VOAL

VOAL

Reagimi i parë i fituesit të çmimit “Nobel”: Më vjen mirë që serbët janë të lumtur për mua

October 11, 2019

Komentet

Raportohet se është sulmuar një bazë ajrore ruse në Krime

Imazhe të kombinuara satelitore të bazës ajrore ushtarake afër fshatit Novofedorivka.

 

Një bazë ajrore e ushtrisë ruse në Krimenë e pushtuar raportohet se është sulmuar me raketa që kanë shkaktuar shpërthime dhe zjarr, raportuan mediat ukrainase dhe kanalet ruse në Telegram më 26 korrik.

Televizioni ukrainas, Suspilne, duke cituar banorët lokalë, raportoi për shpërthime në qytetin Saki dhe Jevpatoria të Krimesë. “Shpërthime shumë të fuqishme” janë raportuar nga banorët në Saki, që është shtëpi e një baze ajrore ruse.

Një kanal në Telegram nga Krimeja raportoi se një depo municionesh në një bazë ajrore është sulmuar me raketa, duke shtuar se si pasojë e sulmeve është shkatërruar një avion.

Kanali rus në Telegram, Astra, duke cituar burime të emergjencave në Krimenë e pushtuar, tha se një bazë ajrore dhe një depo municionesh janë sulmuar me raketat me rreze të gjatë veprimi ATACMS. Ky kanal tha se si pasojë e sulmeve janë përhapur zjarre. Dy ushtarë rusë, sipas Astras, janë plagosur.

Astra po ashtu tha se raketat ATACMS goditën një sistem rus të mbrojtjes ajrore në Saki, duke shkatërruar një stacion radari. Duke cituar burime të paidentifikuara, ky kanal në Telegram tha se katër raketa ATACMS u gjuajtën nga Ukraina, dy prej të cilave u rrëzuan nga mbrojtja ajrore ruse.

Ky informacion nuk ka mundur të konfirmohet në mënyrë të pavarur.

Ministria ruse e Mbrojtjes nuk ka përmendur sulmet në Krime, por vetëm ka thënë se mbrojtja e saj ajrore ka rrëzuar gjashtë dronë ukrainas, katër mbi rajonin e Rostovit dhe dy mbi atë të Kurskut.

Baza ajrore ushtarake Saki, afër fshatit Novofedorivka, edhe në të kaluarën është shënjestruar disa herë nga sulmet me raketa.

Kjo bazë është shtëpi e regjimentit të 43-të të aviacionit luftarak të Rusisë, që mbështet trupat ruse në jug të Ukrainës dhe operon me bombarduesit Su-24 dhe avionët luftarakë Su-30.

Krimeja, që është pushtuar nga Rusia më 2014, përdoret nga ushtria ruse për të kryer sulme me raketa për në Ukrainë, teksa Moska po vazhdon pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës, që nisur në shkurt të vitit 2022.

Në prill, Shtetet e Bashkuara i dërguan Ukrainës raketa balistike me rreze të gjatë veprimi, ATACMS, që mund të fluturojnë deri në 300 kilometra dhe mund të përdoren për të goditur cilindo nga më shumë se 100 caqet ushtarake ruse në Krime. REL

Alarmohet NATO, droni rus bie në tokën rumune

Gjatë natës, Rusia nisi 38 drone Shahed drejt Ukrainës, me tre prej tyre që hynë në hapësirën ajrore të Rumanisë, konfirmuan ministritë rumune dhe ukrainase.

Sistemet e mbrojtjes ajrore të Ukrainës arritën të rrëzojnë 25 mjete ajrore pa pilot, sipas një njoftimi për shtyp nga Forcat Ajrore të Ukrainës. Në sulm, rusët synuan rajonin e Odesës, i cili kufizohet me Rumaninë.

“Rusia ka kryer sulme të tmerrshme në infrastrukturën civile të Ukrainës. Në territorin e Rumanisë u gjetën mbeturina. Ne kemi informuar dhe po koordinojmë aleatët tanë për këtë çështje. Rumania dënon fuqishëm këto veprime të papërgjegjshme”, shkroi ministri i Jashtëm rumun, Luminiţa Odobescu në platformën X.

