VOAL

VOAL

Rikthimi madhështor i Heroit të Shqipërisë Etnike Ndue Përlleshi – Nga Nue Oroshi

August 18, 2016

Komentet

GJUHA  SHQYPE- Prej AT GJERGJ FISHTES O.F.M.- Pergatiti Fritz RADOVANI

                                                                          

AT GJERGJ FISHTA

(1871 – 1940)

                                        (Grafikë prej F.Radovanit)

    GJUHA  SHQYPE

 

  1. Porsi kanga e zogut t’ verës,

 

Qi vallzon n’ blerim të Prillit;

Porsi i ambli flladi i erës,

Qi lmon gjit’ e drandofillit:

Porsi vala e bregut t’ detit,

Porsi gjama e rrfés zgjetare,

Porsi ushtima e njij termetit,

Njashtu a’ gjuha e jonë shqyptare.

  1. Ah! Po; a’ e ambel fjala e sajë,

 

Porsi gjumi m’ nji kerthi,

Porsi drita plot uzdajë,

Porsi gazi i pa mashtri;

Edhe ndihet tue kumbue,

Porsi fleta e Kerubinit,

Ka’ i bjen qiellvet tue flutrue

N’ t’ zjarrtat valle t’ amëshimit.

  1. Pra, mallkue njai bir Shqyptari,

 

Qi ketë gjuhë të Perendis,

Trashigim, qi na la i Pari,

Trashigim s’ i a len ai fmis;

Edhe atij iu thaftë, po, goja,

Qi e perbuzë ketë gjuhë hyjnore;

Qi n’ gjuhë t’ huej, kur s’ asht nevoja,

Flet e t’ veten len mbas dore.

  1. Në gjuhë shqype nanat t’ona

 

Shi prej djepit na kanë thanun,

          Se asht nji Zot, qi do t’a dona:

 

          Njatë, qi jeten na ka dhanun;

 

          Edhe shqyp na thanë se Zoti

 

          Per Shqyptarë Shqypnin e fali,

 

          Se sa t’ enden stina e moti,

          Do t’ a gzojn kta djalë mbas djali.

5      Shqyp na vetë, po pik’ ma para,

 

N’ agim t’ jetës kur kemi shkue

Tue ndjekë flutra neper ara,

Shqyp ma s’ pari kemi kndue:

Kemi kndue, po armët besnike,

Qi flakue kanë n’ dorë t’ Shqyptarvet,

Kah kanë dekë per besë jetike,

Kah kanë dekë kta per dhé t’ t’ Parvet.

6     Në ketë gjuhë edhe njai Leka,

 

Qi ‘i rruzllim mbretnin s’ i a xuni,

Qi kah bijtè ai, shkelte deka,

Shekllit mbarë ligjë t’ randë i vuni;

Në ketë gjuhë edhe Kastriota

U pat folë njatyne ushtrive,

Qi sa t’ ndrisë e diellit rrota,

Kanë me kenë ndera e trimnive.

7      Pra, Shqyptarë, çdo fés qi t’ jini,

 

Gegë e Toskë, malci e qyteta,

Gjuhen t’ uej kurr mos t’ a lini,

Mos t’ a lini sa t’ jetë jeta,

Por per té gjithmonë punoni;

Pse, sa t’ mbani gjuhen t’ uej,

Fisi i juej, vendi e zakoni

Kanë me u mbajtë larg kambet t’ huej.

8     Nper gjuhë shqype bota mbarë

 

Ka me u njohtë se ç’ fis ju kini,

Ka me u njohtë ju per Shqyptarë:

Trima n’ za sikurse jini.

Prandej, pra, n’ e doni fisin,

Mali, bregu edhe Malcija

Prej njaj goje sot t’ brohrisin: 

Me gjuhë t’ veten rrnoftë Shqypnija!

         Koment i poezisë nga At Viktor VOLAJ O.F.M. (1941)

Kjo kangë, nji nder ma të bukrat poezi lirike të Fishtës, kje botue në rasen e pesëdhetëvjetorit të themelimit të shkollës françeskane, e kje vu si parathanje melodramit “Shqyptari i Qytetnuem”. Kundra asaj propagande së huej e rrymave shkollore, qi poshtnonte gjuhen shqipe por si nji gjuhë e mangët, të padhenun e barbare. Fishta këndon bukurinë, fuqinë e saj, tue shquem sidomos nder të rij dashtninë per té.

  1. Nder kater vargjet e para Poeti me gershetim harmonik të tingujvet na paraqet kumbimin e ambel  muzikor të gjuhës shqype, e nder tre vargjet tjera, me mjeshtrinë e nji Poeti  sovran ep, me nji crescendo të çuditshem, përshtypjen e valvet të detit qi perplasen per breg, të krizmës së rrufesë, e të shungullimit të termetit. – e zogut të verës: me kuptim të pergjthshem, por në nji mënyrë të posaçme  ajo e bylbylit. Me ketë shprehje e perkëtheu Fishta, poet  për ekcelencë i gjuhës së popullit, fjalen bylbyl në nji tingull të Petrarkës, – në blerim të Prillit: kah fillimi i Prendverës, mbasi natyra të jetë veshë në blerim. – qi lmon gjit e drandofillit: qi pershkohet nder fletëzat e drandofilles, ndër gubat e petaleve të lules. – rrfesë zhgjetare, rrufésë zhgjetuese, gjuejtëse.
  2. Kerthi, foshnje. – Porsi drita….shenja e jetës e të të pertrimit, e çdo agim mbahet se bjen nafakë (të mira) të reja, tue kallë (sjellë) shpresa të reja; -gazi i pamashtri: i pa të keq, i sinqertë, jo mashtrues. – Porsi fleta: flatra. – Ka’i bjen Qiellvet: kah pershkon qiellin. –N’t’ zjarrtat valle: nder valle shumë të shkelqyeshme të Parrizit, nder valle qi vezullojnë të Parrizit.
  3. Mbasi na paraqet bukurinë e gjuhës, Poeti, vates i vertetë i kombit, e ndien per detyrë me u lëshue mallkimin gjithë atyne qi duen t’a humbin ase perbuzin gjuhen shqype. – Gjuhë hyjnore; kjo gjuhë mashkull, gjuhë hyjnish, si ç’ e quen tek Lahuta.
  4. Shi prej djepit: Qyshë në djep. – Edhe në shqyp na thanë se Zoti …. Poeti shkon tue persëritë pa da tagrin (të drejten) shenjt qi ka Shqyptari me gëzue Lirinë. Le të vehet oroe fuqija qi merr shprehja prej afrimit të fjalvet shqyp…Shqyptarë…Shqypni. – djalë mbas djali: brez mbas brezi. kur metëzi kishim nisë me marrë mend e shise. – Tue ndjekë flut
  5. N’agim t’jetës: atëherë ura…. Shqenë reale e bukur e jetes fëminore! – armët besnike, poezia popullore shqyptare asht gati perherë kreshnikore. – jetike: të herëshme, të vjeter.
  6. Leka, qi ‘i rruzllim… Leka i Madh, i cili shtroi pjesen ma të madhe të botes                     s’atëherëshme.

Qi: ose të cilat, sa t’ndrisë… derisa të shkelxejë (shkelqejë) sfera e zjarrtë e                                  diellit.

  1. Çdo fes qi t’jini: çdo feje, besimi, si kristjan si musliman. Fisi i juej…:

Të gjithë e dijmë, si dishmon historia sesa faktor kryesor i kombësisë asht të ruejtunit e gjuhës amtare. Nji popull qi perbuzë gjuhen e vet i nenshkruen dënimin vetes e asht i gjykuem me u shue, me u zhdukë. Per këte Fishta shkroi nji dramë të vogel me titull: “Gjuha e mësimit”.

  1. ç’fis ju kini: – se ç’kombësi keni. Mali, bregu edhe Malcija, synedotke: Të gjithë ata qi banojnë nder male, ne Veri; brigje (fusha), të vikasin, të thërrasin nji zani.

 

Shenim F.R. Botohet pa asnjë ndryshim prej origjinalit.

Asht vlersue në kryeveprat e Lirikave të At Fishtës tek “Mrizi i Zanave”. Vargu: “Qi lmon gjit’ e drandofillit:”, prej një kritiku francez asht cilsue një kryeveper botnore në letersi moderne. (1993)

At V.Volaj thekson: “Nji popull qi perbuzë gjuhen e vet, i nenshkruen dënimin vetes e asht i gjykuem me u shue, me u zhdukë!”

Gjithshka i mbetët kohës!

            Melbourne, 27 Shkurt 2024

DUEL PËR NDERIN E NJË VRASËSEJE* 1. Dy kalorës të vrerosur për ‘erzin’ e Diana Çulit Nga Agron Tufa

DUEL PËR NDERIN E NJË VRASËSEJE*

1. Dy kalorës të vrerosur për ‘erzin’ e Diana Çulit

Pas mbrojtjes së hapur që Beti Njuma i bëri vrasëses së poetit Genc Leka, nuk munguan në shtyp dhe siluetat pak më të vonuara të hidalgove të shtypit në mbrojtjen dhimbsurake të Çulit. Ka pasur publikisht mbrojtës të personave që kanë bashkëpunuar me sistemin me justifikimin banal se “ashtu ishte koha”, por ka edhe mendje perverse si e një ish-sigurimsi i cili, përmes një arsyetimi kriminal, këmbëngul në drejtësinë që kishte ai sistem në pushkatimin e dy poetëve, si sabotatorë (shkrim i botuar në gazetën “Dita”, më 14 mars 2017, me titullin- “Krimet e komunizmit” nga demagogë dhe frikacakë). Mendje të tilla, edhe tash, 28 vitesh pas rënies formale të komunizmit, nuk janë veçse pjesa publike e djallëzisë për të mbrojtur krimin monstruoz . Nuk e kam fjalën për njerëz të prerjeve enveriste, se ato dihet: do t’i mbyllin sytë me mallkimin e kësaj “prerjeje”. Më neveritin hidalgot që relativizojnë çdo rëndësi dhe bien thuajse në të njëjtat pozita me të tërbuarit e falangave enveriste. Këtë pështjellim ndjeva dhe për dy dy publicistët – Ardian Vehbiun dhe Mustafa Nanon. Sidomos për të parin, se i dyti gjithmonë ka ngrënë bukën e turpshme të mercenarizmit, tejet qesharak, sidomos kur e përcjell me ndonjë shtërzim rebelizmi meldoramatik .

Për Vehbiun, akuza e Tufës është e ekzagjeruar. Dhe pse është e tillë, autori na e shpjegon kështu: “Mua ky përqendrim i akuzave te Çuli, për një proces gjyqësor dhe ekzekutim të bujshëm të orkestruar nga regjimi i Hoxhës në vite ashpërsimi maksimal të luftës së klasave, më duket të paktën i ekzagjeruar; aq më tepër që Genc Leka dhe vëllezërit Blloshmi u dënuan për pjesëmarrje në një grup armiqësor që synonte sabotimin ekonomik dhe përmbysjen e “pushtetit popullor ”.

Me tej Vehbiu pranon, se “Ekspertiza e Çulit e shumta mund të ketë ndihmuar për të konfirmuar disidencën politike të Lekës”, por Vehbiu nuk pranon se kjo ka mjaftuar për dhënien e dënimit me vdekje. Vehbiu mendon se për këtë do të duhej të shprehej ndonjë ekspert me njohuri penale për sistemin e diktaturës dhe e përfundon relativizimin e skajshëm të rolit të Diana Çulit në vrasje, me këtë pasazh: “Nuk do shumë mend që një gjyq i kësaj natyre ishte menduar që të shërbente si gjyq shembullor, ose për të ilustruar kapacitetin e organeve të “diktaturës së proletariatit” për dhunë kundër armikut të klasës; fatet e të pandehurve ishin vendosur tashmë – meqë vrasja e tyre do të shërbente edhe si ndëshkim, edhe si sinjal për të tjerët ”.

Përtej nihilizmave e spekulimeve të këtilla unë e kam vendosur gjithnjë theksin tek (pa)përgjegjshmëria, kërkimi i ndjesës, përpjekja për t’u shpjeguar e jo për alibi të pafundme si këto “mbrojtje”, që pse të mos themi, ka shumë mundësi të jenë të porositura nga solidaritetet me “bukën e vjetër” të së shkuarës , sa për “t’ia hedhur” edhe njëherë momentit të vështirë. Sepse, nëse gjithë aktorët e vrasjes fillojmë t’i “amnistojmë” një nga një, duke e shpërngulur vazhdimisht pjesën e fajësisë tek dikush tjetër, e pastaj, të gjithë, t’ia shkarkonin vetëm Enver Hoxhës, atëherë, më thoni, kush qenka vërtet fajtori? Dihet që fajin nuk e pranon askush. Madje edhe kur poshtë akteve ka emra me nënshkrime. Po dhe vetë e dini, se në këtë rrugë arsytimi e shpërrallisjeje përfundojmë në fundin e perspektivës: që fajtor ishte vetëm njëri: Enver Hoxha.

Pjesëmarrësi në vrasje, pavarësisht peshës së rolit që ka pasur, quhet vrasës! Doni apo nuk doni ju. Nuk ka nevojë për asnjë penalist. Sepse asnjë i tillë nuk u bë i gjallë gjatë gjithë këtyre viteve të postkomunizmit të tejzgjatur. Vrasës, sipas Kanunit, quhet jo doemos ai, dorësi, por edhe ai që e ndihmon, që e qet në udhë atë që do të vritet. Dhe Diana Çuli pikërisht këtë bëri: e nxorri në udhë poetin e pafajshëm Genc Leka, pa arsye, për shkak të disa poezive lirike për peizazhin, pyllin, pranverën, ciganët, nostalgjinë. Me interpretimin absurd të lirikave të tij, Çuli e nxorri Lekën në udhë, bash në vendin ku qëndronte pritësi, vrasësi, me pushkë për faqe e gisht në këmbëz.

Ja pse më la një shije zhgënjimi arsyetimi i Ardian Vehbiut. Sipas logjikës së tij diktatura ka shkak vetveten, që duhet ta kërkojmë diku jashtë nesh, e jo brenda nesh; jo në mendjet e veprimet e zellshme të shërbëtorëve të saj, tullave parafabrikate në murin e saj.

 

2. Duel për nderin e një prostitute

 

Të tillë mund ta quaj shkrimin e Mustafa Nanos, me ndryshimin se “prostitute” këtu, është vrasëse. Le ta shohim se çfarë s’ia mbush mendjen Mustafa Nanos dhe se si e shfajëson Diana Çulin ai.

Nano e quan “fushatë histerike” gjestin tim kundër “Dianës apo Dianave”. Ka parsysh, me gjasë, replikat e mia të detyruara, më pas. Ç’e shqetëson kaq thellë Nanon, që më quan “histerik”? Sigurisht gjuha e analistit është këtu pa lidhje koherente arsyetimi, është skizofrenike dhe skizofrenia është një shkallë ekstreme e histerisë. Histerikët në kulmin e histerisë së tyre të quajnë histerik. Normale. Nga njëra anë Mustafai e zvogëlon thuajse në një veprim të rëndomtë banal (“banaliteti i së keqes”, e ka quajtur Hanah Arendt këtë tip përligjjeje) rolin e Diana Çulit në pushkatimin e Lekës, dhe, njëkohësisht, mohon kategorikisht të drejtën tonë për ta quajtur “vrasëse” shkrimtaren, në bazë të Akt-Ekspertizës që ka bërë ajo vetë.

