VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Rrëfimi i Adiles, motrës së madhe të mbretit Zog, në median franceze (1939) : “Jam e lumtur që arrita në Francë dhe kam ndërmend të qëndroj këtu.”

By | February 12, 2019

Komentet

LËVIZJA E SHKODRËS NË DRITËN E FAKTEVET – Nga MUSTAFA KRUJA*

 

Kurrkush mâ mirë se Koço Tasi e un s’ka qênë në rrjedhë të faktevet të lëvizjes së Shkodrës, posë atyne qi e gatitën e e bânë.
Këta, me dëshirë e qëllim qi të lidheshin edhe me refugjatët e vêndevet tjera, kanë pasë hŷ qysh me kohë në korrespondencë të rregulltë si me Tasin ashtu edhe me mue. Ishte njohja e miqsía personale mâ e ngushtë se me tjerët qi i kishte shtŷ me na u sjellë neve të dyve për ndërmjetës me shokët e Greqís e t’Italís.
Faktet qi do të tregoj këtu rezultojnë drejt për drejt prej korrespondencës qi kam pasun me Don Loro Cakën, me Don Lazër Shantojën, me Kolë Bibë Mirakën, me kap. Mark Rakën e ndonji oficer tjetër ; si edhe prej informatash qi kanë mundun me më rrjedhë nga burime tjera mbi veprimet e këtyne.
Natyrisht kam me qênë i rezervuem mbi shumë pika. Jam i detyruem me lânë në heshtje :
1) Ç’do sênd qi un kam arrijtun t’a dij jo si person, jo si privat, jo si individuum ; por si mis, si pjestar i nji kolektiviteti. Kurrkush s’ka të drejtë me përdorë për kapricet ase për idétë e tij nji sênd qi s’âsht e vetja, por qi i ka râmë në dorë për arsye të nji cilsíe të përkohshme dhânë prej nji kolektiviteti : mun si arktari qi ka në dorë paret e Shtetit, të nji banke apo të nji shoqnie tregtare.
2) Ç’do sênd qi dikush m’a ka diftue në këshill (konfidencë) deri sa ai vetë mos të më ketë zgidhun prej atij sekreti.
3) Ç’do sênd qi mue m’a pret mêndja se nuk duhet thânë për të mirën e përgjithshme.
Rezerva këto qi i a imponojnë kujdo rregullat mâ elementare të moralitetit shoqnuer.
*****
Deri tash vonë të gjithë nacionalistët e jashtëm ishin të bindun se regjimi i Ahmet Zogut nuk mund të shêmbej pa nji përkrahje të huej. Të tânë refugjatët shpresojshin se kjo përkrahje mâ në fund diku do të gjindej pa u sakrifikue asnji interesë vitale e kombit. Krejt kemi qênë të mendimit se kryengritja e jonë nuk varej nga rreziku i nji të ndërhymje të jashtme, mbasi po t’ekzistonte për njimênd nji rrezik i këtillë do të mjaftonte edhe Koburja e Çakos apo ndonji Tafë Kazí për me na gjetun pa qênë nevoja e nji kryengritjeje nacionaliste.
Të tânë e kemi dijtun se Ahmet Zogu erdh në fuqí diku me ndihmën direkte, diku me komplicitetin e fqînjvet t’anë dhe të Shtetevet drejt për drejt t’interesueme për lakmí të ndryshme imperialiste në vêndin t’onë. Por prap besojshim se rrethanat qi kishin favorizue bashkimin e nji tok Fuqive imperialite për Ahmet Zogun e kundra nesh nuk do të vazhdojshin gjithnji. Dikur balanca e interesave të hueja në Shqipní do të peshonte mâ rândë më nji anë, ekuilibri do të prishej e bashkë me këtê edhe ai koncert Fuqísh qi favorizoi të këthyemen e Zogut në Shqipní.
Tue hŷ mâ thellë në kontaktin t’onë me vênd, me popullin shqiptar, na u mbush mêndja – kështu nemose shumicës – se edhe vetëm përkrahja morale e fqînjvet t’anë, vetëm neutraliteti i tyne, nji neutralitet dashamirë do të na mjaftonte për t’a fitue luftën.
Qe pra në këto drejtime ka ecun politika e refugjatvet përjashta, në këto drejtime kanë punue edhe shokët t’anë nacionalistë në Jugosllaví. E mbasi tema âsht vetëm për këta të fundit, edhe un vetëm për këta due me folë.
Kurrë, asnjiherë nuk i u tha ndonji shoqit t’onë nacionalist prej ndonji goje kompetente të Beligradit se qeveria jugosllave do t’a favorizonte nji lëvizje nacionaliste në Shqipní. Shpesh herë Beligradi ka bâmë politikë me ne tue na këshillue – mirsí’e tij ! – me u bashkue, nga nji herë tue na u zotue se mund të na përkrahte në kohën oportune (!), nga nji herë tue na frigsue se po t’u tundshim për të gjallë Italia ishte gati me shkarkue në Vlonë e në Durrës e nga nji herë edhe tue na dhânë lajme qi mâ tepër ishin në kompetencë t’onë me i dijtun, si b.f. se Ahmet Zogu s’ka mbështetje në popull, se qëndron vetëm me fuqín e armëvet e se na, po të dojshim, ishim të zotët me e rrëzue…. etj.
Përse të gjitha këto lajka të Beligradit me shokët t’anë ? Për spekulata ? Për me na lânë në gjumë me shpresën e përkrahjes së tij në kohën oportune ? – Ah, kjo koha oportune!… – Apo mâ në fund, për eventualitetin e fitimit t’onë me ndonji mënyrë tjetër edhe kundra vullnetit të tij qi të mundej mandêj me thânë se Shteti S. H. S. ka qênë në favor të lëvizjes nacionaliste ?
Si do qoftë… Don Loro Caka para nja gjashtë muejve u sjell nji letër konfidenciale grupevet të refugjatvet qi ndodhen n’Italí e në Greqí. Me këtë letër – qarkore D. Lorja “n’êmën të shumicës s’emigrantvet shqiptarë të Jugosllavís” ftonte këta grupe në nji konferencë në tokë jugosllave “tue qênë se ay me shokë nuk e kishin në dorë me dalë lirisht prej andêj”. Kjo ftesë u pranue prej gjithë grupevet ; por me gjithë këtê konferenca nuk u mbajt. Shkaku, se s’desh qeveria e Beligradit ! Kjo në krye i kishte dhânë fjalën grupit inicjatuer se do të na lênte të lirë për nji mbledhje të ngushtë delegatësh. Mandêj qiti bishta se vêndi nuk ishte zgjedhun mirë. Mâ vonë tha se s’ishte koha. Mâ në fund e preu se konferenca nuk mund të mbahej në tokë të saj. Kur inicjatorët e konferencës mbetën përpara kësaj situate dhe kërkuen qi të lêheshin të lirë me dalë ata jashtë Jugosllavís për me u marrë vesht me shokët e tyne, Beligradi edhe këtê lirí u a mohoi, i bâni me kuptue se po të tentojshin me dalë tinëz mund t’a humbshin edhe lirín e lëvizjes qi gëzojshin mbrênda kufîjvet të Shtetit S. H. S.
Caka me shokë përpara kësaj gjêndjeje kishin mbërrî në kulmin e dishprimit. Pa tjetër dajnë me hŷ në Shqipní tinzisht nga ana e Malit të Zí. Kush qe ma i lehtë e mâ guximtar prej tyne mbas pak ditësh e gjeti veten në malet e Shkodrës. Vetë Don Lorja me Don Lazër Shantojën u tërhoqën në Kotorr. Kap. Mark Raka bash në këto rasa pësoi fundin e mjerueshëm qi dihet. Dy oficera tjerë u vunë ndên nji vërejtje të ngushtë e dikush prej tyne u kap e u percuell me gjindarmë në vêndin e interrnimit ku gjindej mâ përpara.
Nji çetë e jonë, e përbâme prej N/tog Dodë Nikollës, asp. Ridvan Ohrit e Vatë Gjonit, u hetue në Hot (n’anë të Malit të Zí) prej gjindarmërís jugosllave, u rrethue e mezi shpëtuen e ikën të tre të plaguem. Ata oficera të gjallë qi kishin hŷ në malet e Shkodrës, bashkë me gjithë shokët e tyne qi ndodheshin atje qysh me kohë në tre-katër muej arrijtën t’organizojnë, sidomos në Dukagjin e Pukë, ndër fise katolike, nji fuqí kryengritëse aq të madhe sa me u a marrë mêndja se qyteti i Shkodrës me krejt qarkun e vet ishte virtualisht në dorë të tyne.
Më 9/10 të nândorit kalon kufînin e del m’at’anë edhe D. Lorja vetë, i cili për me pregatitun ikjen kishte do dit qi prej Kotorri ishte transferue në Podgoricë. Letrat qi kam në dorë prej krenvet të lëvizjes e krejt lajmet e mia dëshmojnë në mënyrën mâ absolute se :
1) Ky grup patriotësh të kulluet s’ka qênë n’asnji mënyrë i shtŷmë e i inkurajuem për nji lëvizje prej qeverís së Beligradit. Përkundrazi ka pasun pengime gjithfarësh prej sosh. Ç’do zyrtar qi âsht pjekun me ta, kur ka dashun të bâjë politikë, t’i lëmojë, t’i marrë me të butë, i ka këshillue me pasun durim, me pritun… kohën oportune !…. E kur i âsht dashun t’i prekë pa dorza, i ka porositun, i ka urdhnue mos me bâmë asnji hap për kryengritje, se për ndryshe…. do t’ishin t’internuem e s’dij ça tjetër…. Dokumenta për t’u studjue me kujdes për këtê argument janë edhe nji apel i D. Lazër Shantojës Kongresit të gazetarvet të Jugosllavís, mbajtun në Cetinë më 27 – 29 IX, apel i botuem në N. 28 të L. K., ku auktori thotë faqe 130 gazetarve se “ Sot në të tânë Jugosllavín Ahmet Zogu nuk ka mâ kurrnji mbrojtës përposë Shpisë së Verdhë të Beligradit !…..” Ashtu edhe nji artikull shkruem po prej tij e botuem në num. 32 të Lirís Kombëtare me titullin “As në qiell as në tokë !….” Edhe këtu patrioti idealist, me atê gjuhë sarkastike qi e ka mâ të prehtë se neshteri vên në lojë të tânë shokët emigrantë qi e mbështesin shpresën e fitimit në politikë të jashtme. Thotë p.sh. : “Dikush (politikanat!) shpresojnë në ndërlikimin e zhvillimin e politikës internacionale e sidomos në pakënaqsínë e Jugosllavís ndaj Presidentin e Republikës shqiptare qi stoliset nga ajo me mâ të madhin dekoracion të Shtetit.” E ky artikull ka datën 26 X, dhe lëvizja ka fillue më 20 XI, të këtij vjeti !
2) Kryengritësit s’kanë pasun asnji dinar prej Beligradit !
3) Kryengritsit s’kanë pasun asnji pushkë e asnji fishek të huej, posë ça kanë pasë mundun me mëshehë prej regjimit për t’a përdorë kundra tij nga ato qi kanë qênë në vênd.
4) Lufta e tyne ka qênë nji vepër dishprimi thjesht patriotike, kombëtare e antifeudale.
*****
Qysh ditën qi Don Loro Caka me shokë më patën komunikue vêndimin e tyne me hŷ në Shqipní, s’kam prâjtun tue i këshillue n’êmën t’êm edhe të shokvet të mij e n’interesë të çâshtjes mos me shkaktue n’asnji mënyrë nji lëvizje lokale. Më patën sigurue se do t’u përpiqshin me të tânë fuqín e tyne me i u ruejtun nji gjâje t’atillë. Me gjithë këtê më tërhiqshin vërejtjen gjithnji se as në popull as ndër oficerat në mal durimi nuk mund t’ishte i pafund.
Në fillim të nândorit, mbasi peshojnë mirë forcat e veta dhe ato të qeverís në qarkun e Shkodrës, dajnë me fillue pushkën më 20 t’atij mueji. Letra mâ e fundme e ime me të cilën u bâjsha porosít mâ të forta qi mund të më lejonte intimiteti i relacjonevet të mia personale me ta, i bie në dorë Shantojës në Kotorr nji ditë para se të kalonte Don Lorja kufînin. Piqen të dy në telefon dhe mbas nji bisedimi të shkurtën, por si duket, edhe të nxetë në mes tyne, Caka nep fjalën se “deri sa të më shkruente mue nji letër të gjatë prej Shqipníe dhe të merrte përgjegjen e saj nuk do t’a fillonte pushkën”.
Kjo fjalë nuk u mbajt. Arsyet më shpjegoheshin në nji letër të nênshkrueme prej Don Loro Cakës, tog. Pjetër Haxhís, n/tog. Dodë Nikollës e asp. Ridvan Ohrit, më 11 nânduer, prej nji vêndi të Shqipnís afër kufînit, me këtë mënyrë : “ Dimni i a mërrîni. Ju po na thoni se tash për tash gjêndja s’âsht e favorshme për nji kryengritje. Ju i matni punët thellë : me politikë e diplomatí. Na aq thellë s’kuptojmë. Ça marrim vesht e shohim na, populli këtu âsht gati me kapë pushkën e me dekë për lirín e vet. Durimi i âsht mbarue. Me ne a pa ne ka për t’i a krisë. Më tjetër anë disa prej jush po ndrrojnë kondita me Ahmet Zogun për nji pajtim. Pra posë durimit tash mungon edhe besimi. Për këto vise këtu kohë mâ e favorshme nuk mundet me u gjetë. Qeveria ka translokue nji pjesë të madhe të fuqís qi ka pasë në këtë qark. Na nuk mund të presim mâ në këtë situatë qi të shpjeguem. Ty mos të vijë keq. Në dashi shpëtimin e atdheut bâni edhe ju të tjerët atê qi të ju vijë prej dore. Këtu më 20 kërset sigurisht…. “
Kjo letër më ra në dorë me 21, mbasi lajmin e lëvizjes e kishim marrë prej Shantojës telegrafisht.
D.Lorja para se me lânë Podgoricën i shkruente D.Lazrit edhe këto fjalë për mue : “Mustafa po na përmênd përgjegjsín e veprës s’onë. Thuej prej meje, kur t’i shkruejsh, se kur nji popull gatohet me dekun për lirí edhe pa i prî kush, përgjegjsía u rrin atyne qi në vênd me vrapue në krye të tij e me ecë përpara kundra tradhtorvet e tiranvet, ka dy vjet qi hahen për karrikat e ardhëshme…”
Un, për tash, nap vetëm fakte e nuk gjykoj.