Në rrjetet sociale është shfaqur një video që dyshohet se tregon vendin ku ka rënë një nga dronët rusë, ku shihen pemët dhe toka e djegur.

Ndërsa dronët rusë po sulmonin portet në rajonin e Odesas, banorët e rrethit Tulcea të Rumanisë dëgjuan shpërthime të shumta, raportojnë mediat lokale. Rumunët për të dytën natë radhazi shpallën alarm ajror në qarkun e përmendur.

Dy aeroplanë luftarakë të Forcave Ajrore Finlandeze F-18 u dërguan nga një bazë ajrore rumune gjatë natës për të monitoruar situatën, konfirmoi Ministria rumune e Mbrojtjes.

Zëdhënësi i NATO-s tha se nuk kishte indikacione për një sulm të qëllimshëm në territorin e aleancës ushtarake, por paralajmëroi për incidente “të papërgjegjshme dhe potencialisht të rrezikshme” të dronëve rusë që hyjnë në hapësirën ajrore rumune.

Ai konfirmoi se aleanca ka rritur masat e monitorimit dhe mbikëqyrjes, duke përfshirë patrullimet ajrore, ditët e fundit. sn

Klitschko: Zelensky rrezikon ‘vetëvrasje politike’ nëse lëshon tokë ndaj Rusisë. Të mbajë referendum

Kryetari i bashkisë së Kievit Vitali Klitschko tha në një intervistë më 21 korrik se presidenti Volodymyr Zelensky ka të ngjarë të ketë nevojë të mbajë një referendum public, përpara se të bjerë dakord për ndonjë kompromis territorial me Rusinë.

Deklarata vjen pas një propozimi të ish-presidentit amerikan Donald Trump për një marrëveshje paqeje midis Ukrainës dhe Rusisë. Ndërsa fitorja e Trump në zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit bëhet më e mundshme, po bëhen përpjekje për ta shtyrë atë në anën e Ukrainës dhe për të siguruar që çdo marrëveshje e mundshme të jetë e favorshme për Kievin.

“Muajt e ardhshëm do të jenë shumë të vështirë për Volodymyr Zelenskyn. A duhet të vazhdojë luftën me vdekje dhe shkatërrime të reja, apo të mendojë për një kompromis territorial me Putinin?” Klitschko shpjegoi shumë gjëra gjatë një interviste për gazetën italiane Corriere della Sera. “Si mund t’i shpjegojmë vendit se ne duhet të heqim dorë nga pjesët e territorit tonë që kushtuan jetën e mijëra heronjve tanë luftarak? Çfarëdo lëvizje që ai të bëjë, presidenti ynë rrezikon vetëvrasjen politike.”Ai tha se “Zelensky ndoshta do të duhet t’i drejtohet një referendumi”. “Unë nuk mendoj se ai mund të arrijë marrëveshje të tilla të dhimbshme dhe të rëndësishme vetë pa legjitimimin popullor,” shtoi Klitschko.

Tre të katërtat e ukrainasve ishin kundër që Ukraina t’i bënte lëshime territoriale Rusisë për të arritur një marrëveshje paqeje, sipas një sondazhi të publikuar në dhjetor nga Instituti Ndërkombëtar i Sociologjisë në Kiev, një rënie e lehtë nga 84% që thanë se ishin kundër në maj 2023.

Në të njëjtën intervistë, Klitschko kritikoi Zelenskyn për përqendrimin e pushtetit në zyrën e tij dhe tha se parlamenti i Ukrainës ishte bërë i parëndësishëm.

Për shkak se zgjedhjet janë të pamundura, Klitschko nxiti krijimin e një qeverie të unitetit kombëtar, për të “shmangur që të gjitha zgjedhjet e rëndësishme t’i dorëzohen vetëm Zyrës së Presidentit”, por shprehu dyshimin se Zelensky do të ishte i gatshëm të hiqte dorë nga çdo pushtet për ta arritur këtë.