Nanos nuk i duket me peshë argumenti se mendimi i Diana Çulit mbi poezitë do ta ketë çuar në plumb poetin. Madje Nano, siç e thotë vetë, ka zgjedhur fragmentin më të rëndë, sipas tij, të akuzës: “Autori shkruan me një frymë pesimiste, shpreh dëshpërim; kujton me nostalgji të kaluarën, bën aluzion për një të ardhme…, gjë që tregon se autori ose ka një tronditje të theksuar ideologjike, ose nuk është i kënaqur nga realiteti i sotëm dhe e quan të rëndë ambientin ku jeton, se për të është mbytës dhe i padurueshëm, ndaj kërkon rrugë për të dalë”. Më tej Nano nxiton të lajmërojë Miletin: “kush ka jetuar në diktaturën komuniste të Enver Hoxhës, apo kush ka njohuri mbi atë diktaturë, e di shumë mirë se askush nuk shkonte në litar mbi bazën e kësaj analize letrare”.

Nuk është këtu rasti për t’u zgjeruar me shembuj tragjikë se si iu është shkatërruar jeta disa prej shkrimtarëve shqiptarë, që nga rastet e pushkatimeve e deri tek dënimet e rënda e të gjata). Sepse sëra e mustafenjve nuk zbret kurrë në arkiva. Ata kanë besim të patundur se janë duke u bërë mendimtarë. Haberin s’ia kanë se teknologjia gjyqësore enveriste (që dominon dhe sot në pushtetin e pinjojve të saj), përdorte një kokteil kriminal që quhej “përzierje nenesh”, vetëm për t’i ulur profilin kundërshtarit. Kjo bëhej artificialisht, pa prova, me qëllim diskretitimi të imazhit moral e publik të kundërshtarit. Por shqetësimi kryesor ishte ai, i vërteti, rreziku që vjen nga poetët e talentuar, të cilët komunizmi nuk i kishte thyer, nuk i kishte zombifikuar. Dhe ne, të shastisur nga ky arsyetim kaq i sipërfaqshëm i themi: ore Mustafa, po ç’prisje ti t’i bënte më shumë se kaq Diana një njeriu, që ishte në zgrip të greminës? Mjaftonte një majë gishti, që ta flakje në humnerë! Dhe për çfarë? Të gjesh simbole armiqësore, nëntekste, tek lirikat e peizazhit, mallit dhe dashurisë?

Nuk ka dyshim, se në shkrimin e tij, të porositur, analisti, që niset prore nga premisa të gabuara, ka vendosur ta bëjë “mbrojtjen”, duke përdorur një metaforë (fushë aspak e tij), atë të “gotës që do dhe një pikë të derdhet”. Sigurisht, Komiteti i Partisë së Librazhdit dhe Dega e Punëve të Brendshme e kishin mbushur “gotën” e poetit. E pse duhej, që këtë pikë të fundit ta lëshonte Diana jote? Pse? Mbrojtës i çuditshëm kalorsiak ky Mustafa Nano… Thotë se “po të isha në vendin e Diana Çulit do të kisha bërë nje mea culpa që në fillim”. Pastaj, Nano, bën një rrethrrotullim dhe këtë pyetje ia bën vetes: “a do ta kisha bërë unë një të tillë?”. Dhe përfundon monologun e tij se, për të bërë një mea culpa duhet “një moral publik i caktuar” dhe, meqë shoqëria nuk e ka një moral të tillë, një virtyt të tillë, se ajo është një shoqëri që “mezi pret rastin të presë kokën e falur”, atëherë, sipas Nanos, s’ke pse të kërkosh falje. Dhe, sipas tij, përftohet mendimi qëndror: Diana Çuli mirë ka bërë që nuk ka kërkuar falje!

Shokuese! Por edhe lehtësuese, mendoj unë. Nëse punët qenkan kështu, nëse termometër i virtyteve dhe moralit qenka vetëm Mustafai dhe ne nuk paskemi të drejtë as të ngremë gishtin e t’ua themi, së paku, në sy, duke u tundur para fytyrës letrat që kanë firmosur vetë vrasësit apo pjesëmarrësit në vrasje; meqë nuk jemi në gjendje të bëjmë drejtësi, se piramidën e drejtësisë e kanë zënë po ata vrasës me bijtë e tyre, që kanë përkrahës edhe në shtyp e TV, atëherë pra, çfarë na mbetet tjetër? Dhe si të sillemi? E vetmja mënyrë, mendoj unë, që përbën edhe njëfarë lehtësimi, është të veprosh përpikmërisht, siç veprova unë: t’u dalësh ballas me gjeste të hapura, publike, jo kot, por me fakte, me firmat e tyre, me urnat e hirit të të pushkatuarve, me librat e tyre postumë, me dosjet e tyre që kullojnë gjak dhe të bësh, siç sugjeron Thomas S. Eliot në një varg nga poema “Waste Land”: “Kam me u kallë tmerrin me një grusht pluhun”. Sepse Mustafai me shokë, jo vetëm nuk po na ndihmon (nuk na kanë ndihmuar kurrë dhe as që e kemi pritur), por po bëjnë haptazi dhe avokatin e djallit.

Mustafai me bashkëmendimatarët e tij nuk na lënë asnjë shteg të lirë, nuk na sugjerojnë asnjë mënyrë sjellje, përveç se ta qepim gojën, të heshtim, e të ndjekim si ai, – karrierrën marramendëse të vrasësve si Diana – nga shoqatat e gruas e ojq të tjera, deri në Parlament; të ndjekim se si ajo që mori pjesë në vrasjen e poetit të ri, të na gjykojë krijimtarinë tonë pambarimisht, në krye të jurive të ndryshme letrare Kombëtare e Ndërkombëtare (“Ballkanika”, çmimi “Europa”, etj); të ngrejë gishtin e të caktojë “kush është kush”; të nominohet (se ç’blasfemi!) për çmimin “Nobel” (Çuli thotë, se akuzat ndaj saj u shfaqën, sapo emri i saj u propozua nga Lidhja e Shkrimtarëve shqiptarë për çmimin “Nobel”); të ketë një emision mbi letërsinë në një Televizion prestigjioz (Ora news) ku të pagëzojë me lëvdata shkrimtarë servilë, rishtarë e zdapa, që vdesin për publicitet. Por, po të kishte krijues me vetëdije, kurrë, po kurrë nuk duhet të shkelnin në studion e asaj vrasësje poetësh. Kjo do të ishte më e pakta. Ajo e ka humbur të drejtën të gjykojë poetët, aq më keq, të drejtën për t’i vlerësuar ata. Gjyqtarët e kohës së Mesjetës e kishin zakon, që kur jepnin me shkrim një dënim me vdekje, ata thyenin majën e penës dhe e flaknin penën në kosh (që ajo penë, të mos firmoste më akte të tjera dënimi me vdekje). Për mendimin tim, Diana Çuli duhej ta kishte thyer “penën” e vet që në vitin 1977, kur nënshkroi akt-ekspertizën, që rezultoi fatale për Genc Lekën.

Mustafa Nano bën çmos ta mbrojë Diana Çulin. Po nga kush? Nga histeria e Agron Tufës! Çudë, po çudë e madhe! Do të doja (ndonëse gërdi e vërtetë), ta shihja e të më shihte në sy Mustafai, kur e thotë këtë, sepse shumë gjëra fjalët nuk arrijnë t’i transmetojnë.

Dhe si përpiqet Mustafai ta mbrojë Dianën prej “histerisë” sime? Ai ngre (nuk e di me sa mundim) një pyetje. Dhe Çfarë pyetje se! Mustafa Nano pyet: – “Pastaj, keni menduar ndonjëherë se ç’do të bënit ju, sikur në moshën njëzetvjeçare [kursivi im] të ndodheshit në rrethana të ngjashme me ato të Dianës”? Dhe, si të mos jetë i ngopur me herën e parë, e shtron atë sërish, duke i dhënë nuanca përforcuese. Dhe ne përgjigjemi: çfarë di ti, Mustafa, për Dianën? Se jo më kot e kam theksuar me kursiv mosnjohjen tënde të thellë, kur thuan “në moshën 20 vjeçare”. Kësaj i ka mëshuar gjithmonë Diana dhe ti, gjithnjë, priresh t’i besosh asaj. E ja, pra, se atëbotë, kur Diana nënshkruajti gjithë kënaqësi e përkushtim (cilësorët “kënaqësi” e “përkushtim” do t’i sqaroj më poshtë) Akt-ekspertizën, ajo, Mustafa, sidomos nuk ishte 20-vjeçare. E lindur me 13 prill 1951, gjeje tani se sa vjeç ishte Diana në vitin 1977! A bëjnë 26? Pse priresh t’ia ulësh moshën, duke mashtruar? Lapsus? Ndoshta, por jo frojdist.

3. Disa pika mbi “i” për Dianën, vrasës të tjerë dhe simahorë të diktaturës

Por ka dhe më. Meqë Mustafa Nano e merr në mbrojtje vrasësen e poetit Genc Leka, shpik një “mea culpa”, siç e pohon vetë, për të thënë pastaj, se gjithçka ka bërë ajo nuk ishte ndonjë big deal, çka do të thotë: “mirë ia ka bërë Diana që nuk kërkoi falje”, ngase ky vend, kjo shoqëri, nuk meriton, nuk është pjekur për t’i kërkuar falje, dhe si e tillë, kësaj shoqërie s’ke pse t’i kërkosh falje. E për t’i shkuar gjer në fund, shpik, falsifikon mosha të paqena, duke synuar minimizimin e domethënies së krimit dhe të drejtën për të mos kërkuar falje.

Prandaj nuk është “vetëgënjim” i madh, siç thua ti, Mustafa, denoncimi i krimeve të komunizmit, si krimi i Dianës. Dhe as rasti më i keq, që sipas Nanos “është një mënyrë për të mos u marrë kurrë me komunizmin”. Përkundrazi, duke u marrë me vrasësit e drejtpërdrejtë, me denoncimin publik e me fakte të pjesëmarrësve në krime, po aq edhe të simahorëve e pasojave të komunizmit si ju, ne bëjmë një hap përpara nga ndarja me komunizmin dhe me mbeturinat e tij – foljet gjysmëndihmëse, që ende i shërbejnë. Dhe për këtë, nuk duhet të shkruash shkrime me porosi, por të kesh një kauzë që rrjedh jo nga paraja, por nga botëkuptimi yt i lirë, i cili nuk formohet i tillë me mercenarizma e kompromise, me fanatizma e cektësi. Për këtë duhet kurajë për të denoncuar, duke e ditur se njerëzit do t’i kesh kundër sipas postulatit “e vërteta ka çmim të hidhur dhe bën shumë armiq”.

Tani, për të gjithë mustafenjtë do shpjegoj edhe dy cilësorët “kënaqësi” dhe “përkushtim”, që përmenda më lart. Të dy kanë lidhje me Diana Çulin, në kuptimin krejt të kundërt me cektësinë e Mustafa Nanos – që, shkrimtarja Diana Çuli, 26 vjeçare (jo 20 vjeçare!), redaktore e gazetës “Drita”, harton dhe firmos një Akt-ekspertizë, qëllimisht përkeqësuese ndaj poetit Genc Leka në vitin 1977 dhe se kjo Akt-ekspertizë rezultoi “gozhda e fundit” në arkivolin e poetit të ri. Këtë e kuptojmë kur i refuzohet apelimi për falje dhe ku, në motivimin e dënimit të tij me vdekje, janë përfshirë komentimet negative mbi poezitë të tij, të bëra nga Diana Çuli.

Unë kam bindjen time se komentet negative të poezive në Akt-skspertizë, Diana Çuli i ka bërë “me kënaqësi” dhe “përkushtim”. Pse mendoj kështu?

Së pari, sepse Diana Çuli i shpjegon kundërnatyrshëm poezitë e poetit martir Genc Leka.

Shpik simbole e nëntekste armiqësore (politike) të paqena në lirikat intime e të peisazhit.

Së dyti, të gjithë e dinin asokohe, sidomos ata që punonin në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve apo në SH.B “Naim Frashëri”, që po ta kërkoi recensionin e një dorëshkrimi (poezi, tregim, novelë, roman, dramë, ditar, etj) jo redaktori apo shefi i redaksisë, por një hetues ose operativ i Sigurimit, ishte e qartë që autorin e dorëshkrimit e kanë arrestuar, duan ta dënojnë ose me vite të gjata, ose me pushkatim.

Së treti, (dhe më e rëndësishmja, tek e cila do të ndalem më gjatë), është babai i Diana Çulit, asokohe Kryetar i Drejtorisë së Tretë (III) në MPB, i Drejtorisë së Hetuesisë për gjithë Republikën, nga viti 1970 deri në vitin 1982, çka do të thotë – shefi absolut i Sigurimit.

I ati i Dianës, Jorgo Çuli, ish-kamarier, anëtar i PKSH që me 2. 8. 1944, partizan i orëve të fundit, fap, bëhet persekutor. Jorgo Çuli ka hyrë në Sigurimin e shtetit në janar 1951. Ka qenë Drejtor kufiri i ndjekjes nga 12. 1. 1957 deri me 1.2. 1967. Prej këtij viti e deri me 15. 3. 1970 ka qenë N/kryetar i Degës së Punëve të Brendshme Durrës. Ndërkohë, me vendimin nr. 119, datë 2.8. 1969 të Këshillit të Ministrave, oficeri i sigurimit Jorgo Çuli shkarkohet nga funksioni i Kryetarit të Komisionit Shqiptaro-Jugosllav, për arsye transferimi.

Tani le të arsyetojmë: kur hetuesi i poetit Genc Leka (të pushkatuar me vonë) Selim Caka nga DPB e Librazhdit, i kërkon redaktores së gazetës “Drita”, Diana Çulit 26-vjeçare për të bërë Akt-ekspertizën e poezive të një poeti reaksionar, si mendoni ju, qëndron ajo që ka deklaruar Çuli ne “Top Story”, se po të mos pranoja ata me prishnin karrierën? Dhe kush ia prishte karrierën? Një hetues nga Librazhdi, që ishte një ndër vartësit e dorës së tretë a të katërt të babait të saj!? A nuk mund t’i thoshte e bija në mbrëmbje, për shembull: “Baba, një nga vartësit e tu, një hetues nga Librazhdi, erdhi sot në redaksi dhe më kërkoi të bëja një Akt-ekspertizë të poezive të një poeti, të cilin, me sa duket, do ta dënojnë. Të lutem babi, ma hiq qafe atë, sa më parë!” Dhe mjaftonte kaq, madje me një lëvizje dore, sikur të dëbonte një mizë, dhe hetusi Selim Caka nga provinca e humbur e Librazhdit të shkonte në esfel! Shkurt, mjaftonte një telefonatë: “ma leni rehat vajzën, se ju piu e zeza!”.

Për më tepër, Diana, përveç të atit, që ishte kryeshefi i Sigurimit për gjithë Republikën, ishte dhe e mbesa e Sofokli Lazrit, ish anëtarit të KQ të PPSH! Kush mund t’ia prishte asaj karrierën, apo makar ta frikësonte!? Por jo, Mustafa e ju, gjithë mustafenjtë! E vërteta është se Diana e ka bërë me kënaqësi dhe përkushtim atë Akt-ekspertizë, nga që, njëmend ka qenë e brumosur që nga familja me urrejtjen për “armiqtë e pushtetit popullor”, për “klasat e përmbysura”, “kulakët”. Madje, në vijimësi të urrejtjes për “armiqtë e popullit e partisë”, Diana Çuli, po në ato vite të akt-ekspertizës, shkruajti e botoi romanin me temë sigurimi e hetuesie “Zëri i largët”, që shërbeu mandej si frymëzim dhe bazë për filmin “Hije që mbeten pas”, e që skenariste është po autorja, Diana Çuli. Ah, sa gjë e shëmtuar, për ju Mustafa! Sado që grini lloqe me dëshirë apo me pagesë ti, dhe gjithë mustafenjtë e tjerë…

Notë:

*Shkrimi është një fragment nga parathënia e librit “Poetët martirë Vilson Blloshmi dhe Genc Leka në shtypin shqiptar”, të përgatitur nga ish i dënuari me vdekje, e mandej me 25 vite burg politik, Bedri Blloshmi (vëllai i poetit martir Vilson Blloshmit). Libri u botua në vitin 2019 nga “Klubi i poezisë”, me meritën e padiskutueshme të poetit e publicistit Rexhep Shahu dhe sponsorizimin e deputetit, humanistit, Flamur Hoxha. Gjatë këtyre pesë viteve nga botimi i librit, shumë mercenarë janë shpërblyer bujarisht nga diktatura e pinjojve komunistë. Ndër ta, edhe mercenarit të zellshëm, Mustafa Nano, iu hodh më në fund kocka e tij, të cilën po e lëpin i qetë si ambasador, në Bernë të Zvicrës.

