Policia ka zbarkuar këtë të mërkuarë (22 prill) në ambientet e Equos Resort, ku po zbatohet një vendim për sekuestrimin e pasurive te Ergys Agasit.
Gazetarja Klodiana Lala raporton se në fokus të aksionit janë disa vila të ndërtuara në këtë kompleks, të cilat dyshohet se janë ngritur pa leje ndërtimi dhe më pas janë legalizuar në mënyrë të kundërshtuar me ligjin.
Kujtojmë që Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) publikoi dje (21 prill) një njoftim zyrtar në lidhje me hetimet që po zhvillohen ndaj Ergys Agasit, Ermal Beqirajt dhe ndaj ish-drejtoreshës së AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj.
Me kërkesë të SPAK Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka vendosur sekuestrimin e një liste të gjatë pasurish, të cilat sipas SPAK kapin një vlerë të përafërt mbi 40 milionë euro.
Në vendimin e gjykatës përfshihen apartamente, truaj, vila, pyje, ndërtesa, automjete luksoze, llogari bankare në disa institucione financiare, si dhe aksione në subjekte tregtare, në pronësi të Agasit, Beqirajt dhe Karçanajt.
Ndër pasuritë e sekuestruara përmenden: apartamente dhe prona në zona të ndryshme të Tiranës, Durrësit dhe Vlorës, sipërfaqe të mëdha toke dhe pyjesh në Petrelë dhe zona të tjera periferike, automjete luksoze, disa llogari bankare, subjekte tregtare dhe aksione në kompani të ndryshme si edhe mjete lundruese, përfshirë një jaht.
Gjithashtu, në disa raste janë sekuestruar shuma të konsiderueshme parash të mbajtura në llogari të subjekteve të ndryshme tregtare.
PASURITË E SEKUESTRUARA
Sipas vendimit të Gjykatës së Posaçme, Mirlinda Karcanajt i janë sekuestruar katërt pasuri të paluajtshme, një makinë dhe disa llogari bankare.
Me numrin më të lartë të pasurive të sekuestruara nga SPAK rezulton Ergys Agasi, me 27 pasuri të paluajtshme, subjektin “EA Solution”, një automjet luksoz dhe disa llogari bankare.
Ndërsa Ermal Beqirit i janë sekuestruar 6 pasuri të paluajtshme, një mjet lundrues Yacht “Skyfall”, dy subjektet “Soft&Solution” dhe “H” sh.p.k., automjete dhe motomjete sipas regjistrave dhe të gjitha llogaritë bankare në emër të tij dhe subjekteve.
Po ashtu, SPAK ka sekuestruar edhe 123,629,664 ALL në subjektin “F” sh.p.k., në ngarkim të personit nën hetim Gëzim Hoxha, 410,595,663 ALL në subjektin “F” sh.p.k. dhe 94,423,883 ALL në subjektin “F.F”; në ngarkim të personit nën hetim Andis Papës, si edhe 100,840,264 ALL në subjektin “A”, në ngarkim të personit nën hetim Erion Ismailit.
Njoftimi i SPAK





te zbatohet ligji punonjesja ka gabuar nuk qellohet ne krye te detyres…