur i Gjeografisë, autori i dhjetëra librave dhe studimeve shkencore për gjeogr . . .
Imzot Joan Pelushi, ka lindur në Tiranë në 02.01.1956. Qysh në rininë e tij të hershme, në kohën më të egër të persekutimit fetar, u pagëzua fshehurazi nga prifti hero, më vonë peshkop . . .
Anëtare e Partisë Demokratike prej vitit 1996 e pjesë aktive qysh prej viteve ’90 e strukturës së kësaj force politike në atë që aktualisht quhet Njësia Vendore numër 9.
Lindur e rritur . . .
Radio Evropa e Lirë
Enver Hadri, politikan dhe aktivist nga Kosova, u vra 35 vjet më parë në Bruksel nga shërbimi sekret serb e jugosllav, UDB.
Përveç përvjetorit të vrasjes, . . .
Ahmet Hoxha ishte nga Kolonja e Gjirokastrës. Ai e kaloi gjithë jetën në burg. Është arratisur dy herë nga burgjet; një herë në Laç dhe një herë në Spaç.
Në arratisjen e dytë, ai iku n . . .
VOA Alex Gendler
Biznesi ka qenë i ndërthurur me politikën amerikane që para themelimit të vendit. Pavarësisht që drejtuesit e bizneseve luajnë rol të madh në financimin e fush . . .
Presidenti Donald Trump ka emëruar senatorin Marco Rubio si zgjedhjen e tij për Sekretar Shteti.
Ja pesë fakte rreth republikanit nga Florida, që ishte në mandatin e tij të tretë në . . .
Në faqen zyrtare të Parashqevi Simakut në rrjetin social është vendosur statusi si më poshtë:
SHBA- Mbesa e ikonës së muzikës Parashqevi Simaku, Ina Simaku, ka hedhur akuza të forta nda . . .
Ditën e hënë, më 17 dhjetor 2012, u nda nga jeta Prof. Gëzim Uruçi.
Ka qenë vetëm 5 vjeç, kur në vitin 1950 së bashku me babanë e tij, zbuluan shpellën e Gajtanit pranë fshatit Gur i Z . . .
VOAL – Grigorij Efimovič Novy, i njohur si Rasputin ka lindur në Pokrovskoe, një fshat i largët në Siberi, i vendosur në provincën e Tobolsk pranë maleve Ural. Data e lindjes ka qen . . .
Rexhep Kollin dhe Nevzat Haznedari I Kam pa në hetusi no time DHE çka asht må e quditëshme në hetusi më ka ardhun Bedridri Islami dhe jo që ka fol me mue por Sikurse në fima kriminelësh ,në koridor ka hy nga nji derë e dal nga dera tjetër.
Nevzat Haznedari më thotë:KEMI ME TA VUE VULEN QFË PËR JETË NUK KE ME MUJT ME SHLYE.
REXHEP KOLLI SI EDHE NEVZAT HAZNEDARI MË BANIN PRESION PSE NUK E THEM TË VËRTETËN DHE KËTE PRESION MË BANININ GJITHNJI PAS TORTURAVE MÅ TË TMERSHME PSICIKE DHE KUR DONIN ME MË QUE NË PSIKIATRI VININ BASHK ME MJEKUN PSIKIATËR YLVI VEHBIUN,I CILI SIGURISHT MEURDHËRAT A PO ME DËSHIRËN E TIJ MË QONTE NË SPITALIN NR.7