The Christian Science Monitor (1937) Qeveria shqiptare importon filma nga Amerika dhe Anglia për t’u mësuar fshatarëve mënyrat moderne të bujqësisë

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 23 Shkurt 2024

“The Christian Science Monitor” ka botuar, të mërkurën e 29 dhjetorit 1937, në faqen n°5, një shkrim rreth vullnetit të modernizimit të bujqësisë në kohën e mbretërisë shqiptare, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar : 

Filma për t’u mësuar shqiptarëve mënyrat moderne të bujqësisë

Nga një korrespondent i Stafit të The Christian Science Monitor

Tiranë, Shqipëri — Në përpjekje për të inkurajuar fshatarin shqiptar që të braktisë metodat e tij primitive të bujqësisë dhe ta edukojë atë në rotacionin e të korrave, përdorimin e parmendëve të çelikut dhe trajtimin higjienik të bagëtive të tij, qeveria mori masa për importimin e filmave nga Amerika dhe Anglia që tregojnë përmirësimet më të fundit bujqësore.

Ministria e Ekonomisë Kombëtare po përgatitet që filmat të shfaqen në të gjithë fshatrat e brendshme të Shqipërisë me një projektor portativ të instaluar në një furgon që prodhon energjinë (rrymën) e tij.

100 VJET  PERPARA FLET  AT  GJERGJ  FISHTA TEK “DIELLI” DHE “VATRA”!- Pergatiti Fritz RADOVANI

 

1924, AT GJERGJ FISHTA N’ AMERIKË, dhe çeshtja e perparimit në Shqipni.

           (Dokumenti i pabotuem origjinal asht në Arkivin e Shtetit Tiranë.)

 

Janë tre muej që At Gjergj Fishta O.F.M., Françeskan dhe Deputet në Këshillin Kombtar, gjindet n’Amerikë, e shumë kush nder Shqiptarë të ktûshem, qi endé s’kanë pasë rasë me u pjekë me Tê, janë interresue të dijnë qellimin e t’ardhunit të Tij në Botën e rè – n’Amerikë.

At Fishta i trembej coptimit të trojeve shqiptare, simbas interesave të grupeve politike, që lirinë e pamvarsinë e kishin kthye në një “vlerë” për nevojat e tyne, dhe jo për të mirën e Shqiptarve.

Edhé né të redaksisë së “Diellit” na ká rá me kênë të pvetun mbi ketë çeshtje; prandej, tue u ndollë në këto ditë At Gjergj Fishta këtû në Boston: Mbasi edhè ndjesi miqsore të kahershme e njëmori idealesh kulture e perparimi e lidhin me Kryetarin e Federatës “Vatra”, z. Faik Konitzen: Muerme rasen, njëditë që edhe në Redaksinë tonë, t’a pyesim familjarisht, se: Cili ishte qellimi, qi e kishte sjellë e prue këtû në ket dhé?

  • E qe se shka na u pergjegjë Deputeti i Shkodrës, mbasi formalisht na deklaroj njëherë mâ perpara, se s’kishte kurrnjë misjon zyrtar prej anës së Qeverisë s’onë Shqiptare:

“- Po m’vjen fort mirë, na tha, që po ma lypni ketë fjalë, pse kështu tash po m’bjenë rasa t’ju flas edhé mbi do çeshtje, që âsht mirë t’i dijnë Shqiptarët e Amerikës e sidomos, të Federatës “Vatra”.”

 

Fjala e At Gjergj Fishtës:

“Shqipnija, si dihet, sot âsht e lirë. Shka para këtyne pêsmëdhetë vjetve per né do t’ishte kênë teper anderr me e pasë pa, sot po e shofim të realizueme. Na sot kemi një Parlament t’onin, një Qeveri t’onen e një Këshill të Naltë Regjencet, që pervetson në vedi sovranitetin dhe pamvarsinë e Popullit Shqiptar. E as nuk ká mâ turqë në Shqipni, as grekë, as serbë, as italjânë: Ká vetëm Shqiptarë të lirë! Triumfi i idealit t’onë – I Françeskânve të Shqipnisë. Të tanë kombi e di, po, se me sa ndergjegje Françeskântë Shqiptarë janë mundue t’a kryejnë detyrën e vet ndaj Atdheut, në daçi me mjete kulturale, në daçi tue marrë pjesë aktive nder të gjitha levizjet kombtare per lirinë e Atdheut.

Endé qet avull gjaku i Françeskanit Shqiptar atjé në Kosovë, qi nëper bajoneta të sllavit ju bâ flij Atdheut! Por liria e pamvarsia e një shtetit nder kombe të qytetnueme nuk janë per këta, që ndonjë njeri ase ndonjë kastë e shtetit mund të losë me fatin e popullit si të duen, pa kontroll të tjerve; shka ndollë ndër shtete autokrate e despotike sidomos kombet barbare: Por per t’i sjellë të maren popullit, tuj e bâmë me perparue materjalisht e moralisht. Prandej, tue kênë se e mara e perparimi i një populli rrjedhin prej gjêjes së tij ekonomike e prej shkalles së zhvillimit të mendjes së tij, merret vesht mirë fillit, se prej një populli të qytetnuem, posë se i lirë politikisht, lypet që ai të jetë i lirë edhe ekonomikisht, e që qytetasit e tij të ndollin në një shkallë kulture të mjaftuehsme, për me dijtë me krye detyrat me ndergjegje e me perdorue tagret me kohë, me vend, me mënyrë; si edhé me pasë aq zotsi, sa me u bâ ballë si duhet e sa duhet nevojave të reja të jetës, në të vuemit e të cilave rrin perparimi i popujve të qytetnuem. Si shifet, prá, prej shkallës së kulturës së një populli mvaret e gjithë jeta e tij politike e ekonomike, si edhe i gjithë perparimi i tij.

Tash unë po pyes Zotnin t’uej; Populli Shqiptar, që sot politikisht âsht i lirë e i pamvarun, a ka një shkallë kulture aq të naltë sa me i kuptue si duhet e sa duhet detyrat e veta?

Puna e tij a prodhon aq sa lypet per me jetue mirë e pa u bâ ky robi i huej ekonomikisht? N’ atë shkallë kulture, n’të cilën gjindet sot shqiptari a âsht pernjimend i zoti  të perparojë? Kur të vemë oroe, se sot per sot në Shqipni, pa kênë caktue endé kufijtë e sajë e tue u dijtë, se pa një Qeveri të vendasve shteti s’mund të ketë kredi perjashta e me vue oroe, po tham, se në pêsë javë mund të ndrrohen pesë Ministri: se shqiptarët, të cilët perpara u vritshin kokrra-kokrra, sot vriten çeta – çeta e jo, si motit, per pikë nderit a erzit, por per katër kamë të “kolltukut” të njanit a të tjetrit Minister a Deputet të kombit: Bakajt, hamajt, matrapazat, teneqexhi, kallajxhi, analfabetë gjithfarësh, mund të vênë sŷnin me u ngjitë nder zyret edhé ma të naltat e Shtetit: se ushtria e jonë – mbrojtja e jetës kombtare – mund të lëshohet nder duer oficierash, qi, para këtyne dhetë vjetve kanë vra e pre, e vjerrë, e djegë, e pjekë shqiptarët, për arsye qi këta lypshin lirin’ e jetën kombtare; se nder zyre të financave tona mund t’u jepet punë edhe atyne mehmurve, qi kohen e kalueme kanë mujtë të jenë têja, a ma mirë me thanë, rrenimi i financave të një Shteti të huej: Kështu edhe kur të merret parasyshë, se edhe sot Shqiptari, me gjithë liri e pamvarsi të veten, han bukë thatë e bishta purrijsh, si perpara: Se Qeverija s’ka kenë e zoja as me çilë kund një pash rrugë të re, as me meremetue kund një pash aso rrugash, që na i lanë ushtritë e hueja: se taksa daganore mund të mos vehet mbas interresave të gjalla të kombit, due me thânë, mbas peprarimit të bujqësisë, të tregtisë, t’indrustrisë e mbas natyret të perpjekunave tona me Shtete të hueja, por mbas nevojës së kashës së Financave, sa per të mbajtë në kamë zyret me rroga àr, të cilat zyre, masandej, mund do të jenë të hapuna, ndoshta jo aq mbas nevojave të Shtetit, sa mbas numurit të kushrijve, miqve e të dashamirve të ministrave e të nëpunsave të naltë të tyne, mjerisht duhet me thânë, se Populli Shqiptar s’ká as kuptimin e as ndergjegjen e vertetë të lirisë politike individuale e kolektive; s’ká zotsinë e mjaftueshme, per me mbajtë pamvarsinë ekonomike të veten, e se prandej, as gjindet në një shkallë kulture aq të naltë, sa me sigurue perparimin e vet, pa të cilat veti një popull as mund të jetojë e as s’duhet të jetojë si shtet i pamvarun.

 

  • Atëherë, mbas fjalve të Zotnisë s’Uej, i thame Deputetit të Shkodres, Populli Shqiptar as mujka me jetue, as u dashka që të jetojë i pamvarun?

 

– Un nuk e thashë ketë fjalë, na u pergjegjë; por fundi aty del.

Si janë njerzit e punët në Shqipni, sot per sot kurrkush s’ja shef hajrin pamvarsisë së Shtetit Shqiptar, perposë zyrtarësh e parlamentarësh. E po, a per të mbajtë me rroga àr nja tri a katërmijë zyrtarë, të cilët, jo se janë, por mbas mentalitetit, qi frymzon njerzit e punët në Shqipni, mund do t’ ishin edhe asish, që kanë mujtë me vra njerëz me pare: që kanë mujtë me vra bujqit per t’ju pushtue tokën: që kanë pushtue tokët “miris”; që per interresa të veta, per një “qifllik”, per një “titull”, do t’ishin gati të pshtyejnë n’Atdhé e n’ndijesitë mâ shêjta të jetës: vetëm për me mbrojtë, po thom, me rroga àr këta tri a katër mijë zyrtarë, Populli Shqiptar do të livroj tokën, do të bâjnë tregun, do të punojnë zanatin, do të marrë shtegun e të kalojë mal e dèt’ e të vijë n’Amerikë, të rreshket me natë e ditë në zjarm të fabrikave!

Një pamvarësi këso dore mund të hyjnë në punë, ndoshta, në Zanzibar, në Marok, në Turki, por jo në Shqipni!

Po s’perparoj Populli Shqiptar moralisht e materjalisht, né pamvarsija s’na duhet asgjâ. Lirim, Pamvarsi, Qeveri, Parlament, Këshill’ i Naltë e s’di shka tjeter s’mund të kenë farë kuptimit per né, déri që populli mos të vêhet n’at shêj vendit që të perparojë; janë një lojë fjalësh, per të mbajtë popullin n’errsinë per dobi të do njerzve që kuptojnë Qeveri, por jo Atdhé.

E ndoshta, shi per ketë punë i ngrati Populli Shqyptar, megjithse paguen tash dy vjet shtadhetenandë Deputetë, s’ka endé një statut, s’ka endé një formë politike të caktueme të shtetit të vet, e âsht i ngushtuem të mbahet per një ligjë ibride qi s’ âsht ekspresjoni i shpirtit të tij e që kurrsesi s’mund të perkojnë me nevojat t’jetës së qytetnueme të sotme.

Por, në tjeter anë, kur të vêmë oroe ushtarët Shqiptar, të cilltë, per kah dishiplina, per kah shpirti marcial e sjellje n’ushtrime, mund të percaktohen me ushtar t’ushtrive mâ të para t’ Europës:

Kur të vêmë oroe oficerat e rìj të tonët (pa)nderlikim besimit që, janë rritë me ndijesi kombtare e ushtrue nên dishiplinë të shkollave ushtarake të do kombeve qi trimnin e burrnin i kanë zanat, janë gati të bajnë flij per të mirën e Atdheut, jo vetëm vedin, por edhe shtëpijat e fshatet e veta: kur të vênë n’oroe prap zyrtarët e rìj tonë, që edhé këta rritë me ndijesi kombtare e frymzue me dashtni Atdhetare, jo vetëm që kanë kompetencen e punës, por edhé kuptojnë në të gjithë hapsinën e vet detyrën e nderen e zyreve adminstrative: e sidomos, kur të marrin parasyshë ndigjesen e popullit, që bân, sado që dron se djersa e tij derdhet kot nepër mejhana sidomos, të Tiranës, e nep djelmët e vet ushtarë, sado që shef se s’po i mbesin perballë t’anmikut në kufi t’Atdheut, por ferrave e shkurreve mbrenda Shqipnijet perballë të vllazenve të vet, tue luftue per shkas t’ambicjoneve të poshtme të do zyrtarve, që janë bâ “shqiptar” qyshëse kanë dalë rrogat àr e që kanë kênë, janë e kanë me kênë gjithmonë ekspresjoni i regresit e i barbarisë azjatike: pse ujku ndron qymen, por jo vesin: tuj marrë parasyshë, po thonë këto fakte, do të thonë edhe që Populli Shqiptar jo veç, se mund të jetojë, por se do të jetojë i Pamvarun.Gjallnija e shpirtit Shqiptar âsht veshkë e jo tha: e kanë veshkë mentalitetet e hueja, që, si bimë parasite në një landë, janë shartue në tê perdhuni; prandej, po mujtem na me i krekcue me kohë këto mentalitete t’hueja–këto gallica parasite t’shpirtit Shqiptar, pamvarsija, sovraniteti e jeta kombtare e Popullit Shqiptar janë të sigurueme pergjithmonë.

 

  • Jemi kryekput një mendimit me Ju “Uratë”; por si thoni Ju, se mund të pastrohet psikja e Popullit Shqiptar prej mentaliteteve të hueja, para se të na i pertrihet ndonjë rrezik jetës sonë kombtare e politike? E pvetem atëherë At Gjergj Fishtën, i cili na u pergjegjë këso dore:

 

– Mbas mendimit tem kishe me thânë, se puna ma e parë që do të bajnë Shqiptarët, per me pshtue kombin prej rrezikut, qi i kercnohet per shkak të ndryshimit të mentaliteteve âsht ky: Mos me lanë të kenë dorë në Qeveri e n’adminstratë të gjithë ata Shqiptarë qi kanë kenë edukue mbas mentalitetit sidomos të Stambollit, t’Athinës e të Venedikut; pse, tue kenë këto tre qytete tri qendra të daluna mifshliz, këto s’kanë zotsinë t’a rrisin menden e nierit mbas ekzigjencave të kohve e të vendit, por vetem mbas andrravet të një lumnisë së kalueme: prandej kultura e këtyne qytetasve s’ká mujtë të formoj qytetas me ndijesi si e lypë nevoja e Atdheut, por kanë trajtue, individë të dhanun me mish e me shpirt mbas atyne popujsh, qi motit paten krijue këto tri kultura, aq sa me mrrijtë me u quejtë me emna të tyne e me lakmue me u bâ robt’ e tyne.”

 

Shenim F.R.: Dokumenti origjinal i perket vitit 1924. Plot 100 vjet perpara!

Pyetni veten: Po sot, në 2024, ku jemi?!

Melbourne, 24 Shkurt  2024.

Si vriteshin në periferi të Tiranës të burgosurit! Rrëfimi i ish-policit

UVIL ZAJMI/ Një histori e rrëfyer nga njeriu që shërbeu për më shumë se një çerek shekulli në burgjet e Shqipërisë. Nga fshati Ndroq në periferi të Tiranës ku banonte, punonte, dhe direkt polic burgu, një profesion i panjohur për të.


