VOAL

VOAL

Putini takohet me Le Penin, thotë se nuk po kërkon të ndërhyjë në zgjedhje

March 24, 2017

Komentet

Porta e Shenjtë e Shën Marisë do të hapet nga Papa më 1 janar 2025, të çon në misterin e Mishërimit

Porta e Shenjtë e Shën Marisë së Madhe do të hapet nga Papa më 1 janar 2025. Bazilika, e ndërtuar me urdhër të Papës Liberius në vendin ku, në gusht 359, nisi një reshje e mrekullueshme bore, ruan brenda saj reliket e Djepit a Grazhdit të Shenjtë. Prandaj njihet si Sancta Maria ad Praesepem, kryevepër e artit mesjetar. Është fjala për skenën e lindjes së Krishtit nga Arnolfo di Cambio, një nga veprat më të lashta artistike të Lindjes së Krishtit.

Një ngjarje e mrekullueshme: një reshje bore në mes të verës në Romë. Ashtu si ia zbuloi Zoja në ëndërr Papës Liberius, Pasardhësit të 36-të të Pjetrit.

Image
Papa Liberius shënon perimetrin e bazilikës së S. Maria Maggiore në dëborë, Cappella Paolina, Santa Maria Maggiore

Perimetri i shënuar mbi borë

Është 5 gushti i vitit 359. Kodra Esquiline zbardhet nën flokët e dëborës. Flokët e rënë në tokë shënojnë perimetrin, mbi të cilin do të ndërtohet një tempull kushtuar Virgjërës. Është bazilika Santa Maria Maggiore, e njohur si “Liberiane”.

“Tempulli origjinal sigurisht që nuk ishte i tillë. Ishte një bazilikë shumë më modeste, me një navatë të vetme” – shpjegon për Vatican News Imzot Ivan Ricupero, Mjeshtër i Kremtimeve Liturgjike të Bazilikës Papnore në Santa Maria Maggiore.

“Gjithçka tjetër është shtuar gjatë shekujve. Bazilika u rindërtua në 432 me Papën Sixtus III. Mozaikët e harkut të triumfit të kujtojnë pikërisht atë çast historik”.

Betlehemi i dytë

Me Papën Sixtus III, Bazilika mori menjëherë, simbolikisht, karakterin e “Betlehemit të dytë”. Brenda saj u ndërtua një Orator i Lindjes, riprodhim besnik i shpellës në të cilën lindi Jezusi, i realizuar me gurë nga Toka Shenjte. Për më tepër, rreth mesit të shekullit të VII, pikërisht në vitin 644, këtu mbërriti dhurata e çmuar që Patriarku i atëhershëm i Jeruzalemit, Shën Sofroni, i bëri Papës Teodori I, me origjinë nga Jeruzalemi: reliken e Djepit Shenjt ose kunabulum.

Relikja e çmuar

Në atë kohë, sulme të shumta persiane kishin shkatërruar shumë vende të lidhura me kujtimin e jetës së Krishtit. Shenjtori, murgu dhe teologu i ardhshëm, mbrojtësi i flaktë i Ortodoksisë, i dhuroi Papës pesë shufra prej druri të fikut nga grazhdi i Betlehemit, së bashku me pelenat, mbi të cilat, sipas traditës, ruhet trupi i vogël i Jezusit në brendësi të relikuarit të çmuar prej kristali, të zbukuruar me basorelieve argjendi, krijuar nga Giuseppe Valadier në fillim të shekullit të tetëqindtë.

Është e vendosur në Confessio, e zbukuruar me mbi 70 mermere të ndryshme nga Piu IX, që përkujtohet nga një shtatore vigane, e gjunjëzuar, që shikon drejt mozaikut të absidës, ku soditet Kurorëzimi i Virgjërës.

Mesha e parë e Krishtlindjes

Prandaj nuk është rastësi që Bazilika Liberiane, e quajtur Sancta Maria ad Praesepem për shekuj me radhë u bë cak lutjesh për shtegtarët “romakë” gjatë kremtimit të Krishtlindjeve, si dhe objekt përkushtimi e bujarie të madhe nga ana e papëve dhe sovranëve. “Që atëherë, Mesha e Krishtlindjes u kremtua në këtë Bazilikë – vazhdon Imzot Ricupero – Pak e dinë se Nata e parë e Krishtlindjes u kremtua këtu. Më pas ky zakon u transmetua dhe u bë traditë liturgjike e Kishës Katolike në mbarë botën.

Image
Një hollësi e Djepit a Grazhdit të Shenjtë

Për shekuj me radhë, natën e 24 dhjetorit, Papa vinte këtu për të kryesuar meshën e mesnatës dhe deri para urgjencës së pandemisë, relikja u mbart me procesion përgjatë navatave për të kënduar Glorian “Lumni i qoftë Zotit në qiell – e paqe mbi tokë njerëzve vullnetmirë!”. “Që nga viti i kaluar”, saktëson prifti, “vendosëm ta nxjerrim sërish jashtë tekës së tij, të ngritur lart, në mënyrë që të nderohet natën e Krishtlindjes e deri në ditën e  Epifanisë – a të Ujit të Bekuar”.

Zhvendosja e  Oratorit të skenës së Lindjes

Oratori i lashtë i Skenës së Lindjes, që fillimisht ishte vendosur në navatën e djathtë të Bazilikës, falë një sistemi të sofistikuar rrotullash dhe çikrikësh të projektuar nga arkitekti Domenico Fontana, u zhvendos nën tabernakullin madhështor prej bronzi të praruar të Kapelës monumentale të të Shenjtnueshmit Sakrament, ndërtuar në vitin 1590 nga Papa Sixtus V Peretti, në përputhje me normat e Koncilit të Trentit.