“Lirija Kombëtare”, 22 dhjetor 1926

Urdhëri i mbretit Zog ndaj qeverisë me qëllim organizimin e kurseve të veçanta për gratë në të gjitha qytetet e Shqipërisë

Ahmet Zogu – Mbret i shqiptarëve

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 18 Prill 2019

 

“Journal des débats politiques et littéraires” ka botuar, të shtunën e 20 marsit 1937, në faqen n°2, një shkrim në lidhje me urdhërin e mbretit Zog ndaj qeverisë me qëllim organizimin e kurseve të veçanta për gratë në të gjitha qytetet e Shqipërisë, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

 

Mbajtja e ferexhes te gratë shqiptare

 

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Ne e dimë se qeveria shqiptare ka miratuar një ligj që urdhëron heqjen e ferexhes për gratë shqiptare. Megjithëse ky ligj hyn në fuqi me datë 25 të këtij muaji, gratë e pothuajse të gjitha klasave shoqërore tashmë e kanë ekzekutuar atë.

 

Nga ana tjetër, mbreti Zog urdhëroi qeverinë që të sigurojë në buxhet një shumë të mjaftueshme për të organizuar në të gjitha qytetet e Shqipërisë kurse të veçanta për gratë, për të luftuar analfabetizmin dhe për të dhënë shërbime të përgjithshme dhe praktika mbi zhvillimin fizik dhe moral, në mënyrë që gruaja shqiptare të mund të kontribuojë aktivisht në jetën shoqërore.

Historia e basketbollistes bukuroshe, kush është kapitenia e Kombëtares që “çmendte” rusët në pistën e vallëzimit

UVIL ZAJMI

Një vajzë e re, e bukur, elegante, sportiste, por edhe balerinë e aktore, një “Miss”, i vërtetë. Cila ishte simpatikja shqiptare, që çmendi sovjetikët kur vallëzonte?

Ishte tërheqëse, jo vetëm kur luante, por mbi të gjitha shumë e bukur, me trup elegant e flokët e zeza, që shoqëronin çdo lëvizje të saj. E kam ndjekur nga afër pjesën e parë të karrierës sportive, kur ishte në Tiranë, pastaj me vajtjen në Fier, i humba gjurmët. Ideja se ku ndodhej, çfarë bënte Pavlina Llaci, më ngacmonte gjithmonë, sidomos pas viteve ’90 e në vazhdim. Në mënyrë surprizë, u njoha me djalin e saj, Edmondin, me profesion mjek, në Tiranë, i cili më informoi se Pavlina prej vitesh jetonte në Torino, Itali.

Isha shumë kurioz ta takoja dhe ashtu ndodhi. Impakti i parë ishte tejet impresionues. Një grua që ruante tiparet e një kohe, me një pamje moderne, kapelë, si një aktore e famshme, që ndonëse ka lënë pas një karrierë brilante, e mbart vite jete, ruan sharmin, bukurinë. Një jetë e nisur jetime, në Shtëpinë e Fëmijës, te dëshira për baletin dhe e drejta e studimit për në Teknikumin e Fizkulturës në Tiranë.

Pastaj, martesa, fëmija i parë dhe karriera deri në moshën 37- vjeçare. Entuziaste, me një kujtesë të admirueshme, rrëfimi i saj i gjatë ishte vërtet emocionues. I rikthehet turneut të 57-ë në Moskë, ku dallohej në grupin e shqiptarëve në Festivalin Botëror të Studentëve për bukurinë dhe vallëzimet që befasonte sovjetikët. Pastaj, historia e gjermanit që u çmend pas saj, dëshira e tij për të shëtitur me të dhe refuzimi nga drejtuesit e delegacionit.

“Ku kishte mbrëmje vallëzimi dhe film të bukur, aty më gjeje”, thotë. Më vonë erdhi transferimi në Fier, aktore me teatrin e Shkollës së Bashkuar dhe jeta prej shumë vitesh në Itali pranë vajzës, Suela, balerinë në stafin e “Amici” të Maria de Filipit.

Si ka qenë fëmijëria juaj?

Më 2 maj 1937, në Korçë, në familjen Kaçka, lindi një vajzë. Pavlina Kaçka, kështu do të quhesha dhe këtë mbiemër do ta mbaja deri në çastin kur bëra celebrimin, për ta ndryshuar në Llaci të bashkëshortit. Ka qenë një fëmijëri e vështirë. Një jetë e filluar në Shtëpinë e Fëmijës, kur shumë të vogla do të mbetemi jetimë. Babai vdiq i ri, pasi nga bombardimet kishte marrë një predhë në kokë. Pas tre muajve, nga dëshpërimi, mamaja pati një goditje. As 40 vjeç nuk ishte kur na la vetëm, ne fëmijët, tri motra e dy vëllezër. Unë kam qenë 5 vjeçe. Në Shtëpinë e Fëmijës u rritëm, aty mbaruam edhe shkollën fillore.

Si u lidhët me kërcimin?

E kisha nga natyra, më pëlqente kërcimi. Në shtëpinë e fëmijës ma kishin ushqyer murgeshat që më rritën, të cilat më mësonin dansin, më bënin fustane dhe në darkë mblidheshim ne fëmijët e unë kërceja. Aty më lindi pasioni dhe dëshira për t’u bërë balerinë.

Si erdhët në Tiranë?

Gjithmonë nën kujdesin e mësuesve, bashkë me dy motrat e dy vëllezërit, mbaruam 7-vjeçaren në Korçë. Pas saj, unë kërkova bursë për balet, por më doli për sport. Me Mediha Velçanin (Lubonjën), e linim shkollën e Fizkulturës dhe shkonin e bënin prova fshehurazi në balet. Medi pati forcë të shkëputej dhe vazhdoi baletin, unë, jo. Pasi mbarova Teknikumin e Fizkulturës, kam qenë mësuese e edukimit fizik, madje në fillimet e para, te gjimnazi “Qemal Stafa”.

U bëtë nënë kur ishit shumë e re, 17 vjeç. Cila është historia juaj e dashurisë?

Historia nisi kur isha në shkollë të Fizkulturës, im shoq jepte stërvitje ushtarake me studentët, u simpatizua pas meje, u fut motra e tij, që më njohu, u miqësuam dhe sa mbarova klasën e tretë, maturën, në vitin 1954 jam martuar. As 17 vjeçe nuk kam qenë dhe pas një viti linda djalin, Mondin. Në vitin 1997, bashkëshorti u nda nga jeta. Ajo periudhë ka qenë tejet e rëndë dhe nga dëshpërimi, mërzitja, nisa cigaren. E kam pasur bashkëshort, mik, trajner, sportdashës, gjithçka.

Keni qenë edhe një sportiste e njohur…

Me sportin kam pjesën më të madhe të jetës, karrierës. Kam luajtur mbi 3 dekada, duke u aktivizuar me “17 Nëntorin”, “Apoloninë”, dhe kombëtaren e basketbollit për vajza, madje kam qenë kapitene e saj. Me sportin aktiv jam ndarë në moshën 37- vjeçare.

Si shkuat në Moskë?

Ka qenë viti 1957, muaji korrik-gusht kur në Moskë u zhvillua Festivali i VI Botëror i Rinisë, Studentëve si dhe Lojërat e III-ta Botërore ndërkombëtare të miqësisë, ku merrnin pjesë shumë vende të Lindjes, midis tyre edhe Shqipëria me një grup të madh sportistësh, meshkuj e femra si dhe Ansambli Artistik i Këngëve e Valleve. Mbaj mend se kemi udhëtuar me javë në det. U nisëm nga Durrësi me anijen sovjetike “Bielloostrov”, që kishte ardhur qëllimisht për të marrë delegacionin shqiptar dhe jemi nisur drejt për në Odesë, pastaj me tren deri në Moskë. Me Vaçe Zelën kam pasur shumë miqësi. Më kujtohet shumë mirë që Vaçja këndonte në anije dhe pastaj i incizonte.

Si ishte pritja?

Pritjet ishin të mrekullueshme. Natën na çonin nga gjumi njerëzit që na prisnin, donin të na takonin, na përqafonin, shkëmbenim dhurata, e pastaj duke udhëtuar me tren nga një qytet te tjetri, në stacione, na ndalonin qytetarë sovjetikë, na respektonin jashtëzakonisht. Në kokë mbanim qeleshet e bardha që të dalloheshim që ishim shqiptarë. Qëlloi që në atë muaj bëheshin mjaft dasma, si në Shqipëri. Ne futeshim në vallet që kërcenin ata dhe pa asnjë problem, nuk na bënte përshtypje, sidomos unë… Më pëlqente kërcimi edhe ambientohesha menjëherë me muzikën, vallet e tyre, duke vallëzuar si ata, çka i habiste. Kërceja mirë, ndonëse sapo kisha lindur djalin.

Ç’kujtoni nga atmosfera festive?

Qëndrimi gjatë në Moskë ka qenë tejet argëtues, bashkë me aktivitetin sportiv, shoqërohej me darka, mbrëmje argëtuese që vendësit organizonin në hotelet e mjedise të bukura, shpesh edhe të improvizuara. Gjithçka nën tingujt e muzikës, vallëzime dëfryese, ku mblidheshin të gjithë sportistë, artistë, përfshirë edhe ansamblin. Sigurisht që ne nuk ishim të lirshme, por të ndrojtura në lëvizje, nuk mund të shkoje të kërceje vetëm, gjithmonë të shoqëruara. Rusët kishin preferencë për të kërcyer me vajzat shqiptare. Të gjithë kërcenin bukur, vinin njerëzit për të na parë. Kishte shumë simpatizantë, mbushej mjedisi.

Çfarë muzike kërcehej?

Çdolloj muzike. Aty kërcehej, vallëzohej me orkestër, nga muzika moderne për kohën, tek ato karakteristike ruse, por dhe të vendeve të tyre. Unë hyja ku të mundja dhe admirohesha nga të tjerët. E ndieja që më shikonin e bisedonin kur kërceja, por nuk i kuptoja çfarë flisnin. Ndërkohë që unë s’bëja asnjë tualet, se nuk e njihnim.

Ju pëlqenin?

Kishte heshtje, ndalonin dhe më vështronin plot kuriozitet, kjo është e vërtetë, tërhiqja vëmendjen dhe pas vallëzimit vinin e më bënin komplimente. Midis tyre, edhe një i huaj që më ndiqte vazhdimisht kur kërceja.