“Kam filluar në vitin 1962, deri më 1990, aty dola në pension. I kam përjetuar nga afër të dënuarit, nga dita e parë, si trajtoheshin të burgosurit, nga ata ordinerë, tek ata politikë, për agjitacion e propagandë, tentativë arratisje, kontrabandë, deri te grupet e kulturës, ai ushtarak dhe i ekonomisë”, rrëfen për gazetën “Panorama” Xhelal Kadisi. Sot, 88-vjeçar, ruan korrektësinë, i thjeshtë, i sjellshëm, nuk harron asgjë, për çfarë ka shërbyer, vitet e vështira në ato institucione, kur kujton, tregon, flet edhe për burgun e grave.

Aty kanë qenë, te “313”. Kujtoj Fadil Pacrami, Todi Lubonja, Beqir Balluku, Petrit Dumen. Pëgjegjës ishte vënë një nga Mallakastra dhe nuk lejonet asnjë të afrohej. I kam parë si slleshin, si i trajtonin me ushqim, dhe ku flinin. Në dhomat e tyre muri rrethohej me një shtresë sfungjeri që të mos përplasinin kokën, për tentativë vetvrasjeje. Po kështu, një pjesë të madhe qëndronin me kokore në kokë, edhe në rastet kur hanin. Me roje, kur dilnin shkonin në banjo. Në burg ia janë bërë edhe gjyqet. Në kohën e gjyqit unë kontrolloja njerëzit që vinin, po të mos reagonin, edhe për t’i qëlluar, fyer. Pasi, për të dëgjuar, ndjekur gjyqin, vinin njerëz qeveritarë, persona të njohur. Sidoqoftë, kontrolli, kujdes duhej bërë, për çdo incident që mund të ndodhte.

Radio, gazetë, libra, çfarë lejohej në burg?

Në burg kishte edhe një bibliotekë të vogël, me libra të autorëve shqiptarë kryesisht. Deri edhe përkthyes. Një ndër to Xhelal Kaprencka në italisht, një kolonel, për rusishten, një tjetër nga greqishtja. Gazetat të paraburgosurve, atyre që ishin të rrezikshëm nuk ia jepnin, të dënurve po. Sigurisht edhe një radio, që hapej me orar. Ashtu siç kishin edhe orën e lirë të daljes në oborr.

Po procesi i pushkatimit, për të dënuarit me vdekje, si realizohej?

Gjithçka, pasi ishte marrë vendimi në gjyq dënim me vdekje. Nuk kishim shumë informacion, çdo gjë mbahej sekret, deri edhe vendi, dita. I merrnin në mbrëmje vonë, me makinën autoburg, atëherë ne e kuptonim se diçka do të ndodhte. Ajo nuk vonohej në kthim, pra kuptohej që vendi i ekzekutimit, sigurisht jo larg, por në periferi të Tiranës, ndoshta në tunelet, rrugën dytësore kur shkon për në Dajt. Personi që ekzekutonin, dhe kush do ekzekutonte nuk tregohej.

Duhej të ishte edhe prokurori në pushkatim. Ndodhte që ai që pushkatonte, të ishte shef i Degës së Brendshme të një rrethi. Me preteksin, duke e thirrur për një mbledhje urgjente në Tiranë, kur vinte i thoshin që sonte do të pushkatosh një armik të popullit, një të dënuar, keqbërës, vrasës, veprimtari armiqësore kundër pushtetit, etj. Pa ia thënë, treguar se për cilin bëhej fjalë. Ai ekzekutonte pa e ditur personin, thjesht për të ruajtur sekretin. Edhe sot nëse e takon, e pyet, di vetëm që ka ekzekutuar një të dënuar, por jo njeriun. Kështu vepronin në mjaft raste, ka funkisonuar ai proces në atë kohë. Edhe për të shmangur një konflikt të mundshëm ndërmjet familjarëve me personin ekzekutues. Ishte edhe toga e shoqërimit, “Toga e mjaltit”, quhej, se ata nuk bënin turn të tretë, vetëm i shoqëronin të burgosurit në gjyqe dhe në pushkatime, por jo në ekzekutim.

Keni një rast personal edhe ju në këtë proces?

U hodh ideja që policët e burgut t’i vemë për të pushkatuar. Jo i them, komandantit tonë, unë jam i pari që do ta kundërshtoj, që nuk i pushkatoj. Ne po i ruajmë, po i mbrojmë të mos vrasin veteveten, njëri-tjetrin, po i ushqejmë dhe të shkojmë ta vrasim? Nuk vritet njeriu në bukë të vet.

Largoheni nga “313”, për në një tjetër destinacion?

Rreth vitit 1978-1979, më transferuan në burgun e spitalit, një ndërtesë te “Spitali 1”. Një vend më i mirë, punë me e lehtë. Bëja vetëm oficer roje, shërbim 24 orësh. I burgosuri qëndronte pa pranga, por jo i lirë. Në banjo e çonte polici, pasi kishte dy truproje policësh. Nga të gjitha burgjet e Shqipërisë vinin aty. Çfarë nuk bënin: Prisnin damarët e duarve, hanin bishtat e lugëve që të rrinin sa më gjatë në spital. Kishte edhe pavion psikiatrie, me të burgosur agresivë, të papërmbajtur. Atyre i vendosnin elektroshokun.

Ka edhe mjekë që shërbejnë, si silleshin, komunikonin me të burgosurit?

Në një rast, një mjek i njohur, njeri shumë i mirë, me pretekstin si kompromis me të burgosurit e arrestuan me akuzën se i bënte ndonjë lehtësi, favor si në madikamente, raporte, të dënuarve. Pas gjyqit, e dënuan, duke e mbajtur mjek në burg, dhe kur u lirua e dërguan larg Tiranës, si mjek në periferi të saj. Aty qëndrova deri më 1985, pastaj kalova në burgun e Senatoriumit, duke punuar edhe 5 vjet aty. Më dërguan aty, pasi iku një i burgosur, bënë lëvizje të policëve, me motivin se janë miqësuar me të burgosurit, për këtë na transferuan atje.

Përfundon dënimi, si largoheshin të dënuarait, kush i priste?

Kur liroheshin, disa i prisnin familjarët, kishte që edhe dilnin vetëm, nuk i priste askush. I jepnin edhe një sasi me të holla, pasi për punën që bënin paguheshin. Jo para në dorë, por vetëm kur liroheshin i merrnin. Gjithçka ishte e dokumentuar. Me çdo person, ish-të burgosur që kam takuar, nuk kam pasur asnjë problem. Bile kam qenë më i rreptë nga të tjerët. Kush shkel ligjin, nuk të lejoj, se edhe takatin ta kam bashkë me forcën e shtetit e të ligjit, i thosha, edhe pak me humor.

Një jetë, punë e lodhshme dhe në pension…

Hyrjen, apartamentin ku banoj sot e mora në vitin 1985, në një pallat te “Brryli”, i ndërtuar nga ish-të burgosur. Donin të më jepnin në periferi të Tiranës, por me ndërhyrje ma dhanë aty. Kisha vite që endesha nga një burg në tjetrin, në një punë të lodhshme, por të ndershme, me katër fëmijë tashmë të rritur, dhe pa shtëpi. Në katin e katërt ma caktuan, pasi në të parin merrnin shoferët e institucioneve. Dola në pension kur punoja në burgun e Senatoriumit. Me 13 prill 1990, ditën që kam lindur më 1935. Plot 28 vite si punonjës burgu, asnjë ditë më shumë.

…Vijim

“Tradhtarët vriten pas shpine”- Burgosja dhe pushkatimi i ish-Ministrit, rrëfimi i rrallë i bashkëshortes së nipit të Enver Hoxhës

Përkthyesja dhe redaktorja e njohur në një rrëfim të saj për punën me përkthimin, fëmijërinë, dashuria dhe marrëdhënia me bashkëshortin Luan Omari, mëmësia, etj. Arrestimet në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri” dhe kujtimet për Bahri Omarin…! E ruan të freskët në memorie periudhën kur punonte si redaktore në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri”.

Për një njeri që merrej me librin, vitet e diktaturës nuk kanë qenë aspak të lehta, përkundrazi. Megjithatë, Donika Omari ka ditur të shijojë edhe nën trysni. Bashkëshortja e djalit të Bahri Omarit, Luan Omari, ajo ishte njëkohësisht edhe nusja e nipit të Enver Hoxhës, porse ky fakt, nuk duket se e ka kushtëzuar shumë veprimtarinë e saj intelektuale. Në një rrëfim të saj, znj. Donika Omari, flet për të gjitha këto kujtime, si dhe dashurinë e saj për letërsinë dhe marrëdhëniet e saj familjare.

 ******

Znj. Donika, keni punuar për vite të tëra në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri”, si redaktore dhe pastaj si përgjegjëse në redaksinë e letërsisë së huaj. Sa komode e keni ndier veten të punoni atje dhe a ka ndikuar fakti i të qenit grua, në një pozicion drejtues?

Në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri” kam nisur të punoj si korrektore letrare, në vitin 1957. Shoqet më thoshin: “si nuk mërzitesh gjithë kohën duke lexuar”?! Ndërsa unë mendoja: “Si ka mundësi, lexoj romane dhe paguhem për këtë”, pra paguhesha për një kënaqësi. Por më vonë, kriteret e botimit shkuan duke u bërë gjithnjë e më të shtrënguara, dhe, shpeshherë, në dëm të cilësisë… dhe kuptohet se të jesh e detyruar të punosh mbi një vepër të dobët, nuk është më kënaqësi, por e kundërta. Në këto raste, më mirë të lexosh një manual për bujqësinë, sesa mediokritete letrare.

Me kalimin e viteve u emërova redaktore e pastaj përgjegjëse redaksie për letërsinë e huaj. Atje duhej të punoje me kujdes të madh, në kushtet e një censure, që imponohej herë më e rreptë e herë më e çlirët. Mundej që për një gjë fare të vogël, për një frazë, për një emër, mund të shkonte dëm e gjithë vepra, përveç rrjedhojave që do të kishte redaktori e, përgjegjësi i redaksisë. Për pyetjen që bëni lidhur me të qenit grua, në një post drejtues, mund të them që nuk kam pasur asnjë problem. Në redaksi, kishim mirëkuptim e respekt ndaj njëri-tjetrit.

Keni pasur ndonjë rast kur e keni pësuar për hir të censurës?

Për njëfarë kohe, kam punuar si redaktore në letërsinë shqipe. Ka qenë një rast kur u çua në shtyp një libër për Sevasti Qiriazin. Isha redaktore e librit. Autori, Skënder Luarasi, kishte bërë një përmbledhje të veprave të saj dhe aty përmendej si patriot H. Mborja, i cili kishte qenë luftëtar për pavarësi, kishte luftuar edhe kundër sulmeve greke, por më vonë ishte lidhur me Zogun, e pra nuk duhej përmendur në libër. Libri shkoi në shtypshkronjë. Atje nuk e di kush e vuri re dhe u bë problem. Si rezultat, mora si dënim një vërejtje të rëndë me shënim në biografi, që e ruaj edhe sot, si kujtim të një kohe të ashpër.

Autori i librit, S. Luarasi, erdhi e më kërkoi falje, duke më thënë: “Ti je e re dhe nuk mund ta njihje këtë emër, duhej të isha treguar unë më i kujdesshëm”. Më pas, në redaksinë e letërsisë së huaj, kam marrë ndonjë vërejtje nga sektori i shtypit të Komitetit Qendror, por pa ndonjë pasojë të rëndë. Më kujtohet që u bllokua dalja në qarkullim e një përmbledhjeje shkrimesh të Gorkit, për letërsinë. Gorki shprehte një mendim të tillë: “Të kesh frikë nga ndikimet e huaja, do të thotë të mos kesh besim te klasa punëtore e vendit tënd”.

Na thirrën, drejtorin, Thanas Lecin dhe mua, në Komitetin Qendror të PPSh-së. Për fat të mirë, drejtori e mbrojti librin dhe u habita pak me guximin e tij. Ai tha: “Në fund të fundit, kjo është e vërtetë”. Pastaj libri u lejua. Kemi pasur raste të tjera vërejtjesh, për ndonjë kopertinë, si shumë liberale, etj., por që s’ia vlen të përmenden. Ose, një vërejtje e çuditshme, paradoksale, ka qenë p.sh., se po botonim shumë libra me temë diktaturat! Kështu diktatura shqiptare, zbulonte vetveten.

Keni qenë dëshmitare e dënimit apo largimit të punonjësve në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri”, si e përjetonit çdo rast?

Arrestimi i parë që mbaj mend, është ai i Sami Muratit. E arrestuan në zyrë. Ne na porositën të mos dalim nga zyrat. Pastaj vijuan arrestimet gjatë viteve: Robert Vullkani, një i ri i talentuar, i pasionuar pas leximeve, me një njohje solide të letërsisë, sidomos të asaj bashkëkohore perëndimore. Kur na çuan me kolektivin të vizitonim Muzeun e Sigurimit, e pamë atë, Robertin simpatik, të paraqitur si ndonjë kriminel të rrezikshëm.

Vijuan pastaj arrestimet me Eqrem Bibën, Xhelal Ramkun, Hysenil Dumen…! Tronditje të veçantë kemi ndier kur u arrestua rusja Natasha Pengili, jo vetëm për simpatinë që gëzonte, por edhe pse ishte e huaj dhe e merrnim me mend, sa i vështirë do të ishte burgu për të. Pati pastaj të internuar: Halil Qendro, Fatbardha Spahiu. Të larguar nga Tirana, ose nga puna: Jeton Ostreni, Ali Zotria, Gaqo Pisha, Stavri Kristo, Kika Sherko…! Kurse Kasëm Trebeshina, nuk mundi ta zgjasë më shumë se ndofta një vit punën si përkthyes, në redaksinë e letërsisë së huaj. Dhe nuk jam e sigurt në i kam përmendur të gjithë. Këtu përfshihen edhe të arrestuarit, në Shtëpinë Botuese Enciklopedike.

Ç’mendoni për letërsinë e shkruar nga gratë?

Nuk ka rëndësi nëse një vepër është shkruar nga një shkrimtar apo, nga një shkrimtare. Dihet që për shekuj të tërë kultura, letërsia, artet, kanë qenë pronë e meshkujve (me ndonjë përjashtim fare të paktë). Duke nisur nga shekulli XX-të, gjithnjë e më shumë emra të shquar e të mëdhenj, po figurojnë në krijimtarinë femërore. Kam përkthyer me të njëjtën kënaqësi, autorë, si: Natali Sarrot, Natalia Ginsburg, Ana Gavalda, M. Jursënar, etj., ashtu edhe libra autorësh meshkuj. Megjithatë, kur themelova Shtëpinë Botuese “Elena Gjika”, u nisa nga synimi për ta profilizuar si Shtëpi Botuese, që vë në dukje vlerat e letërsisë femërore.

Dhe botova autore si Dora d’Istria (emri letrar i Elena Gjikës), librin e parë në Shqipëri për Nënë Terezën, shkruar nga një gazetare italiane, Gracia Deledën (çmim “Nobel”), Daccia Marainin, Simonë dë Bovuarin, Maria Kortin, P.L. Traversin (krijuesen e Meri Popinsit), etj., si edhe ndonjë autore shqiptare, si Eleni Laperin e Rajmonda Belli-Gjençaj. Por tregu i librit te ne, është mjaft i vogël dhe është vështirë të bësh profilizime me drejtim të caktuar.

Duke përkthyer këtë lloj letërsie, keni menduar të shkruani dhe vetë?

