Një komisioni i Dhomës së Përfaqësuesve ka publikuar videot e ish-presidentit të SHBA-së, Bill Clinton dhe ish-sekretares së Shtetit, Hillary Clinton, duke iu përgjigjur pyetjeve rreth të dënuarit për krime seksuale Jeffrey Epstein.
Regjistrimet e dëshmive, që zgjatën me orë të tëra gjatë dy ditëve javën e kaluar, tregojnë se të dy Clintonët u distancuan nga Epsteini.
Bill Clinton i tha komisionit se ai e kishte ndërprerë marrëdhënien me Epstein vite para se financieri ta pranonte fajësinë në vitin 2008 për kërkim shërbimi seksual nga një vajzë e mitur.
Ish-presidenti demokrat tha se e kujton për herë të parë takimin me Epstein kur udhëtoi me avionin e tij privat në vitin 2002 për punën humanitare të Clintonëve, dhe se u ndanë një vit më pas.
“Nuk pashë asgjë kur isha pranë tij që të më bënte të kuptoja se ai po trafikonte gra”, i tha Bill Clinton komisionit.
Epstein e vizitoi Shtëpinë e Bardhë disa herë gjatë presidencës së Clintonit dhe ekzistojnë fotografi ku ata shtrëngojnë duart, por Bill Clinton tha se nuk i kujtonte ato ndërveprime.
Hillary Clinton tha se as nuk e kujtonte të ishte takuar ndonjëherë me Epsteinin.
Megjithatë, ata u përballën me orë të tëra pyetjesh nën betim nga ligjvënësit, të cilët po kërkojnë përgjegjësi për këdo që ka qenë në dijeni ose ka injoruar abuzimin e Epstein ndaj vajzave të mitura.
Bill Clinton u pyet nëse presidenti i SHBA-së, Donald Trump, duhet të detyrohet të dëshmojë para komitetit.
“Kjo është për ju të vendosni”, tha ai. “Por ai e njihte mirë”.
Clinton pastaj shfrytëzoi momentin për të komentuar një bisedë personale që kishte pasur një herë me Trump rreth Epstein rreth viteve 2002 ose 2003.
“Trump nuk më tha kurrë asgjë që të më bënte të mendoja se ai ishte i përfshirë në ndonjë gjë të papërshtatshme në lidhje me Epsteinin. Thjesht nuk e bëri. Ai vetëm tha: ‘Ishim miq dhe pastaj u prishëm për shkak të një marrëveshjeje toke, një marrëveshjeje pronësie’. Kaq.”
Dy bashkëshortët u morën në pyetje për afro 4 orë e gjysmë secili. gsh