Mesha e parë e Shën Injacit dhe vizioni i Shën Gajtanit të Thiene-s

I rrethuar nga afreske kushtuar paraardhësve të Krishtit dhe tregimeve të Virgjërës, Papa i Rilindjes paraqitet në murin e majtë të kapelës në monumentin funebër që i kushtohet: në lutje, me sytë drejtuar kah altari mesjetar i Oratorit të Shpellës së Betlehemit ku, në netët e Krishtlindjeve të 1517 dhe 1538, Shën Gajtani i Thienës pati vegimin mistik të  Krishtit Fëmijë e Shën Injaci i Lojolës kremtoi meshën e tij të parë. “Themeluesi i Shoqërisë së Jezusit”, shpjegon imzot Ivan Ricupero, “do të kishte dashur ta festonte në Betlehem, por nuk mundi ta bënte këtë për shkak të një sërë situatash të paparashikuara. Ai e realizoi ndjetin këtu, në Santa Maria Maggiore, në këtë vend që konsiderohet si Betlehemi i Romës”.

Betlehemi i Arnolfos

Në këtë mjedis u vendos ajo, që konsiderohet si skena më e vjetër e lindjes në historinë e skulpturës, e krijuar nga Arnolfo Di Cambio më 1289, porositur nga Papa i parë françeskan, Nikolla IV, më pak se shtatëdhjetë vjet pas paraqitjes së gjallë të Lindjes së Krishtit, realizuar nga Shën Françesku në Greccio.

Betlehemi i Arnolfo di Cambio

Nga kjo kryevepër unike e artit plastik mesjetar, e përmendur edhe nga Vasari, të paktën pesë statuja origjinale prej mermeri kanë mbijetuar: Shën Jozefi, dy Mbretër Dijetarë në këmbë, i treti që lutet në gjunjë, kokat e kaut dhe gomarit. Gjithë këtyre u shtohet Zoja me Foshnjën e ulur në një shkëmb dhe me përmasa më të mëdha: rreth një metër lartësi. Atribuimi i këtij të fundit Arnolfos është i diskutueshëm pasi, sipas disa studiuesve, u ripunua shumë në shekullin e gjashtëmbëdhjetë. Gjurmët e pigmentit të pranishëm në gur tregojnë se si Betlehemi origjinal prej guri, për të cilën nuk dihet numri i saktë i shtatoreve, duhet të ketë qenë i ngjyrosur.

Ashtu si barinjtë e thirrur nga engjëlli për lindjen e Shëlbuesit, në Vitin Shenjt 2025 shumë shtegtarë do të mbërrijnë në Bazilikën Liberiane, Betlehem i Perëndimit.

Papa do të hapë Derën e Shenjtë të Shën Marisë së Madhe më 1 janar 2025, në solemnitetin e Marisë, Nënës së Shenjtë të Zotit “Që në vitin 1390 – përfundon Imzot Ivan Ricupero – ka të dhëna që vërtetojnë se këtu ka pasur një derë shenjte, që besimtarët mund ta kalonin për të marrë dhuratën e faljes së mëkateve. Të vizitosh këtë Bazilikë të lidhur me Lindjen e Krishtit për shtegtarët dhe turistët është mundësi për t’iu afruar misterit të madh të Mishërimit”.

Image

Druri i fikut i Djepit të Shenjtë

Image

Inspektimi i relikteve të Djepit të Shenjtë

Image

Porta Shenjte e Shën Marisë së Madhe sn

SHBA-ja raportohet se u informua për një komplot iranian për vrasjen e Trumpit

Radio Evropa e Lirë

Një informator u tha autoriteteve amerikane së voni se Irani po bënte komplot për të vrarë ish-presidentin amerikan, Donald Trump, raporton CNN, duke cituar burime në dijeni për këtë çështje.

Në përgjigje, Shërbimi Sekret i SHBA-së e rriti sigurinë rreth Trumpit – me agjentë shtesë kundër-sulm dhe kundër-snajper, dronë dhe qen robotikë, raporton rrjeti televiziv.

Sipas burimit të njëjtë, Thomas Matthew Crooks, i cili u përpoq ta vriste Trumpin më 13 korrik, nuk duket se ka pasur lidhje me komplotin iranian.

Ish-zyrtarë të administratës Trump, përfshirë këshilltarin e tij për sigurinë kombëtare, John Bolton, dhe sekretarin e Shtetit, Mike Pompeo, thuhet se kanë marrë po ashtu kërcënime nga Irani.

Kjo, pasi Qasem Soleimani, ish-komandant i Forcave elitare Quds të Korpusit të Gardës Revolucionare të Iranit, është vrarë në janar të vitit 2020 në një sulm të forcave amerikane, nën komandaën e presidentit të atëhershëm, Trump.

Irani u zotua se do të hakmerrej për këtë vrasje.

Misioni i Iranit në Kombet e Bashkuara tha se raportet për komplotin iranian për vrasjen e Trumpit, janë “të pabazuara dhe keqdashëse”, dhe shtoi se Trump është “një kriminel që duhet të ndiqet penalisht dhe të dënohet në gjykatë”.

Anthony Guglielmi, zëdhënës i Shërbimit Sekret të SHBA-së, tha se ai dhe agjencitë e tjera “kanë marrë vazhdimisht informacione të reja për kërcënime të mundshme” dhe se ata “kanë ndërmarrë veprime për t’i përshtatur burimet sipas nevojës”.

“Ne nuk mund të komentojmë për ndonjë rrjedhë specifike të kërcënimeve, përveçse të themi se Shërbimi Sekret i merr seriozisht ato dhe përgjigjet në përputhje me rrethanat”, tha Guglielmi.