Klitschko dhe Zelensky kanë qenë në mosmarrëveshje që nga viti i parë i presidentit në detyrë. Konflikti është zhvilluar në hetime të përsëritura dhe përpjekje për të hequr kryetarin e bashkisë nga Administrata Shtetërore e Qytetit të Kievit./Kyiv Independent/

Mbronte gjuhën ukrainase, vritet linguistja dhe politikania Iryna Farion në një rrugë në Lviv

Ish-deputetja dhe gjuhëtarja ukrainase Iryna Farion, 60 vjeçe, vdiq në Lviv më 19 korrik, disa orë pasi u sulmua, tha Guvernatori i Rajonit të Lviv, Maksym Kozytskyi.

Një person i armatosur qëlloi dhe plagosi për vdekje një nacionaliste, ish-deputete e parlamentit ukrainas , e njohur për fushatat e saj të hapura në favor të gjuhës ukrainase.

Policia ka nisur një gjueti për njeriun që dyshohet se qëlloi për vdekje 60-vjeçaren Irina Farion në një rrugë në qytetin e Lviv. Rasti është klasifikuar si ” vrasje në tentativë “, tha më herët Ministri i Brendshëm Ihor Klimenko. “Viktima është në gjendje kritike dhe mjekët po luftojnë për t’i shpëtuar jetën”, shtoi ai pak minuta pasi Farion u qëllua në kokë.

Megjithatë, sipas mediave ukrainase, ish-deputetja dhe gjuhëtarja ukrainase vdiq pas plagëve të marra në Lviv më 19 korrik, disa orë pas sulmit. Lajmi u konfirmua si nga guvernatori i qytetit ukrainas Maksim Kozhitsky, ashtu edhe nga kryetari i bashkisë së Lviv Andriy Sandovy.

Presidenti Volodymyr Zelensky kishte njoftuar se ishte i informuar rregullisht në lidhje me hetimet për arrestimin e personit të armatosur dhe dënonte çdo formë dhune.

Një gjuhëtare, Farion iu bashkua partisë nacionaliste Svoboda (“Liria”) në 2005 dhe u zgjodh në parlament për herë të parë dhe të fundit në 2012. Ajo ishte gjithashtu anëtare e këshillit rajonal të Lviv. Ajo u bë e njohur për fushatat e saj për të promovuar gjuhën ukrainase dhe komentet e saj përçmuese për zyrtarët e sektorit publik rusishtfolës.

Në vitin 2018, kur Ukraina po luftonte me separatistët pro-rusë, të cilët kishin pushtuar territorin në Ukrainën lindore, ajo u bëri thirrje bashkatdhetarëve të saj që “të godasin në nofull të gjithë rusishtfolësit”.

Pas pushtimit rus të Ukrainës në shkurt 2022, Farion madje denoncoi luftëtarët rusishtfolës të Batalionit Azov që mbrojtën Mariupolin për shumë muaj.

Megjithëse ukrainishtja është e vetmja gjuhë zyrtare në Ukrainë, për shumë banorë rusishtja është gjuha e tyre amtare, një trashëgimi e epokës sovjetike.

Gjuhësia ka qenë gjithmonë një çështje e mprehtë për vendin dhe parlamenti ka miratuar ligje për të promovuar gjuhën ukrainase në qeveri dhe agjencitë e shërbimit.

Image

Zelensky uron Trumpin për nominimin dhe pajtohen për “takim personal”

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky me ish-presidentin amerikan, Donald Trump, në një takim vite më parë.

 

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë të shtunën se ka folur me të nominuarin e republikanëve për president të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, dhe janë pajtuar për një “takim personal”, për të diskutuar hapat për paqe të qëndrueshme me Rusinë.

Zelensky ka folur me Trumpin më 19 korrik, një ditë pasi kandidati republikan e ka pranuar nominimin e Partisë Republikane dhe është zotuar për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, nëse fiton zgjedhjet.

