Kryeministri Rama mbajti një fjalim të gjatë mbi një orë, pas protestave kundër ndërtimeve në zonën e Pishë Poro-Nartës dhe zemërimit publik që shkaktoi dhuna e policisë private në zonën e rrethuar.
Edhe pse e cilësoi si “të neveritshëm” aktin e tërheqjes zvarrë të protestuesit nga rojet private dhe mbrojti shkarkimin e drejtuesve lokalë të policisë, pjesa më e madhe e fjalimit nuk u përqendrua te pyetjet që kanë ngritur qytetarët dhe organizatat mjedisore.
Në vend të kësaj, Rama ndërtoi një narrativë ku kundërshtimi ndaj projektit lidhej me dezinformimin, interesat e huaja, mediat greke, kundërshtarët politikë dhe figura publike që kanë dalë kundër investimit.
“Si mund të jenë gazetat e Greqisë aleatët tuaj në mbrojtjen e mjedisit të Shqipërisë? Pyeteni veten, si ndodh kjo. Gazetat greke që janë mbushur sot të gjitha me kauzën tuaj. Ka diçka këtu që nuk shkon, apo u gjet tradhtari, u gjet shitësi i atdheut, u gjet i korruptuar i dhe ai është Kryeministri juaj”, u shpreh Rama.
Ndërsa zemëratës në rrjetet sociale që sipas tij e treguan me gisht si prurësin e një fatkeqësie të madhe iu përgjigje: “Ç’më duhet karrigia, pushteti nëse duhet të heq dorë nga vizioni që kam ndarë me ju gjithë këto vite? Heq dorë nga ambicia për ta bërë Shqipërinë një vend që mos të ketë zili askënd, për çfarë më duhet pushteti dhe karrigia?”
Ndërsa u shpreh se investimi shkon në 4 miliardë euro, duke bërë bashkë partnerë të jashtëzakonshëm.
“Dhe jo nga Izraeli, mund të ishte fare mirë edhe Izraeli, por nga Katari që nuk besoj se mund të konsiderohet nga ata që i thonë vetes myslimanë, por vetëm myslimanë nuk janë”, u shpreh ai.
Sipas Rigels Xhemollarit nga Qëndresa Qytetare, kryeministri u zu ngushtë nga presioni qytetar.
“U mundua të transferojë zemëratën tek shteti grek apo tek myslimanet e Shqipërisë duke e konsideruar si një gjuhë urrejtje ndaj Izraelit e jo një problem qe lidhet me shtetin e së drejtës dhe lirinë e protestës”, u shpreh Xhemollari.
Sipas Xhemollarit viktimizimi i tij i përhershëm në raste të tilla tregon se qeveria nuk ka pasur nën kontroll zonën dhe ligjshmërinë e projektit në raport me zonat e mbrojtura.
Pak përgjigje në narrativën e gjetjes së kundërshtarëve
Sipas Ramës, projekti ka nisur si interesim nga ana e investitorëve në vitin 2023, bashkë me Sazanin.
“Qëndrimi ynë që në ditën e parë ka qenë: Sazani është tokë publike. Ne jemi të gatshëm të punojmë me ju dhe kini parasysh që ajo tokë nuk shitet. Ne duam që shteti shqiptar të jetë palë, ortak, qeveria e kryeministrit tuaj që e keni votuar dhe sot, duke iu bashkuar zemëratës, e konsideroni shitës dhe të korruptuar”, u shpreh Rama, duke e lidhur interesimin me Jared Kushner, për shkak të promovimit të projektit prej tij.
Sipas tij, investitorët kanë angazhuar ekselencën botërore në arkitekturë, inxhinieri e mjedis. Ndërsa ende nuk janë mbyllur negociatat.
Sa i takon rrethimit në Zvërnec, Rama u shpreh se është bazuar te leja e zhvillimit, ndërsa nuk ka ende një leje ndërtimi.