Adrienne Watson, zëdhënëse e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, tha se zyrtarët amerikanë të sigurisë i kanë përcjellë me vite “kërcënimet e Iranit kundër ish-zyrtarëve të administratës Trump”.

“Këto kërcënime kanë lindur nga dëshira e Iranit për t’u hakmarrë për vrasjen e Soleimanit”, tha ajo, raporton BBC. “Ne e konsiderojmë këtë si çështje të sigurisë kombëtare me prioritetin më të lartë”, shtoi Watson.

Megjithatë, ajo përsëriti se hetimet “nuk kanë identifikuar lidhje” midis Crooksit dhe “ndonjë bashkëpunëtori të huaj apo vendas”.

Crooks qëlloi në drejtim të Trumpit, duke e plagosur në vesh, derisa ai po fliste në një tubim në Batlër të Pensilvanisë, më 13 korrik.

Një person në audiencë u vra dhe dy të tjerë u plagosën.

Crooks, 20 vjeç, u qëllua dhe u vra nga Shërbimi Sekret, por motivi i tij mbetet i paqartë.

Pas sulmit u ngritën pyetje sesi oficerët e policisë dhe agjentët përgjegjës për tubimin, e lejuan Crooksin të afrohej aq shumë.

Shërbimi Sekret pranoi se policia lokale ishte brenda ndërtesës, ndërsa Crooks ishte në çatinë e saj, duke shënjestruar Trumpin nga 130 metra largësi.

CBS News raportoi se tre snajperistë të policisë lokale ishin brenda ndërtesës dhe se e kishin parë Crooksin duke u ngjitur në çati.

Presidenti amerikan, Joe Biden, urdhëroi një rishikim të pavarur të mënyrës sesi personi i armatosur ka arritur deri aty.

Shërbimi Sekret do të përballet gjithashtu me hetime nga Kongresi.

Përgatiti: Valona Tela

Një diplomat i lartë i Koresë së Veriut u arratis për në Korenë e Jugut

Mësohet se një diplomat i profilit të lartë të Koresë së Veriut i vendosur në Kubë ka dezertuar për në Korenë e Jugut. Këtë e ka konfirmuar agjencia e spiunazhit të Seulit për BBC.

Këshilltari politik besohet të jetë diplomati më i lartë i Koresë së Veriut që është arratis për në Korenë e Jugut që nga viti 2016.

Diplomati ka dezertuar që në nëntor, tha Shërbimi Informativ Kombëtar (NIS). Hollësitë rreth dezertimeve të koreano-veriorëve shpesh duhen muaj që të dalin në dritë pasi të larguarit duhet të ndjekin kurse për shoqërinë koreano-jugore përpara se të integrohen zyrtarisht.

Mediat e Koresë së Jugut thonë se i larguari ishte një këshilltar përgjegjës për çështjet politike në ambasadën e Koresë së Veriut në Kubë.

Shërbimi sekret jugkorean NIS nuk e ka konfirmuar këtë për BBC.

Gazeta Chosun Ilbo tha se ishte në gjendje të intervistonte diplomatin, të cilin e identifikoi si 52-vjeçarin Ri Il Kyu.

Gazeta shtoi se ai u largua për shkak të “zhgënjimit me regjimin e Koresë së Veriut dhe një të ardhmeje të zymtë”.

Puna e tij thuhet se përfshinte ndalimin e Havanës nga krijimi i marrëdhënieve zyrtare diplomatike me Seulin.

Megjithatë, në shkurt, të dy qeveritë vendosën marrëdhënie zyrtare, në atë që u pa si një pengesë për Phenianin.

“Çdo koreano-verior mendon të paktën një herë për të jetuar në Korenë e Jugut”, citon gazeta të ketë thënë ai.

Dezertimi i fundit i njohur i profilit të lartë në Jug ishte ai i Tae Yong-ho në vitin 2016. Ai është ish-zëvendës ambasadori i Koresë së Veriut në Mbretërinë e Bashkuar.

Të dielën, Koreja e Jugut mbajti ceremoninë e saj të parë të Ditës së Dezertorëve të Koresë së Veriut.

Në fjalën e tij në ceremoni, presidenti i Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol premtoi mbështetje më të mirë financiare për dezertorët e Koresë së Veriut dhe stimuj tatimorë për kompanitë që i punësojnë ata.

Yoon, një konservator, ka marrë një qasje më të ashpër ndaj Koresë së Veriut, krahasuar me paraardhësin e tij Moon Jae-In.

Ai mbështet sanksionet kundër regjimit të Kim Jong Un dhe ka premtuar të zhvillojë teknologji për të kryer një sulm parandalues ​​ndaj Koresë së Veriut nëse Pheniani synon të sulmojë Seulin.

Dezertimi i fundit vjen në një kohë të tensioneve të rritura midis dy Koreve.

Udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong Un ka braktisur zyrtarisht qëllimin e ribashkimit me Jugun dhe gjithashtu së fundmi e ka quajtur Seulin si “Armikun numër Një” – një kthesë dramatike nga vetëm gjashtë vjet më parë kur ai takoi zyrtarisht udhëheqësin e atëhershëm të Koresë së Jugut, Moon Jae In.

Që atëherë, ka pasur një rritje të retorikës në të dy anët e kufirit.

Të dy vendet lëshuan balona propagandistike përgjatë qyteteve të tyre kufitare, me ato nga veriu që përmbanin mbeturina dhe parazitë.

Dhe më herët në qershor, Pheniani pretendoi se kishte testuar një raketë të avancuar me kokë bërthamore. REL

Një sulm me dron godet një fabrikë pajisjesh elektrike në Rusi

Harta e Rusisë – fotografi ilustruese

Një sulm i Ukrainës me dron i vuri flakën një fabrike të pajisjeve eletrike në qytetin Korenevo të rajonit Kursk të Rusisë, bëri të ditur guvernatori i përkohshëm i rajonit, Aleksei Smirnov, në një postim në Telegram.