A kam shkruar edhe vetë? Thuhet se përkthyesi është një autor i munguar. Jam mjaftuar të merrem me ndonjë studim për përkthimin, për shkrimtarë të fillimit të romanit shqiptar, me shkrime publicistike, për probleme shoqërore, shkrime për autorë e vepra etj. Pothuajse të gjitha këto, duke shtuar edhe shkrime të pabotuara, i kam përmbledhur në librin “Kulturë e ndërprerë”, të botuar në vitin 2009.

Cilat kanë qenë gratë që i keni ndjerë më të afërta në jetën tuaj dhe kanë ndikuar drejtpërsëdrejti te ju?

Natyrisht nëna ime. Natyrisht motrat e mia. Por kam pasur miqësi të ngushtë me Fatbardha Spahiun. E zgjuar, zemërgjerë, mendje hapur, me një fisnikëri të natyrshme, Fatbardhës mund t’i besoja gjithçka. Ia ndjeva shumë mungesën kur e internuan familjarisht. Kontakte atëherë, nuk mund të mbaheshin, munda t’i dërgoja vetëm një fjalor frëngjisht, ‘Larousse’, që ma kërkoi. Kur mundi të vinte në Tiranë, aty nga janari i 1992-shit, pas kaq shumë vjetësh që nuk ishim parë, patëm lënë një takim që nuk u realizua dot, sepse ajo vdiq papritur nga zemra, lajm që më hidhëroi thellë. Fatbardha ishte një grua e veçantë në të gjitha drejtimet, dhe shoqërimi me të, përveç kënaqësisë, të jepte shumë edhe me shembullin e cilësive të saj të bukura, karakteriale.

Ndërsa, në rrafsh më të gjerë, njohja e figurës së Nënë Terezës, ka qenë për mua prekëse dhe frymëzuese. Librin e parë që kam lexuar për të, “Tereza e Kalkutës”, nga F. Zambonini, desha menjëherë ta përktheja e ta botoja në shqip, çka edhe e realizova. Por entuziazmi dhe admirimi im, për këtë figurë kaq të jashtëzakonshme, nuk përputhej me mendësinë e pjesës më të madhe të bashkatdhetarëve të mi, që pyesnin: “E ç’ka bërë për Shqipërinë”?! Nga izolimi i stërzgjatur nuk ishim në gjendje të shihnim hënën pas gishtit.

Ju jeni gruaja e një intelektuali të njohur, siç është Luan Omari, si u njohët, më pas dashuruat…?

Isha studente në Institutin e Lartë Pedagogjik. Si ndërtesë ishim bashkë me Juridikun. Në këtë të fundit, ishte pedagog edhe Luan Omari. As sot nuk e di sepse, ne të Gjuhë-Letërsisë, bënim në një semestër edhe lëndën e Kushtetutës, që e zhvillonte juristi Isuf Alibali. Por një ditë vjen ta zhvillojë leksionin Luani. Një shoqes sime bullgare, i bie në sy që ai më shikonte si shumë dhe ma tha, por nuk ia vura veshin. Kur po afronte koha që do të mbaronim fakultetin, duhej të plotësonim një formular. Në marrëveshje me sekretaren e fakultetit, Luani mori përsipër të m’i bënte ai pyetjet, për formularin tim, duke gjetur kështu një rast të mirë, për të biseduar.

Kjo qe njohja jonë e parë nga afër. Më pas u takuam edhe herë të tjera. Te Luani më bënte përshtypje sjellja, edukata, po sidomos kultura e tij e madhe dhe shija e hollë. Edhe si familje, kam pasur vlerësim të veçantë për familjen Omari, për Bahri Omarin, emër që e kisha dëgjuar qysh fëmijë, të përmendej me nderim nga im atë, dhe me tronditje, kur bëhej Gjyqi Special. Por më vonë edhe nga të tjerë, madje me admirim. Kështu me Luanin u fejuam, u martuam dhe lindëm vajzën, Anilën.

Megjithatë jeta është e gjatë dhe marrëdhënia shpesh nuk është si në fillim…?!

Dy bashkëshortë mund të jenë në të njëjtën linjë, në gjërat kryesore, siç ndodh me ne. Vlerësojmë pak a shumë të njëjtat gjëra për vlerat e jetës, për vlerat morale, për artin, letërsinë, etj. Luani më ka ndihmuar për të pasur një vështrim më të thellë, në vlerësimin e gjërave. Ai ishte më i pjekur se unë, më i ngritur se unë, më i formuar dhe më ka dhënë shumë në këtë drejtim. Megjithatë ka gjëra të tjera, në dukje të vogla, që edhe krijojnë probleme. Për shembull, unë jam romantike, më pëlqen natyra, pylli, deti…!

Ai parapëlqen komoditetin e jetës së përditshme. Ose, një nga kënaqësitë e jetës bashkëshortore, është të bësh projekte të përbashkëta. P.sh. për rregullimin e shtëpisë, Luani nuk merr pjesë, thotë; bëj si të duash. Dhe unë vërtet mund të bëj gjithçka, sipas dëshirës, por është ndryshe kur gjërat mendohen e bëhen bashkërisht. Them se ky është qëndrimi i pothuajse të gjithë meshkujve, të brezit të tij…! Madje edhe i 50-60-vjeçarëve. Ndofta po ndryshon diçka me më të rinjtë. Të shpresojmë.

Më pas, ju u bëtë nënë. Si ndikoi kjo në jetën dhe raportin tuaj?

Lindja e fëmijës, është një ndryshim shumë i madh në jetën e femrës dhe një gëzim shumë i madh. Sapo dëgjova të qarën e parë të foshnjës, vetvetiu më erdhën në gojë fjalët më të ëmbla përkëdhelëse. Edhe në këtë gjë, në lindjen, rritjen e fëmijës, vihet re ndryshimi që kemi ende në pikëpamje, lidhur me familjen. Unë do të doja që si baba, Luani të ishte më i pranishëm. Ai e donte shumë Anilën dhe e ka përkëdhelur deri vonë, sikur të ishte e vogël.

Por megjithatë, e tërhiqte prapë jeta e mëparshme, të dilte me miq. Nga ana tjetër, nuk i linte gjë pa plotësuar vajzës. Dhe ajo që është më e rëndësishme, është shembulli që i ka dhënë me jetën e vet, pa e pasur zakon të japë këshilla, për integritetin moral, për karakterin e qëndrueshëm, për sinqeritetin në marrëdhënie me të tjerët…!  Dhe dihet që shembulli bën shumë më tepër efekt, sesa fjalët.

Vajza juaj është gjithashtu e përkushtuar në fushën e librave, studimeve. Si ju bën të ndjeheni ky fakt?

Kam ndjerë përgjegjësi të madhe në rritjen e fëmijës. Mendoja se për çdo të metë që të ketë fëmija, përgjegjësia është e prindit. Kisha sidomos shumë kujdes, për ta ushqyer mirë. Por ishte e gabuar, që ia hutoja mendjen me përralla e revista që ta bëja të hante edhe kur nuk donte fare. Atëherë nuk dinim shumë për ndikimin psikologjik, që ka detyrimi te fëmija për gjëra që nuk ka fare dëshirë t’i bëjë. Për sa i përket zgjedhjes së profesionit…? Anila qysh fare e vogël, ishte shumë e dhënë pas librave dhe i fiksonte saktë ato që lexonte. Kishte edhe një prirje të veçantë, në përvetësimin e gjuhëve të huaja.

Prandaj e vumë të mësonte në fillim italishten me mësuese Minervën, pastaj frëngjishten, me profesor Vedatin, dhe përsëri italishten, me Pashko Gjeçin, i cili këmbëngulte t’i mësonte edhe latinishten. Por na dukej se po e ngarkonim shumë. Në shkollë filloi anglishten, ndërsa më vonë, filloi të ndiqte kursin e gjermanishtes. Këto gjuhë i kanë hyrë shumë në punë, në profesionin e saj. Që zgjodhi Gjuhësinë, qe edhe nga ndikimi ynë si prindër. Niseshim nga prirja e saj për gjuhët, nga kureshtja për gjurmimin e fjalëve e, nga saktësia në të shkruar. Në fillim kërkimi shkencor i dukej i vështirë, pastaj e gjeti mirë veten dhe tani është një gjuhëtare e vlerësuar. Jemi të kënaqur që ka vazhduar traditën e familjes.

Siç e thatë edhe ju, Luani është djali i Bahri Omarit, si dhe nipi i Enver Hoxhës. Si e keni njohur ju Bahri Omarin, sa flitej në familjen tuaj për të, për dënimin e tij nga vetë kunati i tij Enver Hoxha?

Kur u fejova me Luanin, tek unë kishte më shumë peshë fakti, që ai ishte biri i Bahri Omarit, sesa nipi i Enver Hoxhës. Këtë çdokush sot është i lirë ta besojë, ose jo. Për fat të keq, te ne ende është e vështirë të mendosh në mënyrë objektive, secili niset nga vetja. Por kjo për mua, s’ka rëndësi.

Sa flitej për Bahriun në shtëpinë tuaj dhe si ishin marrëdhëniet me Enver Hoxhën?

Kur u bëra pjesë e familjes Omari, unë nuk mund ta zija në gojë Bahriun, më dukej se prekja një plagë, ende të pambyllur. Me ndonjë nga kushërirat e tyre, po. Më thoshin: “Ai pranoi të bëhej ministër në kohën e gjermanëve, që të ndikonte në shmangien e reprezaljeve, siç kishte ndodhur më 4 shkurt”. Tezja e Luanit, Haxhoja, vazhdonte të fliste plot mirësi e mall, për të. Vjehrra ime, Fahria, e përkujtonte gjithnjë, duke qarë ditën e ekzekutimit, por vetëm në sy të shërbyeses. Nga ana tjetër, me familjen e Emver Hoxhës, marrëdhëniet ishin të mira, por kjo kërkon një shtjellim të gjatë, e këtu s’është vendi.

Ka ekzistuar frika e persekutimit?

Frikë persekutimi, vjehrra ime ka pasur në vitet e para pas lufte, dhe është për të ardhur keq, që ajo, kur Luani ishte me studime jashtë shtetit, dogji letra, shkrime, gazeta, revista të kohës së mëparshme, pikërisht nga kjo frikë. Trembej edhe kur shprehej në shtëpi, ndonjë mendim kundër pushtetit. Nga ana tjetër, ajo nuk e hoqi kurrë fotografinë e të shoqit, nga bufeja me xham e dhomës së pritjes. Sot në familjet e bijve të Bahri Omarit, ruhen librat e bibliotekës së tij, një përkthim i papërfunduar i romanit “Pol e Virzhini”, të B. dë Sen Pier, ora prej floriri, një stilograf…!

Kur u dënua Bahri Omari?

Bahri Omari ishte deputet, botues, publicist, ministër dhe veprimtar i Ballit Kombëtar. Ai ishte kunati i Enver Hoxhës. Lindi në 1888 në Gjirokastër dhe u shkollua në Stamboll për Shkenca Politike-Administrative. Mori pjesë në lëvizje të rëndësishme patriotike dhe politike. Gjatë pushtimit të Shqipërisë nga Gjermania naziste ai u bë ministër i Punëve të Jashtme në qeverinë e Rexhep Mitrovicës më 5 nëntor 1943-16 qershor 1944.

Për këtë pozicion që ai u burgos. Në vitin 1945 ai u arrestua dhe u dënua me vdekje nga Gjyqi Special. Gjyqi u zhvillua në kinema “Kosova” (sot “Teatri Kombëtar”), ndërsa mijëra vetë e ndiqnin atë nëpër rrugë nga altoparlantët që qenë vendosur kudo në Tiranë. Vendimi u dha më 13 prill 1945, ora 10:00. U ekzekutua ditën e nesërme në një hendek te Kodra e Priftit në Tiranë. Para pushkatimit u thirri shokëve: “Ktheni ballin nga pushkët! Tradhtarët vriten pas shpine. Ne nuk jemi tradhtarë. Historia do të jetë gjyqtari i paanshëm”.

E dashuruar pas gjuhëve të huaja

Ende e kujton zonjushën Helenë, zviceranen që i mësoi frëngjishten. Dashuria për gjuhët lindi kështu dhe vijoi me të tjera gjuhë, të cilat i mësonte bashkë me përkthimin. “Mësimet e para të frëngjishtes, i kam marrë nga madmazel Helenë Badel, një zvicerane frëngjishtfolëse, që kishte qenë guvernante te Vrionët. Atëherë përdorej metoda ‘Première année’. Më pas i rifillova shumë më vonë në Shtëpinë Botuese ‘Naim Frashëri’, ku për fatin tonë, punonte shkrimtari dhe përkthyesi i njohur, Vedat Kokona, që ishte edhe një pedagog shumë i mirë. Me profesor Vedatin përdorëm metodën më të re, ‘Mauger’. ‘Dëgjoni frëngjisht në radio, kështu do ta mbani të gjallë gjuhën’, na këshillonte ai. Dhe kishte plotësisht të drejtë, sepse ne na mungonte mundësia për ta praktikuar frëngjishten, meqë nuk kishim kontakte me të huaj e, as mundësitë që janë sot për të shkuar në vendin ku flitet gjuha përkatëse”, tregon Donika Omari.

Kur u dënua Bahri Omari?

Bahri Omari ishte deputet, botues, publicist, ministër dhe veprimtar i ‘Ballit Kombëtar’. Ai ishte kunati i Enver Hoxhës. Lindi në vitin 1888 në Gjirokastër dhe u shkollua në Stamboll për Shkenca Politike-Administrative. Mori pjesë në lëvizje të rëndësishme patriotike dhe politike. Gjatë pushtimit të Shqipërisë nga Gjermania naziste, ai u bë ministër i Punëve të Jashtme në qeverinë e Rexhep Mitrovicës, më 5 nëntor 1943, deri më 16 qershor 1944.

Për këtë pozicion, që ai u burgos. Në vitin 1945, ai u arrestua dhe u dënua me vdekje nga Gjyqi Special, i cili u zhvillua në Kinema “Kosova” (ish – “Teatri Kombëtar”), ndërsa mijëra vetë e ndiqnin atë nëpër rrugë, nga altoparlantët që qenë vendosur kudo në Tiranë. Vendimi u dha më 13 prill 1945, ora 10:00. U ekzekutua ditën e nesërme, në një hendek te “Kodra e Priftit” në Tiranë. Para pushkatimit, u thirri shokëve: “Ktheni ballin nga pushkët! Tradhtarët vriten pas shpine. Ne nuk jemi tradhtarë. Historia do të jetë gjyqtari i paanshëm”. Nga Blerina Goce Memorie.al

“Për Tropojën duhen 143 metra litar dhe 7 grupe, për 50 persona që do arrestohen në kohë lufte…”- Zbulohet dokumenti me planin-operativ të Sigurimit!

Nga Kastriot Dervishi

Siç dihet, nëse regjimit komunist do t’i rrezohej pushteti, ishte përgatitur për një valë goditje, që përfshinte vrasje dhe burgosje për të gjithë elementin e konsideruar kundërshtar. Në bazë të direktivës; “Mbi funksionet dhe detyrat e forcave të armatosura të Ministrisë së Punëve të Brendshme, për kohë lufte”, udhëzimit, nr. 01 – 34, datë 30. 10. 1986; “Për spastrimin e zonës në situatë lufte nga elementët armiq me rrezikshmëri të theksuar” dhe udhëzimit nr. 01 – 35, datë 30. 10. 1986 të ministrit të Punëve të Brendshme; “Për mënyrën e veprimit të kryetarit të Degës së Punëve të Brendshme, me marrjen e urdhrit nëpërmjet shifrës shtetërore për spastrimin e zonës në situatë lufte nga elementët armiq me rrezikshmëri të theksuar”, Dega e Punëve të Brendshme Tropojë, në vitin 1987, përpiloi planin e veprimeve për kohë lufte, i miratuar nga kryetari i saj, Ibrahim Gjetja.