Ishte fans i juaji?

Ai ishte një gjerman, që ndodhej aty dhe në një nga mbrëmjet, gjeti një moment dhe erdhi të më merrte për vallëzim. “Madam,- më tha,- dëshironi që të shëtisim bashkë sonte, a mundet?”. Dhe në dorë mbante një majmun të madh prej pelushi, të verdhë që të ma dhuronte. “Duhet të marr leje,-iu përgjigja,-se mua nuk më lejohet”. “Dakord,-më tha, shkoj unë dhe vajti e bisedoi me drejtuesit e delegacionit: “Nuk mundet-i thanë,-është e lodhur, ka ndeshje nesër”. Pasi mori këtë përgjigje, ai u largua i mërzitur, nuk e priste refuzimin, dhe nga dëshpërimi nuk ma dhuroi as pelushin (qesh).

Ju keni luajtur edhe teatër, apo jo?

Po, ka qenë rastësi. Kam luajtur në një shfaqje të organizuar nga Shkolla e Bashkuar, ku më punonte bashkëshorti. Pjesa teatrale kërkonte edhe disa femra dhe për këtë arsye si aktore u morën gratë e oficerëve, midis tyre edhe unë. Kam pasur rolin e nënës, madje kam qarë se kështu e kërkonte skenari. Skena ishte prekëse dhe pas meje filluan të qanin të gjithë kursantët skënderbegas.

Keni kaluar një pjesë të mirë të jetës suaj në Fier, si përfunduat aty?

Janë vitet ’70, kur shpërtheu lëvizja e qarkullimit të detyruar, dhe në këtë ishte përfshirë edhe ajo e kuadrit. Si ushtarak, bashkëshortin e caktuan në Korpusin e Fierit. Shkova dhe unë, e në fillim qëndruam tre muaj në Hotel Turizmi, pastaj na dhanë shtëpi.

Si e përjetuar largimin nga kryeqyteti?

Ndarja me mjedisin tiranas, rrethin shoqëror, miqësitë, pas 20 vitesh dhe vajtja në Fier, në një atmosferë krejt të re nga ku më duhej të filloja nga e para, pasi gjithçka ndryshonte, nuk ka qenë e lehtë. Në pak kohë u ambientova. Bashkë me sportin fillova punë si mësuese e edukimit fizik në shkollën “Janaq Kilica”. Fieri më ka pritur shumë mirë.

Po fëmijët tuaj, ç’drejtime morën?

Djali i madh, Edmondi, e nisi me basketbollin, stërviteshin bashkë, por deri te të rinjtë, pastaj iu kushtua studimeve, edhe sot është mjek i njohur. I dyti, Iliri, me futbollin e “Apolonisë”, deri në vitet ’90, pastaj shkoi në Greqi, ku është edhe sot. Ndërsa vajza, Suela, ishte e vetmja nga fëmijët që vijoi pasionin e parë timin, atë të fëmijërisë, baletin, dansin.

Ajo ishte ëndrra juaj e parealizuar….

Suelën e kam lindur në 1976, me 19 vite diferencë pas djalit të dytë. Meqë nuk e vazhdova vetë baletin, kisha dëshira që vajzën ta bëja balerinë dhe e ushqeva me këtë pasion. Kur mbaroi klasën e pestë në Fier, e solla në Tiranë, i bëja prova, sa e futa në shkollën e baletit me Z. Haxhon, M. Erebarën, T. Beshirin, K. Bakiun, R. Këllezin etj. Pasi përfundoi shkollën e baletit në Tiranë, u angazhua në programet televizive të atyre viteve. Ka marrë pjesë në “Miss”-in e parë, në të cilin fituese u shpalla Valbona Selimllari, ndërsa Suela u rendit në vendin e katërt. Por, edhe në disa emisione të suksesshme, shumë të ndjekura, siç kanë qenë spektaklet televizive të Vera Grabockës e Adi Krastës, “12 vallëzime pa një të shtunë” ka qenë e pranishme.

Ka provuar edhe jashtë Shqipërisë?

13 vjeç ishte kur shkoi në Itali. Kur ndodhën trazirat e ’97-ës ndodhej në Tiranë dhe në atë kaos është larguar me helikopter. Ka pasur miqësi me Kledi Kadiun, i cili gjatë një përvjetori e prezantoi me Maria de Filipin. “Kjo ka mbaruar shkollën e baletit me mua”,-i tha. Dhe ajo sapo e pa: “Do vish në stafin tim te emisioni ‘Amici’, në ‘Canale 5’, në Romë”,-i tha, duke e marrë dhe aty ka punuar pesë vjet me të.

Çfarë bën sot Pavlina Llaci?

Prej vitesh jetoj në Torino, bashkë me vajzën dhe jam gjyshe e shumëfishtë. Baleti, ëndrra e parë, mbetet ajo që nuk harrohet, që edhe sot e tillë vazhdon të jetë, por e arkivuar në sirtarin e jetës.

PANORAMA

Debati për Luftën, Agron Tufa hedh në gjyq Brahon për krime ndaj njerëzimit

Pas ditësh të tëra akuzash e kundërakuzash me tone të forta, kreu i Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit ka hedhur në gjyq deputetin e Partisë Socialiste, Spartak Braho, me akuzën: “Për krime ndaj njerëzimit”.

 

Pasi kishte postuar një intervistë të dhënë disa ditë më parë mbi këtë çështje, Agron Tufa shkruan se: “Kjo është e fundit që i përgjigjem ‘Çantës së zezë’. Nga ky moment, unë ‘i flak dorezat’…”.

I pyetur nga gazeta “Panorama”, Tufa nuk ka dashur të shprehet më për këtë çështje, por mësohet se ai i është drejtuar një studioje ligjore, për ta kaluar këtë debat në distancë me Brahon, në kanale ligjore. Dhe nuk bëhet fjalë për “shpifje” apo “prishje të imazhit publik”, por për një akuzë shumë më të rëndë, “për krime kundër njerëzimit”. Debati ka nisur kur Spartak Braho, ish-kreu i Komisionit të Sigurisë Kombëtare, kërkoi në Kuvend shkarkimin e Tufës.

Braho akuzoi Tufën dhe institucionin që ai drejton se po nxijnë Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe se janë kthyer në një seksion të Ballit Kombëtar. Por ky reagim i tij me sa duket ka ardhur për shkak të një botimi të ISKK, i cili në të vërtetë ka dalë në qarkullim 5 vjet më parë. Bëhet fjalë për librin e Çelo Hoxhës, “Krimet e komunistëve”.

Në këtë libër, Hoxha bën përgjegjës të gjithë drejtuesit e formacioneve partizane për krimet e luftës. “Anëtarët e KQ të PKSH-së dhe anëtarët e Shtabit të përgjithshëm kanë përgjegjësi direkte për krimet e Partisë Komuniste dhe të Ushtrisë Nacionalçlirimtare. Ata kanë qenë duke iu referuar ligjit nr.41, anëtarë të strukturave politike dhe ushtarake “që kanë inspiruar, organizuar, urdhëruar, ekzekutuar ose ndihmuar (forcat partizane) në vepra kriminale”.

Drejtuesit e qarkorëve të PKSHsë dhe formacioneve të ndryshme partizane kanë përgjegjësinë e tyre, sipas hierarkisë dhe në varësi të rolit të luajtur në ngjarje të caktuara. Përgjegjësia është individuale, por si bashkëpunëtorë në krim, persona që kanë pasur dijeni për një krim ose për moskallëzim krimi, mund të fajësohen të gjithë partizanët pjesëmarrës në ngjarje”, shkruhet ndër të tjera në këtë libër.

DEBATI

“Ka shumë helm brenda në tërë veprimtarinë e këtij institucioni. Në këto kushte, unë mendoj që nuk do ta votoj pozitivisht këtë rezolutë, madje do kërkoj shkarkimin e Agron Tufës derisa t’i thërrasë mendjes e të jetë më i ekuilibruar në veprimtarinë e tij. Ky institut me Agron Tufën në krye është kthyer në një seksion të Ballit Kombëtar, duke marrë përsipër të nxijë çdo gjë, duke përfshirë luftën, heronjtë, dëshmorët dhe nuk ka asgjë shkencore në tërë analizat që ka bërë ky institut. Ky është thjesht një institut studimi, nuk ka pse ngatërrohet me politikën, nuk ka pse operon me terminologji lustracioni, sepse lustracioni është i ndaluar me ligjin që kemi miratuar”, u shpreh deputeti i PS-së, Spartak Braho, gjatë një seance në Kuvendin e Shqipërisë.

Nuk ka vonuar përgjigja e kreut të ISKK, sipas së cilit Braho “ka në dorë vetëm të kërcënojë e shantazhojë, të derdhë vrer dhe, pikërisht, për këtë është i rrezikshëm, paraqet rrezikshmëri të lartë sociale. Ndihemi të pambrojtur, ndaj ftoj organet e drejtësisë të merren seriozisht me të, para se të ndodhë, mos e dhëntë Zoti, ndonjë tragjedi”.

Debati arriti pikën kulmore, kur Tufa publikon dokumentin për vendimet e dhëna nga Braho gjatë periudhës së komunizmit: “Gjyqtari i Kolegjit Ushtarak të PPSH, sot deputeti Spartak Braho, që kanoset nga salla e Kuvendit pluralist për prerje kokash, ka dhënë dhe dënime kapitale me vdekje. Në dokumentin e mëposhtëm, (një nga disa dënime me vdekje qe ka dhënë deputeti Braho kur ushtronte drejtësinë enveriste), shihet qarte se sa i politizuar behej akti i dënimit (jopolitik) me vdekje”, shkruan Tufa bashkangjitur këtij dokumenti.

Kjo, si duket, akordohet ne një linjë nxirjeje të të dënuarit me vdekje, i cili, si person, sipas Brahos: a) nuk është i denjë për të jetuar, si i rrezikshëm; b) nuk është i denjë për keqardhje e mëshirë, se vjen nga familje e deklasuar që ka ‘strehuar kriminelë’ me 1948 dhe ka te dënuar politikë, d.m.th., familje antikomuniste”.

Nga ana tjetër, Braho ka vazhduar replikën duke e quajtur “vrasës me pagesë” atë dhe Gazmend Kapllanin. “Vrasës me pagesë janë. Pa thonjëza. Pavarësisht se ata nuk e përdorin koburen, pasi u është lagur baruti me kohë e me vakt. Po ata luajnë rolin e vrasësve me pagesë, falë kësaj lirie që kanë fituar. Dhe ky është një abuzivizëm me brirë…”, është shprehur ai.

Periudha e studimit, ligji: Përpara 1944-ës

I gjithë meraku i deputetit Braho duket se është Lufta Antifashiste dhe libri i Çelo Hoxhës, “Krimet e komunistëve”. “Kjo boja e zezë e Tufës kundër historisë sonë antifashiste, është si ajo boja e zezë që hodhën pardje banditët e Saliut në muret e Kryeministrisë. Ka një paralele të frikshme midis të dy gjesteve. Ca shkruajnë me bojë të zezë, ca që s’dinë të shkruajnë e hedhin nëpër mure. Të dyja palët i bashkon një nyje: shpirti fashist.Braho i ka quajtur botimet e ISKK “antiligjore”. “Emërtimi i këtij instituti me ligj është: Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit.

Pra, ka një veprimtari të përcaktuar qartë në kohë: 1945-1990. Ndërsa titulli i librit të botuar nga ky institut, me paratë e taksapaguesve shqiptarë, nga i cili botuam pardje 265 emra si ‘kriminelë’ është ky ‘Krimet e komunistëve gjatë Luftës 1941-1945’. Ç’do ky institut me Luftën? A nuk është kjo antiligjore dhe e dënueshme?”, është shprehur ai në një intervistë për gazetën “Dita”.

Por në ligjin që përmend Braho, në nenin 3/a) ‘përkufizime’ shprehet qarqe që periudha e komunizmit llogaritet përpara datës së çlirimit. “’Periudha e komunizmit’ është periudha e historisë së Shqipërisë nga 29 nëntori 1944 deri më 8 dhjetor 1990, si dhe periudha përpara datës 29 nëntor 1944, gjatë së cilës është zhvilluar veprimtaria, që ka përgatitur ardhjen në pushtet të Partisë Komuniste të Shqipërisë, e cila, më pas, u shndërrua në Partia e Punës e Shqipërisë”, shkruhet në ligj. Pra, përkundër asaj që pretendon Braho, ISKK e ka të përcaktuar në ligj periudhën studimore, e cila shtrihet edhe përpara 29 nëntorit 1944.