Korenevo gjendet rreth 25 kilometra larg kufirit me Ukrainën.

“Asnjë nga punëtorët nuk u plagos”, tha Smirnov, duke shtuar se zjarri në fabrikë u shua nga ekipet e zjarrfikësve.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se mbrojtja ajrore rrëzoi 13 dronë të Ukrainës gjatë natës së shkuar, përfshirë një dron mbi rajonin e Kurskut.

Ukraina nuk i komentoi këto pretendime.

Që nga fillimi i vitit 2024, kompani të shumta në sektorin e naftës në Rusi janë sulmuar me dronë, për ç’gjë njësitë e përpunimit primar të naftës kanë ndaluar së punuari në disa rafineri.

Siç raporton Reuters, në tremujorin e parë të këtij viti, së paku shtatë fabrika ruse ndaluan prodhimin.

U mbyll “Dasma e vitit” në Indi

Anant Ambani dhe gruaja Radhika Merchant gjatë festimeve të dasmës së tyre në Indi

Pas një muaji festimesh, djali i njeriut më të pasur në Azi (dhe i nënti në botë), Mukesh Ambani dhe e fejuara e tij u martuan. Por një dasmë e tillë shkakton edhe kritika të ashpra

VOAL- Një pritje martese të dielën mbuloi festimet e një muaji: Djali më i vogël i Mukesh Ambani, njeriu më i pasur i Azisë, u martua me të dashurën e tij prej shumë kohësh. Festimi kishte një kosto të papërcaktuar të vlerësuar në gjysmë miliardë dollarë.

Anant Ambani u martua me Radhika Merchant, vajzën e manjatëve farmaceutikë Viren dhe Shaila Merchant. Ritualet e dasmës, duke përfshirë çiftin duke shkëmbyer kurora dhe duke ecur rreth zjarrit të shenjtë, filluan të premten dhe përfunduan të shtunën.

Nusja dhe dhëndri u brohoritën nga miqtë dhe të afërmit në Jio World Drive të Mumbait – një qendër kongresesh në pronësi të familjes Ambani – si pjesë e ‘Mangal Utsav’ (pritja e dasmës që rezultoi në një festë madhështore), e cila shfaqi atë që shumë e kanë quajtur “dasma e vitit” në Indi.

Ish-kryeministrat britanikë Boris Johnson dhe Tony Blair, si dhe Kim dhe Khloe Kardashian, Priyanka Chopra dhe Nick Jonas, ish-kryeministri italian Matteo Renzi, mundësi dhe aktori amerikan John Cena, superyjet e Bollywood-it Amitabh Bachchan, Shahrukh Khan dhe Salman Khan ishin mes tyre. të famshmit që morën pjesë në ceremoni të premten dhe të shtunën.

Kryeministri indian Narendra Modi bekoi të sapomartuarit gjatë një pritjeje të organizuar nga Mukesh Ambani të shtunën, duke theksuar peshën në rritje të miliarderit edhe nga pikëpamja politike.

Ambani është njeriu i nëntë më i pasur në botë, me një pasuri neto prej 116 miliardë dollarësh sipas Forbes dhe është gjithashtu personi më i pasur në Azi. His Reliance Industries është një konglomerat me të ardhura vjetore prej më shumë se 100 miliardë dollarë, me interesa që përfshijnë petrokimikat, naftën dhe gazin, telekomunikacionin dhe shitjen me pakicë.

Familja Ambani zotëron, mes pasurive të tjera, një kompleks familjar 27-katësh në Mumbai me vlerë 1 miliard dollarë. Ndërtesa përmban tre platforma helikopterësh, një garazh për 160 makina dhe një kinema private.

Megjithatë, nuk munguan polemika të lidhura me ceremoninë. Pompoziteti i theksuar shkakton diskutim edhe në Indi, një vend ku varfëria mbetet e dukshme në të hapur dhe ku 1% e banorëve zotërojnë 40% të pasurisë. Shfaqja e kaq shumë bujari, në fakt, irriton shumë qytetarë që stigmatizojnë se si kaq shumë mirëqenie ekonomike ka përfunduar në kaq pak duar.

Është e vërtetë që marrëdhëniet e familjes Ambani me politikën janë të vjetra. Kritikët e Mukesh Ambani thonë se kompania e tij mbështetej në miqësitë politike gjatë qeverive të udhëhequra nga Partia e Kongresit në vitet 1970 dhe 1980 dhe nën qeverinë e Modi që nga viti 2014.AP/RSI

Varësia e Perëndimit nga lënda djegëse bërthamore ruse

VOA

Një analizë e Institutit Mbretëror të Shërbimeve të Bashkuara të Britanisë tregon se shumë vende perëndimore ende mbështeten tek lënda djegëse bërthamore ruse për përdorim në centralet bërthamore. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Henry Ridgwell nga Londra, pavarësisht se Perëndimi është përpjekur të shkëpusë lidhjet ekonomike me Kremlinin pas agresionit të Rusisë në Ukrainë, vendet perëndimore ende varen nga lënda djegëse bërthamore ruse për të prodhuar energji elektrike.

Franca ka 56 reaktorë bërthamorë, që prodhojnë rreth dy të tretat e energjisë elektrike të vendit. Franca është gjithashtu një nga klientët më të mëdhenj të Rusisë për uraniumin e pasuruar që përdoret në centralet bërthamore, sipas një raporti të Institutit Mbretëror të Shërbimeve të Bashkuara, shkurtimisht RUSI, me seli në Londër.