Rruga e veprimeve të shtatë grupeve është e mëposhtmja. Përfundimi ishte në pikën nr. 33. Të grumbulluarit, të gjithë do shkonin në këmbë, në itinerarin: Fierzë – Iballë – Pukë –Kaçinar – Ura e Fanit (Shpal). Pikat e hapjes do të kryenin funksionin e burgjeve të fshehta, të gatshme për t’u përdorur në situata lufte. Sot kanë mbijetuar fare pak prej tyre.

Këto u ngritën mbi bazë të urdhrit të ministrit të Punëve të Brendshme, të datës 6.7.1971. Ndër të tjera, në listën përkatëse, figuron edhe pika nr. 33 (Shpal, Mirditë) e destinuar për repartet nr. 301, 302, 303 dhe 311. Në këtë pike, ishte menduar edhe grumbullimi i personave me rrezikshmëri politike, nga dega e Punëve të Brendshme Tropojë.

Plani i veprimeve të para operative për kohë lufte, i Degës së Punëve të Brendshme Tropojë, i vitit 1987

– Grupi i parë, i drejtuar nga operativi Miti Kurici, zëvendës-përgjegjës Rushan Dervishi, duke pasur 20 ushtarë, vepronte në: Bajram Curri, Gri, Geghysen, Bujan. Do arrestonte 11 persona, duke pasur 11 zinxhirë e çelësa, 33 metra litar. Arrestimi mbaronte për 6 orë. Vendi i grumbullimit, te Teqja e Grisë. Pastaj shkonin në pikën e Fierzës.

– Grupi i dytë, i drejtuar nga operativi Naim Muçalli, zëvendës përgjegjës Mark Melani, duke pasur 20 ushtarë, vepronte në: Llugaj, Babinë. Do arrestonte 11 persona, duke pasur 11 zinxhirë e çelësa, 33 metra litar. Arrestimi mbaronte për 6 orë. Vendi i grumbullimit, te Përroi i Dunishës. Pastaj shkonin në pikën e Fierzës.

– Grupi i tretë, i drejtuar nga operativi Shpëtim Halili, zëvendës përgjegjës Besnik Musa, duke pasur 6 forca, vepronte në: Lekbibaj, Peraj, Gjonpepaj, Btoshë, Curraj, Tetaj. Do arrestonte 9 persona, duke pasur 9 zinxhirë e çelësa, 27 metra litar. Arrestimi mbaronte për 6 orë. Vendi i grumbullimit, te ura e re e lumit Mërtur. Pastaj shkonin në pikën e Fierzës.

– Grupi i katërt, i drejtuar nga operativi Veledin Meto, zëvendës përgjegjës, Abedin Et’hemi, duke pasur 4 forca, vepronte në: Margegaj-Dragobi-Valbonë. Do arrestonte 3 persona, duke pasur 3 zinxhirë e çelësa, 9 metra litar. Arrestimi mbaronte për 6 orë. Vendi i grumbullimit, te poligoni i qitjes Margegaj. Pastaj shkonin në pikën e Fierzës.

– Grupi i pestë, i drejtuar nga operativi Foto Çelari, zëvendës përgjegjës, Xhemal Skoqi, duke pasur 6 policë, vepronte në: Kasaj, Kojel. Do arrestonte 4 persona, duke pasur 4 zinxhirë e çelësa, 12 metra litar. Arrestimi mbaronte për 6 orë. Vendi i grumbullimit, te përroi te Qafa e Mejdanit. Pastaj shkonin në pikën e Fierzës.

– Grupi i gjashtë, i drejtuar nga operativi Gjergj Shusku, zëvendës përgjegjës, Gjergj Marku, duke pasur 7 policë, vepronte në: Pac, Kam, Kepenek, Berishë. Do arrestonte 5 persona, duke pasur 5 zinxhirë e çelësa, 15 metra litar. Arrestimi mbaronte për 6 orë. Vendi i grumbullimit në Radogosh. Pastaj shkonin në pikën e Fierzës.

– Grupi i shtatë, i drejtuar nga operativi Agim Ramici, zëvendës përgjegjës Esat Kulmaku, duke pasur 7 policë, vepronte në: Rajë, Tpla, Fierzë. Do arrestonte 4 persona, duke pasur 4 zinxhirë e çelësa, 14 metra litar. Arrestimi mbaronte për 6 orë. Vendi i grumbullimit në pikën e Fierzës. Memorie.al

Il Popolo Romano (1920) Intervista ekskluzive me Faik Bej Konicën në Romë: “E kam këshilluar “Vatrën” të mos i japë para qeverisë së Tiranës për këtë arsye…Sulejman Bej Delvina, spiun i Mustafa Kemal Ataturkut”

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 18 Shkurt 2024

“Il Popolo Romano” ka botuar, të shtunën e 9 tetorit 1920, në ballinë dhe faqe n°2, intervistën ekskluzive asokohe me Faik Bej Konicën në Romë, në lidhje me kërkesën për kredi nga qeveria shqiptare te shqiptarët e Amerikës nëpërmjet ndërhyrjes së “Vatrës”, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:

Situata e vërtetë shqiptare

Qeveria shqiptare duket se po hyn në një periudhë telashesh për fakte të ndryshme, ku kryesori është shterimi i thesarit publik. Duke shteruar të gjitha të ardhurat nga doganat, të dhjetat, taksat e ndryshme dhe shumat e paguara për kredinë e brendshme pak a shumë të detyruar, arkat e shtetit tashmë janë bosh dhe zyrtarët dhe xhandarët nuk kanë marrë asnjë rrogë prej dy muajsh. Për këtë qëllim, qeveria e Tiranës dërgoi një nga të besuarit e saj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të hapur, nëpërmjet “Vatrës”, një kredi të re mes shqiptarëve të shumtë të vendosur atje. “Vatra” për ata që nuk e dinë është shoqëria më e rëndësishme shqiptare që ekziston; ka qendrën e saj në Boston, grumbullon mijëra anëtarë, ka punuar me vrull madhështor për pavarësinë e Shqipërisë dhe synon të vendosë marrëdhënie miqësore midis popullit italian dhe atij shqiptar; më pas ka përfaqësuesin e saj në Romë në personin e Faik bej Konicës, i cili përveçse një nga themeluesit e Federatës së madhe, ka qenë edhe kryetar i saj deri vonë. Njeri me talent të jashtëzakonshëm dhe njohuri të larta, ai ishte caktuar nga qeveria e Tiranës si përfaqësues diplomatik në Romë, por, duke mos miratuar politikën e saj, iu desh të refuzonte me vendosmëri.

Kundra kredisë shqiptare

Tashmë ai ka shkuar një hap më tej dhe ka këshilluar “Vatrën” të mos favorizojë projektin e një kredie të dytë. Prandaj na u duk interesante të dinim arsyet e qëndrimit të tij të vendosur dhe simptomatik. Ai u përgjigj me dëshirë, me sinqeritet të përsosur, të gjitha pyetjeve tona.

Ai na tha: “është shumë e vërtetë që kam këshilluar “Vatrën” të mos i japë para qeverisë së Tiranës; ja një fragment nga kabllogrami që i dërgova kryesisë së Federatës në Boston në ditët e para të shtatorit :

“Besoj se është detyra ime e shenjtë të këshilloj shqiptarët e Amerikës që të mos e mbështesin kredinë shqiptare, sepse së pari është e paligjshme dhe së dyti ka arsye serioze për tu frikësuar se fondet do të shpenzohen keq. Për më tepër, qeveria jonë e përkohshme ka dalë hapur kundër idealit tuaj për një qeveri serioze, të drejtë dhe të lirë dhe parapëlqen sistemin turk të përbërë nga hilet, shpifjet, marifetet dhe spiunazhet. Kushdo që dëshiron mbështetjen tuaj financiare duhet të paktën të pranojë pjesërisht programin tuaj.”

Ky kabllogram është mjaft i qartë për ata që ndjekin zhvillimin e ngjarjeve tona; por për lexuesin e përgjithshëm ndoshta një koment i shkurtër do të jetë i dobishëm: Për rreth tetë vjet që kur Shqipëria u shkëput nga Turqia, qeveritë e ndryshme, duke përfshirë të ashtuquajturën qeveri përfundimtare të Princ Vidit, kanë shpenzuar miliona pa publikuar ndonjëherë asnjë lloj raportimi të ardhurave dhe shpenzimeve; asnjë organ nuk u krijua për të ushtruar kontrollin e nevojshëm mbi shpenzimet; Nuk ekziston asnjë dokument i printuar (botuar) që të na japë, qoftë edhe në mënyrë primitive, disa informacione për buxhetet e kaluara apo të tanishme të vendit. Një nga sulmet më efektive kundër qeverisë së rënë ishte për shkak të këmbënguljes së saj në sistemin e vjetër të mungesës së llogarisë; Qeveria aktuale erdhi në pushtet me angazhimin specifik për t’i dhënë fund këtij turpi, por ministrat mezi e kanë hequr kuletën nga sqetullat. Nëse sot sulmoj qeverinë, sigurisht që e kam paralajmëruar në kohën e duhur. Në një intervistë timen të botuar në një gazetë shqiptare më 2 shkurt, unë, që atëherë isha një mik shumë i ngushtë dhe i besuar i qeverisë së re, gjithsesi deklarova sinqerisht ndër të tjera si vijon :

“Ministria e re do të jetë në gjendje ta tregojë vlerën e saj vetëm me fakte. Pa kaluar një muaj, do të kuptojmë nëse qeveria është vërtet e re apo thjesht një botim i ri i një gjëje të vjetër. Dhe ne do të kemi provën, nëse llogaritë do të publikohen apo jo.”

Tashmë jemi në muajin e tetë dhe nuk është publikuar asnjë deklaratë. Populli është i indinjuar me këtë sistem dhe e shpjegon në mënyrën e vet. Ai beson se ministrat e bindur apo të dëshiruar për pushtimin dhe copëtimin e Shqipërisë kanë vënë mënjanë shuma të mëdha dhe shpresojnë të arratisen në kohë ditën e katastrofës para se të japin llogari.

Xhonturqit në Shqipëri

Një opinion popullor më pak i ashpër ia atribuon parregullsitë serioze financiare jo pandershmërisë, por paaftësisë së liderëve për të menaxhuar paratë publike në mënyrë të rregullt. Interesant është arsyetimi i vetë qeverisë, e cila thotë se nuk ka kohë të merret me raporte në këtë periudhë krize që po kalon vendi. Ky justifikim më duket se ka një shije të lehtë hajduti, sepse hallet janë çështje që kanë të bëjnë me veprimtarinë e ministrit të Brendshëm dhe të Mbrojtjes Kombëtare (Ahmet Zogu). Ndërkohë, çfarë po bën kolegu i tij i financave (Ndoc Coba) ?

— Kush janë këta ?

— Është një ish-doganier, që fshatarët shakatarë të kongresit të Lushnjes e kanë ngritur në nderet e Dikasterit të rëndësishëm, besoj se ka çertifikatë frekuentimi në shkollat fillore dhe gjithashtu ka gjasa që të mos jetë në dijeni të katër operacioneve. Jo ! jo ! justifikime të kota ! Kushdo që nuk jep llogari nuk mund të kërkojë fonde të reja. Nëse miqtë e mi në Shtetet e Bashkuara duan të japin para, kjo është puna e tyre. Unë e kam kryer detyrën time duke i paralajmëruar dhe i laj duart për këtë.

— Përveç këtyre arsyeve financiare, a ka të tjera të natyrës së ndryshme ?

— Qeveria e Tiranës — përgjigjet ai — nuk e meriton besimin edhe pse ka shtuar gjakderdhjen në Vlorë me një mizori të pabesueshme. Me marrjen e pushtetit të nderuarit Giolitti dhe me deklaratat e tij tashmë historike, Shqipëria u gjend përballë një politike italiane diametralisht të kundërt me atë të mëparshme; Prandaj ishte e nevojshme të informoheshin kryengritësit për këtë, armiqësitë të pezulloheshin dhe negociatat të shkonin drejt përfundimit.

Në vend të kësaj, ata preferuan t’i linin kryengritësit në errësirë, ata në fakt bënë më shumë : i inkurajuan që të luftonin më ashpër. Kam edhe prova zyrtare të bashkëpunimit të Sulejman bej Delvinës (asokohe kryeministër) me kryengritësit. Çfarë e motivoi atë dhe kolegët e tij për të ndërmarrë këtë veprim të tmerrshëm? Pavetëdija? mungesa e patriotizmit ? apo ndoshta, siç llafos populli në Shqipëri, ministrat e Tiranës, duke parë sikletin e qeverisë italiane përballë opozitës socialiste, shpresonin për një kohë të gjatë të arrinin marrëveshjen ? Unë njoh një ministër që nuk e miratoi me forcë qëndrimin dinak të kolegëve të tij. Dhe sa për mua, pasi mora, më 22 qershor, emërimin tim si përfaqësues diplomatik i Shqipërisë në Romë, nuk pranova të pranoja me një letër të gjatë drejtuar qeverisë së Tiranës në datën 24 të po këtij muaji. Ja kopja e kësaj letre që një ditë do t’ia jap të plotë shtypit.

Giolitti dhe Shqipëria

Megjithatë, mund t’ju lexoj një pasazh domethënës :

“I nderuari Giliotti, edhe shumë kohë përpara se të bëhej kreu i qeverisë, ishte shprehur në favor të vendit tonë, duke treguar në parlament se nuk e miratonte projektin për ndarjen e Shqipërisë të hartuar nga i nderuari Nitti. Unë kisha shumë shpresa për fatin e Vlorës dhe të krahinave tona të tjera të cilat janë në rrezik kur u përmend probabiliteti i një ministrie Giolitti. Fatkeqësisht kryengritja shpërtheu pikërisht në një moment që nuk duhej të shpërthente.” Një qeveri e informuar me kaq saktësi për qëllimet e vërteta të ministrisë së Giolitti-t, të paktën paraprakisht, duhej të fillonte biseda serioze me qeverinë italiane përpara se të lejonte derdhjen e një gjaku të ri.

— Pra, për faktin se qeveria Tiranës nuk mbajti një buxhet dhe për lejimin e gjakderdhjes së panevojshme nga ana e saj, jeni bërë kundërshtari krenar i saj ?

— Ka disa arsye të tjera. Unë do të përmend disa nga të parat që më vijnë ndërmend.

Treqind vullnetarë amerikanë u dëbuan dhe u trajtuan si armiq. Një personalitet i njohur, i cili ishte ndër faktorët kryesorë të Shqipërisë së re dhe që nuk dua ta përmend, u pengua të zbarkojë sikur të ishte armik i vendit të tij. Anulohen pa ceremoni kontratat në formë të mirë me italianët që kanë hyrë në shërbim të administratës shqiptare, e njëjta gjë ndodhi edhe me majorin e njohur Mortier, një francez shumë i njohur në Shqipëri për veprimtarinë e tij dashamirëse si komandant i Pogradecit në kohën e pushtimit francez, i cili në fakt kishte pranuar të qëndronte në shërbimin shqiptar me kërkesë të vetë kabinetit të Tiranës. Qeveria ul nivelin moral të rinisë duke shpërndarë shpërblime për pseudostudentët, të cilët i lejojnë të shajnë dhe duke bojkotuar studentët seriozë që kanë dinjitet dhe ndërgjegje dhe i përkushtohen ekskluzivisht studimeve. Ajo lejon, inkurajon, mbron dhe, kur është e nevojshme, subvencionon shoqëritë sekrete të vrasësve dhe shantazhuesve, të përbërë nga të rinj të degjeneruar, injorantë dhe dembelë, armiq të ligjit, të gjykatave të rregullta, të moralit publik, armiq të gjithçkaje që është themeli i qytetërimit perëndimor. Ajo i bën luftë shprehjes së lirë të opinioneve politike dhe e barazon insinuatën e kabinetit me sigurinë e shtetit. Ajo inauguron sundimin e policisë, diçka e urryer gjithmonë nga populli shqiptar : ajo vazhdon me arrestime masive si për të hequr qafe kundërshtarët e saj, ashtu edhe për të zhvatur para duke liruar të arrestuarit. Ajo e rikthen gjuhën turke në përdorim, duke e bërë gati gjuhën zyrtare të shtetit në vend të gjuhës kombëtare.