Gazmend Kapllani: Shqiptarët ende nuk e njohin historinë e tyre: Shihni se si ka censuruar qoftëlargu!

Shkrimtari i njohur Gazmend Kapllani, që sot jep mësim në Boston, Massachusetts, sjell dy foto, njëra që përkon me realitetin dhe tjetra e censuruar nga diktatori Hoxha. Sikur mund ta shihni krimineli Enver Hoxha i kishte prerë të gjitha kokat dhe në foto ka lënë vetëm veten e tij. Ja si shkruan më poshtë Prof.Kapllani:

“Ne se shihni keto dy foto (origjinalen e Marubit dhe tjetren qe shperndante propoganda e Qofte Largut, pasi zhduku nga foto dhe nga jeta te gjithe njerezit rreth e rrotull), do kuptoni pse Shqiptaret ende nuk e njohin historine tyre: perderisa eshte perdhunuar, retushuar, falsifikuar ne menyren me barbare per nje gjysem shekulli.

Prandaj kane nevoje per nje debat serioz mbi historine bazuar mbi te gjitha ne fakte dhe burime arkivore (duke perfshire edhe hapjen e dosjeve famekeqe te Sigurimit).

ps: ”moda”e retushimit dhe falsifikimit te fotove dhe dokumenteve historike nisi me Stalinin. Te gjithe udheheqesit komuniste (nga Europa ne Azi dhe nga Afrika ne Ameriken Latine) kane retushuar foto dhe falsifikuar ne mase dokumente historike, duke imponuar me dhune versionin e tyre te historise. Megjithate, ne asnje vend, as ne Korene e Veriut qe eshte ende nje cmendine e vertete, nuk arriti perdhunimi dhe falsifikimi i dhunshem i historise ne ato nivele kriminale dhe groteske bashke qe arriti ne Shqiperine e udhehequr nga banda enveriane.

Ky eshte nje problem kolosal me te cilin perballet historiografia shqiptare dhe kujtesa kolektive.

 

Si u hodh në erë kisha e parë shqiptare, aty u martua edhe Skënderbeu

Djegia e Notre Dame në Paris trishtoi njerëzit në mbarë botën. Nga çdo skaj i globit u pa teksa flakët përpinin ndërtesën 850-vjeçare, por akush nuk mundi ta ndalë shkatërrimin. Pamjet nga djegia e katedrales na sjellin ndërmend kohën kur në Shqipëri u hodh në erë kisha e parë shqiptare. Por në rastin tonë shkaqet e zjarrit nuk ishin të dyshimta, dora e njeriut hodhi me qëllim në erë kishën.


 

Përndjekjes së luftës ndaj besimeve fetare gjatë periudhës së komunizmit nuk i ka shpëtuar as Kisha e vjetër e Vaut të Dejës. Në kishën e Vaut të Dejës u martua edhe Heroi ynë Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu, por kjo nuk e ndali luftën e komunizmit ndaj Zotit.

Kisha ku u martua Skenderbeu, u shkatërrua me dinamit në vitin 1967 me urdhër të Mehmet Shehut.

PRILL 1967 “REVOLUCIONI KULTURAL” KUSH I KUJTON VIKTIMAT E TIJ?! – Nga Fritz RADOVANI

1967 KRIMINELËT BARBAR E FANATIKË ENVER HOXHA E RAMIZ ALIA, ISHIN DHE MBESIN VRASËS DHE SHFAROSËS…TË GJENOCIDIT SHQIPTAR !

  • 3 PRILL 1967 Në Komitetin Ekzekutiv K.P. të Shkodres i komunikohet Klerikëve Katolik që i ndalohen të gjitha llojet e sherbimeve fetare dhe se, do të lëshojnë qelat.
  • 5 Prill 1967 At Pjeter Mëshkalla S.J., i shkruen leter kryeministrit Mehmet Shehu, leter që e vendosë At Meshkallen n’ Elterin e Heronjve Antikomunist t’ Europës.

7 Prill 1967 Fillojnë arrestimet me Klerikun e Parë Katolik Don Mark Hasi, që mbas një viti hetuesi dënohet me vdekje dhe zbritet në 25 vjet burg. Ishte hera e dytë e burgosjes mbas vitit 1947… Vdes në kampin e shfarosjes së Ballshit me 11 Shtator 1981.

29 Prill 1967 Në Institutin Pedagogjik të Shkodres arrestohet At Pjeter Mëshkalla per letren që i ka dergue terroristit Mehmet Shehu. Aty ka thanë:“Ky asht turpi i juej para gjithë vendeve t’ Europës, mbasi kjo që bani ju sot këtu, bahet në pragun e 500 vjetorit të vdekjes së Heroit tonë Kombtar GjERGJ KASTRIOTIT – SKENDERBEUT, mbrojtësit të Krishtenimit… Vetem këte mendoni se çka ka me thanë Europa per ju?…”

  • 1 Prill 1969 U pushkatue Klerikun 36 vjeçar Don Marin Shkurti (1933) që e kthyen jugosllavët e pabesë me e pushkatue “revolucionarët shqiptarë”. Nga familja Shkurti Dosja nr. 2312, u arrestuen: 1. Don Marin Kolë Shkurti, 2. Ndrekë Kolë Shkurti,
  1. Jakë Kolë Shkurti, 4. Gasper Kolë Shkurti, 5. Lazer Ndrekë Shkurti, 6. Prenda Kolë Shkurti, 7. Leze Simon Shkurti, 8. Liza Jakë Shkurti, 9. Ruke Lazer Shkurti.
  • 29 Prill 1976 Imz. Errnesto Çoba asht dënue 25 vjet burg dhe e kanë mbytë në sigurimin e shtetit në Tiranë me 8 Janar 1980, Dosja 3359… U dënue e vdiq pa e pa njeri!
  • 4 Prill 1986 Vdiq Don Lec Sahatçija (1906), i masakruem në burgun e Tiranës…

Don Leci ruente kopjot e letrave të Imz. Frano Gjinit, të cilat nuk i dorzoi asnjëherë.

Asht kenë prift model, besnik dhe trim i pathyeshem nga torturat e barbarve komunist.

  • 25 PRILL 1993 PAPA GJON PALI II, Papa i parë që vizitoi Shqipninë:

PERBALLË  GJERGJ  KASTRIOTIT SKENDERBEUT  NË  TIRANË, KA THANË:

“Një demokraci pa vlera, -kam shkrue n’ Encilklikën Centesimus Annus- mund të shndërrohet lehtësisht në një totalitarizëm të hapun ose të fshehtë, si po na e tregon edhe historia…Ajo që ka ngja në Shqipni të dashtun Vllazen e Motra, nuk asht pa kurrë në Historinë e Njerzimit !..  Drama e Juej Shqiptarë të dashtun, zgjon interesin e mbarë Kontinentit Evropjan!.. Shqipni, qendro në naltësinë e kësaj beteje të madhe!»

            Melbourne 16 Prill 2019.

Dossier – Si u grabitën 15 milionë euro në 5 grabitje të bujshme të parave të bankave. Katër kanë të njëjtën “dorë”

ETLEVA DELIA/Që prej vitit 2015 e deri më 9 prill të këtij viti, në 5 ngjarje të organizuara rezultojnë të jenë grabitur rreth 15 milionë euro.

Shuma e parave të vjedhura në të gjitha rastet u përkiste bankave të nivelit të dytë, të cilat do e transportonin me avion në drejtim të Austrisë.

Katër prej grabitjeve, sipas Policisë janë organizuar nga grupi i Admir Muratajt, i cili mbeti i vrarë gjatë shkëmbimit të zjarrit me Policinë në ngjarjen e fundit.

Grabitja e parë ka ndodhur më 13 shkurt 2015, pranë Stacionit të Trenit në Tiranë, ku në një bankë të nivelit të dytë u vodhën me armë 900 mijë franga, 800 mijë paund dhe 16 mijë euro.

E dyta ndodhi më 30 dhjetor të vitit 2015, ku u sulmuan me armë eskorta e vlerave monetare në aksin Tiranë-Rinas, në afërsi të Qafës së Kasharit, ku u vodhën 2 milionë paund, 800 mijë dollarë dhe sasi të tjera valute.

Më 30 qershor 2016, grupi i grabitësve rrezikoi edhe më shumë, duke depërtuar deri në pistën e avionëve. Kjo ishte ngjarja e parë, ku u cenua siguria në Aeroportin e Rinasit. Autorët arritën të merrnin 995 mijë euro. Për këtë ngjarje ende nuk ka ndonjë person të dyshuar.

Edhe pse u aludua fillimisht se mund të ishte kryer nga i njëjti grup, nuk u arrit të provohej asnjëherë. Grabitja e katërt ndodhi më 9 shkurt 2017, ku u sulmuan me armë eskorta e vlerave monetare në aksin Tiranë-Rinas, afër një universiteti privat.

Në këtë ngjarje u rrëmbyen në automjet thasët me 2 milionë e 400 mijë euro, 200 mijë dollarë dhe valuta të tjera.

Ndërsa së fundmi, më 9 prill, ndodhi grabitja e radhës në pistën e avionëve, duke u përsëritur e njëjta ngjarje si në vitin 2016. Nga “barku” i avionit u rrëmbyen nën kërcënimin e armëve 7 thashë me para, me një vlerë që bankat e kanë llogaritur 6.5 milionë euro.

AUTORET

Zbulimi i serisë së autorësisë së grabitjeve u bë në shkurt të 2017-ës, ku Policia dhe Prokuroria arrestuan anëtarët e bandës, të cilëve iu gjetën edhe një pjesë të shumave të vjedhura. Kartëmonedhat ishin groposur në tenxhere, por edhe ishin fshehur në mënyrë origjinale në vende të tjera, duke u futur me qese në frigorifer. Në janar të këtij viti, Prokuroria e Krimeve të Rënda paraqiti pretencën për bandën e të akuzuarve për tri grabitje të bujshme të ndodhura në autostradë, gjatë transportimit të parave të bankave nga Tirana në Rinas.

Prokurori i çështjes në total kërkoi 127 vite burg për 8 të akuzuarit: Dash Kupa, Ernest Kupa, Neim Avdyli, Ditjon Memlika, Admir Çerpja, Fatjon Xhyliu, Dritan Sinani dhe Aleksandër Murataj, vëllai i Admir Muratajt. Nga ky grup vazhdonte të ishte në kërkim Admir Murataj, i cili mbeti i vrarë. Gjithashtu nuk është arrestuar ende as Klement Çala, i cili është dënuar në mungesë me 25 vjet burg.

Asimilimi i shqiptarëve, domethënia e vizitës së Papës në Maqedoni – Nga Dom Nikë Ukgjini

Pas vizitave, kohët e fundit, të Papa Françeskut në Emiratet e Bashkuara Arabe, më 4 mars 2019 dhe Mbretërinë e Marokut, më 30 – 31 mars, tani vëmendja e Selisë së Shenjtë është përqendruar në Ballkan, pikërisht në vizitën e Papës në Bullgari, më 5-6 maj dhe më 7 maj në Maqedoninë Veriore. Papa Françesko ndërmori këtë turne ballkanik, si falënderim ndaj Zotit që hap rrugët e paqes dhe miqësisë, për të cilat sot kanë shumë nevojë shtetet ballkanike, por njëherazi për të na rikthye në vëmendje, se Thrakia dhe Dardania, ishin pellgu nga gjeneroi dhe gjallëroi krishterimi si qytetërim, në të gjithë Evropën e sotme. Eterit kishtarë në shekullin II na dëshmojnë se Krishterimi hodhi rrënjët në trevat e Ilirisë që në kohen e Krishtit nga vetë Shën Pali, duke kaluar nga Jerusalemi në Epirin e Ri (Durrës) në rrugën “Via Egnatia”, për në Romë. Shën Andrea predikoi në Epirin e Vjetër, Shën Luka në Dalmaci dhe Shën Matia në Dardani, për të cilën jemi duke bërë fjalë. Si kudo, edhe këto vatra të krishterimit u bënë qendrat qytetare ku i ngritën bashkësitë e para fetare e kulturore. Me përsosjen e organizimit kishtar, në qytetet kryesore më të mëdha e më të vjetra u krijuan peshkopatat që e shtrinin juridiksionin e tyre në gjitha krahinat e Ilirisë.