Analiza vë në dukje se pavarësisht masave për të ndërprerë lidhjet ekonomike me Rusinë, disa vende perëndimore ende varen tek lënda djegëse bërthamore që tregtohet nga Rusia. Zëri i Amerikës bisedoi me autoren e raportit, Darya Dolzikova.

“Që nga fillimi i vitit 2022 Franca ka shtuar ndjeshëm importin e uraniumit të pasuruar nga Rusia. Një rritje prej 184%”.

Madje kompania franceze EDF po planifikon një sipërmarrje të përbashkët me kompaninë shtetërore ruse, Rosatom për përpunimin e uraniumit në Gjermani. Por nuk është vetëm Franca. Raporti detajon eksportet ruse për Shtetet e Bashkuara, Gjermaninë dhe Holandën.

“Rusia vazhdon të jetë eksportuesi më i madh në botë i uraniumit të pasuruar dhe shërbimeve të pasurimit. Në shkallë botërore, Rusia mbulon rreth 44% të kapacitetit total të shërbimeve të pasurimit”, thotë Darya Dolzikova me Institutin Mbretëror të Shërbimeve të Bashkuara.

Mbështetja botërore për energjinë bërthamore pësoi rënie pas incidentit në centralin bërthamor Fukushima të Japonisë në vitin 2011.

Mes përpjekjeve për uljen e ndotjeve nga karboni, shumë vende e kanë përqendruar vëmendjen tek energjia bërthamore. Në një takim të kohëve të fundit të Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike në Bruksel, disa udhëheqës bënë thirrje për riinvestim në energjinë bërthamore.

“Për të përshtatur zinxhirët e furnizimit sa më shpejt të jetë e mundur dhe gjithashtu për t’u shkëputur nga furnizimi rus. Por duhet që ne t’i balancojmë gjërat. Nëse duam të ulim ndotjet nga dioksidi i karbonit, ne duhet të sigurohemi që centralet tona bërthamore funksionojnë”, tha kryeministri belg, Alexander De Croo.

Instituti me seli në Londër, RUSI, vlerëson se gjatë vitit 2023 Rusia shiti në tregun global uranium të pasuruar me një vlerë prej rreth 2.7 miliardë dollarë.

Raporti thotë se janë rritur eksportet drejt Kinës, duke ngritur dyshime se Pekini mund të importojë uranium të pasuruar nga Rusia për të lehtësuar eksportet më të mëdha të furnizimit me uranium të pasuruar nga Kina.

“Sanksionet, ose çdo lloj kufizimi, duhet të jenë shumëpalëshe. Ose në të kundërt, si rezultat i kompleksitetit të furnizimit me uranium të pasuruar dhe zinxhirëve të furnizimit me lëndë djegëse, Rusia do të gjejë hallkën më të dobët të kufizimeve në përpjekje për vazhduar qasjen në tregjet perëndimore”, thotë Darya Dolzikova me Institutin Mbretëror të Shërbimeve të Bashkuara.

Vendet perëndimore po përpiqen të rrisin pavarësinë e tyre bërthamore. Franca po rrit kapacitetin e pasurimit të uraniumit me mbi 30%, sipas raporteve të industrisë bërthamore.

Firma amerikane Westinghouse dhe firma ukrainase Energoatom kanë filluar prodhimin e uraniumit të pasuruar që mund të furnizojë ish-reaktorët sovjetikë në Evropën Lindore, nga një objekt në Suedi.

Raporti thotë se do të duhen të paktën dy vjet që Perëndimi t’i japë fund varësisë nga lënda djegëse bërthamore ruse.

Moskë, dënohet në mungesë gazetarja amerikane Masha Gessen

Gazetarja amerikane Masha Gessen gjatë një aktiviteti në Nju Jork

 

VOA/Marrë nga Associated Press

Gazetarja dhe autorja amerikane Masha Gessen u dënua në mungesë të hënën nga një gjykatë në Moskë për akuzat për përhapje informacioni të rremë në lidhje me ushtrinë ruse. Asaj iu dhanë tetë vite burg.

Zonja Gessen ka lindur në Moskë dhe banon në Shtetet e Bashkuara. Ajo shkruan për revistën “The New Yorker” dhe për gazetën “The New York Times”. Zonja Gessen është ndër kritiket e presidentit rus Vladimir Putin dhe një shkrimtare e vlerësuar me çmime për krijimtarinë e saj.

Policia ruse futi emrin e saj në dhjetor në një listë të personave në kërkim dhe mediat ruse njoftuan se kjo ishte bërë për shkak të deklaratave të saj, gjatë një interviste me një bloger popullor rus në internet, mbi mizoritë në qytetin ukrainas Bucha.

Që nga shtatori i vitit 2022 intervista e saj ka marrë 6.5 milionë shikime në rrjetin YouTube. Në intervistë, zonja Gessen dhe bloggeri Yury Dud diskutonin për mizoritë e bëra më herët atë vit në qytetin ukrainas Bucha.

Forcat ukrainase që rimorën qytetin nga forcat ruse, gjetën të paktën 400 trupa burrash, grash dhe fëmijësh nëpër rrugë, shtëpi dhe varre masive, disa me shenja torturash. Zyrtarët rusë kanë mohuar me forcë që ushtarët rusë të kishin përgjegjësi dhe kanë proceduar penalisht disa personalitete publike ruse që kanë folur për Buchan.

Akuzat ndaj tyre u ngritën bazuar në ligjin rus të miratuar pak ditë pasi filloi sulmi në Ukrainë. Ligji i ri i bëri vepër penale të gjitha shprehjet publike për luftën që devijojnë nga versioni i Kremlinit. Rusia thotë se forcat e saj në Ukrainë godasin vetëm objektiva ushtarake dhe jo civilët.