“Rrethimi i pronës është e drejtë e çdo pronari kur merr lejen e zhvillimit. Pretendimet janë legjitimime, por ato zgjidhen ne gjykata”, u shpreh ai ndërsa solli në vëmendje edhe rasti ne Rrjollit.
“Siç ndodhi në Bjaks Rjoll ku toka ishte e blerë nga pronarët atje që kishin letrat. Nuk mund të zhvillohet vendi nëse mbetet pezull mbi titujt e pronësisë dhe mbi zhvillimet. Pas gjithë katrahurës që ne kemi të trashëguar për fat të keq”.
Ndërsa për zonën e Pishë Poro-Nartë ai i qëndroi deklaratës së Ministrit të Mjedisit për kategorinë e pestë që ka kjo zonë.
“Kategoritë 5, 6 janë të ndërtuara si kategori bashkëjetese mes peizazhit dhe njeriut. Kategoria 5 nuk konceptohet si zonë pa zhvillim”, deklaroi ai ndërsa u shpreh më tutje se nuk po ndërtohet në Vjosë dhe nuk po shkatërrohet grykëderdhja e Vjosës.
“Vjosa ka nivelin më të lartë të mbrojtjes dhe aty nuk mund të bëhen dot resorte”, deklaroi Rama.
Më tutje ai nënvizoi se projekti ishte kthyer disa herë nga qeveria për të përmbushur standardet.
“Në mars të 2026, është paraqitur një projekt krejt tjetër i rikonceptuar me një qasje tërësisht ndryshe, projektuese, zhvillimore, mjedisore. Këshilli Kombëtar i Territorit nuk e kanë miratuar të gjithin ashtu siç e kanë paraqitur, por kanë vendosur kushte dhe kufizime konkrete për vijimin e projektit”, deklaroi Rama.
Ndërsa shtoi se projekti do të zhvillohet në prona private me titull pronësie që njihen në kadastër dhe zhvillimi nuk përfshin ndërtimin e marinës.
Deri më tani sipas Ramës nuk ka ende një projekt të miratuar dhe leja e vetme është ajo e infrastrukturës.
“Leja e infrastrukturës në prill 2026 është dhënë për realizimin e rrugëkalimeve të nevojshme për vendosjen e pajisjeve të përkohshme që do të vendosen për studimin e biodiversitetit, ujit dhe lagunës. Ka nevojë për rrugë kalime për të vendosur pajisje që do të bëjnë studimet të biodiversitetit. Sepse paralelisht me arkitektët punon një studio mjedisore prestigjioze”, u shpreh ai.
Mirëpo, çfarë Citizens ka dëshmuar në terren janë hapje rrugësh dhe makineri të rënda që shtrojnë zhavorr.
“Laguna në pikë të hallit”
Në fund të fjalës së tij Rama u shpreh se Laguna e Natës “është në pikë të hallit” dhe se ndërhyrjet e planifikuara do të ndihmojnë në përmirësimin e saj.
Por sipas Aleksandër Trajçes, drejtues i organizatës mjedisore PPNEA ky është një vlerësim që nuk mbështetet në tregues shkencorë.
“Kur thua se laguna është në pikë të hallit, hyn në interpretime subjektive. Cilësia e një lagune për biodiversitetin nuk matet me fjalë popullore, por me fakte shkencore”, thotë Trajçe për Citizens.al
Trajçe argumenton se vetë statuset që gëzon zona dëshmojnë rëndësinë e saj ekologjike.
“Laguna e Nartës është pjesë e zonave ndërkombëtare të rëndësishme për shpendët (IBA), zonë kyçe për biodiversitetin dhe zonë kandidate Emerald, pararendëse e rrjetit Natura 2000 të Bashkimit Evropian”, u shpreh Trajçe.
Sipas tij, po të ishte në pikë të hallit nuk do ti kishte këto statuse.
Trajçe argumenton se ndërhyrjet artificiale nuk mund të zëvendësojnë proceset natyrore.