Dardania ilire ishte njëra ndër krahinat më të mëdha e më të zhvilluara në fushën e prodhimeve të ndryshme si dhe pasurive nëntokësore. Ajo si e tillë kishte qytete të zhvilluara dhe të njohura si: Sardikën, Naissus (Nishin), vendlindja Konstantinit të Madh (306-337), i cili legalizoi në vitin 313 Krishterimin në Perandorinë Romake; Remesianën, ku veproi ipeshkvi, Shën Niketa (340-414), i cili kompozoi himnin e Krishterimit botëror, “Te Deum” (Ty Hyj të Lavdërojmë); Ulpianën nga dolën martirët e parë të Krishterimit, Flori dhe Lauri në kohën e mretit Hardian (117-138) dhe Shkupin, si kryeqytet dhe vendlindja e Justinianit të Parë (527-565), i cili njihet si reformatori më i rëndësishëm i Perandorisë Bizantine. Por, Krishterimi i Dardanisë ilire, si vend i lakmueshëm zhvillimor, gjatë viteve pati shkatërrime të mëdha nga hordhitë pushtuese: sllave, bullgare, bizantine. Ajo pësoi dëmtime dhe nga grindjet juridike e doktrinare që zhvilloheshin në mes Romës e Konstantinopolit, filluar që nga koha e skizmës Akacije (484), lëvizjeve ikonoklaste (730) e deri të ndarja përfundimtare e dy kishave në vitin 1054, kur dioqezat e Dardanisë dyzoheshin në mes Lindjes dhe Perëndimit. Sidoqoftë, pjesa më e madhe e dioqezave kishtare të Dardanisë i mbeten besnik papatit deri në shekullin XIV.
Kisha katolike në Dardani, edhe përkundrejt vështirësive, presioneve, luftërave të pandashme, që zhvilloheshin për nënshtrimin e saj, nga bullgarët, bizantinët dhe nga fillimi i shekulli XII, me serbët, megjithëse e goditur rëndë, do të vazhdonte ta ruante vazhdimësinë e mëparshme të ndritur, duke qëndruar e lidhur shpirtërisht dhe juridikisht më Romën.


Duke filluar nga viti 1219, në Dardani, përballë trysnive të sllavo-ortodoksizmit për përvetësimin e kishave romake, sipas dokumenteve, dëshmohet prania e kishave katolike arbërore, në Shkup, Tetovë, Prizren, Graçanicë, Trepçë, Novobërdë etj., në të cilat kultivohej gjuha shqipe. Për prezencën e elementit arbëror në këtë trevë, flet shumë qartë shkrimtari bizantin i Atalietes, kah fundi i shek. XI, duke u shprehur së albanët janë latinë, që do të thotë të ritit romak.
Situata në Dardani ndryshoi mënyrë drastike me shpalljen e ligjit të Car Dushanit “Kodi i Dushanit” në vitin 1349 në Shkup, me anë të cili u nxit një armiqësi e madhe ndaj kishës katolike dhe arbërorëve në përgjithësi. Më këtë rast pothuajse të gjitha kishat dhe manastiret katolike u përvetësuan, duke i shndërruar në Kisha dhe manastire ortodokse sllave dhe popullata arbërore asimilohej ditë për ditë. Ardhja e pushtuesve turq në Ballkan ndryshoi gjeopolitikën edhe në trevat arbërore si dhe hapësirën e Dardanisë. Ajo çfarë nuk u arrit të shkatërrohej nga mbreti Dushani, u zbatua nga turqit aziatikë, kur pas një qëndrese prej më tepër së njëqind vjetësh, tokat shqiptare në fillimet e shek. XVI u përfshinë tërësisht në sundimin e këtij pushteti shkatërrues për pesë shekuj me radhë.

Turqit rrënuan shumë kisha katolike deri në themel, të tjerat i tjetërsuan dhe ipeshkvinjtë latinë përndiqeshin duke ua ndaluar të udhëhiqnin grigjën nga selitë e veta siç ishin: Shkupi, Ohri e Prizreni, por ata duhej të vepronin nga fshatrat e vendet malore për rreth e qark dioqezave. Këto masa dhe të tjerat ndëshkuese sollën edhe islamizimin e arbërorëve të Dardanisë së dikurshme, duke arritur në shek. XVIII të islamizoheshin në masën deri në 90% të tyre. Politika perandorake në qarqet ndërkombëtare masën e islamizuar e ka paraqitur si turke, pjesën katolike si latine, ndërsa atë ortodokse si greke.
Si pasojë e trysnive turke, me vdekjen e Andre Bogdanit, në vitin 1656, u shua përfundimisht kryedioqeza e katolike e Ohrit, ku që më herët pjesa më e madhe e besimtarëve kishte kaluar në Kishën Ortodokse. Dhe si fanar e ruajtjes së traditës të Kishës romake dhe identitetit kombëtar, tani e vetme kishte mbetur kryedioqeza e Shkupit, e cila administronte katolikët në “Serbinë e vjetër” të emërtuar kështu nga Car Dushani, dhe një pjesë të Bullgarisë. Po kështu, nga përndjekjet e turke, ndihmuar nga kisha serbe, ipeshkvijtë e kësaj kryedioqeze nuk mund të qëndronin për të ushtruar detyrat e tyre baritore nga selia e Shkupit, por e bënin nga famullitë e ndryshme si: Hasi, Janjeva, Gjakova, Prokupje e gjetiu.

Sipas relacionit të Kuvendit të Arbrit, i mbajtur në Merqi të Lezhës në vitin 1703, e ku Papa Albani – Klementi XI, i pat bashkuar përfaqësuesit e të gjitha trevave arbërore, Kryedioqeza e Shkupit kishte rënë në minimumin e saj, duke pasur 6 famulli, më 770 shtëpi dhe 5.296 besimtarë katolikë. Më këtë rast ajo administronte edhe 2.061 katolikë në Bullgari.
Në përballjet shumëshekullore me pushtuesit turq e serbë, në ruajtjen e historisë dhe traditës dardane, qëndruan stoikisht prelatët e shquar të kishës katolike si: Imzot Pjetër Budi, poet e përkthyes i “Doktrinës së Krishtenë”, në vitin 1618; Imzot Pjetër Bogdani, autor e “Çetës së Profetëve”, 1698; Imzot Gjon Nikollë Kazazi, letrar, zbulues i “Mesharit” të Buzukut, 1740, në Romë dhe shkrues në shqip i librit, “Doktrina e Krishtene” 1743; Imzot Andre Llogoreci, 1887-1901, përkthyes dhe organizator i rihapjes së disa shkollave shqip, në Shkup, Gjakovë e Prizren; Imzot Lazër Mjeda, 1909, nxitës i përhapjes i kulturës shqiptare në këto treva dhe luftëtar i paepur në ruajtjen e tërësisë territoriale të Shqipërisë etnike, gjatë luftës Ballkanike e tjerë.

Në kohën kur po shkatërrohej Perandoria osmane, sidoqoftë evidentohet së kishte mbijetuar një numër i konsiderueshëm i shqiptarëve në Maqedoninë e sotme. Sipas statistikës turke të vitit 1908, në Maqedoninë e Veriut jetonin 341.639 shqiptarë. Ndërsa pas krijimit të Mbretërinë Serbe – Kroate – Sllovene, më 1 dhjetor 1918, llogariten së në Maqedoni, e cila quhej Banovina e Vardarit, në vitin 1921 jetonin 28.4% të shqiptarëve. Ndërsa shqiptarë të besimit katolik në Maqedoni e Kosovë, për të cilët përkujdesej kryedioqeza e Shkupit, ishin 30.336. Mbas shkatërrimit të ish-Jugosllavisë dhe përfundimit të luftës në Kosovë, në vitin 1999, situata kishtare mori një kaheje tjetër. Për shkak të rrethanave politike, dioqeza e Shkupit më 25 maj të vitit 2000, qe shkëputur nga dioqeza Prizrenit, me të cilën ka bashkëvepruar nga viti 1969, duke vepruar tani secila për llogari të vet. Shkupi, vendlindja e nobelistës shqiptare, Nënë Terezës, tani kishte mbetur me 6.320 besimtarë, nga të cilët pjesa më e madhe janë katolikë të ritit bizantin, që mbahen si maqedonas apo bullgarë dhe 2.000 prej tyre janë shqiptarë të përqendruar në Shkup, të cilët për çdo ditë janë duke u asimiluar.

Sot Maqedonia e Veriut, sipas statistikave të Eurostatit të vitit 2016, ka 25.2% ose 600.000 shqiptarë. Ndërsa të dhënat nga terreni flasin për një shifër deri në 30-35%. Sidoqoftë, në krahasim më vuajtjet e pa masë, si: shpërngulja në Turqi më 1938 dhe 1953, diskriminimi në forma të ndryshme që i ka shoqëruar shqiptarët në të kaluarën nën regjimin sllavo-ortodoks, sot mbetet prezent një numër i konsiderueshëm i shqiptarëve në këtë republikë.

Sot duke pasur parasysh ndryshimet nacionale, politike e ekonomike etj., në këtë pjesë të Ballkanit, të gjitha analizat serioze janë të një mendimi se, edhe përkundrejt gjendjes me gotën gjysmë të zbrazur në aspektin shpirtëror, moral, mendor, ekonomik, në të cilën gjendemi, ky gjysmëshekull konsiderohet se është në favor të shqiptarëve. Në këtë vështrim, vizita në Maqedoninë e Veriut e Papa Françeskut, i cili personifikon shtetin sipas modelit “De Civitatis Dei” (shteti i Hyjit), të Shën Agustinit, është edhe një ditë e jona, kur të gjithë pa dallime, më 7 maj të këtij viti, të organizuar nga të gjitha trevat, duhet të nisemi drejt Shkupit, në shenjë vlerësimi e nderimi për çfarë ka bërë Selia e Shenjtë në të kaluarën për ne shqiptarët.
Po kështu, vizita e Papës në Maqedoninë Veriore ka për qellim të hapë rrugët e paqes dhe miqësisë në këtë vend tejskajshëm të përgjakur gjatë tërë historisë, në dyzimet mes Lindjes e Perëndimit. Për ne shqiptarët është edhe momenti, kur Papati na ofron si në Kuvendin e Arbrit, qoftë edhe në aspektin shpirtëror, ngjitjen e fijes së shkëputur, e cila ndodhi në Kongresin e Berlinit në vitin 1878, kur trojet tona u qenë shpërndarë shteteve fqinje padrejtësisht.

GJERGJ KRISTO FRASHËRI: Arkeologjia te Veliera po jep shpirt! Ku janë “Specialistët” Arkeologë të Institucioneve dhe të Përvuajturit e Shoqërisë Civile? –