Zonja Gessen ka dy shtetësi, atë amerikane dhe atë ruse. Ajo jetonte në Rusi deri në vitin 2013, kur vendi miratoi ligje kundër komunitetit LGBTQ+.

Ajo nuk ka gjasa të burgoset në Rusi, nëse nuk udhëton drejt një vendi që ka në fuqi marrëveshje ekstradimi me Moskën.

Që kur filloi sulmin në Ukrainë në shkurt 2022, Rusia ka shtypur me ashpërsi disidencën dhe ka vendosur në objektiv shtetas amerikanë.

Janë ngritur 1,053 çështje penale në Rusi ndaj protestuesve kundër luftës, sipas grupit të të drejtave të njeriut OVD-Info, i cili mbledh të dhëna për arrestimet politike dhe ofron ndihmë ligjore.

Po të hënën, shtetasi rus Richard Rose u shpall fajtor për përhapje informacioni fals për ushtrinë ruse në Bucha, tha OVD-Info. Edhe zoti Rose u dënua me tetë vite burgim.

Sipas OVD-Info, ai ishte shprehur në një video se “masakra në Bucha nuk do të harrohet kurrë… Fashistët rusë nuk do të falen kurrë për këtë”.

Në deklaratën e tij përfundimtare në gjykatë, zoti Rose tha se e konsideron veten të burgosur politik dhe se nuk do t’i ndryshojë pikëpamjet e tij, tha OVD-Info.

Përpjekje që “aparteidi gjinor” të njihet si krim

Forcat e sigurisë në Iran duke ua tërhequr vërejtjen grave për ta veshur sipas rregullave hixhabin e tyre.

 

Radio Azadi

Prej kohësh, bota ka qenë e vetëdijshme për dëmin e shkaktuar nga aparteidi – ndarjes sistematike apo diskriminimit të njerëzve bazuar në racën e tyre. Po praktika e instutucionalizuar e veçimit dhe keqtrajtimit të njerëzve për shkak të gjinisë?

Përpjekjet që “aparteidi gjinor” të njihet në të drejtën ndërkombëtare janë intensifikuar, me shtypjen e grave dhe vajzave në Afganistan dhe Iran që kanë rritur thirrjet për veprim të menjëhershëm. Megjithatë, ende ka pengesa të mëdha.

Çfarë duan grupet për të drejtat e njeriut?

Avokuesit duan një përkufizim të qartë të aparteidit gjinor si krim në bazë të ligjit ndërkombëtar. Aktualisht, vetëm “ndjekje penale” me bazë gjinore njihet si krim kundër njerëzimit. Por, grupet e të drejtave të njeriut dhe aktivistët thonë se koncepti i ndjekjes penale nuk pasqyron shkallën e vërtetë të shkeljeve që kryen në sisteme ku aparteidi gjinor është i institucionalizuar.

Qëllimi është që Kombet e Bashkuara të mbushin këtë boshllëk duke mbrojtur ligjërisht gratë dhe vajzat nga shkeljet sistematike dhe dhuna.

Mbrojtësit e të drejtave të grave afgane vlerësohet se janë të parët që kanë artikuluar konceptin e aparteidit gjinor në vitet ’90, gjatë regjimit të parë të talibanëve.

Që kur talibanët u rikthyen në pushtet më 2021, grupi islamist i linjës së ashpër ka rikthyer politikat shtypëse ndaj grave dhe vajzave, përfshirë edhe kufizimet e ashpra për dukjen e tyre, lirinë e lëvizjes dhe të drejtën e punësimit dhe arsimimit.

Hoda Khamosh, aktiviste afgane për të drejtat e grave, tha se njohja e aparteidit gjinor do të sillte përfitime të mëdha për të drejtat e grave në këtë shtet.

“Ne do të ishim në gjendje të mbanin përgjegjës autoritetet dhe kryesit e dhunës me bazë gjinore dhe të diskriminimit kundër grave”, tha Khamosh për Radion Azadi të Radios Evropa e Lirë.

Ndërkaq, aktivistët për të drejtave e grave iraniane thanë se institucionalizimi i diskriminimit të grave në Republikën Islamike është aparteid gjinor.

Ekspertët e OKB-së thanë se zbatimi i dhunshëm i ligjit për hixhabin dhe ndëshkimet e grave dhe vajzave që dështojnë të veshin shaminë e kokës mund të përshkruhen si një formë e aparteidit gjinor.

Kur duan që aparteidi gjinor të njihet si krim?

Sot. OKB-ja është duke e shqyrtuar miratimin e një Traktati të madh që do të bashkonte nënshkruesit kundër krimeve kundër njerëzimit. Dhjetëra grupe për të drejtat e njeriut dhe qindra individë në mars nënshkruan një deklaratë përmes së cilës bënë thirrje që aparteidi gjinor të përfshihet në draft-listën e krimeve të tilla.

Ata shpresojnë që Asambleja e Përgjithshme e OKB-së do të miratojë procedurat për nisjen e negociatave për traktatin gjatë mbledhjes së ardhshme, në shtator.

Rrugë e vështirë

Përderisa koncepti i aparteidit gjinor gjithnjë e më shumë po përdoret nga OKB-ja dhe organizatat ndërkombëtare, veçmas në lidhje me shkeljet ndaj grave dhe vajzave në Afganistan dhe Iran, por po ashtu ka pasur mundësi të humbura.

Gjatë bisedimeve në Doha me talibanët – të organizuara nga OKB-ja – në fillim të korrikut, për shembull, gratë nuk kishin një ulëse në tavolinën e bisedimeve.