“Kam biseduar me Donald Trumpin për t’ia uruar nominimin e republikanëve dhe për të dënuar atentatin tronditës ndaj tij në Pensilvani. I kam uruar forcë dhe siguri në të ardhmen”, ka thënë Zelensky përmes një postimi në X – të njohur më parë si Twitter – duke iu referuar të shtënave kundër Trumpit më 13 korrik, sa ka qenë në një tubim të fushatës.

Trump është plagosur në veshin e djathtë.

Zelensky ka thënë se është pajtuar me Trumpin “për të diskutuar në një takim personal për hapat që duhet bërë për ta bërë paqen të qëndrueshme”, pa dhënë më shumë hollësi se ku dhe kur mund të ndodhë takimi.

Trump ka thënë në platformën e vet sociale, Social Truth se ka pasur “bisedë shumë të mirë” me Zelenskyn, me të cilin kanë biseduar për luftën e Rusisë në Ukrainë.

Trump është zotuar për të sjellë paqe në botë dhe “për t’iu dhënë fund luftërave që u kushtojnë me jetë aq shumë njerëzve”.

“Të dyja palët do të mund të punojnë së bashku dhe të negociojnë një marrëveshje që i jep fund dhunës dhe i hap rrugën prosperitetit”, ka thënë Trump.

Lufta e Rusisë në Ukrainë, e nisur në shkurt të vitit 2022, ka lënë dhjetëra mijëra njerëz të vrarë në të dyja anët dhe fundi nuk i shihet.

Aktualisht, Rusia zotëron rreth 17 për qind të territorit të Ukrainës.

Thirrja e Zelenskyt është bërë në kohën kur rriten shqetësimet e Kievit dhe kryeqyteteve evropiane për një tjetër mandat të Trumpit në Shtëpinë e Bardhë.

Mundësitë e republikanëve për t’i fituar zgjedhjet e nëntorit të këtij viti janë rritur pas performancës jo të mirë të presidentit aktual, Joe Biden, 81-vjeçar, në një debat të mbajtur me Trumpin, javë më parë.

Turmp ka shprehur admirim për presidentin rus, Vladimir Putin, i ka quajtur taktikat e tij para pushtimit si “gjeniale” dhe i ka kritikuar vazhdimisht aleatët evropianë që nuk po shpenzojnë më shumë në mbrojtje të përbashkët.

Trump nuk është deklaruar publikisht se çfarë mendon për vazhdimin e ofrimit të ndihmës ushtarake për Ukrainën, ndonëse këtë javë e ka zgjedhur senatorin e Ohajos, J.D. Vance, si kandidat për nënpresident.

Senatori 39-vjeçar ka thënë se Shtetet e Bashkuara nuk kanë kapacitet ushtarak për të mbështetur Tajvanin, Izraelin dhe Ukrainën, dhe duhet t’iu japin prioritet dy të parave. REL

Ukraina thotë se është e rrethuar nga 500 mijë trupa ruse

VOA/Jeff Seldin

Ministri ukrainas i Mbrojtjes Rustem Umerov tha në Forumin e Sigurisë në Aspen të mërkurën se 500 mijë trupa ruse po rrethojnë Ukrainën dhe Rusia po shqyrton mundësinë e dislokimit të 200 mijë deri në 300 mijë trupa të tjera në muajt e ardhshëm.

Ai tha në takimin vjetor në Aspen të Kolorados se 550 mijë rusë janë vrarë ose plagosur deri tani në luftën 2-vjeçare dhe se Rusia po mbështetet shumë tek mercenarët, përfshirë ata nga Afrika.

Në lidhje me përpjekjen e Ukrainës për të bindur Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera për të hequr kufizimet mbi përdorimin e armëve me rreze të gjatë veprimi kundër objektivave në thellësi të territorit të Rusisë, zoti Umerov tha: “Ne duam ta ndryshojmë atë nga një kufizim në gjatësi në një përqendrim tek funksionaliteti i tyre.”

Ministri ukrainas i mbrojtjes Rustem Umerov.

Ministri ukrainas i mbrojtjes Rustem Umerov.

