Ish-deputeti Ervin Salianji ishte mbrëmjen e sotme në “Oponencë” ku foli mbi protestën e djeshme të opozitës.
Salianji thekson se protestat e thirrura nga Berisha erdhën dy muaj pasi plasi skandali Balluku, kur mund të ishin thirrur më shpejt.
Ndërkohë që shtoi se me rastin Balluku dhe AKSHI, qeveria ka rënë, por është opozita sipas tij që nuk e përmbush dot vakumin e krijuar.
Salianji: Do duket si një ndarje me PD, por unë i shërbej PD-së. Jam në një situatë ku mendoj ndryshe: qëllimi im është ta bëjmë PD fituese. Është e lehtë të organizohesh, por duket sikur po i bie një gozhdës tjetrit në patkoit, dhe krijohet përshtypja e përçarjes.
Nëse do të merrja vendim personal, do ta kisha bërë më parë, ditën kur u konstituua parlamenti, për të nisur protestën. Vendimi për protestë erdhi pas shkeljeve në MIE dhe AKSHI. Kërkesa për dorëheqje dhe protesta u zhvilluan dy muaj pas skandalit. Qeveria ka rënë moralisht, por ekziston një vakuum lidershipi. Kur një qeveri kapet në korrupsion dhe vjedhje, ajo bie politikisht dhe moralisht. Por për të zëvendësuar këtë vakum, opozita duhet të jetë e aftë.
Diferenca është se PD sot, përtej shpërthimeve simbolike, duhet të mendojë seriozisht se si mund të rrëzojë Edi Ramën. Forma e protestës aktuale nuk është e mjaftueshme. Duhet të ketë veprime më konkrete, si bllokimi i rrugëve ose proteste në pika strategjike. PD duhet të përmirësojë vetveten për t’i bashkuar njerëzit. Në fund të ditës dhe netëve të protestës, kur qytetarët shkojnë për të votuar, aty do të matet fuqia e opozitës.