Aktivistët për të drejtat e njeriut, që kërkojnë njohjen e aparteidit gjinor dhe bëjnë thirrje për sanksionimin e atyre që bëjnë shkelje të tilla, kanë akuzuar OKB-në se po i jep legjitimitet sundimit të talibanëve dhe po e tradhton angazhimin e saj ndaj të drejtave të grave.

“Komuniteti ndërkombëtar ka obligim moral për të siguruar mbrojtje për të drejtat e grave afgane dhe të respektojë parimet e drejtësisë dhe barazisë në çdo angazhim me talibanët”, tha Sima Samar, ish-kryetare e Komisionit të Pavarur të të Drejtave të Njeriut në Afganistan (AIHRC). Këtë deklaratë ajo e bëri për CIVICUS, që është një aleancë globale e organizatave të shoqërisë civile.

Burgim dhe vdekje në Iran

Sikurse talibanët në Afganistan, regjimi klerik i Iranit është cilësuar nga organizatat e të drejtave të njeriut si “regjim i aparteidit gjinor”.

Laureatja e Çmimit Nobel për Paqe, Shirin Ebadi, e cila është aktiviste iraniane për të drejtat e njeriut dhe që jeton në mërgim, është në mesin e nënshkruesve kyçë të përpjekjes globale për T’i Dhënë Fund Sot Aparteidit Gjinor.

Kjo lëvizje, duke përmendur përpjekjen e suksesshme të komunitetit ndërkombëtar për t’i dhënë fund aparteidit në Afrikën e Jugut dekada më parë, theksoi se grave në Iran nuk u lejohet të studiojnë në shumë fusha, nuk u lejohet të marrin pjesë në ngjarje sportive, të kenë pasaportë apo të udhëtojnë jashtë shtetit pa lejen e bashkëshortëve të tyre.

Kjo lëvizje tha se qëllimi i autoriteteve është që të mbajnë gratë të nënshtruara ndaj burrave dhe ndaj shtetit përmes një sistemi ligjesh. Shkeljet mund të çojnë në “dhunë, burgim dhe vdekje”.

“Situata në Republikën Islamike të Iranit dhe në Afganistanin nën sundimin talibanë nuk janë thjesht raste të diskriminimit gjinor”, tha lëvizja, duke bërë thirrje për mbështetje. “Përkundrazi, këto sisteme po kryejnë një luftë më ekstreme, sistematike dhe strukturore kundër grave të dizajnuara për të dehumanizuar dhe shtypur ato me qëllim të forcimit të pushtetit”. Radio Evropa e Lirë

Përgatiti: Mimoza Sadiku

Vatikani: Lutemi për Amerikën dhe paqen, dhuna s’duhet të mbizotërojë kurrë

Vatikani ka shprehur shqetësimin, pas atentatit të mbetur në tentativë ndaj ish-presidentit amerikan, Donald Trump, gjatë një mitingu elektoral në Pensilvani, njëkohësisht edhe kandidat për zgjedhjet presidenciale në amerikë.

Selia e Shenjtë përmes një deklarate shprehu “shqetësimin e saj për episodin e dhunës (13.07.2024), që plagosi njerëzit dhe demokracinë, duke shkaktuar vuajtje dhe vdekje”.

Në deklaratë theksohet se Selia e Shenjtë është “e bashkuar në lutjen e peshkopëve amerikanë për Amerikën, për viktimat dhe për paqen në vend, që motivet e dhunuesve të mos mbizotërojnë kurrë”.  sn

Atentati ndaj Trumpit, reagon Kremlini

Për atentatin ndaj ish-Presidentit Donald Trump, i cili mbeti i plagosur lehtë, teksa po mbante një fjalim në Pensilvani, ka reaguar edhe Kremlini zyrtar.

Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov në reagimin e tij shprehet se ne nuk besojmë se përpjekja për të eliminuar dhe vrarë Trump është organizuar nga autoritetet aktuale.

“Atmosfera rreth kandidatit Trump tregon atë që Amerika po përballet sot. Pas përpjekjeve të shumta për të hequr kandidatin Trump nga arena politike – duke përdorur mjetet e para ligjore, gjykatat, prokurorët, përpjekjet për të diskredituar politikisht dhe kompromentuar kandidatin – ishte e qartë për të gjithë vëzhguesit e jashtëm se jeta e tij ishte në rrezik”, tha Peskov.

Biden e ka dënuar sulmin ndaj Donald Trump, duke e quajtur si një veprim “të sëmurë”. bw

Liderët botërorë dënojnë atentatin kundër Trumpit

Donald Trump pas atentatit ndaj tij, largohet nga skena nga agjentët e Shërbimit Sekret.

 

Udhëheqësit botërorë dënuan të shtënat me armë zjarri ndaj kandidatit të pritur republikan për president të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, një incident që tronditi fushatën zgjedhore në SHBA dhe rriti frikën për dhunë të mëtejshme politike.

Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Antonio Guterres dënoi atë që Byroja Federale e Hetimit (FBI) e cilësoi si tentim-vrasje.

“Sekretari i Përgjithshëm dënon këtë akt të dhunës politike. Ai i dërgon urimet e tij më të mira presidentit Trump për një shërim të shpejtë”, tha në një deklaratë zëdhënësi i Guterres, Stephan Dujarric.

Trump ishte duke folur në një tubim më 13 korrik në Pensilvaninë perëndimore kur u dëgjuan disa të shtëna. Më vonë, ai tha se një plumb i shpoi pjesën e sipërme të veshit të djathtë.

Dy persona u vranë, përfshirë sulmuesin e dyshuar dhe dy persona që ishin në audiencë po ashtu u plagosën rëndë.