Qeveri e pamundur

Dhe nuk po them gjithçka. A ia vlen të mbështetet kjo qeveri ? Nuk e njoh as emrin e qeverisë.

— Kush është frymëzuesi apo shpirti i kësaj politike ?

— Pa dyshim kryeministri Sulejman. Historia e këtij njeriu do të ishte shumë interesante, por do të na çonte shumë larg. Do të mjaftohem duke ju thënë se ai, anëtar i Komitetit xhonturk, për të cilin vepronte si spiun, është një nga nxitësit e persekutimeve kundër patriotëve shqiptarë në kohën e dominimit turk dhe së fundi një nga organizatorët e masakrave armene.

I propozuar në Kongresin e Lushnjes nga disa spiunë xhonturq tinëzarë, ai u zgjodh kryetar i këshillit të Shqipërisë, megjithëse zyrtar osman, dhe mbërriti në Tiranë me udhëzimet e Mustafa Kemalit, i cili e urdhëroi të prishte marrëdhëniet tona me Greqinë dhe të lehtësojë frontin turk në Anadoll dhe gjithashtu të disa regjimenteve greke. Detyra e tij e parë ishte të vinte kundër njëri-tjetrit ministrin e luftës Ahmet bej Zogollin dhe komandantin e trupave Bairam Currin (Ministër pa portofol), me qëllim dobësimin e tyre. Më pas ai solli dhe emëroi në krye të të gjitha forcave shqiptare gjeneralin turk të arratisur Ali Riza Pashën (Ali Riza Kolonja), i dënuar me vdekje në Kostandinopojë dhe i kërkuar nga autoritetet britanike.

Prandaj, ne po shkojmë drejt një katastrofe të caktuar, nëse këta dy individë të dyshimtë nuk do të përzihen menjëherë. Do të shkoja më tej : do t’u vendosja pranga dhe do t’ua dërgoja autoriteteve greke, duke u kërkuar që t’ua dorëzonin atyre angleze. Vetëm me një akt të ngjashëm vendosmërie do të çliroheshim nga aventurierët e mundshëm të ardhshëm, të cilët, pasi kanë kryer krimet e tyre në vende të tjera, vijnë të kërkojnë nga thjeshtësia jonë mjetet për të vazhduar lojën e tyre të trishtë. Anglia, ashtu si fuqitë e tjera, nuk mund të ankohet për shqiptarët që i mirëpresin këta individë, sepse nuk ka dyshim se populli ynë është absolutisht i paditur se me kë ka të bëjë dhe me siguri do t’i linçonte ata që e vënë vendin në rrezik vetëm nëse do të informoheshin në kohë.

— Populli shqiptar pra është kundër intrigave xhonturke. Dhe deri në çfarë mase kolegët e Sulejmanit ndjekin shembullin e tij ?

— Mund t’ju siguroj se ministrat e tjerë janë me vendosmëri kundër politikës xhonturke dhe nuk kanë asnjë përgjegjësi të ndërgjegjshme për serinë e gabimeve të denoncuara nga unë; nëse ata e kanë lejuar veten deri tani të mashtrohen nga Sulejmani dhe bashkëpunëtori i tij Ali Rizai, sigurisht që mund të jetë vetëm një gabim gjykimi.

Me këto deklarata të fundit përfundoi biseda shumë interesante me përfaqësuesin e nderuar dhe autoritar të “Vatrës” në Romë.

Kur u përshëndeta me të, më mbajti edhe një minutë tjetër, pasi mori një pako me letra. Ata sollën nga anë të ndryshme lajmin shumë të rëndësishëm se shqiptarët, të bindur përfundimisht për dëmet e rënda që i sjell vendit të tyre politika e aventurierëve, kanë nisur një lëvizje serioze për të dëbuar përfundimisht të gjithë elementët xhonturq.

F.A

1930- “Njeriu nuk është e vetmja kafshë inteligjente…Ju rrëfej jetën e një bariu të ri shqiptar” — Letra e Mehmet Shehut dërguar nxënësve të një shkolle në Virxhinia (SH.B.A.)

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 12 Shkurt 2024

“American Junior Red Cross News” ka botuar, në nëntor të 1930, në faqet n°62 – 63, letrën e Mehmet Shehut dërguar asokohe nxënësve të një shkolle në Virxhina (SH.B.A.), të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar: 

Njeriu nuk është e vetmja kafshë inteligjente

Mehmet Shehu, student në Shkollën Profesionale Shqiptare (Albanian Vocational School) në Tiranë, shkroi një letër për një album të destinuar për një shkollë në Virxhinia, duke rrëfyer jetën e një bariu të ri shqiptar. Disa nga aventurat e tij të kujtojnë delen e humbur të Xhinos në historinë e Miss Upjohn.

Të dashur shokë,

Unë mendoj se mund t’ju interesojë të dini për jetën e një bariu të ri shqiptar. Disa vite para se të vija në këtë shkollë kam qenë bari. Në shtëpinë time kishim rreth 150 dhi. Unë dhe kushëriri im duhej të kujdeseshim për to. Kur ai ishte i zënë me diçka tjetër, më duhej të qëndroja vetëm me tufën time në pyllin e madh gjatë ditës. Kishim ndërtuar dy stane për to. Njëri ishte afër shtëpisë dhe tjetri rreth një orë në këmbë. Kopenë e kemi mbajtur në stanin më të largët nga vjeshta deri në kohën e lindjes në shkurt. Pastaj i çuam në stanin afër shtëpisë. Ne kishim tre qen me vete. Gjatë ditës e lidhnim qenin e madh me zinxhir në stan. Dy të tjerët vinin me tufën në pyll, duke vrapuar përpara tyre.

Një muaj dhjetori ra një borë e madhe. Filloi gjatë natës. Unë dhe kushëriri im ishim në kasollen tonë dhe kopeja në strehën e tyre. Zbardhi dita dhe binte ende borë. Vazhdoi deri në orën dhjetë të mëngjesit, bora kishte arritur një thellësi prej rreth gjashtëmbëdhjetë inç. Kishim mjaft dru të thatë për të ndezur zjarr, por prindërit tanë ishin të shqetësuar për ne dhe për tufën. Secili pronar tokash punëson një fermer kryesor. Pas pak, dëgjuam zërin e fermerit që na thërriste. Ai kishte hipur në pelën tonë dhe na kishte sjellë ushqim. Na tha ta çonim kopenë në shtëpi. Nuk e dallonim rrugën, por fermeri ynë hipi në pelë dhe na tregoi rrugën. I hoqëm këmbanat e mëdha nga qafa e cjapëve dhe ato ndoqën gjurmët e pelës. E gjithë tufa, në një rresht, ndiqte cjapët. Nga stani në rrugën kryesore zakonisht kalonim gjysmë ore në këmbë, por atë ditë na u deshtën dy orë. Për katër orë arritëm në shtëpi. Ishte shumë ftohtë. Ne e çuam kopenë në stallat e tyre dhe i vendosëm ato që ishin të dobët dhe që dridheshin pranë zjarrit. Ky ishte një dimër i ashpër dhe kur erdhi koha e pjellave, shumë nga të  vegjëlit ngordhën. Kjo na bëri të pendoheshim, jo sepse do të humbnim fitimet, por sepse një bari e do vërtet kopenë e tij.

Ujqërit shkaktuan dëme të mëdha atë dimër. Një natë e kishim çuar kopenë në stan. Ne ishim duke fjetur në kasollen tonë. Të tre qentë ishin lëshuar. Nata ishte tepër e errët. Një ujk arriti të futet në një nga stanet dhe kapi një kec nga fyti. Keci blegëronte dhe qentë lehnin, por nuk kishin se si të hynin. Kushëriri më zgjoi dhe të dy vrapuam te dera. Kushëriri im hapi derën dhe qeni i madh hyri brenda. Qeni dhe ujku u përplasën në fyt me njëri-tjetrin dhe keci u shpëtua. Ujku nuk e mbajti dot veten me qenin dhe kështu u hodh mbi gardh dhe iku. Tre qentë e ndoqën atë për një kohë të gjtatë. Pas asaj nate, asnjë ujk nuk sulmoi më tufën tonë, por ata sulmuan tufat e të tjerëve. Jam i sigurt se ujqërit e dinin që qentë tanë ishin shumë të fortë për ta.

Disa dhi fshihen kur pjellin. Një mëngjes isha afër një pylli duke u kujdesur për një dhi e cila ishte gati për të pasur një kec. Kushëriri im ishte me kopenë. Dy të rinj nga fshati im ishin duke gjuajtur pranë meje. Njëri nga qentë hasi në një strofull derrash të egër. Ishin nëntë derrkucë të rinj, dosa dhe derri. Derrkucët vrapuan drejt meje. U tremba dhe u ngjita në një pemë të re. Aty sipër nuk u tremba, sepse e dija që tufat e derrkucëve nuk mund të më arrinin. Pas pak derrkucët u larguan. Dhia, të cilën e ruja, kishte frikë dhe ishte larguar. Nuk e gjeta dot. Kushëriri im shkoi ta kërkonte dhe unë qëndrova me kopenë, por nga frika e derrave, ngjitesha nga një pemë në tjetrën, në të njëjtën kohë duke u përpjekur të rrija me kopenë time. Ishte një kohë terrori për mua. Kushëriri im gjeti dhinë që kishte lindur një kec.

Disa dhi nuk i duan të vegjëlit e tyre të parë dhe nuk i lënë të thithin gjirin. Këto dhi i lidhëm në qafë dhe i lamë kecat që t’i thithin; dhe gjatë natës i mbajtëm vogëlushët pranë zjarrit në kasollen tonë. Kishte edhe disa vogëlushë, nënat e të cilëve kishin ngordhur. Ne u mundësuam që të thithnin gjinjtë dhive të tjera. Një pjesë e stanit u nda për dhitë me të vegjëlit e tyre.

Në shtator, ne mbjellim arat tona me tërshërë. Këtu dhitë kullosin pasi kanë pjellë kecat. Kur të vegjëlit rriten pak, ata ndahen nga nënat e tyre gjatë ditës. Kur nënat e tyre kthehen, ata kërcejnë lart e poshtë dhe blegërojnë nga gëzimi i madh, sepse mund të qëndrojnë me nënat e tyre gjatë natës.

Dhitë tona pjellin në shkurt. Në datën 12 prill i mjelim një herë në ditë, në mbrëmje. Pastaj vogëlushët lihen të lirë të takojnë nënat e tyre. Dhitë nuk i mjelim tërësisht, sepse lëmë pak qumësht për kecat. Gjatë ditës, vogëlushët çohen në shkurre të vogla dhe fillojnë të përtypin gjethe, duke marrë pak lëngje ushqyese, por pjesën më të madhe të kohës ata e kalojnë duke kërcyer dhe duke luajtur në shpatet e argjilës. Sa mirë është të shohësh vogëlushët duke luajtur ! Pasi të rriten mjaftueshëm, mund të hanë gjethe dhe nuk kanë më nevojë për ushqimin e nënës së tyre dhe ne i heqim nga gjiri. Ata lihen të lirë me nënat e tyre në gusht kur kanë harruar thithjen e qumështit. Gjatë kësaj kohe i mjelim dhitë dy herë në ditë, në mëngjes dhe në mbrëmje. Në verë, ne i nxjerrim kecat dhe dhitë nga strehëzat e tyre në natyrë. Kur është shumë vapë në mesditë, kopetë i çojmë në hije. Në mbrëmje, dhitë i mjelim dhe pastaj futen në pyll. Ato kullosin gjatë natës. Në mesnatë, ato mblidhen dhe shtrihen për rreth tre orë. Pastaj ato përsëri fillojnë të kullosin derisa dielli, në gjuhën e dhisë, të jetë rreth katër shkopinj mbi horizont. Më pas i mjelim dhe i çojmë sërish në vende me hije, ku pinë e pushojnë. Vogëlushët në një tufë të veçantë i çojmë në pyll në mbrëmje.

Ne kishim një dhi të zezë të përkëdhelur. Ishte shumë e butë. Kur e thërrisnim, ndërsa kulloste, vinte menjëherë dhe na tregonte të gjitha shenjat e dashurisë. Një nga qentë tanë e kishte zakon të shkonte tek çdo dhi dhe të hiqte pleshtat e saj. Kur një dhi thërriste për qenin, ai shkonte tek ajo dhe fillonte ta pastronte.

Dy vite më parë, pavarësisht trishtimit të qenve tanë, shitëm dhitë dhe blemë dele. Gjatë javës së parë, kur qentë hynë në pyjet ku kishin qenë më parë, ulërinin nga pikëllimi për dhitë e tyre. Sa keq më erdhi për ta, sepse prej kohësh ishin mësuar me dhitë dhe u mungonin shumë; por sot kujdesen për delet, me besnikëri, por jo me dashurinë që treguan për dhitë.

E di që anekdotat e mia do të ngjallin buzëqeshje të dyshimta, por bëhu bari dhe jeto me kafshët, dhe atëherë edhe ti do të mësosh se njeriu nuk është e vetmja kafshë inteligjente dhe as i vetmi që është i sjellshëm dhe i dobishëm me të tjerët.

1922 / Historia e Sadik Hasanit nga Mati, djaloshit që mori në Klos, nga duart e vetë shkrimtares amerikane Rose Wilder Lane, dhuratën e Krishtlindjeve që kishte përshkuar gjysmën e botës

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 11 Shkurt 2024

“Junior Red Cross News” ka botuar, në dhjetor të 1922, në faqet n°53 – 54, një histori tepër të veçantë rreth dhuratës së një djaloshi amerikan për Krishtlindje që ka bërë asokohe xhiron e gjysmës së botës dhe ka përfunduar në duart e një djaloshi matjan falë shkrimtares Rose Wilder Lane, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar: 

“Ju falënderoj me gjithë zemër që na dërguat një dhuratë që ka kaluar nëpër dete të shumta” — Nga një pikturë e Anna Milo Upjohn. — Burimi : Junior Red Cross News, dhjetor 1922, faqe n°53

Sadik Hasani nga Mati

Nga Rose Wilder Lane

Vitin e kaluar një nxënës i një shkolle në Amerikë paketoi një kuti (pako) Krishtlindjesh për të rinjtë e Kryqit të Kuq dhe ia dha mësuesit të tij dhe nuk dëgjoi më për të. Kutia kishte udhëtuar nëpër tokë dhe det në pothuajse gjysmën e botës dhe djali që e paketoi kishte harruar Krishtlindjet dhe po shijonte pushimet verore kur një malësor shqiptar me pantallona të bardha leshi dhe brez të kuq flakë dhe jelek të zi të shkurtër e fiksoi atë kutinë e Krishtlindjeve në një shalë dhe u nisëm për në Mat.

Zona e Matit shtrihet përtej maleve që fshehin diellin në lindje të Tiranës, qyteti i vogël i ulët dhe i bardhë që është kryeqyteti i Shqipërisë. Kutia e Krishtlindjes hyri në Mat me mushkë, sepse ka vetëm dy mënyra për të hyrë në Mat. Vetëm këmbët tuaja ose ato të një mushke të vogël malore mund t’ju çojnë — dhe ndonjëherë edhe mushka dështon në shtigjet e pjerrëta dhe të vështira.

Tri ditë të gjata udhëtimi të tmerrshme, ngjitjeje në anët e greminave dhe lëvizje ngadalë, centimetër pas centimetri, siç mund të lëvizësh në skajin e dritares së një rrokaqielli (qiellëgërvishtësëje), dhe duke u ulur me dorë në faqet e shkëmbinjve, do të kaloni malet më të larta dhe do të hyni në zonën e Matit.