“Puna është ende duke vazhduar”, shtoi ai. “Ne duam të theksojmë se jemi duke u përqendruar në objektivat ushtarake.”

Më herët, ministria ruse e mbrojtjes tha të mërkurën se mbrojtja ajrore e vendit shkatërroi pesë dronë ukrainas, që kishin për qëllim të sulmonin rajonet Bryansk, Belgorod dhe Voronezh, që kufizohen me Ukrainën.

Zyrtarët në Bryansk dhe Voronezh thanë në platformën Telegram se nuk pati viktima apo dëme nga dronët e rrëzuar.

Në rajonin Kursk të Rusisë, i cili kufizohet me Ukrainën verilindore, guvernatori Alexey Smirnov tha se një helikopter ukrainas goditi një stacion zjarrfikësish, duke plagosur një person dhe duke dëmtuar disa makina.

Ushtria e Ukrainës tha të mërkurën se shkatërroi katër dronë rusë zbulimi.

Forcat ruse gjithashtu kryen sulme me raketa në rajonet e Odesës dhe Khersonit, thanë të mërkurën zyrtarë të forcave ajrore ukrainase.

Kryeministrja e Estonisë jep dorëheqje për t’u bërë kryediplomate e BE-së

Kryeministrja e Estonisë, Kaja Kallas, dha dorëheqje nga kjo pozitë, për t’u bërë shefe e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian në fund të vitit.

Kallas, kryeministrja e parë grua e Estonisë, i dorëzoi dorëheqjen zyrtare presidentit Alar Karis, gjatë një takimi në Pallatin Presidencial në Talin, të hënën.

Duke folur për kohën e Kallasit si kryeministre, për plot tre vjet e gjysmë, Karis tha se “ishte një kohë me plot kriza, si: koronavirusi, recesioni ekonomik dhe lufta në Evropë, kur Rusia shkatërroi tablonë e mëparshme të sigurisë me agresionin e saj në Ukrainë”.

Dorëheqja e Kallasit shkaktoi automatikisht dorëheqjen e kabinetit të saj tripartiak.

Megjithatë, ai do të vazhdojë të shërbejë si qeveri teknike, derisa të betohet kabineti i ri – me shumë gjasa në fund të korrikut ose në fillim të gushtit.

Në pozitën e lartë në BE, Kallas do të pasojë shefin e deritashëm të politikës së jashtme, Josep Borrell.

Një prej detyrave të saj pritet të jetë edhe ndërmjetësimi në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Në të kaluarën, Kallas është shprehur pro integrimit evropian të Kosovës dhe ka theksuar, po ashtu, nevojën e përmirësimit të marrëdhënieve me Serbinë, duke thënë se një Ballkan Perëndimor i sigurt “është në interesin e gjithë Evropës”. REL

Tsikhanouskaya i bën thirrje Perëndimit të jetë i bashkuar kundër Rusisë

liderja opozitare bjelloruse në mërgim, Svyatlana Tsikhanouskaya

 

Liderja në mërgim e Lëvizjes Demokratike të Bjellorusisë, Svyatlana Tsikhanouskaya, u ka bërë thirrje liderëve të Perëndimit të jenë të “bashkuara” dhe të “vendosur” për t’i bërë ballë “synimeve imperialiste të Rusisë”.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë në margjinat e samitit të NATO-s në Uashington, Tsikhanouskaya argumentoi se populli i Ukrainës nuk po lufton vetëm për vendin e vet, por gjithashtu edhe për “vlerat e vendeve demokratike”.

“Më besoni, nëse e lejojmë Ukrainën ta humbë luftën e saj, bota demokratike – Evropa e fuqishme apo SHBA-ja – do të jenë të radhës që do të sulmohen nga diktatura”, tha ajo.

Tsikhanouskaya, 41 vjeçe, është ish-mësimdhënëse e cila garoi për presidente në Bjellorusi më 2020, pasi burrit të saj, Syarhey Tsikhanouski, iu ndalua pjesëmarrja në zgjedhje dhe u burgos.