FBI ka identifikuar të dyshuarin si Thomas Matthew Crooks, 20 vjeç, nga Pensilvania.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se ishte “thellësisht e tronditur” nga të shtënat.

“Dhuna politike nuk ka vend në një demokraci”, shkroi ajo në X, që më herët njihej si Twitter.

“I uroj Donald Trumpit shërim të shpejtë dhe i shpreh ngushëllimet e mia familjes së viktimës së pafajshme”, shtoi ajo.

Kryeministri kanadez, Justin Trudeau, tha se dhuna politike nuk është kurrë e pranueshme.

“Mendimet e mia janë me ish-presidentin Trump, ata që ishin në vendngjarje dhe të gjithë amerikanët”, tha ai në një postim për X.

Shefi i diplomacisë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se ishte i tronditur, duke e dënuar ashpër sulmin.

“Edhe një herë ne jemi dëshmitarë të akteve të papranueshme të dhunës kundër përfaqësuesve politikë,” shkroi ai për X.

Ndërkaq, kryeministri hungarez, Viktor Orban, i cili ditë më parë e vizitoi Trumpin në shtëpinë e tij në Floridë tha se mendimet e tij dhe lutjet ishin me ish-presidentin e SHBA-së.

Presidenti i Ukrainës, i cili ka pasur një marrëdhënie të vështirë në të kaluarën me Trump, tha se ishte i tmerruar kur dëgjoi për të shtënat.

“Dhunë e tillë nuk ka justifikim dhe nuk ka vend askund në botë”, shkroi ai në X.

Shërim të shpejtë Trumpit i uroi kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu.

Për atentatin ndaj Trumpit kanë reaguar edhe liderët e rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka dënuar tentim-vrasjen ndaj Trumpit, duke i uruar shërim të shpejtë dhe të plotë.

“Mospajtimet politike në një demokraci gjithmonë duhet të shprehen përmes formave paqësore të fjalës dhe protestës dhe të zgjidhen nga zgjedhje të lira dhe fer”, shkroi ai në X.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka shprehur shqetësim për tentim-vrasjen, duke e dënuar “dhunën si mjet për përplasje politike”.

“I uroj shërim të shpejtë, duke e ditur se ai do të dalë nga kjo luftë edhe më i fortë”, shkroi ai në X.

Sulmi ndaj Trumpit u dënua edhe nga presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Silanovska-Davkova.

“Dhuna politike nuk ka dhunë në demokraci”, shkroi ajo në rrjetet sociale.

Të shtënat në Pensivlani ndodhën dy ditë para nisjes së Kuvendit Kombëtar të Partisë Republikane, ku Trump pritet të sigurojë nominimin e partisë për të garuar në zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit.

Rusia ka humbur më shumë se 70 mijë trupa në Ukrainë dy muajt e fundit

Rusia ka humbur më shumë se 70,000 trupa në dy muajt e fundit, ka njoftuar inteligjenca ushtarake britanike.

Përditësimi nga Ministria britanike e Mbrojtjes shtoi se humbjet e mëdha ka të ngjarë të vazhdojnë pasi Rusia kërkon të fitojë në vijat e frontit në Ukrainë.

“Viktimat mesatare ditore ruse të vrarë dhe të plagosur në Ukrainë, përgjatë majit dhe qershorit të vitit 2024, u rritën në nivelet maksimale të konfliktit prej 1,262 dhe 1,163 respektivisht”, shkroi Ministria e Mbrojtjes.

“Në total, Rusia ka të ngjarë të humbasë mbi 70,000 personel gjatë dy muajve të fundit”, shtoi ajo.

Një zyrtar i lartë i NATO-s i përshkroi humbjet si “astronomike” gjatë samitit të NATO-s në Uashington, shkruan the Telegraph.

“Rusia ka të ngjarë të pësojë humbje prej gati 1,000 njerëzve në ditë”, tha zyrtari.

“Një mbrojtje efektive ukrainase dhe mungesa e stërvitjes ruse zvogëlon aftësinë e Rusisë për të shtrirë dhe shfrytëzuar çdo sukses taktik, pavarësisht përpjekjes për të shtrirë më tej vijën e frontit”, vazhdoi Ministria britanike e Mbrojtjes.

Përditësimi shtoi: “Norma e viktimave të Rusisë ka të ngjarë të vazhdojë të jetë mesatarisht mbi 1,000 në ditë gjatë dy muajve të ardhshëm, ndërsa Rusia vazhdon të përpiqet të kapërcejë pozicionet e Ukrainës me masë”.

Siç raportohet, analistët perëndimorë kanë thënë se përdorimi i njësive të vogla sulmuese nga Rusia i ka penguar ata të bëjnë përfitime të konsiderueshme ose të shfrytëzojnë ndonjë përparim në linjat mbrojtëse të Ukrainës.

Forcat e Moskës kanë kryer vazhdimisht sulme me nga 10 deri në 15 trupa këmbësorie, për të shmangur humbjet e rënda.

“Këto taktika mund të sjellin përfitime në rritje, por ato nuk janë të përshtatshme për të arritur përparime të rëndësishme operacionale. Sulmet më të mëdha kanë rezultuar të kushtueshme për forcat ruse, të cilat nuk mund të përballojnë humbje të qëndrueshme të pajisjeve të llojit të parë”, tha Michael Kofman, bashkëpunëtor i lartë në Carnegie Endowment.

Pas një udhëtimi të fundit kërkimor në terren, Kofman tha se Ukraina përballet me muaj të vështirë përpara, pavarësisht përmirësimit të situatës në fushën e betejës.

Ai tha: “Ukraina përballet me muaj të vështirë luftimesh përpara, por situata në front është më e mirë se sa ishte këtë pranverë”. sn


Send this to a friend