1. U bënë tashmë dy vjet (2017-2019) që skeleti prej beton/arme i Skulpturës futuriste “Vela/Veliera” para Hyrjes Historike të Portit të lashtë të Durrësit, pasi hyri e doli nëpër dosjet e gjykatave të korruptuara, ka pesë-gjashtë javë që paska filluar të hedhë shtat për të përfunduar së ndërtuari. Nuk janë lënë mangët derisot vlerësimet historike prej nesh, njëkohësisht kritikat me argumente, paralajmërimet në medie deri denoncimet në prokurori mbi dëmet katastrofike që Ministria e Kulturës i bëri pasurisë arkeologjike në këtë mjedis urban, duke lëshuar lejen për këtë ndërtim të pajustifikueshëm dy vjet më parë – kritika të tilla si tek Shqiptarja.com (Frashëri: Veliera po e lë Durrësin antik pa portën e fortifikimit/Kush do fitojë Vela prej Betoni e Kryetarit Hyrja e Lashtë e Dyrrah-ut, 10 Shkurt 2017); apo ajo me titull: Prepotencë shtetërore dhe servilizëm institucionesh kundra pasurisë arkeologjike”, 17 Shkurt 2017; më pas në Gazeta Sot: Instituti i Ministrisë së Arsimit merr tendera për arkeologji shpëtimi nga Ministria e Kulturës,12 Mars 2017; pastaj në gazetën Panorama:Tragjedi e Komedi arkeologjike në “Velierën” e Durrësit, 10 Prill 2017, dhe të tjera intervista televizive. M’ë duhet edhe një herë të ritheksoj, se çdo hap ndërtimor që hidhet në këtë mjedis arkeologjik të Durrësit, shkakton shkatërrimin, humbjen dhe zhdukjen një herë e përgjithmonë të një monumenti, jo vetëm të rrallë të historisë botërore të fortifikimeve, por ndoshta unikal në llojin e vet. Pikërisht aty ku tashmë prej gjashtë javësh janë zgavruar me egërsi nga skreperi, gropat për hapjen e themeleve të dy gjymtyrëve mbajtëse të Velës/Velierës, për t’u betonuar dy këmbët veriore të saj, pikërisht aty janë mbetjet e Kryebastionit të Madh të Artilerisë të Portit të Durrësit, cili sipas njoftimeve burimore dokumentare i ka hedhur fillimisht themelet në vitet ’80 të shek. 13, mbas rrënimeve që shkaktoi tërmeti i vitit 1272 në sistemin fortifikues të Durrësit (Frashëri, Prepotencë shtetërore...). Me gjurmë të rindërtimeve të mëvonshme gjatë shek. 14 në kohën e Karl Thopisë dhe në vijim ato të Venecianëve prej vitit 1395, ai rezulton të jetë një nga bastionet më të hershme të historisë botërore ndërtimore dhe arkitektonike ushtarake, i projektuar enkas për një fortifikim të destinuar për përdorimin e artilerisë me barot (e shpikur në kohën e themelimit të tij). Rolin e këtij bastioni në mbrojtjen e qytetit të Durrësit e dëshmon përveç të tjerave, edhe një dokument i datës 26 prill 1463, një vendim i Këshillit të Venedikut, që bën fjalë për emërimin fisnikut Mapheus Truno si komandant i Bastionit të Shën Elisë në Kështjellën e Durrësit (Kristo Frashëri, Skënderbeu dhe Lufta shqiptaro-osmane e shek. 15, Vëll 7, Burime Kancelareske Perëndimore, dok. 130, ff. 208-209). Forma planimetrike e  këtij bastioni të fuqishëm me gjerësi muresh prej 2,80 m, jo me qoshe kënddrejte por me qoshe të prera diagonalisht, sëbashku me frëngjitë embrionale origjinare të topave të stilit grotesk (primitiv), janë dëshmi të qarta të një bastioni exemplar i arkitekturës më të hershme të kullës së artilerisë me barot. Një paralele të saj do të mund t’a gjenim më herët në botën anzhuine (fundi i shek. 13), përpara se ajo të eksperimentohej me këtë format arkitektonik në botën venedikase adriatikase (shek. 14). Në këto gjashtë javë të fundit, arkeologët e caktuar nga Ministria e Kulturës, të cilët kanë drejtuar dhe kontrolluar punën e skreperëve të Ndërtuesit të Velierës, paskan lejuar të zhduken pa mëshirë fragmente masive të murit të jashtëm të  bastionit, por edhe substancë arkeologjike në brendinë e tij për hir të betonit të derdhur (Foto 1).  Padyshim, ndërtuesit e kanë marrë miratimin për këtë vdekje të bastionit nga Ministria e Kulturës (MK), si dhe miratimin e  arkeologëve përgjegjës të projektit! Kujtojmë, se MK me vendim të posaçëm të KKAsë ia besoi këtë gërmim arkeologjik më se dy vjet më parë Institutit Arkeologjik të Tiranës dhe arkeologut të tij Prof. Dr. Eduard Shehi. Përgjegjësi e madhe për institucionin më të lartë shkencor të vendit dhe anëtarëve të KKAsë për një masakër të tillë të panevojshme dhe shembullore penale.

FOTO 1

2. Kundrejt kësaj dëshmie me vlera të jashtëzakonshme arkeologjike me përmasa botërore, arkeologët e institucioneve shtetërore të Shqipërisë flasin në korr për zbulimin e mbetjeve të një “Konaku osman” (shek. 19) apo për zbulimin e “Pallatit të Princ Vidit” (1914), duke u përpjekur të hedhin hije të zezë mbi tërë arsenalin dokumentar arkeologjik mijëravjeçar, që ndodhet nën nëntokën poshtë tyre. Por, qëkurse dolën në dritë mbetjet e mureve të trasha të Bastionit të çpuara nga frëngjitë e topave të artilerisë me barot, mbetjet e vakta të mureve të holla të ndërtesës Konaku/Pallati, të cilat i mbivihen strukturave të rënda e të fuqishme ndërtimore të bastionit, nuk përbëjnë fokus konkurues arkeologjik. Pas Luftës së Parë Botërore, strukturat e vijueshmërisë Konak/Pallat u rrënuan dhe u rrafshuan duke lënë vetëm ravijëzimet e tyre subplanimetrike. Mbetjet e tyre janë tërësisht të kontrastueshme dhe tregojnë se nuk kanë asnjë lidhje funksionale apo kohore me mbetjet e Bastionit. Mbivlerësimi i tyre në raport me mbetjet e bastionit, përbën një falsifikim nga ana e arkeologëve dhe institucioneve shtetërore të specializuara, e cila mund të vijë nga paaftësia, ose nga presioni politik për t’i hapur rrugë vendimit për ndërtimin me çdo kusht të Velierës?! Në këtë mënyrë, mbi rrënojat arkeologjike të dala te nëntoka ku kërkohet të ndërtohet Veliera, përveç arkeologut Shehi që ka kryer gërmimet është shprehur në nivel diletanti edhe drejtori i tij i Institutit Arkeologjik, Prof. Dr. Luan Përzhita (Frashëri, Tragjedi dhe komedi…). Me qëndrimet e tyre rezulton të jenë pajtuar edhe arkeologë të tjerë, vendimmarrës të përzgjedhur nga ministresha e Kulturës Mirela Kumbaro për të formuar anëtarësinë e Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë (KKA), të tillë si Prof. Dr. Lorenc Bejko njëkohësisht edhe drejtues i Departamentit të Trashëgimisë Kulturore pranë Uni Tiranës, Prof. Dr. Belisa Muka drejtuese e Departamentit të Antikitetit parnë Institutit Arkeologjik, etj. Nuk duhet të harrojmë edhe tre ekspertë të spikatur që Gjykata e Durrësit i zgjodhi për Ekspetizën e saj, si Prof. Dr. Faik Drini, Prof. Dr. Skënder Aliu dhe Taulant Rama, të cilët duke mos qenë ekspertë të profilit arkeologjik që kërkonte rasti në fjalë, duhet t’a kenë qerasur Gjykatën me siguri me Pallate apo Konakë osmanë në raportin e tyre, e shumta edhe me ndonjë copë bastioni osman. Pyes edhe një herë, është ky qëndrim një korr i dirigjuar rekrutësh institucionalë shtetërorë, apo një paaftësi kolektive profesionale? Përderisa në vlerësimin e zbulimeve të mjedisit Veliera u shmang me qëllim nga gjykata çfarëdo eksperti privat i licencuar, i specializuar për mjedise arkeologjike urbane, kam të drejtë të mendoj, se kishim të bënim me një korr të dirigjuar, ku të gjithë këngëtarët e trupës, si grusht çeliku rreth ministreshës, duhet t’i hapnin rrugë ndërtimit të Velës, së pari duke injoruar kolektivisht zërin e dikujt që kishte njohur mbetjet e bastionit të Renesancës së hershme, dhe së dyti për t’i degjeneruar ato mbetje si të parëndësishme, sepse sipas korrit, ato i takonin një të ashtuquajturi “bastioni osman” (!?). Pra gjithçka duhej të përfundonte “osmane”, sepse kështu do ta kishin më të lehtë me opinionin vendas, për të marrë vendimin për prishjen e tij, siç po ndodh. (A thua se bastionet osmane nuk kanë vlera historike?!). Kjo e fundit nuk është vetëm  paaftësi, por program i grupimeve kriminale shtetërore, si kudo dhe në çdo sferë të pasurisë kombëtare të këtij vendi.

Foto2/

Për t’a degjeneruar edhe më tej problemin, që t’a nxirrnin fare pa vlera historike të tërë arkeologjinë e nëntokës të zonës A, pra që Skulptura Vela të ndërtohej pa dhimbje ligjore dhe popullore, korri i këngëtarëve të pushtetit me në krye arkeologët famëkeq Shehi dhe Përzhita veshën me fustan nuseje si mbivlerë historike – mbetjet sekondare të Konakut të periudhës osmane, si dhe atyre nga Pallati jetëshkurtër i zhdukur i Princit gjerman; madje ky i fundit, sapo u ndërtua më 1914, u bombardua nga italianët duke u fshirë nga faqja e dheut katër vite më vonë. Por bombardimi i fqinjëve duket se nuk mbaroi me aq. Sot hidhen bomba të llojeve të tjera kundra pasurisë së çmuar arkeologjike të këtij kombi. Interesant, se pikërisht në këtë vend të bombarduar nga ushtria italiane, tani mbas gati njëqind vjetësh, një arkitekt përsëri italian (i cili, ndonjë politikani shqiptar i është fanepsur si Mikelanxhoja i Rilindjes Shqiptare Europiane) po bombardon me “veprën e tij Veliera” edhe më thellë se dikur – tashmë një monument të rrallë të historisë. Pyesim – e lejon arkitektin italian – etika profesionale e shkollës së tij, të ndërtojë një skulpturë futuriste, duke shkatërruar  në mënyrë makabre përmes gjymtyrëve të saj, një Bastion të rrallë deri sot unikal, i cili edhe në fortifikimet italiane, nuk e di, në se i gjendet një paralele të zbuluar atje deri më sot? E kam shprehur edhe më parë, se arkeologët dhe historianët e arkitekturës (ndërtimit) italianë që kanë punuar në Durrës prej vitit 2000 përmes Misionit të tyre Arkeologjik, nuk kanë bërë më të mirën! (Vështirë të besosh, se arkeologët dhe historianët e ndërtimit italianë nuk e dinë vlerën e vërtetë të këtij bastioni?  Por kur ata i ka ftuar për dasmë korri i dirigjuar i arkeologëve të institucioneve të shitura të këtij vendi, pse të mos e vënë lugën në brez?).

3. Çfarë ka ndodhur në pesë javët e fundit? Së pari me eskavator është shkulur, thërrmuar dhe zhdukur krejt pjesa perëndimore e Bastionit, më shumë se 14 m gjatësi e murit ballor të tij (të trashë 2,80 m) duke zhdukur tërësisht edhe frëngjinë perëndimore të tij (Foto 1 dhe 2, pjesa a me frëngjinë m). Së dyti është zhdukur edhe krejt muri mbyllës me thyerje diagonale në cepin perëndimor të bastionit, i cili mbarte dëshminë, se bastioni (kulla) nuk ishte me qoshe kënddrejtë, as edhe rrethore siç janë ato klasike të artilerisë me barot të shek. 15, por në një fazë të hershme kalimtare, me faqe të prera (pa qoshe, Foto 1 dhe 2, fragment b). Këtë dëshmi arkitektonike, që e daton shumë më herët këtë kullë (bastion) se shek. 15, tashmë pas shkatërrimit para katër javësh, nuk e kemi më. Së treti, po ashtu edhe pjesën e mbetur jugore të fasadës ballore të Bastionit (gati 20 m gjatësi) vizitorët nuk do kenë rastin t’a shohin më. Derdhja masive me beton përgjatë murit të fasadës e ka varrosur dukjen e saj deri në kokë (Foto 1, pjesa c; Foto 3 dhe 4). Së katërti, të njëjtin fat kanë pësuar edhe dy frëngjitë e fundit (fragment d dhe e) të mbetura në mes të murit ballor të bastionit, të cilat aktualisht janë mbytur nga ndërtuesit tërësisht me zgara hekuri, përgatitur për t’u derdhur beton në ditët e ardhshme, duke i vdekur kështu edhe ato si dëshmi dokumentare (Foto 1, fragmentet d dhe e, Foto 3 dhe 4). Së pesti, punë e zellshme është bërë në zgavrimin e zemrës së bastionit duke larguar një herë e përgjithmonë tërë strukturat ndërtimore në thellësi në sipërfaqen f (Foto 1, 2 dhe 3). Së gjashti, një trashe betoni në drejtim verilindje, ka dhunuar në thellësi brendinë arkeologjike të Bastionit, ku sipas burimeve dokumentare duhet të jenë mbetjet e kapelës së Shën Elisë – konkretisht pjesën absidale të saj (anën lindore të kapelës, Foto 1, 2 dhe 3). Qenësia e kësaj kapele ligjërohet nga burimet dokumentare të shek.13-15 (Frashëri, Prepotencë shtetërore...), por edhe nga tradita e njohur mesjetare, në pajisjen me vepër kulti të Kryekullës (Bastionit) të kështjellave. Së shtati, transheja e derdhur prej betoni ka prerë dhe ka zhdukur edhe një fragment të murit mbyllës të brendshëm të bastionit (fragmenti h), i cili kur është ndërtuar në fund të shek. 13, ka qenë mbështetur në murin ekzistues fortifikues bizantin të qytetit (Foto 1, 2 dhe 5).