“Çdo ndërhyrje me makineri për përmirësim që mendon Kryeministri nuk e bëjnë kurrë punën e mirëmbajtjes së lagunës siç e bën natyra vetë. Natyra është vetë rregulluesi më i mirë”, argumentoi Trajçe.
Ndryshimi i ligjit në 2024 dhe “detaji djallëzor” që hapi rrugën për “zhvillim”
Në fjalën e tij, Rama mbrojti ndryshimet në vitin 2024 për ligjin e zonave të mbrojtura duke argumentuar se synonin të krijonin nëj ekuilibër mes zhvillimit dhe mbrojtjes së natyrës.
Por sipas Trajçes, pikërisht këto ndryshime përbëjnë thelbin e debatit aktual.
Aleksandër Trajçe shpjegon se përveç lejimit të investimeve të konsideruara si “investime të ekselencës“, ligji hoqi një element kyç për zonat e kategorisë së pestë: sistemin e nënzonimit.
Më parë, edhe brenda një peizazhi të mbrojtur ekzistonin nënzona me nivele të ndryshme mbrojtjeje. Zona ku planifikohet zhvillimi në Zvërnec, sipas tij, bënte pjesë në nënzonën qendrore me regjim më të rreptë mbrojtjeje.
“Me ligjin e vjetër nuk mund të kryhej një ndërhyrje e tillë. Pas ndryshimit të vitit 2024 u hoq koncepti i nënzonimit dhe praktikisht u hap i gjithë territori”, thotë Trajçe.
Ai e konsideron këtë ndryshim si një nga arsyet kryesore pse projekti mund të ecë përpara sot, ndërsa kujton se vetë qeveria është angazhuar në procesin e negociatave me Bashkimin Evropian që ta rishikojë ligjin dhe ta përafrojë me standardet evropiane.
“Tashmë qeveria e ka pranuar që janë të gabuara ato ndryshjime dhe kanë renë dakord me Komisionin Evropian në Komisionin negociues që këtë ligj do ta ndryshojnë dhe do ta rikthejnë me standardet e BE-së”, tha Trajçe.
“Çfarë po ndodh në terren është ky vrulli që i bëjmë këto gjëra sa e kemi ligjin kështu tani në këtë formë, ti bëjmë, faktet e kryera dhe në kohën që do ndryshojmë ligjin, situata të ketë progresuar sa të mos kthehet më pas”, përfundoi Trajçe.
“Turizmi elitar na nxjerr nga varfëria”
Unë dua të lë gjëra që t’i bëjnë krenarë fëmijët tanë deklaroi Rama në fjalën e tij, duke e lenë rritjen ekonomike të vendit në dorë të investimeve turistike.
“Na duhet ta rrisim PBB apo jo? Unë dua ta çojmë 35 miliardë deri në fund të dekadës. Si do ta mbështesim bujqësinë, e dini sa duhet në këto investime ushqim. Ku do ti marrin ata?” tha ai në mesin e vëmendjes së imponuar të socialistëve.
Sipas Ramës, nëse investitorët largohen problemi nuk është vetëm Zvërneci.
“Problemi është se nuk do të vijnë më të tjerë për kushedi sa kohë, sepse do të thonë: ‘Kur nuk ia dolën këta, nuk ka njeri që merret vesh me ata atje”, u shpreh ai.
Ndërsa paralelizoi situatën me Greqinë, Malin e Zi, Kroacinë dhe mos pasjen e zilisë për këto vende nëse ju themi po zhvillimit turistik përmes resorteve në zona të mbrojtura.
“Duam të konkurrojmë ne me këta? Të rrimë te turizmi i masës me bukë me vete që prodhojnë më shumë mbetje sesa të ardhura, është zgjedhje që mund ta bëni, me mua jo. Na është dashur se është turizmi i ambasadorëve, tani na duhet ambasadori i klasit që të na sjellë shumë para”, deklaroi Rama.