Ajo u detyrua të ikë në Lituani gjatë luftës brutale kundër një vale protestash prodekomratike, të cilat shpërthyen pasi liderit Alyaksandr Lukashenka iu dhurua mandati i gjashtë presidencial në zgjedhjet e kontestuara.

“Fatet e Bjellorusisë dhe Ukrainës janë të ndërthurura. Ne i inkurajojmë plotësisht vendet e NATO-s për t’i mbështetur ukrainasit dhe për t’i dhënë Ukrainës gjithçka që ka nevojë për ta fituar këtë luftë. Por, mos e lini anash Bjellorusinë”, theksoi ajo.

Tsikhanouskaya shtoi se “diktatorët” si Lukashenka dhe presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, i shohin plogështinë dhe pavendosmërinë e Perëndimit si “dobësi”.

“Dhe ata mendojnë se mund t’i kalojnë vijat e kuqe vazhdimisht”, tha ajo, duke shtuar se ata po e sfidojnë botën Perëndimore për të mësuar se sa larg mund të shkojnë derisa të përballen me një përgjigje.

“Prandaj të gjitha tanket dhe pajisjet e mundshme për Ukrainën është dashur të ishin atje qysh dje. Ne nuk kemi kohë”, nënvizoi ajo.

“Unë po pres unitet dhe vendosmëri nga vendet e NATO-s, sepse këtë po e presin njerëzit të cilët po luftojnë kundër tiranisë, kundër synimeve imperialiste të Rusisë, dhe kundër diktatorëve të botës”, përfundoi Tsikhanouskaya. REL

Norvegjia do t’ia dhurojë Ukrainës gjashtë avionë luftarakë F-16

Dy avionë luftarakë F-16. (Fotografi nga arkivi)

 

Norvegjia do t’ia dhurojë Ukrainës gjashtë avionë luftarakë F-16, për ta ndihmuar të mbrohet kundër sulmeve ajrore ruse, tha Qeveria norvegjeze në një komunikatë të mërkurën.

Ky njoftim vjen në ditën kur liderët e vende anëtare të NATO-s po marrin pjesë në një samit në Uashington. Ata pritet të njoftojnë për ndihmën e re që do t’ia japin Ukrainës në luftën e saj kundër pushtimit nga Rusia, i cili nisi në shkurt 2022.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, dëshiron që vendet anëtare t’i dërgojnë Kievit më shumë armë dhe para, si dhe t’i ofrojnë garanci të sigurisë, me shpresë se kjo do ta ndryshojë rrjedhën e luftës.

Kryeministri norvegjez, Jonas Gahr Stoere, tha se dërgimi i avionëve F-16 do të fillojë këtë vit.

“Të kombinuar me sisteme mbrojtëse ajrore, avionët luftarakë do të jenë jetikë për t’ia mundësuar Ukrainës të mbrohet kundër sulmeve ajrore ruse”, tha Stoere në një komunikatë.

Kryeministri për herë të parë njoftoi në gusht të vitit të kaluar se Norvegjia do t’i dërgonte Kievit avionë F-16, por nuk tregoi sasinë asokohe.

Prej atëherë, Oslo i ka dërguar dy avionë F-16 në Danimarkë që ata të përdoren për trajnimin e pilotëve ukrainas.

Ukraina ka kohë të gjatë që dëshiron t’i ketë në dorë avionët luftarakë F-16, për shkak të fuqisë së tyre shkatërruese.

Ndërkohë, Danimarka është zotuar se do t’i dhurojë 19 avionë luftarakë në përgjithësi Ukrainës, ndërsa Holanda ia ka premtuar 24 sosh. Këto dy vende kanë qenë forcë shtytëse e koalicionit ndërkombëtar për furnizimin e Ukrainës me avionët F-16.

Forca Ajrore e Norvegjisë i zëvendësoi avionët e vet F-16 me modelin pasardhës F-35. REL

Le Pen në hetim nga Prokuroria e Parisit, dyshime për financime të paligjshme

Prokuroria në Paris ka nisur një htim paraprak ndaj Marine Le Pen me dyshimin për financim të paligjshëm të fushatës presidenciale në zgjedhjet e vitit 2022.