Foto4

U bë tashmë më se dy javë që jam kthyer nga jashtë vendit dhe nuk shoh asnjë trupë arkeologjike të jetë prezent në këto dhunime të pashembullta dhe zhdukje makabre të këtij dokumenti të madh historik arkeologjik dhe të historisë së ndërtimit (arkitekturës) së fortifikimeve mesjetare mesdhetare. Pyes, kush ka vendosur që të zhduken njëherë e përgjithmonë muret e bastionit mesjetar, pavarësisht nga mosha historike e tij? Ku është vendimi shtetëror?  Ku është arkeologu Eduard Shehi në këtë pikë kulmore shkatërrimtare të monumentit, i cili zyrtarisht është caktuar me vendimin e Ministrisë së Kulturës të drejtojë punimet arkeologjike në këtë projekt. Kush dokumenton këtu këto gërmime me eskavator dhe ato që shfaqen e zhduken çdo minutë? Ku është ky Shehi? Ka ikur të masakrojë arkeologjinë me projekte të tjera, apo shoqëron grupe turistësh, apo ka marrë biletë për jashtë shtetit, si shpërblim i masakrës historike që lejoi (legjitimoi) në projektin e Velierës? Pikërisht tani, kur nëntoka arkeologjike të Veliera po zgavrohet dhe ka marrë goditjen vdekjeprurëse substanca arkeologjike e Kryebastionit të Portit, kur kërkohet drejtimi arkeologjik dhe dokumentimi i detyruar ligjor!?… Në se Shehi nuk është, ku është drejtori i tij zoti Përzhita, që iu besua përgjegjësia institucionale për këtë gërmim, pavarësisht konfliktit të hapur flagrant të interesit (Frashëri: Instituti i Ministrisë së Arsimit merr tendera për arkeologji shpëtimi…) . Ku janë arkeologët e KKAsë së Ministrisë së Kulturës? Apo arkeologët e ASHAs të kësaj ministrie, e cila përgjigjet direkt për shpëtimin e substancës arkeologjike. Pse mbahet i fshehur dhe pse nuk botohet raporti arkeologjik i gërmimit nga ana e Institutit Arkeologjik për këtë projekt publik? Ka një përgjegjës institucional arkeologjie ky shkatërrim? Ç’është kjo gjëmë, kjo shthurje e ligjës dhe e Ministrisë së Kulturës!

Foto5

Duket sikur ka një diktat dhe mbrojtje nga lart, që ia lehtëson barrën Ministrisë së Kulturës duke e braktisur kontrollin arkeologjik të detyruar në sheshin e ndërtimit Veliera, domethënë që t’a ketë të lehtë për të raportuar nesër, se në këtë mjedis nuk kishte lëndë arkeologjike, që së fundi të mund të marrë pa dhimbje vendimin për të ligjëruar ndërtimin e saj.

4. Në vend që të dëgjohej prej fillimit zëri i specialistit dhe të zbatohej Rregullorja e Ruajtjes së pasurive arkeologjike në Zonat A dhe B të Durrësit, po dy vjet më parë një grumbull njerëzish të vetëshpallur “Sensibël” të Shoqërisë Civile me në krye udhëheqësin popullor Sazan Guri dhe një të paraqitur juriste për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore me emrin Mirela Jorgo në krah të tij, filluan një gjerdan protestash kundra prekjes së nëntokës arkeologjike në hapësirën ku kishte filluar të ndërtohej projekti “Veliera” në Durrës. Asokohe këta syresh dukeshin me të drejtë të prekur nga padrejtësia e vendimit, sepse një hapësirë e Zonës arkeologjike A të Durrësit, po sakrifikohej për ndërtimin kapriçioz të një skulpture futuriste të quajtur Vela/Veliera. Për habinë time, të cilën e kam shprehur disa herë në medie, nuk e kuptova atëherë, pse kjo energji e Shoqërisë Civile e simbolizuar me binomin Guri-Jorgo ishte drejtuar kundër Bashkisë së Qytetit të Durrësit, duke e shpallur atë, përgjegjëse dhe fajtore të shpërdorimit dhe të prishjes së nëntokës arkeologjike për ndërtimin e një vepre jo të domosdoshme në atë vend (Frashëri: Veliera po e lë Durrësin antik pa portën e fortifikimit/Kush do fitojë Vela prej Betoni e Kryetarit Hyrja e Lashtë e Dyrrah-ut?, 10 Shkurt 2017)). Po ashtu nuk e kuptova, pse këta strategë me juristë mes tyre, nuk e drejtuan protestën e tyre kundër Ministrisë së Kulturës dhe Këshillave Kombëtare (KKR dhe KKA) direkt përgjegjës dhe vendimmarrës ligjorë për mbrojtjen e pasurisë arkeologjike të nëntokës së këtij qyteti? Nuk kuptova edhe kur binomi Guri-Jorgo hapën padi në Gjykatë kundër Bashkisë dhe Ndërtuesit (?!), të cilët ishin pajisur me leje nga Ministria e Kulturës, në vend që të ngrinin padi drejtpërdrejt kundër Ministrisë së Kulturës, e cila ishte Lejedhënësja ligjore. Fakti është se Shoqëria Civile e humbi gjyqin, dhe se Gjykata i dha të drejtë Investitorit dhe Bashkisë që të vazhdonte ndërtimin, meqenëse ato ishin pajisur me leje. Kaq e paditur profesionalisht është Shoqëria Civile me udhëheqësit e tyre? Nuk besoj!

Çfarë do të thotë kjo, që pas të gjithë asaj zhurme publike dhe mediatike të ndezur me histeri nga turma e Shoqërisë Civile kundra ndërtimit në vendin e bastionit (Zona A), sot që kjo po ndodh me të vërtetë, nuk ka më asnjë gjurmë nga protesta e Shoqërisë Civile? Pse e mori atëherë ajo mundimin të protestonte asokohe?  Për bindjet e veta, apo për shfaqje politike të porositur (?! ), që të shënohej në analet, se “krimi i sotëm ishte filtruar edhe nga një opozitë dje”.

E quajtura “shoqëri civile” – një trupë qytetarie teorikisht e ndjeshme ndaj problemeve politike, ekonomike, sociale dhe kulturore me prirje për të ndërhyrë në jetën politike të vendit, po ashtu edhe ndaj vendimeve qeveritare, është në parim një forcë energjike paralele politike e pushtetit, e cila ka premisë të jetë një forcë pozitive në ndihmë për të zgjidhur drejt këto probleme, por mund të jetë edhe një forcë negative që ndërhyn dhe orienton në vendimet e mbrapshta dhe regresive të zhvillimit. Gjithçka varet nga niveli qytetar i vendit ku ajo vepron dhe nga kontrolli i pushtetit të vendit, se si ai e përdor. Prej vitit 2010 që jam i pranishëm në vendin tonë, mjerisht nuk kam konstatuar të paktën për rastet që kam ndjekur, që e ashtuquajtura “shoqëri civile” në Shqipëri (e prezantuar dhe e filmuar në sytë tanë nga mediet) të ketë zgjidhur pozitivisht një problem politik, ekonomik, social apo kulturor të vendit. Përkundrazi, sipas vëzhgimeve dhe gjurmimeve vetjake, kam konstatuar në të gjitha këto raste,  kjo shoqëri civile pra, pas shfaqjeve akrobatike që ka demonstruar në sheshe me pankarta, apo pas padive të verbëra (pa perspektivë ligjore) që ka çuar nëpër gjykata, ka ndihmuar në fund të fundit, realizimin e projekteve të qeverisë apo të institucioneve të tjera të shtetit, kur ato kanë qenë tërësisht të dyshimta deri dhe të dëshmshme për zhvillimin e vendit, gjë të cilën edhe vetë grupimet e kësaj shoqërie civile e kanë demonstruar në fillimet e protestës së tyre. Rasti i Velierës është tipik.

5. Por nuk janë vetëm gjykatat tona të korruptuara dhe shfaqjet teatrale politike të shoqërisë civile apo shpifjet e forumeve të trashëgimisë. Këto nuk do kishin mundësi dhe shans të silleshin kështu, në se vetë Ministria e Kulturës nuk do të vepronte në këtë mënyrë mbrapa perdes, duke përdoruar arkeologët e saj të paaftë e të korruptuar përpara perdes. Në fundin e vitit të kaluar Ministresha e Kulturës bëri edhe një akt që do të mbetet i paharrueshëm dhe simbolik i degjenerimit ministror për “ruajtjen dhe mbrojtjen” e pasurisë arkeologjikë të Shqipërisë. Përpara se të largohej, ajo la në zyrën e saj, për ata që do të vijnë pas saj, një trakt anti trashëgimie kulturore të Shqipërisë, në të cilin midis të tjerave legalizohet ligjërisht së fundi edhe shkatërrimi i pasurisë arkeologjike në zonat A, duke lejuar edhe atje ndërtimet e reja, mjafton që arkeologu të bëjë “monitorim” gjatë kohës së ndërtimit të ri. Besoj se ministresha Kumbaro e di, se çfarë kupton shqiptari me fjalën e huaj “monitorim”, prandaj e ka zgjedhur atë në vend të fjalës shqipe. Sepse një shqiptar monitorues në arkeologji, i jep të drejtë vetes, të marrë “pesë lekë” nga Ndërtuesi edhe pa e bërë punën (mjafton të mbyllë sytë), sidomos kur ai është vetë nëpunës i institucionit shtetëror, apo anëtar i Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë si në rastin konkret dhe dërgohet me “licencë” nga Ministria e Kulturës për të punuar në një projekt privat arkeologjik. Kështu ai mund të pijë kafe në Kavajë, në kohën kur skreperi gërryen me qindra metrakub substancë arkeologjike në zemrën antike të Dyrrah-ut, mjafton që ai të duket në vend pesë minuta para dreke, ose t’a lërë të gjithën për nesër… Sepse atë nuk ka kush t’a kontrollojë, pasi ai duke qenë anëtar i KKAsë është vetë në majë të “fikut” dhe nuk ka instancë më të lartë shtetërore mbi vete, por është ai vetë që kontrollon vetveten. Atëherë kush mbetet të dokumentojë zgavrimet dhe shkatërrimet e substancës arkeologjike te Veliera që bëjnë eskavatorët, përpara se të derdhet betoni? Nuk mbetet kush tjetër! Përveç më të verbërit në këtë mes – kreut të ministrisë, i cili ka gjetur marifetin për të zhdukur pa gjurmë deri edhe pasuritë e nëntokës më të vyer arkeologjike kombëtare si ajo e Zonës A të Durrësit, për të hapur një shesh për ca para që nuk i shkojnë askujt prej nesh.

***

Më në fund gjymtyrët betonarme të skulpturës Vela kanë hyrë thellë në tërë trupin e Kryebastionit të Portit, e kanë shqyer atë duke e vdekur fizikisht si qenie historike dhe si dokument arkivor. Është e pabesueshme, se si Ministria e Kulturës e Shqipërisë dha  leje ndërtimi në vitin 2017 në këtë mjedis urban me pasuri të rrallë arkeologjike të nëntokës, duke shkaktuar vdekjen e substancës së saj, në vend që të zbatonte detyrimin ligjor që ka, për ruajtjen dhe nxjerrjen në dritë të saj. Pse duhej të vritej me dhunën e manovrave të kundraligjshme ministrore  një bastion i rrallë i historisë dhe i monumenteve arkeologjike që ai mbante brenda vetes? Ky është një akt ministror me konsekuencë kohore të tejskajshme kriminale, njëkohësisht në vetvete një dokument tipik i nivelit haxhiqamilian qeverisës së këtij vendi, dokument shembull i qëllimit dhe mentalitetit shtetëror të kohës që jetojmë për dëshpërimin shpirtëror dhe dekombëtarizimin e këtij populli, një akt, i cili do të mbetet në historinë e këtij vendi si tregues tipik i injorancës mbisunduese qytetare, i pakualifikuar për të përtypur ligjet e huazuara evropiane. Kjo është një masakër e pashembullt e Ministrisë së Kulturës së kësaj Republike (mbrojtësja ligjore e trashëgimisë kulturore), e organizuar me bandën kriminale të arkeologëve dhe restauratorëve të institucioneve të saj, kundër një prej monumenteve më të spikatur të historisë ndërtimore dhe arkitektonike botërore në vendin e vet, është një finale e dhimbshme dhe domethënëse për paaftësinë e Ministrisë së Kulturës dhe të vetë titullarit të saj.

