Mediat e huaja i kanë kushtuar vëmendje protestës së radhës kombëtare të opozitës, përmes së cilës kërkohet largimi i qeverisë së kryeministrit Edi Rama pas skandalit që ka përfshirë vartësen e tij, Belinda Balluku, e marrë nën akuzë nga SPAK për abuzime me tenderat.
“Akuzat për korrupsion shkaktojnë përleshje në Shqipëri midis policisë dhe protestuesve”, shkruan Retuers, duke raportuar atë që ndodhi mbrëmjen e sotme në protestë, dhe duke shtuar se protestuesit kërkonin largimin e qeverisë pas akuzave kundër zv kryeministres Balluku, ndërsa policia i qëlloi me gaz lotsjellës dhe ujë.
“Demonstruesit hodhën bomba molotov dhe fishekzjarrë drejt zyrës së Kryeministrit Edi Rama, ndërsa policia u përgjigj me gaz lotsjellës dhe topa uji. Tensionet politike janë përshkallëzuar që nga dhjetori, pasi një njësi e prokurorisë speciale ngriti padi ndaj zëvendëses së Ramës, Belinda Balluku, për ndërhyrje të dyshuar në tenderët publikë për projekte të mëdha infrastrukturore dhe favorizim të kompanive të caktuara, akuza që Balluku i mohon.”, shkruan Reuters.
Më tej, Reuters shkruan se mijëra mbështetës të PD brohorisnin “Rama ik” dhe “Rama në burg”, duke mbajtur flamuj shqiptarë dhe të partisë.
“Ditët e Edi Ramës janë të numëruara”, tha kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha. “Lërini ta dinë se edhe nëse shkojnë pas diellit, ne do t’i gjejmë dhe do t’i ndëshkojmë me forcën e plotë të ligjit.”, citon Reuters fjalën e kryedemokratit.
Edhe Associated Press ka shkruar një artikull për protestën e opozitës, me titullin: “Zjarr, fishekzjarrë, gaz lotsjellës dhe shpërthime gjatë protestës antiqeveritare në kryeqytetin e Shqipërisë.” Në artikull përmenden se protestat janë nxitur nga korrupsioni i zëvendës kryeministres dhe ministres së pezulluar Belinda Balluku.
“Shpërthime u dëgjuan gjithashtu gjatë demonstratës që kërkonte dorëheqjen e kryeministrit të vendit Edi Rama. Kohët e fundit, qeveria e Ramës është kritikuar ashpër për akuzat për korrupsion që përfshijnë zëvendëskryeministren Belinda Balluku. Prokurorët antikorrupsion e kanë akuzuar Ballukun, e cila është gjithashtu ministrja e energjisë dhe infrastrukturës së vendit, për ndërhyrje në prokurimin publik për projektet e ndërtimit për të favorizuar kompani të caktuara dhe kanë kërkuar heqjen e imunitetit të saj.”, shkruan AP. gsh