Ishte në fund të ditës së tretë që pashë për herë të parë Sadik Hasanin. Kishim ecur gjatë gjithë ditës, nën diellin e nxehtë të korrikut. Në orën gjashtë kaluam lumin Mat, pranë rrënojave të një ure të vjetër të ndërtuar nga Skënderbeu (i cili ishte George Washington-i i Shqipërisë, pesëqind vjet më parë), pastaj u ngjitëm për tre orë në faqen e një shkëmbi.

Ishte natë, hëna kishte dalë mbi majat e thepisura të maleve perëndimore dhe unë po ngjitesha e lodhur, kur papritmas pashë në buzë të shkëmbit sipër meje një figurë të vogël që në dritën e pasigurt mund të ishte një Brownie shumë e madhe. Me ngjyrë si shkëmbinjtë, dhe me një plis mbi kokë, më pa për një çast dhe më pas u zhduk.

Në momentin tjetër u shfaq para meje në kthesën e shtegut, me një qëndrim statik dhe drejt, duke përshëndetur si një ushtar.

“Rrofshi sa më gjatë!” tha ai, me mirësjellje, dhe e dija që ishte një djalë i vogël, me uniformën kaki të policisë malësore shqiptare.

“Rrofshi sa më gjatë!”, i thashë unë.

“Si keni mundur të vini?” tha ai. Sepse kjo është përshëndetja e sjellshme në malet shqiptare dhe ka qenë e tillë prej shekujsh.

“Ngadalë, ngadalë, pak nga pak”, përgjigjja e duhur.

“Unë jam Sadik Hasani, roje e kryetarit të bashkisë së Klosit dhe i dymbëdhjetë fshatrave të tjerë”, tha ai. “Ju uroj mirëseardhjen në Mat. Lavdi shtigjeve që ju kanë sjellë.”

Pas pak minutash ishim ulur në oborrin e xhandarmërisë në majë të shkëmbit dhe Sadiku po na ofronte filxhanë të vegjël kafeje turke, të cilën e bëri vetë në një xhezvë të vogël bakri me dorezë të gjatë, të vendosur në hirin e një zjarri kampi.

Ne ishim tre ditë në Klos dhe në atë kohë u njoha shumë mirë me Sadikun, sepse sa herë që vinte kryetari i bashkisë për të na thirrur, vinte edhe një roje e vogël dhe ulej këmbëkryq në tokë, mbrapa kryetarit të Bashkisë — i cili gjithashtu ulej këmbëkryq — duke dëgjuar me zell gjithçka që thuhej. Kurrë më parë në jetën e tij Sadiku nuk kishte parë një të huaj, sepse ne ishim të parët që kishim ardhur në Mat. Dhe ai kurrë nuk e kishte ëndërruar të shihte një amerikan.

Megjithatë, ai dinte diçka për Amerikën. Ai dinte për Xhorxh Uashingtonin dhe kishte dëgjuar për automobila dhe për Presidentin Wilson. Ai e dinte që Amerika ishte një vend shumë i ri, më i ri se fshati më i ri në Mat, — sepse Mati ka qenë shqiptar para “Përmbytjes – The Flood” dhe i kujton ende legjionet romake, siç e kujtojmë ne Luftën tonë Civile. Por ai e dinte gjithashtu se Amerika ishte një vend shumë i mrekullueshëm. Ai kishte dëgjuar se në atë vend të gjithë shkonin në shkollë.

Kjo, mendoi Sadiku, është edhe më e mrekullueshme se makinat. Ndërsa u njoha pak më mirë me të, ai më tha se ambicia e tij e madhe ishte që të shkonte në shkollë. Ai kishte shkuar në shkollë dy dimra dhe kishte një laps plumbi. Sa herë që kryetari i bashkisë nuk kishte nevojë për të, ai ulej dhe ushtronte shkrimin në një copë letre. Ai shkruan shumë bukur. Por ai e dinte se nuk mund të shkonte më në shkollë, sepse tani ishte dymbëdhjetë vjeç dhe duhej të mbante familjen e tij, e cila ishte shumë e varfër. Si roje, fitonte dhjetë dollarë në muaj dhe qeveria i jepte uniformën dhe pushkën, dhe dy herë në ditë një copë bukë misri dhe një copë djathë dhie dhe mund të flinte në dyshemenë e xhandarmërisë me burrat e tjerë. Kështu, familja e tij kishte plot dhjetë dollarë çdo muaj dhe mund të jetonte me to. Por nëse ai ndalonte së punuari për të shkuar në shkollë, ata do të vdisnin nga uria.

I dhashë Sadikut kutinë (pakon) e Krishtlindjes. Shënohej “Për një djalë dhjetë vjeç”. E mori në duar dhe e pa për një kohë të gjatë. Ai kurrë nuk kishte parë një kuti të bërë kaq bukur dhe me shkrime kaq të bukura mbi të. Ai lexoi me zë të lartë, “Gëzuar Krishtlindjet – Kryqi i Kuq i të Rinjve”. Ai mund ta lexonte mirë, sepse shqiptarët mësojnë të lexojnë nëpërmjet tingujve të shkronjave, por ai nuk e dinte se çfarë kuptimi kishin fjalët. U përpoqa t’i tregoja. Pastaj ngadalë hapi kutinë nga Amerika e largët.

Kishte dy lapsa të gjatë e të bukur, një top, një kuti me lapsa me ngjyra dhe një qese me zara (kaçola). Ai nuk e dinte se çfarë ishin zarat apo topi, sepse, natyrisht, nuk kishte luajtur kurrë. Por ai ishte aq i lumtur për lapsat sa nuk mund të fliste për një kohë. Pastaj ai tha: “Nëse do t’i shkruaja një letër djalit që më dërgoi kutinë më të bukur, a do t’ia jepte Zonja amerikane kur të kthehet në Amerikë?”

Unë i thashë që do ta bëja. Nuk e kuptova pse u largua atë ditë pa e shkruar letrën, por të nesërmen mësova arsyen. Ai kishte shkuar të pyeste familjen e tij nëse, vetëm këtë herë, mund të merrte nga paga e tij dy cent, me të cilat të blinte një fletë të bardhë e të bukur letre shkrimi. Familja i tha se do të mundte, dhe të nesërmen e solli, të mbështjellë me kujdes në një copë pëlhure të qendisur me dorë, së bashku me njërin prej lapsave, të cilin e mprehi.

I ulur këmbëkryq pranë çadrës sonë, buzë lumit të Matit, Sadiku shkruante me kujdes e bukur, me aq kujdes sa një piktor bën për të bërë një tablo. Ja çfarë shkruan ai :

Shoku im i dashur,

Unë quhem Sadik Hasani, lindur në fshatin Lis të rrethit të Suçit (Mat) dhe në këtë botë kam jetuar dymbëdhjetë vite. Të falënderoj nga zemra për interesin që ke ndjerë për Shqipërinë, që na ke dërguar një dhuratë që ka kaluar nëpër detet e shumta.

Unë, Sadiku, jam në shërbim të rrethit të Stragjut si roje. Ishte dëshira ime e madhe që të vazhdoja të fitoja dije, sepse e di që të jesh injorant është turp. Por për shkak të varfërisë aktuale të prindërve të mi, unë mund të qëndroj kështu për një kohë të gjatë.

Të ardhshin të gjithë të mirat,

Duke nënshkruar me respekt,

Shoku yt,

Sadik Hasani.

Gazzetta di Venezia (1931) Një bisedë ekskluzive me Rexhep Jellën, prefektin e Tiranës, në qytetin tonë

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 7 Shkurt 2024

“Gazzetta di Venezia” ka botuar, të enjten e 21 majit 1931, në faqen n°3, bisedën ekskluzive me prefektin e Tiranës, Rexhep Jellën, askohe për vizitë në qytetin e Venecias, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Një bisedë me prefektin e Tiranës

Rilindja e Shqipërisë

Vendi ku fluturojnë të gjithë – Nga shpina e gomarit në kabinën e aeroplanit – Makinat dhe rrugët – Peizazhi dhe turistët

Shkëlqesia e Tij Rexhep Jella, prefekt i kryeqytetit shqiptar dhe kryetar i organizatave rinore të mbretërisë mike, kaloi më shumë se një javë në Venecia dhe, natyrshëm, u dashurua me të.

Duhet pranuar, për më tepër, se njeriu i shquar zgjodhi një moment të lumtur për vizitën e tij në Serenissima : një diell i artë, një turmë e mrekullueshme të rinjsh të mrekullueshëm, një festë dritash, ngjyrash dhe flamujsh : të gjitha të kurorëzuara nga grumbullimi madhështor i së dielës dhe mbyllja e garave ndërkombëtare të gjimnastikës.

Të premten e kaluar, në orën dhjetë të mbrëmjes, teksa vezullimet jeshile dhe vjollcë të flakëve ngjyrosnin mrekullitë arkitekturore të Sheshit (Piacës) me ngjyrat “e një mijë e një netëve”, Rexhep Jella, ulur në Quadri, admiroi skenën në ekstazë.

— Si ju duket, Shkëlqesi ?

— Nuk e kam besuar kurrë se diçka e tillë mund të shihej.

— Është hera e parë që Shkëlqesia Juaj e sheh qytetin tonë ?

— Në fakt, kam qenë edhe në vitin 1913, por kalimthi, dhe më kujtohej shumë pak : për sa u përket monumenteve, nuk i kisha vizituar atëherë; këtë herë, megjithatë, arrita të admiroj thesaret kryesore artistike të këtij qyteti simpatik. Unë jam magjepsur prej tyre dhe mund t’i përshkruaj një nga një, por… venecianët i njohin më mirë se unë.

— Kjo nuk është plotësisht e provuar : por, nëse Shkëlqesia Juaj më lejon, do të kërkoj disa informacione për Shqipërinë. Aktualisht, si është Tirana ?

— Tridhjetë e pesë mijë banorë : atje jetojnë mjaft mirë dhe fizionomia e qytetit po përmirësohet dukshëm, natyrisht shumë gjëra mungojnë… përfshirë edhe hekurudhën, por po ndërtohet një seksion hekurudhor Durrës – Tiranë që do të përurohet sa më shpejt të jetë e mundur. Tani për tani fluturojmë ! Ju nuk mund ta imagjinoni sa fluturime ka në Shqipëri : linjat tona janë të shumta, të pajisura në mënyrë perfekte, dhe ajo që ka rëndësi ëshë se ato gëzojnë besimin e plotë të klientëve të tyre; dhe duhet të kemi parasysh se këta malësorë të mirë, aspak të frikësuar nga një përparim kaq i vrullshëm, zbresin nga shpina e lodhur e gomarit, për t’u ngjitur në kabinën e aeroplanit me lehtësinë më olimpike. Për momentin, në fund të fundit, ata kanë çdo të drejtë; në vite e vite shërbimi të vazhdueshëm e intensiv, asnjë fatkeqësi nuk ka ardhur që të lëkundë besimin e merituar të shqiptarëve tek avionët.

— Po ndërtimi i rrugëve, Shkëlqesi, si po ecën ?

— Sigurisht që rrugët që keni ju në Itali nuk i kemi dhe asfaltimi është praktikisht i panjohur për ne; por duhet hedhur poshtë legjenda se në Shqipëri nuk mund të vozisësh makinë : gjithsesi dua të pohoj që rrugët shqiptare nuk janë aspak më të këqija se ato serbe dhe greke. Në zona të caktuara natyra gurore dhe me luspa e terrenit e bën shumë të vështirë punën e peizazhit : në disa të tjera, anasjelltas, fundi moçal paraqet pengesa të kundërta : prandaj duhet të jeni të duruar dhe të nxitoni me makinë ku të jetë e mundur…

— A ka shumë makina ?

— Mjaft dhe janë gjithnjë në rritje : por përhapja e mjeteve motorike është e destinuar natyrshëm të ndjekë me të njëjtin ritëm zhvillimin e rrjetit rrugor. Për momentin nuk është e mundur të neglizhohet kalërimi, i cili në fund të fundit është i vetmi mjet transporti i përshtatshëm për të gjitha terrenet. Kemi kuaj të shkëlqyer : shumë të importuar nga Hungaria dhe shumë autoktonë, më të vegjël, por shumë rezistentë, me një maturi proverbiale dhe të pajisur me këmbë “dhie”; u ngjiten maleve si dhia e egër.

Megjithatë, pas pak vitesh do të mund të udhëtohet në të gjithë Shqipërinë me makinë; Në këtë drejtim, i hedh poshtë energjikisht të gjitha thashethemet për interesin e kufizuar turistik të vendit tonë : shumë të huaj janë të bindur se Shqipëria është një vend krejtësisht i shëmtuar dhe i shkretë, i pasur vetëm me male të thepisura dhe këneta të liga. Kjo është e pavërtetë; ne kemi rajone të tëra shumë pjellore, të mbuluara me bimësi të mrekullueshme dhe lugina piktoreske që nuk kanë asgjë për të pasur zili ato më të famshmet.

— Aktualisht, a ka një lëvizje turistike ?

— Shumë e kufizuar; duhet të inkurajohet absolutisht në çdo mënyrë. Edhe të huajt vijnë; do të mund të bindin lehtësisht se Shqipëria nuk është Hirushja e një peizazhi që pretendohet të jetë dhe se mikpritja, tradicionale mes njerëzve tanë, është e sinqertë dhe e përzemërt. Italianët duhet të vizitojnë Mbretërinë tonë që është në ethet e plota të rilindjes : ata do të mirëpriten si vëllezër. Na bashkojnë histori shekullore dhe, më në fund, çfarë na ndan ? Një krah i detit; një humnerë, dikush mund të përgjigjet. Po, për njerëzit që urrejnë njëri-tjetrin, por një traget i lehtë dhe i këndshëm për njerëzit që e duan njëri-tjetrin.

Një shpërthim i fundit flakërimesh i vë zjarrin San Marcos (Shën Markut), Kullës së Sahatit dhe Kampaniles, ndërsa sheshi është i mbushur me një turmë të jashtëzakonshme.

Rexhep Jella ngrihet dhe dëshiron të largohet.

— Dëgjo, më thotë, kushdo që është i sigurt se nuk do të kthehet më në Venecia, pas një vegimi të tillë, do të bënte mirë të mbyllte sytë dhe të largohej menjëherë për të mbajtur në kujtesë imazhin e pavdekshëm të kësaj tabloje ëndrrash. Por unë do të kthehem; një krah i detit, po e përsëris, bëhet një traget i këndshëm për ata që duan njëri-tjetrin!…

L. Tommaseo Ponzetta

Gazzetta di Venezia (1938) Parlamenti shqiptar miratoi projektligjin për dhënien e medaljes së meritës për fermerët e vendit të tij

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 5 Shkurt 2024

“Gazzetta di Venezia” ka botuar, të martën e 22 marsit 1938, në faqen n°2, një shkrim rreth miratimit asokohe nga Parlamenti shqiptar të projektligjit për dhënien e medaljes së meritës për fermerët, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar: 

Medalja e meritës për fermerët shqiptarë

Burimi : Gazzetta di Venezia, e martë, 22 mars 1938, faqe n°2
Burimi : Gazzetta di Venezia, e martë, 22 mars 1938, faqe n°2

Tiranë, 21 mars.

Parlamenti shqiptar ka miratuar një projektligj që vendos medaljet e meritës për fermerët, me synimin për t’i dhënë një shenjë të prekshme dallimi fermerëve dhe blegtorëve që kanë qenë meritorë gjatë fushatës së nisur nga qeveria për forcimin dhe zhvillimin e bujqësisë shqiptare.

Ministri i Ekonomisë Kombëtare, Toçi (Terenc), ilustroi projektligjin para deputetëve, duke nënvizuar nevojën për të mos lejuar fermerët të braktisin tokën, duke u shprehur se është e nevojshme të kërkohen dhe kanalizohen të gjitha energjitë për t’i dhënë rritjen maksimale aktiviteteve bujqësore që përbëjnë burimin kryesor të pasurisë së vendit.


Send this to a friend