Edhe në këto orë të fundit të vdekjes së bastionit, nuk shihet asnjë trupë arkeologësh në horizontin e Velierës, nuk bëhet asnjë dokumentacion, nuk gjurmohet asnjë profil. Nuk ka arkeologë të kualifikuar Ministria e Kulturës apo Ministria e Arsimit me institucionet e veta, për të bërë gjurmimin dhe  dokumentimin arkeologjik, të zgavrimeve me skreper që po kryhen për betonizimin e gjymtyrëve të Velierës? Pse nuk zbatohet ky detyrim i Rregullores?  Sepse siç duket, pushteti nuk do gjurmë për brezat që vijnë, që ata të mësojnë një ditë, se çfarë ishte nën nëntokën e Velierës dhe çfarë u prish, çfarë u zhduk dhe çfarë nuk do gjendet më kurrë. Sepse ai e di, se ajo që hiqet në arkeologji, nuk vjen më. Dhe trualli është i lirë pas kësaj për t’u privatizuar dhe për t’u ripërdorur më tej për ndërtime të tjera.

Qartë, e morëm vesh, që doni të ndërtoni duke zhdukur Kryebastionin unikal të Durrësit! Po pse e lini atë pa e gjurmuar dhe dokumentuar, para se t’a zhdukni qoftë edhe sikur të jetë për ju bastion osman? Mungojnë paratë për arkeologjinë në këtë projekt prej 6 milion Eurosh për një Skulpturë?  Kujtojmë se në këtë botë ka edhe arkeologë shkencëtarë profesionistë, si mjekët kirurgë që operojnë dhe dokumentojnë falas për vendet e pazhvilluara. Si duket edhe nga ata keni frikë!

Telegrami ekskluziv (1928) . Kur presidenti amerikan uronte mbretin Zog

Calvin Coolidge – President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 12 Prill 2019

 

“Journal des débats politiques et littéraires” ka botuar, të shtunën e 15 shtatorit 1928, në faqen n°6, një shkrim në lidhje me telegramin e presidentit amerikan Calvin Coolidge dërguar mbretit Zog, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

 

 

Një telegram nga Z. Coolidge për mbretin Zog

 

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Tiranë, 14 shtator. Mbreti Zog sapo ka marrë shkresën e mëposhtme nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara :

 

“Unë jam i kënaqur t’i përcjellë Madhërisë Tuaj dhe popullit shqiptar urimet e mia me rastin e ngjitjes tuaj në fron. Populli amerikan bashkohet me mua në formimin e dëshirave më të sinqerta për shëndetin dhe lumturinë e Madhërisë Tuaj dhe për prosperitetin e Shqipërisë.”

 

(Nënshkruar): CALVIN COOLIDGE

RRNESA E SULJOTVET – Nga MUSTAFA KRUJA

Tue jetue Suljotët mbi disà bjeshkë të nalta, rreth e për qark të rrethuem prej disa fqîjve të vobekët, t’egjër e gjymsa të zhdeshun, ata nuk muejshin me u kapë me marredhânje edhe tregtì; duhet dijtë edhe se të gjith pasunija qi Suljotët kishin, ishte vetëm bagtija. Të gjitha sêndet tjera, të cilat atyne u mungojshin, do t’i fitojshin me djersë të ballit, ase me e marrë prej fqijvet të pasun qi jetojshin n’atë ânë kufîni të tyne ndër fusha. Kështu pra, të shtrënguem prej begatís së vogël qi kishte vêndi i vet, leu ndër zêmra të Suljotvet ky mêndim, të cilin me nji madhështí e kujtojshin gjithë herë: “ Tokët e begatshme qi Osmanllijtë zotnojnë sot në Shqipní, nuk janë të tyne, por të parvet t’onë, të cilët prej shpatës e zjarmit t’anmikut kanë qênë të shtrënguem me i u a lëshue. Na pra, si djelmt e shqiptarvet edhe si trashigimtarët e tyne, detyra e jonë âsht këto tokë t’i a u marrim anmiqvet përsëri, tue i fitue me shpatë e me gjak.”
Këso dore Suljotët u rritshin me nji mêndim të lartë edhe ishte shpresa se prej tyne nji ditë do të delshin burra të rreptë, trima të përmêndun me zâ e me ndér. Edhe njimênd na qysh në fillim i shofim Suljotët të kapërthyem ndër luftime të rrepta me fqîjt e afërm, qi ishin vllazënt e tyne myslimanë. Kështu pra thyen ç’do anmik, njênin mbas tjetrit : Agën e Margaritit, t’Paramithís edhe Ali Pashën e Janinës, të cilvet u muerën 60 copë katunde. Ndonse Suljotët i paguejshin Sulltanit pagë, të cilën ata e nxirrshin prej atyne 60 katundeve, qi ishin rajá e tyne, prap se prap këta ishin të njoftun prej anmiqvet si njerz të lirë.
Se si e tek ishte mënyra ase trajta e qeverimit të tyne, mjerisht nuk dihet mirë; vetëm dihet, se ata u qeverisshin prej nji pleqsís së vêndit. Ç’do katund kishte nji pleqsí të vetën. Dihet mjaft mirë se Suljotët nuk kishin as shtëpí gjyqi, as kanune të shkrueme ; dhe ç’do e ligë qi ndodhte ishte e këqyrun prej pleqsís. Kur ishin punë të mëdha e me rândsí për t’u bisedue, atëherë gjithicili far’e fis dërgonte nga nji plak në pleqsí. Puna mâ e nevojshme, qi i shtrëngonte këta pleq me u mbledhë ishte gjithmonë lufta, qi ata kishin pa pushue me anmiqt e vet. Kur mbandej kriste lufta secili Suljot e dinte qëllimin e vet, mbasi ata e kishin të ndame qysh përpara kohën e moshës për me rà në luftë, krejt n’atë mënyrë si e kanë malet e Dukagjinit edhe të Malsís së Madhe. Kështu pra në kohë lufte Suljotët ndaheshin ndër: Suljotë mali, fushe, oficjer, ushtar, burra e gra, të cilët të gjith, kur atdheu ndodhej në rrezik i rrokshin armët e luftojshin si luâj, pa pritë aspak qi t’i urdhnonte kush me u thânë të shkojshin me bâ detyrën e vet.
Diftuem përpara se Suljotët për disà gjyqe e vepra i përgitshin flamuravet të Dukagjinit; tashti po diftojmë se edhe në jetën shtëpijake kishin nji gjasim të madh me ato. Nji shumicë familjesh të gjith prej gjaku përbâjshin nji farë; prej nji ndër këto familje qi ishte mâ e motshmja e mâ e ndershmja e të gjith asaj fare, u zgjidhte nji plak. Të gjith popullsija e Para-Suljotvet (5000 vetë) ishte e ndame ndër 800 familje të cilat të gjitha së bashku përbajshin 47 farë.
Dishiri edhe pëlqimi mâ i madhi për nji Suljotas, si edhe për secilin Shqiptar, ishin armët, të cilat ata nuk i hiqshin kurr, por i barshin edhe kur ishin tue ngrânë, tue ndêjun edhe tue fjetë. Edhe Suljotit mâ të vobekët nuk i mungonte kurr palla as thika e koburet në bres; kështu t’armatisun si ishin i madh e i vogël, qillonte shpesh herë edhe ndërmjet të gjith Shqiptarvet se për nji fjalë goje, ase për nji të shame të vogël mbytte njêni tjetrin e kështu gjaku u hapte, jo vetëm ndërmjet të dy familjeve por nga ndonji herë edhe ndërmjet dy farave, sa shpesh herë nji punë e vogël, qi mundej qysh në fillim me u ndreqë me pak të vishtirë, ish shkaku qi u derdhte aq shum gjak ndërmjet sà e sà burrave. Prandej Suljotët, e sidomos Para-Suljotët e kishin në kujdes sa mâ fort, për me muejtë e me i shue idhnimet qysh në fillim. Për kët shkak ishte nji punë e shêjtë për gjithcilin burrë me hŷ ndërmjetës ndër idhnime qi ndodhshin ndërmjet të burravet edhe të gravet edhe kështu me e fikë qysh në fillim nji shkëndí, prej së cilës mundej me u ndezë nji zjarm. Në ç’fardo idhnimi e zânje gràt ishin gjithmonë mâ të parat për me hŷ ndërmjetse. Marre e turp i madh ishte për nji trim, si ka qênë e âsht gjithnjí ndër né, me rrahë ase me mbytë nji grue. Ai trim, qi e bânte nji punë të tillë, jo vetëm qi ishte i marruem edhe i turpnuem përpara shokvet, por edhe pleqsíja vetë i a vênte për detyrë, a mâ mirë me thânë për ndëshkim me mbajtë me të holla të vetë aq qytetas të vobekët, sa ajo grue kishte mujtë me bâ fëmij. E kjo nuk ishte nji punë e vogël për nji Suljotas! Marrja mâ e madhe për nji gjaksuer grueje ishte kur ai ndodhte ndër kuvênde me shokë të vet, rrugës e gjithkund kah shkonte, emni i tij u përmêndte si të nji njeriu të lik e të poshtëm. Âsht e dijtun, se nji poshtnim i tillë do t’a két shrëngue nji fatzì kësi lloji, a me ikë prej atdheut, ase me vrà vehten prej turpi. Por si e dijmë edhe prej ndodhivet të motshme kjo punë qillonte shum rràll ase kurr.
Nji çudí shum’e madhe, âsht se Suljotët kishin nji nderim të posaçëm për grue. Por me diftue të drejtën Suljotët kishin arsye! Nuk po thom se Suljotët nuk i nderojshin gràt në nji mënyrë si ndodhë ndër kombe të hueja, sa me mbërrîjt me u bâ robt e tyne, jo; por gruen ata burra e dojshin si nji motër të mirë, sepse gràt Suljote ndër të gjitha të përpjekunat ndodheshin krah për krah me burra të vet, tue tregue nji trimní të pa-shoqe, sa nuk shifet n’asnji popull tjetër.
Gràt ishin ato qi mbajshin shtëpín, rritshin fëmìn edhe rrokshin armët e krahas me burrat e djelmt e tyne luftojshin kundra anmikut. Mënyra se si gràt Suljote i rritshin fëmìjt e vet, ishte krejt si ajo e Spartanvet.Qysh fëmì të vegjël i mësojshin me fjetë mbi kashtë ase me brí për dhé, tue i ushqye me gjellë të dobta. Me mâ kujdes i rritshin në dashuní t’atdheut edhe të besës si edhe në përdorimin e armvet.
Gràt vetë ipshin nji shêmbull trimnije të pa-shoqe. Ato i shkojshin burrave mbas ndër luftime, i çojshin ushqimin e gjithshka ishte e nevojshme për luftim edhe në kohë të rrezikut luftojshin porsi bisha t’egra kundra anmikut. Kur ato e shifshin burrin, vllàn ase djalin e vet qi niste me u këthye mbrapa, e shajshin edhe tue u prî vetë përpara, u ipshin trimní e guxim për me e krye detyrën e vet. Burrin, vllàn ase djalin, i cili këthehej me turp i vdekun në shtëpí, nuk e qajshin aspak, se thojshin: Ai nuk âsht i dêjë për me qênë i qamun. Kur i a u ipshin armët meshkujvet të vet për me luftue, i thojshin këto fjalë:” Eja me këto me nder, ase i vdekun pa këto!” Me këto fjalë dojshin me thânë: mâ mirë shko e lufto me trimní edhe këtheu në shtëpí i nderuem, ase në u vrafsh, vdis me ndér si burrat, por me turp mos u këthe i gjàllë në shtëpí!
Fëmijt e tyne qysh të vogjël ishin gjithnjí t’armatisun. Edhe kur ishin baríj, tue ruejtë dhênt ndër ato bjeshkë të shpeshta e të mbushuna plot me egërsina, Suljotët e vogjël e shkojshin kohën në gjah; kështu tue e mësue vehten qysh të vogjël në përdorim t’armve, për me mujtë dikur mâ mirë me i vjeftë atdheut të vet.
Kështu jetojshin Suljotët, ata burra të cilët mâ vonë me trimnín e vet habitën të gjith botën.
Botuar në “Agimi” 1920 M.K.