Prokuroria e Parisit konfirmoi për AP se më 2 korrik nisi një hetim gjyqësor me akuzën e pranimit të një kredie financiare, përvetësimit, mashtrimit dhe falsifikimit, pa dhënë një shpjegim të detajuar.

Le Pen nuk i komentoi akuzat.

Një hetim paraprak u hap në bazë të raportit të vitit 2023 të Komisionit Kombëtar për Financimin Politik, organi përgjegjës për monitorimin e shpenzimeve të kandidatëve.

Në zgjedhjet franceze, kandidatëve u ndalohet të kalojnë një kufi të caktuar shpenzimesh.

Por, 55-vjeçarja që drejton Tubimin Kombëtar në Francë, nuk është kandidatja e vetme në zgjedhjet presidenciale të vitit 2022, që po hetohet.

(BalkanWeb)

Ukrainasit kryejnë sulm me dronë në Rusi, qëllimi ishin rafineritë e naftës, bazat ajrore dhe stacionet elektrike

Agjensitë ukrainase të inteligjencës kanë kryer një sulm mbi bazat ajrore ruse, stacionet e energjisë elektrike si dhe rafineritë e naftës në tre rajone të ndryshme.

Sulmi është kryer nga inteligjenca ukrainase e njohur si SBU në bashkëpunim me inteligjencën ushtarake HUR, që kishin për qëllim bazën ajrore Akhtubinsk në rajonin e Astrakhanit në Rusi, trafo stacionin në rajonin Rostov si dhe një rafineri nafte në Kalach-na-Don në rajonin e Volgogradit.

Një sulm i ngjashëm mbi bazën ajrore Akhtubinsk ka ndodhur muajin e kaluar, ku i janë dëmtuar rusëve dy aeroplanë luftarakë Su-57.

Ajo gjendet rreth 450 kilometra në lindje të kufirit me Ukrainën, dhe rreth 30 kilometra në perëndim të kufirit Rusi-Kazakistan.

Sulmet i kanë konfirmuar edhe autoritetet ruse, por duke tentuar të minimizojnë dëmet që mund t’u jenë shkaktuar nga sulmet me dronë kamikaz. sn

Emmanuel Macron i kërkon Gabriel Attal të qëndrojë në detyrë

Presidenti francez refuzon dorëheqjen e kryeministrit “për momentin” për të “siguruar stabilitetin e vendit” – Jean-Luc Mélenchon: “Gati për të qeverisur me dekrete”

VOAL- Presidenti francez Emmanuel Macron i kërkoi kryeministrit Gabriel Attal të qëndrojë “për momentin”, për të “siguruar stabilitetin e vendit”. Attal u prit këtë të hënë në mëngjes në Elysee në një vizitë zyrtare për të dorëzuar dorëheqjen e tij, e cila u refuzua.

Ministri i Ekonomisë dhe Financave, Bruno Le Maire deklaroi në “X” se ekziston rreziku i një “krize financiare” dhe një “rënie ekonomike të Francës” pas “rendit të ri politik” që u vendos pas zgjedhjeve legjislative. Zgjedhje në të cilat askush nuk ka arritur shumicën absolute.

Sipas Le Maire, Fronti i Ri Popullor (NFP), i cili mori më shumë vende, “do të shkatërronte rezultatet e politikës që kemi zhvilluar për shtatë vjet”. Por edhe midis lëvizjeve NFP nuk ka unanimitet se kush duhet të udhëheqë Ekzekutivin.

“Ne jemi gati të qeverisim edhe me dekrete”, deklaroi lideri i lëvizjes La France Insoumise dhe i Frontit të Ri Popullor që fitoi shumicën relative në Asamblenë Kombëtare Jean-Luc Mélenchon, ndërsa për sekretarin socialist Olivier Faure na duhet një personalitete të aftë për të komunikuar me jashtë, duke përjashtuar kështu Mélenchon-in përçarës.RSI


Send this to a friend